Revista prestigjioze amerikane “Forbes” ka mbajtur mbrëmjen speciale vjetore ku të ftuar kishte njerëz të rëndësishëm në biznesin botëror, shkruan KultPlus.
Kjo mbrëmje
ju dedikua në veçanti producentit më të njohur në botë, Quincy Jones, si njeriu
me më së shumti Grammy Awards në histori.
Në këtë mbrëmje
ishte ftuar edhe shqiptari Gezim Gashi, pasi ai është bërë shqiptari i parë që ka
hapur shkollë të artit në Amerikë.
Madje këtë
vit Gashi ishte në Kosovë, ku bashkë me Dua Lipën u shfaqën në konferencën zyrtare
të Festivalit “Sunny Hill” ku edhe njoftuan për bashkëpunimin mes tyre.
Aty u
deklarua se Sunny Hill Foundation në bashkëpunim me Oaks Christian School dhe
Institute of Arts and Innovation, përfaqësuar nga Gëzim Gashi, në vitin 2020 do
të dërgojnë tre të rinj nga Kosova për në Amerikë, si pjesë e Quincy Jones
Production dhe Institute of Arts and Innovation.
Gashi për dy vitet e fundit ka zhvilluar markën për shkolla dhe kompani të tjera në Suedi dhe Evropë dhe përmes punës së tij ka marr fokusin e Forbes dhe Huffington Post. Gashi po studion aktualisht Ndërmarrësin në Shkollën e Biznesit të Harvardit. / KultPlus.com
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump thotë se ai e meriton çmimin Nobel për një varg çështjesh, mirëpo nuk e ka fituar atë, sepse çmimi nuk është ndarë në mënyrë të drejtë.
“Unë mendoj se do të merrja një çmim Nobel për shumë gjëra, nëse ata do ta jepnin atë me të drejtë, gjë që ata nuk e bëjnë”, tha Trump, më 23 shtator, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, përcjell rel.
Komenti i Trumpit erdhi si përgjigje e një vërejtjeje nga një gazetar, se Trump do të meritonte një çmim Nobel nëse ai mund të zgjidhë mosmarrëveshjen midis Indisë dhe Pakistanit mbi rajonin e ndarë të Kashmirit.
Kashmiri pretendohet nga India dhe Pakistani, që kur këto vende e fituan pavarësinë nga Britania e Madhe në 1947.
Presidenti amerikan ka ofruar të ndërmjetësojë mosmarrëveshjen, e cila ka çuar në dy luftëra midis rivalëve rajonalë.
Paraardhësi i Trumpi, ish presidenti amerikan, Barack Obama, e kishte fituar çmimin Nobel.
Trump tha se Obama e mori çmimin aq herët në presidencën e tij sa që “ai nuk e kishte idenë pse e mori atë”.
“Kjo ishte e vetmja gjë për të cilën u pajtova me të”, tha Trump. / KultPlus.com
Në rrethet letrare, në Kosovë e më gjerë, Linditë Ramushi Dushku, njihet kryesisht si poete dhe si publiciste, kryesisht me shkrime nga fusha e psikologjisë.
Në botën e letrave, shfaqet që në moshën 20 vjeçare, përkatësisht në vitin 2004, me përmbledhjen poetike, “Mos hesht”, botuar nga Shtëpia botuese “ Ura”.
Nga përmbledhja e parë deri te e dyta, do të kalojnë rrafsh tetë vite. “Me sytë e ëndjes” do të titullohet përmbledhja e dytë e saj, që shquhet më një ndjeshmëri të arrirë artistike si dhe me një tematikë dashurie, fund e krye, për t’u pasuar këtë vit me përmbledhjes së saj të tretë me poezi, me një titull, sa të thjeshtë, aq dhe sugjestues: ASHT GUSHT.
Kjo përmbledhje, vetëm sa e avancon shprehjen poetike të Linditë Ramushit, e cila tashmë në një moshë më të pjekur iu kthye prozës, pas një serë tregimesh, të cilat i publikoi nëpër revista e portale të ndryshme, në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut.
Romani i saj i parë, i titulluar EVA ( njëra nga ato ), që tashmë po vjen në duart e lexuesve, shënon deri më tash përpjekjen më seriozë të Linditë Ramushi Dushkut, në letrat shqipe.
“Eva”, si titull tejet sinjifikativ dhe kryepersonazhi i romanit të saj, jo vetëm bart emrin e gruas së parë në botë, por edhe një “mëkat’ që ia nxin jetën, asaj.
Në fakt, nuk është mëkati që ajo e bën me hir apo pahir. Është një moment fatkeq gjatë luftës së fundit në Kosovë që i ndodhë asaj , ku përdhunohet nga njerëz të uniformuar, të cilët jo vetëm e damkosin atë si femër por, edhe të ardhmen e saj, përkundër përpjekjeve mbinjerëzore të saj për t’iu rikthyer asaj që quhet jetë.
Në shtjellimin e kësaj materie,
romansierja e re Linditë Ramushi Dushku, shquhet për prirje artistike dhe për
dramaticitet të sforcuar duke krijuar tablo të papritura dhe përplot art.
Në kohën kur kjo temë e romanit të saj, nuk është më tabu në Kosovë, ky roman vjen si një katarzë shpirtërore, jo vetëm për “Evën” apo dhe autoren e saj, po në përgjithësi edhe për shoqërinë kosovare e cila po jep shenja të dukshme të një emancipimi të përgjithshëm si popull i shekullit njëzetenjë. / KultPlus.com
Libri “The Secret Garden” i Frances Hodgson Burnett tashmë disa herë është adaptuar për ekranet e mëdha dhe të vogla. Por kjo nuk e pengoi David Heymanin, producentin e “Paddington” dhe filmave për Harry Potter, që përsëri ta ekranizojë të njëjtin material.
Tani kemi mundësinë ta shohim trailerin e parë për adaptimin e ri.
Ashtu si në libër, filmi e tregon historinë për Mary Lennox (Dixie Egerickx), vajzën problematike 10 vjeçare, të lindur në Indi në një familje të pasur britanike. Kur prindërit e saj papritur vdesin, Mary dërgohet përsëri në Angli për të jetuar me xhaxhain Archibald Craven (Colin Firth) në pronën e tij të largët, thellë në pyjet e Yorkshire.
Atje, ajo fillon të zbulojë shumë sekrete familjare, veçanërisht pasi e takon kushëririn e saj shëndetlig Colin (Edan Hayhurst), të mbyllur në një krah të veçantë të shtëpisë, shkruan KOHA Ditore. Së bashku këta dy fëmijë paksa “të lënduar” fillojnë ta shërojnë njëri-tjetrin përmes zbulimit të një kopshti sekret çudibërës, vendit magjik plot aventura që do t’i ndryshojë përgjithmonë jetët e tyre.
Julie Walters shfaqet në rolin e amvises znj. Medlock, ndërsa aktori i ri Amir Wilson e luan rolin e Isis Davis. Skenari është shkruar nga Jack Thorne ndërsa regjinë e filmit e bën Marc Munden.
Filmin The Secret Garden do të mund ta shohim në prill të vitit të ardhshëm, kur filmi mbërrin nëpër kinema.
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po bëhen përgatitjet e fundit për premierën e shfaqjes “Pesë stinët e armikut të popullit” e dramaturgut Jeton Neziraj, përcjellë KultPlus.
Shfaqja përshkruan
Prishtinën e pasluftës e cila dita-ditës po kërcënohej e ngulfatej nga ndërtuesit
e fuqishëm ilegalë të cilët, në kundërshtim me të gjitha rregullat urbanistike,
po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj. Në anën tjetër, “Pesë stinët…” e
përfshijnë edhe misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që në emër të
politikave neoliberale të tregut, po e toleronte dhe po i krijonte terren të
favorshëm këtij shkatërrimi.
