Shtyhen Lojërat Olimpike “Tokio 2020” për një vit

Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe, ka kërkuar që Lojërat Olimpike “Tokio 2020” të shtyhen për një vit për shkak të pandemisë koronavirus.

Abe tha që ai ka rënë dakord me kërkesën e Presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) Thomas Bach për shtyrje, pas bisedës që zhvilloi me të të martën.

Sipas burimeve të BBC-se Bordi Ekzekutiv i IOC pritet ta aprovojë shtyrjen e olimpiadës këtë pasdite.

Lojërat Olimpike pritet të mbahen verën e ardhshme.

MPB liron gazetarët nga kufizimi i lëvizjes

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka folur rreth kufizimit të lëvizjes sa i përket lirisë së lëvizjes për gazetarët.

“Lëvizja e të gjithë gazetarëve dhe punonjësve mediatikë, të cilët në mënyrë specifike janë të angazhuar me punë në terren në pasqyrimin e situatës lidhur me virusin Covid-19, deri në një komunikim të ardhshëm, ata do të kenë mundësi të kryejnë punën dhe të sigurojnë lëvizjen e tyre me anë të paraqitjes së një mjeti identifikimi (ID karta) të lëshuar nga mediumi përkatës” thuhet në komunikatë, njofton Klan Kosova

Nga MPB thonë se për çdo komunikim dhe lajmërim pasues, do të na informojnë me kohë. / KultPlus.com

Prifti italian sakrifikohet për t’i shpëtuar jetën një të riu me koronavirus

Gjesti që ka bërë një prift për të shpëtuar jetën e një të riu është mjaft emocionuese. Ai ka sakrifikuar jetën e tij për një pacient më të ri në moshë, të prekur nga koronavirusi.

Prifti 72-vjeçar Don Giuseppe Berardelli i dha të riut të cilin nuk e njihte respiratorin që ishte porositur për të.

72-vjeçari ishte prift në dioqezën e Bergamos. Sipas medias italiane, nga 30 priftërinjtë që kane humbur jetën, 16 janë nga kjo dioqezë. Ai ka refuzuar të marrë respiratorin, duke u shprehur se ka më të rinj se ai që kanë nevojë në këto momente.

Çfarë ka bërë don Giuseppe, ka frymëzuar mbarë Italinë.

Ate Giuseppe ishte mjaft i njohur në Bergamo, për ndihmën që u jepte të varfërve, dhe po ashtu, ai binte në sy, pasi ngiste gjithnjë një motor, e kishte pasion.

 “Don Giuseppe u nda nga jeta si një prift. Më ka prekur shumë fakti që ai hoqi dorë nga jeta e tij për t’ja dhënë dikujt tjetër”, u shpreh një punonjës shëndetësor në Itali. /KultPlus.com

Shqiptarja e Teatrit Historik të Romës këndon “Himnin e Flamurit” (VIDEO)

Mexosopranoja e njohur lirike, pjesë e Teatrit Historik të Romës, Irida Dragoti, përmes një video rrëfen nga Italia situatën atje.

“Situata në Itali është shumë e rëndë, çdo ditë ka lajme të trishta, por ne po mundohemi të kemi shpresë. Gjatë kësaj kohe në shtëpi po mundohemi të jemi me familje, të bëjmë sport, muzikë e të jemi afër njëri-tjetrit. Këtë izolim duhet ta shohim pozitiv.”

Këngëtarja bën apel për më shumë kujdes ndaj COVID-19.

Krejt në fund të mesazhit ajo e këndon edhe refrenin e Himnit të Flamurit. / KultPlus.com

Cricket dhe Dafina Zeqiri publikojnë këngën “Njëherë në jetë” (VIDEO)

Producenti i njohur Cricket dhe këngëtarja Dafina Zeqiri sapo kanë lansuar projektin e tyre më të ri, shkruan KultPlus.

 “Një herë në jetë” mban titullin kënga, e cila është punuar në studion e “Friends Entertainment”.

Ky projekt ka kohë që është paralajmëruar dhe padyshim që fansat kanë qenë në pritje, e cila sot mori fund.

Kënga është shoqëruar me një videoklip ku Dafina shfaqet mjaft bukur teksa vallëzon nën ritmet e muzikës. / KultPlus.com

“Jetojmë në një kohë ku çdokush shikon nëse je i shëmtuar apo i bukur, askush nuk interesohet nëse je i dëshpëruar apo i lumtur”

Thënie filozofike

Ka vetëm dy kohë në jetë: TANI dhe SHUMË VONË”.
– Dashuro për të jetuar, jeto për të dashuruar.
– Koha vendos se kë do të takojmë në jetën tonë, zemra vendos se kë duam në jetën tonë dhe sjellja jonë vendos se kush do të qëndrojë në jetën tonë.
– Ka katër, dhe vetëm katër mënyra në të cilat vijmë në kontakt me botën. Na vlerësojnë dhe klasifikojnë sipas asaj që bëjmë, cila është pamja jonë e jashtme, çfarë themi dhe si e themi.
– Kur të kesh numëruar ata që ndodhen përpara teje, mendo për numrin e atyre që vijnë pas teje.

– Ëndërro si fëmijë, 
jeto si i çmendur,
dashuro si njeri…
E vogël bota,
dhe ne kalimtarë.
– E sotmja është një ditë shumë e veçantë, sepse kurrë nuk e kemi parë më parë. Kurrë nuk do ta jetojmë më. Është e vetmja ditë që kemi.
– Mos qaj për të kaluarën, nuk ekziston më. Mos u shqetësoni për të ardhmen, është ende larg. Le të jetojmë të tashmen dhe le ta bëjmë atë të bukur.

– Mund të mësoj çdo person se si të arrijë atë që do në jetë. Problemi është se nuk gjej asnjë që di se çfarë do.

