Askush nuk ta garanton se në darkë do i shohësh prapë familjarët e tu, ndaj duaji, puthi dhe përqafoji çdo mëngjes

Një herë një mësuese filloreje u la një detyrë studentëve të saj. Ajo u kërkoi të shkruanin se çfarë do të donin të bëheshin, kur të rriteshin. Disa shkruan se donin të bëheshin astronautë, disa aktorë, disa këngëtarë dhe disa të tjerë shkencëtarë. Ndër gjithë fletët e dorëzuara, ajo dalloi njërën si më të veçantë. Një djalë kishte shkruar: “I lumtur”.

Mësuesja shkoi drejt djalit dhe i tha: “Xhon, më duket se e ke keqkuptuar pyetjen”.

Ndërsa ai ia ktheu: “Mësuese, më duket se ju keni keqkuptuar jetën”.

Nuk e di se çfarë ka ndodhur me ne, por përkufizimi ynë për suksesin ka ndryshuar shumë me kalimin e kohës. Sot, suksesi është i lidhur ngushtë me fuqinë që të jep paraja. Luftojmë shumë të pasurohemi me mendimin se ashtu do të fitojmë sukses dhe në atë mënyrë do të fitojmë lumturi. Në mendje më vjen një thënie e Jim Carrey-t: “Do të doja që gjithkush të ishte i pasur dhe të bënte çdo gjë që dëshironte për të kuptuar se paraja nuk është gjithçka”.

Ajo që ai nënkupton, është se lumturia është gjithçka dhe lumturia është një punë e brendshme. Është përpjekja për t’u përmirësuar dhe për të qenë një njeri më i mirë. Është dëshira për t’i ndihmuar të tjerët, për t’i mbështetur ata dhe për të falur dashuri.

Ne jemi kaq të zënë me teknologjinë dhe celularët tanë, saqë harrojmë se ajo që ka rëndësi është lumturia. Kur dalim nga shtëpia, kontrollojmë nëse kemi marrë me vete portofolin, çelësat dhe celularin, por harrojmë të përqafojmë njerëzit e dashur që mund të mos i shohim sërish në darkë. Mos u çudit. Jeta është plot me të papritura. Askush nuk ta garanton që në darkë do t’i shohësh sërish familjarët e tu, ndaj fal dashuri. Lumturia është gjëja më e rëndësishme në jetë dhe ajo s’mund të blihet me para…

Kryetari i Zvicrës ulet dhe shkruan në trotuar gjatë pauzës në Asamblenë e OKB (FOTO)

Kryetari i Zvicrës, Alain Berset ështē dukur një njeri aq i thjeshtë sot në rrugët e New York. E gjithë bota tashmë ka parë imazhin e një kryetari i cili në pauzën e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ulet në trotuar dhe mbanë shënime.

Në foton e ndarë nga EPA, Berset duket se është përqendruar më shumë tek shënimet me rëndësi sesa mënyra se ku është ulur, përcjellë kosovapost.

Ky veprim i tij lë të kuptohet se shtetet në zhvillim kanë arritur suksese falë thjeshtësis së liderëve të tyre, e kjo tregon më së miri për Zvicrën që është shtet më sigurinë më të madhe në Evropë pa anashkaluar edhe zhvillimin ekonomikë ku renditen ndër të parët.

Orkestra frymore e Beratit vlerësohet me çmim në Shkodër

Orkestra Frymore e qytetit të Beratit, nën drejtimin e dirigjentit Fatbardh Dervishi, u vlerësua me çmimin “Pjetër Dungu”, në “Takimin kombëtar të orkestrave frymore” të zhvilluar në qytetin e Shkodrës në datat 26 dhe 27 shtator.

E vlerësuar për performancën më të mirë Orkestra Frymore e Beratit, konkurroi me sukses gjatë dy netëve të festivalit.
Ndërsa me çmimin si “Instrumentisti me kontribut të vyer në vite në Orkestrën Frymore” u vlerësua klarinetisti, Nuredin Spahiu.

Në “Takimin kombëtar të orkestrave frymore” në Shkodër morën pjesë Banda Frymore e Bashkisë Shkodër, Banda Frymore e Bashkisë Elbasan, Banda Frymore e Bashkisë Durrës Banda Frymore e Bashkisë Berat, Banda Frymore, Lezhë, Banda Frymore e Bashkisë Tivat Banda Frymore e shkollës artistike “Prenkë Jakova”.

Kjo orkestër është krijuar që në 1823-shin nga Vacisllav Panek. Në një qytet historik siç është Berati, qytetarët i gëzohen muzikës së bandës jo vetëm në koncerte. Orkestra frymore është pjesë e rëndësishme e jetës artistike dhe kulturore të qytetit.

“Shota” mblodhi të gjitha trevat shqiptare në dasmën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës është dhënë premiera e shfaqjes “KUMT” nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, shkruan KultPlus. Koreografi Gjergj Prevazi ka kohë që ka marrë ftesë nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” për të realizuar një koreografi për trupën e saj. Së fundi ai i është përgjigjur kësaj ftese dhe së bashku me anëtarët e trupës së “Shotës” kanë punuar në koreodramën të cilën e kanë titulluar “KUMT”. Një koreodramë e cila është realizuar për të shënuar edhe 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti –Skënderbeu.

Shfaqja është ndarë në dy pjesë. E para është thirrja apo lindja e një rezistence dhe bashkimi shqiptar rreth Skënderbeut, ndërsa e dyta dasma e Skënderbeut. Shfaqje zhvillohet rreth heroit kombëtar Skënderbeut, një temë kjo sipas koreografit Prevazi shumë e trajtuar por njëkohësisht një e vështirë që ti qasësh pasi që ka të bëjë me figurën e heroit tonë kombëtar.

