A ka ndodhur vërtet Lufta e Trojës?

Bazat e letërsisë perëndimore, gjurmohen zakonisht në epikat e Greqisë së Lashtë. Veprat homerike si “Iliada” dhe “Odisea” janë ndër veprat më të njohura të letërsisë. Ato flasin mbi historinë e Luftës së Trojës, një rrethim 10-vjeçar i një qyteti të quajtur Trojë nga grekët. Iliada tregon se si gruaja e bukur e mbretit të Spartës Menelau, Helena, u rrëmbye nga princi trojan, Paridi.

Për të rimarrë Helenën dhe për të ndëshkuar trojanët për gjestin poshtërues të Paridit, Menelau ndërmori një sulm të madh ushtarak kundër Trojës. Për 10 vjet më radhë grekët  e mbajtën të rrethuar qytetin e Trojës, derisa më në fund falë një dredhie ajo u mposht dhe u shkatërrua.

Tre mijë vjet më vonë, arkeologu gjerman Hajnrih Shliman zbuloi një sit arkeologjik të njohur si Hisarlik në Turqi, për të cilin shumë ekspertë besojnë se është qyteti i shumëpërfolur i Trojës. Qyteti u shkatërrua diku në Epokën e Bronzit të Vonë.

Gjithsesi, pyetja nëse shkatërrimi ishte apo jo vepër e një ushtrie greke, mbetet pa përgjigje. Arkeologët e kanë studiuar prej kohësh sitin në fjalë, dhe nuk bien ende dakord me mundësinë që ka ndodhur realisht një ngjarje e tillë. Burimet janë të kufizuara, dhe ekspertët janë ende shumë të ndarë nëse historia e përshkruar tek “Iliada”, bën fjalë për një luftë të vërtetë.

Epikat e Homerit si një burim historik

Burimi kryesor i informacionit që ne kemi mbi Trojën dhe Luftën e Trojës, vjen nga “Iliada” e Homerit. Por fatkeqësisht, “Iliada” është kryesisht një vepër e ardhur në ditët tona e përcjellë gojarisht për breza me radhë, para se më në fund të shkruhej.

Kjo histori e gjatë orale, hedh dyshime mbi saktësinë e rrëfimit, dhe përshkrimet e ngjarjeve që ndodhin në libër janë të dyshimta. Për më tepër, Lufta e Trojës ndodhi diku në shekullin XIII Para Krishtit, pra të paktën 5 shekuj përpara datës më të hershme të kopjes fizike të Iliadës.

Pra “Iliada” na tregon më shumë rreth shoqërisë, luftës dhe kulturës në shekullin IX Para Krishtit, sesa në lidhje me Epokën e Bronzit. “Iliada” është pa asnjë dyshim një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore, dhe është krahasuar me Biblën për aftësinë e saj ndikuese tek arti, letërsia dhe morali perëndimor.

Grekët, dhe shumë komentatorë të tjerë të lashtë si Herotodi, besonin se Lufta e Trojës ishte një ngjarje historike që ndodhi realisht në “Epokën e Artë” të historisë së tyre. Shumë arkeologë modernë pajtohen me këtë konstatim, duke besuar se më së paku ka ekzistuar një lloj konflikti midis grekëve dhe trojanëve në veriperëndim të Turqisë në njëfarë kohe në Epokën e Bronzit të Vonë.

Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë që detajet janë dramatizuar shumë, dhe se rrëmbimi i Helenës nuk ka qenë me siguri shkaku i luftës. Bazuar në dokumente nga civilizime të tjera të kohës, ekspertët spekulojnë se shkaku ishte ose politik ose “aksidental”, gjë që do të thotë se Troja ishte thjesht një nga shumë qytetet, të cilat ranë viktimë e sulmeve nga grekët.

Siti i sotëm arkeologjik

“Kandidati” më i njohur si qytet i Trojës, është një sit arkeologjik në veriperëndim të Turqisë i quajtur Hisarlik, i zbuluar në vitin 1870 nga arkeologu gjerman Hajnrih Shliman. Aty ekzistojnë 9 nivele vendbanimesh, dhe secili nivel është i ndarë në nën-nivele.

Arkeologët e hershëm besonin se niveli 7 A apo 7 B ishin Troja mitike, por të dhënat mbi shkallët prej qeramikës i kanë përjashtuar ato nivele. Sot niveli 6H, është kandidati më i mundshëm, pasi duket se ai është shkatërruar në një farë kohe në fund të shekullit XIII Para Krishtit.

Arkeologët e dinë që niveli 6 H u shkatërrua dhunshme gjatë atij shekulli, por nuk dihet natyra e shkatërrimit të tij. Zona nuk ishte shumë mbresëlënëse, me një kështjellë të vogël, dhe vetëm disa themele të dëmtuara që ekzistojnë ende sot.

Si e tillë, ka shumë pak prova të një vendbanimi të madh, ndaj arkeologët spekulojnë se ky sit mund të jetë shkatërruar nga ndonjë fatkeqësi natyrore, nga një pushtim, apo nga ndonjë ngjarje tjetër shkatërruese. Nivele të tjera të sitit, dihet që janë shkatërruar nga dhuna njerëzore, përfshirë nivelin 7 A, por shumica e studiuesve i kanë përjashtuar këto nivele si kandidatë të mundshëm për qytetin e Trojës nga Iliada.

Teori mbi gjasat historike të një Lufte Trojane

Për shkak të mungesës së provave të dobishme në Hisarlik, arkeologët vazhdojnë të mos bien dakord nëse Lufta e Trojës ka ndodhur vërtetë apo jo. Karl Blegen, një arkeolog që gërmoi në Hisarlik në vitet 1930, ka thënë se “nuk mund të dyshohet më” që grekët vendosën rrethimin në vendin e njohur si Hisarlik, dhe në fund e shkatërruan atë. Gjithsesi, ky mendim ishte i bazuar në besimin se niveli 7 A ishte Troja mitike, ndërsa ekspertët modernë nuk pajtohen me këtë pretendim.

Hisarlik: A është Troja?

Në fakt, shumë historianë e kanë kritikuar Blegen, për vendimin e tij të nxituar për ta shpallur nivelin 7 A si Trojën e vërtetë. Mozez Finli dhe të tjerët, e kanë quajtur përfundimin e tij një “akt besimi”, dhe treguan një mungesë thuajse totale të provave, që sugjeronin se rënia e Trojës u shkaktua nga një ushtri greke.

Historianë si Finli janë shumë më konservatorë në interpretimin e provave të gjetura në Hisarlik, dhe mbështeten tek tekstet bashkëkohore të asaj periudhe, konkretisht në ato të Hititëve, që në shkrimet e tyre përmendin një sit që mund të jetë Troja.

Ata sugjerojnë se shkatërrimi i këtij qyteti, mund të ketë qenë ose politik ose “aksidental”, çka do të thotë se niveli 6 H u pushtua si pjesë e një plaçkitjeje ose bastisje në shkallë të gjerë. Teoria më e zakonshme, është se tregimet e Iliadës janë kryesisht të pavërteta, por kanë lindur nga një ose më shumë të vërteta të vogla nga e kaluara e largët e grekëve.

Ndoshta ka pasur një konflikt të Epokës së Bronzit, historia e të cilit mbijetoi shekuj, u transmetua gojarisht, dhe siguroi bazën mbi atë që u bë më pas guri i themelit të letërsisë dhe mendimit perëndimor. Shumica bien dakord se shkaku i një lufte të tillë, ka qenë më shumë gjasa politike sesa romantike, dhe se në të ishin përfshirë më pak luftëtarë.

Deri në ditën kur do të zbulohen më shumë të dhëna, nuk ka asnjë mënyrë për të arritur në përfundimin se Lufta e Trojës, ishte një ngjarje e vërtetë. Për shkak të mungesës së provave, edhe për të dëshmuar se Hisarliku është Troja e vërtetë, çështja nëse Lufta e Trojë u zhvillua vërtet ka mbetur pa përgjigje.

Sidoqoftë, duke pasur parasysh që “Iliada” është një vepër letrare e transmetuar gojarisht për shekuj me radhë, para se të shkruhej, arkeologët kanë hezituar të konstatojnë se një ngjarje e tillë ka ndodhur vërtetë. Por shumica e tyre janë dakord se me shumë gjasë, “Iliada” dhe “Odisea’ të jenë frymëzuar më së paku nga një ekspeditë ushtarake në shkallë të gjerë, që ka ndodhur dikur në Epokën e Bronzit të Vonë. / DailyHistory – Bota.al /KultPlus.com

Nënshkruhet marrëveshja, SHBA 800 mijë dollarë për restaurimin e monumenteve të kulturës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë alokuar një grant prej pothuajse 800 000 dollarë të Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore, për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës dhe Prezë, të cilat u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ishin sot në Krujë ku u nënshkrua dhe marrëveshja për grantin 800 000 dollarë.

“Sot shënojmë fillimin e projektit për të restauruar sitet (vendet) kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Krujë, Durrës dhe Prezë si pjesë e Projektit të Fondit të Ambasadorëve të Sh.B.A për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore (AFCP)”, u shpreh Kim.

“Që nga krijimi i tij në vitin 2001, Fondi i Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore ka ofruar mbështetje financiare për më shumë se 1000 projekte në mbi 125 vende të botës. Këto angazhime tregojnë se sa thellë Shteteve të Bashkuara respektojnë trashëgiminë kulturore të vendeve të tjera”, – tha Kim.

“Në Shqipëri, ne kemi punuar në projekte të shumta përmes këtij fondi, përfshirë restaurimin e Galerisë Nr. 3 të Kalasë në Gjirokastër, dokumentacionin e muzikës Iso-Polifonike shqiptare, si dhe ruajtjen e Kullës së Sahatit në Tiranë. Sot, po nënshkruajmë një grant prej afro 800 000 dollarësh për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës, dhe Prezë. Jam e kënaqur të vërej se ky është projekti ynë më i madh i Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore në Shqipëri deri më sot. Dua të falënderoj Lejla Hadzic dhe ekipin e saj të “Trashëgimisë kulturore pa kufij”, ministren Margariti, Arta Dollanin dhe ekipin e saj të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, partnerët tanë në Fondin e Trashëgimisë Botërore dhe ekspertët vendas për pasionin dhe përkushtimin e tyre ndaj kësaj nisme. Dëshiroj të falënderoj gjithashtu Fondin e Princit Clause të Holandës dhe Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, për kontributet e tyre ndaj këtyre përpjekjeve të ruajtjes kulturore”, – u shpreh Kim.

Ajo bëri me dije se ky projekt 2-vjeçar do të fillojë punën në Kullën C në Durrës, dhe më pas do të vazhdojë me punën në Teqenë e Dollmës këtu në Krujë, në Kalanë mesjetare të Prezës dhe në Kullën e Sahatit të Kështjellës së Krujës.

“Të gjitha këto vende kanë një vlerë të jashtëzakonshme kulturore dhe unë jam veçanërisht e lumtur që po e nënshkruaj këtë Memorandum Mirëkuptimi për zbatimin e këtyre granteve të AFCP-së këtu në Krujë, që është shtëpia e Skënderbeut, heroit kombëtar të Shqipërisë. Poeti amerikan Henry Wadsworth Longfellow dikur shkroi për kthimin e Skënderbeut në Krujë: Dhe me zemrën plot gëzim Kapërceu lumin Drin Dhe u-gdhi e n’agullim Pa kështjellën Ak-Hissar, Krujën, ah atë qytet Rreth me mur e me hendek, Tek u-lint e tek u-rrit, Yll mëngjezi mi të ndrit”, – tha Kim.

“Duke lexuar këto rreshta frymëzues për domethënien e Krujës, jam thellësisht e nderuar që Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol në ruajtjen e këtij vendi historik, i cili ka një kuptim kaq të thellë për popullin shqiptar. Ky projekt i ruajtjes së kulturës tregon vlerën që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë trashëgimisë së pasur të Shqipërisë dhe shpresa ime është që puna e përfunduar do të qëndrojë si një dëshmi për miqësinë e thellë midis dy popujve tanë”, – u shpreh ambasadorja Kim.

Duke falënderuar Ambasadoren, në emër të Qeverisë Shqiptare, ndër të tjera, ministrja e Kulturës, Margariti u shpreh se, “ruajtja e kujtesës është një nga misionet më të rëndësishme të njerëzimit, ndaj edhe Qeveria Shqiptare, krahas me rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti, duke u mbështetur tek vizioni për të ardhmen, për një jetë më të mirë, po punojmë për ringritjen e këtyre monumenteve”.

“Memorandumi që po nënshkruajmë sot është vetëm një copëz e atij projekti madhor që ne duam të çojmë përpara, që ka të bëjë jo vetëm me ruajtjen e kujtesës, por edhe me rijetëzimin e trashëgimisë sonë materiale dhe kthimin e saj në një motor zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm”, u shpreh Margariti.

Ajo shtoi se, “tashmë kemi disa shembuj të mirë, të cilët ne po punojmë për t’i replikuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si Pazari i Gjirokastrës, Pazari i Tiranës, i Korçës, i Krujës, realizuar në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe partnerë të tjerë.  Janë dëshmi se si trashëgimia kulturore mund të kthehet në një faktor zhvillimi jo vetëm lokal, por kombëtar”.

“Jemi vetëm në një fazë të parë konsolidimi. Puna tashmë ka nisur në disa sektorë paralelisht, me mbështetjen e partnerëve tanë europianë, si në Kullën C në Durrës, këtu në Krujë ku jemi sot, dhe do të pasohet me hapa të tjera, që synojnë t’i japin jetë kësaj trashëgimie, e cila deri më tani është konsideruar si një aset vetëm për t’u ruajtur, dhe që ne duam ta kthejmë edhe në shërbim të komunitetit”, tha Margariti.

Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, ambasadorja Kim vizitoi Muzeun Historik Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, si dhe përshkoi Pazarin e Krujës, ku takoi disa nga artizanët, që mbajnë gjallë mjeshtëritë e punimit të qilimave, drurit, filigranit etj. /KultPlus.com

“I dashur nipi im mos u bëjë idiot”, letra e famshme e Umberto Ecos

Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse shumë herë, ajo që ka ndodhur më parë të shpjegon se pse disa gjëra ndodhin sot dhe, në çdo rast, ashtu si me formacionet e futbollistëve, është një mënyrë për të pasuruar kujtesën tonë. Dakord, kjo nuk mund të bëhet vetëm me libra dhe revista, bëhet fare mirë edhe në Internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të bashkëbiseduar me miqtë, por edhe për të biseduar (fjala bie) me historinë e botës. Cilët ishin hititët? Kamisardët? Dhe si quheshin tre anijet e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? A mund të ketë patur një timon Arka e Noes? Si quhej paraardhësi i demit? Kishte më shumë tigra 100 vjet më parë, apo sot? Çfarë ishte Perandoria e Malit? Dhe kush ishte personi që fliste për Perandorinë e të Keqes? Cili ka qenë Papa i dytë i historisë? Kur u shfaq Mickey Mouse?

Nuk do të doja që kjo letër e Krishtlindjes të tingëllojë si e shkruar nga Deamici, dhe të të jepte këshilla dashurie për të singjashmit tanë, për vendin, për botën dhe gjëra si këto. As nuk do ia vije veshin dhe, kur të vinte çasti për t’i vënë në zbatim (ti i rritur dhe unë i ikur nga kjo botë), sistemi i vlerave do të ketë ndryshuar kaq shumë, sa që rekomandimet e mia ndoshta do të kenë dalë mode.

Kështu që dua të ndalem në një rekomandim, të cilin do të jesh në gjendje ta vësh në zbatim edhe tani, ndërkohë që lundron me iPad-in tënd. Nuk do të bëj as gabimin të të këshilloj që të mos e përdorësh, jo aq shumë se do të dukesha si një gjysh që ka mbetur me të vjetrën, por sepse e bëj edhe vetë. Më e shumta që mund të të rekomandoj, nëse rastësisht ndesh në qindra faqet pornografike që tregojnë në një mijë mënyra, marrëdhënien mes dy qenieve njerëzore, apo mes një qenieje njerëzore dhe një kafshe, përpiqu që të mos besosh se seksi është ai që sheh aty, veç të tjerave tejet monoton, sepse bëhet fjalë për një aktrim, qëllimi i të cilit është të të mbajë mbyllur në shtëpi, e të mos dalësh të shohësh dhe takosh vajzat e vërteta. Po nisem nga parimi që ti je heteroseksual, përndryshe përshtati rekomandimet e mia me rastin tënd: por shiko vajzat, në shkollë apo atje ku shkon të luash, sepse janë më të mira ato të vërtetat, se sa ato televizivet, dhe një ditë do të të japin kënaqësi më të mëdha, se sa ato online. Besoji kujt ka më shumë përvojë se sa ti (dhe nëse unë do të kisha parë vetëm seks në kompjuter, yt atë nuk do të kishte lindur, dhe ti kushedi ku do të ishe, madje nuk do të ishe fare).

Gjithësesi nuk doja të të flisja për këtë, por për një sëmundje që ka goditur brezin tënd, dhe atë të të rinjve më të mëdhenj se ti, që ndoshta janë në shkollë të lartë: humbja e kujtesës.

Eshtë e vërtetë se, nëse të lind dëshira për të mësuar se kush ishte Karli i Madh apo ku ndodhet Kuala Lumpuri, mjafton të shtypësh një tastë në kompjuter dhe Interneti ta thotë menjëherë. Bëje kur duhet, por pasi ta kesh bërë, përpiqu të kujtosh atë që ke lexuar, që të mos jesh i detyruar ta kërkosh për së dyti, nëse do të të lindë nevoja, mbase për një detyrë shkollore.

Rreziku është që, duke qenë se mendon se kompjuteri yt mund të ta thotë në çdo moment, ti humbet shijen për ta ngulitur në kokë. Do të ishte pak a shumë njësoj sikur, pasi ke mësuar që për të shkuar nga Rruga Filan në rrugën Fistek, ka autobusë apo metro që të mundësojnë të lëvizësh pa u lodhur (gjë që është shumë komode dhe bëje kur e ke me nxitim), ti mendon se kështu nuk ke më nevojë të ecësh. Por nëse nuk ecën mjaftueshëm, ti bëhesh person “me aftësi ndryshe”, siç thuhet sot për të treguar ata që ecin në karrocë me rrota. Dakord, e di që merresh me sport dhe di ta lëvizësh trupin, por le të kthehemi tek truri yt.

Kujtesa është një muskul njësoj si muskujt e këmbëve, po nuk e ushtrove dobësohet dhe ti bëhesh (nga pikëpamja mendore) me aftësi ndryshe, domethënë (le ta themi qartë) një idiot. Dhe veç kësaj, duke qenë se për të gjithë ekziston rreziku që kur të plakemi na vjen Alzheimeri, një prej mënyrave për të shmangur këtë incident të papëlqyeshëm, është të ushtrosh gjithmonë kujtesën.

Dhe vijmë tek dieta ime. Çdo mëngjes mëso ndonjë varg, një poezi të shkurtër, ose siç na bënin ne të mësonim “La Cavallina Storna” apo “Il sabato del villaggio”. Dhe ndoshta bëj garë me miqtë, për të parë se kush e kujton më mirë. Nëse nuk të pëlqen poezia, bëje me formacionet e futbollistëve, por kujdes sepse nuk duhet të dish vetëm cilët janë futbollistët e Romës sot, por edhe ata të skuadrave të tjera, dhe ndoshta të skuadrave të së kaluarës (mendo që unë mbaj mend futbollistët e Torinos, skuadrës avioni i të cilës u rrëzua në Superga me të gjithë futbollistët në bord: Bacigalupo, Ballarin, Maroso etj.) Bëj gara kujtese, ndoshta me librat që ke lexuar (kush ishte në bordin e Hispaniolas në kërkim të ishullit të thesarit? Lord Trelauney, kapiteni Smollet, doktor Livesey, Long John Silver, Jim…) Shiko nëse miqtë e tu mbajnë mend se cilët ishin shërbëtorët e tre moskëtierëve dhe të D’Artagnanit (Grimaud, Bazin, Mousqueton e Planchet)… Dhe nëse nuk do të duash të lexosh “Tre moskëtierët” (dhe ti nuk di se çfarë do të humbasësh), bëje me një prej historive që ke lexuar.

