Krijohet kostumi anti-Covid, mbron mjekët 100% nga infektimi

Prej më shumë se 4 muajsh mjekët janë ata që ndodhen në frontin e parë të luftës me virusin Covid-19, të cilëve u duhet të mjekojnë e përkujdesen për pacientë të infektuar.

Prandaj është shumë i lartë edhe numri i mjekëve që kanë ndërruar jetë gjatë misionit të tyre heroik.

Kjo ka futur në punë shkencëtarët për të shpikur çdo masë mbrojtjeje që do t’i shpëtonte doktorët nga infektimi. Shkencëtarët meksikanë, siç përcjell Shqip shkrimin, kanë arritur të krijojnë një veshje për personelin mjekësor që kujdeset për pacientët me Covid-19.

Kompani XE Medica Ambulancias ka krijuar një kostum hermetik që do t’i mundësojë mjekëve një lëvizje të lirë, si dhe nuk krijon nxehtësi.

“Është një kostum krejtësisht hermetik. Qëllimi kryesor ishte që kostumi të ishte hermetik, më pas punuam që të ishte edhe i freskët, pasi mjekët mendojnë dhe punojnë më mirë kur ndihen rehat gjatë punës”, thotë Fernando Aviles, drejtori i kompanisë. / KultPlus.com

Udhëtimet me kuaj, eksperienca e paharrueshme e vizitorëve në parkun kombëtar Bredhi i Hotovës

Ecja me kuaj, një aventurë ekologjike e plot adrenalinë, për të vizituar bukuritë natyrore, monumentet e kulturës, fshatrat karakteristike dhe traditën janë kthyer në një atraksion të ri turistik për shumë të apasionuar pas këtij sporti.

Ky udhëtim po përdoret gjithnjë e më shumë nga ata që e ofrojnë këtë shërbim edhe në vendin tonë për një fundjavë të pazakontë në zbulim të shumë zonave të bukura që ofron vendi ynë.

Një nga këto zona është edhe Shqeria në Përmet, ku ditët e fundit kanë qenë të shumtë vizitorët, të cilët kanë preferuar të kalojnë fundjavat në këtë pikë turistike.

Drejtori i Administratës ë Zonave të Mbrojtura, Gligor Dushi, tha sot për ATSH-në se “në zonën e Shqerisë, Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës, pas daljes nga izolimi ka filluar frekuentimi i saj nga turistët vendas, që janë pjesa më e madhe, si dhe pak turistë të huaj”.

“Vizitorët përveç përjetimit të bukurive të natyrës gjatë kësaj stine, për të vizituar fshatrat karakteristike dhe monumentet e kulturës kanë shijuar edhe udhëtimet me kuaj”, – tha Dushi.

Sipas tij, vitin e kaluar kishim një numër të lartë turistësh të huaj, por këtë vit për shkak të pandemisë numri është i vogël.

“Por shpresojmë që në 15-ditëshin e dytë të korrikut dhe gjatë muajit gusht të kemi një rritje të numrit të turistëve”, – theksoi Dushi.

Dushi tregon se shtegu më i preferuar i turistëve është ai përgjatë kanionit të Lengaricës, një shteg i vjetër që shumë vite më parë lidhte disa fshatra të zonës.

“Në këtë shteg ndodhen urat e gurta të Mixhait dhe të Babos, që datojnë që nga koha e Perandorisë Osmane”, – shton Dushi.

Ecjet me kuaj ndjekin shtigje në atë pjesë të parkut kombëtar, që ndodhet pranë kanionit të Lengaricës dhe Ujërave Termale, një nga atraksionet më të vizituara në zonën e Përmetit.

Bredhi i Hotovës është Park Kombëtar, ndodhet në jug të Shqipërisë, pak kilometra nga qyteti i Përmetit dhe mund të cilësohet si mushkëria natyrore e Shqipërisë Jugore.

Me një shtrirje prej 1200 hektarësh dhe një masiv të mrekullueshëm të përbërë kryesisht nga Bredhi Maqedonas, ky Park Kombëtar është një nga perlat turistike të Shqipërisë, që ofron surpriza të këndshme në çdo stinë të vitit, si në dimër, ku ai është i mbuluar nga dëbora, por dhe në verë ku mund të shijosh freskinë e tij.

Pamja madhështore e parkut të shfaqet nga hyrja e luginës së Lumicës e deri afër majës së malit të Kokojkës. Bredhi i Hotovës konsiderohet një nga reliket bimore mesdhetare më të rëndësishme në vend dhe është një nga parqet më të mëdhenj në Ballkan me Bredh Maqedonas./atsh/ KultPlus.com

Trendi më i ri në Apple, emoji me maska

Apple njihet për emoj-it intereseante dhe atraktive që herë pas here sjell për adhuruesit e IOS, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe Apple ka paralajmëruar emoji të reja, ku pjesë e tyre do të jetë edhe maska e cila mbulon fytyrën, duke u përshtatur kështu me situatën pandemikë që ka kapluar botën.

Pjesë e këtij koleksioni do të jenë edhe emoj-it me mushkëri, pasiqë situata pandemike më shumë ka prekur mushkëritë. / KultPlus.com

51 vjet nga koha kur njeriu shkeli për herë të parë në Hënë

Plot 51 vjet më parë, më 20 Korrik 1969, kozmonautët amerikanë Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin, zbritën me anijen kozmike “Apollo-11” në Hënë. Ishte hera e parë që njeriu shkelte mbi një trup tjetër qiellor, veç Tokës.

Zbritja në Hënë e ekuipazhit të “Apollo-11” ishte kulmi një ëndrre të shumëpritur. Kjo arritje madhështore shënoi edhe përfundimin e një faze të programit amerikan të hapësirës dhe fillimin e një tjetre. Suksesi i misionit “Apollo-11” hapi perspektiva të reja për misionet e ardhshme të NASA-s.

Misioni zgjeroi aftësitë njerëzore dhe ofroi një pamje të Tokës nga një perspektivë e re. Amerika u krenua me këtë arritje, pasi ajo kishte mbetur pas Bashkimit Sovjetik në ditët e para të garës së hapësirës. Jim Burke ka qenë inxhinier i NASA-s dhe ishte pjesë e garave fillestare, shkruan Javaneës.al.

“Ishim në një garë paqësore por shumë të fortë me një kundërshtar të papërkulshëm i cili ishte i etur për të arritur para nesh në çdo destinacion të ri të sistemit diellor . Ishte një garë e shkëlqyer dhe tejet entuziazmuese në të dy anët.”- kujton ai.

Për nder të kësaj date të jashtëzakonshme për historinë e njerëzimit, grupi i njohur “Duran Duran” do të mbajë sot një koncert në Garden Rocket në “Kennedy Space”. Biletat për të ndjekur bandën e njohur muzikore kushtojnë 300 Dollarë dhe fitimet nga koncerti do të shkojnë për fondacionin e astronautit të “Apollo-11”, “Buzz Aldrin’s Family Foundation”. Ato do të përdoren për të ndihmuar në shkencë, teknologji, arte, matematike dhe inxhinieri.

Organizatorët kanë menduar një gjë të veçantë sepse shfaqja do ketë në sfond transmetimin gjatë gjithë kohës të anijes së njohur dhe raketave të tjera të cilat ishin pjesë e misionit.

Kushdo që do ta ndjekë spektaklin ka mundësi që për vetëm 52 Dollarë të ketë mundësi të shohin pamjet historike të uljes në Hënë, dhe mund të bëjnë foto dhe të përfitojnë edhe dhurata.

Ajo që ka mbetur nga ky udhëtim është shprehja e famshme e komandantit të Apollo-11. “Një hap i vogël për njeriun, po një kapërcim gjigand për njerëzimin”…- do të thoshte njeriu i parë në Hënë, Neal Armstrong. “Misionet Apollo hapën perspektiva të reja. Apollo ishte një demonstrim se njerëzimi nuk është i lidhur përgjithmonë tek ky planet”, – tha ai. Edhe vendet e tjera janë bashkuar në eksplorimin e hapësirës në vitet e fundit. Astronauti i parë kinez fluturoi në orbitën e tokës në 2003. Ndërsa një sondë indiane u ul në Hene nëntorin e kaluar.

Historia e pushtimit të Hënës

Sfida për Hënën mbaroi në fillim të viteve ’70. Amerika u përqendrua në fluturimet hapësinore me njerëz me pesë misione në Hënë, që përfunduan në 1972.

Si SHBA, ashtu edhe Bashkimi Sovjetik vazhduan gjithashtu programet hapësinore pa njeri. Ata dërguan sonda në pikat më të largëta të sistemit diellor dhe më pas zbritën pajisje robotike dhe eksploruese në planetin Mars. Teleskopi Hubble në orbitën përreth Tokës ka dërguar foto spektakolare të sistemeve yjesh tejet të largëta

Në 1980, Shtetet e Bashkuara i kufizuan fluturimet në hapësirë pas ekuipazh vetëm në orbitën e tokës, fillimisht me programin e anijeve për vajtje ardhje në hapësirë, dhe duke filluar në 1998, me Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Në këtë projekt përfshihen Shtetet e Bashkuara, Rusia, Japonia, Kanadaja, Brazili dhe 11 vende evropiane.

Dy aksidente tragjike ndryshuan programin amerikan të hapësirës. Anija “Challenger” u shkatërrua pas ngritjes në 1986, duke vrarë të 7 astronautët dhe “Columbia” u shkatërrua gjatë kthimit në Tokë në 2003, me 7 astronautë në bord.

Në Shoqërinë Planetare në Pasadena, Kalifornia, drejtori ekzekutiv Louis Friedman thotë se aksidentet çuan në kontrolle dhe pavarësisht aksidenteve, një angazhim të eksplorimeve njerëzore përtej orbitës së Tokës.

