Safete Rogova, ndër aktoret e para në Kosovë

Safete Rogova u lind në Gjakovë me 1 mars 1946.

Fëmijërinë e kaloi në Gjakovë, para se të jetonte në Prishtinë.

Ka diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi dhe për Dramë. Ajo është ndër aktoret e para gra në Kosovë dhe aktiviste për të drejtat e grave.

Në 2013, ajo u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave për karrierën e saj në teatër, dhe fushatën kundër analfabetizmit dhe për fuqizimin e grave përmes Shoqatës Motrat Qiriazi, të cilën e bashkëthemeloi me motrën e saj Igballe Rogova dhe bashkëshortin e ndjerë, kostumografin dhe skenografin, Nuredin Loxha.

Burimi: Albanian Women / Instagram dhe Oral History
KultPlus

Leninistët e djathtë

Shkruan: Veton Surroi

Në Universitetin e Prishtinës 72 për qind e profesorëve nuk justifikojnë titujt e tyre sipas ligjeve në fuqi. Por justifikojnë natyrën e shtetit të kapur.

1.

Kur lexova statistikën për profesorët e Universitetit të Prishtinës, më ra në mend barsoleta e viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar për hapjen e striptiz-barit të parë në Moskë.

Barsoleta thotë se në konkursin për valltare nudo u paraqitën disa dhjetëra kandidate dhe sipas kërkesës u zgjodhën pesë sosh. Kryetari i Komisionit raportoi në Komitet Qendror sukses të plotë: që të pestat kishin mbi 35 vjet stazhi anëtareje të Partisë.

Statistika e Universitetit të Prishtinës, publikuar nga organizata ORCA, thotë se në vitin 2017 kanë dhënë mësim 500 profesorë, prej të cilëve 322 nuk i justifikojnë titujt e tyre sipas ligjeve në fuqi.

Në analogji me barsoletën e Moskës, kushdo që i ka pranuar në punë në këto vite nga çlirimi mund të raportojë sukses të madh, edhe pak e bile të plotë. Pra, nga numri i përgjithshëm i profesorëve, 72 për qind nuk i justifikojnë titujt e tyre. Kjo do të thotë se kriter për atë vend pune nuk ka qenë përgatitja akademike, por një kriter tjetër, që i përngjet atyre të valltareve: devotshmëria ndaj Partisë (Idesë, Liderit, Regjionit, Klanit).

Tash në analogji me barsoletën, ata 28 për qind e profesorëve që janë përvjedhur, e që i justifikojnë titujt, kanë ende kohë të riedukohen, pra të shohin se kredencialet partiake (“patriotike”, klanore etj) janë më të rëndësishme se puna kërkimore-shkencore, e lëre më publikimi i kësaj pune në ndonjë revistë prestigjioze.

Nëse tregojnë vendosmëri në rrugën tashmë të trasuar, suksesi për rekrutuesit e profesorëve në UP mund të jetë, një ditë, i plotë.

2.

Nuk mendoj se duhet harxhuar shumë kohë për të shpjeguar se për cilën parti është fjala kur flitet për “devotshmërinë ndaj Partisë” (dhe rrjedhimisht Liderit të saj). Në këta gati dy dhjetëvjetësh një parti ka pasur Shërbimin e vet sekret dhe kryesisht për anëtarët e një Partie flitet kur duhet të ngrihet ndonjë aktpadi (të institucioneve ndërkombëtare) për vrasje, zhvatje, uzurpim prone, vjedhje vote dhe formave të tjera më “beninje” të krimit të organizuar. Po ashtu, nuk mund të anashkalohet një Parti kur duhet vendosur për drejtor të KEK-ut, PTK-së, anëtar të bordeve të ndërmarrjeve publike, licenca për telefoni,vendosjen e pikave të karburanteve nëpër autostrada, emrat e rrugëve të qytetit, tokat private nëpër të cilat do të kalojnë autostradat… Madje, Partia do konsultuar edhe për renditjen e lajmeve të mbrëmjes në RTK.

Këto do të ishin simptoma të sistemit njëpartiak, por si të kuptohet një gjë e tillë kur në Kosovë ekziston sistemi shumëpartiak, e brenda atij sistemi Partia në pushtet nuk ka qenë gjithherë vetëm në pushtet, madje gjatë një periudhe nuk ka qenë formalisht as pjesë e pushtetit?

Ndër studiues amerikanë ka lindur gjatë këtij shekulli emërtimi “shtet hibrid” apo “sistem hibrid”, pra sistemi a shteti në të cilin ekziston njëkohësisht një kornizë formale e shtetit shumëpartiak e demokratik me institucionet e veta të pavarura dhe ekziston një forcë politike, e cila i ka zaptuar (kapur) në një masë ato institucione. Pra, Kosova do të vendosej fare mirë brenda një përshkrimi të këtillë: ekzistojnë zgjedhje dhe Kuvend e institucione formalisht të pavarura si Prokuroria e gjykatat, por njëkohësisht ekziston kapja e këtyre institucioneve në një masë a tjetër nga ana e Partisë në pushtet (asaj që gjithherë është në pushtet, edhe kur nominalisht është në opozitë).

3.

Anne Applebaum , historiane dhe gazetare konservatore amerikane, mund të ndihmojë, pa dashje, edhe më tej në të kuptuarit e asaj që po ndodh në Kosovë. Muajin e ardhshëm do të botojë një artikull në “The Atlantic” ku përpiqet të shpjegojë, si kërcënim se çka e pret Amerikën me se çka po ndodh në Poloni e Hungari, shtete anëtare të Bashkimit Evropian, demokraci shumëpartiake që prej shembjes së Murit të Berlinit. Këto tash janë “demokraci joliberale”, për të përdorur përshkrimin që i dha kryeministri i tanishëm hungarez, Viktor Orban, opsionit të vet politik, pra janë demokraci ku jodomosdo vlen i njëjti kut si në ato të konsoliduara të Evropës Perëndimore. Në këto demokraci joliberale, partitë në pushtet, shkruan Applebaum, pos nacionalizmit e ksenofobisë (që janë ideologjike, pjesë të së djathtës së skajshme) përdorin edhe leninizmin, diçka që gjithsesi vështirë të identifikohen me të djathtën, të skajshme a jo.

Sipas Applebaum, partitë në pushtet në Poloni dhe Hungari janë në përpjekje e sipër e të suksesshme për vendosjen e kontrollit mbi gjyqësor, media dhe në ambientin biznesor- drejt një shteti njëpartiak. Dhe, këtu kopjojnë leninizmin, ndonëse ideologjikisht deklarohen si të djathta.

“Për dallim prej marksizmit, shteti njëpartiak i Leninit nuk është filozofi. Është mekanizëm për mbajtje të pushtetit. Funksionon, sepse në formë të qartë definon se kush mund të bëhet elitë-elita politika, kulturore, financiare”. Në Poloni e Hungari, sipas saj, po tejkalohen 100 vjetët e kaluar të historisë. Në monarki elitat aristokratike janë caktuar nga lindja, në demokracitë perëndimore elita përcaktohet nga kompeticioni, gara zgjedhore, testet merikrotatike për qasje në arsim sipëror, shërbimi civil, tregjet. Shteti njëpartiak synon sërish me modelin bolshevik, por në kondita të demokracisë që përmbush kërkesat formale zgjedhore, që krijimi i elitave të kalojë nëpër Parti.

4.

Kosova mund të thyejë një rekord zulmëkeq. Mund të marrë merita se ka filluar të ndërtojë “demokraci joliberale” para se të shpikej ai nocion, bile nja dhjetë vjet më herët. Mund të tregojë se Partia, e cila u lind me marksizëm-leninizëm, hoqi dorë nga ideologjia e Marksit dhe e para adoptoi kapitalizëm-leninizmin, sistem i tregut të lirë aq sa të pasurohet elita e re, e cila e bën këtë me kapje të përgjithshme të shtetit.

