Tirana ndez ngjyrat e flamurit italian në nder të viktimave të koronavirusit

Pallati i Kulturës në Tiranë është ndriçuar me ngjyrat e flamurit italian, transmeton KultPlus

Kryebashkiaku Erion Veliaj publikon foton teksa shton edhe moton e këtij veprimi solidarizues.

“Tiranë, Shqipëri – Le të rezistojmë së bashku, le të luftojmë së bashku! Ne do të fitojmë së bashku!” – shkruan Veliaj.

Tirana, Albania 🇦🇱❤️🇮🇹#CoronaVirus – Resistiamo insieme. Lottiamo insieme. Vinceremo insieme! #Insieme Sempre! ❤️ pic.twitter.com/0nWh8FIswX

— Erion Veliaj 🚴‍♂️🌳⚽️🇦🇱 (@erionveliaj) March 16, 2020 / KultPlus.com

Sabri Hamiti shkruante për karantinën qysh në vitin 1994

Poezi nga Sabri Hamiti

Karantina

Ju flisni hani veten rënkoni
Të ligur nga uria e shpresa
Ju plasni vetë vdekjen shumoni
Në plasa të zemrës ndalesa

Rrethuar me male ku plumbi
Lulëzon me kurtha jetime
Ku qeni të zotin e humbi
Përthurni në këngët vajtime

Kullotni ju fushat e mjera
Buzëlagur në krojet me lot
Lumenjtë që i thau vera
Në prag të shtëpisë pa zot

Ju keni si s’kemi mjerimin
Q’e do këtë botë e lirë
Po patët thersar guximin
Çfajsimi ju bën më mirë

Ju luani me zërin me moshën
Që plaku hapësirën me thija
I gjori përkund lëmoshën
Në djep të ëndërrave të tija

Keni ju ashtin lëkurën
Shpirtin në qiellin lotak
Në syrin e verdhë pëlhurën
Dheun të lyer me gjak

Pajtoni kalimin hyjnor
Me shpellën e zezë në gji
Valoin fjalimi paqtor
Mbi trup çarshafi i zi / KultPlus.com

Presidenti po shqyrton mundësinë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke përcjellur me vëmendje të shtuar gjendjen e krijuar pas rasteve të konfirmuara me Koronavirus.

Në një përgjigjie për Klan Kosovën, thuhet  madje që në pajtim me Kushtetutën, nëse Presidenti Thaçi vlerëson të nevojshme do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në vend, njofton Klan Kosova.

”Presidenti është duke e përcjellë me vëmendje gjendjen dhe në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm. Nëse e vlerëson të nevojshme do të shpallë edhe gjendje të jashtëzakonshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit. / KultPlus.com

Adrian Berisha: Provova me kalu monotoninë me muzikë sikurse italianët, u ankuan kojishit tek policia

Shkruan: Adrian Berisha

Sot në ora 20:20 fillova me lujtë muzikë për lagjen e kojshitë tonë. Për arsye se po kalojmë në një periudhë të vështirë psiqike si shoqni, u inspirova nga ky gjest të cilin po e perdorin italianet për të kaluar sadopak monotoninë që na ka kaplu për momentin. 

Fatkeqësisht disa kojshi janë anku dhe Policia e Kosovës me detyruan me ndalu muzikën. Gjithsesi mua më mbetet që vendimet dhe keshillat e policisë t’i respektoj e zbatoj, kurse kojshive të cilëve ju kam pengu te ju kërkoj falje. 

Sidoqofte, a mendoni se duhet me lujt cdo natë muzikë nga ora 20:20 deri ne ora 21:00? Ju lutem që nëse jeni pro, komentoni me poshtë me PO.

Faleminderit krejtve dhe ju përshendes me këtë kangë:

Shkarkojeni këtu librin ‘Kosova në 14 tregime kulturore’ nga Arbër Selmani

Në këto ditë kur po rekomandohet të qëndrohet në shtëpi dhe të evitohen kontaktet me njerëz, dikush edhe mund ta dashurojë leximin e librave.

Në këtë link mund ta shkarkoni e ta lexoni librin ‘Kosova në 14 tregime kulturore’ me autor Arbër Selmanin.

“Kosova në 14 tregime kulturore” është një përmbledhje e teksteve
gazetareske shkruar nga Arbër Selmani, nga muaji mars 2019 deri
në gusht 2019.

Tekstet janë realizuar në gjuhën shqipe dhe angleze, në këtë libër do
t’i gjeni vetëm ato në gjuhën shqipe. Libri u realizua si pjesë e
projektit/grantit “Kontribut në forcimin e gazetarisë së pavarur,
hulumtuese dhe të dobishme për publikun, si dhe në lirinë e
shprehjes në Kosovë”, projekt i mbështetur nga Zyra e Bashkimit
Evropian në Kosovë dhe implementuar nga BIRN – Rrjeti Ballkanik i
Gazetarisë Hulumtuese dhe AGK – Asociacioni i Gazetarëve të
Kosovës.

Si një prej përfituesve të grantit, gazetari Arbër Selmani ka depërtuar
në tregime të ndryshme kulturore, prej Anton Çettës e deri te
Hamami i Prizrenit, prej Istref Begollit e deri te Muzeu Etnologjik në
Prishtinë. Këto katërmbëdhjetë tregime dhe rrëfime përmbajnë njerëz
të fateve të ndryshme, që shënuan dhe ende shënojnë kulturën dhe
artin shqiptar. Ata janë pak, për të përfshirë të gjithë do të duheshin
libra të tërë, që nuk do të pushojnë së shkruari.

Artisti ndriçon malet irlandeze me 1000 drita blu dhe jeshile për festën e Shën Patrikut

Një artist ka ndriçuar mallet në Irlandë për ditën e Shën Patrikut, teksa festimet u anulluan për shkak të frikës së koronavirusit, transmeton KultPlus.

Artisti finlandez, Kari Kola, ndriçoi mallet në Konemara, Irlandë, në ngjyrat tradicionale të ditës blu dhe jeshile.

Vepra e tij përbëhej nga 1000 drita, të cilat reflektohen mbi një nga liqenet e Irlandës, Lough Na Fuaiche.

Puna e tij, e quajtur Savage Beauty, zgjatej për 5 km përgjatë maleve Konemara.

Eventi supozohej të ndiqej nga publiku, nga e diela në të martën, por kjo u anullua. Irlanda anulloi gjithashtu paradën e përvitshme që bëhet në rrugët e Dublinit, në frikën e përhapjes së sëmundjes. / KultPlus.com

Rekomandimi nga KultPlus, Libri i Karantinës: “Dashuria në kohërat e kolerës”

Virusi kinez, Coronavirusi, ka izoluar pjesën dërmuese të shteteve dhe pjesë e izolimit tashmë është edhe Kosova, pavarësisht se jo në nivelet më ekstreme. Për ata që izolimin duan ta kalojnë duke lexuar ndonjë libër, KultPlus ju sjell rekomandimin e mbrëmjes në ‘epokën e coronavirusit’, dhe ky libër është “Dashuria në kohërat e Kolerës” nga Gabriel Marquez.