– Nuk kam asnjë problem me ata që nuk dinë se çfarë kërkojnë. Mjafton të mos kërkojnë në jetën time.
– Nëse dikush të shikon si zgjidhje alternative, dhe jo si prioritet…ka ardhur koha që dhe ti ta shikojsh si…kujtim!!
– Një nga gjërat më të vështira dhe më të rëndësishme në jetën tonë, është gjetja e dikujt që ta duam dhe të na dojë.
– Kurrë mos e zhgënje dikë që të do në të vërtetë. Me kalimin e viteve do të kuptosh se kurrë nuk mund të gjesh të njëjtin person dy herë në jetë. /KultPlus.com

Sulmi 78 ditor kundër serbëve

Fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër bazave të forcave serbe në luftën e Kosovës, do të niste më 24 mars të 21 viteve më parë. Ndërhyrja e NATO-s, si atëherë edhe sot has në reagime kontradiktore.          

Ish – kancelari gjerman Gerhard Schröder pohon se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk ka pasur për bazë mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB, sepse Rusia ka qenë kundër ndërhyrjes. Por Schröder dhe kabineti i tij qeveritar vendosën që Gjermania për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore të bëhet pjesë e një ndërhyrjeje ushtarake jashtë vendit. Ndërhyrja në Kosovë e forcave perëndimore u quajt në atë kohë si “ndërhyrje humanitare” dhe kishte për qëllim shpëtimin e shqiptarëve nga represioni i forcave serbe.

Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish – Jugosllavi, ka konstatuar më vonë në vendimet për dënimin e ish-krerëve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë se forcat serbe kanë bërë përpjekje për spastrim etnik në Kosovë, përmes vrasjeve dhe dëbimeve masive të shqiptarëve.

Debati për ndërhyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë është riaktualizuar në Gjermani dhe qarqet perëndimore pas krahasimeve të presidentit të Rusisë Vlladimir Putin mes Krimesë dhe Kosovës. Shumica e analistëve gjermanë janë të mendimit se këto ndërhyrje nuk mund të krahasohen dhe se mes tyre s’ka asnjë ngjashmëri veç faktit, se për to s’ka pasur mandat nga Këshilli i Sigurimit. Në dallim nga Kosova dhe shqiptarët, në Ukrahinë nuk ka pasur dëbime dhe dhunë masive ndaj rusëve. Ukraina në dallim nga Jugosllavia e dikurshme nuk ndodhet në proces shpërbërjeje. Nga ana tjetër ndërhyrja në luftën e Kosovës nuk kishte synim aneksimin e saj nga një vend tjetër as nga SHBA-ja, as nga Gjermania apo ndonjë vend tjetër. Ndërsa ndërhyrja ruse në Krime ka për qëllim shkëputjen e këtij territori nga Ukraina si shtet sovran dhe bashkimin e tij me Rusinë.

Bilanci i sulmeve

Mediat kujtojnë edhe bilancin e sulmeve të NATO-s, të cilat kanë zgjatur 78 ditë. Bombardimet filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin. Pasi dështuan edhe përpjekjet e fundit të ndërmjetësuesit të atëhershëm amerikan Richard Holbrooke, bombardimet filluan më 24 mars 1999 në orën 20:00. Sulmet ndaj forcave serbe u ndërprenë më 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën presidenti i atëhershëm i Republikës Socialiste të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pranoi t’i tërheqë trupat nga Kosova.

Nga bombardimet janë vrarë, sipas vlerësimeve serbe, rreth 1.200 – 2.500 ushtarë dhe civilë serbë. Janë shkatërruar në masë infrastruktura dhe objektet e ekonomisë serbe. Por janë goditur edhe ura, godina të mediave dhe objekte të tjera civile, si dhe kolona të civilëve, që në atë kohë u cilësuan si “dëme kolaterale”.

Serbia ka vlerësuar se dëmet e sulmeve të NATO-s kanë qenë rreth 29,6 miliardë euro. Humbjet nga ana e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë shumë të mëdha. Varësisht prej vlerësimeve thuhet se kanë humbur jetën rreth 15 vetë. Me mijëra njerëz edhe më tej llogariten si të zhdukur. Ndërkohë që forcat serbe kishin dëbuar me dhunë nga Kosova më shumë se 860.000 kosovarë.

Më 12 qershor u futën në Kosovë trupat ndërkombëtare. Në fillim kishte rreth 37.200 ushtarë nga 36 vende – 30.000 nga vendet e NATO-s. Ndërkohë numri i ushtarëve të huaj në Kosovë është zvogëluar në rreth 5.000. /KultPlus.com

Botohet libri autobiografik i regjisorit Woody Allen

Një shtëpi e pavarur botuese e ka publikuar librin me kujtime të regjisorit, Woody Allen, pasi projekti i planifikuar të botohej nga “Hachette Book Group” ishte anuluar për shkak të kritikave të shumta që kjo shtëpi botuese i kishte marrë nga publiku, për shkak se regjisori i famshëm hollywoodian akuzohet për ngacmim seksual nga vajza e tij.

Libri me titull “Apropos of Nothing” është publikuar anembanë botës, kështu ka bërë të ditur shtëpia e botimeve “Arcade Publishing” në një komunikatë për media.

Autobiografia e shumëpërfolur, përshkruhet si ditarë personal, i sinqertë dhe gjithëpërfshirës i Allenit, ku ai flet për jetën, karrierën dhe raportet me familjarët dhe miqtë e tij, transmeton Koha.

Shtëpia botuese “Hachette Book Group” në të kaluarën kishin bërë të ditur se do ta publikojnë librin e Allenit, në muajin prill të këtij viti. Por, pas këtij lajmi një numër i madh i punëtorëve të shtëpisë botuese me bazë në New York, ishin larguar nga vendi i punës në shenjë proteste lidhur me vendimin e kompanisë për publikimin e projektit të regjisorit.

