Zgjerohet parku kombëtar “Mali i Tomorrit”, ja sa do të jetë sipërfaqja e tij

Parku kombëtar “Mali i Tomorrit” do të zgjerohet me një sipërfaqe prej mbi 1383 ha.

Sipas vendimit të botuar në ‘Fletoren Zyrtare’ me propozim të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, nga ky zgjerim, kufiri i këtij parku do të ketë një sipërfaqe prej 26106 ha.

Zona e zgjerimit të parkut përfshin zona bujqësore, pyjore, shkurre si dhe kullota.

Ndërkohë, ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me ministritë e tjera të linjës brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi do të hartojnë planin shtesë të menaxhimit të sipërfaqes së zgjeruar, si pjesë e menaxhimit të parkut kombëtar, shkruan Dita.

Nga 1 janari nuk do të ketë kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë

Ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, mbrëmë u tha kosovarëve se nga data 1 janar nuk do të ketë kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë. Këtë deklaratë e dha në Skenderaj gjatë një manifestimi kushtuar mërgimtarëve.

Majko theksoi se kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka marrë vendimin në fjalë dhe nga 1 janari nuk do të ketë kufi mes dy shteteve.

“Duhet me hap kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës, kryeministri na tha që e ka marrë vendimin, më datën 1 janar fillon lëvizja e lirë midis Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Majko mbrëmë, transmeton Gazeta Express.

Edhe pse në manifestim ishin të pranishëm kryeministri Ramush Haradinaj e presidenti Hashim Thaçi asnjëri nga ta nuk foli rreth vendimit të Edi Ramës për heqjen e kufirit.

Lajmi i dhënë nga Majko i gëzoi fort kosovarët. Pas kësaj deklarate mbrëmë në Skenderaj shpërthyen brohoritjet dhe duartrokitjet. /Gazeta Express

Dua Lipa takohet me shkrimtaren e njohur (FOTO)

Ylli botëror me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa së fundmi ka arritur në Toronto, atje ku ka interpretuar para mijëra fansave, shkruan KultPlus.

Përveç shumë fansave, për ta takuar Dua Lipën ka shkuar edhe shkrimtarja Rupi Kaur e cila është një nga shkrimtaret më të njohur të gjeneratës së re dhe cilësohet si shkrimtarja e “Instagramit”, pasi që u bë e njohur pikërisht përmes kësaj platforme, duke mbledhur shumë lexues të cilët dëshironin t’i lexonin vargjet e saj të shkurtra.

Pasi që kanë shijuar këtë takimi, Dua Lipa e ka falënderuar shkrimtaren që ka ardhur për ta takuar në koncertin e saj dhe për librat që i ka dhuruar, duke e quajtur atë zëri i gjeneratës së saj.

“Dua Lipa, shoqja ime e dashur, faleminderit që erdhe në koncertin time, faleminderit për librat që m’i solle dhe për fjalët e ëmbla dhe që je zëri i një gjenerate. Të duam”, ka shkruar Dua Lipa në “Instagram”.

Dua Lipën e ndanë një javë nga ardhja në Prishtinë për të interpretuar në Festivalin Ndërkombëtar “Sunny Hill”. / KultPlus.com

15.4 milionë euro janë siguruar deri tash për Sallën e Koncerteve dhe Teatrin e Operas e Baletit në Prishtinë

Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Yll Rugova, dje përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar për të arriturat e drejtorisë të cilën ai e drejton përgjatë gjashtë muajve të parë, shkruan KultPlus.

Përveç të tjerash Yll Rugova, ka treguar për shumën që ka arritë të siguroi kjo drejtori për sallën e koncerteve dhe teatrin e operas e baletit.

“Në gjashtë muajt e parë në drejtorinë e kulturës Komuna e Prishtinës ka arritë me inicu projekte me ma shumë se 60% të buxhetit (e kemi pjesën e dytë të vitit për pjesë e mbetur). Kemi arritë me siguru 15.4 milionë për sallën e koncerteve dhe teatrin e operas e baletit. Ekipi punues po mirret me detyrën projektuese, këtë vit shpallet konkursi ndërkombëtar për dizajnin”, ka thënë ndër të tjera Rugova.

Po sjellim statusin e plotë të drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës:

“Është ajo thënia dita e mirë shihet në mëngjes. Shpresojmë se do të vlejë edhe për kulturën në Prishtinê.

Në gjashtë muajt e parë në drejtorinë e kulturës Komuna e Prishtinës ka arritë me inicu projekte me ma shumë se 60% të buxhetit (e kemi pjesën e dytë të vitit për pjesë e mbetur). Kemi arritë me siguru 15.4 milionë për sallën e koncerteve dhe teatrin e operas e baletit. Ekipi punues po mirret me detyrën projektuese, këtë vit shpallet konkursi ndërkombëtar për dizajnin.

