“E kundërta ndodhi ike larg, ato ditë dimri të jetës sime…”

Aleksandër Gjoka, një zë i thellë e fort i veçantë i ka dhënë mjaft “perla” muzikës shqiptare. Duke mbetur i tillë për vite të tëra në skenë, ka mbetur i pakrahasueshëm në mesin e artistëve shqiptarë.

Me stilin e paraqitjet e tij, ai shpesh është veçuar në festivalet jo dhe të pakta ku është prezantuar.  Performancat e tij si i vetëm e me grupin “Tre musketierët” kanë lenë shije të paharruar tek publiku.

Gjoka i i ka kënduar dashurisë së shkuar, zemrës së një gruaje, shiut e pranverës. Më së shumti, ai mbahet mend për këngën e dimrit, për zbrazëtinë e ikjes. Ani pse me dy vargje, ndërthurja e fjalëve të jep një histori të tërë të shtrirë në tinguj.

KutlPlus sot ju kthen nostalgjinë për zërin e Gjokës, duke e risjell këtë këngë.

Në jetën time ka qenë një çast

Kur unë për ty pata nevojë

Dhe për te tuat gjeste, fjalë

Por ti pranë meje më qëndroje

E kundërta ndodhi ike larg

Ato ditë dimri të jetës sime

Gjithmonë gëzime ndanim bashkë

Përse më ike, më braktise.

Letra e dashurisë së John Lennon për Yoko Ono

Më 9 tetor 1940 lindi në Liverpul një djalë që më pas u bë një legjendë, John Lennon. Yoko Ono dhe ish-“The Beatles” u takuan për herë të parë gjatë një performance të Ono në “Indica Gallery” në Londër, më 9 nëntor 1966. Nisën të frekuentohen dy vjet më vonë. Kjo letër është një dëshmi e vyer e dashurisë së tyre.

“Në 10 vjetët e fundit kemi arritur të kuptojmë se çdo gjë që dëshironim ishte e përkohshme, e mirë apo e keqe, në një mënyrë apo në një tjetër. Vazhduam t’i thoshim njëri-tjetrit se në një nga këto ditë duhet të organizoheshim dhe të dëshironim vetëm gjëra të mira. Më pas lindi fëmija ynë. Ishim shumë të lumtur dhe në të njëjtën kohë ndiheshim shumë përgjegjës. Tani dëshirat tona do të ndikonin edhe mbi të. E ndjemë se kishte ardhur koha mos të debatonim më, por të rishikonim mekanizmat tona të dëshirave, duhej të bënim pastrim me themel në mendjen tonë. Ishte një detyrë e madhe.

Rastiste të gjenim në dollapin e madh të mendjes sonë gjëra që nuk e dinim që i kishim. Duke bërë pastrime, nisëm të vinim re shumë gjëra që nuk rrinin mirë në shtëpinë tonë. Ishte një raft që as nuk duhej të ishte aty fare; një tablo që kishte filluar mos të na pëlqente dhe ishin dy dhoma të zymta që u shndërruan në plot dritë e ajër kur hodhëm poshtë murin që i ndante. Nisëm të pëlqenim bimët dhe të mendosh që në fillim ishim të bindur se ato na vidhnin ajrin. Nisëm të vlerësonim ritmin e shfrenuar të qytetit që zakonisht na bezdiste. Bënim shumë gabime dhe ende bëjmë. Në të shkuarën kemi harxhuar shumë energji për të kërkuar diçka që mendonim se e donim, na kërkonin që të rrezikonim për ta pasur, për të zbuluar më pas që s’e donim fare. Një ditë morëm një rrebesh shiu çokollatash nga njerëz nga e gjithë bota. “Çfarë janë këto gjëra? Ne nuk hamë gjëra të ëmbla. Kush i ka kërkuar”? Sa kemi qeshur! Zbuluam se kur të dy dëshironim një gjë njëkohësisht, realizohej më shpejt.

Filluam gjithnjë e më shumë të dëshironim dhe të luteshim. Gjërat që i kishim dëshiruar në të shkuarën, duke bërë shenjën e paqes, tani i kërkojmë përmes dëshirave. Nuk e bëjmë më sepse kështu është më thjesht. Të dëshirosh është më efikase se të valëvitësh flamuj. Funksionon. Është si magji. Magjia është e thjeshtë, është reale. Sekreti është ta dish që është e thjeshtë dhe jo ta vrasësh me rituale të përpunuara që janë shenjë pasigurie. Kur dikush është i inatosur me ne, i pikturojmë në mendjen tonë një aureolë përreth kokës. Dhe ai ndryshon qëndrim? Epo, s’i dihet. Por, dimë se kur ia vizatojmë aureolën befas na ngjason me një engjëll. Kjo na ndihmon të kemi ndjenja për njerëzit, të kujtojmë se secili ka një mirësi brenda vetes dhe se të gjithë ata që vijnë te ne janë engjëj të maskuar që na sjellin dhurata e mesazhe nga universi. Magjia është logjike. Provojeni ndonjëherë!

Kemi ende shumë rrugë për të bërë. Me sa duket, sa më shumë pastrime bëjmë aq më shpejt funksionon procesi i të dëshiruarit dhe marrjes. Shtëpia tani është bërë shumë e rehatshme. Sean është i mrekullueshëm. Bimët rriten. Macet përkëdhelen. Qyteti shkëlqen, qoftë diell, shi apo dëborë. Jetojmë në një univers shumë të bukur.

Çdo ditë jemi mirënjohës për plotësinë e jetës sonë. Nuk është eufemizëm. E dimë se qyteti, shteti dhe bota po përballen me kohë të vështira dhe mbretëron terrori. Por dielli ende shkëlqen, ne jemi ende bashkë dhe mes nesh mbizotëron dashuria. Po ashtu edhe në qytetin tonë, në vendin tonë dhe në botë. Nëse dy persona si ne jetojnë jetën e tyre siç bëjmë dhe ne çdo mrekulli është e mundur. Është e vërtetë, në këto momente do të bënte punë një mrekulli shumë e madhe. Dua të them, ta vlerësosh kur të ndodh dhe të jesh mirënjohës. Fillimisht manifestohen në formë të reduktuar, në përditshmëri, por më pas rrjedhin si lumenj e oqeane.

Gjithçka do të shkojë mirë! E ardhmja e botës është në duart e të gjithëve ne!

Nju Jork, 27 maj 1979

John Lennon për Yoko Ono

Përktheu: Elona Qose

Erërat e forta rrëzojnë bredhin në qendër të Prishtinës

Nuk kanë kaluar shumë ditë që kur sheshet e Prishtinës janë dekoruar e stolisur për festat e fundvitit.

Mirëpo, ky dekor nuk ka zgjatur shumë, kjo pasi që sot pas erërave të fuqishme bredhi i vendosur para shtatores së Skënderbeut, është rrëzuar.

Një rast i ngjashëm sot ka ndodhur edhe në një komunë tjetër të Kosovës.

Bredhi i vendosur në sheshin e Drenasit për festat e fundvitit, është rrëzuar.

Dy drama të Jeton Nezirajt do të shfaqen premierë në Stamboll

Dy drama të autorit nga Kosova, Jeton Neziraj, do të jepen premiera këtë javë në Stamboll.

