Mesditë pranvere

Poezi nga Ndue Ukaj

Pas këtij dimri të acartë,
Kjo ditë ka nevojë për qartësi.
Vitet tona janë shpuar tej për tej nga kjo re pikëllimi
Që sodit mbi pranverën tonë tash e sa mote.
E sheh: unë e hodha pallton e palarë
Dhe gradualisht i afrohem diellit.
E matanë kësaj stine,
Ata flasin për pamjaftueshmërinë e sendeve,
Dhe një ditë që zgjat sa një jetë.
Pas këtij dimri të acarët,
Pa dyshim,
Kjo ditë ka nevojë për frymëmarrje dhe shumë kthjelltësi.
(Nga libri, Gjithmonë diçka mungon, OM, 2017)./KultPlus.com

Nga ditari erotik i Lasgushit

Tiranë, e Djelë 2 Korrik 1939: Ora 8.5’, mëngjes u nisa për Durrës, ora 9.30’ vajta ne Nafija. Pas drekës ora 2 u shtriva në shtrat (larg dritares), Nafija më ndjenji mbanë shtratit, pastaj ra në shtrat me mua (më të djathtën t’ime) dhe u pushtuam ashtu një hof: unë i-a hodha krahun nënë qafë, ajo e futi kokën në gjirin t’im; kur u sgjuam e mora nër kraha, i-a skuqa faqkat së puthuri dhe lëpiri gushën, sytë me 100 përkëdhelje. Më 6-8 baritmë anës detit përkrah.

Në shtrat më lëçiti 3 vjersha të saj, pas darkës fjeti në shtratin t’im, u sgjuam më 11 para mesnatës, biseduam pak, pastaj fjetmë. Më 6 korrik, E Enten, më 7.30’ të mëngjesit ardhi Nafija në dhomën t’ime. Më shkrojti: “shpirtin t’ënd” = “Nafijen”, “shpirti im” = “Lasgushi”. Më 3 u nismë, më 4.10’ harimë në Durrës. Më 5,40’ filluam, më 6.10’ mbaruam celebrimin e martesës në Bashki. Kur u kthyem në shtëpi të Nafijes i vura në gisht unaskën me brilant prej floriri të bardhë. Natën 6 dyke u gëdhirë më 7 Nafija m’a futi dorën në gji.

I vura byzylykun prej ari. Desha t’i-a fut edhe unë dorën, nuk më la, u zemërova. passi shkoj të flerë, ardhi 5 herë në dhomën t’ime që të më pajtojë, më në fund ardhi fjetmë bashkë, më 3 pas mesnate më tha se kish turp prandaj s’ma la dorën. Fjetmë pa bashkim trupor.

Më 7 Korrik, të Premten, ora 1.30’-4.30’, u shtrimë në shtrat bashkë, pa bashkim trupor. E zhveshi gjirin me turp të math. Gjiri i saj një parajsë vajzërore, mezi ka zënë të fryhet, cickat s’kanë maja. U përkëdhelëm me 1000 mënyra: “Puthmë dhe këtu” theshte, “edhe këtu”; “bëmë një vurratë këtu (në llërën lart) dhe këtu, edhe një, edhe një. Ora 5.30. qau, qava. Më 7 Korrik, ora 8.30’ baritmë, ndenjmë në lulishte. Më 6 Korrik ora 6.30-9.30 ndenjmë në lulishte.

Më 7 Korrik natën dyke u gdhirë më 8 fjetmë bashkë, me bashkim trupor, pa bashkim virgjëror. Nafija përkëdheleshe shumë, çuditesha për të gjitha, s’dinte, e mora prej shtratit në divan, vura llambën, në këtë natë sbathi me turp të math dhe breçkat: trupi i saj një bukuri për t’u çmëndur, i bie erë shumë të mirë, u puthmë, gojë e trup me 1000 mënyra. Më tre pas mesnate, u sgjuam dhe u përkëdhelëm (të zhveshur) me 1000 mënyra. Më ora 6 fjetmë pak të lodhur./gazeta shqip

Barbara

Poezi nga Jacques Prévert

Mos harro Barbara!
Binte shi ate dite ne Brest
E ti e qeshur ecje
E lehte,e gezuar,e bere qull
Nen litaret e shiut…
Mos harro Barbara!
Shiu s’pushonte ne Brest
E ne u pame ne rrugen Siam,
Ti qeshje
E une te buzeqesha
Ty qe nuk te njihja
Ti qe nuk me njihje
E mban mend
Pa tjeter e mban mend ate dite!
Nje burre nen nje porte qe strehuar
Dhe thirri emrin tend:
– Barbara!
E ti rende drejt tij neper shi
Hareshem,e qeshur tere lumturi
E ne krahe ju hodhe…
Mos e harro kete Barbara
E mos u deshpero ne se te flas me ti
Keshtu u flas te gjithe atyre qe dua
Edhe kur i kam pare vetem nje here
Keshtu u flas te gjithe te dashuruarve
Edhe pse s’i kam njohur kurre!
Mbaje mend Barbara
Mos e harro
Ate shi te bute e te lumtur
Mbi fytyren tende te bukur
Ne ate qytet te lumtur
Ate shi mbi det,
Mbi molo,
Mbi anijen Ouessant!
Oh, Barbara
Lufta eshte idiotesi !
Ku je,ku ndodhesh ti tani
Nen kete shi te metalte
Prej zjarri ,celiku,e gjaku ?
Ku eshte ai qe ne krahe
Te shtrengonte plot dashuri
Eshte vrare,zhdukur ,a eshte ende gjalle ?
Oh ,Barbara
Bie pambarim shi ne Brest
Sic binte atehere,
Por s’eshte njelloj
Gjithcka ka ndryshuar
S’eshte shi kobi a dhimbje patreguar
S’eshte me as stuhi
Hekuri,celiku e gjaku
Por thjesht ca re te mbetura
Hequr zvarre si lango rrugesh
Si zagare qe heqin shpirt
Perrenjve te Brestit
E qe kalben larg
Larg,shume larg
Aty ku gjurme
S’u mbetet me …”/KultPlus.com

Albright: Si e ndalëm luftën në Kosovë

“Të fuqishmit dhe i plotfuqishmi”,  kështu e titullon librin e saj me “reflektime rreth Amerikës, Zotit dhe ngjarjeve të botës”, Madeleine Albright, një ndër gratë më të fuqishme në botë, ish-sekretare e Shtetit Amerikan. Një libër, i cili vjen në shqip falë përkthimit të Engjëllushe Shqarrit dhe Shtëpisë Botuese “Fan Noli”, me një parathënie nga ish-presidenti amerikan, Bill Clinton. Shkruan “Panorama”. Dy figura shumë të rëndësishme për shqiptarët dhe sidomos për ata të Kosovës.

Gjatë viteve të fundit, Shteteve të Bashkuara u është dashur të përballen me çështjen e “luftës së drejtë” në Afganistan dhe Irak. Si Sekretare Shteti jam ndeshur me një sfidë të ngjashme në Ballkan. Në fillim të viteve ‘90, diktatori serb, Sllobodan Millosheviç, kish nisur tri luftëra të pasuksesshme: kundër Sllovenisë, kundër Kroacisë dhe kundër Bosnjës. Në vitin 1999, ai e drejtoi armiqësinë e tij kundër shumicës etnike shqiptare në Kosovë, provincë e Serbisë.

Gjatë një viti studiova çdo rrugë të mundshme për të siguruar një zgjidhje diplomatike që të respektohej nga të dy palët. Shqiptarët më në fund e pranuan propozimin tonë; Millosheviçi e refuzoi, duke ndërsyer forcat e tij të sigurimit kundër popullsisë civile. Interesi i tij ishte t’i dëbonte shqiptarët nga Kosova, duke vrarë udhëheqësit e tyre, duke djegur fshatrat e tyre dhe duke përhapur terror. Qëllimi i tij ishte që problemin e Kosovës “ta zgjidhte” një herë e përgjithmonë. Duke qenë se provinca ishte pjesë e Serbisë, krimet e Millosheviçit nuk mund të karakterizoheshin si agresion ndërkombëtar. Asnjë anëtar i NATO-s nuk po sulmohej, kështu që Aleanca nuk mund të pretendonte të përdorte të drejtën e vetëmbrojtjes.

Serbia nuk kishte kërcënuar të pushtonte një vend tjetër, kështu që nuk kishte arsye për një goditje parandaluese. Megjithatë, ne e kishim për detyrë “të mbronim tjetrin e pambrojtur”. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë, e cila kërkonte tërheqjen e trupave plaç- kitëse serbe, por diplomatët rusë, historikisht në anën e vëllezërve të tyre sllavë, premtuan se do të vinin veton për çdo masë që autorizonte përdorimin e forcës për ndaljen e serbëve. Kjo gjë e vuri administratën e Clinton-it dhe NATO-n përpara një zgjedhjeje të vështirë. Ose të lejonim Rusinë të përdorte veton me të cilën na kish kërcënuar, duke mos na lënë të vepronim, ose të përdornim forcën për të shpëtuar popullin e Kosovës edhe pa lejen e shprehur të Kombeve të Bashkuara. Punova tej mase shumë dhe ia dola mbanë për përdorimin e variantit të dytë.

Arsyet e mia ishin pjesërisht strategjike: Europa nuk do të ishte asnjëherë plotësisht në paqe, për sa kohë që Ballkani të ishte i pastabilizuar dhe Ballkani nuk do të ishte i stabilizuar për sa kohë që Millosheviçi do të ishte në pushtet. Gjithsesi, motivi im kryesor ishte moral: Nuk doja të shihja të vriteshin njerëz të pafajshëm. Prania e NATO-s në Europë na dha mjetet për të ndalur spastrimin etnik në atë kontinent, ndërsa unë shpresoja se duke bërë këtë, do të ndihmonim që krime të tilla të mos ndodhnin edhe gjetiu.

Kjo ishte realisht një nga ato kohë kur, për t’u bërë jehonë fjalëve të Martin Luther King-ut të Ri, qëndrimi ynë do të bazohej jo në atë që ishte e sigurt, por në atë që ishte e drejtë. Nisur nga fakti që ne nuk kishim një mandat të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për veprime ushtarake, u përpoqëm veçanërisht shumë të provonim drejtësinë e kauzës sonë. Së pari, administrata e Clinton-it siguroi mbështetjen unanime të NATO-s.

Së dyti, unë mbaja kontakte të vazhdueshme me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i cili u dakordësua publikisht me ne se veprimet e serbëve ishin moralisht të papranueshme.

Së treti, objektivat e NATOs gjatë luftës kontrolloheshin nga avokatë ushtarakë, të cilët e krahasonin secilin prej tyre me standardet e përcaktuara nga Konventat e Gjenevës. Në çdo rast bëhet një vlerësim për të parë nëse vlera e objektivit ishte më e madhe se risqet potenciale ndaj civilëve. Teksa lufta përparonte, ne shtuam presionin ushtarak ndaj Beogradit, por ndërkohë bënim kujdes për të minimizuar numrin e viktimave në njerëz dhe plagosjet e panevojshme të tyre.

Tri objektiva civile (Ambasada kineze, një tren pasagjerësh dhe një kolonë me refugjatë) u goditën gabimisht. Vlerësimet për numrin e civilëve të vrarë nga bombardimet tregojnë se ata ishin nga 500 deri në 2000. Ndërsa Serbët, përpara se të arrinim t’i ndalnim, vranë rreth 10.000 shqiptarë të Kosovës dhe përzunë qindra mijëra të tjerë nga shtëpitë e tyre. Gjatë gjithë luftës, ne vazhduam përpjekjet diplomatike për të vendosur paqen. Më në fund, këto përpjekje u kurorëzuan me sukses. Millosheviçi kapitulloi; serbët i tërhoqën forcat e sigurimit nga Kosova; refugjatët u lejuan të ktheheshin; në vend u vendos një forcë paqeruajtëse e kryesuar nga NATOja dhe Kombet e Bashkuara arritën të kontribuonin në rindërtimin e vendit, i cili që atëherë ka organizuar disa raunde zgjedhjesh demokratike.

