Çfarë ishte “Lista gri” e Hollywood-it në vitet 50?

Mes 1947 dhe 1957 të ishe në “Listën e zezë” të Hollywood-it do të thoshte për një kineast jo vetëm ta kishe të pamundur të punoje, por në shumë raste edhe dënim me ostracizmin social, madje disa edhe me burg ose mërgim.

Kjo listë i pati rrënjët në triunfin republikan në zgjedhjet e Kongresit të Shtetit Amerikan në 1946. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik kaloi nga një aleat në një armik dhe shpërtheu një histeri antikomuniste që rigjallëroi aktivitetet e quajtura “komitete të aktiviteteve antiamerikane” (HUAC) të krijuar në 1938. Iniciatori i kësaj ishte senatori i njohur, Jeseph McCarthy, i cili edhe pse nuk mori pjesë direkt në seancat e Komitetit i dha jetë të ashtuquajturës “mekarthizëm” për atë periudhë të errët në historinë amerikane dhe në gjuetinë e shtrigave kundër të majtëve, nga e cila u krijua “Lista e zezë”. Pjesa më e vështirë i përkiste të ashtuquajturve “Të dhjetët e Hollywood-it” të dënuar nga Kongresi kur mohuan t’u përgjigjeshin pyetjeve mbi militimin komunist, mes tyre disa të njohur si regjisori Edward Dmytryk apo skenaristi Dalton Trumbo që u burgos.

Pati më shumë se 200 njerëz në industrinë e kinemasë që u përfshinë në këtë listë; disa mërguan në Europë (Jules Dassin, Joseph Losey, Lionel Stander ose vetë Charles Chaplin), të tjerë nuk punuan nëpër filma si shkrimtarja Lillian Hellman, aktori dhe këngëtari zezak Paul Robeson, pati edhe nga ata që u kushtoi jetën nga depresioni, sëmundjet ose vetëvrasjet si John Garfield që pësoi trombozë në moshën 39 vjeçare. Jo vetëm këta, por edhe yje të tjerë të ekranit vetëm se u dyshuan, apo se ishin “udhëtarë jete”, të majtë, liberalë, progresistë do të bënin pjesë në “Listën gri”.

Mbi këta të fundit nuk ra asnjë akuzë zyrtare, por papritur e gjetën veten pa oferta pune, me rishikime të kontratave etj. Pati edhe nga ata aktorë shumë të njohur si Edward G. Robinson ose Henry Fonda që nuk u shfaqën në ato vite në teatër dhe televizon dhe që rimorën me sukses karrierat e tyre kinematografike kur “dora e kuqe” u zhduk në vitet 1950. Ndoshta rasti më flagrant është ai i aktorit Melvyn Douglas (në të djathë të imazhit). Douglas (1901-1981), i famshëm që në vitet 30, kishte interpretuar “Ninotchka” bashkë me Greta Garbon dhe shumë komedi romantike, ishte progresist sikurse edhe komunist dhe shumë i lidhur me presidentin Franklin Roosevelt dhe që mbronte me forcë politikat e tij, ashtu si edhe bashkëshortja e vet, Helen Gahagan. Të dy bënë pjesë në Komitetin Antinazist të Hollywood-it si dhe në shumë shoqata të majta dhe kjo nuk e penalizoi në fillim karrierën e tij. Kjo do të ndryshonte kur Gahagan, e shoqja do të prezantohej në Senat si demokrate në 1950 duke u përballur me republikanin Richard Nixon. Ky dhe të tij të e pagëzuan ‘dama e kuqe” (the pink lady) për butësinë e saj me të kuqtë. Ajo kundërsulmoi duke e quajtur Nixon-in Tricky Dicky që do ta përndiqte gjithë jetën. E diskretituan dhe më pas iu kthyen të shoqit, i cili e gjeti papritur veten në “Listën gri” dhe pa punë. Ashtu si Fonda edhe Melvyn Douglas iu përkushtua teatrit deri në kthimin e tij triunfues në vitin 1964 kur do të merrte Oskarin e tij si aktori më i mirë në rol dytësor tek “Hud” dhe tjetrin në 1980, një vit para vdekjes, për “Welcome, Mr. Chance”. Një shpërblim dyfish për një padrejtësi të tmerrshme. / bota.al /KultPlus.com

E rëndësishme është ajo, që fshehim mbas buzëqeshjes!

Nga Silvana Dhori Xhelaj

Eh!

Mesa duket nuk u zgjova me qejf te madh sot…

Vapa e madhe dhe unë në autostradë me dritaret e makinës hapur. Por vetëm fresk që nuk sillnin, veç diellit që përvëlonte si diku në Saharë. Prisja ndonjë hije peme ose pallati në semafor, si eremiti një oazē…

Shenjat e jastëkut i kam akoma në faqe,

flokët nga dje akoma pa krehur…

Nuk mund të postoj ndonjë foto (të bukur),

trembem për ju, se do tmerroheni nga kjo pamje…

E keqja me mua ēshtë, se nuk kam dhe ndonjë telefon të prokopis… Është pa filtra të më rregulloj sado pak. Kështu e anulova se kam frikë mos nuk më bëni ‘like’ por vetëm ‘dislik’…

Dhe lodhja pasqyrohet në sytë e mi..

Ah !

Edhe një rrudhë. Nuk I trembem e pres..

Nuk është e thënë të jemi gjithmonë të rinjë, të bukur. .

E rëndësishme është të kemi mendime të bukura..

Ndoshta ndonjëherë nuk gjej as postimet tuaja interesante dhe më vjen për të qeshur me ndonjë postim…

Shikoj ‘like’ që bëjnë miqtë e mi, pa lidhje ose ndonjë zemër që shtypin kot..

Qesh…

Sot nuk jam e bukur e di…

Nuk dua ‘like’ ,kam pak dhimbje koke që më shton monotoninë…

Rrathët e zinj poshtë syve i anashkaloj, një rutinë e lodhjes së përditshme…

Nuk e di. .

Por unë dua të jem unë…

Me këta flokë të shpupuritur me këtë shenjën e jastëkut në faqe. Të shkruaj atë që ndjej, ta postoj. .

Jo foto diku në një breg deti, ,me një gotë vere. .

Sepse e rëndësishme nuk është të postojmë foto të filtruara me” buzëqeshje,
diku në paradises në zhurmën e dallgëve…

E rëndësishme është ajo që fshehim mbas asaj… / KultPlus.com

“Kosova” e Jusuf Buxhovit vjen me vëllimet 6, 7 dhe 8

Sot dolën nga shtypi vëllimet 6,7 dhe 8 të kompletit tashmë të njohur “Kosova” të historianit, publicistit e shkrimtarit Jusuf Buxhovi.

Sipas autorit, promovimi i parë i këtyre tri vëllimeve do të bëhet në Panairin e librit që organizon Kolegji AAB më 5 tetor në orën 12:00.

Sipas autorit, promovimi do të vazhdoj edhe në qytete të tjera të Kosovës por edhe në Shkup, Tetovë e Ulqin si dhe qytete të tjera shqiptare.

Botues të kompletit “Kosova” 1-8 janë Jalifatpublishing nga Hjustoni (ShBA) dhe “Faik Konica” nga Prishtina./KultPlus.com

Eneda Tarifa shpreh dëshirën për të prezantuar Festivalin e Këngës

Eneda Tarifa ka qenë e ftuar në emisionin e parë për këtë sezon të “Shiko kush luan” dhe ka shprehur dëshirën për të qenë sërish pjesë e Festivalit të Këngës.

Ajo ka marrë pjesë në vitin 2015 me këngën “Përrallë”, me të cilën fitoi çmimin e parë, por kësaj radhe Eneda është shprehur se dëshiron të jetë në rolin e prezantueses.

“Të them të drejtën me ato programe që më janë dhënë kam qenë shumë e kënaqur dhe atë që e kam bërë e kam bërë më së miri, por dua shumë të prezantoj një herë Festivalin Kombëtar. Ka shumë rëndësi për mua ta bëj këtë gjë”, -është shprehur Eneda, kur është pyetur se cili është programi që synon të moderojë.

Enedën e kemi parë si prezantuese të “Portokallisë” për shumë vite dhe nuk kemi asnjë dyshim që edhe si prezantuese e Festivalit të Këngës do të jetë po aq e suksesshme./KultPlus.com

Katër poezi të famshme që gjetën përkthim në gjuhën shqipe

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, e cila shënohet cdo 30 shtator, mendohet edhe njëherë për rëndësinë e gjuhëve, linguistikës dhe mundësisë së përkthimit.