Të enjten, me 27 dhjetor, Teatri Shtetëror në Stamboll do të shfaqë premierën turke të dramës “Peer Gynti nga Kosova” (Kosovali Peer Gynt), të Nezirajt, regjinë e së cilës e ka bërë Saydam Yeniay. Për këtë shfaqje, e cila do të jepet në Cevahir Sallon 2, që është salla kryesore e Teatrit Shtetëror me rreth 400 ulëse, duket se ka një interesim tepër të madh të publikut turk. Të 5 shfaqjet e para të planifikuara për këtë fund-dhjetor tashmë janë shitur tërësisht.

Ndërkohë, një ditë para kësaj premiere të rëndësishme të Teatrit Shtetëror, teatri privat Dina Tyiatro do të shfaqë si premierë dramën “Liza po fle”, një dramë tjetër e Jeton Nezirajt. Drama, me titull të ri në gjuhën turke (Günah Çıkarma) do të sjepet si premierë të me 26 dhjetor (e mërkurë), në Duru Tiyatro, kurse regjinë e saj e ka bërë Ílhami Özdemir. 

Të dy dramat në gjuhën turke jan përkthyer nga Senem Cevher, kurse jan botuar më herët nga shtëpia botuese Mitos Boyut në Stamboll.

Deri më tash në turqisht janë botuar 10 drama të Jeton Nezirajt, ndërsa që ka pasur edhe poaq inskenime në teatro të ndryshëm. Para disa vitesh Teatri Shtetëror i Turqisë ka inskenuar dramën e Nezirajt “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, Teatri i Qytetit të Stambollit ka inskenuar para dy vitesh dramatizimin e Nezirajt të “Gjeneralit të Ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë. Jan inskenuar nga disa here edhe “Yue Madeleine Yue”, “Liza po fle” dhe “Lufta në kohën e dashurisë”. Pos në gjuhën turke, në Stamboll, më herët, drama “Liza po fle” është inskenuar edhe në gjuhën kurde.

Populus Illyricus

Poezi e shkruar nga Mirko Gashi.

Populli

e di

kur duhet bërë kryq

me tre

e kur

me pesë gishtërinj

e kur

të thuhet dova

Ai

më së miri

të thotë

s’ka perëndi të tjerë

përveç meje

Populli të thotë

se s’ka kryeplak

më të urtë se fshati

Ai e ka meteorologjinë

e vet

në gjunjtë e pleqëve e të plakave

kur ky yll apo ai

gjendet këtu apo aty

Populli di

pse

s’duhet përqeshur lumin

për rrugën e tij gjarpërore

rrjedhën mund ta gabojë ndonjë pikë

po lumi kurrë

2.

pasi vetëm ai e di

rrugën e vet

vallen e popullit

askush

s’do ta mësojë

as t’i marrë erë

për një jetë kalimtare

Kurrë mos humb besë

ndaj Zotit tënd të ri

beso

e po të besoj

në këtë aksiomë

Çdo fjalë që të thuhet

Populli e di

se vetëm fëmijët dhe kafshët

të duan pa hile

për Popullin

është e stërvockël

Ai e ka çelësin

për çdo rebus

vetëm për të s’ka enigma

Eu

Ai

di

se cili mashkull i shtëpisë

është për pazar

e cili jo

Ai e di

mu si Luli i vocërr

3.

ku është hija

e ku gjendet dielli

kush është Mark

kush Januz

e kush Janus

Populli e ka syrin

të thellë

sa një oqean

populli të thotë

se kënga

është vaji i burrit

se kështu e ka jeta

Ai ka

çka s’ka

asnjë kryevepër s’e ka krijuar Dante Aligieri

apo ndonjë tjetër

po Ai

i mjeri

Për çdo gjë që ke ndier

mos beso as ti

po populli

e di

Ai

para se ta capojë

të njëmbëdhjetin hap

dhjetë i ka kaluar

Populli

s’ka epiqendër

të gjitha trojet

e skajet

e tij

ashtu mund të quhen

4.

Populli të mëson

me proverba

ai të thotë:

“I di Meta punët e veta”

Poezi nga Mirko Gashi.

Ersekë, Lëvizja Kombëtare për Lexim afron fëmijët me librin

Erseka ishte destinacioni i radhës i Lëvizjes Kombëtare për Lexim.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro edhe ekipi i kësaj lëvizjeje dhuruan e lexuan libra për nxënësit e shkollës “Papa Kristo Negovani” në qytetin e Ersekës.

E veçanta për Ersekën ishte se takimit iu bashkua edhe personazhi i Gishtos, simboli i Lëvizjes Kombëtare për Lexim. Ai u interpretua nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Kukullave Erion Isai, njëherësh nxënës i shkollës “Papa Kristo Negovani”, Ersekë.

Gishto i LKL-së thërret fëmijët shqiptarë të rriten duke lexuar ”që të kenë mendje të hapur dhe të ruajnë këtë zemër të madhe e bujare edhe kur të rriten”, shkruan ata.

Lëvizja Kombëtare për Lexim nisi nga Kukësi dhe po udhëton në të gjithë Shqipërinë, në një nismë në të cilën janë bashkuar edhe personazhe publikë të jetës në vend si Ardit Gjebrea, Lorik Cana, Valbona Selimllari, Rudina Xhunga, etj.

LKL do të shtrihet gjatë gjithë vitit shkollor 2018-2019. Si e tillë kërkon përfshirjen dhe ndihmesën e të gjithëve: prindër, mësues, personalitete të vendit, medias, institucioneve qendrore dhe vendore. Janë zgjedhur 12 shkolla pilot në të gjithë vendin, shkolla periferike, ku përveç pasurimit të bibliotekave të shkollave, do të synohet trajnimi i mësuesve për të përçuar sa më mirë dëshirën për leximin, hapjen e shkollave për prani të autorëve, përkthyesve, njerëzve të letrave në orë të caktuara letrare, leximin ndoshta edhe me “detyrim” për 15 minuta çdo ditë të premte, aq sa për të ndezur dëshirën për një vijueshmëri të leximit në fundjavë.

Lëvizja synon gjithashtu të bëjë shembull gjyshet dhe prindërit që u lexojnë fëmijëve në shtëpi. Në kopshtet e zgjedhura si model do të zhvillohen lexime të përjavshme nga gjyshërit e fëmijëve.

Hapat konkretë që do të ndërmarrë Ministria e Kulturës kanë të bëjnë me nxitjen e kryebashkiakëve për t’u angazhuar në mbështetjen e bibliotekave publike me një fond të përvitshëm, si dhe të Ministrisë së Arsimit për pasurimin e bibliotekave shkollore. Ministria e Kulturës është në proces edhe për ndërhyrje ligjore për përmirësimin e klimës së librit në tërësi.

 

Shkodra feston me orkestrën frymore

Qyteti i Shkodrës në këto prag festash po sjell një atmosferë ndryshe për qytetarët e saj dhe vizitorët e shumtë që e vizitojnë.

Aktivitete të shumta po zhvillohen këto ditë në Shkodër ku qyteti është veshur me petkun e festave dhe është zbukuruar me motivet tradicionale të festave të Fundvitit , shkruan ata.