Allen vazhdimisht i ka mohuar akuzat për ngacmimin seksual të vajzës së tij të adoptuar, Dylan Farrow, ngjarje kjo e cila besohet të ketë ndodhur në vitin 1992.

Jeanette Seaver, bashkë-themeluese e “Arcade Publishing”, tha në një deklaratë për media se vendimi i tyre për ta publikuar librin e regjisorit, ishte çështje e lirisë së fjalës.

“Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme ta dëgjojmë më shumë se një anë të historisë, dhe më e rëndësishmja të mos e mohojmë të drejtën e një shkrimtari për t’u dëgjuar nga publiku,” ka shtuar Seaver.

84-vjeçari Allen, është një prej dhjetëra regjisorëve, aktorëve e producentëve të Hollywoodit të cilët janë akuzuar për ngacmim seksual, që nga krijimi i lëvizjes #MeToo në fund të vitit 2017.

Lansimi i filmit të vitit 2018 të regjisorit kontrovers, “A Rainy Day in New York”, është refuzuar nga studioja “Amazon”, ndërsa filmi i tij i fundit, “Rifkin’s Festival” është xhiruar në Spanjë dhe ende nuk është lansuar nëpër kinema.

Allen ndër vite i ka mohuar akuzat e ngritura nga vajza e tij, të cilat i kishte mbështetur edhe nëna e saj aktorja Mia Farrow, e cila kishte luajtur në disa filma të Allenit dhe ishte në lidhje me regjisorit për një kohë të gjatë, para se ai ta braktiste për vajzën e saj të adoptuar, Soon Yi Previn. Deri më tani, regjisori nuk është paditur ndaj akuzave për abuzim.

Woody Allen është fitues i katër shpërblimeve Oscar, përfshirë këtu kategorinë “Regjisori më i mirë” për filmin e vitit 1977, “Annie Hall,” i cili po ashtu u shpall filmi më i mirë i atij viti. /KultPlus.com

Shkolla Finlandeze ofron ligjërata online me liderë botëror për krejt nxënësit e Kosovës

Shkolla Finlandeze në Kosovë po fillon serinë e parë të Ligjëratave online me Liderë Botëror për të gjithë nxënësit e Kosovës. Gjatë këtyre ligjëratave, ne do të ftojmë liderë biznesesh, ekspertë të teknologjisë, trajnerë të mirënjohur, dhe mësimdhënës profesional nga tërë bota për të ligjëruar rreth aftësive esenciale për nxënësit dhe në të njëjtën kohë duke ju ndihmuar juve që të jeni një hap më afër transformimit tuaj në liderë të klasit botëror.

“Lidershipi në kohën e krizës: si të zhvillojmë mentalitet pozitiv në rininë tonë?” do të jetë ligjërata jonë e parë online me Oliver Hartley, Menaxher i Zhvillimit dhe Mësimit në Grupe për Rethink Group, një kompani e menaxhmentit të talentit me zyre në Mbretëri të Bashkuar, Dubai, Australi, dhe SHBA. Oliver ka shpenzuar 10 vitet e fundit të karrierës së tij duke vështruar, analizuar, intervistuar, dhe trajnuar liderë të klasit botëror në të gjitha fushat (biznes, akademi, dhe sport) dhe ai ka zbuluar vetitë e përbashkëta në mentalitetin e tyre që i ka transformuar jo vetëm në performues të lartë por edhe liderë të mëdhenj.

Na u bashkoni më 26 mars 2020 (e enjte) në ora 16:00 në lansimin e kësaj eksperience të mrekullueshme me ju dhe ecni një hap më shumë drejt lidershipit nga shtëpia juaj. Regjistrohuni më këtu për të ndjekur këtë ligjëratë online: https://bit.ly/3dqR01Y

Me sistemin numër 1 në botë për edukim; me mësuesit më të mirë në botë, ata finlandez; me teknologjinë më të avancuar dhe iPad edukativ për secilin nxënës; me mësimin e bazuar në fenomene e lojra dhe me qasjen krejt ndryshe të të mësuarit dhe zhvillimit të shkathtësive të shekullit 21 tek fëmijët tanë, Shkolla Finlandeze në Kosovë po shihet si një revolucion në sistemin arsimor të Kosovës. Shkolla posedon kampusin inovativ tek rrethi i QMI-së, ndërsa për më shumë informata mund të kontaktoni në 045 235 650, www.kosovo.finnish.school apo në Facebook: www.facebook.com/ShkollaFinlandeze.

(Shkrim i sponsorizuar)

Koronavirusi i merr jetën yllit të muzikës jazz

Ylli i muzikës jazz, Manu Dibango ka ndërruar jetën ditën e sotme në Francë për shkak të koronavirusit.

Lajmin e ka konfirmuar producenti i tij për AFP.

86-vjecari nga Kameruni, ishte i njohur sidomos për hitin e vitit 1972 ‘Soul Makossa’.

‘Ai vdiq herët në mëngjes në një spital në rajonin e Parisit’, njoftoi Thierry Durepaire.

Dibango lindi në 1933 në Douala, Kamerun. Ai ndoqi shkollën e mesme në Francë dhe filloi të mësojë instrumente: së pari pianon, pastaj saksofonin – për të cilin u bë më i njohur.

Ai u transferua në Bruksel dhe vizitoi Evropën me Afrikën Jazz nën grupin e bandës Joseph Kabasele, dhe kaloi kohë në Kongo dhe Kamerun para se të kthehej në Paris në 1965.

Karriera e Manu Dibango filloi në vitet ’50 dhe u bë një muzikant i njohur në të gjithë botën.

Ai kishte energji dhe dashuri për muzikën, prandaj bëri një turne me Symphonic Safari në vitin 2019 duke miksuar xhazin dhe muzikën klasike.

