10-vjetori i Pavarësisë së Kosovës me aktorët e filmit “Shok”

Në kuadër të aktiviteteve të parapara me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është organizuar Zip-line trip, ku morën pjesë disa nga aktorët e filmit “Shok”, i cili ishte i nominuar për çmimin Oscar në vitin 2016.

Aktorët që e provuan këtë eksperiencë ishin Lum Veseli, Andi Bajgora nga filmi “Shok” dhe të tjerë nga Fakulteti i Arteve, dega Aktrim Donika Zeqiri, Florist Bajgora dhe Almir Suhodolli.

Aktorët u shprehën mjaft të kënaqur për këtë eksperiencë të re, duke e sprovuar veten edhe në këtë lloj sporti ekstrem. Lum Veseli ka treguar për fobinë ndaj lartësisë, duke pohuar se sot e ka mposhtur atë. “E kemi si traditë familjare frikën nga lartësia, sot e sfidova këtë fobi”. E

dhe ky organizim ishte ide nga ana e Ardian Arifajt dhe Adil Behramaj, anëtarë të këshillit organizativ të përvjetorit të pavarësisë, të cilët paralajmëruan shumë plane tjera në vazhdim, deri më datën 17 shkurt. Përpos këtij aktiviteti, sot ka pasur edhe vrapim prej 50 kilometrash, nga Klina, në Gllogjan e deri në Koshare, organizuar nga Shoqata e Vrapimit, që ndryshe këtë vrap e kanë titulluar “Vrapimi i Pavarësisë”./ KultPlus.com

Sot 73 vjetori i gazetës “Rilindja”

Sot bëhen 73 vjet, kur për herë të parë u botua gazeta në gjuhën shqipe “Rilindja”, e cila fillimisht ishte e përjavshme.

Numri i parë i gazetës doli më 12 shkurt 1945 në Prizren, ku pas numrit të 60-të, gazeta fillon të shtypet në Prishtinë.

Gazeta së pari shtypej si e përjavshme, nga qershori i vitit 1948 filloi të shtypet dy herë në javë, kurse nga nëntori i vitit 1958 filloi të dal si e përditshme.

Më 7 gusht 1990 u mbyll nga administrata e pushtuesit serb.

Në atë ditë gushti të vitit 1990, forca të mëdha policore serbe, të armatosura, hynë në selinë e redaksisë, në katin e pestë të Pallatit të medieve, ku tani gjendet një pjesë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe nga redaktorët e gazetarët kujdestarë kërkoi që ditën e nesërme të mos botohet gazeta.

Punëtorët e “Rilindjes” e kundërshtuan këtë akt urdhërues të policisë dhe vazhduan me përgatitjen e numrit duke shënuar edhe lajmin për hyrjen e dhunshme të policisë serbe.

Pastaj shkuan në shtypshkronjë për të përcjellë procesin e botimit të gazetës. Por edhe këtu, në kohën kur gazeta po futej në rotacione me të gjitha kronikat e asaj dite që kishin ndodhur në Kosovë, erdhi policia serbe dhe forcërisht ndaloi botimin e gazetës.

Por, vetëm pas katër ditësh, gazetarë dhe punëtorë të Rilindjes e të revistave të tjera të kësaj shtëpie rinisën botimin e “Rilindjes” me emra të tjerë botimesh, që nuk përfshiheshin në vendimin e Qeverisë së Serbisë që ndalonte dhe sanksiononte penalisht botimin. Kështu gjatë javës një ditë dilte me emrin “Fjala”, pastaj “Shkëndija”, “Zëri i rinisë”, “Pionieri”, “Gazeta e pionierit”, madje edhe me emrin “BAT” , për t’u ndalur një ditë në emrin “Bujku”, po ashtu gazetë në kuadër të shtëpisë gazetaro-botuese “Rilindja”.

Këto revista që u bënë gazeta dhe që u shndërruan një alternativë të re të “Rilindjes”, u botuan deri në janarin e vitin 1991, kur nisi të botohej gazeta e përditshme “Bujku”.

“Bujku” me disa ndërprerje të shkurta u botua deri në fund të vitit 1998.

Nga viti 1992 nisi botimi i “Rilindjes” në Zvicër e më pas edhe në Shqipëri, për të vazhduar deri me çlirimin e vendit, qershor 1999.

Në vitin 1999, më 22 shkurt, Rilindja, gjatë luftës u botua deri në vigjilje të bombardimeve NATO-s, më 24 mars 1999. Kjo është periudha kur në krye të saj u emërua kryeredaktor Binak Kelmendi.

Pas përfundimit të luftës, në korrikun vitit 1999, Rilindja filloi sërish të dalë në Prishtinë, por për shkak të keqmenaxhimit, ajo pas një kohe u mbyll.

Lokalet e “Rilindjes”, sikur dhe lokale të revistave e gazetave të tjera në ish-Pallatin e Shtypit, tash janë seli të disa ministrive të Republikës së Kosovës, ndërsa shumë punëtorë të tyre presin një përgjigje ose nga Qeveria e Kosovës ose nga Agjencia kosovare për privatizim.

Shpend Ahmeti: Vendosja e flamurit për 10-vjetorin i përket qeverisë

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, mbrëmë bëri një reagim nëpërmjet rrjetit social Facebook, duke iu drejtuar të gjithë qytetarëve mbi debatin për Flamurin e Republikës së Kosovës.

Ahmeti, duke cituar ligjet e Republikës së Kosovës, tregoi se kjo ngjarje është nën protokollin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, kështu që sipas tij, dihet që 10-vjetori është eveniment shtetërorë, shkruan KultPlus.

Po sjellim të plotë reagimin e Shpend Ahmetit:

“Po e shoh një debat të gjatë në lidhje me flamurin shtetëror të Kosovës i cili me apo me pa qëllim po drejtohet te Komuna me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
E para, une jam kryetar i Prishtinës, kryeqytet i Republikës së Kosovës, me kushtetutë e ligje në fuqi, të cilat i zbatojmë dhe i respektojmë.
E dyta, vendosja e simboleve shtetërore rregullohet me Ligjin 03/L-038 për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës dhe Ligjin 03/L-032 për protokollin e shtetit.
Aty është shumë e qartë.
Neni 3 pika 4.
“Protokolli i Shtetit kryen këto funksione:
1.4. përgjigjet për organizimin e ceremonive për festat zyrtare, memorialë, shtetërorë dhe lokale, në rastet kur ato janë jubilare dhe kur për organizimin e të cilave formohet me vendim të Qeverisë të Republikës së Kosovës një komision shtetëror.”
Neni 15 paragrafi 2
“Në mjediset e jashtme flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës qëndron i ngritur mbi ose pranë selive të institucioneve qendrore dhe lokale qeveritare, në pikat kufitare si dhe përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njëzetekatër (24) orë dhe i ndriçuar drejtpërdrejtë gjatë natës. Në rastet e festave zyrtare dhe memoriale flamuri ngritët edhe në vende të tjera me autorizimin e Kryeministrit, për evenimente shtetërorë ose të kryetarit të Komunës, për evenimente lokale.”
Besoj se dihet që 10 vjetori është eveniment shtetëror.

