Art Club-i i Ulqinit në kuadër të edicionit të 27-të të Kalimerës Poetike “Basri Çapriqi”, organizon mbrëmje autoriale me poetin e studiuesin e letërsisë, Sabri Hamiti.
Për krijimtarinë e Sabri Hamitit do të flasë profesori e publicisti, Dr. Mark Marku. Poezi të autorit do të deklamojë aktori Simon Shkreli, ndërsa mbrëmjen do ta moderojë Liridona Sinishtaj.
Akademik Sabri Hamiti njihet për studimet e tij në fushën e letërsisë shqipe,dhe për shkrimet në lëminë e kritikës letrare. Por, edhe për shkrimet e tij në roman dhe poezi.
E hënë, 29 korrik, Muzeu në Kalanë e Ulqinit, ora 21.00 / KultPlus.com
Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën Elvana Shala, është ajo e cila çdo herë ngrit zërin për çështje të ndryshme humanitare dhe demokratike, ndërsa edhe kësaj here me pjesëmarrjen e saj në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York ka ngritur zërin për të drejtat e grave të dhunuara në luftë, shhkruan KultPlus.
Aktualisht është duke marrë pjesë në samitin e filantropisë, paqes dhe të drejtave të njeriut ‘Nexus Global Summit të OKB-së’, ku ka takuar modelen dhe aktoren e njohur britanike, Cara Delevingne.
Në fotografinë e publikuar nga vet ambasadorja Shala, duket bashk me aktoren në fjalë ku të dyjat mbajnë në qafë, qaforet e punuara nga gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë.
Ky është statusi i plotë:
Yllit botëror të filmit Cara Delevingne e cila numëron plot 42.7 milionë ndjekës në instagram dhe është një nga femrat më më ndikim, tashmë i dhurova dhe e mban në qafë qaforen më të veçantë nga Kosova të punuar nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë! Ju pershendesim nga OKB. / KultPlus.com
Aty kah fillimi i viteve ’70, kohë kur Nënë Tereza mësoi për sëmundjen e nënës së saj, ajo i dendësoi përpjekjet për t’iu dhënë mundësia që të vizitonte vendin e saj. Shkoi të takonte atasheun e Ambasadës shqiptare në Romë me shpresë që të paktën do të lejohej të vizitonte Shqipërinë.
“Kur Nënë Tereza po dilte prej ambasade, – shkruan Dom Lush
Gjergji në librin “Nënë Tereza Jonë”, – për herë të parë në jetë e pashë t’i
shkonin lot nëpër faqe.
U ndal, drejtoi sytë kah qielli dhe tha: “O Zot, unë e
kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe
kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë
tjetër përpos të na shohë edhe një herë”.
Pas dështimit për vizë në ambasadë, Nënë Tereza nuk rreshti
përpjekjet për të nxjerrë të ëmën dhe të motrën nga Shqipëria. Ajo iu drejtua
për ndihmë disa prej personaliteteve më të mëdha të Globit, por pa sukses. Kur
pa se ëndrra e saj për t’i takuar po shuhej, Nënë Tereza i shkruante të ëmës
dhe të motrës:
“Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju”.
Më 14 korrik 1972 Nënë Tereza mori një telegram, në të cilin
i vëllai Lazër Bojaxhiu i shkruante: “Lutu për loken, që ndërroi jetë më 12
korrik”. Siç dëshmon shtypi, Drane Bojaxhiu vdiq me dhimbje në zemër që nuk
arriti të shihte përsëri të birin e mbetur në Itali dhe të bijën misionare në
Indi. Pas vitit 1990 janë botuar studime, ku shënohet një fakt prekës:
Drania bijës së vet, që nuk e shihte prej dyzet e pesë
vjetësh, fotografinë e fundit ia dërgoi me këtë nënshkrim:
“Gonxhe, të puth nanëlokja”.
Agia, motra e tyre e mbetur vetëm, vdiq një vit pas vdekjes
së të ëmës, më 1973. Në një intervistë të vitit 1979, pasi Nënën Tereza fitoi
çmimin Nobel, Lazër Bojaxhi u shpreh:
“Motra e vogël, e përulur, ajo e cila u pati ardhur në
ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashuri dhe solidaritet aq
njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndronte mbi krye të shtratit të vdekjes
nënës së vet. Dhe ajo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar, duke shtrënguar në
kraharor një fotografi të njomur me lot”.
Lazër Bojaxhiu vdiq në vitin 1981, ndërsa Nënë Tereza arriti
të hyjë në Shqipëri në vitin 1990, pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe pak muaj
përpara se regjimi komunist të rrëzohej nga demonstratat e studentëve. E
rrethuar nga roja të policisë sekrete, ajo mbërriti në shtëpinë ku kishin
banuar e ëma dhe e motra për të mbajtur në dorë të vetmet kujtime të tyre: një
radio “Siemens” të kohës së Luftës dhe një mulli për të bluar kafen turke.
Murgesha vendosi një tufë me lule në varret e nënës dhe të
motrës si shenjë triumfi ndaj atij regjimi që e ndaloi t’i shihte ato në
gjallje.
Një ndër librat e Ismail Kadaresë perceptuar nga vetë autori, si njëfarë bashkëbisedimi mes miqsh është “Ftesë në studio”. Libri pasqyron disa copëza letrash që ai kishte shkëmbyer me vajzat ruse, me të cilat ishte shoqëruar gjatë kohës si student, në Moskë.
Ljuba, ishte njëra prej tyre. Një mikeshë të cilën autori,
në kohën kur e ka shkruar letrën, kishte vetëm dy javë që e kishte njohur.
Ja çfarë i shkruan Kadare asaj, duke pasur në mendje letrën që Pushkini ia kishte dërguar Anne Kern:
“Ljuba ime e shtrenjtë. Një javë më parë kur me ndihmën e
Zotit të shtiva në dorë (pa guxuar ta shkruaj krejt fjalën e ndyrë ruse,
shënova vetëm shkronjën e parë j…. me tri pika), ishte vërtet një gjë e
mrekullueshme, një ‘cudnoje mgnovjenje’, siç e shkruan Pushkini i madh.
Veç në mos më ke ngjitur triperin (në gjuhën tonë ai
emërtohet me një fjalë me tingëllim madhështor skullamendo, e huajtur nga
italishtja dhe që të kujton termat e muzikës, andando moderator, apo jo?), pra
veç në mos ma ke ngjitur triperin, ndonëse një shkrimtar, Heminguej më duket,
ka thënë se kur e marr prej teje edhe triperi më duket i mrekullueshëm.Kështu,
pra, as ai s’ma zbeh dot dashurinë për ty, veç në mos e ke marrë prej ndonjë
çifuti uzbek, se pavarësisht nga simpatia që kam për çifutet, kam dëgjuar se
çifutet e Uzbekistanit e kanë triperin më të keq se sifilizin”.