E kemi rikthyer kino Armatën në hapësirë publike kulturore, me program të rregullt. I kemi nisur projektet për rehabilitimin e qendrës historike, përfshirë ndërtesat si Shkolla e Parë Shqipe. Punët kanë filluar për herë të parë pas sa dekadash në këtë pjesë, me idenë që të kthehet në zemër të vërtetë të qytetit.

Për herë të parë Prishtina do të ketë muze komunal. Jemi në proces të punës me themelimin e muzeut Ibrahim Kodra dhe Shtëpive Shkolla dhe dy muzeumeve tjera që do të shpallen ndërkohë. Prishtina e ka gati strategjinë e turizmit, kurse edhe info qendra turistike është në punim e sipër së bashku me panelet informuese.

Po mbahen orët mësimore me Akademinë e Animacionit, si program i ri për të rinjt. Ndërkohë, institucionet vartëse do të kenë të hyrat e tyre vetanake për të rritur buxhetin e kulturës në komunë. Gjithashtu jemi në proces të themelimit të orkestrës komunale, dhe teatrit të valles dhe muzikës tradicionale. Prishtina është në garë me kryeqytetet tjera evropiane për organizimin e bienales së artit Manifesta.

Shumë projekte janë nisur sivjet. Për kulturën në kryeqytet ditë të mira po na presin përpara. Veç na duhet shumë punë bashkë, kjo është maratonë e jo sprint. #prishtina”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Prokuroria: Art Kurti ka bërë vetëvrasje

Prokuroria Themelore e Gjakovës ka lëshuar sot një komunikatë për media ku në bazë të hetimeve që ka bërë konstaton se Art Kurti ka bërë vetëvrasje.

Komunikata e plotë e Prokurorisë:

Arti (Murteza) Kurti, i lindur më 28.12.1995, me vendbanimin e fundit në rrugën ”Skenderbeu”, p.n.,në Gjakovë, ka ndërruar jetë më 24.04.2018, me ç’rast është gjetur nga ana e policisë i vdekur në automjetin e tipit “Tauran” në vendin e quajtur “Qafa e Zabelit” të fshatit Goden të Komunës së Gjakovës. Pas ndërmarrjes së një sërë veprimesh hetimore dhe pas kryerjes së autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, MA 18-112 të datës 24.04.2018 dhe pas marrjes së Raportit të Ekspertimit nga ana e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, AKF/2018-1695/2018-1601 të datë14.06.2018, konstatohet se i ndjeri Arti M. Kurti ka kryer vetëvrasje./ KultPlus.com

Hapet kapaku mister në vendvarrimin e Skënderbeut në Lezhë (VIDEO)

Një dhomë e fshehtë poshtë dyshemesë së vendvarrimit të Skënderbeut ka 40 vjet që shoqërohet me mister. Me ndërhyrjet më të fundit për restaurimin e këtij vendvarrimi, kapaku u hap përsëri dhe aty u gjet një sarkofag që nuk dihet kujt i përket. Megjithatë ende mbetet enigmë pse zbulimi i shumë viteve më parë u mbyll dhe u vendos që të mos flitej për të.

Kapaku mbi dyshemene e vendvarrimit të Skënderbeut në Lezhë u hap. Poshtë tij thuhej se kishte gjetje të rëndësishme, por që asnjëherë nuk u publikuan. ABC News e ka përcjellë edhe më herët emblematikën mbi zbulimet e 40 viteve më parë nga arkeologët Frano Prendi, Loro Gjeçi dhe Ndue Përleka.

U desh ndërhyrja për restaurimin e vendvarrimit që të guxohej për të parë se çfarë fshihej poshtë dyshemesë, në dhomën katrore. Përgjegjësi i muze-memorialit në Bashkinë e Lezhës, Paulin Zefi thotë se zbulimi i shumë viteve më parë u mbyll në mënyrë misterioze dhe në mënyrë të pashpjegueshme u vendos që të mos flitej më për të. Por ai afron disa të dhëna se çfare dyshohet.

“Historianët dhe arkeologët janë të ndarë në dy mendime të ndryshme. Një pjesë ka thënë se mund të jetë një basament i shekullit të dytë antik. Pjesa tjetër ishte e mendimit se blloqet janë antike, por të ripërdorura për vendosjen e një sarkofagu”, tha ai.

Zefi thotë se pavarësisht se çfarë do të nxjerrin studimet, ky sarkofag duhet të ekspozohet, ndaj edhe do të hartohet një projekt për këtë qëllim që do t’i dërgohet edhe Ministrisë së Kulturës.