“Njerëzit janë eksploratorë. Ndaj idetë pas kësaj, kostoja dhe rreziqet kërkojnë një destinacion, sepse duhet të eksplorojmë botë të reja.”- thotë ai.

Në vitin 2004 presidenti Xhorxh Bush njoftoi një synim të ri për rikthimin në Hënë deri në 2020. Dhe me Hënën si bazë, dërgimin e njeriut në Mars pas viteve 2030.

Në dhjetor të vitit 1972, astronautët amerikanë depozituan në Hënë një pllakë metalike me këtë mbishkrim: “Këtu njeriu përfundoi eksplorimin e parë të Hënës…” . Kështu, eksplorimet në Hënë që kishin filluar me anijen Apollo 11 më 1969, përfunduan me anijen Apollo 17 në vitin 1972.  Vera e vitit 1969 ishte një kohë e veçantë në histori. Kjo ndodhi kur njerëz nga Toka – astronautë amerikanë – shkuan me anijen Apollo 11 në Hënë, zbritën dhe u kthyen në Tokë pa problem. Bota i nderoi këta astronautë si heronj.

Neil Armstrong dhe Edvin Aldrin ishin të parët që zbritën në Hënë. Po ata nuk ishin të fundit. Agjencia amerikane për fluturime në Hapësirë e njohur me akronimin NASA, ndërmori edhe 6 misione të tjera në Hënë me anije Apollo.

Apollo-12 u nis për në Hënë vetëm 4 muaj pas kthimit të Apollo 11. Një natë më parë kishte rënë shi. Retë ishin shpërndarë, por shira të tjerë parashikoheshin. Zyrtarët e NASA-s arritën në përfundimin se moti ishte i përshtatshëm dhe kështu Apollo 12 u nis nga Toka për në Hënë.

36 sekonda pas nisjes, një rrufe goditi raketën Saturn 5 që shtynte anijen. Anija Apollo humbi rrymën elektrike në sistemin e kontrollit. Aparaturat e ndërprenë funksionimin. Astronautët punuan me gjakftohtësi dhe e kthyen rrymën. Por një tjetër rrufe ra dhe rryma elektrike u ndërpre përsëri.

Rrufeja e dytë nuk e preku raketën Saturn 5. Kështu kjo vazhdoi t’a shtynte anijen në udhën e saj. Astronautët shumë shpejt ndreqën defektin. Gjendja u normalizua dhe Apollo 12 mundi të vazhdonte fluturimin drejt Hënës.

Tre astronautët në bordin e Apollos ishin pilotë të marinës amerikane. Çarls Konrad ishte komandant i fluturimit. Richard Gordon, pilot i modulit komandues dhe Alan Bean ishte pilot i sondës për zbritjen në Hënë.

Pas katër ditësh, Apollo 12 arriti afër vendit të uljes.  Zona quhej Stuhitë e Oqeanit, rreth 2 mijë kilometra në perëndim të zonës ku ishte ulur Apollo 11.

Richard Gordon qëndroi në komandë të modulit duke i ardhur Hënës përreth. Çarls Konrad dhe Alan Bean fluturuan me sondë dhe e ulën në sipërfaqe të Hënës. Ata iu afruan sondës Surveyor 3, një anije pa pilot që kishte mbërritur 2 vjet më parë dhe kishte dërguar në Tokë rreth 6 mijë fotografi të Hënës, para se të ndalte së funksionuari.

Konrad zbriti në sipërfaqen e Hënës. “Sipërfaqja është e butë, shpresoj të mos fundosem në të” tha ai dhe zëri regjistrohej në qendrën e kontrollit të fluturimit në Tokë.

Alan Bean ndoqi Konradin në sipërfaqen e Hënës dhe të dy mblodhën rreth 35 kilogram gurë. Ata lane aty 5 instrumente shkencorë që do të dërgonin informata në Tokë. Para se të iknin, Bean dhe Konrad vizituan edhe sondën Surveyor që kishte kohë që nuk funksiononte. Këta dy astronautë qëndruan në Hënë rreth 30 orë. Pastaj u kthyen në anijen Apollo e cila i priste në orbitë dhe prej andej u nisën për në Tokë. Kapsula me 3 astronautët ra në oqeanin Atlantik, vetëm 6 kilometra nga vendi ku po i priste anija e flotës detare. / KultPlus.com

Fragment nga romani “Unë jam e kuqja” i Orhan Pamukut

Unë jam i vdekur

Tani unë jam një i vdekur, një kufomë që dergjet në fundin e një pusi. Ka kaluar shumë kohë që nga dita kur dhashë shpirt dhe zemra më ndali së rrahuri, por askush, përveç vrasësit tim të poshtër, nuk i di ato që kam hequr. Ndërsa Ai, maskarai i pafytyrë, për t’u siguruar nëse kisha vdekur ose jo më përgjoi frymëmarrjen, më mati pulsin dhe pasi më goditi me shqelm në fyt, më barti gjer te gryka e pusit e më lëshoi në fundin e tij. Kafka e kokës, e bërë shoshë nga goditjet me gurë, mu coptua edhe më keq kur u përplas pas blloqeve të gurta: fytyra, faqet, balli, u shtypëne shpërfytyruan, kockat m’u shkërmoqën dhe nga goja më shpërthyen currila gjaku.

U bënë katër ditë që jam larguar nga shtëpia: Gruaja dhe fëmijët po më kërkojnë. Vajza, e cila po tretet së vajtuari, nuk i ndan sytë as edhe për një çast të vetëm nga porta e avllisë. Të gjithë e kanë gozhduar vështrimin te rruga, te pragu i derës.

A thua janë duke më pritur akoma te porta, nuk jam shumë i sigurt për këtë. Ndoshta, tashmë, janëmësuar me mungesën time, sa keq! Njeriut, kur është këtu ku n dodhem unë tani, i duket sikur jeta që la pas rrjedh njëlloj si ditët që shkuan. Para se të lindja unë ekzistonte diku një kohë që nuk kishte as fillim as fund. Edhe tani pas vdekjes më ndjek e njëjta kohë e pacakë! Kur isha në jetë as që më shkonte mendja për gjëra të tilla, jetojai lumtur dhe pa e vrarë mendjen nën aureolën e dritës së tkurrej midis dy kohëve të errëta.

Isha i lumtur, paskësha qenë i lumtur, këtë e kuptoj vetëm tani: isha dekoratori më i mirë në atelienë e padishahut dhe s’kishte një të dytë që të mund të m ë konkurronte. Me punimet që bëja jashtë ateliesë fitoja rreth njëqind akçe në muaj. Sigurisht që të gjitha këto e bënë vdekjen time akoma më të pashmangshme. /KultPlus.com

“Më plase krejt, kurrë dy fjalë s’i flet njëjtë” (VIDEO)

“Më plase” nga grupi “Marigona” është një këngë që ia vlen të dëgjohet dhe kujtohet, shkruan KultPlus.

Një tekst i mahnitshëm për gënjeshtrat në një lidhje dashurie, “Më plase” duket më aktuale se kurrë.

Grupi Marigona është një grup muzikor i themeluar në vitin 1991 nga Faton Kurteshi në qytetin e Mitrovicës. Vokalist i grupit është Vullnet Sefaja po ashtu nga Mitrovica. Anëtarët e grupit janë ndërruar disa herë, por Vullnet Sefaja ka qenë pjesë e grupit që nga fillimi. /KultPlus.com

Të flas, e shoh që nuk e dëgjon
Asnjë fjalë që unë them
Dhe nuk e zgjas
Dhëmbët i shtrëngoj dhe përmbahem
Por brenda më dhemb

prej kur t’njoh n’sy ta pash
mashtrimin
e tillë ishe gjithmonë tani e shoh
po i vie fundi përrallës ton është vonë

Më plase krejt
Kurrë dy fjalë s’i flet njëjtë
Pse s’di të tregosh drejt
Nuk ke nevojë me m ‘rrejt
Nuk e kuptoj
Pse e ndjen këtë nevojë
Tregomë a do mbarojë
Kjo e mallkuar lojë

Shumë gjatë jam bëre i marre pranë teje
Me shpresë se do ndryshosh
Kjo punë e pat’
Vazhdo rrugën tënde dhe provo
Tjetrin ta mashtrosh

Koliqi, Camaj vs çmitizuesit

Shkruan: Besnik Mustafaj

Javët e fundit ka dalë në qendër të vëmendjes së opinionit tonë publik një debat lidhur me jetën ekstraletrare të dy prej personaliteteve më të rëndësishëm të letërsisë sonë kombëtare, Ernest Koliqi dhe Martin Camaj. Shkak u bë një shkrim i një askushi, i quajtur Auron Tare, botuar në portalin “Peizazhe të fjalës”.

Kanë qenë të shumtë ata që iu përgjigjën autorit. Pjesa më e madhe e tyre, të motivuar vetëm nga emocionet, iu kthyen Auron Tares me të njëjtën gjuhë që kishte përdorur edhe ai, domethënë, spekulative, sharëse, revanshiste. Por, fatmirësisht, pati edhe mjaft dijetarë, të cilët morën penën për të treguar se bëhej fjalë për një shkrim diletant, mediokër, falsifikues faktesh, qesharak në sytë e një historiani, sepse pa asnjë themel shkencor e as metodik, një shkrim thjesht spekulativ e provokativ, i cili nuk meritonte asnjë vëmendje. Pa qenë aspak cinik, do të kisha thënë me kënaqësi se ky rast duket sikur ka ngjallur megjithatë një tërheqje të re, plotësisht të merituar, drejt veprës letrare të Koliqit e të Camajt. Shpresoj se kjo tërheqje do të vazhdojë e do të sjellë një përqendrim të vërtetë të lexuesit të sotëm shqiptar te kjo vepër madhore.