Në këtë proces kanë qenë të
inkuadruar edhe shumë prodhues të materialeve ndërtimore nga vendet tjera të
Evropës, të cilët kishin interes nga ky “rekonstruktim i shpejtë”.
Duke e parë këtë situatë
alarmante, arkitekti e planifikuesi hapësinor Rexhep Luci po përpiqej të vinte
kontroll urbanistik. Për kompanitë e ndërtimit e ato të prodhimit, për kastat e
korruptuara politike, për mediet oportuniste, për komandantët e luftës, për
zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër, ai ishte “armiku”. Rexhep Luci ishte
kërcënuar me jetë disa here dhe pastaj edhe ishte vrarë në hyrje të banesës së
tij në Prishtinë.
Prishtina, qyteti që ka
fituar luftën por e ka humbur paqen, është sot qyteti me ajrin më të ndotur në
Evropë, ku kompanitë e ndërtimit vazhdojnë të abuzojnë me dhjetëra mijëra
punëtorë të angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë, të cilët paguhen keq,
punojnë në kushte ekstreme të pasigurisë fizike dhe pa sigurim shëndetësor.
Gjatë një viti në Kosovë, në
vendin e tyre të punës, vdesin apo pësojnë aksident qindra punëtorë të këtij
sektori. Familjet e tyre nuk kompensohen kurrë.
“Pesë stinët…” është një
rrëfim për “heroin që komprometohet nga shumica” dhe për “përgjegjësinë e
shumicës, si armike e të vërtetës dhe lirisë” (Ibsen, përmes Stockmann). Por
kjo shfaqje na flet edhe për hipokrizinë e misioneve të paqes të UN-it, të
cilat, në emër të stabilitetit politik, në emër të paqes, zhvillimit e të
rikonstruktimit, mbyllin sytë përballë dr. Stokmanëve, dhe rrjedhimisht, bëhen
pjesëmarrës në vrasjen e tyre.
Muzicientë: Drin
Tashi, Tomor Kuçi, Arbër Salihu, skenografia dhe kostumet: M. Nurullah Tuncer,
muzika: Irena Popoviq- Dragoviq dhe koreografia nga Gjergj Prevazi.
Shfaqja vjen premierë sonte në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com
Pavijoni i Kosovës në Bienalen e 58-të të Venedikut dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kanë promovuar katalogun e veprës “Family Album” të artistit Alban Muja.
Drejtoresha e Galerisë Kombëtare, njëherësh edhe Komisionere e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecies, Arta Agani, deklaroi se gazetat ndërkombëtare e kanë vlerësuar Pavijonin më interesant në Bienalen e 58-të të Venedikut.
Siç tha ajo, është gjë e rëndësishme që Pavijoni i Kosovës të zgjedhet në mesin e përfaqësive ndërkombëtare.
“Ne kemi filluar para një viti që të bëjmë përgatitjet. Ekipi ynë ka kaluar në faza të ndryshme të projektit. Fotografitë që janë të përfaqësuara këtu, janë historike të marra nga fotografët botëror. Shumë revista dhe gazeta ndërkombëtare e kanë përmendur si një ndër pavijonet më interesante. Kjo është e rëndësishme që në një përfaqësi aq të madhe të përzgjidhet pavijoni i Kosovës, me një sukses të madh. Jemi këmbëngulës që Kosova të marr pjesë në hartën ndërkombëtare të skenës bashkëkohore. Ministria e Kulturës, Zyra e Presidentit, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Mjedisit e disa sponsor të tjerë të cilët e kanë përkrahur pavijonin e Kosovës”, tha ajo.
Artisti Alban Muja, tha se e gjitha ka ndodhur për të rikthyer realitetin që ka ndodhur para 20 vjetëve.
Muja tha se projekti ka qenë sfidues.
“Ne kemi filluar punën për të ndërtuar një ekip që me sjell një projekt sa me të mirë e voluminoz. Kemi punuar disa muaj në krijimin e këtij koncepti. Ne kemi marr lejen për tri fotografi botërore, ku gjithçka fillon nga ato që ti përdorim për atë që ka ndodhur 20 vjet më herët. Projekti ka qenë sfidues për të treguar realitetin si dhe të jetë human”.
Koordinatori i projektit, Engjull Berisha, njoftoi se në vitin e ardhshëm i njëjti projekt do të jetë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
“Ka qenë nder ne qenë pjesë e këtij projekti madhor. Kemi punuar intensivisht. Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme. të njëjtën punë kemi me sjell në vitin e ardhshëm në Galerinë Kombëtare të Kosovës”, u shpreh ai.
Editor i katalogut është Vincent Honore dhe Anya Harrison, botues Mousse Publishing. / Ekonomia Online/ KultPlus.com
Brenda territorit të Kosovës ekzistonte një tabelë me mbishkrimin “Republika e Serbisë- Kosova dhe Metohija”, për të cilën reagoi historiani i njohur Jusuf Buxhovi. Përmes një statusi në Facebook ai u shpreh: Realiteti i ynë sot: Agresioni i Serbisë në Kosovë si edhe krekosja e politikanëve tanë për Kosovën 100% shtet.
Por, reagimi ka qenë i menjëhershëm nga ana e Ramush Haradinajt i cili e ha kequr këtë tabelë. “Për këtë gjë Haradinaj ka njoftuar përmes një statusi në rrjetet sociale teksa ka shpërndarë edhe fotografitë si dëshmi.
“Të dashur qytetarë,
Tabela në Zubin Potok, për të cilën është raportuar dje në media, është hequr mbrëmë nga organet e zbatimit të ligjit të Republikës së Kosovës. RH”. / KultPlus.com
I përkthyer nga Ilirjana Angoni, libri “Kujtime nga Shqipëria e epërme” e Alexandre Degrand ka dalë nga shtypi. Kujtimet e baronit francez, Jules Alexandre Théodore Degrand (1844- 1911), marrin një rëndësi të veçantë në ndriçimin e të vërtetave historike në një shekull trazirash historike dhe diplomatike në jetën e shqiptarëve.
Alexandre Degrand lindi në Paris dhe ishte diplomat e shkrimtar.
Në vitin 1874 ishte në Rumani si kancelar i konsullatës Franceze në Galati. Vitin në vijim ai punoi me konsullin dhe arkeologun amator Charles Champoiseau (1930-1909), i cili disa vite më parë kishte zbuluar statujën e Fitores me Flatra të Samothrakës. Në vitet 1893-1899 ai punoi si konsull francez në Shkodër. Degrand ishte i interesuar në veçanti për historinë e rajonit dhe më saktësisht për parahistorinë dhe antikitetin. Ai vizitoi shumë fortesa, kisha mesjetare dhe rrënoja duke shënuar ato që pa dhe që dëgjoi nga njerëzit vendas. Dy vite pasi u largua botoi librin ‘Kujtime nga Shqipëria e Epërme’. Në libër bëhet një përshkrim i historisë së lashtë të shqiptarëve duke u bazuar në të dhëna nga historianë apo studiues të ndryshëm, prandaj edhe nëse gjendet ndonjë pasaktësi nuk mund t`i vishet autorit, përkundrazi autori shkruan me shumë dashuri për Shqiptarët dhe bën analiza të thella, por që gjithmonë i përkasin asaj periudhe dhe jo të ardhmes, të cilën ai e shikonte jo dhe aq në favor të shqiptarëve.