Ja përgjigja që i kthen Ljuba:
“Që kishte në natyrën tënde diçka anormale, madje prej
krimineli këtë e pikasi qysh në fillim nëna ime, kur erdhe për të pirë çaj tek
ne. Por ajo, fisnike siç është, nuk më tha asgjë për të mos më dëshpëruar. Veç
kur i tregova letrën tënde të ndyrë, më tha se ti ishe më i keq se ç’e kishte menduar.
Një përbindësh i vërtetë, pjellë tipike e një bote që shtypi ynë i shkretë
sovjetik e quan me të drejtë të zvetënuar, por që ne mezi i besojmë. Të pije
çaj me ty, ishte njësoj si të pije çaj me djallin. Edhe këto janë fjalë të
nënës sime, e cila njësoj si unë e ndjen veten të fyer si njeri, si grua. Ti iu
duke asaj dhe tani më dukesh edhe mua, si mishërimi i së keqes…
Do të mjaftonte urrejtja jote ndaj poezisë (Pushkinit) e
sidomos ndaj muzikës veneriane për të kuptuar se ç’përbindësh je. I poshtër gjer
në fund, duke e parë se me prindët e mi nuk do të ecte, ti u përpoqe të bësh
për vete gjyshen, e cila ishte e vetmja që pasi dëgjoi poshtërsitë e tua, tha
“Zoti e ndjeftë”.
Më vjen shumë turp që jam shoqëruar me ty. Duke të urryer
shumë, shumë. Ljuba”
Të njëjtin zemërim shpreh edhe Llora, në një tjetër letër.
Vetë shkrimtari e shpjegon kështu këtë kohë, në libër “Nga vinte kjo ndjenjë
shkatërrimi, që kishte kohë që më kishte kapur? I prishja të gjitha lidhjet, i
zëvendësoja me të përkohshme, të cilat ngutesha t’i prishja gjithashtu. Ishte
pa dyshim, një sëmundje që zotëronte rreth e rrotull, por që mua më kishte zënë
rëndshëm”.
Kadareja e shpjegon këtë krizë studentore, në romanin
“Muzgu”. Por, pavarësisht zemërimit të Ljubës, ai është ndër të parët shkrimtarë
që e ka cekur hapur këtë anë kaq njerëzore në jetën e një shkrimtari, duke
treguar kohët e bukura të jetës studentore në Moskë dhe vajzat që takoi, të
cilat ndikuan që ai të shkruante poezitë më të bukura për dashurinë.
Media gjermane Deutsche Welle ka reaguar për shembjen e godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar, për të cillin pati edhe përplasje mes artistëve, protestuesve dhe policisë. Deutsche Welle shkruan se, Qeveria ka vendosur prishjen e Teatrit ekzistues dhe ka prezantuar një projekt që përfshin edhe qendra biznesi brenda hapësirës së Teatrit të ri.
“Qeveria ka vendosur prishjen e Teatrit ekzistues dhe ka
prezantuar një projekt që përfshin edhe qendra biznesi brenda hapësirës së
Teatrit të ri. Aktorë dhe shoqëria civile kanë krijuar Alencën për Mbrojtjen e
Teatrit. Njëri prej tyre është Neritan Liçaj. Ai është prej 30 vitesh aktor i
Teatrit Kombëtar. 13 muajt e fundit atij i ka munguar skena ku ka luajtur rreth
50 role”, shkruan DW.
Ndërkohë tek oborri i Teatrit vijon rezistenca, ku Aleanca nënshkroi
dhe një marrëveshje me PD për ruajtjen e godinës ekzistuese. Nga ana tjetër
Presidenti Ilir Meta dërgoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin special që i hap
rrugën shembjes së Teatri Kombëtar dhe atij Eksperimental.
Përfaqësuesit e organizatave dhe këshillave koordinues të familjarëve të personave të pagjetur, kërkojnë nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë që të punohet më shumë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur nga konflikti i viteve 1998-99.
Anëtarët e Grupit dialogues të Kosovës për personat të
zhdukur me Serbinë, kanë thënë se ekipe të caktuara nga Kosova janë duke punuar
dhe duke bërë kërkim në disa lokacione në Rashkë të Serbisë, te vendi i quajtur
Kizhevak, për varreza masive.
Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Instituti të Mjekësisë Ligjore
dhe anëtar i Grupit dialogues të Kosovës për persona të zhdukur me Serbinë, ka
thënë për Radion Evropa e Lirë, se nga fillimi i javës një ekip nga Kosova
është duke bërë kërkime në vendin e quajtur Kizhevak në Serbi.
Ai tha se në këtë vend ka katër vjet që herë pas here bëhen
gërmime.
“Thuajse qe katër vjet jemi duke punuar në minierën e
Kizhevakut, por e dimë se aty për 20 vjet janë hedhur mbeturinat e minierës dhe
gurë dhe ka ndërruar reliefi. Në vazhdimësi kemi problemin e dëshmitarit për
shkak edhe të ndërrimin të reliefit, por në ato vende ku po i tregon
(dëshmitari) jemi duke gërmuar. Në Kizhevak do të qëndrojmë të paktën tri javë
duke bërë dhe ndërrimin e ekipeve dhe varësisht nga nevoja, do të qëndrojmë edhe
më tutje”, ka thënë Gërxhaliu.
Bashkëpunimi me autoritetet në Serbi për çështjen e të pagjeturve, është shprehur Gërxhaliu, vazhdon sipas ritmit të njëjtë.
“Ne që nga viti 2003 bashkëpunojmë me grupet punuese me
Serbinë dhe ky bashkëpunim nuk është ndalur kurrë, pavarësisht ndërrimeve
politike në të dyja vendet, sepse e gjithë puna bazohet në çështjen
humanitare”.
“Kurse, sa u takon çështjeve të tjera [dialogut politik
Kosovë – Serbi] janë organe tjera, të cila vendosin edhe pse çështja e të
zhdukurve nuk duhet të lihet anash, por normal që duhet t’i jepet një prioritet
i veçantë për arsye se faktikisht 20 vjet kaluan dhe e dimë fare mirë se
familjarët e të zhdukurve kanë filluar ta lënë këtë botë dhe thjesht kërkohet
një azhurim më i madh i punës”, ka theksuar Gërxhaliu.
Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Serbia ende nuk ka
pasur asnjë rast të identifikimit dhe riatdhesimit të mbetjeve mortore të
personave të pagjetur të Kosovës.
