Duke kujtuar poetin Basri Çapriqi, u shënua Dita Botërore e Poezisë në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Dita Botërore e Poezisë është shënuar sot në Fakultetin e Filologjisë. Aty studentët e Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në bashkëpunim me mësimdhënësit e tyre shënuan këtë ditë duke kujtuar njëkohësisht edhe poetin, studiuesin dhe profesorin Basri Çapriqi. Kështu para të pranishmëve erdhën disa nga poezitë më të bukura të poetit por njëkohësisht edhe krijime poetike të studentëve, shkruan KultPlus.

Pikërisht Shefi i Degës së Letërsisë Shqipe, Osman Gashi, e cilësoi poetin si shumë të veçantë dhe të denjë për t’u kujtuar në këtë ditë të rëndësishme të poezisë.

“Kemi vendosur që këtë ditë të ia kushtojmë krijuesit tonë të veçantë i cili ndërroi jetë para dy muajsh. Një organizim i tillë modest me krijime të zgjedhura të kolegut dhe profesorit tonë besoj që pajtohen të gjithë se është i qëlluar. Poezia e tij është e stërmbushur me figuracion, vlon nga fryma e ballafaqimit me të keqën me anën e errët të botës. Ai është poet në tërë kuptimin e fjalës”, tha ai duke shtuar se organizime të tilla do të bëhen edhe në të ardhmen.

Në anën tjetër Prodekani i Fakultetit të Filologjisë, Nysret Krasniqi lexoi një pjesë nga punimi i tij “Udha e figurimit poetik të Basri Çapriqi”, kushtuar poetit.

“Në vitin 2016 botova një libër për letërsinë e Kosovës dhe në momentin e botimit e shkrova një meditim ku thashë se librin e kam menduar dhe shkruar për autorët e këtij vendi. Kurse një pjesë që do e lexojë këtu është pjesë e një punimi më të madh për profesorin Basri Çapriqi”, u shpreh ai duke shpalosur para të pranishmëve disa nga veprat e poetit dhe analizën të cilën ai ua kishte bërë.

“Basri Çapriqi ndërton diskurs poeti të përbërë nga brikolazhi i figurave letrare, ambientale, figurave të krijuara nga loja stilistike me gjuhën dhe simbolin, me synim e krijimit të një tipi të poezisë e cila duke jetësuar reflektimin të ikën nga kuptimet tradicionale poetike. Kështu që më shumë kemi të bëjmë me hetimin e një fryme poetike sesa të një kërkimi të domethënieve të saj duke e bërë Çapriqi mik letrarë me Eqrem Bashën dhe me ndër-ndikime edhe me Ali Podrimën”, pohoi ai duke shtuar se kur vrojtojmë lakoren poetike të këtij autori në kohën e shfaqjes së tij dhe në kuadër të letërsisë shqipe në Kosovë vërejmë tri orientimet kryesore të tij: simbolin, ironinë dhe lojën.

Profesori dhe poeti Sali Bashota që ishte edhe mik shumë i mirë i poetit si dhe poetja Serafina Lajçi zgjodhën disa nga perlat që poeti i ka lënë pas. Poezitë si: “Përthyerja e zjarrit”, “Kitara”, “Pasqyra”, pastaj poezitë si ajo kushtuar Ali Podrimës u interpretuan para të pranishmëve nga studentët Maura Nuhiu, Flamur Foniqi, Eduarte Kafexholli, Ardit Mehmetaj, Jehona Gashi dhe Ardian Mezini.

Kurse dy studentet, Almira Gashi dhe Filloreta Jusufi sollën nga një poezi të cilën ia kishin kushtuar poetit Basri Çapriqi. Pjesa e dytë vazhdoi me krijues të rinj të cilët paraqiten krijimet e tyre. Krijimet e tyre i interpretuan para të pranishmëve Shqipnora Dauti, Endrite Imri, Donart Rexhbogaj, Elife Shabani, Festinë Hamiti, Xhemile Hysenaj dhe Bujar Meholli.

Kjo mesditë poetike u mbyllë me poezinë “Dritaren lëre hapur” të vetë poetit Çapriqi, lexuar nga Mirjeta Sadiku duke besuar në pavdekshmërinë e fjalës së tij poetike./ KultPlus.com

Formë

Poezi nga Serafina Lajçi.

Kanë shtegtu dallëndyshet

Prej shikimit tand t’ngrysun

Në nji kodër matanë detit

Në nji det matanë kodrës

N’buzën tande asht formu nji kore

Korja n’buzën tande asht e paprekshme

E paprekshmja n’buzën tande asht kore

N’hapat tu asnji gjurmë

Gjurmët hapin e kanë kalu

Prej shikimit tand t’ngrysun

Veç nji vetull

N’atë vetull

Vjerr nji hije

E kujt hije ishe ti?

Në Ditën Botërore të Poezisë, përkujtohet Gani Xhafolli dhe përurohet libri “Gani Xhafolli Princ i letërsisë për fëmijë”

Në kuadër të aktiviteteve që janë organizuar në Kosovës për Ditën Botërore të Poezisë, nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është organizuar manifestim kulturor në përkujtim jetës dhe veprës së shkrimtarit Gani Xhafolli.

Me këtë rast, është përuruar edhe libri i autorëve Reshat Sehitaj dhe Asllan Qyqalla “Gani Xhafolli Princ i letërsisë për fëmijë”.

Në aktivitetin e organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka marrë pjesë edhe ministri Kujtim Gashi, i cili, aktivitetin në fjalë, e ka konsideruar si aktivitetin më të mirë e më adekuat për ta shënuar Ditën Botërore të Poezisë.

“Jam shumë i nderuar që sot bashkë me ju po shënojmë Ditën Botërore të poezisë, me një aktivitet të veçantë për një njeri të veçantë të letërsisë sonë për fëmijë, siç është princi letërsisë për fëmijë, shkrimtari i mirënjohur dhe i dashur për të gjithë ne, Gani Xhafolli”, është shprehur ministri Gashi duke e uruar edhe komunitetin e shkrimtarëve për këtë ditë të shënuar.

Ministri Gashi, duke folur për veprimtarinë e shkrimtarit të ndjerë, Gani Xhafolli, solli në vëmendje se ai është përkthyer në gjuhë të huaja, duke depërtuar kështu tek lexuesit anglez, francez e spanjoll.

“Për vlerën dhe rëndësinë e veprës dhe krijimtarisë së Gani Xhafollit flasin edhe vështrimet e kritikëve letrar të cilët e pasqyrojnë mendimin e thellë e botën e pastër shpirtërore të poetit që depërton përmes vargut në botën e fëmijëve shqiptar që janë edhe këta fëmijë sit ë gjithë fëmijët e botës dhe poezia jonë po depërton edhe jashtë kufijve, po përkthehet, po lexohet e po pasurohet me poezinë e shkrimin shqip”, ka thënë ndër të tjera në fjalën e tij ministri.

Ministri ka theksuar se MKRS-ja i përkrah shkrimtarët dhe botuesit nëpërmjet politikave që janë në dobi të kultivimit dhe nxitjes së kreativitetit në artin letrar.