Gjithsesi, do pranuar se Auron Tare ia arriti njërit nga qëllimet e tij kryesore: të zienin thashethemet rreth emrit të tij, pavarësisht cilësimeve poshtëruese, që i shtoheshin më së shpeshti nga pas. U botua, madje, edhe një fotografi e tij nga pranvera 1997, ku ai, – produkt kulturor i shkollës ushtarake – me kallashnikov në dorë, shfaqet në Vlorë (sipas atyre që e botuan) me pjesëtarë të bandës së Zanit. Pandjeshmëria e tij morfologjike ndaj sharjeve e fyerjeve shpesh të skajshme, nxit ta përfytyrosh si një njeri pa sedër e pa nder. Me vjen ndër mend një tjetër orvatje e tij, në të njëjtin stil, për të cilën kam shkruar në librin tim me ese “Bishti i kometës”. Në dhjetor 2011, një nga televizionet tona kombëtare më të rëndësishme transmetoi me disa vazhdime një intervistë të Auron Tares me një ish-emigrant politik çek në SHBA, të quajtur Robert Buchar. Të paktën me këtë identitet na u paraqit i intervistuari, sipas të cilit përmbysja e sistemit komunist në lindjen europiane ishte mirëfilli zbatim i një projekti politik të Juri Andropovit, paraardhës i Gorbaçovit në krye të Bashkimit Sovjetik dhe më parë shef jetëgjatë i KGB-së. Sipas këtij Robert Buchar, Katovica, e përfolur shpesh edhe në mediat shqiptare, ishte gjithashtu një etapë e këtij plani.

Duke u ndalur më gjatë në historinë e vendit të tij të origjinës, Republika Çeke, ky farë Robert Buchar thoshte, pa iu dridhur syri, se Vaclav Havel dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, që bënë në Pragë revolucionin e kadifenjtë, ishin agjentë në shërbim të KGBsë. Ky pohim i padëgjuar vinte posaçërisht për publikun shqiptar, pikërisht nëpërmjet mikrofonit të Auron Tares. Dhe intervista, jo rastësisht, publikohej pikërisht më 11 dhjetor, në 22-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike. Ka edhe raste të tjera, më pak të zhurmshme se kjo intervistë apo sulmi kundër Koliqit e Camajt, ku Auron Tare, ky sovjetik i vonuar, por konsistent, përpiqet, me aq sa ka në dorë, të hedhë baltë mbi lëvizjet popullore dhe protagonistët e tyre, të cilat sollën lirinë në gjysmën e Europës. Sepse unë, edhe kontributet letrare e kulturore të Ernest Koliqit pas Luftës së Dytë Botërore dhe ato të Martin Camajt deri në fund të jetës i shoh tërësisht të integruara në angazhimin e palodhshëm kulturor të disidentëve të emigruar polakë, çekë, rusë, hungarezë, kontributi i të cilëve do të ishte pararendës i përmbysjeve historike të shënuara në fund të viteve ‘80. Në afat të gjatë, historia pa dyshim që do t’i hedhë në koshin e plehrave këto lloj shllapashitjesh alla Auron Tare. Mëdyshja tani është nëse duhet t’u kushtojmë vëmendje dhe kohë për t’iu përgjigjur flakë për flakë. Duke u marrë me sojin e Auron Tares, kam përshtypjen se gjithsesi biem pak në kurthin e tij. Por edhe duke e shpërfillur si të mos ekzistonte, ka rrezik gjithashtu ta ndihmojmë atë në rolin për të mbjellë konfuzion në mendjen e një pjese të opinionit publik, atij “të palexuarit”, siç shprehet në këtë rast njëri nga polemikët seriozë.

Sidokudo, spekulimet dhe falsifikimet e Auron Tares nuk do të arrinin te lexuesi pa botuesin e tij, në këtë rast Ardian Vehbiu. Parë nga interesi publik, më duket se këtu shfaqet një problem më vete dhe që është i mprehtë. Tani së fundmi, fare pak kohë para botimit të shkrimit të Auron Tares, Ardian Vehbiu u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Ai jeton në Nju Jork dhe rregullorja e detyron të jetë anëtar i jashtëm. Por në përmbajtje kjo nuk ndryshon asgjë në statusin e tij. Ai ka të gjitha të drejtat dhe privilegjet e një anëtari të brendshëm, përjashtuar pagën mujore. Në parim, çelja e derës së Akademisë së Shkencave shënon, për një njeri të librit, kurorëzimin e një ngjitjeje jo të zakonshme në rrugën e dijes, të shkencës apo të artit e të letërsisë, me kusht që kjo rrugë të jetë e pandarë nga interesat e kombit. Pra, anëtarësimi në Akademinë shqiptare të Shkencave është njëherësh edhe vlerësim i madh moral, sepse parakuptohet medoemos edhe si mirënjohje e veçantë, sipërore nga ana e kombit për shërbimet e shquara, që akademiku i ka kryer me veprën e tij.

Më duket me vend të shtrohet në këtë rast pyetja se çfarë vepre ka Ardian Vehbiu për ta merituar këtë nderim të lartë? Dhe sa kjo vepër u ka shërbyer interesave thelbësore të kombit? Fjala është për një bilanc të domosdoshëm, i cili do ta përligjte zgjedhjen e tij në Akademinë e Shkencave. Edhe pse i ka kapërcyer të gjashtëdhjetat, Ardian Vehbiu nuk është dalluar absolutisht për asgjë as në fushën e dijes, as në fushën e kërkimit shkencor dhe as në atë të letërsisë. E vetmja gjë pak a shumë e dukshme për një publik të caktuar, e lidhur me emrin e tij, është portali “Peizazhet e fjalës”. Dhe, në fondin e këtij portali, i cili ekziston prej disa vjetësh, më të zhurmshmet kanë qenë dhe mbeten fejtonet e pandërprera kundër shkrimtarit më të shquar shqiptar, Ismail Kadaresë, nën mbulesën e çmitizimit.

Unë nuk jam kundër procesit të çmitizimit. Përkundrazi. Pra, kjo që po them nuk ka të bëjë aspak me vlerësimin që mund të ketë secili akademik për libra të veçantë apo edhe për krejt veprën e një shkrimtari, qoftë ky edhe Ismail Kadare. Por çmitizimi, sipas kuptimit që del nga botimet në “Peizazhet e fjalës”, ka synuar të godasë në vazhdimësi Ismail Kadarenë për veprimtarinë e tij ekstraletrare. Po ky argument, “çmitizimi”, është përdorur si justifikim nga Ardian Vehbiu edhe në rastin e botimit të sulmeve ndaj Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Çmitizimi, në kuptimin që postmodernizmi i jep këtij koncepti, synon në thelb të analizojë mirëfilli me mjetet dhe metodat e estetikës një vepër të caktuar letrare apo edhe një korpus të tërë të imponuar ndaj opinionit publik në një periudhë të dhënë të historisë me mjetet e politikës apo të pushtetit, apo edhe nga rrethana të tjera gjithnjë ekstraletrare, për t’i dhënë kështu kësaj vepre vendin që ajo meriton në peizazhin letrar kombëtar apo edhe ndërkombëtar. Unë besoj se kaq gjë Ardian Vehbiu e di. Spekulimi i tij me “çmitizimin” është krejt i vetëdijshëm dhe i shënjestruar me kujdes. Ai fsheh qëllime të tjera, aspak estetike, dashje pa dashje të përfytyrueshme për një person të zakonshëm privat, por të papajtueshme me figurën publike të një akademiku.

Nuk po bëj hamendje fantaziste lidhur me prapamendimet që motivojnë pronarin e portalit “Peizazhet e fjalës”. Vetë Auron Tare pranon publikisht me një qetësi, që vetëm ai mund t’ia lejojë vetes, se nuk e njeh fare veprën letrare të objektit të hulumtimeve të veta arkivore, domethënë veprën letrare të Koliqit e të Camajt dhe se nuk ka interes për të. Pyetja më e thjeshtë në këtë rast është: Atëherë, çfarë çmitizimi po synon ai me gërmimet e tij selektive? Po botuesi (akademik), që është prapa tij, në shërbim të çfarë çmitizimi e ka vënë veten? Një tjetër shqiptaro–amerikan, profesor universiteti diku në SHBA, Gëzim Basha, i cili një pjesë të kohës së vet ia kushton me shumë fisnikëri promovimit të vlerave të letërsisë shqipe, si atyre klasike, edhe atyre bashkëkohore, ushtruar ky promovim edhe si çmitizim, i përfshirë parimisht në këtë polemikë, portalin në fjalë e quajti “Pezhishkat e fjalës”. Ai kishte parasysh pikërisht rolin e botuesit në mbështetje të përbaltjes së personaliteteve të kulturës tonë kombëtare, rol ky që nuk mund të jetë aspak neutral. Ndërsa Akademia e Shkencave (tempulli), në reagimin e saj as mish, as peshk, nuk tha asnjë fjalë lidhur me rolin e njërit prej anëtarëve të saj në këtë përdhosje, duke shpërfillur faktin bazik deontologjik se veprimtaria publike e akademikëve nuk mund të jetë kurrsesi çështje e tyre private. /Panorama /KultPlus.com

Kujtime nga ditari i Franc Kafkës për Aleksandër Moisiun

Moikom Zeqo

Franc Kafka e ka njohur dhe ka qenë adhurues i aktorit Aleksandër Moisiu. Në “Ditarin e tij” Kafka flet për Moisiun për përshtypjet e një takimi në 28 shkurt 1912:

“3 Mars. Më 28 shkurt isha tek Moisiu.