Dhe mund të tregojë se asnjë përshkrim i lirshëm intelektual për pasojat e shtetit të kapur, partiak, nuk është i ekzagjeruar. Siç dëshmon njëra prej shtyllave kryesore të identitetit kosovar, arsimi, që ngriti një popull drejt shtetësisë, ka mënyra se si e tëra mund të kthehet mbrapsht. Kur nxënësi kosovar, në shumicë absolute prej gati 80 për qind, nuk e kupton tekstin që e ka lexuar, e ka të garantuar avancimin shoqëror vetëm duke qenë student në Universitetin kur tri të katërtat e profesorëve nuk përmbushin kriteret për të qenë të tillë e pastaj për të hyrë në tregun e punës me një certifikatë tjetër, atë partiake.

Hanna Arendt, thotë Applebaum, që në vitet dyzet të shekullit të kaluar e përshkroi shtetin më të keq njëpartiak. Është ai që “detyrimisht zëvendëson të gjitha talentet e klasit të parë, pa marrë parasysh simpatitë e tyre, me ata dalldaukë dhe budallenj, mungesa e inteligjencës dhe e kreativitetit të të cilëve është garancia më e mirë e besnikërisë së tyre”.

Ky është sistemi i radhës: sundimi i injorancës së përgjithshme.

KOHA / KultPlus.com

Dua Lipa, e para në botë në Spotify

Dua Lipa është artistja më e dëgjuar këtë muaj në platformën Spotify.

Këngëtarja nga Kosova ka arritur kësisoj të lërë pas vetes emrat e tjerë që kanë mbizotëruar në këtë platformë muzikore, ndërsa me projektin e saj të ri e ka ndezur prapë zjarrin tek fansat e saj.

Shtatori i këtij viti duket se ka qenë fort i suksesshëm për Dua Lipën, e cila edhe e lansoi projektin e saj të ri muzikor “Eletricity”, shkruan KultPlus.

Në Twitter ajo ka shprehur gëzimin me këtë fakt dhe thotë se është e bekuar që njerëzit e duan dhe e çmojnë muzikën e saj, në një kohë kaq të shkurtër prej kur ajo doli në skenë.

Kënga, nga 5 shtatori, është klikuar 21 milion herë në platformën Youtube duke e sjellë Dua Lipën më të bukur se kurrë dhe duke u cilësuar si një rikthim i fuqishëm i saj pas hitit “New Rules”. / KultPlus.com

Në vend të lajmeve, lexoni filozofi dhe poezi

Nga Rachel Hadas

Gati dy vitet e fundit, amerikanët janë përballur çdo ditë me lajme ogurzeza. Jemi duke jetuar në kohëra stresuese. Leximi i lajmeve përjetohet me tmerr; por as injorimi i tyre nuk krijon një ndjesi më të mirë. Psikologu Terri Apter, ka shkruar kohët e fundit për fenomenin në sjelljen njerëzore të përshkruar si “dukuria e kosheres”, ku “ngjarjet katastrofike eliminojnë egoizmin, konfliktin dhe konkurrencën, duke i bërë njerëzit bashkëpunues si bletët dhe ultra-socialë”.

Por, nëse uraganet, tërmetet ose vullkanet shkaktojnë këtë dukuri, a ekziston ky parim për katastrofat e shkaktuara nga vetë njeriu? Po në lidhje me politikën e emigracionit që ka ndarë fëmijët nga prindërit e tyre? Masakrat nëpër shkolla, vetëvrasjet, fatkeqësitë ekologjike?

Po në lidhje me “përmbytjen” me lajme të frikshme dhe të neveritshme, që përplasen tek ne çdo ditë?

Në përgjigje të gjithë kësaj, njerëzit mezi po akomodohen në një “zgjua” bashkëpunuese. Përkundrazi, cilësitë njerëzore të imagjinatës, vigjilencës dhe dhembshurisë duket se po kthehen kundër nesh. Paramendimi i vuajtjes së qenieve tona bashkë me të ardhmen e planetit tonë të ngatërruar, provokon zemërim, frikë dhe një ndjenjë dërrmuese pafuqie. Dhe çfarë mund të bëjmë? Dëgjoni Senekën dhe Epiktetin.

Frika dhe tmerri mund të ndryshojnë në aktivizmin politik, por është e vështirë të mos ndihet se ndonjë ndryshim është tepër i vogël dhe tepër i vonuar. Për shembull, fëmijët që janë ndarë nga prindërit e tyre, madje edhe nëse janë ribashkuar, gjë që nuk duket e mundshme, do të ruajnë plagët psikike për pjesën tjetër të jetës së tyre, siç e ka theksuar Daniela Ofri.

Si duhet të reagojnë njerëzit, ndaj rritjes së shkallës së vetëvrasjeve? Ndoshta, duke gjykuar nga mbulimi mediatik i kohëve të fundit, maksimumi që mund të shpresojmë të bëjmë është të përpiqemi të parandalojmë një vetëvrasje tjetër. Sidoqoftë, mbulimi mediatik mbi vetëvrasjet më dërgoi sërish tek filozofët stoikë, mendimtarët që lulëzuan veçanërisht në Romë, në shekujt I dhe II. Të painteresuar për spekulimet, ata e vunë theksin tek etika dhe virtyti. Ata ishin të shqetësuar se si të jetonin dhe si të vdisnin. Psikologjia stoike ofronte dhe ende ofron ndihmë, duke punuar me mendjen për të qetësuar ankthet tona, dhe për të na ndihmuar që ta përmbushim funksionin tonë si qenie njerëzore.

Këshillat e shkrimtarëve si Seneka dhe Epikteti, janë të mrekullueshme. Llojet e mjerimit që shpesh përmenden në lidhje me impulset vetëvrasëse, të tilla si frika dhe ankthi, janë përbërës shumëvjeçarë të gjendjes njerëzore. Kur flasim për një person vetëvrasës që mundohet nga demonët – një fjalë aq e vjetër sa Homeri – kjo është ajo për të cilën po flasim. Stoikët mësojnë se ju mund të përpiqeni të kundërshtoni demonët tuaj – jo me terapinë e bisedimit, dhe aq më pak atë farmaceutike, por duke punuar me mendjen tuaj.

Teknika e parë është vizualizimi negativ: Imagjinoni më të keqen, në mënyrë që të jeni gati për të. Ka shumë të ngjarë që më e keqja të mos ndodhë kurrë. Gjërat e këqija që mund dhe ndoshta do të ndodhin, ka gjasa të jenë më të buta, se sa gjëja më e keqe që mund të mendoni.

Ju mund të ndjeheni të lehtësuar, se më e keqja nuk ka ndodhur, dhe që po ashtu u sforcuat mendërisht ndaj mundësisë më të keqe.

“Ai u heq sëmundjeve aktuale pushtetin e tyre”, shkroi Seneka, “i cili e perceptoi paraprakisht ardhjen e tyre”. Diku tjetër, shkruan Seneka, “Pemët që janë rritur në një luginë me diell, janë të brishta. Prandaj, kjo është në favorin e njerëzve të mirë dhe u mundëson atyre të jetojnë pa frikë, të jenë në lidhje me intimitetin rrezik, dhe të ruajnë me qetësinë, është një fat që i takon vetëm atij që e duron atë sëmundje”.