“Ne, Ministria e Kulturës, aktivitetet që kanë peshë e rëndësi të veçantë për krijuesit letrar, artistët, sportistët dhe rininë gjejmë forma, mundësi e kushte për t`i përkrahur, mbështetur e për t`i avancuar vlerat e mirëfillta letrare e artistike. Një prej këtyre evenimenteve të rëndësishme për kulturën , letërsinë e krijimtarinë shqipe është edhe ky eveniment që sot, në Ditën Botërore të Poezisë poeti ynë i shquar në letërsisë për fëmijë Gani Xhafolli”, ka thënë ministri./ KultPlus.com

30 drunj karakteristikë nga Japonia do të mbillen në Prishtinë

Ambasadori japonez Kiyoshi Koinuma në një takim që ka pasur me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, është zotuar se do t’i mbjellin 30 drunj “Cherry Blossom” në një nga parqet e Prishtinës.

Këta drunj karakteristik nga Japonia pritet të zbukurojnë njërin prej parqeve të Prishtinës, derisa Koinuma në takim me të parin e Prishtinës diskutoi edhe për zhvillimet politike në Kosovë në përgjithësi, si dhe për projektet e mandatit të dytë qeverisës në Prishtinë./ KultPlus.com

Mirush Kabashi për Teatrin Kombëtar: Pas projektit të Ramës, qëndron mafia e ndërtimit

Mirush Kabashi është një nga artistët e shumtë, kundër prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një teatri të ri.

Aktori i njohur i skenës dhe kinemasë, e sheh prishjen e Teatrit Kombëtar të lidhur me interesa të mafies së ndërtimit.

Ai thotë për “Panorama”, se pas projektit të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, qëndron mafia e ndërtimit.

“Nuk e pashë projektin për teatrin e ri sepse nuk isha i ftuar në Kryeministri, pasi konsiderohesha me biografi jo të mirë artistike. Kur e sheh se si është konceptuar në urbanistikën e saj, atëherë e kupton se ajo nuk është e sinqertë dhe ajo nuk përmbledh mundësitë e ndërtimit të një Teatri Kombëtar, pavarësisht se aty është paraqitur ana arkitektonike dhe jo ana funksionale. Për këtë nuk është folur fare, ndërsa karakteri kombëtar i godinës së re nuk është përfillur fare. Teatri i Durrësit është në qendër të qytetit, ai i Shkodrës po ashtu, i Elbasanit apo i Korçës. Ndërsa Teatrin Kombëtar po e bëjmë një teatër krejtësisht të maskuar, të jetë një kusur apo një apendiks i ndërtimeve shumëkatëshe që do ndërtohen, ky është një abuzim që i kalon interesat e artistëve”, thotë ai.

“Më shqetëson funksionaliteti dhe mundësia sesi mund të ndërtohet më mirë dhe fakti që imponohet dhe nuk bëhet një diskutim i hapur, sepse mund të ketë dhe variante të tjera, ndoshta më të mira. Ajo që kërkohet, mbi të gjitha është transparenca që të bëhet një gjë e qëndrueshme dhe artistike dhe të tillë mund ta bëjnë vetëm artistët dhe jo politika, e aq më tepër ekzekutivi, që mesa duket është i kapur dhe i lidhur me interesa të mëdha të një lloj organizmi të frikshëm, që quhet mafia e ndërtimit”, vijon më tej aktori i njohur./ KultPlus.com

MASHT bën dallime etnike në PISA, nuk do t’i nënshtrohen testit nxënësit e komuniteteve pakicë

Në një konferencë të Ministrisë së Arsimit për lansimin e fushatës në lidhje me Testin PISA 2018 që po organizohet bashkë me GIZ-in gjerman, ministri Shyqiri Bytyqi tregoi kur do të nisë dhe kur do të përfundojë ky test sivjet.

“PISA do të fillojë me 11 prill dhe do të përfundojë më 5 maj”, tha Bytyqi.

Ai konstatoi se Kosova këtë herë do të jetë shembull në Testin PISA.

“Ne do të jemi shembull këtë radhë në Testin Pisa 2018. Nuk ka shkollë në Kosovë që nuk flitet për PISA 2018”, tha ministri Bytyqi.

Ruben Faller nga GIZ-i gjerman përgëzoi ministrinë për vazhdimin e pjesëmarrjes në Testin PISA edhe pas rezultatit shumë të dobët të treguar në këtë test.

“Më lejoni të uroj ministrinë për gatishmërinë për të vazhduar pjesëmarrjen në PISA. Ne duhet ta vendosim edukimin dhe studentët në frontin e reformës për edukim”, tha Faller.

Ndërsa ministri Bytyqi tha se arsimi duhet të jetë prioritet i qeverisë.

“Janë mbledhur 25 mijë nënshkrime me kërkesë që arsimi vërtet të jetë prioriteti kryesor i qeverisjes në Kosovë”, tha ministri Bytyqi.

Edhe Skender Susuri, kryesues i Komisionit për Testin PISA tha se sivjet rezultati do të jetë më i mirë se në 2015-ën.
“Hapi i parë që e ka bo komisioni është që ta krijojmë një plan dhe udhëzim administrativ që përcakton përgjegjësitë për PISA”, tha Susuri

Ai tregoi se në Testin PISA 2018 do të marrin pjesë 5375 nxënës nga 211 shkolla.

Sipas Susurit, komuniteti serb nuk ishte bashkëpunues, ndërsa në Testin PISA nuk do të marrin pjesë komuniteti boshnjak dhe turk.

Në Testin PISA 2015 nxënësit kosovarë kaluan shumë keq./ KultPlus.com

“Nga dhimbja, dalin shpirtrat më të fortë”, 20 mësime jete nga poeti i “zemrave të pastra”

I cilësuar si poeti i tretë më i lexuar në botë, pas Shekspirit dhe Laozit, Khalil Gibran është ende edhe sot një margaritar i çmuar i zemrave të pastra poetike që flasin fjalë frymëzuese për dashurinë, jetën dhe mirësjelljen.

Khalil Gibran është një poet, shkrimtar dhe artist libanez.

I lindur në qytetin Bsharri në Veri të Libanit të ditëve të sotme, atëherë pjesë e Perandorisë Otomane, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku studioi art dhe filloi karrierën letrare.

Në botën arabe, ai njihej si një rebel politik dhe i shkrimeve.

Stili i tij romantik ishte zemra e rilindjes në letërsinë moderne arabike, sidomos proza poetike.

Në Liban, ai njihet ende si një hero i letrave.

Libri “Profeti” i dha famën në botën anglishtfolëse.

Khalil Gibran është poeti i tretë më i shitur në botë pas Shekspirit dhe Laozit, ndërsa në vijim do të njiheni me 20 mësime jete kjo mendje brilante…

1. Ji mirënjohës për kohët e vështira, ato të kanë treguar sesa i fortë mund të jesh.

“Nga dhimbja kanë dalë shpirtrat më të fortë, karakteret më të mëdha janë djegur nga plagët.”

2. Sjellja e mirë është virtyt i të fortit.

“Sjellja e mirë dhe të qenët njerëzor, nuk janë shenjë e dobësisë dhe dëshpërimit, por manifestojnë fuqi dhe vendosmëri.”

3. Nuk ekziston e vërteta absolute.

“Mos thuaj kam gjetur të vërtetën, por thuaj kam zbuluar një të vërtetë”, thotë Khalil Gibran.

