Abu Dabi rihapi sot, pas më shumë se tre muajsh, muzeun e tij të Luvrit, i mbyllur nga masat e vendosura nga Emiratet e Bashkuara Arabe për të kufizuar përhapjen e koronavirusit.
Vizitorët në muze duhet të rezervojnë biletën në internet.
Ata do të lejohen të kalojnë tre orë brenda muzeut dhe duhet të përdorin maska për fytyrën dhe doreza.
Gjithashtu ata do të përdorin një aplikacion në telefon për informacion mbi veprat e artit, pasi fletushkat nuk do të jenë në dispozicion.
Autoriteti i Kulturës dhe Turizmit i Abu Dabit njoftoi se numri i vizitorëve nuk duhet të kalojë 40% të kapacitetit të përgjithshëm të një muzeu.
Javët e fundit, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe ka lehtësuar kufizimet, megjithëse ndalimi për hyrjen ose largimin nga vendi do të mbetet në fuqi deri më 29 qershor./atsh / KultPlus.com
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për “Nxitjen dhe promovimin e turizmit kulturor në Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatrin, Durrës, nëpërmjet hyrjes pa pagesë”.
Në bazë të marrëveshjes, ministria i ofroi bashkisë Durrës 5000 (pesë mijë) bileta me vlerë zero, për periudhën 23 Qershor – 31 Gusht për të dy institucionet e trashëgimisë, Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatrin në Durrës.
Krybashkiakja Sako u shpreh se qyteti i Durrësit, është një ndër qytetet me trashëgiminë arkeologjike më të pasur në vend dhe në rajon.
Pas situatës së tërmetit dhe asaj të pandemisë nxitja e turizmit gjatë këtij sezoni merr një rëndësi të veçantë.
Kjo marrëveshje për mbështetjen e bizneseve turistike duke ofruar falas biletat për sitet e Trashëgimisë Kulturore për sezonin veror shërben për të nxitur turizmin kulturor, si dhe për t’i ardhur në ndihmë operatorëve turistikë, bizneseve, si dhe institucioneve dhe subjekteve private që lidhen në mënyrë direkte apo indirekte me turizmin kulturor./atsh / KultPlus.com
Shtëpisë së Operës “Gran Teatre del Liceu” në Barcelonës i ka munguar publiku për disa muaj, kjo për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, shkruan KultPlus.
Muzikantët kanë dhënë një shfaqje krejt të pazakontë ditën e hënë. “Publiku” i tyre kësaj radhe ishin mijëra bimë që ishin vendosur në sallën e operës. Pamja ishte madhështore dhe mesazhi poashtu.
Sipas mediave të huaja, opera përmes kësaj shfaqje, shënoi heqjen e masave në Spanjë, të implementuara muaj më parë, si pasojë e sëmundjes COVID-19.
Kjo performancë e jashtëzakonshme, ishte punë e artistit konceptual, Eugenio Ampudia.
2,292 bimët që ishin vendosur në teatër, kishin rastin të “dëgjonin” veprën “Crisantemi” të Puccinit. / KultPlus.com
Sulltan Abdylhamiti ndër të tjera njihet dhe për parapëlqimin e tij për shqiptarët. Shembujt janë të shumtë. Mes tyre spikat edhe përzgjedhja e Guvernatorit të Libanit më 1883. E veçanta në këtë rast është se bëhet fjalë për një person që duhej të vinte nga komuniteti katolik. Zhvillimet e mëparshme historike në Liban, në vitet 1860 kishin çuar në një marrëveshje mes Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha, që e kushtëzonte caktimin e Guvernatorit.
Ai përzgjidhej nga Sulltani, por emërohej vetëm pasi Fuqitë e Mëdha të jepnin pëlqimin e tyre. Kështu ndodhi edhe më 1883. Se si ka ecur procesi i kësaj përzgjedhjeje mes shqiptarësh, një pamje ndonëse jo të plotë, pasi ajo nuk është nga këndvështrimi osman, e japin burimet diplomatike britanike.
Ka të ngjarë që Sulltani ta ketë parapërgatitur gjithçka, ndonëse për këtë s’ka fakte konkrete. Por ajo që dihet është se njëri nga kandidatët, pak muaj më parë ishte “internuar” në Stamboll. Duke qenë se më pas ai do të shkojë e qëndrojë për vite me radhë në Liban, ndonëse nuk u përzgjodh guvernator, të bën të dyshosh për këtë.
Fjala është për Prenk Bib Dodën, në atë kohë vetëm 24-vjeçar, por që më pas do të bëhej një figurë e spikatur në historinë e Shqipërisë. Përkundër dobësive të thella që ai kishte, për të marrë postin e guvernatorit, Abdylhamiti, përsëri e gjen zgjidhjen te një tjetër shqiptar, por i spikatur në qeverisje. Ai është Vaso Pasha.
Një fashikull i plotë me korrespondencat e Foreign Office me ambasadorët në vendet kryesore të asaj kohe e pasqyron me detaje këtë përzgjedhje.
Fundi i mandatit të Rustem Pashës
Hugh Wyndham, ambasadori britanik në Stamboll, më 15 janar 1883 njofton sekretarin e shtetit për punët e jashtme në Foreign Office, Earl Granville, se Porta e Lartë ka në shqyrtim çështjen e rizgjedhjes së Rustem Pashës si Guvernator i Libanit. Rustem Pasha ishte një katolik roman, qytetar italian nga Firencia, por që ishte natyralizuar në pasha osman. |
Në telegramin e tij ambasadori shton se “pala franceze, i kundërvihet rizgjedhjes së Rustem Pashës”. Madje në Stamboll, thotë ai, ka ardhur një përfaqësues që siç thotë, në emër të popullatës së Libanit, do t’i paraqesë një Peticion Vezirit të Madh. Më tej thuhet se Arif Pasha (ministri i Jashtëm osman) dhe Veziri i Madh janë fuqimisht në favor të Rustem Pashës dhe do të bënin më të mirën për rizgjedhjen e tij.
Vetë Rustem Pasha në atë kohë kishte kërkuar të kthehej në Stamboll; por qeveria osmane e kishte refuzuar kërkesën e tij. Dy javë më vonë (31 janar 1883) Granville u kërkon përfaqësuesve të Madhërisë së Saj në Paris, Berlin, Vjenë, Romë dhe Shën Petërsburg se “Është shumë e dëshirueshme dhe në interes të rendit dhe mirëqeverisjes që të ripërtërihet emërimi i Rustem Pashës. Kërkojmë që të transmetohet pranë Portës së Lartë kjo pikëpamje”. Por Franca është kundër. Më 9 shkurt 1883, nga Parisi për në Londër shkon ky telegram ku ndër të tjera shkruhet “se raportet e marra nga diplomatët francezë dhe Agjentët Konsullorë theksojnë se riemërimi i Rustem Pashës do të çonte në një lëvizje të rrezikshme për paqen në Lindje.
Shpreh shpresën se qeveria e Madhërisë së Saj, do të autorizojë Përfaqësuesin e vet në Kostandinopojë për t’u bashkuar me francezët, për të bërë të mundur zgjedhjen e disa kandidaturave të tjera”. Në këtë mënyrë do të marrë fund qeverisja e Libanit nga Rustem Pasha.
Kandidatura e Prenk Bib Dodës
Britanikët nuk kundërshtojnë. Sekretari Granville më 26 mars 1883 i shkruan vartësit të tij në Paris se “Qeveria e Madhërisë së Saj nuk ka asnjë kandidat të favorizuar për postin e Guvernatorit të Libanit, dhe nuk përjashton asnjë person tjetër të përshtatshëm”. Tre ditë më vonë më 29 mars 1883 nga Parisi, përfaqësuesi britanik njofton se “Ministri i jashtëm francez M. Challemel-Lacour më tha që Sulltani kishte zgjedhur Prenk Doda, Princi i Mirditës, për emërimin si Guvernator i Libanit dhe se përzgjedhja ishte bërë personalisht nga vetë Sulltani. Ai më tha se qeveria franceze nuk ka ndërmend të ngrejë asnjë kundërshtim ndaj tij”.
Po atë ditë nga Stambolli në Londër shkon ky telegram: “Prenk Bib Doda është kandidat i Portës së Lartë për Guvernator të Libanit. Ai është katolik roman, rreth 24 vjeç dhe është shefi i mirditorëve shqiptarë. Gjatë vitit të kaluar ai është arrestuar dhe mbahet këtu si një i burgosur politik dhe ende konsiderohet si i tillë”.