Eliza Hoxha prezantohet me ekspozitë, solli katër momente historike të Kosovës

Përmes nëntëmbedhjetë fotografive, Eliza ka bërë bashkë katër periudha të rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë.

Gili Hoxhaj

Këto ditë qyteti i Prishtinës vetëm se ka filluar të mbushet me zbukurime e logo që po sjellin një atmosferë festive për dhjetë vite pavarësi. Po me këtë rast, artistja Eliza Hoxha, në mesin e shumë mysafirëve e artdashësve sonte prezantoi ekspozitën personale ‘’Midis ëndrrës dhe realitetit’’, shkruan KultPlus.

Por këto rrugë që sonte mbajnë logon e dhjetëvjetorit të pavarësisë, fotografitë e Elizës i tregonin në në një frymë krejtësisht tjetër, në frymën e protestave, e përpjekjeve të pareshtuara për të mbrojtur gjuhën, kulturën dhe vendin. Fotografitë e saj janë një rrugëtim në vitet e 90’ta, atëherë kur duhej guxim edhe për të ëndërruar për lirinë. Në fillim të katalogut të saj shkruhej se vitet e 90’ta janë përjashtim, protestë, dhunë, vdekje, dhimbje, mungesë, pamundësi, mjegull, përpjekje, paralelizëm, mobilizim, solidarizim, ëndërr, dëshirë, vullnet, mision, qëllim. Këto përkufizime të autores ndeshen më së miri në fotografitë që ajo i kishte sjellë nga ajo periudhë. Përmes tyre, cildo që i sheh, e kujton të kaluaren e fatin e njerëzve të këtij shteti.

Përmes nëntëmbedhjetë fotografive, Eliza ka bërë bashkë katër periudha të rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë. Eliza përmes këtyre fotografive i sjellë secilit përpa syve kujtimet e rrugës së gjatë nëpër të cilën ata kanë ecur. Fillimisht fotografitë e saj shpalosin vitet e 90’ta, për të kaluar te koha e të qenit refugjat, nga fytyrat e përhumbura të fëmijëve në një kamp refugjatësh në Maqedoni, ajo kalon tek fytyrat e buzëqeshura të fëmijëve në ditët e clirimit, e dhembjen e reflekton në shtëpitë e djegura e trupave të parë të gjetur të personave të zhdukur gjatë luftës. Ndërsa periudha e fundit që ajo e prek është pikërisht tek momentet e pavarësisë së Kosovës.

Me himnin shtetëror të Kosovës nisi hapja edhe e kësaj ekspozite, për t’u shoqëruar më pas me këngët e vet këngëtares. Kjo ekspozitë u hap me fjalët e Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaci, i cili tha se ndihet i kënaqëur që është pjesë e ekspozitës së Elizës, e cila që në titull arrin ta identifikoj ëndrrën e të gjithëve.

‘’Vet titulli i ekspozitës së Elizës është dicka që identifikohet me të gjithë neve, që identifikohet me Kosovën, pra është dicka që e kemi ëndërruar gjithmonë dhe është moment historik me e pa ëndrrën e realizuar dhe ta bëjmë realizimin e kësaj ëndrre sa më të mirë për të gjithë ne’’, tha Arifaj.
‘’Eliza është shembull tipik i asaj që ne shpesh e permendim në art, themi se ‘’Arti ëshë një pasqyrë e shoqërisë në të cilën jetojmë ndërsa artisti është zëdhenës shpirtëror i asaj shoqërie’’, kjo është një ekspozitë me koncept të vecantë, për shkak se i ka rrenjët para shumë viteve’’, kështu u shpreh skulptori dhe artisti, Luan Mulliqi, i cili e cilësoi Elizën si një artiste e vecantë, me intelekt të madh krijues. Ai po ashtu e cilësoi si hap tejet të rëndësishëm guximin e saj për tu ballafaquar me shumë tema, projektet e saj për njerëzit e zhdukur, për gratë e dhunuara dhe projektin e saj me këngën ‘’Himni im’’, të cilin e quan si ndërprerje e një ëndrre të menduar me flamurin kombëtar që vazhdohet me një ëndërr tjetër, si sakrificë për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Eliza tashmë e dëshmuar në shumë fusha të artit, si në muzikë , ashtu në shkrime e artin pamor, ajo ka prekur ëndrrat dhe realitetin e këtij shteti. Pranë derës së Galerisë së Ministrisë, ku edhe u hap kjo ekspozitë, qëndronin një grup ushtarësh të KFOR-it, të tillë ushtarë kishte edhe në fotografitë e Elizës të shkrepura dy dedaka më parë. Derisa në fotografitë e saj të mëhershme në shumicen e fotografive të protestave, duart e protestuesve janë të zëna me fotografi të flamurit të Shqipërisë, ajo derisa në këtë ekspozitë e sjellë periudhen e katërt, atë të pavarësisë, aty edhe i bashkon të dy flamujt, atë të Kosovës, dhe atë të Shqipërisë.

‘’Kosova e vuan një gjë shumë të rëndësishme që është perjashtimi sepse ne akoma s’jemi mësuar ta kuptojmë tjetrin pavarësisht bindjeve dhe perceptimeve të tjera që mund t’i ketë, të identitetit tjetër dhe grupacioneve të tjera që u përkasin. Këtë sfidë e shoh jo vetëm prej kur Kosova është shtet por është më e theksuar tashmë që nga puna e flamurit se a je kosovar apo shqiptar e deri te rrefimet më banale që shpesh i dëgjojmë edhe në sferen publike’’, u shpreh Eliza në hapjen e kësaj ekspozite.

Eliza pati edhe një mesazh lidhur me kremtimin e jubileut të parë të dhjetëvjetorit të Kosovës. Ajo tha se sot është absurd të dëgjohet se nuk kemi arsye për të festuar, pasi që kemi festuar edhe kur kemi qenë në gjendje shumë më të vështirë, kur nuk na është lejuar as të flasim e të këndojmë në gjuhën tonë.

‘’Rreth kremtimit të Pavarësisë së Kosovës, kam dëgjuar shumë që thonë se nuk kemi nevojë të festojmë dhe s’kemi arsye që të festojmë pasi që kemi shumë probleme, po është e vertetë, por unë mendoj që ne kemi festuar gjithmonë, edhe në momentet kur kemi qenë edhe më keq’’, u shpreh Eliza Hoxha në ekspozitën e saj.

