“The Witcher” thyen rekordin e Netflixit si seria më e shikuar debutuese

Seria “The Witcher” zyrtarisht e ka thyer rekordin e Netflixit, për numrin më të madh të shikuesve në sezonin e saj të parë.

Platforma e njohur digjitale ka bërë të ditur se 76 milionë abonues e kanë shikuar këtë seri, brenda katër ditëve të para të debutimit, duke e shënuar hapjen më të madhe të një serie në historinë e Netflixit.

Mënyra se si kjo platformë i llogaritë statistikat e shikueshmërisë, së fundmi ka ndryshuar. Tani, ata i konsiderojnë edhe abonuesit të cilët i kanë shikuar të paktën dy minutat e para të një episodi të serisë ose një filmi. Ndërsa në të kaluarën, Netflixi i kishte numëruar si shikues vetëm abonuesit që e kanë shikuar 70 për qind të episodit ose filmit.

“The Witcher” para se të debutonte për publikun e gjerë, ishte aprovuar për realizimin e sezonit të dytë, duke i sjellë në rolet paraprake aktorët: Henry Cavill, Freya Allan dhe Anya Chalotra. Ende nuk dihet data e lansimit të këtij sezoni të ardhshëm.

Një tjetër seri shumë e ndjekur në këtë platformë është drama, “You”, e cila ka arritur ta tërheqë vëmendjen e 54 milionë abonuesve në katër javët e para të lansimit të sezonit të saj të dytë. / KultPlus.com

Mjegulli i dashurisë

Poezi nga Dritëro Agolli

Kur ikja larg, drejt teje vija;
Kur vija afër, ikja larg.
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark.

As e kuptoja si të desha,
Një mjegull pus, një çmenduri,
Si një poet që shkruan vjersha
Dhe ndez një shkrepse, i bën hi.

Dhe ndofta kjo ish dashuria :
E çakërdisur kuturu…
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia gjithashtu.

“Kur dashurova me shikim të parë”

Nga ditari i aktores Drita Pelingu

I ndodh rrallë që të kridhet në kujtimet e së shkuarës. Jo në ato që dashje pa dashje i kanë zënë një cep të kujtesës. Por në ato që për vite me radhë i ka hedhur në fletët e një ditari. Tashmë është më shumë se 60-vjeçar. Drita Pelingu i ka besuar shumë të fshehta, mendime, dëshira e pasione që gëlonin në kokën e vajzës së re. Gati-gati ka ndërtuar një jetë të dytë brenda faqeve të zverdhura, mes të cilave teksa e shfleton, të rastis që gjen edhe ndonjë tufë vjollcash të thara. Një jetë, personazhet e së cilës ka privilegjin t‘i dëgjojë vetëm ajo. Në një ditë me shi, kohë në të cilën kujtimet thirren më fort, aktorja e njohur tërheq ngadalë dorezën e sirtarit të fundit.

Mes shumë dosjesh të sistemuara brenda tij, nxjerr një bllok, të cilit së jashtmi i lexohen qartë gjurmët e viteve. Një kapak në ngjyrë kafe, të cilin e hap me kujdes, mbyll një rrëfim intim të viteve të rinisë së hershme. Të atyre viteve ku ëndrrat e një vajze që aspironte të bëhej aktore, mbusheshin edhe me dashuri. Një djalosh bukurosh, që e thërrisnin Hysen, njëkohësisht artist, mbushte mendimet e Drita Kripës (mbiemri i vajzërisë). Teksa shfleton faqet, ndonjë prej të cilave edhe është shkëputur nga blloku, një buzëqeshje gati e pavetëdijshme i shpërfaqet në buzë. Ndonjëherë nuk ngurron të lëshojë edhe zë. Ato që ka shkruar vite më parë, në ditët e një vajze 18-vjeçare, nëse nuk do të ishte e vetëdijshme që i ka hedhur vetë, do t‘i dukeshin si mendimet e një personazhi të sajuar nga fantazia e shkrimtarit. Ka plot detaje që edhe i ka harruar. Por ende shfaq një entuziazëm rinor kur kujton shkëmbimin e shikimeve të para me djaloshin që do t‘i qëndronte gjithë jetën në krahë. “E kisha dëgjuar kur këndonte në radio. I dija vetëm emrin. Një ditë, teksa me një shoqen time ngjitesha në shkallët e të parës shkollë dramaturgjike (unë isha e vetmja femër që kisha fituar konkursin) shkëmbehemi me një djalosh, i cili kthen kokën dhe më vështron. Nuk e njihja. Menjëherë shoqja ime më thotë se ai ishte Hyseni. Ky ka qenë takimi ynë i parë”, tregon aktorja, që tashmë jeton pa praninë e tij. Gjithçka që ka ndier e ka hedhur deri në detaje në ato fletë, të cilat i ngacmojnë kujtimet teksa i lexon. Deri më tani e ka ruajtur me shumë fanatizëm, por këto ditë po mendon t‘i sistemojë e ndoshta t‘i bëjë pjesë edhe të një libri. “Kohët ndryshojnë, por dashuria mbetet ndjenjë e fuqishme e njeriut”, shprehet Drita Pelingu, teksa lexon ato që ka shkruar shumë kohë më parë. Të sinqerta, në dukje edhe pak naive, për herë të parë po botojmë dy fragmente të shkëputura nga fletët e ditarit të aktores. Si e kujton ajo dashurinë e saj? Çfarë përjetonte Drita teksa në dorë shihte një unazë premtimi? Edhe sot e kësaj dite e “mbyt” nostalgjia, teksa shpreh se Hyseni i saj ishte një djalosh bukurosh.

Detajet më të imta të jetës suaj ndodhen brenda fletëve të një ditari. Kur keni nisur ta shkruani?

Kam shkruar gjithë jetën. Ditari ka filluar që në fëmijërinë time të hershme, ka vazhduar me ditët e para kur kam njohur tim shoq, për shfaqjet, turnetë etj. Është ditar i madh dhe shumë intim, të cilin e kam vazhduar në fletore të ndryshme. Sa herë që më ndodhte të bëja një turne me teatrin në Kosovë apo Maqedoni, kam mbajtur shënim përshtypjet e mia, të spektatorëve, gjendjen time shpirtërore. Kam shënuar çdo detaj edhe kur kemi udhëtuar në Nju Orlins për Kongresin e Arteve dhe Komunikimit. Akoma nuk jam marrë me këto fletore, por mendoj se së shpejti do të filloj t‘i sistemoj. Këta sirtarë janë të mbushur plot me shënime edhe për artistët tanë si: Naim Frashëri, Kadri Roshi, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Esat Oktrova. Kanë disa vjet që qëndrojnë aty.

Cilat janë përjetimet që ju ngjallen kur lexoni sot faqet e këtij ditari?

Nganjëherë të duken gjëra shumë për të qeshur, por mosha ka të bukurat e veta. Sot ndoshta duken pak naive, por sidoqoftë janë kujtime të lidhura me jetë njerëzish, me motrat, me vëllezërit, babanë, apo dhe me njerëz që nuk jetojnë më. Nga ana tjetër, gjithë ç‘kam shkruar në atë ditar është një dokument i mirë për të kuptuar botën e atëhershme.

Ju ngacmojnë kujtimet?

Nuk i hap vazhdimisht shënimet, sepse mungesa e njerëzve të dashur më shkakton dhimbje. Ndodh rrallë kur jam vetëm. Ndërsa nëse vjen ndokush për vizitë dhe biseda vërtitet rreth brezit tonë, atëherë më ngacmojnë kujtimet. Ato më bëjnë të fluturoj.

Një pjesë e mirë e kujtimeve i përkasin edhe jetës me bashkëshortin tuaj. Ju ishit grua në karrierë dhe familjare. Si kanë ecur të dyja?

Ne kemi dy vajza, të cilat kanë qenë dashuria më e madhe dhe qëllimi i jetës sonë. Nuk na kanë shkaktuar probleme në rrugën që kanë zgjedhur, por kemi pasur vështirësi në rritjen e tyre. Kemi qenë të dy artistë dhe të dy e kishim të zënë ditën, madje shumë herë edhe orët e darkës. Herë-herë kam marrë një kujdestare, megjithëse në ato kohë kanë qenë shumë të rralla. Familja ime më ndihmonte shumë kur shkonim për turne të gjatë qyteteve, apo fshatrave. Por ka pasur raste që edhe i merrja me vete. Në faza të ndryshme jam munduar të gjej një zgjidhje. Nuk kanë qenë të pakta edhe rastet kur i mbyllja me çelës në shtëpi. U lija ushqim, ndërsa brenda dhomës kishim edhe një lavaman me një çezmë që të pinin ujë dhe ikja në shfaqje. Për disa kohë kemi jetuar në një shtëpi me familjen e doktor Kërçikut dhe i lutesha zonjës së tij që të m‘i shihte vajzat. Kur ktheheshim në darkë i gjenim duke fjetur në qilim. Kam plot kujtime. Ndoshta tani duket sikur je në ëndërr, por ishte një jetë me shumë sakrifica.

Albumet me fotografi janë një tjetër ditar me imazhe për jetën dhe karrierën tuaj. Shumica e pozave shfaqin një Drita Pelingu aktore lozonjare…

Që nga fillimi deri në fund, rolet e mia kanë qenë ose role vajzash dashnore, ose role grash me një botë të madhe të brendshme, me shpërthime të fuqishme dhe të gjitha këto kanë bërë që unë të kujdesem për trupin tim, për fizikun, flokët, gjithçka që kërkonin këto role. /Revistaletrare /KultPlus.com

Kori “Siparantum” kërkon fonde për pjesëmarrje në WorldChoirGames

Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, kori Siparantum Choir i qytetit të Pejës është selektuar zyrtarisht në World Choir Games.

Kjo ka ardhur si rrjedhojë e punës së pandalshme të korit, të cilët gjatë gjithë vitit përjetuan shumë suksese, shkruan KultPlus.

Aktualisht janë 542 kore me mijëra pjesëmarrës nga mbarë bota që do të jenë pjesë e WorldChoirGames.

Por për të ardhur deri te realizimi, kori “Siparantum” i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve kudo në botë dhe sektorit privat që të ndihmojnë korin me fonde për realizimin dhe përfaqësimin e shtetit.

“Qëllimi ynë është të përfaqësojmë kulturën tonë kudo në botë, mundësia erdhi tani”, ka thënë Memli Kelmendi.

Edhe t’i mundë të kontribuosh për korin Siparantum:

👉NLB BANKA 1706001600088587
👉SWIFT CODE: NLPRXKPR
👉IBAN: XK05 1706 0016 0008 8587

World Choir Games kësaj radhe mbahet nga 5-15 korrik 2020 në Belgjikë. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/siparantumchoir/videos/161046078553351/

Shqipëria

Poezi nga Bajram Mjeku

Harta jote u pre si lëkura e dhisë
Pastaj u gozhdua për t’u tharë në mur
Në Londër të rropën për së gjalli
Mbi këmbët tua të mos ecësh kurrë.

Gjithmonë të kam thirrur nënë
Ani pse në gjirin tënd nuk piva kurrë
E tash, luaje macë kryet e buallit
Me vetëm 28 mijë metra katrorë.

Iku një shekull Shqipëri londineze
Në trupin tënd ende kullon gjak
Kur ditën thua, po vjen Çamëria
Kosova të ikë natën gjithë vrap!

Lajmësi u ndal në mes të udhës
E zuri gjaku me testamentin bosh
Ti Shqipëri mbete ajo e kastruara
Nga Konispoli gjer në Vermosh.

Nga makthi u zgjuan haxhiqamilët
Me hanxharë sërish të vunë pritë
Duan Babën e perandorisë së vdekur
Prapë të të kthejnë në terr aziatik.

Harta jote është oborr i mallkuar
Ku i lanë kockat sulltanë e perandorë
Aq e vogël je dhe aq shumë rrah gjoks
Me lavde në tokë e shqiponja në qiell.

“Dashuria e ndërtuar mbi bukurinë vdes njëherësh me bukurinë”

Më 22 janar të vitit 1572 ka lindur poeti dhe kleriku anglez John Donne, shkruan KultPlus.

Donne konsiderohet si njëri nga përfaqësuesit më të shquar të poetëve metafizikë, mdërsa poezitë e tij njihen për stilin e tyre sensual. Ato përfshijnë sonete, poezi dashurie, poema fetare, përkthime nga latinishtja, epigrame, këngë e predikime.

Poezinë e Donnes e karakterizon gjallëria e gjuhës dhe metaforat që ai di t’i përdorë mjeshtërisht.

Poashtu ai di ta përdorë mjaft mirë edhe ironinë, gjithashtu ndërthur edhe elemente dramatike nëpër poezitë e tij, gjithmonë të shqoëruara nga elokuenca e tij.

Megjithëse Donne ishte poet i talentuar, atij iu desh të jetonte mes varfërisë për vite të tëra, ishin cdoherë miqtë, ata që e ndihmuan.

Në vitin 1615 Donne u shugurua dhjak e më pas prift, ndërsa nuk i pranonte Urdhërat e Shenjta. Më vonë në vitin 1621, atë e emëruan Dekan të Katedrales së Shën Palit në Londër. Donne shërbeu edhe si anëtar i Parlamentit në vitet 1601 dhe 1614.