Dy ditë më pas, më 31 mars 1883, nga Stambolli ambasadori njofton sekretarin Granville. “Kam nderin t’ju informoj se në mbledhjen e mbajtur këtë pasdite mes Përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha dhe Arif Pashës, ministri i Punëve të Jashtme, u tha se Prenk Bib Doda është propozuar si kandidat për guvernatorin e Libanit. Kandidatura e tij u mbështet nga ambasadori francez. Përfaqësuesit austriakë, gjermanë dhe italianë thanë se ishin të përgatitur për të dhënë pëlqimin e tyre me kusht që kolegët e tyre të tjerë të ishin dakord. Ministri rus dhe unë deklaruam se, në mungesë të udhëzimeve, ne duhet t’u referojmë qeverive tona për qëndrimin që do të mbajmë. Në një bisedë me mua ministri rus, u shpreh në terma të pafavorshëm për kandidatin aktual”.
Edhe britanikët do të jenë shumë shpejt kundër. Më 3 prill 1883, Londra i kërkon ambasadës në Stamboll: “Informoni ministrin për Punë të Jashtme se Qeveria e Madhërisë së Saj është kundër përzgjedhjes së Portës së Lartë për Guvernatorin e Libanit”. Ndërkohë që drejt Parisit shkon telegrami i datës 4 prill 1883 ku thuhet “komunikoni me M. Challemel-Lacour, dhe të deklaroni se sipas informacionit të marrë nga Qeveria e Madhërisë së Saj, Princi është vetëm 24 vjeç dhe nuk mund të caktohet për të qeverisur pasi është absolutisht pa përvojë ose njohuri të gjuhës dhe njerëzve. Ne mendojmë se nuk do të ishte e lavdërueshme për Francën dhe Anglinë që të mbështesin kandidaturën e tij për një post me aq përgjegjësi”.
Por francezët nuk tërhiqen. Në përgjigje vjen telegrami i 5 prillit 1883 “M. Challemel-Lacour u përgjigj se qeveria franceze ishte plotësisht e bindur pasi e shqyrtoi të gjithë çështjen dhe se ata ishin ndier të detyruar të përkuleshin ndaj vendimit të Sulltanit, dhe se ata tashmë nuk mund të tërhiqnin pranimin e tyre për atë emërim”.
Ndërkohë nga Stambolli ambasadori britanik njofton se “kam takuar dhe biseduar me Prenk Bib Dodën, i cili, pavarësisht nga të gjitha konsideratat e tjera, më duket mjaft i paaftë për postin. Ky mendim është pothuajse i të gjithëve këtu, me përjashtim të ambasadorit francez. Kandidati, besoj, se do të preferonte të kthehej në vendin e tij”.
Më 16 prill ambasadori nga Stambolli e njofton sekretarin Granville: “Kam nderin t’ju raportoj se Arif Pasha, me një ftesë të datës 14, ftoi Përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha për t’u takuar përsëri sot për të arritur një marrëveshje për një pasardhës të Rustem Pashës si Guvernator i Libanit, dhe takimi u bë në Portën e Lartë pasdite. Arif Pasha shprehu shpresën se do të gjendej unanimitet për emërimin e princit Bib Doda.
Ambasadori francez përsëri e mbështeti kandidaturën e tij, po ashtu dhe austriakët e gjermanët. Unë vura në dukje të Arif Pashës se Qeveria e Madhërisë së Saj nuk kundërshtonte asnjë kandidat të Portës së Lartë, por që në këtë rast kërkonte të dinte nëse ishte marrë në konsideratë mosha e re dhe mungesa e përvojës dhe njohjes së gjuhës lokale nga Princi Bib Doda. Lartësia e tij deklaroi se ai do ta referonte kërkesën time. Pas mbarimit të takimit formal, pata një bisedë të shkurtër me Arif Pashën, dhe Lartësia e tij më pyeti nëse unë mund të jepja një përgjigje të favorshme për zgjedhjen e Princit Bib Doda, nëse qeveria e Madhërisë së Saj do të kishte të njëjtin mendim. Unë u përgjigja se unë nuk mund të përgjigjem në emër të Qeverisë së Madhërisë së Saj, por se mendimi im personal ishte se Princi ishte një person i papërshtatshëm për atë post”.
Pesë ditë më vonë, më 19 prill, pavarësisht presionit francez, Londra njoftohet nga Stambolli: “Kam nderin t’ju informoi se ambasadori francez kishte kërkuar një takim të tretë, që u mbajt sot në Portën e Lartë, në lidhje me zgjedhjen e Guvernatorit të Libanit. I përcolla përsëri Arif Pashës qëndrimin e Qeverisë së Madhërisë së Saj, dhe ai më tha se duke qenë se ka kundërshtime për Prenk Bib Dodën, Porta e Lartë ka vendosur të tërheqë kandidaturën e tij dhe do të sjellë emrin e një personi tjetër për miratim”.
Kandidaturat e tjera
Më 21 prill ambasadori Wyndham, nga Stambolli njofton Granville: “Kam nderin të informoj zotërinë tuaj se një listë e re me emra për postin e guvernatorit të Libanit u paraqit natën e kaluar nga Madhëria e Tij, Sulltani, dhe ato janë si më poshtë: Vasa Efendi, Gjeneral Lejtnant në Adrianopojë; Cumudian Efendi, Nënsekretari i Shtetit për Miniera dhe Pyje; Danish Efendi, Konsull i Përgjithshëm në Raguzë; Pertef Efendi, mbajtës i një posti gjyqësor në Adrianopojë; dhe Nasri Beu, Sekretar i Ambasadës në Vjenë”.
Në vijim më 24 prill, ambasadori njofton se “Në telegramin tim të datës 21 pata nderin të komunikoj për Zotërinë Tuaj një listë me emrat e personave që i kishin shkuar Madhërisë së Tij Sulltanit, për të përzgjedhur Guvernatorin e Libanit, në mesin e të cilëve janë: Vassa Efendi, një katolik roman shqiptar, për të cilin është folur mirë si një punonjës aktiv i Vilajetit të Adrianopojës, ku edhe ka mbajtur postin e zëvendësguvernatorit, dhe ku është vlerësuar si një nga qeveritarët më të mirë të Perandorisë. Pertef Efendi, aktualisht Prokuror i Përgjithshëm në Vilajetin e Adrianopojës, ku ka qenë edhe kryetar i Bashkisë dhe censor i shtypit, ka qenë dërguar në dy misione speciale në Serbi gjatë ose menjëherë pas luftës së fundit. Ai është një katolik armen dhe një anti-Hasunit. Xhujumudin Efendi, një katolik armen, për të cilin flitet shumë mirë, por kam mësuar se është në një shëndet të dobët dhe prandaj nuk dëshiron të pranojë emërimin. Nasri Beu, i biri i të ndjerit Franko Pasha, Sekretar i Ambasadës Turke në Vjenë, është konsideruar nga Qeveria e Madhërisë së Saj si një person i padëshiruar për atë post, dhe Ambasadori i Madhërisë së saj ka të njëjtin mendim. Danish Efendiu, konsull i përgjithshëm turk në Raguzë, është katolik roman, vlerësohet shumë; ka shoqëruar Fuad Pashën në Siri, dhe rrjedhimisht ka një njohje të mirë të vendit”.
Më 25 prill 1883 nga ambasadori në Stamboll drejt Londrës shkon njoftimi se “Arif Pasha, ministri i Punëve të Jashtme kërkoi mendimin tim personal për Danish Efendiun. Ai është ndoshta më i miri prej kandidatëve që përmenden në telegramin që të dërgova më 21 prill”. Po atë ai merr përgjigje nga Londra “Qeveria e Madhërisë së saj nuk ka asnjë kundërshtim për emërimin e tij në atë post”.
Nga Vjena ambasadori britanik atje njofton një ditë më vonë në Londër se ministri i jashtëm austriak i kishte thënë se “Danish Efendiu ishte një person i qetë dhe i ndjeshëm, por se ai nuk mund të thoshte nëse kishte ose nuk kishte cilësitë e një administratori efikas. Megjithatë ishte shumë më i përshtatshëm se Bib Doda”.
