Teatri Thessaliko vjen për herë të parë në Shqipëri me shfaqjen «Toka u ngye në të kuqe» që do të realizohet më datën 12 korrik 2019, në orën 21.00, në teatrin greko-romak antik të Butrintit në kuadër të Festivalit të 17-të të Butrintit.
Shfaqja përbënë përshatjen teatrale të veprës homonime
kinematografike të Nikos Foskolos, me regji të drejtoreshës artistike të
teatrit Thessaliko, Kyriaki Spanou. Vepra shpalos sfidat e fshatarëve të
Thesalisë në fillimet të shekullit të mëparshëm me kërkesë kryesore shpërndarjen
e tokës tek fshatarët e varfër.
Stafi i shfaqjes: Skenarë: Apostolos-Fokion Bettas, Kostumografia-Skenografia: Olympia Sideridou, Muzika: Kostas Bombolos, Lëvizjet: Rula Karaferi, Ndihmës regjizori: Stamatia Kagelari, Fotografi-Video: Giannis Xatziantoniou, Ndriçimi: Zoi Molibda-Fameli, Ndihmës skenografi: Maria Ossa. Luajnë aktorët: Thanasis Zerbas, Iosif Iosifidis, Xristos Kordelas, Marsela Lena, Dimitris Mamios, Aleksandros Moukanos. (Shfaqja është e përshtatshme për fëmijët mbi moshën 13).
Më 12 korrik të vitit 1916 lindi Lyudmila Pavlichenko, snajperistja më e suksesshme në histori.
Si 24-vjeçare, kur nazistët po pushtonin Bashkimin Sovjetik
— ajo vëhet në mesin e vullnetarëve të Ushtrisë së Kuqe. Në Odesa, për dy muaj
e gjysmë, Pavlichenko bëri 187 vrasje duke vazhduar edhe në qytete tjera.
Nga numri total i
konfirmuar, ajo ka arritur t’i realizojë gjithsej 309 vrasje të nazistëve, nga
të cilat ishin vrasje të snajperistëve armik për çka u cilësua “Zonja vdekjeprurëse”.
Kantautori amerikan Woody Guthrie, kompozoi këngën e famshme “Miss Pavlichenko” për kontributin gjatë luftës dhe për të përkujtuar vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, ku në shoqërimin e Eleanor Roosevelt-it, Pavlichenko foli për barazinë gjinore. Kënga u bë pjesë e “The Asch Recordings”.
Në objektin e Filharmonisë së Kosovës u mbajt konferenca e organizuar nga Filharmonia e Kosovës, Fakulteti i Arteve – Dega e artit muzikor dhe komuniteti i muzikës klasike, në të cilën u shpalosën brengat që ata kanë për mos ndërtimin e sallës koncertale.
15.4 milion euro janë planifikuar për ndërtimin e kësaj salle në kryeqytet. Mirëpo siç shihet, projekti do të dështojë dhe për këtë kanë reaguar artistët, të cilët janë të indinjuar me mos realizimin e këtij projekti, për mos ndërtimin e një salle të tillë për të cilën ka shumë nevojë.
Valbona Petrovci, Besa Luzha dhe Visar Kuçi folën para audiencës duke i shprehur shqetësimet e tyre dhe masat që planifikojnë t’i marrin nëse gjërat nuk ndryshojnë. Besa Luzha, profesoreshë në Fakultetin e Arteve tha se gjithë komuniteti artistik është indinjuar për ridestinimin e atyre parave, rrjedhimisht për mos realizimin e projektit.
“Gjithë ajo përgatitje, gjithë ajo shpresë që të kemi
një sallë koncertale për aktivitetet e këtyre institucioneve që janë dëshmuar
siç duket po dështon për shkak të mos koordinimit të institucioneve”.
“Neve si komunitet artistik”- vazhdoi Luzha, “nuk na intereson
se kush nuk e ka kryer detyrën e vet dhe kush e ka fajin. Ne mendojmë se duhet
që kushdo që ka përgjegjësi dhe detyrë në këtë punë të ulen dhe ta gjejnë
zgjidhjen ma të mirë të mundshme që mos ta humbim këtë donacion, sepse është
vështirë me ardh në këtë momentum ku kemi qenë”, potencoi ajo.
Më tej, Luzha tha se nëse nuk ka kurrfarë zgjidhje për këtë
punë ata si komunitet artistik do të marrin masa duke i ndërprerë të gjitha
aktivitetet.
Edhe Valbona Petrovci, profesoreshë në Fakultetin e Arteve
shprehu indinjatën e saj duke e quajtur të pafalshme atë çfarë kanë bërë
institucionet në lidhje me sallën koncertale.
“Shprehim indinjatën tonë të thellë për këtë problem me
sallën koncertale. Tash e 45 vjet, Fakulteti i Arteve ka prodhuar kuadro
elitarë që e kanë përfaqësuar denjësisht këtë shtet dhe tani të lejohet që
gjithë këto kuadro të mos kenë ku të performojnë, kjo është e pa
tolerueshme”, tha ajo.
“Shpresojmë që do të ketë mendje të hapura, të cilat do
ta mundësojnë ndërtimin e kësaj salle”, përfundoi Petrovci, derisa Visar
Kuçi që është anëtar i Filharmonisë shprehi po ashtu shqetësimin e tij dhe të
gjithë komunitetit artistik.
“Për Filharmoninë kjo sallë ka qenë e rëndësishme, sepse siç dihet Filharmonia nuk e ka shtëpinë e vet. Kjo është e keqe edhe për ata që dëshirojnë me i dëgju koncertet e Filharmonisë, s’kanë qenë të rëndësishme detajet, e as lokacioni se ku do të ndërtohej. Me rëndësi ka qenë ndërtimi i saj, por sipas lajmeve të fundit ky ndërtim do të dështojë dhe kjo tregon papërgjegjësi të madhe nga ana e politikanëve dhe atyre që e kanë pasur në dorë këtë punë. Ne jemi të shqetësuar, dhe së shpejti do të dalim me një komunikatë. Po shpresojmë që gjërat kanë me ndryshu, përndryshe kjo është një katastrofë e madhe”, përfundoi Kuçi. / KultPlus.com
Nofta kombi ynë do kish sot një faqe tjatër, fare të
ndryshme nga e sotmja, po të qe populli pak më serios dhe t’i gërmonte punët
pak më thellë e me më tepër gjykim.