Teknika e dytë stoike e vetë-ndihmës, ajo që John Irvine e quan dikotomia e kontrollit: Ndajini situatat në ato që i keni kontroll dhe ato që nuk i keni. Epikteti vëren se “nga gjërat që ekzistojnë, Zeusi ka vënë disa në kontrollin tonë, dhe disa të tjera jo. Ndaj, ne duhet të bëjmë gjithçka me gjërat që janë nën kontrollin tonë, dhe t’i besojmë atyre që nuk janë në kontrollin tonë në univers”.

Irvine shton një kategori të tretë, duke transformuar kështu dikotominë në një trikotomi: Gjëra që ne nuk i kemi nën kontroll, gjëra që i kemi nën kontroll të plotë, dhe gjëra mbi të cilat kemi njëfarë kontrolli. Ne nuk e kemi në kontroll nëse dielli lind nesër. E kemi vetë në dorë nëse duam të konsumojmë një kupë të tretë me akullore, çfarë bluze të zgjedhim të veshim, apo nëse shtypim komandën “send” në celurarin tonë.

Por, për vetëvrasjet, të shtënat më armë nëpër shkolla, fëmijët e shokuar për shkak të ndarjes nga prindërit e tyre? Mund të bëjmë diçka. Ne mund të votojmë, të garojmë për poste, të organizojmë, të kontribuojmë me para ose mallra. Në këto sipërmarrje mund të bashkëpunojmë me fqinjët dhe kolegët tanë, duke vepruar si një koshere bletësh pa qenë të paralizuar nga ankthi.

Ata mjaftueshëm me fat që përjetojnë një kënaqësi private, ndjejnë ende hijen e frikës nga publiku. Megjithatë, gëzimi është akoma gëzim; jeta ende duhet të jetohet. Nëse ne jemi lojtarë bejsbolli, mund të luajmë bejsboll. Nëse jemi gjyshër, mund t’i mbajmë nipërit e mbesat tona në park.

Ne mund të lexojmë – jo vetëm lajmin, por thrillera dhe histori që na nxjerrin nga gjendja jonë momentale. Dhe ne mund të lexojmë poezi, e cila ka fuqinë e distilimit të kohës sonë, për t’i bërë dilemat tona morale, në mos saktësisht të shpjegueshme, shumë të qarta. /Burimi: “The Conversation”/Në shqip nga: Bota.al/KultPlus.com

Serbia tërhiqet nga festivali në të cilin ngrihet flamuri i Kosovës

Shqipëria është nikoqire e festivalit “Balkanika Folk”. Në festival ishte e paraparë të marrin pjesë 11 ansamble nga i gjithë Ballkani dhe dy të tjera, të Arbëreshëve e Italisë dhe atij të Polonisë.

Mirëpo, mysafirët nuk u mblodhën në numër sa ishin ftuar. Kjo sepse Serbia kishte mohuar pjesëmarrjen në një organizim në të cilin ngrihet edhe flamuri i Kosovës, njofton Klan Kosova.

Madje, Ambasada e Serbisë në Tiranë kishte kërkuar nga organizatori të mos e lejojnë ngritjen e flamurit kosovar, nëse duan që ansambli nga Serbia të marrë pjesë në festival.

E organizatori i këtij festivali, producenti Sokol Gunga, po e konsideron këtë kërkesë absurde dhe në kundërshtim me parimet e artit.

Edhe pse Serbia i largoi artistët e vetë nga gara, Gunga kishte kërkuar që ata të qëndrojnë së paku për ta ndjekur festivalin nga afër.

“Artistët serbë ishin të mrekullueshëm, artistë të vërtetë, kërcimtarë të jashtëzakonshëm dhe pse jo nëse do të ishin në garë, mund të ishin edhe pretendent edhe për çmimin e madh qe e fitoi Bullgaria”, ka shkruar producenti në reagim.

Ai ka shtuar se politika nuk duhet të fusë hundët në art sepse arti nuk njeh kufij./KultPlus.com

Action Bronsoni publikon “White Bronco” (VIDEO)

Reperi Action Bronson ka publikuar këngën e tij më të re “White Bronco”.

Videoklipi është punuar me regji të vet Bronsoni dhe Rik Cordero, transmeton Koha.net.

Kjo këngë vjen me efekte vizuale mjaft të bukura, në të cilën shihet reperi duke kënduar, e mbi fytyrën e tij kalojnë kafshë të ndryshme, e gjithashtu edhe bimë./KultPlus.com

Përkrenaret e Skënderbeut, Orges Kokoshari i dizenjoi në SHBA

Orgesi ka 18 vjet që jeton në New York, por largimi nga Shqipëria nuk e ka shkëputur nga vendlindja e tij. Përkundrazi, prej 3 vitesh ai ka studiuar imtësisht figurën e Skënderbeut. Ka shkuar posaçërisht për të në muzeun e Vjenës.

“Thjesht në mënyrë natyrale ndjek instinktin, dhe dashurinë time për të përhapur sa më shumë historinë e Shqipërisë, në mënyrën që unë kam mundësi ta bëj”, tha Orges Kokoshari.

Studimi i vleu për të prodhuar përkrenaren e Skënderbeut. 1000 të tilla, për të provuar fillimisht interesin e shqiptarëve dhe të huajve. Orgesi na tregon se ka qenë bashkëshortja e tij shtysa për ta përfunduar këtë projekt në kohë për Vitin e Skënderbeut.

“Sarah është kanadeze, por shumë e apasionuar pas historisë së Shqipërisë, duke më parë dhe mua për punën që po bëj. Madje kutinë e ambalazhimit e kam bërë vetë dhe ka qenë gjithmonë një mbështetje kur unë kam menduar se ndoshta mund ta lemë për më vonë”.

Puna me artet vizuale, ja ka lehtësuar procesin e dizenjimit të helmetave, 42 vjeçarit.

“Të gjitha detajet janë të bashkuara siç është helmeta origjinale. Mbishkrimet që ka helmeta sipër janë në latinisht, këtu të përkthyera. Helmeta e Skënderbeut kushton 299 dollarë, dhe është prodhuar në plastikë që të ishte sa më e lehtë”, u shpreh Kokoshari.

“Këtu kemi dhe simbolin e dhisë, një element shumë kryesor që nga antikiteti që ka pasuar historinë tonë. Kemi po të njëjtin simbol, që përsëritet që nga koha Ilire me Aleksandrin e Madh, Pirron dhe po Skënderbeun./KultPlus.com

Shfaqja “Kur hana del”, premierë në teatrin “Adriana” të Ferizajt

Të hënën, 1 tetor 2018, në teatrin “Adriana” të Ferizajt do të mbahet premiera e shfaqjes “Kur hana del”, me regji të Ben Apollonit. Kjo dramë është shkruar nga Ag Apolloni dhe paraqet historinë tragjike të luftës së fundit në Kosovë dhe fatet e personave që kanë humbur familjarët, por edhe mendjen.

E vendosur në një spital psikiatrik, ngjarja ndërtohet mes dy simboleve, hënës (që simbolizon luftën, tragjedinë, errësirën) dhe diellit (që simbolizon shpresën, jetën, lirinë). Drama “Kur hana del”, prej në titull sugjeron lidhje të drejtpërdrejtë me traditën shqiptare, gjë që përforcohet me motivin e besës, baladat shqiptare dhe këngët shqiptare, ndërsa storja lidhet me kontekstin historik të luftës në Kosovë dhe me shpalljen e Pavarësisë.

