Për gratë që po na marrin n’qafë!

Shkruan: Vlora Konushevci

Një grua e fuqizuar, sipas një mendjeje të shëndosh, ishte dashur të ndihmoj fuqizimin e grave të tjera. Pse ky fenomen në Kosovë është kaq pak prezent?

Sepse, fatkeqësisht, një numër jo i vogël i grave të fuqizuara janë aty ku janë falë librezës së partisë, falë dajallarëve të fortë, dhe falë prejardhjes rajonale. Po të njëjtat, duke qenë se nuk i janë nënshtruar as parimeve bazë të meritokracisë, janë tepër të kënaqura me veten, komplet të pavetëdijshme për luftën që grave tjera u duhet me e bë pothuajse çdo ditë, dhe kështu t’a fyejnë intelegjencën me vet-mjaftueshmërinë e tyre. Për më keq, po ato shërbejnë edhe për statistika….

Gra të dashura, gratë në botë që prej vitit 1857 nuk kanë luftuar për të shkuar në shtëpi në orën 12:00. Kanë luftuar për kushte më të mira në punë, për mundësi të barabarta, madje edhe për t’u konsideruar njeri, prandaj kthjelluni! Çdo ditë e më shumë po bindem se gratë tona e bartin përgjegjësinë më të madhe për pozitën e gruas sot në Kosovë. Gra të vetëdijshme, të shkolluara, profesioniste, gra që bartin vlera e përfaqësojnë vlera nuk e ngrisin zërin as të paktën një herë në vit, as në mënyrë simbolike! Sepse ajo është mirë, por vajza jote nesër mund të mos e ketë fatin tënd të mirë. Sepse me qenë mirë në Kosovë është goxha çështje fati!

Madeline Albrait me shumë të drejtë pati thënë që: “Është një vend i veçantë në ferr për gratë që nuk i përkrahin gratë tjera”! Por po dyshoj që atje fati do të kryej punë e aq ma pak libreza e partisë.

Urime!

Aleksandër Gjoka i këndon “Zemrës së një gruaje” (VIDEO)

Aleksandër Gjoka është një këngëtar dhe autor këngësh shumë i njohur. Është këngëtar i mirënjohur shqiptar dhe deri më tani ai ka të incizuara disa këngë por më e njohura ndër to është “Kuturu” një këngë shumë e bukur e cila dëgjohet edhe sot. Poashtu ai është pjesëmarrës i disa edicioneve të festivalit “Kënga Magjike”.

E sot KultPlus, ju sjellë këngën “Zemra e një gruaje” të këngëtarit Aleksandër Gjoka.

Zemra e një gruaje
Them shpesh me vete
Ngjan me një xixëllonjë
Që digjet në heshtje
Provoni ti buzëqeshni një zemre t’thyer
Mos përbuzni lotët në sytë e mallengjyer
(përsëritet nga fillimi)

Mos puthësh dorën e saj kur zgjatet
Se buzët e tua do vyshken do plaken
Puthje që ëndrrat zgjon në shpirtin e valuar
Ngjan me lindjen e diellit
…jo s’është e vonuar

Luan Kryeziu: Do ta porosisja Rade Serbedzien të bëhet njeri së pari, sepse paska mbetë serb

Shkruan: Luan Kryeziu

Serbet gjithnjë e gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën. Rade Serbetdzia edhe pse ka ndryshuar vendbanimin paska mbete serb në mentalitet.

Tani mua me arsyeton edhe më shumë kundërshtimin tim që ai nuk duhet të interpretoj në filmat shqiptar edhe pse kishte arsyetimin e bukur. Kjo gjithashtu vërteton dyshimin tim qe ai nuk vie këtu me një qëllim të mirë. Është krejt normale që ai ndjehet keq nga kundërshtimi im dhe duhet ta kundërshtoj gjithsesi deklaratën time, por nuk e kuptoj si mundet një artist i një ,,niveli te tillë” ta quaj Adem Jasharin dhe familjen e tij terrorist.

Do ta porosisja Rade Serbedzien të behet njeri së pari sepse paska mbetë Serb. Rade unë nuk jam i ri ne profesion sepse vetëm me një film kam 39 çmime të fituara. Kam pjesëmarrje në tri festivale të kategorisë së parë që ti nuk i ke edhe pse me moshë je më i madh. E vërteta nuk rrëfehet duke ofendu dhe duke mashtru opinionin.

E kuptoj arsyen nacionaliste serbe por nuk kuptoj pse tani një artist duke fshehur të vërtetën kërkon të thuhet një e vërtetë tjetër. E siguroj që me deklaratën e tij, kur e quan veten artist dhe i quan terrorist një familje të tërë të masakruar në shtëpitë e tyre nga një pushtet kriminel të cilin e luftoi bota përmes NATO-s, ka treguar që ndoshta ndonjë njeri mund të bëhet i famshëm dhe të luaj në filma, por nuk është dhe kurrë nuk do të bëhet artist.