Mjerisht, ne Shqipëtarët jemi njerës superficialë, njërës që
shohim vetëm cipën dhe nuk çajmë kokën të hyjmë në të thellat. Mjafton për ne
që të na thonë se kemi qetësi, pa se vriten njërës dita me ditë (e në mes të
ditës), se bëhen vjedhje, se grabitet mall e gjë toptan, se rrëmbehen gra e
bëhen qindra turpe të tjera, aqë na bën.
“Zyra e shtypit” nxjer një prokllamatë: “qetësia mbretëron
kudo”; kjo është mjaft të na qetësojë dhe të na kandisë se me të vërtet populli
gëzon qetësinë. Dhe me këtë ide në trutë tona habitemi e shkumbëzohemi, kur
dëgjojmë një tjatër të na thotë se vrasjet e vjedhjet po e tepërojnë zullumin
në Shqipëri, e themi: “Ç’thotë ky sharllatan? Nuk ka sy të shohë dhe tru të
gjykojë?”
Po kur nuk jemi gënjyer që të mos gënjehemi edhe sot?
Kurdoherë, në çdo kohë e në çdo rast, Shqipëtari është
gënjyer aq prej vëllezërve të tij sa edhe prej të huajve. Neve dhe arsya më e
vogël na kandis e na mbush mendjen, dhe aqë, sa vetëm batërdia dhe prishja na
ka sjellë nër vehte. Po kur na vijnë mëntë nuk i hanë as qentë! Pendohemi dhe i
biem kokës, kur zogu ka shpëtuar nga duart tona.
Po nuk është vetëm kjo e keqe që na prish ne Shqipëtarëve.
Edhe kombet e tjerë janë gënjyer e gënjehen. Ajo që na shquan neve është se
pësimet nuk na bëhen mësime. E harrojmë të shkuarën me një frazë të ndyrë “ç’i
gris t’ëmën”, dhe biem prapë në grackat e para. Me këtë mentalitet do mos
mundim kurrë të bëjmë një shtet serios. Sa kohë që ne besojmë edhe kur na thonë
se flytyron gomari, le të mos presim ngritjen tonë sociale dhe politike. Se
ç’pret prej një populli që sheh me syt’ e tij vrasje, vjedhje, grabitje e të
këqia të tjera dhe duartroket qeverinë, kur i thotë ajo se ka qetësi të plotë!
Ka keq edhe më keq dhe vendi ynë ka parë ditë më të errëta
se të sotmet, po të paktën, le të mos mburremi; dhe le të mos qërtojmë e të
shajmë ata që përpiqen për një qetësi të vërtetë, për një qetësi të dalë nga
shpirti dhe dëshira dhe jo të shkakëtuar prej drurit dhe prej burgut. Na thonë,
se qetësia mbretëron në Shqipëri; e besojmë. Na thonë, se për tre javë do
ndodhet eksperti i financave në Shqipëri, gëzohemi.
Na thonë, se qeveria do blejë dhjetë aeroplanë dhe japim me
duart plot. Na thonë, se për pak kohë Shqipëria do të bëhet oksidentale,
duartrokitim. Na thonë, se qeveria e shpëtoi shtetin nga një rrezik i madh,
thërrasim me tërë fuqinë: “Rroftë qeveria kombëtare!” Na thonë se flytyroi
gomari… ne e besojmë! /Gazeta “Dielli”, Boston Mass, e shtunë, 17 shkurt 1923/
“Shqipëria është pjesë e një diskutimi të përbashkët mes 5 vendeve të rajonit, Bosnje Hercegovinë, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Serbi, Mali i Zi, që synon përfshirjen e saj në hartën e destinacioneve turistike të rajonit”, deklaroi sot, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në aktiviteti e organizuar nga RCC në Tiranë.
Klosi tha se për ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, megjithëse Shqipëria është pjesë e një projekti të përbashkët të financuar nga RCC (The Regional Cooperation Council), për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e saj si destinacion i qëndrueshëm në rajon dhe Europë, vendi ynë do të kishte sukses nëse do të futej në treg me një ofertë të përbashkët turistike.
“Mendoj që jo vetëm në rajonin e Mesdheut, por të gjithë rajonet kanë filluar të mendojnë si destinacione të përbashkëta pasi tregu i turizmit ka ndryshuar shumë, tregu i atyre që udhëtojnë ka ndryshuar shumë, tregu i atyre që përfitojnë nga turizmi ka ndryshuar shumë dhe gjithmonë e më shumë ofertat janë bërë komplekse. Prandaj unë do të doja shumë që t’ju nxisja të gjithëve ju që jeni këtu për të qenë pjesë e ideve të përbashkëta. NE kemi shumë nevojë për ide, për ta parë ndryshe mënyrën si është zhvilluar turizmi deri tani por natyrisht edhe turizmi së bashku me mbrojtjen e mjedisit”, tha ministri Klosi.
Më tej Ministri Klosi shtoi se për këtë arsye, ministri kërkoi asistencën e shoqërisë civile, për të ndihmuar me ide smart, projekte, që nxisin reflektimin e shoqërisë, veçanërisht të intelektualëve të fushës, për përfshirjen e tyre në gjetjen e një ekuilibri mes mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të turizmit.
