“Notre Dame de Paris” me Elhaida Danin edhe në Kanada

Këngëtarja shqiptare Elhaida Dani ndodhet prej disa ditësh në Kanada në kuadër të turneut muzikor “Notre Dame de Paris”.

Muzikali është i shkruar nga muzikanti Riçardo Koçiante dhe tekstshkrues është Luc Plamondon. Elhaida u ftua nga të dy autorët e projektit për të luajtur rolin e Esmeraldës në muzikalin e famshëm botëror i cili është pjesë e librit Guinness. Gjithashtu, duke njohur terren të gjerë nëpër botë, vepra është e përkthyer në 7 gjuhë të tjera.

“Notre-Dame de Paris” është një lidhje muzikore mes kulturës francez dhe asaj kebekuaze, e cila debutimin e saj të parë e pati më 16 shtator 1998 në Paris. Ajo bazohet në romanin me të njëjtin titull (The Hunchback of Notre-Dame) të romancierit francez Victor Hugo.
Prej vitit 2016, Elhaida Dani dhe “Notre Dame de Paris”, po udhëtojnë anekënd botës duke e prezantuar përpara artdashësve në Francë, Lebanon, Russi, Taiëan, dhe stacioni i fundit pritet të jetë Kanadaja. Ky është prej spektakleve më të mëdha në botë ndaj edhe trupa përfaqësuese është mjaft profesionale.

Ndërkohë që turi vazhdon, pas shfaqjeve në Quebec në “Grand Théâtre de Québec”, datat e spektaklit të Montreal do të jenë më 8, 15 dhe 20 shtator, ndërsa në Otawa Elhaida do të jetë më 17 tetor./ KultPlus.com

Zhvendosja në Prizren e kabinetit të ministrit të Kulturës – brenda një muaji

Ministria e Kulturës ka nisur punimet për adaptimin e objektit të ish-rektoratit të Universitetit të Prizrenit, “Ukshin Hoti”.

Zyrat e këtij objekti, që ndodhen në qendër të qytetit jugor janë duke u bërë gati, që aty të zërë vend një pjesë e kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi. Por, përderisa kabineti i ministrit pret të zhvendoset në Prizren brenda një muaji, ende nuk dihet se kur do të fillojë punë për restaurimin e konservimin e objektit, ku do të vendosen një pjesë e administratës së MKRS-së në Prizren.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se si MKRS-ja kanë nënshkruar kontratë me Komunën e Prizrenit për të shfrytëzuar dy objektet.

“Sa i përket objektit të ish-rektoratit jemi duke i përgatitur zyrat dhe do të vendosemi sapo të përfundojnë. Ndoshta brenda një muaji”, ka thënë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i cili vjen nga Prizreni, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Sonte fillon festivali “Mbrëmjet strugane të poezisë”

Me leximin tradicional të “Mallit të Konstantinit” dhe ndezjen e zjarrit të festivalit para Shtëpisë së Poezisë, fillon sonte edicioni i 57-të i festivalit “Mbrëmjet strugane të poezisë”, që deri më 27 gusht do të mbahet në zona të ndryshme të Strugës dhe në disa qytete të vendit dhe ku marrin pjesë edhe poetë shqiptarë.

Sipas traditës, po sot do të mbillet një pemë në Parkun e Poezisë për nder të fituesit të mirënjohjes më të lartë të festivalit “Kurora e artë” për poetin polak, Adam Zagajevski, ku do të lexohet poezi, e më pas do të ketë konferencë për shtyp me laureatin.

Nesër në program është prezantimi i portretit të Mihail Renxhov, fituesit të vitit të kaluar të çmimit “Vëllezërit Milladinov” për librin më të mirë poetik në gjuhën maqedonase të botuar mes dy edicioneve të festivalit dhe lexime poetike të poetëve nga zgjedhja më e ngushtë për këtë çmim për vitin 2018.

Festivali do të prëfundojë të dielën me manifestimin “Urat” dhe dorëzimin e çmimeve “Kurora e artë”, “Vëllezërit Milladinov” dhe “Urat e Strugës”.

Në edicionin e 57-të të ”Mbrëmjeve strugane të poezisë” do të marrin pjesë 30 poetë nga 29 vende, mes të cilave Polonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Izraeli, Greqia, Shqipëria, Mongolia, Suedia, Armenia e tjerë si dhe rreth 50 poetë nga Maqedonia./ KultPlus.com

Filmi “Të thyer” hap “Seanema Film Festival” me mesazhe sociale

Në qytetin e Ulqinit nis edicioni i katërt i festivalit, që bën bashkë në konkurrim filma shqiptarë, por dhe të huaj.

“Seanema Film Festival” nis të enjten me filmin artistik “Broken” (Të thyer) me skenar dhe regji nga Edmond Budina. Ky festival edhe këtë edicion sjell për publikun nga data 23 deri më 26 gusht filma nga Greqia, Spanja, Zvicra, Koreja e Jugut, Turqia, etj.

Tema e festivalit për këtë edicion do të jetë identiteti. Sipas organizatorëve, programit i festivalit është dhe për afirmimin e multikulturalizmit në Mal të Zi, duke respektuar parimin e qëndrimit jo-diskriminues ndaj identitetit.