Ai përziu stilet kozmopolite nga Afrika dhe Evropa në shkrirjen e tij, duke rezultuar në hitin e tij më të madh, Soul Makossa, me një linjë të flaktë saksofoni mbi një rrahje dhe vokalet e folura të Dibango, të shkruara fillimisht për turneun e futbollit të Kupës së Kombeve Afrikane të 1972.

Deri tani, në Francë ka 19,856 të infektuar dhe 650 viktima nga virusi Covid-19. / KultPlus.com

Mesazhi i aktorit të famshëm: Qëndroni në shtëpi, Robert de Niro po ju vëzhgon (VIDEO)

Aktori 76-vjeçar, Robert De Niro ka bërë një video mesazh ku u kërkon njerëzve të qëndrojnë në shtëpi, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Ne të gjithë duhet të qëndrojmë në shtëpi. Ne duhet të ndalojmë përhapjen e këtij virusi dhe mund ta bëjmë atë vetëm së bashku, jo vetëm për të mbrojtur veten, por për të mbrojtur të tjerët dhe të gjithë të moshuarit që duam. Ju lutem”, thotë De Niro, në video.

Aktori përfundon videon e shkurtër me një frazë të luajtur nga Jack Burns, i cili luajti në filmin 2000 “Takohuni me prindërit”: Po ju shikoj.

Guvernatori i New York, Andreë Cuomo ndau videon në Tëitter me ndjekësit e tij, duke shkruar: “Robert De Niro po ju shikon”.

De Niro është një nga shumë të famshëm që përdorin platformat e mediave sociale për të inkurajuar njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa vazhdon pandemia e koronavirusit. Një video e ngjashme u postua edhe nga bashkë-ylli i De Niro në filmin: “Takoni prindërit”, Ben Stiller, duke u kërkuar njerëzve të qëndrojnë në shtëpi.

Një tjetër yll që iu bashkua fushatës “Ne jemi në shtëpi” është Kevin Bacon. Aktori nisi sfidën #IstayHomeFor, duke inkurajuar njerëzit që t’ia kushtojnë miqve dhe familjes së tyre për të cilët janë izoluar. /KultPlus.com

Emocionet e 21 viteve më parë, bombardimet e NATO-s përmes fotografive

Data 24 mars shënon sot 21-të vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Bombardimet zgjatën nga 24 marsi 1999 deri më 10 qershor 1999.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë bombardimeve u vranë rreth 528 civilë, u shkatërruan ndërtesa private, biznese private, ura, baraka dhe lokacione ushtarake. Ky ishte misioni i dytë i rëndësishëm i NATO-s, pas bombardimeve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995.

Sipas Human Rights Watch, 60 për qind e rreth 528 të vrarëve ishin nga Kosova, derisa Serbia doli me numra se bëhej fjalë deri në 5700 të vrarë. Tre gazetarë kinezë u vranë në bombardimin e Ambasadës Kineze në Beograd.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Fillimi i bombardimeve të NATO-s në Kosovë ishte lajmi më i mirë që qytetarët e këtij vendi morën në atë kohë kur shpresa për liri po ju shuhej. Përmes këtyre fotografive shihet gëzimi i tyre dhe shpresa e rikthyer. / KultPlus.com


Më 24 mars të vitit 1923, lindi Gjon Shllaku, përkthyes i shquar i klasikëve helenë, latinë, francezë

Gjon Shllaku (Shkodër, 24 mars 1923 – 16 gusht 2003) ka qenë seminarist dhe më tej u shqua si përkthyes i klasikëve helenë, latinë, francezë.

Jeta

Leu djali i dytë i Prelë Shllakut dhe Pinës së Hilë Temalit, mes Lecit dhe Luigjit. Gjyshi i tij kishte rënë nga fundi i shek. XIX prej Logut të Gegajve të Shllakut në Shkodër, i ati kishte qenë blegtor në toka të marruna me qira. I ati i vdes qysh kur Gjoni ishte 1 vjeç, si rrjedhim duke mos e njohur të atin. Rritet jetim tek daja Ndoc Hilë Temali.

Tri klasët e para të fillores i kreu në kolegjën françeskane, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë në shkollën shtetërore tek “Dugajtë e reja”. Nga 24 shtatori 1935 deri 9 dhjetor 1945 studioi në Seminarin Papnuer të Jezuitve duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë[1]?, studjoi për pesë vjet greqishten e lashtë, dhe për tetë vjet latinishten. Filozofia dhe teologjia jepeshin në latinishte, si gjuha e klerit që ishte. Nuk jepej gjuhë tjetër ndërkohë. Si student lexoi klasikët e antikitetit helen Sofokliun, Eskilin dhe Euripidin[2]. Filloi të shkruante me pseudonimin Lyricus.

Më 9 dhjetor 1946 ra në burg, ishte në 23 vjeç. U dënua me burgim të përjetshëm (101 vjet) fillimisht si antar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, si përfundim bëri 12 vjet në burgun e Burrelit dhe në batat e Myzeqesë. Në burg u njoh me Peshkop Visarion Xhuvani, me të cilin thelloi njohuritë në greqishten e vjetër[1] , prej të cilës përktheu pjesë nga Bibla – Apostujt dhe Shenjtorët. Pati hasur edhe në një antologji të veprës së Homerit, të cilën e përktheu. Në burg nxuri greqishten e re, spanjishten dhe anglishten[2]. Pas daljes nga burgu më 1957[3] ka punuar te ndërmarrja Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim[4]. Pas rënjes së regjimit gëzoi njohjen e duhur të mundit, dhe vdes pak muaj mbasi mbushi të tetëdhjetat.
Përkthime dhe leksikografi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një ndër mjeshtrat e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16 vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit.[1] 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit[5]. Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”[6]. Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Çmonte Nolin, Dakajn, Alkajn, Lacajn, Çomorën[7].

Veprat

Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuara. Pas 47 vitesh i vëllai, regjizori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën 20 dt. 20 nëntor 1999[8].