Ka një paraqitje jo të natyrshme. Rrinte ulur dhe në dukje dukej i qetë; vetëm duart i mbante zakonisht të bashkuara përmbi gjunjë, sytë ia ngulte librit dhe lëshonte zërin e tij që i ngjasonte atij të një njeriu që është duke vrapuar.

Salla kishte akustikë të mirë.

Nuk humbiste asnjë fjalë edhe po të ishte vetëm pëshpërimë! Gjithçka zgjerohej pak nga pak sikur vijonte jehona e zërit e cila bashkohej me të tjera gjëra dhe na mbyllte edhe ne në qarkun e saj.

Në këtë rast mund të vësh re mundësitë që ka zëri.

Ka në të artifise vulgare dhe befasime që na detyrojnë të shohim përtokë po ne nuk vepronim në atë mënyrë; kështu ndodhte p.sh. që në vargjet e para ‘Flej, Miriam, vajza ime’; kur zëri endet nëpër melodi; tek shqiptimi i shpejtë i Këngës së Majit ku ngjasonte sikur në mes të fjalëve ishte futur vetëm maja e gjuhës; tek ndarja e fjalëve tek poezia “Era e nëntorit” në mënyrë që era të shtyhej në fillim poshtë e më pas të vërshëllente lart.

Ai që ngre sytë nga tavani i sallës e ndjen veten të lartësuar nga vargjet.

Poezitë e Gëtes nuk janë arritur nga recituesi po ama s’gjen dot asnjë gabim tek recitimet e tia dhe aty gjithçka ndikon për t’ia arritur qëllimit.

Përftoi efekt të madh kur ai shtoi në program ‘Këngën e shiut’ të Shekspirit dhe brofi në këmbë, u çlirua nga teksti duke nderë dhe tutluar shaminë në mes të duarve dhe nxirrte vetëtima nga sytë.

Mollëzat i ka të rrumbullakta po fytyrën eshtake.

Flokët i ka të buta, dhe i shtron pareshtur me lëvizje të ngadalta të dorës.

Për të kishim lexuar artikuj entuziastë; këto i shërbejnë derisa e dëgjojmë për herë të parë, më pas ai pështjellohet dhe nuk mund të përftoj një mbresë të kulluar.

Mënyra si reciton i ulur me librin përpara, të kujton paksa një ventrilok.

Artisti, i ftohtë nga ana e jashtme, ulej para meje në mënyrë që thuajse nuk dallojmë dot fytyrën e përkulur, lëvizjet e buzëve dhe në vend që të flasë ai, duket se flasin vargjet përmbi kokën e tij.

Megjithëse dëgjoheshin melodi të ndryshme dhe zëri rrëshqiste si një barkë përmbi ujëra, nuk dëgjohesh melodia e vërtetë e vargjeve.

Disa fjalë shpërbëheshin nga zëri; ato ishin rrokur në mënyrë të brishtë dhe lulëzonin dhe s’kishin asgjë të përbashkët me zërin e njeriut derisa zëri shqiptonte fort ndonjë bashkëtingëllore të ashpër, e mbështeste fjalën në tokë dhe i jepte fund recitimit”.

Franc Kafka jep kështu përshtypjet e tij me një veprimtari recitimi të drejtpërdrejtë me Aleksandër Moisiun. Nuk është një dëshmi e dëgjuar nga të tjerët, por është dëshmi autentike e vetvetes.

Kafka e përshkruan talentin recitues dhe interpretues të Moisiut si atë të një vetriloku! Kjo më duket e çuditshme, por edhe e pranueshme. Ventrilokut i vjen zëri nga thellësia e brendshme e barkut dhe pa i lëvizur buzët. Ky është një shpjegim mjeshtërie! Dhe Moisiu ishte vërtet një mjeshtër. /Telegrafi /KultPlus.com

Dua Lipa publikon fotografinë “Autoktonë”, shfaq krenarinë e saj prej shqiptareje (FOTO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka shpërndarë fotografinë e njohur ku shkruhet “Autoktonë”. Lipa kohë më parë reagoi pas largimit të Kosovës nga harta e kompanisë Apple, shkruan KultPlus.

Edhe Dua edhe Rita kanë reaguar pas këtij veprimi kontrovers nga ana e kompanisë.

Por vajzat shqiptare nuk kanë ngurruar ta shprehin kundërshtinë e tyre përmes rrjeteve sociale, ku dhe kanë kërkuar të kthehet Kosova prapë në hartë si shtet. /KultPlus.com

Delon: Do ta lë pa keqardhje këtë botë të verbuar nga paraja

“Nga jeta nuk më intereson asgjë. E kam parë të gjithën, por mbi të gjitha e urrej këtë epokë. Më vjen për të vjellë”, shprehej Delon për të përjavshmen “Paris Match”.

“Ka njerëz që urrej. E gjitha është falsitet. Nuk ka respekt, askush nuk e mban fjalën. E rëndësishme është paraja. Çdo ditë dëgjojmë krime. Unë di se do ta lë këtë botë pa keqardhje”.

“Unë nuk kam bërë asgjë. Lashë shkollën në moshën 14-vjeçare… Jam një personalitet i fortë që e futën në kinema. Mund të them pa një modesti false që ia dola!” /bota.al /KultPlus.com

Lotë të hidhur seç më rrjedhin nëpër faqe

Poezi nga: Francesko Petrarka

Përktheu: Skënder Buçpapaj

Lotë të hidhur seç më rrjedhin nëpër faqe
me një shtrëngatë makthi psherëtitjesh,
kur sytë e mi kanë fat tek ti të priren
përmes të cilësh humbur bote të jem fare.

E pra, vërtet buqëshja jote e pafaj
i qetëson dëshirat e mia kaq të zjarrta,
më shpëton zjarresh të vuajtjeve të ngrata,
teksa sytë tek ti dhe mendjen ngultas mbaj.

Por shpirti im ftohet fill akull nëpër deje,
tek shoh në largimin tënd yjet e mi të fatit
të kthejnë sytë e tyre ëmbëlsisht drejt meje.

I çliruar nga çelësat e dashurisë më në fund,
për të të ndjekur ty shpirti braktis zemrën,
dhe në mendime thellë i zhytur nuk të ndahet kurrë.

Më shumë ndihmë për Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptasit në këtë kohë pandemie

Arbër Selmani
Fotografitë: Nok Selmani

Me datë 13 mars të këtij viti erdhën edhe rastet e para të të infektuarve në Kosovë me virusin Covid-19. Virusit do t`ia mësonim emrin shumë shpejt të gjithë, më vonë, por në fillim të këtij viti, një virus i tillë, dhe fakti se jeta e të gjithë neve do të ndryshonte, ishin të largëta si koncepte dhe ide.

Prej 13 marsit e deri me 1 qershor, izolimi nisi në të gjitha fushat e jetës, dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etniteti. Qindra njerëz u larguan nga puna, disa mbetën edhe pa të ardhura, të tjerë do të mund të pësojnë edhe më shumë. Një virus i tillë, edhe Kosovën e gjeti komplet të papërgatitur.

Shkenca botërore është e habitur se si një virus i tillë, me origjinë nga Kina, depërtoi gjithandej në botë. Duket se për çdo hulumtim, çdo investigim, për çdo analizë e reflektim, është herët, shumë herët, si për shkencëtarët, si për analistët e ekspertët, ashtu edhe për një qytetar të thjeshtë për të cilin sot të dalësh në rrugë pa maska e pa dorëza është pamje e harruar.

*

Nuk ka komunitet në Kosovë që nuk e vuajti e që nuk e vuan edhe sot këtë izolim dhe këtë gjendje kllapie në këtë cilën gjendet bota, e sidomos Kosova. Një vendi kaq të vogël nuk i kryen punë një ‘bombë’ kaq e madhe dhe e panjohur sa virusi, i cili deri sot ka marrë jetën e rreth 100 personave në Kosovë.

Jo e lehtë të pranohet, por më të dobëtit gjithmonë e pësojnë, janë ata ndaj të cilëve veç sa shtresohet e forcohet neglizhimi e diskriminimi, lënia anash dhe margjinalizimi i mëtejshëm.

Sidomos për Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptasit në Kosovë, pandemia e Covid-19 do të ndikonte fuqishëm qysh në ditët e para, për të pasur pasoja afatgjata të cilat vetëm koha dhe hulumtimet e ndihma e nevojshme do t’i nxjerrë në pah, me shpresën që edhe do t’i rrënjosë në tërësi. Dhe si gjithmonë, për ta luftuar një virus do të duhet njohur atë më mirë.

Në bazë të statistikave, rreth 60% e këtyre komuniteteve janë të papunësuar dhe periudha e karantinimit është shumë e vështirë, sidomos për njerëzit të cilët i kanë kushtet e vështira socio-ekonomike. [i] Një raport i thuktë i Roma Versitas Kosovo jep detaje se si tri komunitetet: Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptasit e Kosovës janë përballur me pandeminë dhe se si kjo e fundit ka ndikuar në jetën e secilit prej anëtarëve të këtyre komuniteteve me të cilat ne bashkëjetojmë nën çatinë e quajtur Kosovë.

Roma Versitas Kosovo ka zhvilluar intervista telefonike me specifikisht studentë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas, pjesë e programeve të organizatës, rreth gjendjes aktuale në një kohë pandemie si kjo.

