Bëje sidoqoftë!

Poezi e shkruar nga Nënë Tereza.
Përktheu: Agon Sinanaj

Në të shumtën e rasteve
Njerëzit janë të paarsyeshëm dhe egoist.
Fali, sidoqoftë.

Nëse jeni i mirë,
njerëzit mund t’iu akuzojnë
Se po e bëni për motive vetjake dhe të mëvonshme.
Bëhu i mirë, sidoqoftë.

Nëse jeni i suksesshëm,
do të fitosh disa miq të pabesë
Dhe disa armiq të sinqertë.
Bëhu i suksesshëm, sidoqoftë.

Nëse jeni i ndershëm dhe i sinqertë,
Njerëzit mund t’iu mashtrojnë.
Bëhu i ndershëm dhe i sinqertë, sidoqoftë.

Atë që keni krijuar me vite,
njerëzit, mund ta shkatërrojnë për një natë.
Krijo, sidoqoftë.

Nëse gjen paqe dhe lumturi,
disa mund t’iu xhelozojnë.
Bëhu i lumtur, sidoqoftë.

Të mirat që bëni sot,
do të harrohen shpejt.
Bëj mirë, sidoqoftë.

Jep gjithçka nga vetja,
Dhe nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme.
Jep gjithçka nga vetja, sidoqoftë.

Në fund të fundit,
kjo është mes teje dhe Zotit.
Nuk ka qenë kurrë mes teje dhe atyre, sidoqoftë.

Hapet aplikimi për Garat Ndërkombëtare të Muzikantëve të rinj ArsKosova 2018

Aplikimi për Garat ndërkombëtare të muzicientëve të rinj ArsKosova 2018 tashmë është hapur dhe të gjithë të interesuarit mund të fillojnë aplikimet e tyre, shkruan KultPlus.

Kjo garë e cila është një ndër garat më të rëndësishme në Kosovë për të apasionuarit pas muzikës do të mbahen në Prishtinë nga data 1-3 qershor dhe organizohen nga Fondacioni “ArsKosova”.

Në këtë edicion të 14-të të garave do të garohet në 19 disiplina ku përfshihen: Violinë, Violë, Violonçello, Kontrabas, Kitarë, Piano, Flaut, Klarinetë, Bas Klarinetë, Saksofon, Fagot, Oboa, Trompë, Trombon, Korna, Tubë, Muzikë Dhome(Kamertale), Solokëndim dhe Solfezh.

Të interesuarit mund të aplikojnë për të hyrë në garë në linkun më poshtë por edhe të zbulojnë më shumë mbi festivalin duke përcjellë vegzën e dhënë në fund të artikullit.

https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSeiFjhbq2jsToHrhyRhBQGLTZjwNRiX_dEHtcwsoVsH7ssDSw/viewform

Garat ndahen në 7 kategori nga mosha 5 deri në moshën 26. Ndërsa aplikimi zgjatë deri më 25 maj. / KultPlus.com

https://issuu.com/arskosovafoundation/docs/aida-informacion-mbi-konkursin-arsk

Krujë, qytet i bekuar

Poezi e shkruar nga Naim Frashëri.

Krujë, o qytet i bekuar,
prite, prite Skënderbenë!
Po vjen si pëllumb i shkruar
të shpëtojë mëmëdhenë.
Shqiptarët t’i shpëtojë
nga zgjedh’ e keqe e Turqisë
edhe ty të të nderojë,
që je kreu i Shqipërisë.
Ka pas trima shqipëtarë,
që s’u trembej syri kurrë,
në zemër të tij ka zjarrë,
është i urtë e trim, e burrë.
Mirë se erdhe, o verë
që na prure mirësinë,
dhe për shumë vjet të tjerë
e zbukurofsh Shqipërinë!…
O moj vash’ e Shqipërisë,
që më rri duke mejtuar,
pa i zhvish rrobat e zisë,
arriti dit’ e uruar.
Zbardhi fusha, ndriti mali,
nga armët e trimërisë,
hingëllin e s’mbahej kali,
që sill mbretnë e Shqipërisë.

Iliro- arbnorët, kontribuesit në periudha të ndryshme të historisë (FOTO)

Në shumë periudha të rëndësishme të historisë europiane, por edhe botërore iliro-arbnorët dalin të jenë kontributorët e saj, nuk është rastësi edhe kontributi i madh i Gjergj Kastriotit në mbrojtjen e civilizimit europian” , shkruan Gjon Keka për KultPlus.

Sipas Gjon Kekes, ky imazh nga kronikat e vitit 1877 me një iliro-arbnor që mbanë mbrapa shpine shqiponjën në sfond të kuq tregon për kontributin në vazhdimësi dhe të madh të tyre./ KultPlus.com

Paris (1608): Shpirtmadhi Skënderbe, edhe i vdekur, tmerronte dhe çorodiste muhamedanët supersticiozë

Në librin francez, të autorit Adrien de Boufflers, me titull « Le chois de plusieurs histoires et autres choses mémorables tant anciennes que modernes appariées ensemble, pour la plupart non encore divulguées », botuar në vitin 1608 nga shtëpia botuese mbretërore franceze, P. Mettayer, gjejmë një shkrim të rrallë, në faqet n° 102 – 103, dedikuar posaçërisht heroit tonë kombëtar, të madhit Gjergj Kastrioti.

Trimi shqiptar tashmë kishte ndërruar jetë. Kur turqit, e morën vesh, nuk vonuan të pushtonin Lezhën dhe të shkonin tek varri i luftëtarit legjendar që i kishte tmerruar për një çerek shekulli.

Në vijim, shkrimi i sjellur ekskluzivisht nga Aurenc Bebja, [Blogu Dars (Klos), Mat – Albania] :

Pasi Muhamedanët pushtuan qytetin e Lezhës, ku ishte varrosur Rrufeja e madhe e luftës, Skënderbeu, ata e nxorrën trupin e tij nga varri për të parë të vdekur njeriun që i kishte bërë të largoheshin të tmerruar qoftë dhe vetëm me përmendjen e emrit të tij.

Të afruar pranë kockave të tij, këta ndiheshin të lumtur që mund t’i preknin, ose të paktën t’i admironin. Edhe krerët dhe komandantët morën monedhat e arit dhe të argjendit, e i mbanin ato me nderim të madh sikur të ishin diçka e shenjtë (hyjnore) duke besuar seriozisht se mbajtja e këtyre relikeve do t’u sillte atyre lumturi ashtu si qiejt kishin vepruar për Skënderbeun.

Bëmat e Skënderbeut në luftë nuk janë admiruar vetëm nga kapitenët Muhamedanë, por edhe nga vetë perandori (sulltani) Mehmet, i cili për të imituar princin shqiptar, përdori shpatën e tij pas vdekjes, duke menduar se do të bënte të njëjtat bëma me dorën e tij kundra të Krishterëve, të përjetonte të njëjtën eksperiencë si Mbreti i Epirit, por këto tehe nuk prenë ndaj të Krishterëve.