Ne vijim Klosi shtoi se “Dua të jem mbase i pari që i bëj kritikës vetes dhe mënyrës së zgjedhur sesi ne akoma i menaxhojmë gjërat për sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe të pasurive tona natyrore. Ndaj në këtë kuadër nuk është vetëm ky projekt që është shumë i rëndësishëm, është një projekt që krijon dhe jep grande për shoqërinë civile, për NGO-të, për njerëzit, intelektualët e fushës, në vlera të caktuara financiare të cilat nuk do të doja t’i përmendja pasi nuk mendoj që paratë janë më e rëndësishmja pro janë idetë më të rëndësishme. Edhe ne si institucione shtetërore përpiqemi të jemi pjesë e rrjetit dhe në këtë konkurrencë gjithmonë e më agresive që po bëhet qoftë edhe në fushën e projektit, pasi duhet ta kuptojmë që konkurrojmë me intelektualë nga 6 vendet e rajonit”, tha ai.
“Jemi në konkurrencë të hapur, kush di të mbrojmë më mirë projektet, kush di të paraqesë projekte që influencojnë më shumë sesa një shtet, kush di të lobojë me partnerë e intelektualë të rajonit në përgjithësi për të pasur projekte sa më të ideuara”, tha ministri Klosi, i cili premtoi mbështetje 100% të institucioneve shtetërore dhe agjencive në varësi, që do të mund të shfrytëzohen si laboratorë për çdo projekt dhe ide, që mbrojnë mjedisin dhe nxisin zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. / atsh/ KultPlus.com
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kishte ndarë një fond prej 15.4 milionë eurosh për ndërtimin e sallës koncertale në Prishtinë, por ky projekt tashmë ka dështuar si pasojë e ndërhyrjes së politikës me arsyetimin se nuk kanë gjetur objektin adekuat për vendosjen e kësaj salle, shkruan KultPlus.
Për ketë dështim të institucioneve lokale dhe qendrore ka pasur reagime të shumta nga ana e politikës të cilët gjuajnë ‘gurin’ te njëri-tjetri por, asnjëri prej tyre nuk e pranon fajin e një dështimi të tillë madhor.
Disa nga qeveritarët thonë se këto mjete nuk janë të humbura por do të ridestinohen për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”, mirëpo Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në konfirminin zyrtar nuk ka dhënë asnjë sqarim rreth kësaj çështje.
Fillimisht është propozuar për rrënimin e mundshëm të ish-objektit të Gërmisë, mirëpo ka pasur reagime nga qytetarët por edhe nga vetë artistët, madje ishte nënshkruar edhe një peticion i cili kërkonte të mbrohej objekti përkatës, pasi cilësohet si një nga objektet më ikonike në kryeqytet.
Ndërsa analisti Shkelzen Maliqi i cili ishte kategorikisht kundër rrënimit të objektit të Gërmisë, tashmë përmes një statusi në rrjetin social Facebook për ketë dështim fajëson Beza Luzhën dhe kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmetin, të cilët nuk zgjodhen ndonjë alternativë tjetër ku do të mund të ndërtohej salla koncertale.
“Besa Luzha dhe lobi që Sallën
Koncertale e donte aty ku është objekti i ish Shtepisë së Mallrave
“Gërmia” po akuzojnë komunitetin e artistëve figurativë dhe
arkitektët se e kanë penguar ndërtimin e Sallës koncertale, pasi që qenka
ridestunuar fondi i premtuar i BE-së. Kjo nuk është e saktë. Askush nuk ka qenë
kundër sallës, por është kërkuar që të caktohet lokacion tjetër në qendër të
Prishtinës . Unë kam argumentuar se “Germia” është objekt me vlera
arkitektonike dhe i përshtatshëm për Muze të arteve bashkëkohore, që është po
aq i nevojshëm sa edhe salla koncertale. Shpend Ahmeti dhe Besa Luzha kanë
insistuar që të rrëzohet “Germia” edhe kur është vënë nën mbrojtje,
në vend që të përcaktohen për alternativa. Mundesia per financimin e salles nuk
është humbur, por mbetet që të jemi solidar dhe angazhohemi për dy objekte
kapitale të kulturës dhe jo të akuzohemi mes veti”, u shpreh Maliqi.
Në anën tjetër pianistja dhe
aktivistja Besa Luzha reagoi duke thënë se pikërisht ky reagim e la Prishtinën
pa sallën përkatëse.
“Falë këtyre kompetentëve dhe
juve që e nisët këtë kundërshtim, 15 milionë shkojnë në Kosovën A. Nuk jemi në
garë kush cilin qëndrim e ka pasë, e kush mirë e kush keq. Unë i respektoj
opinionet e të gjithë juve që kundërshtuat lokacionin, sigurisht të prirë nga
interesa pozitivë në parim, mbrojtja e kujtesës eyj…ato janë vlera të mira.
Por fakt mbetet që ky kundërshtim e la Prishtinën pa salllë dhe 15 milionë
u humbën ose rrezikojnë të humben. E për fat të keq, kundërshtimin e bënë
njerëz që do të duhej të ishin të parët për shtyerjen e projektit përpara, me
dashamirësi”, reagoi Luzha.
Ndërsa Yll Rugova, Drejtor i Kulturës po ashtu përmes një statusi në Facebook thotë se ky fond është siguruar me inistim shumë të madh të drejtorisë dhe me ndihmën e Ambasades së Francës, i cili është ndarë për të ndihmuar zhvillimin e kulturës në Kosovë. E veçanërisht për të përmirësuar infrastrukturën shumë të mangët kulturore të kryeqytetit.
Prishtina është i vetmi kryeqytet në Evropë pa sallë të operës dhe pa sallë koncertale.
“Mbaj mend sa shumë punë është
dashur që fillimisht të sigurojmë ato fonde, e më pas edhe për të përmbushur
kërkesat e Komisionit Evropian me komunikim të vazhdueshëm me ta, me punë të
thelluar në përzgjedhje të lokacioneve, me ekspertizë lokale e ndërkombëtare, e
me bashkëpunim ndërinstitucional dhe komunikim të vazhdueshëm me komunitetin
dhe mediat. Më duket e dhimbshme që i gjithë ky interesim dhe entuziazëm i yni
dhe i komunitetit tash po shkon huq për shkak të dembelisë që po mbizotëron.