E kur kjo ndodhë me poezinë, përkthimi bëhet një armë edhe më e fortë.

KultPlus ju sjellë katër poezi nga autorë të huaj, e për fatin e mirë ato kanë gjetur përkthim edhe në gjuhën shqipe.

Migel Ernandesit

Edhe unë, Migel, jam tokë. S’ka vdekje, përderisa

Parmenda na shkon përmbi gjokse, përderisa

Jeta jote jeton brenda meje, përderisa

Mund t’i them ato që ti s’i the dot, përderisa

Një vend tjetër fjalën do të ma flasë, përderisa

Jam e korra jote dhe ai tjetri është imja, përderisa

Ka duar e vegla që punojnë, Migel,

Se që të tre ne jemi tokë,

Tokë është emri ynë e i gjithçkaje

Dhe toka s’vdes edhe në e varrosshin.

– Hesus Lopes Paçeko


Gazel i dashurisë së beftë

Askush nuk e kuptonte parfumin

E manjolës së errët të barkut tënd.

Askush nuk e dinte që torturoje

Një kolbër dashurie ndër dhëmbë.

Njëmijë kalushë persianë flinin

Në sheshin me hënë të ballit tënd,

Ndërsa unë – katër net që rrokja

Belin tënd, ku borë kurrë s’pat rënë.

Mes allçie e jaseminësh, degëz të zbehtë

Prej farëzash shihja vështrimin tënd.

Shkronjta e fildishta që thonin “Gjithmonë”

Kërkoja nga gjiri për të t’i dhënë.

Gjithmonë, gjithmonë… kopsht i agonisë,

Të ikshëm e përfytyroj kurmin tënd,

Gjakun e damarëve të tu në gojën time,

Gojaën tënde pa dritë që më vdes në vend.

– Federica Garcia Lorca

Fillesë

Orë pas ore, s’bëhet dita,

Është dhimbje për dhimbje:

Koha nuk rrudhoset dot,

Nuk harxhohet kot:

Deti thotë det,

Toka thotë tokë:

Njeriu pret.

E vetëm

Kambana e tij

Atje mes të tjerave

Ruan në zbrazësinë e vet,

Qetësinë e patrazuar,

Që do t’i jepet kur të ngrejë ai

Të metaltën gjuhën e tij valë mbi valë.

Nga shumë gjëra që pata,

Në gjunjë duke ecur anë e mbanë

Këtu, lakuriq,

S’kam veç mesditën e rëndë

Të detit, e një kambanë.

Zërin e tyre që të vuaj më dhanë ato

E paralajmërimin që të ndaloj.

Në gjithë botën ndodh kjo:

Në hapësirë vazhdon.

E deti jeton.

Kambanat janë aty.

– Pablo Neruda

Kush

Kaloi muaji i lulimit. Frutat në shtëpi

Janë ngrënë ose kalbur. Jam e gjitha gojë.

Tetori është muaji i grumbullimit.

Ufmë në kasolle, si në bark të nënës:

Veglat e vjetra, bishtat, grabuja të ndryshkura.

Këtu, midis kokash të vdekura, jam në shtëpi.

Lermëni të prehem në saksinë e luleve,

Merimangat nuk do të më pikasin..

Zemra ime – një elbarozë e mpirë.

Ja sikur era të dilte prej mushkërive.

Një surrat qeni u merr erë luleve.

Petalet rriten këmbëpërpjetë.

Ata kërcasin, si shkurre hortensie.

Mua që kam ardhur mbrëmë tek trarët,

Më ngushëllojnë kokat që kalben,

Që s’flenë dimrit.

Kokat e lakrave: të purpurta, si krimba, të sermta,

të veshura me veshë mushkash dhe flatra fluturash,

Por me zemra të blerta.

Venat i kanë të bardha, si dhjamë derri.

O bukuri e konsumit!

Kunguj portokalli të pasy.

Këto salla janë plot me gra që ndjellin shpesë.

Ja se ç’shkollë e mërzitshme. Jam rrënja,

guri, klithma e hutit.

Asnjë ëndërr nuk më shtiret.

Mama, ti je mu njajo gojë,

në të cilën do të kisha qenë gjuhë.

O nënë pangjashmërie, hamë!

Hije e derës së tremesë,

Që përthithet në koshin e plehrave.

Unë thashë se ndoshta, e kujtoj këtë nga fëminia.

Atje rriteshin të tilla lule gjigande,

gojë të purpurta e të kuqe, thjesht të magjishme.

Rrathët prej kërcejve të manaferrave

m’i ndillnin lotët në grykë.

Tani ato më ndezin si një llampë.

Herëdokur me javë të tëra nuk ndërmend asgjë.

– Sylvia Plath

Turpi

Nga Mehmet Kraja

Titulli. Është i shkrimtarit nga Afrika e Jugut, J. M. Coetzee, i cili në romanin e tij “Turpi” (Çmimi Nobel për Letërsi, 2003), në rrethanat pas aparteidit, i çon personazhet e tij në skajin e fundit të moralit, deri aty ku nuk mban më, teksa përballen me degradimin dhe shkatërrimin moral. Mirëpo, këtu del njërrethanë pak e ngatërruar: turpi është vlerë morale, qëdomethënë se, për ta ndjerë, duhet të jesh i prirë nga vlerat civilizuese dhe ta pranosh një kod etik, sado minimal qoftë ai. Me një fjalë, kufizimet morale janë vlerë civilizuese dhe nëpërkëmbja e tyre, si pasojë, çon në degradim moral, nërefuzimin e rrethit shoqëror dhe në brejtjen e ndërgjegjes. Nga këto tre komponentë të turpit, si reagim i natyrshëm ndaj përballjes me kodin etik, klasa jonë politike e ka përvetësuar vetëm njërën, pra shkarjen morale dhe nuk njeh as refuzimin shoqëror dhe as brejtjen e ndërgjegjes. Më anë tjetër, Makiaveli ia njeh politikës të gjitha amoralitetet, duke e vënë edhe gënjeshtrën në piedestalin e “vlerave” të këtij “arti të sëmundshmes”. Politikanët tanë, natyrisht, nuk e kanë lexuar Makiavelin, me të cilin do t’i kundërviheshin “Turpit” tëCoetzee-s, por ndjekin instinktin e tyre primitiv të “ujqërisë” për ta vandalizuar Kosovën në të gjithë përbërësit e saj.

Por, Kosova nuk falë.

Historia. Që nga fillimi i gjysmës së dytë të shekullit XX dhe deri më sot kauza e Kosovës i ka turpëruar disa herë radhazi klasat e saj politike, liderët, titullarët e pushtetit, përfshirë edhe ata që ishin luajalë ndaj tyre. Si të thuash, ishte ky një fatalitet për të gjithë ata që deshën të abuzonin me punët e rëndësishme të këtij vendi. Gjatë kësaj periudhe Kosova nxori “në anën e errët të historisë” shumë personalitete, të cilët në kohën kur sundonin nuk e kishin marrë me mend se mund të kishin njëfund të tillë, të përbuzur e të tallur edhe nga vetë trashëgimtarët e tyre. Ndoshta më shumë se fatalitet, më shumë se ogur i keq, mund të jetë se kauza e Kosovës gjatë kësaj periudhe të historisënuk ka duruar shkelje të vlerave themelore të lirisë dhe atdhedashurisë. Që nga Lufta e Dytë Botërore dhe prapa kjo ka ndodhur me të gjitha klasat politike të Kosovës. Ka ndodhur me ata që në korrik të vitit 1945 në Prizren, në mbledhjen e tëashtuquajturit Këshill Krahinuer të Krahinës Autonome tëKosovë-Metohisë e miratuan aneksimin e Kosovës nga Serbia. Vendimmarrësit e këtij kuvendi ishin bartësit kryesorë tëpushtetit në njërën nga periudhat më të errëta të historisë së re tëKosovës, deri në Plenumin e Brioneve të vitit 1966. Serbia dhe Jugosllavia nuk i sakrifikoi bartësit shqiptarë të aksionit famëkeq të armëve, të shpërnguljeve masive për Turqi etj. por Kosova i stigmatizoi, i turpëroi dhe i la me faqe të nxirëpërgjithmonë. Më pas, të turpëruar dolën nga skena politike edhe bartësit e pushtetit autonomist të periudhës 1968-1974-1981, të cilët u mburrën në fillim, por dështuan ta mbronin Kosovën, kur ajo u përball me agresionin jugosllav për zhbërjen e autonomisë. Fatalisht të turpëruar dolën nga skena edhe “autonomistët e rinj” pas ’81-shit, të cilët më 1989, njësoj si pararendësit e tyre në Prizren, me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës miratuan unanimisht suprimimin e autonomisë. Shumë nga ne i mbajmë mend autonomistët, si u vërsulen mbi Kosovën në vitin 1981, me diferencimin e egër, me nëpërkëmbjen e çdo vlere; pastaj i mbajmë mend po ata autonomistë që kërkuan mbështetjen e popullit, kur u rrezikua pushteti i tyre. I mbajmë mend delegatët e Kuvendit të Kosovës më 1989, që miratuan ndryshimet kushtetuese, ndërsa dhjeta protestues vriteshin anë e kënd Kosovës. Nuk e di nëse është bërë histori ose ka mbetur vetëm memorie kolektive, por të gjithëve që kemi jetuar vitet ’90 të shekullit të kaluar na kujtohen abuzimet dhe gënjeshtrat me “shtetin paralel”, na kujtohen ata që kërkonin të dilnin nëzgjedhjet e Serbisë dhe ata që ditën punonin për pavarësinë e Kosovës, ndërsa natën bënin prokopi me Milosheviqin.