Farat e konfliktit në Kosovë, sikurse edhe në luftërat e kahershme që kishin ardhur si pasojë e shpërbërjes së Jugosllavisë, kishin qenë të mbjella në historinë fetare të rajonit. Duke mbrojtur kauzën e Serbisë, Millosheviçi do të më thoshte se populli i tij kishte mbrojtur “Europën e Krishterë” për shekuj të tërë. Historia kombëtare epike e Serbisë është një rirrëfim i betejës së Kosovës, e zhvilluar kundër turqve otomanë në Fushën e Mëllenjave më 1389. Sipas legjendës, Princit Lazar të Serbisë i ishte shfaqur Profeti Elia në ditën fatale.

Elia i kish ofruar princit të zgjidhte midis fitores në betejë (dhe një perandorie në tokë) dhe disfatës (kompensuar me një vend në parajsë).Princi zgjodhi fitoren e përjetshme në parajsë. Është një histori frymëzuese, një histori që ka luajtur një rol në vendimin e guximshëm të serbëve për t’u rezistuar nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Problemi është se disa serbë vazhdojnë të jenë të vendosur të hakmerren për disfatën e pësuar në Kosovë më shumë se 600 vjet më parë, të motivuar nga një ndjenjë e egër nacionalizmi dhe besimi se kanë një marrëdhënie të veçantë me Zotin. Ndërsa në Kosovë lufta vazhdonte, Václav Havel-i do ta karakterizonte me këto fjalë: Nëse mund të thuash se një luftë është etike apo se ajo po zhvillohet për shkaqe etike, atëherë kjo është një prej atyre luftërave.

Kosova (ndryshe nga Kuvajti) nuk ka puse nafte për t’u lakmuar; asnjë nga kombet anëtare të Aleancës nuk ka ndonjë pretendim territorial ndaj saj; Millosheviçi nuk kërcënon integritetin territorial të ndonjërit prej anëtarëve të Aleancës. E megjithatë, Aleanca hyri në luftë. Ajo lufton sepse është e shqetësuar për fatin e të tjerëve. Ajo po lufton, sepse asnjë njeri i mirë nuk mund të rrijë e të bëjë sehir vrasjet sistematike të popujve të tjerë nën drejtimin e qeverisë…

Kjo luftë i vendos të drejtat e njeriut mbi të drejtat e shteteve. Shumica jonë do të pajtoheshin me faktin se morali, ndonëse shpesh i vështirë për t’u përcaktuar, është thelbësor për të shkuar mirë me njeri tjetrin. Ne do të ndiheshim më të sigurt në një botë, ku ndërgjegjja do të shërbente si udhërrëfyesi kryesor i veprimeve të kombeve dhe të individëve. Po feja? Feja është ndoshta ndikimi i vetëm më i madh në formimin e ndërgjegjes njerëzore, e megjithatë, ajo është njëherazi edhe një burim konfliktesh dhe urrejtjeje. Pas asaj që pamë të ndodhte në Ballkan dhe në rajone të tjera të shkatërruara nga konflikte me bazë fetare, a mund të themi se feja është diçka që duhet ta kemi më me bollëk?

Si përdoret besimi fetar për pushtet personal

Nga William J.Clinton

Gjatë kohës që Madeleine Albright ishte Sekretare e Shtetit, bota mësoi atë që unë ndërkohë e dija: ajo nuk druhet të marrë përsipër çështje të vështira apo të thotë atë që mendon. Në librin “Të Fuqishmit dhe i Plotfuqishmi”, ajo shkruan me një sinqeritet të pazakontë dhe një logjikë të shëndoshë për rolin ndërkombëtar të Amerikës, për fenë, etikën dhe gjendjen aktuale të përçarjes dhe pështjellimit të botës. Në dijeninë time, asnjë Sekretar i mëparshëm Shteti nuk ka shkruar diçka të ngjashme me të. Është një libër befasues, i shkruar mes këshillave të miqve të shqetësuar se mos tema të tilla nuk mund të diskutohen pa shkaktuar dhimbje. Në përvojën time, e vetmja mënyrë për të mos shkaktuar dhimbje është të rrish duarkryq. Madeleine Albright është mishërimi i lëvizjes përpara. Pas bisedës sonë të parë rreth këtij projekti, i telefonova Madeleine-s për të diskutuar më tej për të, duke mos e ditur se ku ndodhej në atë çast. Doli se ishte në Gdansk të Polonisë, duke kremtuar njëzetë e pesë vjetorin e Solidaritetit, lëvizjes për demokraci që i dha fund Luftës së Ftohtë dhe solli lirinë në Europën Qendrore dhe Lindore. Kur i rashë telefonit, Madeleine ndodhej në mesin e një turme ku ishte edhe ish-presidenti çek, Vaclav Havel, dhe presidentët aktualë të Ukrainës dhe Polonisë. Ajo ua kaloi telefonin atyre dhe kështu pata rastin e paparashikuar, por të mirëpritur, të bisedoja me disa miq të vjetër. Ndërkohë, Madeleine vendosi një buqetë me lule në përkujtim të Solidaritetit dhe mori pjesë në një meshë të hapur në kremtim të lirisë, që zgjati tri orë. E kisha kapur në një moment dhe në një vend kur Zoti dhe demokracia ndodheshin përkrah njëri-tjetrit, në qendër të vëmendjes. Një nga temat e këtij libri dhe burim polemikash të vazhdueshme në jetën publike, ka të bëjë me marrëdhënien midis tyre. “Elementi fetar është themeli i demokracisë”, do të shkruante Walt Whitman, “Të gjitha fetë, të vjetra dhe të reja, janë aty”. Unë besoj se të gjithëve na ka ndodhur që të takojmë njerëz që do të ishin të gatshëm të përqafonin fjalinë e parë të Whitman-it dhe të shpërfillnin të dytën, duke i bërë kështu të dyja fjalitë të pakuptimta. Në më të mirën e tyre, të dyja, feja dhe demokracia, respektojnë barazinë dhe vlerën e çdo qenieje njerë- zore: ku të gjithë jemi shëmbëlltyra të Krijuesit, ku secili është pajisur me të drejta të patjetërsueshme. Këto doktrina rrinë mirë përbri njëra-tjetrës; ato janë njëjtësuese dhe përfshirëse. Problemet dalin kur interpretimin tonë orvatemi ta vëmë përpara atij të Whitman-it, duke argumentuar se ata që kanë të njëjtën ide të caktuar si ne rreth universit, janë më me vlerë se të tjerët. Të kesh një fe, është të besosh në ekzistencën e të vërtetës absolute. Por, të pohosh se qeniet njerëzore, sikundër janë, të papërsosura, mund ta zotërojnë plotësisht këtë të vërtetë apo se ideologjia jonë politike është plotësisht e vërtetë dhe na lejon të penalizojmë, shtypim, apo abuzojmë ata që kanë një besim të ndryshëm prej nesh, është një gjë krejtësisht tjetër. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara krijoi diçka vërtet të re: një sistem qeverisjeje, në të cilin besimi më i madh nuk u jepet zyrtarëve të lartë, pushteti i të cilëve kufizohet nga një sistem mjeshtëror kontrollesh dhe ekuilibrash, por popullit, si një i tërë. Ndër kufizimet që etërit tanë u vendosën atyre që janë në pushtet, është pamundësia për të vendosur një fe zyrtare shtetërore apo për të kufizuar të drejtën e gjithkujt për të qenë i lirë në zgjedhjen e besimit. Etërit themelues e kuptuan nga historia se përqendrimi i autoritetit politik dhe fetar në të njëjtat duar mund të ishte helmatisës. Sigurisht, ne e dimë se shpesh, pushteti i fesë shfrytëzohet nga ata që kërkojnë të forcojnë pushtetin e tyre personal në dëm të të tjerëve. Në Ballkan, Slobodan Millosheviçi fliste shumë për mbrojtjen e Europës së krishterë, por interesi i tij i vërtetë ishte ta përdorte fenë dhe përçarjen ekstreme për forcimin e pushtetit të tij. Osama bin Ladeni hiqet si mbrojtës i Islamit, por gatishmëria e tij për të vrarë njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe myslimanë të tjerë, nuk është një interpretim i drejtë i Kuranit dhe nuk është besnik ndaj atij besimi. Në duar të gabuara, feja shndërrohet në një levë që përdoret për të armiqësuar një grup njerëzish ndaj një grupi tjetër, jo për shkak të ndonjë besimi të thellë shpirtëror, por sepse mund të ndihmojë këdo që kërkon të ngjallë armiqësi. Mos vallë kjo do të thotë se politikëbërësit duhet të përpiqen që fenë ta mbajnë të izoluar nga jeta publike? Sikundër argumenton Madeleine Albright, përgjigja e kësaj pyetjeje është një “Jo” kumbuese. Ne duhet jo vetëm të mos e bëjmë këtë, por edhe nëse do ta provonim ta bënim, nuk do t’ia dilnim mbanë. Bindjet fetare, kur janë bindje, nuk mund të vishen e zhvishen si të ishin një palë galloshe. Ne i mbartim ato me vete ngado që shkojmë, skeptikë dhe ateistë, përkrah besimtarëve. Një president apo një sekretar shteti duhet të marrë vendime, duke pasur parasysh besimet e tij fetare dhe ndikimin që këto vendime kanë te njerëzit e besimeve të ndryshme.

Gjithsesi, sikurse Madeleine Albright vë në dukje, vlerësimi i këtij ndikimi nuk është punë fort e lehtë. Gjatë vizitës sime në Indi në vitin 2000, disa radikalë të zemëruar do të shfrenin tërbimin e tyre, duke vrarë me gjakftohtësi tridhjetë e tetë sheikë. Nëse nuk do ta kisha ndërmarrë atë udhëtim, viktimat me siguri do të ishin ende gjallë. Nëse nuk do ta kisha bërë atë udhëtim nga frika e asaj që mund të bënin ekstremistët, nuk do të kisha kryer detyrën si President i Shteteve të Bashkuara. Natyra e Amerikës është e tillë që shumë njerëz e përcaktojnë veten – ose një pjesë të saj – në lidhje me të, ose pro ose kundër. Kjo gjë është pjesë e realitetit, në të cilin ne si udhëheqës duhet të veprojmë. Kur imamët radikalë orvaten të shkatërrojnë mënyrën e të menduarit të disa të rinjve të tjetërsuar, të pakënaqur, ndër të cilët jo të gjithë janë të varfër dhe të paarsimuar, përmes ofrimit këtyre besimtarëve një udhëtim të ashtuquajtur të menjëhershëm në parajsë, në këmbim të gatishmërisë së tyre për të vrarë civilë dhe njëherazi për të hedhur në erë edhe vetveten, si duhet të reagojmë ne? Ne mund të përpiqeshim t’i kapnim ose vrisnim ata, por gjithsesi, të gjithë nuk do të mundnim t’i zinim. Mund të përpiqeshim t’i bindnim të hiqnin dorë nga dhuna, por kur argumentet tona nuk kanë asnjë lidhje me përvojat e tyre, nuk do të mund t’ia dilnim dot mbanë. Mundësia më e mirë që kemi është të punojmë së bashku me ata njerëz në botën myslimane, të cilët përpiqen të kapin mendjet e të njëjtëve njerëz si edhe radikalët, duke predikuar një Islam më të plotë dhe jo një Islam të shtrembëruar, të copëtuar, me thepa. Unë besoj vërtet se një gjë e tillë mund të bëhet jo duke dobësuar besimet shpirtërore, por duke u futur në thellësi të këtyre besimeve. Të tre besimet e Abrahamit kanë më shumë ngjashmëri se sa dallime, ku secili bën thirrje për nderim, zemërgjerësi, modesti dhe dashuri. Asnjë prej tyre nuk është i njohur plotësisht prej nesh. Sfida e udhëheqësve tanë është të përdorim atë që kemi të përbashkët si bazë për të mposhtur elementët më ekstremistë dhe për t’i hequr mbështetjen terrorizmit. Kur njerëzit e pranojnë humanizmin e tyre të përbashkët, atëherë bëhet më e vështirë të dejonizojnë dhe shkatërrojnë njëri-tjetrin. Është shumë më e lehtë të gjesh kompromise parimore me njërin nga “ne”, se sa me njërin nga “ata”. Besimi fetar mund të na ndihmojë të zhdukim vijën ndarëse të vjetër sa koha. Nuk ka detyrë më të rëndësishme, por siç e bën të qartë edhe libri i Madeleine Albright-it, kjo është një detyrë që – katër vjet e gjysmë pas 11 shtatorit – ne pothuaj as që e kemi zënë me dorë.