‘’Kosovës i mungon dashuria për vendin, nuk ka rëndësi flamuri, nuk ka rëndësi as himni, nuk kanë rëndësi fare këto tjerat derisa ne nuk i japim dashuri vendit tonë, e nëse i japim dashni, cdo petk ka kuptim, pastaj, qoftë flamuri i ri apo flamuri kombëtar që e kemi me veti’’, tha krejt në fund Eliza Hoxha, që fotografitë i cilësoi si një reflektim i ëndrrave të brezit të saj, e përpjekjeve të shumë njerëzve që më nuk janë.

Edhe pas shumë sukseseve që ka lënë pas, këtë vit Eliza Hoxha do ta përfaqësoj pavilionin e Kosovës në Bienalen e Venedikut për arkitekturë. Kjo ekspozitë e cila u organizua nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaci, do të qëndroj e hapur përgjatë ditëve festive në Galerinë e Ministrisë. /KultPlus.com


Erzen Shkololli me ‘Hey You’ në një ekspozitë grupore në Bratisllavë

Videoja e dokumenton një këngë të një këngëtareje legjendare në Kosovë.

Shkurte Fejza, sidomos në vitet 80-të, u shndërrua në një simbol të rezistencës kombëtare. Kënga është një letër drejtuar Evropës, duke iu referuar ndarjes së Kosovës dhe Shqipërisë.

Videoinstalacioni “Hey You” nga Erzen Shkololli, punë e vitit 2002 me Shkurte Fejzën si figurën kryesore, do të jetë kësisoj pjesë e një ekspozite që hapet muajin mars.

Nga 14 marsi, ekspozita “Migrations of Energies” sjellë edhe artistë të tjerë në Gandy Gallery në Bratislavë, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=Dnbbd7XpfXA

Këngët e Shkurte Fejzës e inspiruan Shkolollin për një punë artistike. Madje, disa këngë të Fejzës u ndaluan nga viti 1981-83, nga regjimi komunist.

Teksti i këngës së saj vijon kështu:
“Moj Europe.
Moj Europe une po te shkruej leter
Si shqiptar i Shqipnise vjeter
Djemt e mi si jane me shnet
Mire e dine se i kam ne gyrbet
Moj Europe me flokte e thina
A i mban mend trojet e mia
A i mban ne mend shqipetaret me i voter
Hapi letrat moj qe i ke ne Londer….”

Danica Dakić, Mikhaïl Tolmachev, Women Painters of Hazaribagh, Bijoy Jain, Joseph Beuys janë disa prej artistëve që i bashkohen Shkolollit në këtë ekspozitë.

Ekspozita në fjalë vjen si vazhdimësi e projektit që nisi në vitin 2006, ndërsa katërmbëdhjetë artistë dhe grupe artistike do të vijnë në ekspozitë të fokusuar në çështjen e ekologjisë, si dhe në atë të migrimit.

Erzen Shkololli është artist i njohur dhe pjesëmarrës në disa ekspozita e bienale ndërkombëtare. Vlen të përmendet fryma që ai i dha Galerisë Kombëtare të Kosovës në pozitën e drejtorit. Këtë vit ai morri timonin e Galerisë së Arteve në Shqipëri, ndërsa është aktiv në ekspozita të ndryshme brenda e jashtë vendit. / KultPlus.com

Foto: Majlinda Hoxha

Ilir Muharremi promovon dy libra

Në sallën e Kuvendit të Komunës së Klinës, të hënën, artisti Ilir Muharremi do të promovojë dy vepra: “Psycho”, romani i fundit i këtij autori, i zhanrit triler që rrëfen për erotizmin, ankthin, trishtimin, dëshpërimin, psikopatinë, kanibalizmin, vullgaritetin… Ndërsa, libri i dytë është “Moskuptimet”, që rrëfen për religjionin, vdekjen e Zotit, historinë e artit, artin skenik, dramaturgjinë, letërsinë absurde… Libri është ndarë në pesë kapituj, ndër të cilat rrëfehet edhe për letërsinë: kuptimin e romanit, përse shkruajmë, letërsia dhe historia.

E veçanta e këtij libri është se kjo lëndë ka jetën dhe momentalen, derisa e ardhmja dhe e kaluara trajtohen si shpresë e shuar.

Për librat e Muharremit do të flasin profesoresha Vjollca Dibra si dhe kritiku letrar Mahir Morina. Pas prezantimit të kumtesave do të organizohet edhe një debat në lidhje me të dyja veprat. “Për mua është një nder i veçantë të promovoj dy vepra, veçanërisht romanin e fundit i cili u prit shumë mirë nga lexuesit”, tha Muharremi duke shtuar se “Të dy librat kanë një vlerë të veçantë, njëri është shkencor e tjetri roman vulgar sidomos aty ku flitet për erotikën.

Ky promovim organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës Zenun Elezaj. Promovimi fillon në orën 14:00./KultPlus.com

Parku Arkeologjik i Finiqit në Shqipëri, destinacion kulturor e turistik

Qyteti i lashtë i Finiqit përbën një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike, pjesë e pa ndarë e trashëgimisë shqiptare kulturore.

Qyteti antik i Foinikës mori statusin Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005.

Foinikia ka një histori të lashtë. Ai ka qenë kryeqendra e kaonëve, ndërsa në shekullin III u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit. Sipas Polibit, ka qenë qyteti më i fortifikuar i Epirit. Ngrihej në një kodër në formën e një anijeje të përmbysur.

Fshati i sotëm ndodhet në rrëzë të kësaj kodre. Ka tri seksione muresh të ruajtura në kodër: muret e akropolit, muret e periudhës së zgjerimit të akropolit dhe muret e qytetit të fortifikuar. Këto mure, që dallohen për vëllimin e tyre të madh, datohen me përafërsi midis shek. IV dhe II p.k.r. Në brendësi të mureve ndodhen rrënojat e mureve greke dhe romake. Në fshat ka mbetje të mureve greke, por ato romake janë më të shumta në numër.

Tek akropoli është zbuluar një thesar i vogël, që në periudhën bizantine u shndërrua në baptister. Po ashtu është zbuluar një teatër me kapacitet të madh. Janë gjendur edhe tri cisterna që i përkasin periudhës midis shek. V dhe shek. III para. Kr. dhe disa rrënoja ndërtesash. Prej vitit 2000 një mision arkeologjik i Universitetit të Bolonjës (Itali), kryen rregullisht gërmime arkeologjike.

Finiqi është një fshat në Bashkinë Finiq në rrethin e Delvinës të Shqipërisë e që gjendet në grykën e Bogasit. Njësitë administrative përbërëse janë Finiq, Aliko, Mesopotam, Dhiver dhe Livadhja. Bashkia e re e Finiqit kufizohet në veri me bashkinë Delvinë, në jug me bashkinë Konispol, në lindje me bashkinë Dropull dhe në perëndim me bashkinë Sarandë.

