Dua Lipa bën dedikim emocionues për refugjatët

Këngëtarja shiptare Dua Lipa tashmë është angazhuar edhe me UNICEF për t’iu ardhur në mbrojtje fëmijëve, të cilët nuk kanë mbështetje dhe detyrohen të ikin nga shtëpitë e veta për shkak të luftës.

Së fundmi, Dua Lipa ka postuar një foto në llogarinë e saj të Instagramit e cila shfaqet e veshur me të zeza dhe në duar mban disa lule të cilat po jua shpërndan disa fëmijëve të cilët janë refugjatë.

“Në prill isha me shumë fat që pata mundësi të kisha një eksperiencë në Liban me UNICEF-in. Kam njohur fëmijë refugjatë dhe të rinj, dhe e pashë se sa të fortë e të guximshëm ishin që t’i përshtateshin çdo rrethane në konflikt. Mesazhi im për refugjatët është se ju tashmë jeni më të fortë se sa mendoni që jeni. Të gjithë fëmijëve ju nevojitet një vend i rehatshëm për të pushuar, të luajnë. UNICEF po i mban fëmijët të mbrojtur dhe i bën të buzëqeshin. Ne jemi prapa jush”- ka shkruar këngëtarja, 23-vjeçare.

https://www.instagram.com/p/By8gZ1oBs5d/?utm_source=ig_embed

‘Larigitio’, filmi i cili kritikon injorancën dhe korrupcionin e zyrtarëve të Kosovës (VIDEO)

Filmi i shkurt me titullin ‘Largitio’ i regjisorit Bujar Berisha, bën fjalë për korrupcionin në vendin tonë.

“Largitio” është një fjalë latine që në periudhen e hershme dhe të mesme perandorake ushtarët edhe oficeret kanë marrë dhurata për besnikerinë e tyre. Me kalimin e kohes Largitio është shëndërruar në atë që ne sot e quajmë korrupcion. Pra Largitio është fjala ose termi më i vjeter që e definon korrupcionin.

Në film paraqitet një burrë në mesmoshë dhe i pjekur, por i frustuar nga përditshmeria. Një ditë pasi që sheh një emision në një televizion shqiptar të Kosovës e thyen atë, pra televizionin.

Regjisori Berisha, për MekuliPress thekson se: “filmi nuk ka qellim politik ose perfitim politik dhe nuk është personale kunder askujt, është thjeshtë një kritikë e hapur ndaj injorances, shoqerisë sonë si dhe ndaj veprimeve të një zyrtari të lartë shtetëror të Kosovës.” 

“Në fund të fundit mesazhi është që ne si shoqëri të vetëdijesohemi, dhe të jemi mirënjohes ndaj njëri – tjetrit edhe për kontributin më të vogël, shprehet regjisori Berisha.



Fatos Berisha zgjedhet drejtor artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Drejtor artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës është zgjedhur Fatos Berisha.

Kjo u bë e ditur në njoftimin e dërguar nga ky teatër, njofton Klan Kosova.

Sipas këtij njoftimi, Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës pas një procesi të gjatë vlerësimi, ku të gjithë kandidatët iu kanë nënshtruar testit me shkrim dhe intervistës me gojë,  në mbledhjen e datës 21.06. 2019 ka zgjedhur z. Fatos Berisha si Drejtor të ri artistik.

Ai do ta udhëheq mbarëvajtjen e punëve artistike dhe kreative në Teatrin Kombëtar të Kosovës për katër vitet e ardhshme.

Sipas tyre, kandidati Fatos Berisha i ka plotësuar të gjitha kriteret juridike dhe profesionale për ta ushtruar detyrën e Drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Filloi edicioni i 12-të i garës “Pianisti i ri 2019”

Shumë pianistë të rinj nga të gjitha trevat shqiptare kanë zbarkuar në Amfiteatrin qendror të Bibliotekës Universitare në Prishtinë, ku do të luajnë pjesë të ndryshme në garën ndërkombëtare pianistike.

Edicioni i 12-të me radhë, që filloi sot (e premte) do të vazhdojë deri më datën 25 qershor. Përveç interpretimeve, e kënaqësisë së tingujve nga piano, të rinjtë pjesëmarrës do të garojnë mes vete për tri çmimet e festivalit, që do të ndahen nga juria profesionale e përbërë prej Adilia Alieva nga Franca, Birsen Ulucan nga Turqia dhe Anna Maria-Maak nga Gjermania.

Organizatorja dhe drejtoresha e festivalit Vlora Baruti, tha për KultPlus se është e kënaqur për nisjen e këtij edicioni. Ajo falënderoi bashkëpunëtorët, jurinë profesionale dhe të gjithë pjesëmarrësit derisa tregoi se rezultatet për kategoritë A1 A2 dhe A3 që performuan në ditën e parë, do të dalin në orën shtatë.

Ky festival dhuron përvojë të rëndësishme në zhvillimin profesionist të pianistëve, dhe u jep atyre mundësinë që të ballafaqohen me skenën dhe me jurinë profesionale evropiane.

Festivali “DAM” dhe Filharmonia e Kosovës e ndajnë çmimin më të lartë “Pianisti i ri 2019”. Edicioni i 12-të i festivalit u radhit në 20 aktivitetet e organizuara për nder të 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës, nën patronatin e Kuvendit Komunal të Prishtinës. /KultPlus

Pamje nga perfomanca e kategorive A1, A2 dhe A3

Grekët e lashtë dhe perëndia iliro-epiriote

Nga: Nelson R. Çabej (pjesë nga vepra, “Në gjurmët e perëndive dhe mitologjemave ilire”_
Përgatiti: Hera Lera

Sot pranohet thuajse me konsensus se Dione, që del në burimet e lashta greke, është një perëndi e tipit të Nënës Tokë, por emri i saj është larg asaj që duhej pritur po të kishte dalë nga ndonjëra prej fjalëve të greqishtes së lashtë për tokën e dheun – gaia, kton dhe pedon.

Në mitologjinë e lashtë greke perëndia origjinale e Tokës ishte Gaea, që më vonë u njoh me emrin Demetra. Në versionin më të përhapur të mitit të krijimit, Gea ishte gruaja e Uranit (por edhe nëna e tij, meqë ajo vetë, nuk kishte prind sepse doli nga kaosi) me të cilin ajo lindi Zeusin. Tek “Eumenides” e Eskilit, një priftëreshë thotë:

“Në këtë lutjen timen, vendin e nderit më të lartë ndër të gjitha perënditë ia jep profeteshës se parë, Nënës Tokë, Gaias.”

Vetë emri i saj, Gaia, tregon se ajo ishte hyjnizimi i tokës, por as kjo fjalë as fjalët e tjera greke për token, nuk mund të lidhen arsyeshëm me emrin e Diones, Nënës Tokë të Dodonës së Epirit. Jo vetëm greqishtja, por asnjëra nga gjuhët e sotme dhe të lashta të Ballkanit, duke përfshirë latinishten e të tjera gjuhë, nuk ofrojnë ndonjë mundësi të dukshme për ta lidhur emrin e perëndeshës Dione me Nënën Tokë: në rumanisht toka quhet pamant, në greqisht – ge, në trakisht – semele, në latinisht- terra, në protosllavisht – zemla etj.

Me ndjenjën e epërsisë kulturore ndaj epirotëve dhe me karakterin e theksuar inkluziv ndaj epirotëve, si dhe me karakterin e theksuar inkluziv të panteonit të tyre, grekët i gjetën herët vend Zeusit në Dodonën pellazgjike, siç e quante atë Homeri. Ata e lidhen atë mitologjikisht me Nënën Tokë epirote, Dione, dhe e certifikuan si ‘grua lokale’ të Zeusit, sepse gruaja dhe shoqëruesja e tij e përhershme ishte Hera. Me kohë, Dione u përfshi edhe në ndonjë nga versionet e shumta të panteonit grek, por vendi i saj në atë panteon mbeti gjithnjë i paqëndrueshëm: ajo herë del si nënë e Afërditës e herë si nënë e Dionisit, herë si bijë e Uranit dhe Gaias – perëndeshës greke të tokës, e herë si analoge dhe njëvlerëse e saj etj.