Festivali i filmit “Seanema” vazhdon traditën. Më 23 gusht ,si në edicionin e mëparshëm, filmat konkurrojnë në dy kategori: filmi më i mirë i festivalit, si dhe filmi më i mirë me metrazh të shkurtër. Përveç filmave në kategoritë konkurruese, programi gjithashtu përmban një përzgjedhje të filmave dokumentarë mbi temën e identitetit, si dhe një program të veçantë Seanema Panorama.

Risia e edicionit të katërt sipas organizatorëve është programi edukativ, i cili ofrohet falas për një numër të kufizuar të studentëve nga i gjithë Mali Zi, në bashkëpunim me Shoqatën për Arsim në fushën e kulturës audiovizive, Filmkultura. Programi rinor, paraqitur në kuadër të platformës edukative të festivalit Seanema, lançohet me qëllim që të zgjojë krijimtarinë tek të rinjtë, për nxitur kuriozitetin e tyre, si dhe mbi të gjitha për të krijuar një parakusht për qëndrim kritik ndaj përmbajtjes së mediave audiovizive.

Në edicionin e katërt nuk do të mungojnë dhe panelet e hapura për diskutim, të udhëhequr nga autorë të njohur dhe ekspertë nga fusha e kulturës./ KultPlus.com

Ambasadorja Nazane Breca vizitoi festivalin e filmit “GÄSSLI” në Basel

Ambasadorja e Kosovës në Bern, Nazane Breca ka marrë pjesë në hapjen e GÄSSLI Film Festival në Basel, i cili në këtë vit mbushë 10-vjetorin e themelimit, shkruan KultPlus.

Në këtë edicion Gässli Film Festival (20-26 gusht 2018), ka realizuar një bashkëpunim me SWIKOS, festivalin e njohur të filmit të shkurtër, të cilin e udhëheqë drejtori Florim Brajshori.

Florim Bajshori ka arritur që në programin zyrtar, në konkurrencë, të përfshijë 7 filma të metrazhit të shkurtër nga shtetet e Evropës Juglindor: Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bullgarisë dhe Hungarisë.

Nga Republika e Kosovës, konkurroi filmi «Tisa» (21 minuta) me skenar të Afrim Mulajt e me regji të Valter Lucajt./ KultPlus.com

Vdes aktori i “LazyTown”

Aktori islandez, Stefan Karl Stefansson, i cili luajti rolin e Robbie Rotten në “LazyTown”, ka vdekur në moshën 43 vjeçare.

Aktori Stefan Karl Stefansson vuante nga kanceri. Stefansson ishte më i njohur për rolin e tij në shfaqjen për fëmijë “LazyTown”, e cila u prodhua nga viti 2004 deri në vitin 2014. /KultPlus.com

Pritet të publikohet online “arti i degjeneruar” i Hitlerit

V & A do të publikojë për herë të parë në internet listën e plotë të “artit të degjeneruar” që ishte konfiskuar gjatë periudhës së Hitlerit.

‘Entartete Kunst’ (arti i degjeneruar), i cili përbëhej kryesisht nga arti modern, ishte konfiskuar nga regjimi nazist nëpër institucionet publike të Gjermanisë gjatë viteve 1937-38.

Veprat e artit u konfiskuan për arsye se konsideroheshin si jo-gjermane, për shkak se ishin të autorëve hebrenj ose përmbanin mesazhe hebraike.

Ata konsideroheshin si artistë të degjeneruar dhe iu ndalohej që t’i ekspozonin veprat e tyre.

Në këtë klasë bënin pjesë edhe veprat e disa piktorëve me nam siç janë: Marc Chagall, Henri Matisse, Pablo Picasso dhe Vincent van Gogh.

Shumica e veprave të konfiskuara ishin të punuara nga artistë ekspresionistë gjerman. Ndër ta bënin pjesë: Ernst Ludwig Kirchner dhe Max Beckmann, si dhe Emil Nolde dhe Erich Heckel./KultPlus.com

Ritet mortore në fshatrat arnaute në Rusi

Studiuesi Aleksandër Novik ka folur për ritet mortore e përkujtimore në fshatrat arnaute të rajonit të Rostovit, Rusi, gjatë Seminarit për gjuhën e Letërsinë që ka hapur siparin në Prishtinë.

“Në brigjet e detit Azov si pasojë e luftrave turko-ruse në gjysmën e dytë të shekullit XVIII janë themeluar disa vendbanime me popullsinë arnaute: fshati Margaritovo, fshati Epirskoje, fshati Himara, fshati Allbanskoje etj. Në vitet 2015 – 2018 Akademia e Shkencave e Rusisë dhe Universiteti Shtetëror i Shën Peterburgut kanë organizuar ekspedita në këto vendbanime.

Studimet në terren na kanë lejuar të grumbullojmë shumë materiale etnografike lidhur me dokët dhe zakonet familjare. Në këtë studim bie fjalë për ritet mortore ndër banorë të fshatrave me popullsi arnaute”, tha studiuesi rus. Sipas tij, zakonet dhe ritet mortore e përkujtimore tek pasardhësit e popullsisë arnaute të rajonit të Detit Azov janë transformuar dukshëm në shekullin XIX – fillim të shekullit XXI nën ndikim të etnive që jetojnë në këtë zonë – kryesisht rusët, ukrainasit, armenët etj.