Duhet ta kuptosh dhe ta pranosh që bota është e madhe dhe kurrë nuk kemi pasur nevojë për ndihmën tuaj as nuk do të kemi. Sot pas 17 vjet shtet ne artistet dhe sportistët e Kosovës kemi suksese më shumë se ju serbët në arenën ndërkombëtare. Prandaj pretendimi yt që unë kam nevojë për promovim nga ti nuk qëndron aspak, përkundrazi nuk më ndihmon por më bënë dëm./KultPlus.com

Nënë, o nënë

Poezi nga Rexhep Hoxha

Fjalë e ëmbël, shumë e lartë,
është fjala nënë;
Gjuhë e nënës është e artë,
nënë, o dritë e hënë.
Ajo është zemra e jetës,
që lind burra dheu;
Luftëtarë të së vërtetës
siç ishte Skenderbeu.
Lule e bardhë porsi dritë,
nëna është në botë;
Ajo natën e bën ditë,
t’i bëjë fëmijët e fortë.
Në shtëpi dhe fushë e arë,
derdhë djersën rrëkaj;
Të tërë trimat legjendarë
ishin në prehër të saj.
Ai shpirt i bardhë si dëborë
në jetë nuk pushoi;
Shpesh edhe me pushkë në dorë
për drejtësi luftoi.
Fjalë e njeriut, më e lartë,
që ka për të thënë;
Është fjala e zemrës s’artë,
nënë, o nënë, o nënë./KultPlus.com

Dua Lipa e rrethuar me shumë vajza, urojnë Ditën Ndërkombëtare të Gruas (VIDEO)

Dua Lipa ka vendosur që për Ditën Ndërkombëtare të Gruas të vizitojë muzeun, shkruan KultPlus.

Aty ajo është takuar me disa vajza të cilat po ashtu kanë vizituar muzeun. Kështu Lipa ka shfrytëzuar rastin që së bashku me to t’i urojë gratë për Ditën Ndërkombëtare të tyre.
Për më shumë mund ta ndiqni videon./KultPlus.com

Nisin “Javët e Frankofonisë”, Teatri Oda jehoi me këngë franceze (FOTO)

Gili Hoxhaj

Të gjithë ata që e duan kulturën dhe gjuhën franceze, këtë mund ta përjetojnë më afër se kurrë përmes “Javëve të Frankofonisë”. Mbrëmë nisi rrugëtimi tri javor i edicionit të 18-të të Frankofonisë, shkruan KultPlus.

“Javët e Frankofonisë” i sjellin vendeve të Kosovës një gjallëri frankofone. Tri “Javët e Frankofonisë” përmbajnë një shumëllojshmëri ngjarjesh si koncerte, shfaqje filmash, aktivitete gastronomike, konferenca dhe aktivitete për të rinj.

Që në mbrëmjen e parë u dëshmua se tradita e këtij organizimi ka ngjallur shumë dashuri në Kosovë, pasi që kjo mbrëmje kishte mbledhur plot mysafir e që u përkisnin moshave e nacionaliteteve të ndryshme. Pak para se të filloi koncerti, mysafirët qëndruan në hollin e Teatrit “Oda”, ku adresoheshin drejt shtandeve me materiale promovuese nga vendet frankofone që veprojnë në Kosovë.

Agathe Bouchet, përgjegjëse për bashkëpunim universitar në Ambasadën e Francës ishte ajo që uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve ndërsa falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët qëpo e përkrahin organizimin e këtij edicioni të Javëve të Frankofonisë.

Elsa Hyseni nga Prishtina ishte ajo që u ngjit e para në skenën e teatrit, prej nga dhuroi një interpretim të mahnitshëm të këngës së njohur “Padam Padam”, për të vazhduar edhe me dy këngë të tjera. Koncertimë pas u shoqërua me një koktej të përgatitur nga restoranti francez Le Bouchon dhe birra belge.

Kësisoj kur në skenë u ngjit këngëtari francez Charles Baptiste dukej sikur mori me vete tërë audiencën që ishte dhënë pas muzikës e vallëzimit të lehtë. Ky artist për rreth një orë e mbajti publikun me vallëzim, derisa herë pas herë edhe komunikonte me ta. “Katër, tre, dy, një” , numëronte këngëtari para se të fillonte këngën e parë. Derisa publiku i Kosovës, njoftohet më së miri me këngët e kulturën frankofone përmes këtij e aktiviteteve të tjera të këtij organizimiedhe ky këngëtar francez kishte njohur Kosovën përmes dy këngëtareve nga ky vend. Pas këngës së parë, ai publikut i dhuroi krenarinë përmes dy emrave, dy ambasadoreve më të mira të Kosovës: Dua Lipa dhe Rita Ora. Mes këngëve, ai shpesh u drejtohej publikut me fjalë në gjuhën shqipe si “Ku janë tërinjtë” dhe “Ku janë të vjetërit”.

Për artistin Charles Baptiste, kjo ishte hera e dytë në Prishtinë, ndërsa tregoi se aq shumë ishte kënaqur vitin e kaluar me publikun prishtinas, sa që Ambasada franceze i kishte kërkuar atij qëpërsëri të vijë në Kosovë. Ai tha për KultPlus se ndihet i kënaqur me reagimin dhe energjinë e publikut këtu.

“E dua Prishtinën, mendoj se ka një energji të mahnitshme. Pas kohëve të errëta ndodhin gjithmonë gjera pozitive dhe me këtë energji Kosova duhet të ecën përpara në një të ardhme më të ndritur. Ndihem shumë i lumtur që performova këtu dhe kjo ishte një natë e mrekullueshme”, u shpreh këngëtari Charles Baptiste ndërsa tha shpreson që edhe këngëtaret nga Kosova, të shkojnë dhe ta dëshmojnë veten në Francë.

Elsa Hyseni që është edhe studente e gjuhës frënge, u ngjit në skenë për të dytën herë për të interpretuar së bashku më këngëtarin Baptiste që kishte ardhur mbrëmë. Ajo tregoi për KultPlus se ishte ndierë mjaft e emocionuar qëmbrëmë për herë të parë interpretoi pranë një publiku kaq të madh.

