“Po s’ja shnoshe kryet online, i ngelë hatri dhe është marre”

Nga Elson Berisha

Në rrjetet sociale tashmë është bërë modë të shfaqesh në zi, nëse ka ndërruar jetë një familjar, një mik apo ndonjë fatkeqësi globale apo lokale.

Më qindra komente, pëlqime dhe shpërndarje. Të ngushëllojnë, përmes një komenti, madje dikush e dikush shkruan ndonjë poezi të bukur apo thënie. Po ka edhe aso qenie njerëzore që janë në gara me njeri-tjetrin se kush po ja kalon me komente ma të bukura, ma domethënëse, ma ngushëlluese apo të duket sa më intelektual para të tjerëve komentues. Tashmë është bërë kjo një „kulturë virtuale“, po s’ja shëndoshe kryet online, i ngelë hatri dhe është marre.

Qenia njerëzore është sociale, këtë e kemi ne thellë në gjenet tona. Dhe ne mundohemi me ndje dhembjen e një miku ndërmjet rrjeteve sociale për ta mbështetur. Po më lejoni t‘a theksoj, po nëse do isha aq i mërzitur për personin që ka ndërruar jetë, ku gjejë unë kohë për të postuar në rrjete sociale?! Apo prej mërzis së madhe t‘ia kthej të gjitha ato komente secilit prej atyre që më kanë ngushëllu. Madje është edhe një fenomen shumë kontroversë, në mëngjes e postojnë fotografinë e të ndjerit, në mbrëmje postojnë tjetër fotografi duke darkur me miq.

Të tjerët e ndërrojnë fotografinë e tyre në profil, duke postuar një fotografi të zezë, nuk ju mjafton që të postojnë një fotografi të të ndjerit dhe të marrin komente dhe pëlqime po duhet patjetër me tregu dhembjen edhe përmes asaj fotografie të zezë. Tashmë është bërë obligative ta bëjmë këtë gjë. Po se bëre nuk je tu mërzit. Po si mund ta dini se si e ndjen një njeri vetën brenda, a është i mërzitur apo jo, a vetëm që nuk e ndan dhembjen e tij në rrjete sociale për ju ai nuk është mërzitur? A nuk është mënyra më e mirë dhe private, të heqësh mërzinë në heshtje dhe në mënyrë adekuate si është tradita. Janë edhe ata tjerët që pas një jave, një muaji ose pas 40 dite patjetër e marrin obligim të postojnë sa i mungon i dashuri i ndjerë.

Nuk dua t’i stigmatizoj të gjithë ata që e bëjnë këtë, është dhembje nëse një person i dashur humb jetën, sidomos një i ri apo fëmijë po kjo nuk është arsyeja t’i bëni këto veprime jo “aq” të qëlluara.

Në rrjetet sociale shndërrohet i ndjeri në një patriot dhe atdhetar të madh dhe sa gjëra të mëdha ka bërë për vendin e vet. Lexon çdo lloj gjëra për të vdekurin, sa e pyet vetën, po aq budalla paskam qenë deri më tani që se kam ditë se çfarë njeriu i madh dhe i mençur paska qenë ky i ndjeri.

Njëkohësisht shkruajnë edhe ata që janë mërzitur aq shumë për të ndjerin, se nëse e kanë parë në rrugë sa ka qenë mes nesh, si kanë fol me të, sa e kanë respektu ose tregojnë që me vite nuk kanë hyre mes vete në shtëpi, po patjetër duhet me shkru diçka rreth kësaj çështje në rrjetet sociale. A nuk janë këta lot të krokodilit?

Përfundimisht, çdo njeri e ka të drejtën ta shpreh dhembjen e tij në mënyrën e vet, por nuk e ka të drejtën ta shndërrojë vdekjen e një personi, në një makineri pëlqimesh, komenteve dhe shpërndarje, për ta ngritur egon e vet “virtual” dhe të mburret se sa shumë reagime ka pas në fb, nën hijen e të shkuarit në amshim.

Megjithatë, mediat sociale kanë një gjë të mirë që shërbejnë si platformë informative dhe duhet të qëndrojë në atë mënyrë vetëm për informacion.

Lëreni të vdekurit të gjejnë paqen e tyre të vërtetë! /KultPlus.com




Sa shtrenjtë kushton argëtimi në Shqipëri!

Nuk është aspak habi që Tirana është qarku me “qejfli” në Shqipëri. Pjesa më e madhe e të ardhurave janë përqendruar në kryeqytet dhe dihet që “qejfi” blihet me para.

Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjeve 2017, Tirana kishte përqindjen më të lartë të shpenzimeve për argëtim dhe kulturë ndaj totalit të shpenzimeve rreth 4.1%, apo rreth 1 pikë më shumë se mesatarja kombëtare.

Pas Tiranës, për sa i përket shpenzimeve për argëtim dhe kulturë mbi mesataren kombëtarë, renditet Korça, ku nga të dhënat e ABF kanë shpenzuar në 2017-n rreth 3.3% të totalit të shpenzimeve për t’u argëtuar. Korçarët gjithashtu renditeshin të parët për sa i përket peshës së shpenzimeve për veshje dhe këpucë.

Berati është qarku i tretë me përqindjen më të lartë të shpenzimeve për argëtim, me 3% të totalit.

Qarqet e tjera kanë një përqindje më të ulët se mesatarja kombëtare. Durrësi, i cili edhe pse ka një ekonomi të zhvilluar dhe është vend bregdetar, ka një peshë të shpenzimeve për argëtim rreth 2.9%.

Fieri, Lezha, Shkodra, Elbasani dhe Vlora kanë një mesatare shpenzimi që varjon nga 2 në 2.4%

Qarqet me shpenzimet më të ulëta Kukësi me 1.9%, Gjirokastra me 1.7% dhe Dibra me vetëm 1% të totalit të shpenzime.

Por sa i shtrenjtë është argëtimi në Shqipëri??

Të argëtohesh në Shqipëri kushton shumë më shtrenjtë se në vendet e tjera të rajonit.

Sipas portalit Expatistan, argëtimi në Serbi kushton rreth 24% më shtrenjtë se në Shqipëri, dhe rreth 9% më lirë në Malin e Zi. Ndërsa krahasuar me Kosovën, argëtimi është rreth 41% më lirë se në Shqipëri.

Expatistan bën krahasimin e kostove të jetesës midis vendeve të ndryshme të botës duke i ndarë në disa kategori kryesore, si kostot e ushqimit, banesës veshjeve, transportit, përkujdesjes personale dhe argëtimit.

Në kategorinë e argëtimit merrin disa nën kategori në shqyrtim, si kostoja për të ngrenë në një restorant, bileta për në kinema, bileta për në teatër,  çmimi për një koktej, çmimi për një kapuciono, çmimi i një abonimi mujor në palestër dhe një paketë cigare.

“Zgjidh përherë dijen”, historia e trishtë e Isak Njutonit dhe mesazhi që marrim prej jetës së tij

 

Isak Njuton mezi i mbijetoi ditës së parë të jetës së tij. I lindur përpara kohe, Isak Njuton ishte tepër i dobët dhe i vogël. Ndërkohë, i ati i tij kishte ndërruar jetë disa ditë përpara se ai të vinte në jetë.