Sipas Censusit të vitit 2011 numëron një popullsi prej 11,862 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron 39,055 banorë në një sipërfaqe prej 441.20 km2. Në bazë të të dhënave të censusit, densiteti i popullsisë është 26.7 banorë për km2 ndërsa në bazë të regjistrit civil densiteti është 88.51 banorë/km2.

Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës. Mund të vini në park me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën nacionale Sarandë-Gjirokastër dhe duke u kthyer në fshatin e Finiqit. Në qendër të fshatit, do të gjeni një rrugë të asfaltuar e cila do t’ju çoj në kodrën ku ndodhet parku.

Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës.

Sot ky park është një destinacion i mirëfillt turistik, ku vizitor të shumtë njihen aty me historinë dhe antikitetin./ KultPlus.com

Elvana publikon albumin e ri (VIDEO)

Elvana Gjata ka publikuar edhe dy këngë të albumit të saj të ri “3EP”.

“Festojmë” dhe “Veç një pikë” janë këngët e reja të publikuara në YouTube.

Lyrics :

Veç një pikë

Pa ty tani

çdo gjë është gri

dhe dielli ditën duket

bardhë e zi.

Pa ty tani

s’ka më magji

çdo ditë një shije ka

pa histori.

Të të shoh njëherë sa m’ka marr malli

me ma kthy buzëqeshjen që m’ka shku’.

Një takim të fundit me ty për së gjalli

me këtë këngë të trishtë do t’kisha ftu’.

Refren

Veç një pikë t’më kishe dash ti

veç një pikë më shumë se veten

jetën sot do t’kishim gzu’.

Veç një pikë t’më kishe prit ti

sikur mos më kishe ik ti

për dashnin, do t’kishim knu’.

Pa ty tani

një Zot e di

sa lutem unë të ndodhi një çudi.

Pa ty tani

a mund të pi

një gotë me fund që shpirti të mos ngrij.

Të të shoh njëherë sa m’ka marr malli

me ma kthy buzëqeshjen që m’ka shku’.

Një takim të fundit me ty për së gjalli

me këtë këngë të trishtë do t’kisha ftu’.

Refren

Veç një pikë t’më kishe dash ti

veç një pikë më shumë se veten

jetën sot do t’kishim gzu’.

Veç një pikë t’më kishe prit ti

sikur mos më kishe ik ti

për dashnin, do t’kishim knu’.

yrics :

Festojmë

Sot miq unë ju kam ftuar

në shtëpinë time

të pimë për të festuar

ditën e lindjes time.

Bëj sikur po gëzoj

bëj sikur po jetoj

por brenda zemrën time

po e çjerr me thonj.

Bëj sikur të harroj

bëj sikur po këndoj

me zërin tim, veten po helmoj.

Refren

Të gjithë sot po festojnë

po asnjeri nuk di se po mbaroj

po mbaron ky shpirti im

çdo ditë, çdo ditë

prej ditës që ke ik’.
2x

E keni zbukuruar

sot, mbrëmjen time

me shpirt duke uruar

për vitet që do të vinë.

Bëj sikur po gëzoj

bëj sikur po jetoj

por brenda zemrën time

po e çjerr me thonj.

Bëj sikur të harroj

bëj sikur po këndoj

me zërin tim, veten po helmoj.

Refren

Të gjithë sot po festojnë

po asnjeri nuk di se po mbaroj

po mbaron ky shpirti im

çdo ditë, çdo ditë

prej ditës që ke ik’ .

Të gjithë sot po festojnë

po asnjeri nuk di se po mbaroj

po mbaron ky shpirti im

çdo ditë, kam frikë

të mbetem vet’, kam frikë.

Mënyra ‘kreative’ e ngjitjes së flamujve në Skenderaj (FOTO)

Pak ditë kanë mbet deri në 10-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

17 shkurti është ditë historike për Kosovën. Në këtë jubile, të gjitha qytete kanë nisë përgatitjet për festë, e ndër këto përgatitje padyshim që janë zbukurimet e qyteteve me flamurin e Kosovës e poashtu edhe atë të Shqipërisë.

Një zbukurim i radhës ka ardhur nga Komuna e Skenderajt. Flamujt në këtë komunë nëpër shtylla të dritave, janë ngjitur me ngjitës. Kjo ka ngjallur reagime të ndryshme nga qytetarët e kësaj komune dhe jo vetëm.
Po sjellim fotografitë e publikuara nga Kushtrim Mehmeti./ KultPlus.com

Ermal Meta: Linda dhe u rrita në Fier, në një nga vendet më të bukura të tokës së Shqiponjave

Ai sot padyshim është emri më i komentuar në Itali, pasi fitoi trofeun e Sanremo 2018. Bëhet fjalë për Ermal Metën, i cili bashkë me Frabrizo Moro, korrën sukses me këngën “Non mi avete fatto niente”. ‘Sorrisi.com’ i ka kushtuar një artikull të detajuar shqiptarit, që nga fëmijëria e tij në Fier e deri tek udhëtimi në Itali.

“Ermal zgjidh një vend ku do të shkoje me miqtë e tu për drekë”, kështu i thamë në telefon. Dhe ai na ftoi në një restorant në periferi të Milanos. Erdhi me një makinë, e njoha nga flokët e zinj dhe elegant. Ulemi në tryezë. Momenti i tij i artë ishte klasifikimi në vendin e tretë në Sanremo, me këngën ‘Vitato morire’. Është një djalë i rafinuar, një artist me një histori të jashtëzakonshme për të treguar nga jeta e tij.

Kuptimi i emrit tim

“Ermal është një emër shumë i përhapur në Shqipëri, vendin tim të lindjes. Kuptimi; ‘I ardhur nga mali’, siç keni ju këtu në Itali emrat Karlo ose Aleksandër. Kultura shqiptare me emra të bukur e plot kuptime”.

Si erdha në Itali

“Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm, për vendin dhe për njerëzit që jetojnë atje. Erdha në Itali para 20 vitesh me një traget normal, bashkë me vëllanë, motrën dhe nënën. Dhe jo me gomone, siç kanë shkruar për mua. Linda dhe u rrita në Fier, në një nga vendet më të bukura të tokës së Shqiponjave.

Në Shqipëri kam qenë 5 vite më parë dhe jam ende i dashuruar me të. Kur më pyesnin në intervista se si ishte fëmijëria ime, iu përgjigjesha thjesht ‘e bukur’. Por e vërteta është se shumë gjëra që i takojnë atyre viteve, i mbaj brenda, por i kujtoj nga shenjat që kam ende në trup.