Portali kroat: Si e pushtuan shqiptaret skenën botërore të muzikës pop

Sa iu përket shqiptarëve dhe kosovarëve të njohur, amerikanët deri vonë mund t’iu referoheshin vëllezërve Belushi, Eliza Dushku ose reperit Action Bronson (të cilët i përmenden aty – këtu)), por me kusht që ta kenë ditur këtë fakt sepse asnjëri nga të përmendurit nuk i kishte theksuar në mënyrë të veçantë rrënjët shqiptare, shkruan portali kroat Indeks.hr.

Por vitet e fundit, skenën e muzikës pop ngadalë kanë filluar ta pushtojnë disa emra të rinj e këto vajza me kënaqësi tregojnë nga vijnë. Natyrisht, shkruan portali, bëhet fjalë për këngëtaret e reja siç janë Rita Ora, Dua Lipa dhe Era Istrefi. Këto kosovare të reja gjatë disa viteve të fundit vërtet kanë arritur një “boom” të madh që njëmend duket paksa i pabesueshëm nëse merret para sysh madhësia e shtetit transmeton Koha.net.

Për këtë arsye, shtrohet pyetja prej nga ky interesim amerikan për industrinë muzikore për këngëtaret e Kosovës dhe a ekziston ndonjë fshehtësi, sepse në kohën e tashme, me gjithë rënien sipërfaqësore në sy, për karrierë serioze pa dyshim se nuk mjafton vetëm shpërfaqja e gjoksit. Dukja përfundimisht ndihmon, por nëse përpiqeni të depërtoni në skenë, në të cilën sisët pak a shumë duken fantastike, nuk do t’iu mjaftojnë metodat klasike ballkanike të promovimit të cilat në rastin më të mirë do t’iu sigurojnë disa tituj në portale dhe te klubet gjysmë të zbrazëta të katundit.

Përgjigja pjesërisht gjendet në kulturën e ndërthurur muzikore, bukurinë ekzotike, por edhe për talentin e padiskutueshëm dhe mënyrën se si vetë industria funksionon, sepse, kur bëhet fjalë për vajzat e reja nga Kosova, nuk bën ta heqim nga mendja se, të paktën në depërtimet fillestare, në fakt flitet për kërkimin e një Rihanne të re.

Karriera e Rita Ora e cila, nëse doni të ndjeheni i mplakur, në skenë është tash e dhjetë vjet (e koha është të ndjeheni i mplakur), ajo u rrokullis që nga koha kur karriera e Craig Davidit nisi teposhtën. Në atë kohë shumëkush e hetoi vokalisten e re e cila u paraqit me këngën e vet “Awkward”, por këto ishin vetëm suksese fillestare që nisen të marrin forma të qarta tek në vitin 2009 kur menaxherja e saj Sarah Stennett filloi kontaktin me shtëpinë botuese amerikane Roc Nation të cilën e kishte themeluar Jay Z, reperi i njohur, ndërmarrës, menaxher, por edhe njeriu që e “zbuloi” Rihannan.

Rihanna, nuk duhet ta theksojmë këtë posaçërisht, është njëra nga këngëtaret më të popullarizuara në botë, e kur industria pengohet nga një minierë e tillë ari, bëhen përpjekje që me të gjitha mënyrat të gjenden edhe disa interpretuese të ngjashme karriera e të cilave do të mund të lulëzonte në truallin që Rihanna e ka përshkuar. Rita Ora është njëra nga ato.

Aq më shumë, pasi në fillim e quajtën edhe “Rihanna nga Anglia”, e i vetmi dallim ka qenë zgjedhja e producentëve të njohur siç janë Switch ose dueti Chase & Status, por edhe kjo, sigurisht nën ndikimin e edituesve, e bekoi deri tek albumi i saj i parë “Ora” nga viti 2012, të cilin, kryesisht, e bëri ekipi i rëndomtë i krijuesve të hiteve të cilët të njëjtën këngë do t’ia dërgonin edhe Rihannas e edhe Oras.

Ngjashmëria ishte e tillë, sa që në kuluare flitej se Rihanna s’e duronte dot Oran dhe se bënte çdo gjë për të sabotuar karrierën e saj, ishin të bindur disa, dhe kjo shpjegon pse këngëtarja e re tash e katër nuk ka publikuar album të ri.

Për shembull, ajo do t’i ruajë hitet që s’e ka ndër mend t’i xhirojë ( e për të cilët e di se do të përfundojë tek Ora) ose se nga Jay Z- do të kërkojë që karriera e konkurrentes të mos jetë në vend të parë, transmeton Koha.net. Por fjala është për spekulim e ajo që dihet është se Rita Ora në fund të vitit të shkuar kishte paditur Roc Nation dhe kishte kërkuar shkëputjen e kontratës dhe tash presim vazhdimin që të hetojmë nëse pauza ndërmjet dy albumeve ishte shumë e gjatë.

Pos që këto këngëtare të përmendura kanë vokal shumë të ngjashëm me Rihannan, 26 vjeçja Bebe Rexha, madje, e ka shkruar edhe njërin nga hitet më të mëdha për Rihannan.

Më saktë, bëhet fjalë për duetin mega të popullarizuar Eminem dhe Rihanna “The Monster” të cilin së pari e xhiroi për vet eme qëllim që të bëhet këngë për albumin e saj solo, por bashkëpunëtorët e saj u binden që këngën t’ia ofrojnë Eminemit, gjë që dhe ndodhi.

Dhe duhet theksuar se krahasimet me Rihannan nuk janë për të denigruar ndonjërën nga këngëtaret, sepse Rexha është krijuese legjitime e hiteve e cila tashmë ka shkruar një grumbull hitesh në bashkëpunim me emra të mëdhenj siç janë Nicki Minaj, David Guetta, G-Eazy, Iggy Azalea, Nick Jonas, Afrojack, Pitbull, Selena Gomez dhe Martin Garrix, transmeton Koha.net. Nëse e merrni para sysh faktin se në skenë është vetëm tash e tre vjet, e keni të qartë se bëhet fjalë për sukses të madh.

Edhe si tinejxhere ajo këndonte përreth Samantha Cox e cila atëbotë punonte me Lady Gagën e Keshen, e ajo e kishte këshilluar, dhe pothuaj gati e detyroi, që të mësohej për të shkruar këngë. Bebe dëgjoi këshillën e saj dhe si 15 vjeçe filloi kurset në New York.

Dhe përderisa për rastet e Rita Ores dhe Bebe Rexhës mund të flasim për zgjedhjen e shkëlqyeshme të menaxherit e të mentorit, por edhe faktit se gjendeshin në qendrat e ngjarjeve muzikore siç janë Londra ose New York, kështu nuk është me 21 vjeçen Era Istrefi e cila te pozita në skenë arriti përmes kanaleve më pak tradicionale – falë rrjeteve sociale.

Natyrisht se nuk e dëmtoi as fakti se vjen nga familja me përplot yje muzikore. Nëna e saj është këngëtarja e njohur shqiptare Suzana Tahirsylaj e cila shpërtheu në skenë në vitet e 80 –ta e të 90-ta, ndërsa motra e saj më e vjetër Nora, ka qenë pop yll që prapa vetes ka katër albume.

Nuk duhet theksua në mënyrë të veçantë se edhe Era tingëllon si version shqiptar i Rihannes e cila aty –këtu di të citojë Bob Marleyin.

Para tri vjetësh është shpallur interpretuesja e re më e mirë gjatë ndarjes së çmimeve muzikore shqiptare, e në vitin 2014 në Amerikë incizoi singlin “13” falë të cilit tërhoqi vëmendje e medieve mainstream, falë sidomos promovimit në revistën V.

Në fund të vitit të shkuar e publikoi edhe singlin “BonBon” i cili u bë hiti viral pas të cilit u hyri në radarin e shumë dëgjuesve të mbarë botës. Artistja Chloe Grace Moretz ka qenë aq e mahnitur sa që në profilin e vet në Twitter kishte edituar spotin e saj dhe kishte shkruar: “Era Istrefi. Yll i ri. Mos e harroni. Është e shkëlqyeshme”.

Por fjala është vetëm për rrjete sociale. Mediet britanike bukuroshes 20 vjeçe Dua Lipa i parashihnin të ardhme të shkëlqyeshme, e arsye për këtë, shkruan Indeks.hr, transmeton Koha.net është se ajo këndon përreth menaxherëve Lane Del Rey të cilët tek ajo vërejtën një cilësi paksa mitike e përbashkët me popullin e tyre.

Në skenë është nga mosha 16 vjeçe, ka vijuar shkollën prestigjioze Sylvia Young Theatre School derisa babai i saj për shkak të punës u detyrua të kthehet në Kosovë ku qëndroi dy vjet dhe pastaj ajo i luti prindërit të kthehej në Londër dhe të merrej me muzikë. Jetoi me miq, punoi në restorante e klube dhe pati rastin të njihte anën e “errtë” të Londrës që edhe i ndihmoi si frymëzim për tekste.

Edhe ajo vjen nga familja muzikore (babai i saj ka kënduar në bendin Oda), ka qenë modele, është futur në numrin e listës së yjeve koha e së do të vijë, e kanë përkrahur Maroon 5 i popullarizuar të cilët në faqen e vet kanë publikuar këngën e saj që i shërbyen si trampolinë shkëlqyese këngëtares e cila aktualisht po incizon albumin debutues për Warner Bros. Records dhe bashkëpunon me producentë të njohur që kanë bashkëpunuar me Eminemin, Bruno Marsin, Lan Del Rey, Kanye West, Mark Ronsonin dhe Beckon.

Dhe vërtet është vështirë të përkufizohen saktësisht arsyet e suksesit të shqiptareve dhe kosovareve dhe fundja nuk është dhe thelbësore, pasi, doemos në të këtë rast, mund të krijoni hamendësime të pakuptimta e fyerje të mundshme. E sigurt është se koha e këtyre këngëtareve po vjen gjithnjë e më shumë dhe pati kjo lidhje ose jo me origjinën, Shqipërinë edhe Kosovën, përfundimisht dhe atë e kanë vënë në hartën e muzikës botërore.

Kim Mehmeti, kryetar i jurisë së çmimit Kadare

Kim Mehmeti një emër i njohur i letrave shqipe do të jetë kryetari i jurisë i edicionit të katërt të Çmimit Kadare, i cili çdo vit i jepet një autori nga hapësirat shqiptare për dorëshkrimin më të mirë në prozë me një çmim prej 10 mijë eurosh, ndarë nga Instituti Europian Pashko.

Lajmi është bërë publik gjatë prezantimit të romanit më të ri të Mehmetit “Pusi” nga botimet Mapo Edition. Anëtarët e tjerë të jurisë janë Genciana Abazi, Ledia Dushi, Agim Baçi dhe Eni Vasili. Afatet i dorëzimit të dorëshkrimeve është deri në 10 maj, ndërsa fituesi shpallet gjatë ditëve letrare të Razmës në fund të majit. Vjet me këtë çmim u nderua shkrimtari nga Kosova Musa Ramadani.

Romani më i ri i Mehmetit hedhur në treg tregon historinë e një shkrimtari që kërkon të hulumtojë mbi të shkuarën e tij. Ai ftohet të mbajë një kumtesë në një konferencë të rëndësishme mbi jetën e tij. Ai nuk ka folur asnjëherë për veten, ka bërë dhjetëra romane, ndërsa nuk e ka kthyer asnjëherë vështrimin nga vetja. I njohur si një nga zërat më përfaqësues të letërsisë dhe publicistikës shqiptare në Maqedoni, Mehmeti vjen për lexuesin me një libër të ri vetëm dy vjet pas botimit të romanit “Shpërngulja e të vdekurve”.

/gazeta shqip

Kur Bekim Fehmiu i dtejtohej Dhimitrit (FOTO)

Është publikuar një fotografi e Bekim Fehmiut me një dedikim, që ka zgjuar interesimin e komentuesve se kush mund të jetë ai person që i madhi Bekim Fehmiu t’ia ketë dedikuar, shkruan KultPlus.