Zyrtarët e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur kanë
thënë se puna dhe komunikimit ndërmjet delegacioneve shtetërore për çështjen e
personave të pagjetur të të dyja vendeve, është duke vazhduar.
Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të
familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e
Lirë, ka theksuar se në Serbi dyshohet se ka varreza masive, për të cilat duhet
të bëhen kërkime.
Grajçevci ka thënë se pa një presion ndërkombëtar, Serbia
nuk do të tregojë asnjëherë për fatin e personave të zhdukur.
“Pa një trysni të madhe të faktorit ndërkombëtar, do të
thotë të Këshillit të Evropës, dhe të Këshillit të Sigurimit, Serbia nuk do t’i
tregojë rastet sepse 1200 persona nga Kosova i ka dërguar të gjallë deri në
Prokuple dhe atje janë evidentuar se kush janë dhe i kanë shpërndarë. Do të thotë
të gjithë kanë shkuar të gjallë deri në Serbi”.
“Thashë janë edhe 1200, për fatin e të cilëve ende nuk dihet
dhe këtë e dinë vetëm strukturat ushtarake dhe policore. E dinë në çfarë
drejtimi i kanë dërguar dhe ku janë ata njerëz”, tha Grajçevci.
Edhe Grajçevci tha se kjo çështje që nga përfundimi i luftës
është kërkuar që të diskutohet në instancat më të larta ndërkombëtare.
Ndryshe, për varreza ku supozohet se ka të varrosur persona
të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe, gërmimet kanë vazhduar edhe në Kosovë.
Javën e kaluar në periferi të Komunës së Podujevës është hapur një varreze ku
janë gjetur mbetjet mortore të një personi.
Autoritetet thanë se në vendin e njëjtë kanë përfunduar
gërmimet pasi nuk ka indikacione për mbetje mortore të personave të tjerë.
Morini, Albania. Albanian peaple escaping from Kosovo, 1999.
Më shumë se 13 mijë e 500 llogaritet të jetë numri i
personave të vrarë e të zhdukur gjatë konfliktit të viteve 1998-‘99 në Kosovë.
Këto shifra i kishte publikuar Fondi për të Drejtën Humanitare, të cilat
zakonisht janë shfrytëzuar edhe nga institucionet e instancat tjera relevante.
Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë.
Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197
serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.
Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600
persona të pagjetur.
Natë magjike në Korçë nën tingujt e muzikës dhe valset vjeneze.
“MIK festival” vazhdon të mrekullojë juglindjen në natën e
tretë të këtij festivali.
Natë e cila filloi me “Koncert Recital në Piano” nga
virtuozi Kostandin Tashko, i cili për më shumë se 60 minuta ka tërhequr
interesim të madh të artdashësve korcarë në Teatrin A.Z Cajupi.
Më pas mbrëmja ka kulmuar në Pazarin e Vjetër të qytetit
juglindor me natën vjeneze.
Studentë nga filarmonia e Universitetit të arteve Ibrahim
Madhi ishin kujdesur për të zgjedhur repertorin më të mirë të muzikës
austriake, muzike e cila vazhdon të luhet në skenat e njohura botërore.
Më tej Gert Vaso dhe Enada Hoxha sëbashku me artistët e
ansamblit “Skënderbeu” me valset vieneze kanë mahnitur jo vetëm korccarët
por akoma edhe më tej edhe turistët e shumë vendas dhe të huaj që kishin
mbushur pazarin e këtij qyteti.
Nata e dytë me muzikën spanjolle dhe kjo e treta me valset kanë bërë atë që Pazari i Korcës për herë të parë të dukej i vogël përpara kërkesave të mëdha të vizitorëve për të gjetur një vend që të shijonin këtë natë.
Festivali “Meeting of Styles” ka mbledhur afër 200 artistë nga vendi dhe bota, në Kosovë, me qëllimin për të transformuar hapësirat e braktisura të Prishtinës në vepra të artit, raporton Ekonomia Online.
Koordinatorja për Media dhe Marrëdhënie me Publikun në
kuadër të Festivalit, Dea Balaj, tha se nga 428 aplikantë kësaj radhe kanë
përzgjedhur vetëm 188.
“Ne kemi pranuar 428 aplikime mbarëbotërore. Festivali
“Meeting of Styles” është një rrjet botëror i zhvillimit të festivale të
grafitit dhe ka qenë kënaqësi për Kosovën të hyjmë në listën e 33 shteteve
pjesëmarrëse. Ne i kemi përzgjedhur 188 artistë që kanë pasur mundësinë të
vijnë në Kosovë”.
Ajo tha se pavarësisht motit të nxehtë, artistët po
rezistojnë që të përfundojnë grafitet e tyre deri nesër, kur përmbyllet ky
Festival.
Ajo thotë se rrugëtimi i artistëve të huaj në Kosovë ka qenë
i vështirë për shkak se grafiti në Kosovë ende nuk është një art në zhvillim.
“Rrugëtimi i tyre ka qenë mjaft i vështirë për faktin se
kanë ardhë në një shtet pothuajse të panjohur më parë, mirëpo është kënaqësi që
pavarësisht se Kosova është shumë e re në këtë fushë, të veçohet në rrjetin e
Festivalit “Meeting of Styles” për një organizim kaq të përkryer. Tuneli është
shndërruar në një pikë freskuese për të gjithë ne, artistët tashmë e kanë
kuptuar orarin e ditës dhe temperaturat e larta prandaj po mundohen t’i
përshtaten, mirëpo mbi të gjitha ata po i bëjnë rezistencë sepse grafiti është
shumë më domethënës për ta dhe kanë qëllimin të arrijnë ta përfundojnë artet e
tyre deri nesër”.
Artisti Ludovic Olivo nga Franca, i cili vjen për të dytën
herë në Festivalin “Meeting of Styles”, thotë se arsyeja kryesore pse është
kthyer, është për shkak të njerëzve gjatë ditëve që kalojnë në Kosovë dhe
organizimit të mirë të festivalit, për çka shprehet i bindur se do të vijë edhe
vitin e ardhshëm.
“Besoj që ka qenë më shumë për shkak të njerëzve përreth,
kam kaluar shumë mirë herën e kaluar prandaj edhe jam kthyer. Besoj se po,
gjithçka ka qenë shumë e organizuar, prandaj mendoj që do të kthehem prapë për
diçka të tillë”.
Ai shton se e ka të vështirë gjatë ditës për shkak të
nxehtit, por nuk e shikon si pengesë për të vazhduar punën.
“Është mjaft e vështirë gjatë ditës, por në përgjithësi
është mirë”.
Artisti kosovar, Qëndrim Morina, i cili po ashtu
pjesëmarrjen në festival e ka për të dytën herë, thotë se është një rast i mirë
për të parë kultura të artistëve që vijnë nga shtete të ndryshme.