Ritet mortore janë transformuar në mënyrë të dukshme gjithashtu nën ndikimin e propagandës ateistike sovjetike pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917 – në periudhën e gjatë deri në fund të viteve 1980’.

Në studim trajtohet një spektër i gjerë çështjesh kushtuar një tematike të përgjithshme: përfytyrimet e banorëve të rajonit të Detit Azov (rajoni i Rostovit) për vdekjen dhe çka lidhet me të (fati dhe lajmësit e vdekjes, etapat e përgatitjes së varrimit dhe riteve të tjera në shtëpi dhe në komunitet fshatar, kompleksi përkujtimor dhe kultura e organizimit të hapësirës së varrezave). Disa përshkrime të veçanta i janë kushtuar rolit të priftit dhe kishës ortodokse në përgjithësi, veçorive të varrimit të fëmijëve të papagëzuar, beqarëve, lehonave, vetëvrasësve etj. Në vazhdim shpjegohen me hollësi kompleksi përkujtimor kalendarik dhe shndërrimet e tij gjatë shekullit XX – fillim të shekullit XXI.

Është përshkruar kultura e varrezave e fshatrave me popullsinë arnaute me shembuj të veçantë të varrezave të fshatit Margaritovo dhe ato të Pavllo-Oçakovos.

Në bazë të studimit të motiveve ballkanike dhe vendase në strukturën e riteve mortore të banorëve të fshatrave me popullsi arnaute është arritur në përfundim se këto komponente të riteve dhe zakonave në kohën e sotme luajnë një rol markues identiteti etnik (arnaut, grek) dhe / ose rajonal (i rajonit të Detit Azov, i Rostovit, i jugut etj.).

Thënie të bukura nga Rumi

“Shto fjalët, jo zërin. Është shiu që i rrit lulet, jo stuhia”.

“Ne kemi lindur prej dashurisë. Dashuria është mamaja jonë”.

“Dje isha i zgjuar, ndaj doja të ndryshoja botën. Sot jam i mençur, ndaj po ndryshoj veten time”.

“Ji mirënjohës për çdo gjë që vjen në jetën tënde, sepse çdo gjë është dërguar si një guidë nga lart”.

“Çdo moment përmbaj qindra mesazhe nga Zoti”.

“Edhe në fund të jetës ime, kur të kem vetëm një frymë të mbetur, nëse ti vjen, do të çohem e do të këndoj”.

“Kur jam me ty, unë mund të qëndroj zgjuar gjithë natën. Ndërsa kur ti nuk je këtu, unë nuk mund të shkoj dot as në gjumë. Falëndero Zotin për të dyja rastet e pagjumësisë dhe për diferencat që Ai ka krijuar midis tyre”.

“Çdo i gjallë ka për ta shijuar vdekjen, por vetëm disa prej tyre mund ta shijojnë jetën”.

“Kur i bën gjërat me shpirt, ke për të ndjerë një lumë kënaqësie brenda vetes”.

“Shndrit sikur gjithë universi të ishte yti”.

“Ai që ka një mik të mirë, nuk ka nevojë për një pasqyrë”.

Rumi

‘Unë kam vendosë me jetu çdo ditë si trofe’

Nga Arjola Zadrima

Ato kohë ende nuk e kisha rindërtu botën. Gjithçka ishte pakuptim. Unë ndjehesha e vogël, e pambrojtun, e vetmueme ndonëse shtëpia ishte dëng me njerëz. Kur vijnë për ngushëllim së pari të vrojtojnë çdo cep të shtëpisë , së dyti ti këndojnë të ardhunat simbas oreksit dhe së treti krijojnë një imazh tandin që ta kenë për rrëfenjë. Sapo isha shkundë prej jetës dhe një mori njerëzish më thonin” je e re , ke jetën para” një kategori tjetër thoshte” e ke vendos besoj” ” s’ke çka me ba ky kje fati jot”. Isha e marume , por humbisja mendjen se çka kisha vendosë , fatkeqsisht ende nuk e kam kuptu çka kam vendosë që të gjithë e dinë e unë jo.

Gjithsesi koha kaloi , e unë e rindërtova botën pa tim shoq, por ndeshi shpesh ftyra të shprishuna që kryet u humbon ndër shpatulla kur më shohin. Për nji pjesë të mirë duhet të isha kërrusë, ose tju kishe zgjatë dorën për lëmoshë, osr thjesht të isha zvarritë rrugës pa u pa . Ka boll prej atyne që lirinë e kanë shti në nji çantë të shtrenjtë e më fokusojnë ” my little black dress”, ka prej atyne që ngrehin një totolosh për krahu e nuk e dinë se ai ma luen synin e të shkretat shkojnë sikur të kenë trofe në krah. Ka prej atyne që më njohin mirë , dhe ja njoh mirësinë mbi të gjitha njoh edhe gra prej atyne që jetën e mësuen betejash apo tuj luejtë luftash si Unë.

Unë kam vendosë diçka që nuk e dini , me jetu çdo ditë si trofe.