Virtyti nuk vinte aspak nga shpata, por nga energjia nervore e krahut dhe dorës së shpirtmadhit Skënderbe, i cili e përdorte atë për të flakëruar mohuesit. “

Një vogëlushe si Dua Lipa (FOTO)

Këngëtarja nga Kosova, Dua Lipa ka lindur më 22 gusht të vitit 1995. Vetëm 22 vjeçare dhe po arrin që të prek majat e suksesit, duke u bërë një nga femrat më të suksesshme në industrinë e muzikës, shkruan KultPlus.

Dua Lipa po mahnit botën me këngët e koncertet e saj. Kohëve të fundit kemi parë mjaft shumë imazhe të Dua Lipes në skenë dhe jashtë saj. KultPlus sot ju sjellë një imazh më ndryshe. Në këtë fotografi të postuar nga Micky Haxhiislami, shohim imazhin e Dua Lipes si fëmijë./ KultPlus.com

Festa mbarëkombëtare për Skënderbeun në Durrës, mesazhe të veçanta nga arbëreshët

Në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Bashkia e Durrësit dhe shoqata kulturore Smat me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës organizuan “Festën për Gjergj Kastrioti Skënderbeun në ditën e lindjes së tij’.

Ky aktivitet dy ditor që zhvillohet në Bashkinë e Durrësit dhe në kepin e Rodonit, u organizuar nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako.


>

Delegacioni i përbërë nga rreth 50 vetë nga komunat arbëreshe të Italisë, Casalvecchio dhe Chieuti, të veshur me kostume popullore dhe duke kënduar këngë të vjetra shqip kanë çelur këto festime në sallën e këshillit bashkiak të Durrësit për të vijuar më pas edhe sheshin Liria.

Në këtë ceremoni delegacioni është pritur nga drejtori i kabinetit të bashkisë së Durrësit Lavdosh Beqiraj dhe drejtori i arsimit dhe kulturës Adrian Gurra të cilët i kanë uruar mirësardhjen arbëreshëve të Italisë dhe kanë vënë theksin në thellimin e mëtejshëm të shkëmbimeve kulturore midis arbëreshëve të Italisë dhe Durrësit për të cilën shërbeu edhe kjo festë dy ditore për nder të Skënderbeut që i bashkoi në Durrës shqiptarë nga të gjitha trevat ku ata ndodhen.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe dy kryetarët e komunave arbëreshe, kryetari i komunës Casalvecchio, Noe Andreano dhe kreu i komunës Chieuti, Diego Iacono./ ATA/ KultPlus.com

Gosti në natën e parë të vjeshtës: Fantazma e librit që do merrte zjarr

Shkruan: Rrona Jaka

“Gosti në natën e parë të vjeshtës” është një roman i cili i fton në një gosti të gjitha personazhet nga Klubi i të shëmtuarve, por këtë herë duke e vënë theksin te kriza e marrëdhënies mes Krijimit dhe Krijuesit, personazhit dhe narratorit apo veprës dhe autorit të saj. Romani përqeshë dhe ironizon jetën publike karikatureske të vendit, me personazhe dhe përshkrime që duken të ekzagjeruar, por që dalin të vërteta me disa hetime të vogla. Romani fillon me një fjali të shkapërderdhur në të gjithë faqen: Jeta është rrëfim … i shkatërruar … bërë copë-copë … brutalisht … Nuk mund të jetë ndryshe! Një fjali e cila tregon atmosferën që do të mbretërojë gjatë gjithë librit.

E gjithë vepra zhvillohet rreth asaj se si Cen Berisha planifikon të heqë dorë nga letërsia dhe ta shkatërroj një herë e mirë dorëshkrimin që veç zë pluhur mbi tavolinën te studioja e punës. Kurse gostia apo gostarët janë veç një tjetër përkujtim se pse ai kishte vendosur të hiqte dorë nga gjithë kjo katrahurë. Gjatë gostisë, në të cilën detyrohet të marrë pjesë për shkak të grua, ai trajton tema të ndryshme me të ftuar të ndryshëm. Tema si: korrupsioni, dashuria, martesa, komplekset rreth seksit, përvetsimi i artit deri në pikën ku arti është bërë sinonim i jovlerës, heronjtë e rremë, heronjtë e sforcuar të bëhen heronj, e ndërtojnë atë marrëzinë që është bërë sistem.

Në këtë libër nuk kursehet askush: edhe shprehjet që përdoren për të treguar respekt dhe mirënjohje si “profesori i nderuar”, “shkrimtar brilant” apo “atdheu ynë i dashur” bëhen pjesë e ironisë së lojës brenda një shoqërie tërësisht snobiste.

I rrëfyer mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, ky roman na bënë shumë të vështirë t’i përgjigjemi pyetjes se kush është narratori i kësaj historie. Vepra është e shkruar në vetën e tretë dhe shumë shpesh duket që kemi një narrator të gjithëdijshëm i cili rrëfen pa përfshirje emocionale brenda ngjarjes, por ndonjëherë kjo ndryshon komplet.

Në më shumë se dy raste narratori personifikohet me personazhin kryesor të veprës dhe flet si ai ose si prodhim i tij. Fillimisht kemi rastin e tualetit: në këtë skenë gostia ka filluar, miqtë kanë ardhur dhe për një çast Ceni kërkon leje dhe shkon në tualet, është tamam kjo pjesa kur ai fillon t’i drejtohet narraterit në veten e parë.

Pak më vonë ndryshon raporti mes personazhit dhe narratorit ku rrëfimtari i drejtohet Cenit me “Krijuesi im”. Narratori shprehet kështu për Cenin: …ka mundësi që inteligjenca ime prej rrëfimtari të papunë të jetë si pasojë e traumave të krijuesit tim.

E njëjta ndodh gjatë përshkrimit të të ftuarve ku narratori shprehet kështu: …mendimet për ta, që po vazhdoja t’i nxirrja nga depot e mëdha të kujtesës së Krijuesit tim (pra Cenit) i ndërpreu gjëmimi i një melodie tekno.

Dhe krejt në fund shohim një zhvillim të ri të marrëdhënies krijim-krijues. Krejt në fund narratori, ose ai të cilin po e quaj “fantazma e librit që do të digjej”, miklohet më shumë me Cenin dhe e quan “babi”. Narratori shprehet kështu: Babai nuk e kishte pëlqyer vetëbesimin dhe vendosmërinë e saj.

Rolet ndërrohen aq shpesh sa në fund narratori heq dorë dhe e lë fatin e rrëfimit në duart e Cenit duke thënë: Për dorëshkrimin ai ishte zot. Prandaj edhe Zoti bën ç’të dojë me këtë gjithësi tutkune.

Gjithsesi, pavarësisht se kush është narratori, kjo lojë metafiktive bëhet fillimisht për ta arritur efektin e ironisë dhe për ta futur në lojë edhe lexuesin.

Ky roman me anë të temës e tërheq lexuesin semantik kurse me anë të stilit e tërheq lexuesin semiotik. Romani sintetizon temën e dashurisë dhe të luftës me anë të donkishotizmit ironik që huazohet nga jeta reale.