Unë e kam lënë në Shqipëri një periudhë të vështirë (gjatë prishjes së sistemit komunist, pas një dekadë të gjatë të atij regjimi) kur njerëzit me ide, kulturë dhe dëshira për të bërë art nuk mund të rebeloheshin. Por isha fëmijë dhe nuk e kuptoja se çfarë ndodhte. Kënga ime “Vietato morire”, ka në brendësia të saj një histori personale, (teksti tregon rebelimin e një djali të abuzuar nga babai)”.

Kontakti i parë me muzikën

“Dëshira për muzikën është e hershme, që kur isha 4 ose 5 vjeç. Vijë nga një familje muzikantësh. Mamaja ime është një violiniste dhe ajo më merrte shpesh në koncertet e saj. Isha i mahitur nga bota e saj.

Pianoja për mua ishte si një lojë me çelësa, një lodër e jashtëzakonshme. Shtypja tastet dhe ‘çmendesha’ nga krenaria.

Këngën time të parë e shkrova kur isha në moshën 12-vjeçare, ndërsa atë ia dedikova një vajzë që pëlqeja në atë kohë. Atë vajzë e takova pas disa vitesh, në det”./ KultPlus.com

Gazeta Rilindja, me deklaratë në 73 vjetorin e saj

Shkruan Behlul Jashari

-Në këtë 73-vjetor e shohim të nevojshëm edhe një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre-

Në një vend normal, të lirë e demokratik, të sundimit të ligjit e të drejtësisë, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë 12 Shkurt 2018 do të festonte 73 vjetorin.
Por, në këtë Kosovë, në këtë 10 vjetor të Pavarësisë, në këtë muaj mbushen plot 16 vjet nga 21 Shkurti 2002, ditës së dëbimit prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunshëm, nga administrata e UNMIK dhe detyrimisht mbylljes së gazetës historike Rilindja, e cila kërkoi të drejtën e saj edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes të uzurpuar, “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi në 7 Nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën Rilindja edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.

Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar, që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

“Kompensimi i punëtorëve në procesin e likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja, për dëbimin kolektiv nga puna dhe dëmet”, është kërkesa tjetër drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në shkresën e 21 Shkurt 2014.

Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, ndërsa ish-punëtorët e saj kanë bërë kërkesa për kompensime në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e cila i ka mbështetur në vazhdimësi për të drejtat e tyre të ligjëshme, si dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Një e drejtë tjetër e garantuar me ligj për punëtorët e gazetës Rilindja, por që ende nuk u realizua, është pagesa e 20 përqindëshit të vlerës së çdo prone, përfshirë Arkivin e Rilindjes, pasuri e madhe e gazetës tradicionale dhe kombëtare, për dërgimin e të cilit në Arkivin e Kosovës kemi nënshkruar marrëveshjen në 29 Janar 2007 bashkë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit – tash Privatizimit, duke pasur për këtë edhe vendimin me shkrim të Kryeministrit të Kosovës. Çështja e 20 përqindëshit presim të zgjidhet, ashtu si na është premtuar, pasi të hyjë në fuqi Ligji me ndryshime e plotësime për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i miratuar në parim në 26 janar 2018 në Kuvend të Kosovës, ku u tha se, “përmes këtij Projektligji synohet të krijohet edhe një mekanizëm për shpronësimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore që janë të nevojshme për sektorin publik” dhe se, “nëpërmjet këtij mekanizmi Qeveria e Kosovës si autoritet shpronësues do të paguajë 20 përqind të mjeteve financiare dedikuar për punëtorët përfitues të ndërmarrjeve shoqërore”…

Që nga viti 2008, qeveria e Kosovës ende nuk ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore, ndërsa ka marrë më shumë se 700 vendime për shpronësime, mes të cilave të Pallatit Rilindja.

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 73 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

Gazeta Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua e mbyll me dhunë në 7 Gusht 1990 në situatë shtetrrethimi ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi okupues i Beogradit në Kosovë, vijoi me shkrimet e gazetarëve të saj nëpër faqet e revistave, duke nisur me revistën “Fjala” e pastaj duke dalë edhe me emrin e revistës “Bujku” nga 18 Janari 1991 gazetë e përditshme rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik.

Në kohë lufte, kur edhe “Bujku” u mbyll dhunshëm nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe në fundvitin 1998, gazeta Rilindja doli me emrin e saj të vërtetë, e shtypur në një shtypshkronjë private në Prishtinë, me punë nëpër shtëpitë e punonjësve të saj deri në dëbimin e tyre edhe nga Kosova, dhe u rikthye me kolonën e parë të forcave shpëtimtare të NATO-s që hynë në Kosovë në 12 Qershor 1999 – në Ditën e Lirisë, botim special për ngjarjen historike.

E rikthyer në Kosovë, gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur u mbyll kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim dhunshëm nga Pallati me emrin e saj në Prishtinë.

Dhe Rilindja përsëri nuk u ndal, me punën e gazetarëve e punonjësve tjerë të saj nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa.

Në pritje të zgjidhjes së ligjshme, duke pasur modelin e gazetave që kishin status të njëjtë në rajon e në botë – në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e kohëpaskohshme në 30 Dhjetor 2008, me paralajmërimin në ballinë: “DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË”.

Në këtë 73-vjetor e shohim të nevojshëm edhe një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, ashtu si është kërkuar edhe në shkresën e 12 Shkurtit 2014 drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilën po e bashkangjesim të plotë.

Behlul Jashari
Kryeredaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)

Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunshëm

Mirela Kumbaro i shkruan letër të hapur Robert Ndrenikës

E ardhmja e mistershme e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë ngriti në revoltë të gjithë aktorët shqiptarë, ndërsa mungonte një bisedë me ta nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Ulja pranë tyre për të diskutuar me detaje se çfarë do të bëhet me Teatrin, ende mungon, por ministrja është nxitur të reagojë pas një deklaratë që bëri aktori i madh Robert Ndrenika. Si shumë të tjerë, ai doli hapur për të kërkuar mos cënimin e godinës historike të Teatrit Kombëtar, ndërsa kërkoi transparencë nga qeveria, e veçanërisht ministrja e Kulturës, Kumbaro, të cilës ai ju drejtua me fjalën “ministresha”. Mirela Kumbaro ka bërë një letër të hapur për aktorin legjendar, duke e publikuar atë në rrjetin social Facebook.

I dashur Robert,

Ndoqa përmes medias fjalën e ndjerë, siç vetëm një mjeshtër i artit, i fjalës, i skenës dhe i shpirtit mund të ta thotë.

Dua t’ju them menjëherë, i dashur Robert, se unë mendoj njësoj si ju.
Unë mendoj njësoj si ju që artistët dhe skena shqiptare e Teatrit, nuk mund të liheshin mbi 60 vjet në një godinë të ndërtuar për të rezistuar jo më shumë se 15 vjet, siç është ajo ngrehinë e ushtrisë musoliniane.