Vera ora uron të bijën: Shqiponja me trofe

Këngëtarja Rita Ora është shpërblyer mbrëmë në Music Vide Award me çmimin “Best Dance”, për këngën e saj “Lonely Together”, shkruan KultPlus.

Rita Ora në këtë kategori konkurroi edhe me Dua Lipën e cila po ashtu ishte e nominuar me këngën e saj “One Kiss”.

Këtij suksesi padyshim që i janë gëzuar tejmase familjarët e Ritës, posaqërisht nëna e saj, e cila përmes rrjeteve sociale e uroi atë me fjalë të veçanta.

“Bravo @ritaora, fituese e #VMA
#Shqiponja me 🏆”, ka shkruar Vera Ora për vajzën.

Bravo @ritaora #VMA winner #Shqiponja me 🏆 #avichi 🙏

A post shared by Vera Ora (@veraora) on

Ora ishte nominuar edhe në kategorinë me efektet më të mira vizuale, përsëri me këngën “Lonely Together”, në bashkëpunim me Aviciin. Mirëpo në këtë kategori ajo nuk u shpërblye./ KultPlus.com

Drake e befason në spital fansen e sëmurë nga zemra

Një paciente 11 vjeçare e cila është gati për transplantin e zemrës, është lënë pa fjalë, teksa Drake e befasoi atë në spital, pasi ajo zbuloi se kishte vetëm dy dëshira: të merrte një zemër të re dhe të takohej me reperin kanadez.

Drake ka publikuar një fotografi të ëmbël në Instagram të vizitës së tij në spital, shkruan DailyMail.

“Unë dhe dashuria ime Sofja flasim për Justin Bieber dhe Basketbollin”, ka shkruar ai në mbishkrimin e fotografisë.

Reagimi admirues i Sofjes ndaj surprizës së Drake u kap gjithashtu nga kamerat, transmeton Telegrafi.

Sofia është parë e buzëqeshur dhe tejet e emocionuar teksa ka takuar idhullin e saj.

Pastaj Drake e pyet atë se çfarë po shikon në kompjuterin e saj, dhe vajza me pak turp, i tregon se po ndiqte dramën e njohur “CW Riverdale”.

“A keni parë atë? Është në Netflix”, fillon t’ia shpjegojë reperit vogëlushja 11-vjeçare.

Rihanna me një kërkesë të veçantë për të gjithë liderët e botës

Rihanna i bëri një replikë në Twitter kryeministrit holandez, sepse ajo dëshiron që çdo fëmijë të shkojë në shkollë.

Dëshira e Rihannës që çdo fëmijë të vijojë një edukim kualitativ, tashmë ka bërë xhiron e botës në Twitter, shkruan Global Citizen.

Në shkurt të këtij viti, mbretëresha e popit iu dërgoi statuse në Twitter liderëve botërorë duke përfshirë ata të Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Australisë.

Ajo iu kishte dërguar mesazhi Twitteri edhe kryeministres së Norvegjisë, Erna Solberg, në janar dhe shteteve si Kanadaja, Gjermania dhe Argjentina.

Por asnjë lider botëror nuk është i sigurt nga Rihanna dhe Holanda është shteti i fundit i fundit që ajo ka dashur të shpërndajë kauzën e saj.

Të hënën, Rihanna i dërgoi një mesazh në Twitter edhe kryeministrit holandez, Mark Rutte, dhe Ministrit për Tregti të Jashtme dhe Bashkëpunime për Zhvillimin, Sigrid Kaag, duke iu kërkuar për investim më të madh në edukimin global.

Por edhe më mirë, Qeveria Holandeze i është përgjigjur!

Duke iu falënderuar përpjekjeve të Rihannës dhe të organizatës “Global Citizens”rreth botës janë mbledhur 2.3 miliardë dollarë që mos të ketë fëmijë pa vijuar shkollimin, pavarësisht se ku kanë lindur.

Holanda nuk kishte mundur të kontribuojë në këtë fond për shkak të disa ndryshimeve
që i kishte bërë Qeveria Holandeze, por ata kanë premtuar që do të përpiqen që mos të mbetet askush pa shkolluar. /KultPlus.com

‘Kur perëndon dielli’, interpretuar mrekullisht nga Luçie Miloti dhe Xhevdet Hafizi (VIDEO)

Në kujtimet e artistëve bashkëkohës me të, Luçie Miloti vjen si një këngëtare e veçantë. Skenën e pushtonte vetëm me zërin e saj, sepse asnjëherë nuk i përdorte gjestet shoqëruese.

Në repertorin artistik të saj numërohen 500 këngë të cilat këngëtarja i ka përcjellë edhe në botën e huaj. “Çila sytë, due me te pa”, “Për mue paska kane kysmet”, “Bishtalecat palë palë”, “Shpend ma i parë i bukurisë”, “Zanusha”, “Me zaman asaj furije?, “Çu çue Rushja”, etj do të ishin disa nga këngët që dëgjoheshin nëpërmjet Radio Tiranës.