“Është hera e parë për mua që marr pjesë në një ngjarje që përfshin kaq shumë njerëz këtu në Prishtinë por ka qenë kënaqësi shumë e madhe për mua, e veçmas që të performoj me këngëtarin Charles Baptise”, tregoi këngëtarja Elsa Hyseni.

Ajo për KultPlus tregoi edhe lidhjen e saj me gjuhën dhe kulturën frënge dhe dëshirën e saj që këtë ta transmetoj edhe në Kosovë.

“Muzika i bashkon të gjitha gjuhët dhe të ngjallë emocion por unë gjuhën frënge e kam shumë për zemër pasi që edhe kam jetuar në Francë për dy vjet e gjysmë prej nga edhe e kam parë kulturën atje dhe kjo është arsyeja përse dua ta transmetoj edhe në Kosovë këtë pasuri”, tregoi Elsa.

Valon Ibraj, zyrtar për kulturë në Ambasadën Franceze tha se deri më tani ndihet i kënaqur me organizimin, e veçmas me këtë mbrëmje që është pritur shumë mirë nga publiku. Ai po ashtu tha se interesimi për “Javët e Frankofonisë” vazhdimisht është në rritje dhe kjo nënkupton që Kosova ështëçdo ditë e më afër Frankofonisë.

“Deri më tani i gjithë procesi ka shkuar në rregull, duke filluar nga konferenca që kemi mbajtur ku kanë marrë pjesë ambasadorët e shteteve frankofone që jetojnë këtu në Kosovë. Ne jemi të kënaqur me organizimi dhe me pjesëmarrjen e audiencës ndërsa ky është vetëm fillim pasi që nga nesër do të kemi edhe aktivitete të tjera” u shpreh Ibraj, ndërsa ai po ashtu shtoi se është shumë mirë që Kosova edhe pse është vetëm një anëtare vëzhguese e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ajo çdo ditë e më tepër po e ndjenë veten si anëtare e Frankofonisë.

“Javët e Frankofonisë” organizohen nga ambasadat dhe përfaqësuesit diplomatikë të Belgjikës, Kanadasë, Francës, Luksemburgut, Republikës Çeke dhe Zvicrës, anëtarëve të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe Aleancën Franceze të Prishtinës, po ashtu së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.

Edicioni i 18-të i “Javëve të Frankofonisë 2018” do të zgjasë deri më 31 mars. Dita e sotme, 8 marsi do i kushtohet gruas. Do të mbahet një konferencë me temën: Të drejtat pronësore të grave në Kosovë: Trashëgimia dhe barazia para ligjit dhe shfaqje teatrore me temën e grave pioniere. Aktivitet këtë vit do të zhvillohen në Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Vushtrri. / KultPlus.com

Dua Lipa shkëlqen në koncertin e Melburnit (VIDEO)

Dua Lipa është prezantuar me një koncert në Melburn të Australisë, shkruan KultPlus.
Ajo është duke zhvilluar një tur të koncerteve në shumë vende të botës, ku më 7 mars është ngjitur në skenën e sallës gjigante të Melburn, ku shihet të ketë qenë e mbushur me fansa të Dua Lipës, shkruan KultPlus.

Dua Lipa në këtë koncert ka kënduar këngët hit të saj, duke përfshirë “Hotter Than Hell’ ‘Be The One’ ‘Blow Your Mind ‘IDGAF’.

Për më shumë mund ta shikoni atmosferën e krijuar nga Dua Lipa, ku KultPlus sjellë një video nga ky koncert.

Dua Lipa po konsiderohet një yll shpërthyes, e cila po shënon suksese në të gjitha anët e botës, poashtu ajo ka njoftuar që do të ketë një paraqitje edhe në Festivalin e Prishtinës, ku do të këndojë Dua Lipa bashkë me artistë të tjerë./KultPlus.com


NANËS

Poezi nga Manjola Brahaj.

Nanë!
Âmi ato duer të dangosuna prej lodhjes,
T’i puthi me tanë dashninë time prej bije,
Të ndjej lodhjen e tyne kur mue m’kanë mbajtë
Në terr e në dritë, –
-Liman dashnie i mbushun prej vitesh

Nanë!
Âma ata krye tash do vjet të filluem me u thíjë
Âma se e due ngat!
Me e pa, me e prekë, me e puthë
E me e dashtë, e me e dashtë, e me dashtë…
Ma këndo nji kangë nanë e vnom në gjumë
Due me pushue, e me pushue, e me pushue..
Në krahët e tu
Ma jep krahnorin të ngjeshem aty –
Strofkulla ime ma e nxehtë
Dashnia me të cilën harrrnohem
Kroni ku jam la e jam ngi ujë t’bekuem
Nuk më duhen krahë të tjerë
Jam Aguliçe e pranverës së sapoleme mbramë
Due me m’lidhë në djep edhe njiherë.
E burgueme qenies tande si e marrë
Jam e strukun
Sytë e tu i due – dritë parajsash që shpesh s’i shoh

Nanë!
Zotit dit’ e nat kam me ju lutë me të rujtë
Për dhé kam me ra e me t’i puthë gjujt

Nanë!
Më kap si dukur n’grykë
e prekmi flokët e mi t’pabindun
t’ngatërruem sot prej lotësh e malli blu
Kryet m’asht ba arë me lule e gurë
Në t’cilët f’tyra jote asht e skalitun me
nji daltë dashnie të naltsueme
Dhe rrin e kapërthyeme n’kupë t’qiellit prej lulesh që ia zanë frymën

Randë asht me qenë edhe grue edhe burrë
Edhe shkamb edhe dhé i hedhun zguerve të veshtrimit
Të nji mali të errët!