Duket si një lojë (dhe është një lojë), por do të shohësh se si mendja jote do të popullohet me personazhe, histori, kujtime të gjithfarëlloji. Ndoshta ke pyetur veten, përse një herë e një kohë kompjuterat quheshin tru elektronikë: është sepse ata janë projektuar sipas modelit të trurit tënd (dhe tonit), por truri ynë ka më shumë lidhje se sa një kompjuter, është një lloj kompjuteri që ti e mban gjithmonë me vete dhe që rritet dhe fuqizohet duke e ushtruar, ndërkohë që kompjuteri që ti ke mbi tryezë, sa më shumë e përdor aq më shumë humbet shpejtësi, dhe pas disa vitesh duhet ta ndërrosh. Ndërsa truri yt sot mund të zgjasë deri nëntëdhjetë vite dhe në moshën nëntëdhjetë vjeç (nëse e ke ushtruar), do të kujtojë më shumë gjëra se sa kujton ti sot. Eshtë falas.

Pastaj është kujtesa historike, ajo që nuk ka të bëjë me faktet e jetës tënde apo gjërat që ke lexuar, por ka të bëjë me ato që kanë ndodhur, para se të lindje ti.

Sot nëse shkon në kinema, duhet të hysh në një orë të caktuar kur fillon filmi, dhe sapo fillon, dikush të merr – si të thuash – për dore dhe të thotë se çfarë ndodh. Në kohën time mund të hyje në kinema në çdo moment, dua të them edhe në mes të filmit, mbërrihej teksa po ndodhnin disa gjëra dhe ne përpiqeshim të kuptonim se çfarë kishte ndodhur më herët (pastaj kur filmi rifillonte kuptonim nëse kishim hamendësuar si duhej – përveç faktit që, nëse filmi na kish pëlqyer, rrinim të shihnim edhe atë pjesë që e kishim parë tashmë). Ja pra, jeta është si një film i kohëve të mia. Ne vijmë në jetë kur shumë gjëra kanë ndodhur tashmë, prej qindra e mijëra vitesh, dhe është e rëndësishme të kuptosh atë që ka ndodhur para se të lindnim; vlen për të kuptuar përse ndodhin shumë gjëra sot.

Sot shkolla (përveç shënimeve të tua personale) duhet të të mësojë që të memorizosh atë që ka ndodhur para se të lindje, por duket që nuk po e bën mirë, sepse shumë studime na thonë që të rinjtë e sotëm, edhe ata më të rriturit që janë në universitet tashmë, nëse kanë lindur rastësisht në vitin 1990 nuk e dinë (dhe ndoshta nuk duan ta dinë) se çfarë kishte ndodhur në 1980 (dhe nuk po flasim për atë që ka ndodhur pesëdhjetë vjet më parë). Statistikat na thonë se, nëse pyet dikë se kush ishte Aldo Moro, të përgjigjet që ishte kreu i Brigadave të Kuqe – ndërkohë që ai u vra prej Brigadave të Kuqe.

Nuk flasim për Brigadat e Kuqe, ato mbeten ende një mister për shumëkënd, e megjithatë ato ishin e tashmja vetëm 30 vjet më parë. Unë kam lindur në vitin 1932, dhjetë vjet pas ardhjes në pushtet të fashizmit, por dija se kush kish qenë kryeministër edhe në kohën e marshimit drejt Romës (çfarë është ky?). Ndoshta shkolla fashiste ma kishte mësuar për të më treguar se sa budalla dhe i lig ishte ai ministër, që fashistët e kishin zëvendësuar. Dakord, po të paktën e dija. Dhe pastaj, duke lënë mënjanë shkollën, një i ri i kohëve të sotme nuk di kush ishin aktoret e kinemasë të njëzetë viteve më parë, ndërsa unë dija se cila ishte Francesca Bertini, e cila luante në filma pa zë, 20 vite para se të lindja unë. Ndoshta sepse shfletoja revista të vjetra të grumbulluara në depon e shtëpisë sonë, por po të ftoj pikërisht të shfletosh edhe revista të vjetra, sepse është një mënyrë për të mësuar se çfarë ndodhte para se të lindje ti.

Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse shumë herë, ajo që ka ndodhur më parë të shpjegon se pse disa gjëra ndodhin sot dhe, në çdo rast, ashtu si me formacionet e futbollistëve, është një mënyrë për të pasuruar kujtesën tonë.

Dakord, kjo nuk mund të bëhet vetëm me libra dhe revista, bëhet fare mirë edhe në Internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të bashkëbiseduar me miqtë, por edhe për të biseduar (fjala bie) me historinë e botës. Cilët ishin hititët? Kamisardët? Dhe si quheshin tre anijet e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? A mund të ketë patur një timon Arka e Noes? Si quhej paraardhësi i demit? Kishte më shumë tigra 100 vjet më parë, apo sot? Çfarë ishte Perandoria e Malit? Dhe kush ishte personi që fliste për Perandorinë e të Keqes? Cili ka qenë Papa i dytë i historisë? Kur u shfaq Mickey Mouse?

Mund të vazhdoj në pafundësi, dhe do të ishin të gjitha aventura të bukura kërkimi. Dhe të gjitha për t’u kujtuar. Do të vijë dita kur do të jesh bërë plak dhe do të ndihesh sikur të kesh jetuar një mijë jetë, sepse do të jetë sikur ke qenë i pranishëm në Betejën e Vaterlosë, sikur ke qenë aty kur vritej Jul Çezari, dhe ndoshta vetëm pak metra larg vendit ku Bertoldi i Zi, duke përzierë substancat në përpjekje për të prodhuar flori, zbuloi gabimisht barutin, dhe hodhi veten në erë (e mbase mirë iu bë). Miqtë e tu që nuk do ta kenë kultivuar kujtesën, do të kenë jetuar vetëm një jetë, të tyren, e cila do të ketë qenë e mbushur me melankoli dhe e varfër në emocione të mëdha.

Kultivoje kujtesën pra, dhe nesër lexo përmendësh “La Vispa Tesera” (poezi e Luigi Salierit).

Burimi: “Espresso” – Në shqip nga bota.al /KultPlus.com

“Queen” në pullat postare, grupi legjandar nderohen në 50-vjetorin e krijimit

Grupi legjendar “Queen” do të kenë një edicion të dedikuar të pullave britanike muajin e ardhshëm, në 50 vjetorin e krijimit. Pjesatrët e grupit muzikor shprehen të ndëruar nga ky vlerësim.

Grupi legjendar “Queen” do të shfaqet në një seri pullash postare në Mbretërinë e Bashkuar gjatë muajve të verës.

Queen, të cilët kanë shitur më shumë se 300 milion rekorde, janë grupi i tretë muzikor që kanë një edicion të dedikuar të pullave britanike pas Beatles në 2007 dhe Pink Floyd në 2016.

Nderimi që iu bëhet nga Posta mbretërore Britnaike përkon me 50-vjetorin e formimit të grupit të famshëm britanik të viteve ’70.

Seti prej 13 pullash del në shitje muajin tjetër dhe do të paraqesë vepra arti nga kopertinat e tyre më të njohura të albumeve, imazhe nga shfaqjet live ekstravagante të grupit dhe fotoshoot-et e tyre të para në studio në 1974.

Bateristi Roger Taylor dhe Kitaristi Brian May u shprehen të lumtur për këtë vlerësim që i bëhet bandës.

“Ndonjëherë është e çuditshme të zgjohesh dhe të kuptosh pozicionin që mbajmë tani – ne jemi bërë një institucion kombëtar!” tha May.

Kjo do të jetë hera e dytë që ‘Queen’ nderohet në këtë mënyrë pasi vokalisti i grupit, Freddie Mercury, është vendosur në një pullë në vitin 1999.

Në vitet e tij të hershme, Mercury ishte një koleksionist i zjarrtë i pullave, frymëzuar nga babai i tij, Bomi Bulsara.

Ai e ndërtoi koleksionin e tij mes moshës 9 dhe 12 vjeç dhe ai u hodh në ankand dy vjet pas vdekjes së këngëtarit, në vitin 1991. /KultPlus.com

Emërohet Zëvendësministër i Arsimit me Shkollë të Mesme, ngjallen reagime

Driton Bardheci është emëruar zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, sot.

E emërimi i tij në këtë post ka ngjallur reagime të shumta.

Organizata Studentore Studim, Kritikë, Veprim përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se zëvendësministri i ri nuk i ka përfunduar ende studimet bachelor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, shkruan Front Online.

Kësisoji, sipas tyre, ai nuk e ka përgatitjen profesionale për detyrën që i është besuar.

E diçka e tillë, siç thonë në këtë organizatë, e degradon edhe më shumë sistemin arsimor në Kosovë.

Postimi i plotë i SKV-së:

Sot, u njoftuam se Driton Bardheci është emëruar zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Kjo është një goditje tjetër e rëndë për arsimin në Kosovë pas emërimit të plagjiatit Ramë Likaj si Ministër i Arsimit.

Kush është zv. Ministri i emëruar sot nga Kryeministri Avdullah Hoti?

Driton Bardheci, është student i cili ende nuk i ka përfunduar studimet Bachelor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës dhe si student nuk e ka përgatitjen profesionale për detyrën që i është besuar. Me notë mesatare 6.8, një student zevendësministër vetëm e degradon më shumë sistemin arsimor në Kosovë.

Këso goditje të rënda, të njëpasnjëshme, për arsimin filluan me vendimin e ish-ministres Hykmete Bajrami, për emërimin e profesorëve të kolegjeve private në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës (ndaj të cilit vendim edhe kemi protestuar).

Ndërsa pas znj. Hykmete Bajramit në krye të ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë erdhi Ramë Likaj i cili është akuzuar për plagjiaturë, pasiqë i njëjti për një periudhë të shkurtër kohore ka botuar një numrë të madh të publikimeve shkencore të cilët nuk arsyetohen.

Fisnikëria

Poezi nga Bajram Mjeku

Ajo hyri vetëm në sallën koncertale
si uji nga fjordet kur në qetësi rrjedh
sytë e auditorit për një çast ngrinë
kur takat e saj trokitën mbi mermer.

Kish veshur fustan të bukur bezhë
qafa e saj e kolme pa asnjë bizhu
secili e shikonte me ndjesi të vagullt
veç shikimi i saj nuk ishte kuturu.

Sytë e saj blu nuk kërkonin lozhën
e thjeshtë, e fisme siç ajo ishte vet
midis sallës fine, në ulëse t’kadifejta
ndjehej rehat në radhën e dhjetë.

Jashtë binte borë. Dirigjenti u rrëqeth
mbi pult ndërroi partiturat si me magji
midis sallës kur pa madhështinë e saj
nisi të dirigjonte Madama Butterfly.

Ra perdja e kuqe… Prapë trokitën takat
shikimi drejt saj padashur të kthen
fisnikëria s’blihet në dyqan të plaçkave
e shenjtë ndër breza, e ngjizur në gen*.

*Inspiruar në Pallatin e Operas dhe Baletit në Oslo. /KultPlus.com

Pianistja e mirënjohur Lule Elezi emërohet Ambasadore e Paqes në rrjetin global GSFEN

Pianistja e mirënjohur Lule Elezi ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e saj, duke u emëruar Ambasadore e Paqes e rrjetit të njohur global GSFEN, shkruan KultPlus.

Artistja që ditë më parë publikoi në Vjenë albumin e saj më të ri, përmes rrjetit social Facebook ka bërë të ditur emërimin, duke shprehur mirënjohe Prince Blessing Lawal për besimin e dhënë, si dhe për rekomandimin e Tahir Shabanit.

“Të dashur miq,

Jam shumë e lumtur që më datë 21 Qershor, Dita Botërore e Muzikës, u emërova Ambasadore e Paqes e rrjetit të mirënjohur global GSFEN!

I jam shumë mirënjohëse Prince Blessing Lawal për respektin dhe besimin që tregoi ndaj meje, duke më emëruar Ambasadore e Paqes!
Po ashtu, shfrytëzoj rastin t’i falenderohem për rekomandimin dhe përkrahjen e palodhshme z. Tahir Shabani!”, ka shkruar artistja Elezi. /KultPlus.com

Lorik Sylejmani, artisti i shumanshëm që përmes brendit “Lorik Aveny” synon sukses në fushën e modës

Bujar Meholli

Mesi i viteve ’50 në Britani dhe fundi i viteve ’50 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës solli Pop artin, lëvizjen artistike që në fillin e diskutimeve të artistëve e quajtën veten Grup i Pavarur. Artistët e kësaj lëvizjeje përdornin imazhe reklamash, produktesh e logosh, duke ndjekur piktorin amerikano-francez Marsel Dyshamp, andaj u quajt neo-dadaizëm për t’u emëruar pop art më vonë.

Artisti shqiptar Lorik Sylejmani, i njohur për artet vizuele, dizajnët dhe shkrimet për koncertet e bendeve të famshme muzikore, së fundmi ka provuar veten edhe në fashion, të cilin ai e sheh si gjë të bukur që e ka tërhequr, ndaj dhe vendosi ta krijojë brendin “Lorik Aveny”, në të cilin vërehet ndikimi nga Pop arti.

Sylejmani në këtë prononcim për KultPlus, tregon se si erdhi ideja për ta realizuar këtë brend novator në vendin tonë, teksa shpalos edhe gjëra tjera me interes.

“Në vitin 2014, jam përzgjedhë nga nje kurator ne New York, që me veprën time Dirty Boulevard të paraqitem në Eagle Store/Times Square, në LED për një ditë të tërë së bashku me njëqind artistë të tjerë. Befasia ka qenë kurë nga po i njëjti më janë dhuruar tri majuca/bluza në të cilat ka qenë i shtypur punimi i njëjtë. Ato pastaj u dhurova tre shokëve, ndërsa njëri nga ta e kishte veshur në festivalin më të madh të muzikës elektronike në Berlin dhe më kishte treguar se shume, tekstualisht shume të pranishëm kishin pyetur se ku mund ta blinin një të tillë. Aty më lindi një ide që të krijoja një brend timin më punët e mia artistike, të shtypura në material tekstili. Për shkak se këtu nuk kam hasur në kompani që e bëjnë këtë punë, e kam lënë pas dore, derisa në kohën e pandemisë, duke shikuar nëpër rrjetet sociale, kam hasur në kompaninë në fjalë e cila po e bënë shtypin të një cilësie të lartë”, thotë fillimisht ai.

I pyetur nga KultPlus se ç’e ka tërhequr drejt fashionit, Sylejmani shprehet:

“Kuptohet, gjërat e bukura tërheqin, e një ndër to është edhe fashion. Nëse flas për fashion dhe tërheqjen me te, e kam vetëm në një aspekt, atë që e quajmë trend në muzikë, ne veçanti disa rryma muzikore si punk, goth dhe new wawe.  Klasika mbetet klasikë dhe e pa tejkaluar, ashtu unë mendoj”…

Veçantia e këtij brendi qëndron edhe tek emri “Lorik Aveny” për të cilin artisti thotë se i erdhi ideja nga një emision televiziv i vitit 2000, “Bulevard dhe Aveny” ndaj dhe vendosi që brendin ta quajë me këtë emër.

“Në fillim vitet e 2000-ta, së bashku me regjisorin e ndjerë Gëzim Krasniqin e kemi realizuar emisionin televiziv që shtjellonte kryekëput tema për artet në përgjithësi të cilat i qaseshin artit në aspektin më alternativ dhe eksperimental. Një punë e imja quhej Bulevard dhe Aveny, dhe pasi që në radio, së bashku më Dj Caboo kisha emisionin muzikor Bulevradi, vendosëm që ta quajmë emisonin ne tv, Aveny. E, pse jo të mos e quaj brendin me këtë emër, mendova!”

Artisti poliedrik tregon se megjithëse nuk e përcjell modën në koherencë, u inspirua nga Vivienne Westwood, Jean Paul Gaultier dhe Kenzo.

“Nuk e përcjelli modën në koherencë. Rrallë ndonjë sfilatë e çuditshme që e has në tv, zakonisht në fund të lajmeve si kuriozitet. Nëse do duhej t’i zgjedhja disa, patjetër jam i fokusuar në tre nga ta. Vivienne Westwood, Jean Paul Gaultier dhe Kenzo”.

Pop arti dhe muzika e kësaj fryme, absolutisht lidhen me urbanizmin, pjesë e së cilit është edhe Sylejmani i cili kohë më parë botoi librin me titull karakteristik “Sallatë dhe çalldisje”, ku me një gjuhë interesante, përmbledh disa ese për koncertet e bendeve të njohura të cilat ai i ka ndjekur. Në galerinë e këtij libri bëjnë pjesë artistë e bende të mëdha si Bob Dylan, David Bowie, The Smiths, e të tjerë. Se a ka ndikuar muzika si inspirim i Sylejmanit në këtë brend, ai shprehet:

“Mendoj se çdo artist, i çfarëdo lëmie të jetë, nëse mëton që të krijoj diçka artistike, duhet të dëgjojë muzikë të mirë dhe të lexojë shumë. Mund ta kujtosh një poet të mirë që nuk ka preferenca muzikore? Do ishte e pamundur. Për shembull, Salvador Dali kishte dëgjuar tërë kohës këngët e David Bowie-t. Poashtu, edhe artist viziv mbetesh i mangët po nuk dëgjove shumë muzike, lexove libra, nuk shikove filma dhe anasjelltas. Nuk kam qenë as unë përjashtim. Nuk e paramendoj botën pa muzike. Mendoj, një ndër dhuratat  më të bukura që na i është bërë njerëzimit, është muzika”.

“Gjatë të 90-ve kam qenë i ndikuar sado pak nga pop-kultura, stripat, literatura, arti. Me kalimin e kohës, dhe pjekjes sime si njeri dhe artist, gjërat kanë filluar të lëvizin. Koha e teknologjisë na ka mundësuar që të njihemi me çdo gjë që ndodhë në botë. Natyrisht, kjo ka pas ndikim edhe në mua. Vitet e 2000-ta kanë qenë një kthesë e madhe dhe artin tim dhe sot nuk mund ta definoj në një rrymë. Ka nga pak prej secilës nga to. Do isha i pasinqertë sikur të e mohoja këtë”, thekson ai.

Edhe materialet e përdorura në këtë brend janë interesante dhe të veçanta. Përveç pëlhurës së bardhë aty përdoren edhe materiale tjera, siç shpjegon Sylejmani:

“Për të arritur efektin e shtypit të përsosur dhe kualitetit të ngjyrave, në mënyrë që ato të rrinë tejet të freskëta dhe shpërthyese, materiali më i përshtatshëm për të arrit këtë synim u arrit në material sintetik, shumë i përshtatshëm për stinën e pranverës dhe verës. Për fillim është ky material, i cili do jetë për trenerkën e sipërme në sezonin e vjeshtës”.

Lorik Sylejmani që deri më tani ka krijuar një karrierë të gjatë dhe mjaft të suksesshme edhe në arte vizuele, dizajn, gazetari dhe muzikë, synon të arrijë suksese edhe në fushën e modës teksa shprehet se do të ishte i kënaqur sikur t’i shihte të rinjtë nëpër Prishtinë teksa parakalojnë me dizajnët e tij.