Shkodra n’Fest” vazhdon.Orkestra Frymore e bashkisë Shkodër, krijoi atmosferë festive sot pranë shtëpizave të vendosura në qendër të qytetit, në kuadër të aktiviteteve të fundvitit.

Orkestra frymore demostroi në rrugët e qytetit duke krijuar një atmosferë të veçantë për të gjithë qytetarët e Shkodrës. Shkodra feston gjithmonë siç i ka hije me art dhe kulturë.

A ka Kosova vende turistike gjatë sezonit dimëror?

Kosova ofron shumë mundësi dhe ka shumë vende atraktive për turistët të cilët vijën në Kosovë.

Zekë Çeku, kryetar i Asociacionit të Turizmit të Kosovës, tha se është shtuar numri i turistëve që vizitojnë Kosovën.

“Kosova ka shumë pika turistike. Ka ndryshuar shumë turizmi, Peja dhe Prizreni kanë bërë më shumë për turizmin, sa i përket komunave. Duhet të punohet më shumë të kemi edhe promovim të turizmit të Kosovës. Turistët që vijnë për të vizituar janë vendin, janë nga Evropa, nga Turqia, dhe lindja e largët. Turistët vijnë për kohë të shkurtër”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sipas tij edhe turizmi dimëror në Kosovë ofron shumë mundësi. Çeku vlerësoi se të ardhurat nga turizmi do të ishin shumë të mëdha nëse do të kishte zhvillim të mirëfilltë.

“Kosova i ka mundësitë më të mira për turizmin në Evropën Juglindore, kemi shumë male të mira që i përshtaten aktiviteteve të ndryshme”, tha ai.

Turizmi i bardhë, Valbona destinacioni i preferuar

Sezoni i turizmit dimëror ose turizmi i bardhë, tashmë ka nisur dhe  biznesi privat i ka filluar përgatitjet, ka ngrohur ambientet pritëse dhe kërkon ndihmën e pushtetit lokal dhe atij qendror në mirëmbajtjen e rrugëve e shërbimeve energjetike e mjekësore për të qenë në lartësinë e duhur. Flitet për zonat e veriut të vendit ku dhe prania e dëborës është më e madhe dhe më e vizitueshme.

Thethi është vend i bukur për t’u vizituar, por është shumë vështirë për të shkuar atje në dimër, sepse, sipas informacionit që kemi nga Drejtori i AdZM Shkodër Agim Dardha, nga Qafë Thorë deri në Theth, rruga është e vështirë dhe kalohet me mjete të larta. Ndërsa për në Razëm është e mundshme.

Po kështu, vështirësi në periudhën e dimrit paraqesin edhe  Valbona. Besnik Hallaçi, specialist i AdZM Qarku Kukës që mbulon zonën e Tropojës, konfirmon për ATSH se rrugë-kalimi drejt Luginës së Valbonës është i kalueshëm dhe vizitorët e bardhësisë janë të përditshëm por sidomos në fundjavë. Halluçi thotë se më të shumtit vijnë nga Kosova, por pritet që ndërrimi i viteve t’i gjej hotelet dhe bujtinat vendase të mbushura sepse pronotimet po thuajse janë mbyllur.

Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Tashmë dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror.

Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore, peizazheve dhe natyrës së bukur. Në natyrën tonë ka disa vende që preferohen për pushimet dimërore.

Destinacionet më perfekte për të provuar një aventurë të tillë, çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë, mundësitë infrastrukturore që deri diku janë të përballueshme në mënyrë normale, janë edhe Razma e Boga, në veri të vendit mbi Shkodër, por edhe Voskopoja e Dardha në zonën e Korçës.

Edhe Razma ofron mundësi për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, më i frekuentuar është ai i skive në morenat akullnajore, sidomos në fushën e Zezë e në fushën sportive të kampit të Razmës etj.

Po kështu dhe Boga sipër Razmës është një destinacion tepër interesant për turizmin dimëror.

Këtu keni mundësi të akomodoheni në disa shtëpi pritëse mjaft komode, të ushqeheni në restorantet e fshatit, të provoni gatimet tradicionale si, mishin e fërlikut, jardunin e deles, djathin e zier, kaçamakun, patatet në kaki etj.

Biznesi i turizmit të dëborës ka nisur përgatitjet për të pritur vizitorët e shumtë që preferojnë këto lartësi të ashpra malore që nisin me malësinë e Shkodrës e vazhdojnë me ato të Tropojës, Kukësit, Peshkopisë e të jugut të Shqipërisë. Ne sot u njoftuam për lartësitë e veriut me Thethin e Valbonën, por ndërrimi i viteve do të ketë më shumë vizitorë të lartësive të bardha. Dhe të parët kanë mbërritur bashkë  me festën e Krishtlindjes.

Ata janë vendas dhe të huaj që kanë nisur pronotimet hotelerike. atsh / /Kultlus.com

“Ne jemi krijuar për të dashur njerëzit dhe për të përdorur gjërat, por sot ne përdorim njerëzit dhe duam gjërat”

0

Disa nga thëniet më frymëzuese nga Jay Shetty.

“Mos thuaj: “Pse po më ndodh mua kjo gjë?”, por thuaj: “Çfarë po më mëson mua kjo gjë?”. Do të ndryshojë gjithçka”.

“Nëse nuk mëson të rrish vetëm , gjithmonë ke për të pasur frikë nga vetmia”.

“Mos u ndje keq duke i thënë dikujt që s’të meriton: “Nuk të urrej, thjesht jam lodhur duke shpenzuar kohën time me ty”.

“Nëse je i ri dhe ende nuk e ke kuptuar qëllimin e jetës tënde, mos u streso. Çdo gjë do ta kuptosh në kohën e duhur”.

“Mos u frikëso nga fillimet e reja, nga njerëzit e rinj, nga energjitë e reja, nga sfidat e reja. Fillo të eksplorosh forma të ndryshme të lumturisë”.

“Ne jemi krijuar për të dashur njerëzit dhe për të përdorur gjërat, por sot ne përdorim njerëzit dhe duam gjërat”.

“Çdo gjë do të ndodhë për një arsye dhe kur ta kuptosh atë arsye, do të ndihesh falenderues ndaj vetes që nuk hoqe dorë. Bekimet po vijnë drejt teje. Besoje këtë gjë”.

“Miqtë e vërtetë të thotë se kur nuk je duke jetuar me gjithë potencialin tënd. Ata nuk të lënë të ulesh, të jesh mediokër dhe të mendosh se je duke vepruar mirë”.

“Duhet të kuptosh se kush nuk je, për të arritur të kuptosh se kush je në të vërtetë”.

“Nuk të lëndon dashuria, por njerëzit që nuk ditën të të donin. Mos i ngatërro këto dy gjëra”. /KultPlus.com

QKK sjell ekspertët e njohur të filmit në Kosovë

Qendra Kinematografike e Kosovës në partneritet me EAVE po organizon një punëtori katër-ditore (10-13 janar) për zhvillimin e projekteve filmike në Kosovë për producentët dhe skenaristët e 9 projekteve të filmave të metrazheve të gjata me potencial ndërkombëtar të bashkëprodhimit.