Interesant në këtë libër është zbulimi i varrezave të Komanit – sipas vendasve të quajtur ‘Mali i Varreve’ – të gjendura majë malit. Degrandit i takon merita si zbuluesi i parë i tyre dhe i atij që quhet ‘qytetërimi i Komanit’. Një pjesë e artifakteve të gjetura atje, në varret ilire të Komanit dhe në fortesën e Dalmacit iu dhuruan Muzeut të Antikiteteve të Saint Germain në Laye, pranë Parisit. Për Degrandin mbeti enigmë popullsia dhe vendbanimi i popullit të varrosur atje, sepse ai nuk zbuloi aty rrotull apo më tej ndonjë vendbanim të hershëm. Mendimi i Degrandit – bazuar në rrallësinë e objekteve prej hekuri të gjetura aty – ishte se kjo popullsi i përkiste antikitetit dhe gjithashtu bën emërtimin ‘Pellazgë misteriozë’. Për nga ngjashmëria, ai e krahasonte me zbulimet e bëra në Samothrakë. Ajo që mbeti enigmë për Degrandin, u zbulua pas 120 vitesh nga një ekspeditë franko-shqiptare, pra u zbulua pikërisht në atë vendndodhje i mbuluar nga shkurrishtet e hershme që nga maja e malit e deri poshtë, diçka që Degrandi mendonte se duhej të ishte diku poshtë përreth. Nga gërmimet ka dalë në pah qytetërimi i hershëm i Komanit, ku ndër të tjera janë zbuluar mbi 12 kisha dhe madje katedrale.
Mënyra e të shkruarit të Degrandit është e thjeshtë dhe mjaft e qartë nga ana konceptuale kur përshkruan qytetet dhe fshatrat e ndryshme shqiptare si dhe banorët e tyre, të cilët i respekton të gjithë njësoj. Lidhur me këtë mund të veçonim një detaj në kohën e gërmimit në Malin e Varreve, kur një plakë malësore fillon dhe shan për këtë zhvarrim. Me shumë takt Degrandi, ndonëse nuk kupton fjalët, por kupton shqetësimin e saj, i kthehet duke iu përgjigjur se këta që zhvarrosen nuk janë të krishterë por janë paganë dhe ky ishte mendimi i tij në atë kohë, sepse në gërmimet e tij nuk gjeti gjurmë të krishtërimit. Vetëm atëherë malësorja largohet, natyrisht jo plotësisht e qetë. Degrandi shprehet se në Shqipëri kam gjetur njerëz shumë dashamirës, qoftë të krishterë qoftë myslimanë. Meritë tjetër e Degrandit janë fotografitë e shumta dhe origjinale të këtij libri, nga të gjitha zonat e Shqipërisë së Epërme.
Ky libër është ribotuar disa herë, madje edhe në vitin 2013, gjithashtu gjendet edhe në gjuhën angleze/Dhurata Hamzai, Shqiptarja. / KultPlus.com
Lajmet e fundit fillojnë si përrallat e bukura: Na ishte njëherë shpresa dhe qyteti i gëzuar. Tani ka tym, mjegull dhe gurë pikëllimi.
Njerëzit shëtisin të hutuar.
Pinë kafe bashkë me fantazma
dhe të shastisur rrëfehen para tyre si Konstandini kur e sillte Doruntinën te
ëma e vet.
Nëpër rrugët e ngushta mendimet janë të ngushta,
dhe marrin n’ thua edhe ata që sytë i bëjnë katër.
Na ishte njëherë një kohë kur lirinë e prisnim nga lajmet.
Tash lajmet na dëftojnë hijet që kukurisin dhe njollosin lirinë.
E përtej horizontit në malet e thepisura
shihet dëborë dhe një dimër i acartë pa fund.
Oh! Në një ditë vjeshte si kjo,
me lirinë e tepruar të imagjinatës
shoh gra të bukura
që luajnë me gjethe vjeshte.
dhe matanë ekraneve një çetë politikanësh
si bëjnë plane të mjegullta.
Një ditë vjeshte si kjo,
njerëz pa skrupuj shëtisin rrugëve të boshatisura.
Ata kanë abortuar lirinë
dhe shfaqen çdo mbrëmje në ekranet tona të mëdha.
Na dëftojnë si formohet mbretëria e marrëzisë
para syve që s’shohin gjë nga mjegulla.
Një ditë vjeshte në fund
ndala orën dhe përmes dritares
pashë një qytet të mërzitur
silueta njerëzish të mërzitur
gra të mërzitura
fëmijë të mërzitur
dhe një grusht politikanësh të lumtur.
Zbulohet një dokument i shkruar me një alfabet të pastër shqip, 49 vjet para se të mbahej Kongresi i Manastirit.
Ky kongres, që u mbajt më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, njihet zyrtarisht si kongresi i unifikimit të një alfabeti të gjuhës shqipe, por jo pak herë ata që e kujtojnë këtë ngjarje historike krijojnë një keqkuptim të madh. Më së shumti, mendohet se gjuha shqipe për 500 vjet të sundimit osman nuk është shkruar, por në të vërtetë dokument pas dokumenti shfaqet shqipja e shkruar, ku konfirmohet edhe e përkthyer në italisht, apo në gjuhë të tjera edhe disa dekada para Kongresit të Manastirit. Alfabetet bazë të shqipes të përdorura para Kongresit të Manastirit dhe të ruajtura kryesisht në arkivat e huaja kanë pasur shumë pak ndryshime nga alfabeti i unifikuar në shekullin e 20-të. Dhe dokumente e shqipes tregojnë se pavarësisht disa ndryshimeve shënjimi i tingullit ka mbetur pothuajse i njëjtë. Gjithashtu dihet se unifikimi i alfabeteve ka ndodhur në bashkëkohësi me çdo gjuhë të botës, po asnjë vend nuk mohon se gjuha e tij nuk ka qenë e pashkruar dhe nuk lejon as të tjerët t’ia thonë këtë. Dokumenti më i fundit në gjuhën shqipe, i zbuluar nga Mark Palnikaj, vërteton se ka një alfabet të ngjashëm me të sotmin. Kërkuesin e arkivave dhe studiuesin Mark Palnikaj e shqetësojnë opinionet që mohojnë kulturën e shkrimit shqip dhe ai çdo herë do të sjellë nga një dokument që provon se ka pasur shkolla dhe shkrime shqipe si çdo alfabet i gjuhëve të tjera të botës.
Mark Palnikaj rrëfen për “Shqiptarja.com” një dokument të shkruar në dy gjuhë, në shqip dhe në italisht të mbijetuar nga kisha e Nikajt që ishte në varësi të dioqezës së Shoshit.
“Kjo kishë kishte një bibliotekë të pasur, dhe ky dokument ka shpëtuar nga dy katastrofa që i kanë ndodhur”, shprehet Palnikaj, duke kujtuar “djegien e kishës së Nikjat në vitin 1868 dhe shkatërrimin e vitit 1967 kur diktatura komuniste nisi luftën ndaj fesë. “Ky dokument tregon se Shashi që kishte në varësi Kishën e Nikajt nuk ishte një dioqezë e humbur, por kishte bibliotekë dhe kishte dioqezën dhe famullitë ku shkruhej shqip. Ky dokument që unë po ju rrëfej tregon se në vitin 1859 shkruhej shqip, që është 49 vjet para Kongresit të Manastirit”, thotë Palnikaj i intervistuar nga “Shqiptarja.com”. Pas gjetjes së këtij dokumenti, Palnikaj ka konfirmuar në APF ( Arkivi i Propagandës Fide), edhe pasurinë që kishte Kisha e Shoshit. Kjo tregon se atje ruhen të tjera dokumente të shkruar me alfabetin e shqipes. Sipas Palnikaj “Fondi SC Albania, Vll. 5, faqe 178 sh ( recto vetos para prapa ), zbulohet inventari i librarisë në kishën e Shoshit i vitit 8 gusht 1864, kur Fra Dario Buçiarelli ia dorëzon Fra Pal Berishës. Ky dokument tregon se janë 50 tituj librash me 94 libra.”