Brenda dy javëve intervistave iu nënshtruan 86 studentë nga Prizreni, Peja, Gjakova, Ferizaji, Prishtina, Lipjani, Fushë Kosova, Istogu, Shtimja, Vushtrria dhe Rahoveci. 46 nga të intervistuarit janë femra ndërsa 40 janë meshkuj.

Në pyetjen e raportit – A jeni të furnizuar me ushqime të mjaftueshme dhe mjete higjienike? – 16 persona janë përgjigjur me PO ndërsa 70 persona janë përgjigjur me JO, tregues ky i nevojës urgjente për ndihmë ndaj pjesëtarëve të këtyre komuniteteve në Kosovë.

Nga 86 studentë të intervistuar, 28 prej tyre kishin informata rreth familjeve që kanë nevojë për gjëra ushimore dhe higjenike, kurse 58 prej tyre nuk kishin informata.[ii] Shumica e të intervistuarve kanë pasur mesatarisht informata, se virusi transmetohet përmes kontaktit të drejtëperdrejtë me persona të infektuar (përmes spërkalave, duarve/prekjes, tubimeve etj). Vetëm dy prej tyre theksuan se edhe sipërfaqet e kontaminuara mund te jenë rrezik i transmetimit të virusit, ndërsa vetëm katër prej tyre theksuan që virusi mund të bartet edhe nga gjësendet. Duke u bazur në këtë, studentëve iu parashtrua edhe pyetja e drejtpërdrejtë: – A mendoni që virusi mund të transmetohet edhe përmes gjësendeve që i bleni në shitore, dhe a duhet pastruar ato? 23 persona thanë PO, 5 persona thanë JO.

Ndoshta më e bukura e këtij raporti, është se nga këto intervista të realizuara me studentë, janë marrë rreth 130 kontakte të familjeve në nevojë në të gjithë Kosovën, familje këto të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas. Ditëve në vazhdim, këto familje do të kontaktohen dhe do të ndihmohen me pako ushqimore dhe higjienike, në këtë kohë pandemie e cila deri sot numëron rreth 5110 raste aktive të të infektuarve dhe 2370 të shëruar.

*

Në një diskutim të para disa ditëve organizuar nga Roma Versitas Kosovo, i cili u shfaq online pikërisht shkaku i kësaj pandemie, Qazim Rrahmani – tash zëvendësministër në Ministrinë e Rinisë, Kulturës dhe Sportit, vitin e kaluar edhe kandidat për deputet nga radhët e Partisë së Ashkalinjve për Integrim, tregoi se kjo pandemi i ka zënë të papërgatitur edhe tri komunitetet në fjalë.

“Është problem sepse komuniteti ynë banon në fshatra të grumbulluara, të stërngarkuara, dhe ka raste kur brenda një lagjeje 1 mijë metra katrorë jetojnë 300 banorë. Për neve kjo ka paraqitur frikë dhe rrezik që virusi mund të depërtojë në komunitetet tona. Megjithatë jemi përkujdesur që të bëjnë senzibilizimin e komunitetit gjatë kohës sa ishte karantina, kur kemi provuar të vetëdijësojmë qytetarët. Kemi mendu që kemi me kalu shumë ma keq sesa që jemi” tregoi mes tjerash Rrahmani gjatë këtij diskutimi.

Mes fjalëve, ai përmendi se po i ekspozohemi një pandemie të cilën nuk e njohim shumë.

“I gjithë populli, në këtë gjendje në të cilën po kalojmë, është i papërgatitur, edhe për gjëra ekonomike, ushqimore, edhe për aspektin shëndetësor, edhe për masat e mbrojtjes. E dijmë se komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas janë më të varfërat, më të margjinalizuara, dhe ato me jetë më të vështirë sociale” vazhdoi tutje Rrahmani në këtë diskutim që u zhvillua me 10 korrik.

Në lagjet 28 dhe 29 në Fushë Kosovë, ku janë rreth 100 shtëpi me rom, ashkalinj dhe egjiptas, ka mungesë të ujit edhe në këto ditë të pandemisë. Disa herë, mungesa e ujit shkon deri në gjashtë orë brenda ditës, përderisa të njëjtat reduktime të ujit nuk i kanë edhe pjesët më urbane të qytetit.

Në të njëjtin panel diskutimi ishte i pranishëm edhe Jeton Emini, Këshilltar në zyrën e Kryeministrit. Ai ka përmendur se deri tash janë krijuar ekipe emergjente të cilat iu vijnë në ndihmë familjeve të komuniteteve respektive.

“Kur i kishim vetëm 95 raste të personave të infektuar me Covid-19, ne Partia e Ashkalinjve për Integrim, nisëm krijimin e shtabeve, madje para Komunës së Ferizajt. Ne i kemi pasur shtabet tona, duke e ditë gjendjen reale të komunitetit. Mungesa e përkrahjes ishte e dukshme: ne i dorëzuam 35 misioneve diplomatike kërkesa për ndihma të ndryshme, që ti dalim në ndihmë komunitetit. Dihet që shumica e pjesëtarëve të komunitetit tonë kanë veprimtari të punës tregun e gjelbër, pazarin, shesin gjësende si rroba, për të mbijetuar dhe për të pasur një qarkullim javor. Në atë kohë kjo u ndalua, dhe ishte ne fazën e panikut edhe për neve sepse nuk kishim më adresë. Më pas i kërkuam ndihmë diasporës” tregoi Emini, edhe ky sikur Rrahmani pjesë e komunitetit Ashkali.

Rrahmani ka vazhduar duke treguar se shembull në Fushë Kosovë, çdo ditë janë shpërnda bukë nëpër shtëëpitë e tri komuniteteve.

“Komuniteti është trajtuar në çdo shtëpi. Komuna e Ferizajt nuk ka pasë asnjë familje që nuk ka marrë miell çdo të dytën javë, eventualisht çdo të tretën javë. Në Rahovec disa nuk kanë as televizor dhe nuk e kanë ditur për virusin. Ka pasë komuna që e kanë trajtuar mirë komunitetin sepse e kanë ditur që komuniteteti i ka punët keq, dhe janë frikuar që mund të dalë komuniteti dhe t’i infektojë të tjerët” tregon tutje Rrahmani.

Emini, në anën tjetër, tregon se mbi 850 familje kanë qenë përfituese në Ferizaj nga ndihma e diasporës. Mbi 50 mijë euro janë mbledhur në këtë aksion.

*

Organizata të tjera janë aktivizuar që nga 13 marsi që për komunitetet Rom, Ashkalinj dhe Egjiptias të mos mungojë asgjë gjatë kësaj pandemia.

Roma in Action – RIA, me seli në Gjakovë, ka vazhduar aktivitetet e saj në ndihmë, gjithmonë me mjete mbrojtëse. Një lloj i ndihmës është edhe diskutimi i realizuar në terren dhe regjistrimit të fëmijëve në komuniteteve në klasën parashkollore dhe klasën e parë.

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur KFOS është duke vazhduar me fazën e dytë të projektit emergjent që synon të mbështesë komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptas në situatën e krijuar nga pandemia. Krahas ndihmës me pako ushqimore dhe higjienike në fazen e dytë projekti synon që të përkrahë komunitetet në fushën e arsimit, përkatësisht me aktivitete për regjistrimin i fëmijëve në klasën e parë dhe klasën parafillor. Këto aktivitete realizohen me ndihmën e organizatave SHL-Kosova, Roma in Action, Art Stras Union, Bashkimi Rinor e Ardhmja e Ndritur BRAN, Përparimi Rinori Ashkalinjve të Mitrovicës PRAM dhe Rrjeti i grave rome, ashkali dhe egjiptiane i Kosovës RROGRAEK.

ADMOVERE ka publikuar së fundmi një raport mbi tri komunitetet dhe pandeminë. Duke cituar raportin/hulumtimin, aktivisti dhe njohësi i problematikave të pakicave etnike, Gazmend Salijeviç thotë se situata emergjente nxori në pah problemet strukturore që ka shoqëria dh dështimin e shtetit për përmirësimin dhe integrimin e komuniteteve joshumicë.

Kurse sipas Driton Berishës nga Roma Education Fund (REF), cituar nga i njëjti raport, aktivizmi vullnetar bashkë me nënshtabet emergjente, sidomos në Fushë Kosovë, ka bërë punë të mirë në adresimin e nevojave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

*

Në fillim të këtij muaji, Lëvizja KOSINT, e përfaqësuar nga SIV, BSFK, RADC dhe VORAE, e përkrahur edhe nga organizata tjera të shoqërisë civile të cilat angazhohen për të drejtat, gjithëpërfshirjen dhe avancimin e pozitës së komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas në Kosovë, në nivel qendror dhe lokal, i janë drejtuar Zyrës së Kryeministrit me një shkresë për gjendjen e komuniteteve në fjalë gjatë pandemisë dhe nevojës për gjithëpërfshirjen e tyre, me theks të veçantë në Fondin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Me anë të kësaj shkrese, këto organizata iu drejtuan Kryeministrit të Republikës së Kosovës për gjendjen e rëndë të tanishme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian gjatë pandemisë COVID- 19 dhe nevojat e tyre emergjente për t’u ndihmuar/përfshirë financiarisht në Fondin e paraparë për Rimëkëmbje Ekonomike.

Poshtë keni pak nga shkresa:

Meqenëse këto komunitete janë pjesë e grupeve më të cenueshme në vend, ato do të duhej të kishin edhe vëmendjen e veçantë si dhe i tërë procesi të bëhej në bashkërendim me organizatat e shoqërisë civile të cilat merren me të drejtat e komuniteteve. Kur jemi te komunitetet, një vëmendje e veçantë do të duhej t’i kushtohej edhe masave për mbështetje të punësimit/rritjen e punësimit te grupet e punëtorëve të komuniteteve me gjasa më të vogla për punësim.