Kur Isak Njutoni ishte tre vjeç, e ëma e tij u martua me një burrë, i cili nuk donte t’ia dinte për të. Gjërat në familje u acaruan aq shumë, saqë e ëma e la Isakun në duart e gjyshes së tij, në mënyrë që ajo ta rriste, sepse përndryshe në familjen e tyre do të kishte përherë debate. Isaku u ndje i braktisur dhe i refuzuar nga familja e tij përgjatë gjithë jetës. Ai nisi ta urrente aq shumë njerkun, saqë u përpoq edhe t’i vinte flakën shtëpisë së tij…

Rehatia e vetme e tij ishin librat mbi mekanikën dhe teknologjinë. Kalonte orë të tëra duke lexuar mbi to dhe kurrë nuk mërzitej. Edhe pse e ëma i thoshte të bëhej fermer, ai gjithsesi nuk e pëlqente atë zanat. “Duhet të jesh ti që i vendos rregullat, jo të jesh ti që t’i ndjekësh ato”, mendonte Isak Njuton.

Ai ia doli mjaft mirë me shkollën, aq sa fitoi mundësinë të studionte në Kembrixh. Mirëpo kjo do të thoshte për të edhe një përpjekje më shumë për t’ia dalë mbanë me shpenzimet. Bëri punë nga më të ndryshmet, edhe nga ato të konsideruara si “jo tepër burrërore”, si larja e rrobave të të tjerëve, vetëm e vetëm që të përballonte studimet e tij.

Për fatin e tij të mirë, mësuesi i matematikës u bë si një baba për të dhe e ndihmoi jashtëzakonisht shumë me studimet. Mirëpo menjëherë pasi mbylli studimet, ai u izolua si pasojë e një virusi vdekjeprurës, të njohur si Vdekja e Zezë, që kishte marrë jetën e miliona njerëzve në Europë. Këto vite ai i kaloi duke studiuar matematikë dhe fizikë dhe ishte pikërisht kjo periudhë, në të cilën ai formuloi teoritë më të mëdha. Duke qenë një natyrë e qetë dhe e rezervuar, shumë nga teoritë ai i mbajti për vete.

Duke punuar në laborator, Isak Njuton arriti të zbulonte se në fakt, ngjyra e bardhë ishte e përbërë nga një spektër i tërë ngjyrash. Teoritë e tij mbi dritën dhe ngjyrat e nxitën të ndërtonte teleskopin e parë në atë kohë, i cili i siguroi edhe famën e merituar. Por sërish puna e tij vazhdonte të ishte e kritikuar, gjë që e shtyu sërish në izolim.

I gjendur sërish në të njëjtën situatë, ai studioi gravitetin dhe alkiminë në vitet në vazhdim. Duke iu trembur kritikave, ai ishte i frikësuar t’i publikonte përfundimet e tij. Pas dy vitesh pune të lodhshme, ai publikoi librin e tij të parë “Principia” në vitin 1687. Edhe në ditët e sotme, ky libër konsiderohet si më i miri ndër librat e fizikës. Isak Njuton ishte një nga figurat më të rëndësishme të Revolucionit Shkencor. Shpikjet e tij hodhën bazat e një sërë arritjeve të mëvonshme, si eksplorimi i hapësirës edhe në ditët e sotme.

Historia e Isak Njuton është prova se një natyrë kurioze e shtyrë dhe nga një pasion i madh, janë dy cilësitë që e përkufizojnë një gjeni. “Nëse kam arritur të zbuloj diçka me vlerë, ajo ka qenë ta kalis më shumë vëmendjen e vullnetin tim, më tepër se çdo talent që mund të kisha”, ka thënë ai. / MeB /KultPlus.com

Herolinda Avdili – Rexhepi, zë i fuqishëm në politikën zvicerane

Herolinda Avdili – Rexhepi do të jetë zë i fuqishëm në politikën zvicerane. Kjo e re me prejardhje nga komuna e Gjilanit është deleguar nga njëra ndër partitë më të mëdha në Zvicër, Partia Socialdemokrate e Zvicrës (Sozialdemokratische Partei der Schweiz).

E lindur dhe e rritur në Zvicër, Herolinda Avdili – Rexhepi, ka mbaruar Shkollën e Lartë të Pedagogjisë për persona me aftësi të kufizuara dhe sëmundje psikike në Bazel të Zvicrës. Në rini të saj hobi e kishte sportin e boksit, kurse ishte dhe mbetet lexuese e pasionuar.

Falë intelektit të saj ajo u inkuadrua në politikë në vitin 2013 dhe fillimisht aderoi në Partinë e të Rinjve të CVP të Soloturnit. Më pas, në vitin 2015 ajo ka kandiduar për deputet në Parlamentin Zviceran.

Që nga viti 2016, Herolinda Avdili – Rexhepi është anëtare e SP-së, ku edhe u zgjodh delegate e Partisë.

“Tashti, si delegate jam e obliguar që të shkojë në takime dhe mbledhje të ndryshme. Takimi i delegatëve është organi suprem i partisë midis dy kongreseve të partisë. Vendimet e saj janë gjithashtu të detyrueshme për partitë kantonale, partitë e qarkut dhe seksionet. Takimi i delegatëve zhvillohet të paktën tri herë në vit ose para datave të votimit federal në pjesë të ndryshme të vendit”, ka theksuar Herolinda, që shprehet e gëzuar që e ka mundësinë të bëjë një përvojë si delegate e një partie politike që ka shumë votues në çdo zgjedhje ose votim në Zvicër.

Duke folur për rolin e gruas në politikë, ajo thekson se gratë janë pakicë në politikë në Zvicër. Mesatarisht, rreth një e katërta e parlamentareve janë femra.

“Ka shumë nevojë për veprim për mua, që femra të ngre zërin në politikë dhe në fusha tjera. Për mua, ajo ka të bëjë me kuptimin e roleve të grave dhe mangësive strukturore në Zvicër”, ka theksuar Herolinda Avdili – Rexhepi. /KultPlus.com

VIP-at shqiptarë sfidojnë njëri tjetrin, publikojnë foto të kuletës

Loja e nisur nga Rozana Radi “ka njeri si puna ime që ka harxhuar të gjithë rrogën para se të ulen çmimet te Zara?”, përfshiu edhe personazhet e njohur që u bënë pjesë e sfidës “Sa lekë ke në portofol?”, e nisur fillimisht nga Eraldo Rexho, pastaj nga Rozana Radi e për të vijuar me të tjerë personazhe të njohur.

Kështu, pas Rozanës dhe shumë ndjekësve të saj që fotografuan kuletat për t’ia nisur këngëtares, treguan sa lekë kanë në kuletë edhe Ervin Kurti, Eneda Tarifa dhe Anxhela Peristeri.

Ata kanë nominuar të tjerë personazhe, duke i bërë pjesë të sfidës.

Polici Izet Demaj shpallet Hero i Kosovës


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke u bazuar në Ligjin për Dhënien e Dekoratave, për policin e rënë heroikisht në krye të detyrës dhe në mbrojtje të qytetarëve, Izet Demaj, ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës”.

Urdhri “Hero i Kosovës” u jepet personave që kanë bërë vepra trimërie dhe sakrifice, si dhe që kanë dëshmuar veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë lufte apo paqeje.

Vendimi, certifikata dhe urdhri “Hero i Kosovës” do t’i dorëzohen familjes Demaj.

Polici Izet Demaj u qëllua për vdekje gjatë një plaçkitje që ndodhi kah fundi i dhjetorit në Istog. /KultPlus.com

Dhembja e shekullit

Ditën e djeshme nënat gjakovare dhe qytetarët e Gjakovës kanë protestuar kundër ardhjes së një grupi njerëzish nga Serbia, e që për qytetarët e Gjakovës ata janë thjesht kriminelë të maskuar si pelegrinë që vijnë në territorin e tyre.