“Qëllimet janë nga më të ndryshmet, duke u nisë nga ai më baziku për një artist, që vepra e tij të multiplikohet në sa më shumë hapësira, pra të jetë afër më konsumatorin. Do isha shumë i kënaqur po sikur nesër të shihja gjithandej Prishtinës të rinjtë më dizajnet e mia në maica duke shëtitur nëpër qytet. Por, synimi final është që ky brend, ndoshta jo në këtë sezonë, por në sezonin tjetër të jetë i pëlqyer gjithandej botës. Besoj se do jetë një ndjesi që do më shtyjë të krijoj akoma më shumë. Po më pëlqen të punoj në këtë drejtim. Po më jep kënaqësi çdo koment apo pëlqim i punëve qe po i bëjë, e të cilat janë në numër të madh”.

Madje, ai i inkurajon dhe përkrahë edhe artistët e rinj që të marrin iniciativa të tilla.

“I inkurajoj dhe i përkrahë shumë. Secili nga ne kemi publikun dhe blerësit e veprave tona. Një medium tjetër i pasimit të tyre do ishte edhe një përvojë më shumë dhe një kënaqësi e bukur”, përfundon ai. /KultPlus.com

Kthim në identitet për Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, Finiq

Kisha e Manastirit të Shën Kollit, në Mesopotam, Finiq, monument kulture i kategorisë së parë, i është nënshtruar procesit të restaurimit në dy faza të ndryshme.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë tha se “faza e parë konsistoi në përforcimin konstruktiv të strukturës së kishës, restaurimin e çatisë, konsolidimin e muraturës, si dhe restaurimin e ambienteve të brendshme të saj”.

Sipas saj, në fazën e dytë u krye restaurimi dhe konsolidimi i mureve rrethues të manastirit si dhe përforcimi konstruktiv i kambanares.

“Këto ndërhyrje restauruese kanë kthyer në identitet një nga monumentet më të rëndësishëm të besimit të krishterë në jug të Shqipërisë”, – tha DRKK Vlorë.

Kisha e Shën Kollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Në fillim ka ekzistuar si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha e Shën Kollit, e cila mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku.

Nga manastiri ruhen rrënojat e mureve rrethues me një sipërfaqe rreth 100 m² dhe kontrollohen nga 9 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershme sesa kisha.

Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera origjinale.

Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive floreale e zoomorfe, gjithashtu dhe për dekoret e punuara me tulla në muraturën e jashtme si dhe në harqet e dritareve dhe hyrjeve.

Basorelievet e rivendosura ne muret e kishës në forma të ndryshme ku përmendim: një shqiponjë, dy dragonj dhe një luan në njërën anë ndërsa në anën tjetër ndodhen figura mitologjike.

Kisha përbehet nga salla e madhe e lutjeve dhe nga dy ambiente me te vogla. Motivi qendror në mozaikun e sallës paraqet një dragua me krahë hapur. Kisha ka pasur dy rindërtime në vitet 1793 dhe 1845. /KultPlus.com

Egjipti rihap vendet e kultit, kafenetë dhe restorantet

Egjipti njoftoi sot se do të rihapë xhamitë, kishat, por edhe restorantet dhe kafenetë, duke filluar nga e shtuna, ndërsa vend lehtëson më tej kufizimet e tij të pjesshme për shkak të koronavirusit.

“Xhamitë dhe kishat do të rihapen për lutjet e përditshme, megjithatë lutjet e mëdha myslimane të së premtes dhe meshat e krishtera të së dielës duhet të presin ende”, tha kryeministri, Mostafa Madbouli, në një konferencë për shtyp.

Kafenetë dhe restorantet do të lejohen të rihapen me vetëm 25 % të kapacitetit të klientëve dhe do të qëndrojnë të hapura deri në ora 22:00, ndërsa dyqanet e tjera tregtare do të mbyllen në 21:00.

Kryeministri sqaroi, gjithashtu, se parqet publike dhe plazhet do të qëndrojnë të mbyllura për të parandaluar grumbullimet.

Egjipti, vendi më i populluar në botë arabe, ka raportuar rreth 57 000 infektime dhe 2 278 vdekje të lidhura me COVID-19. /KultPlus.com

Cila është gara e diturisë që ka shpërblyer me 138 bursa shkollimi?

Për të promovuar dhe vlerësuar angazhimin e lartë të nxënësve nga gjithë Republika e Kosovës për disa vite me radhë Shkolla “Universum” organizon garën e diturisë të quajtur “Universiada”, e cila ka për qëllim – Promovimin e nxënësve më të mirë në Republikën e Kosovës si dhe ofrimin e mundësisë së shkollimit përmes BURSAVE të plota. 

Verona Misini, përfituese e bursës 100% tregon për përvojen e saj në Universiade “Unë kam aplikuar në Garën e Diturisë UNIVERSIADA dhe kam fituar bursë shkollimi të plotë 100%. Jam shumë e lumtur që jam pjesë e Shkollës UNIVERSUM sepse e di që e ardhmja ime profesionale dhe akademike do tëjetë e ndritur. Prandaj ju inkurajoj të gjithë nxënësve të aplikojnë në UNIVERSIADA dhe të sfidojnë veten me nxënësit më të suksesshëm në vend”.

Andaj apliko edhe ti, përfito bursë si Verona dhe 138 nxënësit e tjerë. Linku për aplikim http://tiny.cc/5m2mqz
Gara është e hapur dhe vlen për të gjithë nxënësit e shkollave fillore të Republikës së Kosovës në klasat V deri në klasën e IX-të.

Për më shumë informata rreth Universiadës apo Shkollës Universum kontakto [email protected] apo +383 44 452 808 apo na ndiqni në rrjete sociale në facebook apo instagram. /KultPlus.com

6 vjet nga vdekja e shkrimtarit dhe kritikut të njohur, Ali Jasiqi

Shkrimtari Ali Jasiqi lindi në Jasiq të Junikut më 1937. Shkollën fillore në Junik e në Deçan. Shkollën Normale e filloi në Gjakovë dhe e kreu në Prishtinë. Në Prishtinë kreu Fakultetin filologjik – gjuhë e letërsi shqipe, shkruan KultPlus.

Ka punuar gazetar në të përditshmen “Rilindja”, kryeredaktor i revistë për kulturë, art e letërsi “Fjala”, drejtor i Njësisë punues të revistave në kuadër të NGBG “Rilindja” dhe kryeredaktori i revistës letrare “Jeta e re”. Ka qenë sekretar dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Me shkrime letrare filloi të merret si nxënës. Në fillim ka shkruar poezi dhe proza, për t’u kushtuar mandej kritikës letrare dhe studimit. Vjershën e parë e botoi në “Zani i rinisë” më 1957.

Ka përgatitur për botim përmbledhjen e tregimeve “Ago Jakupi dhe rrëfime të tjera“ të Mitrush Kutelit, botuar nga Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore të Kosovës më 1967, tregimet “Talush Efendia” të Zekeria Rexhës (të nënshkruara me pseudonimin Ramë Zuka), botuan nga “Rilindja” në vitin 1973, përmbledhjen e poezive për fëmijë “Lulet e para” të Fahredin Gunges dhe Bedri Hyses, ka përgatit disa numra tematik të revistës letrare “Jeta e re”, qoftë vetëm apo edhe me bashkëpunëtor etj. Ka bashkëpunuar me të gjitha revistat letrare që botoheshin në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi. /KultPlus.com

KultPlus- Konkurs për gazetarë

Gazeta online për art dhe kulturë KultPlus, shpall konkurs për gazetarë.

Inkurajohen të aplikojnë të gjithë ata që kanë studiuar ose studiojnë gazetari, letërsi, dhe njohës të fushës së kulturës.

CV-të mund t’i dërgoni deri më 30 qershor në [email protected]

Vetëm kandidatët e përzgjedhur në rrethin e ngushtë do të kontaktohen për intervistë./KultPlus.com

At’ Gjergj Fishta, kjo figurë qendrore e veprimtarisë politike, artistike, klerike dhe diplomatike e asaj kohe

Nga: Albert Vataj

Me përulësi dhe respekt, me përkorje dhe ngulm të epërm shëlbimi në shpirt dhe vullnete, vijmë sot në këtë përshpirtje dhe kujtesë për të mbetur përgjithmonë i rrethuar prel madhështisë dhe gjenialitetit të këtij kolosi të kishës dhe shqiptarizmës.

At’ Gjergj Fishta ishte figurë qendrore e veprimtarisë politike dhe artistike, klerike dhe diplomatike të asaj kohe. Roli dhe kontributi i tij në ato vende ku ai behu si një zë, ishin dhe mbeten gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes shqiptare.

E pamatshme është vepra e tij. Gjithçka që rreket të formësojë përmbledhtazi jetën dhe aktin e tij krijues, do ta kishte të pamundur ta përfshinte të gjithin në këtë përqafim dëshmimi. Ai ishte një univers, ishte një rast i përjashtuar nga logjika e krijuesit. I lindur për të qenë një i jashtëzakonshëm, ai e ndërtoi këtë mit, pikërisht atë që na qaset sot në nevojën gjithnjë të pashterrur për ta përvetësuar si kapacitet, si vlerë dhe si një fenomen.

Pak njerëz kanë pasur fatin e At Gjergj Fishtës në të mirë dhe të keq. Vdiq dhe u përcoll me nderime të mëdha duke lënë pas një akt të pashoq krijimi. Pak vite më pas… eshtrat ia derdhën në lumë. Dhe vjen si një gjamë harresa dhe anatema prej diktatutës komuniste. U bë çmos të shtypej me dhunë e me gjak, me frikë e me mohim çdo gjurmë yjësie që ai la. Dhe vjen demokracia. Edhe pse i zhvarrosur nga anatema, mohi e harrimi, ende mbeti jo krejt i shpaluar, jo gjithkund i pranuar, jo gjithqysh i këtushëm. E keqja, lëngimi, anatema i kishin ngulur thellë thonjt. E megjithatë ai mundi të rivinte si një vigan, si një zë i fuqishëm, si një e vërtetë e pamohueshme. Ai mundi të rigjente vendin e vet në zemrat që e kishin strukur dhe e mbanin të fshehur.

“Fishta asht nji Homer shqiptar. Ai nuk asht vetëm nji poet i madh kombëtar. Ai asht nga ma të mëdhajt në botë. E randsishme asht që ai të njihet prej saj”. – Zef Valentini

Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940) ishte frat, shkrimtar (poet e prozator), publicist, arsimtar, estet, piktor (jo profesionist[1], mendohet të ketë mbi 20 piktura[2]), deputet[3] dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Është shqiptari i parë i kandiduar për çmimin Nobel.

Zefi leu më 23 tetor 1871 prej Ndokë Simon Ndocit dhe Prendes së Lazër Kaçit mbas tre vëllezërve dhe një motre, familja e tij qe shpërngulë nga Domgjoni i Mirditës për punë gjaku. U pagëzua Zef nga arbëreshi Át Leonardo de Martino, famullitari i atëhershëm i Troshanit. Për cilësitë e mira që kishte, ra në sy të Át Marian Pizzochini nga Palmanova, Udine, i cili kërkoi nga prindët e tij që ta shkollonte djalin. Prindët nuk e refuzuan dëshirën e fratit. Meqë në fshatrat aty përqark nuk kishte shkollë, e dërgoi me shpenzimet e veta në shkollën fretnore hapur qysh më 1861 në Shkodër. Me hapjen e kolegjës së Troshanit më 1880 prej Át Marianit me mbështetjen e Gjon Pjetrit nga Bergamo, prefekti i misionit të Kastratit – Zefi 11 vjeç kthehet nga Shkodra tashmë si nxënës për t’u dalluar në shenj për nga mprehtësia. Në këtë kohë i shfaqen dhimbje në zemër, sa etnit françeskanë e dërgojnë menjëherë në Dubrovnik të Dalmacisë (Kroaci) për shërim. Pasi kthehet vijon sërish mësimet në Troshan.

Për të plotësuar formimin drejtuesit e kolegjit me miratimin e Gjeneralit të Urdhrit të Françeskanëve At Bernardinit prej Portogruaro vendosin që ta dërgojnë për studime të mëtejshme në filozofi e teologji në Bosnje. Pas 5 vitesh studime në Troshan, Zefi u nis vetë i shtati më 1886 së bashku me At Ejll (Sebastjan) Palaj/Paliq, At Severin Lushaj, At Pjetër (Simon) Gjadri, At Loro Mitroviç (Pashko Mazreku), At Bonaventura Gjeçaj dhe At Pashko Bardhin (Anton Nënshati me emrin e pagëzimit, Martin; Jozef Blinishti, me emrin Mhill). Vitin e parë të provës e kaloi në Guçjagorë afër Travnikut, me këtë rast bën dhe ndërrimin e emrit më 28 gusht 1886 dhe pranimit të kushteve të përkohshme të datës 23 tetor 1887, sipas ligjeve rregulltare nga Jozef në Gjon (Johannes), si emër i përmotshëm i një rregulltari[4]. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Suditkës, ndërsa ata teologjike në kuvendin e Livnos. Lexonte klasikët grekë e latinë si dhe Alighierin, Goldonin, Alfierin, Manzonin, Carduccin, Pascolin, etj. Sikurse dëshmon biografi i parë i jetës së Fishtës, njëkohësisht edhe koleg i tij Atë Pashk Bardhi, Fishta dallohej në sprovat e hartimeve në punimet filozofike, teologjike e letrare vjetore në gjuhët latine, italiane dhe kroate.Sikurse kudo edhe në mjediset religjioze xhelozia etnike sllave nuk kishte si të mos gëlonte e ziente edhe ndaj Fishtës dhe bashkëvëllazënve të tij, ndaj Gjergji reagoi së bashku me bashkëvëllaznit e tij përmes një proteste, organizuar nga studentët shqiptarë të Fakultetit të Teologjisë të Livnos. Fishta ideoi krijimin e një shoqërie të vogël letrare-artistike, e cila do të mund zhvillonte e të ruante traditat dhe vlerat më të mira të kulturës shqiptare. Në një letër, e cila mban datën 2 shtator 1892, ndër 10 nënshkruesit ishte edhe emri i fra Gjergjit. Nënshkruhet Enea–Silvio–Giorgio Fishta. Dy emrat e parë si të tillë u zhdukën, duke i mbetur vetëm i fundit, Giorgio, ndërsa në gjuhën kroate, Jure, në shqip, Gjergj, emër me anë të të cilit ne sot e njohim poetin kombëtar. Emrat e lartpërmendur të Fishtës janë personifikues të njerëzve të mëdhenj, si të humanistit, Papa Pio II, me emrat Enea dhe Silvio (Piccolomini). Ky Papë, në historinë tonë kombëtare njihet si ai i cili u nis për në Raguzë, për ta kurorëzuar Gjergj Kastriotin si “Atlet i Krishtit”, por vdiq në vitin 1464, në Ankona pa arritur ta finalizonte misionin e tij. Ndërsa Enea, personazhi tek “Iliada” e Homerit dhe Silvio, emër i rilindasit të shquar kroat Silvie (Strahimir Kranjçeviq), miku i Fishtës. Emri i fundit Gjergj, në aspektin fetar, personifikim i Shën Gjergjit, martir, shek. V, dhe në anën kombëtare, emri i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti[4]. Fishta shpenzonte pak kohë në përgatitjen e mësimeve, pasi mjaftonte një lexim i vetëm që ai t’i riprodhonte gati krejt përmendësh.

Profesorati i zgjedhur që kishin ardhur nga Roma dha vlerësime maksimale për studentin. Lexonte poetët kroatë Grga Martiç (1822-1905), nga Bosnja, Andrij Kaçiç (1704-1760), nga Dalmacia, malazezin Petroviç Njegosh Petar (1813-1851) “Gorski vijenac”, Ivan Mazuraniç (1805-1888). Në këtë kohë ai zë miqësi të ngushtë me poetin lirik kroat Kranjçeviç Silvije Strahimir (1865-1908), respekti dhe dashuria e të cilit bëri që ai t’i kushtonte në shenjë mirënjohje në vitin 1892 edhe një poezi në italisht. Nisi dhe ushtrimet e para poetike, që u ruajtën nga Atë Bardhi. Mbasi kreu studimet e larta për filozofi e teologji shkëlqyeshëm, në vitin 1893 kandidati për meshtar kthehet me të (gjashtë) shtatë sivëllaznit e tij në Shqipëri, tashmë i formuar e me kulturë gjuhësore në disa gjuhë (latinisht, italisht, kroatisht, frengjisht e gjermanisht), me njohuri mbi muzikën, artet figurative) etj. Të dielën më 25 shkurt 1894 në moshën 23 vjeçare, ngre (celebron) meshën e parë në kishën e Troshanit ende pa e mbushur moshën e lejuar, e cila duhej të ishte 24 vjeç, gjë që për ta bërë këtë, duhet të kishte kërkuar leje të veçantë për shugurimin meshtarak.