“Për mu është një festival shumë i mirë edhe për ne me e pa
kultura të reja por edhe për të tjerët që po vijnë me e pa kulturën tonë dhe
mendoj që shumica e shprehin kulturën në bazë të punimit që janë duke e bërë”.
Morina shton se në Kosovë ky art ka nevojë të zhvillohet,
pasi sipas tij ndërtesat e reja në Prishtinë duhet të kenë ngjyra.
“Mendoj që ka nevojë shumë, sidomos tek ne, sepse jemi
mbushur me ndërtesa pa ngjyra, është shumë mirë me pasë ngjyra shteti pa marrë
parasysh se në cilin qytet është. Mendoj që është edhe për të tjerët mirë,
sepse nëse e hapë një ekspozitë i thirr persona të caktuar dhe persona të
caktuar vijnë me e pa, ndërsa kjo është për të gjithë, kush mundet dhe donë me
e shiju”, tha ai, raporton EO.
Festivali “Meeting of Styles” organizohet nga QAR-Qendra për Zhvillimin e Artit në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
Në Prishtinë ka filluar festivali me fëmijët e diasporës, i cili është organizuar në kuadër të “Ditëve të Diasporës”. Ky festival do të zgjasë dy ditë, kurse ditën e tretë për pjesëmarrësit do të organizohet një ekskursion.
Pjesëmarrësit nga vende të ndryshme kanë defiluar nga Teatri
Kombëtar te sheshi “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar në bibliotekën “Hivzi
Sylejmani”, ku do të ketë orë letrare, ekspozitë të arteve pamore dhe
interpretime nga nxënësit e diasporës.
Në hapje të këtij festivali, drejtoresha e departamentit për
Ruajtjen dhe Kultivimin e Arsimit dhe Kulturës në Diasporë, në kuadër të
Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Maliqe Hashani, tha se ky
është edicioni i parë i këtij festivali.
Ajo ka falënderuar të gjithë mësuesit shqiptarë që japin
mësim plotësues për fëmijët e diasporës, duke thënë se në këtë mënyrë ata po
ruajnë traditat shqiptare.
“Më lejoni që në këtë rast të gjithë nxënësve dhe mësuesve
tanë kudo që ndodhen në diasporë t’i falënderojmë në mënyrë të posaçme për
punën e tyre të palodhshme që bëjnë për ta mbajtur gjallë traditën tonë. Me
mundin, vendosmërinë dhe përkushtimin e tyre shkolla shqipe sot mbahet gjallë
në Austri, Greqi, Gjermani, Zvicër, Itali, Suedi dhe në shumë vende të tjera të
botës. Me gjithë vështirësitë për ta mbajtur gjallë mësimin plotësues të gjuhës
shqipe, mësuesit tanë me shumë përkushtim, me shumë dashuri mbajnë gjallë
shkollën shqip, identitetin tonë”, tha ajo, raporton Ksp.
Fëmijët e diasporës janë ata të cilëve më së shumti po iu
pëlqejnë këto aktivitete që janë organizuar enkas për ata.
Nga Italia për të marrë pjesë në këtë festival kishte ardhur
Sara Hoxha, e cila thotë se ky aktivitet është shumë i mirë pasi janë mbledhur
shumë fëmijë që jetojnë jashtë Kosovës.
“Jemi të gjithë, jemi me gjithë komunitetin shqiptar që
jeton nëpër botë. Është shumë bukur”, tha ajo.
Se po i pëlqen festivali me fëmijët e diasporës e thotë edhe
Marigona Zeka, madje ajo shprehet shumë e lumtur që ka ardhur në Kosovë me
shokët dhe shoqet e saj.
“Jam shumë e lumtur që kemi ardhur këtu dhe që kemi një
mësuese që na mëson shqip dhe që na ka organizuar këtë aktivitet”, tha ajo.
Festivali me fëmijët e diasporës do të vazhdojë edhe ditëve
në vijim, ku do të ketë organizime të ndryshme.
Më shumë se 750 mijë bunkerë ushtarakë mbinin dikur anembanë Shqipërisë, një vend i vogël ballkanik i Evropës Juglindore me sipërfaqe prej vetëm 28,748 kilometrash katrore, shkruan Laura Mallonee e revistës së njohur amerikane ”Wired”, që fokusohet në faktin se si teknologjia ndikon në kulturë, ekonomi dhe politikë.
Bunkerët u ndërtuan nga diktatori komunist Enver Hoxha, i
cili sundoi për 40 vjet pas Luftës së Dytë Botërore duke besuar se armiqtë mund
ta sulmonin nga çasti në çast. Kjo në fakt nuk ndodhi kurrë. Më vonë, krejt pa
zhurmë, qytetarët i përdorën vendstrehimet e luftës për të tjera qëllime, si
për të strehuar bagëtitë, akomoduar turistët ekskursionistë apo për të shitur
ushqime të shijshme.
Fotografi britanik Robert Hackman ka fiksuar imazhe të 250
prej tyre, gjatë udhëtimeve të tij anembanë Shqipërisë në dekadën e fundit. Ato
shfaqen në librin e titulluar “Metamorfoza: Ripërdorimi i Bunkerëve Shqiptarë
të Epokës Komuniste”, një botim për të cilin ai shprehet se është “një dëshmi e
triumfit popullor mbi shtypjen dhe nënshtrimin”.
“Dëshira ishte që ta regjistroja këtë kapitull kalimtar të
historisë shqiptare”, shprehet ai, “dhe për të bërë të njohur jo vetëm
bunkerët, por edhe popullin shqiptar dhe vendin e tyre në sytë e një audience
më të gjerë”.
Bunkerizimi i Shqipërisë ishte një sipërmarrje 2,2 miliardë
dollarëshe i nxitur nga izolimi ekstrem i vendit. Hoxha, vartësit e të cilit e
quanin “forca e vetme”, mori kontrollin e vendit në vitin 1944, duke ndërtuar
një formë fanatike të komunizmit që nuk krahasohej me asnjë aleat tjetër. Në
vitin 1968, ai doli nga Traktati i Varshavës, që ishte një kundërpërgjigje e
Moskës ndaj NATO-s, ndërsa ftohu dhe tendosi marrëdhëniet me ish-Bashkimin
Sovjetik, ish-Jugosllavinë dhe Kinën. Pa asnjë vend aleat, ai u mbyll në
bunkerë. Gjatë gjithë periudhës mes viteve 1970-’80-të, fabrikat prodhuan
blloqe dhe kupola betoni të përforcuara me çelik për vendstrehime, madhësia e
të cilëve varionte nga një vendrojë për një ushtarë të vetëm në fortesa
nëntokësore pesëkatëshe. Punëtorët përdorën traktorë dhe vinça për t’i ndërtuar
bunkerët në plazhe, fusha dhe rrugë qytetesh anekënd vendit dhe qindra prej
tyre humbën jetën në punë.