Kauza e Kosovës i turpëroi të gjithë.

Viti 1999: Këtu duhej të ndryshonte çdo gjë. U mendua se rrjedha negative e historisë për Kosovën u ndal një herë e përgjithmonë: nga skena politike duhej të dilnin, që të mos ktheheshin kurrë më, të gjithë ata që e “luftuan luftën” nga prapaskena, jo vetëm bashkëpunëtorët e fshehtë dhe të hapur tëSerbisë, por edhe ata që i ngatërruan politikisht “anët e horizontit” edhe në rrafshin e ideve. Kosova e çliruar nga Serbia, e vendosur nën një protektorat të fuqishëm ndërkombëtar, sipas një rendi normal të gjërave, duhej të edukonte një klasë politike europiane, e cila hyn dhe del nga skena politike përmes njëprocesi të rregullt demokratik. Mirëpo, ndodhi që çlirimtarët bënë gabimin historik në dëm të Kosovës dhe të vetes së tyre: uzurpuan pushtetin, uzurpuan prona, instaluan korrupsionin, manipuluan zgjedhjet, më pas shkatërruan institucionet, veçmas institucionet e sigurisë, politizuan dhe korruptuan gjyqësorin, shkatërruan asetet ekonomike të vendit, ia bënë gjëmën idealit tëtyre dhe e turpëruan veten përballë kauzës së Kosovës. Për tëshpëtuar nga fundosja, pos kërcënimeve dhe shantazheve qëfilluan të mos pinin ujë, pas rekrutimit të një numri të madh të tërinjve të etshëm për pushtet dhe pasje korruptive, bënë edhe manovrën më të pabesueshme: rekrutuan vasalë dhe mbështetësnga radhët e kundërshtarëve të tyre “gjenetikë”, përfshirë edhe bashkëpunëtorë të Serbisë apo trashëgimtarë të tyre ideologjikë. Shpesh u bënë mburojë politike e bizneseve që kishin lidhje tëforta me Serbinë, duke përdorur bisedimet e Brukselit në favor të këtyre bizneseve. Uzurpimi dhe mbajtja e pushtetit u bëkredoja e sundimit të tyre. Mirëpo, historia tregon se një sjellje e këtillë mund të mbajë për një kohë, por nuk mban përgjithmonë: kauza e Kosovës nuk i duron abuzuesit me idealin e saj të lirisë. Argumenti i fundit i çlirimtarëve, shpallja e pavarësisë sëKosovës, vetëm përkohësisht stabilizoi imazhin dhe pushtetin e tyre, por u zvjerdh dhe u shpenzua shpejt. Dështimi i turpshëm në ndërtimin e shtetit dhe të institucioneve të tij nuk mund tëfshihet më prej askujt. Por, mbi të gjitha, ajo që nuk është dashur t’iu ndodhte çlirimtarëve, kurrë dhe në asnjë rrethanë, pra nuk është dashur që disa syresh ta kërkojnë shpëtimin atje ku e kërkuan edhe pararendësit e tyre: te Serbia.

Po të mos ishte tragjike, do dukej patetike!

Gënjeshtra. E gjendur përball një erozioni të paparë, kjo klasëpolitike ka filluar ta kuptojë se nuk mund të vazhdohet gjithmonë kështu, se nuk mund të bësh sikur jeton i kënaqur brenda gënjeshtrës që e ka krijuar vetë. Askush nuk mund tëfshihet më pas historisë, as duke e krahasuar veten me iliro-pellazgët, as duke u marrë me etimologji amatore, as duke projektuar konspiracione të muslimanofobisë. Kjo klasë politike duhet ta kuptojë se njerëzit e këtij vendi nuk janë aq budallenj, se nuk mund t’ua fyejnë vazhdimisht inteligjencën. Ata kanë njëmemorie dhe e dinë çfarë keni thënë dje dhe çfarë thoni sot; çfarë keni bërë dje dhe çfarë bëni sot. Kjo klasë politike duhet ta dijë se, mbase, shumë prej tyre kanë për të jetuar këtu edhe pasi të bien nga pushteti, se shumica syresh kanë prindër, kanëfëmijë, kanë njerëz që i duan dhe atyre nuk iu pëlqen tëturpërohen deri në këtë masë. Sepse, tashmë e kemi mësuar, kauza e Kosovës të vë medalje në kraharor kur e meriton, por edhe të turpëron kur shkon kundër rrjedhës. Atëherë, si mund tëlejoni që ndonjë eksponent i juaj të hedhë në etër kaq shumëgënjeshtra dhe ju prapë të bëni sikur nuk ka ndodhur asgjë?! Si mund të lejoni të gënjehet kaq pa shije, pa pikë turpi, sa tëthuhet Kosova do të bëjë marrëveshje historike me Serbinë, duke bërë “korrigjim kufiri”, duke marrë Luginën e Preshevës dhe duke mos dhënë asgjë si kompensim, as tri ose katërkomunat e Kosovës veriore, as Trepçën, as Ujmanin, as asociacionin me kompetenca ekzekutive? Po kujt ia thoni ju këto? A është Serbia ajo që e njohim të gjithë, apo nëimagjinatën tuaj keni krijuar një Serbi tjetër, të zbritur nga qielli, që nuk i ngjan reales?! Kë mendoni se mund të gënjeni me terminologji, se nuk bëhet fjalë për ndarje të Kosovës por gjoja për “demarkim” e gjepura të këtilla? Pse gënjeni, pse nuk keni kurajë ta thoni të vërtetën ashtu siç është: kërkoni shpëtim nga Serbia për dështimet tuaja të brendshme dhe të jashtme! Po tëmos ishit ju të tillë çfarë jeni, Kosovës do t’i shkonin mbroth tëgjitha punët, edhe liberalizimi, edhe integrimet, edhe njohjet, madje edhe OKB-ja dhe nuk do të duhej që tani, për të mbetur ju në pushtet dhe për të shpëtuar lëkurën, të kërkoni shpëtim, duke i dhënë Serbisë si kundërvlerë një “copë Kosovë”, që na e paska falur Rankoviqi! Edhe këtu gënjeni sa nuk mban më. Rankoviqi nuk i ka falur Kosovës asgjë, ju e dini këtë shumë mirë, por e thoni gënjeshtrën të “stolisur” me patriotizëm, që ajo të duket më bindëse dhe më joshëse për budallenjtë. Ata autonomistë qëju i sillni nëpër korridore si këshilltarë, e dinë shumë mirë se kur janë formuar komunat e Zubin Potoku dhe Zveçanit; Leposaviqi ka qenë komunë ngaherë, kurse Mitrovicën e Veriut e bëtë ju vetë komunë serbe, duke bërë marrëveshje me Beogradin dhe bosët e kontrabandës dhe duke mos lejuar kthimin e shqiptarëve në atë pjesë të Mitrovicës. Këto janë gënjeshtrat e fundit, që kjo klasë politike arrin t’i kullandris, para se e turpëruar, si varrmihëse e kauzës së Kosovës, të dalë përfundimisht nga skena.

Kjo mund të duket pak patetike, por nuk është.