Nga Porta e Lartë dhe burimet e tjera diplomatike ka një heshtje disaditore. Por historiani libanez Lahat Hater, studiues i Pashko Vasës, citon një dokument arkivor sipas të cilit në maj 1883, sulltan Abdyl Hamiti e ka thirrur Vasa Pashën në audiencë dhe i ka dhënë “titullin e guvernatorit”. Më 6 maj ambasadori e njofton sekretarin Granville se “Përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha u takuan përsëri sot pas ftesës së marrë në mëngjes.
Ministri i Punëve të Jashtme, në vend që të propozojë, siç pritej, Danish Efendiun, deklaroi se kishte marrë urdhra për të paraqitur Vasa Efendiun, zëvendësguvernator i Vilajetit të Adrianopojës. Përfaqësuesit austriakë, francezë, gjermanë e italianë deklaruan se e pranonin Vasa Efendiun me kusht që Përfaqësuesit e Fuqive të tjera të ishin dakord”. Më 7 Maj 1883 nga Foreign Office Granville lëshon urdhrin për ambasadorin e tij në Stamboll “Informoni kolegët tuaj se Qeveria e Madhërisë së Saj është e gatshme të pranojë Vasa Efendi”.
Vaso Pasha, guvernator i Libanit
Më 9 maj 1883 ambasadori Wyndham njofton Granville se “Dje në mbrëmje Përfaqësuesit e Portës së Lartë dhe të Fuqive të Mëdha nënshkruan Protokollin që pranon Vasa Pashën si Guvernator të Libanit”. Ai përcjell në Londër Protokollin e këtij emërimi të nënshkruar në Portën e Lartë në mbrëmjen e 8 majit nga Lartësia e tij Arif Pasha, Ministri Osman për Punë të Jashtme dhe Përfaqësuesit e Gjashtë Fuqive të Mëdha (Britania e Madhe, Austro-Hungaria, Franca, Gjermania, Italia, Rusia) për administrimin e Libanit. Kështu Vasa Pasha u emërua Guvernatori i Libanit me një mandat dhjetëvjeçar.
Më 18 maj 1883, ambasadori njofton sekretarin Granville “Kam nderin t’i raportoj Zotërisë Suaj se dje pasdite kam patur një bisedë me Vasa Pashën, Guvernatorin e ri të emëruar të Libanit. I thashë Shkëlqesisë së Tij se Qeveria e Madhërisë së Saj kishte çdo arsye për t’u kënaqur me mënyrën se si Rustem Pasha kishte përmbushur detyrat e tij, dhe se pritej me besim rezultat i njëjtë edhe nga administrata e ardhshme e tij, dhe se Qeveria e Madhërisë së Saj, pasi dëgjoi se ai ishte përzgjedhur për atë post, e kishte dhënë menjëherë pëlqimin për emërimin e tij. Vasa Pasha më falënderoi dhe më tha se ai nuk e kishte kërkuar atë emërim, por që ishte emëruar nga Sulltani, dhe më pas u pranua nga Fuqitë e Mëdha. Ai tha se do të përpiqet të kryejë detyrën e tij sa më mirë me të gjithë aftësisë së tij. Ai e konsideroi këtë detyrë të jetë: së pari, për të ruajtur të drejtat e Madhërisë së Tij Perandorake; së dyti, për të mbrojtur çdo ndryshim në gjendjen ekzistuese e punëve, siç përcaktohet nga Statuti Organik; dhe, së treti, për të parë se si “të gjithë banorët e Libanit të qeverisen në mënyrë strikte e të paanshme. Shpreha për Vasa Pashën kënaqësinë time për programin e tij”.
Bashkëngjitur ai dërgon edhe këtë informacion: Deklarata e shërbimeve të kaluara të Vasa Pashës. Katolik shqiptar i fisit të Mirditës, Vasa Pasha, pasi ka mbajtur poste të ndryshme në kryeqytet, ka drejtuar zyra dhe ka përmbushur misione të rëndësishme në Shqipëri, Bosnjë, Hercegovinë, dhe në Mal të Zi. Ai pasoi Xhevdet Pashën në Aleppo, në pozitën e Këshilltarit dhe në disa raste drejtoi zyrën e zëvendësguvernatorit në disa provinca. Vaso Pasha, më pas u bë anëtar i Gjykatës së Apelit, dhe u thirr për të mbikëqyrur Zyrën e Shtypit.
Pas turbullirave në Bullgari ai pasoi Sadullah Pashën në Filipopolis, dhe më pas u emërua Komisioner Perandorak dhe u ngarkua me kryerjen e një hetimi pas masakrës në Batak. Pas kthimit në Kostandinopojë, ai u emërua këshilltar dhe pak kohë më vonë anëtar i Këshillit të Shtetit. Së fundi, ai u dërgua si zëvendësguvernator në Vilajetin e Adrianopojës, ku ai pati drejtimin e punëve civile të vilajetit deri në emërimin e Lartësisë së Tij Kadri Pasha. Në kohën e zgjedhjes së tij në postin e guvernatorit të Libanit, ai mbante në Adrianopojë postin e guvernatorit të rrethit të Adrianopojës”.
Ndërkohë më 3 qershor ambasadori njofton “Vasa Pasha u largua nga Stambolli më 31 maj për të marrë postin e tij të ri”.
Ndërkohë Konsulli i Përgjithshëm britanik në Bejrut i shkruan Londrës më 15 qershor 1883 se “Vasa Pasha mbërriti në Bejrut më 6 qershor. Korveta franceze “Infernet” e përshëndeti ardhjen e tij me nëntëmbëdhjetë të shtëna topi. Shkëlqesia e tij u prit nga një numër i madh funksionarësh të Libanit, Valiu dhe Mudiri, përfaqësues të Konsullatës së Përgjithshme të Francës etj. Guvernatori i ri u prit me nderime ushtarake. Paraardhësi i tij Rustem Pasha, e çoi atë me karrocën e vet në shtëpinë e përgatitur për pritjen e tij, ku pati takime me delegatët e konsullatave të ndryshme e funksionarë të tjerë.
Ditën tjetër, më 7 qershor Fermani Perandorak që e emëron Vasa Pashën Guvernator të Libanit u lexua me ceremoninë e zakonshme zyrtare, në prani të funksionarëve të Libanit, delegatët e konsullatave evropiane, dhe një turmë e madhe spektatorësh. Më 8 qershor Shkëlqesia e tij priti vizitat e zakonshme të kolegëve të tij dhe krerët e bashkësive të ndryshme fetare, për të vazhduar më pas ushtrimin e detyrave të tij si Guvernator”. Ishte përmbyllur kështu një proces disamujor, që do të çonte në krye të qeverisjes së Libanit, autorin e vargut të famshëm “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Ai do të mbajë postin deri më 26 qershor 1892, dita kur ndërron jetë në Bejrut në moshën 66-vjeçare. Adi Darsi
Vaso Pasha, emblema e patriotizmit shqiptar
I njohur më vonë edhe si Pashko Vasa efendi, ai u lind në Shkodër në vitin 1825. U shkollua në Venedik dhe Romë. Lexonte e shkruante turqisht, frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht dhe sllavisht. Fliste shqip, bullgarisht dhe arabisht. Karrierën e fillon më 1850, kur ishte vetëm 25 vjeç, në Zyrën e Përkthimit të Sarajit Perandorak përkthyes në zyrën e shëndetësisë.
Në 1856 kalon në Shkodër si përkthyes i administratës lokale osmane. Më pas vijon karrierën në Stamboll. Në vitin 1866, emërohet zv.drejtori e më pas drejtor për çështjet politike në Siri. Në 1868 kthehet në Stamboll si kryesekretari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e më pas anëtar i Gjykatës Penale dhe Civile. Në vitin 1875, u emërua kryetar i Komisionit të Reformave në Hercegovinë e më pas anëtar i Komisionit për Mbledhjen e Taksave në Bullgari.
Në vitin 1876 u caktua nëpunës për borxhet pranë zyrës së ndihmësvaliut të vilajetit të Manastirit dhe në gusht të vitit 1877, u emërua këshilltar në vilajetin e Kosovës. Në vitin 1878 emërohet anëtar i Këshillit të Shtetit, dhe më pas, merr si detyrë shtesë drejtimin e zyrës së shtypit dhe botimeve. Në shtator 1879 emërohet këshilltar i Vilajetit të Edernesë, ku punonte edhe Ismail Qemali. Më 10 korrik 1883 me titullin vezir, u emërua guvernator (mytesarif) i Libanit.