Sikundër nënkuptohet nga titulli, Garcia Marquez ka shkruar roman për dashurinë, për dashurinë me të gjitha fytyrat e saj: dashuri rinore, dashuri bashkëshortore, dashuri romantike, dashuri të mishit, dashuri, madje, edhe me shenjat e kolerës.

Për më tepër, ai ka shkruar një vepër arti që rrezaton një humanizëm të atillë, që lexuesit do ta kujtojnë sa të kenë jetë në këtë botë. Markezi ka sjellur dashurinë në një dimension tjetër, atë lloj dashruie që brenda vetes ngërthen një obsesion që e ndjek personazhin kryesor deri në fund të jetës së tij.

Ky roman ju bën për vete gjatë dhe pas leximit, duke lënë kështu gjurmë të mëdha tek secili që e lexon. Një roman i paharrueshëm! / KultPlus.com

Si të krijojmë kurse online për nxënësit e ngujuar në shtëpi?!

Nga Alejtin Berisha dhe Kaija Leena Salovaara

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës mori vendim të mbyllë gjitha institucionet shkollore në të gjitha nivelet, për tu mbrojtur nga shpërndarja e mëtejme e Korona virusit Covid-19.

Në Shkollën Finlandeze, ne kemi filluar me programin online për të gjitha nivelet dhe lëndët me orar nga ora 8:00 deri në orën 16:00. Normalisht, ne jemi me fat pasi veqse kemi përdorur teknologjinë më të avancuar deri më tani, nxënësit tanë kanë iPad edukativ secili dhe mësimdhënësit tanë janë shumë të avancuar në perdorimin e teknologjisë në mësimdhenie. P

Por kjo nuk nënkupton që edhe komunat, shkollat apo mësimdhënësit individual nuk mund të fillojnë ofrimin e shkollimit online, qoftë vëtëm për një lëndë të caktuar apo edhe për krejt shkollën apo komunën.

Janë disa arsye kyqe pse ofrimi i kurseve online duhet të ndodh shumë shpejt në Kosovë:

1.Kosova ka penetrimit më të madh të internetit në rajon dhe shumica e familjeve e kanë një laptop apo telefon të mencur ku fëmijët mund të ndjekin mësimet online;

2. Teknologjia për ofrim të kurseve është në të shumtën e rasteve falas;

3. Përmes mësimit online, nxënësit zhvillojnë shkathtësi të shekullit 21 dhe përgatitën për sfidat e revolucionit të katërt industrial;

4. Mësimdhënësit mund të ndajnë praktikat më të mira të zhvillimit të kurseve dhe përmiresojnë shkathtësitë e tyre pedagogjike.

Si ti qasemi ofrimit të kurseve online?

Së pari, duhet të kuptoni se ka ndryshim shumë të madh në mes të mësimdhënies klasike në klasë dhe asaj online. Gabimi më i madh është të bëni të njejtën gjë që e keni bërë në klasë – por vetëm ta ndryshoni mjedisin, pra të zhvendoseni në ‘cloud’. Gjëja më e rëndësishme në ofrimin e kurseve onlinë është të aktivizoni sa më shumë nxënësit, pasi do të jetë e pamundur që të organizoni live video të gjata ku ju ligjëroni dhe ata dëgjojnë apo të incizoni video të gjata paraprakisht dhe ti postoni ato në Web.

Klasa online duhet të jetë creative me video të shkurtëra, diskutime live, projekte të përbashkëta dhe individuale dhe detyra klase apo shtëpie (assignments) të cilat i aktivizojnë nxënësit. Përdorni sa më shumë materiale dhe linqe nga interneti apo video nga youtube apo TED.com, në mënyrë që nxënësit të angazhohen më shumë rreth materialit dhe të bëjnë hulumtime më të thelluara për atë fenomen.

Kujdesuni qe videot tuaja të incizuara paraprakisht mos të jenë më të gjata se 15 minuta, por do të ishte e preferuar që të jenë edhe më të shkurtëra, të pasuara nga një kuiz i shkurtër apo ndonjë ushtrim interaktiv.

Cfare teknologjie të përdorë?

Së pari, zgjedhni një platformë online (të quajtur LMS – Learning management system). Për shkak të corona virusit, shumë kompani të mëdha kanë filluar të ofrojnë platformat e tyre pa pagesë. Nëse jeni individ e jo shkollë, mund të përdorni edmondo,com, ClassDojo.com, flipgrid.com apo hapara.com. Nëse jeni Komunë apo Shkollë, mund të përdorni Moodle apo firefly.com, edhe pse paraprakisht duhet të jetë e konfiguruar për institucionin. Për video konferenca live, mund të përdorni opcionet brenda platformave më sipër apo zoom.us.

Mund të krijoni edhe video parparake në ëhereby.com apo Microsoft Power Point recorder dhe ti postoni ato në platformën tuaj të përzgjedhur. Për ta bërë më interesant qasjen tuaj, ekzistojnë qindra platforma për krjim të prezantimeve interactive si nearpod.com, explaineverything.com apo platform specifike për lëndë të caktuara si psh geogebra.com apo mangahigh.com për lëndën e matematikës.

Platofrmat si khanacademy.com kanë përmbajtje të jashtëzakonshme të cilat varësisht nga niveli i njohurive gjuhësore të nxënësve tuaj, mund ti inkorporoni brenda kursit. Janë me qindra burime online si për shkenca natyre apo shkenca shoqërore, mjafton që të keni interesim të kërkoni dhe ti inkorporoni ato në kursin tuaj.

Pedagogjia para teknologjisë

Është me rëndësi ta kuptoni se në ofrimin e mësimit online, teknologjia nuk luan rolin kryesor por pedagogjia dhe qasja e mësimdhënsit dhe nxënësve. Është me rëndësi të përshtateni metodën tuaj të mësimdhënies varësisht reagimit të nxënësve tuaj – nëse e shihni se ata reagojnë më mirë në detyra grupore, atëherë përdorni ato më shumë, në vend që të ofroni ligjëratë apo instruksione.

Varësisht nga njësia mësimore, përdoni edhe metodën më të mirë. Një shëmbull i mirë i kësaj është Modeli TPACK

Për fund, mësimdhënia onlinë është një maratonë dhe jo gjithcka funksionon perfekt nga fillimi. Ju duhet të dëshironi të mësoni po aq sa nxënësit tuaj, nëse dëshironi të jeni të suksesshëm.  

Kaija Leena Salovaara është drejtoreshë e Shkollës Finlandeze. 

Alejtin Berisha është Drejtor i Kolegjit Universum dhe themelues i Shkollës Finlandeze. / KultPlus.com

Universiteti i Prishtinës mundëson ndjekjen e mësimeve online

Universiteti i Prishtinës ka bërë të ditur se tashmë studentët mund të ndjekin mësimet e tyre në platformën online, shkruan KultPlus.