Unë mendoj njësoj si ju me dhimbje se Teatri Kombëtar u la pa investim, pa rehabilitim për dekada, derisa degradimi i tij mbërriti në kufijtë e skajshëm saqë është i parikuperueshëm.
Unë mendoj si ju sot se ne, të gjithë bashkë, kemi nevojë më shumë se kurrë për një skenë të re, për kushte të reja dhe të shëndetshme për aktorët, për auditor dinjitoz dhe shërbim cilësor për publikun, për teknologji bashkëkohore të skenës.

Unë mendoj, ma do mendja siç duhet të mendoni dhe ju, se kjo nevojë do duhej të ishte marrë përsipër nga shteti shumë vite më parë, dhe sot do të kishim teatrin që duam, dhe ndërkohë humbëm shumë kohë.

Por unë mendoj gjithashtu se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë nuk duhej ta kishin lejuar që teatri të kthehej në lokal me tym lojërash fati e bingoje, që thithte klientë por jo artdashës. Nuk di ç’mendoni ju për këtë i dashur Robert.

Unë mendoj se komuniteti i aktorëve dhe shoqëria jonë duhej të kishte reaguar fort kur qeveria në vitin 2008-2009 vendosi të investojë rreth 6 milionë dollarë për të ndërtuar një teatër brenda Piramidës, dhe ku pasi shpenzoi gjysmën e kësaj shume e braktisi atë projekt për ta shkatërruar krejt piramidën në përfitim të një projekti tjetër për parlament, duke na lënë sot një ngrehinë të dëmtuar rëndë nga këto ndërhyrje dhe për çka duhen të paktën 20 milionë euro për ta rehabilituar e rifunksionalizuar. Nuk kujtoj që aktorët të kenë reaguar asokohe për paratë e groposura për dreq, gjynah! për të mos thënë kriminale!

Unë mendoj se komuniteti i aktorëve ka pasur të drejtë kur mërzitej ndonëse nuk u ngrit në protestë kur aktorët në Teatër Kombëtar dhe muzikantët në TOB emëroheshin pa kurrfarë konkursi, me një telefonatë politike nga lart, dhe kur aktorë të rinj nuk e arrinin dot skenën, ndonëse në Teatrin Kombëtar kishte jo pak aktorë që prej vitesh merrnin rrogën pa hypur një herë në skenë.

Unë mendoj se ishte shumë e trishtuar kur Teatri Kombëtar u katandis me 2 premiera në vit dhe me javë të tëra ku s’jepej asnjë shfaqje, por nuk kujtoj ndonjë protestë për këtë, ndonëse me shumë të drejtë të gjithë qaheshin nëpër kafene.

Unë mendoj se shteti ishte i vonuar në ndërhyrjet që bën për restaurimin e Teatrit Migjeni në Shkodër, për rindërtimin e Teatrit Cajupi në Korçë, për rindërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, për ndërtimin e Qendrës së re teatrale Turbina që po shkon drejt përfundimit.

Por, më mirë vonë se kurrë, shumë shpejt do të kemi në Tiranë dy skena të reja, të cilat bashkë me sallën ekzistuese të Teatrit Kombëtar do të administrohen nga vetë Teatri Kombëtar qoftë për produksionet e veta, qoftë për trupa të tjera që kanë nevojë për skena dhe që pasurojnë kalendarin skenik, siç ndodh edhe sot e kësaj dite.

Unë dua t’ju shpjegoj, i dashur Robert, se nuk di pse ju kanë keqinformuar kur ju kanë thënë se aty do të vendoset definitivisht Teatri i Operas. Ende nuk e kuptoj pse-në e kësaj fantazie, po pak rëndësi ka kjo.

Trupat e Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, i kanë aktualisht, dhe derisa të mbarojë rindërtimi te Pallati i Kulturës, mjediset ku punojnë dhe bëjnë provat, nganjëherë edhe në kushte të vështira, por ata s’kanë një skenë fikse, prandaj kalendari i tyre është lëvizës duke shfrytëzuar të gjitha skenat e mundshme në Shqipëri, herë në bashkëpunim e herë përkundrejt qerasë që paguhet nga Ministria e Kulturës.

Me shtimin e skenave në Tiranë, artistët e TKOBAP, që bëjnë një punë të jashtëzakonshme, do të kenë mundësinë të performojnë edhe në skenat e Teatrit Kombëtar në koordinim me administratën e Teatrit, sic edhe tashmë ka ndodhur. TKOBAP nuk është armiku i skenës i dashur Robert! Ky është jo vetëm komunikim mes institucioneve të ngjashme të artit dhe por dhe solidaritet i domosdoshëm mes kolegësh, artistësh dhe mënyra se si Ministria e Kulturës menaxhon të gjitha mjediset e institucionet që mbahen me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Unë mendoj njësoj si ju që Teatri, aty ku është sot, nuk do të prishet dhe do të vijojë të përdoret, deri ditën kur një projekt i ri teatri kombëtar do të fillojë të ndërtohet.
Edhe unë dua një teatër kombëtar të të ardhmes, të plotë, Teatër Kombëtar ku është sot ngrehina e “doppolovaro-s”. Por kjo nuk bëhet në një ditë.
Me sa thashë më sipër, kemi bërë jo pak Robert i dashur, dhe ju siguroj se do të punoj çdo ditë, për sa kohë jam në këtë detyrë, që të vijojë puna për projektin e Teatrit Kombëtar, punë e përbashkët me Kryetarin e Bashkisë me të cilin po bashkojmë forcat për shumë punë të mira të kulturës në Tiranë.

Sa për të paharruarin Kujtim Spahivogli, besoj që lapidarian ia kemi ngritur në vendin e merituar në krye të një Teatri tjetër Kombëtar ku e njeh dhe e lexon e gjithë Tirana dhe Shqipëria, sic është Teatri Eksperimental.

Unë ju falënderoj përunjësisht dhe me gjithë zemër për pasionin dhe burimin e frymëzimit që keni e jeni, për përkushtimin ndaj Teatrit, dhe sërish uroj që ju të jeni pafundimisht aktori i preferuar në skenat e reja të Teatrit Kombëtar.
Ju përqafoj !
juaja,
Mirela Kumbaro

Kreatorja Besarta Deshishku gati për koleksionin e parë, disa nga veshjet vijnë me motive shqiptare (FOTO)

Alberina Haxhijaj

Kretaorja Besarta Deshishku e cila kishte filluar studimet në ekonomi, ka kohë që është larguar nga kjo fushë, duke ndjekur ëndrrën e saj. Kurse një hapë më afër do të jetë në muajin mars kur edhe do të paraqes para publikut koleksionin e saj të parë.

Besarta Deshishku e cila ka filluar që të merret me dizajn që kur ishte 16-të vjeçare nuk i ka kushtuar shumë kohë kësaj fushe edhe përkundër faktit se arti dhe moda çdo herë kanë qenë pasion i saj.