Drama është e konceptuar në dy pjesë. Në të parën jepet përfundimi i luftës dhe shpalosja e tragjedive të personazheve, ndërsa në të dytën, shpallja e Pavarësisë dhe fundi tragjik i Hanës, nuses që humbi burrin në luftë. Kjo është një histori e trishtë që përçon jo vetëm fatin tragjik të të vrarëve të luftës, por edhe të familjarëve që nuk e përballuan humbjen e tyre. “Kur hana del” ndërtohet si tragjikomedi, pasi rrëfimet tragjike të personazheve shoqërohen me veprimet komike të tyre. Izolimi i tyre në një spital psikiatrik, nata dhe hëna, loja e shahut, por edhe mosrealizimi i dashurisë mes Lulit dhe Hanës, nënkuptojnë triumfin e vdekjes mbi jetën, ku e para ia bën mat të dytës.

Në këtë shfaqje do të luajnë: Ali Krasniqi, Edona Berisha-Bekteshi, Vjosa Abazi, Dashuri Rexhepi, Jajush Ramadani, Arben Marevci, Sherif Bega, Mevlan Saraçi, Gresa Gashi, Ekrem Jakupi. Skenografia e shfaqjes është bërë nga Lebibe Topalli, kostumografia nga Pranvera Sylejmani, ndërsa muzika nga Shaban Ratkoceri. Reprizat e shfaqjes do të mbahen me 2 dhe me 3 tetor. /KultPlus.com

Artisti shfrytëzoi gjethet e thara për të imituar kryeveprën e Da Vinçit

Nathan Wyburn ka shfrytëzuar gjethet e thara të pemëve, që të imitojë në një kopsht të Londrës, kryeveprën e Leonardo Da Vinçit “Mona Lisën”.

Nëpërmjet pajisjes për fryrje, ai përhapi masën sipas nevojës, për t’i vënë më pas si duhet, që të krijoi portretin e famshëm, transmeton Telegrafi.

“Po vjen vjeshta, andaj desha që t’ju kujtojë të gjithëve, se si duhet mbajtur kopshtin në top formë. Por, pas realizimit të imazhit i kam mbledhur gjethet”, ka thënë Wyburn.

Mënyra si e realizoi punimin, iu ka pëlqyer shumë shfrytëzuesve të rrjeteve sociale, të cilën e shpërndanë videon me shpejtësi.“Nuk i mungon as buzëqeshja misterioze”, ka shkruar një komentues, derisa analizonte detajet punimit./KultPlus.com

Enciklopedia Buxhoviane – rishikim fundamental historiografik

Nga Agron Jaha

Pjesa Hyrëse – Prolog

Dy fjalë për veprën në tërësi

Me “Kosova” të profesorit të merituar të Historisë Iliroshqiptare (çdo gjë e arritur këtu vetëm me zgjuarsi, punë vetëmohuese e dritëpërçuese e Genius Ilyrici) – të nderuarit Jusuf Buxhovi, shqiptarët shënojnë fitoren e tyre të parë të madhe bashkëkohore në rrafshin kulturor ndaj falsifikimeve e keqinterpretimeve, anashkalimeve politike e fshehjeve të qëllimta të vërtetës objektive historike të korpusit kulturor ilir, korpus ky që ravijëzoi konturat e lëvizjes progresiste të qytetërimit evropian.

Korpusit trashëgues kulturor të Ilirothrakisë paraantike (albanofonisë ilirike), i cili më vonë do të shfaqet në formën e plotë të tij në regjistrat shkrimor historik si iliro-romakiumi apo etnoetatizmi gjenealogjik dardano-romak, i kthehen si figuracioni simbolik i heroizmit trojan që nga Eneu, por edhe personalitetet e tij të lartësuara historike, si Konstandini e Justiniani. Edhe vepra unikate në mbrotje të ilirokristianizmit e shkruar me gjakun e princit më të madh mesjetar evropian, kurorëzon rolin vendimtar për një Evropë me identitet të qartë kristiano-romak të faktorit ambi- dhe polivalent historik – Gjergj Kastriotit.

2
Të bësh një recension të një studimi kaq të thellë, siç është “Mesjeta” e J. Buxhovit, paraqet jo vetëm një obligim kolegial e kombëtar, por dhe një nder personal që më bën autori si dhe një sfidë sui generis (të llojit të veçantë). Për dy arsye:

– Për herë të parë kemi në historiografinë tonë një studim të thellë e të thuktë, por edhe të gjerë e larmishëm nga aspekti burimor, i cili i ofrohet lexuesit shqiptar pa asnjë lloj cenzure a diktati politik. Pra, ashtu siç e kërkon historiografia objektive, e paanshme. Ndryshe nga vepra enciklopedike e Akademisë së Shkencave në Shqipërinë shtetërore “Historia e Popullit Shqiptar”, e cila ende mbetet në binarët klasik të deskripcionit kronologjik, pa pasur impulse inovative në rrafshin shpjegues, Enciklopedia Buxhoviane ka guximin të rishikojë me një dioptri tjetërfare gjithë kompleksin e ndërtesës së deritanishme historiografike, duke hapur kështu rrugë deri më tash të panjohura në letrat historiografike brenda konceptimit dhe studimit sistematik allofil të historisë së Popullit Shqiptar. Së këndejmi do të ishte hap i duhur nga ana e Akademisë së Shkencave në Shqipëri që të bëj një shqyrtim kritik e tërësor të veprës reformative të Buxhovit, të bëj edhe të njohur veprën e tij në Shqipëri dhe të pranoj rezultatet e shënuara aty.

– Problemi tjetër është ai metodologjik. Duhet punë pioniere gjatë recensionit, pra edhe recensenti duhet të jetë kreativ dhe inovativ në qasjen e tij. Me një shkëputje mendore teorike nga metodologjia e deritanishme e konceptimit.

2.a.2 Vështrim holistik nga këndi filozofik-didaktik i veprës, risitë në qasjen metodologjike doktrinare të autorit. Specifika sui generis e studimeve ilire.

Buxhovi, si njohës i shkëlqyer i historikut të studimeve ilire që është, shtron dhe thumbon qysh në fillim të këtij libri me të drejtë dhe me gjuhë kritike-argumentative pozicionimin teorik të historiografisë së shek. të 19-të, e cila anashkalon rolin vendimtar të faktorit iliro-dardan në kuadër të orbis romarum. Nënvizon se brenda kësaj ngrehine shtetërore ata jo vetëm që posedonin me shtetësinë romake, civis romanes (kjo sidomos nga koha e Karakallës) apo romaios (nga koha e Theodeziut pas ndarjes së Perandorisë), por edhe ishin mbrojtësit kryesor të saj. Një status të tillë nuk arritën ta fitojnë popujt invadues në Ballkan e Itali asnjëherë: Gotët, sllavët, avarobullgarët etj.

3
Sllavët do t’ia dalin vetëm aty nga shekujt IX-X të krijojnë organizimet e tyre të para suprafisnore në formë të despotatit (fillimisht në Dioklea dhe më vonë në Rashën dardane), zhupanive apo të vetëshpallura perandori, si ajo bullgare (IX-XI).
Autori në kritikën e tij vazhdimisht ruan ekulibrin e linjës së vëzhguesit objektiv, duke spikatur një mori faktorësh objektiv që edhe faktikisht „larguan“ temën dardane nga kronikat me rëndësi të kohës.

Perandoria Lindore Romake ishte e angazhuar sinkronisht në më shumë fronte, kjo pamundësonte objektivisht qartësimin e situatës me popullatat invaduese sllave (ndonëse në burimet romakolindore përmenden aty-këtu edhe përpjekje për rivendosjen e sllavëve në drejtim të Azisë së Vogël! Vërejtja nga unë, A.J.), kështu që kishte filluar misionimet e organizuara për kristianizimin e këtyre popullatave. Qëllimi ishte strategjik, që ata një ditë të i shërbejnë Perandorisë Lindore Romake Nga burimet romakolindore të kohës, sidomos nga vepra epokale e perandorit Konstandin Porfirogjeni „De administrando imperio – Corpus Fontium Historia Byzantine“, mësojmë se popullatat sllavofone quheshin me antroponimin kolektiv – teonimin „pagan“ apo të pafe. Por, siç do të shohim më vonë, këto struktura, sidomos gjatë dhe pas Kryqëzatave, do të kthehen kundër Perandorisë dhe do të dobësojnë sipas autorit së bashku me kryqtarët nga Perëndimi në mënyrë vendimtare strukturat shtetërore të Perandorisë Lindore Romake.