Mirënjohje

Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti Sali Berisha. Në prill të 2003 i akordohet nga Pres.residenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh”[9] dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”[1]. Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i “Penës së Artë” të dhënë nga MTKRS për përkthimin e “Gjeorgjikave” të Virgjilit më 2001. Fitues i ”Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë[10].

Çështje diskutimi

Në një intervistë Gj. Shllaku përcjell se qe 16 vjeç kur hyri në Seminar[2], ka gjasë që data e lindjes në këtë artikull të bashkëndajë të njëjtin tipar josaktësie me raste të tjera në ato kohëra si p.sh. rasti i datëlindjes së Zef Pllumit. /KultPlus.com

21 vjet nga vrasja e avokatit Bajram Kelmendi me dy të bijtë

Sot bëhen 21 vjet që nga vrasje e avokatit të shquar shqiptar Bajram Kelmendi, si dhe dy bijve të tij, Kastriotit dhe Kushtrimit.

Avokati Kelmendi, së bashku me dy djemtë e tij ishin marrë nga forcat serbe më 24 mars, ditën që NATO-ja kishte nisur bombardimet në Kosovë ndaj caqeve serbe.

Lajmin për vendndodhjen e kufomave të tyre, Nekibe Kelmendi, tashmë e ndjerë, e kishte marrë më 26 mars.

Kufomat ishin gjendur afër një distributori gazi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë. Kelmendi, si avokat, kishte proceduar një dosje për krimet e regjimit të Millosheviqit në Kosovë, të cilën do ta dorëzonte në Hagë.

Kelmendi ishte edhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut. /KultPlus.com

Përvoja e studenteve kosovare që po studiojnë në Finlandë, me sistemin më të mirë të edukimit në botë

Medina dhe Aroma Berisha, studente në Kolegjin Universum aktualisht po i vazhdojnë studimet në “Kajaani University of Applied Sciences” si pjesë e bursave për shkëmbim semestral që i ofron Kolegji Universum për shkëmbim në njërin nga 26 shtetet e BE-së, e që në mesin e tyre Aroma dhe Medina zgjodhen Finlanden vendin e vlerësuar me sistemin më të mirë të edukimit në botë.

Përveç cilësisë së treguar në arsim, studimet e fundit kanë treguar që Finlanda është poashtu vendi më i lumtur në botë, ka cilësinë më të mirë të ajrit dhe nivelin më të ulët të korrupsionit.

Përvoja e studenteve kosovare që po studiojnë në Finlandë, me sistemin më të mirë të edukimit në botë. Për përvojen e tyre në Finlandë Aroma dhe Medina thonë “Ne po realizojmë ëndrrat tona, tani do të marrim diplomë të dyfishtë nga Kajaani University of Applied Sciences dhe Kolegji Universum. Finlanda njihet si vendi me sistemin e edukimit më të mirë në botë dhe ne po studiojmë këtu falë Kolegjit Universum”.
E sa i përket udhëtimeve Aroma dhe Medina thonë: “Shkëmbimi semestral për ne, është një mundësi unike për të parë boten. Finlanda është vend shumë i bukur, e të magjishme edhe më shumë po e bëjnë Northern Lights apo Dritat Veriore të cilat janë të dukshme afërsisht 200 netë në vit”.
Si Aroma dhe Medina kanë përfituar bursa për shkëmbime semestrale edhe 135 studentë të tjerë të Kolegjit Universum.

Vetëm për këtë vit Kolegji Universum ka në dispozicion 395 bursa për studentë bachelor dhe master. Eksploro edje ti Evropën gjatë studimeve https://bit.ly/2HuMame
Për më shumë informata kontakto [email protected] apo +383 44 144 062;

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)

AROMA 1.jpeg

Haki Misini, zëri i muzikës rok që u vra pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja për bombardimet e NATO-s

Haki Misini mbetet një nga zërat më të mirë të muzikës rok në vitet e 70’ta në Kosovë. Të gjithë e besuan që zëri i tij do të vazhdojë të dëgjohej edhe për shumë vite, për atë e ndalën forcat serbe ku tash e 21 vite më parë edhe e vranë, shkruan KultPlus.

Haki Misini u vra vetëm pak orë para se të nënshkruhej marrëveshja për bombardimet e NATOS-s dhe kjo ishte dhimbja më e madhe.
Misini atë kohë vepronte në grupin MAK, ku gjithashtu një tjetër anëtar i grupit, Mehmet Tupella u vra gjatë luftës duke bërë kështu që zëri i këtij grupi tashmë të dëgjohet vetëm përmes këngëve të tyre që kanë mbetur pjesë e historisë së muzikës kosovare.

Thuhet që gjëja e fundit që Haki Misini mori nga shtëpia e tij prej nga ku e nxorën forcat serbe, janë cigaret me të cilat do të largohet për të mos u kthyer më i gjallë pranë familjes.
Trupi i tij e i disa personave të tjerë u gjetën në vitin 2005 në Suhodoll të Mitrovicës, dhe pas kësaj eshtrat e tij prehen në varrezat e tokës së Kosovës.

“Moj e mira te pojata”, “Tri gota”, “Në syrin tënd pash një lot” , “Idila verore”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, janë këngët që edhe sot vazhdojnë të dëgjohen e interpretohen nga artistë të ndryshëm.

Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend. /KultPlus.com

Dario Fo: Intelektualët nuk kanë dinjitet, ndaj nuk indinjohen

“Ne kemi sot një klasë intelektuale që në pjesën më të madhe i ka humbur kordat e zërit. Heshtin shumë: nuk kanë dinjitet ndaj nuk indinjohen. Kjo është e tmerrshme dhe e pabesueshme: mungesa e revoltës.

Shumë mendojnë: ç’më duhet mua të ekspozohem? Ndoshta, një ditë do të kem nevojë për diçka, për një nder apo ndihmë nga ai që po kritikoj sot.