Nano!
Kanga jonë asht nji përqafim ernash
Të bardha, të njoma shumë të njoma
Ku mbytet cegëmi i fjalës së thanun me tepri
Andaj kam me ardhë
e me këndue, e me këndue, e me këndue..
Kangën tonë

Në altarin tand kam me rrnue sa t’kem frymë
Mbajem me veti, nuk due me u rritë
Vetëm prehni yt m’nxjerr prej hutimit t’lyem me brymë
Shpirti yt asht gjella që m’ngop e m’mban gjallë
Asht kanga e zjarmit – furrë

Nanë!
Për ty kam me i thirrë e me i lutë perënditë
Nuk kam me të t’u nda kurrë

MANJOLA BRAHAJ nga “Çka nuk tregohet nuk ka ekzistue”

Kur gratë gjakovare hoqën Ferexhenë

Guximi i viteve më të hershme ka qenë edhe më sfidues për gratë shqiptare, duke pas parasysh mentalitetin e asaj kohe.

Është pikërisht guximi i grave gjakovare që duhet të vlerësohet, të cilat, pikërisht më 8 mars të vitit 1945 hoqën ferexhenë. KultPlus ju sjellë fotografinë e këtyre grave./KultPlus.com

Thirrja për të ndihmuar Bekim Lumin shkon deri në New York, artistët e atjeshëm me koncert për regjisorin

Miqtë e regjisorit Bekim Lumi, të cilët jetojnë dhe punojnë në New York do të mbajnë një koncert me qëllim që të ndihmojnë regjisorin, shkruan KultPlus.

Riad Ymeri, Ergin Oda, Donika Ukshini-Gjokaj, Kushtrim Hoxha, Lori Miho, Bekim Qela, Lekë Salihu, Faton Macula, Taulant Mehmeti, Arens Leka, Angelo Miho, Shpend Xani, janë bërë së bashku për të ndihmuar artistin, të cilët bashkë do të performojnë më 26 mars.

Duke qenë se regjisori i njohur Bekim Lumi tash e dy vite po përballet me këtë sëmundje, dhe trajtimin i tij i mëtutjeshëm mjekësor po bëhet i papërballueshëm për buxhetin e tij familjar, artistët kanë marrë vendimin që ti ndihmojnë artisti.

Koncerti do të mbahet në Scandinavia House, 58 Park Ave, New York, NY. Tiketat do të mund të blihen në hyrje të derës kurse çmimi i tyre është 50 dollarë.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të përdoren për tu solidarizuar me regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj. Ngjarje të tilla janë realizuar gjatë muajit të kaluar kurse do të vazhdojnë edhe gjatë këtij muaji./KultPlus.com

Ruckuzinë sonte sjellë Flaka Krelani and Band

Sonte në Rockuzinë do të performojë Flaka Krelani and Band.

Flaka e filloi karrierën e saj në “Ethet”, ku ajo arriti deri në finale. Pas kësaj gare, ajo u bë një nga këngëtaret shqiptare më të njohura të muzikës rok. Flaka ka marrë pjesë në disa festivale muzikore të mbajtur në territore të ndryshme shqiptare. Ajo ka marrë pjesë në Top Fest, duke marrë çmimin “Best Alternative” në edicionin e katërt, dhe “Best Rock” në edicionin e tetë.

Ajo është përpjekur në garën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision katër herë. Në vitin 2008, ajo zuri vendin e dytë, dhe në pozitat Top 5 në dy vitet e ardhshme. Në vitin 2015 ajo renditet e treta me këngën e saj “S’je Për Mu”.
Flaka ka arrit që me talentin e saj dhe zërin karakteristik të tërheqë një numër të madh të adhuruesve të muzikës rok, me performanca jashtëzakonisht energjike./ KultPlus.com

“Rapsodia shqiptare”, vepra e harruar e kompozitorit më të njohur të Azerbajxhanit (Audio)

Azerbajxhanasi Gara Abulfaz oghlu Garayev (1918-1982), ishte një nga kompozitorët më të njohur të Bashkimit Sovjetik dhe mbase më i madhi i kombit të tij.

Garayev, ka kompozuar 110 pjesë muzikore, përfshirë balete, opera, simfoni, pjesë kamertale, për piano etj. Për të kanë pas vlerësime të mëdha kompozitorët më të njohur të shtetit ku ka jetuar, përfshirë të madhin Dmitri Shostakovich.

Më poshtë mund të dëgjoni “Rapsodinë shqiptare”, pothuajse të panjohur mes shqiptarëve, të ekzekutuar më 1988 nga Orkestra Simfonike e Azerbajxhanit gjatë e ekzekutuar dhe incizuar në Moskë.

“Ti ke lindur nga një grua, por asaj nuk i ngjasove” (VIDEO)

KultPlus do të shënoj sot 8 marsin edhe më këngë. Në vazhdim ju sjellim këngën “Ti s’ke zemër”, të këngëtares Rozana Radi, tekstin e të cilës e ka bërë vet këngëtarja.

Me këtë këngë, ajo marrë pjesë në Kënga Magjike në vitin 2012.

Ti s’ke zemër
e fitove ti betejën derisa un t’u dorzova

Ti ke lindur nga një grua
por asaj nuk i ngjasove
dhe tani që më fundose
ti me thua duke qeshur:
“Ka mbaruar”-i dështuar.

Kur ma njohe çdo pjes t’trupit
dhe kureshtja ty tu shua
u lëshove si një ujk
për t’më mbytur e lënduar.

I sëmur ti nga uria
nesër do kafshosh një tjetër grua.
Nuk ke zemër.