Kushtetuta: Presidenti i Kosovës, ideatori i këtij galimatiasi, kërkon të përfshijë në projektin e tij gjithë spektrin politik të Kosovës, pozitë dhe opozitë, i vetëdijshëm se vetë nuk nënshkruan dot një marrëveshje të tillë. Një ide e këtillë e çoroditur nuk ka sesi të mos jetë objekt i shqyrtimit kushtetues, sepse askush, sado i paktë nga mendtë, nuk shkruan kushtetutëpa ua kufizuar diabolikëve mundësinë e shkatërrimit të shtetit. Nëse ka kush sy me e pa, këtë kufizim e ka edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008. Pika 1 e nenit 1 të Kushtetutës, në preambulë, ku përkufizohet shteti, thotë se Republika e Kosovës është shtet sovran, demokratik, “unik dhe i pandashëm”. Hartuesve tëKushtetutës, sigurisht duke u mbështetur në modele të tjera, kjo nuk u është dukur e mjaftueshme, prandaj në nenin 2, aty ku flitet për sovranitetin, kanë vënë pikën 2, në të cilën është thënëtaksativisht se “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacënueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohen me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe ligj”. Jo vetëm kaq. Në pakon e Ahtisaarit, e cila në një pjesë të mirë të saj është inkorporuar në Kushtetutë, është përcaktuar shumë qartë: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti” (Kushtetuta e Kosovës, neni 1, pika 3) Atëherë, çfarë po ndodh? Në të vërtetë, presidenti me projektin e tij për ndarjen e Kosovës, apo këmbimin e territoreve, që është njësoj, gjendet në zgrip të shkeljes së Kushtetutës, vetëm se këshilltarët e tij kanë gjetur një zgjidhje “kushtetuese”: presidenti ende nuk ka bërë ndonjë veprim konkret, të cilin nuk do të mund ta gëlltiste as Gjykata Kushtetuese, sado e kapur dhe sado luajale të jetë ndaj presidentit. Edhe ekipi negociator u bë me këtëprapavijë: të gjendet një person ekzekutiv, që të nënshkruajë njëtraktat tashmë të negociuar prej tij. Pra, një dredhi që pale si do të përfundojë. Vetëm se është e panatyrshme, krejt jonormale, qëpresidenti i një vendi, që afro një vit e këndej propagandon dhe angazhohet publikisht për një agjendë politike në shkelje tëKushtetutës. Nuk ka rëndësi nëse presidenti formalisht dhe juridikisht nuk është bërë ende “objekt i përshtatshëm” për Gjykatën Kushtetuese, por është jashtëzakonisht e dëmshme për vendin, për rendin kushtetues, për pozitën ndërkombëtare tëKosovës, që i pari i shtetit, bashkë me bashkëpunëtorët e tij(gjithnjë i refuzuar dhe pa autoritet, me përkrahjen e vetëm 11%), angazhohet “me mish e me shpirt” për kauzëantikushtetuese dhe antishtetërore: ngarendin korridoreve të Brukselit dhe të OKB-së, paguajnë lobues dhe analistë, të gjitha këto jo për ndonjë agjendë shtetërore, për të shtuar numrin e njohjeve, as për bashkëpunim bilateral dhe multilateral të Kosovës me shtete dhe organizatat ndërkombëtare, por për ta cenuar integritetin territorial të shtetit që e përfaqëson. Të gjitha këto për llogari personale dhe për Serbinë.

Edhe nëse vjen nga një histori çlirimtarësh, kjo më nuk kalon!

Prapaskenat. Maqedonia i bie të jetë njëri nga kapitujt e fundit i serisë së krizave ballkanike. Suksesi i referendumit dhe përfshirja e saj në NATO është shërbimi më i madh që i bëjnëshqiptarët një agjende globale: mund të mbahet mend si njëmemorial mirënjohjeje për kontributin e Aleancës në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Por ky referendum njëkohësisht duhet tëshënojë edhe fundin e ndërhyrjes tepër të gjatë të Rusisë në këtështet të ri. Pas dështimit në Mal të Zi dhe në Maqedoni, mund tëpritet ose një zmbrapse e Rusisë edhe nga Kosova, ose e kundërta, një ndërhyrje më intensive e saj në Ballkan, veçmas nëSerbi, Bosnjë dhe në Kosovë. Por më shumë se çdo gjë tjetër, Rusisë i duhet precedenti i ndarjes territoriale të Kosovës, për çka ka arritur të tërheq në anën e vet edhe një pjesë të korruptuar të Brukselit. Krimeja, Abhazia, Osetia dhe Transnistria janëraste që kërkojnë një analogji të përshtatshme ndërkombëtare, për të legalizuar pushtimin rus të këtyre ish-krahinave sovjetike, respektivisht legalizimin e ndarjes së tyre nga shtetet përkatëse, Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia. Pavarësisht se ngjan si konspiracion, nuk është rastësi që rikthimi i krizës së Kosovës ngjau në të njëjtën kohë me përkeqësimin e marrëdhënieve tëErdoganit me SHBA-në dhe afrimin e tij me Putinin, si dhe me një lidhje të tij të koordinuar me tre liderët ballkanikë, Ramën, Thaçin dhe Vuçiqin. Nëse ka ndodhur kjo në prapaskenë, dhe është krejt e mundur të ketë ndodhur, pavarësisht nëse është bërëpër arsye pushteti, faktorizimi ose Gjykate Speciale, dy liderët tanë mbajnë përgjegjësi historike që i kanë përfshirë shqiptarët dhe shtetet e tyre në një agjendë ruse-turko-serbe, duke i larguar dhunshëm nga bota perëndimore, të cilës natyrshëm i përkasin.

Epo, Zot, kësaj radhe mos i fal, sepse këta e dinë shumë mirë se çfarë bëjnë!

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Gazeta Express.

Shqipëria i dhuron UNESCO-s ikonën ‘Ngjallja e Llazarit’

Ikona “Ngjallja e Shën Llazarit” e restauruar gjashtë muaj më parë, do t’i bëhet dhuratë UNESCOS-s. Ky është një nga vendimet më të fundit të Këshillit të Ministrave, që mban edhe firmën e kryeministrit të vendit Edi Rama.

Bëhet fjalë për një ikonë që vjen nga kisha e “Ungjillëzimit”, e realizuar ne fillimet e shekullit XIX. E vlerësuar nga specialistët si një vepër me nivel të lartë artistik, prej vitesh ishte lënë në një gjendje tejet të degraduar. Pas procesit të restaurimit, që nisi gjatë muajit mars të këtij viti, ikonës i rikthehen vlerat artistike, duke dalë në pah koloriti i gjallë i veprës.

Vendimi i Këshillit të Ministrave është publikuar në fletoren zyrtare, ku shkruhen edhe detajet e tjera për procedurat e dhurimit të kësaj vepre të trashëgimisë kulturore shqiptare./KultPlus.com

85 mijë turistë vizituan kalanë e Gjirokastrës nga janari në shtator

Sot vetëm në kalanë e Gjirokastrës numërohen nga janari në shtator 2018, 85 mijë vizitorë.

Në fjalën e tij në ceremoninë e përfundimit të fazës së parë të Pazarit të Gjirokastrës, Kryeministri Edi Rama theksoi se “ky është një ndryshim i shumëfishtë, pasi në 2013 numëroheshin 6900 vizitorë në Gjirokastër, zyrtarisht”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “sikundër në 2013 ishin katër vende ku mund të shkoje të kaloje natën në Gjirokastër, sot nëse i referohemi “booking.com” janë shumë e shumë më tepër se kaq dhe shumë më tepër do të jenë vit pas viti e muaj pas muaji”.

Kryeministri Rama premtoi se qeveria do të vazhdojë investimet në qytetin e gurtë.

“Ne do të vazhdojmë investimet nga njëra anë dhe njerëzit këtu dhe ata që janë në emigracion po e shikojnë konkretisht se hapet një rrugë mundësish për gjithsecilin, për të rijetëzuar shtëpitë e tyre duke e transformuar në një bujtinë, ashtu sikundër për të kthyer sytë në hapësirën rurale të Gjirokastrës, ku ka një trashëgimi kulturore fantastike, natyrë të jashtëzakonshme, tradita dhe histori të lakmueshme dhe ku me kthimin e syve nga agroturizmi mund të kalohet nga një situatë mbijetese në një situatë jetese normale”, theksoi Rama./k.s/KultPlus.com

Jeta e aktorit Carlo Pedersoli do të vijë në një film

Jeta e Carlo Pedersolit ose siç njihet nga të gjithë Bud Spencer para se ai të bëhej i njohur, do të bëhet film.

Lajmin e ka dhënë djali i aktorit të humorit Giuseppe Pedersoli gjatë festivalit “Terni Pop Film Fest” në Itali, ku ka thënë se është në hapat e parë të punës.