“Nuk e di të vërtetën absolute. Por jam i përulur përpara injorancës sime dhe aty qëndron nderi dhe vlerësimi im.”

4. Vetëm njerëzit e vegjël përpiqen të poshtërojnë dhe të ulin të tjerët.

Kush nënvlerëson është vlerëpak.

5. E keqja që të bëjnë të tjerët, harrohet më lehtë se e keqja që u bën të tjerëve.

Nëse dikush të lëndon, ti mund ta harrosh plagën, por kur ti lëndon dikë, do ta mbash mend gjithmonë.

6. Mund t’i harrosh njerëzit që të bënë të qeshësh, por nuk do t’i harrosh kurrë ata me të cilët qave, ata që të qëndruan pranë në orët më të vështira.

“Zemrat që bashkohen në dhembje dhe brengë, nuk do të ndahen nga gëzimi dhe lumturia.

Lidhjet që krijohen në trishtim, janë më të forta se ato të kënaqësisë dhe gëzimit.

Dashuria që është larë nga lotët, mbetet gjithnjë e pastër dhe besnike.”

7. Gjërat e thjeshta në jetë janë ato më të jashtëzakonshmet.

“Në ëmbëlsinë e miqësisë, gjendet e qeshura dhe ndarja e kënaqësisë.”

8. Dashuria është jetë. Dhe jeta është dashuri.

“Kur dashuron, nuk duhet të thuash ‘Zoti është në zemrën time’, por ‘Unë jam në zemrën e Zotit’.”

9. Bëje punën me dashuri.

“Puna është pamja që merr dashuria.

Nëse nuk mund të punosh me dashuri, por vetëm me neveri, lëre punën dhe ulu në portën e një tempulli dhe merr mësime nga ata që punojnë me gëzim.

Nëse e pjek bukën me shpërfillje, ti po pjek bukë të hidhur, që ushqen vetëm gjysmën e urisë së njeriut.

“Ata më çmendin, sepse nuk i shes ditët e mia për para; dhe unë i çmend ata, sepse mendojnë se ditët e mia kanë një çmim.”

10. Për të kuptuar zemrën dhe mendjen e një personi, mos shiko vetëm çfarë ka arritur, shiko edhe se çfarë qëllimesh ka ai.

Beso tek ëndrrat, aty gjendet porta e fshehur e përjetësisë.

11. Dashuria e vërtetë nuk mund të zotërohet.

Për dashurinë, mjafton dashuria.

Dhe mos mendo se mund të ndryshosh drejtimin e dashurisë, nëse dashuria të sheh si të vlefshëm, ajo e ndryshon drejtimin për te ti.

Dashuria s’ka dëshirë tjetër veç të vetëpërmbushet.

12. Përballu me sjelljen e keqe në mënyrë të këndshme.

“Testimi i vërtetë i sjelljeve të mira, është të jetë në gjendje të përballet sa më mirë me sjelljet e këqija.”

13. Dashuria bashkon gjithçka në harmoni perfekte.

Një shprehje thotë: “Nëse një njeri e njeh veten, ai njeh të gjithë njerëzimin”, ndërsa Khalil Gibran thotë: “Nëse dikush e do njerëzimin, atëherë ai di diçka për veten”.

14. Gjithnjë shiko anën e ndritur të jetës.

“Optimisti sheh trëndafilin, jo gjembat; pesimisti ua ngul sytë gjembave, harron trëndafilin.”

15. Ne nuk i shohim gjërat siç janë.

Ne i shohim gjërat siç jemi ne.

“Pamja e gjërave ndryshon sipas emocioneve; ne shohim gjëra të bukura dhe të magjishme te to, kur në fakt magjia dhe e bukura janë brenda nesh.”

16. Dashuria e vërtetë është produkt i tërheqjes shpirtërore.

Është e gabuar të mendosh se dashuria vjen nga shoqëria e gjatë.

Dashuria është produkt i tërheqjes shpirtërore dhe nëse kjo tërheqje nuk krijohet në çast, nuk do të krijohet edhe nëse kalojnë vite apo breza.

17. Lër hapësirë në marrëdhënien tënde.

Kur je me dikë, lër hapësirë që të fryjë erë e re mes jush.

Duajeni njëri-tjetrin, por mos e kufizoni dashurinë: lejoni që ndërmjet brigjeve të zemrave tuaja, të jetë një det i gjallëruar.

18. Nëse lutesh kur bie shi, sigurohu të lutesh edhe në ditë me diell.

“Ti lutesh kur ke nevojë dhe je në tension, por do të ishte mirë të luteshe edhe në gëzimin më të madh dhe në ditët më të lumtura.”

19. Kur jepesh vetë, ai është çasti kur jepesh plotësisht.

“Kur jep nga pasuria, ke dhënë pak. Kur jep nga vetja, atëherë ke dhënë vërtet.”

20. Bukuria e vërtetë vjen nga brenda.

“Bukuria nuk është te fytyra; bukuria është një dritë në zemër.”

Berati, perla shqiptare

Shqipëria është vendi i qyteteve magjepsëse që çdo njeri duhet t’i përfshijë në itinerarin e tij ballkanik, shkruan faqja e njohur turistike theculturetrip.com.

Berati është njëri nga këto qytete, të cilin duhet ta vizitosh të paktën një herë në jetë, jo vetëm për arkitekturën e tij unike, por edhe për tolerancën e vet fetare. UNESCO e ka përfshirë në listën e qendrave të trashëgimisë botërore.

A jeni gati të zbuloni këtë perlë shqiptare? – pyet ky portal, dhe këshillon:

Shihni listën tonë me gjërat më të mira për të bërë dhe për të parë në qytet.

Admironi pamjet madhështore të Beratit nga kalaja.

Kalaja është kështjella e vjetër e bukur e Beratit që ndodhet në majë të kodrës. Është vendi i përkryer për ta admiruar qytetin nga sipër. Qyteti i vogël që u ndërtua brenda mureve të kështjellës është një ndër vendet më magjepsëse që do të shikoni në Shqipëri. Ka akoma disa njerez të cilët banojnë atje. Zona duket magjepsëse me rrënojat e lashta, lulet e fushës dhe oborret e vegjël.

Vizitoni muzeun “Onufri”

Ndodhet në Kishën e Shën Mërisë së Fjetur, në zonën e Kalasë. Muzeu ”Onufri” ka piktura të mahnitshme të shekullit XVI të krijuara nga piktori dhe ikonografi më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Vetë kisha, që daton në vitin 1797, u ndërtua mbi themelet e një kishëze të vogël më të hershme. Kjo strukturë ja vlen të vizitohet për bukurinë e saj nga brenda dhe jashtë.

Bëni fotografi të Kishës së Shën Triadhës

Prapa mureve të kështjellës ndodhet Kisha e Shën Triadhës, një kishë interesante e shekullit XIV, që ia vlen ta shikosh. Sapo të kesh arritur aty, mund të bësh fotografi të mrekullueshme të një prej ndërtesave më të bukura fetare në Berat dhe Shqipëri.

Vizitoni shtëpitë e epokës otomane të Mangalemit

Berati është i ndarë midis dy lagjeve të mëdha, Goricës dhe Mangalemit.