Për shkak të problemeve të vazhdueshme që kishte Perandoria, sidomos me popullatat invaduese, dhe përfshirjes totale iliro-dardane në të gjitha strukturat e Perandorisë (romanizimi etatist, Perandorisë Lindore Romake konsiderohej nga iliro-dardanët shteti i tyre, vërejtja nga studimet e mija të fundit mbi raportet shtetësi-etni në Perandorinë Lindore Rormake), ata sipas autorit nuk do të jenë më në qendër të vëmendjes. Kronikat dhe në përgjithësi burimet shkrimore romako-lindore pas shek. të shtatë, do të tematizojnë problemet dhe vështërsitë e vazhdueshme të Perandorisë në ballfaqimin e saj me këta popuj invadues që nuk jetonin brenda Perandorinë Lindore Romake dhe nuk posedonin statusin e qytetarit romak.

Kjo „zhdukje“ e popujve konstitucional nga kronikat romako-lindore (pra, e ilirodardanëve, greqishtfolësve, etj.) ka shërbyer fatkeqësisht edhe për anashkalimet dhe jo rrallë edhe për keqkuptime e qe besa edhe për shtrembërime të qëllimta në analizat dhe deskripcionet e historiografisë moderne nga shumë autorë të huaj e nganjëherë edhe vendor.
Këto shpjegime nga J. Buxhovi, paraqesin risi në këndkundrimin apo specifikën e studimeve ilire. Ato, me apo pa dashje, hapin një çështje shumë delikate, atë të interpretimit të burimeve historike. Qasja metodike, sipas së cilës „histori“ është vetëm ajo që na e ofrojnë burimet direkte të shkruara, tregohet si e pamjaftueshme, sidomos në kuadër të analizave të proçeseve me diskontinuitet formal historik.

4
Prandaj, historiografi moderne dhe analitike apo analizë objektive historike, në unison konceptual me profesorin e nderuar Buxhovi, konsideroj jo vetëm punën me burimet historike, por edhe analizat retrospektive kulturore, apo figurativisht lidhjen e pjesëve nga kohë të ndryshme nga i njëjti zingjir tematik dhe kulturor, duke abstrahuar diskontinuitetin letrar dhe pranuar latencën („heshtjen“) burimore si kategori historike valide.

Kjo përkon me thënien paradigmatike të autorit J. Buxhovi: „Subjektiviteti historik nuk krijohet vetëm nga pamja e jashtme, por edhe forcat e brendshme lëvizëse“, qasje e cila përshkon shtratin argumentues dhe shpjegues të veprës.

Mendoj se këtu autori ka vendosur një guri të rëndë në themelin e ndërtesës së re të qasjes inovative doktrinare në konceptimin e historisë iliro-shqiptare, jo thjesht si një element i rëndësishëm i historisë romake, por si shtylla kurrizore e saj.

(Vazhdon)


Jusuf Buxhovi: “KOSOVA” II, MESJETA. Botoi “Jalifal Publishing” – Houston dhe “Faik Konica” – Prishtinë, 2015

Filmit “Nëntor i Ftohtë” i bëhet pritje e jashtëzakonshme në San Sebastian në Spanjë (VIDEO)

Premiera botërore për filmin artistik të regjisorit Ismet Sijarina “Nëntor i Ftohtë” u dha sonte në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, shkruan KultPlus.

Ky është filmi i parë nga Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, një festival ndërkombëtar tejet i rëndësishëm dhe i kategorisë A.

Pas prezantimit të filmit si duket publiku e ka pritur në mënyrë të mrekullueshme duke ju dhuruar duartrokitje të gjata. Për këtë pritje ka njoftuar drejtori i QKK-së Arben Zharku i cili ka shpërndarë disa fotografi dhe një video nga ky moment.

Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesor paraqiten aktorët; Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli, ndërsa Skenari i shkruar nga: Arian Krasniqie Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie Sevdije Kastrati, Montazher Vladimir Pavlovski, Muzika Jericho, Producent Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, Regjia Ismet Sijarina./KultPlus.com

Kampi i “Super vullnetarëve” kësaj radhe fokusohen në Kaçanik

Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim “Toka”, po vazhdon me kampe edhe në shtator dhe tetor. Kampi i radhës i “Super-Vullnetarëve” do të fokusohet në Komunën e Kaçanikut. Përveç se do të ketë 8 pjesëmarrës nga Kaçaniku, do të realizohen dy projekte vullnetare të cilat do të përmirësojnë ambientet e shkollës fillore “Idriz Seferi” dhe asaj të mesme “Feriz Guri & Vëllezërit Çaka” në Kaçanik.

Gjatë kampit 40 të rijnë nga e gjithë Kosova do të zhvillojnë shkathtësi të reja, përderisa janë duke kontribuar në komunitet. Këta të rijnë do të mësojnë si të punojnë me dru, si të krijojnë dollape dhe shporta nga materiale të ricikluara. Përgjatë kampit ata do të zhvillojnë aftësitë e tyre të prezantimit publik dhe planifikimit në grup. Qëllimi i këtij kampi është që të zhvilloj shkathtësi dhe të nxisë qytetari aktive tek të rinjtë në Kosovë.

“Mezi po pres të filloj kampi! Do të takoj bashkëmoshatarë dhe do të punojmë një projekt vullnetar. Besoj se do të mësoj shumë gjëra të reja, si të bëjmë plane për punë vullnetare dhe si të punoj me dru. Jam shumë e gëzuar që jam pranuar të marrë pjesë në kampin e Super-Vullnetarëve”, është shprehur Elita Cermjani, nga Gjakova, pjesëmarrëse në kamp.

Ky kamp financohet nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Kampi po ashtu përkrahet nga Komuna e Prishtinës dhe kompania KIVO Kosova./KultPlus.com

Era publikon imazhe atraktive nga fotosesioni i fundit (FOTO)

Era Istrefi pa dyshim që është një nga këngëtaret më të suksesshme shqiptare.

Fama e saj tashmë ka prekur majat, duke u renditur përkrah yjeve më në zë në botë.

Por, krahas sukseseve në karrierën artistike muzikore, ylli kosovar shquhet edhe për stilin unik, trupin atraktiv e pozat joshëse.

Së fundmi ajo ka realizuar një fotosesion me fotografen Fioralba Kryemadhi. Ndërsa sot këngëtarja ka ndarë edhe një imazh nga ky album, ku shfaqet sensuale me një palë pantallona e bluzë të shkurtër./KultPlus.com

Poezi nga poetë hebre që ju shpëtuan kampeve naziste

Poezitë janë shkruar në kampet naziste të përqendrimit, dhe të gjithë poetët u mbijetuan atyre kampeve. Më i riu, vetëm 16 vjeç. Përkthyer nga Mimoza Erebara me dëshirën e saj dhe në bashkëpunim me Mearteka Literary.