Në ditën e lindjes së tij, po i sjellim për ju tri thëniet e tij të njohura:

“Kur një njeri vdes, kapitulli i jetës së tij nuk griset nga libri, por thjesht përkthehet në një gjuhë më të mirë”

“Misteret e dashurisë rriten në shpirt, por libri i tyre është trupi”

“Dashuria e ndërtuar mbi bukurinë vdes njëherësh me bukurinë” /KultPlus.com

Romani i fundit i shkrimtarit Vath Koreshi

Nga: Ymer Çiraku

Romani “Gruaja me të verdha në pyllin e Buddha-s”, i shkrimtarit Vath Koreshi, është romani i tij i fundit – në kornizat e një krijimtarie të pasur, afër gjysëm shekullore, me një mori romane, përmbledhje me tregime e novela, skenarë filmash, shkrime publicistike dhe ese letrare. Mbetet ky roman pra, vepra përmbyllëse e shkrimtarit, dhe, sikundër thuhet metaforikisht në këto raste, është kënga e fundit e mjelmës. Sepse tre vjet më pas, në vitin 2006, autori i saj – do të ndërrojë jetë.

Ky vit – shënon edhe 15 vjetorin e botimit të parë të këtij romani, më 2003. Dhe ky fakt, në leximin e sotëm interpretativ të veprës, kuptohet, se e bëjnë të pashmangshëm edhe një raport specifik, që lidhet me pengun e homazhit tonë venerues për këtë shkrimtar dhe intelektual të shquar, njeriun aq fisnik dhe përkrahës i pakursyer për krijuesit e rinj. Sikundër ka shkruar I. Kadare, Vath Koreshi, bënte pjesë midis atyre krijuesve të heshtur, krijimtaria e të cilëve, kishte të bënte thjesht me letërsinë, një letërsi serioze e autentike, me brumin dhe aromën e bukës së shtëpisë, për të cilën, një ditë të gjithë ne kemi nevojë. Ajo ka qëndruar në kufijtë e një letërsie të ndershme.

Sikundër vrehet nga aspekti kronologjik, ky është pra romani, që ia mbërriti të shkelë në shekullin e ri të letërsisë shqipe (XXI).

Krahas romaneve të njohur të viteve të mëparshëm: “Haxhiu i Frakullës”, “Dasma e Sakos”, “Mali mbi kënetë”, “Balada e Kurbinit”, “Mars etj., – pas viteve `90, Vath Koreshi vazhdoi të botojë vepra të tjera romanore si: “Requiem për një grua”(1995), “Ulku dhe Uilli”(1996) dhe së fundi: “Një grua me të verdha në pyllin e Buddhas”(2003). Procedimet kohore të së kaluarës, të preferuara qysh më parë në krijimtarinë e tij, tashmë te këto vepra të pas `90-ës, fitojnë një status të ri e konsistent: ato përthyhen e shkrihen në një alegori gjithëkohësie, pra, në kohën alegorike – e apeluar specifikisht prej autorit kjo kohë si koha djesotnesër (te romani më i fundit i “Një grua me të verdha…”)

Nëpër narrativën e ngjarjeve, ndihet/përcillet dukshëm – koha e destruktuar, e vjetëruar, e arkaizuar estetikisht. Ky konvecion artistik, artikulohet tek e fundit, me synimin për ta potencuar, për ta gjeneralizuar e për ta njehsuar këtë kohë, në të tëra kahjet e rrjedhave të saj, në mugujt e së kaluarës dhe në ardhmëri…Është pra koha eterne, e përthyer në të ashtuquajturin mitin artistik të kohës.
Vepra prezantohet natyrshëm – me disa tipare të njohura të prozës së mëparshme, por tanimë, edhe me një shestim të ri konceptualiteti e ligjërimi artistik.

Ajo, shfaqet si një vepër unikale, e përveçme, por edhe me lidhjet e brendshme me tërë rrjetin stilistik të krijimatarisë paraprijëse. Por gjithsesi, para së gjithash, ajo mbetet vepra e fundit, caku përmbyllës e sovran i autorit. Prej kësaj të arriture të fundit, mund të vrehet dhe pastaj të ravijëzohet gjithë çfarë ajo arrin të sjellë në raport me tërë hartën tematike dhe stilistike të shkrimeve letrare të mëparshme.

Në shumicën prej veprave të tij romanore, V. Koreshi e ka shfaqur si prirje të tij konsistente konceptimin/ndërtimin e tyre mbi një bosht përsiatjesh filozofike mbi botën. Këto janë vepra, që nuk kanë tentuar aq nga modelet e teksteve letrare dëshmuese, se sa janë të prirura/orientuara nga përcjellja e raporteve të ndërlikuara e dramatike të njeriut mbi botën. Në këto tekste, personazhet gjykojnë dhe vetgjykohen, vuajnë dramatikisht dhe hirësohen, kthjellohen e ndriçohen sipas rastit, duke u kthyer shpesh në oshënarë e murgj – të përfshirë nga flakët e kuvendimeve të brendshme e të jashtme, me atribute deri edhe përtej njerëzore, thuajse qiellore apo universale. Një i tillë, është psh Haxhiu i Frakullës, i cili, siç vetrrëfehet ky personazh pas udhëtimeve të tij të gjata odisejane, deri në Samarkandën e largët, kuptoi se u mashtrua tragjikisht nga bukuria e huaj, duke paguar haraçin e endjes baladeske mes endërrës e realitetit (S. Bejko). Te romani “Ulku dhe Uilli”, i ndërtuar/kompozuar si mozaik me gjashtë libra, përcillen travajet cfilitëse të mëkatit njerëzor – përballë moralit fetar dhe përballë kanuneve/traditave të shenjta të fisit, të cilat, enden brenda një kompleksi refleksionesh filozofike. Nëpër thellësitë e shpirtërave të plagosur, kërkohet në mënyrë të paepur kandili i shpresës për ringjalljen e njeriut. Dhe ky kandil, i cili rezulton të ketë mbetur ende i pashuar, është edhe ikona e shpëtimit të tij.

Romani “Gruaja me të verdha…”, është projektuar e formatuar tërësisht brenda kornizave të një qasjeje e vizioni filozofik. Personazhi rrëfyes (Profesori), ka krijuar një raport të tij fantazmagorik e gati të përtejmë me kohën. Për të, nuk egzistojnë pastërtisht dhe ndarazi: e djeshmja, e sotmja, e nesërmja. Pra, ato caqe kohore, nuk ndihen e nuk rrjedhin në rendin e tyre veçmas, madje ato shkrihen dhe këmbehen pafundësisht mes tyre. Që do të thotë, se zotëron një kohë tjetër: Djesotnesër-ja, si një kohë shpirti, e cila, ka një tjetër rrjedhë dhe që matet me të tjerë kalendarë, aspak astronomikë.
Sipas visionit të mbartur prej personazhit rrëfimtar, i artikuluar në trajtë dialogu filozofik mbi shtjellat e jetës, gjendja e çdo individi nuk është tjetër, veçse rrjedhojë e gjendjes së kaluar të tij dhe njëkohësisht, po aq shkak i të ardhmes së tij. Kjo është pra, gjithëkoha, një dimension gjithëpërfshirës ky, i pa limituar dhe ku shkrimtari, në këtë rrëfim përsiatës autorial, rezulton të jetë në sintoni me atë që e kishte shprehur prej herës edhe Lasgush Poradeci, në ato kuvendimet e njohura sokratike me miqtë dishepujt e tij, kur thoshte se: koha as ikën dhe as vjen, ajo është dhe ne jemi brenda saj… Ky është pra ai arketipi i kohës, që i lidh tërë kohët dhe autori e funksionalizon këtë procedim filozofik – për t`i dhënë veprës frymë universale e prandaj edhe moderne, por që siç është shprehur një estet i njohur (A. Uçi), pa e cënuar kurrsesi specifikën estetike të tekstit të tij letrar. Pikërisht me këtë synim, lidhet ai gërshetim e shkrirje mes ngjarjesh e kulturash, të afërta e të largëta, duke përcjellë mesazhin e destinit të përjetësisë së njeriut – e arritur/siguruar/garantuar kjo përjetësi, përmes vlerave shpirtërore, të cilat ai i krijon e që ato vlera u përcillen pastaj brezave.

Në ligjëratën e tij, kur i dorëzohej çmimit Nobel (1987), poeti i shquar rus J. Brodskij, pati vënë në dukje, veç të tjerash se, krahas metodës së njohjes analitike dhe njohjes intuitive, krijuesit kanë aftësinë/shqisën e tyre të dalluar, që të vënë në shfrytëzim edhe nga ato metoda që përdorin profetët – me ndërmjetësinë e zbulesës.

Edhe në letërsinë dhe posaçërisht në prozën shqipe, janë të njohura disa përvoja të shfrytëzimit dhe tretjes në to të doktrinave biblike, me përvijime idesh substanciale mbi raportet e njeriut me botën. Mund të veçojmë psh sa për ilustrim vepra të të shquara si: Çeta e Profetëve (Cuneus Prophetarum, 1685) e Pjetër Bogdanit, apo E madhe është gjëma e mëkatit (1947) e Mitrush Kutelit. Përtej petkut religjioz dhe predikatës e funksionit të tyre biblik, në to, qiellorja dhe tokësorja ceken, përplotësohen dhe nuk e përjashtojnë kurrsesi njëra tjetrën. Vepra e Bogdanit, është vlerësuar nga studiuesit (në mënyrë të veçantë nga I. Rugova) për forcën e saj abstraguese, emocionale dhe imagjinative – me konturet rrëfimore, që mund ta përcaktojnë atë si bërthama dhe si inaguruese e romanit të parë shqiptar. E po ashtu, me statuse të mëtejmë: si Komedia hyjnore shqiptare, si themeli i humanizmit shqiptar, i modernitetit intelektual – me shtytjet apo stimulanset paravajtëse, që ajo vepër i shfaq njëherësh. Te novela e Mitrush Kutelit, Tat Tanushi, e përjeton dashurinë njerëzore/tokësore dhe detyrimin/përkushtimin hyjnor në rrafshin e ideve, duke provuar plagët e pashëruara dhe gjunjëzimin para mëkatit, për t`ia mbërritur dora dorës katarsisit e ringjalljes, deri sa ai bie: …në gju me kryet në tokë… e puthi tokën. Qiellorja dhe tokësorja, mbartin shkallëzimin e kodit religjioz (S. Bashota). Sikundër është thënë diku, egzistenca njerëzore është e pashkëputur nga komunikimi i përhershëm me qiellin, jeta është e pamundur pa komunikimin me transcendenten, ndryshe, ajo jetë nuk do të ishte tjetër veçse kaos.

Besojmë se V. Koreshi, është i pari autor në letërsinë shqipe, që e ka konceptuar romanin e tij të fundit në frymën e një doktrine religjiozo-filozofike lindore, e konkretisht të doktrinës budiste. Në vepër, kjo doktrinë, nuk ka atributet e një dekori të jashtëm, as synon që të rrezatojë imponueshëm dogmën e saj, por ajo është funksionalizuar brenda mesazhit filozofik që përcjell – sigurisht me synimet dhe shenjat adekuate të artit. Përmes përsiatjeve e kujtesës rreth kësaj doktrine, kohët më të largëta, sillen në mjediset më të afërta dhe madje aktuale. Ligjërimi i personazhit rrëfyes, rrjedh me një ritëm predikues e apostolik, duke u krijuar e u ndjerë gjithaq: atmosfera e një kohe të largët, por edhe të ardhmeje, si paracaktim i shtyrë përtej fuqisë së njeriut. Sipas kësaj doktrine, gjithë jeta është dhimbje, gjithë jeta është është vuajtje. E shkaku i kësaj dhimbjeje, është dëshira, apo sikundër ajo quhet në gjuhën e doktrinës: tanha. Tejkalimin e kësaj gjendjeje plot dramacitet të thellë prej dhimbjes, pra, shpëtimin e tij nga vuajtja, njeriu e arrin në shuarjen e flakës së dëshirës (tanha-as), që shpie në nirvanë. Dëshirat, lakmitë, zilitë, përbëjnë thelbin e trishna-s, e cila është vet vuajtja e pandarë e njeriut, i cili, e ka për misionin e tij, që të ndjekë rrugët e vërteta fisnike – për largimin e të gjitha shkaqeve të kësaj vuajtjeje dhe për të fituar çlirimin prej saj.

Romani është konceptuar si një univers, me të gjitha pamjet kohore: të djeshmen, të sotmen, të nesërmen. Janë të pranishëm në këtë univers, qiejt e besimit të amëshuar dhe toka me lëndinat e lulëzuara dhe kënetat/zgëqet e frikshëm. Dimensionet sakrale dhe profane, përcillen në një spirale të pafundme brenda shpirtit të njeriut, si realitete të përkundërt këto, por, jo të pavarur prej njeri tjetrit.