Mangalemi njihet si zona më piktoreske e qytetit, sepse është i mbushur me ndërtesa tipike të epokës osmane të pajisura me dritare të vogla dhe çati ngjyrë kafe.

Një nga eksperiencat më të mira që mund të përfitoni në Shqipëri është shëtitja nëpër rrugët e ngushta të Mangalemit ku ofrohet një arkitekturë mbresëlënëse otomane .

Vizitoni Goricën për të përfituar një pamje natyrore mahnitëse mbi Mangalemin

Gorica është një tjetër zonë e bukur e Beratit e dekoruar me rrugë me kalldrëm, shtëpi me gurë dhe kisha të vogla ortodokse.

Ky vend duhet të bëhet pjesë e itinerarit tuaj, jo vetëm për bukurinë natyrore që ka por edhe për shkak se ofron një pamje të mrekullueshme të qarkut të Mangalemit. Gorica është vendi i përkryer për të realizuar fotografi të fasadave të vjetra otomane.

Vizitoni Muzeun Etnografik

Nëse dëshironi të mësoni diçka më shumë për historinë e lashtë të Beratit, mund të drejtoheni në Muzeun Etnografik, i vendosur në një shtëpi otomane të shekullit të 18-të, (që gjendet në rrugën që çon nga Mangalemi në Kala). I hapur në vitin 1979, muzeu shfaq historinë e qytetit dhe përmban disa objekte origjinale nga kohërat e lashta, duke përfshirë rroba, mjete dhe objekte shtëpiake.

Eksploroni xhamitë e vjetra të Beratit

Tradicionalisht, Mangalemi është një nga lagjet myslimane të Beratit ku ndodhen tre xhami të mrekullueshme që janë të hapura për publikun, Xhamia e Sulltanit, Xhamia e Plumbit dhe Xhamia e Beqarëve.

E para është ndër xhamitë më të vjetra në vend dhe ndodhet pranë Teqesë Halveti , një vend ku mund të falesh , për ata që praktikojnë besimin bektashiane të rendit dervish.

Xhamia e Plumbit është e famshme për kupolën e saj në formën e një sfere, ndërsa Xhamia e Beqarëve është ndërtuar për burrat e pamartuar dhe ka piktura mahnitëse që dekorojnë muret e saj të jashtme.

Drekoni në restorantin Mangalemi

Vendi më i mirë për të ngrënë një drekë tradicionale shqiptare është restoranti në Hotel Mangalemi.

Menuja ofron kuzhinën tipike të Beratit, që është një ndër më të mirat në vend. Ne do të sugjeronim të provonit tavën e kosit (qengj i pjekur në kos) dhe disa djathrave tradicionale shqiptare.

Tarraca e restorantit ofron një pamje të mrekullueshme mbi çatitë e Mangalemit./ KultPlus.com

Aktorja Cynthia Nixon kandidon për guvernatore të New York-ut (VIDEO)

Aktorja Cynthia Nixon është duke kandiduar për guvernatore në New York. Lajmin ajo e ka bërë të ditur përmes një video të lansuar të hënën në Twitter, përcjellë KultPlus.

Aktorja Cynthia Nixon në videon e lëshuar tregon gjëra e saj të përditshme: duke dërguar vajzën e saj në shkollë, duke ecur rrugëve gjersa mbanë një gotë me kafe në duar dhe duke marrë metronë.

Ajo ka qenë një aktiviste në politikë për shumë vite, përkrahëse e edukimit publikw, një zëdhënës për të drejtat e komunitetit LGBTQ si dhe mbështetëse e kandidatëve të ndryshëm, përfshirë kryetarin e bashkësisë së New York-ut, Bill de Blasio, shkruan People.

E lindur dhe e rritur në New York, ajo është e njohur për publikun më së shumti për rolin e saj si Miranda Hobbes, në “Sex and the City”./ KultPlus.com

Filmat që njerëzit nuk kanë guxim t’i shohin

Netflix ka zbuluar 10 filmat që përdoruesit e saj nuk kanë guxim që t’i shohin deri në fund.

Duke folur për “Forbes”, një zëdhënës i faqes ka treguar se lista është krijuar me ata filma që shikuesit i kanë parë vetëm 70% të kohëzgjatjes, përpara se të mbyllin aplikacionin, transmeton tch./ KultPlus.com

Makijazh

Poezi nga Ilire Zajmi.

I detyrohem shumë zbuluesve të makijazhit
i falënderoj çdo mëngjes për zbulimin e kësaj mrekullie që s ‘ka të paguar
falë tij fsheh me mjeshtri mynxyrat e një nate pa gjumë
sytë e buhavitur nga kokëdhimbja lëkurën e zbehtë e të lodhur
rrudhat e holla mbi buzë vijën e thellë të ballit
thinjat e para në vetulla faqet e fishkura
me buzëkuq vetulla të ngjyrosura faqe ngjyrë pjeshke
penel të zi në sy e hije ngjyrë terrakote
fshij të gjitha gjurmët e krimit e dal nur e buzëqeshur para botës
mikeshat më mbysin me fjalë të ëmbla
për stilin unik e pamjen e freskët femërore
asnjëra s’më pyet si ndihem
për çfarë më dhemb zemra e çka më mundon
Ah këto pyetje nuk bëhen në kohëra moderne
botës i intereson vetëm pamja e jashtme
ajo i thotë të gjitha për ne e fjalët s ‘kanë më kuptim
E çka të them tjetër, përveçse lavdi zbuluesve të makiazhit.
Uh gati harrova. Si nuk u zbulua makiazh edhe për shpirtin?!

Bujar Kapexhiu prezanton projekt të ri për teatrin në Tiranë

Bujar Kapexhiu, regjisor e karikaturist i njohur, solli një projekt të vetin për Teatrin Kombëtar. Sipas tij, dy ndërtesat ekzistuese nuk duhet të prishen, të rikonstruktohen dhe mes tyre të ngrihet një e tretë, për t’i lidhur ato dhe për t’i kthyer në një ansambël.

Projekti i paraqitur nga Bujar Kapexhiu

“Sot, nga eksperienca botërore, kudo që të shkoni do të shikoni se si godinat e vjetra nuk shemben, por u qëndron komplet e gjithë fasada anësore dhe ndoshta gërryhen nga brenda edhe bëhet një riksontruskion i brendshëm, por anësoret qëndrojnë gjithmonë. Ju këtu keni një shembull shumë të bukur, që ishte Banka Kombëtare, përse nuk u shemb? Por, për kërkesat që kishte u shtua, po në atë stil. Edhe është shumë bukur! Unë kam menduar, bashkë me artistë të tjerë, që këta dy teatro të mos shemben. Por, themi që këto të dyja janë vlera historike, të qëndrojnë dhe mund të rikonstruktohen fare mirë. Midis tyre do të ndërtohet një godinë e këtij stili apo një stil modern, klasik apo neoklasik, këtë do ta zgjidhin arkitektët, që t’i lidhë këto të dyja së bashku”, tha Kapexhiu.

Sipas tij, aty duhet që të ndërtohen mjediset, që u mungojnë këtyre dy teatrove, si zyrat, sallat e grimit, sallat e provave, arkivi, biblioteka etj., pse jo edhe një kafene, ku të ç’lodhen artistët.