Dokumenti i Kishës së Nikajt i shkruar më 8 maj 1859, siç shihet në datën në mes dhe në rreshtin e fundit ka këto shënime në shqip: .
“Me ba pojaten në kryet’ares (mendohet të jetë me ba ujitjen) = me mbjel tokën t’tan kollomoq = me da kollomoqin me kosciq = 2 kosha Pietrushin e nje kishes = mos me prek n’kastagnet as n’Ciarisht as pak në kopësht.
Kastagneti asht i Kisces. Pietrusci ka me ruit meremetis e me scund s’ka asht nja e perpiet e me dâ kestaiat permiet ( a meta) me kiscen.
Ç’ashtu me dorzan te kisces”. Aty shkruhet italisht: “Testimoni furano Bash Bairami alfiere di Nikaj, Asa Pera di Merturi, Arif Delija il servo. Pietrush Delia ed io Fra Antonio. Në shqip: (Dëshmitar janë Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve, Hasan Pera nga Mërturi, Arif Delija rrogtar dhe un Frat Antoni)
Studiuesi dhe mbledhësi i pasionuar i arkivave shprehet se “Dokumenti është sigurisht është një zbulim, dhe nuk është i vetmi, por për mua dhe ata që merren me studimin e shqipes është një konfirmim më i plotë përkundër keqinformimeve se shqipja na qenka shkruar vetëm 110 vjet më parë, pas shpalljes së alfabetit të njësuar nga Kongresi i Manastirit. Shqipja është shkruar rregullisht më herët dhe shembujt janë të shumtë, por nuk është rasti t’i përmendin këtu”, thotë Palnikaj.
Mark Palnikaj kohë më parë ka zbuluar edhe një dokument të vitit 1881, në Arkivin e Françeskanëve, që ishte një vendim i shkruar në një ditar të titulluar “Memorie Varie”. Dokumenti datonte 27 vjet përpara sesa të shpallej alfabeti i njësuar i Manastirit. Gjithashtu pak kohë më parë Studiuesja Ledi Shamku ka zbuluar në kishën e Shena Premtes shqipen e shkruar në një gur varri. “Gur varri në Kishën e Balldrêmit, gdhendur shqip 35 vjet para Kongresit të Manastirit, ku lexohet: “Gjelosh Marashi 1813 – 1873”…. … Sa shumë heshtje thyen një gur varri! Mjafton me u ul gjunjazi pranë tij e me mbajtë vesh. Jemi të rrethuar nga shenjat tona. Duhen thjesht sy me i pa e shpirt me i dashtë”, ka shkruar Ledi Shamku/Shqiptarja / KultPlus.com
Brenda territorit të Kosovës ekziston një
tabelë me mbishkrimin “Republika e Serbisë- Kosova dhe Metohija”. Ky skandal e
ka shtyrë historianin e njohur Jusuf Buxhovi të reagoj menjëherë përmes një statusi
në Facebook, shkruan KultPlus.
“Realiteti i ynë sot: Agresioni i
Serbisë në Kosovë si edhe krekosja e politikanëve tanë për Kosovën 100% shtet”,
ka shkruar ai në Facebook.
Kjo tabelë është e vendosur në hyrje të komunës me shumicë serbe, Zubin
Potok, në veri të vendit.
Institucionet e vendit ende nuk kanë reaguar diçka rreth kësaj çështje. / KultPlus.com
G4shi, reperi shqiptar i cili jeton dhe vepron në Amerikë, po ngjitet fuqishëm në skenën e muzikës botërore. Albumi i tij më i ri i titulluar “Gashi” e që përfshinë 16 këngë ishte një tjetër vulë suksesi për të, shkruan KultPlus.
Këtë album ai e pasoi me një video dukë shfaqet i ulur në një
karrige teksa rrëfen për projektet, vështirësitë në karrierë e prejardhjen të
cilën nuk harron ta potencojë gjithmonë.
Këtë video të cilën e ka shpërndarë në Instagram, ai e përcjell
me një mesazh për fansat.
“Kurrë mos harroni nga vini”, shkruan artisti.
G4ashi ka lindur në Libi nga prindër me origjinë nga Kosova,
ndërsa karrierën e ka ndërtuar në SHBA. Performanca e tij këtë vit në festivalin
“Sunny Hill”, u mirëprit jashtëzakonisht mirë.
Ndërsa vallëzimi i tij bashkë me Dua ime këngën shqipe “Shota” u bë hit në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare, Rita Ora ka befasuar të gjithë me paraqitjen e fundit.
Ajo ka veshur një kostum me dizajn të inspiruar nga veshja e artistit legjendar, tashmë të ndjerë, Prince.
“Një dedikim për njërin nga artistët më të mrekullueshëm dhe më inspirues të të gjitha kohërave. Faleminderit Escada që më ndihmuat ta kthej këtë pamje përsëri në jetë. Prince më mungon gjithmonë.”, ka shkruar Rita në Instragram. / KultPlus.com
Ka shumë vite prej kur shumë banorë jetojnë, kanë jetuar më pas janë larguar, shumë studentë kanë kaluar vitet e studimeve duke banuar në lagjen “Ulpiana”.
Ajo është projektuar nga arkitekti i parë shqiptar në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, i ndjeri profesor Bashkim Fehmiu.
Një fotografi është publikuar nga platforma “Oral History Kosovo”, ku shihet se si ndërtohej ai kompleks banesor. Nëse dikush njeh dikë në këtë fotografi, ose njeh dikë që ka punuar aty, ju lutem të lajmërohet në këtë faqe. / Ndertiminfo / KultPlus.com
Guri i plakës, është një histori e cila duke u përcjellur brez pas brezi, jeton edhe sot e kësaj dite nëpër viset tona.
Guri është çarë mespërmes nga një kompani franceze në vitin 1936, kur Jugosllavia e Versajës ndërtoi hekurudhën Prishtinë-Pejë, e cila është e qarkullueshme tash 80 vjet, transmeton KultPlus.
Guri i Plakës sipas gojëdhënave të fshtarëve përreth e sidomos të fshatit Gradicë e Godanc e paraqesin rastin duke pohuar se në afërsi të Gurit të Plakës ka qenë një lagje (mahallë), një familje me dyzet anëtarë,me pushtimin e sllavëve në atë përleshje vriten 80 persona, kurse Plaka që i mbijeton vrasjes me 2 nipat e saj i shpëton ngjarjes.
Plaka të nesërmen i merr dy nipat dhe bagëtitë, delet, dhitë dhe afrohet te guri ku shihet vendi ku është strehuar plaka me nipat në Dollap. Kurrse bagëtitë kanë qëndruar rreth Gurit të Plakës.
Thuhet se plaka deri sa i ka rritur nipat ka jetuar në këtë gurë, ku në periferi të gurit nga lindja ka qenë ledinë, sipas gojëdhënave thuhet se plaka është rrëzuar dhe ka humbur jetën.
Jo rrallë trillohen mitet dhe legjendat në Kosovë. Edhe sajohen sipas trillit të njerëzve. Fat të këtillë ka patur edhe Guri i Plakës. Trillanë të ndryshëm flasin shumë për të. Edhe më keq kur nuk dinë ç’dallim ka miti me legjendën./gazetametro/KultPlus.com
Anita Take ishte dhe vazhdon të jetë një nga këngëtaret më të njohura shqiptare.