Marrë parasysh statistikat e siguruara nga Ministria e Administratës Publike në dhjetor të vitit 2018, në 56 institucione publike kanë qenë të punësuar 30,635 persona, nga të cilët vetëm 113 pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, apo 0.36 për qind. Kërkojmë nga institucionet përkatëse të marrin masat konkrete, fillimisht për të respektuar kuotën e paraparë me Kushtetutën e Republikës se Kosovës – Neni 61 [Përfaqësimi në Punësim në Institucionet Publike] dhe Ligjin për Shërbim Civil Nr. 03/L-149 – Neni 11 [Pranimi në Shërbimin Civil], Ligji Nr. 03/L-212 i Punës, si dhe Rregulloren Nr. 04/2010 për procedurat e përfaqësimit të drejtë dhe proporcional të komuniteteve jo shumicë.

Hap tjetër i Kryeministrit në të mirë të komuniteteve në Kosovë do të ishte edhe përfshirja e organizatave të shoqërisë civile të cilat merren me të drejtat e komuniteteve në të gjitha grupet punuese ku do të diskutohet mirëqenia e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

….

Kërkojmë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës zotimin për transparencë në këtë proces e njëherit edhe përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile, në veçanti në trajtimin e komuniteteve.[iii]

Rreth 140 familje shqiptare, kroate, rome, ashkali dhe egjiptiane – në Graçanicë, Janjevë dhe Fushë Kosovë – janë mbështetur nga TIP – The Ideas Partnership, me pako ushqimore dhe higjienike gjatë pandemisë COVID19. Këto shpërndarje u mundësuan me ndihmën e Znj. Marcelle Delvaux Abbott, Z Laurent Velty dhe kolegët e tyre në Klubin Ndërkombëtar Prishtina, dhe Z. Nicholas Abbott për mbledhjen e ushqimit dhe transportin.

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e KultPlus/YIHR dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)

TEKSTI NË GJUHËN ROME


[i] http://www.romaversitas.org/wp-content/uploads/2020/04/Roma-Versitas-Need-assesment-COVID-19-ALB-2.pdf

[ii] http://www.romaversitas.org/wp-content/uploads/2020/04/Roma-Versitas-Need-assesment-COVID-19-ALB-2.pdf

[iii] http://kosint2020.net/sq/lajme-dhe-ngjarje/shkrese-zyrtare-nga-oshc-te-per-kryeministrin-e-kosoves-ne-lidhje-me-gjendjen-e-komuniteteve-rom-ashkali-dhe-egjiptian/?fbclid=IwAR2Pp8D6IpYHIwmpH0p6–61wJWxJMdTXoTAGmxO29wSZICcgpfQZ27Ieew

Maska, arma më e fuqishme kundër koronavirusit

Me prova në rritje, maskat po ndihmojnë në parandalimin e transmetimit të koronavirusit, edhe nëse një person i infektuar ka vënë maskë është në kontakt të ngushtë me të tjerët.

Robert Redfield, drejtor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha se ai beson që pandemia mund të vihet nën kontroll gjatë katër deri tetë javëve të ardhshme nëse “ne mund të bindim të gjithë të vënë një maskë tani”. Komente të tij, të bëra të martën me Gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, pasuan një editorial që ai dhe të tjerë shkruan, duke theksuar “prova të bollshme” të përhapjes asimptomatike dhe duke theksuar studime të reja që tregojnë se si maskat ndihmojnë në zvogëlimin e transmetimit.

Hulumtimi që citoi Dr. Redfield përfshiu një studim të botuar rishtazi që sugjeron që përdorimi universal i maskave kirurgjikale ndihmoi në uljen e niveleve të infeksioneve të konfirmuara Covid-19 midis punonjësve të kujdesit shëndetësor në sistemin e kujdesit shëndetësor Mass General Brigham në Massachusetts, përcjell albinfo.ch.

Komentet e tij janë mesazhi më i qartë akoma nga CDC, mes debatit të ashpër mbi maskat e fytyrës, nxitur fillimisht nga mesazhe të zyrtarëve federalë dhe globalë për domosdoshmërinë e tyre dhe më pas nga ata që theksojnë liritë individuale. /KultPlus.com

Eqrem Çabej mbi prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij

Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet të zgjidhet më fort nga ana e ruajtjes dhe e vazhdimësisë së gjuhës së tij sesa nga pikëpamja etnike, sepse më shumë se elementet e tjera gjuha është karakteristika që dallon një popull nga të tjerët.

Një problem i tillë ndërkaq, për çdo popull, të çdo vendi qoftë e të çdo kohe, paraqitet kompleks, dhe për kushtet shqiptare veçanërisht i komplikuar. Kompleks: sepse në formimin e një populli si një njësi më vete e me tipare vetjake që e dallojnë nga popujt e tjerë, kanë pjesë, sikundër dihet, rrethana të ndryshme të karakterit gjeografik dhe procese të shumëfishta historike, etnike, ekonomike, kulturore e gjuhësore.

I komplikuar: në këtë fushë të studimeve shqiptare është shumë e ndjeshme mungesa e burimeve historike e të shkrimit. Megjithatë, dija e re shqiptare, edhe me këtë varfëri burimesh, me mjetet që ka në dorë përpiqet t’i afrohet zgjidhjes së këtij problemi. Dhe ka arritur në këtë lëmë rezultate që mbeten, e që kanë zënë vend dhe në fushën shkencore ndërkombëtare. Për vetë karakterin kompleks të çështjes edhe metoda për t’u zbatuar këtu duhet të jetë komplekse. Aty duhet të bashkëpunojnë disa disiplina shkencore. Sidomos vijnë në vështrim aty gjeografia historike, historia, gjuhësia, etnografia dhe arkeologjia parahistorike. Rezultatet e njërës ndër këto fusha duhet të merren parasysh e të vlerësohen në masën e duhur nga disiplinat e tjera, të kombinohen me rezultatet e tyre, që të përmblidhen faktet e shumëllojshme në disa parime të përgjithshme, në disa fakte më të sigurta, për të arritur kështu disi në një sintezë.

Shqiptarët janë autoktonë ose anas në Gadishullin Ballkanik, duke qenë që rrojnë aty që nga kohët e lashta parahistorike. Ata janë bashkë me grekët populli më i moçëm i kësaj treve, janë trashëgimtarë të situatës etnike të periodës së lashtë në këtë pjesë të Europës Juglindore. Në këto rrethana pyetja se ku e ka burimin populli shqiptar, do të thotë me fjalë të tjera këtë: Stërgjyshët e shqiptarëve, ai popull që ka folur gjuhën nga e cila ka rrjedhur shqipja e sotme, me ç’emër njihej në kohët antike në Ballkan? Prej cilit popull të lashtë të këtij gadishulli rrjedhin pra shqiptarët e sotëm?

Në shekullin e kaluar u përhap shumëkund hipoteza se shqiptarët ishin stërnipët e pellazgëve. Kjo hipotezë a teori, e themeluar në tryezë të dijetarëve të huaj, pati jehonë të gjerë në lagjen e poetëve e shkrimtarëve shqiptarë të Shqipërisë e të Italisë. Ajo gjeti një truall pjellor në idetë e romanizmit, i cili në Europën Juglindore u përhap më vonë, në një kohë kur në Perëndim kishin dalë rryma letrare të tjera. Teoria pellazge ndërkaq më vonë ra poshtë. Pellazgët në burimet greke e romake përmenden si një shtresë etnike paragreke, jo më ekzistuese në periodën antike. Autorë si Herodoti e Straboni flasin për ta për një kohë më të lashtë dhe i paraqesin si një popullsi barbare, d.m.th. jogreke, e me një gjuhë të ndryshme nga greqishtja. I lokalizojnë në zonën e Detit Egje, kryesisht në Tesali, me përhapje më një anë nga Epiri, më anë tjetër nga Azia e Vogël, nga Kreta e nga ishuj të tjerë të zonës egjeane. Ata paraqiten ndërkaq gjithkund si një popull legjendar, i mbuluar me mjegullën e një miti, popull pa konsistencë historike konkrete. Ndonëse në kohë të reja janë pohuar disa lidhje të tyre me ilirët e me trakasit, duhet thënë se ai element etnik e gjuhësor që mund të quhej, me shumë rezervë, pellazg, për shumë arsye, edhe të karakterit gjeografik, nuk mjafton kurrsesi për të pohuar me një farë baze vërtetësie shkencore një birëri pellazge të popullit shqiptar.

Duke u nisur nga një platformë më reale, për sqarimin e problemit të burimit, do t’i sillemi pikësëpari historisë si vazhdim i situatës parahistorike në Gadishull të Ballkanit. Kjo trevë e Evropës Jugore, në periodën antike ka qenë e banuar prej disa popujsh, popuj të ndryshëm nga ata të sotmit dhe të ndryshëm edhe nga njëri-tjetri. Dihet se në viset perëndimore të Gadishullit kanë banuar ilirët, në viset lindore trakasit, në anët jugore grekët, në qendër makedonët, të cilët kanë qenë të ndryshëm nga grekët edhe me një gjuhë më vete, sipas Herodotit me “gjuhë barbare”, d.m.th. jogreke. Duke lënë mënjanë disa popullsi më të vogla, si fiset iranike në pjesën lindore të Gadishullit dhe disa fise kelte në viset veriperëndimore e qendrore, kjo ka qenë gjendja etnike në epokën greko-romake. Në këtë mes shtrohet pyetja se prej cilit nga këta popuj zbresin shqiptarët, prej cilës nga gjuhët e tyre rrjedh gjuha shqipe. Në këtë problematikë grekët, ose si quheshin në atë kohë, helenët, përjashtohen vetvetiu, si një popull i ndryshëm nga populli shqiptar. Përjashtohen gjithashtu dhe makedonët e vjetër, si një popull relativisht i vogël dhe gjeografikisht më në skaj të truallit gjuhësor të shqipes, ndonëse për punë të afërsisë territoriale disa lidhje nuk mund të mohohen kryekrejet. Në këto rrethanat dy janë popujt që vijnë në vështrim si të parët e shqiptarëve, ilirët dhe trakasit.