Kjo dembeli po e cungon zhvillimin e kryeqytetit jo vetëm në fushën e kulturës,
po në të gjitha sferat e saj. Sepse përveç rolit kulturor, salla koncertale
kish me ndiku pozitivisht edhe në përmirësimin e infrasturkturës urbane në
kryeqytet”, shprehet dejtori Rugova.
Përveç këtyre ka edhe reagime të tjera në vazhdën e tyre, në njërën anë mjaft zhgënjyese ndërsa në anën tjetër debate fajësimi midis figurave të institucioneve pa ndonjë epilog të qartë. /KultPlus.com
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e vdekjes së shkrimtarit Rexhep Hoxha, ka ngushëlluar familjen e të ndjerit, dhe gjithë komunitetin e shkrimtarëve në Kosovë.
Thaçi e ka cilësuar të ndjerin si një klasik të letrave shqipe dhe një shkrimtar të guximshëm me librat e të cilit janë rritur shumë breza në Kosovë.
“Vdekja e shkrimtarit Rexhep Hoxha është një humbje për familjen Hoxha dhe tërë komunitetin e shkrimtarëve në Kosovë. Ishte një klasik i letrave shqipe, një shkrimtar i guximshëm, me librat e të cilit u rriten shumë breza. Ngushëllime familjes dhe gjithë miqve të tij!”, ka shkruar Tha֛çi.
Shkrimtari Rexhep Hoxha ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në moshën 90 vjeçare./ KultPlus.com
Për herë të pestë me radhë, festivali i artit “HAPU” e kthen Prishtinën në një park artistik lojërash.
“Ideja që do të humbasësh
nuk mund të të ndalojë të mundohesh”, këtë
gjë na sugjerojnë akrobatët e trupës së cirkut francez Un Loup Pour I’Homme me
lëvizjet e tyre gjatë hapjes së festivalit të artit në hapësirë publike “HAPU”,
shkruan KultPlus.
Duke e shtyrë veten në
skaje të aftësive të tyre, akrobatët kanë nisur rrugëtimin njëjavor të
festivalit Hapu.
Me trupat e tyre, duke e mohuar plotësisht gravitetin, ata na kanë çuar në kufij të realitetit fizik.
Me skenar që i ngjason
lojës pa rregulla, FACE NRD është përpjekur të ringjallë ndjesinë më të
pafajshme dhe më fëmijërore të secilit prej nesh, në të njëjtën kohë duke
treguar fuqinë dhe imagjinatën tonë.
Duke u grindur, shtyrë e
vrapuar si dhe duke shpikur çdo herë rregulla të reja të lojës ata kanë krijuar
një univers paralel si në imagjinatën e një fëmije.
Pas shfaqjes në sheshin ‘Skënderbeu’ është ndezur zjarri i festës për të vazhduar më tej në ambientet e teatrit Oda.
Aktoret Doresa Rexha dhe
May-Linda Kosumovic, e kanë ftuar audiencën që të hapen edhe ata dhe të ndjejnë
ritmin e muzikës dhe të hipnotizohen nga zjarri mbi kokat e vajzave.
Këtë vit HAPU është hapur
edhe në Fushë Kosovë, duke i ftuar njerëzit të luajnë sikur askush nuk është
duke parë, sepse sipas tyre, të luash nuk është luks apo instinkt fëmiror, por
një mënyrë e sinqertë për ta kuptuar veten.
Gjatë ditëve në vazhdim,
në festivalin e artit në hapësirën publike HAPU, do të mund të ndiqni debate,
performanca dhe diskutime mbi artin, cirkun dhe gjithçka mes tyre.
Aktorët dhe performuesit kosovarë, italianë, francezë e gjermanë, do të tregojnë aftësitë e tyre, përgatitjen artistike si dhe kulturën e vendit nga i cili vinë, duke insistuar në çdo hap që të “hapeni edhe ju me ta”. /KultPlus.com
Ne e kuptojmë se
fëmija zhvillohet në një mënyrë të ekuilibruar, koherente dhe krijon aftësi për
të përballuar vështirësitë në botën ku jeton. Me fjalë të tjera, ne flasim për
një shëndet mendor që mund të prodhojë zgjidhje kur fëmija (individi) është vetëm.
Shpesh ngrejmë pyetje për problemet e fëmijëve dhe shpesh kërkojmë sugjerime të
tilla si p.sh. si ta bëj këtë apo atë, të
veproj kështu apo ashtu etj. Megjithatë, nuk ekziston një përgjigje e vetme,
se si shpirti mund të jetë një ilaç i vetëm, si të jesh i mirë apo i drejtë.
Për këtë arsye, i afrohem kësaj teme me konceptin “hyrje në të bukurën që bën
pjesë në fushën e artit dhe estetikës filozofike.”
Po rendisim disa nga gjërat
që e bëjnë të bukur jetën fëmirore dhe rolin e prindërimit
Leximi dhe roli i tij në zhvillimin mendor. Shëndeti mendor i fëmijëve ka një lidhje të drejtpërdrejtë me fjalët. Prandaj leximi është shumë i rëndësishëm. Nëse një fëmijë fiton zakonin e leximit të poezive ose tregimeve, ai / ajo mëson të lidhë fjalët së bashku. Ndërsa zhvillon fjalorin, po kështu zhvillon edhe universin e mendimeve. Zhvillimi i mendimit varet nga fjalët. Prandaj, aftësitë gjuhësore të fëmijëve duhet të përmirësohen për zhvillimin e shëndetit mendor. Artin, poezinë, letërsinë dhe estetikën duhet t’i vëmë në qendër të jetës sonë dhe të fëmijëve tanë.
Njohja e kërkesave, botës së fëmijës dhe përshtatja.