Pikërisht këtu ka lindur edhe sfida e koreografit dhe regjisorit të shfaqjes i cili ishte në kërkim të një formati më ndryshe por që nuk do largohej nga tradita shqiptare. “Gjithmonë kam qenë i mendimit që formacionet e tilla artistike si puna e ‘Shotës’, dhe ansambleve simotra të ‘Shotës’ kudo qofshin duhet që të përballen edhe me realitetet e ditëve të sotshme dhe jo vetëm të marrin përsipër trashëgiminë tonë kulturore jo materiale në këtë rast, pra këngët dhe vallet popullore. Një qasje më bashkëkohore karshi traditës, vlerave më të mira të folklorit tonë, ka qenë një sfidë e madhe por unë gjithmonë e kam këndvështruar sipas qasjes sime personale krijuese”, u shpreh ai për KultPlus.

Koreografi i cili në punën e tij dallohet për element bashkëkohore ka dashur që këto elemente ti sjellë edhe të “Shota”. Një ndërthurje në mes të fokusit që ka ky ansamble, kultivimit të folklorit dhe ruajtjes së vlerave tradicionale, dhe konceptit bashkëkohorë.

“Në këtë kuptim jam përpjekur që ti ofrojë publikut të Prishtinës një format të ri, siç e patë edhe ju i cili sot njihet si folku-bashkëkohorë, dhe është një format relativisht i ri edhe në skenën evropiane. Ai shfrytëzon elemente të folklorit por në konceptet e sotme dhe në këndvështrimet e shoqërisë së sotme”, theksoi ai.
Për valltarin Besnik Grajçevci, i cili solli Skënderbeun, pikërisht ky koncept “folk-bashkëkohor” ka dëshmuar se ansambli ka mundësi për të ofruar më shumë nga vetja e tij.

“Më këtë shfaqje Ansambli “Shota” dhe Trupa e Ansamblit “Shota” ka treguar që ka një brumë brenda vetës dhe pranon dhe mund të jap përtej kornizave të veta të rëndomta të cilat i kemi pasur ndër vite. Më këtë shfaqje ansambli Shota ka arritur që ti thyejë të gjitha barrierat e folkut dhe përgjegjësinë që e kemi si ansambël për ruajtjen e traditave dhe kultivimin e tyre. Sot e them me përgjegjësi se kemi hyrë edhe në përgjegjësi të teatrit, vallëzimit dhe të të gjitha sferave të kulturës dhe mendoj se ia kemi dhanë hakun ashtu siç duhet”, tregoi ai për KultPlus.

‘KUMT’ është koreodramë e punuar nën udhëheqjen artistike të Ylber Asllanajt, me muzikë të realizuar nga Valton Beqiri dhe kostumografe Vesa Kraja.
Muzika e cila zë një vend të rëndësishëm sidomos në pjesën e dytë ka qenë një sfidë të cilën nuk e ka marrë vetëm “Shota” por të gjithë që kanë punuar së bashku për të sjellë këtë shfaqje, u shpreh kompozitori Valton Beqiri.

“Në pjesën e parë muzika ka qenë e kompozuar enkas për këtë shfaqje. Në këtë rast roli i kompozitorit është që të jetë sa më afër kërkesave të koreografit dhe shfaqjes në përgjithësi. Muzika është ilustrative, mirëpo edhe si e vetme kjo muzikë mund të qëndrojë dhe kjo është një e mirë e kësaj pikë muzikore. Pjesa e dytë ishte live me orkestër, një dasmë e imagjinuar e Skënderbeut, të cilin ne fatkeqësisht nuk e kemi. Një Skënderbe i cili do ti afronte të gjitha trojet shqiptar, prandaj patëm edhe këngë dhe vallet nga të gjitha trojet. Një dasmë ashtu si e paramendojmë se një Skënderbe sot do të bënte , ku do të ftoheshin të gjithë shqiptarët nga cilido vend ku ata jetojnë”, tregoi ai për KultPlus.

Kujtojmë që ‘SHOTA’, më herët në këtë vit pati edhe një premierë tjetër, më saktësisht koreodramën ‘Lulet e Marsit’ , të autorit Xhemali Berisha, e cila u realizua për nder të 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij./ KultPlus.com

Albana Ejupi prezantohet me ekspozitë personale në platformën e njohur ndërkombëtare në Vjenë (FOTO)

Gili Hoxhaj

Parallel Vienna është një platformë internacionale e artit në përgjithësi, duke përfshirë prezantimin e artistëve te rijnë deri tek ata me famë botërore. Në kuadër të emrave të shumtë, atje është prezantuar edhe piktorja nga Kosova, Albana Ejupi.

Punimet e saj kanë zënë vend në galerinë e njohur vjeneze të quajtur “Lukas Feichtner Gallery” . Duke qenë se artistja Ejupi ka shpalosur artin e saj edhe në vende të tjera të botës, veçmas me ekspozita kolektive, kjo është hera e parë që u prezantua me ekspozitë personale në Vjenë të Austrisë. Ajo ka treguar për KultPlus eksperiencën që po përjeton atje, ku arti i saj po vlerësohet nga koleksionistët të artit dhe nga vizitorët.

“Deri tani kam marr pjesë me dy ekspozita kolektive ne Vjene, dhe tanimë me ekspozitën e parë personale ne Parallel Vienna e cila po vazhdon te jete një eksperience e mahnitshme, duke filluar nga bisedat e shumta dhe komentet e shumta te mijëra vizitorëve. Po ashtu kam rastin te bisedoj me shume koleksionit te artit të vendeve të ndryshme te botës, të cilët janë shumë të interesuar për blerje”, u shpreh Ejupi për KultPlus.