Në këtë foto shkruan: I lumtur jam që mu dha rasti që të njifemi, dhe jam i bindur që e njofshmja do të shëndrrohet në miqësi dhe ndoshta bashkëpunim. Dhimitrit ” . Bekim Fehmiu 77.

Komentuesit e shumtë janë munduar të dëshifrojnë këtë dedikim, ku disa mendojnë se kjo fotografi i është drejtuar Dhimitër Orgockës, kurse disa të tjerë Dhimitër Anagnostit. Këto komente janë bazuar edhe në atë, se Bekim Fehmiu kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1972./KultPlus.com

Ka filluar restaurimi i kullës së Xhafer Devës në Mitrovicë

Është një prej objekteve më të rëndësishme në Mitrovicë, dhe po këtij objekti i ishte vënë zjarri në vitin 2015, duke tentuar kështu që të zhduken gjurmët e trashëgimisë kulturore të Mitrovicës, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht në këtë kullë, sot ka filluar restaurimi. Jehona Shyti, zyrtare në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte ka njoftuar nëpërmjet facebook për këtë investim.

“Ministria e Kultures, Rinise dhe Sportit sot filloi restaurimin e kulles se Xhafer Deves, si nje nga monumentet me te rendesishme te trashegimise kulturore ne Mitrovice. E lumtur qe me ne fund po i kthehet dinjiteti ketij monumenti me rendesi per Mitrovicen dhe mitrovicasit”, ka shkruar Shyti./KultPlus.com

Viti 1584, portreti i Skënderbeut në veprën e Demetrio Franco-s ( Dhimitër Frangut)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Mars 2018

Në fillimin e veprës me titull “Gli illustri et gloriosi gesti, et vittoriose imprese, fatte contra Turchi, dal sign. D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, prencipe d’Epirro” të autorit Demetrio Franco (Dhimitër Frangut) – botuar në Venecia në vitin 1584 nga shtëpia botuese “Altobello Salicato alla Libraria della Fortezza” – gjejmë një portret të heroit tonë kombëtar, të cilin, Aurenc Bebja, e ka sjellë për publikun shqiptar, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Burimi : Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania – https://www.darsiani.com/la-gazette/viti-1584-portreti-i-skenderbeut-ne-vepren-e-demetrio-franco-s-dhimiter-frangut/

Unikkatili paralajmëron diçka të re

Reperi i mirënjohur shqiptar, Viktor Paloka i njohur si Unikkatili përmes një postimi në faqen e tij në Facebook paralajmëron se së shpejti do të ketë diçka të re nga ai.

Qe një kohë të gjatë ai nuk ka publikuar ndonjë projekt të tij muzikor, transmeton Koha.net.

“Nuk po di a me ju kallxu do t’reja”, ka shkruar ai./KultPlus.com

Dardan Noka Selimaj: Është jo e pëlqyeshme që koncertet t’i organizojmë në salla dasmash

Ka trembëdhjetë vite që Prishtina, dhe jo vetëm, të kumbojë nga tinguj të ndryshëm të instrumentistëve vendorë dhe të huaj, kanë dhënë emocione, përvoja por edhe bashkëpunime, që kanë nisë fillin pikërisht nga DAM Festival.
Dardan Noka Selimaj, themelues dhe drejtor artistik i këtij festivali, në një intervistë për KultPlus, pikërisht në prag të hapjes së edicionit të trembëdhjetë ka treguar edhe për mesazhin e këtij edicioni.
Duke përkuar me 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore dhe në 10 vjetorin e shtetit të Kosovës, ky edicion do të sjellë vepra që për burim inspirimi kanë pasur luftën ose janë krijuar gjatë luftërave. “Ky koncept vjen si thirrje për paqe”, ka thënë Noka Selimaj për KultPlus.
Por ai, nuk ka heshtë edhe për kushtet e vështira që punojnë për organizimin e festivaleve, sidomos duke pasë parasysh mungesën e një salle koncertale. Ai ka thënë se një sallë e tillë nuk do të ndërtohet edhe në dekadën e dytë të shtetësisë, nëse komuniteti artistik nuk bashkohet seriozisht rreth kësaj çështje.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Jeni në prag të edicionit të radhes se DAM Fest, me çfarë prurje do të vini këtë vit?
Dardan Noka Selimaj:
Në të 13-in vit, sikurse kemi tentuar të bëjmë çdo vit tjetër, pavarësisht problemeve me të cilat ballafaqohemi gjithmonë, kemi qenë tejet ambicioz për rrethanat në të cilat veprojmë.
Sivjet me një theks më të veçantë kemi tentuar të sjellim ansamble të përmasave më të mëdha. Kështu kemi disa orkestra që do prezantohen në festival si: Ëest Coast Sympnohy Orchestra, Vienna Ëorld Orchestra, Filharmonia e Kosovës dhe disa ansamble korale, mirëpo nuk do mungojë as literatura për instrumente solo dhe ansamble të vogla. Kjo na ka bërë që në kuadër të këtij edicioni edhe të organizojmë një tryezë në lidhje me menaxhimin e orkestrave, se si dhe a mund të mbijetojnë ato pa mbështetjen institucionale, e në të njëjtën kohë pse duhet të vazhdohet të ekzistojë një mbështetje për orkestrat kombëtare, jo vetëm tek ne mirëpo kudo në botë.


KultPlus: Secili edicion ka edhe vulën e tij, me cilën do të karakterizohet ky vit?
Dardan Noka Selimaj:
Në vitin 2018, në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore dhe në 10 vjetorin e shtetit të Kosovë do sjellim vepra që për burim inspirimi kanë pasur luftën ose janë krijuar gjatë luftërave. Ky koncept vjen si thirrje për paqe në kohën kur ka shumë vatra lufte në botë dhe kohën kur pavarësisht se kemi kaluar një luftë 2 dekada më parë, ende vazhdojmë t’i bartim pasojat e saj. Andaj, thirrja për paqen duhet të mos shterret kurrë.

E kur ajo vjen përmes artit është më e fuqishme e kuptimplotë. Kjo do arrihet edhe përmes diversitetit brendapërbrenda ansambleve, të cilat do të prekin skenën e Prishtinës këtë vit. Pastaj do të kemi edhe pianistin francez Armel Dupas që do të prezantojë projektin e tij “Upriver”, ndërsa pianisti dhe kompozitori amerikan Gregory Charette do të sjellë gjithë etydet e shkruara për piano nga Philip Glass në një mbrëmje të vetme.
Në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovë do të interpretohet edhe vepra ikonike e kompozitorit Terry Riley “In C” dhe kjo përbënë një shans të mirë që publiku të “prekë” nga afër një pjesë të literaturës së popullarizuar të muzikës minimaliste. Nga solistët vendor prezantime me peshë bartin edhe flautisja Enkelejda Zajmi – Gorani, pianistja Pranvera Hoxha, violinisti Visar Kuçi, kompozitori Artan Hasani, ansambli Zanat etj.
Ndërsa nuk kuadër të festivalit do të prezantohen edhe muzikantë më të rinj të Kosovës si: Arian Zherka, Fortesa Fejza, Ron Bakalli, Lisa Sahatçiu etj. të cilët në fakt po e dëshmojnë se janë e ardhmja e ndritshme e skenës muzikore të vendit. Me paraqitjen e tyre do të debutojnë edhe studentët e Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, ndërsa në koncert pas mbylljes zyrtare të festivalit janë rezervuar dy mbrëmje me muzikës korale nga dy kore kroate në drejtimin e dirigjentit eminent kroat Josip degl’Ivellio dhe dy kore kosovare në drejtimin e Memli Kelmendit.

KultPlus: Trembëdhjetë vite prej se keni nisur këtë rrugetim, pse menduat se Kosovës i duhet DAM Festival?
Dardan Noka Selimaj:
Në kohën ku e kemi themeluar këtë festival ishim studentë të Fakultetit të Arteve – Dega e Muzikës. Atëbotë erdhi si nevojë për të krijuar një platformë të re për një klasë dhe frymë të re të muzikantëve të vendit. Që nga 2006 promovimi i të rinjve nuk është bërë për politika ditore, mirëpo ky ka qenë parimi bazë mbi të cilin është ndërtuar ky festival.

Kemi kaluar dhe vazhdojmë të kalojmë nëpër sfida banale, mirëpo nuk jemi ndalur dhe uroj e besoj se do të jetë kështu për shumë vjet në vijim, ani pse, gjithmonë gjendemi para dilemës nëse duhet vazhduar tutje apo t’i japim fund këtij rrugëtimi. Megjithatë, optimizmi, kontributi i shumë njerëzve, sidomos Rreze Kryeziut e cila tashmë është drejtoreshë e përgjithshme e festivalit dhe anëtarëve të rinj të ekipit: Arbnorit, Sidorelës, Melisës dhe Adelinës ka qenë shtysë për të vazhduar tutje.

KultPlus: E trembëdhjetë vite pas, e mendoni se ja ka vlejtë gjithë kjo sfidë për ta mbajtur këtë festival?
Dardan Noka Selimaj:
Për një moment mund të duket se gjërat kanë lëvizur pak. Mirëpo, nëse analizohet është bërë shumë. Urat që shumë muzikantë kanë lidhur përshkak të punës që është bërë në festival na bën të ndihemi mirë. Numri i veprave që janë promovuar dhe interpretuar për herë të parë. DAM-i ka qenë inspirim për shumë kë për të përcaktuar të ardhmen e shumë të rinjve. Sot, dëgjoj muzikantë të cilët në DAM kanë vendosur të zgjedhin të bëhen perkusionist, oboist, kornist etj. Sidomos në fushën e muzikës klasike depërtimi nuk është i kollajshëm, prandaj e shoh vlerë të shtuar organizimin e festivalit.

Në festival janë rikthyer praktika të së shkuarës të cilat për një kohë të gjatë kanë qenë të pamundshme, prezantimi i solistëve të rinj me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, çmimi “Pianisti i Ri” të cilin në bashkëpunim me garën “Pianisti i Ri” dhe Filharmoninë e Kosovës e ndanë festivali duke i ofruar mundësi moshave të reja të përjetojnë paraqitjen në skenë me orkestër simfonike, rast që edhe në vende më të zhvilluara nuk ekziston si mundësi e shpeshtë. Mendoj se ia ka vlejtë 🙂

KultPlus: Mendoni se janë falënderuese institucionet për organizimin e një eventi të tillë?
Dardan Noka Selimaj:
Nga institucionet nuk pres që të jenë falënderues. Nuk mund të jenë falënderues persona të cilët për kulturën dhe nëpër kulturë janë vetëm kalimtarë rasti. Natyrisht, brenda institucioneve edhe pse pak ka njerëz që japim kontributin e tyre në zhvillimin e politikave kulturore, mirëpo fatkeqësisht janë të pakët.

KultPlus: Në anën tjetër, nuk jeni të vetmit, pasi që në Kosovë është edhe Re Musica, Chopin, Kamerfest, me cka dallohet Dam Featival nga këto festivale të tjera! I duhen Kosovës katër festivale të tilla?
Dardan Noka Selimaj:
DAM-i ka misionin e vet. Të tre festivalet e tjera e kanë misionin e tyre. Chopin-i i cili është themeluar disa vjet më vonë ka fokus promovimin e literaturës pianistike. Remusica deri vonë ka pasur promovim muzikën e re dhe akusmatike dhe vazhdon ta ketë si një prej synimeve të veta e Kamerfest-i muzikën kamerale.
DAM-i ka qenë i hapur edhe për muzikën e re në zhanre të tjera si jazz, ëorld, blues dhe muzikës eksperimentale ose gjithçkaje që mund të ketë qenë tendencë e re pavarësisht se si dhe ku mund të jetë kategorizuar ajo muzikë.

Kjo duke mëtuar të shkrijmë “kategorizimet” brenda muzikës. Nganjëherë ato më shumë dëmtojnë dhe mund të kufizojnë imagjinatën e krijuesit. Kur muzika ka emocionin dhe atë publiku e pranon, atëherë e ka vendin në skenë, ani pse në qarqe të ngushta muzikantësh mund të cilësohet si jo mjaftueshëm me vlerë. Muzika që nuk përçon emocion e largon publikun dhe pa publikun koncertet nuk kanë kuptim. Secili festival e ka dhënë kontributin e tij, janë katër festivale që sjellin tjera gjëra para publikut. Secilin prej tyre e shoh si vlerë të shtuar për skenën dhe jo ndryshe.