Funksionon pra, ajo e ashtuquajtura koha rrethore, ku ngjarjet dhe personazhet vërtiten në një lakore të përmbyllur, ku ndihet se nuk ka as fillim e as fund, e ku janë dhe përjetohen të tëra sëbashku. E në një lakore të tillë kronotopike (kohëvendësije – mund të thoshim), duket se gjithëshka lëviz/udhëton pafundësisht dhe pafundësisht kthehet po në pikën e nisjes. Pikërisht atje ku nisja është edhe mbarim dhe anasjelltaz. Prandaj edhe një procedim i tillë rrëfimor, krijon në vepër tiparet strukturore të një palimpsesti, pra, duke u artikuluar një tekst me shumë shtresa ngjarjesh dhe përjetimesh, si teknikë narrative kjo, që vjen qysh nga romanet e mëparshëm të autorit, sidomos e shfaqur si e pranishme te “Ulku dhe Uilli” (B. Kuçuku). Dokumentet e lashtë në gjuhën pali, vizionet budiste dhe përsiatjet konfuciane, ngjarjet dhe qëndrimet regresive e kontraverse të Revolucionit Kulturor kinez, arroganca despotike e By Pol (Byrosë Politike të PPSH), këto e të tjera situata referenciale nëpër pjesët e romanit, krijojnë së toku efektin e vështrimit/përjetimit kaleindoskopik mbi botën, ku mund të depërtohet njëherazi nëpër shumë vise dhe nëpër shumë epoka ngjarjesh, nga më të skajshmet. Ndodh ashtu si coprat e një pasqyre të krisur/thyer, që shfaqin pamje të ndryshme të mjedisit përreth, po të sjellim për asiocim një imazh të përshkruar nga I. Kadareja, te tregimi i tij antologjik “Nusja e gjarpërit”. Ky lloj procedimi artistik, është një tipar që reflektohet dendur, sidomos në narrativën e prozës moderne, i cili, është vrejtur edhe në vepra të tjera të letërsisë shqipe, sidomos në romane të Anton Pashkut (“Oh”), Kasëm Trebeshinës (“Odin Mondvalsen”) etj.

Edhe në këtë vepër, V. Koreshi shfaq prirjen e tij të kahershme për t`i përcjellë lexuesit tekste me një gjuhë të përzgjedhur nëpër tërë shtresat e shqipes: në rrafsh hoziontal dhe vertikal të pasurive të saj të pashterrshme. Ai bën pjesë ndër ata krijues, që ka zgjedhur të mbajë mbi vete peshën e asaj, që është quajtur si varësi despotike nga gjuha, e konkretisht, varësi fiksasive nga visaret e shqipes. Ai nuk është shkrimtari që kërkon thjesht dhe vetëm fjalën e goditur, për të dëshmuar thellësinë dhe specifikën historike të ngjarjeve, për të skalitur tiparet nga më të skajshmet të personazheve, e po kështu, për të krijuar sa më bindshëm koloristikën e mjediseve të përcjella. Edhe në këtë vepër të fundit, vazhdon të shfaqet ajo sfida e tij e njohur (edhe në romane të mëparshëm) e kapërximit të diversitetit dialektor, dmth e kapërximit të sinoreve dialektore, duke i pasqyruar gjithë pasuritë dialektore me adhurimin dhe vetëdijen krijuese – për vlerat që ato mbartin e sjellin në letërsi e më gjerë (F. Dado). Me vetëdijen se letërsia, është para së gjithash gjuhë, se gjithshka që ajo synon të mbart – nuk e përcjell me tjetër instrument, veçse përmes gjuhës, ky shkrimtar e ka obsesionin e tij, që të qëmtojë në të tëra rrjedhat historike dhe dialektore të shqipes. Duke krijuar letërsi, e cila është kombinim shenjash gjuhësore, pra gjuhë, atëhere rezulton se shkrimtari – është po aq edhe krijues i gjuhës, në kuptimin e rolit të tij të autoritetshëm në zgjimin dhe zgjerimin kreativ të pasurive të saj.
Romani “Gruaja me të verdha…” i V. Koreshit, është romani që solli risi konceptuale: rimodeloi artistikisht filozofitë e lashta të lindjes dhe budizmin, duke përcjellë me përsiatje filozofike e ndjesi të vlerësuar, lakoren e udhëtimit të njeriut nëpër shekuj. Vizioni religjioz dhe dijet filozofike, të lashta e të reja, këtu këmbehen e harmonizohen natyrshëm, në funksion të zbulimit të thelbit të njeriut: si qënie imediate egzistenciale, por edhe me laboratorin e tij të ndërlikuar shpirtëror. Ku gjallojnë një mori fasha përjetimesh e përndezjesh të brendshme, të errëta e të shndritshme, të ulëta e qiellore, të cilat, krijojnë së toku betejën e madhe të jetës së njeriut.
Theksuam në krye, se ky roman, e mbërriti kronologjikisht shekullin e ri të romanit shqiptar. Por, duhet kujtuar se e arriti, jo vetëm dhe thjesht kronologjikisht. Para së gjithash, e mbërriti me vlerat e reja që solli, të cilat, duket se ishin përgatitur dora dorës, nëpër veprat e krijimtarisë së tij të mëparshme. Siç shprehej vet shkrimtari, në një nga intervistat e tij më të fundit (2005), ky është një roman për zhgënjimet tona dëshpërimisht të hidhura. E prandaj, ai e gjen edhe shtegun më të sigurt e përvijues të shprehjes artistike: në filozofinë budiste të përballimit të vuajtjes. Mund të themi se metaforikisht ky është romani i përballimit të vuajtjes. /KultPlus.com

“E dhimbshme që Transmetuesi Publik shfaq seriale me përmbajtje banale ku aktrojnë edhe fëmijët”

Këto ditë ka qarkulluar lajmi që seriali vendor “SH.P.K. Nazi” do nisë transmetimin në Televizionin Publik të Kosovës – RTK. Ky lajm nuk u mirëprit duke pas parasysh përmbajtjen që ka ky serial. Për këtë ka reaguar edhe Fadil Hoxha nga Sindikata e RTK-së duke e konsideruar një serial me përmbajtje banale.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të Fadil Hoxhës:

Vitin e kaluar, derisa ne terminin pas lajmeve qendrore transmetohej nje serial vendor ne RTK, u detyrova ta nderroj kanalin. I menjehershem ishte reagimi i vajzes sime: bab pse e nderrove ? U mundova me ja shpjegu qe ky serial nuk eshte i mire, ka shume fjale te ndyta dhe me mire eshte te shohim ndonje emision tjeter. Iii bab m’tha mos bo hajgare, ky nuk eshte kurgjo cka eshte seriali “Sh.p.k. Nazi”. Kjo ngjarje mu kujtua kur e mora vesh se “Sh.p.k. Nazi”, na u paska bere pjese e RTK-se. Eshte e dhimbshme qe nje Transmetues Publik te shfaq emisione humoristike me permbajtje banale, ne te cilat aktrojne edhe femijet. Transmetuesi Publik ne vend se te investoj ne programe me vlera te mirefillta edukative e argetuese, perkundrazi vazhdon ta shpenzoje buxhetin per programe puro komerciale, dhe pa ndonje dobi per publikun. Transmetuesi Publik nuk guxon qe per hir te nje shikueshmerie me te larte t’i sakrifikoje standardet etike e profesionale. Pikerisht qe ta mbroje interesin e publikut, Transmetuesi Publik ka te angazhuar nje Bord kolegjial drejtues prej 11 anetareve dhe Grupin Keshillues te Publikut me 5 anetare. Per fat te keq, shumica e anetareve te Bordeve te deritashme te RTK-se, para interesit te publikut kane zgjedhur interesin dhe perfitimet personale e partiake, permes punesimeve dhe angazhimeve te te afermve te tyre neper projekte te ndryshme te cilat financohen nga RTK. Ne emer te perfitimeve personale e partiake, Bordet e RTK-se, nga roli mbikeqyres jane shnderruar ne vartes te menaxhmenteve te cilat bejne veprime me buxhetin e programin sipas intereseve e tekeve te tyre, pa u penguar nga askush. / KultPlus.com

Intervistë dhe një foto e At Gjergj Fishtës me autografin e tij në shtypin italian

Nga: Kolec Traboini

Në një takim disa vjet më parë me mësuesin Kel Vuji, veç bisedave për mësuesinë dhe malësinë tonë të përbashkët, Hotin, ra fjala edhe për At Gjergj Fishtën. Më kishte sjellë një fletë reviste në të cilën At Gjergj Fishta kishte dhënë një intervistë për një periodik italian. Mësues Keli e kishte ruajtur atë intervistë nëpër vite e për të mos u pikasur e kishte grisur fletën e fshehur diku mes librash, por nuk e dinte nëse ajo ishte përkthyer më parë në shtyp dhe a ishte e njohur prej studiuesve. Ajo fletë e printuar me cilësi të dobët, ka të shënuar pak gjëra që të mund të përcaktonim vitin apo diç tjetër, sidoqoftë në fundin e fletës shënohet emri i intervistuesit Ugo Cangiano dhe shënimi “Arti Lettera e Storia”. Nuk e dimë gjithashtu nëse ky emërtim është emri i revistës apo thjesht rubrika që mbulonte redaktori Cangiano. Gjithsesi duhet të ketë qenë një revistë voluminoze sepse shënohet numuri i faqes 319, kjo nëse revista ndiqte si kriter rendin faqor për çdo numër të ri. Nuk dimë as nëse ishte revistë mujore, tremujore apo vjetore dhe çfarë vitit i përket. Gjatë kërkimeve emri i Ugo Cangiano del në një botim si redaktor i “Letrat e viteve të dhimbshme” të Giovanni Ruffini; Romë: botuar në “Antologjinë e re” në 1 tetor 1938. Pra kemi të bëjmë me një redaktor të letërsisë italiane. Ajo çfarë dimë e mund të na ndihmojë indirekt në përcaktimin e kohës kur është dhënë kjo intervistë është fakti se At Gjergj Fishta është zgjedhur akademik i Italisë më 3 qershor 1939, me ç’rast ishte si detyrim për anëtarësi që të qëndronte gjashtë muaj në Itali duke dhënë konferenca të ndryshme ndër institucionet e artit, kulturës dhe universitete. Prandaj mendohet se kjo intervistë është marrë në verën e vitit 1939, me shkakun se në fund të intervistës Ugo Cangiano shkruan se At Fishta në qëndrimin e vet të gjatë “në Itali, do të vizitojë luginat tona alpine” dhe është e natyrshme që këtë intervistë ta ketë dhënë pikërisht në këtë kohë. Intervista e botuar titullohet “Atë Fishta në punë”, dhe krahas përgjigjeve, At Gjergji, gjen rast e citon edhe një fragment nga vepra e vet e re, e cila ende nuk kishte parë dritën e botimit, duke shprehur shpresën se me t’u kthyer në atdhe do ta botonte poemën melodramatike “Jerina ose mbretnesha e luleve” , që në të vërtetë si botim i veçantë do të shtypej vetëm post mortem në Shkodër, 1941. At Fishta e nis intervistën duke folur për një punë që kishte në dorë, tragjedinë “Hajria” dhe shpjegon elementët tragjikë të personazhit në një ngjarje të jashtëzakonshme gjatë pushtimit osman. Hajria vret burrin e vet, sepse ky e kishte prerë në besë vëllanë e saj, pra kunatin e vet. “- Prej kohësh po punoj me një tragjedi dhe një poemë melodramatike.- nis intervistën Atë Fishta. – Tragjedia, së cilës i kam vënë emrin “Hajria” zhvillohet në periudhën e sundimit osman. Një grua martohet me një malësor i cili tradhton lidhjet e gjakut dhe për një grusht florinj ia shiti armikut kunatin kryengritës. Atëherë gruaja për të vënë nderin në vend e vrau burrin e akoma më tepër edhe djalin e vet ferishte për të mos mbetur në jetë fara e tradhtarit.” Por më gjatë At Fishta në intervistën e tij, ndalon në paraqitjen e veprës së vet ende të pabotuar “Jerina ose Mbretnesha e luleve” dhe shtysën pse e ndërmori krijimin e kësaj vepre lirike. “Më e rëndësishme për mua, – thotë Fishta, – është poema melodramatike që pritet të dalë së shpejti nga shtypi. Titulli i saj është “Jerina ose Mbretnesha e luleve”. Fishta thotë në intervistë se poemën melodramatike e ka shkruar në përgjigje të një shkrimtari sllav Vladam Georgevic, i cili kishte thënë se shqiptarët nuk dinë të shkruajnë poezi për gratë. Dhe unë, frati, – thekson At Fishta, – shkruajta këtë poemë ku naltësoj bukurinë femrës në formën e saj më të pastër, sipas tradicionit popullor; sepse tek ne ma së shumti gruas nuk i këndohet për dashuni, por për bukurinë e saj. Dhe vazhdon: “Subjekti është i thjeshtë. Lulet një ditë ju rebeluan mbretëreshës së tyre, trandafiles, dhe vendosën të zgjedhin një tjetër lule në krye. Por disa prej tyre propozojnë për të zgjedhur mbretëreshë bijën e njeriut që quhej Jerina, e bukur si një hyjneshë. Zanat, që janë fuqia e gjallë në poezinë popullore, janë ftuar të marrin pjesë në zgjedhjen që do të bëhet nga tre këngëtarët e bukurisë: Homeri që i këndoi bukurisë që shkaktoi luftën, Dante që i këndoi bukurisë hyjnore, Petrarka që i këndoi bukurisë njerëzore dhe harmonike. Kori, të cilin e kam trajtuar nga tradita popullore, – vë në dukje At Fishta, – bashkon episode të ndryshme. Meqë po më kërkoni, edhe pse nuk është në natyrën time, me kënaqësi po ju citoj një pasazh të këtij kori. Po ju lexoj, intermexon e parë, atë ku lulet celebrojnë bukurinë e Jerinës:” Fishta i reciton në italisht fragmente nga vepra lirike. Për faktin se lexuesi e njeh tashmë këtë vepër në origjinal nuk po bëjmë përkthimin por, po citojmë nga libri “Jerina ose mbretnesha e luleve”, botimi shqip pikërisht po ato vargje.