Në “Parallel Vienna”, Ejupi është prezantuar me shumicën e pikturave të shpalosura më parë në Prishtinë, në ekspozitën e parë personale të titulluar “Shpalosje aktesh dhe sinteza siluetash”, që u hapë vitin e kaluar në Galerinë e Ministrisë Qafa.

“Unë kam nderin dhe fatin si artiste nga Kosova te jem pjese e listës së emrave te artistëve nga vendet e ndryshe të botës, veçmas nga një galeri me një eksperience punë më shumë se 20 vjeçare”, ka thënë tutje Ejupi.

Ajo ka treguar për KultPlus se prezantimi i punës së saj në këtë platformë, në kryeqytetin vjenez tashmë i ka hapur dyert edhe të depërtimit në vende tw tjera jashtë Evropës.

Platforma “Parallel Vienna” do jetë e hapur deri të dielën ku vizitorët do të kenë mundësinë e ndjenjës se llojllojshmërisë së artit në përgjithësi./ KultPlus.com

Drama e ambasadave me viza, në ekspozitën e Nita Zeqirit dhe Ajete Kërqelit

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Hapësirën Ekspozuese “Motrat” është hapur ekspozita “Raffle” nga Nita Zeqiri dhe Ajete Kërqeli.
Në ditët e sotme, një numër i madh i kosovarëve kanë kaluar nëpër procesin e marrjes së vizave. Në një proces të tillë, respektivisht aplikim për vizë studentore kanë kaluar edhe Nita Zeqiri dhe Ajete Kërqeli. Ato së bashku kishin aplikuar për të ndjekur studimet në një universitet jashtë Kosovës, në universitetin e njëjtë dhe në degën e njëjtë. Përkundër kushteve që i kanë pasur të njëjta dhe dokumenteve të njëjta që i kanë dorëzuar, Ajete Kërqelit i është dhënë viza ndërsa Nita Zeqirit i është refuzuar.

Këto të dyja, të gjendura përballë këtij vendimi burokratik dhe aspak të drejtë siç e konsideron vetë Nita, kanë vendosur që pakënaqësinë e tyre ndaj procesit të tyre por edhe procesit nëpër të cilin kanë kaluar shumë kosovarë ndër vite, ta shprehin përmes artit. Sipas tyre, pas procesit të aplikimit për vizë qëndron “mundësia”. Çka është mundësia?

Mundësi: Shfaqja e ngjarjeve në mungesë të ndonjë qëllimi apo shkaktari të dukshëm. E ka marrë vizën rastësisht. Një mundësi që diçka të ndodhë. Ka pak shanse për të marrë një vizë.

“Përvoja jonë na ka kriju një ndjenjë që ky proces është më shumë si punë e lotarisë sesa si punë e dëshmive që po dorëzohen me rast të aplikimit për vizë. Pra e kemi dokumentuar këtë përvojën tonë personale pasi shumë njerëz arrijnë me u identifiku me këtë. E dimë se sa të shpeshta janë këto raste në Kosovë, momentet kur aplikon për vizë edhe nuk e ke idenë se a ki me e marrë a jo, pastaj edhe ajo ndjenja që të krijohet gjatë procesit të aplikimit”, u shpreh Ajete Kërqeli për KultPlus.

Ajetja dhe Nita kishin vendosur që në njërin mur të hapësirës ekspozuese “Motrat” të vendosnin dokumentet që u janë kërkuar dhe datën kur u është kërkuar një dokument i caktuar, kështu muri ishte mbuluar me letra të bardha, përkrah të cilave gjendej edhe vendimi i ambasadës, pozitive për Ajeten ndërsa negative për Nitën. Dokumentet janë edhe në gjuhën gjermane, ku shpesh supozohet që qytetari duhet ta dijë gjuhën respektive të shtetit ku aplikon. Pra vendimi ndonjëherë merret në një gjuhë tjetër.

Viza: Një miratim i lëshuar nga një përfaqësues i autorizuar i një vendi dhe i shënuar në një pasaportë, që lejon mbajtësin e pasaportit të hyjë, të udhëtojë ose të banojë në atë vend për një periudhë të caktuar kohe, për qëllime turizmi, arsimi, punësimi etj.

Pjesa e dytë ishte një video-instalacion, në të cilin llogariteshin shpenzimet që kanë bërë, e që së bashku arrinte shifrën afër 6 mijë euro. Kalkulatori numëron shifrat. Pjesa e tretë përfshinte një kabinë brenda së cilës hynin njerëzit një nga një dhe pasi linin shenjat e gishtave, merrnin një përgjigje në gjuhë të huaj rreth aplikimit të tyre. Siç shprehet edhe Nita, ekspozita është një protestë ndaj procesit të aplikimit të vizave.

Refuzoj: Refuzoni t’i jepni (diçka të kërkuar ose të dëshiruar) dikujt. ‘kërkesa për vizë u refuzua’

“Ajo që fshihet pas kësaj ekspozite është një reagim ndaj gjithë këtij sistemi burokratik dhe jo të drejtë. Një thirrje për liri të lëvizjes. Kishim dëshiru që me e tejkalu këtë jo vetëm njerëzit në Kosovë por edhe në gjithë botën, pra të kenë të drejtën për lëvizje të lirë, të drejtën për edukim kudo që ata dëshirojnë”, u shpreh Nita Zeqiri për KultPlus.

Në anën tjetër Ajetja tregon se pas gjithë kësaj drame të panevojshme rreth aplikimit të tyre ajo ka vendosur që të mos vazhdojë me procesin për marrjen e leje qëndrimit pavarësisht që e ka marrë përgjigjen pozitive.
“Le të shpresojmë që ka me ndodhë liberalizimi më shpejtë dhe nuk kemi me pasë nevojë për viza, edhe pse mund të ndodhë përsëri që të kemi nevojë me lëvizë në ndonjë vend tjetër e që nënkuptoj që do të duhet të aplikojmë përsëri”, tregoi ajo.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 26 tetor. / KultPlus.com

Kur kanë shumë fruta, norvegjezët i vendosin jashtë oborrit që kalimtarët të shërbehen me to

Kualiteti i jetës ndryshon nga vendi në vend, dhe në këtë pikë, norvegjezët dihet që qëndrojnë shumë mirë, shkruan KultPlus.