Kjo platformë u mundëson studentëve që të mos ndërpresin mësimet gjatë kësaj periudhe të përhapjes së virusit.

Lajmi është bërë i ditur në llogarinë zyrtare të Universitetit në Facebook.

Më poshtë mund të lexoni lajmin e plotë ku janë dhënë edhe detaje se si mund të kyqeni në ndjekjen e mësimeve online.

‘Të dashur studentë,
UP-ja ju njofton se janë finalizuar përgatitjet për të vijuar me mësim virtual.
Secilit prej jush i është krijuar e-mail i personalizuar në Google “G Suit for Education”, në mënyrë që ju të mund të vazhdoni mësimin online, pa pengesë, gjatë kohës së masave të marra për evitim të kontaktit fizik.

Për detajet se si do të funksionojë kjo për ju, klikoni linkun në vijim: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,4,1077
Ruaj vetën, familjen dhe shoqërinë! / KultPlus.com

Albin Kurti poston videon e Ramë Lahaj dhe kërkon të mos bëhet panik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht është duke bërë thirrje për qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi, e kësaj radhe duket se e ka gjetur një mënyrë tjetër.

Kurti e ka postuar në profilin e tij në instagram, videon e tenorit të mirënjohur, Ramë Lahaj i cili ka bërë thirrje po ashtu që të mos bëhet panik dhe të qëndrojmë në shtëpi, shkruan IndeksOnline.

Po ashtu këtë video Kurti e ka postuar me mbishkrimin “Kujdesi ndaj vetes është kujdesi ndaj të tjerëve. Këtë sfidë e kalojmë duke mos bërë panik e duke qëndruar në shtëpi”.

Kryeministri i Kosovës ditëve të fundit ka publikuar edhe video të figurave të tjera të njohura të cilët kanë bërë thirrje për kujdes, shkaku i koronavirusit. / KultPlus.com


Ambasada amerikane: Liderët e Kosovës t’i lënë dallimet, është koha për t’i shëruar të sëmurët

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga liderët politikë që të lënë anash dallimet dhe të përqëndrohen te shërimi i të prekurve nga virusi covid-19.

Duke cituar deklaratën e Presidentit amerikan, Donald Trump, në lidhje me shpërthimin e koronavirusit në gjithë botën, Ambasada amerkane bën thirrje për unitet në vend, transmeton KultPlus.

“Virusët nuk njohin kufi. Tani nuk është koha për të lejuar që dallimet politike vendore dhe rajonale të mos lejojnë që t’i ndihmojmë njëri-tjetrin në këtë kohë të nevojës kolektive. Siç edhe ka thënë Presidenti Trump rishtazi: “Të gjithë ne jemi në këtë së bashku. Ne duhet ta lëmë politikën mënjanë, ta ndërprejmë mendje-ngushtësinë, dhe të bashkohemi gjithë së bashku si një komb dhe një familje. E ardhmja jonë mbetet më e ndritshme sesa mund të imagjinohet. Duke vepruar me dhembshuri dhe dashuri, ne do të shërojmë të sëmurët, do të kujdesemi për ata në nevojë, do t’i ndihmojmë bashkëqytetarët tanë dhe do të dalim nga kjo sfidë më të fortë dhe më të unifikuar se kurrë më parë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Aty shkruan se vetëm duke vepruar të bashkuar dhe në ndihmë të njëri-tjetrit, do të mund t’i jepet përgjigjja virusit, që ka prekur gjithë botën. / KultPlus.com

“6 muaj qëndrova në shtrat” Aurela Gaçe rrëfen ditët e vështira të karantinës

Koronavirusi ka karantinuar shumë njerëz në vendin tonë. Ndonëse disa ende nuk po e kuptojnë rrezikun që paraqet ky virus vdekjeprurës dhe dalin në rrugë. Vetëm se nuk rrinë dot mbyllur në shtëpi dhe nuk kanë durim, rrezikojnë veten e tyre dhe jetën e familjarëve të tjerë.

Ndërkohë, një mesazh sensibilizues ka shpërndarë këngëtarja, Aurela Gaçe. Ajo poston në Instagram disa foto kur ishte në “karantinë” regjim shtrati, ndërsa ishte shtatzënë me vajzën e dytë Abigail. Ajo shkruan se, që në momentin që mori vesh që ishte shtatzënë, mjekët i thanë se duhet të qëndronte në shtrat në mënyrë absolute, për hir të krijesës që po rritej brenda saj.

Për muaj të tërë ajo qëndroi në shtrat, nuk kishte mundësi të përqafonte vajzën e madhe Grace,  apo të flinte me të.

Nëse ju nuk po rrini dot disa ditë, brenda në shtëpi, duhet ta lexoni patjetër këtë mesazh të këngëtares, për të kuptuar rëndësinë e jetës.

“Mbasnekohe#Nuk kam publikuar asnjehere foto nga “ditet e karantines time ” qe zgjati 6muaj e gjysem ,gjate kohes qe prisja vajzen e dyte.

Fotoja e pare eshte gjate kohes kur numeroja javet e fundit ,teksa mundoheshim me mjeket qe te arrinim te preknim muajin e 9 . Periudha me vigona neper duar ishte 6 javore, e sigurisht as ulur nuk mund te qendroja….por ,periudha perpara ishte gjithashtu shume e veshtire. Mjeket me dhane urdher te qendroja ne shtrat ne menyre absolute qysh kur zbuluam shtatezanine . Mendojeni pak, jo 1 dite, jo nje jave, jo nje muaj. Nuk dihej sa mund te vazhdonte rreziku, keshtu qe isha e detyruar per shendetin e jeten e asaj krijese qe po rritej brenda meje. Vajza e madhe, Grace, donte te flinte me mua ,ta merrja ne krahe,te luanim sic ishim mesuar te benim cdo dite. Une sigurisht nuk mundesha dhe i flisja e i tregoja se nëse mami te ngre ne krahe, ose pa dashje ti mund te godasesh barkun nese fle me mamin, atehere do lendojme motren ose vellane “-i thosha” . Ajo mundohej te kuptonte, packa se ishte vetem 4 vjeç. Me puthte ,mua edhe barkun ,aty ku packa se nuk e shikonte, e dinte se po vinte nje jetè e re. Ishte periudhe shume e veshtire per te gjithe ne.