Fishta si mësues në Kolegjën e Troshanit, më 1894. Marubbi

Kështu mundi të plotësojë dëshirën për të kremtuar meshën e tij të parë, përpara bashkëfshatarëve të tij, shokëve e miqve me të cilët ishte rritur. Meshtari i saposhuguruar emërohet mësues në Kolegjin e Troshanit, bash aty ku pati marrë mësimet e para. Të dielave ai mbulonte me shërbim meshtarak kishën famullitare të Dom Lleshit (Zojës Nunciatë) në Lezhë (në të cilën shërbeu si kapelan (1896-1897), e cila mban si vit të ndërtimit të saj vitin 1240, vit në të cilin thuhet se aty kishte ardhur vetë Shën Françesku dhe se aty ai kishte themeluar bashkësinë e parë françeskane. Në vitin 1899 Fishta caktohet famullitar i përkohshëm në famullinë e Gomsiqes, nën juridiksionin e Abatit. Detyra e famullitarit i jepte mundësinë që të ishte vazhdimisht në kontakt me grigjën e tij shpirtnore dhe në këtë mënyrë të prekte me dorë e të kundronte për së afërmi cilësitë morale e shpirtnore të banorëve të këtyre maleve, doket, gjuhën idiomatike shpesh enigmatike, bujarinë, nderin, besnikërinë, trimërinë, urtësinë, krenarinë, drejtësinë, varfërinë ekonomike, mungesën e shkollimit, hakmarrjen, dëshirën për të qenë të lirë, të cilat do të preknin mendjen e meshtarit të ri. Me syrin e një psikologu, vëzhgues deri në imtësi, Fishta do të grumbullonte visarin gjuhësor, i cili do të ishte brumi me të cilin do të gatuante më pas veprën e tij letrare. Në Gomsiqe “… Fishta do të njohë deri edhe skutat më të thella, njerëzit që u bindeshin normave juridike të Kanunit, Kodit Zakonor të Shqiptarëve ku është pasqyruar shpirti i vërtetë i rracës.” “Në Gomsiqe, koloriti i gjuhës së Zadrimës, u fuqizua tek Fishta me thelbin e të folmes malësore…”. Deri më 1899, Fishta shkruan me alfabetin latin të françeskanëve. Po këtë vit, pra më 1899, falë miqësisë dhe admirimit që krijoi tek abati Prengë Doçi, një nga personalitetet intelektuale më të kulturuara të kohës, ky i fundit e ftoi si bashkëthemelues të shoqërisë «Bashkimi» me Dom Ndoc Nikajn, e me Atë Pashk Bardhin, Atë Ambroz Marlaskajn, etj. Kundruar nga këndvështrimi letrar “Kur më 1899 themeloi Shoqninë Letrare “Bashkimi” së bashku me abatin dinamik të Mirditës, Imzot Preng Doçi, Át Gjergj Fishta i zotnonte të gjitha nivelet e komunikimit në gjuhën shqipe, nga modulimet e âmbla dhe eufemizmat e të folmes femnore, në tonin therës dhe satirik të bejtexhijve, deri në të folmen madhështore të zonave alpine.” – shkruan Koliqi. Po at vit vritet vëllai për gjakmarrje, që u bë shkak që ai të shfryhet mbi këtë fenomen në poezinë Gjaksorëve, ndërkohë që dhimbjen për humbjen e të vëllait, meshtari françeskan do ta falte për hir të Krishtit, duke marrë përsipër faljen e gjakut dhe duke lidhur të dy familjet në kumbari të krishterë. Sipas sivëllaut Atë Sirdani “Kurë ishte At Fishta ende Meshtar i ri, i mbytne njanin vllà, pa kurrfarë fajit, po pak minuta mbasi kishte dalë prej odës së tij. Veç nji Zot e din se sa iu dhimbët ai vllà qi e kishte dashtë si sytë e ballit. Me gjith këta, ky e fali mejherë gjaksin e pashpirt, e bâni çëmos deri sa e detyroi të vetët jo vetëm me e falë, por edhe me u miqasue ato dy shpí ndër veti me nji lidhní shêjte, me kumâri,…”. Të njëjtën gjë na e konfirmon më vonë edhe Atë Daniel Gjeçaj. V. 1989 shënon edhe fillimin e krijimtarisë letrare të Fishtës, e cila nis e publikohet së pari në revistën Albania të Faik Konicës, por gati e gjitha me pseudonime. Po ashtu do të botojnë edhe në perkohshmen Elcija (mâ vonë: Lajmtari) i zemres së Krishtit. Në vitin 1902 emërohet sekretar i Komisariatit të Misionit Françeskan si dhe drejtor i shkollës françeskane në Shkodër. Si i pari drejtor shqiptar i kësaj shkolle, Fishta vendos në programin mësimor në vend të gjuhës italiane, gjuhën shqipe në të gjitha lëndët mësimore. Kujtojmë këtu se gjuha shqipe përdorej në këtë shkollë, por landët e tjera mësoheshin në gjuhën italiane, kjo për arsye të mungesës së teksteve në gjuhën shqipe. Ky akt, për kohën ishte guxim i madh, madje një rrezik. Fishtës iu desh një punë jo e vogël që të hartonte tekste, të jepte mësimet me shënime duke i shumëfishuar me shkrim n’orët mësimore. Mësues të shkollës kishte të njohurit Logoreci, Paluca, Kodheli etj. Më 1911 u festua 50-vjetori i hapjes së saj, dhe me këtë rast u bë një aktivitet kulturor, në të cilin nuk munguan me pjesëmarrjen e tyre autoritetet zyrtare, fetare, shërbimit diplomatik, (konsullatës austro-hungareze), dhe shumë anëtarë të bashkësive të tjera fetare myslimane dhe ortodokse. Programi i këtij aktiviteti ishte përgatitë prej vetë Fishtës. E thirrur prej të gjithëve në Shkodër si shkollë kombëtare, me 24 mars 1912, Shkolla Françeskane u nderua nga qeveria turke, e cila duke parë përgatitjen e nxënësve të saj kërkoi sugjerime për mësues të rinj që kishin kryer këtë shkollë, çka ishte meritim i posaçëm i Fishtës. Në verën e vitit 1902, gjatë pushimeve të verës Fishta shkonte në Rrapshë të Hotit për të zëvendësuar famullitarin e atij fshati, Atë Leonard Gojanin, ku frati do të njihej e të lidhte miqësi me plakun Marash Uci[5], të cilin do ta përjetësonte më vonë në vargje[6].

“Kënaqej poeti, tue veshtrue kallximet e kreshnikut të maleve mbi lufta, në të cilat ai vetë kishte pasë marrë pjesë si i ri. Përleshja te Ura e Rrzhanicës iu ngul Fishtës në tru dhe, pa u largue nga ambienti i ushtarëve me çakçirë e kapuç të bardhë në krye, u vu ta përshkruej, ashtu si e kishte ndigjue nga luftëtari.”
Në vitin 1904 Atë Pashk Bardhi, ndërsa jepte mësimin e gjuhës shqipe në Borgo Erizzo (Zara, Dalmaci) (Kroaci) dhe ishte kthyer në Shkodër për pushime, merr prej Fishtës për të lexuar dorëshkrimin e disa këngëve dhe pasi dha pëlqimin për to, vendosi t’i botonte. Do t’ishte Faik Konica, botuesi i revistës Albania dhe njëkohësisht miku i tyre i përbashkët, si dhe ndihma financiare e Ministrisë së Jashtme Austro-Hungareze, të cilët do të kontribuonin në botimin me titullin: Lahuta e Maltsiis – Kangë Popullore I – Marash Utsi. Do t’ishte kjo sprova nismëtare, që do t’i jepte edhe famën Gjergj Fishtës. Edhe pse u botuan pa emër, Fishta muer urime e lavde nga shumë miq, intelektualë shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipnisë, si dhe nga albanologë të huaj. Dinjiteti meshtarak dhe përvuejtnia rregulltare nuk e penguan të luante rolin që duhej në skenën kulturore të kryeqendrës së Veriut, Shkodrës. Nuk ishte aspak e lehtë të përballonte tashmë xhelozitë. Ky do t’ishte shkak që Fishta të transferohej sërish në Gomsiqe. Në v. 1906 Luigj Gurakuqi do t’ia kushtonte Fishtës veprën e vet Vargnimin n’gjuhë Shcype, e cila është metrika e parë në gjuhën shqipe. Dy vjet më vonë, më 15 shkurt 1907, së bashku me Atë Shtjefën Gjeçovin, themeloi të parën bibliotekë shkollore në Shqipëri, duke grumbulluar gjithfarë librash. Po këtë vit pranë shkollës fretnore çon një trupë teatrale amatore, në të cilën së pari do të vinte në skenë pjesët e veta dramatike, si dhe përshtatjet nga gjuhët e huaja, duke vënë kështu një tjetër gur themeltar në kulturën kombëtare. Po këtë vit ai arriti të botonte pjesën e dytë të “Lahutës” me titullin Vranina, në të cilën protagonisti ishte sivëllai epik i Marash Utsit, Oso Kuka. Në vjeshtën e atij dimri Fishta hapë kurset e natës për të rriturit, për të mësuar shkrim e këndim dhe ma vonë krijon një shoqëri bamirëse për fëmijët e varfër, për të cilët siguron ndihma të ndryshme ushqimore dhe veshmbathje. Ky do t’ishte një nga shembujt e dashurisë së krishtenë të të varfërit të Shën Françeskut në mision. Po këtë vit arrin me botue në Sarajevë përmbledhjen satirike “Anzat e Parrnasit“, të cilën Fishta ua kushton “mikrobeve të Kombit” asaj frotës së shqiptarëve të shitur, pa ndërgjegje e moral mbi të cilët Fishta lëshon pa mëshirë ironinë dhe sarkazmen e tij gjegjës e therës. Në nëntor 1908 mbledhet Kongresi i Manastirit. Fishta së bashku me Luigj Gurakuqin muer pjesë atje si përfaqësues i Shoqërisë Bashkimi, ku dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin. Karshi tij ishin Dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Hilë Mosi dhe Luigj Gurakuqi. Aty “Fjala plot kuptim, logjika dhe oratoria e françeskanit të Shkodrës, që e bante Fishtën të dallohej ndër të tjerë, edhe në këtë mjes bani që nga 52 anëtarë të Kongresit të fitonte për vete 49 zâje posi kryetar komisioni, të ngarkuem për studim të alfabetit. Qe një triumf për fratin e përvuejtë”. Sipas Karl Gurakuqit: “kongresi e pau t’udhës të caktonte poetin kombëtar Gjergj Fishtën ma fort në shenj nderimi dhe çmimi për veprat poetike që i pat falë popullit”, ndërsa për Tomor Osmanin përveç kësaj ishte ai u zgjodh edhe për: “erudicionin e thellë, kulturën e gjërë, forcën e fjalës, mendjen e mprehtë dhe logjikën e fortë”. Ditën e dytë të Kongresit të Manastirit Gjergj Fishta mbajti një fjalim të zjarrtë për vetitë e mira të shqiptarëve dhe për nevojat e tyne. Fjala e Fishtës në Kongres sipas shtypit të kohës bëri për vete të gjithë delegatët, mjafton me sjellë këtu një letër të Pashk Bardhit dërguar Shtjefën Gjeçovit, në të cilën i shkruan se fjalimi i Fishtës “kishte bâ me kja shumë kongresista dhe mbas fjalimit nji hoxhë toskë e ka marrë në grykë me lot për faqe”.

Vendimi për alfabetin e gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit.

Fishta tashmë ishte bërë një personalitet publik i veçantë në jetët e qytetit të Shkodrës, por edhe të të gjithë Shqipërisë, përmes njohjes dhe bashkëpunimit me intelektualët më të njohur, predikimeve, konferencave, fjalimeve publike etj. Jeta publike kishte bërë që ai të merret e të trajtojë edhe çështje politike. Në të gjitha qeveritë shqiptare prej vitit 1912 e deri sa vdiq, ai qe përfaqësuesi i vërtetë i shqiptarit dhe i etnisë, kampion i mbrojtjes së të drejtave të popullit të vet. Françeskanizmi shqiptar falë kontributit të Fishtës do t’ishte ai që njihet. Ai ishte ndër patriarkët e riorganizimit të Provincës. Në cilindo pozicion pune, famullitar, drejtor shkolle, bibliotekar, botues, sekretar province, guardian, definitor, kustod, e Ministër Provincial ai ishte shembulli i njeriut të përkushtuem, “… një avokat i përbetuar i integrimit të Shqipërisë në kulturën perëndimore të krishterë.” Thotë Át Anton Harapi, një prej kulturologëve më të shkëlqyer shqiptar, n’artikullin ”Shqiptari i Madh”, në rastin e nji botimi përkujtimor mbi jetën dhe veprën e Fishtës, më 1943: ”Kam ndollë vetë aty, kur nji ditë, nji shqyptar këthefit të vjetër, tue ankue për do shpërdorime të nierëzve të Shtetit me A. Gjergjin, dote disi me përfundue, se së ka Shqypni. Fishta don t’ia spjegojë punën, se njerzt e Shtetit nuk janë Shqypnija, edhe plaku, per me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë: Po na se kemi dijtë, more zotni…veç prej jush e kemi xanë shka âsht Shqypnija!”[5] Po këtë vit ai nisë me lexue e njëkohësisht duke studjuar me kujdes e vëmendje veprat e Shekspirit e Molierit. Vitin pararendës ai kishte ngritë një teatër të vogël, i cili vijonte ashtu që me nismën e De Martinos. Kështu ai vë në skenë: Gjokë Tarçuku ase mjek përdhuni, I ligu për mend, Dredhitë e Patukut, përshtatur sipas Molierit. Lexon Heinrich Heine (1797-1856). Fishta pati bashkëpunim me motrat Stigmatine, të cilat kishin ardhë në Shqipëri në v. 1879. Ato pasi kishin hapë në Shkodër shkollën e tyre për vajza (1876), arritën qysh më 1925 ta kthejnë në shkollën e tyre (e cila muer emnin Normalja e Stigmatineve), ortake të denjë të gjimnazit Illyricum, e cila do t’edukonte të rejat e të tre besimeve. Duhet të merret me mend roli i françeskanëve dhe i motrave stigmatine në këtë nismë, ngaqë dihej gjendja e rëndë sociale e femrës shqiptare, e cila lindej, martohej, lindte fëmijë, punonte e vdekte si qenie e dorës së dytë në krahasim me burrin. Ajo ishte e përjashtuar nga jeta publike, sepse ndikimi i presionit politiko-kulturor përgjatë shekujve të pushtimit osman, kishte lënë gjurmët e tij. Në këtë kuptim ndihmesa e bijve dhe bijave të Shën Françeskut ishte e madhe. Gjithashtu në v. 1908-1909 shkruan melodramat Sh’ Françesku i Asizit, e cila u shfaq me rastin e 700-vjetorit të Urdhnit Françeskan (1209-1909), e që u botue në v. 1912, Odisea, Ifigenija n’Aulli dhe Kryepremja e Shën Gjonit. Po në v. 1909 boton në Zara Pika voeset, Shtypshkronja Vitalini, një përmbledhje lirikash fetare, vepër së cilës më vonë do t’ia ndryshojë titullin në Vallja e Parrizit, por që kështu në botimin e parë ia kushton Luigj Gurakuqit. Disa prej ktyne poezive, origjinale si dhe përkthimeve, qenë publikuar në revistën e etënve jezuitë Elçija e Zemrës t’Jesu Krishtit. Në v. 1911, më 19 dhjetor, me rastin e 50 vjetorit të hapjes së shkollës françeskane nisë me shkrue dramën Juda Makabe, të cilën e përfundon vetëm pas tre vitesh, por këtu në këtë përvjetor u shfaq melodrama Shqyptari i qytetnuem, prej së cilës dilte mesazhi i Shqipërisë së lirë, çka shkaktoi entuziazëm e brohoritje tek të ftuarit. Justin Rrota kujton se “N’atë rasë, nepër dritën e llampavet, prej korit së kangtorìs pàsh, ke burra me mustakë e pleqë me thìja, të përmalluem, kjajshin si fëmija”. Po këtë vit falë autoritetit që kishte dërgohet nga qeveria turke në Podgoricë së bashku me Imzot Jak Serreqin dhe Dom Luigj Bumçin si ndërmjetës për arritjen e marrëveshjes së paqes midis Portës së Lartë të Stambollit dhe malcorëve kryengritës të Malcís së Madhe dhe të Mbishkodrës që u çuan kundër xhonturqve. Më këtë rast një vit më vonë dekorohet nga Sulltani me dekoratën Mearif për shërbime paqeje dhe humaniteti. Miqtë e tij të ngushtë do të ishin Imzot Prengë Doçi, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Atë Pashk Bardhi, Atë Anton Zanoni S.J, At Pal Dodaj (frat) etj. Nga tetori 1912 deri në fund të prillit 1913, kohë kur Shqipëria gjendej në prehën të pavarësisë së saj, dhe kur Imzot Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi mbanin në kontakt gjithë zhvillimin e ngjarjeve, për rreth shtatë muaj Shkodra u rrethue nga ushtria malazeze dhe kështu Fishta me Imzot Jak Serreqin arqipeshkvin e Shkodrës, Ndre Mjedën, Bernardin Shllakun ipeshkvin e Pultit e të tjerë u strehuan në Kuvendin e Arrës së Madhe. Më 12 qershor 1913, mbasditen e të Kremtes së Festës së Shn’Andout, Fishta ngre flamurin (6 metra të gjatë) kombëtar në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, që dëshmon se edhe Shkodra u bashkua me Shqipërinë pas muajve të gjatë të rrethimit malazez. Frymzuar prej valëvitjes ulet e shkruan aty për aty Porsi Fleta e Êjllit t’Zotit, që brenda pasdites vargjet kompozohen dhe u mësohen nxënësve të shkollës françeskane, të cilët nën drejtimin e fretënve dalin me këndue rrugëve të qytetit qysh atë darkë dhe të nesërmen më 13 qershor. Hareja që ky gazmend ushqej tek qytetarët ngacmoi autoritet ndërkombëtare që kishin marrë nën kontroll qytetin. Koloneli De Phillips me të marrë vesh për ngritjen e flamurit në kumbonaren e kishës i kërkon takim Pater Gjergjit, që t’i kërkonte heqjen e flamurit përndryshe do t’ishte i dëtyruar me gjuajtë me topa kumbonaren. Fishta gati, ia pret se flamuri i Skanderbegut e ka për nder të valojë nën gjuajtjet e artilerisë së tyre. De Phillips ndryshoi qëndrim dhe mbeti me aq. Në tetor të v. 1913 në prag të përvjetorit të parë të Pavarësisë, Fishta themelon të përkohshmen Hylli i Dritës, një nga revistat më të mira në historinë e shtypit shqiptar. Qè si shkruhej në editorialin e parë të saj “Perlimi ase programi i së përkohshmjes sonë, s’âsht tjetër veç t’orvatunt për lulzim t’Fesë e t’Atdheut, për t’marë t’Familjes e të zhdrivillimit t’Dijes në Shqypni, shka âsht njà për njà si me thânë për gjytetni e përparim të vërtetë t’komit Shqyptar”. Këtu tek kjo revistë Fishta do të tregojnë nji tjetër cilësi të formimit të tij kulturor: publicistikën e tij. Do të jenë me dhjetëra artikujt letrarë, politikë, pedagogjikë e polemikë që do t’i japin një tjetër përmasë personalitetit të tij. Hylli i Dritës mbas numrit të saj të dhjetë, kur Fishta botoi artikullin e famshëm “Nji komedi e pandershme e XX-ës qindvjetë”, në korrik 1914, u ndërpre nga autoritetet ndërkombëtare (Komisioni i Kontrollit) sepse Fishta e dënoncoi hapur për pandershmëri dhe pabesí hipokrizinë dhe intrigat diplomatike që bëheshin në kurriz të shqiptarëve. Për pasojë drejtori i saj u padit në Romë prej qeverisë ndërkombëtare si njeri i rrezikshëm për qetësinë e vendit dhe u dënua nga koloneli anglez G. Philipps me 20 muaj burgim në Maltë. Fishta iku fshehtas në Gomsiqe, tek Atë Shtjefën Gjeçovi, m’andej në Vig, ku ishte Atë Pashk Bardhi e më në fund në Troshan, ku shërbente Atë Pal Dodaj, sepse vetëm atje mund t’ishte jashtë juridiksionit të ndërkombëtarëve, të cilët administronin vetëm Shkodrën. Më 28 Nëntor 1913 u kremtua festa kombëtare, natë në të cilën u lidhën simbolikisht me drita kandilash, minarja e xhamisë së Fushë-Çelës me këmbanoren e kishës së Gjuhadolit. Gjatë kësaj kohe u desh ndërmjetësia e Imzot Serreqit, Imzot Bumçit e Imzot Kolecit që internimi të pezullohej. Filloi edhe Lufta e Parë Botërore dhe çështja e Fishtës sikur u harrue, sepse ndërkombëtarëve u desh të merreshin me të tjera gjana më të rëndësishme. Janari i v. 1916 e gjen Shkodrën sërish të pushtuar, kësaj here nga austro-hungarezët, tashmë jo për ndonjë përfitim territorial, por më tepër për justifikim strategjik. Ky vit do të shënojnë tri ngjarje të rëndësishme për Fishtën: Themelimin e revistës Posta e Shqypniës (5.12.1916 – 11.1918), instalimin e shtypshkronjës françeskane, si dhe krijimin e “Komisisë letrare” me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918). Më 3 gusht 1916 e themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Rajko Nachtigall, Dom Mjedën, e Mati Logorecin, Gjergj Pekmezin, Atë Ambroz Marlaskajn, Atë Shtjefën Gjeçovin, Sotir Pecin, etj. Komisia Letrare e Shkodrës hodhi bazat e drejtshkrimit të mëtejshëm bazuar mbi të dy dialektet e shqipes, si dhe punoi për një terminologji të re për administratën shqiptare. Pas disa diskutimeve Komisia vendosi të përdorej “dialekti i Elbasanit” si një kompromis asnjanës për gjuhën letrare, më 1923 me nismën e Sotir Pecit[7]. Ky vendim binte mjaft në kundërshtim me dëshirat e Gjergj Fishtës, për të cilin dialekti i Shkodrës ishte më i përshtatshmi. Fishta shpresonte se koineja shqiptare e veriut së shpejti do të shërbente si normë letrare për të gjithë vendin, ashtu si gjuha e Dantes kishte shërbyer si udhërrëfyese për italishten letrare. Po këtë vit më 5 dhjetor 1916 del numri i parë i gazetës “Posta e Shqypniës” shqip – gjermanisht e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. Doli dy herë në javë për dy vjet me radhë deri më 23 nëntor 1918 (gjithsej 89 numra), dhe punën e drejtorit për pjesën shqipe e kreu Atë Gjergji, i cili botoi aty afro 37 artikuj. Gazeta sipas Fishtës ishte ”themelue për Kombin Shqyptar; veç po, artikuj kanë me u botue edhe gjermanisht, qi edhe dheu i jashtëm të dijë do punë tona, për të cilat Kombi mundet me pasë interesë…”. Theksojmë se sikurse “Hylli i Dritës”, edhe “Posta e Shqypniës” u mbyll nga ana administratorit francez të Shkodrës, De Fortou, vetëm 5 ditë përpara se të kremtohej Festa Kombëtare e Pavarësisë, për shkak të disa artikujve polemikë të Át Gjergj Fishtës. Në v. 1916 Fishta sjell në Shkodër shtypshkronjën, e cila do të marrë emnin Shtypshkroja Françeskane, pra françeskanët tash e mbrapa do të kenë shtëpinë e tyre botuese. Kujtojmë këtu se botimet e deritashme u bënë në shtypshkronjën “Nikaj”. Bashkë me Atë Harapin, e Gurakuqin bëjnë bashkë malcorët e Hotit e Grudës me rá në Shkodër në shenjë proteste për lënjen e këtyre tokave Malit Zi. Më 1917 Kryeipeshkvi i Shkodrës e merr Fishtën së bashku me Imzot Bumçin si pjestar të grupit negociator mes qeverisë dhe malësorëve. Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, ushtria austro-hungareze tërhiqet nga Shqipëria dhe sërish del në pah çështja e kufijve territorialë. Kryetari i qeverisë së Durrësit Turhan Pashë Përmeti kryeson delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në prill të vitit 1919, në përbërje të të cilit janë edhe Imzot Luigj Bumçi, Luigj Gurakuqi, Mehdi Bej Frashëri, Dhimitër Berati, Mehmet Konica, Mustafa Kruja dhe Dr. Turtulli. Turhan Pasha emëroi Bumçin në krye të Delegatës, që të ndryshonte pamjen e huaj të Shqipërisë si “Turqi e vogël” duke qenë se ai kishte qenë ambasador i Perandorisë Osmane në Shën Pjetërburg. Pas nënshkrimit të marrëveshjes më 29 korrik 1919, në mes Tittonit të Italisë dhe Venizelos të Greqisë, për ndarjen e Shqipërisë, sipas Konferencës së fshehtë të Londrës të vitit 1915, delegacionet shqiptare qenë të vendosur të bashkëpunonin me delegacionin e kryesuar nga Luigj Bumçi, i cili zgjodhi sekretar të delegacionit Gjergj Fishtën i cili kishte shkuar me titullin “eksperti” ─ duke qenë të bindur se çështja kombëtare vetëm e fituar do delte nga një Fishte. Materialin, “Të drejtat e Shqipnisë etnike”, në konferencë të mbajtur në Universitetin e Parisit të shkruar në frangjisht nga Fishta e lexoi Imzot Bumçi. Bie në sy në këtë studim përgatitja e gjithanshme historike, kulturore, etnografike, ndërtimi stilistikor në pikëpamje letrare gjë që mbetet ende edhe sot një model i ndërtimit të nji eseje apo shembull oratorie. Në letrën e Atë Fishtës, datë 13 shkurt 1920, shkruar nga Parisi, provincialit Atë Vinçens Prenushit, ndër të tjera thuhej: “Mos tjeter, preh fletoreve do të keni marr vesht, se çë rrezik i zi i kercenohet Atdheut tonë. Me 20 të Kallndorit Konferenca u ka parashtrue Jugosllavve nji projekt, mbas të cilit Greqija merr Shqipniën jugore me Korçë e Argjirokaster; Italia Vlonen me hinterland e mandat mbi shqypniën e mesme; Jugosllavija pershtrihet deri në Dri ose, ndoshta der nMat”. Duke qenë se situata ishte ndërlikuar së tepërmi, në lidhje me shqiptarët dhe duke mos gjetë mbështetje nga Konferenca, delegacioni shqiptar, sipas letrës të Fishtës, dërgon në Romë imzot Bumçin, së bashku Mehdi Frashërin, ditën e dytë të Krishtlindjeve, te Papa Benedikti XV. Papa, duke qenë nga takimi i mëparshëm i mirinformuar rreth problemit shqiptar, dëgjoi me kujdes të madh shqetësimet e delegacionit. Në fund të bisedës, duke qenë i bindur se do gjejë mbështetje në partinë katolike në Parlamentin italian, në diplomacinë angleze dhe amerikane, me të cilat Vatikanit kishte marrëdhënje të mira, Papa pat deklaruar se do bënte çmos për ta shpëtuar Shqipërinë nga moscopëtimi i mëtejshëm i saj. Tok me Bumçin më 5 shkurt, 1920, zhvilluan takimin e radhës me kardinalin me emër të Brukselit, Disidre Mercier, primat i Belgjikës që me ndërkombtarizue më tej çështjen kombëtare, i cili muer përsipër t’i shkruante në favorin tonë kardinalit të Londrës dhe të Burnit, ekselencës së tij Balfuorit, më tej, mareshalit Fosh, Dechanelit, Milerandit etj. Mundi dhe djersa e Fishtës dhe të gjithë tjerëve, që u kurorzua me pranimin e shtetit tonë më 30 gusht 1919 nga Brukseli dhe m’andej, më 19 dhjetor 1920, në Lidhjen e Kombeve, me këtë rast Shqipëria së fundi siguroi tërësinë e saj, në kufinjtë e Konferencës së Londrës të vitit 1913. Duke qenë se Austro-Hungaria kishte hequr dorë nga Protektorati Kulturor mbi katolikët, Selia e Shenjtë mori në duar tashmë vetë katolicizmin në Shqipëri. Kështu Papa Benedikti XV, më 12 nëntor 1920, emnon Ernesto Cozzi-n Delegat Apostolik për Shqipërinë, 35 ditë përpara se Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipërinë si shtet sovran, që do të thotë se Vatikani realizoi i pari njohen diplomatike de facto të vendit tonë. Pasi pranon se edhe ai vetë, sa herë ka marrë pjesë në bisedimet me delegacionet e huaja:

“… të them të verteten se m’âsht dasht t’skuqesha për inferioritetin t’em. Âsht e kotë të gënjehemi. N’se përjashtohet Gurakuqi qi vetëm ai ka nji kulturë të përshtatshme, ka nji atdhetari të shëndoshë dhe nji njohuni të gjânë për njerëzit dhe për sendet e Shqypnisë, asnji nga anëtarët e qeverisë, kjoftë të saj së maparshmes, kjoftë të së tanishmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqypninë dhe të mbrojë siç duhet interesat e sajë“[8].

Lajmi i vdekjes s’Poetit Kombtar në medien italiane

Më 1921 ridel pas 7 vitesh revista Hylli i Dritës në rrugën e ndërprerë, ndërkohë që aktivitetin e tij botues, qoftë letrar, qoftë publicistik, Fishta e zhvillon në revistën “Zâni i Shna Ndout“. Ndërkohë shkolla publike ishte një projekt i ri që Fishta me shokë e kishin gjithnjë në mendje. Niveli i deritashëm nuk ishte i mjaftueshëm prandaj duhej një gjimnaz klasik. Duheshin siguruar ndërtesa, orenditë, pajisjet dhe mjetet didaktike shkollore, personeli i duhur, leja prej autoriteteve kishtare e zyrtare. Fishta së bashku me Provinçialin e ri, At Doden, shkojnë në Romë dhe takojnë Kryetarin e Urdhnit dhe priten për të dytën herë në audiencë nga Papa Benedikti XV, i cili u dha një shumë prej 100 000 liretash, ndërsa Kuria Gjenerale u jep një hua me lehtësi shlyerje, ndihma të cilat i ndihmuan për hapjen e shkollës publike me emrin “Illyricum” me nxënës të të tre besimeve, katolikë, myslimanë dhe ortodoksë. Më 6 qershor 1921 në zgjedhjet e para demokratike Shkodrën e përfaqësojnë në Parlamentin e parë shqiptarë si deputetë Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi. Fishta në fillim zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Kur dëtyrohet m’e lanë, propozon Atë Ambroz Marlaskajn. Mbasi niset në shkurt 1922 nga Liverpool-i, në letrën e tij datë 8.5.1922, dërguar provincialit, Atë Pal Dodajt, nga Washington-i thekson se pas dymbëhjetë ditëve udhëtimi me vapor nga Anglia, më në fund kishte arritë në Amerikë. Viziten e përshkruan mjaft bukur në një letër dërguar Pater Justin Rrotes, që daton 11 mars 1922. Pa humbë shumë kohë, kishte filluar për të bërë lobing rreth çështjes së Shqipërisë. Pas takimit që pati me françeskanin me ndikim të madh në qarqet diplomatike të Washington-it, Atë Godfried Shilling, Fishta takoi dhe senatorin katolik, Henry Cabot Lodge, i Partisë Republikane, njeri me autoritet të madh dhe i një mendimi me Presidentin Wilson për të drejtat e barabarta të popujve. Në letrën e naltcituar, Fishta do shprehej: “… âsht mirë qi Qeveria e Tiranes, t’i drejtojë nji shkresë nënsekretarit të Ministrisë së Jashtme të Amerikës, tue kerkue zyrtarisht këtë njohje…” Në fund të letrës, shkruan Fishta: “Ndërkaq vizita eme në Washington ka pasë si përfundim njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e mâparshme të Qeverisë sonë, si ato të “Vatrës”, s’kanë pasë sukses… Qenë Senatorët katolikë, të cilëve ua paçë paraqitë çashtjen sidomos në pikëpamje fetare, ata qi me ndërhimje të veta xuerën njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”. Fishta, takimet në Washington nuk i kishte bërë në rolin e një deputeti të Shqipërisë, edhe pse ishte mandatar nga populli në dy legjislacione, por si intelektual që kishte marrë famë kombëtare dhe ndërkombëtare. Faik Konica në përgjigje të një letre që Fishta i kishte dërguar, i shkruan nga Bostoni: “Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë nër Shqipëtarët e këtushëmë nji kujtim lartësie dhe drite, që kà shuar gjithë moskuptimiet e shkuara”. Ndërkaq duke u kthye nga Amerika, Fishta i shkruan Atë Pal Dodajt se është duke shkruar një poemë satirike. Është fjala për poemën “Gomari i Babatasit“, vepër e cila u botua në dhjetor 1923, me të cilën shënoi pjekurinë e tij të plotë artistike. Po këtë vit del gazeta “Ora e Maleve”, që u bë shkolla e gazetarisë shqiptare, në të cilën kontribuan oratoria e Dom Lazër Shantojës, mençuria e Luigj Gurakuqit, penda ledhatuese dhe e ëmbël e Vinçenc Prennushit, studimet e holla të Anton Harapit, gjithashtu Nush Topalli, Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Bernardin Palaj etj. Për këtë gazetë Ernest Koliqi shkruan: “Dihet se Ora e Maleve, e nisun mâ s’forti me qellime kulturore, pat menjiherë nji zgjanim të papritun politik edhe u bâ organi i nji grupi qi përfshinte në gjinín e vet fuqit fetare, shoqnore dhe ekonomike të Shkodrës unji dhe krejt krahinës së saj. Grupin e kryesonte Luigj Gurakuqi. Shkodra nuk njofti kurr stinë mâ të lulzueshme me mugullime qellimesh e vullnetesh për nji përparim të njimendtë qytetnuer. Shkodranët pa dallim besimesh, klasash shoqnore, kulturash, me lagje të qytetit e me katunde e me male kreshnike… mblidheshin tok rreth Gurakuqit,- Bashkqytetarit zemër-madh e mende-ndritun, qi dinte me pajtue në shkrime në sjellje e në veprimtari ndertuese tharme jetike të traditave të shëndosha me nevojët e kohës moderne. Ai kalonte udhës i përsjellun gjithkund nga nji tubë djelmoshash e grat nga dyert e oborreve me fëmij në krah e reshëshin me nji breshën bekimesh. Kalonte si profet i rrethuem nga nderimi dashunuer i mbarë nji populli.” dhe vijon: “Prej frymzuesavet qi ishin Emzot Mjedja, Gurakuqi, Patër Gjergji, prej bashkëpuntorvet të shquem si At Antoni, Shuk Gurakuqi, Kolë Kamsi, At Bernardin Palaj, prej redaktuesavet të rendomtë qi ishim Dom Lazri dhe unë e deri ke shtypshkruesat me Gjon Shqipnin ne krye e Tom Laca, shpërdas e shitës i fletores, kjo njehej si nji gja qi ishte pjesë e sejcilit prej nesh, pjesë e shpirtit dhe e jetës s’onë.” Në votimet për Kuvendin Kushtetues në dhjetor të vitit 1923, Fishta së bashku me Fan Nolin dhe Luigj Gurakuqin përfaqëson Opozitën, por nuk qe e thanë sepse qeveria nuk zgjati as nji vit, për shkak se Ahmet Zogu përmes Partisë Popullore vjen në pushtet më 24 dhjetor 1924. Burgosen D. Ndre Mjedja, D. Lazër Shantoja, A. Anton Harapi, A. Bernardin Palaj, Atë Klement Miraj; Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi detyrohen të largohen nga Shqipëria dhe Fishta për të njajtat arsye largohet gjithashtu në Itali më 1925-26, ku qëndron pranë Urdhnit Françeskan, ku pas kurimit me kujdes t’ekspozimit në pavionin shqiptar në Romë më 1925, u dekorue nga Papa Piu XII, e jo sikurse asht shkruar në ndonji rast për shërbime klerikale. Hylli i Dritës preu frymën përdhuni edhe nji herë tjetër mbas ndalimit të vitit 1914. Por, penda e poetit nuk heshti. Më 1924 botohet për së dyti “Mrizi i Zanave” dhe në vitin 1925 “Vallja e Parrizit” (botimi i dytë), “Ifigjinia n’Aulli”, “Sh. Luigj Gonzaga” (1927), “Shqyptarja e gjytetnueme”, e cila u shfaq në vitin 1929, dhe në revistën “Leka”, “Mojs Golemi i Dibrës” e “Deli Cena”. Në janar 1930 (këtu incidenti me Portland Cementi (142, 159, 164, 165), nis sërish pas një ndërprerje prej pesë vjetësh, Hylli i Dritës, drejtimin e së cilës Fishta ua besoi sivëllazënve të tij. Po më 1930 emërohet nga Urdhni Françeskan “Lector Iubilatus honoris causa”. Në vitet 1930 Fishta përfaqëson Shqipërinë në Konferencat Ballkanike në Athinë, (1930), në Stamboll, (1931), ku ai është anëtar i delegacionit së bashku me Mehmet Konicën dhe më 1932 në Bukuresht. Më 1930 ftohet dhe pranohet anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në New York, në të cilin merrnin pjesë shkrimtarë nga rreth 60 shtete të ndryshme të botës. Qeveria shqiptare, për me mbrojtë interesat e vendit, muer pjesë në disa konferenca ballkanike në v. 1930-1933, nën kujdesin e Francës, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Lidhjes së Kombeve. Në këto takime ndërkombëtare, flitej për krijimin e zonës së paqes në Ballkan si dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave në këto vende. Në fund të v. 1930, konferenca qe mbajtë n’ Athinë, Shqipëria qe përfaqësuar nga At Fishta dhe Mehmet Konica. Fishta në letrën e tij, datë 11 tetor 1930, nga Athina drejtuar provincialit Atë Vinçenc Prenushit, ndër të tjera, thotë se Konferenca nuk kishte sjellë diçka të re, edhe pse Mehmet Konica me referatin e tij, në krahasim më të tjerët, kishte qenë shumë në lartësinë e duhur. Fishta, në këtë Konferencë qe përqendruar në zhvillimet kulturore në Shqipëri. Konferenca e dytë qe mbajtë në Stamboll, në vitin 1931, ku të dërguarit e Shqipërisë, rishtas qenë Fishta dhe Konica. Kjo Konferencë, sipas Fishtës, qe e organizuar shumë më mirë se ajo e Athinës. Konferenca qe hapë nga Presidenti i Turqisë, Hasan Begu, fjalën e kishte mbajtë dhe Kryeministri i Turqisë, Ismet Pasha. Fishta, në letrën e tij nga Stambolli të datës 20.10.1931, drejtue provincialit, Pal Dodaj, tuke bërë një përmbledhje të Konferencës, ndër të tjera shprehet: “Sod, 21, kemi pasë luftë më Jugoslav në Komisionin Politik. Mehmet Konica âsht sha keqas me Kryetarin e dergatës Jugoslave me nji farë Topaloviç. Joviç, Kryetari e Dergates Jugoslave i paska thânë Konitzes se âsht i shtím prej dikúj tjetër me prishë Konferencen. Konica i paska përmendë punët, qi Jugoslavet, kanë bâ dhe bâjnë mbi shqiptarët e Kosovës dhe e paska quejtë barbar”. Fishta, në vazhdim të letrës, thekson se, për shkak të kësaj ngatërrese, në mes këtyre dy delegacioneve, Konferenca qe rrezikuar të mbyllej para kohe, por, nga ana e jugosllavëve ishin tërheqë fyerjet e bëra ndaj delegacionit shqiptar. Derisa grekët, rumunët dhe Turqia kishin këmbëngulë që të nënshkruhej në këtë Konferencë pakti për pakicat, nga ana tjetër bullgarët kërkuen që kjo çashtje të shtyhet për nji konferencë tjetër, e cila do mbahej në vitin e ardhshëm. Pasi çashtja e pakicave nuk muer Gjergj Fishat-Ndre Mjeda_Luigj Gurakuqizgjidhjen e duhun, në v. 1932 u organizua Konferenca e Tretë Ndërballkanike, në Sofje të Bulgarisë, ku morën pjesë të njëjtët aktorë dhe pati të njëjtën tematikë. Atë Fishta, posë rolit të delegatit, tani kishte dhe rolin e provincialit, që përfaqësonte etnit françeskanë të Shqipërisë. Kjo konferencë pësoi fatin e atyne të mëparshmeve, duke mos sjellë gjë konkrete për temën në fjalë.