Një detaj se si janë edhe shumë socialë me njëri tjetrin, është vjelja e pemëve. Kur pemët u sjellin norvegjezëve shumë fruta, ata i varin ato jashtë oborrit, në mënyrë që kalimtarët të mund të shërbehen me to. Nuk është çudi pse Norvegjia njihet si vend i mirëqenies sociale./KultPlus.com

Tri artiste shqiptare pjesë e ekspozitës në Berlin

Në ambientet e Institutit Bullgar të Kulturës në Berlin është hapur ekspozita me artistë bashkëkohorë nga Ballkani e Bullgaria, ndër to edhe Mimoza Veliu, Linda Vukaj dhe Shqipe Kamberi, bën të ditur DW.

Dhjetë artistë m nga Ballkani Perëndimor dhe Bullgaria kanë sjellë punimet e tyre në institutin Bullgar në Berlin, ndër to edhe tre emra shqiptarë.

Mimoza Veliu është prezantuar me dy fotografi që pasqyrojnë gjendjet shpirtërore të së përditshmes (Up&Down), Linda Vukaj, me momentet e fiksuara në celuloid gjatë një fotoreportazhi në Shqipëri (Pezull) dhe Shqipe Kamberi me “Nusja”, një instalacion që tematizon situatën e femrave në zonat rurale.

Eskpozita është e hapur deri më 11 tetor 2018./ KultPlus.com

‘Më kujtohet nana që u mundojke me na ofru ngat vetit’

Në mars të vitit 1998 forcat serbe sulmuan bazën e figurës kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), pra familjen e Jasharëve, të cilët kanë marrë pjesë në sulme me policinë ku shumica e popullatës ka qenë me origjinë shqiptare .

Pas tri ditë bombardime, Adem Jashari, themeluesi i UÇK-së dhe më shumë se 50 anëtarë të familjes së tij janë vrarë.

I vetmi person që ka shpëtuar ka qenë Besarta e cila ka qenë 10 vjeçe në atë kohë. Ajo ka folur për atë ditë kur e ka humbur famljen e saj.

“Për axhën tim Ademin më kujtohen shumë gjëra.
Gjithmonë ka pasur qejf kur ne fëmija ishim duke luajtur në arë. Kemi qenë thjesht shkurt një familje e lumtur.
Gjithmonë axha Adem u mundu me na largu atë se çka po ndodh në Kosovë. Unë në atë kohë sa ka ndodh ngjarja kam qenë 10 vjeçe.
Po ashtu më kujtohet nana që u mundojke me na ofru ngat vetit , e mos me na lanë mu frikesu dhe t’u na jep bukë e ujë.
Kjo është dhoma ku jemi kanë gjithë familja. Këtu është vendi ku kam qenë unë me nanën e motrat e mia, edhe të tjerët gratë e mixhallarëve me fëmijë dhe gjyshja.
Mbasi janë ofruar serbët këtu unë kam ardhur në drejtim kah kjo dhomë këtu, ku ka qenë bali Adem i vrarë këtu.
Dhe unë jam ardhur dhe jam strehuar këtu te magjja e bukës.
Kanë gjuajtur granata dhe bombe dhe janë vrarë të gjithë mirëpo unë nuk jam plagosur dhe asnjë grithë nuk e kam marr prej atyre granatave apo bombave si muj me thanë.”

Burimi: Albanian Women / Instagram

Ekspozita e Flaka Halitit tërheq artdashësit në GKA

Ekspozita e artistes kosovare Flaka Haliti në Galerinë Kombëtare të Arteve është vizituar nga 2197 vizitorë nga data 8 shtator deri më datë 24 shtator.

“Këtu – apo atje, është më atje” ka nxitur një interes të madh si për publikun shqiptar dhe për atë të huaj.

Flaka Haliti (1982, Prishtinë) jeton në Mynih, Gjermani. Pas studimeve të saj në Stadelschule në Frankfurt am Main, Gjermani, puna e saj ka eksploruar atë që është ndërmjet dhe që shkon përtej nocioneve të thjeshta që i mvishen përkatësisë dhe identitetit. Punët e saj janë ekspozuar në shumë institucione e bienale të njohura ndërkombëtare.

Në hapjen e ekspozitës kuratorja Leonie u shpreh më shumë mbi praktikën artistike të Flaka Halitit ndër vite, prezantimin e përmbledhjes së punëve të artistes fillimisht në Kunsthalle Lingen dhe më pas në Kunsthaus Hamburg, Gjermani, si edhe qasjen e saj në kurimin e kësaj ekspozite në Tiranë.

“Kjo ekspozitë që prezantohet tani në Galerinë Kombëtare të Arteve paraqet një lexim alternativ të objekteve, figurave dhe materialeve të ndryshme duke e transformuar sallën e ekspozitës në një hapësirë ku publiku vendos në jetë veprat sipas imagjinatës së tyre individuale. Titulli “Këtu- apo atje, është më atje” reflekton këtë skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Duke lexuar këtë titull, publiku mbetet në mëdyshje, sepse refuzohet çdo lokalizim. Pra, ku jemi ne? Në një sallë ekspozitash në Tiranë, Shqipëri. Por, a luan një rol të caktuar vendi ku prezantohet ekspozita? Mos ndoshta vepra e artit duhet të kuptohet kudo, pavarësisht vendit ku ekspozohet?”, tregoi kuratorja.

Kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, dhe çdo vit do të ketë nga një prezantim të artistëve nga Kosova në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ekspozita u hap më datë 7 shtator, dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 9 nëntor./ata

Pamje nga shfaqja ‘Hamalli’ me regji të Adem Mikullovcit, e shfaqur në vitin 1964 në Mitrovicë

“Hamalli” është quajtur drama e cila është luajtur para më shumë se pesë dekadave në Teatrin e Mitrovicës, shkruan KultPlus.

Regjinë e kësaj shfaqje e kishte punuar Adem Mikullovci, i cili është shfaqur edhe në rolin kryesor duke e luajtur rolin e Hamallit të rrejshëm kurse krah tij në rol kryesor kishte luajtur Nazmije Hoxhaj- Raifi. Aktorët e tjerë të shfaqjes ishin Ami Emra Emra, Dibran Tahiri, Ali Ahmeti, Sadedin Prekazi e shumë të tjerë.

KultPlus sot ju sjellë tri fotografi nga kjo shfaqje, e prezantuar në vitin 1964 për publikun e Mitrovicës.

Shfaqja ka trajtuar kohën e Luftës së Dytë Botërore. / KultPlus.com

Hamidi dhe Xhemja, dy të panjohur dhe 81 vite martesë (VIDEO)

Në familjen Hoxha ka festë.

Hamidi, 105 vjeçar dhe Xhemja që pret të mbushë të 100-tat celebrojnë 81-vjetorin e martesës. Dy të panjohur që u panë vetëm në ditën e dasmës se tyre, i thanë “po” njëri-tjetrit në 24 Shtator të 1937-ës.

“Nuk e njihnim njëri-tjetrin”.

“U pamë ditën e dasmës.”

Po Hamidi e kujton edhe sot të parin mendim kur Xhemja u shfaq në dasmë.

“Vallaj e bukur”.

Si prindër të 11 fëmijëve, për Hamidin dikur tregtar dhe Xhemen rrobaqepëse durimi dhe mirëkuptimi në çift kanë qenë shtylla e martesës 81-vjeçare.

“Unë kam qenë njëçikë e durueshme, nuk e kam kundërshtuar.”

“I kemi dëgjuar fjalën njëri-tjetrit, e kemi respektuar njëri-tjetrin.”

E megjithatë mes çiftit Hoxha nuk kanë munguar as xhelozitë.

“Ka qenë fanatik, ashtu ka qenë koha. Kur dilnim në rrugë me çadër me thoshte “ule çadrën mos të të shohë kush”, tregon Xhemja.

“Sepse pleqtë kishin shumë fjalë”, shprehet Hamidi.

Po Xhemja bëhej xheloze për ty?

“Po bëhej”.

Për fëmijët e çiftit Hoxha, jeta e prindërve të tyre ka qenë shembulli më i mirë.

“Na kanë edukuar me dëshirën për të punuar”, thotë Hasani, djali i madh i çiftit Hoxha.

“Kam dëshirë që edhe fëmijët e mi të vazhdojnë sipas edukatës që na kanë dhënë prindërit”, shprehet Xhevria.

Edhe për më të vegjlit e familjes, stërgjyshërit shekullorë mbeten kalaja e familjes. / TV Klan / KultPlus.com

Opera Carmen rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar

Opera ‘Carmen’ rikthehet këtë fund shtatori në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga kjo Opera. “Mirëmëngjes dhe me këtë rikthim të operas Carmen, më e ndjekura në 10 vitet e fundit, e cila do të shfaqet për 4 netë në Pallatin e Kongreseve duke ndezur sezonin e ri artistik shtator-dhjetor, ju uroj një ditë të mbarë”.

Në rolin e Carmen do të jetë sërish sopranoja Vikena Kamenica, por rivënia në skenë këtë herë konkretizon Protokollin e Bashkëpunimit që TKOB nënshkroi sesonin e kaluar me Teatrin Nacional të Operas së Serbisë.

Orkestra e TKOB do të dirigjohet nga Dejan Savić, njëkohësisht Drejtor i Përgjithshëm i Operas së Beogradit.

Opera ‘Carmen’ do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve në datat 27, 28, 29 dhe 30 shtator, ora 19:00.

Agjencitë franceze të udhëtimit, interes për të promovuar Shqipërinë

Agjencitë franceze të udhëtimit shprehin interes për të promovuar Shqipërinë. Ky konstatim vjen nga Panairi Ndërkombëtar i Turizmit që ka nisur të zhvillohet në Paris nga 25 shtatori e që do vijojë deri më 28 shtator.

Agjencia Kombëtare e Turizmit merr pjesë në këtë panair me stafin e saj dhe 11 operatorë turistikë të cilët operojnë me tregun francez.

Gjatë ditës së parë pati një interes të lartë vizitorësh si dhe të medieve franceze e blogerave të ndryshëm të udhëtimeve. Stafi i AKT u shpërndau vizitorëve të ndryshëm suvenirë dhe materiale promocionale të Shqipërisë Turistike në gjuhën franceze.

Gjithashtu një interes është shprehur për të ndihmuar në marketimin sa më të mirë të brendit të Shqipërisë turistike në Francë. /ata

Prindër, kurrë mos i krahasoni fëmijët me moshatarët e tyre!

Prindërit kanë tendencë që zakonisht për model të marrin fëmijët e tjerë të fqinjëve apo në mesin e familjes, në rastin kur fëmija i tyre dështon në ndonjë fushë të caktuar, apo edhe sepse thjesht ata nuk janë të kënaqur me ta për çfarëdo arsye tjetër.

Kjo praktikë tashmë po njihet si e keqe, e në lidhje me këtë ka folur edhe mjekja pediatër në NYU, Dr. Robin Jacobson.