Çdo gjë luhet përmes shantazhit, për të siguruar ndonjë avantazh. Kushdo që punon në fushës e informimit dhe të opinionit ka kuptuar një gjë: duhet të mbetesh në lojë. Nëse fillon të kritikosh, nëse kundërshton, nëse ofron qoftë edhe refleksione të pa mirëpritura, të fshijnë menjëherë. Tashmë është bërë zakon bërja e listave me emrat e të gjithë atyre që ‘sillen keq’. Kush nuk futet në rrjesht, dëbohet. Dëbohet nga gjithçka.

Pasojat e mendimit të nënshtruar, konformist dhe oportunist janë të tmerrshme: ai zhduk antikorpet. Ky lloj mendimi krijon, praktikisht, një shoqëri të paaftësh dhe sahan lëpirësish.

Mjafton të shikosh parlamentarët që i justifikojnë “dredhjet” e tyre me shprehjen e vjetër “kam familje”, një bejte që recitohej kudo në kohën e fashizmit.

Shoh një rrethim të lirisë së shprehjes – individët që kanë kurajo margjinalizohen. Pushteti gjithmonë kërkon t’i shuajë zërat kundërshtues, por në një sistem të shëndetshëm, pushtetin e kufizojnë ata që e kundërshtojnë. /KultPlus.com

Ambasadorja finlandeze me porosi të qartë liderëve kosovarë: Luftojeni koronavirusin, jo njëri-tjetrin

Të gjitha vendet e botës janë duke luftuar kundër pandemisë së coronavirusit, e cila deri më tash u ka marrë jetën mijëra personave.

Me të njëjtën gjë është duke u përballur Kosova, ku po kërkohet unitet nga akterët politik në këtë periudhë, duke pasur parasysh se tashmë koalicioni qeverisës është përçarë madje pritet edhe rrëzimi i qeverisë përmes mocionit që ka iniciuar LDK.

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall ka kërkuar unitet nga politikanët për të luftuar coronavirusin e jo njëri-tjetrin.

“Nuk ka më luftë kundër njëri-tjetrit por kundër virusit COVID-19. Ne kemi nevojë për një botë të bashkuar , Finlandë të bashkuar dhe Kosovë të bashkuar. Faleminderit Kombeve të Bashkuara për një thirrje kaq të mirë”, ka shkruar ambasadorja finlandeze në Twitter. / KultPlus.com

Fëmijët luajnë luftërash

Poezi nga Bertolt Brecht
Përktheu: Edon Qesari

Fëmijët luajnë luftërash.
S’ndodh të luajnë paqesh
se të rriturit
luftojnë ngaherë,
ti bën “pau” e qesh;
ushtari i shtie
një tjetër njeriu
dhe ky nuk qesh më.
Kështu e ka lufta.
Një tjetër lojë
duhet shpikur:
t’i japim botës gaz
të mos qajë më.
Paqe do të thotë
që jo çdokujt t’i pëlqejë
e njëjta lojë,
që lodrat e tua
i pëlqejnë edhe
fëmijëve të tjerë
që s’para kanë të tilla,
se ti ke shumë të tilla,
që vizatimet e fëmijëve të tjerë
nuk janë shkarravina;
që mami që ke ti
nuk është vetëm jotja;
që gjithë fëmijët
i ke shokë.
Dhe paqe do të thotë
mos kesh uri
mos kesh ftohtë
mos kesh frikë.

Bertolt Brecht, Berlin, 1927

Lufta për pushtet në kohën e murtajës

Nga Jusuf Buxhovi

Lam Mula , ishte gjithë pezm e vnerë. Tha se në kohën kur po kryejnë gërrithjën, në disa mëhallë, kanë filluar fesate gjoja për me u mbrojtë nga sëmundja, por që kanë për qëllim vendosjen e mbikëqyrjes mbi to dhe krijimin e hallakamës së përgjithshme ku qeni nuk njeh të zotin…
“O zot, ofshana, pushtet mëhallësh në kohë murtaje!.. Kjo mund të jetë më e rrezikshme se mikrobi i muratjes!…”
Në ato fjalë, erdhi Sheh Alia. Dukej i qetë edhe kur tregoi se i dinte ato që po ndodhnin. Por, tha se kishte folë me Sheh Himën e teqesë së rufainjve dhe Sheh Danin e teqesë së vahabive, që t’i pengojnë çallmat e myhibëve të tyre nëpër mëhallë.
“U thashë se nuk është koha për karshilleqe mesveti, sepse këtë e do ai që po na kërcënon me murtajë, por është kohë për luftimin e saj ashtu si po veprojmë bashkërisht. Sheh Dani sikur pranoi se ditëve të fundit kishte hetuar disa të panjohur në teqenë e tij që flisnin për njëfarë kryeneçësie, por nuk i kishte shkuar mendja se kjo mund të ishte një kurth për fesate, që mundtë çojë redhete gjakderdhjet..”
Në fund, Sheh Alia, tha se ishte koha që i madh e i vogël t’i bëjmë ballë përçarjes, dhe se për këtë, nuk do të kursehet asgjë…

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”) / KultPlus.com

17 vjet nga vdekja e aktorit të shquar, Xhevat Qena

Xhevat Qena ka luajtur qindra role ne teatër. Rolin e pare kryesor e ka luajtur ndërmjet viteve 1956-1957. Sensi i tij për komiken si dhe profili i tij i veçantë kanë bërë që ai te jetë një prej aktorëve me te kërkuar ne komedi, megjithëqë, sic pohon ai ne një intervistë te tij, me tepër e ka dashur dramën: “Une e kam dashur dramën se e kam ne vete njëfarë dramaciteti, e kam njëfarë fuqie për drame… P.sh., roli që me ka lënë mbresa shumë ka qenë një rol episodik i një avokati, i një te çmenduri, ne dramën “Oda e errët”. Gati jam çmendur edhe vete, duke u thelluar ne atë rol”. Kolegët dhe njerëzit që njohin potencialin e tij, mendojnë se është mëkat që ai është shfrytëzuar shumë pak ne drama.