Historia zhvillohet mes dashuriçkave të Cenit, herë me Jetën, herë me Letën e herë me Anitën, duke treguar detajet të shumta për to dhe karakteret e tyre. Ndonëse shihet qartë që të tria janë personazhe të ndryshme, të gjitha e tërheqin Cenin me të njëjtat stile duke na dhënë tiparet pas të cilave joshet Ceni. Të tria gratë janë të bukura, të çmendura pas artit në mënyrën e tyre dhe ambicioze për të arritur më shumë nga sa ua lejon mendësia ku jetojnë.

Ndërkohë as Cen Berisha nga ana tjetër, në rolin e personazhit kryesor, nuk e fiton asnjëherë simpatinë e lexuesit. Ndjenja e superioritetit dhe e përçmimit që ka ndaj të gjitha personazheve të tjera, nuk e bënë atë më të mirë se ata, veç tregon mendje ngushtësinë dhe problemet që ka me vetveten. Ai portretizon intelektualin të cilin dija dhe leximet s’e kanë ndihmuar që të bëhet më mendje hapur, veç ja kanë krijuar deluzionin e të qenit “një ujk i vetmuar” në një betejë donkishotiste kundër personazheve që nga këndvështrimi i tyre janë tamam si ai. Edhe ata, tamam si Ceni janë të shtyrë nga kompleksi i viktimës që i bën të alienizohen nga secili. Për këtë arsye Ceni është personazhi perfekt për të parodizuar një shoqërie snobiste ku në të vërtetë të gjithë janë “të shëmtuar” por kjo s’i ndalon t’i sulmojnë “të shëmtuarit” e tjerë. Në fakt një pjesë nga ky libër tregon shumë mirë atë se si qëndrojnë personazhet mes vete: Na ishte një herë një Mut i madh, në një Kongres të Madh Patriotizmi, që doli në foltore dhe iu drejtua një muti tjetër duke i thënë: Ti je mut i madh!.

Personazhe të tjera si: Muja, Muharremi, Dalip Thtr., Arsimi, Shendi, Xhaviti, Armendi, etj janë personazhe të tipit që dinë pak e shesin mend shumë, të paktën kështu portretizohen nga personazhi kryesor. E vërteta është se libri na e imponon mendimin për ta ngaqë jepet veç një dimension i tyre dhe jo dhe aq histori për ta (background story) sa të mund t’i lihet lexuesit të vlerësojë se kush shtiret (kush është fake) e kush jo. Në këtë pikë kemi një narrator që s’mund t’i zihet besë (unreliable narrator) dhe nuk jemi të detyruar t’i marrim si të mirëqenë vlerësimet një-dimensionale për personazhet e tjera.

Ky libër është, po ashtu, edhe një kritikë për vet fondacionin e artit. Kemi të bëjmë me personazhe që pajtohen që arti është subjektiv, por prapë insistojë që subjektiviteti i tyre është më i vërteti. Sulmohet edhe kritiku për të cilin gjithçka lidhet me seksin edhe pse përballja me tekstin nuk të çon çdo herë te ai interpretim.

Kritikohet edhe skenaristi e dramaturgu për të cilët arti është veç mjet për të arritur te paraja.

Ndërsa pjesët filmike dhe teatrore, që janë episode nga koha e para dhe pas luftës, shërbejnë veçanërisht për ta kompletuar ngjarjen dhe për të ngritur paralele mes të tashmes dhe të shkuarës.

Gjithsesi, në fund të fundit dorëshkrimi nuk shkatërrohet. Këtë mund ta marrim si kodifikim të asaj që arti do të mbetet “historiani” më i mirë për t’u treguar të rinjve se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.

Rënkimi i dorëshkrimit që duhej të digjej është më e fort, ai i reziston zjarrit dhe në vend të saj digjet gjithçka tjetër përreth

Si përfundim mund të themi që ky është një roman ngacmues ku ridikulohen skajshmërisht të metat qenësore të karakterin njerëzor duke e nxjerrë atë si jo perfekt.

Romani është ndërtuar me teknika postmoderniste të rrëfimit dhe i kërkon lexuesit të rrijë i vëmendshëm gjatë gjithë kohës pasi ëndrra dhe e realiteti e zëvendësojnë njëra-tjetrën në punë sekondash.

(Gosti në natën e parë të vjeshtës, Gëzim Aliu, Shtëpia Botuese PARNAS, Prishtinë, 2017)

Shtegu më i bukur i Shqipërisë, mbresat e një turisti nga Thethi në Valbonë

Nëse po mendoni të shkoni ekskursion në Shqipëri nga Thethi në Valbonë, atëherë ky postim është për ju, shkruan wanderlustingk.com.

Unë jam një ekskursionist amator që vendosa të bëj ekskursionin tim të parë ditor kur isha në Shqipëri. E pranoj se ekskursioni nuk eci aq mirë sa do të doja, sepse përfundova duke mbajtur çantën time të madhe të shpinës. Sidoqoftë, jam shumë i gëzuar që vendosa të bëj ekskursion në Shqipëri. Pamja është e mrekullueshme. Ky postim përmban këshilla për ecje më këmbë nga Thethi në Valbonë, çfarë të merrni me vete dhe çfarë të presësh nga shtegu më i famshëm shqiptar i marshimit.

Nuk është e mundur të marshosh nga Thethi në Valbonë gjatë gjithë vitit për shkak se qafa e malit ka akull në dimër – madje as me makinë nuk mund të shkosh nëpër rrugën e rrezikshme për në Theth. Nëse do të ecësh nga Thethi në Valbonë, duhet të shkosh gjatë muajve të verës. Ne shkuam në shtator, por kishim ndjesinë e verës. Nuk kërkuam udhërrëfyes, pasi shtegu ishte i lehtë për t’u ndjekur dhe çdo ekskursionist mund të ecte përpara. Nëse je vetëm, duhet të gjesh bashkudhëtarë të interesuar për udhëtim që në bujtinë përpara se të nisesh për në Theth.

Mirë është të shohësh parashikimin e motit pasi ky marshim është shumë i rrezikshëm në stuhi pasi je duke u ngjitur në malet më të larta në Shqipëri. Mirë është të harxhosh edhe një ditë në rast se moti është i keq.

Nuk ke pse ta bësh vajtjte-ardhje, prandaj është më mirë të planifikosh udhëtimin tënd duke u nisur nga Thethi dhe ecur drejt Valbonës përpara se të vazhdosh më tutje. Itinerari më i zakonshëm është të shkosh në Fierzë me makinë ku të marrësh tragetin përgjatë liqenit të Komanit përpara se të marrësh rrugën për në Shkodër megjithëse në verë nga/për në Valbonë ka edhe autobusë. Mund të marrësh autobusin për në Gjakovë, Kosovë. Nga Valbona mund ta organizosh me lehtësi udhëtimin duke diskutuar plane me pronarët e hoteleve.

Gabimi më i madh që bëra duke ecur në shtegun nga Thethi në Valbonë, dhe që ju këshilloj të mos e përsërisni: Të mbash një çantë 50 kilogramëshe me vete.