Anita Take është ngjitur në skenë para 50-vjetësh, por akoma vazhdon të kujtohet me nostalgji nga të gjithë ata që e kanë njohur atë. Ajo akoma ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve dhe shumë këngë të saj akoma këndohen edhe sot.
Kjo tregon se këngëtarja e madhe Anita Take me ëmbëlsinë e zërit dhe interpretimin e shkëlqyer në skenë, ka lënë gjurmë të thella në historikun e muzikës dhe të këngës shqiptare.
E lindur në një familje, që nuk merrej me muzikë, por që ishin shumë dashamirës dhe pasionantë ndaj saj, Anita Take do t’i jepte familjes së saj, atë që nuk ua kishte dhënë asnjë fëmijë dhe profesion tjetër.
Por, krahas zërit dhe pasionit për këngën, ajo pati edhe një fat tjetër të bardhë në jetë, sepse u njoh dhe lidhi jetën e përjetshme me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës dhe me themeluesin e muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani.
Kjo lidhje e saj me një artist dhe një mjeshtër të kompozicionit, bëri që Anita Take brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër, të bëhej këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë.
Ajo ka mbi 50 vjet, që ka kënduar dhe debutimin e saj të fundit e ka bërë tek spektakli “Njëqind këngët e shekullit”, ku duartrokitjet e gjata të njerëzve, që kishin mbushur plot e përplot sallën, e mallëngjyen pa masë.
Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë, ajo është dekoruar nga presidenti me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”. Por, ndonëse ajo ishte shumë e gëzuar për profesionin e saj, pengu i vetëm për të, ishte se nuk ka arritur të filmohet, duke kënduar në vitet e saja më të mira.
Në vitin 2004, Anita Take publikon albumin “Me Do Apo S’me Do”. Në Mars 2014, Kujtim Prodani, Sajmir Cili & Anita Take marrin pjesë në Kenga Ime 2014 me këngën “Turkesha”.
Këngetarja është vleresuar me titullin “Naim Frasheri i Artë” për vlerat dhe karrierën e saj në gati pesë dekada në muzike, ne nje intervistë ka rrëfyer pengjet e jetes se saj. “Pengun, e kam shumë të madh. Jam fajtore pa faj, nuk kam materiale të jetës sime të regjistruar, pasi s’ka pasur televizor”, – pohon zeri brilant i skenes shqiptare. Ajo ka mbi 50 vjet qe ka kenduar dhe vazhdon te kendoje edhe sot, sa here qe e therrasin.
Debutimin e saj te fundit e ka bërë tek spektakli “Njëqind kënget e shekullit”, ku duartrokitjet e gjata të njerëzve, që kishin mbushur plot e përplot sallën, e mallengjyen pa masë./konica.al/KultPlus.com
Berati mori pamjen e sotme në shekullin XVIII dhe sidomos në shekullin XIX, pas tërmetit të vitit 1851.
Në fund të viteve 30 të shekullit XIX Berati kishte 8000 banorë dhe ishin shfaqur punishtet e tipit të manifakturave, transmeton KultPlus.
Asokohe Berati zinte vendin e dytë pas Shkodrës për fuqinë ekonomike të tregtarëve të mëdhenj, të cilët kishin agjenci në Durrës e Vlorë si edhe në Trieste, Korfuz e Maltë.
Në fund të viteve 1800 në qytet kishte 820 punishte zejtare e dyqane, duke qenë kështu qendra më e lulëzuar ekonomike, tregtare e kulturore e Shqipërisë së Jugut.
Deri në mes të shekullit XX në Berat ekzistonin ende tre tregje të gjerë të cilët funksiononin rregullisht çdo të shtunë: Pazari i misrit, Pazari i bulmetit dhe Pazari i gjësë së gjallë. Ekzistonte edhe tregu i ri, me 100 dyqane moderne ku përfaqësoheshin të gjitha llojet e tregtive.
Për nga numri i zejtarëve Berati ishte në vend të parë; ushtroheshin rreth 23 lloj zeje. Çdo zeje sistemohej në një rrugë të cilës i jepte emrin.
Kështu shpjegohen edhe emrat e rrugëve deri në gjysmën e dytë të shekullit XX si rruga e kazanxhinjve, bakërxhinjve, xhokaxhinjve, leshpunuesve, rrobaqepësve, samarxhinjve, etj./dita/KultPlus.com
Tamara de Lempicka e njohur si “baronesha me penel”, është një nga artistet më të vlerësuara të elitës hollivudiane. Antikonformiste, magjepsëse dhe skandaloze.
Një grua që revolucionarizoi artin, por edhe feminitetin. dashuroi burra dhe gra, të cilët shpesh ishin subjekt i kompozimeve të saj, frekuentoi klube nate, madje arriti deri atje sa u fut e maskuar në lokalin “Rose”.
E përvuajtur, e emancipuar, biseksuale e deklaruar, sa magjepsëse, aq edhe shqetësuese për kohën, Tamara de Lempicka është piktorja ikonë e viteve të çmendura.
Piktorja e famshme lindi në Varshavë më 16 maj 1898. Boris Gurwik-Gorski, i ati, një çifut i pasur rus, u largua që herët nga jeta e saj, artistja deklaroi se prindërit ishin divorcuar, të tjerë hamendësuan vetëvrasje, si rrjedhojë Tamara u rrit me nënën dhe dy vëllezërit. Në vitin 1907, shoqëroi gjyshen Klementine në një udhëtim në Itali dhe Francë, gjatë së cilës ajo mësoi bazat e pikturës.
Sudimet i zhvilloi mes Zvicrës dhe Polonisë, duke u zhvendosur më pas në Shën Petërburg, ku u njoh edhe me burrin e saj të ardhshëm, avokatin Tadeusz Lempicki, me të cilin u martua në vitin 1916. Gjatë revolucionit rus çifti u arratis në Paris, ku Tamara filloi të studionte pikturën me mjeshtër si Maurice Denis dhe Andre Lhote.
Stili i saj u ndikua fuqishëm nga lëvizja artistike “Art Deco”, gjithnjë duke ruajtur origjinalitetin e vet. Ekspozitën e parë e mbajti në vitin 1922. Në vitin 1924, ajo takoi Marinetin në një lokal: vendosën të shkonin të përflaknin Luvrin, qëllim i cili i çoi në rajonin e policisë. Shumë shpejt arriti majat e suksesit dhe më 1928 u nda nga i shoqi. Qe mysafire e Gabriele D’Anunçio.
Në vitin 1933 u martua me Baron Raul Kufner de Diosegh. I ra rreth e rrotull Evropës, u zhvendos në Kaliforni në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore dhe së fundmi në Nju Jork, në vitin 1943. Pas vdekjes së burrit të dytë, në vitin 1961, Tamara shkoi të jetonte në Hjuston të Teksasit, ku zhvilloi një teknikë të re pikture, që konsistonte në përdorimin e spatulës në vend të penelit.
Pikturat e reja, të përngjashme me artin abstrakt, u pritën ftohtë nga kritikët, aq shumë saqë piktorja u zotua të mos i ekspozonte më në publik veprat e saj. Vdiq në vitin 1978, nga asfiksia në frymëmarrje: duhej të flinte me maskën e oksigjenit, por e gjetën pa të. Sipas amanetit të saj, u dogj në krematorium dhe hirin ia shpërndanë në vullkanin Popocatepetlit.
Piktura e saj, e përbërë gati ekskluzivisht nga portrete, shprehje e mjedisit të shoqërisë së lartë dhe aristokracisë, pjesë e së cilës qe edhe artistja midis dy luftrave, zbulon një interpretim personal të frymës kubiste krahas një vërtetësie të theksuar.