LULET
Kush e ka ballin si hana?
Kush e ka synin si dielli?
Kush e ka shtatin si Zana? Kush e ka gazin si Prilli?
KORI
Ika’i Vashë, emnit Jerina
N’at Shqypni le, si prendvera,
Si ajo voesa mbi kodrina,
Si ajo Lulja qi i vjen era.
Duka e sajë si drita e agimit,
Fjala e sajë shkon tue ferfllue
Porsi flladi n’mes t’blerimit,
Ku rrinë Zanat tue mrizue.
Kahë t’i bjeri ajo ndoj vendi: Si flamuri n’ballë t’ushtris:
Gëzon landa, guri e shpendi,
Nieri i falet Perëndis.
Si lum nana qi e ka rritun,
Si lum ajri qi asht tue e mbajtun,
Si lum rrezja qi a tue e shndritun,
si lum toka qi asht tue e bajtun!

LULET E MALEVE
Oh rrnoftë! E aj Zot prej qiellit,
Qi i fali mendt e kthiellta,
Q’i a shtroj ftyrës Drandofillet
E i ndezi m’ballë dy diella,
Aj rrugën i a shtroftë para
E i priftë gjithmonë ka’ e mbara.
Përpara sajë potera
U shuftë, edhe duhija;
Çilët edhe e butë pranvera,
Kahdo t’i bjerë hija.
Për te çilshin zymbylat!
Për te knofshin bylbylat.

Intervistuesi Ugo Cangiano shkruan se At Fishta na përmend këngë të tjera të poemës së tij që planifikonte për t’i përkthyer në italisht. Ai shpreson që ta botojë në gjuhën shqipe me kthimin e tij në Shqipëri, pas një qëndrimi të gjatë në Itali, gjatë së cilës do të vizitojë lugina tona Alpine. Pastaj do të kthehet në Shkodër ku do të rifillojë punën e tij të dyfishtë fetare dhe të poetit. Ugo Cangiano e mbyll intervistën me këto fjalë: “- Puna –është e rëndë – na thotë At Fishta duke u ndarë, – por qëllimi është i bukur: të jep paqe dhe kënaqësi për shpirtin”. At Fishta u kthye në Atdhe nga fundi i vitit 1939, ndërsa gjatë vitit 1940 u përkeqësua nga gjendja shëndetësore, sëmundjes së zemrës iu shtua dhe një e ftohur në mushkëri dhe mbylli sytë më 30 dhjetor 1940 pa arritur të shohë botimin e librit të vet lirik “Jerina ose Mbretnesha e luleve” për të cilin kishte një përkushtim të veçantë. Ndërsa tragjedinë “Hajrija” nuk e dimë a e ka përfundur dhe a e ka parë dritën e botimit. Duhet të shtojmë se fotografia e përdorur në shoqërim të intervistës është e njohur ndër botime të ndryshme, duhet të jetë e vitit 1939 kur është pranuar akademik, por fotoja që është botuar në revistën italiane ka edhe firmën e At Gjergj Fishtës, çfarë e bën atë të veçantë, aq më tepër që nuk dimë nëse At Fishta të ketë shpërndarë fotografitë e veta me autograf veç rastit në fjalë. Intervistën e plotë e kemi të shqipëruar dhe për shkak se intervista është dhënë italisht, nuk na u duk e nevojshme ta paraqesim të shqipëruar në të folmen gegnishte. /KultPlus.com

192 vjet nga lindja e Elena Gjikës, njëra ndër gratë më të ngritura të Evropës

Sot përkujtohet 192-vjetori i lindjes së Elena Gjikës, e njohur me pseudonimin letrar si Dora d’Istria, shkrimtare dhe publiciste që përkrahu lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, si dhe lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës.

Në moshën 10 vjeçe Elena fliste 9 gjuhë, kurse në moshën 14 vjeçe filloi përkthimin e “Iliadës” së Homerit nga gjermanishtja. Në moshën 16 vjeçe ekspozoi pikturat e saj në Dresden. Studioi në Vjenë e Dresden dhe specializoi në Firence. Jetoi në Rumani, Rusi, Zvicër, Francë, Greqi, Turqi dhe Itali. Është gruaja e parë që u ngjit në maje të bjeshkës më të lartë të Evropës – Mont Blanc në vitin 1860. Kjo ishte Eleni Gjika, me rrënjë shqiptare, e njohur edhe me emrin artistik Dora D Istria.

Njëra ndër gratë më të ngritura të Evropës, në kohën e saj, Elena Gjika u lind në Bukuresht në vitin 1828 nga prindërit shqiptarë. Ajo u bë e njohur gati në tërë Evropën si shkrimtare, feministe, kompozitore, piktore, udhëpërshkruese – grua me një inteligjencë brilante. Ajo ishte revolucionare, kryengritëse, rebele, me shumë ide politike e sociale para kohës se vet. Mbajti korrespondencë të rregullt me De Radën dhe Gjuzepe Garibaldin. Është ndoshta i pari personalitet intelektual që hodhi idenë mbi një federatë ballkanike ku do të hynin të gjitha vendet e Ballkanit.

Princesha Elena Gjika ishte e afirmuar si shkrimtare, publiciste dhe shkencëtare e një niveli botëror. U bë veçanërisht e njohur me veprën “Femeile in Oriente” (“Gratë e Orientit”, Paris, 1860). Shkrimet i publikonte në 6 gjuhë evropiane.

Ajo asnjëherë nuk i harroi rrënjët shqiptare. Gjika u mor shumë me afirmimin e çështjes kombëtare shqiptare dhe kontribut të madh dha veçanërisht në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ishte një studiuese e zjarrtë e folklorit shqiptar dhe u bë me famë për studimet e saj në shumë lëmi të kulturës dhe veçanërisht me studimet “La nationalité albanaise d’après les chants populaires” (“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, 1866), “Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale” (“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore”, 1867), “Gli albanesi in Rumenia” (“Shqiptarët në Rumani”, 1873) etj.

Dora D’Istria bëri pjesë në shoqërinë gjeografike më të famshme të Evropës, atë të Parisit. Ajo arriti të zbulojë universin femëror nëpërmjet udhëtimeve të saj të shumta. Në vitin 1867 u bë qytetare nderi e Athinës. Ky titull përpara saj iu dha vetëm Lord Bajronit. Biografia dhe krijimtaria e Elena Gjikës janë shumë të pasura e interesante. Ndaj, sado që do të lexoni për të, akoma diçka mbetet e panjohur. Për këtë arsye themi: Ju nuk e njihni Elena Gjikën. Akoma keni për të mësuar e zbuluar nga jeta e saj.

Në kohën kur Gjika pushtoi majën më të lartë të Evropës, atje nuk ekzistonin kushtet e sotme për ngjitje. Kjo ekspeditë e saj, sot merr edhe kuptim simbolik.

Elena Gjika vdiq në vitin 1888 në shtëpinë e sajë në Firence, Itali. Një rrugë e Firences mban emrin e saj. Aty gjendet edhe pllaka në të cilën është theksuar origjina e saj shqiptaro-rumune. / KultPlus.com

“Kinemaja është mënyra më e mirë për të hyrë në garë me Zotin”

Thënie nga Federico Fellini

Federico Fellini ka qenë një skenarist italian i njohur ndërkombtarisht.

Fellini konsiderohet gjerësisht si një prej kineastëve më të shquar dhe më me ndikim në historinë e kinemasë.

Fitues i katër Academy Awards për filmin më të mirë të huaj për punën e tij si regjisor, ai në vitin 1993 u nderua me çmimin Oskar për arritjet gjatë jetës.

Fitues dy herë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Moskë ([1963 dhe 1987). Felini ka marrë edhe Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 1960 dhe Luanin e Artë për arritjet gjatë jetës në Festivalin e Filmit të Venecias në vitin 1985 .

Fellini la vepra të paharrueshme por edhe plot satirë mbuluar me një melankoli delikate, një stil që karakterizohet nga ëndrrat dhe vizionet e autorit.

Më poshtë disa nga thëniet e njohura të regjisorit italian:

“Kinemaja është mënyra më e mirë për të hyrë në garë me Zotin.”
“Asgjë nuk dihet, gjithçka imagjinohet.”
“Një formë e ndryshme shprehjeje përbën një vizion të ndryshëm të jetës.”
“Nuk ka mbarim, nuk ka fillim. Ka vetëm një pasion të pafundmë për jetën.”
“Biznesi i kinemasë është makabër, grotesk: një përzierje midis ndeshjes së futbollit dhe bordellit.” /KultPlus.com

Flitet se Elvana Gjata do të përfaqësojë një shtet tjetër në Eurovizion

Elvana Gjata nuk mundi të rrëmbejë çmimin e parë në Festivalin e Këngës, duke ju hequr kështu mundësia për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion.

Por duket se në rrjete sociale (Twitter) po ‘zien’ një thashethem sipas të cilit Elvana do të shkojë këtë vit në Eurovizion por do të përfaqësojë një tjetër shtet. .

Sipas “Anabel.al”, duket se papritur, dikush nga fanatikët e Eurovizion-it, ka ngritur tezën se Elvana Gjata do të përfaqësojë San Marino-n në maj, në Rotterdam.

Duke qenë një shtet shumë i vogël San Marino shpesh merr artistë nga shtete të tjera për të përfaqësuar vendin në Eurovizion, dhe këtë vit në Twitter po lakohet shumë emri i Elvana Gjatës.

Nuk e dimë se sa ka të vërtetë në këtë lajm të hamendësuar, por gjithsesi mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse “Me Tana” do të shkelë skenën e Eurosongut. / KultPlus.com

Nga Jim Morrison te Kurt Cobain dhe Amy Winehouse: Mallkimi i numrit 27

Në mjediset gazetareske ka nisur të flitet për “klubin 27” duke nisur që nga vitet shtatëdhjetë. Ishte dekada që ndryshoi përgjithmonë historinë e muzikës rock.

Në botën e rock-ut dhe më në përgjithësi atë të artit, ekziston një “klub ekskluziv” në të cilin askush nuk dëshiron të bëjë pjesë. Një rreth i ngushtë që me kalimin e kohës ka ardhur duke u shtuar, me një përpikmëri makabre, me interpretuesit më të mirë të skenës muzikore. Të cilët i ka bërë bashkë koinçidenca e pafat që kanë ikur nga kjo botë, pa i mbushur të 28 vitet.

Në mjediset gazetareske ka nisur të flitet për “klubin 27” duke nisur që nga vitet shtatëdhjetë. Ishte dekada që ndryshoi përgjithmonë historinë e muzikës rock. Edhe pse ajo që i dha jetë këtij lloj mallkimi ka qenë ndoshta vdekja në rrethana misterioze e Robert Johnson (1911-1938), kantautor dhe kitarist i të mëdhenjve të muzikës blues amerikane. Aq i talentuar sa i dha jetë legjendës së pakti të firmosur mes tij dhe Satanait, për të qenë në gjendje të arrinte ata nivele të aftësisë teknike.

I pari

Në vitet e zhurmshëm të rosk and roll-it, i pari që u fut në listën e veçantë të artistëve të mallkuar, të konsumuar prej teprimeve dhe një krijueshmëri vetëshkatërruese ishte Brian Jones. Themelues i Rolling Stones u gjet i pajetë në vitin 1969.

Autopsia përcaktoi se artisti kish ndërruar jetë nga pasoja të natyrshme të një jete me alkool dhe drogë. I kish marrë në sasi kaq të mëdha, saqë ia kishin dëmtuar në mënyrë të pashërueshme zemrën dhe mëlçinë.

Shtypi akuzoi policinë lokale se kishte mbuluar një krim, por një autopsi e re e vitit 2009, arriti në të njëjtin verdikt si mjeku i parë.

Tre gjigandë të rock-ut

Dyvjeçari vendimtar që ushqeu famëkeqin Klubi 27, ai që e bëri vërtetë një legjendë të zezë, ishte 1970-1971. Në mënyrë të shpejtë erdhën e u bënë pjesë e tij tre gjigandë të rock-ut, si Himi Hendrix, Janis Joplin dhe Jim Morrison. Në apartamentin e Samarkand Hotel në Londër, në 18 shtator 1970 Monika Dannemann gjeti të pajetë shokun e saj Jimi Hendrix. Ishte mbytur në të vjellat e tij, pas një overdoze: kishte ikur nga kjo botë kitarristi më i madh i rosk-ut. Dhe ishte 27 vjeç.