Ekzistenca e një objekti tjetër poshtë vendvarrimit të Skënderbeut u soll për herë të parë nga ABC News rreth 1 vit më parë dhe tashmë sarkofagu emblematik pret që të ekspozohet./KultPlus.com

Eleni Foureira publikon këngën e parë pas pjesëmarrjes në Eurovizion (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Eleni Foureira, pas përfaqësimit të Qipros në Eurovizion 2018-të, aty ku mori vendin e dytë, ka publikuar këngën e re, shkruan KultPlus.

Kënga titullohet “Karamel”, ndërsa për muzikën është përkujdesur Doron Medalie, Moshe Peretz, Avi Ochayon e teksti është shkruar nga Sophia Papavassiliou, Eleni Foureira.

“Karamel”, është publikuar dje në kanalin zyrtar të YouTube të këngëtares Foureira./ KultPlus.com

Barack dhe Michelle Obama mahnitin publikun me prezencën në koncertin e Beyonce dhe Jay-Z

Michelle dhe Barack Obama janë xhiruar në një koncert të Beyonce dhe Jay-Z në Landover të Marylandit në SHBA.

Ish-presidenti amerikan dhe Zonja e Parë e kanë shijuar në maksimum muzikën dhe kanë kërcyer gjatë gjithë kohës.

Derisa Beyonce po vallëzonte në skenë nën ritmet e hitit të Jay-Z nga viti 2011, “N**** in Paris”, publiku i kishte drejtuar telefonat e tyre të mençur në zonën VIP ku ndodhej çifti Obama.

“Nuk mund të besoj që kam qenë në të njëjtin vend me presidentin Obama, Michelle Obaman, Beyoncen dhe Jay-Z”, janë disa prej komenteve të publikuara në rrjetet sociale.

“E pashë edhe Beyoncen edhe çiftin Obama. Tash mund të vdes i lumtur”, ka shkruar një tjetër.

Kuvendi Françeskan i Troshanit, destinacion i shkëlqyer për turizëm kulturor

Kuvendi Françeskan i Troshanit, shpallur monument kulturore i kategorisë I , ndodhet në Troshan të Lezhës, jo larg fshatit Fishtë.

Kjo pasuri është restauruar dhe sistemuar me shumë kujdes nga Provinca Françeskane Shqiptare.

Ajo zotëron ambiente të brendshme të bollshme dhe shumë të përshtatshme për krijimin e një muzeu përkujtimor në nder të të gjithë figurave të ndritura françeskane shqiptare, duke u bërë kështu edhe një mundësi e shkëlqyer për turizëm kulturor.

Kuvendi ka nxjerrë françeskanë të shquar si: At Gjergj Fishta, Ambroz Marlaskaj, Leon Kabashi, Shtjefën Gjeçovi, Pashko Bardhi e shumë të tjerë, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë dhe kulturën shqiptare./ KultPlus.com

Mbrëmë u shfaq filmi gjerman “Das Krimi Duell-Der Perfekte Mord”, luan edhe aktori shqiptar Ilir Rexhepi

Mbrëmë në televizionin gjerman SAT1 në Prime-Time nga ora 20:15 u shfaq filmi dokumentar i quajtur “Das Krimi Duell-Der Perfekte Mord” me regji të Felix Bärwald prodhuar nga Odeon Film Entertainment për SAT1.

Në rolet kryesore paraqiten aktorë të mirënjohur gjermanë si: Maria Bachmann, Nova Meierhenrich, Jonathan Beck, Patrick Joswig, Nico Ehrenfeld, Sina-Valeska Jung, Matthias Paul si dhe aktori shqiptar Ilir Rexhepi, shkruan KultPlus.

Ilir Rexhepi luan një nga rolet kryesore, rolin e Carl Markovic, një teknik studioje me prejardhje nga Kroacia. Nga pasojat e luftës së ish – Jugosllavisë ai kishte humbur të gjithat. Tashmë jeton i vetëm, nën ndikim të alkoolit por që është një njeri shumë i sinqertë dhe i pafajshëm.

Ngjarja zhvillohet kur dy autorët më të mirë gjerman të librave me tematikë kriminale, Volker Knüpfel dhe Michal Kobr të njohur si „Bestseller“ në Gjermani, shkruajnë një ngjarje kriminale që ka të bëjë me vrasjen e gazetares në Studion e Radios.

Këtë ngjarje e luajnë aktorët në bazë të profileve të roleve të tyre, aktorët mbeten brenda personazheve deri në përfundim të ngjarjes dhe janë të gjithë të dyshimtë. Por qëllimi është që këtë ngjarje të shkruar ta hetojnë hetuesit real të policisë. Hetimet reale brenda 48 orëve do t´i zhvillojë njëri nga hetuesit më të suksesshëm gjerman, i cili në fund duhet ta identifikojë vrasësin.