Artistja është vlerësuar shumë nga këngëtarja Madona, që është edhe koleksionistja e saj më e madhe, si dhe Barbra Streizën. Vëmendja që i kushtuan persona të rëndësishëm të artit veprave të piktores kontribuoi në rivlerësimin e saj.
Përveç natyrave të vdekura dhe portreteve të fëmijëve, ajo pikturoi femra lakuriqe të kolme me buzë shumë të kuqe, kompozime që të sjellin ndërmend pikturat e Rilindjes. Lëkura është aq e rrëshqitshme si porcelani, drita që luan mb trup si në një studio fotografie. Pikturoi kryesisht femra lakuriqe, por edhe meshkuj, nën tiparet e bashkëshortit.
Me cingarishten e saj të përjetshme, ajo ishte mishërimi i “Art Deco”. Rrugës drejt lavdisë, ajo i kishte vënë kryqin shpirtit sllav dhe keqardhjeve ruse./konica.al/KultPlus.com
Merreni shtruar harrimin për ju shpirtit thuani zëshëm jemi vetëm rrugëtimit maratonik deri tek pragu tjetër n’ lëkurën tonë dhimbjet i ndjejmë veç ne hijet e harruara nga të gjithë n’ trishtin e çmendisë qetohemi e pëlcasim me lotë një dolli pelimi që nuk soset asnjëherë teksa grimcojmë thonjtë terapinë e pikëllimit
Flasim me askend me muret me andrrat e llahtarit vetëm atëhere kur edhe hijet zhduken prajshëm e zbehtë n’ prendim dielli e terri mbulon turpin kolektiv që kurrë na braktisi për fajin e pabërë
Në vendin ku dashuria për njeriun nuk banon ma drejtësia blihet me monedha dhe mamuza patkonjësh hileqar farkuar në klanin që vret andrrën tuaj n’çdo pusi karremi dhe e ha mishin e dashjes tonë qetë-qetë
Merreni shtruar harrimin për ju zgjohuni ta vrasim bashkë mordjen që fle e shkujdesur në çmimin e tregëtimit me plaçkën e dhimbës tuaj Shkunduni ma se mu tha fyti nga durimi. /KultPlus.com
( Kjo poezi u është kushtuar viktimave të dhunës seksuale dhe familjarëve të të zhdukurëve e të vrarëve, gjatë luftës së fundit në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, nga regjimi totalitar i Millosheviqit.)
Një ndër mbretërit e parë ilirë që kanë prerë monedha ka qenë Monuni, i cili mendohet të ketë mbretëruar në vitet 290/285 deri në 270 p.e.s, në trevat mes Dyrrahut dhe Apolonisë, deri në kufi me Maqedoninë.
Në një informacion të publikuar nga Banka e Shqipërisë, monedhat dyrrahase gëzonin besimin e tregjeve të kohës dhe Monuni vendosi t’i riprodhojë për të lehtësuar shkëmbimet brenda mbretërisë së tij.
Stateri i mbretit Monun mban në faqe figurën e lopës duke e pirë viçi, simbol ky i marrë nga stateret dyrrahase. Mbi lopën ravijëzohet figura e një nofulle derri të egër, simbol i shtëpisë mbretërore të ilirëve.
Në shpinë paraqitet një katror i mbushur me zbukurime lineare të stilizuara (kopshti i Alkinout) dhe në brinjët e katrorit shkruhet emri i shkurtuar i Dyrrahut (DYRRA), titulli dhe emri i mbretit Monun (Basiloeos Monuniu), si dhe topurrja, arma e Herakliut. /atsh/KultPlus.com
E hëna është e përkryer për ta dëgjuar zërin e Armend Rexhepagiqit.
Një prej këngëve të njohura të Armendit është “Ajo nuk e di”,
një varg për dashurinë dhe për lulet.
Armendi, si me plot këngë të tjera, edhe me këtë këngë nuk
gjendet në Youtube në ndonjë xhirim televiziv, por megjithatë kënga i ka bërë
ballë këtij fakti.
“Ajo nuk e di” është një këngë e vjetër e Armendit, i cili para pak ditësh për KultPlus tregoi se do të rikthehet së shpejti me këngë të re dhe me një duet. / KultPlus.com
Disa vepra ua kalojnë autorëve të tyre. I lexojmë, mendojmë e diskutojmë për to në katedra, internet, ndërmjet vete dhe kështu nxjerrim një përfundim të përgjithshëm kulturor se çfarë përfaqësojnë ato vepra. Por sekreti i vogël është se krejt flasim e stisim përfundime.
Ka vetëm një autoritet të vërtetë që ka vënë dorën mbi një tekst të caktuar, madje edhe ai person nuk është domosdoshmërisht autoritet (teoricienët e letërsisë dhe lexuesit përgjithësisht kanë mendime të ndryshme në këtë pikë).
Por, megjithatë, sa më shumë që mësoni për novelat që formojnë themelin e kulturës sonë letrare aq më mirë. Për të dal aty ku dua, kam gërmuar nga pak gjithandej që ta marr vesh çfarë në të vërtetë mendojnë autorët e novelave të shumëpërfolura për kryeveprat e veta, transmeton KultPlus.
Në vijim, mund të lexoni se çfarë mendojnë shkrimtarët e mëdhenj të letërsisë botërore, rreth veprave të tyre:
Haruki Murakami për “Pyllin norvegjez”
“‘Pylli norvegjez’, sikurse thatë, është e vetmja (prej novelave të mia) shkruar në stilin realist. Afërmendsh se kështu e kam shkruar qëllimshëm. Doja t’ia vërtetoja vetes se mund ta shkruaja një novelë njëqind për qind realiste.
Mendoj se ky eksperiment u vërtetua më vonë si i dobishëm. Fitova vetëbesimin se do të mund të shkruaja kështu, përndryshe do të ishte goxha vështirë ta përfundoja krijimtarinë pasuese. Për mua, të shkruaj novelë është si të ëndërroj. Të shkruarit e novelës ma lejon qëllimshëm të ëndërroj derisa jam ende zgjuar.
Sot mund ta vazhdoj ëndrrën e djeshme, diçka që normalisht nuk mund ta përjetoni në jetën e përditshme. Është edhe mundësi për t’u lëshuar thellë në ndërgjegjen time. Pra, derisa e shoh si ëndërr, nuk është fantazi. Për mua, ngjasimi me ëndërrimin është shumë i vërtetë.
Murakami për “Kafka në breg”
“Ka disa gjëegjëza, por nuk ofrohet asnjë zgjidhje. Në vend të kësaj, shumë prej këtyre gjëegjëzave kombinohen dhe nëpërmjet ndërveprimit, formësohet mundësia për zgjidhje. Forma që merr kjo zgjidhjeje do të jetë e ndryshme për gjithsecilin lexues. Thënë ndryshe, funksionojnë si pjesë e zgjidhjes. Është e vështirë të shpjegohet, por ky ishte lloji i novelës që jam munduar ta shkruaj”.
Toni Morrison për “Dashurinë”
“Nuk ka vend ku mund të shkojmë, të mendojmë ose të mos mendojmë për të, kështu dua ta përmbledh praninë ose mungesën e skllevërve; kurrgjë që na e kujton ata që bënë udhëtimin ose ata që nuk ia dolën dot. Nuk ka asnjë memorial ose pllakë të duhur, ose mur, park ose sallon rrokaqielli për t’i kujtuar.
Nuk ka asnjë rrokaqiell treqind pashësh të lartë për ta. Nuk ka asnjë stol të vogël rrugës. Nuk ka as edhe një shenjë të vetme, një shenjë që unë ose ju mund ta vizitojmë në Charlestone, ose Savannah, në New York ose Providence, ose edhe më mirë, në brigjet e Mississippit. Dhe meqë nuk ekziston një vend i tillë (me aq sa di unë), këtë punë duhej ta merrte përsipër vepra. Por këtë nuk e dija para ose gjatë kohës sa po e shkruaja.