Ilirët kanë qenë një ndër popujt e mëdhenj të Europës së lashtë. Duke lënë mënjanë përhapjen e tyre në kohët parahistorike, në periodën historike ata shtriheshin që nga anët e Istrisë afër Triestës në veriperëndim e nga viset afër brigjeve të Danubit në veri gjer në gjirin e Artës së Çamërisë në jug, qytet që aso kohe quhej Ambrakia. Kështu fiset ilire banonin viset e sotme të Shqipërisë me Çamëri, të Malit të Zi, Bosnjes e Hercegovinës, Dalmacisë e Kroacisë, pra gjithë bregdetin lindor të Adriatikut me hinterlandin përkatës. Të fisit ilir kanë qenë pas gjithë gjasësh edhe mesapët e japigët e Apulisë në Itali Jugore. Në lindje fiset ilire mbërrinin gjer në anët e lumenjvet Vardar e Moravë në Maqedoni Veriore e në Kosovë, një trevë që në lashtësi quhej Dardania, dhe shtriheshin edhe në një pjesë të Serbisë së sotme. Në ato anë ilirët ishin kufi me fiset trake, vise-vise edhe duke u përzier me to.

Edhe trakasit kanë qenë një ndër popujt e mëdhenj të Europës së lashtë: Herodoti e quan popullin më të madh pas indasve. Shkonin që prej kufijve të ilirëve në perëndim e gjer në brigjet e Detit të Zi në lindje, prej Detit Egje në jug e gjer në malet e Karpateve në Veri. Përfshinin kështu një pjesë të Greqisë e të Turqisë europiane të sotme, Bullgarinë, Rumaninë e një pjesë të Hungarisë e të Polonisë. Për fatet historike të këtyre popujve e të fiseve të tyre, nga mungesa e materialit burimor për të cilin u fol më sipër, shumë pak jemi në gjendje të dimë, dhe kjo errësirë njohurish shtohet sa më lart të ngjitemi në lashtësi të kohëve. Dimë p.sh. që koncepti edhe emri ilir erdhi e u përhap vetëm me kohë, duke dalë prej një popullsie me këtë emër e duke përfshirë edhe fise etnikisht e gjuhësisht të afra. Ky emër në epopetë e Homerit ende nuk shfaqet. Emri i ndonjë populli të veçantë, si ai i dardanëve dhe ai peonëve, të cilët në kohë historike kanë banuar në veri të makedonëve, del në skenë të historisë shumë më përpara se emri i përgjithshëm i ilirëve. Dihet gjithashtu që këta popuj të lashtë të Ballkanit, nën ndikimin e qytetërimit greko-romak, e sidomos me zotërimin e gjatë të Perandorisë Romake, me kohë pjesërisht u greqizuan, e për një pjesë të madhe u romanizuan. Me fjalë të tjera këta, pa u zhdukur si popuj, me kohë u asimiluan: lanë gjuhët e veta dhe morën vise-vise greqishten, vise-vise në pjesën më të madhe – latinishten. Kjo ndodhi sidomos nëpër qytete, nëpër qendra administrative e ushtarake ku romakët kishin ngulur garnizonet e tyre. Nëpër vise malore ndërkaq asimilimi nuk arriti të kryhej kryekrejet. Popullsitë vendase ruajtën më gjatë karakterin e tyre etnik dhe gjuhën e tyre. Ndonjëri nga këta popuj bile i shpëtoi gjer në fund romanizimit. Dëshmi e gjallë për këtë është populli shqiptar, i cili duhet të jetë pasardhës i njërit nga këta popuj (a fise) të paromanizuar.

Çështja e birërisë, e filacionit, d.m.th. e rrjedhjes së një populli të sotëm prej një të lashti, të një gjuhe të re e të njohur prej një gjuhë të vjetër e të zhdukur, paraqitet mjaft e lehtë kur prej popullit të lashtë e prej gjuhës së tij kemi njohuri relativisht të sakta. Po në lidhje me shqiptarët e me shqipen, kjo çështje, si u tha, mbetet veçanërisht e vështirë. Gjuhët e lashta të Ballkanit, për mungesë shkrimesh të tyre, mund të thuhet se njihen pak e aspak. Prej gjuhës së trakasve ka disa pak mbishkrime, prej gjuhës së ilirëve të Ballkanit nuk është gjetur gjer më sot asnjë mbishkrim. Mbishkrimet e mesapëve të Italisë Jugore lexohen, porse interpretimi i tyre ka mbetur gjer sot i pasigurtë. Prej të dyja gjuhëvet, ilirishtes dhe trakishtes, kanë mbetur disa të ashtuquajtura glosa, d.m.th. disa fjalë të tyre të dëshmuara prej autorësh grekë e romakë bashkë me kuptimet e tyre të dhëna greqisht a latinisht. Ka edhe një numër mjaft të madh me emra vendesh e personash, të gdhendur nëpër gurë a të dëshmuar nëpër tekste të autorëve klasikë; emra shumica me interpretim gjuhësor-kuptimor të dyshimtë dhe ku dijetarët modernë kanë gjetur prandaj një fushë të lirë për gjykime shpeshherë arbitrare. Kështu dy gjuhët në fjalë mbeten thuajse të panjohura për ne. Ne nuk ua dimë strukturën gjuhësore, as sistemin gramatikor, as fjalorin e tyre. Në këto rrethana mjetet e krahasimit mungojnë: mungon çelësi për të krahasuar materialin e shqipes me atë të dy gjuhëve në fjalë.

Duke qenë gjendja kështu, kriteri i gjuhës duhet të vështrohet së bashku me gjendjen gjeografike e historike. Në pikëpamje të gjeografisë historike dihet se shqiptarët e sotëm banojnë në ato vise ku në kohën antike banonin fise ilire. Në pikëpamje historike është vënë re me të drejtë, që sot e dy shekuj më parë, që nuk ka asnjë të dhënë, asnjë kumt historik që shqiptarët të jenë ardhës, që të kenë zënë vend në këto troje në një periodë historike të caktuar, si bie fjala aty nga mbarimi i kohës antike, ose në mesjetën e hershme. Në këto kushte vetë arsyeja e thjeshtë shtyn të pranohet që populli shqiptar është vendës, autokton në këto anë, në mos qysh prej periodave të mugëta parahistorike, së paku që prej kohës antike e këtej. Këto dy arsye, arsyeja e banimit në teritorin e dikurshëm ilir dhe arsyeja e autoktonisë, shpien vetvetiu në mendimin që shqiptarët e sotëm janë stërnipët e fiseve ilire të jugut dhe që shqipja është vazhdimi i njërit nga dialektet e vjetra ilire.

Mund të thuhet bile që barra e argumentimit më fort u bie atyre që mohojnë burimin ilir të popullit shqiptar e të gjuhës së tij se atyre që e pohojnë. Në lidhje me këto nuk mund të jetë një gjë gand e e rastit edhe kjo, që emri i fisit ilir Albanoi, që përmend astronomi e gjeografi Ptolemeu i Aleksandrisë së Egjiptit në shekullin e dytë të erës sonë në trevën midis Durrësit e maleve të Kandavisë në Shqipëri të Mesme, vazhdon të rrojë në Arbën Arbër, Arbënesh Arbëresh, emri i Shqipërisë e i shqiptarëve në mesjetë, i gjallë dhe sot e kësaj dite. Në pikëpamje gjuhësore këtyre rrethanave vjen e u shtohet ky fakt, që vazhdimi i emrave të qyteteve, maleve e lumenjve të trevës shqiptare të kohës së lashtë, në trajtat e tyre të sotmet ka rrjedhur në pajtim me rregullat fonetike të gjuhës shqipe. Aty hyjnë barazime të tilla si Scardus : Shar, Scodra : Shkodër, Drivastum : Drisht, Pirustae : Qafa e Prushit, Lissus : Lesh (Lezhë), Isamnus : Ishëm Ishm, Dyrrachium : Durrës, Aulon : Vlonë Vlorë, Thyamis : Çam e të tjera. Edhe kjo dëshmon për autoktoninë ilire të popullit shqiptar: sepse ky zhvillim nga trajtat antike të këtyre emrave në të sotmet nuk gjen spjegim veçse me mjetet e shqipes. Nuk mund të spjegohet as me mjetet e gjuhëve romane as të gjuhëve sllave, e as nëpërmjet të ndonjë gjuhe tjetër të zonës ballkanike. Për vazhdimësinë ilire ka dhe të tjera të dhëna nga fusha gjuhësore, si disa barazime që dalin në emra personash ndër ilirët e hershëm e ndër shqiptarët e sotëm. Përveç këtyre, ato të paka fjalë që dihen prej ilirishtes, shpjegohen mirëfilli me anë të shqipes. Edhe mjaft fjalë të mbishkrimeve mesapike zbërthehen me gjuhën tonë. Në këtë mënyrë të dhënat e gjeografisë historike dhe të gjuhës vijnë e plotësojnë njëra-tjetrën. Nuk mungojnë edhe disa paralele të karakterit etnografik, në të cilat nuk po hyhet këtu. Prej lëmit të arkeologjisë meriton vëmendje rrethana që në disa stacione parahistorike të trevës shqiptare vihet re një vazhdimësi e kulturës materiale, një kontinuitet nga epokat e lashta gjer në mesjetën e hershme; kjo rrethanë vjen e u shtohet argumenteve gjeografike, historike e gjuhësore që u shtruan më sipër.