Qëllimi i kësaj punëtorie është zhvillimi i skenarëve dhe përmirësimi i aftësive të bashkëprodhimit të pjesëmarrësve, duke siguruar mjetet e nevojshme për të pasur sukses në tregun ndërkombëtar.

Punëtoria udhëhiqet nga ekspertët experti i skenarit Jacques Achoti nga Franca, ekspertja e produksioniot Rashanak Behesht Nedjad nga Gjermania dhe agjenti i shitjes Gabor Greiner nga Gjermania të cilët do të kombinojë përvojën e EAVE në trajnimin dhe krijimin e rrjetit ndërkombëtar me një qasje të krijuar për producentët kosovarë dhe nevojat specifike të secilit projekt.

Punëtoria do të përbëhet nga Ligjeratat nga ekspertët, seancat e punës në grupe dhe takime individuale për pjesëmarrësit-producentë dhe ekipet e tyre krijuese, projektet e pjesemarrese nga Kosova janë ‘lëkura e Krokodillit’ nga Ilirjan Himaj, ‘Dëbora’ nga Arlinda Morina, ‘Heshtja e Sirenave’ nga Gazmend Nela, ‘Hunting Bears’ nga Edon Rizvanolli, ‘The Tiny Walkers’ nga Jeton Kulinxha, ‘Njeriu me Valixhen Vjollce’ nga Edin Alija, ‘Tifozi i Jugosllavisë’ nga Arian Krasniqi, ‘Ikja’ nga Artur Tahiraj dhe ‘Hotel Slavia’ nga Besart Sllamniku.

Ligjeratat do të trajtojë tema si: Realizimi i Skenarit, Roli i Producentit, Shitjet, Shpërndarja dhe Tregu Ndërkombëtar.

Gjatë sesioneve intensive të punës dhe takimeve individuale të ekspertëve dhe pjesëmarrësve të EAVE-s, do të punohet së bashku në shkrimin dhe zhvillimin e skenarit, analiza strukturore / dramaturgji, marrëdhënia producent-skenarist / producent-regjisor, buxhetim dhe menaxhim financiar, ndërgjegjësimin e tregut dhe audiencës, shitjet dhe shpërndarjen duke përfshirë parimet themelore të këtyre praktikave. /KultPlus.com

“Unë do të doja një dhjetor pa llamba e me njerëz që shkëlqejnë në vend të tyre”



Thënie nga Charles Bukowski.

• Kanë fillu krishtlindjet nga fundtetori: llambat ndizen gjithmonë e më shpejt, ndërsa njerëzit shtangin gjithmonë e më shumë. Unë do të doja një dhjetor pa llamba e me njerëz që shkëlqejnë në vend të tyre.

• Nuk e di për të tjerët, por kur unë zgjohem në mëngjes dhe vesh këpucët, mendoj: Zot, po tani çfarë?

• Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë.

• Shumë shpesh njerëzit ankohen se ata nuk kanë bërë asgjë me jetën e tyre; dhe pastaj ata presin që dikush t’ju thotë se kjo nuk është kështu.

• Gjenialitet do të thotë të kesh aftësinë për të thënë një gjë mjaft të thellë në mënyrë të thjeshtë.

• Ne të gjithë do të vdesim, të gjithë ne, çfarë cirku. Kjo duhet të na bënte të gjithë të donim njëri-tjetrin por jo. Ne jemi të terrorizuar nga rivaliteti me njëri-tjetrin.

• Pa letërsi, jeta është një ferr

• Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre.

• Nëse do ta provosh me të vërtetë, shkoi deri në fund. Ndryshe, as nuk e ke filluar fare. Nuk ekziston një ndjenjë më e mirë se sa ajo. Do të jesh vetëm me Zotat. Një luftë e vërtetë

• Ne jemi këtu për t’i jetuar jetët tona aq mirë, sa që vdekja të trembet për të na marrë.

• Problemi me pijen është ky: mendova teksa pija. Nëse një gjë e keqe ndodh, ti pi për të harruar, por nëse diçka e mirë ndodh, atëherë pi për të festuar, dhe nëse nuk ndodh asgjë, ti pi për të bërë diçka të ndodhë. /KultPlus.com

“Nëse mendoni se shkollimi është i shtrenjtë, shikoni se sa do t’u kushtojë injoranca”

RROKULL SHQIPËRISË

Ndërsa prej ditësh vijon të përsërisë kërkesën për dialog me studentët, duke e cilësuar të plotësueshme pikën që lidhet me përgjysmimin e tarifave, Rama provokon me një postim në Instagram.

Kreu i qeverisë ka publikuar një thënie të ish-Presidentit amerikan Barack Obama e cila thotë: “Nëse mendoni se shkollimi është i shtrenjtë, shikoni se sa do t’u kushtojë injoranca”./27.al / KultPlus.com

Dëshirë


Poezi nga Andon Zako Çajupi.

Kush lë mikenë që ka
edhe ndahetë me shokë
për të fituar para,
nuk i ka mëntë në kokë.

Ikëni, more të mjerë,
ikni deti tek t’u nxjerrë,
se për mua dashuria,
ara, vështi dhe shtëpia
më bëjnë të rroj me gas,
se s’dua të lë gjë pas.

S’dua të iki si përpara,
dua të rroj nëpër ara,
mikja pranë të më ketë,
të punoj aratë vetë.

Fatmirosh, mot e nga mot
grur’ e misër të kem plot,
të kem raki, të kem verë
të ëmbëlë si sheqerë.

Të vete me bagëti,
me qe, me dhen e me dhi,
dhe t’i shpie rrëzë malit,
të hanë majën e barit;
dhe kur të pjellë një dhi
do t’i vë kecnë në gji.

Nuk iki nga Shqipëria
si punojn’ ata që s’dinë,
mos e dhëntë perëndia,
të ndahem me dashurinë,
sa të mund të rroj më pak,
po këtu të bëhem plak.

Dhe në vuaj, le të vuaj,
të mos vdes në vënd të huaj!
Të shoh mëmën._ e babanë,
të kem dhe motratë pranë,
dhe kur të vdes, të më qajnë
pas zakoneve që kanë:

Të më marrënë në duar,
të qajnë me lesh lëshuar,
dhe mikia, kur të vijë,
ta qaj’ e të ulërijë.

II

Ku janë vaftet e parë,
stërgjyshët sa mirë qenë
shkonin jetënë pa ndarë
edhe dojnin mëmëdhenë.

S’kish pampor e s’kish gjemi,
nukë vinin të fitonin,
atdhenë s’c lij njeri,
po punonin edhe shkonin.

Kau nukë kishte zgjedhë,
as fre për kalin e fortë,
dhe si s’kish njeri të vjedhë,
shtëpitë qenë pa portë.

Aratë s’kishnë sinuar,
s’kish të pasur e të varfër,
dheu qe i Julëzuar,
kafsh’ e njerz rronin të afër.

Nukë kishte njerz të liq,
se Jufta s’kishte dhe daJë
gjithë bota qenë miq,
qenë vëllezër në baIJë.

Po tani, zot’ i vërtetë,
njeriu ngjan me arinë!
Nukë hiqetë kjo jetë,
se njeriu ha njennë’
sot s’mbretëron dashuria,
nukë kemi dashuri,
s’na mbeti as trimëria,
sot rrojmë në robëri.