Vetëm tani mund ta shoh çfarë po bëja në faqen e fundit. Po ia vija pikën tregimit, duke ndryshuar figurativisht gjakimin me të cilin nis vepra. Po, pikërisht atë po e bëja, por edhe po bëja diçka më shumë. Ma merr mendja se e kërkoja atë mur apo atë stol, ose atë rrokaqiell apo atë dru kur shkrova fjalët e fundit”.
David Foster Wallace për “Infinite Jest”
“Doja të shkruaja diçka pikëlluese. Kisha shkruar diçka për qejfi dhe diçka serioze, intelektuale, por kurrë nuk kisha shkruar diçka që ta këputë shpirtin. Dhe nuk doja që të kishte vetëm një karakter. Banaliteti tjetër do të ishte: Doja të bëja diçka përnjëmend amerikançe, se si është të jetosh në Amerikë në kohën ndërrimit të mileniumit…
Është një vepër e çuditshme. Nuk shtjellohet si veprat normale. Ka një mal karakteresh. Mendoj se ka qenë një përpjekje qëllimmirë që të jetë atraktive dhe të të marrë me vete faqe pas faqes, kështu që nuk kam ndjenjën sikur po e qëlloj lexuesin me çekiç, e dini: ‘Hej, s’ta rrokë truri sa mendtë janë shkrirë në të. Shkëdhehuni. Ta shoh, a mund ta lexoni’. E di se ka vepra të tilla dhe po ju them se përnjëmend ma shpifin”.
Ralph Ellison për “Invisible Man”
“Sa për novelën time, po ju them se ende po merrem me të. Po thuhen fjalë të mira për të dhe botuesi ka pritje të mëdha, por unë po përpiqem ta marr shtruar me stomakun që po më zien dhe me ëndrrën time të madhe që nuk më lë rehat. Vazhdoj të ëndërroj Tuskegeen dhe shkollën e mesme, krejt ato skena testesh dhe gjykimesh. Do të çlirohem kur krejt kjo të marrë fund.
Prologu ka nxitur komente, por nuk mendoj se Rahv (botuesi i atëhershëm i ‘Partisan Review’) ka ndarë mendjen çfarë mendon për librin si tërësi. Ai e di se nuk është fjala për Kafkën sikurse të tjerët besojnë gabimisht. U them atyre, ia kam thënë në fakt edhe Langston Hughesit, është si puna e bluesit, por duket se askush nuk e kupton për çka e kam fjalën”.
Kazuo Ishiguro për “Mbetjet e ditës”
“Gjithçka nisi me një shaka që e lëshoi gruaja ime. Do të vinte një gazetar që të më intervistonte për novelën time të parë. Dhe gruaja ime tha, ‘a nuk do të ishte e lezetshme nëse ky person vjen t’ju shtrojë këto pyetje serioze për novelën tënde dhe ti të pretendoje se je kasapi im?’ Mua m’u duk ide mahnitëse. Dhe prej atij çasti nuk më është ndarë nga mendja kasapi si metaforë.
Jeeves pati ndikim të madh. Jo vetëm Jeeves, por krejt figurat e kasapit që ishin pjesë e sfondit të filmave. Ishin vërtet mahnitëse. Nuk kishte humor të drejtpërdrejtë. Rrezatonin fuqishëm me mënyrën se si faqeshin lehtas për diçka që normalisht do të kërkonte shprehje më egërshane. Dhe Jeeves është model në këtë punë.
Atëherë po mundohesha të shkruaja ndërgjegjshëm për audiencë ndërkombëtare. Ishte një reagim, mendoj, kundër botëkuptimit të ngushtë në fiksionin britanik të brezit pararendës. Kur kthej kokën pas, nuk e di nëse ishte gjykim i drejtë apo jo. Por ndieja se ne bashkëkohanikët duhej t’i adresoheshim një audience ndërkombëtare e jo vetëm asaj britanike. Dhe mendoja se një prej mënyrave për ta bërë këtë ishte ta merrja një mit të Anglisë që ishte i njohur botërisht – në këtë rast, një kasap anglez”.
Margaret Atwood për “Rrëfenja e shërbëtores”
“A është ‘Rrëfenja e shërbëtores’ novelë ‘feministe’? Nëse e keni fjalën për një traktat ideologjik në të cilin të gjitha gratë janë engjëj dhe/ose aq të viktimizuara saqë nuk u mbetet kurrfarë zgjidhjeje morale, atëherë jo.
Nëse e keni fjalën për një novelë në të cilën të gjitha gratë janë qenie njerëzore – me turlifar karakteri dhe sjellje që përkon me to – dhe që gjithashtu janë interesante dhe të rëndësishme, dhe se çfarë ndodh me to është qenësore për temën, strukturën dhe fabulën e veprës, atëherë po. Në këtë sens, shumë libra janë ‘feministe’.
A është ‘Rrëfenja e shërbëtores’ antireligjion? Përsëri, varet se për çka e keni fjalën kur mendoni kështu. Po, topi s’e luan se një grup burrash autoritarë marrin kontrollin dhe përpiqen të rivënë një version të skajshëm patriarkati, ku grave (si skllevërve amerikanë të shekullit të nëntëmbëdhjetë) u ndalohet të lexojnë.
Për më tepër, ato nuk mund të kenë kuletë ose të punojnë jashtë shtëpisë, ndryshe prej disa grave në Bibël. Regjimi përdor simbolet biblike, sikur do të vepronte pas asnjë dyshim çdo regjim që merr kontrollin e Amerikës: Nuk do të ishin komunistë ose myslimanë”.
James Baldwin on “Giovanni’s Room”
“Ma merr mendja se përgjigjja e vetme e ndershme është se ‘Giovanni’s Room’ erdhi si diçka me të cilën duhej të përballesha. Nuk e di saktë se kur erdhi si frymëzim, megjithëse shpërtheu prej asaj çfarë më vonë doli të ishte ‘Another Country’. Giovanni ishte në një ndejë dhe rrugës për në gijotinë. Ai mori krejt nurin në vepër, pastaj vepra pushoi dhe askush në libër nuk po më fliste asnjë fjalë të vetme.
Mendova se do të duhej ta përmbyllja rrëfimin e Giovannit në një tregim të shkurtër, por pastaj rrodhi lumë ‘Giovanni’s Room’. Pa dyshim se me gjasë nuk do të mund të mbaja mbi shpatulla – jo në atë moment të jetës time – barrën e një tjetër peshe të rëndë, ‘Negro problem’. Ana morale-seksuale ishte diçka me të cilën ishte e vështirë të merreshe. Nuk mund t’i trajtoja të dyja në të njëjtën vepër. Nuk kishte hapësirë të mjaftueshme. Mund ta bëja ndryshe sot, por atëherë të kishte prani zezake në vepër në atë moment dhe në Paris, do të ishte larg përtej fuqive të mia…
I kam shkruar katër novela para se ta botoja të parën, para se të largohesha nga Amerika. Nuk e di çfarë ndodhi me to. Kur mora rrugë këndej, i lashë në një çantë kampimi, të cilën e humba, dhe kështu ndodhi. Por bërthama e ‘Giovanni’s Room’ është në Amerikë. Davidi ishte personi i parë për të cilin mendova, por kjo ndodhi për shkak të djaloshit të privilegjuar me emrin Lucien Carr, i cili vrau dikë. Ishte i njohur për shumë njerëz që i njihja – nuk e njihja personalisht.