“Por, ne nuk duhet që të prishim! Por, të rikonstruktojmë të vjetrat edhe midis tyre të ndërtojmë një të re. Edhe kështu bëhet një kompleks teatror”, tha ai. Kapexhiu shprehu pëlqimin për projektin e ri të arkitektit Bjarke Ingels, por sipas tij, ai nuk shkon për vendin ku është projektuar, por ndoshta për në Bulevardin e ri, shkruan panorama. Sipas tij, godinat duhet të rrinë në harmoni me njëra-tjetrën, duke përmendur hotel “Dajtin”, Galerinë e Arteve, ministritë etj./ KultPlus.com

Si qielli i ndritur

Poezi nga Sali Bashota.

Kur më merr malli për sytë e tu
Pa asnjë lutje zgjohet qielli i ndritur
Vetëm prania jote është këtu
Të gjitha ëndrrat tashmë kanë ikur
Koha prapë mbushet plot kujtime
Mbase një ditë edhe heshtja flet
Në udhëkryq braktisen tërë ato shqetësime
Vetëm sytë nuk më mjaftojnë për portret
Ikën larg vetëm çastet e fshehura
Në hapësirën e mbushur plot nostalgji
Imazhi i mëngjesit i braktis ndjenjat e dehura
Askush më s’mund ta pagëzojë këtë magji.

Nga libri “Në fillim ishte drita”.

Sot shënohet Dita Botërore e Poezisë

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Poezisë, studentët e Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në bashkëpunim me mësimdhënësit e tyre, organizojnë aktivitetin kulturor ‘Mesdita poetike’.

Ky aktivitet do t’i kushtohet poetit, studiuesit dhe profesorit Basri Çapriqi, i cili vdiq në muajin janar.

Me këtë rast, duke e nderuar jetën dhe veprën e poetit, do të lexohen pjesë nga krijimtaria e tij letrare, si dhe poezi përkushtimi për të. Gjithashtu, studentët do t’i lexojnë krijimet e tyre.

Aktiviteti do të mbahet në amfiteatrin e vogël të Fakultetit të Filologjisë, në ora 12:00.
Dita botërore e poezisë shënohet më 21 mars që nga viti 1999, vendosur kjo nga UNESCO./ KultPlus.com

Falimenton kompania e Weinsteinit

Kompania Weinstein ka deklaruar zyrtarisht falimentimin.

Kompania e themeluar nga Harvey dhe Bob Weinstein, muajt e fundit ka nisur negociatat për shitjen tek investitorë të ndryshëm.

Në një deklaratë, kompania njoftoi se ka hequr klauzolat e konfidencialitetit për personat të cilët kanë hedhur akuza për ngacmime seksuale.

“Kishim shpresuar për të arritur një zgjidhje gjyqësore, Bordi është i kënaqur që ka një plan që do të maksimizojë vlerën e aseteve dhë për të ruajtur sa më shumë vende pune, e gjithashtu për të sjellë drejtësi për viktimat”, tha Robert Weinstein , themelues i kompanisë së bashku me vëllanë e tij, transmeton tch.

Në deklaratë gjithashtu theksohet: “Askush nuk duhet të ketë frikë të flasë, ose të detyrohet të heshtë. Kompania falenderon individët e guximshëm të cilët kanë folur. Zërat tuaj kanë inspiruar një lëvizje ndryshimi për vendin dhe mbarë botën”./ KultPlus.com

“Askush nuk mund të bëhet më i huaj, sesa personi që e ke dashur dikur”

Shkrimtari Erich Maria Remarque, ishte një person jashtëzakonisht i zhytur në mendime, tejet inteligjent, me një shpirt jashtëzakonisht të ndjeshëm dhe talent të hollë, të cilin ai gjithnjë dyshonte nëse e zotëronte, përcjellë KultPlus.

Librat e tij, janë shprehje të sinqerta të ndjenjave të vërteta, si dhe karaktereve të gjalla që dolën nga vetë jeta dhe zemra e autorit. Në romanet e Remarque, dashuria është e pasionuar, e konsumuar deri në fund, dhe e pavdekshme. “Lufta e tij” është e tmerrshme, ajo rrënon vullnetin, besimin dhe fatin e dikujt.
Librat e tij kanë të bëjnë me brezin e humbur – “të humbur” në kuptimin që vlerat e trashëguara të tij, nuk qenë më të rëndësishme në botën e pasluftës, dhe për shkak se pjesëtarët e atij brezi mendonin se nuk kishin më vend në mesin e të gjallëve.

Më poshtë kemi përzgjedhur thëniet më të jashtëzakonshme, më frymëzuese dhe më të bukura nga romanet “Tre shokët”, “Harku i Triumfit”, ”Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”, dhe “Jetë e marrë hua”. Sekreti i çdo romani, është se të gjitha përvojat, dhe në fakt, një pjesë e zemrës së autorit, janë të fshehura aty brenda:
“Jo”, tha ai me shpejtësi. “Kurrë. Të mbetemi miq? Pa mundohuni të rritni një kopsht të vogël me trëndafila, mbi hirin e ndjenjave të thyera? Jo, nuk do të funksiononte kurrë për ju, dhe as për mua. Kjo ndodh vetëm pas çështjeve të vogla, dhe duket çdo gjë e rreme. Dashuria nuk duhet të prishet nga miqësia. Fundi është fund”.

“Askush nuk mund të bëhet më i huaj, sesa personi që e ke dashur dikur”.
“Sa me ngathtësi sillet një person, që ka rënë vërtet në dashuri! Sa shpejt zhduket vetëbesimi i tij! Dhe sa i vetmuar ndihet; të gjitha përvojat e tij të lavdëruara duket se janë zhdukur, ashtu si mjegulla, dhe ai ndihet kaq i dobët dhe i pafuqishëm”.
“Vetëm ai që e di se çfarë është vetmia, e njeh vlerën e vërtetë të takimit me të dashurit e tij”.
“Një grua bëhet më e zgjuar kur ka rënë në dashuri, ndërsa një burrë thjesht e humbet toruan”.
“Vetëm njeriu i palumtur e vlerëson lumturinë. Një njeri i lumtur, nuk ndien më shumë gëzim sesa një manekin. Ai vetëm sa e shfaq, por nuk e zotëron atë. Drita nuk ndriçon në dritë; ajo shkëlqen në errësirë“.
“Sa më primitiv është një njeri, aq më shumë konsiderata të larta ka për vetveten”.
“S’ka asgjë më të lodhshme, sesa të shohësh se si një person e tregon intelektin e tij, veçanërisht nëse nuk ka asnjë të tillë”.
“Cinikët kanë karakterin më tërheqës, idealistët më të keqin. A nuk është e çuditshme?”
“Gratë duhet të adhurohen ose të braktisen. Çdo gjë tjetër është vetëm një gënjeshtër”.
“Çfarëdo që ju nuk mund ta keni, duket gjithmonë më e mirë se çdo gjë që keni. Kjo është romanca dhe budallallëku i jetës sonë!”.
“Thonë se jeta është e vështirë 70 vitet e para. Pastaj gjërat fillojnë të përmirësohen”.
“Pendimi është gjëja më e padobishme në botë. Asgjë nuk mund të kthehet pas, apo të ndryshohet. Asgjë nuk mund të fiksohet. Përndryshe të gjithë do të ishim shenjtorë. Jeta nuk do të thotë se që ne të jemi të përsosur. Ata që janë të përsosur, duhet të vendosen nëpër muzeume”.
“Ndonjëherë duhet të thyeni parimet tuaja. Përndryshe ato nuk do t’iu sjellin kurrë kënaqësi”.
“Është më mirë të vdesësh kur dëshiron të jetosh, sesa të jetosh kur dëshiron të vdesësh!”.
“Çfarëdo që ndodh me ju, mos e merrni kurrë si personale. Asgjë në këtë botë nuk është aq e rëndësishme”./ Konica.al/ KultPlus.com