Ndërroi jetë në Bejrut më 26 qershor 1892. Veçse një shtetar osman Vaso Pasha është shkrimtar shumë i njohur. Ka shkruar vjershat në italisht “Rose e spine”-“Trëndafila e gjemba”, botuar në Stamboll më 1873, më 1887 boton në frëngjisht “Gramatikë e shqipes” dhe dy vjet më vonë boton “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” (La vérité sur l’Albanie et les Albanais, Paris 1879). Ai është autori i poezisë së njohur patriotike “O moj Shqypni!”, shkruar më 1880 dhe po atë vit boton edhe “Bardha e Temalit” (Barda de Témal, Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare.
Preng Bib Doda, Pashai mirditor
Preng Bibë Doda u lind në vitin 1860 në Orosh të Mirditës. Ai ishte i biri i Bibë Dodë Pashës nga dera e Gjonmarkajve, një familje që kanë qeverisur Mirditën për breza me radhë. Ashtu si babait të tij iu dha titulli Pasha nga osmanët. Fëmijërinë e vet e ka kaluar në Stamboll, prej nga ku në moshën 16-vjeçare rikthehet në Mirditë, më 1876. Me zhvillimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 3 prill 1880 ai emërohet zëvendës i Hodo pashë Sokolit për degën e Shkodrës.
Thuhet se ky është shkaku që Porta e Lartë mori vendimin për ta internuar në Anadoll, prej ku me ndihmën e Syrja bej Vlorës është liruar shpejt dhe rikthyer në Stamboll. Në vitin 1883, pasi Vasa Pasha zgjidhet guvernator, ai vendoset në Liban. Familja e Malhamëve në Beirut, i bëri kërkesë Stambollit që ta emëronin guvernator kur Vaso Pasha ndërroi jetë. Pasi nuk e merr atë post, rikthehet në Stamboll ku për vite me radhë do të shërbejë si drejtues i rojave perandorake në pallatin e Sulltan Abdylhamitit. Pas revolucionit xhonturk, rikthehet në Mirditë më 1908. Zgjidhet deputet në parlamentin osman. Më 26 prill 1911 formon në Fan qeverinë e Mirditës së bashku me arbëreshin Terenc Toçi.
Më 1912, merr pjesë në firmosjen e shpalljen e Pavarësisë dhe Ismail Qemali e emëron zëvendëskryeministër në qeverinë e tij. Në qeverinë pasardhëse të Turhan Pashës më 14 mars – 20 maj 1914, u emërua ministër i Punëve Botore. Në qeverinë e dytë të Turhan Pashës, më 28 maj – 3 shtator 1914 ishte ministër i Punëve të Jashtme.
Bashkohet me Princ Vidin të cilin e ndihmon në Kryengritjen e Shqipërisë së Mesme, ndaj të cilës lufton me trupat që kishte mbledhur në Mirditë, Zadrimë e Lezhë. Më 25 dhjetor 1918 u thirr në qeverinë e Turhan Pashës duke u emëruar zëvendëskryeministër. Më 1919 i shoqëruar me konsullin anglez Eden duke kaluar në rrugën për Shëngjin, në dalje të lumit Mat, i bëhet një pritë dhe vritet për gjakmarrje nga Ded Çoku. / KultPlus.com
Portali maqedonas MKD raporton se qytetarët e këtij vendi kanë raportuar tek autoritetet përgjegjëse se testet negative në koronavirus mund të blihen në Serbi edhe në pompa të benzinës.
Tash, që Maqedonia ka vënë kusht që qytetarët që futen nga Serbia të kenë një test negativ në COVID-19 jo më të vjetër se 72 orë, ata po gjejnë mënyra për të shmangur testimin e vërtetë, falë edhe ofertës.
Sipas raportimit të MKD.mk testet e falsifikuara negative mund të blihen nga 50 deri në 65 euro, transmeton KOHA.
“Transportuesit maqedonas të detyruar të paraqesin një test PCR jo më të vjetër se 72 orë për të hyrë në Maqedoni, tregojnë se në jug të Serbisë po bëhet biznes i mirë, por i paligjshëm. Testet negative PCR madje mund të blihen në një pikë karburanti në Vranjë”, ka shkruar MKD.
Sipas këtij portali, teste të tilla të falsifikuara mund të blihen edhe në Nish.
“Qytetarët maqedonas që kthehen në vendlindje përmes Aeroportit të Nishit u kanë raportuar shërbimeve të sigurimit se ata kanë pasur mundësinë për të blerë një test të falsifikuar negativ PCR për 50 euro në aeroport”, shkruan tutje MKD.
Sipas protokollit, çdo qytetar maqedonas në momentin e hyrjes në vend duhet të tregojë një test negativ jo më të vjetër se 72 orë, e nëse nuk e bën këtë, atëherë dërgohet në karantinë për 14 ditë.
Qeveritë e Maqedonisë dhe Serbisë nuk kanë reaguar në këto paralajmërime të qytetarëve.
Maqedonia është vendi më i prekur në rajon nga COVID-19.
Deri më tash ky vend ka shënuar 5.311 raste pozitive, ndërkohë që 251 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit. / KultPlus.com
Ditë më parë, më 20 qershor u shënua Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve.
Personazhe të famshëm nga mbarë bota kanë kujtuar ata që vuajnë më së shumti në mungesë të kushteve elementare, e që shpesh janë refugjatët në vende të huaja.
Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është një nga yjet e famshëm të tregut ndërkombëtar, e cila rrjedh nga një familje refugjate.
Familja e saj u shpërngul në Mbretërinë e Bashkuar nga Kosova, në vitet ‘90.
Ka qenë babai i këngëtares, Dukagjin Lipa, ai i cili në një sërë fotografish prekëse të publikuara në rrjetin social, ku shfaqen refugjatët nga lufta e fundit në Kosovë dhe ata sirianë që Dua vizitoi një vit më parë në Liban, ka shkruar disa fjalë për refugjatët.
“Dje ne kujtuam kohën kur para 21 vitesh mbi 1 milion shqiptarë të Kosovës u nxorën nga shtëpitë dhe u larguan nga vendi i tyre, si shkak i fushatës brutale të spastrimit etnik nga forcat serbe në Kosovë. Në të gjitha “Ditët Botërore të Refugjatëve”, dhe në çdo ditë tjetër ne do të jemi pranë refugjatëve dhe njerëzve të shtypur në vuajtjen e tyre. Shpërndani dashuri, jo luftë.”
Ky postim është shpërndarë më pas nga Dua Lipa, e cila u ka treguar mbi 47 milionë njerëzve që e ndjekin në Instagram, situatën e tmerrshme në të cilën ndodhej vendi i saj dikur dhe padyshim peripecitë e saj si emigrante.
Ndonëse Dua ka lindur në Britani të Madhe, pasi prindërit e saj emigruan gjatë luftës, në 2006 ajo është rikthyer në Kosovë, për tu larguar më pas sërish drejt Mbretërisë së Bashkuar ku edhe arriti majat. / KultPlus.com
Një ndër destinacionet më tërheqëse të qytetit të Përmetit është edhe “Guri i qytetit”, një masiv shkëmbor anës lumit Vjosë, 42 metra i lartë dhe 650 metra katrorë.
Sipas gjeologëve “Guri i qytetit” është shkëputur nga mali i Dhëmbelit pas një tërmeti, kurse legjenda tregon ndryshe.
Sipas legjendës Kryezoti i krahinës Premti, që i dha emrin qytetit, kishte ndërtuar mbi Gurin e qytetit një kala. Sot kalaja është rrafshuar. Kanë mbetur muret, dëshmi e legjendës. Ishte fundi i shekullit XIV kur ushtria e Sulltan Mehmetit pushtoi Janinën. Pas Janinës i erdhi radha Përmetit. Premti kishte vdekur dhe kryezot i qytetit ishte nipi i tij, Gjergji, i cili kishte një vajzë, Diestrën me foshnjë në gji.
Një natë turqit mbërritën në qytet. Kryezoti ishte jashtë tij. Në kështjellë ishte vetëm vajza. Turqit kërkuan çelësat e fortesës dhe dorëzimin e vajzës. Diestra mori në dorë djepin me djalin dhe u hodh nga maja e shkëmbit. Në rrëzë të “Gurit të qytetit”, gjendet një gur i lëmuar ku u përplas Diestra. Mbi gur ka disa shenja: Dora e foshnjës ose vijat e djepit.