Pas rënies së komunizmit në vitin 1990, tokat ku ishin
ngritur bunkerët iu rikthyen pronarëve të tyre të dikurshëm, të cilët u
përpoqën t’i shfrytëzonin sa më mirë. Ata i shndërruan në gjithçka, nga
qebaptore në salla bilardosh, siç ishte rasti i bunkerit që Hackmani pa në
vitin 2001, ndërsa shërbente në Shqipëri si përfaqësues i Komisionerit të Lartë
të OKB-së për Refugjatët.
“E dija se ishte temë e pazakontë dhe do të ishte një
projekt i veçantë fotografik,” shprehet ai.
Por, ishte viti 2008 kur ai nisi ta merrte seriozisht
fotografimin e tyre. Pas fluturoi nga Londra drejt Tiranës, do të kalonte më
shumë se dy javë duke udhëtuar anembanë vendit në kërkim të gjurmëve të
kupolave prej betoni. Vendasit ishin në përgjithësi të lumtur që ai i
fotografonte këto struktura, edhe pse nganjëherë vetëm pasi kishin kaluar së
bashku një ditë duke pirë raki, një pije shumë e fortë alkoolike. “Kur
ngrihesha të fotografoja rreth mbrëmjes, mezi rrija në këmbë,” rrëfen Hackman.
Ndërkohë që vazhdonte projektin e tij, Hackman vuri re se
bunkerët po zhdukeshin në masë. Çmimet e metaleve për skrap ishin rritur me
shpejtësi, shprehet ai, dhe shqiptarët e varfër përdornin lëndë shpërthyese dhe
makineri industriale për shkatërrimin e bunkerëve. Ndonëse që atëherë qeveria i
ka marrë nën mbrojtje, pasi ende i konsideron pronë publike, bunkerët vazhduan
të shkatërroheshin. “Besoj se popullata vendase ka humbur mundësinë për të qenë
mbrojtëse e kujtimit të atyre që kanë vuajtur nën regjimin e Enver Hoxhës, duke
i mohuar vetes në të njëjtën kohë një burim të madh të ardhurash nga turizmi,”
shprehet Hackman.
Sa u takon shqiptarëve, ata kanë opinione të ndryshme: disa
janë të lumtur që shohin shkatërrimin e tyre, ndërsa të tjerë janë të një
mendjeje me Hackmanin dhe kërkojnë ruajtjen e tyre. Në vitin 2012, studentët e
universitetit ”Polis” në Tiranë ndërmorën projektin “Bunker me mëngjes” (Bed
and Bunker), një përpjekje për t’u shndërruar bunkerët në hotele me mëngjes për
turistët. Projekti “Kërpudhat prej betoni” krijoi gjithashtu hap pas hapi një
manual lidhur me transformimin dhe ripërdorimin e bunkerëve. Në periudhën mes
viteve 2014 dhe 2016, dy bunkerë të mëdhenj të nëndheshëm u shndërruan në muze,
njëri prej të cilëve u dëmtua gjatë ndërtimit nga një grup protestuesish, që e
shikonin muzeun si glorifikim të së kaluarës.
Enver Hoxha vërtet nuk jeton më, por duket se së paku disa
prej bunkerëve të tij do të jenë aty përgjithmonë”, përfundon Mallonee për
revistën amerikane ”Wired”. /atsh/
Rep artisti i njohur nga Kosova, Viktor Palokaj, i njohur si Unikkatili ka ardhur në Kosovë. Është shfaqur në Graçanicë, aty ku besohet se i kanë larguar foton nga një billboard.
Unikkatili, në mbrëmje do të mbajë koncert në Mitrovicë.
Ai ka postuar një foto-selfie, para një billboardi të zbrazët në Graçanicë.
“Nomin e paskan bo. Qe ku jom”, ka shkruar shkurt Unikkatili.
Me gjasë, ky mesazh lidhet me mundësinë që posteri i tij është hequr nga vendi para të cilit Unikkatili ka bërë fotografinë. /KultPlus.com
Shikoj poshtë gjurmët dhe më bëhet se të shoh teksa vjen – t’i shoh pantallonat teksa vijnë drejt meje. Pa ty, i dashur, nuk mund të ndjej apo të mendoj – apo të jetoj.
Jeta pa ty është sikur t’i kërkohet mëshirë stuhisë, sikur të vritet Bukuria apo të ketë qejf njeriu të plaket. Unë dua të të puth kështu… edhe në pjesën e pasme ku fillojnë flokët, i ëmbli im, dua të ta puth gjoksin tënd.
Unë të dua – por s’mund t’i gjej fjalët për ta përshkruar gjithë atë dashuri që ndjej për ty, madje frikësohem se do të vdes pa arritur të të tregoj se sa të dua në të vërtet. Goofo, ti më ke provuar ndjenjën se unë vlej – eh, sa e pajetë jam prej se ke ikur…
Ka
shumë njerëz të këqij në këtë botë, që fatkeqësisht edhe e ndotin atë – por unë
s’mund ta urrej askënd, sepse jam e udhëhequr nga dashuria për ty.
Së
shpejti ti do të jesh këtu për mua, i dashur. I dashuri im, i ëmbli im.
1586 – Sir Walter Raleigh sjell duhanin e parë në Angli nga Virxhinia. Pas revolucionit industrial, duhani u popullarizua gjithnjë e më shumë – prodhimi në formë cigaresh solli rritje të pashembullt të përdorimit – deri në shpalljen e rezultateve shkencore në mesin e viteve 1900 mbi dëmin që sjell duhani për shëndetin.
1789 – Themelohet agjencia e parë e qeverisë federale të SHBA-së, Departamenti i Punëve të Jashtme. Agjencia më vonë u quajt Departament i Shtetit. Sekretari i parë në këtë detyrë, ishte John Jay, jurist e diplomat nga Nju Jorku.
1794 – Arrestohet Maximilien Robespierre; zyrtar gjatë Revolucionit francez dhe një nga arkitektët kryesorë të Mbretërimit të Terrorit – historianët thonë se ai nxiti ekzekutimin e më shumë se 17-mijë “armiqve të Revolucionit”. Kur mori lajmin se Konventa Kombëtare e kishte deklaruar të jashtligjshëm, Robespierr u përpoq të kryente vetëvrasje, por mbeti i plagosur. Ditën tjetër, (28 korrik) Robespierr dhe 21 aleatë të tij u ekzekutuan në gijotinë.