German writer Erich Maria Remarque (1898 – 1970), author of ‘All Quiet On The Western Front,’ stands on the set of the film, ‘A Time To Love And A Time To Die,’ October 1957. Remarque played a role in the film which was adapted from his novel and directed by Douglas Sirk. (Photo by Express Newspapers/Getty Images)

50 tregime për 50 monumente të harruara shpërfaqin bukurinë e trishtë të Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj
Lapidariumi i Muzeut të Kosovës sonte kishte mbledhur përplot njerëz të cilët kishin ardhur për të qenë pjesë e diskutimit lidhur me ‘Hapësirat e braktisura të Kosovës’, diskutim ky i organizuar nga CHwB Kosova, në kuadër të së cilit u promovua edhe libri “Hapësirat e braktisura të Kosovës- 50 tregime të një bote të harruar”, shkruan KultPlus.

Gjatë vitit 2017, CHwB Kosova ka identifikuar 262 ndërtesa të pashfrytëzuara nëpër vende të ndryshme të Kosovës, të cilat janë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje. Ato janë shtëpi tradicionale, salla të kulturës, ndërtesa industriale, kulla dhe përmbajtje të tjera ndërtimore të cilat dikur i shërbenin familjeve, komuniteteve dhe shoqërisë. Fati, kuptimi dhe roli i tyre përcaktohet nga faktor të ndryshëm siç janë zhvillimi i përgjithshëm shoqëror, luftërat, sistemi i ri politik, ndryshimi i sistemit vleror, interesat politike dhe ekonomike, neglizhenca shtetërore dhe e shoqërisë në përgjithësi.

Më shumë për këtë tregoi Drejtori i CHwB Kosova, Sali Shoshi, i cili fillimisht shpjegoi për të pranishmit se këtij diskutimi dhe këtij organizimi, i ka paraprirë një hulumtim rreth 1 vjeçar nga organizata CHwB Kosova.
“Ne kemi mbledhur informata për rreth 950 ndërtesa të Trashëgimisë Kulturore në Kosovë dhe kemi kërkuar informata për gjendjen fizike, lokacioni për tipin e ndërtesës por kemi mbledhur informata edhe për shfrytëzueshmerinë dhe nga ky numër i ndërtesave, kemi hasur në 262 ndërtesa të harruara, të braktisura prej shoqërisë dhe është një paradoks këtu se shumica prej tyre janë të mbrojtura me ligj”, tregoi drejtori Sali Shoshi.
Ai tutje tregoi se fakti që këto 262 ndërtesa janë të mbrojtura me ligj, konsiderohen si vlera dhe braktisen, i ka shtyrë ata edhe drejt krijimit të librit që sonte u promovua.
“Si shoqëri mendoj se është një farë problemi në mes asaj që ne e besojmë, asaj që e mbrojmë me ligj, që mendojmë se është vlerë dhe e braktisim. Ose është me vlerë dhe ruhet ose s’është me vlerë dhe braktiset”, u shpreh në fjalën e tij Shoshi.

Krahas kësaj Shoshi përmendi edhe dy arsye të tjera se përse kjo temë meriton më shumë trajtim; e para se këto ndërtesa janë pjesë e historisë dhe e memories kolektive dhe nëse këto humbin, humb një pjesë e historisë, një pjesë e memories dhe dokumenteve historike të Kosovës. Kurse arsyeja tjetër lidhet me aspektin e dytë që është ekonomik sepse për këto ndërtesa dikush dikur ka harxhuar energji dhe e gjithë kjo energji ka me humbë dhe nuk është pak.
“Pse të mos mendojmë qe këto ndërtesa ti kthejmë dhe ti shfrytëzojmë për aspektin ekonomik, kulturor dhe për aspektin shoqëror. I kam parë dy-tri raste në Kosovë, ku kjo ka funksionuar mjaft mirë”, u shpreh Shoshi.
Shoshi krejt në fund tregoi se libri pasqyron 50 tregim për 50 monumente të harruara. Përmes këtij libri që do të shpërndahet në librari do të tregohet pjesa e bukurisë së trishtë e Kosovës, pasi që ato ndërtesa janë të bukura por janë të trishtueshme sepse aty më nuk ka jetë.

Pas drejtorit Sali Shoshi, në këtë mbrëmje u ngritën edhe shumë pyetje të tjera, të cilat morën përgjigje nga panelistët e këtij diskutimi të moderuara nga Eliza Hoxha. Paneli i kësaj mbrëmje përbehej nga: Arbër Sadiki- arkitekt, Shkëlzen Gashi- publicist, Vjollca Aliu- drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, MKRS, Linda Gusia- sociologe, Yll Rugova- drejtor i Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës dhe Rina Kika nga Termokiss.

Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore nga MKRS ,Vjollca Aliu tha se Ministria është përpjekur të ndërmarr masa në këto ndërtesa që kanë status të mbrojtjes dhe pse ndoshta jo gjithnjë janë ndarë të kënaqur me rezultatet.
“Titulli i librit që po promovohet sonte, do të na nxis që edhe më tutje t’i trajtojmë këto ndërtesa edhe në aspekt tjetër, jo vetëm në aspektin e mbrojtjes ligjore”, u shpreh fillimisht Aliu.

Pas saj, fjalën e mori publicisti Shkëlzen Gashi i cili theksoi më shumë rëndësinë e mësimit të trashëgimisë kulturore tek fëmijët jo vetëm përmes teksteve mësimore dhe jo vetëm përmes teksteve mësimore të historisë por edhe përmes teksteve të tjera, sidomos të edukatë qytetare, në mënyrë që të nxitet tolerancën dhe mirëkuptimin nëpërmjet komuniteteve etnike por edhe atyre fetare.
“Kur i kam studiuar tekstet mësimore të historisë të shkollës fillore dhe të mesme prej MASHT-it, e kam parë që nuk i mësojnë absolutisht asgjë fëmijëve për sundimin mesjetar serb dhe për objektet e trashëgimisë kulturore të asaj kohe. Përveç që nuk e mësojnë për periudhën e sundimit mesjetar serb, nuk mësojnë as për trashëgiminë kulturore të periudhës së sundimit osman për pesë shekuj”, u shpreh publicisti Shkëlzen Gashi, i cili tutje tha se mungon ndjeshmëria për trashëgiminë kulturore dhe sepse mungojnë njohuritë për historinë dhe pasi që ekziston historia fillon në vitin ’98 dhe ’99.