Panteoni grek ishte një panteon kozmopolit në përbërjen e të cilit kanë kontribuar një numër popujsh të tjerë të Ballkanit, Mesdheut e Lindjes së Afërme. Kështu p.sh, Dionisi, Aresi dhe Semele janë perëndi me prejardhje trake, Isis – perëndeshë egjiptiane, Kibele – ishte Nëna Tokë e frighianëve (brigëve) anatolianë dhe Afërdita e ka prejardhjen nga Lindja e Afërme. Andaj, pyetja e mundshme “përse grekët e lashtë do të futnin në panteonin e tyre një perëndi iliro-epirote?”, e ka përgjigjen, mbi të gjitha, në karakterin thithës dhe eklektik të panteonit grek, si dhe të artit e kulturës së lashtë greke në përgjithësi.

Evans, mendon: “Emri Dione është forma femërore e Zeusit, që mban të njëjtën prapashtesë si Dodona. Prapashtesa n- është shumë e përdorur për emrat hyjnorë në shumë popuj të familjes, sidomos ndër italikët. Në fakt, Dione ka një paralele thuajse të saktë në Dianën latine, e cila adhurohej në një pyll të vogël me pemë në Nemi, që kishte edhe një pemë të shenjtë, me shumë të ngjarë një lis.”

Duket se këtu, ai përzien dy shpjegime të veçanta: i pari se emri i Diones mund të ketë dalë nga feminizimi i emrit Zeus dhe i dyti se ai emër mund të jetë huazuar nga latinët. Lidhur me shpjegimin e parë, edhe në qoftë se, për hir të diskutimit, do të pranonim që Dione ka dalë nga feminizmi i emrit të Zeusit, ne nuk jemi në gjendje të shpjegojmë përse grekët do të futnin prapashtesën -on të një gjuhe të huaj iliro-epirote në emrin grek Zeus, për të formuar emrin hyjnor, Dione. Shpjegimi i dytë është po aq i dyshimtë sa dhe i pari sepse grekët, duke mos qenë fqinjë të drejtpërdrejtë të latinëve, ka shumë pak të ngjarë që ta kenë huazuar emrin Dione nga latinët, 500-600 vjet para pushtimit romak.

Është shprehur edhe hamendja, se Dodona mund të ketë qenë emër i një hyjnie trake por, në mungesë të argumenteve të mjaftueshme, lokalizimi i Dodonës në Epir, me Maqedoninë që ndante Epirin nga Trakia, e bën këtë hamendësim të paqëndrueshëm. Përveç kësaj arsyeje gjeografike, trakishtja përjashtohet si burim i mundshëm i emrit Dione edhe për një arsye gjuhësore, për të cilën do të flitet më tej.

Emri i perëndisë Dione mund të dilte rregullisht nga emri i sovranit të dëshmuar të panteonit iliro-epirot deiva (kallzore Dei) me prapashtesën -on- që nuk është i panjohur në formimin e emrave hyjnorë, si dhe emrave në përgjithësi në ilirishten (Agron, Audoleon, Kodrion, Omphalion, Damastion etj.). Po të jetë kështu, Dione do të thotë hyjnore. Një paralele të fortë me këtë, gjejmë në panteonin kelt ku nga një *deua – “hyjneshë” me konsensus, pranohet të ketë dalë emri i perëndisë kelte të ujit Deuona, që në keltisht gjithashtu kishte kuptimin “hyjnore”. Por, ai emër mund të ketë dalë edhe nga reduplikimi i dei, për të shmangur përdorimin e emrit tabu të perëndisë kryesore të iliro-epirotëve Deiva patyros, që dimë se adhurohej nga fiset epirote.

Lidhur me prejardhjen e emrit Dodona, këtu ia vlen të përmenden dy fakte, njëri që vjen nga lashtësia ilire dhe tjetri nga një traditë e sotme shqiptare. Së pari, Hesiku na vë në dijeni se satirët në Iliri quheshin deuadai dhe ne dimë që satirët ishin qënie mitologjike, demonë gazmorë natyrorë, që shkonin pas Dionisit. Duke filluar nga shekulli IV p.e.s., satirët morën nga Pani (perëndia greke e kopeve të bagëtive) formën e dhisë. Faktet e parashtruara më parë të bëjnë të arsyeshëm mendimin se nga fjala ilire për dhinë *dida <*gheida, mund të ketë dalë fjala ilire për satirët deuadai. Po kështu, emri i qytetit dhe i orakullit, Dodona, mund të dilte rregullisht nga rrënja *deuad me prapashtesën ilire -on.

Në dritën e faktit që Dione është perëndia e dheut, emërvendi Dodona mund të dilte edhe nga reduplikimi i fjalës ilire *dho të rikonstruktuar nga Jokli ose *do- nga Pisani, në të cilat është ruajtur -o- e bazës protoindoeuropeane *ghoom ‘dheu’, me prapashtesën ilire -on- që puqet mirë me faktin që Dodona ishte perëndi e tipit të Nënës Tokë dhe orakulli i saj, ndryshe nga orakulli grek i Delfit, kishte karakter thellësisht natyror, ku edhe shërbyesit e orakullit rrinin këmbëzbathur dhe flinin në tokë. Këta shërbyes ishin sellojtë dhe përputhja e habitshme e këtij emri me emrin e suliotëve shqiptarë, që kanë banuar në po atë rajon, mund të mos jetë një rastësi gjuhësore.

Nga emrat e vendeve të sotme në Ballkan, nuk dimë të jetë ruajtur diku vendemri Dodona, por është shprehur hamendja se në lashtësi mund të ketë pasur disa vende të quajtura Dodona, një afër Skotoussa, qytet në Pelasgiotis, Thesali dhe tjetri afër malit Olimp. Por, kjo nuk ka qënë e mundur të vërtetohet dhe gjurmë të këtij vendemri të lashtë në Greqinë e sotme, nuk janë gjetur.

Dodona ndodhet në rrëzë të malit Tomaros dhe hetimi i prejardhjes së emrit të këtij mali mund të hedhë dritë mbi etninë ose fisin që popullonte rajonin rreth Dodonës. Siç u përmend, gjurmë të vendemrit Tomaros, malit në rrëzën e të cilit gjendej Dodona, nuk ka pasur në Greqinë e lashtë as ka në të sotmen*. Përgjithësisht pranohet se, ai është një emër ilir me prejardhje nga rrënja indoevropiane tem (krahaso indishten e lashtë tamra – “duke u errësuar”, që Pokorni e ndjek deri te fjala e shqipes së sotme “tym”, polonishtja dym-”tym”, si dhe letonishtja tima- ”errësirë”.

I vetmi vend në afërsi të drejtpërdrejtë të Dodonës së lashtë, ku gjenden gjurmë të vendemrit të malit Tomaros dhe të Dodonës, është Shqipëria. Në Shqipëri gjendet Tomori, homonimi i malit Tomaros, rrëzë të cilit gjendej Dodona, që sot ndodhet vetëm rreth 25 kilometra matanë kufirit jugor të Shqipërisë, në një territor shqipfolës deri kohët e fundit. Tomori është mali më i lartë në Shqipërinë e jugut dhe maja më e lartë e tij arrin 2416 metra mbi nivelin e detit. Ai është konsideruar, që kur mbahet mend, si mal i shenjtë i shqiptarëve, është adhuruar si “froni i perëndisë”, është mbiquajtur “Baba Tomori” dhe emri i tij del dhe në betimin “Për Baba Tomor” të shqiptarëve. Mali vazhdon ende sot, të adhurohet si mal i shenjtë në ceremoni të posaçme të përvitshme.