“Qyteti i trëndafilave”, siç njihet ndryshe qyteti i Përmetit, vitet e fundit vijon të jetë në qendër të udhëtimeve të turistëve të shumtë vendas e të huaj, të cilët kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik. /atsh / KultPlus.com
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka hartuar Koncept Dokumentin për ekspozitën etnologjike e cila së shpejti planifikohet të ridizajnohet në sektorin etnologjik të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përcjellë KultPlus.
Ekspozita do të ketë për qëllim informimin e vizitorëve për mënyrën e jetesës së popullatës të trevave shqiptare, me fokus të veçantë në artin tradicional, si dhe trajtimin e vlerave të Trashëgimisë Kulturore përmes artit tradicional.
Samir Hoxha, Drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore tregon se përmes këtij koncept dokumenti do të bëhet ridizajnimi i sektorit etnologjik në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me ç’rast synohet të arrihet aplikimi i metodave të ndryshme instruktive, përmes të cilave do të përcillet tek vizitorët.
Prezantimi përveç se vizualisht në formë fizike planifikohet të përcillen edhe me video, audio (muzikë), reprodukime, teksturë (të prekshme) që mund t’u japë qasje çdo vizitori të ndjejë dhe të përjetojë artin tradicional të pasqyruar përmes kësaj ekspozite në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, thekson drejtori i këtij institucioni Samir Hoxha.
Duke u bazuar në koleksionin ekzistues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të sektorit etnologjik vizitori mund të mësojë për artin tradicional të shprehur përmes zejeve të ndryshme.
Koleksioni i pasur me tekstil mund të paraqesë veshje të burrave, djemve, grave, nuseve dhe vajzave myslimane, katolike dhe ortodokse nga trevat shqiptare njëkohësisht duke treguar për llojllojshmërinë e ngjyrave, mënyrës së punimit, materialit dhe formave që ato paraqesin.
Grupi punës i ekspozitës do të angazhohet në bashkëpunim me dizajnerin e enterierit, dhe të brendimit të ekspozitës për organizmin e hapësirës në mënyrë që koncepti të jetë në përputhje me hapësirën aktuale në kuadër të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com
Kreu i Organizatës së veteranëve, Hysni Gucati, ka bërë thirrje për udhëheqësit e Kosovës dhe liderët e partive politike që të kenë qëndrime të njëjta para takimit me Serbinë në Uashington.
Gucati në një shkrim në Facebook ka thënë se kjo duhet të ndodhë për të mirë të vendit, derisa kanë bërë thirrje që klasa politike të bashkëpunojnë e të jenë shembull i unitetit në vend dhe në rajon.
“Vetëm të bashkuar mund të ecim tutje dhe të kemi zgjidhje sa me të mirë për Kosovën, ne veteranët e UÇK-së nuk kemi luftuar që sot klasa politike dhe udhëheqëse e vendit të jenë të ndarë dhe të mos mund të kenë qëndrime të njëjta, tani është mundësia e tyre dhe momenti historik të tregojnë se ja duan të mirën Kosovës duke qenë të bashkuar dhe duke e përfaqësuar Kosovën sa me dinjitetshëm në Washington, delegacioni i Kosovës duhet të ia kujtojë Serbisë vrasjet, plaçkitjet, shkatërrimet, dhunimet e të gjitha krimet që i ka bërë ndaj popullatës shqiptare civile në luftën e fundit në Kosovë”, ka thënë ai. /KultPlus.com
Janë të shumta figurat e grave shqiptare që kanë bërë histori. Guximi, fuqia, mençuria dhe vendosshmëria e tyre shpesh janë bërë inspirim për të tjerët.
Piktori i njohur shqiptar me famë evropiane që jeton e vepron në Austri, ka sjellë për artdashësit portretet e 10 grave shqiptare përmes të cilave kërkon drejtësi dhe barazi për gratë shqiptare, shkruan KultPlus.
Në albumin e tij të fundit, piktori Freitag ka portretizuar Nënën Terezën, Nexhmije Pagarushën, Dua Lipën, Rita Orën, Klara Budën, Jeta Zymberin, Keti Berishën, Rudina Papajanin, Amantian dhe Favzia Fuad.
Sipas tij këto gra shqiptare kanë kontribuuar jashtëzakonisht shumë, secila në fushën e saj.
Ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vendin tonë, dukë përfshirë dhunimet e grave dhe keqtrajtimet, e kanë shqetësuar artistin i cili përmes artit të tij ka vendosur të bëjë thirrje për drejtësi e barazi.
“Këto 10 portrete janë ndër më të dashurat për mua dhe ishte një mbledhje spontane. Por këtë iu kushtoj të gjitha grave që i kam portretuar gjer më tani. Unë e përcjelli edhe ngjarjen aktuale në vendlindje dhe e ndjeva të domosdoshme një reagim timin, për t’i përkrahur gratë shqiptare, të cilën punë unë me art e bëj gjithmonë.” – ka thënë Freitage për KultPlus.
Krejt për fund, artisti Freitage, është shprehur se do të vazhdojë të portretizojë figurat e shquara dhe punëtore të grave shqiptare, përmes të cilave do të vë në pah fuqinë e tyre. / KultPlus.com
Mungesa e daljes lirshëm që nisi 10-ditshin e dytë të marsit për shkak të pandemisë së COVID-19 ka bërë që shumica e shqiptarëve të kërkojnë variante alternative për të kaluar kohën dhe zgjidhja pjesërisht ka qenë interneti. Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se për janar-mars pati një ulje të komunikimit me telefonata dhe mesazhe dhe një kërcim me 47.3 për qind të internetit.
“Sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celulare gjatë T1 2020 ishte rreth 20 Milion GByte. Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur 3.87 GB Internet në muaj në T1 2020, që përbën një rritje me 12.4% në krahasim me T4 2019 dhe një rritje me 47.3% krahasuar me T1 2019. Konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë T1 2020 ishte: 171 minuta dalëse, 27 SMS dhe 3.87 GB Internet. Krahasuar me T4 2019, konsumi mesatar i thirrjeve pati një rënie me 5.4%, konsumi mesatar i SMS-ve pati një rënie me 17.3% dhe konsumi mesatar i internetit u rrit me 12.4%” thuhet në publikimin e AKEP.
Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në fund të T1 2020 ishte rreth 3,257,057 që përbën një rënie me 3.6% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe një rënie me 11.1% në krahasim me T1 2019. “Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T1 2020 arriti në rreth 2.48 milionë që përbën një rënie me rreth 1.4% me T4 2019 dhe rënie me 0.3% në krahasim me T1 2020; Numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare në T1 2020 ishte rreth 1.7 milionë që përbën një rënie me 3% me tremujorin e mëparshëm, dhe një rënie me 7.4% në krahasim me Tremujorin e parë 2019” vlerëson AKEP.
Shifrat tregojnë një rënie totale të komunikimit si në rrjetet kombëtare ashtu edhe në ato me jashtë. Kështu totali thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri në T1 2020 ishte rreth 1.27 miliardë minuta, me një rënie prej 6.7% në krahasim me tremujorin paraardhës dhe me një rënie prej 5.4% me T1 2019. Sasia e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare (off-net) u ul me 6.9% në krahasim me T4 2019 dhe u ul me 5% në krahasim me një vit më parë në T1 2019.
Sasia e thirrjeve on-net u ul me 6.5% në krahasim me T4 2019 dhe pësoi një rënie me 5.6% në krahasim me T1 2019. Proporcioni i thirrjeve on-net/off-net në T1 2020 ishte 57%/41% njëlloj me T1 2019 (pjesa mbetur 1% thirrje me rrjetet fikse kombëtare dhe 1% thirrje ndërkombëtare)./Monitor / KultPlus.com
Aktorja Mary Pickford më 24 qershor të vitit 1916, bëhet ylli i parë femër që nënshkroi kontratë miliona dollarëshe në Hollywood.
Lindur në Toronto, Kanada më 1892, e pagëzuar si Gladys Mary Smith, ajo u bë aktore, regjisore dhe skenariste e njohur me emrin ‘e dashura e Amerikës’ në periudhën e filmit pa zë.