Mbas këtyre Konferencave maratonë Ndërballkanike, gjëja më e mirë, që ëmbëlsoi shpirtin e trazuar të poetit, ishte pranimi i tij si anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar i Poetëve, organizatë kjo e themeluar në Nju Jork. Ky bashkimi ndërkombëtar i poetëve, ku merrni pjesë rreth 60 kombe të ndryshme, ishte mënyra ma e gjetur për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit në mes diplomacive të shumta botërore. Këto vite, më të frytshmet e jetës së tij, i kaloi në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, por pa u shkëputë kurrë nga problemet e mëdha qytetase, kombëtare e botërore. Të kësaj kohe janë edhe pjesa ma e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Më 1931 del nga botimi pjesa e tretë e Lahutës me titullin Lidhja e Prizrendit, e cila ishte botuar periodikisht në revistën Hylli i dritës në vitin (1921-1922). Një vit m’andej, pra më 1932 boton në revistën Leka fragmentin në vijim pas botimit në “Kalendarin e veprës Pijore”, të poemës Mojs Golemi, e cila u la në mes. Këtu është momenti i publicistikës së Fishtës me polemikën e njohur me Hilë Mosin nën titullin: “Gabove Hilë!”, qortim të cilin nuk pat kohë ta përmirësonte sepse iu shpejtua vdekja ministrit t’arsimit. “Vetë Fishtës i erdh keq, kur muer vesht se përgjegja e Hyllit kishte bâ efektin e padëshiruem mbi jetën e kundërshtarit”. Fill pas tij do t’ishte Mirash Ivanaj që do të aplikonte të njëjta masa në arsimin kombëtar. Antiklerikalizmi çuditërisht do të kërkonte të përballej me françeskanët përmes dy ministrave t’arsimit, të cilët ishin katolikë. Ivanaj kërkoj polemikën mbështetë në ligjin e datës 23 prill 1933, i cili i mbyllte tashmë shkollat private, e që komunistët do ta zbatonin besnikërisht 13 vjet më pas më 1946. Ka ngelë proverbiale thënja e Fishtës në praní të nxënësve në oborrin e gjimnazit “Rrnoftë Shqipnia pa ne (këtu françeskanët”. Gjimnazi u mbyll më 25 prill 1933, pas 12 vitesh si gjimnaz dhe 72 vitesh si shkollë fillore. Po këtë vit Fishta do të dëshmojë edhe një tjetër anë të personalitetit të tij kulturor, estetin. Në revistën Hylli i Dritës ai do të publikojë traktatin estetik: “Shinime estetike, mbi natyrë t’artit”, të lavduem edhe nga profesora t’universiteteve britanike duke parë tek Fishta jo vetëm nismëtarin e atij zhandrri në Shqipëri por një estet të përmasave europiane e botërore që do çonte në një stad të ri t’estetikës[9]. Gjithashtu me rëndësi është reçensioni që shërbeu si parathënje, bërë për librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi dhe botuar pas vdekjes së këtij të fundit, në të cilën ai shfaqi mendimet e tij vlerësuese për krijimtarinë gojore. Fishta në tetor 1934 do të shkruante një tjetër artikull magjistral si përgjigje ndaj broshurës së Ismet Totos “Grindje me klerin” që ky i fundit kishte shkruar si përgjigje ndaj polemikës që kishte me Anton Harapin. M’andej Fishta i mërzitur nga mënyra se si ishin duke shkuar gjërat, sikurse edhe në vitet 1924-25, shkon në Itali. Në qershor 1935 zgjedhet Proviçial. Po këtë vit rihapet gjimnazi françeskan mbas seancave gjyqsore që kishte fituar në Hagë kundër politikave të shtetëzimit e laicizimit t’arsimit t’aplikuara nga Mosi më parë, e pasuesi i tij Ivanaj. Viti 1937 shënon 25 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë me ç’rast bën edhe botimin përfundimtar të “Lahutës së Malcís”, e cila i kishte kushtuar më shumë se 30 vjet punë. Në prill t’atij viti shkon me mision në Çekosllovaki me detyrë prej Urdhnit. Më 17 qershor 1938 Fishta plotëson mandatin si provinçial dhe në këtë post e zavendëson Át Çiprian Nika. Pushtimi italian i Shqipërisë më 7 prill 1939 solli pështjellim në jetën politike, sociale e kulturore të vendit. Më 3 qershor 1939 Fishta emrohet akademik i Italisë, çfarë do të sjellin edhe mjaft polemika dashakeqe në periudhën 1945-1990. Pranimi i këtij vlerësimi nga ana e Fishtës nuk është bërë prej kurrëfarë hipokrizie politike, aq mëa keq kur Shqipëria sa ishte pushtuar nga Italia dhe dihen publikisht qëndrimet e Fishtës. Akademia e Shkencave e Italisë, ishte institucion shkencor mbipolitik, dhe si i tillë e propozoi dhe e pranoi unanimisht anëtar efektiv të saj Fishtën, për një motiv të vetëm; personaliteti kulturor, letrar dhe pse jo edhe politik i bënte nder asaj akademie. Në këtë mënyrë lehtësonte trysninë që pësonin sivëllaznit e tij nga instancat fashiste të vendosura në Shqipëri. Gjithashtu ishte një teknikë e mirënjohur administrative kjo, që duke titulluar një personalitet, do e mbanin larg vendit të vet italianët, sepse akademikët mbanin konferenca vende-vende, me parimin promoveatur ut amoveatur. Sipas kujtimeve të Atë Zef Pllumit kur Fishtës iu kërkua që të refuzonte titullin e Akademikut nga sivëllaznit, me ç’rast Fishtës sipas një rregulli të caktuar i binte që të mbante një varg konferencash nëpër institucione të ndryshme kulturore, ai ishte përgjigjur se: “Un ndër konferencat e mia do t’ua përsëris italianëve pa ja dà se me të vërtetë Roma dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U bâj edhe nji premtim tjetër se përnji që ato konferenca do të kryejnë për gjashtë muaj, siç e don rregullorja, un menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipnì“. Me sa kuptohet nga ditari i Qemal Draçinit, Fishta i kishte propozuar këtij me qenë sekretar i tij[10]. Një vit më pas, më 1940, Papa Piu XII e priti atë në një audiencë të gjatë në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Ernest Koliqi thekson se: “Poeti i ynë komtar qe fetar por jo konfesjonal. Ndjesinat tepër të ndezuna atdhedashunore ia prenë mundësín e karjerës kishtare. Jo pse eprorët e tij njehshin si faj atdhedashunín, por pse drojshin se Ai, njeri me rrebe, mund të mirrte qindrime tepër të shtyme për nji gjerark kishtar.” Aty nga fundi i vitit 1940 kërkon të shkojnë në Troshan, aty ku kishte nisë së pari jetën rregulltare, e pse jo edhe atë letrare, aty ku kishte mbathë sandalet dhe kishte vënë rreth brezit litarin e Shën Françeskut. Sëmuret me 10 dhjetor dhe kërkoi pranë vetes mikun dhe Proviçialin Atë Pal Dodajn dhe sekretarin e tij Atë Viktor Volajn, komentuesin e veprës së tij poetike. Më 14 dhjetor e sjellin në Shkodër, ku e shtrojnë në spital. Më 22 dhjetor, borën e skllotën që kishte mbuluar qytetin, Fishta e kundron nga dritarja e kuvendit. Më 22 ra një borë e madhe dhe Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Me 27 mjekët humbasin shpresat dhe Fishta bie në kllapi[11]. Fjalët e thëna sivëllazënve që i ndejtën afër:

Po ‘des kondend (i kënaqun) përse kam punue për Fé, Atdhé, e për Provincën tonë.“,- e mbylli testamentin sipas Át Marin Sirdanit.
…jo për tjetër, por, sepse po lá anmikun mbî truellin shqiptar, mue më vjen keq qi m’duhet të ‘des.“,- fjalët e fundit të Poetit.
Më 30 dhjetor 1940 Át Gjergj Fishta jep shpirt në spitalin civil të qytetit të Shkodrës ku ai ishte shtruar nga një sëmundje e zemrës dhe e mushkërive. Arkivoli me trupin e tij u vendos në Kishën e Gjuhadolit prej nga u përcoll në banesën e fundit nga pothuaj i gjithë qyteti si dhe autoritetet ma të nalta të kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Imzot Gaspër Thaçi Arqipeshkëvi Metropolit i Shkodrës. Telegrame të shumta ngushëllimi muer Provinçiali Atë Çiprian Nika. Më 31 janar 1941 Akademia Mbretnore e Italisë mbajti nji Meshë Drite në kishën artistike të saj të Shën Lukës dhe Shën Martinës, meshë të cilën e udhëhoqi Gjenerali i Urdhnit Françeskan At Leonard M. Bello, këndue nga Schola Cantorum e Vatikanit, ndërsa pjesën muzikore të saj e drejtoi muzikanti i njohurn Akademik Don Lorenzzo Perosi, ndërsa një tjetër ceremoni përkujtimore u mbajt Reale Accademia d’Italia më 9 mars 1941. Përmbledhim këtu tue ba tonin vlerësimin e bamë nga Ernest Koliqi se: “… tek Fishta u shkrinë në nji, tana cilsitë e tij prej murgu, oratori, edukatori e politikani, ndërthurun në mënyrë të shkëlqyeme në përkushtimin e lindun ndaj poezisë.” Pranë i rrijnë shumë nga Franceskanët e mëdhenj që bënë epokë, në mes të cilëve edhe At Viktor Volaj, studiuesi i njohur i krijimtarisë letrare të Fishtës. Fjala e fundit u mbajt nga Prof. Aleksandër Xhuvani.

Fishta në shtratin e vdekjes

“At Fishtën e zuni vdekja ndërsa kishte ndër duer përkthimin e Petrarkës në gjuhën shqipe, sikurse kishte përkthye kaherë “Hymnet e shejta” dhe “Pesë Maj” të Manzonit disa nga ariet e Metazit dhe lirika nga shumë poetë të tjerë italianë.“[12]
Dekoratat, foto Marubbi

Pupla e artë dhe kunora e argjendtë, foto Marubbi

I dekoruar për shërbime paqe me dekoratën Mearif të klasit të II. Më 28 janar 1912, Klubi “Gjuha Shqype” në pallatin ipeshkvor në praninë e Imzot Jak Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe një ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës një kurorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretëria Austro-Hungareze me medaljen Ritterkreuz (1912), për kontributin kulturor në Shqipëri, qyteti i Beratit i dërgoi një pupël ari (pendë) (1913), Piu XI Medaglia di Benemerenza (1925), Urdhëri françeskan e dekoroi Lector Jubilatus (1929), Greqia me dekoratën Phoenix (1931); qeveria italiane e bëri anëtar të saj, Academico d’Italia më 1939. Me rastin e 130 vjetorit të ditëlindjes së tij. Këshilli i Bashkisë se Lezhës e bëri “Qytetar Nderi”. Në këtë mbledhje përkujtimore, një grup intelektualësh kërkuan nga Kryetari i Qarkut dhe Prefekti qe t’i bëhet një propozim Presidencës që t’i akordojë poetit të madh titullin e lartë “Nderi i Kombit” për merita të shquara në shërbim të Kombit Shqiptar. Kjo dëshirë u realizua nga Presidenti Alfred Moisiu me 28 Nëntor 2002.

Veprat artistike, mendimi i Fishtës mbi edukimin e mësuesinë
Arrin të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcís“, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit“, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset“, më 1913 “Mrizi i Zanave“. Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj. Si mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe. Ai i kishte vënë vetes si qëllim që të luftojë për të ngritur nivelin kulturor e arsimor të bashkëkombësve dhe për të nxitur tek ata dëshirën për përparim dhe për atdhedashuri, si dy shtylla qe do t’i ndihmonin për të mbajtur në këmbë shoqërinë shqiptare të goditur nga pushteti disashekullorë otoman.

Do te ndalemi në periudhën e parë të veprimtarisë së tij politiko-arsimore, ku ai fillon përpjekjet për të vazhduar e çuar më tej punën e paraardhësve të tij, Naimit, Samiut, Petro Nini Luarasit etj, në luftë për ngritjen kulturore e arsimore të popullit. Kjo ishte koha e fundit e pushtimit turk dhe e viteve të para të Pavarësisë, domethënë deri kur ai do të zgjidhej deputet dhe do t’i vihej punës për zhvillimin e gjuhës dhe shkollës shqipe në kushtet e ekzistencës të një shteti shqiptar të pavarur. Kjo ishte një kohë që do të kërkonte jo vetëm aftësi krijuese shkencore pedagogjike të larta, por edhe një nuhatje të fortë politike për të shfrytëzuar me sukses çdo koniunkture në shërbim të zgjidhjes së çështjes kombëtare, pra edhe të problemeve të gjuhës dhe të shkollës shqipe.

Në këto kushte, historiko-shoqërore, Fishta luftoi për ngritjen e nivelit kulturor e arsimor të popullit që, sipas tij, do të ndikonte për fuqizimin e luftës për liri, pavarësi e përparim ekonomiko-shoqëror.

Pasi u kthye nga studimet e larta për teologji e filozofi, u caktua në kolegjin e Troshanit si profesor. Ai e deshi mësuesinë dhe e quajti “Zeje të shenjtë”. Fishta nuk që vetëm krijues artistik i nivelit të lartë, por edhe linguist, pedagog, filozof, sociolog e diplomat, piktor dhe adhurues i muzikës etj. Pra, kishte një përgatitje të përgjithshme shkencore-pedagogjike në lartësinë e kërkesave të kohës. Ai njeh mendimin pedagogjik bashkëkohor evropian, të cilin përpiqet ta shfrytëzojë për të forcuar punën në shkollë. Kujtojmë fjalimin që përgatiti për ta mbajtur në parlament, kur po diskutohej për arsimin, ku dalin qartë parametrat e filozofisë së tij arsimore në kushtet e reja të ekzistencës së shtetit shqiptar. Pra, ai është një personalitet poliedrik. Ajo që të bie në sy menjëherë, kur studion veprën e tij, është se të gjitha këto aftësi i vë në shërbim të zhvillimit të kulturës dhe të arsimit shqiptar.

Kaligrafia e Fishtës, ku në këtë letër tregon edhe kahin e kërkimeve n’etimologji

Ai, duke ndjekur traditën e shkrimtarëve te Rilindjes që, krahas krijimtarisë artistike, ìu kushtuan dhe punës për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe të shkollës shqipe, punoi në mënyrë shumë të përkushtuar për të çuar më tej punën e nisur prej tyre në kushtet e reja të rënies përfundimtare të perandorisë turke dhe të krijimit të shtetit te ri shqiptar. Idetë e tij pedagogjike, veç artikujve shkencor që botoi në organe të ndryshme të shtypit të kohës, i gjejmë të kristalizuara edhe në veprat e tij artistike. Ky mund të jetë edhe ndikimi latin, sepse dihet se romakët edhe rregullat e stilistikës i paraqitnin në vargje. Për ilustrim po japim një tercinë nga përkthimi prej tij i “Prozodisë latine”:

Në kohë të kryeme rrokja e parë zgjatohet,
Po që verbi dyrrokësh. Veçse kjo rrokje
Në Sto, Do, Findo, Scindo, Bindo do t’shkurtohet.
Fishta, duke i shfaqur idetë e tija pedagogjike edhe me anë vargjesh, ishte i bindur se ato do të kapeshin e do të kuptoheshin më shpejt nga bashkëkombësit e tij. Ai, nëpërmjet të kësaj rruge, u përpoq që të futej, jo vetëm në mendjen e bashkëkohësve të tij, por edhe në zemrat e tyre dhe mund të themi se ia arriti qëllimit. Fishta, pas binomit të njohur “Për fe dhe atdhe”, mund të themi se krijoi dhe një binom tjetër shumë të fuqishëm: “Çdo gjë për gjuhën dhe shkollën shqipe”. Ndërsa më të parin lëshonte kushtrimin madhor për të dhënë jetën për lirinë e trojeve shqiptare, në të dytin kërkon angazhimin e të gjithëve për mbrojtjen e kulturës, të gjuhës dhe të arsimit shqip. Mund të themi se të dyja këto thirrje plotësojnë njëra-tjetrën. Tek poezia kushtuar mikut të tij, historianit Pashk Bardhi, formulon qartë kredon e tij pedagogjike:

“Pêr çka se mjaft nuk âsht’ me mkâmbë Shqipninë, porse duhen rrit edhe shqiptart, qi t’bâhen të zot me e mbajt Shqipninë“

Ky përfundim i filozofisë arsimore fishtiane ka qenë dhe do të mbetet qëllimi përfundimtar i shkollës sonë mbarë kombëtare. Poeti vizionar lufton që në shërbim të përparimit të kombit të vihet gjithë potenciali intelektual dhe për këtë qëllim përkrahë çdo lëvizje kulturore e arsimore që krijohet në atë kohë.

“Në prakun e vjetit 1899 themelohej në Shkodêr Shoqnija letrare “Bashkimi” nên kryesinë e Abatit të Mirditês, Emzot Prêngë Doçit, qellimi i se ciles âsht’ zgjim’i popullit me anë botimesh në gìuhen amtare. At Gjergji, bashkëthemelues e si pjestar i nxehtë i saj, vûni të gjitha fuqitë e veta pêr të bâme që të përparonte: merrte pjesë rregullisht e pa u lodhun kurrë në mbledhjet e Kshillit e zbatonte me ndërgjegje të plotë dëtyrimet që i ngarkoheshin. Në të gjitha botimet e Shoqnisë, tue nisun prej Abetarit e tue vijuem ndêr librat tjerë deri te Fjalori i çmueshëm i vjetit 1908, At Fishta dhá ndihmesen e vet të vlefshme me k’shilla e me punë“.

Ky angazhim me frytdhënie kaq të lartë shkencore, që në moshën 28 vjeçare në fushën e gjuhës, kulturës dhe të arsimit tregonte se në botën intelektuale shqiptare po hynte një force e re shkencore, e aftë për të kontribuar në përballimin e problemeve të mëdha të kohës në këto fusha me rëndësi shumë të madhe për kombin, që në atë kohë ishte i angazhuar në luftë për liri e pavarësi. Dihet se pa gjuhë nuk ka shkollë dhe pa shkollë nuk mund të ketë zhvillim modern të gjuhës.

“Alfabeti i Bashkimit,- thotë Vehbi Bala,- i projektuar nga Fishta përmblidhte veçoritë më pozitive të alfabeteve ekzistuese dhe Kongresi e pranoi atë si alfabet të vetëm të shqipes. Drejtësinë e këtij veprimi e tregoi koha: ai u bë alfabet kombëtar. Pra, edhe këtu, si gjetkë, Fishta dha një kontribut të spikatur për kombin shqiptar”.

Edhe sikur vetëm kaq të kishte bërë Fishta për gjuhën dhe shkollën shqipe, do të ishte e mjaftueshme për ta vënë atë në sofrën e parë të mendimtarëve shqiptarë të të gjitha kohërave. Për Fishtën, gjuha shqipe është një pasaportë e gjallë, që provon identitetin e të qenit shqiptar.

Nper gjuhë shqype bota mbârë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë,
trima n’zâ, sikurse jîni
Kjo gjuhë për poetin pedagog është jo vetëm si “Kânga e zogut t’verës”, por edhe “Si ushtime e nji termeti”, sepse në këtë gjuhë, thotë ai, edhe Kastriota u pat fol atyne ushtrive “ngadhënjimtare” që çuditen boten dhe po në këtë poezi ai mallkon rëndë at bir shqiptari.

“qi përbuzë këtë gjuhë hyjnore,
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.”
Këto ide janë me vlera të përjetshme. Fishta, duke ndjekur traditën e Rilindjes, godet politikën arsimore turke dhe të vendeve fqinje, që synonin të shfrytëzonin në maksimum edhe shkollën si një mjet shumë të efektshëm për shkombëtarizimin e popullit. U përpoq që të forcojë shkollën shqipe, me qellim që ajo t’i shërbejë zgjimit të popullit për të ruajtur identitetin e tij dhe për të gjetur në vetvete forcat e nevojshme për t’ecur drejt lirisë, pavarësisë dhe përparimit. Ai lufton për të vënë në lëvizje mendimin krijues kombëtar, që pushtuesi pikërisht kërkonte ta mbyste. Fishta në luftën e tij ishte i hapur, i guximshëm, iniciator me largpamësi të madhe. Ai është tepër i ndjeshëm ndaj tronditjeve historike të kombit të tij në çfarëdo sfere jete që mund të ndodhin ato. Fishta luftonte për t’u hapur sytë bashkëkombësve të tij, që të kuptonin dhe të gjykonin vetë për politikën arsimore të pushtuesit otoman, që pranon pa asnjë kundërshtim që në territorin që mbulonte kombi shqiptar të hapeshin gjithfarë shkollash: italiane, greke, austriake e deri sllave, sepse, siç dihet, ato turke kishin mbuluar krejt vendin, dhe në të njëjtën kohë nuk lejonin që të çileshin shkolla shqipe, me qellim që të copëtohej sa më shumë uniteti shpirtëror i kombit. N’atë kohë, propaganda e huaj kishte bërë punën e saj për të çorientuar opinionin shqiptar për problemet e shkollës në gjuhën shqipe. Ajo kishte krijuar, siç e quan vetë poeti pedagog, një çoroditje që preku jo vetëm familjen e disa shtresave shoqërore, por edhe ndonjë segment të caktuar të shtetit të ri të posaformuar. Ai i vë gishtin plagës dhe i kushtohet tërësisht luftës për çlirimin e familjes dhe forcave e tjera shoqërore të kohës nga helmimi i propagandës shumë të rafinuar të pushtetit, që kërkonte zhvlerësimin e gjuhës dhe të shkollës shqipe. Ai në radhë të parë godet me forcë ftohtësinë e shqiptarëve ndaj dijeve dhe shkollës, kundër kësaj të keqeje të madhe, që shkonte në favor të propagandës së huaj, që siç dihet, ishte shumë e egër.