Aktorët luajnë lojën e tyre ashtu siç e kishin kërkuar autorët e librit, por duke improvizuar në rrethana të caktuara. Kështu autorët e librit do të hynë në lojë për tu ndeshur me njërin nga hetuesit më të mirë gjerman i cili do ta hetojnë realisht ngjarjen e shkruar nga ta. Është shkrimi realitet apo jo, si do të duhet të shkruanin autorët ngjarje të tilla, kjo teme shtjellohet duke u gërshetuar me lojën e aktorëve dhe realitetin.

Ky lloj formati konsiderohet si risi televizive duke u kombinuar mes filmit, dokumentarit, fictionit dhe realitetit përmes të cilin televizioni gjerman SAT 1 arriti një shikueshmëri shumë më të lartë se më parë./ KultPlus.com

Ledri Vula vlerësohet me një çmim në Tetovë

Ledri Vula është një nga reperët më të përfolur përsa i përket jetës private dhe profesionale.

Ai është vlerësuar me një çmim të veçantë nga kryetarja e komunës së Tetovës.

Reperit i është dhënë titulli i mirënjohjes së qytetit shqiptar të Maqedonisë teksa këtë gjë e ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale.

Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët e këtij qyteti duke përfshirë edhe të parën e këtij vendi, Teuta Arifi.

“Faleminderit për mirënjohjen dhe mikpritjen kryetares së Tetovës, Teuta Arifi. Faleminderit për çdo gjë që shqiptarët e Maqedonisë kanë bërë për ne. Faleminderit”, ka shkruar ndër të tjerash në llogarinë personale në Instagram, Arifi.

Mbyllet Kulla e Eiffelit, punëtorët në grevë për shkak të radhëve të gjata të vizitorëve

Stafi i Kullës së Eiffelit hynë në grevë të mërkurën për shkak të një mosmarrëveshjeje në lidhje me zgjatjen e radhëve të pritjes për të vizituar këtë pikë referimi të Parisit, duke e detyruar mbylljen e saj në pik të sezonit turistik.

Bisedimet mes unionit tregtar CGT dhe menaxhmentit të Kullës për një sistem të ri hyrjeje – i cili sipas punëtorëve ishte përgjegjës për radhët “monstruoze” të vizitorëve – u bllokuan të mërkurën pasdite, dhe kjo pikë turistike u mbyll në orën 4 të pasdites, raporton Reuters.

Nuk u bë e qartë nëse greva do të vazhdojë edhe të enjten.

Sistemi i ri, i cili nga korriku ka rezervuar lifta të ndarë për biletë-mbajtës të ndryshëm, po e lodhte stafin që duhej të merreshin me turistët e frustruar, kanë thënë zyrtarët e unionit, transmeton Koha.net.

Menaxhmenti i Kullës së Eiffelit ka thënë se muajt e verës gjithmonë janë të ngarkuar.

Çdo vit, mbi 6 milionë turistë ngjiten në kullën e lartë 342 metra./ KultPlus.com

Në Tiranë, 300 mijë turistë: Shtohen vizitorët që qëndrojnë disa ditë (VIDEO)

Nga janari në Shqipëri kanë ardhur 1.4 milionë të huaj, nga këta 300 mijë kanë vizituar Tiranën si turistë. Këtë vit është shtuar numri i atyre që qëndrojnë disa ditë në kryeqytet, jo vetëm në hotele, por edhe apartamente.

Kurioziteti dhe çmimet e ulëta janë arsye kryesore. Top channel sjell rrëfimin e disa të rinjve holandeze të cilët Tirana i ka tërhequr.

Gjatë xhiros me makinë ne Tiranë, grupi i turistëve nga Amsterdami na tregon së pavarësisht se nuk i kuptojnë tekstet e këngëve shqiptare, I përkufizojnë ato si këngë të lumtura, plot energji e pozitivitet.

Të surprizuar mbeten me shijen e kafes turke, likerit tradicional shqiptar dhe karameleve Zana.

Aira dhe Fenna udhëtojnë shumë. Ato thonë se edhe pse Shqipëria është një vend i vogël, kurioziteti për ta vizituar ishte i madh.

“Rrallë kam dëgjuar të flitet për Shqipërinë në fakt”, shprehet Fenna de Graaff,turiste

“Gjithashtu mendoja se këtu nuk kishte njerëz që flisnin anglisht, sepse kisha idenë që askush nuk e vizitonte atë”, shton Ayra Gerlach, turiste.

Para planifikimit të pushimeve në Shqipëri, vajzat u përgatitën nga ana financiare. Por shpenzimet e parave, nuk po shkojnë sipas parashikimeve.