Luçie Miloti në karrierën e saj ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, si në skenat e shume kryeqyteteve të Ballkanit dhe madje të botës. Në Varshavë është vlerësuar me titullin “Bilbili i Ballkanit”, ndërsa në Bullgari muzikologët e kanë cilësuar si “Bilbili me zë kristalor”. Për kontributin e saj muzikor, më 1961 ka marrë titullin “Artiste e Merituar” dhe urdhrin “Mjeshtër i madh” nga ish-Presidenti Rexhep Mejdani. Me vendimin e Bashkisë së Tiranës, një rrugë e Tiranës merr emrin e këngëtares së mirënjohur Luçie Miloti.

Ndër interpretimet e shumta të Luçie Milotit, i mrekullueshëm është edhe dueti me këngëtarin e njohur të muzikës popullore qytetare shkodrane, Xhevdet Hafizin, të cilët së bashku e sjellin këngën “Kur perëndon dielli”.

Përveç me Luçie Milotin, ai ka kënduar edhe në duete të tjera me Naile Hoxhën e Florinda Gjergjin. Këngë të kënduara prej tij janë “O bylbyl” apo “Tri vjet që u deshtem bashkë”.

Xhevdet Hafizi renditet ndër këngëtarët më të njohur të këngëve qytetare shkodrane. / KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=LwBfebgMvgo

Elena Ora: Rita, shqiptarja e parë që fitoi në VMA

Këngëtarja Rita Ora është shpërblyer mbrëmë në Music Vide Award me çmimin “Best Dance”, për këngën e saj “Lonely Together”, shkruan KultPlus.

Rita Ora në këtë kategori konkurroi edhe me Dua Lipën e cila po ashtu ishte e nominuar me këngën e saj “One Kiss”.
Motra e saj e ka uruar në ‘Instagram’ duke e veçuar faktin se ajo është shqiptarja e parë që fiton çmim në Video Music Award.

“Qëllojani se kush fitoi! Shqiptarja e parë që ka fituar ndonjëherë një çmim në VMA!! Urime Ritës dhe ekipit të Aviciit. Avicii jetofsh gjithmonë përmes muzikës tënde”, ka shkruar në postimin e saj Elena Ora, motra e yllit botëror.

Ora ishte nominuar edhe në kategorinë me efektet më të mira vizuale, përsëri me këngën “Lonely Together”, në bashkëpunim me Aviciin. Mirëpo në këtë kategori ajo nuk u shpërblye./ KultPlus.com

Mos uroni ‘Kurban Bajrami’ por ‘Bajrami i vogël’!

Mehmet Elezi.

Në faqen e internetit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë njoftohen besimtarët se “dita e parë e Kurban Bajramit është më 21 Gusht 2018”, domethënë nesër. Njësoj në Kosovë, në Maqedoni.

Emri shqip i kësaj dite të shenjtë është Bajrami i Vogël, jo “Kurban Bajrami”.
Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, 2006, thuhet bajrami i madh dhe bajrami i vogël (sipas rregullave të parregullta të drejtshkrimit, me shkronjë të vogël!).
Kështu shkruhet edhe në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe të Dizdarit (2005). Në shtjellimin e fjalës bajram, aty thuhet: “…dy të kremtet kryesore që lusin e festojnë myslimanët. Bajrami i Madh… Bajrami i Vogël… (turqisht kurbán bayram)”.
Në një nga Këngët e Kreshnikëve, mbledhur në Kosovë, cituar prej Dizdarit, janë këto vargje: “Tre dorzanë unë po t’i baj…/ E të tretin: Bajramin e Vogel”.

Edhe në qershor njoftohej për “Fiter Bajramin”. Pse “Fiter Bajrami”?
Në fjalorët e gjuhës shqipe, madje as në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, nuk gjindet kund “Fiter Bajrami”. Është vetëm Bajrami i Madh. Madje as fjala fiter si zë i veçantë nuk është aty. Kjo do të thotë se kjo fjalë s’ka qenë kurrë në gjuhën shqipe. Papritmas thirret sot me e zëvendësue fjalën shqipe!

Sot është Nata e Bajramit. Kështu është quajtur gjithmonë dita në prag të Bajramit. Siç thuhet Nata e Vitit të Ri, Nata e Shën Kollit.
Përsëri në Kalendarin e KMSH shkruhet: “Dita e Arafatit”. Çfarë kupton besimtari shqiptar me Ditën e Arafatit, pse nuk shkruhet Nata e Bajramit, siç i thonë shqiptarët?

Nuk dihet për ç’arsye zyrtarët, politikanët dhe media, kallëzohen aq të zellshëm me zëvendësue shkallë-shkallë edhe skajet (termat) fetare shqip me të tjera jo shqip. Prej padijes?

Të gjithë ata që urojnë me zemër, urime pritshin përherë. Por, ju lutem, shqip.

Pra gëzuar Bajramin e Vogël. Shëndet e mbaresi e Fat për krejt Shqiptarët.

Mehmet ELEZI
20 gusht 1018

Aktorja Asia Argento akuzohet për ngacmim seksual

“Jam përdhunuar nga Harvey Weinstein në Kanë”.

Kjo akuzë për përdhunim nga aktorja Asia Argento ndaj producentit Harvey Weinstein, shkundi themelet e kinemasë botërore.

“Ju e dini se kush jeni, por mbi të gjitha ne e dimë se kush jeni dhe nuk do t’ju lejojmë më të vazhdoni”, thoshte aktorja italiane.