Shumë prindër i japin vetes të drejtë, duke thënë se fëmijës mjafton t’i japësh
dashuri – dhe dashurinë e lidhin me puthjen që ja japin – t’i jepësh të hajë, të
pijë, të flejë dhe me kaq e ke kryer detyrën tënde prindërore. Por këto nuk janë
ato që i kërkohen një prinderimi të mirë! Këto janë kushte biologjike për të
cilat ka nevojë çdo njëri që vjen në botë, qoftë fëmijë, qoftë i rritur. Prandaj
duhet ta kuptojmë se fëmijëria është një gjë e përkohshme, por e mrekullueshme
dhe kërkon një përkushtim më të madh sesa këto që cekëm më lart. Pastaj
prindërit duhet ta kuptojnë se e ndajnë jetën me fëmijën dhe rriten bashkë me
të. Për shembull, prindërit duhet të luajnë me fëmijët e tyre dhe të përfshihen
në botën e tyre dhe kjo përbën një aktivitet që jo çdo prind ka aftësinë dhe
durimin për ta bërë. Për këtë, ju duhet të mësoni dhe të përshtateni për të
luajtur lojërat që kërkon mosha e fëmijës suaj. Për fat të keq, prindërit nuk
dinë të luajnë me fëmijët e tyre. Si të rritur ata ndonjëherë bëhen kaq
realistë sa humbin kënaqësinë dhe pastërtinë e lojës. Prandaj meqë nuk dinë si
të luajnë, ata nuk mund ta përmirësojnë komunikimin e tyre me fëmijët.
Njohja e fëmijës dhe nevoja e rolit ndërmjetësues. Prindi duhet të jetë një ndërmjetësues i shkëlqyeshëm dhe bashkëpunues mes mësuesit dhe fëmijës. Njohja e fëmijës nuk është një proces i lehtë. Në shumë vende të përparuara të botës për të njohur fëmijën, para së çiftet të hyjnë në botën prindërore bëjnë kurse dhe përgatitje për një prindërim të mirë. Një prind duhet së pari të njohë fëmijën e tij, ai duhet ta njohë temperamentin dhe karakterin e tij. Ai duhet ta rrisë fëmijën e tij në përputhje me atë karakter. Kjo mund të arrihet duke u fokusuar në shpirtin e fëmijës./ KultPlus.com
Diell mos pafsha me sy n’luajsha me ty, Kosovë, tokë trëndafilash, ti lindja ime dhe varri, ti dorë martine, shqipe me krahë zjarri, ti besë e përjetësuar, që vdes vetëm atëherë kur dielli për herë të fundit perëndon, kur jeta shkon, s’ka njerëz, kur s’ka stinë, s’ka lule, s’ka pranverë. /KultPlus.com
Shkrimtari dhe historiani i njohur Jusuf Buxhovi, ishte i ftuar mbrëmë në emisionin Rubikon të KTV-së, ku foli për disa tema të ndjeshme.
U
diskutua rreth vrasjes së 102 anëtarëve të LDK-së pas luftës, si dhe rreth
marrjes së pushtetit nga UÇK-ja, që po konsiderohet se ishte puç.
Buxhovi,
mes tjerash tha se UÇK-ja nuk ishte krejt e pastër sepse pas luftës janë vrarë
mbi 100 zyrtarë të LDK-së.
“UÇK-ja
nuk ka qenë e pastër. Ka qenë e drejtë, por ka pasur edhe shumë gjëra të këqija.
Janë vrarë mbi 100 zyrtarë të LDK-së, mbas luftës”, ka potencuar ai.
Buxhovi
gjithashtu ka komentuar edhe ndërkombëtarët dhe rezolutën 1244.
“Në Kosovë ka ndodh një fenomen shumë interesant sepse faktori ndërkombëtar është kujdes që Rezoluta 1244, të sjellë një infrastrukturë demokratike në një shtet të lirë ku çlirimi të kthehet në liri dhe çlirimi të kapet nga çlirimtarët dhe për këtë fajin më të madh e kanë faktori ndërkombëtar”, shtoi ai. /KultPlus.com
Fashistët serbë e krahasojnë Srebrenicën me Kosovë.
20 fashistë serb të veshur me fanella me hartë të Kosovës e simbole nacionaliste ndërprenë shfaqjen për Srebrenicën në Beograd, policia nuk i ndaloi të hyjnë, intervenuan aktorët e publiku e i përzunë nga salla.
Ky grup hyri në shfaqjen “Srebrenica, kur ne të vdekurit
ngrihemi”, të organizuar nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut, dhe
provuan shumë herë që ti ndaloj fjalën regjisorit Zlatko Pakovic me thirrje “në
Srebrenicë nuk kishte gjenocid” e “Ratko Mladic është hero” e nuk u mjaftuan me
kaq e filluan të këndojnë këngë nacionaliste.
Organizatorët disa herë apeluan njësitin policor civil të
ndërhyjnë e t’i largojnë provokuesit që shfaqja të vazhdoj normalisht, njëri
prej tyre kishte thënë se nuk mundet.
Vetëm atëherë kur aktorët dolën të flasin me ta atëherë
policia reagoi dhe i nxori jashtë nga salla. Aktorëve ju bashkëngjitën edhe
publiku.
Policia i kishte deklaruar mediave serbe se nuk mund të intervenonte pasi hyrja ishte e lirë. Ata shtuan se ishte me rëndësi të mos kishte përleshje fizike.
Shkrimtari Jusuf Buxhovi, e ka akuzuar faktorin ndërkombëtar që siç ka thënë ka lejuar çlirimtarët të kapin shtetin.
“Në Kosovë ka ndodh një fenomen shumë interesant sepse faktori ndërkombëtar është kujdesur që Rezoluta 1244 të sjellë një infrastrukturë demokratike në një shtet të lirë ku çlirimi të kthehet në liri dhe çlirimi të kapet nga çlirimtarët dhe për këtë fajin më të madh e ka faktori ndërkombëtar”, ka thënë ai në emisionin Rubikon. /KultPlus.com
John Davison Rockefeller ishte manjat amerikan i industrisë së naftës, dhe filantrop. Konsiderohet si njëri nga amerikanët më të pasur të të gjitha kohëve, dhe personi më i pasur në historinë moderne.