Megjithëse kjo mund të mos jetë problem për dikë me më shumë përvojë si marshues, është e nevojshme të mbash çantën e shpinës nga Thethi në Valbonë në qoftë se nuk ke ndër mend të kthehesh në Shkodër pasi të kesh mbaruar ekskursionin. Do t’ju rekomandoja të mbani një çantë të vogël ditore me ca rroba për t’u ndërruar për nja dy ditë-dhe ta përdorësh këtë për rrugë. Isha me fat që pata shokë të mirë të cilët më ndihmuan me çantën, por marshimi me të gjitha pajisjet nuk është i lehtë nëse e ke për herë të parë.

Çfarë duhet të marrësh me vete për udhëtimin tuaj nga Thethi në Valbonë?

Aparatin fotografik

Një palë atlete

Krem sepse do të jesh në kontakt me diellin për një pjesë të mirë të udhëtimit

Veshje për marshim dhe rroba për t’u ndërruar

Një shishe me ujë

Bukë

Lekë për katër ditë qëndrimi në hotel, ushqim dhe transport (me 130 euro mbaron punë më siguri për dy vetë)

Një çantë e vogël

Rruga për në Theth

Për të shkuar në Theth u desh të merrnim një makinë të përbashkët dhe ta ndanim me katër udhëtarë të tjerë. Kemi paguar rreth 40 euro për të shkuar nga Shkodra në Theth. Ju mund ta organizoni këtë udhëtim në mënyrë të tillë që të jeni sa më fleksibël dhe të ecni më shumë për në Theth, një nga perlat e pazbuluara të Shqipërisë. Unë do t’iu rekomandoja të rrinit edhe një ditë më shumë për të shijuar Syrin e Kaltër të Thethit, si dhe të pushoni nëse nuk jeni mësuar të ecni më këmbë për dy ditë rresht.

Na u deshën rreth 8 orë së bashku me një sërë ndalesash. Kishim dëgjuar për njerëz që e bënin rrugën për 3-4 orë, megjithatë ju duhet të jeni një person që ecën shpejt dhe i sigurt. Realisht duhen rreth gjashtë orë me më pak ndalesa, megjithatë kjo ishte mënyra më relaksuese për të shkuar atje. Rruga është e qartë dhe gjatë sezonit të verës mund të pyesni njerëzit që zbresin shtegun për të treguar drejtimin e duhur.

Rruga nga Thethi në Valbonë është rrugica që përshkon pjesën malore të Shqipërisë (dhe zonës përreth) pëpara se dalësh në rrugën e shtruar. Ende nuk ekziston një rrugë midis këtyre dy zonave, kështu që nëse nuk je i sigurt për mbartjen e sendeve, mund të punësosh dikë që të t’i sjellë me mushkë. Ju duhet ta organizoni më herët këtë përpara se të niseni edhe pse mund të shihni disa njerëz me mushka afër fundit të udhëtimit.

Na thanë se uji në këtë zonë ishte i sigurt dhe vinte nga burimet malore, prandaj mund të pini nga burimet që hasni gjatë ecjes. (Sigurohuni që të pyesni vendasit në rast se diçka ndryshon!) E mbusha ujin përpara se të niseshim, megjithatë kishte edhe burime të tjera me ujë të freskët gjatë udhëtimit tonë në ngjitje, por edhe në zbritje. Kjo na e lehtësoi ecjen duke qendruar të hidratuar pa qënë e nevojshme për të mbartur sasi të madhe të ujit me vete.

Pikënisja ishte nga një kodrinë që të çonte përreth një pylli. Ne arritëm pranë një burimi që ndodhej në kafenenë e parë gjatë gjysmës së rrugës që të çonte në kodër, i përsosur për një pije të ftohtë.

Pasi arritëm në majë të kodrës së pyllëzuar, ne vazhduam të ecnim përmes një lugine të bukur alpine me pamje panoramike të luginës përpara se të uleshim në një kafene që shërbente byrek dhe kafe (në rast se harroni mëngjesin si unë). Kafeneja ofronte një pamje mahnitëse të maleve.

Duke u nisur nga kjo pjesë e rrugës, gjatë udhëtimit për në kodër jeni të ekspozuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë ndaj dritës së diellit derisa të arrini në majë.

Rruga drejt majës së Valbonës sa vjen dhe ngushtohet, edhe pse mund të përshkohet nga dy persona përkrah njëri-tjetrit. Sigurisht që është sfiduese kur arrihet në këtë pikë, pasi rruga bëhet mjaft e pjerrët. Sapo të arrini majën e Valbonës, do të keni mundësinë të gjeni një pikë vrojtimi opsionale në krye, duke i lënë çantat tuaja pranë një shkëmbi të qëndrueshëm. Kur arritëm në majë, gjatë orarit të drekës hëngrëm djathrat që solla nga Holanda. (Nëse keni lek me vete , mund të ndaloni në kafenet aty rrotull dhe të porosisni byrek.)
Nga maja e Valbonës , rruga poshtë është dredha-dredha dhe me rrëpira me gurë të rrëzuar.

Unë personalisht në të vërtetë e kam të vështirë të eci në kodrat e rrëpira pasi jam një person me pak me përvojë në këto lloj ecjesh , megjithatë kjo pjesë e udhëtimit do të bëhej shumë shpejtë me ndihmën e shkopat e hiking (për ata që janë më pak të sigurt).

Bashkëshorti im nuk pati asnjë problem me këtë pjesë të rrugës dhe praktikisht e zbriti me vrap malin, megjithatë pamjet përpara se të zbrisnim ishin mahnitëse. Në retrospektivë, unë jam i kënaqur që nuk e bëmë më këmbë rrugën nga Valbona në Theth, por u ngjitëm në kodër përmes rrëpirave duke na lehtësuar kthimin në zbritje.

Fundi i udhëtimit

Pasi mbërritëm, ne qëndruam në hotelin “Margjeka” në Valbonë. Ky hotel, i drejtuar nga një grua gjermane, kishte ushqim fantastik dhe një staf tepër miqësor. Nuk kishte shumë opsione në Valbonë, kështu që nëse do të shkosh gjatë sezonit të verës, unë do t’iu rekomandoja të bënit një prenotim të hershëm ose mund të merrni me vete çadrën dhe të kurseni para. (Çmimet e hoteleve në Valbonë janë më të lartat nga ato që pashë në Shqipëri.)
Kur të keni arritur në pjesën më të rrëpirët të rrugës dhe të keni ecur pak përmes një zone të pyllëzuar do të gjeni një kafene tjetër me pije të ftohta. Nëse vazhdoni të ecni do të shihni një fshat përpara se arrini përgjatë një lugine të sheshtë me pamje mahnitëse të Valbonës. Hotelet ndodhen më tej duke ecur përgjatë të njejtës rrugë./ ATA/ KultPlus.com

Ilir Meta: Arbëreshët frymëzojnë çdo shqiptarë

Presidenti shqiptar Ilir Meta, ka pritur në takim shoqatën “Vorea” të arbëreshëve të Italisë me qendër në Frascineto, shkruan KultPlus.

Këtë takim Meta, e publikoi edhe në rrjetin social Facebook, duke thënë se është një takim i ngrohtë vëllazëror me tre gjenerata arbresh.