Përveç djalit të aktorit në këtë festival ishte dhe vajza e tij dhe nipi i aktorit të ndjerë.

“E ndiejmë sikur e kemi pranë, për ne ai nuk është larguar kurrë. Kemi hapur dhe një faqe në Facebook në kujtim të tij që të gjithë njerëzit të botë ta ndiejnë sa më afër.

Ai thoshte gjithmonë se nuk ishte aktor dhe pas shumë vitesh kam kuptuar kuptimin e kësaj fraze. Në sheshin e xhirimit ai nuk interpretonte asnjë personazh, ishte pikërisht ashtu siç ishte në jetën reale”,- ka thënë djali i Bud Spencer.

Kujtojmë që aktori italian i adhuruar nga të gjitha moshat, i njohur shumë edhe në vendin tonë ndërroi jetë dy vjet më parë në qershor të vitit 2016 në moshën 87-vjeçare./KultPlus.com

Nëna

Poezi nga Ismail Kadare.

Në mbrëmje u kthye ai në shtëpi
i lodhur, i ngrysur, me traktet në gji.

Mesnatës së shurdhër, së errët, së shkret’
do ngjisë ai traktet kudo në qytet.

-Mesnatës ti sonte, o nënë, me zgjo!
-Mir’, biri nënës, fli, bir! – tha ajo.

Ai si i vdekur në gjumë ra pastaj
dhe nëna mbi të nuk i ndan sytë e saj.

Shikon ajo traktet dhe lutet për të
“Fli, biri i nënës, se ora s’është një”.

Akrepi lëviz, me ngadale lëviz
pas perdesh, pas xhamash: e zezë nata pis.

Në ëndërr ai buzëqesh e po sheh,
një fushë të bukur, një qiell pa re.

Dhe nëna e tij me të bardha vallëzon,
në fushë të sahatit me dorë tregon.

Akoma akrepi s’ka shkuar në një,
ndaj nëna s’e zgjon, ndaj akoma po fle.

Por befas në fushë u dëgjua që larg
një krismë përreth: trak a trak, trak a trak!

Dhe nëna u zhduk si ne mjegull atje,
sahati i thyer seç ra përmbi dhe.

I mbytur në djersë u zgjua ai
“O nënë”, dhe dorën e vuri në gji.

Atje trakte s’ka. “O nënë ku je?”
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin ditë e re.

“O nënë!”, por nëna nuk është më përqark
diku mitralozi troket: trak a trak!

Diçka nëpër mendtë atij shpejt i erdh’
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh.

Në dor’ revolverin, në rrugën e shkret’
vrapoi n’errësirë, kudo në qytet.

“O nënë, o nënë, o nënë, ku je?!”
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje.

Vrapon, po nuk duket gjëkundi ajo,
“Ndal!” ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo!

N’agim afër pyllit, ëe an’ të një përroi
pas drurëve ai u mbështet e vajtoi.

…Që biri të flinte i qetë gjer n’agim,
mesnata për nënën s’do ketë mbarim.

Ismail Kadare

“Takimet e Gjeçovit” në edicionin e tyre të 47-të vijnë me manifestime e përurime

Edicioni i 47-të i manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”, do të mbahet në Zym të Hasit, më 12 dhe 13 tetor 2018, shkruan KultPlus.

Manifestimin e organizon ShSh “Shtjefën Gjeçovi” në Zym në bashkëpunim me MKRS-në dhe me DKRS-në e komunës së Prizrenit.

Manifestimi letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit” mbahet nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Ministri Gashi: Të rinjtë kanë ide brilante, do t’i ndihmojmë ata të përgatiten për tregun e punës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në shënimin e Ditës së Rinisë të organizuar nga “World Vision”.

Qëllimi i këtij organizimi ishte diskutimi me mbi 200 të rijnë nga qytetet të ndryshme të Kosovës, me këtë rast të rinjtë kishin mundësinë të diskutojnë mbi punësimin, sipërmarrjen dhe se për problematikat që ata i shohin në komunitetet ku jetojnë, po ashtu të rinjtë gjatë këtij aktiviteti shpalosën idetë, dëshirat dhe aftësitë që kanë fituar për të festuar arritjet po ashtu edhe sfidat në të cilat kanë hasur.

Me këtë rast gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë ministri Gashi tha se “MKRS është e fokusuar tek të rinjtë që t’i specializoj dhe t’i ndihmoj në çështjen e punësimit , ne do të mbështesim çdo projekt i cili është në dobi për të rinjët dhe do të përkrahim çdo aktivitet që organizohet për të rinjët” tha ministri Gashi.

“Si ministri drejtpërdrejt nuk e mbulojmë çështjen e punësimit, por duke pasur parasysh se të rinjtë e Kosovës i takojnë moshës së re dhe rinisë, ne në programin tonë kemi paraparë një objektivë të veçantë, që ka të bëj me aftësimin dhe përgatitje për tregun e punës, javën e kaluar kemi certifikuar rreth 250 të rinj që kanë marrë pjesë në këtë projekt”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu tha se “Viti 2019 do të jetë viti i të rinjve sepse kështu e kemi paraparë në strategjinë e re për rini , për herë të parë ne do të kemi fondin rinor që do të jetë 1 milion euro i pari i këtij lloji në regjion që ka të bëjë me mbështetjen e të rinjve për ndërmarrësi dhe punësim”, tha ministri Gashi.

“Strategjinë për rini ne do ta ndryshojmë sepse dhjetë vite e fundit gjithçka ka ndryshuar, dhe se sot teknologjia është në kulm të zhvillimit, rrjetet sociale kanë efekt të madh në shoqërinë tonë, dhe kjo na detyron që ta ndryshojmë strukturën e departamentit të rinisë në mënyrë që t’iu përshtatemi rrethanave dhe kërkesave te të rinjve”, tha ministri Gashi

Ndërsa drejtoresha e World Vision për Ballkanin Perëndimor, Eljona Boqe Elmazi tha “se “world vision është gjithmonë aty ku është nevoja dhe ne jemi organizatë që në zemrën tone kemi fëmijët, që të arrihet mirëqenia e tyre duhet të funksionoj mirë çdo pjesë tjetër shoqërisë nuk mund të harrosh, familjen, institucionet kështu që ne do zgjerojmë programet tona sepse ka nevojë të punojmë me të rinjët në Shqipëri, Kosovë, më Bonje dhe vende tjera”, tha Boqe./KultPlus.com

Letra që Ernest Hemingway i dërgoi Petro Markos

Një ndër autorët shqiptarë, i cili për fat të keq nuk vlerësohet aq sa duhet, është Petro Marko i cili një herë e një kohë, takohej me laureatin e çmimit Nobel për Letërsi, shkrimtarin e madh Ernest Hemingway.

Në artikullin “Shkrimtari, që do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…”, marrë nga parathënia e librit “Për kë bie këmbana”, botim i shtëpisë botuese “Ombra GVG”, Petro Marko shkruan:

“…U njoha me Heminguejin në Valencia, në Kongresin e Shkrimtarëve më të shquar të botës, si: Pablo Neruda, Nikolas Giljen, Andre Marlo, Nekse, Ana Serges, Luvdig Ren, Aleksej Tolstoj, Rafael Alberti, Atonia Maçado e të tjerë. Ky dukej më i gjalli. Unë për herë të parë i shikoja dhe u dëgjoja emrin këtyre kolosëve të letërsisë bashkëkohore, të cilët, me mendimet dhe shkrimet e tyre, i dhanë një hapësirë më humane, më internacionale dhe socialiste letërsisë dhe artit botëror.

Isha kureshtar për këtë njeri, trupmadh dhe të ngarkuar me kamera (se xhironte filma për zhurnalet e kinemave të botës dhe i shiste për t’i ardhur në ndihmë Republikës), të ngarkuar me bomba, me dylbi, me pistoleta, aq sa një shkrimtar tjetër i njohur i tha:
– Si shumë t’i rëndojnë supet hekurat që mban!
– Më shumë mi rëndojnë mendimet se hekurat, – iu përgjigj Ernest Heminguej.

Kur lexova romanin e tij u mahnita, prandaj nisa dhe unë të shkruaja romanin ‘Hasta la vista’. Kur u botua, i dërgova edhe atij një kopje, ku i shkruajta: ‘I frymëzuar thellë dhe i nxitur nga romani juaj ‘Për kë bie këmbana’, kushtuar vullnetarëve amerikanë, që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë’.