Por 1 vit më pas, Azia Argento është sërish në faqet e para të mediave botërore, veçse tanimë nga një viktimë, përfundoi në bankën e të akuzuarve.

42-vjeçarja akuzohet se i ka paguar një shumë prej 380 mijë Dollarësh aktorit Xhimi Benet, i cili e akuzon se e ka ngacmuar seksualisht kur ai ishte vetëm 17 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2013 në një dhomë hoteli, sipas NYT.

Të dy kishin prej vitesh një marrëdhënie të afërt shoqërore, e lindur në vitin 2004, kur ishin protagonistë në një film. Asia Argento i ka mohuar me forcë këto akuza në një intervistë për AFP, duke thënë se ato para ishin për të ndihmuar mikun e saj.

Por vala e skandalit që prodhoi lajmi solli reagime të shumta. I pari ishte avokati i producentit Harvey Weinstein, i cili e quajti aktoren italiane një hipokrite mahnitëse. Reagime të shumta pati edhe nga anëtaret e lëvizjes #Me Too, që u bë simbol i rezistencës ndaj ngacmimeve seksuale./ tvklan

“E bukura dhe e fshehta e kësaj bote del në shesh vetëm përmes dashurisë…”

Orhan Pamuk është shkrimtari i njohur turk dhe fitues i Çmimit Nobel për letërsi në vitin 2006, shkruan KultPlus.

Orhan Pamuk ka lindur në Stamboll, në një familje e cila ishte, siç’ thotë ai vet “me orientim euro-perëndimor”. Studioi arkitekturën kurse më pas e braktisi arkitekturën dhe filloi gazetarinë ku diplomoi më 1976. Jetën dhe mendimet e tij i përshkruan në veprën autobiografike Stambolli: qytet i kujtimeve.

TO GO WITH AFP STORY BY PHILIPPE ALFROY
Turkish Nobel laureate author Orhan Pamuk poses during an interview at his house in Istanbul on Febuary 2, 2015. World acclaimed Turkish writer Orhan Pamuk has started to work on his new novel featuring Istanbul in his flat overlooking the Bosphorus, Topkapi Palace and the Blue Mosque. Since he was awarded the Nobel Prize in 2006, he’s become one of the most vocal critic of the “climate of fear” he said conservative and Islamic Turkish President Recep Tayyip Erdogan imposed on Turkey. AFP PHOTO/OZAN KOSE / AFP / OZAN KOSE

KultPlus sot ju përcjellë dy thënie të Orhan Pamuk:

“E bukura dhe e fshehta e kësaj bota del në shesh vetëm përmes dashurisë, përkujdesjes, interesimit dhe dhembshurisë… hapi sytë fort dhe shikoje botën duke u bërë pjesë e ngjyrave, detajeve dhe ironisë së saj.”

“Cila është ajo gjëja që ti e dëshiron prej meje? Çfarë mund të bëjë unë për të të bërë të më duash?

– Je vetvetja – tha Ipek”.

Katër princeshat shqiptare në një set shumë të rrallë fotografik (FOTO)

Princesha Senije, Princesha Myzejen, Princesha Ruhije dhe Princesha Maxhide, katër motrat e Mbretit Zog kanë realizuar në vitin 1937 një set fotografik mjaft të bukur për kohën. Të katër princeshat kanë pozuar në pozicione të përafërta, ku bien në sy përveç fustaneve edhe aksesorët e shtrenjtë, të denjë për princeshat e asaj kohe. Por seti fotografik i nxjerrë nga arkivat austriake, tashmë të digjitalizuara, përcjell frymën e kohës pasi në të nuk mungojnë as princeshat të veshura me kostume ushtarake. Në fakt me kostume ushtarake në setin e fotove të gjetura janë vetëm dy nga katër princeshat e fotografuara, Myzejen e Ruhije. Nga 17 foto të zbuluara 6 i takojnë Princeshës Ruhije e cila është edhe më e fotografuara, ndërsa 5 foto të tjera janë të Princeshës Myzejen. Për dy motrat e tjera të Mbretit, Princeshat Sanije e Maxhide në koleksion janë nga tre foto, dhe është e dukshme se për to mungojnë edhe fotot e veshura me kostume ushtarake. Fotot thellësisht profesionale janë realizuar nga njëra prej studiove më të njohura të botës në atë kohë.

Porträt der Myzeyen, Prinzessin von Albanien mit Diadem


Studioja fotografike

Fotot me përjashtim vetëm të njërës prej tyre kanë edhe mbishkrimin e studios fotografike që i ka realizuar. Në stampën mbi foto shkruhet “D’ora BENDA”. Studioja është njëra prej studiove fotografike austriake më të njohura të kohës e specializuar në fotot që sot do ti quanim foto të shoubiz-it. Studioja ishte themeluar nga Dora Kallmus (e njohur edhe si Madame D’Ora 1881 – 1963) që ka qenë një fotografe hebreje austriake më e njohura e kohës në fushën e modës dhe portretit, dhe mikut të saj Arthur Benda në vitin 1907. Në fakt Dora Kallmus në vitin 1905 kishte qenë gruaja e parë e pranuar në kurset teorike të Graphische Lehr- und Versuchsanstalt (Instituti i Trajnimit Grafik) dhe po atë vit bëhet anëtare e Shoqërisë Fotografike të Vjenës. Në vite, punët e studios u bënë aq të suksesshme dhe popullariteti në mesin e aristokracisë u rrit aq shumë saqë ata në vitin 1924 e transferuan studion në Paris. Aty studioja e rrit popullaritetin sidomos në fotografinë e modës, dhe gjatë viteve 1930 dhe 1940 aty do të pozojnë balerinat, modelet, aktorët, piktorët dhe shkrimtarët më të njohur të kohës. Pikërisht kjo studio do të realizojë në vitet 1936 dhe 1937 edhe fotot e princeshave shqiptare.