Dihet se Serbia ka vrarë njerëz edhe në Gjakovë, i cili mbetet ndër qytetet më të prekura në luftën e fundit në Kosovë.

Ferdane Qerkezi mbetet një prej personave që sapo t’i përmendet emri të ngjallë një ndjenjë dhimbjeje e trishtimi për fatin e trishtë të kësaj gruaje të fortë.

27 marsi i ’99-ës e la nënën Ferdane Qerkezi të vetme. Policia serbe atë ditë ia vrau pesë burrat e shtëpisë. Nga shtëpia e familjes Qerkezi u morën pa asnjë faj Halim Qerkezi me katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin dhe Edmondin.

Tash e vetme, zonja Qerkezi shtëpinë e saj e ka kthyer në Muze. Ajo vështirë e gëlltit një kafshatë bukë në ditë, sepse për të ende s’ka qetësi. Ajo vazhdon e pret ndonjë lajm për burrat e shtëpisë së saj.

Nisur nga rrëfimi i nënës Ferdane, fotografi i njohur Artan Korenica pati realizuar një foto me shumë domethënie.

“Më mungon…”, është mbishkrimi që autori i ka lënë kësaj foto, në të cilën shihet nëna Ferdane e ulur në tavolinën e bukës në shtëpinë e saj, në të cilën janë të vëna gjashtë pjata, që simbolizojnë pritjen e pesë të munguarve në këtë shtëpi.

Faqja “Heroinat e Kosovës, ka shpërndarë sot fotografinë e Ferdane Qerkezit e ku sipër saj janë thurur edhe disa vargje që përshkruajnë dhimbjen e kësaj nënë për familjen e humbur.

– Pesë pjata shtrohen çdo mëngjes.
Avulli i gjellës djeg shpirtin e nënlokes.
Njeriu qenka më i fortë se guri !
Ooh, katër djem pret, pret t’i kthehet burri. /KultPlus.com

Kryqëzata serbe që nisi natën e bozhiqeve të vitit 1943

Shqiptarë e Boshnjakë, të gjithë të besimit islam, shfarosen nga trojet e tyre etnike të Bihorit, nga data 5 janar e deri me datën 7 shkurt 1943.

Të motivuar e të nxitur nga planet shoviniste serbe, Neçartania e vitit 1844, projektin e Gjeorgjeviçit i vitit 1908, memorandumi për shpërnguljen e shqiptarëve i vitit 1937 të Çubriloviqit, projekt – raporti për Shqipërinë që parasheh zhdukjen e shqiptarëve i vitit 1939 nga Andriq si dhe plani i zhdukjes së Shqipërisë nga faqja e dheut dhe zhdukjes së kombit shqiptar i vitit 1941 nga Moleviçi, serbët shkaktuan gjenocidin e madh mbi shqiptarët e Bihorit.

Vetëm midis datës së 5 dhe 7 janarit të vitit 1943 nga të dhënat që janë, në Masakrën e Bihorit serbo-malazezët kishin vrarë 590 burra, 185 të therur, 119 të grirë; gra – 340 të vrara, 285 të therrura, 266 të grira; fëmijë – 701 të therrur, 705 të djegur, 447 të grirë. Të plagosur: burra – 359, gra – 275. Diku rreth 250 gra të reja e vajza janë depërtuar në kampet çetniko-drazhiste për t’u dhunuar seksualisht nga ushtarët serbo-malazez. Asnjë nuk shpëtoi, ua humbën edhe varret. Pra, numri përgjithshëm i viktimave është 4.628.

Ndërsa sipas raportit të komandantit famëkeq Drazha Mihajlloviç gjeneral, nga 5 janari deri me datën 7 shkurt 1943, janë masakruar 9200 sanxhaklinjë, prej tyre vetëm 1.200 ishin burra lufte, ndërsa 8.000 të tjerë fëmijë, pleq e gra!

Gjenocidi mbi shqiptarët e Bihorit si zakonisht bekohej nga klerikët sllav dhe mundësia e shpëtimit nga kjo masakër ishte e mundshme vetëm në rast konvertimi në ortodoks dhe largimi nga besimi islam.

Gjenocidi serb dhe shovinzmi nacionalist serb është e keqja historike dhe e vazhdueshme që bie mbi popullin shqiptar në veçanti dhe mbi Ballkanin në përgjithësi. /KultPlus.com

Abdullah Klinaku

Arbela Statovci, kandidatja shqiptare për deputete në parlamentin zviceran

Arbela Statovci është kandidate për deputete për Parlamentin e Cyrihut në zgjedhjet që do të zhvillohen në muajin mars të këtij viti.

Në Zvicër ka shumë shqiptarë të suksesshëm, që janë shumë mirë të integruar në shoqërinë zvicerane. Ata janë figura kyçe në sport, kulturë e politikë.

Arbela Statovci është kandidate për deputete për Parlamentin e Cyrihut në zgjedhjet që do të zhvillohen në muajin mars të këtij viti.

“Jam një ndërmarrëse nga Cyrihu, pronare e firmës “massgekocht”, dhe angazhohem në bordin e FDP-s Wallisellen, në Bordin e fakultetit HWZ dhe si mentore ngrihem për rininë tonë, duke i ndihmuar ata që të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të gjejnë një hyrje optimale në botën profesionale”, është shprehur Statovci për albinfo.ch.

Arbela shpreson se do të ketë votën në zgjedhjet që zhvillohen në muajin mars. “Nga përvoja ime personale, e di se është për rininë një sfond të integrimit, nuk është e lehtë të gjesh rrugën opitmale rreth sistemit tonë arsimor. Si një ndërmarrëse, arsimi, kërkimi dhe inovacioni janë shumë të rëndësishme për mua, sepse ato janë qendrore dhe të lidhura ngushtë. Suksesi i Zvicrës bazohet kryesisht në një sistem të shkëlqyeshëm arsimor. Inovacioni është motori ekonomik i vendit tonë. Rinia jonë është e ardhmja jonë”, ka shtuar tutje ajo për albinfo.ch.

“Dëshiroj mbështetjen e njerëzve të vendit tonë, të cilët ndajnë mendimin tim dhe angazhimin tim për një të ardhme të mirë për rininë tonë. Dua që ne të jemi të fortë së bashku dhe të tregojmë se nuk kemi vetëm një integrim të suksesshëm pas nesh, por historia jonë dhe fati ynë na kanë sjellë luftëtarët. Se ne jemi një popull i fortë, me një rininë inovative, dinamike dhe të përkushtuar, që është e fortë për të tjerët dhe për një të ardhme të përbashkët”, përfundoi Arbela Statovci. /KultPlus.com

Francezët në radhë për ‘Serotonine’ nga Michel Houellebecq

Në orën katër të pasdites, kur shitësi i librarisë “Fnac” në Champs Elysées hap sirtarët për të mbushur raftin e librave në vitrinë, zbulon se ai është i boshatisur.