Primo Michele Levi

Shema

(Shema- Yll)
E ngrohtë dhe e sigurt na duket
barraka
Ku kthehemi në mbrëmje
E ndezim qirinjtë
Dhe i gëzohemi fytyrave të ëmbla
Dhe ndjehemi vërtetë njerëz
Megjithëse gjithë ditën kemi ecur në baltë
Në rrugën ku Paqja mungon
Veç gishtat tanë të tretur
Shtrëngojnë fort
Një thërrime buke si
Një thërrime jete
Dhe luajmë me jetën e vdekjen
Si kjo grua me foshnjen e saj
Oh! Shema!
Kujtimet e mia arratisen rrëmbyeshëm
Duke lënë pas sy të nxire si mitër të zbrazët
Në këtë acar dimri të ftohtë
Dhe prapë na duket se është mire
Oh, Shema!
Mesazher i fjalës sime për ju jam,
Për zemrën tuaj,
Kur të hapni zemrën,
aty dua të jem
Me gjithë fjalën time
Në shtëpinë që do jetë e juaja,
Në rrugën që ju do ndiqni
Drejt yllit që ju drejton,
Oh, Shema!
Atje ku do kumbojë e qeshura
Dhe ku as shtëpia,
As zemra e copëtuar
As fatkeqësia,
Nuk na bën më të pafuqishëm
Por drejt yllit tonë na drejton.


HAIM GURI

Trashëgimia

Ai u kthye për herë të fundit
Po Abrahami nuk i tha të kthehej
E të dëgjonte përgjigjen
E pyetjes së djalit
Të parit djalë, fuqisë së tij të papritur
Të ditëve në venitje.
Plaku ngriti kokën
Dhe shpresoi që kjo të mos ishte ëndërr
Po engjëlli të kishte qëndruar mbi të
E mbi shkëlqimin e majës së thikës
Në duart e tij
Djali i qetë
Priste rikthimin e babait të tij.
Isaac ,-
Historia tregon,-
Nuk u sakrifikua.
Ai jetoi
Për të na thënë
Kënaqësinë që provoi
Deri kur vështrimi iu mjegullua
Dhe kur lindi
Me thikë në zemrën e vet.


DAN PAGIS

Përsiatje në shtallë njerëzore

***
Këtu, në këtë stallë
Unë jam Eva
Me tim bir Abel
Nëse ju e shihni
Djalin tim të madh
Kain,
Djalin e Adamit
Thuajini atij, këtë!…


MARTIN NEIMOLLER

Para se të ndjehem hebre

Para se të ndjehem hebre
Unë luftoj për vete dhe për të tjerë
Dhe nuk deshmoj, dhe nuk deklaroj asgjë
Para se të ndjehem hebre,
Unë jam hebre!
Këtu na kanë sjellë nga çdo anë
Dhe unë nuk di të flas në çdo gjuhë
Po para se të vijmë nga çdo anë,
Unë jam hebre!
Para se të vijnë të tjerë e të tjerë
Ata erdhën për mua kur s’kishte ngelur asnjë
Po para se të ndodhte kjo, ata kishin dalë nga unë vetë
Që dëshmoj sot për ta dhe për vet./ KultPlus.com

Prishtina së shpejti pasurohet me festivalin që do i dedikohet muzikës vokale

Alberina Haxhijaj

Prishtinës së shpejti do i shtohet edhe një festival i cili në fokus të tij do të ketë muzikën vokale, i titulluar “Prishtina Internacional Vocal Festival”. Edicioni i parë i këtij festivali i cili synon që të pasurojë skenën vendore do të fillojë më 3 tetor dhe do të përfundoj më 7 tetor. KultPlus ka biseduar së bashku me udhëheqësin e festivalit, Hajrulla Syla për të mësuar më shumë detaje rreth këtij festivali dhe risit që do të sjellë.

Ideja për krijim e një festivali të tillë dedikuar muzikës vokale sipas Hajrullahut rrjedh nga fakti se në Kosovës nuk organizohen festivale të tilla të cilat i dedikohen muzikës vokale. Njëkohësisht ky festival, sipas tij do nxisë edhe krijimin apo formimin e ansambleve apo koreve të rejat në Kosovë. Por festivali nuk ndalet vetëm këtu, një ndër qëllimet e tij është edhe nxitja që kompozitorët të kompozojnë vepra të reja vokale. Për të arritur këtë ky festival që në fillim pati hapur një konkurs për kompozitorë.

“Kjo është bërë me qëllim që të nxisë kompozitorët kosovar të krijojnë vepra të muzikës vokale/korale që sa më shumë ta pasurojnë këtë gjini muzikore, ku nga të gjitha aplikimet, nga juria profesionale janë përzgjedhur tri vepra që do t’i sjellë kori i Filharmonisë së Kosovës”, tregoi ai për KultPlus.

Në kuadër të festivalit, më 7 shtator do të prezantohen për herë të parë para publikut veprat: “I nemun” kompozuar nga Ylli Daklani, “…rrugës” nga Memli Kelmendi dhe “Mother” nga Artan Hasani.

Kjo natë do të jetë edhe nata përmbyllëse e festivalit. Koncerti në bashkëpunim me Korin e Filharmonisë së Kosovës, me soliste Arta Jashari – soprano, Elton Balla – fizarmonikë, Artemida Qarri Haxhiaj – piano dhe orkestrënkamertale harkore të Filharmonisë së Kosovës, do të dirigjohet nga Kushtrim Gashi.

Kori i Filharmonisë së Kosovës me 3 premiera botërore në “Prishtina International Vocal Festival”

Përveç këtij koncerti ky edicion i parë i festivalit do të sjellë edhe tri koncerte të tjera. “Në këto koncerte do të kemi artist të njohur nga skena vendore dhe ndërkombëtare. Hapjen e këtij edicioni do t’abëjnë anëtarët e ansambli tashmë i njohur nga Londra, The Gesualdo Six. Ky ansambël do të sjellë një program mjaft interesant për publikun tonë, ku në fokus do të jetë Mesha për katër zëra e kompozitorit të njohur William Byrd”, tregoi për KultPlus Hajrullah Syla.

The Gesualdo Six është një grup vokal i përbërë nga disa prej këngëtarëve më të mirë të Mbretërisë së Bashkuar, të drejtuar nga Owain Park. Formuar në mars të vitit 2014 për një shfaqje të Gesualdo’s Tenebrae Responsories për Maundy Thursday në kishëzën Trinity College, në Kemrbixh, grupi vazhdoi të jepte mbi gjashtëdhjetë shfaqje në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe jashtë vendit në 3 vitet e para.

Në natën e dytë, që do të mbahet me datë 4 tetor, pjesëmarrës do të jetë ansambli ‘Zanat’ nga Prishtina dhe kori ‘Siparantum’ nga Peja me dirigjent Memli Kelmendin, për të vazhduar me natën e tretë që do të mbahet me datë 6 tetor, ku në skenë do të paraqitet kori i femrave nga Shkupi me dirigjent Sasho Tatarchevski.

Hapja dhe mbyllja e PriVocalFest-it do të bëhet në Kishën Katolike “Shën Ndou” ndërsa dy koncertet tjera do të mbahen në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./ KulPlus.com

Filmi “Nëntor i Ftohtë” i Ismet Sijarinës, sonte premierë botërore në San Sebastian në Spanjë

Premiera botërore për filmin artistik të regjisorit Ismet Sijarina “Nëntor i Ftohtë” do të mbahet sonte në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, shkruan KultPlus.

Ky është filmi i parë nga Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, një festival ndërkombëtar tejet i rëndësishëm dhe i kategorisë A, ku do të jetë pjesë e konkurrencës zyrtar në Seksionin e Regjisorëve të Ri.

Për këtë ka njoftuar drejtori i QKK-së Arben Zharku i cili ka shpërndarë edhe dy fotografi ku shfaqet ekipi i filmit para premierës.

“Shumë urime të gjithë ekipit të filmit Cold November / Nëntor i ftohtë i cili sonte jepet premierë në festivalin e famshëm të San Sebastianit në Spanjës”, ka shkruar Zharku në Facebook.


Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesor paraqiten aktorët; Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli, ndërsa Skenari i shkruar nga: Arian Krasniqie Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie Sevdije Kastrati, Montazher Vladimir Pavlovski, Muzika Jericho, Producent Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, Regjia Ismet Sijarina./KultPlus.com

Dashuria në vjeshtë është bimë fatkeqe

Poezi nga Arian Lek.

Dashuria në vjeshtë është bimë fatkeqe.
Frutat lind nën dhé, në errësirë.
Dhe lulet nuk i rrojnë gjatë, as gjethet.
Fëmijë të thjeshtë, pa bekim, ardhur ditën, ikur natën.
Pagëzuar me ujë të zi dhe me baltë.

Trupi në këtë stinë ka më shumë ngut se sa ngè.
Merr formën e gjilpërës së madhe me një sy.
Hyn edhe del nëpër trupin tënd
Vetëm e vetëm për të thurur një lule të vogël.

Thjesht një lule. Qepur me pe të bardhë. Pa një nyjë apo komb.

Lulet janë krijesa pa arna.
Është i njëjti mundim, thuajse.
Është pothuajse ai mund që i duhet mendjes
Për të kthyer velën drejt mënyrave të thjeshta,
Ku fjala dua vdes për fjalën duhet dhe jo rrallë shkojnë dëm, fli,
Në vend të njëra-tjetrës.

Dashuria në vjeshtë ishte bimë fatkeqe.
Që nga lulja, fruti dhe gjethja mbi të cilën
e gjelbra shkon pa i hapur udhë të blertës.

Dhe ku unë.
Me të vetmen formë që më ka mbetur.
Atë të gjilpërës së madhe, me një sy,
më duhet të futem në trupin tënd të lodhur.
Të qep gjithë sa shqepa vetë
dhe gjithë sa gjeta të shqepur tek ti./ KultPlus.com

Vijon puna për restaurimin e Kishës së Shën Kollit në Kurjan, Roskovec

Përgjatë inspektimit të fundit në objekt ishte i pranishëm edhe Profesor Pirro Thomo, specialist i trashëgimisë kulturore, i cili ofroi konsulencën e tij rreth ndërhyrjeve të aplikuara në monument.

Projekti i hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe financuar nga Bashkia Roskovec konsiston në restaurimin e plotë të Kishës së Shën Kollit, monument kulture i kategorisë së I-rë.

Kisha e Shën Kollit përbën një pasuri të vyer për zonën e Kurjanit por edhe për të gjithë zonën e Myzeqesë, shkruan Instituti i Monumenteve të Kulturës./ KultPlus.com

Veturat fluturuese nga muaji i ardhshëm në tregun botëror (VIDEO)

Vetura e parë fluturuese në botë pritet të hyjë në treg, me shitjet e para që janë caktuar të bëhen për muajin e ardhshëm.

Dy automjetet e para hibride-elektrike me dy ulëse, që mund të kalojnë në modele fluturuese në më pak se një minutë, do të jenë të gatshme të blihen që nga muaji i ardhshëm.

Sipas prodhuesit të tyre Terrafugiua, që i përket kompanisë simotër të Volvos, vetura mund të fluturojë deri në 640km, me një shpejtësi maksimale prej 160kmh, transmeton Gazeta Express.

Çmimi i veturës nuk është përcaktuar ende, por shitjet e para të modeleve pritet të fillojnë në tetor, thuhet sipas agjencisë kineze të lajmeve, Xinhua./KultPlus.com

“UKA”, homazh e elegji për asketin e kohëve moderne (VIDEO)

Diku e dikur në Dukagjin, ka jetuar Uka, një njeri i rëndomtë, që nuk lakmonte të huajën, që nuk ia mendonte askujt të keqen. Ai ishte asket i kohëve moderne, model i nderit dhe i moralit. Por, jeta e shpërbleu me vuajtje dhe dhembje.

Kënga që i dedikohet atij, “UKA”, është finalizuar më 2010, por për herë të parë është e qasshme tash, për secilin që ka dëshirë ta dëgjojë. Muzika, teksti dhe aranzhmani janë bërë nga Agron Shala. Këtë këngë Shala ia dedikon dajës së tij – Ukës së urtë, të ndershëm e të pafat. Në vokale janë BB Poqi dhe Ismet Azemi. Ndërsa, në kitarë është MV Muha, që po ashtu ka bërë miksin dhe postproduksionin e këngës.

“Uka” është jo veç një shprehje e respektit për dajën, po edhe një elegji për njerëzit e virtyteve, homazh për të ndershmin – të rëndomtët e heshtur. Mbi të gjitha, është një thirrje për të reflektuar për jetën, nderin, moralin… për njeriun!

Më poshtë mund ta dëgjoni këngën dhe ta lexoni tekstin.

UKA

Në ballë të oxhakut,
qyqe
vetëm
ka mbet.

Në odën e madhe,
s’ka sofër
as fjalë,
veç kujtime
për njerëzit e vdektë.

Shikon në dritare,
e në frengji,
dhe kohën e ndal
në legjendat që i blinin –
njerëzit
e ngratë.

Çdo gur në kullë,
çdo shkallë e kalbur
është plagë dhe barrë
në trupin e tij.

Mëkatet e brezave
vetëm ai i lan,
e ai nuk e din
se nuk di dredhi.

Prapa derës së mbyllur,
vuan e duron,
vazhdon të ëndërrojë
ai është i shenjtë –
armik
i shpirtit të tij.

I pastër ishe,
në baltë sharrove,
jetove urtë,
urtësia të mungonte,
hije kërkove,
terri të gjeti,
u shfaqe mes nesh –
për t’u qarë

Durove,
s’mashtrove,
dëgjove,
nuk fole,
vuajte,
s’tradhtove,
shihje,
s’lakmove,
mendove,
nuk dite,
rrite,
nuk prite,
ece,
s’jetove,
përcolle,
ike,
shpëtove.

N’çdo gurë në kullë,
n’çdo shkallë të kalbur,
në derën e mbyllur,
e odën e zbrazët.

Në çdo dritare,
e çdo frëngji,
je një kujtim,
për t’u qarë.

Atdhe Belegu fiton çmimin “Aspel Ramm” në Novergji

Kohëve të fundit janë shpeshtuar sukseset e të rinjve kosovarë në fushën e arkitekturës. Këtë e dëshmon edhe një herë rasti i Atdhe Belegut, i cili ka fituar çmimin “Aspel Ramm”, një prej çmimeve më të rëndësishme arkitekturore në Norvegji.

Dhe jo vetëm kaq. Ky është çmimi i dytë që Atdhe Belegu mban, përfshirë edhe çmimin “Statsbygg”.

Ndërtimi.info ka kontaktuar me Belegun, i cili ka treguar rreth pjesëmarrjes së tij në garën për këtë çmim, i cili përpiqet të inkurajojë zhvillimin e njohurive që kontribuojnë për një një zhvillim më të mirë dhe më të orientuar të qyteteve.

25-vjeçari me prejardhje nga Peja, i lindur në Norvegji, ka kryer studimet master në shkollën e arkitekturës në Bergen të Norvegjisë me projektin “03 Assembly Palace”, me të cilin edhe kishte garuar për çmimin Aspel Ramm, duke u shpallur fitues.

Menjëherë pas studimeve, Belegu kishte filluar punën si arkitekt në studion arkitekturore “Mad”, në Norvegji.

“Për të kandiduar për çmim, projekti me të cilin kandidon duhej të ishte jo më i vjetër se 5 vjet. Pasi që të gjitha dokumentet përkatëse u dërguan, juria përzgjodhi 4 projekte të cilat më pas, ne 4 finalistët, i prezantuam në Oslo Urban Arena me 18 shtator”, tregon Belegu rreth pjesëmarrjes.