“Dizajni ka të bëjë me talent dhe nuk është shumë i lidhur me përvojën. Megjithatë unë vendosa ti lë studimet në ekonomi dhe të ndjek ëndrrën time që lidhej me talentin tim dhe kreativitetin tim. Prandaj edhe fillova studimet në vitin 2010 në Accademia Italiana – Art, Fashion & Design në Romë të Italisë”, u shpreh kreatorja e cila ka vizatuar skica që kur ka qenë fëmijë.

“Si fëmijë kisha dëshirë të vizatoja vajza me fustane, e gjeja qetësinë duke e bërë këtë. Pastaj vijova një kurs për art të modës ku me theks të veçantë i ushtrova dhe përforcova aftësitë e mia në skica. Angazhimi im sa vinte e rritej në këtë fushë dhe kjo më pëlqente, çdo ditë ndjehesha më e përmbushur me atë që bëja”, u shpreh ajo për KultPlus.

Ndërsa për koleksionin e saj të parë kreatorja Besarta Deshishku, tregoi për KultPlus, se koleksioni përmban veshje dhe stile të ndryshme për femra duke filluar nga veshjet sportive, ato të përditshme por edhe elegante. Madje disa prej tyre kanë edhe motive kombëtare.

“Ngjyrat modelet dhe materialet janë përzgjedhur me një kujdes të shtuar dhe me ide të qarta. Dhe me kënaqësi shumë të madhe u punuan edhe disa veshje moderne me motive të bukura dhe delikate shqiptare. Koleksioni do të jetë i përshtatshëm për të gjitha moshat dhe për të gjitha stilet”, shpjegoi Deshishku e cila idetë për këtë koleksion i kishte që një kohë një kohë të gjatë.

“Inspirimi dhe ideja ishin qysh herët për të krijuar diçka të re. Me kohë dhe me zotërimin e aftësive të reja pastaj edhe frymëzimi nga kreatorët e njohur botëror, kreativiteti në rritje dhe ambienti që më rrethonte ishin një nxitje për të konkretizuar idetë e mia në dizajn dhe për të krijuar diçka me ndryshe, të veçantë e cila besoj që do të pëlqehet”, u shpreh ajo duke shtuar se janë pikërisht elementet e reja që ka sjellë në koleksionin e saj të cilat edhe e bëjnë të veçantë këtë koleksion.

Publiku do të ketë rastin që të shoh të plotë koleksion në muajin mars, saktësisht me 8 mars kur edhe kreatorja ka në plan që të hap edhe dyqanin e saj. Kurse për të lehtësuar blerjen ajo së shpejti do të mundësojë edhe blerjen online veshjeve të krijuara./ KultPlus.com

Prishen zbukurimet për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës (FOTO)

Para disa ditësh kryeqyteti kosovar nisi festën e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kjo festë, filloi me zbukurimin e kryeqytetit, që përfshinte gjithë sheshin Nënë Tereza, që ishte mbuluar me ngjyrat e flamurit të Kosovës. Kaltër, verdhë e bardhë ishin zbukurimet që në mesin e tyre kishin stemën e Republikës së Kosovës.

Deri dje gjithçka dukej bukur, por jo edhe sot. Zbukurimet kanë rënë thuajse të gjitha, e këtë më së miri e tregojnë videot e ndryshme që kanë bërë qytetarët para 1 ore. Po sjellim disa fotografi të marra nga profili i Arben Llapashticës, të cilat i kishte postuar në rrjetin social Instagram./ KultPlus.com

Kush është Ermal Meta, shqiptari që triumfoi në Sanremo

Kantautori shqiptar Ermal Meta triumfoi në skenën e Ariston të Sanremos duke rrëmbyer trofeun e festivalit më të rëndësishëm në Itali. Dueti i tij me Fabrizio Moro i titulluar “Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë) u rendit i pari pas votave të jurisë profesioniste dhe atyre të publikut.

Në Sanremo 2018, kënga e Ermal Metës dhe Fabrizio Moro nuk i shpëtoi polemikave. Kënga e tyre u pezullua fillimisht pas akuzave se ishte e vjedhur. Në fakt bashkautori i këngës Andrea Febo pranoi se kishte marrë një pjesë nga refreni i një kënge të prezantuar në Festival 2 vjet më parë e cila nuk ishte pranuar dhe që nuk ishte publikuar. Sipas tij, kjo ishte një këngë krejt tjetër me një përmbajtje dhe fabul tjetër. Tashmë kënga është një himn kundër akteve terroriste. Pas 36 orësh drejtuesit e festivalit e kthyen këngën në garë dhe ajo arriti të triumfojë.

Ai lindi në Fier dhe që prej moshës 13 vjeçare jeton në Bari, Itali me familjen e tij. Karrierën e tij e nisi si kitarist i grupit Ameba 4. Grupi konkurroi në kategorinë e të rinjve në Sanremo të vitit 2006 me këngën “Rido… forse mi sbaglio”.

Në vitin 2009, Meta formoi një tjetër grup, La Fame di Camilla, me të cilët realizoi tre albume. Në 2010, ai mori pjesë përsëri në Sanremo në kategorinë e artistëve të rinj. Përveçse këngëtar, ai është dhe një kantautor mjaft i talentuar. Ermal Meta ka shkruar këngë për emra të njohur të muzikës italiane si Patty Pravo, Marco Mengoni, Emma, Giusy Ferreri etj. Gjithashtu, ai ka shkruar dy këngë “Tutto si muove” dhe “Volevo perdonarti, almeno” për serialin televiziv Braccialetti rossi, shkruan Lapsi.al.

Në vitin 2017 ai konkurroi për herë të tretë në Sanremo, por për herë të parë si solist. Kënga e tij “E ndaluar të vdesësh” u konsiderua si një nga krijimet me tekstin që përcillte mesazhin më të fortë në këtë festival ku ai zuri vendin e tretë./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=R0NF8BZlH4I

Kënga e shqiptarit që përfaqëson Italinë në Eurovizion, himn kundër terrorizmit (VIDEO)

“Një emocion i papërshkrueshëm”. Kështu u shpreh Ermal Meta sapo fitoi festivalin ‘Sanremo 2018’.

Këngëtari shqiptar në bashkëpunim me Fabrizio Moro mbërthyen pas vetes publikun me këngën ‘Non mi avete fatto niente’, -‘Nuk më keni bërë asgjë’, ndërsa Meta çmimin ia dedikoi Mescalit, shtëpisë së tij diskografike.