Michel Houellebecq por shet më shumë nga ç’parashikohej. Dy burra rreth të dyzetave marrin një nga kopjet e fundit të librit “Serotonina”, promovuar disa ditë më parë. Ata nuk duan të japin shumë arsye për blerjen e tyre. “Nuk mund të flasim, jemi ushtarë”, thonë. Ndërkohë flet me shumë përzemërsi Agnes, një grua simpatike pesëdhjetëvjeçare. Ka ardhur nga provinca, nga Rueil-Malmaison, së bashku me bashkëshortin për një xhiro në qendër, ndërsa kur hyn në librari, idetë i ka të qarta. “Houellebecq më pëlqen, sepse është intrigues dhe mbi të gjitha realist.” Realist? Por sa libra i keni lexuar atij? “Kam lexuar Nënshtrimin.” Dhe ju mendoni se vërtetë fundamentalizmi islamik mund të marrë pushtetin në Francë, mendoni se bëhet fjalë për një hipotezë realiste? “Besoj se ekziston një problem i rëndë me fundamentalistët”. Që Houellebecq mund të konsiderohet një profet, që ka aftësinë për t’i paraprirë problemeve të pazgjidhura të shoqërisë francezë, tashmë është një ide e përhapur dhe e pranuar.

Megjithatë, duhet thënë se nuk do ta gëzonte këtë famë sikur libri i tij “Nënshtrimi” të kishte dalë në librari më 7 janar 2015, ditën e atentatit ndaj redaksisë së Charlie Hebdo. Në atë atentat, Houellebecq humbi një ndër miqtë më të mirë, Bernard Maris dhe më pas u arratis për disa kohë në Irlandë, jo vetëm për arsye sigurie.

Është e vërtetë se shkrimtari mori disa kërcënime të njëpasnjëshme, por edhe vetë u trondit nga koicidenca e frikshme mes librit të tij dhe ngjarjes së që ndodhi. Por ajo që ndodhi me “Nënshtrimi”, ndodhi edhe tani me “Serotonina”. Houellebecq dorëzoi dorëshkrimin e romanit në shtëpinë botuese Flammarion në fund të verës së vitit 2018, kur asnjë nuk e çonte ndër mend se jeta politike franceze shumë shpejt do të tronditej nga revolta popullore, nga jelekverdhët siç quhen tani, nga banorët e zonave rurale që kërkojnë të hakmerren ndaj privilegjeve të qyteteve të mëdha, ose më mirë, ndaj Parisit.

Kjo ndoshta është edhe arsyeja kryesore se përse lexuesit po shpejtojnë ta blejnë romanin e tij të fundit, ndoshta presin një përgjigje nga “profeti” Houellebecq./Tiranapost.al/ KultPlus.com

Buxhovi: Çmimi amerikan botuesit Ramiz Tafilaj, mbështetje shtetit të Kosovës dhe historisë së saj

Nga Jusuf Buxhovi

Çmimi i Presidentit për Arritje Jetësore (President’s Lifetime Achievement Award) që iu dha Ramiz Tafilajt, drejtor i shtëpisë botuese “Jalifat Publishing” nga Houstoni, është shpërblimi më i lartë për vullnetarët në Shtetet e Bashkuara.

“Keni shërbyer si model i shpirtit amerikan. Orët e shumta të shërbimit tuaj kanë forcuar lidhjet e bashkëpunimit dhe besimin që afron njerëzit me njëri-tjetrin, ndërsa keni ndihmuar për të zgjidhur disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë, shkruan pos tjerash kyetari Trump.

Në të vërtetë, Z. Tafilaj u nderua veçanërisht për punën e jashtëzakonshme për shqiptaro-amerikanët dhe për punën e tij në çështjet shqiptare në Ballkan në lidhje me politikën amerikane në rajon, por ajo që e dalloi veprimtarinë e tij të palodhshme nga të tjerët në SHBA dhe këtij çmimi i jep një peshë të veçantë, është padyshim veprimtaria e tij botuese, me ç’rast, botimi i “Kosovës” në tetë vëllime si dhe përkthimi i saj, në tri vëllime në anglisht, paraqesin një të arritur të jashtëzakonshme, një punë pionieri, që i takon shtetit dhe institucioneve akademike.

Me këtë rast duhet thënë se botimi në anglisht i “Kosovës” në vitin 2014, në saje të përkushtimit të madh të botuesit Tafilaj, si vepra e parë historiografike e një autori shqiptar e përmasave të tilla shkencore, jo vetëm që ka depërtuar në tregun amerikan të librit, por është futur në të gjitha institucionet shkencore dhe universitare amerikane dhe në Bibliotekën e Kongresit me statusin e literaturës për historiografinë e Europës Juglindore. Si e tillë, “Kosova” në tri libra, në anglisht, shfaqet si dëshmi historike për shtetin e Kosovës, por edhe për historinë shqiptare nga antikiteti deri te koha, e fokusuar te Dardania si epiqendër e saj etnike, shoqërore dhe politike, dëshmi kjo që kthen rëndësinë e shqiptarëve për qytetërimin antik si faktor të saj përbërës dhe njëherësh rrënon gënjeshtrën e propagandës serbomadhe për gjoja Kosovën “djep mesjetar të shtetit serb” dhe shqiptarët pa identitet kulturor dhe historik, të shpërndara prej tyre prej dy shekujsh, të cilave u ka munguar kundërpërgjigja e argumentuar shqiptare. 

Andaj, çmimi amerikan botuesit Z.Tafilaj, paraqet një mbështetje të veçantë amerikane për shtetin e Kosovës, për të cilin ata kanë merita të mëdha si dhe për historinë e tij të shkruar si fundament mbi të cilin qëndron ai si realitet shoqëror dhe politik. /KultPlus.com

Robert De Niro: Trumpi është racist

Aktori hollywoodian, Robert De Niro, vazhdon të jetë një prej kritikëve më të mëdhenj të presidentit amerikan, Donald Trump. Në një intervistë për The Guardian, De Niro e quan Trumpin racist dhe supermacist të bardhë.

Aktori 75-vjeçar thotë se Trumpi po sjell dëme të mëdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kur e shihni dikë si Trumpi duke u bërë president, mendoni… ‘në rregull, të shohim se çfarë do të bëjë, ndoshta do të ndryshojë’… Megjithatë, ai po bëhet gjithnjë e më i keq. Ai është një racist i vërtetë. Kam menduar se si një njujorkez e kupton diversitetin në qytet, por ai është po aq i keq siç kam menduar më herët se është, dhe po bëhet gjithnjë e më i keq. Është turp. Është diçka shumë e keqe për vendin”, tha De Niro, transmeton Koha.net.

Tutje, De Niro i ka përmendur edhe disa personalitete famëkeqe.

“ Kanë qeshur edhe me Hitlerin. Të gjithë duken qesharakë. Hitleri është dukur qesharak, Mussolini është dukur qesharak, ashtu siç duken qesharakë edhe diktatorët dhe despotët tjerë, e edhe Trumpi”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, thotë se e shqetëson fakti se në një të ardhme, njerëzit do ta shohin Trumpin si shembull dhe se ai, do të ketë ndikim tek popullata.

The Guardian shkruan se Trumpi e De Niro, kanë disa gjëra të përbashkëta. Të dy janë sipërmarrës dhe zotërojnë hotele e restorante. Të dy, janë rreth të 70-tave. Dhe, të dy janë njujorkezë që ‘ofendojnë haptas’. /KultPlus.com

Theron: “Besimi i njerëzve në mua, dhurata më e madhe”

Një nga aktoret më të bukura të Hollywoodit, Charlize Theron, zbulon se si pa kirurgji estetike ajo mban një pamje rinore, një rrugë të përsosur dhe një formë të shkëlqyer, megjithëse është 43-vjeçe.