Vdiq më 1979, në Santa Monika, Kaliforni. /KultPlus.com
Studiuesja Elena Kocaqi sjell një studim për “Shqipërinë dhe fuqitë e mëdha 1878-1918”. Ajo ndalet tek fuqitë që ndikuan negativisht në interesat e shqiptareve, siç është Rusia që kërkonte zgjerimin e elementit sllav në Ballkan.
Studiuesja Elena Kocaqi boton studimin “Shqipëria dhe fuqitë e mëdha 1817-1918”. Në fokus është roli që kanë luajtur fuqitë e mëdha në copëtimin e trojeve shqiptare. Kocaqi rendit se si këto fuqi nuk morën parasysh asnjë parim kombësie, por vetëm fetar, kur ndan territoret shqiptare. Ajo shton se fuqia që ndikoi negativisht në zbatimin e territoreve shqiptare është Rusia, kur mori kultus-protektoratin mbi ortodoksit e Ballkanit në fund të shekullit XVIII.
“Unë jam munduar që përmes dokumenteve diplomatike dhe arkivore të sjell një histori të Shqipërisë me fuqitë e mëdha, të pacensuruar. Pa diskutim që perandoria ruse ka qenë e para, ku mori kultus-protektoratin mbi ortodoksit e Ballkanit, që ka pasur qëllim të zgjeronte në mënyrë artificiale elementin sllav dhe elementin ortodoks në Ballkan. Edhe me anë të kësaj arriti të krijonte disa shtete, si është shteti grek si kundërpeshë ndaj shtetit osman, që i mbronte me anë të fesë sesa me anë të etnisë. Pavarësisht se shqiptarët ishin ata që kontribuuan në krijim e shtetit grek. Po e njëjta gjë u bë edhe në Serbi, që u krijua me insistimin rus në territoret e Shqipërisë së Veriut, po njësoj edhe në Mal të Zi, që doli në det edhe përfitoi një pjesë të territoreve të malësisë tonë”, thotë Kocaqi.
Rusia, sipas Kocaqit, u mjaftua me krijimin e këtyre shteteve dhe mbi popullsinë shqiptaro-ortodokse, por vazhdoi zgjerimin e këtyre shteteve ne trojet shqiptar gjatë viteve 1877- 1878.
“Ndikimi ka qenë i jashtëzakonshëm, se të gjitha këto janë bërë me mbështetjen ushtarake dhe politike ruse tek fuqitë e mëdha, e cila ka luftuar shumë fort, që të rrëmbejë territore shqiptare edhe t’ua jap shteteve fqinje… Aty u vendos marrja e terrorit nga Mali i Zi, një pjesë e territorit të Serbisë Qendrore edhe Jugore që është marrë po nga Vilajeti i Kosovës, apo nga territori i Shqipërisë së Veriut, ku popullsia u zhduk brenda një jave, sepse forcat serbe e çuan në drejtim të Turqisë, duke vrarë, asimiluar edhe dëbuar. Është një holokaust i vërtetë ai që ka ndodh asokohe, por që faktet historike janë të tilla, që shumë shqiptarë u drejtuan në drejtim të Turqisë vetëm se ishin myslimanë edhe jo ortodoks. Kjo është bërë nga Rusia”, shprehet ndër të tjera studiuesja Eleni Kocaqi.
Studiuesja Elena Kocaqi përfundon, duke e konsideruar këtë periudhë, si më të rëndësishmen, që ka vendosur të ardhmen politike të kombit shqiptar. / KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare Erza Muqolli e cila është lindur dhe rritur në Francë, sukseset e të cilës janë tejet të mëdha në krahasim me moshës që ka, po vazhdon të dëshmojë që rrugëtimi i saj në muzikë do të jetë i gjatë e përplot surpriza, shkruan KultPlus.
Në mëngjesin e sotëm, ajo ka lansuar këngën e re e cila vjen në bashkëpunim me “Ekipin e Gjelbërt”.
Ekipi i Gjelbër është një kolektiv i artistëve të brezit të ri dhe artistëve më të rritur të cilët janë mobilizuar për një qëllim të vetëm.
Kjo është një këngë në partneritet me fondacionin GoodPlanet, themeli i Yann Arthus-Bertrand, misioni i të cilit është të vendosë ekologjinë në zemër të ndërgjegjes dhe të ngjall dëshirën për të vepruar konkretisht për tokën dhe banorët e saj.
Ekipi i Gjelbër është shprehur se Erza Muqolli i këndon shpresës e rinisë me “Fëmijët e botës”.
Kënga vjen e shoqëruar me një videoklip tejet të mirë, shumë domethënës dhe na sjell Erzen të rrethuar me “fëmijët e botës”. / KultPlus.com
Prishtinës i është shtuar një dyqan me finesë të lartë. Duke dashur të bëjë diferencën dhe të sjell një linjë ndryshe dhe shumë më të veçanta nga ato që jemi mësuar t’i shohim zakonisht. Këtë linjë e sjell blogerja e njohur dhe tashmë biznismenja, Tea Belegu.
Tea thotë se që e vogël ka filluar të merret me dizajn, në fillim duke e konsideruar në hobi e më vonë filloi t’i kthehet në një dashuri të cilës ju përkushtua deri sa mori guximin të sjell edhe linjën e saj të titulluan Tea Belegu.
Meqenëse një ëndërr e vjetër, Tea tregon se arsyeja e hezitimit deri tani ishte frika që nuk do mund ta prodhojë kualitetin dhe origjinalitetin që e dëshiron, por ajo thotë se me shumë mund dhe përkushtim çdo gjë është e mundur!
Shumica e dizajneve të saj janë unike, vetëm një në treg dhe Tea thotë që janë të punuara për ata të cilët dëshirojnë që veshja e tyre të jetë speciale dhe të dallojë nga të gjithë!
Dyqani “Tea Belegu” gjendet në Prishtinë, Rr. “Fehmi Agani” (te kafet e vogla). / KultPlus.com
Microsoft Corp të martën ka vendosur një synim pesë vjeçar të diversitetit për të adresuar pabarazinë raciale në zyrat e saj, pas protestave për brutalitetin e policisë kundër afrikano-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara, raporton Reuters.
Kompania ka thënë se do të shtojë edhe 150 milionë në diversitet dhe investime gjithëpërfshirëse për të dyfishuar numrin e afro-amerikanëve në kompani, përfshirë këtu edhe menaxherët, kontribuues seniorë individualë dhe liderë seniorë në SHBA deri më 2025, transmeton KOHA.
Vrasja e George Floydet nga policia në Minneapolis ka ndezur protesta të mëdha në SHBA kundër pabarazisë racore. / KultPlus.com
Në Austri kishte ardhur për të vazhduar studimet e ndërprera në ekonomi. Por, ëndrra për artin nuk e linte të qetë. Kështu, Astrit Alihajdaraj bëhet aktor i dalluar i filmit dhe teatrit austriak.
Aktori Astrit Alihajdaraj po bën hapa të rëndësishëm në karrierën e tij artistike në Austri. Djaloshi nga Istogu është bërë shumë i njohur për publikun austriak, duke qenë personazh kryesor i shumë filmave dhe shfaqjeve teatrale si në Kosovë, ashtu edhe në Austri. Astriti është pjesë e shumë serive televizive që transmetohen në televizionet austriake, ndërsa filmi “Gone Back” në të cilin ka marrë pjesë Astriti, në “Javën e filmit shqiptar” në Nju-Jork ka fituar çmimin “Filmi më i mirë” dhe “Aktori më i mirë”.
Vite më parë Astrit Alihajdaraj kishte konkurruar për t’u regjistruar në Fakultetin e aktrimit në Prishtinë, por nuk ishte pranuar. E kishte regjistruar ekonominë duke i shuar shpresat se mund të realizonte ëndrrën e tij. Situata në të cilën gjendej Kosova në vitet e 90-ta, si shumë të rinj të tjerë, edhe Astritin e largoi nga Kosova për të vazhduar studimet në Austri. Këtë mundësi e pati falë vëllait të tij, Xhevdetit, i cili ishte një nga studentët e parë shqiptarë të kohëve të reja në këtë shtet.
Në Vjenë Astriti erdhi për të vazhduar studimet e ekonomisë. Por, shpirti artistik i tij nuk e linte rehat. Kështu, ai sillej vërdallë teatrove të Vjenës ose lexonte çdo ditë gazetat që shkruanin për aktrim.