III

Sot e tutje në shtëpi
mikia të mbretërojë,
cilido nga miqt’ e mi
për zonjë duhet ta njojë.

Kur të vete nëpër ara,
kur të korr e kur të mbjell,
të kem mikenë përpara,
kur të shij e kur të vjel.

Dhe në stan kur të më shotë,
me qe, me dhën e me dhi
mikia t’i numërojë
se mos m’i vjedhë njeri,
të më zbukurojë stanë,
të bëjë djathë të butë,
t’u hedhë qënet të hanë,
të na ruajn’ nga hajdutë.

Edhe nata kur të vijë
të marr mikpnë në gji…
Dhe hënëza të na ndrijë
dhe të na kenë zili.

IV

0 shokë, ç’u prish dynjaja
si për burra dhe për gra,
tani shitetë sevdaja,
mjer’ ai që s’ka para.

I pasur, të palltë varri,
ti që bleve dashurinë
dhe nuk e le si në pari,
të martë djalli shpirtinë!

Ndëgjoni, more të ri,
ndëgjoni dhe ju të ra:
duani atë që di,
jo atë që ka para.

Duani dhe vjershëtorë
barabar me perëndinë,
se rri me lule në dorë
edhe këndon dashurinë.

Ata që janë lëvduar,
me këngë nga vjershëtori,
janë burra të ndëgjuar
dhe rrojënë sa Tomori.

0 ju të ra e të ri,
u lutem të më këndoni,
që të kini dashuri,
kur të vdes të më kujtoni. /Filozofia.al./KultPlus.com

– Andon Zako Cajupi

Muzeu Kombëtar i Kosovës ndryshon statutin e 1978-tës

Nga sot Muzeu i Kosovës bëhet me Statut, akt ky i cili ia përcakton mandatin dhe rregullon punën e këtij institucioni të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Në një ceremoni solemne, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar statutin e Muzeut te Kosovës.

Me këtë Statut, ndër të tjera përcaktohen dhe rregullohen mandati, veprimtaria, organet drejtuese dhe kompetencat e tyre, statusi juridik, organizimi i brendshëm, burimet e financimit, përzgjedhja, organizimi i punonjësve profesionalë, administrativë dhe teknikë si dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm.

Me nënshkrimin e këtij akti, ky institucion emërtohet Muzeu Kombëtar i Kosovës me shkurtesën MKK. Statuti përcakton organet drejtuese të MKK-së, Këshillin Drejtues dhe drejtorin e MKK-së.

Këshilli Drejtues, i cili përbëhet nga pesë anëtarë dhe me një mandat katër vjeçar, ndër të tjera, i cili harton dhe aprovon politikat afatgjata të institucionit, aprovon programin vjetor të punës së MKK-së, zgjedh dhe shkarkon drejtorin e Muzeut. Ndërkaq, statuti përcakton edhe detyrat e drejtorit të MKK-së, i cili zgjidhet përmes një konkursi publik që shpall MKRS-ja, me një mandat katër vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat. Ai, mes shumë detyrave dhe përgjegjësive, koordinon dhe organizon punën e MKK-së, e propozon te Këshilli Drejtues planin vjetor të punës, merr pjesë në mbledhjet e Këshillit pa të drejtë vote, përfaqëson MKK-në brenda dhe jashtë shtetit.

Me rastin e nënshkrimit të statutit të MKK-së, ministri Gashi tha se nënshkrimi i këtij dokumenti është i rëndësisë së veçantë për të kaluarën e vendit tonë.

“Së bashku po kurorëzojmë një sukses të përbashkët, të arritur falë përkushtimit dhe angazhimit disa mujorë të anëtareve të këshillit Drejtues të Muzeut si dhe stafit profesional të këtij institucioni, pra nënshkrimin e Statutit të Muzeut të Kosovës”, tha ai.

Ministri Gashi foli rreth rëndësisë së statutit të Muzeut dhe për objektivat themelore të tij, duke thënë se pas 40 viteve nga koha kur është miratuar statuti i fundit me 1978 dhe 20 vite pas luftës në Kosovë, Ministria po i ofron dokumentin themelor muzeut, statutin, si akt ligjor kryesor i funksionimit të institucionit me vlerë të jashtëzakonshme në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike.

“Ky statut e mundëson për herë të parë evidentimin, regjistrimin dhe digjitalizimin e fondit muzeor të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, mundëson ngritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimit muzeor një veprimtari me të konsoliduar si në aspektin profesional po ashtu edhe në atë shkencor. Mbi të gjitha ky statut e ngrit si institucion të administratës shtetërore, pra si muze nacional”, sqaroi ministri Gashi.

Ministri Gashi gjithashtu premtoi se vitin e ardhshëm do të avancojë legjislacionin për muzetë në Republikën e Kosovës.

“Vitin e ardhshëm, unë si ministër do ta vendos në agjendë legjislative ligjin për muzetë e Kosovës, e që ky statut e ka bëre që të jetë si dokument udhërrëfyes se sa i nevojshëm është një ligj i tillë për muzetë e Republikës së Kosovës, vend me vlera te veçanta të trashëgimisë historike dhe kulturore”, është shprehur ministri.

Në fund, ministri shprehu falënderim dhe mirënjohjen për grupin punues të këtij dokumenti të rëndësisë të veçantë dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë dhe të pa rezervë për të gjitha institucionet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kuadër të Ministrisë së Kulturës. /KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës përmbyll vitin me program atraktiv e dy koncerte brenda natës

Gili Hoxhaj

Nata e tingujve e zërave,  mbrëmë ka qenë më gjatë në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë, aty ku rëndom mbahen koncertet e Filharmonisë së Kosovës. Koncerti i Vitit të Ri, vitin e kaluar s’patë lënë hapësirë as për të lëvizur brenda sallës, numri i tyre kishte mbushur edhe korridorin e hapësirën lart sallës. Nga kjo largësi, shumë prej tyre vitin e kaluar s’ia dolën as të shohin artistët në skenë. Megjithatë qëndruan aty, për të dëgjuar deri në fund koncertin. Ata që kishin siguruar ulëset, pjesa më e madhe e tyre kishin ardhur një orë më herët.  Për t’iu shmangur një situatë të ngjashme, Filharmonia e Kosovës mbrëmë solli dy herë brenda natës të njëjtin koncert, ndërsa hyrja ishte me bileta falas. Kjo kishte ardhur edhe si pasojë e asaj që numri i të interesuarve për ta ndjekur këtë koncert kishte arritur numrin 2 mijë, interesim të cilit Filharmonia s’mund t’i përgjigjej as me dy koncerte, andaj ka ndërmarr dhe një hap tjetër, që koncerti i orës 20:00 të transmetohet live në RTK.