1890 – Vincent van Gogh qëllon veten dhe vdes dy ditë më vonë.Van Gogh është konsideruar piktori më i madh holandez pas Rembrandtit, edhe pse mbeti i varfër dhe i panjohur gjatë gjithë jetës së tij. Van Gogh vdiq në Francë më 29 korrik 1890, në moshën 37 vjeçare, nga plaga që i shkaktoi vetes me armë zjarri.
1921 – Shkencëtarët në Universitetin e Torontos të kryesuar nga biokimisti Frederick Banting vërtetojnë se hormoni insulinë rregullon nivelin e sheqerit në gjak.
1953 – Marrëveshje armëpushimi që i dha fund Luftës Koreane u nënshkrua në Panmunjon. Lufta zgjati 3 vjet e 32 ditë. Negociatat për armëpushim midis Koresë së Veriut dhe delegatëve të SHBA (që përfaqësonin Korenë e Jugut) zgjatën 1 vit e 17
1984 – Vdiq në Lousanne të Zvicrës anglezi James Mason (75 vjeç) – aktor i respektuar i theatrit dhe filmit, i njohur edhe për rolin e spiunit shqiptar në shërbim të nazistëve Iliaz Bazna, në filmin 5 Fingers (1951), me skenar bazuar ne librin “Operation Cicero”.
Duke vendosur një standard të ri në muzikë, një inovator që ka lindur në Gjermani, ka krijuar atë që besohet se është pianoja vertikale më e madhe në botë dhe që qëndron në një holl koncertesh në Letoni.
Pianoja është rreth tre kate mbi spektatorët. Për të arritur çelësat, pianisti duhet të ngjitet nëpër shkallë.
“Dallimi kryesor mes këtij instrumenti dhe pianos së madhe është se basi ka një ton më të qartë dhe tingulli zgjat më shumë. Ndaj ne duhet të kemi një lartësi të tillë. Vargu më i gjatë është katër metra dhe ai e bën tonin shumë të qartë dhe të fortë. Kjo do të thotë se ne mund të fillojmë nga shumë poshtë dhe të ndajmë tonet shumë qartë. Me instrumenta të thjeshtë, kjo nuk është e mundur”, shprehet David Klavins.
Për shpikësin e kësaj pianoje, ky instrument i jep një tjetër ngjyrë veprave shumë shprehëse, si p.sh. Rahmaninovit apo sonatave të Bethovenit.
Këto vepra, sipas David Klavins, tingëllojnë në një mënyrë krejt të re me këtë instrument. Por sidoqoftë do të jetë audienca ajo që do të thotë fjalën e fundit. Për ekspertët, kjo piano është një evolucion në vetvete. Ndoshta ndokush do të mendojë se është një lodër shumë e kushtueshme, por ajo që kjo piano ofron, është një tjetër lloj muzike. /KultPlus.com
Të vdekurve u veshin këpucë të reja, se duhet të shkelin në udhë pa krye, mirazh shkretëtire në rendje pa fund, pa semaforë e vija të bardha e shtylla, pa policë trafiku e manekinë mode, pa kalimtarë në sens të kundërt si duna, për gjetjen e orës, adresës së saktë. Mbi kalldrëme shtruar me gurë sizifi trokasin shojet e ngrëna si patkoj kuajsh, ciasin gomat si në përplasje veturash, thyhet njëqind copash pasqyra e lustrës.
O sa këpucë të reja u shitën sivjet!
Ata shqiptojnë një fjalë ndërkombëtare, non stop-in rraskapitës me theks modern, në maloren si thikë, pa ndalesa biblike, pa pemë, pa zogj lajmëtarë si dekor.
Poshtë lart majtas djathtas para mbrapa – qiell, me engjëj merramendës, me djaj rrëshqitës, sipas rregullave të qarkullimit të Dantes. Shohin dyzimin e tyre mbi pluhur këpucësh që tingëllojnë si një kor antik në boshllëk, gjersa lëkura çahet, këmba rri zbathur.
Një hotel spektakolar po mendohet të ndërtohet në fjordet norvegjeze. Sikur të mos mjaftonte pamja fantastike që të ofron natyra, një studio arkitekture turke ka dizajnuar një kryevepër të inxhinierisë, por njëkohësisht edhe një godinë luksoze.
Hoteli është projektuar të ngrihet në Preikestolen, një shkëmb në 600 metra mbi nivelin e detit që ndodhet në jug të Norvegjisë, e që së fundmi është shndërruar në një pikë tepër tërheqëse turistike. Hoteli është konceptuar në tre kate dhe një pishinë të varur në katin e fundit, ku nuk do të kuptohet qartë nëse po noton, apo fluturon.
Megjithatë, nëse po mendonit të prenotonit, duhet të prisni edhe pak, pasi koncepti i prezantuar nga firma “Hayri Atak” ende nuk ka marrë dritën jeshile për t’u realizuar. /KultPlus.com
E dashur, Liza! Kjo letër nuk do të mbërrijë te ti nëse, fillimisht, s’i kam dhënë fund karrierës sime tokësore, për të filluar një pavdekësi të lumtur. As që do të mundohem ta shpjegoj dhimbjen që ndjej, se vet ideja e largimit dhe e ekspozimit ndaj një ankthi që e di që do ta ndjesh, do të ma thyente edhe më shumë zemrën. Prandaj ngushëllohu me fjalët e mia të fundit. Unë do të ushqehem me idenë se mund të jemi bashkë në një kohë dhe një botë tjetër.
Liza, shpresoj shumë që kur të kem vdekur njerëzit të
thonë “Gabimet e saj janë të pafalshme, por librat e saj janë lexuar”. Sepse
kjo është e gjitha që do një shkrimtar, që veprat e tij të lexohen. Të besohet
apo jo, disa herë e kam imagjinuar vetën teksa laurohem me çmimin Nobel, ndonëse
nuk jam aq naïve sa të mendoj që një gjë e tillë do të ndodhë ndonjëherë. Ata
thërrasin emrin tim, më ftojnë në skenë dhe në fund mbreti ma dorëzon çmimin. Në
fakt, e vërteta është që shumë pak njerëz i kanë lexuar historitë e mia. Po get
Lizë që gjithçka do të mbetet mes nesh.
Në një nga shfaqjet e mia të preferuara teatrale
thuhet “Ne nuk kemi kontroll mbi atë se kush jeton, kush vdesh dhe kush e
tregon histroinë tonë.” Kurse për mua kjo nuk ka aspak vlerë pasi që
pavarësisht mohimeve, të gjitha historitë që kam shkruar flasin drejtpërdrejt
për mua. Sepse ju e dini që fjalët nuk kanë fuqi t’na hipnotizojnë pa e mbartur
me vete peshën e hidhur të realitetit.