Kur “ndez” me të parën!
Papritur, një ditë sheh në gazetë një konkurs, ku një agjenci filmi kërkonte statistë për një film. Pa menduar shumë, djaloshi nga Istogu vrapoi të konkurrojë me shpresën se të paktën do ta shihte veten në një film. Aty filloi e gjitha. E njëjta agjenci Astritit ia ofron rolin kryesor në filmin “Nordrand”, nga ku edhe fillojnë ëndrrat t’i bëhen realitet.
”Ishte viti 1999 kur mora pjesë në filmin “Nordrand” të regjisores Barbara Albert. Ky film u bë shumë i suksesshëm, duke marrë pjesë në festivalin e Filmit në Venedik dhe duke u shpallur si filmi më i mirë i Austrisë në atë vit. Me këtë film filloi një epokë e re e filmit në Austri, pasi që filmi ynë mori pjesë pas shumë dekadave përsëri në festivalin e Venedikut.
Gazeta prestigjioze austriake “Der Standard” ka mbledhur filma të vjetër dhe të rinj austriakë, duke i renditur këta filma sipas pëlqyeshmërisë. Filmi “Nordrand” renditet në vendin e parë dhe kjo më ka bërë shumë krenar”, thotë për albinfo.at Astriti, i cili arriti t’i përfundojë edhe shkollimin për aktrim në Austri.
Ky film për aktorin shqiptar ishte vetëm fillim i roleve të shumta që pasojnë më vonë qoftë në teatër apo në kinematografinë austriake. “Nuk më ka interesuar të bëj listë të gjatë të roleve të mia. Përveç filmave të ndryshëm, në të cilët kam marrë pjesë, siç janë: “Nordrand”, “Tatort”, “Balkan Traffic”, “Schnell Ermittelt”, “Medcrimes”, Gone Back”, e të tjerë, rëndësi të veçantë kanë edhe angazhimet e mia në shfaqje të ndryshme teatrale.
Në festivalin e filmit në Nju-Jork, shpallet aktori më i mirë
Këtu duhet të theksoj pjesëmarrjen time vite me radhë në “Festspiele Reichenau” nga ku kam bashkëpunuar me aktorët më të mirë gjermanofolës. Nuk mundem pa i përmendur edhe rolet e mia në filmat shqiptarë, veçanërisht në filmin e Agim Sopit, “Agnus Dei”, në të cilin pata fatin të luaj po ashtu me aktorët më të mirë shqiptarë”, tregon aktori Alihajdaraj për përvojat e tij artistike.
Ndërkaq, ai e zbulon për “albinfo.at” se në Kosovë ka hapur edhe produksionin filmik “Illyria Film” me të cilin kanë xhiruar filmin “Gone Back” me regji të Ernest Mehollit. Pos shumë aktorëve të huaj, në këtë film luan edhe aktori tjetër shqiptar, Blerim Destani. Me filmin “Gone Back” aktori shqiptar mori pjesë në “Javën e filmit shqiptar” që u mbajt në Nju-Jork, me ç’rast ky film fitoi çmimin “Filmi më i mirë” dhe “Aktori më i mirë”.
“Në Amerikë u mbajt “Albanian Film Week” apo “Java e filmit shqiptar” që u organizua në Nju-Jork. Ndihem shumë i lumtur që filmi ynë “Gone Back” pati hapur edicionin e atij viti, dhe nga afro 50 filma shqiptarë, ai fitoi dy çmime: “Filmi më i mirë” dhe “Aktori më i mirë”, u shpreh ai.
Aktori Alihajdaraj tash e sa vite është pjesë e filmave dhe serialeve të njohura televizive në Austri dhe Gjermani. Ai përmend filmin e parë “The Remigrant” që e ka realizuar si regjisor në vitin 2017 i cili ka marrë pjesë në më shumë se 20 festivale ndërkombëtare. Filmi kishte premierën në “Dokufest” në Kosovë, pastaj vazhdoi në “Tirana International” ku u nderua me çmimin “Special Mention”. Rrugëtimin e tij e vazhdoi në festivale ndërkombëtare si: ”This Human World” në Vjenë, “Queens World Film Festival” në Nju-Jork, “Souq Film Festival” në Milano e pastaj në Oslo, Moskë, Londër, në Bursa të Turqisë, Riga të Lituanisë e të tjerë.
“Përveç suksesit të filmit të parë “The Remigrant” si regjisor, viteve të fundit kam qenë shumë aktiv në televizionet austriake dhe gjermane si aktor duke luajtur në filma dhe serie të ndryshme, si: “Südpol”, “Soko Kitzbühel – Unten”, “, “Walking on Sunshine” të transmetuar në televizionin ORF, pastaj filmi kriminalistik kroat “Der Henker” (Xhelati) në ARD, “Kommissar Lucas” në ZDF, “Alarm für Cobra” në RTL e shumë filma të tjerë televizivë dhe shfaqje teatrale”, ka thënë ai.
Aktori Astrit Alihajdaraj ka deklaruar se është në përgatitje të shumë projekteve të reja filmike dhe teatrale, të cilat do të shfaqen gjatë vitit 2020, detaje të cilat konsideron se ende është heret për t`i bërë publike.
Box 1
Aktor në filmin më të suksesshëm austriak të të gjitha kohëve
”Ishte viti 1999 kur mora pjesë në filmin “Nordrand” të regjisores Barbara Albert. Ky film u bë shumë i suksesshëm, duke marrë pjesë në festivalin e Filmit në Venedik dhe duke u shpallur si filmi më i mirë i Austrisë në atë vit.
Box 2
Ka provuar veten edhe si regjisor
Aktori Alihajdaraj tash e sa vjet është pjesë e filmave dhe serive të njohura televizive në Austri dhe Gjermani. Ai përmend filmin e parë “The Remigrant” që e ka realizuar si regjisor në vitin 2017, i cili ka marrë pjesë në më shumë se 20 festivale ndërkombëtare. Filmi kishte premierën në “Dokufest” në Kosovë, pastaj vazhdoi në “Tirana International”, ku u nderua me çmimin “Special Mention”. /Albinfo.ch /KultPlus.com
Është lansuar traileri i parë i versionit filmik të shfaqjes së suksesshme të Broadwayit, “Hamilton”, i cili do të lansohet në platformën Disney+.
Në rolin protagonist të shfaqjes së vitit 2016 vjen krijuesi i këtij projekti, Lin-Manuel Miranda. Ai e portretizon Alexander Hamiltonin, derisa versioni filmik i kësaj performance është xhiruar në qershor të 2016-ës në teatrin “Richard Rodgers” në Broadway.
Filmi premierën do ta ketë më 3 korrik në Disney+, transmeton Koha.
“Asnjë punë tjetër artistike në dekadën e fundit, nuk e ka pasur ndikimin kulturorë sikurse shfaqja ‘Hamilton’. Një performancë inspiruese dhe magjepsëse e cila e rrëfen një tregim në mënyrë tejet të fuqishme dhe kreative,” citohet të ketë thënë Robert A. Iger, kryetari ekzekutiv i kompanisë “Walt Disney”.
Ky version filmik i “Hamilton”-it vjen në një kohë të jashtëzakonshme dhe sfiduese për botën, dhe e sjellë historinë e udhëheqjes, këmbënguljes e shpresës, si dhe tregon se si fuqia e njerëzve për t’u bashkuar kundër forcave të fatkeqësisë, është e rëndësishme dhe ka ndikim pozitiv.
Edhe Lin Manuel Miranda ka deklaruar se regjisori, Thomas Kail, i cili e ka realizuar këtë version të xhiruar të shfaqjes, e ka dhënë maksimumin për t’iu mundësuar të gjithë atyre që e shikojnë filmin “Hamilton”, ta përjetojnë këtë projekt në mënyrën më të mirë të mundshme. /KultPlus.com
Du me ja lshu ni kasete, nashta ju sun e duroni po s’kam çka me ju ba se asht’ ni kange e gurbetit e pe ngoj shpesh, po kam qef edhe ju me ngu”, na tha gjyshja mu edhe nanës teksa tentonte ta lëshonte një radion te vjetër qe zakonisht e mban ne qoshe te krevatit.
Ndërkohë unë e nana nuk tham asgja, vetëm e shikonim dhe me besoni aty nuk kishte me asnje fjale qe mund ta thojnë.