KultPlus: Ndërkohë, nëse i refereohemi kohës së pasluftës dhe tashti, audienca është tepër më e madhe tashti se sa më herët, si ndiheni që pikërisht këto festivale kane krijuar edhe një audiencë po me këtë shije?
Dardan Noka Selimaj:
Festivalet besoj se kanë ndikuar në avancimin e shijes së një pjese të publikut, mirëpo ndodh kur edhe publiku avancon shijen e atyre që bëjnë programin. Mendoj që publiku i Prishtinës ka shije, e vlerëson artin, muzikën. Është përgjithësisht publik i edukuar. Këtë e kam kuptuar pasi që kam krijuar një eksperience në lëvizjet jashtë vendit. Mendoj se disa gjëra ushqehen, mirëpo disa arrihen. Publiku i Prishtinës është i tillë, kujdeset për kultivimin e shijes se vet.

KultPlus: Audiencën e rritët, por një sallë koncertale akoma nuk është ndërtuar, sa është injorante nga ana e institucioneve mosndëritimi i sallës?
Dardan Noka Selimaj:
Pavarësisht premtimeve për gjithë këto vite, vullneti politik nuk ka ekzistuar asnjëherë për ndërtimin e një salle koncertale. Edhe kur qe nisur projekti për ndërtimin e shtëpisë operistike “Dr. Ibrahim Rugova” dukej se më i rëndësishme ishte fakti se si do të quhej ky objekt, se sa funksionaliteti dhe rëndësia e ndërtimit të tij. Ne nuk do të kemi një objekt të tillë derisa nuk do të kemi një lider i cili do ta ketë vërtetë prioritet një gjë të tillë. Është jo e pëlqyeshme që koncertet madje edhe në data të rëndësishme për vendin i organizojmë në salla dasmash. Salla e koncerteve do t’i mungojë Prishtinës edhe në dekadën e dytë të shtetësisë, nëse komuniteti artistik nuk bashkohet seriozisht rreth kësaj çështjeje.

KultPlus: Dhe për fund, kur jemi te sallat, sivjet në cfarë hapësira do të mbahet Dam Festival?
Dardan Noka Selimaj:
Sivjet nuk do lëvizim nëpër hapësira dhe nuk do të eksperimentojmë me hapësirat sikurse vjet. Një ndërmarrje e tillë është e kushtueshme dhe për t’i adaptuar ato hapësira për mbajtje koncertesh ka shpenzime. Duhet krijuar komoditetin minimal, qoftë për artistin qoftë për publikun. Këtë vit nuk mund t’i futemi asaj aventure, andaj koncertet do të mbahen në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe kishën katolike “Shën Ndou”. Ndërsa do organizohen edhe koncerte në Prizren, Pejë e Klinë. E gjatë vitit, në kuadër të projektit “Jo vetëm tranzit” do të organizojmë edhe një koncert në Fushë Kosovë. /KultPlus.com

Brit Awards: Triumfi i Dua Lipës është triumf për fuqinë e vajzave (VIDEO)

BritAwards është një nga ngjarjet më të mëdha muzikore që organizohet në Londër. Këtë vit këngëtarja shqiptare, Dua Lipa nga skena e kësaj ceremonie doli me dy trofe, shkruan KultPlus.

Dua Lipa e cila vitin e kaluar theu rekord me këngën e saj “NewRules” duke u zgjedhur këngëtarja më e dëgjuar në “Spotify”, u bë edhe një inspirim për shumë vajza e gra të botës. Në ceremoninë e BritAwards, ajo theu rekordin duke u bërë artistja e parë e nominuar në pesë kategori, ku arriti të triumfoj në dy prej tyre ndërsa ishte në konkurrencë emra të njohur të muzikës angleze.
Dua Lipa mori çmimin e madh si “Këngëtarja më e mirë” dhe “Këngëtarja më e mirë debutuese”. Faqja zyrtare BritAwards sot ka nisur ditën me fjalimin e saj, momentin kur ajo pranoi çmimin si Artistja më e mirë në BritAwards.

“Fillojeni Ditën Ndërkombëtare të Gruas me fjalimin e Dua Lipës në pranimin e çmimit “Këngëtarja më e mirë” në BritAwards. Ky ishte një triumf për Duan dhe një triumf për fuqinë e vajzave”, shkruhet në postimin e BritAwards.

LONDON, ENGLAND – OCTOBER 22: Dua Lipa performs on stage during the BBC Radio 1 Teen Awards 2017 at Wembley Arena on October 22, 2017 in London, England. (Photo by Tim P. Whitby/Tim P. Whitby/ Getty Images)


Ndërkohë në videon e postuar nga ajo mbrëmje shihet Dua Lipa derisa falënderon të gjithë ata që e kanë përkrahur, veçmas gratë që kanë shkelur në atë skenë para saj. “Falënderoj të gjithë që më kanë ndihmuar, miqtë, ekipin dhe familjen time. Gjithashtu edhe çdo grua që ka qenë në këtë skenë para meje dhe që u kanë dhënë vajzave sikur unë, vajza në shoqëri mundësinë për të ëndërruar kaq shumë. Kjo është që më shumë gra të jenë në këtë skenë, të fitojnë çmime dhe të sundojnë në botë”, kishte thënë Dua Lipa./KultPlus.com

Kitaristi Astrit Stafai në bashkëpunim me një nga DJ më të famshëm të Los Angeles (FOTO)

Kitaristi kosovar Astrit Stafai së fundi ka pasë një bashkëpunim mjaftë të fuqishëm sa i përket karrierës së tij, shkruan KultPlus.

Ai ka pas rastin të bashkëpunoj me një nga DJ më të famshëm të muzikës elektronike në Los Angeles, bashkëpunim ky që i ka dërguar edhe deri te incizimet në studio.

Vetë Astrit Stafai ka thënë për KultPlus se bashkëpunimi ka ardhë si rezultat i turit të tij nëpër vende të ndryshme, ku ka pasë të përfshirë edhe Kosovën, përkatësisht Zone Club.
“Unë pata rastin që të bashkëpunoj me Berge Sahakian. Dua ta falenderoj DJ tonë të mirënjohur Getian Rizaj, i cili e bëri të mundur takimin tonë, ku edhe incizuam në studio bashkë”, ka thënë Stafai, i cili poashtu ka theksuar se dëshirë edhe e DJ nga Amerika ka qenë qe të takohet me instrumentistë nga Kosova.

“Unë do të jem mysafir në albumin e Berge Sahakian”, ka thënë Stafai, duke shtuar se përpos incizimit ata kanë ndarë bashkë edhe përvojat rreth artit dhe bashkëpunimit. Përndryshe, Berge Sahakian njihet me emrin artistik Goldcap. Pjesë e këtij bashkëpunimi kanë qenë edhe: Faton Isufi -Klarinet, si dhe Pimi Isufi- Tarabuk./KultPlus.com

Nëna e Rita Orës ka një mesazh për gratë shqiptare (VIDEO)

Ambasada e Shqipërisë në Londër ka mbledhur porositë e grave shqiptare më me ndikim në Londër, të cilat kanë dhënë porositë e tyre për gratë shqiptare, por edhe për familjet në përgjithësi, shkruan KultPlus.

Mjeke, avokate, publiciste, aktiviste dhe shumë gra të tjera të zonja që jetojnë dhe veprojnë në Londër janë përfshirë në këtë video, që është lansuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Në këtë videoprojekt është përfshirë edhe nëna e Rita Orës, Vera Ora, e cila ka dhënë një porosi mjaftë të fuqishme për gratë.

KultPlus ju sjellë këtë video që të shihni porositë e grave shqiptare, por edhe atë të Vera Orës./KultPlus.com



Madeleine Albright: Është një vend i posaçëm në ferr për gratë që nuk i ndihmojnë gratë

Madeleine Korbel Albright ishte gruaja e parë në postin e sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo është një politikane dhe diplomate e shquar amerikane që ka ndihmuar mjaft edhe në cështjen e Kosovës, shkruan KultPlus.

Madeleine Albright në atë kohë ishte nominuar nga Bill Clinton, ndërsa ishte pranuar e tille nga senati me 99 vota për dhe 0 kundër. Ajo ishte ne postin e sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga 23 janari i vitit 1997 deri me 20 janar te vitit 2010. Ajo ka kontribuar për lirinë e Kosovës gjate viteve te vështira të luftës dhe për ta shpërblyer shteti i Kosovës e ka nderuar me Medaljen e Artë të Lirisë.

Si një grua e fuqishme në botën diplomatike, ajo ka dhënë edhe një shembull të jashtëzakonshëm të fuqisë së gruas në botë. Po ashtu ajo ka qenë edhe një përkrahëse e madhe e fushatës së Hillary Clinton për t’u bërë presidente e SHBA-së.

KultPlus kujton një nga fjalitë e saj të fuqishme për fuqinë e grave së bashku dhe për solidaritetin që ato duhet ta kenë për njëra-tjetrën. “Është një vend i posaqëm në ferr për gratë që nuk i ndihmojnë gratë”, kishte thënë ish-sekretarja e SHBA-së Medeleine Albright./KultPlus.com

50 fakte që nuk i keni ditur për Skenderbeun, ja të vërtetat rreth tij

Gjergj Kastriot Skenderbeu është heroi Kombëtar por roli dhe vepra e tij vlerësohet në çdo shtet evropian, deri në kontinentin amerikan.

Për këtë qëllim Evropa e njeh Skënderbeun si një “Atlet të Krishtit”, një mbret dhe një luftëtar, që, nëse nuk do të ekzistonte, kishte gjasa që kontinenti të ndërronte fenë. Ja disa fakte të Heroit Kombëtar, që mbase nuk i keni ditur më përpara.

1. Gjergj Kastriot Skënderbeu lindi në Dibër, më 6 maj të vitit 1405. Vdiq në qytetin e Lezhës, më 17 janar të vitit 1468. Ai jetoi 62 vjet, 9 muaj e 12 ditë. Skënderbeu është figura më e shquar në historinë e Shqipërisë.

2. Gjergj Kastriot Skënderbeu mban titullin Hero Kombëtar që nga viti 1965, titulli më i lartë dhe i vetëm që mban një shqiptar për vlerat e larta të figurës së tij.

3. Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit, princit të Shqipërisë së Veriut dhe i princeshës malazeze, Vojsava. Gjergji ishte fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave.

4. Gjergj Kastriot Skënderbeu u martua me Donika Aranitin nga Kanina e Vlorës dhe me të pati një djalë, Gjonin, emrin e të cilit ia vuri për nder të të atit. Për nder të të atit, i biri i Gjonit mori emrin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

5. Vlera më e lartë kombëtare e figurës së tij është se për 25 vjet ai mbajti larg Shqipërisë ushtrinë turke, duke e thyer pothuajse në çdo betejë. Janë të shumta betejat e fituara nga Skënderbeu së bashku me ushtrinë e tij.

6. Vlerat e figurës së Skënderbeut janë ndërkombëtare, duke qenë se ai u bë prijësi i barrierës ndaj ushtrive turke për pushtimin e Evropës dhe mosshtrirjes së fesë islame në kontinentin evropian.

7. Gjergj Kastrioti Skënderbeu i përkiste fesë së krishterë. U shndërrua në mysliman, pasi shkoi në ushtrinë turke dhe më pas u kthye përsëri i krishterë. Kjo ishte feja më e përhapur në Evropë në atë kohë.

8. Nga personalitete të huaj, nga historinë të huaj, ai ka marrë epitete të tilla si “Atlet i Krishtit” dhe “Ideatori i Aleancës së Parë Euroatlantike”. Epitete këto që e ngrenë shumë lart figurën e Heroit tonë Kombëtar.

9. Mendohet se Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte shtatshkurtër, truplidhur dhe shumë i fuqishëm. Shpata të cilën përdori ai ishte e vështirë për ta përdorur një njeri i zakonshëm për nga pesha e saj.

10. Sot në botë emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës, duke filluar që nga Tirana, Prishtina, Zyrihu, Parisi, Roma, Çikago, Shkupi, etj.