Si vendemër Tomori del edhe në majën tjetër të lartë të vargmalit të Tomorit, që është Tomorica, por edhe si emër i lumit Tomorica, përroi i Tomoricës dhe rajoni i Tomoricës. Në malin e Tomorit gjenden edhe dy vendemra që lidhen më Dodonën e lashtë. Ato janë Qafa e Dhodhonit në anën jugore të Tomorit, mbi fshatin Bargullas dhe po në atë fshat edhe Pllaka e Dhodhonit, që ende konsiderohen vende të shenjta dhe barinjtë nuk e lenë bagëtinë të kullosë atje e madje as të hyjë në ato vende. Afër Poliçanit, mbi Pronovik, gjendet edhe Dërrasa e Dodonës. Në rrethin e Beratit ka edhe një fshat që quhet Dodovec (komuna Tërpan), në juglindje të malit të Tomorrit, që në regjistrimin osman të vitit 1431 del si Dadjan. Duke vënë në përdorim rregullat e fonetikës historike të gjuhës shqipe, forma e lashtë e rikonstruktuar e këtij vendemri do të ishte *Dodion, që duket qartë se ka dalë prej së njëjtës rrënjë nga ka dalë edhe emri Dodona.

Popullsia lokale rreth Tomorit, ende vazhdon të adhurojë vidhet dhe lisat e mëdhenj dhe t’i ruajë ata që të mos dëmtohen. Gratë kanë zakon të varin në degët e atyre pemëve rrobat e njerëzve të sëmurë, me besimin se ata do të shërohen. Siç dihet, lisi orakullar dhe tempulli i Dodonës gjendej rrëzë malit të Tomaros, homonim i malit të shenjtë Tomor. Si Dodona edhe mali Tomar/ Tmar fillimisht, ishin zotërime thesprote andaj që nga fillimi i shekullit të V p.e.s, poetët tragjikë dhe Pindari bëjnë fjalë për një ”Dodonë thesprote”, që më vonë, me rritjen e fuqisë së mollosëve, sidomos me Piron, hynë në zotërimet mollose.

Promovohet libri “Magjia e ligjërimit” i autorit Miftar Kurti

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, është promovuar libri “Magjia e ligjërimit, intervistë me poetin dhe profesorin Agim Vinca” i studiuesit Miftar Kurti, që është libri i pestë në korpusin e tij.

Në këtë libër, profesori Agim Vinca si i intervistuar rrëfen për jetën dhe veprimtarinë e vet, që nga fëmijëria deri në ditët e sotme.

Para audiencës së mbledhur foli, ku ishte prezent edhe profesori dhe protagonisti i librit Agim Vinca, recensenti i librit Mehmet Hajrizi, tha se Vinca është njëri nga intelektualët e kompletuar shqiptar.

“Lënda e këtij libri është një intervistë e gjatë me profesor Agim Vincën, studiues, poet kryengritës, kritik, përkthyes, autor i tridhjetë veprave në krijimtarinë e tij të gjatë. Me këtë intervistë dinamike, dhe me pyetjet e shumta dhe të mençura, Miftar Kurti, e ka nxjerr informacionin e duhur nga i intervistuari. Të pyesësh është e vështirë, sepse duhet të kesh njohuri për atë që pyet. Autori Kurti e ka ndarë librin në shtatë kapituj, secili më interesant se tjetri, me një nivel të lartë, kurse fundi i librit është skalitur me albumin cilësor fotografik.

Kurti ka arritur t’i ngris në art pyetjet e tij dhe libri është strukturuar me kujdes profesional, në harmoni me përmbajtjen” tha Hajrizi, derisa profesori Fazli Hajrizi e ngriti lart figurën e Vincës, e po ashtu përgëzoi autorin për librin.

“Si studiues, publicist, e profesor universiteti, Agim Vinca ishte gjithmonë i etshëm për dije, kaloi nëpër të gjitha fazat e studimit, mori gradën magjistër e doktor shkence. Ai nuk është pajtuar asnjëherë me konjukturat politike dhe në jetë gjithmonë ka kundërshtuar padrejtësitë dhe ka mbajtur anën e popullit” tha ai.

“Magjia e ligjërimit” është botuar nga Shtëpia Botuese “Artini” dhe është dhënë falas për të gjithë pjesëmarrësit. /KultPlus

Profesor Fazli Hajrizi

The Beatles dhe këngët e tyre të nënvlerësuara

The Beatles janë grupi që nuk kanë nevojë për prezantim. Ata qëndrojnë prapa disa prej këngëve më të famshme të të gjitha kohërave, dhe ndryshuan mënyrën se si bëhej muzika. Ndaj, ishte interesante ideja e hashtagut në Twitter (#MostUnderratedBeatlesSong trending), për këngët e tyre të nënvlerësuara.

Sugjerimet nga postuesit ishin të ndryshme, ashtu edhe kriteret e përzgjedhjes. Por, për nder të ditëlindjes së ish-anëtarit të grupit, Sir Paul McCartney, dhe filmit “Yesterday” (Dje) nga Danny Boyle ku flitet për botën ku fshihet kujtesa për Katër Fantastikët, BBC krijon listën e vet.

Kriteri ishte ky: Këngët që nuk kishin shumë vëmendje si pjesë e albumeve dhe që nuk janë paraqitur në kompilacione e as antologji. Lista është si më poshtë:

1. Hold Me Tight (1963)
2. No Reply (1964)
3. I’m A Loser (1964)
4. Rain (1966)
5. Hey Bulldog (1969)
6. You Know My Name (Look Up The Number) (1970). 

Autori i temave të frikshme

“Imagjinata është moralisht asnjanëse, por në fund nuk mund të jetojmë pa të – dhe nganjëherë, nuk mund të jetojmë me të”, – I.McEwan

Ian McEwan është një nga zërat më të rëndësishëm në letërsinë britanike. Shumë origjinal, puna e Ian McEwan na befason me talentin e tij për koncizitet dhe humor. Autori arrin të luajë me engimat që janë njëherazi thelbi i tregimtarisë. Një pjesë e veprave të tij si “Kopshti i çimentos”, “Interesi i fëmijës”, “Shlyerja”, etj. janë përshtatur edhe për ekranin e televizionit.

Ian McEwan ka lindur në 21 qershor 1948 në Aldershot. Djali i një oficeri të ushtrisë britanike, një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Afrikën e Veriut, në Lindjen e Largët dhe në Gjermani. Ishte i diplomuari i parë i kursit të shkrimit krijues të krijuar nga Malcolm Bradbury në Universitetin e Anglisë Lindore. Në fillim të viteve 1980, arriti ta përfshijë veten në skenën letrare britanike me dy koleksione me tregime të shkurtra: “Dashuria e parë, ritet e fundit” (1975) dhe “Në midis fletëve” (1978). Autori është përzgjedhur nga prestigjozja “Times” mes 50 shkrimtarëve britanikë më të mirë prej vitit 1945, ndërsa “The Daily Telegraph” e ka përzgjedhur mes 100 personave më me ndikim në kulturën britanike.

Krijimtaria e autorit do të pasurohet gjithnjë e më shumë, mes të cilave: “Një kopsht çimentoje” (1980); “Fëmija i vjedhur” (1993), çmimi i huaj Femina; “Deliri i dashurisë” (1999); “Shlyerja” (2003); erj. Ka punuar gjithashtu edhe si skenarist në filmat e përshtatur të disa romaneve të tij. Brenda pak vitesh u kurorëzua me çmimet më prestigjioze, duke përfshirë edhe çmimin “Booker”. Specialiteti i tij kryesor? Shqetësimi. Ian McEwan është i patëdytë në ekspozimin e gënjeshtrave dhe mashtrimeve, çka e organizon me një delikatesë të jashtëzakonshme psikologjike.Të gjithë romancierët janë studiues të sjelljes njerëzore, por Ian McEwan e ndjek çështjen me më shumë rigorozitet shkencor, sesa e kërkon vërtet puna.