Pas dy a tre muajsh, mora një kartë postale. E hapa dhe lexova këto fjalë të Heminguejit, shkruar në gjuhën spanjolle: ‘I dashur Pedro, mora romanin tuaj dhe ju falënderoj. Mjerisht, unë nuk e lexoj dot, se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt: shkrimtari, që e do njeriun dhe vdes për të, shkruan mirë…’”./KultPlus.com

Punëtorët e Pallatit të Rinisë në grevë, s’kanë marrë pagat tash dy muaj

Mos marrja e pagave për dy muaj ka shtyrë 104 punëtorët e Pallatit të Rinisë që të hyjnë në grevë nga data 28 shtator. Ata paralajmërojnë se nuk do t’i japin fund grevës deri në marrjen e pagave, ndërkohë që Agjencia Kosovare e Privatizimit që ka menaxhuar më herët me këtë ndërmarrje dhe Komuna e Prishtinës që tashmë e menaxhon, nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Pallatit të Rinisë, Enver Musiçi, ka thënë për KosovaPress se punëtorët pagën e fundit e kanë marrë në muajin korrik dhe se për këtë çështje kanë komunikuar me zyrtarët e AKP-së dhe Komunës së Prishtinës, por ata, sipas tij, po ia hedhin fajin njëri-tjetrit për mos dhënie pagash.

“Arsyeja pse ne jemi futur në grevë është për shkak të mos marrjes së pagave që nga muaji korrik. Kështu që, po më duket që i kemi shterur të gjitha burimet, siç thotë një fjalë e urtë popullore me fjalë të mira dhe të buta duke kërkuar që të na bëhet pagesa e pagave. Kemi kontaktuar me institucionet e administratës të Agjencisë së Privatizimit, pastaj edhe me të komunës. Kështu që deri me 10 shtator kemi qenë punëtor të Administratës së autoritetit të likuidimit të Agjencisë Kosovar të Privatizimit, një marrëveshje që është arritur mes Komunës dhe AKP-së është bërë që prej datës 10 shtator kemi kaluar nën kompetencat e komunës. Pastaj, jemi drejtuar tek komuna, ku kemi pasur takim edhe me kryetarin edhe nënkryetarin e komunës së Prishtinës dhe kështu na kanë informuar se Komuna akoma nuk i ka përgatitur njerëzit që duhet të caktohen tre aksionar, të marrin vendim për ta regjistruar ndërmarrjen e re publike”, ka thënë ai.

Musiçi thotë se tashmë kanë mbetur në udhëkryq, ku nuk e dinë se nga kush të kërkojnë përgjegjësi për mosmarrjen e pagave. Ai ka treguar se është bërë një marrëveshje verbale në mes AKP-së dhe Komunës së Prishtinës, që AKP të paguajë pagat e punëtorëve meqë mjetet kanë qenë në llogari.

“Kur kërkojmë llogari nga AKP ata thonë se ka një obligim komuna, ata e kanë bërë një marrëveshje me shkrim ku thuhet se të gjitha obligimet të cilat i ka AKP ndaj klientëve ose punëtorëve i ka bartur tek komuna. Komuna e Prishtinës me shkrim i ka pranuar, por në mënyrë verbale e ka bërë një marrëveshje me AKP-në, ku kemi qenë edhe ne prezent aty ku ata i kërkojnë që të paguhen pagat e punëtorëve të muajit gusht, pasi që, mjetet janë në xhirollogari. Kështu që pas asaj marrëveshje verbale AKP e ndërron vendimin dhe nuk i përmbahet asaj marrëveshje, nuk na i paguan pagat dhe për atë kemi qenë të detyruar të hyjmë në grevë”, ka bërë të ditur ai.

Nëse nuk gjendet një zgjidhje, Musiçi thotë se do të marrin masa të tjera, por që ende nuk kanë vendosur të përshkallëzojnë grevën apo të protestojnë.

Ai ka bërë të ditur se aktualisht punëtorët e sigurimit janë duke e bërë punën e tyre për shkak të sigurisë së objektit.

“Greva është patjetër me kërkesën e punëtorëve sepse pe shohim që nuk po kemi mundësi me i realizua përmes kërkesave tona legjitime me bisedime. Tash jemi futur në grevë, ku kemi filluar një grevë të shkallëzuar, do të thotë nuk i kryejmë shërbimet ndaj aktiviteteve sportive, kulturore, ndaj zejtarëve, afaristët që i kemi në qendër tregtare. Kështu që në të ardhmen të shohim. Në grevë jemi që nga data 28 shtator e të shohim pas të hënës çka do të bëhet. Na kanë premtuar se diçka do të lëvizë për të mirë, por ato premtime siç po duket vetëm po janë premtime e realitet kurrgjë nuk ka”, ka thënë ai.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Pallatit të Rinisë, Enver Musiçi, ka thënë se do të ndërpresin grevën vetëm atëherë kur të marrin pagat, e deri atëherë ai thotë se punëtorët e shërbimit teknik, shërbimi i sigurimit dhe administrata do të vazhdojnë grevën.

KosovaPress gjatë ditës ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të AKP-së dhe të Komunës së Prishtinës, për të kuptuar se kush është përgjegjës për të bërë pagesën e punëtorëve, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur thirrjeve të redaksisë.

Qeveria e Kosovës në dhjetorin e vitit të kaluar kishte marrë vendim që Pallati i Rinisë dhe Sporteve, nga AKP-ja, të kalojë në pronësi të Komunës së Prishtinës. Ndërkohë që zyrtarisht më 12 shtator të këtij vitit AKP kishte bërë dorëzimin e Pallatit të Rinisë te Komuna e Prishtinës./KultPlus.com

Në Shkodër, zhvillohet sfilata me veshje tradicionale frymëzuar nga Marubi

Katër stilistë të huaj janë frymëzuar nga krijimet e Marubit. Përmes kësaj, ata realizuan një sfilatë të veshjeve tradicionale të sjella në kohën e sotme.

“Marubi” është frymëzues. Nxit imagjinatën e të sjell në kohë etnosin tonë përmes veshjeve. Katër stilistë nga vendet e ndryshme të botës, me një sfilatë veshjesh tradicionale në rrugën Kole Idromeno. Organizatorja e aktivitetit Klodi Mengri thotë se kush më mirë se Marubi mund të të frymëzojë.

Klodi Mengri, organizatore, u shpreh: “Shumë e kënaqur, e lumtur. Tani do të doja që të gjithë ta përcjelli e gjithë Shkodra këtë kënaqësi që unë ndjej në shpirt”.

Për Luçjan Bedenin, Marubi ka joshur arkitektët e inxhinierët, pse jo edhe për stilistët. Ajo që synohet është kthimi i kësaj sfilatë në një traditë.

“Unë besoj që Marubi prej 2 vitesh po e ndryshon bindshëm qytetin”, tha Bedeni, shkruan Abcnews.

Me burim nga etnografia shqiptare e pasqyruar në veshjet e personazheve të fotografuar nga Marubët dhe e riparë sot nga stilistë të rinj që frymëzohen prej saj, ku përmes stilit, e kaluara dhe e tashmja vijnë së bashku në përfaqësimin e trashëgimisë e identitetit tonë kulturor.

Sfilata u shfaq në pedonalen e Shkodrës dhe vjen si bashkëpunim i Muzeut Marubi, Ti Institut dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com

Muzeu i Qytetit të Mitrovicës shënoi 66 vjetorin e themelimit, ia dedikon Sulejman Muratit

Në kuadër të Javës për Trashëgimi Kulturore Evropiane, Muzeu i Qytetit të Mitrovicës shënoi 66 vjetorit e veprimtarisë së vet, duke ia dedikuar të parit të këtij institucioni, themeluesit Sulejman Muratit, përcjellë KultPlus.

Sulejman Murati (1923-1990), ishte themeluesi i Muzeut të Qytetit të Mitrovicës që në vitin 1952. Ai ishte i diplomuar për Etnografi në Universitetin e Beogradit dhe që nga viti 1952 emërohet Drejtor i Muzeut të Qytetit të Mitrovicës, duke ia dedikuar punë profesionale muzeut për më shumë se tre decenie.

Pas një performance në piano u lexua historiku i shkurtër i muzeut si dhe biografia e Sulejman Muratit. Ndërkaq enkas për këtë aktivitet qenë ftuar në panel dy vajzat e Sulejam Muratit, ish Drejtoresha e muzeut Znj. Turkanas Konjusha, si dhe miku e bashkëpunëtori i tij Z. Asllan Kryeziu të cilët ndanë kujtime nga më të ndryshmet për të pranishmit në sallë.