Kënga është një himn kundër terrorizmit dhe në tekstin e saj përfshihen shumë raste të ndodhura në të shkuarën, por që lajtmotiv mbetet vargu “nuk më keni bërë asgjë”, që përbën edhe titullin e saj.
Tashmë është publikuar edhe videoklipi i këngës, që ilustron në imazhe qytetet e rrënuara nga bombardimet, homazhet e njerëzve në vendngjarje dhe fëmijët e vegjël, si simbol i mos mposhtjes. Mes gjuhëve nga e gjithë bota, në videoklip shfaqet edhe shqipja, (në minutën e 2:42-2:49).

https://www.youtube.com/watch?v=9vSDfRMrJU4

Për të tretin vit radhazi kantautori shqiptar Ermal Meta u ngjit në skenën e teatrit Ariston, por kësaj here në një duet me këngëtarin e njohur italian Fabrizio Moro. Kënga përcjell një temë mjaft të rëndësishme e aktuale siç është frika ndaj rrezikut terrorist. “Kënga jonë është një rebelim i njerëzimit ndaj frikës së terrorizmit”, kanë deklaruar dy këngëtarët./ KultPlus.com

Elvana Gjata publikon dokumentarin për jetën e saj (VIDEO)

Këngëtarja e famshme nga Shqipëria, Elvana Gjata, ashtu siç ka paralajmëruar, ka publikuar dokumentarin për jetën e saj si këngëtare dhe personale.

Gjithashtu, ajo në dokumentar zbuloi disa detaje interesante për veten, transmeton Koha.net. Gjata zbuloi se atë miqtë e thërrasin shkurt Ela, ndërsa personi më i afërt i saj është motra e saj dhe se ushqimet më të preferuara të saj janë ato që i bënë nëna e saj.

Gjata në dokumentar ka folur edhe për albumin e saj më të fundit i cili titullohet “3”.

“Arsyeja se përse albumi im më i fundit është titulluar ‘3’ është se ky numër mua më sjell fat dhe për mua ky numër është hyjnor”, ka zbuluar këngëtarja gjatë dokumentarit.

Këngëtarja, po ashtu, zbuloi disa detaje në lidhje me koncertin që kishte mbajtur disa ditë më parë në Tiranë ku të ftuar ishin diku rreth 100 persona. Në të njëjtën ditë, Elvana ka festuar edhe ditëlindjen e saj.

Elvana Gjata është duke punuar shumë në SHBA për karrierën e saj muzikore sepse ajo synon edhe tregun botëror.

Për më tepër shikoni dokumentarin.

Gabime drejtshkrimore në Ministrinë e Arsimit (FOTO)

Edhe nëpër shkrimet njoftuese të vendosura në dyert e sallave të Ministrisë së Arsimit mund të hasësh në gabime drejtshkrimore.

Një e tillë është vërejtur nga lexuesit e KosovaPress-it në fund të janarit, në sallën e takimeve. Aty përveç tjerash është shkruajtur edhe për takim i përfaqësuesve të ‘europjan…’./ KultPlus.com

Tre zëra shqiptarë sivjet do të jehojnë në Eurovizion (VIDEO)

Eugent Bushpepa, Eleni Fourera (Entela Fureraj) dhe së fundmi Ermal Meta, janë shqiptarët që do pushtojnë sivjet Eurovizionin, shkruan KultPlus.

Jo një po tre. Tre shqiptarë sivjet do të marrin rrugën për në Lisbonë atje ku do të mbahet Eurovizion 2018-të, dhe që të tre përfaqësojnë shtete të ndryshme.

Eugent Bushpepa me këngën “Mall” ishte fitues i Festivalit të Këngës në TVSH, festival ky që i siguroi biletën për Eurovizion. Eugenti do të pushtojë skenën e Eurovizionit duke shpalosë flamurin kombëtar shqiptar në Lisbonë.

https://www.youtube.com/watch?v=DocjosVM5cU

Eleni Fourera (Entela Fureraj), është shqiptarja e dytë që do të marrë rrugën për në Eurovizion. Eleni do ta përfaqësoj Qipron me këngën “Fuego”. Ajo jo rrallë herë e ka potencuar se është shqiptare, por kësaj radhe do të ecë drejt skenën me flamurin e Qipros.

E krejt në fund por jo edhe nga rëndësia, mbrëmë Ermal Meta u bë shqiptari i parë që fitoi Festivalin e Sanremos, i cili jep dritën jeshile për përfaqësimin e Italisë në Eurovizion. Ermali bashkë me Fabrizio Moro do marrin rrugën për Lisbonë nën petkun e flamurit të Italisë me këngën “Non mi avete fatto niente”./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=9vSDfRMrJU4

Momenti emocionues kur Ermal Meta dhe Fabrizio Moro shpallen fitues të Sanremos (VIDEO)

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente” morën mbrëmë dritën jeshile për përfaqësimin e Italisë në Eurovizion 2018-të.

Momenti i shpalljes së fitores së shqiptarit Meta dhe italianit Moro, ishte mjaft emocionues dhe mbi të gjitha ishte moment krenarie për gjithë shqiptarët.

Ky është ai moment i cili do të mbahet gjatë në mend nga protagonistët dhe gjithë adhuruesit e tyre anë e mbanë botës./ KultPlus.com

“Midis ëndrrës dhe realitetit” sonte nga Eliza Hoxha

Artistja Eliza Hoxha, sonte do të sjellë ekspozitën personale “Midis ëndrrës dhe realitetit”, që do të hapet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë vjen me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ekspozita hapet sonte e diel më 11 shkurt, duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Kjo është kënga e shqiptarit Ermal Meta që do ta përfaqësojë Italinë në Eurovizion (VIDEO)

Mbrëmë në Itali u mbajt festivali prestigjioz Sanremo 2018-të, festival ky i cili fituesit ia siguron direk biletën për Eurovizion, shkruan KultPlus.

Mbrëmë emocionet ishin jo pak të forta edhe për shqiptarët, pasi që, në këtë festival ka marrë pjesë edhe këngëtari shqiptar Ermal Meta, i cili në duet me Fabrizio Moro sollën këngën “Non mi avete fatto niente” me të cilën fituan këtë edicion të Sanremos duke fituar të drejtën për përfaqësimin e Italisë drejt Eurovizionit.

Ermal Meta lindi në Fier dhe që prej moshës 13 vjeçare jeton në Bari me familjen e tij.

Kënga e Ermal Metës dhe Fabrizio Moro “Non mi avete fatto niente”, është kënga më e shkarkuar në iTunes dhe kënga më e dëgjuar në Spotify dhe platformat e tjera, ndërsa hashtagu ‘#IostconMetaMoro’ është më i klikuari në Tëitter këtë javë. Aplikacioni Shazam identifikon Ermal Metën dhe Fabrizio Moro si artistët më të kërkuar të javës dhe agjencitë e basteve kishin vënë kuotat më të ulëta për dy këngëtarët.

https://www.youtube.com/watch?v=R0NF8BZlH4I

Dëgjojeni këtu këngën e shqiptarit që do ta përfaqësoj Italinë në Eurovizion 2018-të, që do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë./ KultPlus.com