Ti…ti s’ke zemër
dhe pse ti ke lindur nga një grua
vetëm dashuri të ka dhuruar,
nuk të lindi për të na lënduar.

Ti s’ke zemër
kur të kesh një vajzë një dit
më thuaj, çfar do ti tregosh asaj për mua?
Se dikur një femër ke qëlluar.

Ti s’ke zemër,
ti u shtire se më doje
dhe pastaj më shite mua.
Kur u binde që të doja
ti më shkele-i dështuar.

Pse se pyet nënën tënde
a është ndjer njëherë si mua?
Ti më cmënde i mallkuar.

Ti s’ke zemër.
Sa të gjata duken netët kur nga dhembja s’je shëruar.

S’ke as forcë të ulërasësh,
s’kam një grusht për të qëlluar.
S’kam një krah ku të mbështetem,
ah moj nënë,pse më linde grua?

Ti s’ke zemër,
dhe pse ti ke lindur nga një grua.
Vetëm dashuri të ka dhuruar,
nuk të lindi për të na lënduar.

Ti s’ke zemër.
Kur të kesh një vajzë një ditë
më thuaj,çfar do ti tregosh asaj për mua?
Se dikur një femër ke qëlluar!

Ti s’ke zemër.
dhe pse ti ke lindur nga një grua.
Vetëm dashuri të ka dhuruar,
nuk të lindi ty për t’na lënduar.

Ti s’ke zemër.
…tregosh asaj për mua,
…dashuri të ka dhuruar,
edhe ti më ke dhunuar.
Ti…ti s’ke zemër.
ti ke dhunuar vajzë si mua.
Ti…s’ke zemër!/KultPlus.com

Çmimi më i lartë botëror për arkitektin “low cost”, indianit 90 vjeç

Çmimi më i lartë për arkitekturën për këtë vit i është dhënë indianit Balkrishna Doshi, i njohur në vendin e tij si filozof i zhvillimit urban.

Indiani Balkrishna Doshi, i njohur si arkitekti i ndërtesave “low cost”, është nderuar këtë të mërkurë me çmimin më të rëndësishëm të arkitekturës në botë. Doshi, 90 vjeç, është shprehur i emocionuar për vlerësimin me çmimin Pritzker, që e bën atë laureatin e parë nga India.

“Është diçka e mrekullueshme”, ka thënë ai nga shtëpia e tij në Ahmedabad, qyteti i protestës paqësore për pavarësinë e Indisë. Përveçse një arkitekt, Doshi është konsideruar edhe mjeshtër dhe filozof i planifikimit urban. Në biseda ai nuk i trajton ndërtesat e tij thjesht si objekte, por thotë se ato synojnë të nxisin sensin e komunitetit, paqen e brendshme dhe kthimin e qyteteve në hapësira për një shoqëri të shëndetshme.

Në karrierën e tij 70-vjeçare, Doshi nuk ka qenë shumë i interesuar për çmimet, edhe pse ka fituar shumë; dhe as për njohjen në rang ndërkombëtar, që është e kufizuar pasi ai nuk vë kurrë firmën e tij. Arkitekti fokusohet në çështje shumë më të mëdha, si mirëqënia sociale dhe qëndrueshmëria dhe në punën e tij përpiqet të ndërthurë kulturën me profesionin. “Arkitektura nuk është thjesht një objekt i ngurtë, por një organizëm i gjallë. Çështja është, a mund të sjellim jetë në atë që krijojmë? A do të kthehemi në shërbyes të një klienti, apo do të bëjmë diçka në dobi të shoqërisë?”, shprehet ai./ KultPlus.com

Sylë Mujaj sjellë para publikut në Bernë mozaikët e tij të veçantë artistikë

Më 12 mars në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë hapet ekspozita me punime në mozaik, e artistit Sylë Mujaj. Bëhet fjalë për një ekspozitë jo të zakonshme nisur nga vetë përmasat dhe pesha fizike e punimeve origjinale të punuara me mermer dhe qeramikë por edhe nga stili i veçantë. Ekspozita është titulluar “Mozaiku Artistik”.

Në punimet e tij, autori ka shkrirë punën disavjeçare të mundimshme dhe me përkushtim prej filigranisti, për të realizuar konceptin e tij artistik unik që përshkon të gjitha veprat.

Motivi mitik i takimit të Konstandinit dhe Doruntinës mplekset në këto punime me zhvillimet historike nga epoka e Skënderbeut e këtej, duke dalluar këtu personalitetet dhe ngarjet kyçe të historisë shqiptare. Po ashtu në krijimtarinë e tij ndeshet shpesh edhe akti i gruas, herë në funksion të konceptit të veprës konkrete, e herë si shpërfaqje e pastër e bukurisë së gruas.

Ndjenja për të madhërishmen dhe të bukurën shpërfaqet në punimet e krijuara në një teknikë shumë të veçantë, pra në mozaik, që është vështirë të haset ndër artistët tanë dhe më gjerë sot.

Ekspozita, siç e thotë për albinfo.ch autori Sylë Mujaj, hapet në përvjetorin e Pranverës Studentore të vitit 1981, (demonstratave) ku ai si student ishte në mesin e protagonistëve.