Xhevat Qena ka luajtur shumë, edhe role kryesore edhe role te dyta apo madje edhe te treta. Aktori Dibran Tahiri pohon se kur ne ndonjë shfaqje teatrore ka partner Xhevat Qenën, ndien siguri te madhe. Xhevat Qena mund te përshkruhet si aktor që ka një aftësi te jashtëzakonshme te mbajë te përqendruar vëmendjen e publikut. Është shumë sugjestiv, aktor që, siç shprehet ai vete, është përpjekur gjithmonë te jetë “përdhesë”, i “tokës”. Krijon improvizime, por gjithmonë ne kontekst te batutës se partnerit, ne kontekst te situates ne te cilën ndodhet personazhi që ai luan.. .”Edhe nëse Xhevati ka luajtur vetëm ne një skenë te vetme, nuk ka qenë e mundur te kalojë ‘pa u hetuar’ prej publikut. Xhevati është aktor që di t’i krijojë hapësirë vetes…”, shprehet aktorja Igballe Qena.

Qena la pas vete një pasuri të madhe kulturore, duke qenë i dalluar me stilin e tij të aktrimit dhe me rolin e tij të dallueshëm në paraqitjet e tija, ndërsa së bashku me gruan e tij Leze Qena, i hasim në shumë produksione televizive dhe filma.

Duke qenë si një nga personazhet kryesore dhe më të mëdha të kulturës shqiptare,  Xhevat Qena ka luajtur në teatër ndërmjet viteve 1956- 1957. Sensi i tij për komiken si dhe profili i tij i veçantë kanë bërë që ai te jetë një prej aktorëve me te kërkuar ne komedi, megjithëqë, sic kishte pohuar ai ne një intervistë te tij, me tepër e ka dashur dramën.

Një prej roleve me te suksesshme te Xhevat Qenës është padyshim ai ne shfaqjen “Përqafimi”, i autorit Ranko Marinkoviq, me regjisor Tomislav Durbeshiqin, ku kishte partner Dibran Tahirin. Shfaqje tjetër, ku potenciali i Xhevat Qenës si aktor del i plotë, është “Duart e ndyra”, te Sartrit, ne te cilën luan edhe bashkëshortja e tij Leze Qena, pastaj shfaqja “Ushtari i mire Shvejk”, ne regji te Abdurrahman Shalës, ku Xhevat Qena luan rolin e Shvejkut, një personazh tragjikomik. Mandej, ne shfaqjen “Vinetu” (vitet e 60-ta), ne te cilën luan rolin kryesor, atë te Vinetus, personazh i njohur i filmave uestem te asaj kohe. /KultPlus.com


“Përshëndetje, unë quhem Covid-19”, letra që po emocionon botën

E gjithë bota po lufton me një pandemi të tmerrshme, e cila po shkatërron atë ngadalë.

Koronavirusi është përhapur në pjesën më të madh të botës, duke shkaktuar viktima dhe izolim për miliona njerëz.

Media italiane, “SportFair” ka publikuar një shkrim, ku COVID-19 “i shkruan” gjithë botës e pse ka ardhur.

“Letra nga COVID-19”:

Përshëndetje,

Unë quhem Covid-19. Shumë prej jush me njohin si koronavirus. Më falni për informacionin e pakët, po nuk më thanë se kur do të vij dhe me çfarë forme e force do të prezantohesha tek ju. Përse jam këtu?

Le të themi se jam këtu sepse u lodha duke ju parë se si ecni pas dhe nuk evoluoni.

U lodha teksa shihja se si vazhdimisht shkatërroheshit nga duart tuaja.

U lodha nga mënyra se si e trajtoni planetin.

U lodha nga mënyra se si silleni me njëri – tjetrin.

U lodha me abuzimet, dhunën, luftërat, konfliktet dhe paragjykimet tuaja.

U lodha nga zilia e shoqërisë suaj, nga hipokrizia juaj, nga egoizmi juaj.

U lodha nga koha e pakët që i dedikon vetes dhe familjes.

U lodha nga vëmendja e pakët që i kushtoni fëmijëve tuaj.

U lodha nga rëndësia që i jepni gjërave të panevojshme në kurriz të gjërave thelbësore.

U lodha nga kërkimi juaj i furishëm për fustanin më të bukur, modelin më të fundit të celularit, makinën më të bukur, thjesht për tu dukur më i plotësuar.

U lodha nga tradhëtitë tuaja.

U lodha nga keqinformimi juaj.

U lodha nga koha e pakët që i dedikonin komunikimit.

U lodha nga ankesat tuaja të vazhdueshme ndërsa nuk bënit asgjë për të përmirësuar jetën tuaj.

E di se jam i ashpër me ju, ndoshta shumë, por jam i paanshëm, jam një virus.

Mesazhi që dua t’ju jap është i thjeshtë, dua të theksoj të gjitha kufizimet e shoqërisë ku jetoni, sepse mund t’i eleminoni ato, dhe dua të ndaloj çdo gjë që të kuptoni se e vetmja gjë me rëndësi ku duhet të përdorni gjithë energjinë tuaj që tani e tutje, është thjesht jeta, jeta.

Jeta juaj dhe e fëmijëve tuaj, ajo ka me të vërtetë nevojë për mbrojtje, për përkëdhelje dhe për ta jetuar së bashku.

Kam dashur që të qëndroni sa më shumë të jetë e mundur të mbyllur dhe të izoluar në shtëpitë tuaja, larg nga prindërit, nga gjyshërit, nga fëmijët dhe nga nipërit tuaj.