Prej kohësh, shkrimtarët kënaqeshin të gjeneronin njohuri për veten, por McEwan tregohet i kujdesshëm duke u mbështetur shumë në intuitë. Autori ka të ashtuquajturën “frymë neoklasike”, e ushqyer gradualisht nga poezitë e Filip Larkin dhe nga gazetat në Nature. Temperamenti empirik i McEwan e dallon nga miqtë e tij Martin Amis, Salman Ruzhdi dhe Julian Barnes.

Prindërit e tij e jkishin lënë shkollën që në moshën katërmbëdhjetë vjeçare, pra kishin fare pak interesa letrare. Gjithsesi, shkrimtari tek unë buron nga nëna ime, thotë autori, pasi ajo ishte gjithnjë e bindur për imagjinatën time.

Sa i përket faktit nëse autori është i fiksuar pas stilit, ai shprehet: “Duhet ta pranoj, se po. Por, për të kualifikuar stilin që kërkoj, për mua do të thotë se gjuha duhet të jetë e padukshme. Me këtë dua të them se ajo nënkupton që lexuesi duhet të shohë, dhe jo sipërfaqen e fjalisë. Pra, ka momente kur përpiqem ta kap vëmendjen në këtë sipërfaqe të njëjtë dhe në aspektet e saj lingusitike. Por në përgjithësi, dëshiroj që stili im të jetë transparent. Pak a shumë, si kolona zanore e një filmi: mund të përcaktojë humorin e skenës, por në momentin kur e kupton praninë e saj, vëmendja shkëputet nga ajo çka ndodh në ekran… Që të jesh i udhëhequr nga historia, është e nevojshme që mekanizmat e saj të jenë të padukshme, që ato të veprojnë thellësisht”.

“E kam dashur shkencën nga vitet e adoleshencës, por nuk kam bërë vend për të në historitë e mia, pasi isha një romancier ekzistencialist, i cili nuk do ta ulte veten në konsiderata të tilla. Ishte shpirti njerëzor që më interesonte”, – vijon.Ka shkruar edhe “Në bregun Chesil”, “Shtuna”, “Sëmundje dashurie”, “Amsterdam”, “Qentë e zinj”, “I pafajshmi”./Konica.al

“Sara”

Nga: Bob Dylan
Përktheu: Rrona Jaka

Me shpinë mbi rërë, me shikim kah qielli pa skaje
Kur fëmijët luanin në breg
Ti më erdhe nga mbrapa, dhe të pashë që po m’ikje
Ti më rri afër, ende mund të t’prek
Sara, Sara
Çfarëdo që të bëri të duash të ndryshohesh
Sara, Sara
Shumë e lehtë për t’u parë, e vështir të kuptohesh
Ende kujtoj fëmijët që luajnë me rërë plazhi
Vrapojnë te uji t’i mbushin kovat lodër
Dhe guacat e mbledhura nga duart u shkasin
Teksa ndiqnin njeri-tjetrin mbi të lartën kodër
Sara, Sara
Virgjëreshë e ëmbël engjëllore, dashuria ime e jetës
Sara, Sara
Xhevahir rrezatues, grua imagjinare e të pavërtetës
Flemë në pyll, afër zjarrit si n’andrralla
Pimë rum të bardh kudo që gjejmë bar
Luanim janine dhe dëgjonim përralla
Ti në tregje në Savana la Mar
Sara, Sara
Është kaq e qartë, s’e harroj asnjëherë
Sara, Sara
Dashurisë për ty s’i pendohem ndonjëherë
Ende u dëgjoj zhurmën kambanave Metodike
Do të gjej shërim dhe kur të kem përfunduar
Do të të pres pa gjumë në hotelet më klasike
Duke shkruar “zonja sy trishtuar” që ta kam dedikuar
Sara, Sara
Kudo që do shkojmë, s’do jemi kurrë të ndarë
Sara, Sara
Zonjëzë bukuroshe, nga zemra e pa shkarë
Si të takova? S’më kujtohet prore
Një stuhi tropikale të solli tek unë
Më erdhe në dimër me shkëlqim dëbore
Apo si në Lily Pound ku bëhet ngrohtë shumë
Sara, Sara
Skorpion Sfinks me veshje tradicionale
Sara, Sara

Duhet të më falësh se jam pavlerë fare
Tash plazhi është shkretuar, ka veç leshterik
Ashkla anijeje gjenden në bregore
Ti gjithmonë përgjigjesh kur kisha nevojë për një mik
Me çelës e me hartë te vetja m’afroje
Sara, Sara
Nimfë magjepsëse me hark e shigjetë
Sara, Sara
Kurrë mos më braktis, mos më lër të qetë.


/KultPlus/

Kryeministri më i fuqishëm në paraley është Stambulski i Bullgarisë

Në radhët e çehreve të bardha të mbledhura pranë tavolinave të gjelbra në seancat e Konferencës së Gjenovës, fytyrëkuqi (Aleksandr) Stambouliski, kryeministër i Bullgarisë, binte në sy si një manaferrë e pjekur e dorës së parë. 

Stambouliski trupmadh e çehresertë ka mustaqe që ngjasojnë me të një ushtaraku të regjur. Ai nuk e merr vesh asnjë fjalë në ndonjë gjuhe tjetër, pos bullgarishtes. Njëherë kishte mbajtur një fjalim pesëmbëdhjetë orësh në atë gjuhë grykore dhe pa dyshim se ai është kryeministri më i fuqishëm.
Për vite me radhë si prijatar i Partisë Agrare, të Bujqve, Stambouliski luftoi për ta mbajtur Bullgarinë jashtë luftërave të ndryshme ballkanike. Kishte një ide. Bullgaria ishte një vend bujqësor dhe shpëtimi i saj bazohej në bujqësi, e jo në luftë. Ai kundërshtoi futjen e Bullgarisë në luftën evropiane në anën e Gjermanisë.

“Ky hap do t’ju kushtojë me kokën tënde”, i bërtiti Mbretit Ferdinand dhe Ferdinandi e burgosi. Dy herë gjatë kohës së luftës e dënoi me vdekje, por qeveria nuk kishte guxim ta jetësonte dënimet kundër Stambouliskit, sepse është idol i bujqve të vyer, trima, të përbaltur dhe lëkurëtrashë, të cilët përbëjnë 85 për qind të popullit të Bullgarisë.
Kur ushtria nisi të tërhiqej pas armëpushimit me komitetet revolucionare në krye të regjimenteve të ndryshme dhe pikërisht atëherë kur mendohej se Bullgaria do të binte në bolshevizëm, Mbreti Ferdinand kërkoi që t’ia sillnin para fronit Stambouliskin.

“A mund ta mbash situatën nën kontroll nëse të bëj kryeministër?” – e pyeti Ferdinandi burrin i cili po vuante dënimin me vdekje.
“Kurrën e kurrës nuk mund të punoj me ty!” – i ulëriti Stambouliski. “Të ka mbetur vetëm një punë që duhet ta bësh – shporru nga vendi!” Ferdinandi si një njeri që dinte ta lexonte situatën u largua rrëmbimthi.
Borisi, i biri i tij, donte të largohej me babanë nga vendi. Stambouliski e kapi shtrëngueshëm për krahu.
“Nëse përpiqesh të largohesh nga Bullgaria, do t’ju arrestoj”, i tha ai. “Ti je mbreti i ri”.

Kështu që tani, Borisi, një riosh qejfli e kozmopolitan, është mbret, dhe të jesh mbret nënkupton se duhet t’i shkosh për qejfi Stambouliskit, i cili merr shpesh udhë drejt Sofjes nga ferma e tij sa për të parë se qeveria po e drejton mirë vendin. Nganjëherë, ai nuk lëviz nga ferma nga dy a tri javë me radhë. Nuk ka lidhje telefonike, dhe ambasadorët presin dy ose tri javë për ta takuar. Pastaj ai vjen, i kërkon Borisit të përkthejë, u thotë ambasadorëve çfarëdo që i teket e s’i teket, çfarë do të bëjë e çfarë s’do të bëjë, dhe kthehet në fermën e tij.