Ne foton e dyte, ishte momenti qe do te shkonte me gjyshen e saj ne plazh ne javet e verës, e une s’mundesha te isha me te as per ta percjelle tek dera, e as ta puthja e ta perqafoja per jave te tera….nderkohe qe mami im ishte ne sherbimin tim gjithe kohes.
Gjate kohes se rrezikut, arrita vetem per 2 muaj e pak qe te ngrihesha e te kisha aktivitet, pastaj sic e shikoni ne spital.
Ne ate kohe, as nuk postoja gje, as i tregoja keto. A merzitesha? A qaja? Sigurisht qe po, por arsyeja pse po e kaloja kete “karantinim” ishte vetem e vetem per jeten e re qe po vinte ne familjen tone. Ju sot, mund te luani brenda shtepise, te gatuani, kerceni etj etj, por ka gra, te cilat s’kane mundur edhe per 9 muaj te bejne asgjeeee nga keto, ne emër te “JETËS” .
E nderkohe qe ju vazhdoni ti perqafoni femijet, une e gjithe grupi im, as nuk mundemi t’u afrohemi femijeve tane, akoma edhe 10 dite,pasi jemi veteizoluar per shkak se kemi qene ne udhetim. Prandaj, durim o miq, ne emer te “JETËS”!”,– shkruan këngëtarja. Ekspress / KultPlus.com


Anglezët nuk i ‘binden’ as koronavirusit

Pavarësisht se në të gjithë Anglinë po përgatiten për masa shtrënguese për shkak të përhapjes së koronavirusit në vend, të rinjtë duket se nuk janë shumë të shqetësuar.

Përveç Londrës, ku numri i frekuentuesve të lokaleve të natës dhe shesheve kryesore ka rënë disi, festat në shumë qytete nuk janë ndërprerë, ndërsa janë organizuar edhe koncerte, transmeton KultPlus.

Në Lids, studentët kanë nisur me ritualet tradicionale që kryhen para festës së Shën Patrikut,edhe pse në Irlandë, ku e ka origjinën festa e kremtuar më 17 mars, ceremonitë janë anuluar.  Numri i viktimave në Mbretërinë e Bahskuar është dyfishuar në 24 orët e fundit, duke shkuar në 35, ndërsa mbi 6000 vetë kanë humbur jetën në të gjithë botën.

Por, kjo nuk i ndali fanatikët e garave me kuaj. 70 mijë vetë ndoqën garat “Cheltenham”, për katër ditë me radhë, pavarësisht se që nga fundjava e ardhshme, grumbullime të tilla nuk do të mund të mbahen më.

Koronavirusi mund të shkaktojë shtyrjen ose edhe anulimin e disa ngjarjeve të rëndësishme artistike në Britani, si festivali i Glastonbërit, përvjetorin e ditës së fitores ndaj nazizmit, por edhe turneve sportive, si kampionati i tenisit në Uimbëlldon.

Pavarësisht kësaj, Britania nuk ka marrë ende masa drastike, sikurse disa vende të tjera të kontinentit të vjetër./konica/ KultPlus.com

Me vjersha dhe krijmtari kundër Murtajës

Shkruan: Jusuf Buxhovi

ME VJERSHA DHE KRIJIMTARI KUNDËR MURTAJËS…

Padër Coli nuk dukej i shqetësuar deri në trishtim si herëve tjera kur i merrej goja edhe gjatë meshës, ndonëse shikimin e kishte të akullt …
NJë copë herë e shikova pa ia dalë që t’ia kuptoja gjendjen… Mendja më shkoi se mos kishte shkalluar para së keqes si shumë të tjerë që i nënshtroheshin panikut që përhapej me të madhe nga të katër anë me anën e telaxhinjve dhe thashethemeve të tjera.
Nga ai hamendësim më nxori me një letër që ma la para si më druajtje.
“Nuk e kam shkyer, Atë, edhe pse nuk jam i kënaqur me të…”
Ishte një vjershë për stinët e natyrës, të para nga këndvështrimi i Biblës, me të vetmin ndryshim se fillohej me dimrin, vazhdohej me pranverën dhe verën dhe përfundohej me vjeshtën. Secila stinë kishte përpara parafjalën “Dukagjini”, pra ndërlidheshin me botën tonë…
“Punë e mirë… Ke shpirt poeti…”
Hetova se po i hapej çehrja. Dukej tjetër. Gjithë jetë…
“Në këtë kohë murtaje përditë do të shkruaj nga një vjershë…”
“Kështu duhet… Murtaja mundet nga vjershat, nga krijimtaria, nga përballja me të me veprim dhe kundërvënie, pra nga mosnështrimi dhe vullneti për jetë…”
I fola edhe për vargjet që Selamiu i thoshte nëpër qytet, të shumtën të kthyera në këngë…
“Selamiu në njërën anë dhe ti në tjetrën anë, e luftoni murtajën me shpirt… Kështu bëhemi të pavdekshëm…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazi”,1982)

“Murtaja” e Kamysë dhe Coronavirusi kinez

Coronavirusi do të tërhiqet një ditë. Të vdekurit e tij do të harrohen, derisa njerëzit vrapojnë në kërkim të lumturive të tyre, por bacili i tij, i luftuar nga qindra e mijëra mjekë, si Rië-ja i Kamysë, i luftuar, por jo i zhdukur, do të vazhdojë të qëndroj i fshehur diku në kthinat tona, për të goditur përsëri papritur, në një kohë dhe në një vend tjetër dhe, me siguri, nën një emër tjetër.

Shkruan: Blerim Latifi

Në letërsinë botërore, libri ndoshta më i mirë i shkruar me temë epidemitë është “Murtaja” i shkrimtarit dhe filozofit francez Albert Kamy. Në javët e fundit, kur bota duket e pushtuar nga paniku i coronavirusit, mediat po shkruajnë se është duke ndodhur një bum i paparë në shitjen e këtij libri. Ka dy arsye në këtë ndodhi : e para, kur pushtohen nga paniku, njerëzit kërkojnë mënyra dhe instrumente qetësimi në çdo gjë që ka të bëjë në një mënyrë apo tjetër me burimin e panikut të tyre ; arsyeja e dytë duket se ka të bëjë me profiterët e fatkeqësive kolektive, në këtë rast tregtarët e librave, të cilët panikun e njerëzve të shkaktuar nga epidemia e shndërrojnë në burim fitimi duke u ofruar atyre “libra shpëtimtarë”. Fenomenin e përfitimit prej fatkeqësive, vetë Kamy e kritikon në novelën e tij kur përshkruan  kontrabandistët e mallrave dhe ilaçeve të cilët përpiqen të përfitojnë nga gjendja e jashtëzakonshme e shkaktuar nga epidemia që ka pllakosur qytetin.