Sylë Mujaj u lind në Kosovë, në maj 1958, në fshatin Dukaivë, Rugovë, komuna e Pejës. Shkollën fillore e të mesme i kreu në vendlindjen e tij. Studimet e larta i ndoqi në Prishtinë si inxhinier i agronomisë. Para se të mbaronte studimet, arrestohet nga policia serbe si pjesëmarrës i demonstratave studentore në mars të 1981. Dënohet me 10 vjet burg. Në fillim vuajti burgun në Prishtinë dhe në nëntorin e 1981 transferohet në kampin e njohur “Hekur e beton” të Nishit në Serbi. Në këtë kamp qëndron deri në vitin 1990. Shtatë vite e dy muaj i kalon në të ashtuquajturën “grupa pojaqanih nadzor”, (izolim). Me ndihmën e Amnesty Internacional dhe Komitetit të Helsinkit lirohet nga burgu. Pas daljes nga burgu shkoi në Zvicër, ku jeton edhe aktualisht së bashku me familjen e tij, gruan dhe tre fëmijët. Zvicra i njohu atij strehimin politik. Sylë Mujaj është njëherësh edhe piktor, edhe poet. Njeriu që prej dhimbjesh, prej mungesës së lirisë, krijoi vargje që të tronditin me forcën e tyre realiste e me fuqinë e tyre artistike, që depërtojnë deri në qelizat e trupit. Piktura e tij e krijuar, ashtu në heshtje e nën peshën e prangave, nga një copë laps i mprehtë e një letër cigareje–siç kujton autori, -një pikturë e lexueshme, por domethënëse: ajo përcjell me forcë tragjizmin e një populli të tërë nën peshën e dhunës: fatet individuale të njerëzve-numra, siç i ka cilësuar autori, ku ai bën pjesë edhe vetë, shprehin dhimbshëm shpresën e lirisë. I mbyllur në mes të betonit dhe hekurit, përmes hekurave, bashkë me dhimbjen dhe shpresën, ai herë me poezi e herë me pikturë, nëpërmjet artit të tij realist, pasqyron botën e tij të brendshme. Të gjitha këto ai i mblodhi në një libër, të cilin e paraqiti këto ditë në Lidhjen e Shkrimtarëve., portretet e njerëzve të tij të dashur, shokëve të burgut, të identifikuar me numra, nënës, babait e gruas që e priti për 10 vjet rresht, japin tragjedinë e tij individuale, si simbol i një kombi.

Sylë Mujaj ka ekspozuar punimet e tij në një varg ekspozitash, duke filluar nga viti 1992, kur ka marrë pjesë në ekspozitën “Psicologia delle prigioni jugoslave” (Psikologjia e burgjeve jugosllave) në Basel të Zvicrës e deri te ajo e fundit, ekspozita personale në Ambasadën e Kosovës në Austri. Brenda nkëtij harku kohor ai ka ekspozuar veprat e tij në dhjetëra ekspozita, herë kolektive e herë personale, në Zvicër, Kosovë dhe vende të tjera. Ai po ashtu ka qenë organizator dhe promotor i aktiviteteve të ndryshme artistike, si mbajtja e simpoziumit në përvjetorët e vdekjes së Aleksandër Moisiut në Lugano, themelimi i kolonisë art–turizëm “Kodra”, me qendër në galerinë re artit në Pejë etj. Krahas artit pamor, Sylë Mujaj ka pasion edhe poezinë. Në vijim, një ndër sprovat e tij poetike:

NGA KLINIKA “CASTEL ROTTO” 2018

Një jetë e mirë, dhurata e zotit,

Gati me mua n’ shërim,

Athua ajri dëshmi,

Pika loti,

Kur kalova vuajtjet,

Burgun,

Lëshova ëndrrat,

Lehtësisht,

Të lira,

Ishte rini, mbase ne vrapim,

Gjithmonë vinë ditë te mira,

Ikën vite, dekada, jam ne shërim,

Ka këtu jetë, ofshamat e mija,

Ashtu thoshim e mira e kombit tim.

Kaluan vite, prapë meditoj,

A ka jetë tjetër, apo ankim,

Se koha shkon, jetën jetoj,

Te gjitha t’ mira, ka shërim,

Eci kërrusur, pasuri te kaluara.

Rashë, ngritëm ne krevat klinike,

Ose pashë, ndjeva, preka ne kalim,

Te jem vetja është fisnike,

Te dalë e te jem n’ rrugëtim,

Dua t’ jem me ju sot e mot.

2 herë jam i fort gur,

0 përulem në shtrirje,

1 herë ngritëm ndeshëm në mur,

8 herë thashë se do jem, vetja në ngritje.

Ekspozita hapet të hënën, më 12 mars, në orën 18.00. Ajo qëndron e hapur nga 12 marsi deri më 23 mars në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, në këtë adresë : Zähringerstrasse 25, 3012, Bern./ KultPlus.com

Gratë e vrara të Kosovës në billbordet e HAVEIT

Duke ju referuar filmit “Three Billboards Outside of Ebbing, Missouri”, i cili ka fituar dy çmime Oscar këtë vit, vajzat e grupit Haveit, kanë krijuar tri billborde të ngjashme me filmin në Prishtinë, duke bërë një pyetje të vetme e cila në qendër të saj ka dhunën ndaj grave, shkruan KultPlus.

“Edhe sa thirrje të humbura?”, “Diana Kastrati” dhe “Zejnepe Bytyqi”, është shkruar në billbordet të cilat janë vendosur në rrugën Luan Haradinaj, ku gjendet edhe stacioni i Policisë së Kosovës . Billbordet e krijuara nga Haveit i referohen dhunës ndaj grave dhe vrasjen e Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqi, të cilat ishin vrarë nga bashkëshortët e tyre.

Raste këto të cilat kanë ardhur si rezultat i dështimi të sistemit të drejtësisë në Kosovës, i cili nuk ka reaguar më kohë për të shpëtuar viktimat, Diana Kastrati dhe Zejnepe Bytyqi, të cilat edhe kishin raportuar burrat e tyre në polici për dhunë fizike.