Vetëm përmes personazheve më të urryera kam arritur ta
lëshoj zërin tim të vërtetë. Ndoshta kjo është e vërtetë për të gjithë
shkrimtarët, ja pse unë e gjej Tolstoin më shumë te Anatoli se sa te Natasha,
te Ana apo te Vronski.
I shkreti ai që do të duhet t’i lexojë e t’i studiojë të gjitha shkrimet e mia, të mirat e të këqijat. Ndoshta ai do të jetë i vetmi që do të mund të kuptojë gjithçka që unë them përmes personazheve. Në dorëshkrime do të gjejë fjalë të shkruara në shpejtësinë e dritës, fjalë që mezi lexohen dhe do ta kuptojë që kurrë nuk mund të rrija shumë gjatë në një vend. Kurse lapsuzet dhe gabimet e padashura drejtshkrimore do t’i tregojnë për disleksinë time.
Në një ese të George Orwell, me po të njëjtin titull, ai
thotë “Kur ulem të shkruaj një libër, nuk i them vetes ‘Po shkruaj një vepër
arti’. Shkruaj sepse ka një gënjeshtër që dua ta zbuloj, disa fakte të cilat
dua t’i vë në dritë dhe shqetësimi kryesor është të gjej një audiencë sa më të
madhe” që do të thotë se e konsideronte të shkruarën si mjet për të arritur
ndonjë qëllim.
Kurse unë s’mendoj që letërsia bën që të ndryshohet bota.
Po deshe ta ndryshosh botën hyri politikës. Kam përshtypjen që njerëzit që veç
kritikojnë, pa bërë asgjë tjetër, janë tepër të cekët për të qenë filozofë e
tepër dembelë e të pazgjuar për t’u marrë me politikë.
Tek e fundit luftërat janë vetëm si një buton për ta
rifilluar lojën. Vetëm luftërat, (luftërat: në kuptimin më të gjerë të fjalës)
kanë mundësi ta çiltërsojnë dhe ta nxjerrin në pah humanitetin dhe dëshirën e
njerëzve për ta përmirësuar vetveten.
Shumë shpesh na bëjnë këtë pyetje, sidomos neve
shkrimtarëve: Pse shkruani?
Rishtas edhe unë vendosa t’ia bëj këtë pyetje një
mikut tim.
“Pse shkruan” i them.
“Me laps, sigurisht” m’u përgjigj ajo.
“Jo me çka, por pse” insistoj unë.
“Që ta përdor lapsin” m’u përgjigj dhe e kuptova që nuk
do të merrja një përgjigje pasi, nganjëherë, jo që s’duam të përgjigjemi, por
s’kemi një të tillë.
Kur e kanë pyetur Charles Pierre Baudelaire, ai u
kishte dhënë përgjigjen perfekte, “Që t’i paguaj faturat”. Pastaj e pyesin se cila
do të ishte puna ideale, ai thotë “bujk, s’dua të bëj para duke përdorur
tragjeditë dhe ppasiguritë e mia, ato janë veç të miat, dua ta fitoj para me
nder”
Mbase ai ishte i vetmi që e kuptonte se e shkruara
është një punë dërrmuese e cila të shterron mendërisht e emocionalisht dhe di
të bëhet e mërzitshme kur nuk arrin t’i gjesh fjalët e duhura. Shumë shpesh të
ndodh të rrish krejt e vetme duke pritur për një frymezim hyjnor, dhe sapo të
vjen ideja të kujtohet mallkimi që i ke vënë vetes duke provuar të shkruarsh në
pentametër jambik.
Lizë, a do të të trgoj cili është tingulli më i trishtueshëm?
Është ecja e lirë në një bibliotekë të thatë ku nuk shqetësohesh që po e pengon
dikë. Zhurma që bën një libër që s’është hapur e lexuar asnjëherë dhe britma e
një fëmije që më shumë do të preferonte
të blinte një karamel se sa një libër. Kjo është mënyra se si përfundon bota,
jo me zhurmë por me psherëtimë
E vërteta është se mua më duhet t’iu gjej një shtëpi
personazheve që jetojnë në kokën time. Gjithsesi Liza, duket sikur s’ka rëndësi.
Të paktën të kam ty e mund të flasin bashkë herë pas herë. Kështu që ti vazhdo
të luash rolin e Lizës kurse unë do të jem kapuç-bërsi i çmendur. Sepse s’ka
rëndësi ku jetojmë, të gjithë, në një mënyrë a në një tjetër, jetojmë.
“Jo atyre që janë trima të ngrenë gishtin e krimit, por atyre që janë burra të shtrijnë dorën e pajtimit”, ishte porosia në krye të atij që nga shumëkush konsiderohet romani i parë i botuar në gjuhën shqipe në Kosovë. Ishte viti 1958, kur gazetari 22-vjeçar i “Rilindjes” do të arrestohej për “Gjarpijt e gjakut”, novela që protestonte kundër zakonit të gjakmarrjes, vëllavrasjeve dhe shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Në procesin gjyqësor të zhvilluar kundër tij në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë, në mars të vitit 1959, Demaçi do të bëhej i pari veprimtar që paralajmëroi publikisht rrënimin e Jugosllavisë.
“Nga ky vend po them edhe një herë se nëse Serbia e Jugosllavia nuk heqin dorë nga okupimi i Kosovës, dhe nëse nuk do të lejojë që Kosova të shkëputet nga Jugosllavia e t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk do të ketë as paqe, as qetësi as në Ballkan, as në Jugosllavi, as në Serbi. Nëse Serbia do të vazhdojë këtë politikë ndaj shqiptarëve, një ditë ajo ka për t’u bërë shkaktari që të shpartallohet krejt Jugosllavia dhe në fund do të mbetet edhe pa Kosovën. Kaq”, kishte thënë Demaçi i ri.
Ky episod dhe shumë të tjera u shpalosën të premten në Akademinë Përkujtimore të mbajtur në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Demaçit.
E organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës dhe Shoqata e ish-të Burgosurve Politikë të Kosovës, kjo orë përkujtimore shërbeu nga folësit pjesëmarrës për të shpalosur fragmente të jetës, veprimtarisë dhe krijimtarisë së tij letrare. /Koha Ditore /KultPlus.com
Shtëpia muze e Ismail Kadaresë është kthyer tashmë jo vetëm në një atraksion turistik, por dhe në vendin ku artistët dhe shkrimtarët zhvillojnë aktivitete.
Në javën kulturore kushtuar Martin Camajt, studiues, dashamirës dhe lexues organizuan mbrëmje diskutimi mbi rëndësinë e veprave të tij.