Ruhije, Prinzessin von Albanien in einem langärmigen Kleid

Kush ishin princeshat shqiptare

Mbretit Zog ka pasur gjashtë motra. Ata janë Princesha Adile, Princesha Nafije, Princesha Senije, Princesha Myzejen, Princesha Ruhije dhe Princesha Maxhide.
Princesha Senije u martua me Princin Sehzade Mehmed Abid Efendi (1905-1973), bir i Sulltan Abdul Hamid II i Perandorisë Osmane, në vitin 1936, por ato u ndanë në vitin 1949. Ata nuk patën fëmijë. Princesha qëndroi pranë vëllait dhe motrave pjesën tjetër të jetës. Ndërroi jetë në Kanë vetëm një jave pas humbjes së motrës së saj, Princeshës Myzejen. Princeshe Adile (1893-1966) u martua me Emin Bej Agolli-Doshishti dhe patën tre djem (Salih, Hysein, Sherafedin) dhe dy vajza (Teri, Danush). Ajo iu përkushtua familjes dhe të gjithë bashkë jetuan në Angli. Vitet e fundit të jetës i kaloi ne Paris pranë djalit të saj, Salih. Princeshe Nafije (1896-1955) u martua me Ceno Bej Kryeziun. Ata patën një djalë, Esatin ose sic njihet ndryshe, Princ Tati. Ceno Bej u vra me 1927 në Pragë. Pas vdekjes së tij, Princesha së bashku me të birin jetuan në Pallatin Mbretëror pranë Mbretit Zog, nga i cili nuk u nda derisa ndërroi jetë në Kairo. Princesha Myzejen (1905-1969), Princesha Ruhije (1906 -1948) dhe Princeshe Maxhide (1907-1969) nuk u martuan dhe jetuan gjithmonë pranë Familjes Mbreterore deri sa ndërruan jetë në Kajro (Princesha Ruhije) dhe në Kanë.

Ruhije, Prinzessin von Albanien in einem engen Abendkleid, mit Diadem

Prania publike e princeshave shqiptare

Në vitet e para të Mbretërisë, princeshat kanë bërë një jetë tradicionale e pothuaj të izoluar në kompleksin e Pallatin e Princeshave (sot vendbanim i familjes Zog). Por gjithçka do të ndryshojë pas martesës së Princeshës Senije në vitin 1936. Pas kësaj dasme ata do të bëhen shumë publike, dhe Mbreti do tu japë katër motrave të tij më të reja, detyra zyrtare mbretërore. Para se të mbërrihej deri këtu, ata kishin marrë mësime në piano, valle e gjuhë të huaj, si dhe bënë disa udhëtime në Evropën Perëndimore. Në vitet në vijim të Mbretërisë Shqiptare të Zogut, princeshat patën rol të veçantë publik dhe kanë përcjellë mesazhe të fuqishme dhe të guximshme për kohën. Edhe me nxitjen e mbështetjen e të vëllait Mbretit Zog, ato u bënë ambasadore të kulturës europiane në vendin ku tradita orientale ishte ende dominuese. Mjaft të diskutuara për pasionin e tyre ndaj modës, në kronikat e kohës ata përmenden si ndër gratë e para shqiptare që dolën në plazh me kostume banje europiane. Kur mbreti ndaloi hixhabin në vitin 1937, ai dha për këtë shembull motrat e tij, të cilat u shfaqën në publik pa mbulesë dhe të veshur në mënyrë perëndimore si model për gratë e tjera. Secila prej princeshave mori drejtimin e një sektori të caktuar të jetës publike. Princesha Senije u vu në krye të Kryqit të Kuq Shqiptar. Në fakt Princesha Senije është përshkruar nga autorë të ndryshëm si motra më e preferuar nga mbreti Zog. Pas vdekjes së nënës mbretëreshë Sadije, Princesha Senije ka kryer detyrat përfaqësuese të zonjës së parë deri në martesën e vëllait të saj me mbretëreshë Geraldinën në vitin 1938. Ndërkohë Princesha Ruhije u angazhua në arsim dhe të drejtat e gruas, Princeshe Myzejen në art e kulturë, ndërsa Princeshe Maxhide në sporte. Mediat vendase e ndërkombëtare do të përcjellin vazhdimisht aktivitetet e tyre dhe ata do të dominojnë kronikat sociale të kohës. Vizita e tyre në SHBA në vitin 1938, do të shënojë kulmin e publicitetit. Ata, përkrah me ministrin fuqiplotë të Mbretërisë së Shqipërisë në SHBA, Faik Konica, do të filmohen e fotografohen teksa priten nga rangjet më të larta të politikës e shoqërisë amerikane. Në këtë vizitë Zonja e Parë Roosevelt i fton për çaj në Shtëpinë e Bardhë. Por një vit më vonë jeta e tyre, ashtu si edhe e Shqipërisë, do të marrë një drejtim krejt tjetër. Pushtimi i vendit nga Italia shënon dhe nisjen e mërgimit të Familjes Mbretërore, pjesë e së cilës qenë edhe princeshat, derisa ndërruan jetë.