Më 1907, tek Nakdomonicipedija, krijon me një mjeshtëri të rrallë artistike episodin e një tregtie të çuditshme: Shënkolli, me urdhër të Zotit, del nëpër botë me një barkë ngarkuar me mend. Kush donte t’i shtonte ato që ka, mund të blinte edhe do të tjera. M Më në fund rruga e qiti shejtin në Shëngjin. Në të njëjtën kohë, del në këtë port edhe djalli, që vinte nga Franca me një barkë ngarkuar me shkarpa për t’i shitur. Dihet se n’atë kohë, dikush e ndalonte shkollën shqipe me ligj, disa të tjerë e mallkonin ose e poshtëronin me metoda nga më të ndryshmet. Puna kishte shkuar deri atje sa disa parapëlqenin për fëmijët emra të huaj se gjoja tingëllonin më modern se ata që ishin brum’i shqipes. Poeti zgjedh si tipike familjen Guca, që ishte bartëse e këtyre kundërshtive. Me lindjen e djalit ndizet sherri. Filipi donte ta pagëzojë fëmijën me një emër shqiptar: Palokë, kurse e shoqja nuk pranon. Fishta tek “Paloke Guca” zbulon sesi zhvillohet kjo luftë edhe brenda mureve të shkollës. Ai vë ballë përballë Palokën me një mësues, siç e quan ai, të pantënzonë, që kërkonte që nxënësit e tij… “Gjithçka tjetër të dilnin, posë shqiptare, posë njerëz që ndiejnë për Atmé, gjuhë e t’Parë“. Ai nxjerr lakuriq metodën që përdor ai për t’ia arritur këtij qëllimi të mallkuar. Kur Paloka kthen në shtepi, tek praku i derës, i thotë babë Filipit:

“Unë s’jam shqyptar: Unë jam shkodran“.
Kështu poeti pedagog, me katër-pesë vargje, jep objektivin që i kishin vënë vehtes disa shkolla të huaja t’asaj kohe, për shkombëtarizimin e brezit të ri. Misioni i mësuesve të patënzonë s’ka si del më mirë. Por ata nuk ndalen deri këtu, por bëjnë çmos që fëmijët t’i largojnë dhe t’i shkëpusin fare nga figurat e shquara kombëtare. Fishta lëshon rrufenë e dytë drejtpërdrejtë në tryezën e mësuesit të pantënzonë, duke dhënë zënken me një nxënës tjetër, (Në një shënim në librin “Anzat e Parnasit” thuhet se ky është një fakt historik) të cilit i bie në tokë një fotografi e Skënderbeut që e tmerron mësuesin e patënzonë:

Ah! bre kulim,
Sh’âsht ky mjekërskjap?- po thotë me idhnim.
S’âsht mjekërskjap, zotní, âsht Skenderbeu.
N’t’a pashë kyt surrat n’dorë prap,
T’a dijsh se jashtë si qenin kam me t’qitë.
I foli Tefes msuesi t’u i bërtitë.
Me rezistencën fëminore, Fishta do të thotë se shpirti heroik shqiptar, megjithëse i tronditur, vazhdon të jetojë dhe se ka të ardhme. Fishta kritikon edhe disa segmente të caktuara të shtetit të sapoformuar shqiptar, që lejojnë ende disa nga këto shkolla të vazhdonin punën, edhe pse në të vërtetë pak e kishin ndryshuar, ose më mirë të themi se e kishin fshehur objektivin e mëparshëm, domethënë të para 1912-ës, por ajo që e shqetëson poetin është edhe fakti se ato tani mbaheshin me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Ja ç’thotë ai:

Po, edhe përpara luftës Ballkanike,
Në Shqyptará ka pasë shumë shkolla t’hueja.
Shkolla italjane, turke e helenike,
Shkolla serbjane e…”dijiji” e “kikuje”,
Për t’rrejtë Shqyptar’t me dokrra politike.

Por, shka âsht me zî, vetë kombit t’ngrâtë kto shkolla
Po i duhet sod m’e mbajtun m’kâmbë me t’holla
Fishta kërkon që fatin e Palokës dhe të shokëve të tij ta mësojë gjithkush: çdo shqiptar, toskë e gegë. Kuptohet, ai dëshiron që secili të gjykojë vetë për atë që po ndodhte brenda familjes, shkollës dhe disa segmenteve të shtetit shqiptar. Ai e thotë copë se atyre shkollave veç sherrin ua kemi parë. Ato e kanë mbytur shpirtin krijues të njerëzve tanë:

“Aty, po, t’huejët në shpirt e tru na i tredhen, E pa kenë t’zott t’mendojmë ne me krye t’onë. Na shkimen n’shpirt çdo ide e ndìesi kombëtare; E ndêr e Atdhé, at-botë ne i dhâme per pare“.
Këtyre mësuesve të patënzone u vë përballë mësuesin populloj Jak Specin, për të cilin kërkon t’i ngrihet një përmendore. Poeti pedagog ka besim të patundur tek fuqia e shkollës për të transformuar shqiptarin në një forcë aktive, t’aftë për të çuar përpara kombin e vet.

“Oh! at’here, kur n’shkollë zbutun shqyptari
N’mní t’ket marrun ej gjakun e dhunen,
E me dije t’ket kapun ej punen
Shqypnis fati do t’çilet tamam“.

Gjatë punës në bibliotekën françeskane që më vonë do marrë emrin e tij

Fishta nuk qëndron vetëm tek polemika, por si njeri i veprimit kalon në terrenin konkret, siç shohim më lart kur u bë drejtor i shkollës françeskane. Fishta bën thirrje për zgjerimin e arsimit shqip në të gjithë territorin e shtetit të ri shqiptar.

“Aty nga viti 1914,- thotë Sterjo Spasse,- me gishtërinjtë e dorës numëroheshin shkollat fillore, që kishin për gjuhë zyrtare shqipen. Në artikujt “Gjuha e mësimit”, “Gjuha shqipe” e në të tjera, poeti me këmbëngulje lyp që gjuha shqipe të jetë e detyruar në të gjitha shkollat fillore të Shqipërisë dhe të nxitë shqiptarët që të mos tregohen të fjetur e të përgjumur, kur është puna e gjuhës, sepse prej saj rrjedh jeta dhe vdekja e kombit”.
Te “Shqyptarja e qytetnueme” Fishta kërkon që “edhe bijave shqiptare me u dhânë mësim në gjuhë amtare”. Tek “Nevoja e mësimit” Fishta u thotë bashkëkombësve të tij se lufta për dije nuk është një kërkesë e rëndomtë. Fishta kërkon që edhe njeriu shqiptar të aftësohet për ta ngritur vendin e tij në nivelin e zhvillimit tekniko-shkencor të kohës. Vetë shkolla për Fishtën është produkt i genit njerëzor. Ai ka besim të plotë se ajo përpunon e zhvillon aftësitë kërkuese, zbuluese, përpunuese e krijuese të mendjes njerëzore, të cilat përbëjnë shpirtin e shkencës. Tek deklarimi i genit shpalosën idetë e poetit pedagog për rolin e shkollës ne formimin e figurave te shquara botërore dhe kalimin e tyre ne përjetësi:

“Mendjen e njeriut n’shkollë unë mpreha,
Ku kam rritë ata Platonët,
E ato shpatat me dy teha,
Demostanët e Ciceronët;
Edhe t’vetmin n’jetë, Homerin,
Me atë Virgjilin e Aligerin,
T’cilëve as vdekja s’ka çka u bân“
Kjo është fuqia çudibërëse e “Tempullit të dijes”, siç e quan ai shkollën. Geni, që është personifikim i aftësive mendore të njeriut e të gjenialitetit të tij, vazhdon më tej:

Edhe zbuloj ku struket jeta,
Çka âsht’ e mirë e çka âsht’ e vêrteta,
Bukuria kah buroi.
Për Fishtën mendja e njeriut është e plotfuqishme, s’ka kufi, ajo është forca që i jep përpara zhvillimit dhe që çdo gjë e konkretizon me vepra. Fishta e shikon “Tempullin e dijes” si një vend ku bashkohen të gjithë, prandaj në shkollat e tija keni nxënës nga të gjitha besimet. Një gur nga themeli i tolerancës fetare në Shqipëri. Të gjithë, sipas Fishtës, duhet të mësojnë shkencën dhe të gjithë duhet ta vënë atë në jetë në dobi të kombit të tyre. Ai beson se shkenca krijon unitet human sepse rezultatet e saj i përkasin të gjithë njerëzimit. Ai e pranon se lufta për të fituar dije është punë e vështirë dhe e lodhshme, fjalën e ka për punën që bëhet në kërkim të së resë, të progresit, të shtigjeve të pashkelura.

Këtu shfaqet sistemi i punës se tij si artist e shkencëtar me rendiment te larte, qe është një shembull i shkëlqyer, jo vetëm për te rinjtë, por për te gjithë boten tone intelektuale, qe aktivizohet ne fusha te ndryshme te punës krijuese.

Fishta, si poet me diapazon te gjere krijues, filozof e pedagog, sociolog e diplomat e klasit te pare etj. nuk është kundër kulturës se huaj, as kundër marrëdhënieve te drejta ne fushën e shkencës e arsimit me vendet e tjera, por ai është kundërshtar i prere i përdorimit te shkollës për shkombëtarizimin e një populli, qe ne kohen e tij përbente një nga rreziqet me te madhe për lirinë e vendit tone. Ai godet edhe ata studente qe kane shkruar jashtë për te studiuar dhe nuk tregojnë kujdesin e duhur për te përfituar sa me shume nga përvoja e vendeve te tjera dhe për ta vene atë ne shërbim te zhvillimit shqiptar. Është interesante edhe kërkesa e tij këmbëngulëse qe meshtarët e rinj te përgatiteshin ne shtete te ndryshme te Evropës, me qellim qe te mund te sillej edhe nëpërmjet te kësaj rruge kulture e sa me shume vendeve te zhvilluara. Fishta është i orientuar nga kultura oksidental dihen konsideratat e tij për Geten, Shekspirin, Danten e shume te tjerë. Por ai nuk ka nënvleftësuar as vlerat shkencore e artistike te popujve te lindjes. Mjafton te përmendim mendimet e tij për Kinën ku ne mes tjerash thotë:

Por janë mjaft t’meçëm
kinez’t e ngrâtë:
Punen e dijen
I kanë zanat’.
Për të realizuar mbrojtjen e gjuhës e te shkollës shqipe, si mjete qe synojnë jo vetëm ruajtjen e identitetit shqiptar, por edhe për te vene atdheun ne rrugën e përparimit, ai kërkon qe te mobilizohen te gjitha forcat intelektuale. Ai ka vlerësuar shumë punën e shkrimtarëve të shquar që “mrrijten me bâ të njihet gjuha shqipe si gjuhë msimi gadi në të gjitha shkollat dhe gjuhen zyrtare në të gjitha zyrat e shtetit, si dhe l’shuen rrânjen e parë të ndërgjegjes kombtare“.

Kjo figurë e përkushtuar tërësisht zgjidhjes së problemeve të vështira, që kaloi kombi ynë në ato vite, kërkon studime të thella për të dalë në dritë tërë vlerat e tij, që krijoi edhe në fusha të ndryshme të shkencave. Konceptet e reja demokratike për vlerësimin e trashëgimisë, po të shfrytëzohen mirë, e lehtësojnë më shumë këtë punë, që domosdoshmërish duhet bërë. Këtë e thonë dhe bashkëkohësit e tij: “E kur me kalimin e kohës, familja shqiptare, e mbledhur rreth vatrës plot flakë, do të përmendë emrin e fratit poet, figura e këtij do të shkëlqejë më me forcë, sepse atëherë do të jenë zhdukur një herë e mirë dhe vogëlsirat më të kota të njerëzve. Atëherë jeta e poetit do të bëhet më interesante e më e pasur në kujtime“. Këtë përfundim e vërteton dhe fakti se dikur lihej pa u përmendur emri i tij edhe kur flitej për Kongresin e Manastirit, ku siç dihet, qé firmë e parë, pa bërë fjalë edhe për shumë e shumë raste të tjera.

Korrespondenca e Fishtës me Musolinin dhe Jakomonin
Njihen dy letra që Át Gjergj Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Itali. Është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndjerë se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkon Mussolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë Urdhri Françeskan, dhe as Provinca e Fishtës. Dhe të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalojnë kësaj province.

Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë veprimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja konsiston në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës ku përfshihen poezia ajo epike me “Lahutën e Malcisë”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga Iliada e Homerit, Molieri etj.

Letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, me datë 27 prill 1940, dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë Udhëheqësit – Duçe. Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni, i Universitetit të Bolonjës që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane – anëtar i kësaj Akademie Gjergj Fishta u bë në 1939 – i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë. “Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me iniciativën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë.

Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanueli III është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl.

Censura e Fishtës gjatë regjimit komunist e çështja e eshtrave të tij
“Një aksion për zhdukjen e çdo gjurme të gegnishtes“,- kështu e quan Arshi Pipa ndërmarrjen e vitit 1972 përmes Kongresit të Drejtshkrimit në emër të shqipes së njësuar letrare. Dhe sipas tij rrënjët e këtij dënimi dhe dhunimi të gjuhës ishin shumë më të hershme, që me vendosjen e diktaturës në Shqipëri, ku u ndaluan rreptësisht autorë si Fishta, Camaj, Harapi,etj. Pipa shkruan se “Stalinizmi e konsideronte katolicizmin gegë, si kryearmikun e vet. E kjo ishte një nga arsyet pse Fishta ndalohej, sepse ai ishte përfaqësuesi kryesor i katolicizmit“. Duke marrë parasysh se kryevepra e Fishtës, “Lahuta Malcís”, është katërcipërisht anti-sllave, do të ishte një problem për E. Hoxhën dhe bashkëpunëtorët e tij jugosllav, Miladin Popoviç e Dushan Mugosha në kuadrin shqiptar, meqë Poeti Kombëtar evokonte një frymë anti-sllave, dhe vitet e fundit të jetës së tij, edhe anti-komuniste. Kultura perëndimore, pas së cilës ìu qaste Shkodra në atë kohë, përbënte një problem për regjimin që rrënjtë i kishte nga lindja, dhe kjo dritare për nga perëndimi,- përfshi këtu një numër të madh njerëzish që edukoheshin në perëndim, që u persekutuan dhe vizituan burgjet e egra të diktaturës,- duhej mbyllur[13]. Ai u refuzua, jo vetëm për shkak të antijugosllavizmit të tij (skicat sarkastike të Hoxhës për Titon dhe udhëheqësit e tjerë jugosllavë në librin e tij Titistët, janë të krahasueshme – duke lënë mënjanë poezinë – me karikaturat e Fishtës për Knjaz Nikollën e Malit të Zi e ushtarët e tij te Lahuta e Malcís), por edhe për arsye të tjera: ai kishte pranuar një medalje merite prej sulltanit turk, pastaj qe bërë agjent i imperializmit austro-hungarez me botimin e “Posta e Shqypnís”, nuk kishte refuzuar caktimin e tij si anëtar i Akademisë fashiste Italiane të Shkencave pas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë). Po të jetonte edhe disa vjet të tjerë e të shihte ardhjen e stalinizmit shqiptar, me siguri do të arrestohej e do të procesohej si armik i popullit e tradhtar i kombit (vëllai i tij françeskan Vinçens Prenushi, një folklorist i shquar e shkrimtar, e më vonë Arqipeshkëv i Durrësit, vdiq në burg). Arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohet fishtofobia e partisë, është se ai ishte gegë i Shqipërisë së Veriut dhe prift katolik, si edhe poet i madh.

Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe i mbajtur më 1972, duke vendosur një hegjemoni gati totale të dialektit toskë,- një bazë gati lokaliste, duke marrë parasysh prejardhjen e klikës politike të asokohe. Kjo gjuhë e re standarte siç thekson Pipa, e alienizoj popullin nga gegnishtja që shkruhej nga qarqet letrare me qendër Shkodrën, do me thënë në largimin e dialektit gegë nga syri i lexuesit. Kjo mangësi, përveçse çoj në dobësimin e standardit, zhduku nga vitrinat e librave shqip për më se gjysëm shekulli veprat e Fishtës, po ashtu si të Dom Shantojës, Át Kurtit e shumë të tjerë.

Histeria komuniste me valë lindore karshi kulturës perëndimore me qendër françeskanët e Shkodrës zhvarrosi eshtrat e tij. Më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist zhvarrosen nga Kisha Françeskane e Gjuhadolit. Mendohet se urdhrin për hedhjen e eshtrave të Fishtës në lumë e ka dhënë kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe kryetari i Frontit Demokratik të Shkodrës. Eshtrat mblidhen në një thes çimentoje dhe qëndrojnë për tri ditë në një nga zyrat e ndërmarrjeve të ndërtimit. Sipas burimeve të ndryshme, thesi është hedhur pas tri ditësh në rrjedhën e lumit Drin në Shkodër. At Zef Pllumi, në kujtimet tij thotë se nuk është i sigurt se eshtrat e Fishtës janë hedhur në lumë, por i kanë thënë dëshmitarë okularë se eshtrat janë hipur në një karro për t’u transportuar. Një tjetër klerik, Konrrad Gjolaj, në kujtimet e tij thotë se, “me “revolucionin kulturor” edhe eshtrat e Tij u tretën buzë Drinazës, në afërsi të Bërdicës, bashkë me eshtrat e vëllezërve të tjerë t’asaj Kishe”. Sipas letrës së Fritz Radovanit, janë në varrezat e Rrmajit, pas tri ditësh eshtrat e Fishtës janë marrë nga ish-drejtori i ndërmarrjes që merrej me riparimin e Kinema Punëtori (ish-Kisha e Fretenve), Shyqyri Rrjolli, dhe i ka varrosur së bashku me rojën e varrezave, Gjon Gjergjin, në varrezat e Rëmajës në Shkodër. Kjo çvarrosje dhe “zhdukje” e eshtrave të tij shënjoj simbolikën e territ që pàu kolosi i letrave shqipe që do “bânte Shqypninë për inat t’shqyptarvet” për gjithë ato vjet.

Tituj të veprave
1Lahuta e Malcíse [14] – poemë (Zarë, 1925 2Anzat e Parnasit – satirë (Sarajevë, 1907) [14]
3Pika voese, më vonë ribotuar si Vallja e Parrizit (Zarë, 1909) 4Shqyptari i gjytetnuem – melodramë (1911) [14]
5Shqyptarja e gjytetnueme – melodramë 6Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t (1912) [14]
7Hylli i Dritës – revistë (1913), themelues. 8Juda Makabé – tragjedi (1914)
9Gomari i Babatasit (Shkodër, 1923) 10Mrizi i Zânavet (Shkodër, 1924) [14]
11Sh. Luigji Gonzaga, (Shkodër 1927) 12Lahuta e Malcís – botimi komplet (1937)
13Jerina ase mbretnesha e luleve, (Shkodër, 1941) Mirënjohjet 1 Urdhrin “Nderi i Kombit” Shqipëri, 2002
2* Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë
3* Kurorë Argjëndi, nga Klubi “Gjuha shqipe” i Shkodrës (1911).
4* Dekorata Mearif, nga Mbretëria Turke (1912).
5* Dekorata Ritterkreuz, nga Mbretëria e Austrisë (1912).
6* Penë floriri, nga qyteti i Beratit (1913).
7* Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI (1925).
8* Lector Jubilatus, nga Paria e Urdhnit françeskan (1929).
9* Dekorata Phoenix, nga Greqia (1931). /KultPlus.com

Udhëtimet me shoqe të mira për shëndetin tuaj

Bëhuni gati të organizoni udhëtime me shoqe.