Sociologia Linda Gusia tha se është e rëndësishme që qyteti të shikohet si institucion dhe ndërtesat e vjetra si monumente që të lidhin me të kaluarën.
“Është me rendësi t’i shohim objektet e braktisura edhe në relacion me atë se si nuk jemi ballafaquar me të kaluarën që mendoj se është një prej problematikave të braktisjes së këtyre objekteve të periudhave të ndryshme.”, tha ndër të tjera Linda Gusia, e cila se tha kjo po ndodhë për shkak të mungesës së ballafaqimit me të kaluarën.
Yll Rugova i cili që dy muaj është në pozitën e drejtorit të Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, tha si para marrjes së kësaj detyre vazhdon ta mbroj të njëjtën kauzë. Ai tha se si pjesë e Komunës së Prishtinës, hapi i tij i parë ka qenë identifikimi i të gjitha hapësirave në Komunë të Prishtinës, të cilat nuk janë duke u shfrytëzuar e që faktikisht nuk janë pak.

“Jam shumë i befasuar për të mirë që kanë ardhur kaq shumë njerëz për këtë temë, besoj që ky numër është një dëshmi për kolegët e mi në Komunë dhe në Ministri, të cilëve kur ua përmendi trashëgiminë kulturore më thonë “Hajt se kërrikujt nuk i intereson ajo punë veç ty edhe njo pesë shokëve dhe shoqeve tua”, kështu që po më duket që numri i të pranishmëve që janë këtu po e dëshmon që nuk është bash qashtu dhe se ka interesim për këtë fushë”, u shpreh Rugova.

Ai tha se në përgjithësi në Komunën e Prishtinës ka mungesë të hapësirave, duke filluar nga mungesa e zyrave në institucionin e komunës së Prishtinës pasi që nuk ka hapësirë për vendosjen e tërë organizatës së Komunës. Ai tutje shtoi edhe për mungesën e hapësirave kulturore pasi që nuk ka sallë koncertale të mirëfilltë, as muze të artit bashkëkohor.
“Prishtina është i vetmi kryeqytet në Evropë, që ka vetëm një muze funksional, dhe duhet të na vijë turp edhe si qytetarë që e kemi lejuar një gjë e tillë. Një nga problemet kryesore është siç e përmendi edhe Linda është se ne duhemi ta shkatërrojmë të vjetrën për ndërtimin e së resë, që për mendimin tim është qasje e gabueshme”, tha tutje Rugova.

Arkitekti Arbër Sadiki lidhur me mosrespektimin ndaj disa periudhave të arkitekturës tha se duhet shtruar pyetja se “Për cilën periudhë kemi respekt?”.
“Unë nuk shoh që kemi ndonjë respekt shumë të madh për hapësirat publike, aq sa janë krijuar pas luftës, nuk shoh që kemi ndonjë respekt as për monumentet që kemi krijuar pas luftës. Ne kemi një problem shumë më bazik, respekt ndaj hapësirës si fenomen kështu që në këtë kënd duhet të shihen të gjitha hapësirat e braktisura”, u shpreh arkitekti Sadiki, i cili tha se duhet gjetur shkakun se përse një hapësirë braktiset, ndërsa shtoi se ai mendon se një hapësirë braktiset për të njëjtat arsye edhe përse krijohet.
“Ne duhet ta shohim edhe mënyrën e qasjes ndaj riaktivizimit të këtyre objekteve duke riaktivizuar aktivitet por jo duke e rikthyer me çdo kusht aktivitetin sepse ne nuk mund të kthejmë kohen, arkitektura ka të bëjë me kohën”, u shpreh tutje Sadiki.

Disa herë gjatë diskutimi u potencua se një shembull i mirë për tu ndjekur është pikërisht Termokissi. Rina Kika tregoi se Termokissi ka filluar si një iniciativë e një grupi të vullnetarëve të cilët kanë qenë nga Prishtina, Belgjika dhe Zvicrra.
“Ata e kanë identifikuar Termokissin i cili që nga fillimi ka qenë një objekt i braktisur për shkak se ka qenë i papërfunduar dhe kanë dashur që t’ia kthejnë qytetit, por që të mos bëhet një hotel apo supermarket por që t’i mbetet qytetit dhe komunitetit të Prishtinës, që ta shfrytëzojnë ashtu siç atyre u doket më e përshtatshme”, tregoi Rina Kika./ KultPlus.com

Fotografi e rrallë e rok grupit Trix në vitin 1975

Grupi TRIX është ndër grupet e para të rock and rollit shqiptar që u formua në vitin 1974, vit ky në të cilin u formuan edhe disa rok grupe të tjera të njohura si Grupi MAK nga Mitrovica, grupi TNT nga Mitrovica, grupi LUNIAZËT nga Prizreni, shkruan KultPlus.

Grupi Trix që u formua në pranverë të vitit 1974 në fillim përbëhej nga tre anëtarë: Veli Sahiti, Muhamet Bislimi, si dhe Nuredin Azemi. Po në këtë vit u bënë edhe ca ndryshime, në grup inkuadrohen edhe dy anëtarë, Hil Prenk Palaj (Daullist) si dhe Gjergj Prenk Palaj (Harmonike goje).

https://www.youtube.com/watch?v=OcTRJ6GtGig

Dy nga këngët e njohura të këtij grupi janë “U tretën ëndrrat” dhe “Zeshkanja ime”. KultPlus sot ju sjellë një fotografi të grupit, pikërisht nga koha kur ky grup filloi të njihet për publikun, në vitin 1975. / KultPlus.com

Për mua gjej një shishe verë

Poezi nga Robert Burns / Përktheu Dritëro Agolli

Për mua gjej një shishe verë,
Ma hidh në kupën e argjendtë
Po nisem për të fundit herë
Dhe pi për dashurinë e shenjtë.

Kërcet direku i anijes
Kur era rreh e ndehet terri
Kur toka dalëngadalë zë fshihet
Unë pi për ty, e dashur Meri!

Më pret tufani dhe stuhia
Flamuri ngrihet palë palë
Për luftë larg më fton buria
Shigjetat derdhen valë-valë.

S’më tremb aspak luftë e tërbuar,
S’më tremb sfilitja, humbja, sherri,
Më tremb veç ndarja e trishtuar
Veç ndarja e hidhur me ty, Meri!

Në Orllan të Podujevës gjenden artefakte të kohës së gurit

Një banor i Orllanit të Podujevës ka gjetur disa artefakte, ndër to edhe një figurë të ngjashme me Hyjneshën në fron, raporton KTV.

Arkeologët, të cilët e vizituan këtë lokacion, në parim vërtetuan se këto artefakte i takojnë kohës antike, konkretisht fazës së gurit.

Agim Ibishi shtatorin e vitit të kaluar, nisi të hapte një kanal për ujitje pak metra larg shtëpisë së tij.

Atë kohë ai nuk kishte vërejtur asgjë, derisa një javë më parë kur po e mbyllte dhe rregullonte këtë kanal, hasi në diçka të pazakontë.

Ai gjeti disa artefakte, të cilat besohet se i takojnë kohës antike, e në mesin e tyre edhe një figurë të ngjashme me Hyjneshën në fron.

Agim Ibishi menjëherë kishte njoftuar Institutin Arkeologjik, anëtarë të të cilit dolën në vendin e ngjarjes.