Rutina e mëngjesit

Zgjohem herët. Në ora 5 e 45. Jam një nënë e vetme me dy fëmijë. Bëj mëngjesin, ushqim për shkollën dhe i përcjell deri në autobus. Kur zgjohem, laj fytyrën me ujë të ftohtë, aplikoj balsam dhe krem për diell. Më pëlqen kremi “La Mer” për buzë dhe kremi për diell “La Roche-Posay”. Këto dy produkte janë në çantën time, në veturë… Unë ua aplikoj kremrat e diellit edhe fëmijëve të mi.

Flokët

Nuk mendoj se jam e guximshme kur është fjala për modën dhe stilet – pëlqej gjërat klasike. Megjithatë, nuk kam frikë të ndryshoj stilin e flokëve, pasi e di se ato do të rriten. Sa i përket produktit, kam vërejtur qartë dallimin në mes të formulave të sulfatit dhe jo sulfatit, kështu që produktet e mia për flokët nuk mund të kenë sulfate. Dikush më rekomandoi para një kohe të provoj vaj ricinus. Një ose dy herë në javë i laj flokët me këtë lloj vaji të pasur dhe masazhoj lëkurën për të stimuluar qarkullimin dhe rritjen e flokëve. Flokët e mi janë shumë të forta.

Ushqimi

Më shumë ushqime të papërpunuara, fruta dhe perime lokale dhe sezonale. Nëse nuk lëviz shumë, nuk mund të ha shumë. Jam e sinqertë ndaj vetes.

Stërvitjet

Jam plotësisht e dashuruar në pilates – një sistem i ushtrimeve për forcimin fizik dhe psikik. Krejtësisht ndryshoi pamjen e trupit tim. Kur shkoj në stërvitje, dhe fëmijët më pyesin se ku po shkoj unë, u them atyre: “Unë po shkoj në vendin ku më duket se zemra ime ende rreh shumë gjatë dhe është e shëndetshme”, transmeton KosovaPress.

Aktrimi

Kam qenë balerinë për një kohë të gjatë dhe kur kjo karrierë ngadalë u zhduk, më duhej kohë për të kuptuar me të vërtetë pse isha kaq e dashuruar me baletin. Kuptova se nuk ishte domosdo një teknikë vallëzimi, por aftësia për të qëndruar në skenë, për të mësuar diçka dhe për të treguar historinë. Kjo është arsyeja pse kam gjetur një mënyrë tjetër për të interpretuar historinë. Kam pasur një karrierë shumë të lumtur dhe u ndjeva shumë e bekuar. Të gjitha mundësitë që kam marrë…, njerëzit që besuan në mua, mendoj se është dhurata më e madhe. Sa herë që regjisori angazhohet, ai shikon dhe thotë: “Ti je ajo me të cilën dua ta bëj këtë film” – këto janë momentet e mia të preferuara. Ka diçka për këtë kur dikush dëshiron të kërcejë nga shkëmbi. Ende kujtoj kur Patty Jenkins erdhi tek unë dhe më ofroi një rol për filmin “The Monster”, isha në ‘trans’: a jeni e çmendur, a keni luajtur mendsh? Gjithmonë pyesja se sa njerëz mund t’i besojnë dikujt. Besimin në mua e konsiderojë si dhuratën më të madhe.


Fituesit e ceremonisë së “Golden Globes Awards”

Të dielen pas mesnate, në Los Angeles u mbajt edicioni i 76-të i ceremonisë së përvitshme të “Golden Globes Awards”.

Filmi biografik, Bohemian Rhapsody dhe komedia, Green Book kanë fituar çmimet kryesore në edicionin e 76-të, në ceremoninë Golden Globes.

Bohemian Rhapsody rrëmbeu dy çmime, atë për filmin më të mirë të zhanrit dramë dhe atë të aktorit më të mirë në zhanrin dramë, për yllin e këtij filmi, Rami Malek. Green Book ishte fituesi tjetër i natës, duke i rrëmbyer tri çmime.

Ky film rrëmbeu çmimin për komedinë apo muzikëlin më të mirë, çmimin për skenarin më të mirë dhe çmimin e aktorit mbështetës e mori Mahershala Ali. Edhe pse ishte nominuar në katër kategori, filmi A Star Is Born mori vetëm një çmim – kënga më e mirë origjinale për hitin Shallow.

76th ANNUAL GOLDEN GLOBE AWARDS — Pictured: Rami Malek, winner of Best Actor – Motion Picture, Drama at the 76th Annual Golden Globe Awards held at the Beverly Hilton Hotel on January 6, 2019 — (Photo by: Paul Drinkwater/NBC)

Në këtë film performon edhe këngëtarja e njohur, Lady Gaga dhe kjo performancë e saj e drejtoi atë të nominohet në kategorinë si aktorja më e mirë. Fitues të kësaj nate janë edhe Olivia Colman, që fitoi çmimin për aktoren më të mirë në zhanrin komedi ose muzikël, për portretizimin e Mbretëreshës Anna në filmin The Favourite.

Christian Bale po ashtu rrëmbeu çmimin e aktorit më të mirë në po këtë zhanër, për rolin e tij në filmin Vice. Aktorët britanezë, Richard Madden dhe Ben Whishaw fituan dy çmime televizive, për rolet e tyre në dramat e BBC, Bodyguard dhe A Very English Scandal.

Në anën tjetër në kategoritë televizive, seritë televizive The Americans morën çmimin e dramës më të mirë dhe The Kominsky Method e fitoi çmimin për komedinë më të mirë televizive. Ceremonia e “The Golden Globes” është ceremonia e parë më e madhe e filmave të Hollywood-it dhe shpesh mund të ndihmojë filmat ose aktorët e filmave të futen në garë për Oskar.

Më poshtë ju sjellim disa nga fituesit e çmimeve kryesore të kësaj nate: –

-Filmi më i mirë dramë – Bohemian Rhapsody
-Filmi më i mirë komedi apo muzikël – Green Book
-Aktori më i mirë në filmin dramë – Rami Malek (Bohemian Rhapsody)
-Aktorja më e mirë në filmin dramë – Glenn Close (The Wife)
-Aktori më i mirë në filmin komedi/muzikël – Christian Bale (Vice)
-Aktorja më e mirë në film komedi/muzikël – Olivia Colman (The Favourite) -Drama më e mirë televizive – The Americans
-Komedia më e mirë televizive – The Kominsky Method
-Aktori më i mirë në dramë televizive – Richard Madden (Bodyguard) 
-Aktorja më e mirë në dramë televizive – Sandra Oh (Killing Eve)
-Aktori më i mirë në komedi televizive – Michael Douglas (The Kominsky Method)
-Aktorja më e mirë në komedi televizive – Rachel Brosnahan (The Marvellous Mrs Maisel)/21Media/KultPlus.com

Njihuni me binjakët që kanë luajtur rolin e vogëlushit Bink (FOTO)

I mbani mend aventurat e vogëlushit Bink?

“Baby’s Day Out”, është një film që askush nuk dëshiron ta humbasë, çdo herë që transmetohet në televizion.

I publikuar në vitin 1994, ky film ishte bërë një hit i madh. Historia e filmit sillet rreth një foshnje 2 vjeçare, e cila është rrëmbyer nga 3 burra. Si arrin të shpëtojë prej tyre dhe si u jep atyre një mësim, e shumëçka tjetër na shpalos ky super film.