Tërë orkestra e Filharmonisë zuri ulëset si zakonisht. Shumë pak pas këtij momenti, ata ngrihen për ta pritur dirigjentin mes duartrokitjeve të publikut. Noorman Widjaja nuk është më i panjohur për publikun. Ai që në lëvizjen e parë mbërthen fort krahët drejt orkestrës. Shkopi ishte diçka që natyrshëm lëvizte në duart e tij. Shpesh ai e drejtonte atë në një anë e shikonte në sy instrumentistët. Ai dëshmonte që ka një komunikim përtej dirigjimit. Kur instrumentistët mbaronin lojën, e duart e tij ndalonin dirigjimin, duartrokitjet përplaseshin fort. Widjaja nuk kthehej për t’i marr duartrokitjet derisa sigurohej që tërë orkestra të ngrihej në këmbë, e pastaj ua dedikonte atyre. Kështu ndodhi edhe me solistët që u ngjitën në skenë. Përshëndetej nga afër me secilin, pas veprës. Me një butësi e ngritje dore, kërkonte mendimin e inkurajimin e publikut për ta.

Sopranoja Lorika Ismajli ishte ajo që e para u ngjit në skenë, e mori plot duartrokitje derisa u largua, për të marr edhe më shumë të tilla në interpretimin e saj. Ngjashëm publiku e priti edhe interpretimin e Adelina Palojas, Kaltrina Miftarit e Granit Musliut. Në këtë mbrëmje u prezantua edhe  ansambli vokal Dardanicum Cantori, i përbërë nga Diellza Sylejmani- Veseli, Safet Berisha, Kaltrina Miftari dhe Shaban Behramaj. Orkestra e solistët mbrëmë sollën arie të operave të njohura operistike dhe vepra simfonike nga kompozitorët si Cilea, Loewe, Bizet, Donizetti, Puccini, Rossini, Verdi e Mozarti.

Dirigjenti  Noorman Widjaja tha se gjatë kohës së provave është përpjekur që sa më shumë të punoj në përmbajtje pasi që ajo e vendos tempin dhe nëse e di përmbajtjen atëherë e di edhe tempin me saktësi, e në këtë mënyrë ata mund ta shijojnë më shumë nëse e kuptojnë atë që po luajnë.

“Puna ime është që t’i shpjegoj atyre se çfarë ndodh në atë simfoni, intermezzo apo në arie. Kur bëjmë operë dikush këndon, ka tekst dhe ne duhet që t’i shoqërojmë me tingull. Kjo është një punë shumë e vështirë. Nëse nuk e kuptojnë operën, nuk është e lehtë. Ne punojmë pjesë pas pjese, jo me një arie në tërësi. Kështu unë u shpjegoj shumë për këtë pjesë. Këtë javë ata krijuan diçka të papritur, një shpërthim sepse kanë filluar të kuptojnë përmbajtjen”, tregoi dirigjenti Widjaja. Ai tutje thotë se ndjesia e muzikës, ngjyrat janë magjike. Por një gjë e tillë nuk mund të arrihet menjëherë. Ai tha se të gjithë kanë shumë potencial për t’u ngjitur në skenë, ndërsa veçon tenorin Granit Musliun, për të cilin thotë se ka një të ardhme premtuese që mund ta arrijë vetëm jashtë Kosovës.

“Me ta duhet të kesh durim, përndryshe nuk mund të arrish asgjë këtu. Por sonte e shijova shumë sepse pash diçka që doli mirë. Të gjithë solistët ishin shumë të mirë, profesionistë, e disa prej tyre ndoshta nuk kanë kënduar operë asnjëherë. Ai duhet të shkoj në ndonjë shtëpi operistike, sepse këtu nuk ka. Ai është i ri dhe ndoshta do të gjej mundësi të studioj jashtë dhe një ditë të bëhet shumë i mirë. E për këtë jam i sigurt sepse është shumë i talentuar”, u shpreh Widjaja.

Nga Shqipëria, mbrëmë kishte ardhur edhe baritoni Armando Likaj i cili për publikun solli dy arie të njohura. Duartrokitjet e kthyen për tri herë në skenë. Mimika e tij në raport me veprën bëri që ai ta fus edhe publikun në lojën e saj. Likaj tha për KultPlus se ky nuk është bashkëpunimi i tij i parë me Filharmoninë e Kosovës, me të cilën ka interpretuar para diku tre vitesh, ndërsa tha se gjithnjë me kënaqësinë më të madhe vjen këtu. Për emocionet që mori mbrëmë, tha se ndikon edhe përvoja e tij skenike që të ndihet më afër publikut.

“Sonte interpretova dy vepra që njihen kudo në botë dhe dy vepra shumë të rëndësishme të baritonit, të vokalit që unë përfaqësoj. Po ashtu e bukura tjetër që varet edhe nga eksperienca, padyshim edhe këngëtarët e tjerë që janë te pranishëm në këtë gala janë tej mase të talentuar, por mua më bën më afër me publikun vet fakti që kam një eksperiencë skenike, pjesët që i këndojë këtu jam role që unë i kam luajtur në skenë, unë i afrohem shumë afër publikut, i jap maksimumin tim që të jem sa më i kuptueshëm, gjë që reflekton edhe në emocionet e tyre”, u shpreh baritoni Likaj.

Filharmonia e Kosovës me 20 koncerte, 99% e tyre premierë

Nga tani, ata që duan t’i ndjekin koncertet e Filharmonisë së Kosovës duhet të pajisen me biletë në objektet e këtij institucioni. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës tregoi për KultPlus se duke parë interesimin e madh të publikut, menaxhmenti i Filharmonisë së Kosovës kishte bërë tentativa që të gjente një hapësirë tjetër, apo ta zhvendosnin koncertin në dy ditë. Meqë kjo kishte qenë e pamundur, por në konsultim më dirigjentin, ata morën prej tij një ide që praktikohet kudo në botë.

 “Vet dirigjenti, duke e parë këtë hall tonin një javë para koncertit, tha se ka zgjidhje tjera që praktikohen në botë, dhe kjo ishte në të njëjtën ditë të bëhen dy koncerte. Bile kjo neve nuk na ka mjaftuar me gjithë atë numër të madh prej 2 mijë vetash që kërkonin patjetër të merrnin pjesë në këtë koncert dhe unë kam biseduar me RTK-në që është edhe sponsori ynë medial të cilët e kanë shqyrtuar mundësinë e transmetimit të drejtpërdrejtë të koncertit. Me këtë mundësi atëherë ne disi menduam se do të rrumbullakohet nevoja e të gjithë të interesuarve për këtë koncert festiv, që është pak më i veçantë se koncertet tjera të Filarmonisë”, tregoi drejtori Jashari, ndërsa shton se qëllimi ka qenë  vetëm të ketë rregull dhe vërtetë ai që vjen deri te bileta të jetë i siguruar me ulëse. Pas koncertit të parë, tha se ndihet shumë i kënaqur edhe për faktin se po sheh një publik tjetër nga ai që janë mësuar ta shohin zakonisht.

“Sonte ishte një publik që na ka lënë shumë përshtypje, tërë kohës me një motivim  të jashtëzakonshëm me pritjen që i bënë secilit performues vokal. Ky është një moment jo i lehtë për solistët vokal dhe besoj që vërtetë ishte një koncert shumë i suksesshëm i Filarmonisë”, shtoi tutje Jashari.

Jashari tha se gjatë vitit kanë sjellë rreth 20 koncerte, me komplet 20 programe të ndryshme, krahas kësaj gjatë vitit kanë sjell shumë solistë e dirigjentë të ndryshëm nga bota. Përveç dirigjentëve që janë prezantuar për herë të parë dhe dirigjentët e njëjtë që i ftojnë për shkak të ndikimit pozitiv që bëjnë në orkestër.