“Në krahasim me Amsterdamin është shumë lirë këtu, megjithatë ne jemi ende student dhe s’duam të harxhojmë shumë. Për shembull, kafja, e pashë në menu që kushtonte 60 lekë, ndërkohë që në Amsterdam do paguaja 3 euro”, shpjegon Ayra Gerlach, turiste.

“Në ditë mund të them se kam harxhuar, ndoshta 2 000 lekë,së bashku me fjetjen. Vetëm hosteli 9 euro që shkoi te 1 100 lekë”, thotë Fenna de Graaff.

“Diku te 2 500 lekë në ditë, bashkë me akomodimin. Nuk jam i sigurt, por këtu është vërtet lirë. Mendoj se do të kthehem sërish”, shpjegon James White-turist.

4 të rinjtë do të pushojnë dy javë në Shqipëri. Dy net në Tiranë, e më pas përreth brigjeve të jugut. Drejtoresha e Turizmit në Bashkinë e Tiranës, thotë se ata nuk janë të vetmit.

“Në Tiranë 300 mijë turistë të huaj. Vëmë re që nga viti në vit janë rritur ditët e qëndrimit, pasi e shfrytëzojnë Tiranën si një bazë dhe më pas bëjnë intenerare ditorë të ndryshëm. Pra, qëndrojnë më shumë se dy tre ditë në Tiranë”, u shpreh Mirela Kocollari, Drejtoreshë e Turizmit, Bashkia Tiranë./ Top Channel

Filloi edicioni i pestë i festivalit “Oda e Llapushës”

Mbrëmë në Malishevë, është mbajtur nata e parë e festivalit mbarëkombëtar të folklorit “Oda e Llapushës”, edicioni i pestë. Këtij aktiviteti me rëndësi në fushën e kulturës dhe trashëgimisë, i kanë paraprirë një varg aktivitetesh, ndërsa festivali mbahet në kuadër të aktiviteteve që zhvillohen për “Javën e Mërgimtarëve” në Malishevë, përfshi edhe një sesion shkencor për folklorin në trevën e Llapushës, njofotn kumtesa.

Në natën e parë kanë marrë pjesë 21 grupe, ansamble dhe rapsod, nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa është përcjellë nga qytetarët të shumtë, mërgimtarë, personalitete të kulturës dhe artit, si përfaqësues të institucioneve shtetërore e lokale, duke filluar nga zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha, zëvendësministra, deputet të Kuvendi të Kosovës dhe personalitete të tjera.

Në hapjen e festivalit, deputeti i Kuvendit të Kosovës, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili edhe shpalli të hapur festivalin tashmë tradicional “Oda e Llapushës”, ndër tjera tha: Duke i nisur nga sesioni shkencor që u mbajt sot dhe kumtesat e prezantuara, nga profesionistët e folklorit shqiptar, u vlerësua se festivali “Oda e Llapushës”, është festivali që ka shënuar rritjen më të madhe, si në cilësi ashtu edhe në masivizim dhe profesionalizimin më të madh, brenda një periudhe të shkurtër. Kam nderin që në emër të Komunës së Malishevës, zyrtarisht ta shpalli ta hapur të këtë festival, i cili tashmë ka marrë rrugë”.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, duke e marrë fjalën e rastit, në hapje të festivalit, tha: Askund më mirë nuk shkon ky emër dhe ky zë, se në vatrën e folklorit shqiptar, në zëmër të Kosovës, në zëmër të shqiptarisë, në Malishevë, dhe sonte në këtë festival ne i kujtojmë të gjithë brezat që luftuan ndër shekuj, deri në luftën çlirimtare, dhe na mundësuan që ne sot të jetojmë të lirë, të festojmë dhe ti kujtomë me krenari.

Zymer Neziri, Adem Zejnullahu dhe Izet Durak, e përbëjnë jurinë profesionale të festivalit “Oda e Llapushës”.

Festivali vazhdon sonte me natën e dytë dhe të fundit, ku edhe do të përcaktohen çmimet e festivalit nga juria profesionale.

Rrahje brutale në mes të dy reperëve më të famshëm francezë

Dy reperët më të famshëm francezë janë rrahur brutalisht në aeroportin e Parisit, duke i lënë pasagjerët të tmerruar.

Elie Yaffa, i cili njihet si Booba, e Armand Gnakouri i cili njihet si Kaaris, së bashku me shoqërinë e tyre janë përleshur në mënyrë brutale e duke i hedhur njëri tjetrit gjëra ngado që gjenin, transmeton Koha.net.

https://youtu.be/uOepGqK5q1k

Njëmbëdhjetë persona janë arrestuar si pasojë e përleshjes e cila është shpërndarë në rrjetet sociale, ku shihen edhe të dy reperët më të famshëm francezë./KultPlus.com

Urdhri: Franca ndalon celularët dhe tabletat nëpër shkolla

Përpara fillimit të vitit të ri shkollor, përmes miratimit të një ligji të ri në Parlament gjatë së martës, Franca ka ndaluar përdorimin e të gjitha “smartphone”-ve apo tabletave nëpër shkolla.