“Mbresëlënës takimi i ngrohtë e vëllazëror me tre gjenerata arbëreshe. Përkujdesja e tyre për të ruajtur e përcjellë brez pas brezi, gjuhën e mrekullueshme shqipe, ritet, kulturën e traditat tona të spikatura dhe në veçanti për të lartësuar figurën e Skënderbeut, frymëzon çdo shqiptar. Mirënjohje për punën e palodhur të shoqatës “Vorea” me qendër në Frascineto, që promovon vlerat tonat kombëtare e punon prej vitesh për ripërtëritjen dhe fuqizimin e marrëdhënieve të arbëreshëve të Italisë me Shqipërinë. Ju uroj një të diel të mbarë miq!:, ka shkruar presidenti Ilir Meta./KultPlus.com

Përfundon edicioni i parë i festivalit “Prishtina Arts and Architecture Festival”

Alberina Haxhijaj

Të premten në kuadër të “Prishtina Arts and Architecture Festival” është bërë ndarja e shpërblimeve për kategoritë të cilat kanë qenë në gara, ndërsa mbrëmë është bërë mbyllja e festivalit, shkruan KultPlus.

Hapja e festivalit është bërë me sfilatën e kreacioneve nga studentët e Fakultetit të dizajnit dhe modës, të mentoruar nga kreatore e njëkohësisht edhe profesoreshat në Universitetin AAB, Krenare Rugova dhe Albulena Borovci. Ndërsa gjatë dy netëve të para të festivalit janë shfaqur edhe 14-të filma pjesëmarrës. Në kuadër të festivalit është organizuar edhe konferencë e arkitekturës dhe po ashtu është mbajtur edhe një koncert i muzikës akuzmatike, kompozitore Donika Rudi.

Kurse festivali është përmbyllur mbrëmë, ku janë paraqitur veshjet autoktone të Kosovës, shoqëruar nga prezantimi-tradita e përgatitjes së ushqimit tradicional dhe degostimit. E po ashtu edhe me vizita të organizuara në Muzeun e Kosovës dhe në Zonën historike të Prishtinës.

Koordinatori i Festivalit, Zija Rexhepi, theksoi se ky festival edhe në edicionet e ardhshme do të vazhdojë që në qendër të tij të ketë studentët.

“Rëndësia e këtij festivali qëndron të fakti se ky është festivali i parë mbase edhe në rajon që i përket studentëve dhe pasqyron pikërisht punën e studentëve. Realizimi i tij ka qenë i vështirë mirëpo që në fillim kemi arritur që të tejkalojmë kufijtë lokalë dhe të kemi punime të studentëve edhe nga vendet e tjera si nga Slloveni, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia. Ndërsa shpresojmë që në edicion e ardhshëm do të kemi pjesëmarrje edhe më të madhe të studentëve pasi që komentet që kemi marrë për këtë edicion janë mjaft pozitiv”, tha ai për KultPlus.

Në kuadër të këtij festivali të premten është bërë edhe ndarja e çmimeve për kategorinë e filmit ku çmimi kryesor u ndanë për tre filma. “Për ty atdhe”, i studentit Fitim Rrustemi, “Një ditë dimri në Blinajë”, nga studenti Valon Demiçi si dhe “Cistocs”, nga Neven Smarozic.

Më mirënjohje u shpërblyen edhe pjesëmarrësit në konferencën e arkitekturës e cila u organizua në kuadër të festivalit. Ndërsa çmimin për kategorinë brendingu më i mirë, e fitoi Çlirimi Vokshi. Në kategorinë diploma më e mirë në dizajn të interierit fitoi Arbenita Mehmeti ndërsa diploma më e mirë në kategorinë e arkitekturës i takoi Selman Sejdiut.

Tematika e festivalit për këtë vit ka qenë “Tingulli i vendit” ndërsa vitin tjetër tema do të jetë “Dashuria dhe urrejtja”.

Dekanja e Degës së Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, Burbuqe Berisha, e cila ka qenë një nga seleksionueset e filmave që u shfaqën në kuadër të festivalit, e sheh këtë festival si një mundësi të mirë për të nxitur prodhimin e filmave nga ana e studentëve. Diçka e cila sipas saj do i testojë edhe njohurit që ata i mbledhin gjatë studimeve.

“Kemi kontaktuar me shkolla të ndryshme dhe kemi zgjedhur filma kryesisht nga rajoni. Diçka që e kemi njohur si kinematografi prandaj edhe qasja ndaj tyre dhe thirrja ka qenë më e lehtë. Mendoj që kemi pasur një përzgjedhje shumë të mirë dhe ajo që është edhe më e mirë është fakti se studentët kanë pasur prurje të mira. Në Kosovë kemi mundësi përmes festivaleve që të shfaqim filma madje në një kohë ka qenë një lloj “Festivalo manie” sa i përket shfaqjes mirëpo të ne është problem prodhimi. Prandaj kënaqësia më e madhe është kur ka çfarë të prodhohet dhe kur ka se çfarë të shfaqet. Duke u bazuar në këtë ky festival është një promovim shumë i mirë për punën e studentëve por edhe për krijim e kontakteve me kolegë përmes filmit”, u shpreh ajo për KultPlus.

Pas edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit, ky është festivali i dytë që po organizohet nga Universitetit AAB. Edicioni i parë i festivali “Prishtina Arts and Architecture Festival” – PAAF 2018 këtë vit është mbajtur nga 3-5 maj./ KutlPlus.com

Trump dekoron Nexhmije Pagarushën

Donald Trump ka dekoruar këngëtaren e njohur shqiptare, Nexhmije Pagarusha, e cila jeton e punon në Prishtinë.

Ceremonia e dorëzimit të medaljes së Presidentit amerikan bëhet sot në Tiranë nga një aktivitet ku përveç Pagarushës, merr pjesë edhe Presidenti Ilir Meta dhe diplomatë të ambasadës së SHBA-së.

E ngulitur në mendjen e spektatorëve për këngën e famshme “Zambaku i Prizrenit”, Nexhmije Pagarusha mbledh sot në Tiranë në ditën e 85-vjetorit të saj, figura të rëndësishme dhe intelektualë.

Sot pasdite, Unioni i Gazetarëve Shqiptare dhe shoqata e njohur nga Elbasani RessEgnatia zhvillojnë një takim ku merr pjesë edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, shkruan Te Sheshi. Natyrisht e pranishme në aktivitet do të jetë edhe diva Nexhmije Pagarusha , së cilës do t’i dorëzohet medalja nga autoritete të ambasadës amerikane në Tiranë./ KultPlus.com

“Një jetë në tri botë” i Arben Braçe do të promovohet nesër në Tiranë

Nesër në librarinë “Tirana Times”, do të promovohet romani “Një jetë në tri botë”, i autorit Arben Brace, shkruan KultPlus.com

Lidhur me librin, në këtë promovim do të flasin botuesja e Toena-s, Irena Toçi- botuese e Toena-s, akademiku Artan Fuga, shkrimtarja Vera Bekteshi, shkrimtari Kleo Lati, kryetar i SHPP-së- Simon Miraka dhe autori i librit – Arben Braçe.