E për të depërtuar në këto gara, ai thotë se nuk ka qenë edhe e lehtë.

“Nganjëherë mund të jetë sfidues formati i projektit që përcaktohet e kërkohet për dorëzim nga organizatorët pasi që jo çdoherë përkon me formatin në të cilën e ke përshtatë ti vetë nga fillimi. Jashtë kësaj nuk kam përjetuar ndonjë pengesë”, shprehet Belegu për ndertimi.info.
Ai tani është duke punuar me projektin për ndërtimin e një parku institucional në Tønsberg të Norvegjisë, megjithatë, suksese e arritura deri tani, po e frymëzojnë atë për t’u bërë pjesë e garave të ndryshme ndërkombëtare.

“Ende nuk kam kandiduar për ndonjë çmim ndërkombëtar, por këto që i kam fituar tani në Norvegji me frymëzojnë të shikoj edhe përtej Norvegjisë. Momentalisht jam i përfshirë në një projekt në Tønsberg të Norvegjisë ku jemi duke e realizuar një park të ri institucional në atë rajon”, tregon ai.

Edhe pse Belegu nuk ka punuar ende me ndonjë projekt në Kosovë, ambiciet e tij për të ardhmen përfshijnë, ndër të tjera, ndërtimin dhe stimulimin e mekanizmave që frymëzojnë një zhvillim më të qëndrueshëm të arkitekturës në Kosovë./KultPlus.com

Xhubleta prezantohet në “Ditët Europiane të Trashëgimisë”

Tipologjia e xhubletës si veshje, konsiderohet si nga më të vjetrat. Studiues, etnografë dhe të apasionuar të etnografisë do të pasqyrojnë gjithë larminë, artin, simbolikat e saj në aktivitetin që do të mbahet sot në qytetin e Shkodrës, shkruan ATSH.

Në gjithë pellgun e Mesdheut e gjejmë ende gjallë të ruajtur në Shqipërinë e Veriut.

Atë e gjejmë në Kelmend e Dukagjin, brigjet e Drinit, Pukë, Zadrimë, rrafshin e Dukagjinit, Has e Gjakovë. Gjithë kjo shpërndarje, tipologji dhe vlera, do të prezantohen në seminarin kushtuar xhubletës.

Aktiviteti vjen në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë që sot në Shkodër./KultPlus.com

“Berati, një qytet i përjetshëm” promovohet albumi fotografik

Historia dhe bukuritë arkitekturore të qytetit të një mbi një dritareve janë pjesë e albumit fotografik “Berati, një qytet i përjetshëm” të autorit Ndriçim Kulla që u promovua në sallën e konferencave të bibliotekës “Vexhi Buharaja” në Berat.

Në promovimin e librit kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, Prefekti i Beratit, Harilla Dafa, përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore, studiues, qytetarë, nxënës të shkollave etj.
Kryetari i Bashkisë, Petrit Sinaj, theksoi se “pas prezantimit të idesë nga Kulla, ne shprehëm mbështetjen tonë pa asnjë rezervë, pasi dalja në dritë e këtij albumi, nëpërmjet pamjeve origjinale dhe mahnitëse, do të ndihmonte në promovimin e vlerave të turizmit kulturor të qytetit tonë, duke prezantuar për vizitorët vendës dhe të huaj historinë e rrallë të qytetit mijëvjeçarë, bukurinë arkitekturore të ndërtimeve të tij, të artit dhe të qytetërimit që ky qytet mbart nga koha në kohë”.

Ndërsa autori Ndriçim Kulla në fjalën e tij u shpreh se “ky album është një promocion që i bëhet vlerave tona kulturore, historike, të cilat nuk njihen nga të huajt dhe që përbëjnë një thesar të çmuar të trashëgimisë sonë”.

“Ideja për të promovuar vlerat e trashëgimisë sonë kulturore më ka lindur nga shtysa e miqve të mi të huaj të cilët e çmojnë si një burim të jashtëzakonshëm të ardhurash atë që ne kemi trashëguar në aspektin historik, kulturor prej të parëve tanë. Nga vizitat që kam bërë nëpër vende të ndryshme të Shqipërisë, mendova se ne kemi një potencial të madh kulturor, i cili nuk mjafton vetëm me botime historike, akademike, por në kushtet e zhvillimit të industrisë turistike, kjo gjë duhej bërë prezent edhe përmes artit të fotografisë”, theksoi Kulla.

Ne , vijoi ai, kemi një trashëgimi unikale, historike dhe kulturore, sidomos të dy qyteteve tona, Gjirokastrës e në veçanti Berati, që kanë vlera të papërsëritshme historike e kulturore, të cilat nuk i gjen në asnjë vend nëpër botë, prandaj këto vlera duhen promovuar.

“Me dashamirësinë e kryebashkiakut Sinaj mendoj se i kemi bërë një shërbim jo vetëm prezantimit të kulturës dhe trashëgimisë sonë historike, por edhe turizmit të qytetit të Beratit”, tha Kulla.

“Vuajtja më e thellë buron nga braktisja e njeriut, që nuk duhet, përbuzet, lihet pas dore..”

“Mundohem ta dua Zotin me gjithë vetveten”

“Jam lëshuar plotësisht në duart e tij, me gjithë të metat e mia e mungesat e mia.

Ai më pranoi si nusen e vet, me ngrohtësi e dashuri të pakufishme.

Tashmë, për gjithë jetën, jam fati i Krishtit të Kryqëzuar.

Pranova të përfaqësoj të varfrit e mbarë botës: të padëshiruarit, të padashurit, të lënët pas dore, të keqtrajtuarit, të verbrit, të gërbulurit, të alkoolizuarit, të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, të gjithë ata që e kanë harruar ngrohtësinë e dashurisë njerëzore e takimin e njeriut me njeriun.

Jam thellësisht e bindur se e keqja më e madhe dhe vuajtja më e thellë burojnë nga braktisja e njeriut, që nuk duhet, që përbuzet, lihet pas dore, nuk vlen asgjë për askënd.

Nga ana ime mundohem t’u jap të varfërve, për dashuri, atë që të pasurit mund ta blejnë me para.

Unë nuk do ta kisha prekur kurrë me dorë një të gërbulur, edhe sikur të më paguanin një miliard dollarë. Ndërsa e bëj me kënaqësi për dashuri të Zotit.

Kur vërej si trajtohen të varfrit, e kuptoj më mirë trishtimin e Krishtit, që nuk pranohet nga të vetët.

Kush nuk i përfill të varfrit, vijon të mos e përfillë Krishtin.
Të varfrit na nderojnë, duke na lejuar t’u shërbejmë ditë natë, pa ndjerë kurrë lodhje.

Ushqimi shpirtëror që më mban në këmbë, është Mesha Shenjte.
Pa të nuk do të mund të vijoja rrugën që zgjodha as një ditë, madje as një orë.

Në Meshë Jezusi na paraqitet nën trajtën e bukës, ndërsa në lagjet e mjerimit e shikojmë dhe e prekim në trupat e gjymtuar, në fëmijët e braktisur.

Shpesh herë, kur mendoj sa pak jemi në gjendje të bëjmë, më pushton një trishtim i thellë.

Ajo që bëjmë, është vetëm një pikë uji në një oqean të pacak. Tepër e vogël, me një ndikim gati të pandjeshëm mbi pafundësinë e vuajtjeve njerëzore.

Por në se secili nga ne do t’i shërbejë Krishtit, atje ku e thërret, Eukaristia e të varfrit do të bëhen një dashuri e vetme!”.

– Nëna Terezë