Dy javë më vonë, muzika mbeti pa një prej zërave të saj më të jashtëzakonshëm, atë të Janis Joplin. Edhe ajo prej një kokteili vdekjeprurës morfine dhe uiski. Një vit më vonë, në 3 korrik 1971, në vaskën e banjës së apartamentit të tij në Paris doli tragjikisht nga skena, idhulli i revolucionit kulturor të viteve gjashtëdhjetë Jim Morrison, artisti dhe themeluesi i The Doors.

U gjet i pajetë nga partnerja e tij Pamela Courson. Ajo dëshmoi se Morrison kish marrë heroinë duke e pandehur për kokainë. Trupi i tij nuk iu nënshtrua kurrë autopsisë, arsye kjo që shkaktoi lindjen e shumë teorive komplotiste për vdekjen e yllit, autor i “The End”. Ndërkohë që varri i tij në varrezën e Pere-Lachaise në Paris është shndërruar në një vend pelegrinazhi të pandërprerë sot e kësaj dite.

Vitet ’90

Mallkimi i numrit 27 u duk se u ndal në vitet tetëdhjetë, por u rikthye të godasë në vitet nëntëdhjetë me ikjen nga kjo botë të njërës prej figurave më me influencë të të rinjve të kohës, këngëtari dhe lideri i Nirvana Kurt Cobain, i cili në 5 prill 1994 vendosi të heshtë një herë e përgjithmonë, duke vrarë veten me pushkë.

Trupi u gjend vetëm tre ditë më vonë në shtëpinë e tij në Seattle. Edhe Kobain, ashtu si pjesëtarët e tjerë të klubit kishte patur probleme të mëdha me drogën. Të njëjtët demonë që ndeshi në rrugën e saj të shkurtër edhe këngëtarja britanike Amy Winehouse. Mbretëresha e soul-it të bardhë ndërroi jetë në 23 korrik 2011 pas një abuzimi me pije alkoolike. Ia kish dalë me shumë mund të çlirohej nga droga, por jo nga alkooli. Tre vite më herët, kantautorja kishte shprehur frikën se mund të vdiste pikërisiht në atë moshë. Profeci që për fat të keq doli e vërtetë. /bota.al /KultPlus.com

Muralet meksikane që i dhanë formë artit amerikan

Muralet meksikane kanë qenë ato vepra, të cilat i dhanë formë artit amerikan. Për të risjellë edhe njëherë në kujtesë këtë pjesë të kulturës, por edhe historisë, Barbara Haskell një kuratore arti ka mbajtur një ekspozitë. Iniciativë për çeljen e kësaj ekspozeje në Muzeun Whitney në New York, është edhe situata e komplikuar politike mes SHBA dhe Meksikës për çështjen e emigrantëve dhe kufirit.

Diego Rivera njihet gjerësisht për ndikimin e tij në artin modern. Aktiv në gjysmën e parë të shekullit 20, veprat e tij u koleksionuan nga Rockefellers, duke u shfaqur në galeritë kryesore, dhe mbetet artisti më i shtrenjtë i Amerikës Latine sot.

Por, pavarësisht se veprat e Riverës dhe gruas së tij, Frida Kahlo, ishin veprat më të famshme artistike dhe më të eksportuarat nga vendlindja e tyre, ato nuk ishin të vetmet. Siç e vë në dukje edhe një ekspozitë e re në Muzeun Whitney në New York, ishte një grup artistësh meksikanë – edhe pse jo aq shumë modernistët evropianë si Pablo Picasso ose kasti i Impressionistëve Francez – që i dhanë formë artit të pasluftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Muralistët meksikanë në veçanti kishin një “ndikim sizmik” në zhvillimin e artit të vetëdijshëm shoqëror dhe artit të rrugës”, shprehet Barbara Haskell, kuratore e “Vida Americana: Muralet meksikane rikrijuese të Artit Amerikan, 1925-1945”.

“Kjo ekspozitë kërkon të kthejë historinë e artit në fillime,” u shpreh ajo për CNN.

Si kurator arti për një kohë të gjatë në Whitney,  Haskell tregon se ideja për hapjen e ekspozitës ka ekzistuar që një dekadë më parë, por u bë kohët e fundit pasi ishte pikërisht interesi për kulturën dhe politikën meksikane që e shtyu shfaqjen përpara.

“Është një kohë e mirë për të vlerësuar kreativitetin dhe inovacionin estetik që dolën pikërisht nga marrëdhëniet midis artistëve nga Meksika dhe SHBA”, shpjegoi ajo, duke e cilësuar ekspozitën si një kundërpeshë ndaj kufijëve fizikë dhe psikologjikë që administrata Trump kërkon të vërë në zbatim me kombet fqinje.

Ekspozita tregon ndikimin që patën artistët meksikanë në krijimet e homologëve të tyre amerikanë, përfshirë Thomas Hart Benton, Isamu Noguchi, Jackson Pollock dhe Ben Shahn.

Ekspozita përfshin një përzierje befasuese të stilit të punës midis piktorit amerikan Jackson Pollock dhe një prej muralistëve më të rëndësishëm të shekullit të 20-të, piktorit meksikan José Clemente Orozco. Pollock u emocionua aq shumë nga muralja “Prometheus” e Orozco në Pomona, California, sa që e quajti atë “pikturën më të mirë në hemisferën perëndimore”.

“Muralistët meksikanë krijuan një art që në dukje ishte modern, por që subjekt i tyre ishin element të përditshmërisë së njerëzve”, tha Haskell. “Arti modern ishte i arritshëm”.

Duke përshkruar subjekte politike dhe sociale në muret e shkollave, ndërtesave qeveritare dhe seminareve, muralistët po bënin art që ishte i ftuar dhe i rëndësishëm për publikun – një alternative për ekspresionizmin abstrakt jo figurativ që mbizotëronte skenën e artit amerikan në atë kohë .

Për shembull, një skenë që bën të pavdekshme heroizmin e njerëzve të klasës punëtore është afresku i Riverës “Kryengritja” (1931). Ky afresk përshkruan një grua që largohet me forcë nga një ushtar për të mbrojtur foshnjën e saj gjatë një grevë pune.

/Shqiptarja.com /KultPlus.com


Kosovarja Miranda Sahiti, në garë për të përfaqësuar Finlandën në Eurovision

Pavarësisht se Kosova padrejtësisht nuk është në Eurovision, talenti i kosovarëve po vërehet gjithandej, përcjellë KultPlus.

Kësaj radhe është kosovarja Miranda Sahiti e njohur si @m1ra.sa e cila është pjesë e grupit trio @f3mofficial e që po garojnë për ta përfaqësuar Finlandën në Eurovision.

Kënga e tyre quhet “Bananas” dhe do të garojë në festivalin kombëtar finlandez, ku fituesi shkon në Eurovision.

Derisa presim nëse kënga e tyre do të triumfojë ose jo në këtë festival, kujtojmë që Shqipëria tashmë ka zgjedhur përfaqësuesin e saj për Eurovision. Është Arilena Ara e cila u shpall fituese e edicionit të 58-të të Festivalit të Këngës. Me këngën “Shaj”, baladën që i mbajti të gjithë mbërthyer, Arilena do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës “Eurosong 2020”. /EurovisionKosova / KultPlus.com

Mirela Kumbaro bën thirrje të bojkotohet festivali “Sanremo”

Festivali “Sanremo” në Itali, që pritet të mbahet në ditët e para të shkurtit, është shoqëruar me mjaft polemika. Shkak për këtë është bërë deklarata seksiste e prezantuesit të njohur, Amadeus. Ky i fundit duke prezantuar të fejuarën e Valentino Rosit, tha se e kishte zgjedhur si partnere në prezantin për faktin se “është e bukur dhe qëndron një hap pas një burri të madh”.

Kjo deklaratë ka irrituar ish-ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila bëri thirrje për ta bojkotuar “Sanremon”. Kumbaro e ftuar në emisionin “Provokacija”, tha se e tmerron fakti që Amadeus i cilëson ato vajza si objekte.

“Mua as nuk më shkon ndërme të gjykoj “Sanremon”. Nuk kam ndonjë problem, unë thjeshtë nuk e ndjek më. Nuk kam kohë t’i ndjek festivalet e gjata. Por nuk është ky shqetësimi im, unë as nuk e gjykoj dhe nuk na takon të gjykojmë një festival italian. Të them të drejtën unë nuk jam shprehur as për festivalet që organizohen në Shqipëri të karakterit të këngës së lehtë, nuk jam profesioniste e asaj fushe, jam një spektatore modeste. Nga ana tjetër nuk bëj gjykim as për këtë zotërinë që nuk e njoh fare. Mua më shokoi deklarata dhe do më shokonte njësoj sikur të ishte bërë në Itali, sikur të ishte bërë në Shqipëri”. /KultPlus.com

Ministrja e Kultures Mirela Kumbaro duke folur gjate nje konference shtypi ku kane dhene detaje mbi festivalin Kaba 2.0, qe do zhvillohet ne Korce e do marrin pjese grupe te njohura si Fanfara Tirana, Transglobal Underground dhe te ftuar me fame si Vinicio Capossela./r/n/r/nMinister of Culture Mirela Kumbaro speaking during a press conference where they revealed details on the festival Kaba 2.0, to be held in Korca will participate known groups as Fanfara Tirana, Transglobal Underground and global known singer Vinicio Capossela .

“I dobëti nuk mund të falë dot, falja u përket të fortëve”

Emri i tij i vёrtetё ёshtё Mohandas Karamchand Gandhi. Lindi nё Indinё Perёndimore (Porbandar) dhe vdiq nё vitin 1948, nё Nju Delhi. Ishte njё personalitet i madh politik i Indisë, qё shprehte besimet e tij tё thella filozofike nё veprimin e tij politik.

Dedikoi tё gjithё jetёn e tij qёllimeve mё tё larta: pavarësisё sё Indisё, barazisё sё tё drejtave tё shtresave tё ultëta tё popullit, paqes midis induistëve dhe myslimanёve.

“Nëse duam të arrijmë paqen e vërtetë në botë, ne duhet të nisim të edukojmë fëmijët”.

“Atje ku ka dashuri, atje ka jetë”.

“Nëse unë e kam besimin se mund ta bëj diçka, unë me siguri do ta fitoj aftësinë për ta bërë atë gjë, edhe nëse nuk e kam pasur që në fillim atë aftësi”.

“Askush nuk mund të më lëndojë mua pa lejen time”.

“Jeto sikur do të vdisje nesër. Mëso sikur do të jetoje përgjithmonë”.

“Nuk duhet ta humbasësh besimin tek njerëzimi. Njerëzimi është si një oqean. Nëse disa pika uji në oqean janë të ndotura, kjo nuk e bën oqeanin të konsiderohet i ndotur”.

“Madhështia e shoqërisë së një vendi gjykohet nga mënyra se si i trajton kafshët”.

“I dobëti nuk mund të falë dot. Falja u përket të fortëve”.

“Shpërblimi ynë tregohet me përpjekjet, jo me rezultatet. Përpjekjet e mëdha janë padyshim fitore të mëdha”.

“Fuqia nuk e ka burimin tek kapaciteti fizik, por tek vullneti i palëkundur”.bota.al. /KultPlus.com

Kohën që kaloni në rrjete sociale gjatë vitit, do të mund të lexonit 200 libra

Dikush e kishte pyetur Warren Buffett për sekretin e tij për sukses. Buffett shpalosi një grumbull të librave dhe tha “Lexoni 500 faqe si kjo çdo ditë. Kështu faktikisht funksionon dija dhe kështu ndërtohet ajo. Të gjithë ju mund ta bëni atë, por unë garantoj se jo shumë prej jush do e bënit…”

Kur para dy vitesh, e gjeta për herë të parë këtë thënie të Buffettit, diçka më dukej se ishte gabim.

Ishte dhjetori i vitit 2014. E kisha gjetur punën time të ëndrrave. Për disa ditë rrija i ulur në karrigen e punës sime të ëndrrave dhe po mendoja me vete, “Zot im, çka nëse unë do të mbes këtu edhe për 40 vjet? Unë nuk dua të vdes në këtë mënyrë … “

Diçka nuk ishte në rregull. E kisha ndjekur recetën e suksesit. Notat e mira. Lideriship. Rekomandime. Universitet. Punën e ëndrrave. Isha njëfarë fituesi.  Arrita pikën që doja. Edhe pse isha në një territor të ëndrrave, diçka më dukej se ishte tmerrësisht, tmerrësisht e gabuar aty.

Çdo ditë, nga tavolina ime e punës së ëndrrave, shikova në sytë e tyre përmes të cilëve shija veç zbrazëti. Sy bosh dhe të zbrazët.

Nuk po gjeja përgjigje.

Në janar të vitit 2015, gjeta thënien e Buffett. Vendosa t’i përkushtohem leximit. Do të lexoja dhe vetëm do të vazhdoja të lexoja dhe nuk do të ndalesha derisa të merrja disa përgjigje që më preokuponin.

Nuk i kam lexuar 500  faqe në ditë, por në këto dy vitet e fundit, kam lexuar mbi 400 libra që nga fillimi deri në fund. Realisht, ky vendim për të filluar leximin ishte një nga vendimet më të rëndësishme në jetën time.