Sipas saj, nënat janë gjithmonë të shqetësuara për peshën e fëmijës së tyre, por ajo që duhet të kuptojnë dhe të fiksojnë mirë është që fëmijët nuk janë njëlloj.

“Burimi më i mirë për të mësuar rreth zhvillimit të fëmijës është pediatri”, tha ajo.

Dr. Jacobson pranoi se të gjithë prindërit shqetësohen kur shohin një fëmijë më të vogël se fëmija i tyre që flet ose ecën më mirë. Por prindërit duhet të kuptojnë që të gjithë fëmijët janë të ndryshëm.

Zakonisht, pediatrit nuk japin receta me gramë dhe as nuk thonë sa duhet të shtojë një fëmijë gjatë një muaji.

Mirëpo, këtu nuk është fjala vetëm për peshën në kohën kur fëmijët janë më të vegjël. Edhe mësimi, shoqëria, aktivitetet jashtë mësimore, apo sjellja e tyre, asnjëherë nuk duhet të krahasohet me të tjerët, sepse kështu mund ta dëmtoni fëmijën tuaj, duke i mbjell atij xhelozi për të tjerët, dhe pasiguri për veten. / KultPlus.com

Regjisorja Hana Qena fillon provat për shfaqjen më të re në Teatrin e Gjakovës

Teatri i qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë sot nisi provat e projektit të 3-të për këtë vit, duke i dhënë besimin regjisores së re nga Prishtina, Hana Qena.

“S’Mund të Paguajmë, S’do të Paguajmë” është titulli origjinal i komedisë“ Sotto paga, non si Paga” nga dramaturgu italian,Dario Fo e që regjisorja Qena do ta jetësojë në teatrin e Gjakovës.

Hana Qena është regjisore e teatrit dhe bashkëthemeluese e kolektivit artistik Haveit. Ajo shkroi dhe punoi shfaqjen eksperimentale me titull “_ _ _”, shfaqje kjo që u dha në Amsterdam të Holandës dhe Bilbao të Spanjës. Më pas ajo punoi dramën “Ëndrra e një nate vere”, në Teatrin Dodona, Prishtinë. Gjithashtu ishte regjisore e shfaqjes “Ata do të vijnë”, produksion i Qendrës Multimedia në Prishtinë, dhe bashkëregjisore në shfaqjen “Tito ëas not here”, e realizuar në Banja Llukë të Bosnjes. Së fundmi punoi “Hamletmachine” në Skenën e vogël të Teatrit Kombëtar, Prishtinë. Ka qenë drejtoreshë e festivalit SKENA UP ndërsa aktualisht është anëtare e bordit drejtues të teatrit Dodona në Prishtinë dhe pjesëtare e kolektivit Haveit. /KultPlus.com

Aleksandër Meksi publikon letrën origjinale nga arkivi sekret i Vatikanit

Konferenca Ndërkombëtare Albanologjike ditën e sotme erdhi me një kumtesë mjaft interesante nga historiani Aleksandër Meksi, i cili solli për studiuesit dhe publikun e pranishëm të cilët shfaqin një interes të madh për këto ligjërata, faksimilen e letrës origjinale të regjistruar në arkivin sekret të Vatikanit.

Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare historiani Aleksandër Meksi u shpreh se, “kumtesa e sotme sjell në vëmendje grindjen që zgjatej ndër shekuj mes peshkopatës Arbaneske Gjon Kastrioti dhe asaj së Lezhës për kufijtë rreth tyre për kishat dhe fshatrat. Dokumentacioni për këtë ngjarje zgjatet gjatë këtyre shekujve deri në fund të shek. XVII, ku kuptojmë mjaft ndodhi të historisë së Shqipërisë gjatë atyre viteve”.

“Kam siguruar faksimilen e letrës origjinale të regjistruar në arkivin sekret të Vatikanit që Papa i dërgon Arqipeshkut të Tivarit ku i tërheq vëmendjen për peshkopin e Lezhës që ka rrëmbyer 17 kisha në 16 fshatra”, – u shpreh Meksi.

”Figura e Skënderbeut ka nevojë të ndriçohet me anë të kësaj konference dhe duhet të shkuar në dokumentacionet origjinale për pjesën me Turqinë të cilat ndodhen në Vatikan, Dubrovnik etj, botimi i të cilave mund të ketë qindra vëllime dhe është i domosdoshëm për ta rishkruar më me saktësi historinë e Shqipërisë. Ligjëratat e mbajtura në kudër të kësaj konference kanë synuar të ofrojnë materiale të reja për një shikim më të mirë të historisë shqiptare dhe historinë e Shqipërisë me Gjergj Kastriotin në krye”, përfundoi historiani Aleksandër Meksi .

Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka çelur sesionin e dytë të saj, që do të vazhdojë deri më 26 tetor e për t’i lënë më pas vendin sesionit të tretë dhe të fundit.

Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut do të mbyllet me samitin e madh të diasporës, në muajin nëntor, kur do jetë dhe seksioni i tretë i Konferencës së Albanologjisë. Në këtë muaj (nëntor) do të ketë dhe një sërë veprimtarish të mëdha. /a.g/KultPlus.com


Poezia e Dritëro Agollit shndërrohet në këngë nga Jericho

“Ëndërr e Prerë” është kënga e re nga rok grupi mirënjohur shqiptar Jericho, që do të publikohet së shpejti.

Jericho, i njohur për tematikat që ndërlidhen drejtpërsëdrejti me shoqërinë shqiptare, do të sjellë “Ëndërr e Prerë” që njëherësh është edhe poezi e Dritëro Agollit.

Vokalisti i Jerichos, Petrit Çarkaxhiu tregon se përse kanë zgjedhur këtë titull, dhe këtë poezi të Agollit.