Ndalimi i telefonave do të aplikohet për të gjithë nxënësit në Francë, deri në moshën 15 vjeç, që prej nisjes së shkollës në muajin shtator të këtij viti.

Ligji i ri përmbush kështu një premtim elektoral të presidentit Emmanuel Macron, edhe pse është kritikuar ashpër nga opozita si një parandalim publiciteti.

Ligjvënës të partisë së qendrës “LREM”, të Macronit, dhe aleatë të tij e miratuan projektligjin të hënën, ndërkohë që gjatë votimit të ditë ssë martë, deputetë nga e majta dhe e djathta abstenuan.

Opozita e ka quajtur këtë projektligj si “kozmetik” dhe tha se nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi në jetën reale. Sipas ligjit të ri, të gjitha pajisjet elektronike telefonike ose jo duhen lënë në shtëpi, apo të mbahen të mbyllura deri në përfundim të orarit mësimor.

Shkollat mund të bëjnë përjashtim për “raste pedagogjike”, për aktivitete ekstrakurrikulare, apo për nxënësit me aftësi të kufizuara.

Shkollat e mesme, ndërkohë, mund të vendosin vet nëse do të preferojnë një ndalim të pjesshëm apo të plotë të këtyre pajisjeve.

Ligji i mëparshëm, i miratuar në vitin 2010, ndalonte përdorimin e “smartphone”-ve gjatë qëndrimit në klasa.

Ministri i Arsimit, Jean-Michel Blanquer ishte shprehur më herët se ligji ekzistues nuk gjente zbatim të gjithanshëm dhe se nuk ishte i ashpër sa ç’duhej, ndërsa ky i riu i miratuar së fundi e zhvendos Francën në “shekullin e XXI-të”.

“Kjo i jep një mesazh shoqërisë franceze, sikurse edhe vendeve anembanë botës”, tha ai. Afro 9 në 10 adoleshentë francezë, të grupmoshës nga 12-17 vjeç zotërojnë tashmë një “smartphone”./TCH

Ja si do të duket Sheshi “Kolonel Ahmet Krasniqi” për të cilin PDK-ja del kundër

Qyteti i Vushtrrisë së shpejti do bëhet edhe më një shesh.

Sheshi “Kolonel Ahmet Krsniqi” do të jetë i paparë për qytetarët e Vushtrrisë.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka zbuluar projektin i cili duket i mahnitshëm.

Tahiri tha se PDK-ja, nuk e ka votuar vendimin e asamblesë komunale për emërimin e sheshit “Ahmet Krasniqi”.

“Sheshi “Kolonel Ahmet Krasniqi” në Vushtrri, i dizajnuar në një koncept të ri të planifikimit të hapësirave publike për qytetarin në Vushtrri dhe një premtim i mbajtur nga ne. Me vije keq që PDK nuk e votoi vendimin e asamblesë komunale për emërimin e sheshit “Ahmet Krasniqi” me çka humbi rastin për unifikimin e plotë të spektrit politik rreth figurave emblematike të qytetit tonë.
Urime!
#Qytetiqëpondryshon”, shkruan kreu i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri në Facebook./KultPlus.com

“Open Cinema” kthen Gjirokastrën në qytetin e kinemasë botërore

Pas një mungesë më shumë se 30 vjeçare, në qytetin e Gjirokastrës është rihapur kinemaja. Kësaj here, është kinema verore, që për 4 ditë rresht e ktheu qytetin e gurtë në qytetin e kinemasë botërore. Për katër netë rresht qyteti i Gjirokastrës është kthyer në një oaz çlodhës kulturor për banorët dhe për turistët e huaj që vizitojnë Gjirokastrën në këto ditë të nxehta vere.

Aktiviteti ka promovuar disa nga filmat e fundit të kinemasë shqiptare të pashfaqur për publikun e gjerë si: “Të Thyerit” (Broken), i regjisorit të njohur Edmond Budina apo filmi i regjisorit të njohur Fatmir Koçi “Elvisi kthehet në shtëpi” i cili u zgjodh në festivalin e filmit Monteral në kategorinë A. Në tapetin e kuq kaluan emra të njohur të kinemasë shqiptare si regjisorë dhe aktorët e roleve të ndryshëm në filmat e rinj shqiptar.