Ai lindi në një familje të madhe njujorkeze, ku edhe u formua. Familja e
tij u zhvendos në Ohajo, prej nga Rockefeller nisi punën, fillimisht si
librashitës në moshën 16-vjeçare pastaj hyri si partner në disa biznese të përqendruara
në rafinimin e naftës.
Në vitin 1870, ai formon kompaninë “Standard Oil” të cilën e drejtoi deri më 1897 dhe u bë aksioneri më i madh i saj.
Pasuria e tij u rrit ndjeshëm, dhe Rockefeller u bë personi më i pasur në
vend duke kontrolluar 90% të naftës në Shtetet e Bashkuara.
“Standard Oil” ishte ndër bizneset më të mëdha në SHBA. Pasuria e Rockefeller
në vitin 1913 ishte 900 milionë.
Vitet e fundit të jetës ai i kaloi në Westchester, Nju Jork, ndërsa pasuria e tij u përdor kryesisht për të krijuar qasje sistematike moderne të filantropisë, duke synuar krijimin e fondacioneve që kishin ndikim në mjekësi, arsim dhe kërkim shkencor. /KultPlus.com
Sot, ka ndërruar jetë shkrimtari i njohur Rexhep Hoxha, i cili u bë kudo i njohur në trevat shqiptare me librat e tij.
Rexhep Hoxha lindi në Gjakovë, më 1929. Aty kreu shkollwn e fillore dhe të mesme ndërsa studimet albanologjike i vazhdoi nw Beograd.
Ishte redaktor i “Rilindjes” për fëmijë”, ndërkaq për shumë vite ligjëroi lëndën Letërsi për fëmijë në Shkollën e LartëPedagogjike të Prishtinës.
Me veprat si: “Gjethe të reja”, “Picimuli”, “Lugjet e verdha”, “Verorja” e shumëtë tjera, ai u bë shkrimtar shumëi dashur për fëmijët, dhe romanet e tij vazhdojnë të mbesin përherë në kujtesë. /KultPlus.com
Një libër që me ironi, fantazi dhe origjinalitet të mban pezull dhe të zbavit, duke të shëtitur përgjatë mijëvjeçarit, në përmbushje të një misioni në të mirë të njerëzimit, vjen në shqip nga botimet Pegi.
“Blu safiri” është vëllimi i dytë i trilogjisë së gurëve të çmuar, pasues i romanit “E kuqe rubini”. Qysh në çastin që zbuloi se ishte e fundmja e të Dymbëdhjetë udhëtarëve të kohës, jeta e Guendolinës mori tjetër kthesë. Ajo nuk është një vajzë e zakonshme londineze, por një udhëtare në kohë, që Rojat – një urdhër i fshehtë me seli në labirintin e rrugëve përreth Temple Church – e dërgojnë në epokat e shkuara për të marrë një pikë gjaku nga dymbëdhjetë të përzgjedhurit dhe për të plotësuar kronografin, një mision prej të cilit varet fati i njerëzimit.
Gjatë kohës që kërkon nëpër shekuj të tjerë udhëtarë të kohës, ajo përpiqet të kuptojë gjithë misteret dhe profecitë që qarkullojnë për Rrethin. Në gjendjen ku është, e shqetëson thuajse çdo gjë: fakti që e fluturojnë para e mbrapa nëpër shekuj, hamendja përzier me zili e kushërirës Sharlotë, mërzia e mësimeve të vallëzimit e të qëndrimit… Pak gjëra i pëlqejnë: xhindi i vogël fantazmë Ksemerius, të cilin vetëm Gueni mund ta shohë dhe, natyrisht, shoku i saj i udhëtimeve në kohë: Gideoni i pashëm, i cili është tej mase i parashikueshëm me të. Pa dyshim, Gueni e di se nga duhet të ruhet: nga konti i Sen Zhermenit, që mban në dorë fijet e gjithë ngjarjeve dhe që kërkon të plotësojë sa më shpejt kronografin, para se ta ndalojnë armiqtë. Po kush janë armiqtë e vërtetë? Pse Gueni nuk arrin t’i besojë atij? “Blu Safiri” është një roman aventurier dhe zbavitës, romantik dhe me humor, që ka rrëmbyer zemrat e të gjithë të rinjve në mbarë botën. “Trilogjia e gurëve të çmuar” është një aventurë jashtëzakonisht intriguese, e pasur me udhëtime të mistershme në kohë, me aksion që të lë pa frymë dhe romanca drithëruese”, ka shkruar TeenReads.com.
Kerstin Gier (1966) është një autore gjermane e disa romaneve për të rritur dhe për lexues të rinj. Ajo është ndërkombëtarisht e njohur për trilogjinë e gurëve të çmuar, që fillon me “E kuqe rubini”. Vepra të tjera të rëndësishme përfshijnë “Männer und andere Katastrophen” (Burrat dhe katastrofa të tjera), i cili tashmë është ekranizuar. Librat e tjerë të saj kanë pasur sukses të madh sidomos në Gjermani. Romani “Das unmoralische Sonderangebot” (Akordi imoral) fitoi çmimin e romanit më të mirë të vitit në Gjermani. Kerstin Gier, punon tashmë me kohë të plotë si shkrimtare në profesion të lirë dhe jeton në një fshat pranë Bergisch Gladbach, në Gjermani, bashkë me të shoqin dhe djalin e saj. /KultPlus.com
Grupi i njohur botërisht U2 dhe tenori Italian Luciano Pavarotti këngën “Miss Sarajevo”ia kanë kushtuar Sarajeves dhe luftës mizore që ka ndodhur në atë vend, transmeton KultPlus.