Libri i Kamysë nuk na ndihmon në luftën praktike kundër coronavirusit. Leximi i tij na ndihmon në një rrafsh tjetër : në të kuptuarit e dimensionit tragjik të ekzistencës njerëzore, dimension që ka të bëjë me brishtësinë e kësaj ekzistence përballë të keqës radikale që na godet papritur, por edhe në të kuptuarit e domosdoshmërisë së rezistencës kundër saj.Kamy mendon se njeriu duhet të revoltohet kundër të keqës, sepse revolta është në natyrën e tij; revoltohem, pra jam, është deviza e filozofisë së tij, por triumfi mbi të keqën asnjëherë nuk është i garantuar, e edhe kur ndodh, ai nuk është përfundimtar. Kjo ide shfaqet në pothuajse të gjitha veprat e Kamysë, gjë që i ka shtyrë shumë studiues të konstatojnë se ai është një mendimtar pesimist që nuk lë shteg për shpresën njerëzore. Në fakt, Kamy mendon diçka tjetër dhe pikërisht evidentimin e iluzioneve mbi të cilat mbështeten premtimet e mëdha për çlirimin final të jetës njerëzore nga e keqja, por ky evidentim nuk duhet kuptuar si dorëzim final para saj. Vetë Kamy shkruan : “Ne nuk pranojmë të dëshpërojmë njerëzimin. Pa pasur ambicie të paarsyeshme për të shpëtuar njerëzit, ne ende dëshirojmë t’u shërbejmë atyre! ” Heroi i “Murtajës”, doktori Bernard Rië, është mishërim i kësaj devize filozofike të Kamysë. Ai, pa u trembur fare, lufton me epideminë në rrugët dhe shtëpitë e qytetit të zhytur në murtajë e të izoluar nga bota, edhe pse e di se qëndresa e tij mund të jetë krejtësisht e kotë. Ai lufton i nxitur jo nga ndonjë thirrje mesianike tokësore apo qiellore, sepse ai është një hero i zhveshur nga tiparet mesianike të cilat iluminizmi ia mvishte profesionit të tij, por vetëm dhe vetëm i nxitur nga njerëzorja e tij, e mishëruar në detyrën e tij prej mjeku, e të cilën ai vetë e përcakton si ndershmëri.

Kjo ndershmëri ka konotacion kantian : dinjiteti ynë kërkon që të luftojmë edhe për dinjitetin e të tjerëve!  Është pikërisht ndershmëria e tij jomesianike e cila arrin t’i bindë edhe të tjerët që të bashkohen në betejën e tij kundër të keqës, madje edhe predikuesit fetarë që një ditë e kuptojnë se lutjet e tyre kundër epidemisë nuk kanë asnjë vlerë dhe se interpretimi i epidemisë si ndëshkim nga Zoti, humbet çdo kuptim përballë vuajtjeve të foshnjave që vdesin mizorisht nga murtaja. Dhe, njëri prej tyre, një ditë, i thotë doktor Rië-s:  “Është i kuptueshëm dënimi i një Don Zhuani, i cili, për shkak të shthurrjes së tij morale, meritonte të fundosej në ferr, por vuajtja e fëmijës nuk mund të kuptohet”. Kjo do të thotë se ne e kemi moralisht të pamundur që vuajtjet e qenieve të pafajshme, siç janë foshnjat, t’i kontekstualizojmë dhe t’i përligjim në një skemë të shlyerjes së mëkateve. Tek “Murtaja” Kamy na rikujton argumentin e njohur mbi papajtueshmërinë midis ekzistencës të së keqës dhe gjithëfuqishmërisë e gjithëmirësisë së Zotit. Ose njëra ose tjetra! Të dyja nuk mund të ekzistojnë njëkohësisht.

Pasi ka shkaktuar mijëra viktima, një ditë murtaja jep shenja të tërheqjes ; numri i të vdekurve bie papritmas, derisa në fund epidemia zhduket krejtësisht. Ajo largohet, ashtu sikurse erdhi : në mënyrë të papritur. Qytetin e pushton hareja e çlirimit prej saj, njerëzit vërshojnë rrugët dhe sheshet për të festuar shpëtimin nga murtaja, ndërsa doktori Rië, i humbur në mesin e turmave të ngazëllyera, dhe i lirë nga ndjenjat triumfaliste, kujton iluzionin njerëzor për fitorën përfundimtare mbi të keqën : “ Tek sa dëgjonte britmat e haresë që vinin nga qyteti, Rië kujtohej se kjo hare ishte gjithnjë e rrezikuar. Sepse ai dinte atë çka kjo turmë gazmore nuk e dinte dhe që mund ta lexosh nëpër libra, se bacili i murtajës nuk vdes as zhduket ndonjëherë, se mund të rrijë me dhjetëra vite i fjetur nëpër orendi e në tesha, se pret me durim nëpër dhoma, qilarë, valixhe, shami e shkresurina dhe se, ndoshta, do të vijë dita kur, për fatin e keq të njerëzve dhe që t’u bëhet mësim, murtaja do t’i zgjojë minjtë e saj dhe do t’i dërgojë për të ngordhur në ndonjë qytet të lumtur”. Coronavirusi do të tërhiqet një ditë. Të vdekurit e tij do të harrohen, derisa njerëzit vrapojnë në kërkim të lumturive të tyre, por bacili i tij, i luftuar nga qindra e mijëra mjekë, si Rië-ja i Kamysë, i luftuar, por jo i zhdukur, do të vazhdojë të qëndroj i fshehur diku në kthinat tona, për të goditur përsëri papritur, në një kohë dhe në një vend tjetër dhe, me siguri, nën një emër tjetër. Mesazhi i përfundimit të novelës së Kamysë është i qartë : Është krejtësisht iluzore të pritet një triumf final i të mirës mbi të keqën në botë, ashtu siç na premtonin dikur profetët biblikë dhe intelektualët progresistë të Iluminizmit. Duke qenë të lirë nga ky iluzion, mbase, mund të jemi më të përgaditur në përballjen e rradhës me murtajën, qoftë ajo biologjike, qoftë ideologjike.

Bregu: Virusi po na ndryshon jetën, po teston institucione dhe po sfidon rregullat me të cilat ishim mësuar

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Regjional në Shqipëri, Majlinda Bregu, ka shkruar në një status në Facebook se Koronavirusi po na e ndryshon jetën.

Ajo ndër të tjera bën thirrje për qëndrim në shtëpi, në mënyrqë të parandalohet përhapja e virusit.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Bregut.

“Ja pra si virusi po na ndryshon jeten, po teston institucione dhe sfidon pameshire rregullat me te cilat ishim mesuar. E di qe jo gjithkush ka mundesi te punoje nga shtepia e per disa kjo thirrje i ben neveri arsyes. Ndjese per kedo qe mund t’i duket si moral. Nderkohe, pertej coroditjes e turbullimit ne, @regionalcooperationcouncil_rcc sot ishim me te qarte se asnjehere per nevojen e bashkepunimit,solidaritetit dhe panevojen e merive qe na largojne nga njeri tjetri dhe ngadalsojne reagimin ne kohe krizash.” / KultPlus.com

Në Kosovë në radhë për miell, në Holandë për marihuanë

Në Kosovë ka mungesë të miellit tash e sa ditë.

Para atyre pak marketeve që ofrojnë herë pas here, shihen radhë të gjata, ku qytetarët ngarkojnë thasët mbi supe.

E në Holandë, banorët, apo disa prej tyre, kanë një gajle tjetër.

Ata, sipas “France24”, janë parë në radhë para kafiterive në Amsterdam e Hagë, që ofrojnë edhe shitjen e marihuanës, meqë Qeveria e vendit ka njoftuar se do t’i mbyllë ato si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit.

Këto lloj kafiteri janë kthyer në imazh nacional të vendit.