Pasi morën koordinatat dhe panë artefaktet, edhe arkeologët erdhën në përfundim se në këtë lokacion kishte ekzistuar një vendbanim 7 mijë vjet më parë.

Arkeologu Luan Gashi thotë se një gjetje e tillë mbulon një boshllëk të madh të periudhës parahistorike.

Gashi thotë se këto artefakte do t’i marrin për studim. Ai shton se me ngritjen e temperaturave, do të gërmojnë për të zbuluar edhe më shumë artefakte, ndërsa beson se mundësia është që të gjinden edhe gjëra të tjera.

Ky institut, për këtë çështje, pritet të ndajë edhe mjete financiare, për të vazhduar punën tutje.

Shtëpia e Vëllezërve Frashëri është në rrezik

Në hyrje të fshatit Frashër pozicionohet banesa madhështore e vëllezërve Frashëri. Në vitin 1974, mbi rrënojat e banesës së vjetër të shkatërruar është ringritur “Banesa e Vëllezërve Frashëri”, monument kulture i kategorisë I-rë, duke u përshtatur si shtëpi-muze.

Shtëpia-muze u rikonceptua si një përmbledhje e historikut të zonës, e veprimtarisë së tre rilindasve dhe është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare. Me ringritjen e saj është bërë përpjekje për ruajtjen e origjinalitetit të volumit fillestar, duke shtuar elemente të rinj si ndërkate e tavane druri dhe oxhakët nëpër dhoma. Disa nga dhomat e kësaj shtëpie-muze pasqyrojnë mënyrën e jetesës së kohës, duke mbledhur orendi të vjetra edhe nga banorët e zonës. Interesi për këtë banesë duket se është jo i pakët, për vetë rëndësinë dhe historinë që ajo ka. Shtëpia-muze gëzon në fondin e saj libra e dorëshkrime të vëllezërve Frashëri, ku mund të veçojmë disa botime origjinale të Sami Frashërit.

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës ishin në Frashër për të kryer një inspektim në këtë banesë. Sot, objekti shfaq nevojën për ndërhyrje restauruese në strukturë, sepse paraqet disa problematika në konstruksionin e çatisë si dhe janë evidentuar çarje në muraturën perimetrale. Është i nevojshëm restaurimi i elementëve arkitektonikë të brendshëm si: ndërkatet e drurit, shkallët, dyert dhe dritaret.

Gjithashtu, terreni përreth banesës, brenda rrethimit, duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjeve rehabilituese të përgjithshme. Në shumë nga dhomat e ekspozimit ruhen ekpozitorët dhe stendat e projektuara gjatë kohës kur banesa u rikonceptua si shtëpi-muze. Mobilimi duhet t’i nënshtrohet një procesi restaurimi së bashku me maketin e fshatit Frashër që ndodhet në një nga dhomat e katit përdhe.

Desha të të shkruaj, baba

Vargje nga Shqiptar Oseku.

Desha të të shkruaj, baba,
por para sysh me dalin
rreshta ikanakësh.
Kanë plisa e fustanella,
kanë kuffieh,
tatoo mitesh kanë
nën lëkurë.
Kanë një aks kohor
të ndryshëm
që u ngec e hap gropa
me dekada
nëpër lagje të vjetra
në Shqipëri, në Siri,
në Darfur.
Dua të të shoh ty, baba.
Por shikoj njerëz tjerë
të bardhë, të zi-
cifla jete të shpërndarë
pas detonimesh.
Vecse ndiej, baba,
tek u thonë fëmijëve të vet
fjalët tua:
”Po ikim për me pshtu, bir,
ruhu e mos humb.”
Dhe të gjithë fëmijët e tyre
bëjnë grushtin brenda
grushtit tim.

Hapet në Beograd ekspozita për luftën në Kosovë

Të hënën OJQ-ja Fondi për të Drejtën Humanitare hapi në kryeqytetin serb një ekspozitë rreth luftës së Kosovës që paraqet të dhëna dhe prova gjyqësore nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Nemanja Stjepanoviç nga dega e FDH-së në Beograd tha në hapjen e ekspozitës se gjykatat serbe deri më tani kanë dhënë dënime për vrasjet e vetëm 61 nga 8,700 viktimave civile shqiptare.

“Kur vjen puna te krimet kundër shqiptarëve, kemi pasur vetëm katër raste deri më tani, dy prej të cilave janë përfunduar,” tha Stjepanoviç duke shtuar se në Serbi nuk po ngrihen padi të reja për krime lufte në Kosovë.

Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i FDH-së në Kosovë, tha se vetëm 30 individë janë dënuar për krime lufte para gjykatave të Kosovës, por vetëm për krime kundër shqiptarëve të tjerë.

“Një numër i madh familjesh viktimash nga komuniteti serb, por edhe shqiptar, nuk kanë parë drejtësi,” tha Blakaj.

Me titull “FDH: Rasti i Kosovës 1998-1999”, ekspozita në Qendrën e Beogradit për Dekontaminimin Kulturor u krijua në bashkëpunim me Qendrën SENSE për Drejtësi Tranzicionale dhe Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën.

Ekspozita e krijuar nga SENSE tregon prova të dokumentuara dhe të dhëna të gjykatës nga ICTY-ja mbi nëntë grupe televizive. E njëjta ekspozitë është vendosur përgjithmonë në një qendër dokumentimi në Prishtinë, Kosovë.

“Prishtina është i vetmi kryeqytet në ish-Jugosllavi që ka një qendër dokumentimi ku krimet e të dyja palëve trajtohen në mënyrë të barabartë,” tha drejtori i SENSE, Mirko Klarin.

Ekspozita u hap me një panel diskutimi mbi gjyqin e ish-zv/kryeministrit jugosllav Nikola Sainoviç dhe lidershipit ushtarak dhe policor të vendit.

Një ish-prokuror në këtë rast, Thomass Hennis, tha se gjetjet e gjykatës “çuan qartë në mbështetjen e supozimit” se ish-presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç ishte i përfshirë në një sipërmarrje të përbashkët kriminale për të dëbuar shqiptarët e Kosovës.

I pyetur për lirimin e parakohshëm të tre të pandehurve nga ajo çështje – gjeneralët Dragoljub Ojdaniç, Vladimir Lazareviç dhe vetë Sainoviçi – Hennis tha se dënimi është shumë më i ashpër në SHBA.

“Më shqetëson fakti që njerëz të dënuar për këto krime serioze duket se janë rikthyer në të njëjtat poste të larta që kishin dikur,” tha Hennis.

Si pjesë e ekspozitës, një panel mbi krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të mbahet të martën, ndërsa një panel mbi krimet e kryera nga forcat ushtarake dhe policore serbe është planifikuar për të mërkurën.

Një intervistë me Saranda Bogujevcin, e cila i mbijetoi një masakre të 14 civilëve shqiptarë – përfshirë edhe familjen e saj – kur ajo ishte një vajzë 13-vjeçare në vitin 1999, do të mbahet të hënën e ardhshme.

Ekspozita do të mbyllet më 28 mars me një shfaqje të “Depth Two”, një film që tregon gjetjen e varreve masive të shqiptarëve të Kosovës në periferi të Beogradit në vitin 1999.

Balkan Insight