11. Buste dhe shtatore të Skënderbeut ndodhen në Londër, Spanjë, Buones Aires, Neë York, Kanada, Kosovë, Tiranë. Në të gjitha punimet artistike, Heroi Kombëtar qëndron hipur mbi kalë duke simbolizuar luftëtarin.

12. Përkrenarja me kokën e dhisë që mbante Skënderbeu ishte një simbol i huazuar nga legjendat e Pirros së Epirit dhe Aleksandërit të Madh. Ajo është me metal të bardhë dhe me një rrip (ruban) të larë me ar.

13. Janë dy shpata të Skënderbeut. E para i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjerë 5.7, peshon 1.3 kg. E dyta është model turk, është 121 cm dhe peshon 3.2 kg.

14. Kali i Skënderbeut është një tjetër simbol që ka shoqëruar heroin. Sipas Barletit, ai ishte i bardhë, i një race të zgjedhur. Pas vdekjes së Skënderbeut, ai nuk pranoi t’i hipte njeri tjetër dhe ngordhi.

15. Në moshë të vogël së bashku me tre vëllezërit e tij, Skënderbeu u mor peng nga Sulltan Murati II, si ndëshkim për luftën që i shpalli Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, si dhe u vendos në Edrene të Turqisë.

16. Për trimërinë dhe zotësinë në artin ushtarak që tregoi gjatë betejave me ushtrinë osmane, gjatë betejave në Azinë e Vogël, Skënderbeu mori nga Sulltani titullin e gjeneralit. Skënderbeu studioi në Stamboll artin ushtarak, njihte gjuhën osmane, latine dhe shqip, si dhe shkruante dhe kishte oratori të lindur. Ballkani dhe Azia e Vogël ishin disa nga detyrat e tij ushtarake pas mbarimit të shkollës, duke u dalluar për trimëri.

17. Familja e Kastriotëve kishte një principatë të vogël në malet midis Matit dhe Dibrës, në kufirin verior, në zotërimet e Topiajve. Kostandin Kastrioti e filloi sundimin e tij mbi këtë principatë në vitin 1383.

18. Gjatë gjithë jetës së tij, Gjergj Kastriot Skënderbeu zhvilloi 30 beteja, nga të cilat 29 prej tyre i fitoi dhe vetëm një humbi. Betejat e udhëhequra nga Skënderbeu kanë qenë nga më të fortat dhe më të përgjakshmet.

19. Dy janë uniformat që ka përdorur Gjergj Kastrioti Skënderbeu. E para ishte uniforma e luftës, me përkrenare dhe parzmore. Ndërsa veshja tjetër që përmend Barleti është ajo popullore me qeleshe dhe xhubletë.

20. Eshtrat e Skënderbeut u zhvarrosën nga turqit pas rënies së Krujës, më 1480, 12 vjet pas vdekjes. Varri i tij, që ndodhej në Kishën e Shën Nikut në Lezhë, u dhunua dhe eshtrat u morën si hajmali nga ushtarët turq.

21. Skënderbeu ka deklaruar se, “unë jam pasardhës i Pirros së Epirit”. Marin Barleti në veprën e tij thotë se Skënderbeu i referohej shpesh origjinës së Pirros.

22. Dy herë Papa Piu II kërkoi të vinte në Shqipëri me qëllim kurorëzimin mbret të Skënderbeut. Në arkivat e Vatikanit ndodhet dokumenti që do të kurorëzonte Skënderbeun, Mbret të Epirit.

23. Emrin e Skënderbeut e mbajnë të paktën 10 objekte dhe institucione. Tri rrugë në Tiranë, Durrës e Krujë; një muze në Krujë, një fshat në Librazhd, një pije alkoolike konjak, një skuadër futbolli e Korçës, universiteti ushtarak, një titull i lartë, “Urdhri Gjergj Kastriot Skënderbeu” dhe një shesh në kryeqytet.

24. Emri i Skënderbeut u propozua nga Sami Frashëri t’i vendosej kryeqytetit të vendit. Në 1889 në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, Frashëri mendon që qyteti të ngrihej në fushën e Tiranës.

25. Biografi i parë i Skënderbeut ka qenë Marin Barleti, në vitet 1504, me veprën “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, botuar në gjuhën latine. Ndërsa në gjuhën shqipe Fan Noli, Sabri Godo dhe historiani Kristo Frashëri.

26. Familja e Kastriotëve kishte një principatë të vogël në malet midis Matit dhe Dibrës, në kufirin verior, në zotërimet e Topiajve. Kostandin Kastrioti e filloi sundimin e tij mbi këtë principatë në vitin 1383.

27. Rreth 60 kilometra katror dhe një kështjellë iu dhuruan Skënderbeut nga Mbreti i Napolit, Alfonso, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën që i dha. Ky vend edhe sot është pronë e pasardhësve të Skënderbeut.

28. Lekë Zaharia, Moisi Golemi, Hamza Kastrioti, Gjon Muzaka, Pal Engjëlli, Gjergj Araniti, Andrea Topia, Vrana Konti, ishin bashkëpunëtorët më të afërt të Skënderbeut. Megjithëse dy prej tyre e tradhtuan.

29. Fjalimi më i rëndësishme dhe më i mbajtur mend, është ai i mbërritjes në qytetin e Krujës. Fjalët “lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta në mesin tuaj”, kanë vlerë letrare dhe mendimi edhe sot e kësaj dite.

30. Për Gjergj Kastriot Skënderbeun shkrimtari Longfelloë ka shkruar poemë, opera nga François Francoeur dhe François Rebel dhe një tjetër e shkruar nga Antanio Vivaldi, piktori i madh Rembrand ka bërë pikturë portretin e tij.

31. Për figurën e Skënderbeut dhe për personazhin të tij janë shkruar në të gjithë botën 600 libra, mes tyre romane, libra historikë dhe tregime, madje edhe legjenda, duke e ngritur në piedestal figurën e Skënderbeut.

32. Tri mbahen mend si tradhtitë më të mëdha ndaj Skënderbeut. Nipi i tij, Hamza Kastrioti, princi Moisi Golemi dhe tradhtia në betejën e Beratit, betejë kjo që është konsideruar e vetmja e humbur nga ushtria e Skënderbeut. Ballaban Pasha ishte gjenerali turk që u ndesh më tepër me Skënderbeun. Ballabani ishte shqiptar dhe për portën e lartë ishte i vetmi që e njihte artin e luftës së Skënderbeut. Në një betejë i vrau 8 komandantë të lartë Skënderbeut.

33. Tri herë qyteti i Krujës, që ishte dhe qendra e Skënderbeut, u rrethua nga ushtritë osmane. Dy herë nga sulltanët dhe një herë nga gjenerali më i lartë turk, Evrenoz Pasha. Por nën mbrojtjen e Skënderbeut qyteti asnjëherë nuk ra.

34. Dy sulltanë erdhën vetë në Shqipëri për të ndëshkuar Skënderbeun. Murati II, i cili thuhet se pas humbjes vdiq nga hidhërimi gjatë rrugës së kthimit, si dhe djali i tij, Mehmeti, i cili e la në mes rrethimin e Krujës.

35. Në të tri rrethimet e Krujës Skënderbeut iu desh të përballej me një ushtri shumë herë më të madhe në numër. 100 mijë me Sulltan Muratin dhe po kaq me Sulltan Mehmetin dhe gjeneralët.

36. Titulli Skënderbej “Iskander Bej” ose “Aleksandër i Madh”, iu dha nga Sulltan Murati II, pas fitoreve të betejave në Azi. Gjithashtu iu dha dhe titulli “Sanxhakbej” për zonën e Shqipërisë në vitet 1437-1438.

37. Rreth pesë mijë të vrarë mendohet se është numri më i madh i ushtarëve që ka humbur Skënderbeu në një betejë. Historianët turq thonë se beteja e Beratit ishte dështimi më i madh i Skënderbeut.

38. Një herë Skënderbeu vendosi paqe të përkohshme me Sulltan Mehmetin pas disfatave të ushtrisë turke. Historianët kanë mendime të ndryshme, por Barleti thotë se osmanëve u duhej të linin pak kohë Skënderbeun dhe të merreshin me luftërat në Bosnjë dhe Azi.

39. Më 1443 Skënderbeu braktisi ushtrinë turke. I dërguar nga Sulltani për t’u ndeshur me hungarezët e drejtuar nga Janosh Huniadit, Skënderbeu me ushtarët e tij besnikë largohet nga beteja dhe drejtohet për në Shqipëri.

40. Më 28 Nëntor të vitit 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Kjo ndodhi pasi Gjergj Kastrioti me një sërë masash ushtarake shtiu në dorë qytetin e Krujës dhe atje ngriti flamurin kuq e zi.

41. Lufta e kalorësisë ishte një nga mjeshtëritë e Skënderbeut. Kalorësia e pajisur me armë të lehta ishte një nga më të përdorshmet, duke bërë që të sulmonte radhët e armikut dhe të tërhiqej shpejt.

42. Pas 25 vitesh luftë, në janar të vitit 1468 Skënderbeu thirri një tjetër kuvend me princat shqiptarë. Barleti thotë se ato ditë Skënderbeu u sëmurë rëndë nga ethet dhe shëndeti i tij nuk u përmirësua më.

43. Për vdekjen Skënderbeut ka pasur disa hipoteza. Në veprën e Barletit thuhet se ai vdiq në moshën 62-vjeçare pa asnjë shkak natyror. Vitet e fundit studiuesi Aurel Plasari hedh tezën se Skënderbeu mund të jetë helmuar.

44. Lidhja e Lezhës është i pari bashkim i princërve shqiptarë për të kundërshtuar pushtimin osman. Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte organizator i kësaj lidhjeje historike nga ku nisi dhe qëndresa e arbrit.

45. Gjoni, djali i vetëm i Skënderbeut, u largua në Napoli pas vdekjes së të atit, ku mori titullin “Dukë” dhe “Kont”. U martua me Irena Brankoviç Paleologu, pasardhësja e fundit e familjes perandorake të Bizantit dhe patën shumë fëmijë. Pasardhësit u shpërngulën në Leçe, në vitin 1700.

46. Gjyshi i Gjergj Kastriot Skënderbeut, Gjoni, vendosi sundimin e tij në Krujë në vitin 1439, por mësohet se Venediku e shpalli armik dhe i preu kokën në Durrës, në vitin 1402. Pas atij erdhi i biri, Gjoni, babai i Skënderbeut, i cili e mori Krujën përsëri dhe gradualisht e shtriu sundimin e tij mbi Tiranën, Matin, Dibrën dhe Mirditën, nga Prizreni në lindje, deri në detin Adriatik në perëndim.

47. Nga viti 1407 deri më 1430, Gjoni luftoi periodikisht me turqit, u mund 3 herë dhe u detyrua të pranonte kushte të rënda paqeje. Pas humbjes në vitin 1421, ai mbante një kontroll të kufizuar në principatën e tij.

48. Pas Kuvendit të vitit 1443, Skënderbeu më 2 mars të vitit 1444, mbajti Kuvendin pasues në Katedralen e Shën Kollit të qytetit të Lezhës. Ky ishte i pari Kuvend Kombëtar i princërve dhe i fisnikëve shqiptarë të shek. XV.

49. Portreti më i hershëm i Gjergj Kastriot Skënderbeut daton në vitin 1466. Gentile Bellini, në vitin 1466 kur Heroi vizitoi qytetin e Lagunovës në Itali, e pikturoi atë me urdhër të autoriteteve venedikase, sipas autorit Friedrich Kenner, mendohet se portreti ka qenë me profil majtas.