Nuk ka probleme të brendshme në Bullgari, nuk ka kurrfarë telashesh me pakicat. Partia e Bujqve – dhe ata janë bujq përnjëmend, asi që marrin pjesë në seanca të parlamentit të veshur me jakne me lëkurë delesh dhe me çizme të përbaltura – ka 150 deputetë. Pasohet nga Partia Komuniste me 50 sosh. Deputetët e vetëm të tjerë janë dy përfaqësues borgjezë, të cilët nuk gëzojnë kurrfarë të drejte për t’iu shkuar fjala si pakicë.
Në një mbledhje të Partisë së Bujqve, Stambouliski kishte mbajtur fjalimin e famshëm prej pesëmbëdhjetë orësh. Ai fjalim ua copëtoi zemrat komunistëve. Nuk është hiç punë e lehtë të kundërshtosh me pak fjalë një njeri që mund të flasë pesëmbëdhjetë orë pa ia ndarë.

Bullgaria i ka punët më mirë se Serbia, e cila duhet të mbajë një ushtri të madhe për t’i fashitur problemet e “serbëve të rinj”, shumica prej të cilëve nuk dëshirojnë të njihen fare si serbë. Bullgaria ka bukë boll, përderisa krejt Evropa po vuan zinë e bukës, sepse Stambouliski po merret me bujqësinë. Në konferencë, Stamboluski nxjerr trupin para në karrige, zhbiron tavanin me çehren prej kau, dhe s’ia heq sytë llambadarit me dritat verbuese që lëshohen poshtë. Herë pas here, ndërron pak çehre, por vetëm atëherë duket se ky njeri di edhe të qeshet. Dhe kur i çelet pak fytyra, në ato raste të rralla, nënkuptohet se Stambouliski po mendon se derisa po zhvillohet konferenca në Gjenovë, bujqit po mbjellin tokën atje në Bullgari.

(Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”)

“Gjurmët” mblodhën 8.800 €, i dedikohen Shkollës së Muzikës

Komuna e Prishtinës ka publikuar numrin e parave të grumbulluara nga shtija e biletave për koncertin e grupit “Gjurmët”, që u mbajt më 12 qershor. Sipas Komunës së Prishtinës, nga ky koncert janë mbledhur gjithsej 8.800 euro. Përmes një njoftimi është theksuar se shuma e mbledhur 8.800 € nga koncerti i grupit “Gjurmët” do të përdoret për blerjen e instrumenteve muzikore për nder të 70-të vjetorit të shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtine, shkruan gazeta “Zeri”.

Në anën tjetër, nga aktiviteti “Loja e yjeve” janë mbledhur 9.288 euro. Shuma prej 9.288 eurosh e mbledhur nga shitja e biletave të “Lojës së Yjeve” do t’u dhurohet familjeve në nevojë në Prishtinë. “Komuna e Prishtinës falënderon përzemërsisht Granit Xhakën, Milot Rashicën, të gjithë ‘yjet’ pjesëmarrës në ndeshje, grupin muzikor ‘Gjurmët’ dhe mysafirët artistë që i janë bashkëngjitur qëllimit tonë bamirës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Bashkë me “Gjurmët” në skenë atë natë u ngjitën këngëtarë të njohur nga Kosova e Shqipëria, si Boiken Lako, Elina Duni, Genc Salihu, Violeta Zefi, Dren Abazi e “ZigZag Orkestra”, Alban Nimani, Shpat Deda, Dukagjin Lipa, Xuxi, Tomor Kuçi, Marsela Cibukaj, Edona Vatoci, Nezafete Shala, Ardian Behrami Cipa dhe Grupi Polifonik për ketë mbrëmje, që u mbajt me moton: “Kur kanga dhe dashnia u kthyen në qytet!”.

Rikujtojmë se historia e grupit në përbërje të Migjen Kelmendit, Tomorr Kurshumliut, Bekim Dylës, Armando Gjinit dhe Petrit Rizës është e dokumentuar edhe në librin “GjurmëtLP”, të botuar menjëherë pas luftës në Kosovë, që u ribotua edhe në vitin 2017. Brenda librit lexuesi mund të njoftohet më shumë me mënyrën se si u dashurua atë kohë publiku me stilin e veshjes, me koncertet e grupit ‘Gjurmët’ dhe ndikimin e tyre në kulturën e nënkulturat e asaj kohe. Lumi i Prishtinës ku mbeti? Ku janë serbët dhe shqiptarët që kanë jetuar bashkë? Josip Broz Titoja, si u pa shembja e Jugosllavisë së krijuar nga ai në skenën e rock’n’rollit?. Pyetje si këto dhe të tjera janë brenda shkrimeve në këtë libër.

Babai i Beyonce: Lëkura më e ndritshme e ndihmoi atë të bëhet superyll

Beyonce nuk do të ishte bërë superyll në qoftë se do të kishte lëkurë më të errët, sipas babait dhe ish-menaxherit të saj.

Mathew Knowles këmbëngul se vajza e tij nuk do t’i kishte arritur majat e top listave si udhëheqëse e Destiny’s Child dhe pastaj si një forcë solo nëse nuk do të kishte lëkurë më të ndritshme.

“Në industrinë e muzikës, ka ende segregacion,” tha Knowles për The Clay Cane Show” të SiriusXM të mërkurën. “Udhëheqësit e programeve, sidomos ata në pop radio, e kanë këtë imazh se si duket bukuria. Ata donin që ky imazh të jetë i njëjtë sikur këndimi i atyre këngëve, shkruan KOHA Ditore.

“Nëse shikoni prapa, madje edhe Whitney Houstonin, nëse i shikoni ato foto, se si e bënë atë të duket më e bardhë në lëkurë… ekziston një perceptim, kolorizëm, sa më i bardhë që je, aq më i mençur, më ekonomikisht… ekziston një perceptim në të gjithë botën për ngjyrën, madje edhe tek zezakët”.

Dhe kur u pyet nëse lëkura e errët do të kishte ndikuar në karrierën e Beyonce, Mathew shtoi, “Mendoj se do të kishte ndikuar në suksesin e saj.”

Duke e përdorur shembullin e anëtares së bendit “Destiny’s Child”, Kelly Rowland, ai pohoi se suksesi i saj solo në Amerikë ishte ndikuar nga ngjyra e lëkurës së saj, por deklaroi: “Gjëja e mirë është se Kelly pati arritje të jashtëzakonshme jashtë Amerikës, veçanërisht në Australi. Kelly i shiti mbi katër milionë albume. Ajo vetëm doli jashtë skenarit.”

Sopranoja Marigona Qerkezi me rolin e Matildës në pesë teatro italiane

Sopranoja Marigona Qerkezi i është përveshur punës për të sjellë në pesë teatrot e Italisë rolin e Matildës, një rol i pasur, por edhe i vështirë në aspektin vokal dhe dramatik. I është besuar sopranos kosovare që në kastën e parë. Opera “Guglielmo Tell” është opera e fundit e kompozuar nga Gioacchino Rossini. Për herë të parë u inskenua nga Opera e Parisit në “Salle Le Peletier”, më 3 gusht të vitit 1829.

“Roli i Matildës është shumë i dashur për mua për shumë fakte, një nga to sepse është kompozuar nga njëri ndër kompozitorët e mi të preferuar, Gioacchino Rossini. Repertorin dhe opusin krijues të këtij kompozitori kam pasur fat dhe nder t’i perfeksionoj me maestron e madh, tani të ndjerë, z. Alberto Zedda – mjeshtër rossinian i njohur botërisht”, ka thënë Qerkezi.