“Mos të them 99 për qind e programeve kanë qenë premierë që kjo na dallon prej institucioneve tjera që kanë repriza. Ne për herë të parë po bëjmë reprizë sonte”, tregoi Jashari. Ai tutje veçoi turneun koncertal të Korit të Filarmonisë në Britani të Madhe, me tri koncerte të realizuara atje ku janë ndjerë shumë krenarë që publiku britanik dhe posaçërisht kritika profesionale ka qenë e habitur.

Ai tutje tha se synimet e tyre janë në rritje e sipër por që varet nga mbështetja financiare e Ministrisë së Kulturës. Ai tha se do të përpiqen që t’i afrohen rajonit sa i përket kuantitetit, ndërsa vitin 2019 e cilëson si përgatitje për 20 vjetorin e Filharmonisë së Kosovës, në të cilin paralajmërojnë të sjellin emra të mëdhenj të muzikës tonë që kanë karrierë botërore.

“Po të ishte bërë salla do të ishte mrekullia jonë më e madhe që 20-vjetorin ta shënojmë në një sallë që e meritojmë të gjithë”, tha krejt në fund Jashari./ KultPlus.com

Një letër dashurie e Lasgushit për vajzën me emrin Shqipe

Zonjushës Shqipe,
Lasgush Poradeci,
Rruga “Ismail Qemali” nr. 26,
Tiranë, më 12 të marsit 1940.

Shqipe e ëmbla ime fort, U mendova kësaj here se më s’ duhet të të shkruaj, thashë le të le të qetë pak së paku për një javë. Thashë të të le unë ty, po mua vetë – nuk më le mua zemra për ty, s’më le të mos të të shkruaj pra për mua, jo për ty. Ç’të të them?

Ja! Atë që kam dashur kaq herë, që s’kam mundur, që s’kam gjetur rast të ta them asnjëherë! Është e madhe shumë, e lartë mbesoj dhe e rëndë shumë, e rëndë për t’u thënë shumë për mua ajo që dua të të them. Ajo quhet “si” të dua. “Si” të dua unë ty Shqipe, shpirti dhe jeta dhe e vërteta ime?

Shqipkë ëngjëlli im, ëmbëlsia e kësaj jetës s’ime. “Si” të dua? Të dua me gëzim e dhembje, me shpresë dhe frikë.

Me gëzim dhe shpresë dhe shpirtin e mbushur se je dhe do të jesh, sepse do të mbetesh, sepse ke karakterin, fuqinë e karakterit, granitin e karakterit që të mbetesh, – po në gjithë atë kohë të dua dhe me dhembje dhe me frikë e me zemrën e zbrasur fund – e – krejt, të bërë pa brendësirë të brendshme, pa thelb dhe qëndër pa pikë mbështjetje, pa një themel qëndror ku të mbështetem, prej të cilit të mbahem, të qëndroj, të jem i sigurt, i siguruar si një – e – një – bëjnë dy për ty, për dashurinë t’ënde të tanishme, që të jetë dhe e pastajmja e imja, të mos jetë (ah) e tjetërkujt. Si të jetë e tjetërkujt? Atëherë ç’bëhem unë? Përse rrojta duke punuar dhe punova dhe shpresova dhe gjeta – e gjeta vashën t’ime të ëndëruar shqiptare?

Përse e gjeta? Që t’a humbas? Që të humb dhe më dhe të tretet lumturija ime që kam me Shqipen t’ime? Të shkatërrohet përgjithnjë gjithësija e idealeve të mija të kësaj jete të shtrenjtë për lumturinë që m’u fal me dashurinë e pëllumbeshës s’ime së bardhë shqiptare, po të llaftarosur për mjerimin që më duket sikur e shoh se mund të më vijë” njëherë”, sikur e shoh nga frika mbase që të dua kaq shumë, kaq shumë, kaq shumë?

(Oh zot, mos arthtë kurrë, ay do mos vijë, nuk vjen, s’është e mundur, jo, të vijë ndonjë herë-e le më të vijë ay ashtu pa lejen t’ime?! )

T’i thashë këto Shqipkë dhe më ndje që t’i thashë po ashtu jam unë, unë Lasgushi yt, t’i them sepse nuk dua të jetë siç më ze frika nga ndonjëherë, kur t’i them më duket sikur “do mos jetë” sikur u sigurova kundër mjerimit, sikur e fitova lumturinë për vete. Me drithmë të puth e të shtrëngon e copton fare nga dashurija Lasgushi yt. /Telegrafi / KultPlus.com

“Rikthehet” në vendlindje Trifon Xhagjika, shkrimtari disident bashkon emrat e penës

Poeti disident Trifon Xhagjika u rikthye sot në vendlindjen e tij në Peshtan, në një ceremoni madhështore, ku morën pjesë miq të afërm të familjes, shkrimtarë dhe gazetarë nga gjithë Shqipëria.

Nën organizmin e klubit të poezisë “Illz”, dhe të afërmeve të tij, u përurua në truallin e shtëpisë së tij në Peshtan Memoriali i punuar nga skulptori i talentuar Bernard Lekgegaj.

Kryetari i këtij klubi, publicisti Rexhep Shahu theksoi rëndësinë që ka ngulitja në memorien historike të njerëzve që kanë dhënë jetën për lirinë e fjalës si pjesë e ndërgjegjes sonë shoqërore. Dhe mes tyre Trifon Xhagjika shkëlqen në disidencën e tij.

Shkrimtari dhe studiuesi Sadik Bejko theksoi në fjalën e tij se Trifoni ishte produkti i pare i disidencës letrare shqiptare, pas luftës së dytë botërore, pasi ishte ai ishte një disident i formuar brenda komunizmit. Ai është po ashtu poeti i parë i pushkatuar për arsye letrare në Shqipëri.

Poeti Petrit Ruka theksoi në fjalën e tij vlerat e vërteta artistike të poezive të Trifonit, fuqinë e vargjeve të tij, dhe kërkoi ndjesë në emër të gjithë poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë për këtë nderim të vonuar ndaj tij.

Më pas Lek Tasi një bashkohës dhe mik i afërt i Trifonit mbajti një fjalim fondamental mbi vlerat që ka disidenca e Trifonit për shoqërinë shqiptare.

Rëndësia e të folurit hapur, fuqia e fjalës së lirë dhe përpjekja për të qenë në anën e më të dobëtit, edhe të pambrojturve, janë një mesazh i madh për çdo brez dhe kohë,- tha ai.

Më pas Guri Baze, një shok fëmijërie i Trifonit solli kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë së tij me Trifonin duke theksuar se ai mbetet një gur i rënd në truallin e tij dhe se ky memorial do të kthehet në pelegrinazh për çdo qytetarë që do lirinë

Ne fund Llukan Stravro recitoi një poezi kushtuar Trifonit.

Pas një kokteji nga familjarët e Trifonit, aktiviteti vazhdoi me një debat mbi vlerat e krijimtarisë së tij organizuar nga klubi i poezisë “Illz”. /JavaNews /KultPlus.com

Një artizan gjerman krijon një kitarë prej floriri dhe kristalesh për Lady Gaga

Një prodhues instrumentesh muzikore nga një fshat i vogël në jug të Gjermanisë ka prodhuar një kitarë të lyer me flori dhe të zbukuruar me kristale për Lady Gaga.