“Një shenjë në prag të derës për me u zgju me kujtimin e tyre e mos me mujt me flejt derisa të zdrit drejtësia”, është shënimi i grupit në faqen e tyre në Facebook.

HAVEIT (Alketa Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena, Arbërore Sylaj) është një grup prej katër grave të cilat tentojnë të shkojnë përtej kënaqësive të përditshme, rregullave morale dhe refuzojnë të bien dakord me çështjet që po servohen.

Ato nuk bëjnë asgjë përpos se tregojnë historinë e tyre dhe të juajën! Grupi është themeluar në 2011, në Prishtinë./ KultPlus.com

Reagon Rade Serbedezija, Luan Kryeziun e quan gënjeshtar

Aktori Rade Serbedezija ka reaguar pas deklaratave të regjisorit Luan Kryeziu, i cili ka thënë se është duke punuar në një film për Adem Jasharin. Kryeziu kishte thënë se aktori serb nga Kroacia, Serbedzija, është ofruar për ta luajtur rolin e Adem Jasharit, por se ky e ka hedhur poshtë këtë mundësi, pasi bëhet fjalë për një aktor serb. Për më tepër, në reagimin e tij, Serbedzija është pajtuar me kualifikimet e medieve serbe, të cilat e kanë quajtur kriminel heroin Adem Jasharin.

Ndaj këtyre deklaratave të cilat janë transmetuar gjerësisht në mediet e ish-hapësirës jugosllave e sidomos në ato serbe, ka reaguar aktori Rade Serbedzija, i cili njihet edhe për rolet e tij në Hollywood.

Serbedzija ka thënë se deklarata e Kryeziut është gënjeshtër duke thënë se ky regjisor vetëm ka dashur të marrë vëmendje. Madje, ai ka thënë se do të ishte e pakuptimtë që atij t’i ofrohej roli i Adem Jasharit, e për më të tepër do të ishte e pakuptimtë që ta pranonte një rol të tillë.

Serbedzija madje u ka dhënë të drejtë medieve serbe, të cilat në raportimet e tyre e kanë quajtur kriminel Adem Jasharin.

“Plotësisht është e pakuptimtë që mua të më ofrohet ta luaj atë rol, siç edhe është e pakuptimtë që kushdo të besojë që unë do ta pranoja një rol të tillë. Megjithatë, më vjen mirë që shumica e shtypit serb i ka vlerësuar drejt këto tregime”.

Më pas ai ia ka dërguar një porosi Luan Kryeziut.

“Nëse dëshiron me u marrë me art të vërtetë, ai regjisori i ri i filmit duhet ta dijë që e vërteta është kushti i parë për t’u bërë artist”, ka shkruar Serbedzija në reagimin e tij që ia ka dërguar televizionit të Beogradit N1, përcjell Express.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë deklaratën.

Deklarate lidhur me filmin shqiptar për Adem Jasharin

Lidhur me shkrimet në portalin Telegraf dhe me siguri edhe ne gazetat tjera, te cilat nuk i kam lexuar, pasi qe gjendem ne Los Angeles ku jam duke marrë pjesë ne filmimet e nje seriali televiziv dhe nuk kam kohe te merrem me intrigat e mediave, se kinse unë vet përmes mikut tim Enver Petrovcit i jam ofruar një regjisori të ri shqiptar të filmit që të luaj në filmin e tij për Adem Jasharin. Deklaroj se kjo është një gënjeshtër. Kjo është përpjekje e një regjisori të ri që të tërheq vëmendjen tek vetja dhe projekti i tij, duke keqpërdorur emrin tim.

Plotësisht është e pakuptimte që mua të më ofrohet t’a luaj atë rol, sic edhe është e pakuptimte që kushdo të besoj që unë do t’a pranoja një rol të tillë. Megjithatë më vjen mirë që shumica e shtypit serb i ka vlerësuar drejt këto tregime.

Atë regjisor të ri të filmit do ta porosisja se kam qenë shok i shumë aktorëve shqiptarë të mëdhenj, Bekim Fehmiut, Faruk dhe Istref Begollit, Enver Petrovcit dhe shume të tjerëve… dhe se të gjithë i mbaj në zemër dhe në kujtimet e mia, jo vetëm si aktorë të mëdhenj por si njerëz të ndershëm dhe të mirë, të cilët kanë qenë krenar dhe të sinqertë.

Nëse dëshiron me u marrë me art të vërtetë, ai regjisori i ri i filmit duhet ta dijë që e vërteta është kushti i parë për t’u bërë artist./ KultPlus.com

Nëna

Poezi nga Ismail Kadare.

Ne mbremje u kthye ai ne shtepi
i lodhur, i ngrysur, me traktet ne gji.

Mesnates se shurdher, se erret, se shkret’
do ngjise ai traktet kudo ne qytet.

-Mesnates ti sonte, o nene, me zgjo!
-Mir’, biri nenes, fli, bir! – tha ajo.

Ai si i vdekur ne gjume! ra pastaj
dhe nena mbi te nuk i ndan syte e saj.

Shikon ajo traktet dhe lutet mbi te
((Fli, biri i nenes, se ora s’eshte nje.))

Akrepi leviz, me ngadale leviz
pas perdesh, pas xhamash: e zeze nata pis.

Ne enderr ai buzeqesh e po sheh,
nje fushe te bukur, nje qiell pa re.

Dhe nena e tij me te bardha vallezon,
ne fushe te sahatit me dore tregon.

Akoma akrepi s’ka shkuar ne nje,
ndaj nena s’e zgjon, ndaj akoma po fle.