“Premiera do të jetë në teatrin shumë të dashur për mua, në skenën e të cilit fitova konkursin ‘AsLiCo’ në vitin 2015, në ‘Teatro Sociale di Como’, më 26 shtator”, ka thënë Qerkezi. Me po këtë shfaqje, Qerkezi do të rrugëtojë në Teatro Ponchielli di Cremona më 4 dhe 6 tetor e në Teatro Grande di Brescia më 11 tetor.

Viti që vjen do ta gjejë në Teatro Fraschini di Pavia më 17 janar, si dhe në Teatro Sociale di Bergamo një javë më pas.

Qerkezi gjatë kësaj kohe ka pasur disa role nëpër teatro të rëndësishme, duke veçuar edhe performancën e saj në Gran Teatre del Liceu në Barcelonë, vitin e kaluar. Aty sopranoja luajti rolin e Madama Cortese në operën “Il Viaggio a Reims” të Rossinit./Koha

Dhjetë bibliotekat më mbresëlënëse në botë

Edhe nëse nuk i përkushtoheni shumë librit dhe leximit, nuk mund ta mohoni madhështinë e këtyre 10 bibliotekave. KultPlus ua sjell më poshtë, përzgjedhjen e bërë nga Google Art.

BIBLIOTEKA “GEORGE PEABODY”, BALTIMOR, SHBA

Biblioteka me pesë nivele konsiderohet aq e bukur sa që nganjëherë edhe martesat mbahen brenda atriumit neo-grek. Gjithçka aty është financuar nga një djalë i mirë i quajtur George Peabody.

BIBLIOTEKA E BIRMINGAMIT, ANGLI

Eksterieri u kompletua në vitin 2013, me 5,357 unaza të mbivendosura, si nderim për lagjen e bizhuterisë në qytet. Ajo u hap zyrtarisht nga aktivistja Malala Yousafzai.

BIBLIOTEKA “CLEMENTINUM”, PRAGË, ÇEKI

Ndërtesa e stilit barok u ndërtua nga jezuitët më 1622. Legjenda thotë se ndërtimi nisi me një libër, ndërsa përfundoi me 20 mijë.

“DHOMA MBRETËRORE PORTUGEZE E LEXIMIT”, RIO, BRAZIL

Me koleksionin më të madh të librave portugezë jashtë Portugalisë, biblioteka është themeluar nga 43 emigrantë politikë për të promovuar kulturën kombëtare në Brazil.

BIBLIOTEKA PUBLIKE, NJU-JORK, SHBA

Kjo është biblioteka më e njohur nga filmat, si nga “Day After Tomorrow” (2004) apo “Sex and the City” (2008).

BIBLIOTEKA E VJETËR E KOLEGJIT TË TRINISË, DUBLIN, IRLANDË

Është 61 metra e gjatë, e dekoruar me tavane të harkuar dhe buste mermeri të autorëve të famshëm. Vëllimi më i famshëm aty është “Libri i Kellsëve” – dorëshkrim në latinisht që përmban katër ungjijtë e Dhiatës së Re.

LIBRARIA E QYTETIT, SHTUTGART, GJERMANI

Gjithçka duket si piramidë e përmbysur. Panelet e kulmit emitojnë dritë të kaltër edhe natën, ndërsa një pjesë e koleksionit është e qasshme për 24 orë – në atë që quhet “Libraria e të pagjumëve”.

BIBLIOTEKA “ALEXANDRINA”, ALEKSANDRIA, EGJIPT

Dhomat e leximit priren kah deti si orë diellore. Muret e granitit janë të dekoruara me shkronjat e qindra gjuhëve.

BIBLIOTEKA “MARCIANA”, VENECIA, ITALI

Ndërtesa e kohës së Renesancës ka një nga koleksionet më të mëdha në botë të teksteve klasike. Pos 750 mijë librave, brenda mund të shihni edhe veprat e Titianit dhe Tintorettos.

BIBLIOTEKA PUBLIKE, TAIPEI, TAJVAN

Biblioteka me materiale ekologjike e pastron ujin, punon me panele diellore dhe ventilim natyral. Brenda janë mbi 20 mijë libra në gjuhën angleze dhe kineze. /KultPlus

Gruaja e ish-presidentit francez sonte do të këndojë për shqiptarët në Butrint

Në Ditën e Festës së Muzikës, kantautorja dhe modelja e njohur, Carla Bruni do të këndojë mbrëmjen e sotme në teatrin e vjetër të Butrintit.

Bashkëshortja e ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy, ka zgjedhur t’i prezantohet për herë të parë publikut shqiptar me albumin e saj më të fundit, 11 këngë në teatrin e parkut kombëtar, një nga objektet arkeologjike më të rëndësishme të trashëgimisë tonë dhe asaj botërore.

“Përshëndetje të gjithëve në Shqipëri. Doja t’ju thoja që quhem Carla Bruni e që do të këndoj për ju Ditën e Festës së Muzikës, në teatrin e vjetër të Butrintit në orën 21:00 dhe shpresoj që do të jeni atje”, është shprehur kantautorja.

“French touch” (Prekje franceze”, është albumi i pestë të cilin Carla Bruni e hodhi në treg në vitin 2017. Kopjet e shitura të gjithë krijimtarisë së saj kapin shifrën e 5 milionë albumeve.

Bruni është vlerësuar si një nga gratë më të rëndësishme në botë nga revista “Forbes” në vitin 2010.

https://www.facebook.com/pg/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/

Pink Floyd – Koha

Duke i lënë pas çastet e një ditë monotone
I harxhojmë orët papërfillshëm
Duke bredhur këtij qyteti 
Teksa presim për dikë a diçka të na hapë sytë.

Je lodhur nga drita e diellit 
Rri në shtëpi dhe shiun që bjen shikon 
Je i ri, ke gjithë jetën përpara
Dhe sot ke mjaft kohë që atë ta çosh dëm.
Pastaj ashtu kalimthi një ditë 
që i ke lënë 10 vite prapa shpinës e kupton.
Askush nuk të tregoi vrapin kur ta fillosh
Duke humbur kështu çeljen tënde.

Dhe pastaj ti vrapon e vrapon që ta zësh diellin
Por ai fundoset… dhe del përsëri prapa teje.
Dielli është po ai mirëpo ti je vjetëruar
Tash ke më pak frymëmarrje
Tash çdo ditë e më tepër 
vdekjes je duke iu afruar. 
Çdo vit duket se po bëhet më i shkurtër
Po kurrë s’ka për të ngjarë të gjesh më kohë.
Planet që ose nuk ekzistojnë hiç 
ose janë thjesht disa vargje shkarravinë
Janë të mbytura qetë në pikëllim. 
Koha iku, 
Mbaroi kënga, 
Mendoja që kisha më shumë për të dhënë.

Në shtëpi, përsëri në shtëpi
Sa të mundem të jem këtu më pëlqen
Është mirë t’i rreshkë eshtrat pranë zjarrit
Kur të jem i lodhur dhe kur nga të ftohtit trupi më kërcen.

Larg atje, përskaj fushave
një këmbanë e hekurt tingëlloi
i thërret besimtarët të bien në gjunjë
Butësinë e fjalëve magjike ta dëgjojnë.

Poezia nga Roger Waters
Përshtati: Nuhi Sadiku & Ardian Batusha

UNESCO-ja bashkon ekspertët në solidaritet për Mosulin

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO, Universiteti i Kombeve të Bashkuara dhe National Estate of Chambord (Francë) do të organizojnë një ngjarje ndërkombëtare në kështjellën në Chateau de Chambord solidaritet me komunitetet e Mosulit që po luftojnë për të rimarrë strukturën shoqërore të qytetit në veri të Irakut dhe për të rindërtuar monumentet e saj ikonike, të cilat u shkatërruan nga ISIS-i.

Kjo ngjarje do të mbahet më 26 të këtij muaji, shkruhet në njoftimin e UNESCO-s, përcjell Koha Ditore.