Nëpërmjet retrospektivave të ndryshme u bë homazh për aktorët dhe regjisorët shqiptarë e të huaj që janë ndarë nga jeta. Për regjisorin dhe aktorin Edmond Budina organizime të tilla janë të rëndësishme për promovimin e kinemasë shqiptare.

Ekrani i madh në Gjirokastër ka qenë dhe një fillim i mbarë për restaurimin e kinemasë në këtë qytet me tradita.

Kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami pohoi se së shpejti do të rivihet në funksionim edhe kinemaja e dikurshme e qytetit. “Open Cinema” aktiviteti i mirëpritur nga publiku vendas dhe i huaj në Gjirokastër promovoi disa nga prodhimet më të mira të kinemasë shqiptare dhe asaj të huaj./a.a/ KultPlus.com

Vdes këngëtari Gaqo Çako

Është ndarë nga jeta këngëtari i njohur Gaqo Çako.

Mësohet se Çako ka ndërruar jetë mbrëmjen e 1 gushtit në moshën 83-vjeçare!

Gaqo Çako lindi më 24 janar 1935, është këngëtar shqiptar. Mban titullin Artist i Popullit.

Tenori legjendar, Gaqo Çako, Artist i Popullit, është i rreshtuar në emrat e mëdhenj të Panteonit të muzikës shqiptare si Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, etj.

Midis viteve 1957 dhe 1961 ai studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë. Përvoja dhe karriera e tij mjaft e pasur në operat “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj, e bëjnë atë me një karrierë të shkëlqyer.

Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias. Zëri i tij është kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohet e shfaqet, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh.

Përfshirja e tij në të gjitha llojet e muzikës vokale ka si qëllim të vetëm t’i kënaqë dëgjuesit me pjesët që ai këndon. Edhe pse vlerën më të madhe ai e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios./KultPlus.com

“One Kiss” e Dua Lipës në mesin e këngëve më të dëgjuara në Tomorrowland

Një nga festivalet më të mëdha në botë “Tomorrowland” ka përfunduar, me shumë yje që kanë performuar në këtë festival të muzikës elektronike.

Edmtunes ka bërë përmbledhjen e top dhjetë këngëve që janë lëshuar më së shumti në këtë edicion të festivalit, transmeton Koha.net.

E në mesin e tyre është e “One Kiss” e Dua Lipës dhe Calvin Harrisit, që zë vendin e katërt.

Në vendin e parë është “Losing It” e Fisher, kurse vendin e dytë e zë DJ i mirënjohur Avicii që javë më parë ndërroi jetë. “Levels” është kënga e tij që zë vendin e dytë, kurse në të tretin është “Epic (Garmiani Remix)” nga Sandro Silva & Quintino.

Dhe pas Dua Lipës e Calvin Harrisit, renditet në vendin e pestë Don Diablo me “Momentum”.

Top dhjetë këngën më të dëgjuara janë:

1. Fisher – ‘Losing It’

2. Avicii – ‘Levels’

3. Sandro Silva & Quintino – ‘Epic (Garmiani Remix)’

4. Calvin Harris & Dua Lipa – ‘One Kiss’

5. Don Diablo – ‘Momentum’

6. Tiësto & Dzeko ft. Preme & Post Malone – ‘Jackie Chan’

7. Axwell Λ Ingrosso ft. Kristoffer Fogelmark – ‘More Than You Know’

8. Avicii ft. Aloe Blacc – ‘Wake Me Up’

9. Kid Cudi ft. MGMT – ‘Pursuit Of Happiness (Steve Aoki Remix)’

10. Yeah Yeah Yeahs – ‘Heads Will Roll (A-Trak Remix)’. /KultPlus.com

Piano dhuratë për Akademinë e Shkencave

Akademia e Shkencave bëhet me piano. Sigurisht për pasjen e saj nuk është shpenzuar asnjë lekë nga buxheti i institucionit, që të mira të tilla materiale nuk i mundëson dot. Por janë artistët, shqiptarët e suksesshëm jashtë vendit që janë të gatshëm të japin kontributin e tyre sa herë i kërkohet.

Dhe ky është rasti i Elida Dakolit, pianistes me një karrierë të admirueshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lutjes së pedagoges së saj Anita Tartari në Universitetin e Arteve, për t’i mundësuar Akademisë së Shkencave një piano që mund të shfrytëzohet për koncerte nga muzikantët tanë, iu përgjigj me po.