Sigurisht, nuk është befasi që pushimet verore na bëjnë të ndihemi mirë, por tani një hulumtim i fundit e vërteton edhe më shumë këtë fakt, transmeton Koha.

Sipas këtij studimi, është zbuluar se udhëtimet me shoqe janë tejet të rëndësishme për t’iu mbajtur të lumtura, si dhe kanë ndikim pozitiv në shëndetin tuaj të përgjithshëm.

Universiteti i Harvardit e ka kryer një studim i cili fokusohet në dobitë e dukshme të cilat koha që e kalojmë me shoqëri, i sjellë në shëndetin tonë.

Lidhjet e këtilla shoqërore jo vetëm që sjellin kënaqësi në jetë, por ato edhe kanë ndikim në shëndetin afatgjatë në mënyra po aq të fuqishme dhe rëndësishme, sa edhe gjumi i mirë, ushqimi i shëndetshëm, apo mos konsumimi i produkteve të dëmshme si, duhani, alkooli dhe të tjerë.

“Shoqet shërbejnë si burim i përkrahjes në jetën tuaj. Ju mund të ndani shumë gjëra të rëndësishme me to, të cilat mund të mos ndiheni rehat t’i ndani me partnerin tuaj apo anëtarët e familjes. Veçanërisht nëse keni probleme në jetën personale,” ka deklaruar psikologia, Dr William Chopik.

Prandaj, nëse jeni ngopur nga kontakti përmes aplikacionit Zoom ose thirrjeve telefonike, është koha të filloni ta planifikoni një udhëtim me mikeshat e ngushta, sigurisht sapo të largohen masat e ndalesave nga pandemia dhe të jetë e sigurt për të udhëtuar. / KultPlus.com

KultPlus dhe YIHR KS fillojnë implementimin e projektit ‘Personalja: Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptasit’

Ka disa javë që ka filluar implementimi i projektit ‘Personalja: Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptasit’, projekt nga KultPlus dhe YIHR KS, mbështetur në kuadër të ‘Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë’ financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ.

Me anë të këtij projekti do të fuqizohen të tri komunitetet, me anë të një raportimi të denjë dhe etik karshi tyre. Shpesh hasim në raportim të tmerrshëm kur vjen puna te këto tri komunitete prandaj si segment kryesor i projektit është raportimi korrekt i cili qon edhe në përmirësimin e jetës për këto komunitete, kauzë kjo për të cilën YIHR KS por edhe KultPlus kanë lobuar ndër vite. Me anë të videove, teksteve dhe trajnimeve, kjo mini-fushatë synon të sjellë në vëmendje racizmin që e përjetojnë këto tri komunitete në baza ditore, në disa vende të Kosovës.

Tregimet personale shpesh janë të munguara nga këto tri komunitete, prandaj ne do të mundohemi që ato ti sjellim para publikut në formën më profesionale të mundur. Deri tash, dy video janë realizuar me Muhamet Arifin nga Balkan Sunflowers dhe Mirjeta Qehajën-artiste, ndërsa një tekst është realizuar me familjarët e Kujtim Paçakut.

Në vazhdim, do të ketë edhe tekste e video të tjera, por edhe aktivitete që do të ndihmojnë në kauzën e të trija komuniteteve respektive. Materialet do të mund ti gjeni në rrjetet tona sociale, në YIHR KS dhe në KultPlus, por edhe në mediat e tjera vendore me të cilat do të bashkëpunojmë përgjatë projektit.

“Dior” rikthen shfaqjet e modës

Si pasojë e pandemisë shumë marka të njohura kanë rishikuar mundësitë se si të prezantojnë në kushte të reja, koleksionet e tyre.

Kompania e njohur, Christian Dior bëri të ditur se do të vazhdojë me një kalendar të shfaqjeve të modës, duke filluar në muaji Korrik, por duke kufizuar audiencën.

Shefi Ekzekutiv, Pietro Beccari u shpreh se shfaqja e modës do të zhvillohet në 22 Korrik, në qytetin italian Lecce. Qëllimi i tyre është të dërgojnë një mesazh shprese dhe optimizimi.

“Ne do të donim të dërgonim një mesazh mbështetjeje, shprese, optimizmi dhe rilindjeje. Unë po mendoj për furnizuesit e mëdhenj, por edhe ata të vegjël, shumë biznese të vogla familjare të artizanëve në Francë dhe në Itali, shumë prej tyre nuk i dinin dhe ende nuk e dinë se si të mbijetojnë“.

Ndërsa dizenuesja e Dior, Maria Grazia Chiuri u shpreh se java e modës është e rëndësishme, jo vetëm për familjen e modës, por gjithashtu e rëndësishme për qytetin ku shfaqet./tvklan.al/ KultPlus.com

“Moj e bukura More” këndohet në Parlamentin e Kantonit të Lucernit (VIDEO)

Ylfete Fanaj është zgjedhur me shumicë të madhe të votave kryetare e parlamentit të Kantonit të Lucernit.

Me këtë rast zonja Fanaj mbajti një fjalë emocionuese, me të cilën iu drejtua deputetëve që e zgjodhën. “Jam e emocionuar dhe mirënjohëse që më votuat përkundër faktit se jam me prejardhje të huaj. “Faleminderit shumë”, ka thënë në gjuhën shqipe Ylfete Fanaj.

Një element tjetër shqiptar në këtë eveniment ishte edhe dorëzimi i një pikture të artistit shqiptaro-zviceran Samedin Asllani që iu bë Fanajt me rastin e zgjedhjes së saj në këtë post të lartë.

Në momentin kur krerët e Parlamentit dhe të partisë së saj e uronin Ylfete Fanajn për zgjedhjen e saj kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit, këngëtarja zvicerane doli në skenë, duke kënduar këngën e njohur arbëreshe “Moj e bukura More”, raporton albinfo.ch.

Në fytyrën e Ylfetes dhe familjarëve të saj vëreheshin emocione të papërshkrueshme, ndërsa deputetët dhe publiku filluan duartrokitjet nën ritmin e këngës së mirënjohur./ Albinfo.ch/ KultPlus.com

Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini përmes një statusi ka njoftuar së pas shumë përpjekjeve, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria, shkruan KultPlus.

Ajo gjithashtu është shprehur se fëmijët shqiptarë në Serbi, meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe.

“Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Kemi filluar gjithashtu edhe financimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore, sepse besojmë fuqishëm që fëmijët shqiptarë në Serbi meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe libri shkollor është një hap i domosdoshëm në atë drejtim.

Komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij. Përgëzoj edhe Ministrin Gent Cakaj për angazhimin e tij që kontribuoi për një përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në Parlamentin e Republikës së Serbisë.” – ka shkruar Shahini. / KultPlus.com

Botohet libri “Muharrem Qena-Ëndërrimtari”, sjell profilin e gjithanshëm të artistit

Jeta dhe krijimtaria e Muharrem Qenës, një nga artistët më të njohur shqiptar, do të vijë e përmbledhur përmes librit monografik “Muharrem Qena-Ëndërrimtari”, shkruan KultPlus.

Libri për aktorin, regjisorin, dramaturgun dhe muzikantin e njohur, doli sot nga shtypi.

Me autor Arian Krasniqin dhe të ndjerën Arzana Krajën, ky libër sjell profilin e gjithanshëm artistik, krijues e njerëzor të Qenës.

Autori Krasniqi, përmes një statusi në Facebook, ka njoftuar për botimin e librit dhe gjithashtu ka falënderuar familjen Qena për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

“Sot doli nga shtypi libri për aktorin, regjisorin, dramaturgun e muzikantin Muharrem Qena, me titull “Muharrem Qena-ëndërrimtari”. Në bashkautorësi me kolegen Arzana Kraja, kemi arritë të sjellim profilin e gjithanshëm artistik, krijues e njerëzor të Muharrem Qenës. Faleminderit botuesit “Integra”, Kushtrim Koliqit për përkushtimin në realizimin e këtij projekti! Një falënderim e mirënjohje e thellë i dedikohet edhe familjes Qena për besimin e dhënë dhe mbështetjen e vazhdueshme!”, ka shkruar Krasniqi.

Muharrem Qena është një nga artistët më të njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe.

Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar i më se 200 shfaqjeve teatrale.

Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.

Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.

Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera.

Muharrem Qena vdiq më 25 shtator 2006 në Prishtinë duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe mëse 200 shfaqje teatrale. / KultPlus.com

Dekorata “Nderi i Kombit” për etnomuzikologun Ramadan Sokoli

Presidenti Ilir Meta çmoi etnomuzikologun, kompozitorin dhe pedagogun e shquar Ramadan Sokoli (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje si themelues i etnomuzikologjisë shqiptare, muzikolog, kompozitor e pedagog. Vepra e tij studimore e muzikore është pjesë e patjetërsueshme e identitetit kulturor evropian të shqiptarëve.

Kontributet e tij të jashtëzakonshme kanë bërë që të flasin shqip zbulimet e arkeologjisë sonë muzikore, duke dhënë përgjigje shteruese për mënyrën e organizimit dhe tipologjisë bazë të folklorit muzikor shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të vendit tonë”.

Në fjalën përshëndetëse, në ceremoninë solemne të organizuar, Meta shprehu kënaqësinë dhe privilegjin që po nderon një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës dhe artit kombëtar.

“Profesor Ramadan Sokoli kaloi nëpër shumë sfida jetësore duke u shndërruar në një shtyllë të patjetërsueshme referimi për zbulimin dhe shpalosjen e vlerave të jashtëzakonshme kulturore të kombit tonë”, tha Meta.

“Ai rridhte nga një familje atdhetare dhe qytetare shkodrane, i mëkuar që në djep me patriotizëm nga familja historike e Sokolëve, si pasardhës i denjë i Hodo Pashë Sokolit, njërit prej komandantëve kryesorë të Lidhjes së Prizrenit”, u shpreh Meta.

“Profesor Sokoli pavarësisht kalvarit personal dhe persekutimeve si familje ia doli të ngrihej mbi presionin dhe vështirësitë e kohës falë talentit, dinjitetit, formimit kulturor, pasionit dhe trashëgimisë shpirtërore të familjes”, theksoi Meta.

“I gjithë kontributi etnomuzikologjik i profesor Sokolit është një enciklopedi e mbartjes dhe e shpjegimit të dukurisë së folklorit muzikor shqiptar në kohë dhe hapësirë shumë të gjerë.  Talentin dhe kapacitetin profesional Profesor Sokoli e tregoi edhe në udhëheqjen e ekspeditave hulumtuese, bashkë me studiues gjermanë, rumunë, etj., në krahina të ndryshme të Shqipërisë, me të cilat pasuroi Fonotekën e Institutit të Folklorit shqiptar”, vuri në dukje Presidenti Meta.

“Vepra e tij studimore dhe muzikore tashmë është pjesë e identitetit kulturor europian të shqiptarëve. Emri i tij renditet në enciklopeditë e huaja krahas më të mëdhenjve etnomuzikologë të botës.  Pas viteve 1990-të vlerat e kontributit të tij u rivendosën në piedestalin e merituar, i kërkuar në gjithë hapësirën shqiptare si udhëheqës e drejtues artistik i shumë festivaleve folklorike kombëtare e rajonale. Krijimtaria e tij studimore vazhdoi deri në çastet e fundit të jetës. Me veprën e tij të jashtëzakonshme profesor Ramadan Sokoli është bërë tashmë pjesë e panteonit të personaliteteve më të shquara të kombit tonë. Për profesor Ramadan Sokolin do të ketë vetëm ditëlindje”, theksoi Presidenti Meta, duke i dorëzuar zonjës Linda Sokoli-Duma dekoratën e lartë për babain e saj.

Në ceremoninë solemne, ku ishin të pranishëm familjarë e të afërm, miq e kolegë, muzikologë, artistë dhe personalitete,  fjalën e hapjes e mbajti Zhani Ciko, dhe më pas u luajtën disa pjesë muzikore nga veprat e Ramadan Sokolit, të interpretuara nga artistët Shqipe Zani dhe Kastriot Tusha. /atsh / KultPlus.com

60 vjet nga lindja e legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrrit

Fadil Vokrri njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.

Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazhevic, trajneri i KF Prishtina  e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.

Fadili i rrethuar nga tifozët

Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante edhe për Dinamo e Zagrebit. Fadil Vokrri e shpjegon kështu pse vendosi të luante për KF Partizani dhe jo Dinamo e Zagrebit: “Pikërisht “Partizani”, ka qenë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. Arsyeja për të kaluar në radhët e “Partizanit”, së pari ka vendosur afërsia kilometrazhe Prishtinë-Beograd, pastaj siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, “Partizani”, ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub. Për nga shikueshmëria “Partizani” ka pasur Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, tri qendra kryesore për rekrutimin e lojtarëve. Edhe unë si fëmijë, si çdo moshatar i imi isha simpatizues i “Partizanit” të Beogradit, d.m.th. si shumica e kosovarëve, andaj këto ishin arsyet që unë kalova në radhët e ekipit të “Partizanit”. Kushtet që më pat ofruar ky ekip ishin shumë të mira, e qe besa edhe “Prishtina”, me transferimin tim tek “Partizani”, nuk është ndarë keq për nga “leku”, kështu që të gjitha komponentët u përmbushën që unë të bëhem lojtar i ekipit të “Partizanit”. Kam kaluar mirë në këtë ekip, mirëpo nuk kanë munguar edhe provokimet e ndryshme. Si p.sh. atëbotë kur minatorët e Trepçës, hynë në zgafellë, TV Vesti nga Beogradi, në emisionin në gjuhën shqipe në orën 17:00, më kanë ftuar që unë të bëja thirrje, që minatorët të dalin nga zgafella (kjo është hera e parë që këtë po e bëj publike), më janë paraqitur dy-tri herë emra të ndryshëm të sferës së politikës, mirëpo unë u thashë se nuk merrem me politikë dhe se janë politikanët të cilët mund të bëjnë thirrje …”.

Flamurtari – Partizani i Beogradit

Petro Ruci, lojtar i Flamurtarit të Vlorës e kujton kështu atë ndeshje dhe Fadil Vokrrin: “Detyra që na dha trajneri Leonidha Çuri ishte që unë dhe Rrapo Taho të koordinojmë veprimet tona për të ruajtur mirë sulmuesit më të rrezikshëm të Partizanit të Beogradit Milko Gjurovski dhe Fadil Vokrri. Për vetë mënyrën e lojës, që u krijua, më takoi mua të luaj ndaj bashkatdhetarit tim Vokrri. Ai ishte një lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht, kërcente shumë në ajër dhe e godiste mjaft mirë topin me kokë. Ai ishte një futbollist mjaft i vështirë për çdo mbrojtje kundërshtare. Si i tillë, ai ishte i vështirë edhe për ne.”

Fadil Vokrri kujton nga këto 2 ndeshje: “Në takimin e parë që e zhvilluam në Vlorë, ekipi i “Partizanit”, ka qenë shumë i dobët, ku humbëm 2:0. Në Kavajë i kam 30 familje kushëri, babai im komunikonte me ta nëpërmjet letrave dhe ekipi ynë më të arritur në Vlorë, një natë para ndeshjes, kanë qenë 2000 tifozë, që më prisnin. Për mua ishte diçka madhështore, me këtë rast dua të falënderoj trajnerin tim në atë kohë Fahredin Jusufin (ish-trajner i Partizanit), i cili më dha leje speciale që të dal dhe të përshëndetem me atë tifozëri që më prisnin. Tani kur po flas po më rrëqethet trupi dhe bashkë me ta kam bërë dikund 1000 fotografi, ndoshta dikush brenda nga klubi më ka përcjellë, mirëpo lejen ma dha Jusufi. Ndërsa sa i përket lojës ““Flamurtari”, me plotë meritë fitoi 2:0″, ndërkaq në ndeshjen e kthimit në Beograd, Fadil Vokrri, shënoi golin e dytë, si dhe në Vokrrin shkaktohet penalltia, “Partizani” udhëheq 2:0, ekipi ynë luan shumë mirë, e po ashtu edhe Fadil Vokrri, njëri ndër lojtarët më të mirë në terren, mirëpo në fund të takimit Sokol Kushta shënoi gol, pastaj portieri i “Flamurtarit”, Arapi, ka qenë në formë shumë të mirë, kështu që “Partizani”, u eliminua nga garat. Humbja e “Partizanit” ka qenë shumë e rëndë, u pasqyrua shumë keq, ku thuhej se si është e mundur që një ekip si “Flamurtari”, ta eliminojë ekipin e “Partizanit” të Beogradit, me famë të madhe, kështu që vërtet humbja në Beograd, u përjetua shumë rëndë. Kjo u pasqyrua menjëherë në lojën për Kupën e ish-Jugosllavisë, kundër “Iskres” (anëtar i Ligës së Dytë), ku humbëm, kështu që humbja ndaj “Flamurtarit”, na destabilizoi në tërësi”.

Fadil Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola.

Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë.

Fadil Vokrri në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë.

Pas një kohe të suksesshme atje, Fadili u kthye në Kosovë dhe u bë president i Federatës së Futbollit Kosovar, FFK.

Vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak. Stadiumi i

Pas vdekjes së Vokrrit, stadiumi në vitin 2018 u riemërtua nga Stadiumi i Qytetit në Stadiumin “Fadil Vokrri”. / KultPlus.com

Ylfete Fanaj nga sot është kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit

“Jam e emocionuar dhe mirënjohëse që më votuat përkundër faktit se jam me prejardhje të huaj. “Faleminderit shumë”, ka thënë në gjuhën shqipe Ylfete Fanaj.

Në këto momente jemi dëshmitarë të një evenimenti historik: Ylfete Fanaj është zgjedhur me shumicë të madhe të votave kryetare e parlamentit të Kantonit të Lucernit. albinfo.ch raporton nga seanca parlamentare që për shkak të masave të pandemisë, po mbahet në një sallë të madhe të qendrës së panaireve të Lucernit.

Me këtë rast zonja Fanaj sapo mbajti një fjalë emocionuese, me të cilën iu drejtua deputetëve që e zgjodhën. “Jam e emocionuar dhe mirënjohëse që më votuat përkundër faktit se jam me prejardhje të huaj. “Faleminderit shumë”, ka thënë në gjuhën shqipe Ylfete Fanaj, shkruan albinfo.ch.

“Sot ka ndodhur diçka e paimagjinueshme: falë votimit tuaj jam lucernasja numër 1. Me këtë votim keni bërë të mundur që 50 vjet pas hyrjes në fuqi të të drejtës së votës për gratë, të zgjidhet një grua, me prejardhje të huaj në postin më të lartë popitik të kantonit. Këtë e bën të mundur Zvicra”, ka thënë veç tjerash Fanaj.

Ajo ka përshëndetur edhe faktin se po në këtë sesion të parlamentit është zgjedhur, për herë të parë këtu, një gjyqtare me prejardhje të huaj.

Fanaj ka përshëndetur dhe falënderuar edhe prindërit e saj për mbështetjen që i kanë ofruar në ngritjen e saj shkollore dhe politike.

Zgjedhja e Ylfete Fanajt në postin e kryetares së Parlamentit të kantonit të Lucernit është rasti i parë, jo vetëm në këtë kanton, që të zgjidhet një grua me prejardhje të huaj në këtë nivel kaq të lartë.  Këtë e kanë theksuar në fjalët e tyre përshëndetëse si, kryetari i deritashëm i parlamentit, Josef Wyss, kryetari i Qeverisë së Kantonit të Lucernit Paul Winkler, etj. / Albinfo.ch / KultPlus.com