Fillimisht shkrimtari dhe regjisori amerikan Bill Carter i
cili ka realizuar filmin për vuajtjet dhe tmerret që kanë përjetuar qytetarët e
Bosnjës në luftën e tyre kundër Serbisë, dhe këto pamje kanë lënë gjurmë të përjetshme
te regjisori i cili ka vendodur ti paraqesë në ekran dhe tu tregoj gjithë botës
një realitet të vrazhdë dhe të hidhur ku vetëm kështu mund të ndalohet e mos të
përseritet dicka e tillë, diku tjetër.
Kënga “Miss Sarajevo” i është kushtuar vajzave të bukura të
Bosnjës të cilat kanë thirrur: “Mos lejoni të na vrasin!”.
Carterit i është dukur që botës nuk është duke i interesuar ajo cfarë ka ndodhur në Bosnjë andaj përmes bashkëpunimit me U2 kanë vendosur t’ua bëjnë me dije të gjithëve për vuajtjet e njerëzve. / KultPlus.com
Vetëm pak ortë më parë është njoftuar se ka ndërruar jetë aktorja e mirënjohur shqiptare Valentina Caci. Ende nuk janë mësuar zyrtarisht shkaqet, edhe pse është përfolur kohët e fundit se aktorja ishte e sëmurë.
Po kush ishte Valentina Caci?
Ajo lindi në qytetitn Korçës më 2 mars të vitit 1936. Në
lëvizjen artistike që shpërtheu që ne muajt e parë të paraçlirimit u aktivizua
në grupet teatrale amatore, ku dhe u dallua si aktore amatore me perspektivë
për skenën korçare.
Ishin këto të dhëna, për këtë amatore, që ra në sy të
Dhimitër Trajçes, që e afroi në grupin e teatrit të ngritur pranë Pallatit të
Kulturës së qytetit.
Aty, një vit mbas krijimit të teatrit profesionist, mbështetur në talentin e saj të treguar në grupin amator, Valentina Caci emërohet aktore në trupën teatrit profesionist. Regjisorët i besojnë role të rëndësishëm gjatë gjithë karrierës së saj në skenë.
Rolet e interpretuara në skenë nga nga Valentina Caci janë:
Ollga në dramën “Makar Dubrava” e Korneiçukut, Kolkoziania në dramën “Rruga e
madhe” e Fjodorovit, Gallupkova në komedinë “Kush e ka fajin” e Molinavit,
Lumturia në dramën “Të rinjtë” e V. Vinçanit, Lumtua në komedinë “Vajza nga
fshati” e F. Gjatës,
Bardha në dramën “Sëmundje e rrezikshme”, Viku në dramën
“Ishulli i Aferditës, Vjollca në dramën “Doktor Aleksi” e I. Uruçit, Efrosinja
në dramën “Vajza pa prikë”, Vjollca në dramën “Gjaku i ri” e A.Binos, Valdeti
në dramën “Tre të shtëna pushke” e I. Uruçit, Eleni në dramën “Flakë në shtëpi”
e Z. Cikulit, Nerka në dramën “Stina e kuqe” e F. Gjatës, Neribani në dramën
“Mosha e bardhë” e D. Agollit,
Afërdita në dramën “Varri i pagëzimit” e N. Shkodranit, Leti
në dramën “Motra Katerinë” e V. Zikos, Veroria në dramën “Këneta” e F. Gjatës,
Nafia në dramën “Hijet e natës”e V. Kokonës, Meri në dramën “Rrethimi i bardhë”
e N. Priftit, Helena në dramën “Engjejt e skëterrës” e Kantenit, Gruaja në
dramën “Orteku i vjeshtës” e S. Andonit, Luçia në komedinë “Karnavalet e
Korçës” e S. Çomorës,
Dhora në dramën “Rruga e madhe”e V. Zikos, Nekia ne komedinë “Zonja nga qyteti” e R. Pulahës, Lena në dramën “Maro Mokra” e R. Pulahës, Gruaja në dramën “Kur çel dashuria” e T. Laços, Nekia në komedinë “Shoqja nga fshati” e R. Pulahës, Komshia ne dramën “Shtëpia në rrugicë” e T. Laços, Komshia në dramën “Paja” e Di Maxhios.
Pjesë nga shfaqja e dramës “Gjaku i ri”, V. Caci në rolin e
Vjollcës dhe DH. Trajçe në rolin e portjerit.
Ndër këto role të interpretuara nga aktorja Valentina Caci,
duke u mbështetur në kritikën e kohës dhe opinionet e spektatorëve artdashës që
i kanë parë këto shfaqje, role që janë pëlqyer e duartrokitur me meritë, do të
veçonim rolin e saj, atë të Olimbisë, në dramën “Lulja e kujtimit” e F.
Postolit, rolin e Verores në dramën “Këneta” të F.Gjatës,do të veçonim edhe
rolin e Dona Luçias në komedinë “Karnavalet e Korçës e S. Çomorës, rolin Lenës
në dramën “Maro Mokra” të R. Pulahës, si dhe rolin e Nekies në komedinë “Zonja
nga qyteti” dhe komedinë “Shoqja nga fshati”. Për kontributin e saj në skenën
korçare, aktores Valentina Caci i është dhënë titulli, “Artiste e Merituar”.
Sot shënohet përvjetori i 23-të i gjenocidit ndaj boshnjakëve të “Zonës së sigurtë të OKB-së”, Srebrenicës dhe varrimi i viktimave të identifikuara në korrik të vitit 1995, transmeton KultPlus.
“Nermiiiin, eja këtu, unë jam këtu. Lirisht te serbët, të gjithë ejani”, ka thirrur babai Rami të birin e tij Nerminin në vitin 1995.
Ushtarët serb kanë thënë që nuk do u bëjnë asgjë, ndërsa Rami as nuk ka dyshuar që të birin është duke e thirrur drejt vdekjes.
Rami dhe i biri i tij Nermini janë të vrarë, ndërsa eshtrat e tyre janë gjetur në vitin 2008.