50. Një fakt tjetër në jetën e Skënderbeut është edhe iniciativa papnore enciklike për nderimin botëror të Gjergj Kastriotit. Me iniciativën e tij papa i romes mendoi t’i jepte këtë titull të lartë Heroit tonë Kombëtar, i cili është një nga vlerësimet më të mëdha në atë kohë./KultPlus.com

“Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë”, 100 thënie brilante nga Oscar Wilde

Oscar Wilde është shkrimtar, poet dhe dramaturg i shquar irlandez. Lindi më 16 tetor 1854 në Dublin dhe vdiq në vitin 1900 në Paris. Ai rridhte nga një familje me prindër intelektualë anglo–irlandezë.
Mori pjesë në shumë aktivitete të ndryshme letrare dhe mbajti leksione të ndryshme mbi esteticizmin në Amerikë dhe Kanada. Më pas u kthye në Londër, ku ushtroi profesionin e gazetarisë dhe me mprehtësinë therëse, veshjen dhe oratorinë e tij u bë një nga personalitetet më të shquar të kohës.
I jepte shumë rëndësi artit, duke i shprehur idetë nëpërmjet dialogëve të ndryshëm, eseve, të cilat përmbanin pikëpamje mbi dekadencën, bukurinë etj., që mishërohen edhe në të vetmen novelë të tij “Portreti i Dorian Grejit”, botuar në vitin 1890.
Për shkak të ideve të tij, veçanërisht ato mbi homoseksualizmin, për të cilin iu bënë edhe akuza të drejtpërdrejta dhe u arrestua në vitin 1895, Wilde kaloi disa vite i burgosur në Londër.
Në vitin 2007, Wilde është votuar si mendja më e madhe e Britanisë në një sondazh prej më shumë se 3000 komedianësh, duke lënë prapa Winston Churchill, Spike Miligan dhe Noel Couard.
Wilde shquhej për mprehtësi dhe lexuesit e veprave të tij tërhiqen jo vetëm nga librat e shkruar, por edhe nga thëniet e tij.
100 thënie nga Oscar Wilde
1- Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë
2- Një poet mund të mbijetojë çdo gjë, por jo një gabim shtypi.
3- Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.
4- Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.
5- Kur isha i ri mendoja që paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam rritur jam bindur se ashtu është vërtet.
5- Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.
7- Këshilla më e mirë që mund t’u japësh të rinjve për karrierën është: Zbuloni çfarë ju pëlqen të bëni më shumë dhe pastaj gjeni dikë t’ju paguajë për këtë.
7- S’ka asgjë më të rrezikshme sesa të jesh tepër modern. Rrezikon të dalësh jashtë mode nga një moment në tjetrin.
9- Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë
10 – Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë.

11- Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.
12- Ai që s’di të mësojë, jep mend
13 – Moderimi është diçka fatale. Asgjë s’është më e suksesshme sesa teprimi. Përvoja nuk ka asnjë vlerë etike: ajo është thjesht emri që njerëzit u japin gabimeve të tyre.
14- Tragjedia e plakut nuk është plakja, por rinia.
15- Kam shumë të dëshirë të flas për asgjë. Është e vetmja çështje për të cilën di gjithçka.
16- Sot njohim çmimin e çdo gjëje, por jo vlerën e tyre.
17- Lumturia e një njeriu të martuar varet nga ajo me të cilën nuk është martuar.
18- Shumë pak e kuptojnë sot se në një martesë, dy vetë janë të vetmuar, ndërsa kur janë tre të paktën ke shoqëri.
19- E vetmja mënyrë sjelljeje më një grua është të bësh dashuri me të nëse është e bukur, ose të bësh dashuri me një tjetër nëse është e shëmtuar.
20- Vetëm njerëzit sipërfaqësorë nuk gjykojnë nga paraqitja e jashtme.
21- Publiku është jashtëzakonisht tolerant; fal gjithçka përveç gjenialitetit.
22- Unë mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimeve.
23- Mos u besoni ndjenjave të grave para se të martohen.
24- Burrat e njohin shumë shpejt jetën, gratë shumë vonë
25- Gratë adhurojnë kur bien në dashuri, por kur humbasin adhurimin e tyre, ato humbasin gjithçka.
26- Gratë kanë një instinkt të çuditshëm: Ëndërrojnë gjithçka veç asaj që duhet.
27- Gjithmonë falni armiqtë tuaj, asgjë nuk i mërzit ata më shumë.
28- Disa shkaktojnë lumturi kudo që të shkojnë, të tjerët sa herë që të shkojnë.
29- Si mund të pritet që një grua të jetë e lumtur me një burrë i cili insiston në trajtimin e saj sikur ajo të ishte një qenie tejet normale njerëzore.
30- Fëmijët fillojnë duke i dashur prindërit e tyre; pas një kohe i gjykojnë ata; shumë rrallë, nëse ndonjëherë, i falin ata.
31- Çdo shenjtor ka një të shkuar dhe çdo mëkatar ka një të ardhme.
32- Unë jam aq i zgjuar sa nganjëherë nuk e kuptoj një fjalë të vetme të asaj që jam duke thënë.
33- Arsimi është një gjë e admirueshme, por është mirë të mbani mend nga koha në kohë që asgjë që vlen për ta ditur nuk mund të mësohet.
34- Midis burrave dhe grave nuk mund të ekzistojë ekziston miqësia. Ekzistojnë pasioni, armiqësia, adhurimi, dashuria, por jo miqësia.
35- Gratë janë bërë për t’u dashur, jo për t’u kuptuar.
36- Burrat gjithmonë duan të jenë dashuria e parë e një gruaje – gratë duan të jenë romanca e fundit e një burri.
37- Njeriu është shumë pak vetvetja, kur ai flet për veten e tij. Jepini atij një maskë, dhe ai do t’ju tregojë të vërtetën.
38- Unë shoh kur burrat i duan gratë. Ata iu japin atyre vetëm pak nga jeta e tyre. Por gratë, kur ato të duan, të japin gjithçka.
39- Egoizmi nuk është të jetosh si ke dëshirë për të jetuar, egoizmi është t’iu kërkosh të tjerëve të jetojnë si ke ti dëshirë për të jetuar.

40- Pasuritë e zakonshme mund t’i vjedhësh; pasuritë e vërteta kurrë nuk mund të vidhen. Në shpirtin tuaj janë pafundësisht gjëra të çmuara të cilat askush nuk mund t’jua marrë.
41- Është absurde t’i ndajnë njerëzit në të mirë dhe të këqij. Njerëzit janë ose simpatikë ose bajatë.
42- Unë kam shije të thjeshta. Unë jam i kënaqur gjithmonë me të mirën.
43- Shumica e njerëzve janë njerëz të tjerë. Mendimet e tyre janë mendimet e dikujt tjetër, jeta e tyre është një imitim, pasionet e tyre janë një citat.
44- Asnjë artist i madh nuk i sheh ndonjëherë gjërat si ato janë në të vërtetë. Nëse ai e bën këtë, ai do të jetë më artist.
45- Fytyra e njeriut është autobiografia e tij. Fytyra e një gruaje është vepra e saj artistike.
46- Duke na dhënë mendimet e të pashkolluarve, gazetaria na mban në kontakt me injorancën e komunitetit.
47- Të gjitha gratë bëhen si nënat e tyre. Kjo është tragjedi e tyre. Asnjë burrë nuk bëhet i tillë. Kjo është tragjedia e tyre.
48- Pakëz sinqeritet është një gjë e rrezikshme, dhe shumë sinqeritet është absolutisht fatal.
49- Një njeri që nuk mendon për vete, nuk mendon fare.
50- Nëse dikush nuk mund të kënaqet duke lexuar një libër përsëri e përsëri, nuk ka kuptim ta lexojë atë fare.
51- Bigamia është të paturit e një gruaje më shumë. Monogamia është e njëjtë.
52- Burrat martohen sepse ata janë të lodhur, gratë, sepse ato janë kurioze, të dyja palët zhgënjhen.
53- Gjithçka popullore është e gabuar.
54 – E qeshura nuk është aspak një fillim i keq për një miqësi, dhe është tejet e mirë për t’i dhënë fund një miqësie.
55- Demokracia nënkupton thjesht kamzhikosje e popullit nga populli për popullin.
56- Jeta nuk është e drejtë, dhe ndoshta kjo është një gjë e mirë për shumicën prej nesh që ajo nuk është e tillë.
57- Të mashtrosh të tjerët. Kjo është ajo që bota e quan një romancë.
58- Kur perënditë dëshirojnë të ndëshkojnë, ata iu përgjigjen lutjeve tona.
59 – Çfarë është një cinik? Një njeri që e njeh çmimin e gjithçkaje dhe vlerën e asgjëje.
60- Dallimi në mes letërsisë dhe gazetarisë është se gazetaria është e palexueshme dhe letërsia nuk lexohet.
61- Jeta është aq gjë e rëndësishme sa nuk mund të flitet ndonjëherë seriozisht për të.
62- Moraliteti është thjesht qëndrimi që mbajmë ndaj njerëzve të cilët ne personalisht nuk i pëlqejmë.
63- Unë ndonjëherë mendoj se Zoti në krijimin e njeriut disi e mbivlerësoi aftësinë e tij.
64- Sa herë që njerëzit bien dakord me mua, unë gjithmonë ndjej se duhet të jem i gabuar.
65- Sa kohë që një grua mund të duket dhjetë vjet më e re se vajza e saj, ajo është tejet e kënaqur.
66- Kujtesa… Është ditari që ne të gjithë e mbajmë për veten tonë.
67- Ambicia është streha e fundit e dështimit.
68- Nuk ka asnjë mëkat përveç marrëzisë.
69- Shoqëria ekziston vetëm si një koncept mendor; në botën reale janë vetëm individët.
70- Bota është një skenë, por drama është luajtur keq.
71- Kur një burrë ka dashur dikur një grua, ai nuk do të bëjë asgjë për të, me përjashtim të vazhdojë dashurinë ndaj saj.
72- Gratë na duan për defektet tona. Në qoftë se ne kemi mjaft prej tyre, ato do të na falin gjithçka, edhe intelektin tonë gjigant.
73- Urrejtja është e verbër, si dashuria.
74- Gruaja fillon duke iu rezistuar vardisjeve të një burri dhe përfundon duke bllokuar tërheqjen e tij.
75- Pesimist: Njeriu që, kur ka për të zgjedhur mes dy të këqijave, i zgjedh të dyja.
76- Librat që bota i quan të pamoralshme janë libra që ia tregojnë botës turpin e vet.
77- Biseda rreth motit është streha e fundit e fantazisë.
78- Kam vënë të gjithë gjenialitetin tim në jetën time, kam vendosur vetëm talentin tim në veprat e mia.
79- Më pëlqejnë personat më shumë se parimet, dhe më pëlqejnë personat pa parime më shumë se çdo gjë tjetër në botë.

80- Gratë nuk janë të çarmatosura nga komplimentet. Burrat gjithmonë janë. Ky është dallimi në mes gjinive.
81- Tallja është haraçi që mediokrit ia paguajnë gjeniut.
82- Nëse dikush luan muzikë të mirë, njerëzit nuk dëgjojnë dhe në qoftë se dikush luan muzikë të keqe njerëzit nuk flasin.
83- Njeriu është një kafshë racionale që gjithmonë humb durimin e tij, kur ai thirret për të vepruar në pajtim me diktatet e arsyes.
84- Pyetjet nuk janë të pamatura, përgjigjet nganjëherë janë.
85- Avantazhi i emocioneve është se ato na çojnë në humbje.
86- Të edukuarit mirë grinden me njerëzit e tjerë. Të mençurit grinden me vetveten.
87- Ka shumë gjëra që ne do t’i hidhnim tutje në qoftë se ne nuk do të kishim frikë se të tjerët mund t’i marrin ato.
88- Jeta e vërtetë është shumë shpesh jeta të cilën njeriun nuk e jeton.
89- Për të fituar popullaritet duhet të jesh mediokër.
90- Në moment që ju mendoni se e kuptoni një vepër të madhe arti, ajo është e vdekur për ju.
91 – Si e rrënon martesa një burrë! Ajo është demoralizuese sa cigaret, dhe shumë më e shtrenjtë.
92- Një nga mësimet e shumta që mëson në një burg është se gjërat janë ato që ata janë dhe do të jenë ato që do të jenë.
93- Është më mirë të kesh të ardhura të përhershme sesa të jesh interesant.
94- Njeriu mund të besoj të pamundurën, por njeriu kurrë nuk mund të besojë të pamundshmen.
95- Vetëm duke mos paguar faturat, mund të shpresojnë të jetojmë në kujtesën e klasave komerciale.
96- Bamirësia krijon një shumicë mëkatesh.
97- Detyra e parë në këtë jetë është të jemi sa më sipërfaqësorë që të mundemi. Se cila është detyra e dytë, këtë askush s’ka mundur ta zbulojë ende.
98- Bota është krijuar për burrat, jo për gratë.
99 -Nuk duhet t’i besojmë kurrë një gruaje që na tregon moshën e saj të vërtetë. Ajo që tregon moshën është gati të tregojë gjithçka.
100- Unë gjithmonë jap këshilla të mira. Është vetmja gjë që mund të bëj me to. Ato nuk kanë asnjë vlerë për mua.