Fytyra dhe syte e saje i thojshin te gjitha. Dukej se malli dhe mërzia e botes ra mbi atë dhome.
Kanga filloi, ishte e zhanrit folklorik dhe i gjithë teksti fliste për mallin e një mërgimtari qe kishte kohe pa e pa familjen e vendlindjen e vet..
Gjyshja here shikonte nga dritaret sikur priste dike, e here na shikonte neve qe mezi përmbaheshim.
Kur teksti i kangës po thoshte “…m’ka marr malli me pa nanën..” , asaj filluan t’i rridhnin lotë nga ata dy sy te përmalluar.
Aq shume peshuan ata lotë sa mu duk qe e shemben atë shtëpi qe ishte ndërtuar me djersen e fëmijëve te saj mërgimtar’.
Kanga përfundoi, e ajo ofshau një here duke m’pa n’sy e m’tha ,
“Gjyshes i ka shku jeta tu përcjell fmij për gurbet. I ka shku jeta tu u qu prej gjumit e tu ra ne gjumë me mallin e tyne. Tash mu kanë ba shume, p’i kam edhe nipat e mesat, s’po din nana për cilin mu mërzitë ma përpara.
Kta dy t’mdhajt m’kan dal shume herët. Ktynehere gyrbeti u kane shume i ranë. Kurrë se harroj at’ ditën kur m‘ kanë dal prej shpise. Unë e ky njeri u munojshum mu ba t ‘fortë, patëm met n’xhade tu i këqyr deri kur hupen, e kur e mshelem derën shume pata kajt”- tek sa fliste vazhdonte me leshu ofshama kohe pas kohe.
“Enveri m’shkoj larg qatje ne Amerike!
Ehhh…, qe 20 vjet ata e kom pas mall me pa, kta tjert apet ma ngat po vin ma shpesh.
Qe dy vjet fmine e Enverit s’ja kom pa.
Qe as tash s’po mujn me ardh.
Kishe veç dy çika i pata edhe ajo e vogla m’shkoj n’gurbet.
Shyqyr qe juve ju kam qetu bile”
Lotët tashmë na kishin tradhtua edhe mua e nanën.
Ishte shume vështirë me i mbajt lotët kur para teje ishte një nanë tetëdhjetë vjeçare qe me shume se gjysmën e rrudhave te fytyrës ia kishte shkaktuar malli dhe vuajtja për fëmijët e saj mërgimtar’.
Mërgimi plage e rand për popullin tone!
Kushtuar gjyshes time qe sot i ka 4 fëmijë ne mërgim, si dhe 9 nipa e mbesa.
(Bazuar në tregimin e saj të vërtetë) /KultPlus.com
Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora është renditur artistja e shtatë më e lëshuar në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2019, duke shënuar edhe një sukses në karrierën e saj shkruan KultPlus.
Ajo ka falënderuar fansat e saj përmes rrjetit social Instagram duke thënë se është e lumtur për interesimin rreth krijimtarisë së saj.
“Falemnderit që më bëtë artisten e shtatë më të luajtur në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit 2019. Falemnderit që vazhdoni të më dëgjoni, kam shumë projekte dhe muzikë të re që do ta sjell së shpejti”, shkruan ajo. /KultPlus.com
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka bërë të ditur lajmin e shumëpritur nga mërgata shqiptare.
Ai ka treguar se është hapur aeroporti, dhe u ka uruar mirëseardhje bashkëatdhetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, shkruan Indeksonline.
Ky është postimi i plotë i tij:
Aeroporti u hap, miresevjen mergate!
E morem vendimin e shumepritur. Gjate diteve te fundit kam aktivizuar te gjitha kapacitetet per t’i bere pergaditjet per ta hapur sa me pare aeroportin “Adem Jashari” te Prishtines, me qellimin kryesor qe t’i mundesohet mergates sone kthimi me i lehte ne vendlindje. Mërgata jonë e çmuar është shpresë dhe mbijetesa e shumë familjeve në Kosovë. Miresevjen mergate! /KultPlus.com
Ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi në Ditën Olimpike ka thënë se sporti duhet të jetë cdo ditë në fokusin tonë, shkruan KultPlus.
“Dita Olimpike është një ditë e veçantë për të gjithë sportdashësit dhe të gjithë ne, duke na dhënë një mundësi për promovimin e sportit, por njëkohësisht kjo nuk duhet të jetë një ditë e vetme ku ne mendojmë për sportin, por sporti le të jetë çdo ditë në fokusin tonë.
Të gjithë ne duhet ta kemi dhe mbajmë sportin duke e bërë pjesë të jetës tonë të përditshme dhe duke u rritur dhe edukuar me vlerat që ai kultivon. Për shkak të problemeve me pandeminë Covid 19, Dita Olimpike u shënua ndryshe nga vitet e kaluara. Bashkë me kryetarin e KOK-ut, zyrtarë e sportdashës zbuluam Rrathët Olimpik, prandaj shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë sportistët, në veçanti Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën dhe të gjithë ata që e lartësuan shtetin e Kosovës nëpër botë dhe duke na bërë çdoherë krenar”, shkruan Ministja Dumoshi. /KultPlus.com
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në Ditën Olimpike ka kujtuar rolin e sportistëve që e kanë ngritur lartë emrin e Kosovës që nga Aziz Salihu deri Majlinda Kelmendi, shkruan KultPlus.
“Sot, në Ditën Olimpike kujtojmë rolin e jashtëzakonshëm të sportistëve tanë dhe punëtorëve sportivë në ngritjen lart të emrit të Kosovës, nga ish-fituesi i medaljes së parë olimpike, boksieri Aziz Salihu, i cili në Olimpiadën e vitit 1984, në Los Anxheles e fitoi medaljen e bronztë, e deri te ajo që flamurin e Kosovës e lartësoi në piedestal, duke e fituar të parën medalje të artë olimpike për shtetin e pavarur të Kosovës, madje në më të parën olimpiadë në të cilën Kosova mori pjesë si shtet i pavarur.
Majlinda përloti çdo njeri sportdashës, por preku edhe zemrat e çdo njeriu paqedashës e liridashës. Ajo tregoi se ky vend i vogël, në të cilin jetojnë njerëz me zemër të madhe, mund t’i japë njerëzimit vlera të pakontestueshme në sport, kulturë e shkencë. Sot, Kosova ka pesë norma olimpike në xhudo dhe një në mundje dhe mund të ketë edhe të tjera deri në lojërat e ardhshme olimpike. E përgëzojmë Komitetin Olimpik të Kosovës për këto të arritura, sikur edhe secilin punëtor sportiv, si dhe federatat e sportit, të cilat po e mbajnë gjallë frymën olimpike dhe u urojmë shumë suksese!”, ka shkruar Osmani në Facebook. /KultPlus.com
Ish-Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në rrjetin social Facebook ka shkruar për Ylfete Fanajn e cila mori pozitën e Kryetares së Parlamentit të Kantonit të Lucernit, shkruan KultPlus.
Postimi i plotë i Kurtit:
Sot, znj. Ylfete Fanaj mori përsipër pozitën e Kryetares së Parlamentit të Kantonit të Lucernit të Zvicrës. Shqiptarja e parë deputete e këtij parlamenti, tash bëhet shqiptarja e parë që udhëheqë këtë institucion, që njëherit është posti më i lartë që ka marrë ndonjëherë ndonjë shqiptar në Zvicër.
Ceremonia inauguruese u shoqërua me këngën e vjetër “Moj e Bukura More” e cila shprehë si kujtesën e mallin për atdhe ashtu edhe një histori të rëndësishme për popullin shqiptar i cili jo rrallëherë u detyrua të shpërngulet dhe kërkojë një atdhe të dytë. Suksesi i znj. Fanaj është shembull dhe dëshmi se si me mund, përpjekje e besim, ndonëse larg vendlindjes, shqiptarët mund të jenë bartës të vlerave dhe ushtrues të detyrave të rëndësishme në institucionet e shteteve ku ata jetojnë dhe veprojnë.
E uroj znj. Fanaj për detyrën e re. Zvicrën dhe Kosovën i lidhë e kaluara dhe e tashmja. Le të punojmë si politikanë shqiptarë dhe me orientim socialdemokrat që kjo lidhje të mirëmbahet, kultivohet dhe zhvillohet tutje në të ardhmen.
I dëshiroj suksese dhe punë të palodhshme. /KultPlus.com