Por befas ne fushe u degjua qe larg
nje krisme perreth: trak a trak, trak a trak!

Dhe nena u zhduk si ne mjegull atje,
sahati i thyer sec ra permbi dhe.

I mbytur ne djerse u zgjua ai
((O nene)), dhe doren e vuri ne gji.

Atje trakte s’ka. ((O nene ku je!))
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin dite e re.

((O nene!)), por nena nuk eshte me perqark
diku mitralozi troket: trak a trak!

Dicka neper mendte atij shpejt I erdh’
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh.

Ne dor’ revolverin, ne rrugen e shkret’
vrapoi n’erresire, kudo ne qytet.

((O nene, o nene, o nene, ku je!!!!))
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje.

Vrapon, po nuk duket gjekundi ajo,
…((Ndal!)) ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo!

N’agim afer pyllit, ne an’ te nje perroi
pas drureve ai u mbeshtet e vajtoi.

…Qe biri te flinte i qete gjer n’agim,
mesnata per nenen s’do kete mbarim.

Ti flutur Nënë

Poezi nga Brikena Ceraja Beka.

Vite për vite Nënë
Festën tënde ta uroj në ëndërr
Vrapoj në tokën e premtume,
E mbjellur me lule
Trëndafilat e kuq i këpus,
Të bardhët i freskoj me lot
Ndalëm të të takoj
Por ti ikën si flutur, E plotësuar me aromën e luleve
Unë vrapoj pas fluturës
Në festën tënde, nënë,
ëndrra më gëzon
Ti flutur ma sjell aromën Nënë.

Mbrëmë në Hamam Bar u mblodhën 2340 euro nga artistët për Bekim Lumin

Nën moton Për Bekimin, mbrëmë në Hamam Bar Prishtina u mbajt një mbrëmje artistike me muzikë dhe stand up, nga artistët që kanë marrë iniciativën për të ndihmuar me vlerë monetare regjisorin e mirënjohur Bekim Lumi, për shërim nga kanceri, shkruan KultPlus.

Edona Reshitaj, Visar Kuçi, Art Lokaj, Fatmir Spahiu- Bufi, Dardan Islami, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi e mysafirë të tjerë u ngjitën në skenë për të bërë më atraktive këtë natë ku ishin mbledhur shumë artistë, miq e dashamirë të regjisorit Lumi.

Kjo mbrëmje mblodhi gjithsej 2340 euro për Bekim Lumin ndërsa kjo mbrëmje është në vazhdën e aktiviteteve Për Bekimin.

Ndërkohë javën që vjen do të mbahen edhe disa ngjarje tjera të cilat do të jenë me pagesë të volitshme por që këto shuma të mbledhura do të mund të krjiojnë një vlerë që do t’i dalë në ndihmë Bekimit./ KultPlus.com

“Pas çdo suksesi, ka një zhgënjim”

Poezi nga Nënë Tereza.

Mos harro se lëkura rrudhet,
e flokët mbulohen me borë;
Ditët bëhen vite…
por më e rëndësishmja
nuk ndryshon kurrë!

Forca jote e bindja jote s’njohin moshë.
Shpirti yt e shtrin pëlhurën e merimangës
që mosha ta endi mbi fytyrë!

Pas çdo pikarritje, ka një pikënisje.
Pas çdo suksese, një zhgënjim.
Përderisa je gjallë, gjallëro!

Në qoftë se të mungon çka bëje më parë,
bëje përsëri,
mos rri duke parë fotografi
të zverdhura nga koha!
Mos e lerë të ndryshket hekuri
që ke brenda vetes.

Sillu në mënyrë që, në vend të mëshirës,
të gëzosh respekt.
Kur të rëndojnë vitet e s’mundesh më të vraposh,
ec shpejt.
Kur s’do të mundesh as të ecësh shpejt,
ec!
E kur as të ecësh s’do të mundesh,
përdore shkopin e shko…
Veç për t’u ndalë,
ti kurrë mos ndalo!

Nëna e Rita Orës: Gëzuar Ditën e Gruas për të gjitha zonjat e mia atje

Sot në gjithë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas. Në këtë ditë të veçantë për gratë, vijnë edhe urime nga më të ndryshme të cilat padyshim i japin më shumë hijeshi kësaj dite.

Një urim të fuqishëm sot e ka bërë edhe nëna e këngëtares kosovare më famë botërore Rita Orës, Vera Ora. Vera, ka shkruar në rrjetin e saj Facebook, duke i uruar të gjitha zonjat për ditën e grave.

“Gëzuar Ditën e Gruas për të gjitha zonjat e mia atje. Gjëra të mahnitshme metalike të telit (ari dhe argjendi) janë bërë nga gratë me probleme sociale dhe ekonomike dhe janë të punuar me dorë duke përdorur një metodë tradicionale!”, ka shkruara Vera Ora, teksa ka publikuar një fotografi që i përshtatet mjaft mirë përshkrimit, pasi që, ajo ka një brosh me ngjyrë të argjend e të arit që është punë dore./ KultPlus.com

Sot 116 vite nga lindja e dramaturgut Ethem Haxhiademi

Më 8 mars 1902, në Elbasan lindi Ethem Haxhiademi, dramaturgu më i shquar i periudhës së pas pavarësisë, i pajisur me një kulturë të gjerë në Universitetet e Italisë, Austrisë dhe Gjermanisë, zotërues i disa gjuhëve të huaja.

Përveç detyrave më të larta si nëpunës shtetëror, ai ka lënë prapa dhe 7 tragjedi, dy vëllime me poezi dhe përkthimin nga latinishtja e “Bukolikëve” të Virgjilit./KultPlus.com