Që të kuptoni se sa i rëndësishëm është një përqafim, kontakti njerëzor, bashkëbisedimi, një shtrëngim duarsh, një mbrëmje mes miqsh, një shëtitje nga qendra, një darkë në lokal, ose një vrap në park, në ajër të pastër.

Rinisni gjithçka me këto gjeste. Jeni të gjithë njësoj, jeni të gjithë njësoj, jeni të gjithë njësoj, jeni të gjithë njësoj.

Mos bëni dallime midis jush. Unë jam kalimtar por ndjenja e afrimitetit dhe bashkëpunimit që kam krijuar mes jush, në shumë pak kohë, duhet të zgjasë përgjithmonë.

Jetojeni jetën në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Ecni ngadalë.

Merrni frymë thellë, bëni mirë, shijoni natyrën, bëni atë që ju pëlqen e ju kënaq, dhe krijoni kushte që të mos vareni nga askush.

Kur të festoni, unë do të jem larguar, por mos jini më të mirë vetëm në praninë time.

Lamtumirë! / KultPlus.com

Kenny Rogers, zëri që e solli muzikën country tek audienca e pop-it

Kenny Rogers, kantautori që ka luajtur rol të rëndësishëm në rritjen e audiencës së muzikës country në vitet ’70 dhe ’80, ka vdekur të premten në shtëpinë e tij në Sandy Springs të Georgias në ShBA. Ai ishte 81-vjecar.

Vdekja e tij është bërë e ditur nga publicisti i tij, Keith Hagan. Muzikanti i shquar, më 2018, ishte tërhequr nga skena për arsye shëndetësore. Duke kënduar me një zë të fuqishëm që ngjallte sinqeritet dhe ngrohtësi, ka shitur më shumë se 100 milionë incizime në karrierën e tij të shtirë në disa dekada. Ai ka pasur 21 hite në toplistë, përfshirë këngën “Lady” shkruar nga Lionel Richie dhe “Islands in the Stream” kompozuar nga “Bee Gees” dhe performuar nga Dolly Parton, që arriti në krye të toplistave.

Në kohën kur ndaloi së performuari, Rogers kishte më shumë se 50 këngë që ishin pjese e “Top 40” në kategorinë “country” dhe 20 që ishin po ashtu pjesë e “Top 40” në kategorinë “pop”. Popullariteti i tij kishte ardhur pjesërisht nga personaliteti i tij, pamja por gjithashtu edhe nga aftësia e tij për të përjetuar materialet e tij, të cilat, siç ka thënë ai, shpesh ishin të ndara në dy kategori: këngë për dashurinë, si “You Decorated My Life” dhe baladat narrative si “The Gambler” dhe “Lucille”.

“Të gjitha këngët të cilat i kam incizuar hyjnë në njërën nga dy kategoritë”, ka thënë ai në vitin 2012 në një intervistë me “NPR”.

“Njëra është një baladë e cila thotë fjalët që çdo burrë do të dëshironte që t’i thoshte e tjera i thotë fjalët që çdo grua do të dëshironte t’i dëgjonte. E të tjerat janë këngë që kanë histori me rëndësi sociale”. “’Reuben James’ ishte për një burrë me ngjyrë që ka rritur një fëmijë të bardhë”, ka vazhduar ai, duke iu referuar këngës së vitit 1969. “Coward of the Country” ishte për dhunimet.

“Ruby, Don’t Take Your Love to Town” ishte për një burrë që kthehej në shtëpi pas luftës. Rogers po ashtu incizoi me artistë “R&B” si James Ingram dhe Gladys Knight. Lidhja e tij më muzikën ishte shumë e natyrshme. Pasi që diplomoi në shkollë të mesme, ai luajti për trion e njohur të jazzit “Bobby Doyle Three”.

Në mesin e viteve ‘60 u bë pjesë e ansamblit “New Christy Minstrels”. Shumica e materialeve të Rogers ishin shkruar nga të tjerët. Dy përjashtime me nam ishin “Sweet Music Man” e shkruar vetëm nga Rogers dhe “Love or Something Like It”, të cilën e bashkëshkroi me pianistin Steve Glassmeyer. Ai kishte pasur edhe karrierë si aktor. Më e dukshme ishte paraqitja e tij në “The Gamler”, por u shfaq edhe në filmin e gjatë “Six Pack”. /KultPlus.com

Martti Ahtisaari është infektuar me koronavirus

Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari është diagnostikuar me infeksionin e coronavirusit.

Kjo është bërë e ditur nga Zyra e Presidentit të Republikës të martën.

Siç thuhet më tej, gjendja e Ahtisaarit, i cili është 82 vjeç është stabile.

Ahtisaari është një politikan finlandez, Presidenti i dhjetë i Finlandës (1994–2000), një laureat i Çmimit Nobel për Paqen dhe një diplomat dhe ndërmjetës i Kombeve të Bashkuara.

Ahtisaari ishte një i dërguar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i ngarkuar me organizimin e negociatave për procesin e statusit të Kosovës, e cila më vonë shpalli pavarësinë e saj.

Në tetor 2008, atij iu dha Çmimi Nobel “për përpjekjet e tij të rëndësishme, në disa kontinente dhe mbi më shumë se tre dekada, për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare”.

Deklarata Nobel thoshte se Ahtisaari ka luajtur një rol të spikatur në zgjidhjen e konflikteve serioze dhe të zgjatura, përfshirë ato në Namibia, Aceh (Indonezi), Kosovë dhe Irak.

Ndryshe, Zyra e Presidentit të Republikës të Finlandës kishte raportuar për prekjen nga coronavirusi edhe të bashkëshortes së tij, zonjës Eeva Ahtisaari, të shtunën.

Eeva Ahtisaari është 83 vjeçe. Ajo gjithashtu u tha se është në gjendje të mirë.

Ndërkohë bëhet e ditur se Finlanda ka konfirmuar 700 raste të coronavirusit dhe një vdekje nga virusi. / KultPlus.com