Librat më dhanë guximin për të udhëtuar. Librat më binden për të lënë punën time. Librat më dhanë inspirimin, heronjtë e kuptimin e kësaj bote që mua më mungonte.

Dua të them se të lexosh 200 libra në vit është një gjë gate e pabesueshme. Por faktikisht nuk është. Çdokush mund ta bëjë këtë.

Gjithçka që duhet është një matematikë e thjeshtë dhe mjetet e duhura.

1. Mos e lini para se të filloni

Kur dikush e dëgjon këshillën “Lexoni 500 faqe çdo ditë”, reagimi i tij i menjëhershëm është “Në asnjë mënyrë! Kjo është e pamundur! “

Pastaj vazhdoni për të gjetur arsye për të justifikuar pikëpamjet e tij, pa menduar më thellë. Këtu përfshihet arsyetimet e tipit, “Jam shumë i zënë”, “Nuk jam mjaftueshëm i zgjuar”, ose “Librat thjesht nuk janë për mua.”

Por çfarë ndodh nëse shkojmë pak më thellë? Për shembull, çfarë të kushton në të vërtetë që të lexosh 200 libra në vit? Para dy vitesh e bëra një kalkulim të thjeshtë lidhur me këtë dhe rashë në një përfundim se leximi i 200 librave në vit nuk është aspak i vështirë.

Është ashtu siç thotë Buffett. Çdokush mund ta bëjë këtë, por shumica e njerëzve nuk e bëjnë këtë.

2. Bëni një llogaritje të thjeshtë

Sa kohë  ju duhet për të lexuar 200 libra në vit?

Së pari, le të shohim dy statistika të shpejta:

Shumica e amerikanëve lexojnë 200-400 fjalë në minut (Unë po supozoj që ju lexoni 400 fjalë në minut si unë)

Librat jo-fiktiv kanë ~ 50,000 fjalë

Tani, krejt çka ne kemi nevojë janë disa llogaritje të shpejta …

200 libra * 50,000 fjalë / libri = 10 milionë fjalë

10 milion fjalë / 400 fjalë për minut = 25,000 minuta

25,000 minuta / 60 = 417 orë

Kjo është e gjitha. Për të lexuar 200 libra, thjesht shpenzoni 417 orë në vit duke lexuar.

E di edhe pa më thënë. Nëse truri juaj është si imi, menjëherë po mendoni për “417 orë”-t dhe po mendoni ta lëni fare këtë punë. Shumica e njerëzve punojnë vetëm 40 orë në javë! Si mund të lexojmë 417 orë?

Mos lejoni që truri juaj të juaj të ju largojë nga kjo. Le të bëjmë një shpjegim të shpejtë për atë që çka në të vërtetë nënkuptojnë 417 orë …

3. Gjejeni kohën

Wow, 417 orë. Më të vërtetë duken shumë. Por çfarë do të thonë me të vërtetë 417 orë? Le të përpiqemi të shohim në një perspektivë më të zgjeruar.

Ja se sa kohë një amerikan shpenzon në rrjete sociale dhe duke parë televizion brenda një viti:

608 orë në rrjete sociale

1642 orë në TV

Uau. Kjo është 2250 orë në vit që kalon në MBETURINA. Nëse ato orë do të shpenzoheshin për të lexim, ju në fund të vitit do të kishit 1000 libra të lexuar.

Ja e vërteta e thjeshtë pas leximit të shumë librave: Nuk është kaq e vështirë. Ne kemi gjithë mjaftueshëm kohë. Pjesa e frikshme – pjesa që ne të gjithë e injorojmë – është se ne jemi shumë të varur, shumë të dobët dhe shumë të hutuar për të bërë atë që të gjithë e dimë që është e rëndësishme…

Krejt çka të duhet për tu  marrë më shumë më leximin është që  “kohën që e shpenzon kot” në Twitter ose duke e shikuar “Desperate Housewives” (Shtëpiaket e dëshpëruara), t’ia dedikosh leximit.

Teoria është e thjeshtë. Ekzekutimi është i vështirë.

4. Ekzekuto

Të gjithë e dimë se leximi është i rëndësishëm. Të gjithë e dimë se duhet të bëjmë më shumë. Por ne faktikisht nuk bëjmë asgjë. Arsyeja kryesore se pse kjo ndodh është për shkak se ne dështojmë për të vepruar.

As unë s’jam aq i përsosur lidhur me këtë, por më poshtë janë disa taktika që më kanë ndihmuar të arrij rezultate.

I. Përdorni dizajnin mjedisor

Nëse po largoheni nga kokaina, a do ta mbani atë të shtrirë rreth shtëpisë? Natyrisht jo. Media është projektuar të jetë  një problem i ngjashëm. Largimi nga varësia e medias mund të jetë po aq e vështirë sa droga.

Nëse dëshironi të lexoni, sigurohuni që së pari të hiqni nga mjedisi juaj gjithçka që  shpërqendron dhe së dyti i bëni librat sa më të qasshëm.

CHARLES CHU

Unë udhëtoj shumë. Kjo nuk më ndalon të lexoj. Fotografia në të majtë është e “raft librash” tim në Tajlandë. Unë përpiqem të mbaj libra kudo, kështu që unë mund të marr një dhe të filloj leximin.

Fotografia në të djathtë është desktopi im i smartphone. Vini re se ka vetëm dy aplikacione. Njëri prej tyre – aplikacioni Kindle – është për lexim. E dyta është për zakonet … Kjo më sjell në pikën tjetër.

Orhan Pamuk ka thënë:

Kam lexuar një libër një ditë dhe jeta ime është ndryshuar.

Po të mos kisha filluar të lexoja, ndoshta do të isha ende në punën time të ëndrrave. Ndoshta do të isha akoma në tavolinën time, do të kalonin sa më shumë orë  dhe do të pyesja veten nëse do të vdisja kështu …

Nëse po kërkoni përgjigje, jepjani leximit një shans. Ju mund të gjeni shumë, shumë më tepër se çka keni kërkuar./ Quartz/ KultPlus.com

Filmi kosovar “Cirku Fluturues” mirëpritet në Santa Barbara

Të hënën publiku i Kalifornisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mirëpritur filmin kosovar “Cirku fluturues”, të regjisorit Fatos Berisha. Ky film e pati premierën e vet amerikane në kuadër të festivalit “Santa Barbara International Film Festival” (SBIFF). Siç mësohet nga programi i këtij festivali, ky film do të pasohet edhe nga dy repriza të tjera.

Tri prezantime në Kaliforni

Menjëherë pas premierës, që pati mbrëmë në Santa Barbara të Kalifornisë, filmi “Cirku fluturues” do të reprizohet edhe dy herë radhazi në po këtë festival.

Nga programi i “Santa Barbara International Film Festival” mësohet se filmi “Cirku fluturues”, i Fatos Berishës do të reprizohet edhe këtë të martë në “Fiesta Theatre 4”, duke filluar nga ora 16:20 me kohën lokale të Kalifornisë. Filmi do të shfaqet gjithashtu edhe të mërkurën në orën 11:00, në “Lobero Theatre” në Santa Barbara, përcjell Koha Ditore.

Gjatë 34 vjetëve të fundit SBIFF-ja është bërë një nga festivalet kryesore të filmit në Shtetet e Bashkuara – duke tërhequr 95,000 pjesëmarrës dhe duke ofruar 11 ditë me më shumë se 200 filma, tribute dhe panele, duke përmbushur misionin e tyre për të angazhuar, për të pasuruar dhe për t’i frymëzuar njerëzit përmes fuqisë të filmit, raporton televizioni publik. Në qershor të vitit 2016 “Santa Barbara International Film Festival” hyri në një epokë të re me blerjen e teatrit historik “Riviera”. Pas një fushate për rinovimi e tij, teatri tani është shtëpia e re dhe më e bukur e SBIFF-it ku gjatë gjithë vitit shfaqen filma të rinj ndërkombëtarë dhe të pavarur.

“Cirku fluturues” është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve të ’90-ta e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë. “Cirku fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë, të përjetuar nga vetë regjisori. Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topië. Ndërsa në rolet dytësore: Velibor Topic, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj. Producente e filmit është Vjosa Berisha, kurse bashkëproducentë janë: Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka dhe Fatos Berisha. Pjesa tjetër e ekipit përbëhet nga drejtori i fotografisë Almir Ðikoli, montazheri Vladimir Pavlovski, disenjatori i setit Arben Shala, kompozitori Ognen Anastasovski, si dhe kostumografja Desantila Lika.

Filmi “Cirku fluturues” ka pasur premierën botërore në njërin prej festivaleve më të rëndësishme ndërkombëtare të filmit, në Tallin të Estonisë. E pas kësaj filmi i Berishës u vlerësua edhe para publikut italian. Nga Italia nuk u kthye pa trofe. Filmi “Cirku fluturues”, nga Fatos Berisha, ka fituar çmimin për filmin më të mirë të huaj të metrazhit të gjatë në Itali, në garën “Fabrique du Cinema Awards”.

Xhirimet e këtij filmi u mbyllën në prill të vitit 2018, pas një rrugëtimi 22-ditësh të ndarë në katër javë – një në Kosovë, një në Ulqin, një në Shkodër dhe një në Tiranë. “Cirku fluturues” është bashkëprodhim i Kosovës (“B2 Films Kosovo” dhe “Ikone Studio”), i Shqipërisë (“B2 Agency”, “Albania”) dhe i Maqedonisë Veriore (“Black Cat Production”). Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Agjencia e Filmit e Maqedonisë Veriore. /KultPlus.com

Fehime Selimi, poete e njohur te lexuesi i viteve ’80

Fehime Selimi, poete dhe aktiviste për të drejtat e grave në Kosovë, e njohur te lexuesi i viteve të 80-ta përmes artikujve nxitës dhe motivues mbi angazhimin e grave në jetën letrare dhe si poete e vargut meditativ dhe intim. Ishte aktive në Gazetën Rilindja dhe Flaka Vëllazërimit – ku edhe nisi karierën e saj letrare në moshë shumë të re.

“Të përkundësh djepin është poezi më vete – më tha. Pajtohem plotësisht me të, por më duhet të them se është poezi për të cilën gjithsesi duhet shkruar një tjetër poezi”, shkruan Rilindja.

U lind në Preshevë në vitin 1954 ku edhe mbaroi shkollimin elementar për t’u shpërngulur në Shkup për shkollimin e mesëm. Ajo vijoi studimet në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Filologjisë dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.

Punoi si përkthyese në Këshillin Krahinor në Prishtinë deri në vitin 1990 dhe me dëbimin masiv të punëtorëvë ajo u shpërngul në Istog. Nga viti 2001 deri në vitin 2004 ajo iu bashkua shoqatës së grave “Arbëria” në Istog.

Veprat: “Fjala ime ka Etje” – Flaka e Vëllazërimit, 1980 Shkup, “Lule në Ethe”, Rilindja, 1982, “Dita e Trembëdhjetë”, Rilindja 1990, “Kohë Shirash”, Vatra, 2007. /KultPlus.com

“Letër gruas, zemrës sime”

Përktheu: Ardian Batusha

Mozart i shkruan Constanzës.

“Letër gruas, zemrës sime” (E dashur gruaja e zemrës time!)

Sikur të merrja një letër nga ti do ishte gjithçka në rregull…

E dashur, nuk kam pikë dyshimi që unë do kem sukses, por nuk do të jetë aq e lehtë sikur mendon ti dhe miqtë tanë. Është e vërtetë që jam i famshëm dhe i respektuar këtu, por të ardhmes nuk i idhet. Preferoj të luaj sigurtë, dhe shpresoj të përfundoj marrëveshjen me H… me qëllim që të fitoj ca para më shumë. Pastaj do i shtrohem punës dhe do isha i lumtur nëse do e bëja këtë për gruan time të vogël.

Ndihem i eksituar si fëmija kur më shkon nëpër mendje se do jemi sërish bashkë. Nëse njerëzit do depërtonin në zemrën time, do turpërohesha. Gjithçka është e ftohë për mua-akull e ftohtë. Sikur të ishe tani me mua ndoshta do të shijoja mirësjelljen dhe kortezinë që po ma ofrojnë njerëzit këtu. Sidoqoftë po nidhem bosh. Lamtumirë e dashur.

Mozarti jot që të dashuron me gjithë shpirtin.

P.S Tek po shkruaja, lotët më shkonin rrëke mbi letër. Megjithatë më duhet ta marr veten. Pakufi puthje po fluturojnë drejt teje. Djalli! Po shikoj një turmë djajsh. HA!HA!.. Sapo kapa tre nga ta. Janë të shijshëm… Të puth miliona herë”. /KultPlus.com

Revista “Minerva”, pasqyrë e kombit shqiptar në vitin 1922

Revista “Minerva” nisi rrugëtimin më 21 janar 1922, në Austri. Studentët shqiptarë të Universitetit të Gracit, shprehen qëndrimin e tyre ndaj atdheut, që me numrin e parë të botimit, shkruan Konica.al

“Minerva” do të  pasqyronte problemet e kombit tonë, të kulturës, folklorit dhe të letërsisë shqipe. Po më 21 janar 1814, në Përmet u lind gazetari Medin Kamberi. U diplomua për gazetari në Universitetin e Romës.