“‘Ëndërr e Prerë’ është titulli i këngës së re të Jerichos. Është njëkohësisht titulli i një prej poezive më të dashura për mua nga Dritëro Agolli. Arsye pse kemi zgjedhur këtë titull është për shkak se, përveç tekstit të Jerichos në këngë, në formë të recitalit do të përdoret pjesa e fundit e kësaj poezie e që përbën pothuajse vet thelbin e këngës”, ka thënë Çarkaxhiu për Koha.net.

Ai ka konfirmuar se grupi nuk është duke punuar në ndonjë album, pasi është i fokusuar në realizimin sa më të mirë të kësaj kënge, që do të vijë edhe me klip.

“Për momentin nuk jemi duke punuar në album. Jemi të fokusuar në realizimin sa më të mirë të këngës, që në fakt ka kohë që është incizuar, mirëpo janë disa detaje teknike dhe orkestruese që duhet të punohet. Pastaj një pjesë të konsiderueshme të kohës do ta merr konceptimi dhe realizimi i videoklipit”, ka thënë vokalisti i Jerichos.

Çarkaxhiu thotë gjithashtu se sipas të gjitha gjasave “Ëndërr e Prerë” do të publikohet në nëntor.

E në Facebook ai ka shpërndarë pjesën e fundit të poezisë së Dritëro Agollit.

“Ëndërr e Prerë”

“Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë

Është turp kaq shpejtë të rrish e të vdesësh

Ne ëndërronim një vdekje më të mirë

Duke vdekur fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës”.

“Tomlin e Nones” është kënga hit e këtij grupi që ishte inspirim nga poezia e “Mes dy Qytetërimeve” të Ali Podrimës.

“Nëntor i Ftohtë”, “Kur do t’pushojë kjo kangë”, e “Shkaba” janë disa prej këngëve më të njohura të Jerichos./KultPlus.com

Ndahet nga jeta në krye të detyrës regjisori Roland Roshi

Regjisori Roland Roshi është ndarë nga jeta në krye të detyrës, pak para nisjes së edicionit informativ në Radio Televizionin Shqiptar, pasditen e së mërkurës.

Roshi ka dhënë për shumë vite kontribut në RTSH si folës e regjisor. Pavarësisht reagimit dhe dërgimit të shpejtë në spital ai nuk mundi të fitonte betejën me sëmundjen.

Roland Roshi ka lindur dhe është rritur në qytetin e Përmetit. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve, që sot njihet si Akademia e Arteve të Bukura. Ka filluar punë për herë të parë në qytetin e Fierit, në teatrin Bylis të qytetit të Fierit ku është shquar për rolin e tij si “Avni Rustemi”, tek Drama “Dy krisma në Paris”.

Por puna e tij ka qenë e lidhur shumë edhe me regjinë. Për shumë vite ka punuar si regjisor me Estradën dhe Tetarin e Fierit. Më pas puna e tij ka vazhduar në Radio Tirana dhe në Televizion si folës lajmesh dhe si regjisor spektaklesh dhe emisionesh informative.

Homazhet do të zhvillohen nesër, 27 shtator, ora 12.00 tek Holli i RTSH-së./tvklan.al/KultPlus.com

“Nesër kam provim, por nuk e vras mendjen fare, e ardhmja ime nuk varet nga një copë letër”

I njohur për etikën e tij të punës së madhe, këmbëngulësisë dhe zgjuarsisë, Thomas Edison është njëri prej shpikësve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Nga llamba në fotografinë, gjatë jetës së tij Edison mbajti mbi 1000 licensa në Shtetet e Bashkuara në emrin e tij, pa përmendur edhe tjerat rreth botës.

Kontributet e tij të mëdha në energji elektrike, filma, incizim të zërit madje edhe makina x-rreze ndryshuan botën në të cilën jetojmë sot. Së bashku me shumë arritje të tij, mentaliteti dhe etika e punës e Edison gjithashtu e shtyn atë drejt suksesit.

Ka shumë që mund të mësoni nga ky gjeni kreativ.

Shikoni këto 10 thënie të cilat do ju motivojnë dhe inspirojnë.

‘’Shanset humbasin nga shumë njerëz për shkak se ajo është e veshur me pantallona dhe duket si punë’’.

‘’Fati i mirë shpesh ndodh kur mundësia takohet me përgatitjen’’.

‘’Për të shpikur, ju keni nevojë për imagjinatë të mirë dhe për gjëra të vjetra’’.

‘’Gjeniu është 1 përqind inspirim dhe 99 përqind djersë’’.

‘’Dobësia jonë më e madhe qëndron në dorëzimin. Mënyra më e sigurt për të pasur sukses është që gjithmonë të provoni edhe njëherë tjetër’’.

‘’Unë nuk kam dështuar. Vetëm kam zbuluar 10,000 mënyra të cilat nuk kanë pasur

‘’Nëse do të bënim të gjitha gjërat për të cilat jemi të aftë, do të befasonim veten’’.

‘’Unë kam më shumë respekt për një njeri i cili ka një ide dhe arrin sukses me të se sa për një njeri i cili ka me mijëra ide dhe nuk bën asgjë’’.

‘’Gjithçka vjen te ai i cili bën kërkime përderisa pret’’./KultPlus.com

“Bolero në vilën e pleqve” nis xhirimet në Tiranë, në role Robert Ndrenika dhe Margarita Xhepa

Xhirimet e filmit artistik me metrazh të gjatë “Bolero në vilën e pleqve” kanë nisur në Tiranë. Skenari Linda Fejzaj dhe Spartak Pecani, regjia nga Spartak Pecani, ngjarjet e filmit “Bolero në vilën e pleqve” sjellin në role aktorë të njohur të kinemasë shqiptare, por dhe emra të tjerë që publiku i njeh me aktivitetin e tyre.