Kanë kaluar 25 vite që kur filmi është transmetuar për herë të parë, por a e dini ju se si duket tani 2 vjeçari (Bink)? Ndoshta nuk e keni ditur mirëpo, jo një, por dy njerëz e kishin luajtur rolin e fëmijës në këtë film. E pra, karakteri i Bink  është luajtur nga binjakët Jacob Joseph Worton dhe Adam Robert Worton.

Tani, ata janë rritur dhe janë bërë shumë të pashëm. “Baby’s Day Out” është filmi i vetëm në të cilin ata kanë luajtur, teksa nuk ka informacione se me çka merren ata tani./21Media /KultPlus.com



Gjetjet arkeologjike të Dresnikut sillen nëpër oborret e institucioneve të Klinës

Kanë kaluar gati 4 vjet që këto gjetje të rëndësishme arkeologjike sillen nëpër oborret e institucioneve të Klinës.

Para disa viteve, ishin vendosur në oborrin e komunës së Klinës, ndërsa tani janë vendosur në oborrin e Shtëpisë së Kulturës “Jehona e Dukagjinit”.

Këto gjetje arkeologjike janë zbuluar në një pjesë të Dresnikut dhe i përkasin periudhës romake.

Por, deri tani, për to nuk është kujdesur askush, ani pse janë gjetur në një prej lokaliteteve më të veçanta arkeologjike në Kosovë.

Në komunën e Klinës fajësojnë qeverisjen e kaluar që nuk u ka bërë vend askund, e premtojnë që shumë shpejt kjo çështje do të zgjidhet.

Skënder Merturi, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Klinë, thotë se në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut është duke u punuar shumë ngadalë dhe kanë probleme të shumta me fonde.

Arkeologët besojnë se gjetjet në Dresnik të Klinës i përkasin një banese aristokrate romake dhe janë mjaft të rëndësishme për historinë.

Për konservimin e tyre, Kohavisioni ka kërkuar një përgjigje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por ata nuk kanë qenë të qasshëm gjatë javës. /KultPlus.com

Konica me fustanellë në Boston: Ja si e kujtoi Noli këtë takim dhe eruditin shqiptar

 

Në vitin 1909, gjeniu Faik Konica, një burrë i bëshëm dhe i pashëm, vendosi të shkonte në Boston i veshur me fustanellë shqiptare. Qëllimi i tij ishte që me këtë veshje t’u binte në sy amerikanëve dhe kështu të propagandonte çështjen kombëtare shqiptare. Në Boston atë e pret Fan Stilian Noli. Më poshtë, në pika të shkurtra, mund të lexoni se si e kujtonte Noli këtë takim dhe Konicën në përgjithësi.

“E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurrë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij.

Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja një mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare.

Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte i gjatë e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.

Meqë ra fjala, lexuesi mund ta gjejë në librin e Konicës ndryshimin ndërmjet kostumit grek dhe veshjes shqiptare: është e vërtetë se grekët e kanë përshtatur nga shqiptarët, por ata u përpoqën ta stërhollojnë sa që e bënë një veshje grash me aq sa mundën. Veshja e Konicës nuk ishte e vetmja gjë që më habiti.

Thjesht mbeta pa mend, kur ai nisi të më ‘mësonte’ për çdo gjë në botë. Ishte njeri me kulturë të lartë. Gijom Apoliner, një shkrimtar dhe mik i tij, e ka quajtur ‘enciklopedi shëtitëse’ që e fliste frëngjishten si një francez. Një shkrimtar tjetër, Zhyl lë Metrë, ka shkruar për të: ‘Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë’.

Si studiues i pasionuar i muzikës, Konica e adhuronte shumë Vagnerin. Një nga gjërat e para që bëri ai pasi u takuam, ishte të më tregonte për Vagnerin dhe operat e tij. Me këshillën e tij e pashë përherë të parë Parisfalin, kur u dha më 1910 në Boston. Në varrimin e tij, tridhjetë vjet më vonë, duke e ditur se sa shumë e donte Vagnerin, iu luta organistit të luante muzikën e Vagnerit nga kreu deri në fund…

…Si mysliman dhe si përkrahës i një familjeje të vjetër aristokratësh nga Shqipëria e jugut, Konica kishte të gjitha mundësitë që të fitonte poste të larta në Perandorinë Turke, ku Shqipëria bënte pjesë, që pas vdekjes së Skënderbeut. Në të vërtetë, shumë shqiptarë të tjerë gjatë shekujve ishin ngjitur në postet më të larta të Perandorisë Turke. Për shembull, kur Konica ishte i ri, Vezir i madh ose kryeministri i Perandorisë Turke ishte Ferid Pasha, një shqiptar nga Vlora.

Por, kjo karrierë nuk e tërhiqte Konicën. Ai mendonte se misioni i tij ishte të luftonte për pavarësinë e Shqipërisë. Nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy revistave shqiptare, që dolën jashtë: ‘Albania’ dhe ‘Drita’ përkatësisht.

Gjatë sundimit turk, shqiptarët kishin harruar gjithçka për lavdinë e tyre të kaluar nën Skënderbeun. Konica ka qenë njeriu që e rizbuloi dhe e popullarizoi Skënderbeun e flamurin e tij, shqipen e zezë dy krenare në një fushë të kuqe. Ky flamur u bë simbol i pavarësisë kombëtare dhe më në fund u ngrit në Vlorë më 1912 nga Ismail Qemali kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Konica është quajtur si krijuesi i prozës moderne shqipe. Kur unë vendosa të bashkohesha me kryqëzatën për pavarësinë e Shqipërisë, e para gjë që më bëri përshtypje ishte mungesa e plotë e veprave letrare shqipe me vlera artistike. Por, kur vajta në Egjipt më 1903, një atdhetar shqiptar, Spiro Dineja, më dha vëllimet e revistës ‘Albania’ nga viti 1897 deri më 1903. I lexova të gjitha nga faqja e parë deri tek e fundit dhe atëherë e mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe. Për më tepër, Konica zbuloi dhe popullarizoi shqiptarë të veprimtarisë letrare, si Kristofordhi, Mitkoja, Fishta dhe Zako Çajupi. Me këshillën dhe udhëzimet e tij unë përktheva disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poja dhe Don Kishotin e Servantesit. Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë dhe shkruesin e këtyre radhëve”, ka thënë Noli. /Telegrafi/ KultPlus.com

Një grua

Poezi nga Sokrat Habilaj.

Mund ta duash një grua veç një çast,
E të ikësh prej saj, pa u shuar malli.
Po vite më vonë të bësh me të pakt,
Të të shfaqet përballë, si e pe së pari.

Në fund të jetës të të vijë dhe njëherë,
Me po atë kurm dhe me po ato linja.
E t’i flasësh kot, si ca burra të tjerë,
Të braktisa, që të të kujtoja pa thinja.

Të braktisa se doja të të ruaja si ishe,
Ndërsa atë që ke pranë shikon në sy.
Një grua mund ta duash dhe ndryshe,
Tani më thuaj:- Po ty, si të desha ty!? / KultPlus.com

Lajmi i ri për Ariana Granden konsiderohet historik për artisten

Këngëtarja e njohur Ariana Grande mori dhuratën më të bukur për vitin e ri. Asaj i është konfirmuar se do të performojë në Coachella dhe do të jetë ylli kryesor tek festivali më i madh muzikor në botë këtë vit. Ariana do të jetë së bashku me Childish Gambino dhe grupin Australian Tame Impala.