Gjatë bashkëbisedimit të zhvilluar u treguan dimensione personale, profesionale si dhe dedikimi i Sulejman Muratit për qytetin e Mitrovicës. Vajzat kujtuan dedikim e babait për muzeun, për qytetin si dhe pasurimin e diapazoneve të tyre me histori qysh në moshë të re. Konjusha kujtoi dedikimin dhe dashurinë e Sulejman Muratit për punën në muze dhe se sa preokupohej me degradimet e trashëgimisë kulturore arkitektonike në qytet. Në anën tjetër miku i tij dhe bashkëpunëtori Kryeziu çmoi lartë guximin e tij drejt mbledhjes të gjithë asaj pasurie të trashëgimisë kulturore në një kohë kur nisma të tilla shantazhoheshin nga sistemi qeverisës i asaj periudhe, si dhe rikujtoi se ishe pikërisht Sulejman Murati ai i cili u kujdes për mbledhjen e eksponateve të ndryshme nga familja e Isa Boletinit, të cilat me vite i mbajti në muze dhe tashmë gjinden në kullën muze të Isa Boletinit.

Ky manifestim u pritë me dashamirësi nga bashkëkohësit e tij të rrallë, studentët e rinj dhe qytetarët e Mitrovicës.

Veprimtaria shkencore e Sulejman Muratit si autor dhe bashkëautor

“Dëshmi të Luftës për Liri”, libër i cili u botua në vitin 1986;

“Luftëtaret e rënë dhe viktimat e terrorit fashist në Mitrovicë dhe rrethinë 1941-1945.

“50 Shekuj të Mitrovicës” – 1971

“Historia e Mitrovicës sipas koleksioneve muzeore”

“Historia e Mitrovicës nga lashtësia deri në ditët e sotme”

“Mitrovica dhe rrethina” 1978-1979;

“Mitrovica e Titos 1945-1980” Monografi

”Kombinati Trepça” Monografi – 1974.

Turistët udhëzohen të mos marrin gurë nga plazhi

Një fushatë është lansuar në ishullin grek Skiathos, për t’i ndalë turistët nga marrja e guralecëve ikonikë e karakteristikë nga plazhi i njohur Lalaria. Plazhi, në të cilin dikur u xhiruan edhe disa skena të filmit ‘Mamma Mia’, është duke i humbur guralecët e bardhë të famshëm, gjë e cila i shqetësoi aktivistët.

Tani shumë shenja janë vendosur gjithandej nëpër plazh dhe anije, ndryshe mënyra e vetme për njerëzit për të arritur te ky ishull, me ç’rast inkurajohen të bëjnë fotografi, por të mos marrin guralecë. Madje, edhe në aeroport janë vendosur shumë kuti, me të cilat turistët inkurajohen që t’i kthejnë gurët nëse eventualisht i kanë marrë.

Kreu i qendrës kulturore në Skiathos, Theodoris Tzoumas, ka thënë se turistët që vinin në këtë plazh i merrnin gurët si suvenire, duke zvogëluar sasinë e gurëve në plazh. Tani madje janë vendosur edhe gjoba nga 400 deri në 1 mijë euro për ata që kanë marrë gurë./albinfo.ch

Shqipëria po digjet, Puka po digjet, gjyshërit tanë po digjen…

Nga Alma Nikolli

-“Ku jemi këtu?”, pyeste kinezi.
-“Në Pukë.
Pas shumë minutash pyeste sërish.
-“Po këtu?”
-“Në Pukë”, i përgjigjej po prapë shoqëruesi shqiptar.
Pas një ore.
-“Po tani ku jemi?”
-“Në Pukë”.
-“Po Puka qenka më e madhe se Pekini!”.

Ky është një dialog që mendohet të jetë zhvilluar përgjatë viteve të komunizmit në rrugët e Pukës. Nuk vë dorën një zjarr për vërtetësinë, ama ashtu si atëherë, thuajse përgjatë të gjitha rrugëve të Pukës së madhe apo të vogël, ka pisha të panumërta.
Pisha, që tani kur unë po shkruaj vazhdojnë të digjen. Të shkrumbohen! Pisha të larta që po u thahen halat, e pas pak kohësh do rrëzohen mbi njëra tjetrën. Prej tre ditësh era ndez vatra të reja zjarresh në dy fshatra, Tuç e Lumbardhë. Njëri fshat që po shkrumbohet ishte më i bukuri në botë, sepse aty kam lindur unë. Po tani nuk e ka më fytyrën e vet.

Kumbulla në oborr është djegur e rrëzuar. Ftoi i ka hedhur të gjitha frutat në tokë, ashtu gjysmë të pjekur e gjysmë të djegur rrëfejnë se dikur aty pati jetë. Malet janë zhveshur dhe mushkëritë na u bllokuan, pishat nuk na mbushin dot me frymë. E kë? Ne. Ne që dikush më shumë e dikush më pak jemi rritur me aromën e tyre, me oksigjenin e tyre.
Më tutje, aty nën udhë tymi sikur kishte marrë tjetër ngjyrë. Po digjeshin varrezat. Prej varrezave e teposhtë, flaka sa vinte e shtohej, më ngjante bash sikur ishte zemërimi i të vdekurve që s’po lihen rehat as në atë botë. Ishte gjyshi im që largonte tymin me qeleshe…

Mes tymit e të kolliturave u larguam nga fshati. Ta shikoje të digjej e të mos bëje dot asgjë, përveç fotografive, ishte me të vërtetë e dhimbshme. Është akoma. Do të jetë.
Për zjarrfikëset nuk po flas. I pamë diku “një fshat” larg zjarrit. Helikopterë me ujë? Ata dinë të dalin bukur vetëm në foto. Këmbë njeriu dhe ariu nuk pat, qoftë edhe të na parandalojë për rrezikun e hapave mes tymit e flakëve, ama njeriu mendon me zemër ndonjëherë.

Në vitin 2007, në këto zona ka pasur zjarre thuajse me përmasa të tilla. Ashtu si sot, edhe atëherë thuhej se ishte i qëllimshëm. Pse shqiptarët po na e djegin oksigjenin qëllimisht? Që të na thonë se askush nuk do ta fikë? Përse po na i vdesin sërish të vdekurit? Pse duan të na zhdukin çdo lidhje të qenësishme që kemi me vendin tonë? Që të ikim? Të ikim pa merakun se kemi kujtime pas? Kujtime që nuk kanë më një vend, kujtime të mbetura në zemër.

Posterët që pasqyrojnë marrëdhëniet Shqipëri- Kinë

Marrëdhëniet Shqipëri-Kinë i referohet marrëdhënieve historike dhe të tanishme mes Shqipërisë dhe Kinës. Dy shtetet bënë marrëdhënie diplomatike më 23 nëntor 1949.

Nga vitet 1960 e më pas, Republika Popullore e Shqipërisë nën Enver Hoxhën, solli një rezolutë vjetore në Asamblenë e Përgjithshme për të transferuar selinë e Kinës në OKB nga Republika e Kinës në Republikën Popullore të Kinës. Më 25 tetor 1971, Rezoluta 2758, e sponsorizuar nga Shqipëria, u miratua nga Asambleja e Përgjithshme, duke tërhequr njohjen e Republikës së Kinës si qeveri legjitime të Kinës dhe duke njohur Republikën Popullore të Kinës si qeverinë e vetme legjitime të Kinës.

KultPlus ju sjellë disa posterë që pasqyrojnë miqësinë e Shqipërisë me Kinën.


Koncertet e Korit të Pejës në Gjermani

Kori i Universitetit Haxhi Zeka të Pejës në Kosovë po përgatitet për një koncert në Gjermani i moderuar nga dirigjenti Desar Sulejmani.

Përpara nisejes dirigjenti i këtij kori dhe njëkohësisht dekan i Fakultetit të Muzikës, Hysen Nimani ka dhënë një intervistë, në të cilën ka theksuar vlerën e këtij aktiviteti dhe punën që bëhet me këtë ansambël në Fakultetin e Pejës.

Së fundi ky kor ka dhënë dy koncerte në Kjustendill dhe Sofie të Bullgarisë.