“Organizuar në kuadër të projektit të udhëhequr nga UNESCO-ja, ‘Ringjall shpirtin e Mosulit’ , ngjarja do të sjellë së bashku ekspertë, artistë dhe gazetarë të angazhuar për të ardhmen e Mosulit. Kontributi i tyre do të ndihmojë në formësimin e mëtejshëm të iniciativave të UNESCO-s”, shkruhet në njoftim.

Audrey Azoulay, drejtor i përgjithshëm i UNESCO-s, do të hapë konferencën së bashku me Jean d’Haussonville, drejtor i Château de Chambord dhe David Malone, rektori i Universitetit të Kombeve të Bashkuara. Daniel Rondeau, shkrimtar francez, ish-diplomat dhe anëtar i Akademisë franceze, gjithashtu do të marrë fjalën në hapje. Ati Najib Mikhael Moussa, arqipeshk i Mosulit që nga viti 2018, do të flasë për përpjekjet e tij për të shpëtuar prej ISIS-it dorëshkrimet e lashta dhe do të theksojë rolin që ka pasur komuniteti lokal në rimëkëmbjen e qytetit.

“Folës të tjerë të rëndësishëm në këtë eveniment janë edhe Dominique Charpin nga Kolegji i Francës, Susana Abdul Majid, aktore me origjinë irakiane që luajti në shfaqjen teatrale ‘Orestes’ në Mosul dhe të rinj nga qyteti që rrezikuan jetën e tyre për të informuar botën për ato që po ndodhnin gjatë okupimit”, shkruhet në njoftim.

Ambasadorët dhe delegatët nga UNESCO-ja po ashtu do të marrin pjesë në takim, siç do të bëjnë edhe hulumtuesit dhe dijetarët e rinj në fushën e studimeve për Mesopotaminë, historinë e artit dhe shkenca politike, artistët, shkrimtarët, muzikantët dhe aktorë të teatrit, si dhe përfaqësues të rinj të shoqërisë civile.

Kjo ngjarje kërkon të gjejë mbështetje në frymën apelit të suksesshëm të vitit 1960 për të shpëtuar tempujt e lashtë të Abu Simbelit dhe monumente të tjera të Egjiptit të Epërm. Duke përkuar me festimin e 500-vjetorit të fillimit të ndërtimit të Château de Chambord, kjo ngjarje shpall Mosulin si simbol të gjallë të diversitetit historik të Irakut dhe simbol të rezistencës në ditët e sotme, duke denoncuar urrejtjen kriminale dhe dhunën e ekstremizmit./Koha.net/

Dren Abazi rikthehet fuqishëm në Prishtinë me koncert recital

Këngëtari  Dren Abazi është një ndër këngëtarët e suksesshem dhe të dashur për publikun, i cili fillimisht u shfaq me grupin Zig Zag Orkestra, ndërsa më vonë si Dren Abazi. Pas disa viteve rikthehet fuqishem në Prishtinë me një koncert recital, shkruan KultPlus.

Me albumin e fundit ‘Mes Yjesh’ bëri jehonë në rajon dhe u konsiderua si një artist që prek magjinë e skenës.

Ketë lajm e ka bërë të ditur vetë këngëtari përmes një postimi në rrjetin social Facebook:

Jam shumë i lumtur që pas shumë viteve, më në fund po rikthehem në Prishtinë, me një koncert recital të shumëpritur për mua.
Albumi “Mes Yjesh” (me orkester të madhe), 10 vjetori i ZZO-së dhe shumë surpriza të tjera, në një natë shumë speciale për të gjithë ne.
12 Korrik, amfiteatri i Germisë,ora 20:00
E gjithë kjo nuk do të ishte e mundshme pa mbështetjen e madhe nga Komuna e Prishtinës,Ministria e Kultures KS ,Ministria e Kultures Al,dhe gjithë sponsoret e tjerë.

Biletat mund ti gjeni nga dita e martë, në cdo pikë të Rave Travel, Kiosku informativ në Sheshin Zahir Pajaziti ,Sound Effect në Albi Mall si dhe në “Dit e Nat”, “Miqt”, “Soma book station” , Prishtinë.

Në Tiranë biletat i gjeni vetëm te Radio.
Biletat në Maqedoni i gjeni online në :

https://mktickets.mk/
https://www.karti.com.mk/

Afiche design: Eduina Jaupi/KultPlus.com

Një natë para pyllit….

Bernard-Marie Koltès

Përkthyer nga Elona Caslli

Ky monolog është bazuar në një histori të vërtetë. Një mbrëmje me shi dramaturgu francez takon një refugjat me të cilin bisedon. I huaji i flet për gjendjen e tij prej “të huaji” në atë vend.
Refugjati është krejt i vetëm dhe flet me dramaturgun ashtu siç nuk kishte folur kurrë me njeri më parë.

Duhet të rrimë nga ana tjetër, pa njerëz vërdallë, miku im.
Kur kam dëshirë të të them, atë që duhet të të them.
Të ndihemi mirë. Për shembull, shtrirë mbi bar dhe mos të lëvizim më, me hijen e pemëve.
Atëherë do të të thoja: “Këtu jam mirë, këtu është shtëpia ime. Po shtrihem dhe të përshëndes.”
Por, këtu miku im , është e pamundur. Kurrë nuk kam parë një vend, ku të lënë rehat dhe të përshëndesin.
Duhet të të përzëmë – të thonë. Ik andej, ik andej!
Ik atje poshtë, çoje bythën!
Dhe bën gati valixhet, puna është tjetërkund.
Gjithmonë, puna është në një vend tjetër dhe ti duhet ta kërkosh.
Nuk ka kohë për t’u shtrirë, për t’u çliruar. Nuk ka kohë për të dhënë shpjegime dhe për të thënë:
“ Të përshëndes.”
Me shkelma bythëve të përzënë. Puna është gjithmonë tutje, gjithmonë e më larg , deri në Nikaragua.
Po deshe punë, duhet të zhvendosesh. Kurrë nuk mund të thuash:
“ Kjo është shtëpia ime. Të përshëndes.”
Kur iki nga një vend, më duket gjithmonë sikur braktis një shtëpi dhe se vendi ku do të iki nuk do të jetë kurrë shtëpi për mua.
Kur të bien me shqelma bythëve, ti nisesh përsëri
dhe atje ku shkon je akoma më i huaj, gjithmonë e më pak në shtëpi.
Kur të bien me shqelma bythëve, ti nisesh përsëri
dhe kur kthen kokën pas or mik, nuk sheh veçse shkretëtirë.
Ndalojmë një herë e mirë dhe le t’u themi:
“Ikni, qihuni ! Unë nuk zhvendosem më. Ju duhet të më dëgjoni.”
Po të shtrihemi një herë e mirë në bar dhe t’i japim kohë njëri-tjetrit; po të rrëfesh ti historinë tënde, ata që kanë ardhur nga Nikaragua, të rrëfejnë historinë e tyre dhe ta pranojmë se jemi të gjithë të huaj dhe ta dëgjojmë me qetësi njëri -tjetrin, atëherë do ta kuptojmë se atyre nuk u rruhet trapi fare për ne.
Kur punoja, flisja me të gjithë ata që i kishin përzënë me shqelma bythëve dhe kishin zbarkuar këtu për të gjetur punë. Ata më dëgjonin.
Unë i dëgjoja ata të Nikaraguës dhe ata më tregonin se si ishte vendi i tyre.
Atje, na ishte një gjeneral i vjetër që rrinte ditë e natë, anë një pylli.
Ai rri gjithë kohës atje. Atje ia çojnë ushqimin sepse ai nuk duhet të lëvizë.
Ai duhet të qëllojë me armë këdo që lëviz dhe e furnizojnë me municione sa herë që i mbarohen.
Më tregonin për një gjeneral që bashkë me ushtarët rrethon pyllin.
Gjithçka që lëviz vihet në shënjestër.
Gjithçka që shfaqet anë pyllit,
gjithçka që nuk ka ngjyrën e pemëve,
gjithçka që nuk lëviz njësoj si to,
vihet në shënjestër.
Unë i dëgjova të gjitha këto dhe thashë me vete se gjithandej është njësoj.
Sa më shumë të më bien me shqelma bythëve, aq më i huaj do të jem.
Ata vijnë këtu dhe unë shkoj atje.
Atje, ku gjithçka që lëviz, fshihet në male.
Unë i dëgjova të gjitha dhe thashë me vete:
“ Unë nuk lëviz më. Po nuk pata punë, nuk punoj. Po më çmendi puna dhe po më zunë me shqelma bythëve, nuk punoj më.”
Dua të shtrihem, një herë e mirë , dua të shpjegohem, dua barin, dua hijen e pemëve.
Dua të ulëras. Dua ta kem mundësinë të ulëras edhe nëse me qëllojnë me armë, sepse këtë bëjnë ata. Po nuk u binde, po hape gojë, duhet të fshihesh në fund të pyllit.
Ndoshta, është më mirë, kështu.
Të paktën t’i thashë ato që duhet të të thoja.