Ky lajm është konsideruar dhe komentuar si historike tek mediat e huaja, pasi Ariana Grande është një nga katër këngëtaret që mban titullin ‘headline’ tek Coachella (tre të tjerat janë: Beyonce, Lady Gaga dhe Bjork).

Gjithashtu një ndër arsyet e tjera që pjesëmarrja e Ariana Grande në Coachella është konsideruar historike është për faktin se ajo është artistja më e re femër që e ka nderin të mbajë gjithë peshën e këtij festivali muzikor.

Si reagoi Ariana kur e mori vesh lajmin? ‘Jam e përulur dhe e ngazëllyer’ u shpreh ajo nëpërmjet një postimi në Instagram. /KultPlus.com

Jeta fillon 40 vjeç. Është një epokë e re e vetes sonë



Gjithmonë kam ndjerë që jeta është më e mirë pas dyzet vjeç. E rrëfej që e kam kam konsideruar demagogji këtë deklaratë, sikur thuhej për të ngushëlluar ata që po i afoheshin moshës. Edhe sot, kam sigurinë absolute të kësaj të vërtete dhe pyes veten nëse do të ketë një ndryshim kaq të madh dhe pozitiv në një dekadë tjetër si në këtë fazë të jetës.

Jeta bëhet më e lehtë, më e kollajtë, më e gjallë. Pra, shumë gjëra pushojnë së ekzistuari, ndërsa të tjerat pushojnë së qeni të rëndësishme. Revolta zhduket, ashtu si dhe ndjenjat e fajit dhe çdo keqardhje. Ajo që një herë të ka lënduar thjesht pushon së qeni. Dhe shqetësimi për opinionin e të tjerëve është diçka që nuk kalon përmes mendimeve të tua.

Dhe nuk do të ishte e drejtë të thuhej se ky transformim vjen nga asgjëja. Kjo metamorfozë vjen me të gjitha gabimet e së kaluarës, shuplakat në fytyrë, zhgënjimet, frustrimet dhe madje edhe dhembjet që transformohen në mësim, falë të tjerëve.

Nëse sheh pas, do të gjesh shumë gabime. Për një kohë të shkurtër kjo gjithashtu mund të jetë shkak për t’u sikletosur, por më pas, natyrshëm kuptojmë se gjëja e gabuar ka shërbyer për të na treguar saktësisht se ku jemi: në kohën e duhur.

Marrëdhëniet janë më të mira, njerëzit rreth nesh janë ata që duan të qëndrojnë, dhe gjithashtu, ata që ne duam. Edhe ata që na kanë përjashtuar janë përjashtuar, me shumë pranim dhe pa mëri.

Në këtë jetë asgjë nuk është e rastësishme, madje edhe ata që kalojnë në rrugën tonë, vetëm për një moment, kanë diçka për të na mësuar, thjesht kushtojini vëmendje. Dhe nga mosha dyzetë vjeç, ose ndoshta edhe pak më përpara, perceptimi bëhet më akut, forcohet shqisa e gjashtë dhe gjithashtu sipërfaqja shqisore.

Eshtë sensacionale të mos kesh nevojë për askënd.

Jo nga krenaria apo diçka e tillë, por mungesa e joshjes dhe e romancës së tepërt e të vjetër na lejon të shohim gjëra siç janë me të vërtetë. Të bëhesh selektiv nuk është demagogji, ne me të vërtetë jemi, por prej simpatisë, shoqërisë.

Miqtë bëhen një nga gjërat më të mrekullueshme që keni. Takimet me disa të mbetur pas disa dekadash dhe të gjitha afinitetet dhe historitë e viteve të jetuara së bashku. Unë besoj se kjo është një nga dhuratat më të mëdha të jetës.

Puna nuk është më barrë dhe bëhet e lehtë. Në fund kuptojmë se çdo punë me të vërtetë është dinjitoze. Çdo gjë bëhet një arsye për rritjen personale. Asgjë tjetër nuk është hidhet, ashtu si në kohët e mëparshme. Marrëdhëniet familjare bëhen shumë më të mëdha. Shohim kohën që kalon në fytyrat e atyre që duam më shumë: prindërit dhe fëmijët tanë. Sa shumë na dhemb të shohim, ata që na kanë dhënë jetë, tek humbin gjallërinë.

Dhe sa krenarë ndihemi, kur shohim pasardhësit të rriten ashtu si dikur. Duke përsëritur të njëjtat gabime dhe duke zbuluar ngadalë përgjigjet e sakta, rrugën që askush nuk ta mëson: shtegun individual të secilit. Koha më në fund na mëson një perceptim të ri të jetës, dhe prej aty ndryshon gjithçka. Pesha mbi shpatullat bëhet vullneti për të jetuar, për të lundruar, për të mësuar të luajmë kitarën, për të bërë diçka që nuk e kemi bërë kurrë, për të shijuar kohën, para se të përfundojë.

Nuk është frika nga vdekja, është dëshira për të jetuar jetën siç nuk e ke bërë kurrë më parë, me perceptimin e pjekur që vetëm vitet të lejojnë ta kesh.

Rinia mund të ketë bukurinë e saj, por është plot me injorancë dhe kurrë nuk do të ketë perceptimin e dikujt në të dyzetat. Dhe kjo është ajo që i ngushëllon të gjithë ata që kanë frikë të plaken. Më besoni, jeta përmirësohet shumë gjatë kohës. Edhe në qoftë se gjallëria humbet, njohuria e jetës kompenson çdo rrudhë në sy, ose kilogram shtesë. Pavarësisht sa dhimbje keni përjetuar, do të vijë koha kur do të përdorni gjithçka që keni mësuar, sigurisht në favor të vetes tuaj.

Dhe përsëris këtu një frazë që nuk e kam harruar asnjëherë, e kam lexuar për herë të parë kur isha 20 vjeç dhe e mbaj përherë me vete: “Mos u shqetëso të kuptosh, të jetuarit kapërcen çdo lloj kuptimi”

Clarice Lispector

“Ndiq pasionin, dhe bota është e jotja”

 1

Carmine Gallo

Në vitin 1997, Steve Jobs u rikthye tek Apple, pas një mungese 12-vjeçare. Kompanisë që ai kishte bashkëthemeluar po i mbaronin paratë dhe ishte pranë falimentimit. Jobs mbajti një mbledhje të stafit dhe shpjegoi rolin që pasioni do të luante në rigjallërimin e markës:

“Apple nuk është vetëm prodhim kutish me të cilat njerëzit të kryejnë punët e tyre, ndonëse edhe këtë ne e bëjmë shumë mirë. Apple është më shumë se kaq. Vlera e saj qëndron në faktin se ne besojmë që njerëzit që kanë pasion, mund ta ndryshojnë botë, për ta bërë më të mirë”.

Thjeshtë fraza – “njerëzit me pasion mund ta ndryshojnë botën” – përmban sekretin e suksesit në sipërmarrje. Pothuajse një dekadë më vonë, në vitin 2005, Jobs iu rikthye kësaj teme në fjalimin e tij të famshëm, përpara studentëve të Universitetit të Stanfordit.

“Duhet të gjesh atë që do të bësh”, tha Jobs. “E vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha, është të duash atë që bën. Nëse nuk e keni gjetur ende, vazhdoni kërkoni. Mos rrini. Ashtu si me të gjithë gjërat që kanë të bëjnë me zemrën, do ta kuptoni kur ta keni gjetur”.