Koncertet në Gjermani do të përmbajnë vepra nga Karl Orf (Carmina Burana) me orkestrën Heinrich Heine Symphoniker në Düsseldorf të Gjermanisë, me datat 16 dhe 18 tetor 2018. Në këtë koncert do të marrin pjesë 40 korristë nga ky Fakultet si pjesë e korrit të përgjithshëm prej rreth 120 këngëtarësh. Dirigjent do të jetë Desar Sulejmani. Koncertet do të mbahen më 16 tetor 2018 në Katedralen e qytetit Xanten dhe me datë 18 tetor 2018 në Tonhalle Düsseldorf, sallën kryesore të koncerteve në kryeqytetin e shtetit federal të Rinit Verior dhe Vestfalisë (Teatri Oberhausen).

Gjithashtu Korri i Fakultetit të Pejës do të mbajë edhe një koncert tjetër “a capella” në Esen të Gjermanisë. Programi do të përmbajë vepra korale nga autorë Shqiptarë e Kosovarë si dhe nga autorë të huaj.

Duke përshëndetur aktivitetet artistike të Korit të Pejës, ashtu dhe të gjithë trupave artistike të Kosovës, të cilat po tregohen shumë aktive në paraqitjet jashtë vendit të tyre, na vjen keq për apatinë dhe paaftësinë e trupave tona artistike në Shqipëri të cilat jo vetëm që kanë pak kontakte profesionale me botën, por dhe pothuajse nuk kanë asnjë axhendë koncertale në drejtim të Evropës./opusalb

Më thuaj, çka dëshiron të shohësh kur zgjohesh nga gjumi në Sarajevë, në Beograd, Zagreb, Shkup, Prishtinë, Podgoricë, Tiranë

Shkruan: Çedomir Jovanoviq

A e pyet veten ndonjëherë çka është jeta? Ku fillon gjithçka që je ti? Ku
mbaron gjithçka që nuk je ti dhe fillon gjithçka që është e jotja? Edhe
politika Jote.

E para se të pyesësh veten…
Ngrite kokën dhe shiko, do të shohësh atë që ndjen dhe tanimë e di.
Që ëndërron jetën tënde dhe tonën.
Që jeton frikën dhe ankthet tuaja e tonat?
Hapi sytë, jepja jetën ëndrrave. Shpërndaj retë. Largoje shiun.
Edhe errësirën. Trimëroj të frikësuarit, të gjymtuarit, të dëbuarit.
Shembi llogoret. Ndalo para kolonës ku fillojnë të vrasin.
Kolonat që ikin, që të mos vriten. Dhe përsëri shpërndaj retë.
Largoje shiun, edhe errësirën. Munde frikën.
A e ëndërron jetën derisa jeton vdekjen?
A e ëndërron paqen derisa jeton luftën?
Kur zgjohesh, kur del në dritare, shikon rrugët, të përshpejtuara, edhe
njerëzit, automobilat, fytyrat e qeshura të shitëseve, fëmijët me çanta,
shitës të gjithçkafit, dhe gjithçka që ndjek, derisa dhe punon,
kërkon, takon – a po i sheh, a e din pse ëndërrojmë jetën derisa po
jetojmë frikën dhe ankthet?
Dhe a te shkon ndër mend, a, dhe ja, je zgjuar nga gjumi, i ke larë
dhëmbët, je përgatitur, ke dalë, ke punuar, ke qeshur, ke pirë
kafe, ke mbajtur dikë për dore, je kthyer në shtëpi, ke lexuar, ke shikuar film
koti, ke larë dhëmbët, je shtrirë… Atëherë, a të bie ndër mend, që ë
mundesh të zgjedhësh?
Të votosh? Të vendosësh? Të jetojmë atë që ëndërron dhe ëndërrojmë.

4

Dhe të pyetesh. E pyetjet të jenë të shkurtra. E që përgjigja, përgjigja jote,
të bëjë dallimin. Në mes të ëndrrave tuaja të përjetshme dhe tonave.
Dhe mëngjesit tuaj e tonit.
Punë apo istikam.
Stallë apo shtëpi.
Mik apo armik.
Buzëqeshje apo thikë.
Bukë apo gjak.
Ti thuaj. Ti po pyetesh.
Sepse nesër nuk do të mundë të flasësh, të mendosh, të duash, të
dëshirosh. Edhe atë nuk do të mundesh ta vëresh.
Nuk do të mundesh as të i`a mbathësh.
Je aty, ku çdo ëndërr varet prej teje. Për arsye se zgjedh dhe vendos.
Për vete, për ata para teje, për ata pas teje.
Aty, ku din dhe bën dallimin. Aty, ku ti pyetesh.
Dhe asnjëherë, mos më thuaj, çka ëndërron. Ëndërrojmë njëjtë. Çdo natë.
Më thuaj, çka dëshiron të shohësh kur zgjohesh nga gjumi.
Në Sarajevë. Në Beograd, Zagreb, Shkup, Prishtinë. Në Podgoricë. Tiranë.
Dhe a është i vetmi zoti, ai që kërkon viktimën, për paqe.
A jemi më shumë? Njerëz. A jemi mjaftueshëm? Për paqe.
A mundemi? A dëshirojmë? A guxojmë? Paqe? Ti pyetesh. Ti vendos.
Këto janë fjalë për paqe. Dhe fjalët tuaja. Këto janë mendime dhe
shpresa të të gjithë atyre të cilët besojnë në paqe. Të cilët për paqe
pajtohen. Të cilët paqen e mbrojnë, në zgjedhjet e Bosnje dhe
Hercegovinës. Dhe në referendum në Maqedoni. Edhe në Prishtinë.
Edhe në Beograd.
Ky është koalicioni për paqe. Bashkëngjitu!
Sepse prej teje nevojitet dhe varet.
Secila ëndërr e jote.
Dhe çdo zgjim i yti në mëngjes.
Në paqe.

Vetmia

Poezi e shkruar nga Drita Çomo.

Vetmia është zilja e telefonit
Dhe një zë i huaj që kërkon dikë tjetër
Vetmia është e diela e zbrazët
Me biseda boshe dhe pa diell.

Vetmia është të shikosh pas xhamit
Njerëz që nxitojnë në mbrëmje
Mërzia e gjatë para gjumit
Dhe vapa në netët pa hënë.

Vetmia është të duash shumë
Dhe të mos kesh çfarë të duash
Të mos kesh kujt t’i falësh dy lule
Dy fjalë të mira të mos kesh kujt t’ia thuash.

Të jesh kudo, i tepërt, i huaj
Mik i paftuar në botë, hije
Pa një kujtim që të të bëjë të vuash
Pa një shpresë për atë që do të vijë.

Po ankthi i ditëve të mia pa ty
Ankthi im i përhershëm
Për të gjitha ato që i di dhe s’i di
Kjo është diçka tjetër.

Minutat që ikin ngadalë-ngadalë
Rënduar nga ajo që quhet pritje
Rënduar nga ai që quhet mall
Dhe që nuk llogaritet….

43 556 turistë vizituan Korçën në janar-gusht 2018

Qyteti i Korçës, vijon të tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas edhe të huaj, të cilët gjejnë mjaftë tërheqëse klimën, bukuritë dhe traditën kulturore të këtij qyteti.

Sipas të dhënave të bëra publike nga bashkia Korçë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) numri i vizitorëve nga periudha janar-gusht 2018 është 43 556 turistë gjithsej.

Akomodimi i turistëve është realizuar si në mënyrën moderne (hotele) ashtu edhe në atë tradicionale (bujtina) që kanë ofruar sipas bashkisë shërbime cilësore për pushuesit.

Aktualisht në qytetin e Korçës kapaciteti i shtretërve shkon në 1845 persona ndërsa numri i strukturave akomoduese është 83 (59 hotele dhe 24 bujtina). Kapacitetet akomoduese në qarkun e Korçës ka pësuar një rritje prej 16 strukturash akomoduese, duke ofruar më shumë shtretër për pushuesit.

Korça është kthyer në një prej destinacioneve turistike më të frekuentuara në vend. Kjo ka sjellë edhe nevojën për rritjen e kapaciteteve akomoduese, duke krijuar kështu një trend në ndërtimin e bujtinave dhe hoteleve të cilat pozicionohen kryesisht në zonat karakteristike të qytetit. Janë vetë qytetarët e Korçës ata të cilët i kanë kthyer banesat karakteristike korçare në bujtina pritëse për turistët. Ajo çfarë i bën aq shumë të dashura bujtinat është ruajtja e stilit origjinal të ndërtimit por edhe aredimi.

Korça është një destinacion mjaft interesant për t’u vizituar pasi në stinën e dimrit të ofron mjaft alternativa argëtimi në fshatin e Dardhës dhe Voskopojë, gjithashtu në këtë zonë gjenden edhe një sërë veprash antike, si bazilikat, mozaikët etj.