Ky libër u kushtohet të gjithë atyre që kanë vuajtur pasojat e një sistemi politik të papërshtatshëm dhe të një drejtësie të korruptuar. KultPlus ju sjellë një fragment të librit.

… gjithë jetën e vështirë që kishte kaluar, njerëzit kishin qenë makthi i tij. Ishte deri në kockë i zhgënjyer. Nga shtëpia nuk kishin mundur ta nxirrnin as në kohën e diktaturës. Tashmë s’ishte veçse një i moshuar. I kishte kaluar të tetëdhjetat. Nuk kishte kohë të priste drejtësinë e vonuar. Kishte jetuar në tri botë të ndryshme, shumë të ndryshme, tri botë që mund të çmendnin çdo gjeni, që nuk ngjasonin askund me njëra-tjetrën. Në trupin dhe në shpirtin e tij ishin zhvilluar eksperimentet më të çuditshme, sepse në vendin e tij eksperimentet sociale ishin krejtësisht të lejueshme. Jeta në botën ku ai kishte jetuar për dekada me radhë, përbënte truallin ku ushtroheshin “shkencëtarët e praktikës shoqërore”, të cilët i trajtonin si kavje në Laboratorin e Madh, pa u merakosur asnjë grimë për vuajtjet e tyre. Edhe atëherë kur ishte dukur sikur eksperimenti kishte përfunduar, duke pritur komunizmin që nuk do të vinte kurrë, mbi shpinën e tyre kishin hedhur “terapinë e shokut”, si një eksperiment tjetër në vazhdën e eksperimenteve të pafundme…

Libri do të promovohet nesër , më 7 maj duke filluar nga ora 18:30, në librarinë “Tirana Times”./ KultPlus.com

Kosovarja refugjate konkurrente për më të bukurën e Anglisë (FOTO)

Një doktoreshë frymëzuese dhe modele, familja e së cilës ka ikur nga lufta e Kosovës për në Manchester si refugjatë, do të konkurrojë për t’u bërë Miss Anglia e ardhshme.

Fatime Gashi është në garë për kurorën kombëtare pasi fitoi konkursin e Miss Manchester, transmeton Koha.net. 21 vjeçarja, studente në universitet dhe vullnetare e bamirësisë, e “shokoi” jurinë me pamjen e saj mahnitëse dhe mesazhin e saj frymëzues që thotë “çdo herë që ndihmoni dikë, jeni një hero”.

Bërja Miss Manchester erdhi si një goditje e madhe për Fatimen, e cila hyri në këtë konkurs në minutën e fundit pasi një tjetër konkurrente është larguar, raporton Manchester Evening News.

Fatime ishte vetëm dy vjeçe kur familja e saj në vitin 1999 si refugjatë filloi jetën e re në Manchester, saktësisht në Salford.

Ajo është në gjysmën e rrugës për të diplomuar në biomjekësi në Universitetin e Salfordit dhe jeton me babanë e saj Demushin, instruktor i vozitjes, nënën Qefseren, e cila punon për Amazon dhe me vëllanë dhe motrën e saj, të dytë më të vegjël se ajo.

“Manchester më ka dhënë shumë dhe ndjehem sikur kjo është rruga ime për t’ia kthyer qytetit tim. Kjo ende është sikur një ëndërr”, ka thënë Fatime pasi mori kurorën e Miss Manchester.

“Ç’kemi, Albanian”, titulli i prestigjiozes “The New York Post”

Shkollat e qytetit të New Yorkut ofrojnë mësime në disa gjuhë dhe të enjten e javës që po lëmë pas – në atë që zyrtarët thanë se po ndodh për herë të parë në SHBA – gjuha shqipe i është shtuar kësaj liste.

Janë rreth 60,000 banorë me prejardhje shqiptare që jetojnë në shtetin e New Yorkut, më shumë se në çdo shtet tjetër amerikan, sipas një studimi të vitit 2015 të Qendrës së Harvardit për Zhvillim Ndërkombëtar, transmeton Koha.net.

Më shumë se gjysma e tyre jetojnë në qytetin e New Yorkut, ndërsa enklavat më të mëdha janë të vendosura nëpër lagjet e Bronxit, si Pelham Parkway, Morris Park, Bedford Park dhe Belmont.

Shkolla “PS 105” në Morris Park do të jetë shkolla e parë me programin udhëzues dygjuhësor shqip-anglisht. Këshilltari i Bronxit, Mark Gjonaj, shqiptar i gjeneratës së dytë në SHBA, ka thënë se është krenar që ka punuar për realizimin e këtij programi.

E për këtë arsye, gazeta prestigjioze amerikane “The New York Post” ka shkruar këtë artikull në një prej faqeve të saja të numrit të shtypur, me titullin “Ç’kemi, Albanian”.

Shkrimtarja e njohur shqiptare humb djalin e vetëm, ky është mesazhi prekës i saj

Shkrimtarja e njohur Flutura Açka ka ndarë me miqtë e saj në rrjetet sociale lajmin e rëndë dhe të trishtë, të ndarjes nga jeta në një moshë fare të re, në lule të rinisë, të djalit të saj të vetëm, pas një sëmundje të rrallë që e kishte prekur kohët e fundit.

Shkrimtarja pohoi se ceremonia mortore do të mbahet me një rreth të ngushtë familjar e shoqëror në Utrecht të Holandës, vend ku jetonte prej vitesh djali i saj.

Miqtë e mi,
Mbrëmë, në një orë të vonë të natës, u nda nga jeta Biri im i vetëm, Jerin van den Brink, në të tetëmbëdhjetat e tij, prej një sëmundjeje shumë të rrallë, nga e cila vuajti kohët e fundit. Nuk është e lehtë për një nënë ta lyejë bojën me të zezë për të tillë lajm, as ta pranoj humbjen e qenies më të dashur që pata, dhe kam, mbi këtë dhé. Me drojën se nuk do të mësohem kurrë me mungesën e tij, uroj të dëgjoj vetëm lajme të mira prej jush. Sipas dëshirës së Jerinit, ceremonia e lamtumirës do të mbahet me një rreth të ngushtë familjar e shoqëror në Utrecht të Holandës, ku im Bir jetonte prej disa vitesh, pas një fëmijërie të gjatë në Shqipëri. Për miqtë e mi në Shqipëri, do të jem në Atdhe përgjatë muajit qershor.

Flutura

Lindja e Gjergj Kastriotit dhe kthesa e epokës historike europiane dhe botërore

Shkruan: Gjon KEKA

Para 613 viteve një yll u duk mbi qiellin arbnor që do ta shoqëronte lindjen e të madhit të saj, para 613 viteve respektivisht më 6 Maj 1405 në trojet arbnore doli filizi i ri i Kastriotëve të mëdhenjë që do ta mbante emrin e pavdekshëm Gjergj Kastrioti. Ai lindi në një familje finsike dhe të frytshme arbnore. Lindja e këtij Princi që me veprat e tij – emri i tij i madh do ta pushtonte botën ishte një tregues se në mesin e këtij populli gjithnjë kanë dal burra e gra që jo vetëm kanë mbrojtur dhe kontribuar për atdheun e tyre, por edhe atë të vetë Europës dhe Botës.