Pasioni është gjithçka. Ndjekja e pasionit është sekreti për të kapërcyer pengesat që ndeshin të gjithë sipërmarrësit, dhe për të ndërtuar rezistencë kundër nihilistëve të pashmangshëm, që do të vënë gjithmonë në dyshim vizionin tënd. Është gjithashtu një përbërës thelbësor në komunikimin e suksesshëm. Nëse nuk je ti pasionant për idetë që ke, askush tjetër nuk do të jetë.

Sipërmarrësit e suksesshëm e kanë pasionin me bollëk – por jo domosdoshmërisht për produktin. Ata janë pasionantë për misionin e tyre. Ata janë pasionantë, për domethënien që produkti ose shërbimi i tyre, ka në jetët e klientëve të tyre. Ata janë pasionantë për të ndryshuar botën.

Për shembull, Jobs nuk ishte pasionant për kompjuterët. Ai kishte për pasion ndërtimin e mjeteve që do të ndihmonin njerëzit të çlironin krijueshmërinë e tyre personale.

Kur intervistova CE)-në e Starbucks, Houard Schultz, ne folëm për më shumë se një orë, dhe ai nuk e përmendi asnjëherë fjalën “kafe”.

“Kafeja është produkti, por nuk është biznesi ku jemi ne”, më tha ai.

Schultzi ndërtoi një perandori të tërë nga hiçi, pikërisht sepse ai nuk ishte aq pasionant për produktin, se sa ishte për “krijimin e një vendi të tretë, mes punës dhe shtëpisë”. Çdokush mund ta shesë një filxhan kafe. Duhet një inovator i vërtetë për të krijuar një eksperiencë.

“Kushdo që është pasionant, zhytet i tëri në një fushë të caktuar. Dëshiron të dijë gjithçka për të”, thotë Maxine Clark, themeluese e “Build-a-Bear”.

Gjatë një bisede të kohëve të fundit, Clark më rrëfeu se sa shumë admironte Steve Jobsin, si një njeri që ndoqi pasionet e tij, kudo ku ata e çuan.

“Ai ishte kurioz. Kishte studiuar kaligrafinë, artin, muzikën dhe i bashkoi të gjitha bashkë, për ne të tjerët”, thotë ajo.

Clark nuk është më CEO e kompanisë që vetë e krijoi dhe tani po investon në kompanitë që ndodhen në faza të hershme, si dhe si mentore sipërmarrësish. Ajo thotë se pasioni është një tipar themelor, të cilin ajo e kërkon kur duhet të vendosë se kë të mbështesë dhe këtë mësojë. Ajo dëgjon me vëmendje fjalët që përdorin njerëzit. Për shembull, nëse dikush dëshiron që “thjeshtë të bëhet i pasur”, dhe nuk ka pasion për atë ide të caktuar, Clarku e anashkalon. “Nuk më mjafton. Nuk ka nxitim për të krijuar një biznes, për të cilin nuk ke pasion”, thotë ajo. “Në terma afatgjatë nuk do të funksionojë. Duhet të vësh zemrën. Është zemra që do të të udhëheqë pastaj, për të fituar para”.

Shumë investitorë u kanë bërë jehonë vëzhgimeve të Clarkut. Kohët e fundit më ndodhi të takoj Doug Leonen e Sequoia Capital. Investitori legjendar ka mbështetur Google, AirBnB, whatsApp dhe qindra kompani të tjera.

“Cila është cilësia që e kanë të gjithë sipërmarrësit e suksesshëm?”,- e pyeti një pjesëtar i audiencës. “Nuk e bëjnë për paratë”, u përgjigj atypëraty Leone. “Kanë pasion për misionin e tyre”.

Ndiq pasionin, dhe bëj diferencën. /KultPlus.com

Definim


Poezi nga Sibel Halimi.

Tash jemi këtu
Pritja iu është ngjit vrapit të së pamundurës
Drita në fundin e tunelit ishte iluzioni i shpëtimit
shpërblim i ecjes se vetmuar
Braktisja kurrë nuk ka qenë fundi
mundësi për të dëgjuar veten e harruar

Tash jemi këtu Të sfilitur drejt një puhie
Pse duhet patur rëndësi
definimi i lëvizjes së largesës
A nuk është merita e së vërtetës?
a nuk është shpëtimi nga zjarri
e nga vërshimet e vrullshme të buzëqeshjes së
detyruar?

Tash jemi këtu
Pullaz kemi qiellin
Të tonën tapi… /KultPlus.com

Britney Spears tërhiqet nga muzika, arsyeton vendimin e saj


Britney vendosi të shkëputet nga muzika për një afat kohor  të pacaktuar pasi ka vendosur të përqendrohet në përmirësimin e shëndetit të babait të saj i cili po vuan nga një sëmundje që po i rrezikon jetën.

Kjo shkëputje do të thotë se koncertet që ajo do të zhvillonte tashmë do të anulohen.

“Po ia dedikoj gjithë fokusin dhe energjinë time familjes. Ne kemi një marrëdhënie shumë të veçantë dhe dua të jem pranë tyre në këtë moment, ashtu siç kanë qenë dhe ata për  mua.

Ju falënderoj të gjithëve për dashurinë dhe mbështetjen në këtë periudhë të vështirë. Ju kërkoj falje për shqetësimin që mund të ju kem shkaktuar dhe mezi pres të ngjitem në skenë të performoj për ju”- është shprehur Britney. /KultPlus.com

Britney Spears

Vendet më të ndaluara në botë: Arkivat e fshehta të Vatikanit

07/10/2015 0 2

Tingëllojnë si vendi ku ndodhin ngjarjet e një romani të Den Braunit, por Vatikani dëshiron që të dini se fjala “Sekret” në emrin e tyre nuk ka kuptimin modern. Një përkthim më i saktë i titullit të tyre në latinisht – Archivum Secretum Apostolicum Vaticanum – do të ishte Arkivat Privatë.

Kjo librari shumë e madhe dokumentash historikë, që mbahet nën qytetin e Vatikanit, vlerësohet të jetë depozituar në 84 kilometra rafte dhe përmban më shumë se 35 mijë vëllime. Arkivi, i themeluar në vitin 1612, është në pronësi të cilitdo që është Papë, dhe në të ndodhen disa gjëra vërtetë të vyer, me origjinë qysh në fundin e shekullit 8 – duke përfshirë këtu kërkesën historike, por të paplotësuar të mbretit Henri VIII për anulimin e martesës, si dhe letra të artistit të madh, MIkelanxhelo.

Këtu ndodhen edhe dokumentat që flasin për persekutimin e Galileo Galileit për herezi, pasi tha se Toka nuk ishte qendra e universit. Ndjekësit e teorive konspirative besojnë se Arkivi përmban edhe prova të jetës jashtëtokësore, e madje edhe tekste të lashtë që mohojnë ekzistencën e Jezusit, si dhe portrete bashkëkohorë të tij (domethënë të pikturuar nga njerëz që e kanë parë).

Fjalën “i fshehtë” e bën edhe më ngatërruese fakti që, nga viti 1881, studiues të kualifikuar janë lejuar të hyjnë në Arkivë, ndonëse atyre nuk u lejohet të shohin dokumenta të pas vitit 1939. Nëse arrin të ndërtosh një fjali me fjalët “Nazistët, komplotu dhe Kisha Katolike”, mund të jesh në gjendje të kuptosh arsyen.

Në vitin 2012, Vatikani përkujtoi 400 vjetorin e Arkivit duke vendosur një koleksion relativisht të vogël prej 100 titujsh në Muzetë Kapitolinë të Romës. /Bota.al /KultPlus.com