Pas kthimit në Atdhe, themeloi dhe drejtoi disa organe të shtypit shqiptar.

Në vitin 1935, nxori revistën e ilustruar letrare, shoqërore dhe kino-sportive “Diana” dhe dy vjet më vonë, gazetën politike, shoqërore, kulturore dhe ekonomike “Shtypi”./KultPlus.com

Pse Qeveria e Kosovës vendosi të ndalonte xhirimet e filmit “Unë dhe Millosheviqi”

Arben I. Kastrati

Skenari i filmit i përket zhanrit dramë-komedi. Ngjarja e filmit ndodhë në Kosovë, në Serbi, në Hollandë dhe në Francë. Filmi përbëhet nga një kast i mrekullueshëm aktorësh, përfshi: Gerard Depardieu, Alessandra Martines, Pamela Bowen, Ellen Birgitte Winther, Blerta Syla, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli etj.

Skenari i filmit, që është vlerësuar nga figura madhore të kinematografisë botërore, është mohuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Mbretëria e të paditurve institucional, përbëhet nga figura tragjike, që kanë nivele të frikshme të intelegjencës. Ata, kanë lindur nga një degjenerim (politik). Ata, në vazhdimësi, ushtrojnë kontroll politik në çdo lëmi. Përjashtim nuk përbënë as puna ime, që vazhdimisht vëzhgohet nga një ish-ministër, poltronist profesionist. “Dežurni” i përhershëm i punës time, ka një obligim të vetëm, ta eliminoj atë. Ai është asistenti më i devotshëm i “shefit”. E “shefi”, është një paradox i frikshëm.    

Një pjesë e madhe e filmit, do të xhirohej në ish kampin Gjerman të KFOR-it në Prizren, (Parku Inovativ), që administrohet nga Qeveria e Kosovës dhe Organizata Jo Qeveritare, GIZ. Produksioni i filmit dhe përfaqësuesit e GIZ-it, pas vizitave, matjeve dhe fotografimeve të lokacioneve (në kohëzgjatje prej një viti), ishin dakorduar për të gjitha modalitetet, përfshi dhe datat e xhirimeve. E gjithë skenografia e filmit ishte ndërtuar, në bazë të parametrave të lokacioneve të kampit, për ç’gjë, produksioni kishte marrë aprovimin dhe lejen e xhirimit, paraprakisht.        

Një javë para fillimit të xhirimeve të filmit, Qeveria e Kosovës, kishte dërguar një delegacion të sajë në zyrat e GIZ-it, takim ky që do të zgjaste përtej orarit të punës. Qëllimi i vizitës së shpurës së Qeverisë së Kosovës ishte, që përkundër marrëveshjes ekzistuese, t’i bindtte përfaqësuesit e GIZ-it, që me “vetëdëshirë” t’i ndalonin xhirimet e filmit. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës, ju kishte dërguar Letra (Proteste), Ambasadës së Gjermanisë dhe Ambasadës së Francës, përmes së cilës i njoftonte qeveritë e shteteve përkatëse, që filmi:

““Unë dhe Millosheviqi” nga Arben I. Kastrati, ishte: film antishqiptarë, kundër shtetit të Kosovës, i financuar nga Rusia, konkretisht nga Presidenti i Rusisë, Z. Vladimir Putin, ndërsa ndërmjetës na paskësh qenë, aktori i mirënjohur, Z. Gerard Depardieu.”

Informacionin mbi epilogun e takimit dhe përmbajten e letrave, m’a dëftuan  në telefon. Nuk besoja se ç’po dëgjoja. Ishte pasdite dhe vendosa të ndërmerja një mision të pamundur, të shpëtoja projektin. Në (atë) pamundësi, kisha dy mundësi: të dështoja, ashtu siç kërkohej nga unë, ose të vdisja duke provuar të kundërtën. Lajmërova Drejtorin më të mirë të Fotografisë që ka sot kinematografia botërore, Z. Christian Berger, që së bashku me ekipin e tij dhe pasijet (tani më të siguruara), të mos niseshin nga Viena për arsye se: “…

Mora dhe habinë e tij të pabesueshme dhe u nisëm për në Tiranë. Nuk kishim as lokacione, as skenografi, as ekip filmi, as aktorë, as bileta avioni me destinim Tiranën. Kishim vetëm zotimin e Z. Depardieu (me asistentët e tij) se po vinte të xhironte, siç ishim dakorduar.

Producentja e filmit Shqipja dhe unë, kishim gjashtë ditë kohë dhe fare pak buxhet të sajonim ekipin dhe të ndërtonim të pamundurën, për të cilën duhen ekipe të tëra profesionistësh, vite kohë dhe shumë buxhet. Brenda gjashtë ditësh, duke iu falenderuar miqëve tanë në Tiranë dhe këmbëngulësisë sonë, sajuam të pamundurën dhe i përfunduam xhirimet e planifikuara.

Kisha kohë që kisha humbur aftësinë për të gëlltitur marrinë. Kisha kohë që kisha humbur aftësinë për të pranuar poshtrime institucionale. Prandaj, atë natë, ju dërgova një letër personazheve kryesore të kësaj historie. Në përgjigjen time, thuhet:

  • Pse duhet Qeveria e Kosovës, performanca e së cilës është për t’u qarë me vajtojca, ta vlerësoj skenarin e filmit: “Unë dhe Millosheviqi”?!!!!
  • Kush janë përfaqësuesit e specializuar në Qeverinë e Kosovës që vlerësojnë skenarët e filmave dhe pse?!!!! 
  • Ndalimi i xhirimit të një filmi, dëfton që Qeveria e Kosovës përbëhet nga polic të mendimit opozitar.
  • Në këtë sistem të quajtur Demokraci, që është larg të qenit perfekt, por që e kemi zgjedhur vet, liria e të shprehurit, është një nga garancitë themelore. 
  • Skenari i filmit” “Unë dhe Millosheviqi” nuk është kundër Kosovës, përkundrazi, është në të mirë të Kosovës. Prandaj, sikur ta financonte Presidenti i Rusisë, Z. Vladimir Putin, siç pretendoni ju, do të shkoja menjëherë në Kremlin ta nënshkruaja kontratën, para gjithë mediumeve të botës. (P.S. – Nëse keni informacion që Z. Putin ende shpreh interesim ta financojë filmin, jam i gatshëm të shkoj në Kremlin që sot dhe ta nënshkruaj kontratën, gjithmonë, duke qenë transparent dhe në prani të mediumeve).
  • Akuza që më ka bërë Qeveria e Kosovës se unë qenkam antishqiptar, është sikur të akuzosh Papën se është mysliman.
  • Z. Gerard Depardieu, të cilin padrejtësisht dhe qëllimisht e keni akuzuar si të deleguarin me mision nga Z. Putin, është aktor aq i vlerësuar botërisht, sa që s’kam nevojë të bëjë biografin e tij. Ai duhej të vinte në Kosovë të xhironte, gjë që do të përbënte lajm. Prandaj, mëse dyzetë mediumeve të vlerësuara ndërkombëtare, kishin prenotuar ardhjen e tyre në Kosovë. Unë nuk u ktheva përgjigje mediumeve, që ta mbaja arsyen e vërtet të zhvendosjes së xhirimeve, të fshehur. Që ta ruaja Kosovën nga turpi.    
  • Ish Ambasadori Françez në Kosovë, kur kuptoi që krenaria Françeze,  Z. Depardieu do të vinte në Kosovë të xhironte, punën time e quajti, “nderë për Kosovën”, sepse si rrallë herë, një lajm i mirë nga Kosova, do të dërgohej në botë. Por, Kosova vendosi ta dënonte dhe dëbonte, lajmin e mirë.
  • Z. Depardieu nuk erdhi në cilësinë e të deleguarit të Z. Putin, por në cilësinë e aktorit, të xhironte skenarin që e vlerësonte shumë. Ai erdhi, xhiroi, la gjurmët e madhështisë së tij dhe iku. Ai nuk i komentoi as fyerjet shqiptare dhe as ofendimet serbe. Sepse qëndron lartë, shumë lartë mbi marritë primitive të të dyja palëve.  

Përkundër faktit që një sërë politikanësh të fuqishëm, të kamur, vendimmarrës, të frikshëm por të mjerë që merren me pastrimin e njerëzve të kulturës dhe të dijes, dhe një numër i madh “artistësh”, i bashkuan forcat kundër një projekti filmik. Filmi nuk dështoi. Dhe as që ka për të dështuar. Dështuan të gjithë ata, që u mobilizuan ta ndalojnë filmin. Ata, arritën të dëshmonin “artin” e tyre të madh që i karakterizon, vogëlsinë dhe mjerimin e tyre.

“Quell horreur”.

Kur ngjizen mjerimi dhe turpi, krijohet Qeveria e Kosovës, dhe “artistë” të shumtë. Shpresoj të mos shtohen. Sepse asgjë nuk vjen nga asgjëja. /KultPlus.com        

Ibrahim Rugova në vlerësimin tim

NgaDon Lush Gjergji

Filozofia dhe politika sipas Dr. Ibrahim Rugovës

Fjalët, shkrimet, idetë, politika paqësore jodhunore e Dr. Ibrahim Rugovës ishte një risi dhe befasi gati për të gjithë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, sipas parimeve të Gandhit, të Martin Luther King-ut, deri diku Havelit, apo si thoshte ai, ishte strategjia jonë “tereziane” duke u referuar dhe frymëzuar në jetën dhe veprën e Nënës Tereze Bojaxhiu.

Këtë përcaktim e shpjegonte  kështu: edhe jemi të detyruar, sepse nuk kemi as ushtri, as polici, as armë, dhe ndoshta kjo atë herë ishte edhe fatbardhësia jonë (vërejtja ime), por edhe duam, sepse nuk besojmë në fitoren e luftës dhe të armëve, dhe ajo do ta përgjysmonte dhe pakësonte popullatën tonë, ndërsa ne dëshirojmë ta mbrojmë çdo jetë dhe çdo njeri…

Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thoja edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të të mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqësore dhe jodhunore.

Shpesh thoshte: “Politika nuk është matematikë”, duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person, individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.

Pastaj vazhdonte: “Arma jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë…Ne duam dhe kërkojmë mënyra demokratike që të na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askënd…Nëse ne do ta mposhtim urrejtjen, ndarjet dhe përçarjet, sidomos traditën e gjak apo hak-marrjes, atëherë do të jemi të lirë dhe popull demokratik… Intelektualët shqiptarë duan të jenë në shërbim të popullit… Çka na duhet Kosova e përgjysmuar nga masakrimet apo përjashtimet…Tani është e rëndësishme ta shpëtojmë popullin. Do të kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare një fazë kalimtare, protektoratin ndërkombëtar për disa vite, e pastaj do të punojmë së bashku për pavarësinë e Kosovës… Në mua kanë ndikuar shumë pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze…”.

Lidershipi i Dr. Ibrahim Rugovës dhe qëndrueshmëria e tij sot

Vizioni i tij ishte mjaft i qartë, shumë i vendosur dhe shi për këtë së shpejti ishte shndërruar në Lider, udhërrëfyes dhe vizionar në nivelin popullor, te intelektualet, te rinia, me paraqitje të dinjiteteshme dhe të qeta, njëkohësisht të vendosura dhe parimore, por edhe të argumentuara dhe paqësore. Natyra e tij e butë, niveli i tij intelektual i lartë, largpamësie e tij pothuaj profetike e ndihmonin dukshëm në këto veprime. Nga bashkëpunimi dhe njohja ime që nga viti 1981 e deri në vdekje, kam pasur përshtypje dhe përvoja shumë pozitive. Dr. Ibrahim Rugova nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë të mbrohet, por urtisht, guximisht dhe me shumë sukses e kudo e mbrojti popullin shqiptar, sidomos Kosovën. Ai nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë ta sulmonte askënd, përpos të keqen, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen, rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së vërtetës, me strategjinë këmbëngulëse dhe frymëzuese për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë.

Mu për këtë ishte dhe do të jetë përfaqësuesi ynë i denjë në luftë për liri dhe demokraci në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve 1989-1999 si dhe pas Luftës, deri në vdekje (21 janar 2006). Do të thoja së bashku me Nënën Tereze se dr. Ibrahim Rugova “e dha pjesën më të mirë të vetvetes”.

Bota dhe Dr. Ibrahim Rugova dhe trinomi: Liri, Pavarësi dhe Demokraci

Trinomi: Liri, Pavarësi dhe Demokraci pa dyshim ishte filozofia dhe përcaktimi i tij politik dhe jetësor. Këtë e kanë cekur edhe autorët dhe studiuesit tanë dhe të huaj. Dr. Enver Bytyqi  nënvizon politikën e tij kombëtare dhe ndërkombëtare kështu: “Madje vizioni i Ibrahim Rugovës nuk ishte shfaqur ndonjëherë në historinë e të gjitha vendeve ballkanike. Ai ishte një lloj lëvizjeje që synonte detyrimin moral, bazuar në vlera. Ajo ishte një lëvizje për çlirimin bazuar në virtyte, në moralin e shoqërisë njerëzore.