Kjo piano u bë sebepi që Elida të kthehej pas 10 vitesh dhe të luante muzikë para publikut të vendit të saj. E reja më e fundit e pianistes, e vlerësuar për talentin e saj, aq sa kompani ndërkombëtare pianistike si “Mason & Hamlin Artist” apo “Piano Disc” identifikohen me portretin e saj, është botimi i një libri./KultPlus.com

Kanioni i Holtës, një ndër bukuritë mbresëlënëse të Shqipërisë

Kanioni i Holtës, i cili e mori emrin nga lumi Holta, konsiderohet një nga bukuritë mbresëlënëse të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Kanioni i Holtës, me gjatësi rreth 3 km. me shpatet e luginës që ngrihen deri në i 100 – 150 m, ndërkaq lumi arrin thellësinë deri në tri metra. Kanioni përpihet ndërmjet fshatrave Bardhaj dhe Kabash.

Të veçantë kanionin e bëjnë burimet e shumta termale, me ngjyrë të kaltër, të kristaltë.

Shpellat e shumta karakteristike nga dy anët e këtyre shpateve mbuluar dhe me zona pyjore me drunj pishe panje e bredhi, me botë të pasur flore dhe faune, e bëjnë akoma më atraktiv këtë kanion.

Kanioni i Holtës paraqet interes për ngjitje malore, për adhurues të kampingut si dhe për grupe kacavarësish nëpër shkëmbinj.

Për të sjellë pranë jush këtë bukuri natyrore, fotografi nëntor Oseku ka realizuar një koleksion fotografish të cilat dëshmojnë për këtë bukuri të rrallë e cila pret të vizitohet nga ju.

“Në kanionin e Holtës, i cili ndodhet në zonën e Gramshit, këto ditë bëmë kamping 2 ditor. Gjatë këtij qëndrimi jemi mahnitur nga lindja e diellit dhe rrezatimi i tij në mes të kanionit, si dhe në mbrëmje, reflektimi i rrezeve të hënës mbi sipërfaqen e lumit”, është shprehur fotografi Nëntor Oseku.

Kanioni i lumit të Holtës është 1.30 min. larg Tiranës. /KultPlus.com

‘Agnus Dei’ e Memli Kelmendit interpretohet në Francë

Në kuadër të festivali “LES FOLLES JOURNÉES POLYPHONIQUES” vepra ‘Agnus Dei’ e kompozitorit Memli Kelmendi do të interpretohet nga ansambli vokal “Sottovoce Ensemble” në Francë, shkruan KultPlus.

Festivali mbahet përgjatë datave 3 deri më 5 gusht.

Vetëm, ‘Agnus Dei’ deri më tani është interpretuar më shumë se 25 herë jashtë vendit , si në: Kili, Argjentinë,Filipine, Neë York, Kaliforni, Francë, Turqi, Itali, Kroaci, Bosne etj./KultPlus.com

‘Do largohemi nga Shqipëria’, dy këngëtarët e zhgënjyer marrin vendimin e rëndësishëm

Endri dhe Stefi Prifti do të largohen nga Shqipëria. Dy këngëtarët janë shprehur të zhgënjyer nga vendlindja dhe po mendojnë të zhvendosen në SHBA ose Australi.

Ata janë dy vëllezërit korçarë që të gjithë i duan shumë për shkak të muzikës së tyre të bukur që bëjnë. Endri dhe Stefi Prifti janë shprehur shpeshherë të zhgënjyer nga Shqipëria dhe e kanë menduar seriozisht largimin nga vendlindja.
Në intervistën e fundit të bërë nga “Edicioni veror” në ABC News, Endri tha se po mendojnë të largohen drejt SHBA-së pse Australisë.

“Unë nuk gënjej asnjëherë. Por, vitet e fundit e kam menduar dhe mbase shumë seriozisht. Pse? Luftova dhe punova shumë në këtë vend, u vlerësova dhe u pagova shumë te ky vend, u bëra protagonist shumë herë i shumë debateve, që vetëm ne i kemi kundërshtuar fort kundër shumë klaneve të fuqishme, apo vetë shtetit. Për mua ,është vetëm e mira e këtij populli, që nuk di se kush ta gënjejë më parë, se kush ta vjedhë më parë, se kush ta shtypë me parë e vetë eksperimenti nuk di se ku do dalë në këtë vend”, tha Endri.

“Çdo ditë, çdo ditë, gënjeshtarët në televizione e marrosën fare këtë popull. Më duket sikur i kanë injeksuar gjilpërë në tru, prandaj dhe unë kam menduar për t’u larguar në një vend me të vërtetë e të sinqertë, por duke mos harruar, shkruar dhe kënduar për vendin tim. Dhe nëse largohem në një të ardhme jo shumë të largët, mos të trembet asnjë nga fansat tanë, sepse ju premtoj që do të vijmë dy herë në vit, do t’i biem rreth e përqark gjithë vendit tonë, duke qenë pranë gjithë jetën me ju.”, ka përfunduar Endri”, vijoi më tej këngëtari./KultPlus.com