“Ndoshta në dy muajt e ardhshëm nuk do të kemi ku të furnizohemi, kështu që do të ishte mirë ta kemi në shtëpi”, ka thënë një holandez.

Radhët u krijuan vetëm disa minuta pasi ministrat e Shëndetësisë dhe të Arsimit, njoftuan për masat që do të merren. / Koha.net /KultPlus.com

Stacioni

Tregim nga Ibrahim Berisha

Burri pesëdhjetëegjashtë vjeç nga fshati Kojskë e Lipjanit dhe djali njëzetenjë vjeç nga Kaçaniku, takohen një pasdite dhjetori në hyrje të stacionit të trenit në Zagreb. Përshëndeten, sikur njihen me vite.

Sa të pashë të njoha, thotë djali.
Burri habitet.
Më kupton, shpjegon djali, e dita se je nga Kosova.
Burri e heton me kujdes: disa muaj duhej të bridhje nëpër stacione trenash, për të takuar fytyrë të tillë të shkrirë. Burri dhe djali hynë në hollin e madh. Kacavarur në krahun e drunjtë të ulëses, djali lëshon valixhen e zhgufur. Në të djathtë ulet burri. Ai shikon djalin: „Eh, disa muaj duhet të bredhësh nëpër stacione trenash për të takuar fytyrë kaq të shkrirë“.

Më quajnë Sefë, i thotë burri djalit, pasi ai e pyet për emrin.
Nëpër muret e hollit shkruan: „Mos gjuani mbeturina!“, „Mos prekni xhamat!“, „Mos ndizni zjarr!“, „Informatat , majtas!“, „Biletorja, djathtas!“, „Gardëroba drejt!“.
E kam emrin Lul, flet. Për një kohë lëviz kokën, duke u munduar të kapë shkronjat nëpër muret e larta.

Jashtë bie shi. Shirat e dhjetorit në Zagreb formojnë atmosferë të mbytur, të paçiltër.
Je lagur, ftohesh, thotë burri.
Nuk më bën asgjë lagështira. Ka dy muaj jam gjithë i lagur, thotë djali.
I ri, tash, nuk e ndien.
Djali lëviz dorën mospërfillshëm.
Ndërkohë, ulëses i afrohen një plak e një plakë; ulen përballë burrit e djalit. Plaka çrrudh shaminë; flokët e thinjura i bien mbi kurriz. Plaku lexon gazetën kroate „Vjesnik“. Kur heq beretën, i del koka tullace.
Pini ju duhan? pyet plaku.
Jo, përgjigjet burri.
Unë kam vendosur të mos pi.
Unë nuk e pi fare, thotë djali.
Ju të dy nuk paskeni problem me duhanin. Është shtrenjtuar aq shumë, thotë plaka.
Aleks, e sheh mirë, këta nuk pinë duhan.
Siluetat kalojnë përballë karriges së drunjtë. Era e rëndë e tymit dhe e lagështirës mbas shirave të përditshme mbush hollin.
Këta, mu këta, vetëm kursejnë nga fitimet, thotë Aleksi. Këta janë të tjerë, janë jugorë.

Nëpër xhamat e lagur, lëvizin pamjet tronditëse të makinave që ikin me ushtimë. Nga ulësja, pasi dera është e hapur, duket ndërtesa e mugët e Postës. Përpara saj, lokomotiva xhuxhe, e kaltër, të kujton një trung të madh lisi që rri vazhdimisht në shi, por nuk kalbet. Djali mbyllet, projekton rrugën deri në shtëpi me këtë lokomotivë. Lëviz timonin, shkel arat, malet dhe kalon urat mbi lumenj. Ngadalë ecën, por nuk arrin shpejt në shtëpi; kjo lokomotiva xhuxhe nuk të çon kurrë në shtëpi, mendon pasi e sheh se është vetëm një përfytyrim nga lodhja. Lokomotiva: një përkujtuese e revolucionit teknik.

Nga duhma e rëndë dhe numri i madh i atyre që hyjnë e dalin, i vjen të pështirë. Përsëri, disa çaste mbyll sytë. Udhëton me lokomotivën xhuxhe. Ndalet në një pus me baltë.
Sheshit matanë i kthehet emri i vet, Mbretit Zvonimir, thotë plaku. Gruaja e përcjell heshtur, pastaj kot i hidhet qortueshëm: lëre, lëre, kjo politika jonë këtu më ka ardhur. Prek majën e hundës.

Ti do të sëmuresh sigurisht, i thotë burri djalit.
Nuk kam të ftoftë, e kundërshton ai. Kam tepër nxehtë. Heq sakon.
Kur arrin treni?
Në ora pesë e pesëdhjetë minuta, nëse nuk vonohet.
Kemi ende shumë për të pritur.
Aleks, thirr plaka. Tash pi cigaren e katërt.
Si thua, ti shqiptar, thotë plaku.
Nuk them asgjë, përgjigjet burri.
Ju keni thënë mjaft këto vite, thotë plaku.
Ne nuk kemi thënë asgjë, përgjigjet burri.
Të ka rënë të dëgjosh për Jelaçiqin, pyet beftë plaku. Ndoshta nuk të ka rënë. S’ke faj, sepse edhe shumë kroatë nuk kanë dëgjuar për emrin e tij. Por tash e tutje, sigurisht do të dëgjojnë.

Lëri rehat njerëzit, e qorton plaka. E sheh si janë të lodhur.
Çka punon, e pyet burri djalin
Hap kanale. Muajin e fundit punova në Treshnjevkë, por nuk më paguan.
Rrezik nuk kishe?
Nuk ishte edhe pa rrezik, sqaron djali. Punoj dhjetë orë në ditë.
E shikon djali ai flet:
Në Hamburg punoj. E kam djalin ushtar në Zagreb. U ndala. Pikëllohet. I bie pamje e errët.
Domethënë në pesë e pesëdhjetë minuta, thotë burri.
Po, përgjigjet djali.

Plaku, pasi kotet ca çaste si fëmijë, duke mbështetur kokën tullace në krahun e plakës, hap sytë pandehshëm. Ende ashtu i pakëndellur, shpërthen: Edhe ne kemi të drejtë t’i këndojmë këngët tona kroate.
Ju shkoni në Kosovë?, pyet plaka.
Po, thotë burri.
Ne shkojmë në Vinkovc. Na pret vajza në stacion. Si thua, Aleks?
Kam telefonuar dy herë, e siguron plaku. Mos u merakos kot.
Nuk merakosem, vetëm pyes.
Burri nxjerr bukën, djathin dhe konservën nga një qese najloni.
Ia qet përpara djalit.
Urdhëro, i thotë.
Treni ekspres Munih – Lubjanë – Zagreb – Beograd – Fushë Kosovë – Shkup – Selanik, vonohet një orë e njëzet minuta, njofton spikerja.