“Kjo kitare, që vjen nga seria e limituar ‘Sandokan’, ka vlerën e rreth 48 000 eurove”, tha prodhuesi i instrumenteve, Jens Ritter.

Kompania e tij “Ritter Instruments” prodhon 72 kitare çdo vit në punishten që ndodhet në një ish-magazinë vere në Deidesheim në shtetin Rhineland-Palatinate.

Artizani 46-vjeçar ka punuar kitare edhe për yje të tjera si Prince dhe George Benson si dhe për muzikantë që kanë performuar me Madonna dhe Christina Aguilera.

Ritter tha se ai dhe ekipi i tij punoi për 18 muaj për kitarën e Lady Gaga me 11 000 kristale “Svarovski”.

Këngëtarja amerikane pritet që ta përdorë këtë kitare gjatë mbrëmjes së Vitit të Ri në Las Vegas. /G.S/ KultPlus.com

Stanaj pozon në krah të Jennifer Lopezit: Mbrëmja e kaluar ishte film

Ai është një tjetër artist shqiptar që karrierën e tij po e zhvillon në rrafshin ndërkombëtar.

Bëhet fjalë për Albert Stanajn, i cili më mirë njihet vetëm si Stanaj, që vepron dhe jetën në SHBA.

Ky i fundit ka pasur raste të takohet me shumë yje botërore të muzikës, madje, ka kënduar vetëm për qejfin e tyre.

Së fundi, këngëtari ka pasur rastin ta takojë këngëtaren amerikano-latine, Jennifer Lopez, të cilën duket se e ka edhe mikeshë të mirë.

Kështu së paku ka bërë të ditur artisti përmes llogarisë personale në Instagram teksa shihet në krah të së dashurës së Alex Rodriguezit.

 “Është gjithmonë kënaqësi e zhurmshme me JLO për Krishtlindje”, shkroi duke shtuar se “Mbrëmja e kaluar ishte film”.

Ndryshe, Stanaj kujtojmë se gjatë verës ka performuar në Kosovë, në kuadër të “Sunny Hill Festival”. /Telegrafi/KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BrvtAnbnFFh/

Prej sot, çdo natë muzikë në sheshin “Zahir Pajaziti”

Komuna e Prishtinës do të organizojë një sërë aktivitetesh kulturore me rastin e tregut të fundvitit, gjatë të cilave çdo mbrëmje do të ketë muzikë në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur agjendën e aktiviteteve që do të mbahen nga data 24 deri më 30 dhjetor.

Agjenda e plotë:

Tregu i Fundvitit Sheshi “Zahir Pajaziti”

E hëne, 24 Dhjetor 20:00h Gesundheit

E martë, 25 Dhjetor 20:00h JAzzKOVA

E mërkurë, 26 Dhjetor 20:00h Art Lokaj & Labinot Avdiu

E enjte, 27 Dhjetor 20:00h Flaka Krelani & Band

E premte, 28 Dhjetor 20:00h Gent Malazogu & Albin Kllokoqi Unplugged Christmas Songs

E shtunë, 29 Dhjetor 20:00h Prishtina Brass

E diele, 30 Dhjetor 20:00h Nesim Maxhuni Homecoming. / KultPlus.com

Guns N’ Roses rikthehen me album pas 10 vjetësh

Një albumi i ri nga grupi i famshëm Guns N’ Roses mund të vijë së shpejti.

Në një intervistë për KSHE, kitaristi Richard Fortus konfirmoi se po punohet për nxjerrjen e albumit të parë pas 10 vitesh.

“Ne po përpiqemi të bëjmë album të ri dhe do ta nxjerrim së shpejti”, tha ai. “Mendoj se do të ndodh më shpejt se sa mendoni”, shkruan “oranews”.

Kur u pyet nëse do publikojnë një këngë të re në vitin 2019, Fortus shtoi: “Kjo patjetër që do ndodhë”.

Grupi i madh i rokut i viteve ‘80 do zhvillojë koncertin e ardhshëm në Singapore. /KultPlus.com

Kraja: Të gjithë ata që sot u shfaqën si themelues të LDK-së, nuk janë të tillë

Lidhja Demokratike e Kosovës, shkurt LDK, si parti politike shikuar nga jashtë dhe si lidhje shqiptare brenda Kosovës u formua më 23 dhjetor të vitit 1989 në Prishtinë nga një grup intelektualësh.

Ibrahim Rugova ka qenë kryetar i partisë që prej themelimit dhe deri në janar 2006, kur Rugova u nda nga jeta. LDK, u formua si bashkim i intelektualëve dhe popullit të Kosovës, në kohën e shpërbërjes së Lidhjes Komuniste të Kosovës. LDK u angazhua për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe të lirë. LDK-ja prej fillimit e deri më 2007 ishte forca kryesore politike në Kosovë, shkruan KultPlus.

Ndërsa, sot bëhen 29 vjet nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo ditë  është shënuar me homazhe të varri i Ibrahim Rugoves dhe më pastaj me një ceremoni solemne, ku ka folur i pari i kësaj partie, Isa Mustafa. Mirëpo, veç tij nuk kanë munguar edhe reagimet e atyre që kanë qenë pjesë e kësaj partie qysh herët.

Krejt në fund të ditës shkrimtari Mehmet Kraja, ka ndarë një fjali për ata që sot u shfaqën si themelues të LDK-së.

“Të gjithë ata që sot u shfaqën si themelues të LDK-së, nuk janë të tillë”, ka shkruar Kraja në Facebook./ KultPlus.com

Më duaj, lutja e mrekullueshme indiane për dashurinë

Më duaj, por mos m’i prit krahët nëse dua të fluturoj,

mos më mbyll në kafaz nga frika se mos më humb.

Më duaj duke qenë i sigurt në dashurinë tënde dhe unë nuk do të iki

dhe nëse do të jem larg, diku, në qiell, do ta gjej rrugën drejt mendimeve të tua.

Nëse do të jesh me mua, unë do të të mësoj të fluturosh,

ndërsa ti do të më mësosh të qëndroj.

Më duaj me çdo qelizë tënden, sepse unë i përkas shpirtit, jo trupit.

Më duaj pa e fshehur butësinë që në sytë e mi të bën të dukesh si fëmijë dhe mos ki turp nëse të them se të dua.

Më duaj, edhe nëse pasioni im të duket i egër.
Më duaj për atë që jam dhe unë do të të ndjek hapat dhe do ta mbroj brishtësinë tënde përballë botës mbarë.

Më duaj dhe do të shoqëroj pa fjalë çdo veprim tëndin.

Më duaj pa u zgjatur te pamja ime aspak e bukur, te ngjyra e syve.

Më duaj për atë që sheh me sytë mbyllur, për atë që dëgjon në heshtje, sepse heshtja flet.
Më duaj sepse unë jetoj në dashurinë tonë.

Më duaj çdo ditë si të ishte unike, por jo e fundit… vetëm kështu do të mund ta njohësh bukurinë time.

Përktheu: Elona Qose