Thelbi i lëvizjes së Rugovës për çlirim ishte mospërdorimi i dhunës… Para së gjithash kjo strategji kërkonte vetëdije të plotë politike, vetëbesim, si dhe përgatitje psikologjike, shpirtërore, sociale e shoqërore të njerëzve që e përfaqësonin… Dy milion shqiptarë ishin bashkuar në mbështetjen e tyre ndaj politikave të lëvizjes çlirimtare, të cilat i kishte prezantuar Rugova” (Enver Bytyqi, Filozofia politike dhe nacionale e Ibrahim Rugovës, vep. e cit. fq. 81-83).

Dr. Ibrahim Rugova dhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe më gjerë, asaj shqiptare në Ballkan

Ai sigurisht se ishte Lideri ynë që paraqiti kërkesat popullore dhe të drejtën themelore për liri, demokraci dhe vetëvendosje, pas gjithë asaj që kishim pësuar historikisht dhe aktualisht. Bindja e tij e thellë dhe jetësore se shqiptarët jemi në anën e të mirës, të drejtës dhe të vërtetës, pra, kemi argumente si historike, ashtu edhe aktuale, apo si e kisha formuluar unë: ne shqiptarët thënë figurativisht kemi mall të mirë, por jemi tregtarë të dobët, që Ibrahim Rugovës i pëlqente shumë, e shtynte atë për internacionalizimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës, sepse e dinte fare mirë se bota do të jetë me ne, jo pse jemi shqiptarë, apo kundër serbëve, por për hir të së drejtës dhe të vërtetës, kuptohet, nëse dimë ta paraqesim dhe mbrojmë botërisht.

Kjo “luftë” mediale pamoro-dëgjimore e mjeteve të komunikimit, e qarqeve politike dhe diplomatike, dukej si ajo biblike mes Davidit dhe Goliatit, sepse serbët kishin çdo gjë në dorë. Mirëpo Presidenti Ibrahim Rugova shpesh më thoshte kështu: “Ne anën tonë është e vërteta, historia, toka e Kosovës”.

Këtyre tri të vërtetave duhej t’i shtoheshin edhe dy shtylla të rëndësishme: vetëdija jonë kombëtare dhe përcaktimi ynë paqësor dhe jodhunor deri në fund, pa hequr kurrë dorë prej vetvetes dhe të vërtetës, lashtësisë, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë të lashtë iliro-shqiptar.

 Pa këtë fitore mediale dhe politike kurrë nuk do të vinte deri te ndërhyrja e NATOS, Lufta Çlirimtare e Kosovës, pra, deri te liria dhe pamvarësia e Kosovës.

Dr. Ibrahim Rugova dhe personalitetet evropiane dhe botërore

Para qëndrimit të tij paqësor dhe jodhunor, para argumenteve historike dhe aktuale, para dëshmive të terrorit dhe tmerrit shtetëror jugosllavo-serb, bota nuk mund të ishte indiferente, sepse ai e kishte prekur ndërgjegjen e Amerikës, të Bashkësisë Evropiane dhe më gjerë. Me Dr. Ibrahim Rugovën çështja jonë u bë tashmë çështje ndërkombëtare e ndërgjegjes së mbarë njerëzimit.

Presidenti Ibrahim Rugova stërgjinë tonë e arsyetonte kështu: “Strategjia paqësore dhe jodhunore është një zgjidhje dhe një nevojë. Në shekujt e kaluar pati shumë lufta në Ballkan dhe ne shqiptarët jemi paditur si ata që e kishim “destabilizuar” paqen. Kështu e kemi zgjedhur strategjinë jodhunore për ta mposhtur këtë tezë…Tani kemi dëshmuar para botës se jemi një popull që ka zgjedhur paqen me mjete paqësore dhe jodhunore. Jodhuna është një mënyrë, sepse që tre  vite kemi mbetur pa polici, pa parlament, pa qeveri, sepse serbët i kanë dëbuar shqiptarët nga këto institucione. Megjithatë strategjia jodhunore dhe paqësore është  më tepër një përcaktim se një nevojë, në mënyrë që bota ta hetojë se jemi të nëpërkëmbur dhe të vetmuar nga të gjithë…” (Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex-Jugosllavia, EMI Bologna, 1993, fq. 29-30).

Diplomacia dhe rezistenca paqësore jodhunore e dr. Ibrahim Rugovës

Kjo diplomaci dha fryte ndoshta edhe të papritura dhe të paparashikueshme. Mirëpo si duket ne e kemi një “defekt” ndoshta edhe konstitutiv, të mirën e harrojmë shumë lehtë dhe shpejtë, e të keqen shumë ngadalë, mos të them kurrë. Kështu po ndodh edhe me figurën e Presidentit tonë të parë dhe historik Dr. Ibrahim Rugovën, ku ka pak studime, e ajo që është edhe më keq, aktualizime të porosive të tija.

Dr. Enver Bytyqi strategjinë e Dr. Ibrahim Rugovës e vlerëson kështu në mënyrë përmbledhëse: “Kështu rezistenca e shqiptarëve ishte koncentruar në mosnjohjen e pushtetit serb, në refuzimin e këtij pushteti dhe ligjeve të tij në politikë, në arsim, në kulturë, në shëndetësi, në çështje sociale, në sipërmarrjet ekonomike e në sistemin e taksave. Bojkoti i shqiptarëve kishte sjellë me vete jo vetëm një risi të re në luftërat ballkanike për liri, pamvarësi e demokraci, por i kishte ndërgjegjësuar shqiptarët në Kosovë e në ish-Jugosllavi se kjo kishte qenë forma më e suksesshme e rezistencës…” /Enver Bityqi, vep. e cit. fq. 103/.

Presidenti dr. Ibrahim Rugova gjithnjë i pati në mendje dhe në zemër dy figura tejet të dalluara: Papën Gjon Pali II dhe Nënën Tereze.  Këto dy figura markante kishin ndikim dhe frymëzim në jetën dhe në veprën e Ibrahim Rugovës,  sepse ai, por edhe populli shqiptar, nëpërmjet tyre arriti ta informonte dhe sensibilizonte botën, mbi të gjitha Amerikën dhe Bashkësinë Evropiane, për gjendjen tonë reale, si dhe për të kërkuar dhe gjetur bashkë me miqët tanë rrugën e lirisë dhe të demokracisë, atë të bashkëjetesës dhe të dialogut ndëretnik dhe ndërfetar, kuptohet, në dobi dhe të mirë të të gjithëve (Lexo: Enver Bytyqi, vep. e cit. fq. 112-119).

Takimet e mia dhe bashkëpunimi shumëvjeçar me Dr. Ibrahim Rugovën

E kam takuar për herë të parë personalisht në vitin 1981, në Brezovicë, në Takimin e  Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku ndër të tjera i kam dhuruar tri botime të mia të shtypura nëpërmjet shtëpisë botuese DRITA: “Krishti ndër ne”, katekizëm për rrëfim dhe kungim të parë; Pjesën e disertacionit tim “Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri” dhe monografinë time të parë kushtuar Nënës Tereze “Nëna jonë Tereze”.

Ishte shumë i kënaqur dhe i falënderueshëm për këto botime, sidomos për “Besëlidhja e Re”, botimi i “Dritës” dhe përkthimi i Dom Simon Filipaj.

Më tha ndër të tjera: “Kjo qenka një mrekulli e vogël për ditët tona… Nëpërmjet shtypit të mirëfilltë po ringjallet tradita dhe po përtërihet kultura jonë biblike dhe kristiane. Katër libra që shënojnë katër binare tona: Biblën, katekizmin apo edukimin e mirëfilltë tonë, disertacioni i Juaj i rrallë, ndoshta edhe unik për femrën shqiptare, dhe ajo që në veçanti me pëlqen, monografia kushtuar Nënës Tereze… Do t’i lexoj sa më parë dhe pastaj do t’i diskutojmë dhe shqyrtojmë së bashku, sepse janë me interes të veçantë… Ne doemos duhet të takohemi dhe të bashkëpunojmë… Prej ditës së sotme Ju jeni anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, sepse ne kemi nevojë për njerëz dhe literaturë të tillë… Nga zemra u falënderoj!”.

Nga kjo ditë dhe ky takim ne nuk u ndamë më, sepse mirëkuptimi, bashkëpunimi, përplotësimi ishte shumë i natyrshëm aq sa pata përshtypje se jemi rritur dhe edukuar së bashku. Hetova se kishte një kulturë dhe traditë shumë të dalluar, njihte fare mirë historinë e popullit dhe të Kishës katolike gjatë shekujve, sidomos atë gjatë sundimit shekullor turko-otoman. Ishte i hapur për çdo lloj bashkëpunimi dhe komunikimi. Për herë të parë nga goja, mendja dhe zemra e tij e madhe dëgjova fjalën dhe vlerësimin “Kisha jonë katolike ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për gjuhën, traditën, kulturën, qenien tonë kombëtare shqiptare… Mendoj se po vjen koha kur duhet prapë të takohemi dhe të bashkëpunojmë…”.

Ky vlerësimi ishte për mua risi dhe befasi e dorës së parë, sepse siç dihet, gjatë komunizmit dhe ateizmit të Jugosllavisë së Josip Broz Titos, bashkësitë fetare,  sidomos Kisha katolike, trajtoheshin si “armiq të Popullit dhe të Shtetit”.

Mbi këtë takim e informova në hollësi Imzot Nikë Prelën, i cili më dëgjoi më vëmendje, por edhe  me ndonjë dyshim dhe pyetje. Ndër të tjera ai më tha: “Kujdes, sepse ti je ende shumë i ri e nuk e njeh “politikën” e tyre… Unë i kam njohur mirë nëpër burgje dhe gjyqe, në lëkurën dhe shpinën time… Ndoshta po vjen ndonjë kohe e re”. Dhe i hapi krihet drejt qiellit dhe tha: “Dhashtë Zoti! Ne duhet të punojmë shumë, të lutemi dhe të shpresojmë. Shumë gjatë dhe padrejtësisht kemi vuajtur, e kush e di…”.

Së shpejti qe organizuar një takim i Imzot Nikë Prelës dhe Dr. Ibrahim Rugovës. Që nga ky takim me pak fjalë, por me shumë ndjenja, intuitë, do të thoja edhe “shpirt profetik” këta dy Njerëz u kuptuan, fituan besimin dhe dashurinë për njëri-tjetrin, populli do të thoshte “u gjetën”.

Në skenë ishte Kisha katolike Shkup-Prizren, e cila pa dashje u bë në një mënyrë “zëri i Zotit dhe i Popullit”, bartëse dhe përfaqësuese e shumë proceseve që ishin me shekuj të ngulfatura, të ndaluara, siç është liria qytetare dhe fetare, kultura alternative, jo më ajo komunisto-ateiste, e drejta e popullit Shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Pas vdekjes së Josip Broz Tito-s hetohej se hegjemonia komuniste dhe fryma “kolonialiste” ndaj Kosovës dhe Shqiptarëve nuk funksiononte më. Prej Vitit 1981, demonstratave studentore, punëtore dhe gjithëpopullore, populli ynë gjithnjë e më shumë vetëdijesohej se ndoshta erdhi çasti historik që edhe ne të jemi vetvetja, të lirohemi nga premtimet mashtruese të komunizmit.

 Në këto procese prijës dhe vizionar ishte Imzot Nikë Prela, i cili me shumë guxim, përkushtim e filloi “luftën” informative, me shkrime, letra solidariteti, proteste kundër dhunës, burgimeve, montimeve të proceseve gjyqësore, “spastrimeve” që i shkaktonte Jugosllavia ndaj nesh, më mirë të themi Serbia nëpërmjet Jugosllavisë. Gjatë kësaj periudhe dhjetëvjeçare Imzot Nikë Prela kishte takuar shpesh, gati rregullisht “Disidentin e fshehur” të sistemit, intelektualin e heshtur, por shumë të guximshëm dhe vizionar, Dr. Ibrahim Rugovën, atëherë pak të njohur nga opinioni i gjerë tek ne.

Ky bashkëpunim qe përforcuar nëpërmjet prof. Anton Çettës, i cili e bindi edhe më shumë Imzot Nikë Prelën, ne, se Dr. Ibrahim Rugova është njeri i mirë dhe i besueshëm, me të cilin mund të bisedohet dhe bashkëpunohet lirisht dhe vëllazërisht. Urëlidhësi mes nesh dhe Dr. Ibrahim Rugovës, pa dyshim, ishte prof. Anton Çetta, i cili për së afërmi, do të thoja në shpirt e njihte, nderonte dhe donte Dr. Ibrahim Rugovën.

Dr. Ibrahim RUGOVA – Katedralja “Nëna Tereze” në Prishtinë

Gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Katedrales katolike në Prishtinë, më 26 gusht 2005, Presidenti Rugova tha: “Sot është një ditë e madhe për Kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”. (Prishtinë, 26 gusht 2005)

Mu për këtë unë do ta formuloja kështu vlerësimin tim ndaj tij: Dikush shkruan histori, dikush mbetet në histori, dikush është histori. Dr. Ibrahim Rugova shkruajti histori, si dhe mbeti në histori, dhe çka është edhe më e rëndësishme, Ai është  për ne  jo vetëm histori, por edhe e tashmja dhe ardhmëri. /KultPlus.com