Për sa kohë e dimë, lindja e tij u shoqërua me një rrethanë dhe koincidencë domethënëse,sepse dita kur ai lindi ishte parashikuar nga nëna e tij para lindjes dhe jo rastësisht ai lindi në këtë ditë, e që më pas do të jetë ditë e bekuar për arbnorët dhe brezat e kombit tonë arbnor europian. Ati dhe Nëna e tij kishin qenë aq të kënaqur me lindjen e këtij princi saqë e kishin shfaqur dashurinë e tyre të zjarrët që në përkëdheljet e para prindërore.Ai u pagëzua me emrin e gjyshit të tij Gjergj Kastriotit të Parë ,poshtu u pagzua në kishën e kështjellës princërore të Kastriotëve,Maji për Kastriotët u bë një muaj i bekuar dhe u shoqërua me gëzimin e gjithë vendit dhe të qiellit për lindjen e këtij princi pasardhës.Nën këtë shkëlqim ai u mbështoll nga pëlhura e simbolet e paraadhësve u bekua dhe të gjithë falënderuan me sytë nga qielli Perëndinë e Arbërisë për këtë dhuratë të madhe brenda familjes arbnore të Kastriotëve.

Princi i ri i Kastriotëve kishte një kurorë të vogël mbi kokën e tij dhe ishte veshur më pas me kostume tadicionale të vendit si dhe i mbuluar me dhurata nga të pranishmit. E gjithë udha nga vendi ku ai lindi e deri në dalje u pushtua nga arbnorët, fiset përreth dhe nga të tjerët që shfaqnin gëzimin me rastin e lindjes së tij dhe pagëzimit të tij nën këmbanat të cilat dërgonin mesazhin e gëzimit të atij vendi dhe të lindjes së shëptimtarit dhe mbrojtësit të Arbërisë. Kështu ai rritej ngadal dhe bashkë me rritjen e tij rriteshin edhe aftësit dhe talentet e tij të cilat i shfaqte ,këtë madje e kishin kuptuar edhe prindërit e tij se në të fshihej një fuqi dhe talent i madh të cilin do ta përdorte sigurisht kur të rritej në shërbim të vendit të tij. Por nuk zgjati shumë dhe barbarët mbërrtin në derën e Kastriotëve për ta gllabëruar atë, duke mos patur udhë tjetër ata arritën marrëveshje me Gjon Kastriotin që fëmijët t’i jepte të gjithë Sulltanit si kusht për ta lënë atë në pronën e tij ,dhe me gjithëatë ai duke mbajtur shpresën se bijtë e tij do t’i kthehen atdheut të tyre i dha me dhimbje të madhe në shpirt por me një porosi për secilin që mos ta largojn shikimin nga atdheu kur ai të ketë nevoj, kur ai të thërret për shpëtimin e tij. Dhe kjo sikur u ngulit në zemrën e Gjergj Kastriot që në vegjëli.Nga kjo kohë e deri në ardhjen e Lajmit për vdekjen e Babit të tij Gjergj Kastrioti ishte në oborrin e Sulltanit si peng dhe i detyruar t’i shërbente. Historinë e tij e kemi të njohur,është shkruar e është shkruar për rikthimin e tij në Krujë,dhe vendosjen e themeleve të lirisë dhe shtetit arbnor më pas. Por meqë është përkujtimi i datës së lindjes këtu u fokusova më shumë në gëzimin dhe domethënien e kësaj dite të madhe për Familjen Kastrioti dhe Arbërinë në përgjithësi.

Kështu që Gjergj Kastrioti dhe ngjarjet e kohës së tij formojnë kthesën e epokës historike jo vetëm Europiane ,por edhe botërore. Mesjeta gradualisht u bë gjithnjë e më shumë e gjallë ,sepse brenda saj po vuloste këtë periudhë me zjarrin e lirisë dhe të mbrojtjes së qenjes dhe civilizimit të kontinentit Europian Gjergj Kastrioti dhe arbnorët e tij trima që kishte oas vetes.Në të filloi një revolucion i madh ,një epokë e re e mësimit për Europën dhe Botën se si mbrohet dhe duhet atdheu ,se si liria dhe identiteti janë themele për ta cilat janë ujitur me pika gjaku e djerse të heronjëve dhe atyre që sakrifikuan jetën e tyre për brezat dhe të ardhmen e kombit të tyre dhe jo vetëm./ KultPlus.com

19 vjet nga vrasja e Fehmi Aganit

Sot bëhen 19 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.

Agani u vra me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe.

Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Fehmi Agani, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, u vra afër Lipjanit 19g vjet më parë, nga serbë me uniforma dhe të armatosur.

Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren. Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.

Për nder të profesor Aganit tashmë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi./ KultPlus.com

“Trio de Soprano’ nga Prishtina më 10 maj mban koncert në Zagreb

‘Trio de Soprano’ nga Prishtina më 10 maj të këtij viti do të performojë në Zagreb (Kroaci), njofton ky grup përmes rrjetit social.

‘Trio de Soprano’ është formacion i formuar në tetor të vitit 2016 në përbërje të tri artisteve: Jeta Çitaku, soprano, Eremira Çitaku, flaut, dhe Alberta Troni, piano.

Koncerti promovues i ‘Trios…’ ishte më 2016 ne Paris, në qendrën e njohur artistike “Cite International des Artes”, ku ne program pati, po ashtu premierë, vepra te shkruara ekskluzivisht për Trio de Soprano nga kompozitorë të rinj kosovarë, si Dafina Zeqiri e Kreshnik Aliçkaj.

Ky ‘Trio…’, përveç interpretimit të literaturës klasike botërore po ashtu afirmon muzikën tonë artistike si dhe prezanton artistë (kompozitorë) shqiptarë.

Më 2017 Trio ishte pjesë e Festivalit ndërkombëtar “Sofia Music Weeks” në Sofje në edicionin e 49-të, ku hapjen e Festivalit e bëri vetë presidenti bullgar.

Po ashtu ne 2017 në Prishtine ishte pjesë e festivalit “Fem Art”.

Në vazhdën e koncerteve në janar 2018 Trio ka koncertuar në Luxembourg.

Momentalisht është në përgatitje e sipër te CD së parë të veprave të shkruara enkas për ‘Trio de Soprano’ si dhe përpunime nga melosi ynë.

Koncerti i radhës i këtij grupi mbahet në Zagreb, në Institutin e Muzikës, më 10 maj 2018./ KultPlus.com

Ansambli “Mati” Nga Burreli, fitues i festivalit “Hasi jehon 2018”

Mbrëmjen e së shtunës, në Gjonaj të Hasit, me ndarjen e çmimeve për ruajtësit me fanatikë të folklorit burimor, u mbyll edicioni i 29 i festivalit “Hasi jehon”.