Martin Berisha, drejtor i Qendrës për hulumtime shkencore dhe studime shqiptare Albanica në Lubjane kërkoi prej të rinjve t’i kushtojnë më shumë vëmendje veprave të Martin Camajt.
“Mbi të gjitha Martinin duhet ta studiojnë në disa pikëpamje. Qoftë nga antropologjia kulturore, letësia dhe literatura”, thotë Berisha.
“Ai duhet sjellë, duhet futur në kurikulumet shkollore, por jo në mënyrë mekanike natyrisht. Për Martinin sot në Shqipëri të gjithë flasin dhe sillen sikurse nuk dinë asgjë. Janë momentet e fundit që Martini por jo vetëm të sjellin letërsinë shqipe në vendin ku ata e meritojnë”, përfundon ai.
Megjithëse Camaj u kujtua dhe për përmasën e vet letrare e njerëzore fokus i diskutimeve u bë misioni për të hedhur më shumë dritë tek puna e tij si gjuhëtar e albanolog, si dhe nevoja për të sjellë në shqip korpusin e studimeve të tij gjuhësore. /KultPlus.com
Herën e parë më arrestuan për propagandë, herën e dytë për krijimin e një organizate.
Unë i pranoj këto akuza. Herën e tretë ata më dënuan pa qenë fajtor për asgjë. Ata sollën para gjykatësve njerëz që nuk i kisha parë kurrëdhe nuk i njihja aspak. Gjykimi ishte i turpshëm. Një komedi e vërtetë. Isha viktimë. Por pa viktima nuk arrihet askund. E pranova këtë rol. Nga ana tjetër, unë jam i lumtuur që pushtuesi serb ka zgjedhur ta thyej, sepse unë e di që jam i pathyeshëm. Ata krijuan një dëshmor prej meje.
Adem Demaçi, i njohur edhe si Mandela nga Kosova, ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare dhe shkrimtar shqiptar nga Kosova. Më 2010 mori titullin Hero i Kosovës.
Burgosjes së Tij të parë, më 19 nëntor 1958, do t’i paraprijë
shpërngulja me dhunë e shqiptarëve në Turqi (“Kthimi”, “Mestani”), aksioni i
armëve dhe Procesi i Prizrenit. Do ta goditë sidomos burgosja e gazetarit të
devotshëm Sedat Dida, e cila do të ngjallë frikë e panik në mesin e punëtorëve
dhe gazetarëve të “Rilindjes”. Në procesin gjyqësor të marsit të vitit 1959 të
Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, Demaçi do të dalë hapur me kërkesën që pa
bashkimin e Kosovës me Shqipëri, nuk do të ketë paqe në Ballkan. Për këto
qëndrime të tij u dënua me 5 (pesë) vjet burg të rëndë. Gjyqi Suprem i Serbisë
ia vërtetoi dënimin në 3 (tre vjet), të cilat i vuajti në kazamatin e Sremska
Mitrovicës.
Pas
lirimit nga burgu, nuk e linin të zinte punë, me qëllim që t’u kallnin edhe më
shumë datën të tjerëve për pasojat që mund të kishin. Për më tepër, me ardhjen
e Hrushçovit në Shkup, pas tërmetit, më 1963, e izoluan dhe e mbajtën në burg
gjatë gjithë qëndrimit të tij në ish-Jugosllavi.
Për herë të tretë ra në burg më 6 tetor 1975 në procesin e montuar politik dhe u dënua përsëri me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg të rëndë, vite këto të cilat do t’i vuajë në burgun famëkeq të Stara Gradishkës. Më 21 prill 1990, me urdhërin e Kryesisë shtetërore të ish-Jugosllavisë, lirohet pesë muaj e gjysmë para se ta kryente dënimin e plotë./KultPlus.com
Sot janë bërë plot 35 vite nga lansimi i hitit botëror “Purple Rain” nga Prince, shkruan Kult Plus.
Princ ka luajtur në filmin Purple Rain, një film ku ai është
një muzikant i cili përplaset me grupin e tij, një histori që deri diku bazohet
në jetën e tij.
Gjithsesi filmi nuk është shkruar apo drejtuar prej tij.
Pikërisht nga ky film ka dalë hiti i mirë njohur Purple Rain.
Rain Purple është filmi i parë nga katër filma të Prince, ndjekur nga Under the Moon Cherry (1986), Sign ‘o’ Times (1987) dhe Bridge Graffiti (1990). Filmat ndihmojnë në demarkimin e tifozëve të tij të ashpër nga ndjekësit e tij më të rastësishëm – duhet ta doni me të vërtetë Prince-in për të hyrë në universin e tij kinematografik, i cili është i mbushur me vizionet e tij vjollce. Në Purple Rain, ai vjen si një tjetër James Dean./KultPlus.com
Është i njëjti apo s’është i njëjti, kjo është çështja
Hamleti dhe Simba nga filmi i animuar “Mbreti Luan” mund të duken personazhe krejt të ndryshme por kanë të dy historinë e njëjtë, shkruan KultPlus.
Ndonëse drama e
Shekspirit është më e gjatë dhe më e ndërlikuar, në fakt po të hidhet e gjitha
në një shfaqje teatrale do të duhen katër orë që të përfundojë e gjithë
shfaqja, por prapë elementet mbi të cilat është ndërduar filmi i animuar janë të
marra nga drama “Hamleti.”
Pas vrasjes së mbretit
të dy princërit derytohen të largohen nga shtëpia dhe të ikin diku jashtë
vendit, të dy vizitohen nga fantazmat baballarëve të tyre dhe të dy luftojnë me
gjagjain për marrjen e fronit.
Ndryshimi i vetëm
është se filmi i animuar ka fund të lumtur.
Pa harruar gjithashtu se drama është e mbushur me monologë të jashtëzakonshëm, dashuri të ndaluar dhe filozofi mbi vetënjohjen, seksin dashurinë dhe qeverisjen./KultPlus.com.
Kitaristi, këngëtari dhe aktori Steven Van Zandt (68) – i njohur më shumë si Little Steve – ka publikuar videon promocionale për albumin e tij të ri, “Summer of Sorcery”.
“Ky është albumi im i parë që nuk është autobiografik apo me ngjyrime politike. Gjithmonë kisha nevojë për një koncept, një ide të mirë për punën në album, kështu që mendova se në cilën mënyrë mund të jem më i dobishëm. Thash me vete, të provojmë të bëjmë diçka optimiste, që jep shpresë… Ndonjë fantazi romantike dhe interesante për verën, për dashurinë në jetë”, ka thënë ai.
I njohur edhe për rolin e Silvio Dantes në serinë “Sopranos”, Little Steven me dekada është pjesë e grupit të “E Street Band” të legjendës amerikane të rokut, Bruce Springsteen. /KultPlus.com