Skeleti i Nerminit është gjetur në varrezat masive në Snagovë të Zvornikut, ndërsa i Ramit në anë të kundertë afër Srebrenicës.
Skulptori Mensud Keco ka bërë një skulpturë i inspiruar nga kjo pamje e tmerrshme e vitit 1995 në Srebrenicë, është vendosur në Parkun e Madh në Sarajevë. / KultPlus.com
Festivali “Metal United World Wide II” që u mbajt në Prishtinë në muajin qershor, iu bashkua botës në solidarizim nëpërmjet muzikës.
Siç edhe u paralajmërua, 30 për qind e të hyrave nga shitja
e biletave janë dhuruar për fëmijët e prekur nga sëmundja e leukemisë përmes
“Cure2Children Kosovë”.
Përfaqësuesit e kësaj organizate e kanë pranuar çekun në
vlerë prej 2 mijë e 250 eurosh donacion, transmeton KTV.
“Shpresojmë që ky akt i vogël bamirësie do të ndihmojë në
ngritjen e përgjithshme të vetëdijes së shoqërisë sonë për çështjet sociale e
humanitare. ‘Rockuzinë’ dhe komuniteti i rock dhe metal skenës kosovare do të
vazhdojë me përkushtim të madh të ndihmojë grupet më të prekura të shoqërisë
kosovare në çfarëdo forme të mundshme, edhe në të ardhmen”, ka thënë Jonian
Slivova, menaxher në “Rockuzinë”.
Shkrimtari George RR Martin tregon detajet e serisë së HBO-s, ku do të luajnë Naomi Watts dhe Miranda Richardson. Aty do të ketë kuçedra, ujq, mamutë dhe të vdekur që ecin, transmeton Telegrafi.
Seriali i cili momentalisht po filmohet në Irlandën e Veriut, ndodh mijëra vjet përpara ngjarjeve të shtjelluara te “Loja e froneve” (Game of Thrones) dhe “tregon për botën e dalë nga epoka e artë e heronjve në çastin më të errët të saj”.
Martin tha vitin e kaluar se seritë do të tregojnë Westerosin si një vend ndryshe, pa Selinë e Mbretit, pa Fronin e Hekurt dhe pa Targarianët.
“Valiria ka nis të rritet me kuçedrat dhe perandorinë e madhe që do të ndërtojë”, ka thënë ai.
Ai zbuloi se familja Stark patjetër do të shfaqet, por jo edhe Lanisterët.
Shkrimtari zbuloi se Westerosi 5000 vjet më parë u nda në 100 feude të ndryshme.
“Ne flasim për Shtatë Mbretëritë e Westerosit, ishin Shtatë Mbretëri në kohën e pushtimit të Aegonit”, thotë ai. “Por nëse shkon më tej, janë nëntë mbretëri, 12 mbretëri e më herët 100 mbretëri. Kjo është koha për të cilën flasim”.
Martini po shkruan “Erërat e dimrit”, romanin e gjashtë nga seria “Kënga për akullin dhe zjarrin”. Në maj premtoi se do ta përfundojë para verës 2020, kur do të udhëtojë në Zelandë e Re për një takim të shkrimtarëve të fantashkencës. /Telegrafi/
Nënshkruhet edhe një marrëveshje për shkëmbim të studentëve me bursa të plota nga Kolegji Universum me universitetin prestigjoz “Combria University” në Portugali.
Pra tani studentët e Kolegjit Universum kanë
mundësinë të studiojnë për një semestër me bursë të plotë në Portugali në “Combria University“.
Aplikimet kanë filluar, regjistrohu këtu https://bit.ly/2HuMame eksploro Evropën gjatë
studimeve.
“Combria
University” është universitet publik i vendosur në qytetin e
Lisbonës në Portugali, një nga universitetet më të vjetra në botë, i themeluar
që nga viti 1290. Në vitin 2013 UNESCO e shtoi këtë universitet në listen
e trashëgimisë botërore.
Secili studentë i Kolegjit
Universum përfiton shkollim falas, 950 euro kompenzim mujor dhe 360
euro kompenzim për shpenzime të transportit. Vlera totale e bursës qpër secilin
student është 6,060 euro/semester.
Sot para 22 vitesh janë masakruar 8,000 burra dhe djemë boshnjakë myslimanë gjatë gjenocidit 11 ditësh në Srebrenicë , dhe trupat e tyre janë hudhur në varrezat masive. Edhe pse SHBA dhe Britania e Madhe dy javë më herët kishin njohuri se kjo masakër do të ndodhë ata nuk kanë bërë asnjë reagim, transmeton KultPlus.
Rusia ende e refuzon ta quaj ketë gjenocid.
Mirëpo, masakra e Srebrenicës tani më është e njohur në
gjithë botën për të cilën u ngrit zëri në mënyra të ndryshme, e sidomos përmes
artit që pati ndikim universal që jo vetëm masakra por edhe Bosnja e
Hercegovina sot të njihen si vend.
Kur gratë e këtyre burrave të vrarë janë pyetur se çka u mungon më së shumti nga bashkëshortët e tyre, ato u përgjigjen se më së shumti u mungon kafja për ta pirë së bashku.
Në korrik të vitit 2017, në Chikago, 8,000 filxhana të kafës janë derdhur për të nderuar jetën e 8,000 të masakruarve.
Stafi i Cair-Chicago dhe praktikantët e tyre i janë bashkanagjitur komunitetit të Bosnjës duke marr pjesë në instalacionin “Što Te Nema” (Pse nuk je), për tu solidarizuar me ta dhe për ti nderuar ata që e humbën jetën.
“Što Te Nema” është instalacion i hapur i krijuar si përgjigje për mizorinë më të keqe që ka ndodhur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore – vrasja sistematike e 8,372 burrave dhe djemve myslimanë në zonën e mbrojtur nga OKB-ja, në Srebrenicë të Bosnjës dhe Hercegovinës në korrik të vitit 1995.”