I nisur në vitin e largët 1975, si festival i shoqërive kulturo artistike të Rajonit të Hasit dhe i quajtur dasma hasjane, sot festivali “Hasi jehon” është shndërruar në dasmë gjithëshqiptare. Këtë e dëshmon pjesëmarrja e organizmave kulturorë nga e gjithë gjeografia shqiptare dhe këtë e dëshmon edhe fituesi i edicionit të 29.

Juria në përbërje Sami Piraj, Dilaver Kryeziu, Hisen Dida dhe Shaqir Hasi, çmimin “Malësori” për programin më burimor ia ndau Ansamblit “Mati” nga Bureli i Shqipërisë.

Çmimi “Malësorja iu nda ShKA “Fushë Kosova” nga Fushë Kosova, ndërsa çmimi “Lahuta” iu nda Ansambli autokton “Rugova” nga Rugova. Çmimi Nazmije Hoxha: Vlora Duraku nga Krusha e Madhe.

Përpara ndarjes së shpërblimeve, në përmbyllje, drejtori i festivalit “Hasi jehon” Haziz Hodaj tha se vitin e ardhshëm mbahet edicioni i 30, prandaj do të ketë angazhim të shtuar që ky përvjetor të shënohet me një organizim shumë më të mirë. “ Ju premtoj se edhe vitin e ardhshëm do të mbahet festivali që ta rrumbullakojmë në mënyrë sa më madhështore 30 vjetorin e këtij festivali, që është njëri ndër festivalet më te vjetra jo vetëm në Kosovë. Në emër të jurisë Sami Piraj tha se “festivali Hasi jehon ka arritur ti krijojë konturat e një manifestimi jashtëzakonisht të rëndësishëm të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave të trashëgimisë të cilat janë bartur brez pas brezi si identitet kombëtarë”. Ai tha se juria nuk e kishte të lehtë por shtoi se vendimet i kanë peshuar me elementet e trashëgimisë.

Përveç tri çmimeve kryesore juria ndau edhe këto çmime:

Instrumentisti më i dalluar : Baki Xhaferi nga ShKA “Anadrinia” nga Dejni i Rahovecit
Orkestri më i mirë : Ansambli “Mati” nga Burreli
Grupi i rapsodëve: Grupi polifonik nga Gjirokastra
Rapsodi më i dalluar: Selajdin Miftari
Rituali më objektiv: Ansambli “Romaja”
Kostumet me autoktone : Ansambli “Romaja”
Loja popullore : Ansambli “Rapsha” nga Tuzi
Koreografia më e dalluar: “Shqiponja” nga Shkupi
Treshja më e mirë e valltarëve: Muhamet Sinani, Myzafer Lutfiu, Fejsal Shaqiri nga Ansambli Bresana
Valltarja e dalluar: Shkurte Dauti nga Ansambli “Kruma” nga Shqiperia
Valltari i dalluar: Zekirija Kadriu nga ShKA “Bajram Shabani” nga Kumanova

21 vjet nga rënia e Luan Haradinajt

Sot bëhen 21 vjet nga rënia e ushtarit Luan Haradinaj, i cili kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro -shqiptar.

Beteja disa orësh me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.

Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë.Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bien në një pritë që kishte zënë ushtria jugosllave, në kufirin 179 shqiptaro-shqiptar.

Në këtë pritë vritet Luan Haradinaj, plagoset Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.

Luan Haradinaj lindi më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Rekës përkatësisht të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryej duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.

Dua Lipa artistja e tretë më e dëgjuar në botë në Spotify

Dua Lipa po vazhdon me sukseset e saj të jashtëzakonshme në muzikë.

Ajo është artistja e tretë më e dëgjuar në botë në Spotify brenda një muaji, transmeton Koha.net.

Këngët e saj janë dëgjuar mbi 42 milionë herë në Spotify. Dhe për këtë ajo është mahnitur edhe vet.

Në rrjetet sociale ajo ka falënderuar fansat e saj, ndërsa thotë se kjo është e pabesueshme./ KultPlus.com

613 vite që nga lindja e Gjergj Kastriotit Skënderbeu

Heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu ka lindur më 6 maj të vitit 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit. Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri në vitin 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë.

Në vitin 1444 ai mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane. Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën. Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit.

Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku mbështeti mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461. Në vitin 1463 ishte komandant i forcave të kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa vdiq më 17 janarin e 1468, në moshën 63-vjeçare. Gjergj Kastriot Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë./ KultPlus.com

Zbulohen shkrimet e fshehura në dorëshkrimet e lashta falë teknologjisë së NASA-s

Shkrimet e fshehura në fragmentet e dorëshkrimeve të Detit të Vdekur janë zbuluar nga hulumtuesit duke përdorur teknologjinë e avancuar për fotografi e cila është zhvilluar posaçërisht për NASA-n.

Pjesët e dorëshkrimit, të cilat më shumë duken të jenë të bardha në sy të lirë, po analizohen për herë të parë që nga zbulimi i tyre nga arkeologët në vitet e ‘50-a.

Një fragment ka shkronja të shkruara sipas një skripte të lashtë hebraike dhe mund t’i përkasë një teksti të panjohur, transmeton Koha.net. Të tjerat u janë përshtatur librave të Ligjit të Përtërirë dhe Levitikut, një seksion i dorëshkrimit të Psalmit të Madh që përmban Psalm 147, dhe një tekst tjetër në Dorëshkrimin e Tempullit duke dhënë udhëzime se si të kryejnë shërbimet.

Fragmentet, përafërsisht me madhësi prej 1.5 deri në 1 centimetër, u prezantuan gjatë një konference ndërkombëtare të mbajtur në Jerusalem për të shënuar 70 vjetorin e zbulimit të këtyre dorëshkrimeve.

“Zakonisht hulumtuesit merren me materialet e Dorëshkrimeve të Detit të Vdekur pasi ato janë pastruar dhe trajtuar. Këto fragmente asnjëherë nuk u pastruan dhe trajtuan”, ka thënë Oren Ableman, hulumtues në Njësinë e Dorëshkrimeve të Detit të Vdekur e autoritetit izraelit të antikiteteve.

Duke përdorur një mikroskop me rreze infra të kuqe i lidhur me kompjuter, ai analizoi përmes një kutie fragmentet e zbuluara nga Shpella 11 në vitin 1956.

“Me fragmentin e parë, pashë një shkronjë dhe e dija se kishte diçka aty. Ky ishte momenti fillestar i gëzimit”, ka thënë Ableman.

Pastaj fragmentet u fotografuan duke përdorur teknologjinë multispektrore për fotografim si pjesë e projektit 10-vjeçar për të digjitalizuar Dorëshkrimet e Detit të Vdekur, përcjell Koha.net.

Ableman beson se një pjesë me shkrimin paleo-hebraisht daton nga periudha e Tempullit të Dytë.

“Ajo çfarë ishte emocionuese në lidhje me këtë fragment të veçantë është që mund të them se dorëshkrimi nuk ishte identik me fragmentet tjera të këtij lloj skripti”, ka thënë Ableman. “Kjo më bën të besoj se kemi të bëjmë me një dorëshkrim që nuk e dinim deri më tani”./ KultPlus.com