Filmi sjell në role aktorët Robert Ndrenika dhe Margarita Xhepa, kasti vijon dhe me Gentiana Ramadani, Olta Gixhari, Olta Daku, Ledion Zoi, etj. Skenaristja Linda Fejzaj shprehet se regjisori Spartak Pecani është një profesionist. “Gjithçka e mendon e rimendon e përpunon dhe më pas vendos dhe zgjedhjet dhe zgjidhjet janë vërtetë mbresëlënëse”, pohon skenaristja Fejzaj.

Filmi një prodhim i shtëpisë kinematografike Eclipse SA Film Production është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Ngjarjet vendosen në Tiranë dhe skenaristja Linda Fejzaj tregon se në qendër të këtij skenari është jetesa e një çifti në moshë superiore (pleq), që në vitet e fundit të jetës të tyre edhe pse kanë tre fëmijë ju duhet të jetojnë vetëm.

“Djali i tyre ju siguron një punëtore shtëpie që është infermiere. Ajo çka ka të veçantë, është një marrëdhënie unike e çiftit, një dashuri që vazhdon të egzistojë jo vetëm e fortë, por edhe disi ndryshe. Një letërkëmbim i tyre plot pasion, mënyrë e zgjedhur për të mbajtur gjallë atë çka ka në vetvete martesa”, zbulon skenaristja Linda Fejzaj për filmin artistik që ka nisur xhirimet në Tiranë.

Në film, sipas skenaristes gjatë gjithë kohës këtë marrëdhënie të tyre e shoqërojnë tingujt e magjishëm të pianos “Bolero” e Ravelit.

“Ngjarjet alternohen dhe sjellin në dukje ngjarje me gjendje dhe emocione të forta. Infermierja, që është punëtore shtëpie nuk është ajo që ata mendojnë, këtë do e zbulojë vajza e pleqve që është gjykatëse. E kaluara e saj ka qenë përtej asaj që mund të mendohet”, vijon të tregojë Fejzaj.

Bashkëpunimi me regjisorin për filmin

Filmi “Bolero në vilën e pleqve” nisi xhirimet këtë të hënë dhe sipas skenaristes Linda Fejzaj është më shumë se normale, se përveç ankthit të pritjes, është edhe kënaqësia dhe krenaria e të paturit fat të punoje për një projekt të tillë. “Edhe pse kam pasur bashkëpunime me shtëpi filmi të huaja, ky mendoj se është ndër projektet që për mua merr rëndësinë e veçantë, jo vetëm se është një subjekt shumë i mirë, por edhe për faktin se të punoje me Spartak Pecanin është një shkollë e madhe”, pohon ajo.

Për këtë projekt filmi që tashmë ka marrë vëmendje për zhvillimin e tij, skenaristja tregon se mjaftoi një telefonatë nga ana e regjisorit dhe pyetja nëse e kishte lexuar romanin e Fatos Kongolit për të nisur puna për skenarin. “Një mëngjes dhe ashtu prerë shumë pak fjalë më pyeti nëse e kisha lexuar “Bolero në vilën e pleqve” të Fatos Kongolit. Ju përgjigja jo, dhe nuk e dija arsyen e pyetjes.

Atëherë merre dhe lexoje, ke dhjetë ditë në dispozicion për të lexuar me vëmendje. E mora thuajse brenda orës, duke shëtitur në të gjitha libraritë dhe falë zotit e gjeta. Nuk bëra asgjë tjetër veç u ula ta lexoj nga ora 12 e mesditës dhe e mbylla diku pas mesnate. Në ditën e nesërme e telefonoj dhe i them se romanin e lexova. I fola mbi të gjithë elementët që më pëlqenin, padyshim theksova se edhe pse nuk ka dialog të rrëmben, të bënte ta dashuroje ngjarjen. Ai më dëgjoi dhe vazhdoi duke më surprizuar e dua veprën skenar, e di që e bën”, tregon skenaristja Linda Fejzaj, që ka shkruar skenarin e filmit. Sipas saj, filmi ka nisur të realizohet si projekt pas një pune tre vjeçare. /KultPlus.com

Për veshjen e Zonjës së Parë të Kosovës për në SHBA, është përkujdesur Vjollca Llapashtica

Edhe kësaj here për veshjen e Zonjës së Parë te Republikës së Kosovës, Lumnie Thaçi, e cila sot bashkë me bashkëshortin e saj presidentin Hashim Thaçi, që është takuar me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump dhe bashkëshorten e tij Melania Trump, është përkujdesur disenatorja kosovare, Vjollca Llapashtica.

Fotoja, është marrë nga rrjete zyrtare të Presidentit Thaçi, si instagram dhe facebook. /KultPlus.com

Apolonia, destinacioni turistik i shtatorit

Monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike në vendin tonë tashmë janë kthyer në atraksione turistike për turistët e huaj por dhe vendas.

Në Parkun Arkeologjik të Apolonisë mozaiku që ndodhet në Vilën me Impluvium është i hapur për vizitorët dhe gjatë muajit shtator pasi sezoni turistik në vendin tonë nuk ka mbaruar ende.

Specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës kanë bënë të mundur zbulimin e mozaikut që ndodhet në Vilën me Impluvium. Kjo vilë i takon shek. III-II p.Kr. dhe zotëron një oborr të rrethuar me peristil dhe të shtruar me mozaikë me motive gjeometrike dhe floreale.

Mozaiku që daton ne vitet II-III para Krishtit,është një tjetër destinacion turistik por dhe historik i cili nuk duhet ti mungojë guidës turistike të turistëve të huaj dhe gjatë këtij muaji./a.a/ KultPlus.com