Dëshironi të lini gjurmë në bukurinë e Prishtinës, “Meeting of Styles Kosovo” po ju fton

“Meeting of Styles Kosova” vjen me edicionin e dytë në muajin maj, duke e rikthyer Rrugën B në Prishtinë, në një vend krejtësisht tjetër, shkruan KultPlus.

“Meeting of Styles Kosova” tashmë ka hapur thirrje për artistë të ndryshëm të cilët dëshirojnë që të marrin pjesë në ngjyrosjen e murit. Të gjithë ata që dëshirojnë që të jenë pjesë e këtij edicioni duhet që të dërgojnë një e-mail me disa punë të tyre në adresën: [email protected].

Edicioni i dytë i këtij festivali përveç që do të sjellë artistë të ndryshëm grafik, do të ia ndryshojnë përsëri pamjen kësaj rruge. Në këtë edicion mendohet që të mbushet me grafite edhe pjesa lartë e rrugës duke mbuluar kështu në total një mur 1 kilometër, të gjatë.

Meeting of Styles Kosovo vitin e kaluar solli artistë edhe nga jashtë Kosova për të zbukuruar këtë pjesë të qytetit me grafite të cilat edhe sot i japim dukje më të mirë dhe të freskët kësaj pjese të frekuentuar të kryeqytetit. Edicioni i dytë i “Meeting of Styles Kosova”, nisë më 18 maj dhe do të zgjasë deri më 20 maj në Rrugën B, në Prishtinë./ KultPlus.com

Shpëtim Selmani, kryetar i Kuvendit në Qendrën Multimedia

Shpëtim Selmani është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Qendrës Multimedia më shumicë votash për një mandat 3 vjeçar, shkruan KultPlus.

Gjatë takimit, me shumicë votash, Shpetim Selmani është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Anëtarëve të Qendrës Multimedia, në një mandat prej 3 vjetësh. Punimet e Kuvendit të Anëtarëve i ka përcjellur dhe monitoruar edhe Visar Morina, përfaqësues ligjor i INDEP-it. Qendra Multimedia mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Shpëtim Selmani është njëri ndër autorët më të spikatur të brezit të ri letrar në Kosovë. Shkruan poezi, prozë dhe drama. Me formim është aktor dhe ka luajtur role të ndryshme në teatrot e Kosovës. /KultPlus.com

Marshi protestues kundrejt marshit festiv!

Dita ndërkombëtare e gruas 8 Marsi, në Kosovë vazhdon të jetë një ditë e cila shënohet në dy mënyra, me marshin protesues dhe marshin festiv. Në mesditën e kësaj date, këtë vit rreth dhjetëra gra marshuan rrugëve të Prishtinës, në shenjë proteste kundër pabarazive gjinore me të cilat përballen gratë në Kosovë. Ndërsa, ndryshe vazhdon të shënohet mbrëmja e kësaj date, ku disa nga gratë kursehen nga orari i plotë i punës dhe në mbrëmje “marshojnë” drejt në restaurante për të festuar. Mjafton të hysh në faqet e Facebook-ut të disa prej restauranteve të Kosovës dhe të shohësh që numri i grave të cilat festojnë këtë datë është dukshëm më i madh në krahasim me numrin e atyre që marshuan. Madje disa nga restaurantet kishin mbyllur rezervimet qysh nga data 21 Shkurt. Ndoshta ky festim vije si mungesë e vetëdijësimit për simbolikën e saktë të 8 Marsit e cila e ka zanafillën më 8 Mars 1908, ku 15 mijë gra marshuan në rrugët e Nju Jorkut duke kërkuar orar më të shkurtë pune, rroga më të mëdha dhe të drejtë vote. Megjithatë është gabim të mendojmë se kemi të drejtë të gjykojmë mënyrën se si ato kanë zgjedhur ta kalojnë këtë ditë por është e rëndësishme ta shohim se cila është pozita e tyre dhe në çfarë kalojnë ato në 364 ditët tjera.

Kjo datë që në parim ka ngritjen e pozitës politike dhe ekonomike të gruas në nivel të barabartë me burrat , parashihet edhe në kornizën ligjore të Kosovës e cila ekziston në një lidhje të brishtë me zbatimin praktik në Kosovë, ku gruaja në disa raste ende shihet me një sy paragjykues dhe me një pozitë diskriminuese në jetën politike dhe në punësim. Megjithatë statistikat tregojnë se ka kaluar koha e dhënies së përparësisë për djalin në shkollim para vajzës, pasiqë 51 për qind e femrave janë në universitet, krahasuar më 49 për qind të meshkujve. Mirëpo, duket që tregu i punës ende është vend (bastion) i dominuar nga burrat, në të cilin përqindja e femrave të punësuara është vetëm 11.5 për qind.

Ligji për Barazi Gjinore kërkon përfaqësim në sektorin publik prej pesëdhjetë për qind për secilën gjini, por ky ligj është i papërfillshëm për realitetin kosovar si në nivel shtetëror, ashtu edhe komunal. Është e vështirë të flitet për avancimin e grave kur ato janë të pakta në pozitat vendimarrëse, aty ku përgjegjësitë dhe të ardhurat financiare janë më të larta. Në kabinetin e kryeministrisë janë vetëm tri gra, nga 21 ministri vetëm tri udhëhiqen nga gratë, kurse sipas Hulumtimit të Qëndres për Studime Gjinore del se komunat e Kosovës kanë vetëm 32 gra në pozita drejtuese nga 318 pozita gjithsej, madje ky hulumtim thotë se 14 nga komunat e Kosovës nuk kanë asnjë grua në pozita drejtuese.

Krahas institucioneve publike, gratë në Kosovë janë të diskriminuara edhe në rrethin e tyre të banimit sa i përket ndarjes se trashëgimisë brenda familjes, ku jo rrallë herë dëgjohet shprehja se “Vajza është e derës së huaj”. E drejta për të trashëguar është e drejtë themelore e gruas në Kosovë, e cila është e garantuar edhe me Ligjin për Trashëgiminë, prapë se prapë vetëm 3.8 për qind e femrave në Kosovë janë trashëgimtare të pasurisë familjare kurse pjesa tjetër e tyre zgjedhin të respektojnë ligjin e pa shkruar të traditës se deri tanishme ku trashëgimia ndahet mes djemve të familjes. Kjo bazohet dhe në statistikat e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës prej nga rezulton se 46.25 për qind e femrave heqin dorë nga pasuria për shkak të traditës. Veç kësaj edhe pasuria e krijuar gjatë martesës rrallë evidencohet si pronë e përbashkët e bashkëshortëve. Deri më tani vetëm 16 për qind e pronave janë të regjistruara në emër të femrave apo në bashkëpronësi. Kur gratë nuk trashëgojnë as nga babai, e as nga bashkëshorti në rastet e vdekjes së tyre ,gjendja e grave rëndohet dhe shpesh ato mbesin pastrehë.

Rastet e vrasjes së Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqi-Berisha të cilave ju kishte injoruar ndihma e kërkuar nga policia, e inkurajojnë edhe më shumë përpjekjen e grave për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj gruas, e cila në shoqërinë tonë tradicionalisht ka kaluar në mënyrë të heshtur dhe me shumë arsyetime. Përjetimin e dhunës tek gratë kosovare e tregojnë edhe shifrat e RrGGK –së sipas të cilave 68 për qind e grave në Kosovë kanë vuajtur nga dhuna në jetën e tyre.

Hendeku për të arritur barazinë gjinore në Kosovë është ende vështirë i kapërcyeshëm, andaj problemet me të cilat ballafaqohen gratë nuk mund t’i neglizhojmë duke festuar një ditë dhe duke u përballur me to çdo ditë tjetër. Lufta për avancimin e gruas dhe për barazi gjinore duhet të jetë jo vetëm luftë e grave, por luftë e të gjithë shoqërisë dhe e të gjitha institucioneve. Vetëm kur ta kemi arritur barazinë gjinore, mund të festojmë për suksese të përbashkëta si shoqëri!/KultPlus.com

Eliza Dushku bashkë me vëllaun e saj me film, premiera në festivalin prestigjioz “Tribeca Film Festival”

Aktorja shqiptare Eliza Dushku dhe vëllai i saj Nate Dushku kanë bashkuar forcat që të realizojnë një film mbi fotografin e njohur amerikan Robert Mapplethorpe. Filmi nën direktimin e Ondi Timoner, dedikuar për njërin nga fotografët më kontraverzial në historinë amerikane do të këtë premierën botërore në, në Prill, shkruan KultPlus.

Premiera e filmit do të bëhet në kuadër të festivalit të njohur të filmit “Tribeca Film Festival”. Rolin e fotografit Robert Mapplethorpe do e luajë aktori Matt Smith i cili ka luajtur në serialet si “Dr. Who” pastaj “The Crown. Kurse aktorja Marianne Rendón do të luaje rolin e Patti Smith në këtë film.

Fotografi Mapplethorpe ishte i njohur për fotografitë e tij bardhë dhe zi që paraqesin një koleksion të gjerë temash nga vetë-portrete dhe lulet deri të ato nudo dhe BDSM. Ai vdiq nga SIDA në moshën 42 vjeçare./ KultPlus.com

Sonte, natë muzikore me ‘The Band’ në ROCKUZINË

Sonte në Rockuzinë do të performojë grupi ‘The Band’.

Grupi përbëhet nga muzicientë me përvojë të gjatë në skenë, e këta janë Luan Tashi, vokal/kitarë, Luan Macula në kitarë, Labinot Krasniqi në bass dhe Vedo Hasani në bateri.

Individualisht, të gjithë kanë performuar me bende të ndryshme muzikore në këto 25 vitet e fundit, ndërsa dëshira për të performuar live i bëri bashkë ata.

Sonte, në Rockuzinë, një natë energjike i pret të gjithë që do të vijnë. / KultPlus.com

‘The Republic of Kosovo’ e uron ndryshe 8 marsin

The Republic of Kosovo – TROK është një faqe interesante artistike me ilustrime të ndryshme.

Diego – artistja që e mban blogun, ka vendosur që 8 marsin këtë vit ta sjellë në një frymë më ndryshe.

Fotografitë në blog lidhen me fytyra të njohura shqiptare të gjinisë femërore, përfshirë gazetaren Arbana Xharra apo gruan e Ramush Haradinajt, moderatoren e lajmeve Anita Haradinaj.

8 marsi dje u ‘festua’ dhe më pas edhe u protestua për më shumë të drejta të grave në një shoqëri si Kosova.

Fotografitë dhe imazhet e modifikuara mund ti shihni këtu:

Ilir Tafa për mediet serbe: Adem Jasharin mund ta luaj vetëm një aktor që ka së paku një Oscar

Zhurma e madhe mediatike, qoftë në Kosovë apo Serbi, mbi filmin që do të realizohet për komandantin legjendar Adem Jashar, me regji të Luan Kryeziut, po vazhdon edhe më tutje, shkruan KultPlus.

Mediet serbe, përkatësisht Show Buzz ka biseduar me aktorin e njohur Ilir Tafa, në lidhje me këtë cështje.

“Bota, përkatësisht ajo e kohës së re nuk njeh një hero më të madh se sa Adem Jashari. Lufta e tij, sakrifica e tij dhe e familjes së tij për liri, është një sakrificë që nuk e njeh historia e njerëzimit”, ka thënë Tafa.

“Ai është ikonë e lirisë së Kosovës, dhe liria është një vlerë universale, kështu që Adem Jashari është një hero i njerëzimit”, ka thënë Tafa.

Ai më pas ka dhënë edhe vlerësimin e tij se nëse Rade Serbedzija është aktori i duhur për këtë rol, duke pas fokusin e shumë deklaratave mediatike mbi këtë rol, Tafa ka dhënjë një mendim ndryshe.
“Rade Serbedzija është një aktor i shkëlqyeshëm, më i miri i ish Jugosllavisë, por jo aq sa të luaj rolin e Adem Jasharit. Për mendimin tim, për të luajtur këtë rol, ai aktor duhet të ketë së paku një Oscar”, ka përfunduar ai./KultPlus.com