Postuar në Facebook nga Liridon Mulaj./KultPlus.com

Marrëzitë e politikës shqiptare

Ndue Ukaj

Ngatërresat dhe mosmarrëveshjet politike shqiptare janë bërë të padurueshme, aq të mëdha e aq të fëlliqta, sa nuk ka mendje racionale që mund t’u jep shpjegim.

Thjesht, marrëzitë politike shqiptare kanë dalë përtej mundësive që ofrojnë dijet e ndryshme humane për t’i kuptuar, gjykuar dhe shpjeguar fenomenet politike. Dhe si pasojë e kësaj, ka vite prej kur askush ndër ne nuk flet për vlera demokratike e cilësi politike. Mjerisht, te ne flitet për përmasën e krimit dhe të së keqes!
Shqipëria është një kaos ngatërresash, kanë thënë të diturit para një shekulli, por pas një shekulli, ky kaos nuk duket se e ka fundin, dhe tani e ka përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar, Kosovën.
E në këso momentesh dëshpërimi, është e udhës t’i thërrasim në ndihmë klasikët e mendimit dhe të kulturës, etërit e kombit, të cilët i kanë kuptuar të gjitha marrëzitë dhe poshtërsitë politike shqiptare. Prandaj, ta lexosh sot Fishtën, Konicën, Nolin, Merxhanin, Harapin, etj., të duket se ata janë ngjallë dhe jetojnë në Prishtinë e Tiranë.
Ja disa vargje të Fishtës që duket se janë shkruar sot në Tiranë apo në Prishtinë:
“Ju rrugaça e sallahana
vagabonda, shakllabana,
rriqna t’ndyet, mikrobe të kqij
qi të mjerës ksaj Shqypni
thellë hi i keni në mushkni
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbë mbi dhè
der kur ju, t’u tallë npër ne,
do t’na qelbni fis e atdhè?”

Sot, pas afro një shekulli, të paktë janë ata shqiptarë që nuk e gjykojnë realitetin politik shqiptar ngjashëm me Fishtën. Kurse në taborin tjetër, mund të jenë grusht i vogël njerëzish të lidhur me interesa egoiste, që nuk kanë të bëjnë asgjë më shtetin, demokracinë dhe lirinë.
Dhe përballë këtij realiteti të zymtë politik, të paktë janë ata shqiptarë që nuk ndihen të turpëruar dhe të poshtëruar deri në palcë për degradimin kaq të madh që i kemi bërë vetvetes, për shkak të batakçinjve dhe idiotëve të shumtë në politikë, që kanë qelbë çdo gjë dhe e kanë deformuar e zymtësuar fotografinë e kombit tonë.
Si pasojë e kësaj, bota na sheh dhe gjykon si komb të pa emancipuar politikisht, si komb ngatërrestar që nuk është i zoti asnjë mosmarrëveshje politike ta tejkalojë pa ndërhyrje të jashtme.
Përsa kohë të kemi këso ngatërresash mes nesh, është turp të kërkojmë nder e respekt nga të tjerët. Është turp të kërkojmë që të tjerët t’i mirëkuptojnë marrëzitë tona e ne të vazhdojmë t’ia nxjerrim sytë njëri-tjetrit.
Prandaj, njerëz, ndaluni sa nuk është tepër vonë, thirreni arsyen dhe mësoni nga historia dhe këshillat e vlefshme.
“Demokracia është dialog dhe dialogu hap portat e paqes”, ka këshilluar nobelisti i madh Octavio Paz.
Nëse vazhdojmë ta godasim vetveten kështu dhe të qesim mure të pakalueshme mes nesh, nesër mos të kërkojmë nder e respekt në botë.
Dhe nëse vërtet duam ta dimë ku e ka zanafillën krejt ky degradimi i madh i shqiptarëve dhe pazotësia jonë për të bërë shtet normal, atëherë atë duhet kërkuar te trashëgimia e keqe otomane dhe komuniste, nga të cilat botëkuptime ne ende nuk jemi çliruar./KultPlus.com

Papafingo

Poezi nga Ezra Pound

Ejani, t’i qajmë ata që janë më mirë se ne.
Eja, mike, dhe kujto,
të pasurit kanë  shërbëtorë dhe jo miq,
kurse ne kemi miq dhe jo shërbëtorë.
Ejani, të vajtojmë për të martuarit e të pamartuarit.
Agimi hyn me hapa të vegjël
si një Pavlova e praruar,
Dhe unë jam pranë dëshirës sime.
As ka në jetë  diçka më të mirë
Që këtë çast freskie të qartë,
Çasti për t’u zgjuar në dashuri./KultPlus.com

Adelina Ismaili sjell këngën e re (VIDEO)

U publikua kënga dhe videoklipi i paralajmëruar tash e sa ditë nga Rina Balaj dhe Adelina Ismaili.

“Qikat” iu servua fansave përmes kanalit Youtube, ku për më pak se një orë grumbulloi rreth 50 mijë klikime.

Ajo që cilësohet si Diva e muzikës sonë, Adelina, në këtë këngë dëgjohet se si e ka modifikuar tekstin e hitit të saj “kanagjegji”, duke iu referuar Rinës si “Mami”.

Hysen Dizdari kthehet nga Kina me tri çmime për filatelinë shqiptare

Libri “Nëna Tereza në pullat shqiptare” ka marrë në konkursin botëror “CHINA -2019”, vlerësimin me medaljen në shkallë botërore “Silver”, ka bërë të ditur Hysen Dizdari.

“I ftuar në konkursin botëror të librave për filatelinë – “China 2019”, nga data 11 deri 17 qershor 2019, isha në Kinë i ftuar nga Federata Kineze e Filatelisë, ku konkurrova me tre librat e mi, kushtuar Filatelisë Shqiptare. Dje jam kthyer nge Kina me tre medalje-SILVER për librat e mi”, ka thënë Dizdari, transmeton Koha.net.

Çmimet e tij ishin për librat e tij:

1- Skënderbeu në pullat shqiptare,

2- Nënë Tereza në pullat shqiptare, dhe

3- Flora dhe fauna detare në pullat shqiptare.

Rita publikon “Ritual” (VIDEO)

Rita Ora ka publikuar këngën më të re në bashkëpunim me Tiesto dhe Jonas Blue.

“Ishim gjithë bekim gjatë punës në këtë projekt arti për ju dhe shpresoj se do ta doni më shumë se unë”, ka shkruar Rita në Instagram, ku ka njoftuar për publikimin e kësaj kënge.

Këngëtarja jonë paraqitet me dukje tejet tërheqëse, me flokët e saj bjonde dhe veshje të thjeshtë por që i vënë në dukje format truporë për t’u lakmuar.