© Avni Dani
Blogu : Dars (Klos), Mat – Albania
Publikuar në print në Revistën prestigjoze matjane “Emathia”

Maxhide, Prinzessin von Albanien in Dirndl

Maxhide, Prinzessin von Albanien in einem hellen Abendkleid mit Schleppe
Myzeyen, Prinzessin von Albanien in einem eng anliegenden Abendkleid mit Schleppe, mit Diadem
Myzeyen, Prinzessin von Albanien in Militäruniform
Myzeyen, Prinzessin von Albanien in einem weißen Abendkleid
Myzeyen, Prinzessin von Albanien in einem Kostüm
Ruhije, Prinzessin von Albanien in einem langen Kleid, mit Diadem
Ruhije, Prinzessin von Albanien in Militäruniform
Ruhije, Prinzessin von Albanien in einem langen, dunklen Nachmittagskleid mit hoher Taille
Ruhije, Prinzessin von Albanien in einem langen Kleid, mit Diadem
Senije, Prinzessin von Albanien in einem dunklen Abendkleid
Senije, Prinzessin von Albanien in einem weißen Kleid mit Puffärmel, einen an die Hüften anliegenden und zum Saum hin glockig ausgestellten Bahnenrock tragend, mit Diadem
Senije, Prinzessin von Albanien in einem weißen Kleid mit Rückendekolleté und Puffärmel, einen an die Hüften anliegenden und zum Saum hin glockig ausgestellten Bahnenrock tragend, mit Diadem
Maxhide, Prinzessin von Albanien in Dirndl

‘Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë’

Nga Petrit Ruka.

Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,
Kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë; e po mirë!
Dhe prapë jemi puthur ashtu si për lamtumirë.

Kemi gënjyer njeri-tjetrin, kemi bërtitur s’të dua,
Kemi pështyrë mbi proverbin që qënkeshim mish e thua,
Kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë.
Kemi thënë njëmijë herë; u mbush kupa dhe pikë.

Pastaj jemi përqafuar ; “e po unë isha në gjumë “
Jam futur në mishin tënd siç futet në shkretëtirë një lumë,
Jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,
Na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.

Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë,
Kemi ndarë dyshekun me vijë, (ah, vijë e florinjtë,)
Po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë
Me dredhi ballkanike që as O.K.B-ëja s’ka parë.

Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë,
Po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar
Mos pushofsh kurrë, moj luftë dhe qofsh e bekuar!

Fotografi më i guximshëm në botë (FOTO)

Alex Suh është pa dyshim një nga fotografët më të guximshëm në botë.

Për të shkrepur një foto sa më të mirë, ai nuk e ka problem që të qëndrojë vetëm pak centimetra larg krokodilit.

Përveç setit fotografik fantastik, Alex kërkon që të japë edhe një mesazh: këto kafshë në dukje të frikshme nuk i vrasin njerëzit.

Fotografi beson se njerëzit dhe kafshët e egra mund të bashkëjetojnë në harmoni mes tyre, ndërsa krokodilët, sipas tij, nuk janë vrasës njerëzish./top channel

Kur në Milano përzihet ‘Allahu Akbar’ me ‘Ave Maria’ (VIDEO)

Harmonia fetare mund të dëshmohet më së miri edhe përmes artit.

Një nga miksimet muzikore më të veçanta ka qenë ai mes “Allahu Akbar” dhe “Ave Marias”.

Kënga është kënduar para 3 vitesh në Milano dhe po e sjellim sot për shkak edhe të festës së Kurban Bajramit.

Rreth 50 mijë të pranishëm ishin në këtë ngjarje në vitin 2015-të. / KultPlus.com

Aretha Franklin do të varroset më 31 gusht

Ceremonia për funeralin e këngëtares së ndjerë, Aretha Franklin do të mbahet më 31 gusht në vendlindjen e saj në Detroit, Miçigan.

Persona të afërt me këngëtaren kanë konfirmuar se ceremonia do të mbahet në Tempullin Greater Grace, në të cilin do të marrin pjesë familjarët dhe miqtë.

Franklin, 76-vjeç, ka vdekur nga kanceri në pankreas dhe do të varroset në varrezat Woodlawn në Detroit.

Një ceremoni përkujtimi për nder të saj është mbajtur ditën e diel në Kishën Baptiste, New Bethel, vend në të cilin Franklin kishte nisur këndimin.

Në ceremoni është përmendur kontributi i saj për të drejtat civile dhe puna për komunitetin lokal. Franklin është cilësuar si mbretëresha e muzikës Soul./REL