Në mëngjes arrijmë, thotë burri i lënduar në shpirt.
Djali nuk thotë asgjë, vetëm ha.
Djali juaj, pyet plaka.
Burri buzëqesh. Nuk thotë po as jo.
E dija, thotë plaka. Ngjani kaq shumë në njëri-tjetrin. E sheh sa shume ngjajnë, i kthehet plakut.
Duket, s’ke pse më thua, thotë plaku. Këta të gjithë ngjajnë në njëri-tjetrin!
Porsa të hyjmë në tren, shtrihemi e flemë, i thotë burri djalit.
Unë nuk mund të fle në tren, kurrë nuk më zë gjumi, përgjigjet djali.

*Zagreb:1987. / KultPlus.com

“Ti mund të jesh thjesht një njeri më shumë në këtë botë, por për dikë, je vetë bota”

Gabriel García Márquez është shkrimtar i njohur kolumbian që lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.

Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.

Në vitin 1955, fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi.

Për krijimtarinë e tij letrare ai u laureua me “Nobel” për letërsinë.

Markezi njihet kudo në botë edhe për thëniet e vlefshme që dalin nga veprat e tij, disa prej të cilave, KultPlus jua sjellë më poshtë:

Kur të vdes, të vetmen keqardhje do ta kem është nëse në vdekje nuk do të ekzistojë më dashuria.

E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, i ri apo i vjetër. Sonte mund të jetë e fundit herë që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë.

Injeksionet janë gjëja më e mirë e shpikur ndonjëherë për t’i ushqyer mjekët.

Nuk është e vërtetë që njerëzit ndalen së ndjekuri ëndrrat, ngaqë plaken; ata plaken ngaqë ndalen së ndjekuri ëndrrat.

Jo, jo nuk jam i pasur. Unë jam një njeri i varfër me të holla, çka nuk është e njëjta gjë.

Askush nuk i meriton lotët e tu, por ai që i meriton ata, nuk do të të bëjë të qash.

Ajo zbuloi me kënaqësi të madhe se njeriu nuk i do fëmijët e tij vetëm sepse ata janë fëmijët e tij, por për shkak të miqësisë së krijuar duke i rritur ata.

Kujtesa e zemrës e eliminon të keqen dhe e madhëron të mirën.

Ai që pret gjatë, mund të fitojë pak.

Interpretimi i realitetit tonë nëpërmjet modeleve tona e jo nëpërmjet nesh, shërben vetëm për të na bërë gjithnjë e më të panjohur, kurrë më pak të lirë, gjithnjë e më të vetmuar.

Problemi me martesën është se ajo përfundon çdo natë pas së bëri dashuri, dhe duhet të rindërtohet çdo mëngjes para ngrënies së mëngjesit.

Në fund të fundit, letërsia nuk është tjetër vetëm se zdrukthtari. Me të dyja ju keni punë me realitetin, me një material po aq të vështirë sa druri.

Ajo që ka rëndësi në jetë nuk është ajo që ndodh me ju, por çfarë ju kujtohet dhe si ju kujtohet ajo. 

Mik i vërtetë është ai që nuk ta lëshon kurrë dorën dhe ta prek zemrën. /KultPlus.com

Margariti: Qëndro në shtëpi, trego kulturën tënde

Ministria e Kulturës ndërmori ditën e djeshme një iniciativë të veçantë: “Hapni dritaret. Lëreni muzikën të hyjë në shtëpitë tuaja”, për t’i nxitur qytetarët të mos dalin nga shtëpitë dhe për t’u qetësuar sadopak shpirtrat e trazuar në kohërat e koronavirusit.

Thirrjes iu bashkuan dhjetëra artistë, të cilët kanë performuar nga ambientet e tyre të vetëkarantinimit.

“Artistët që na u bashkuan dje kanë qenë të shumtë dhe për këtë meritojnë një falenderim nga të gjithë ne”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Qëndro në shtëpi, trego kulturën tënde”, ky është mesazhi që përcjell ministrja Margariti.

Sot ajo na sugjeron të dëgjojmë performancën e artistit Pashko Flutra.Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij. /atsh / KultPlus.com

https://www.facebook.com/EKOMendje/videos/4012430572164346/?t=49&v=4012430572164346

Dua Lipa bën thirrje për t’i ndihmuar refugjatët

Ylli ndërkombëtar i muzikës, Dua Lipa, i ka bërë thirrje fansave të saj t’i dhurojnë sa më shumë të holla Komisionit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, në mes të pandemisë së koronavirusit.

Këngëtarja me prejardhje kosovare, prindërit e së cilës ishin zhvendosur nga Prishtina për në Londër në vitin 1992, u ka kërkuar 40.5 milionë ndjekësve të saj në Instagram që të mendojnë për personat që janë në gjendje më të keqe se ata, dhe të dhurojnë sa të kenë mundësi për organizatën UN, në mënyrë që të sigurohet ushqim dhe barna për komunitetin e refugjatëve, transmeton Koha.

Me publikimin e një fotografie bardhë e zi në rrjetin social Instagram, ku Lipa shfaqej përkrah disenjatorit të njohur italian, Giuliano Calza, këngëtarja kishte shkruar: “Wow, në këtë natë me të vërtetë kemi menduar që viti 2020 do të jetë viti ynë… Jemi duke menduar për të gjithë ju gjatë kësaj kohe të vështirë dhe konfuze. Qëndroni të sigurt, lani mirë duart, qëndroni pranë më të dashurve tuaj dhe më e rëndësishmja mendoni edhe për ata që janë më të pafat. Refugjatët janë disa nga njerëzit më të rrezikuar në këtë planet, që shpesh jetojnë në vende me shërbime të kufizuara shëndetësore. Agjencitë e Kombeve të Bashkuara po punojnë shumë për t’u siguruar që t’iu dalin në ndihmë këtyre njerëzve. Unë e di gjatë kësaj kohe të vështirë disa prej jush mund të mos jenë në gjendje të dhurojnë për UNHCR-në, por nëse keni mundeni, bëjeni këtë gjë sepse ndihma juaj sado e vogël vërtet bën ndryshim për mbrojtjen e refugjatëve dhe komunitetet e tyre nga COVID-19,” kishte shkruar Lipa në Instagram.

Dua Lipa vitin e kaluar foli për vizitën e saj me UNICEF-in në kapin e refugjatëve në Liban, duke thënë se ishte një eksperiencë tejet emocionale dhe personale për të. Pop ylli 24-vjeçar më mirë se askush tjetër mund të jetë mirëkuptuese për refugjatët, marrë parasysh faktin se ajo vjen nga një familje refugjatësh nga Kosova, të cilët ishin larguar në Britani të Madhe për shkak të represionit serb. / KultPlus.com

“Dashuri në kohën e Coronavirusit”

Poezi nga Ambra Hysa

Do të tregojmë dikur,
kur koha të fshijë
gjurmët në lëkurë,
si jetuam
“Kohën e Coronavirusit”,
mikrobit të vogël,
të padukshmit.

Do të tregojmë,
si iu fshehem,
të voglit ushtar,
si për njëri-tjetrin,
ndjemë mall.