Por u mahnita prej procesit gjyqësor, që përfshinte edhe një maço të kamur dhe gruan e tij të shoqërisë së lartë. Prej kësaj mahnitjeje, erdhi edhe versioni i parë i ‘Giovanni’s Room’, diçka që quhej ‘Ushtri injorante’, një novelë që kurrë nuk e përfundova. Eshtrat e ‘Giovanni’s Room’ dhe ‘Another Country’ ishin në të”.
Philip Roth për “Ankimi i Portnoit”
“Një vepër e hershme, e shkruar me frymëzim të madh, lumturi dhe si çlirim shpirtëror. Pa e kuptuar, kisha telashe me fabulën – frymën e mosndëshkimit. Mosndëshkimin si trazim njerëzor. Dhe derisa e rilexoj ‘Ankimin e Portnoit’ në faqe tetëdhjetë, tronditem dhe lumturohem – tronditem për shkak se jam treguar aq i shkujdesshëm, i kënaqur sepse është dashur të tregohesha i shkujdesshëm”.
Ursula K. Le Guin për “The Left Hand of Darkness”
“Vendosja e veprës në një botë pa gjini ishte qasja ime injorante ndaj feminizmit. Dija mjaftueshëm sa ta kuptoja se vetë gjinia po vihej në dyshim. Ende nuk e kishim gjuhën e duhur për të thënë se gjinia është konstruksion shoqëror sikurse e kemi tkurrur tani. Po gjinia çfarë është? A duhet të jetë femërore, a duhet të jetë mashkullore? Gjinia është hedhur në arenën ku fantashkenca zhbiron tema interesante për t’i rishikuar dhe rivënë në dyshim.
Mendova mirë e mirë. Paj, mirë, askush nuk e ka bërë këtë. Aktualisht, çfarë nuk e dija është se para meje, Theodore Sturgeon kishte shkruar një vepër të titulluar ‘Venus Plus X’. Ia vlen të lexohet, diçka e rrallë, një qasje e hershme mashkullore që konsideron gjininë si – së paku pjesërisht – konstrukt shoqëror.
Sturgeon ishte shkrimtar i talentuar, dashamir, andaj është interesante në vetvete edhe vepra e tij. Sa i përket aspektit stilistik, nuk ishte shkrimtar i madh, por ishte vërtet një rrëfimtar i rryer dhe një njeri mendjendritur. Por, afërmendsh, shkoi në drejtim tjetër. Ju mund të thoni se po pyesja veten se çfarë do të thotë të jesh grua ose mashkull ose femër?”
Helen DeWitt për “Last Samurain”
“Diku në kohën e ‘Samurait’ kisha një përplasje goxha të sertë me babanë tim. Kështu që mendova se ‘nuk duhet t’ua vëmë veshin prindërve’. Nëse ua vëmë veshin, do të bëja diçka më të mirë se kjo. Dhe pastaj më erdhi ideja për një libër ose, sidoqoftë, një pyetje: çfarë është e domosdoshme si përzgjedhje?
Mendoj se veprat interesante shtjellojnë paradigma të reja. Së pari, mendojeni paradigmën – mund të jetë: si e sheh botën një shahist? Si e sheh botën një ekspert statistikash? Pastaj merreni me formën që do ta funskionalizojë këtë punë. Por ai lloj libri merr kohë që të hidhet në letër. Nuk është vetëm çështja e shkrimit të mijëra fjalëve në ditë”.
Vladimir Nabokov për “Lolitën”
“Kurrë nuk i bie pishman për ‘Lolitën’. Ajo ishte si kompozimi i një enigme të bukur – kompozimi dhe shtjellimi i saj njëherësh, meqë njëra është pasqyrë e tjetrës, varet se si e shihni. Afërmendsh, ajo eklipsoi krejtësisht veprat e mia të tjera – së paku një që e shkrova anglisht: ‘The Real Life of Sebastian Knight, Bend Sinister’, tregimet e mia të shkurtra, librin tim të koleksioneve, por nuk mund t’ia gjuaj krejt fajin asaj për këtë punë. Ka njëfarë joshje të padukshme mitike e sensuale që e reflekton kjo vajzë”.
Jonathan Franzen për “Liria” dhe “The Corrections”
“Unë, në fakt, jam i interesuar për një vetëmashtrim. Fiksioni realist presupozon se autori e ka në dorë të vërtetën. Kjo ia jep autorit njëfarë epërsie ndaj karaktereve të tij që i nxjerr paksa komike. ‘The Corrections’ ishte shkruar si komedi, si njëfarë komedie zemërimi, andaj ky model i vetëmashtrimit shkonte në mënyrë të përsosur. Është diçka argëtuese, dhe shkrimtari ia mvesh në mënyrë agresive njëfarë njohurie të dhimbshme një karakteri pasi të njëjtën e ka bërë edhe me tjetrin…
Në ‘Liria’, metafora e përsëritur është jermia. Ju nuk keni vetëdijen – ju thjesht ecni përgjumshëm, nuk keni vëmendje ndaj asgjëje, jeni në njëfarë gjendje ëndërrimi. ‘The Corrections’ merrej me botën vetëmashtruese joreale, megjithëse vullnetshëm, i krijojmë që të jetojmë në to. Ju e dini se magjepsja ka njëfarë konotacioni pozitiv, por edhe në përralla, zakonisht nuk është diçka e dobishme. Kur rrëmbeheni nga mahnitja, nuk keni ide për botën reale.
Dhe shkrimtari realist mund të luajë rol të dobishëm dhe argëtues duke shkelur dhunshëm këtë rend të gjërave. Por diçka për pozitën e kësaj, që shkrimtarin e shndërron në pronar të së vërtetës, ka qenë ajo që më ka vënë në siklet. Kam nisur të interesohem më shumë për karaktere ëndërrimtare, dhe botën e tyre ta përjetoj me ta, dhe më pak i interesuar në vetë faktin se bëhet fjalë vetëm për ëndrra”./RevistaAkademia/KultPlus.com
Gjenden gjurmë që dëshmojnë për praninë e shqiptarëve në Amerikën e Veriut që prej shekullit të 19-të.
Në faqen “My Heritage” gjenden të dhëna për shqiptarin Sulejman Aliraj, lindur në Kaninë të Vlorës më 2 shkurt 1814 dhe ndarë nga jeta në Ottawa, Kanada në vitin 1869.
Informacioni plotësues jep një pllakë varri të vjetër me simbolin e shqiponjës dhe mbishkrimin “Rroft Shqipëria”.
Instinktet nuk lejohen t’i shtypësh, dhe është e kotë të supozosh se kur i shtyp, ata ikin e zhduken përgjithmonë. E shumta, mund t’i ndrydhësh, duke i kaluar nga vetëdija në pavetëdije.
Por duke iu nënshtruar kësaj shmangieje të rrezikshme, ata grumbullohen në thellësi të shpirtit dhe, duke fermentuar vazhdimisht, krijojnë shqetësime nervore, çrregullime dhe sëmundje.
Forca e instinkteve të epshit, të damkosura nga morali, përbëjnë një pjesë të pashkatërrueshme të qenies njerëzore që rilind në çdo embrion, se ky element nuk mund të shmanget kurrë, por në disa raste arrin të zbutet veprimi i tij duke kaluar në vetëdije.
Instinktet mund t’i disiplinojë vetëm ai që i njeh, demonët mund t’i zbusë vetëm ai që i nxjerr nga honi i tyre i errët në dritë dhe i sheh në fytyrë.
E rëndësishme nuk është t’i mbytësh në heshtje të fshehtat më të mistershme të njeriut, por t’i detyrojë ata të flasin./AlbertVataj/KultPlus.com