Si luftuam me paqe
dhe qetësi,
si qëndruam në shtëpi,
me ndërgjegje,
i bëmë ballë luftës
duke i thënë JO rrugës.

Duke ndryshuar çdo rutinë,
për jetën në karantinë.
Kur përditshmërinë,
ta lyejme me lenten
e nostalgjise,
do ia tregojmë
si përrallë fëmisë,
“Dashuri, në kohën e Coronavirusit”
kështu ishte,
në kohën e gjyshit.

Ti, nuk e beson sot,
por në atë kohë
nuk shkoje dot,
nga Shkodra në Tirane,
kufinjtë u mbyllën anëmbanë.

Kjo luftë,
nuk njihte shpata,
dhe pse gjak kulllonin plagët,
luftohej veç me mënçuri,
nuk ishte kohë për trimëri.

Ne u deshëm,
pa u përqafuar,
të gjithë bashkë
dhe solidarë,
shiheshim veç në celularë.

Armiku ishte i vogël,
por kishte zënë pritë kudo,
udhëtonte prej nga Kina,
ndalte aeroplanë dhe makina.

Mjekët, ishin heronjte tanë,
engjëjt me bluzat e bardha,
sfidonin ditë për ditë
betejat, me duart e arta.

Ishte kohë për këshilla,
ishte kohë të bëhemi nji,
s’kishte politikë,
të na ndante,
as parti dhe as kufij.

Ishte kohë për dashuri.

Austria, ashtu siç nuk e keni parë kurrë

Që nga mesnata, ligji për parandalimin e koronavirusit ka hyrë në fuqi.

Jeta publike është e kufizuar ashpër, pasi sot ekzistojnë edhe kontrolle nga policia. Lokalet e hotelerisë mund të hapet sot deri në orën 15.00. Universitetet, shkollat ​​dhe kopshtet janë të mbyllura, raporton gazeta “derstandard.at”.

Këshilli Kombëtar dhe Këshilli Federal miratuan të dielën " Ligjin e Coronës", i cili përcakton themelet ligjore për mbylljen e vendeve publike, siç janë fushat e lojërave dhe për kufizimet në tregti dhe hotelieri. Një fond me vlerë katër miliardë euro do të jetë në shërbim për të gjitha llojet e ndihmës, nga puna me orar të shkurtuar, ndihma për sipërmarrës dhe kompani deri tek blerja e gjërave të nevojshme për sektorin e shëndetësisë.

Qeveria e Austrisë bën thirrje për kufizimin e daljeve në gjithë Austrinë. Ekzistojnë vetëm tri arsye për përjashtime të largimit nga shtëpia: punë profesionale që nuk mund të shtyhen, nevojat urgjente (ushqimi) dhe nëse urgjentisht duhet të ndihmoni njerëzit e tjerë.

Trafiku ajror së shpejti do të ndërpritet në masë të madhe. Austriakët jashtë vendit duhet të "bëjnë rrugën e tyre" për në shtëpi urgjentisht, njofton albinfo.ch.

Takimet do të ndalohen plotësisht në të ardhmen. Në asnjë vend nuk duhet të qëndrojnë ose të takohen më shumë se pesë persona në të njëjtën kohë. Sipas Kancelarisë Federale, kufizimet në hapësirën publike do të kontrollohen nga policia nga e hëna e tutje, dhe nëse është e nevojshme ato mund të rezultojnë edhe me gjobë të rëndë administrative. Autoriteteve iu dha autoriteti të përdorin masa shtrënguese nga Këshilli Kombëtar. Nëse dëshironi të dilni jashtë në raste urgjente, "këtë mund ta bëni vetëm ose me njerëzit me të cilët jetoni" tha Kancelari Kurz.

Masa më të rrepta po zbatohen për landin Tirol. Atje ka kufizime të trafikut që përfshijnë një rrugëdalje të gjerë. Askujt nuk i lejohet të largohet nga shtëpia apo banesa e tyre pa ndonjë arsye të vlefshme. Megjithatë, kjo nuk vlen për nevojat themelore ose mjekësore. Gjithashtu dalja me qen është ende e lejuar, ose nëse patjetër është e nevojshme të shkoni në punë. Këto masa fillimisht janë paraparë për një javë.

Dyqanet ushqimore, farmacitë, bankat, dyqanet e cigareve, pompat e benzinës dhe disa dyqane të tjera mbeten të hapura – por ligji i planifikuar duhet të parashikojë trajtimin e blloqeve nëse është e nevojshme.

Në gjithë Austrinë deri të hënën në mëngjes janë regjistruar 959 raste të konfirmuara të infeksionit me koronavirusin. Shumica e rasteve ishin në Tirol. Një i moshuar 69-vjeçar i ardhur nga Italia, i cili kishte një sëmundje të mëparshme është vdekja e parë në të gjithë Austrinë si rezultat i epidemisë së koronës. Një vdekje e dytë u raportua të dielën, por konfirmimi i infeksionit është ende në pritje. Gjashtë persona aktualisht konsiderohet se janë shëruar. Gjermania mbylli kufijtë e saj me Austrinë të hënën, në orën 8.00 të mëngjesit. Ekzistojnë përjashtime për banorët që jetojnë në ato rajone dhe për qarkullimin e mallrave.

Kushdo që ka qenë në komunat: Ischgl, Kappl, Shih, Galtür, Heiligenblut ose Shën Anton am Arlberg që nga 28 shkurti është i thirrur të shkojë në izolim në shtëpi. Kushdo që ka pasur kontakte me njerëz që kanë qenë në këto rajone, duhet gjithashtu të izolohen. Kjo vlen gjithashtu edhe nëse asnjë simptomë nuk vërehet aktualisht. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Kolegji Universum vazhdon mësimin online sipas orarit të rregullt të ligjëratave

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës në lidhje me pezullimin e mësimit në të gjitha nivelet arsimore në Kosovë me qëllim të parandalimit të Corona Virus (COVID-19), Kolegji Universum ka marrë vendim për vazhdimin e ligjëratave online.

Sipas vendimit të Kolegjit Universum ligjëruesit dhe studentët duhet të jenë online dhe aktiv sipas orarit të ligjëratave duke marrë pjesë në video konferenca interaktive, detyra individuale dhe grupore. Këtë metodë të vazhdimit të ligjëratave e kanë mirërpritur edhe studentët pasi nuk do mbeten mbrapa me njësi mësimore dhe nuk ka nevojë për shtyerje të afateve të provimeve dhe aktiviteteve extra kurrikulare të parapara të mbahen në muajt në vijim.

Ligjërata e parë online sot u mbajtë në lënden “Dizajn Kreativ dhe Inovacion” me Prof. Musa Rama, njejtë përmes Platformës Moodle do të vazhdojnë të mbahen të gjitha ligjëratat tjera sipas orarit të rregullt.

Për më shumë informata rreth platformave online që përdor Kolegji Universum dhe aktiviteteve në vijim ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062.   

(Shkrim i sponsorizuar nga Kolegji Universum)