Për sa u përket trakasve dhe gjuhës së tyre, mbi dëshminë e disa të dhënave historike dhe gjuhësore (emra vendesh me tipare trake) është vënë re me kohë një prani elementesh trake në krahun veriperëndimor të Gadishullit Ballkanik e veçanërisht në viset bregdetare të Adriatikut të jugut. Ato duhet të jenë përzier me kohë me elementet ilire, pa mundur të themi se nga ilirët e trakasit kush qe anas e kush i ardhur. Si përfundim, edhe për arsye historike mund të thuhet se në formimin e etnosit shqiptar në bazë qëndron elementi ilir, porse mund të ketë pasur dhe një komponente trake, me përmasa gjithsesi më të vogla. Si u krye procesi i këtij formimi etnik e gjuhësor, në ç’rrethana territoriale e historike, në gjendjen e sotme të njohurive është vështirë të përcaktohet. Aty shihet më qartë përfundimi, që është populli shqiptar më gjuhën e tij, sesa rruga e zhvillimit që u përshkua gjersa u arrit gjer në gjendjen e sotme (Botuar së pari në gazetën Rilindja, Prishtinë 23.VII.1977)./ KultPlus.com

Heavy metali i goditur nga pandemia

Për disa autsajdera, heavy metali mund të jetë kaotik, i ashpër dhe atij i mungon vlera emocionale, por përbrenda mesazhi është për solidaritet. Asgjë nuk e paraqet këtë më mirë sesa vendi ku qëndron orkestra.

Dalldisja mund të konsiderohet vallëzim. Dhe si shumë vallëzime të tjera, ka disa rregulla. Nëse dikush rrëzohet, të gjithë i ndihmojnë atij që të ngrihet në këmbë, të largojë pluhurin dhe t’i bashkohet përsëri kaosit, shkruan “The Guardian”.

Për shumë adhurues të zhanrit heavy metal jeta është një dalldisje, por virusi COVID-19 i ka goditur, transmeton KOHA. Shumë artistë kanë vazhduar që të luajnë nga shtëpitë apo të eksperimentojnë me bileta për performanca live, por në një botë ku bendet mbështetën te zhurmat e mëdha, shumë shpesh ky nuk është një opsion.

Muzika është shumë e lartë për të gjithë, përveç për pajisjet profesionale, dhe pesha fizike që ndihet në kraharor – dhe shpirt – është një komponentë vitale për këtë eksperiencë. Ndërkohë, muzikantët mbështetën në artin e tyre si një shkarkim nga traumat personale dhe vuajtjet.

Në fillim të vitit 2020, “Fed Ash”, një grup “metal/hardcore” nga Syracuse i New Yorkut, ishte duke koordinuar disa turne. Grupi kishte paguar shërbim me të shpejtë për të marrë më shpejt kopjet fizike të albumit të parë, “Diurnal Traumas’, për t’i shitur në turne. Në mesin e paraqitjeve ishte një shfaqje në festivalin treditor “Oblivion Access” në Austin, Teksas, me emra të mëdhenj si “Converge” dhe “Carcass”. Si çdo koncert tjetër live, edhe ky është anuluar.

“Kjo do të ishte diçka e madhe për ne”, ka thënë Matt Jaime, kitarist i “Fed Ash”, e që po ashtu ka edhe rolin e menaxherit të grupit. Ky grup, çdo bluzë, çdo sesion të incizimeve e paguan nga punët e përditshme të anëtarëve të grupit. Prandaj, kur pandemia filloi, paratë për CD dhe materiale promovuese, një furgon dhe pagesat për hapësirën për t’u ushtruar, ua shtuan presionin financiar. Pa llogaritur edhe frikën dhe pamundësinë për të luajtur live. /KultPlus.com

“Këpërata” e analfabetëve politikë dhe dijetarët e braktisur

Shkruan: Ilir Çumani

Pak kohë më parë, po sodisja me ngazëllim maketin dekorativ me përmasa gjigande të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, i publikuar në anën e majtë të godinës së Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Tek po e shijoja me admirim atë maket, (në këtë rast nuk më pëlqen të përdor fjalën “instalacion”), befas, m’u shfaqën para syve figurat më të ndritura të rilindjes sonë kombëtare, si: Jeronim De Rada, Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Asdreni, Mid’hat Frashëri, Hasan Tahsini, Zef Jubani, Babë Dudë Karbunara, Zef Serembe, Mihal Grameno, Bajo Topulli, Çerçiz Topulli, Jani Vreto, Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Filip Shiroka, Ismail Qemali, Pandeli Sotiri, Parashqevi Qiriazi, Koto Hoxhi, Shahin Kolonja dhe deri tek Fan Noli, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, etj.

Të gjithë këta patriotë e mëmëdhetarë të shquar, për aq sa jetuan, bënë gjithçka mundën për pavarësinë e vendit, mbrojtjen, pasurimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Përpjekjet dhe privacionet e tyre ishin kaq sublime, saqë nuk kursyen asgjë, duke shkrirë të gjithë pasurinë që ata kishin. Disa prej tyre u martirizuan, dhanë jetën për gjuhën amtare dhe çështjen kombëtare, siç ishte edhe Prifti Ortodoks Papa Kristo Negovani, me profesion mësues dhe botues, i masakruar në mesnatën e 12 shkurtit të vitit 1905 në pragun e shtëpisë së tij nga vasalët e Karavangjelis-it, peshkop i Kosturit. Të njëjtin fat tragjik pati Petro Nini Luarasi, i cili punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës. Ai u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësimdhënës. Në vitin 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, ndërsa më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë. Pak më vonë (1892-1893), çeli shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës, etj. Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911. Meditoja para maketit të atij Fjalori, dhe më erdhi nëpër mend historia tragjike e mësuesit patriot Theodhor Haxhifilipi, i njohur si Dhaskal Tod’hri, një figurë e ndritur, njeri i nderuar dhe me emër të madh në komunitetin ortodoks të Elbasanit. Në vitin 1805, (pra në moshën 75 vjeçare), ai u bë viktimë e dhunës greke dhe asaj turke kundër arsimimit shqip. Gjatë viteve 1751-1801, ai ka administruar Kodikun e Shën Mërisë të kishës së Kalasë. Më pas, shkoi nëpër Evropë për të derdhur shkronjat shqipe, që të krijonte një shtypshkronjë në shqip. Shtypshkronjën do ta ngrinte në Elbasan, pasi në këtë qytet kishte shumë tregtarë që shkruanin me alfabetin e tij. Asokohe, Shën Gjoni ishte qendër e shkrimit të shqipes. Dhaskal Tod’hri u vra ndërsa transportonte shtypshkronjën për në Elbasan, në rrethinat e Manastirit, në Dhiavat të Resnjës. Vrasja ishte një akt i pashembullt obskurantist i kishës greke, e cila prej kohësh i kishte vënë nga pas agjentët e saj. Ky akt mizor, është materializuar me shumë vërtetësi dhe origjinalitet në njërën prej realizimeve të shkëlqyera të kinematografisë shqiptare, në filmin artistik shqiptar “Udha e shkronjave”, i regjisorit të mirënjohur Vladimir Prifti, me skenar të Peçi Dados e V.Prifti.

Një histori që permes skenave dhe mizanskenave të përzgjedhura në film, veshjeve dhe episodeve të vendosura në kohë, të bën të përjetosh me kaq shumë emocion të gjithë atë përpjekje, heroizëm dhe aspiratë të këtij patrioti rilindas, por nga ana tjetër, drithërohesh për dramën e ngjarjes që përcillet përmes lojës brilante të aktorëve Sandër Prosi, (Artist i Popullit), në rolin e Dhaskal Tod’hrit dhe Bujar Lakos, (Nder i Kombit), ky i fundit, në rolin e shoqëruesit udhërrëfyes të karvanit me kuaj, me të cilin transportonin arkat të mbushura me gërmat shqipe të derdhura në plumb. Mbresëlënëse mbetet për shikuesit e këtij filmi edhe ky dialog i zhvilluar midis Dhaskal Tod’hrit e shoqëruesit të tij Tunxhit, një fshatar besnik dhe i ndershëm, por analfabet, i cili nuk di as shkrim e as këndim. Djaloshi Tunxh e shoqëron dhe i qëndron pranë me fanatizëm Dhaskal Tod’hrit. Ai e adhuron dhe e mbron me kokën e tij mësuesin patriot, nga çdo e keqe që mund t’i dilte përpara, gjatë udhës për transportin e ngarkesës me karvan. Është një dialog kur gjatë momentit të rrugëtimit me kuajt e lodhur, dita fillon të erret dhe udha bëhet edhe më e vështirë duke sjellë të papritura e rreziqe. Në një distancë të afërt, befas, Tunxhi dëgjon disa trokëllima kuajsh…

Tunxhi: – Dëgjoj hapa kafshësh zotëri…!

Dhaskal Tod’hri: – Mbase është ndonjë karvan si ne.

Tunxhi: – Kam frikë mos janë koshallet e turkut, (trupat e xhandarëve turq). Me ta se gjej dot fjalën unë!

Dhaskal Tod’hri:- Kam një ferman nga Pashai.

Tunxhi: – Paske mik dhe Pashanë…?!

Dhaskal Tod’hri: – Atë ferman e paguam 1.000 grosh të argjendë. Miqtë e mi mblodhën para për këto shkronja. Njëzet qese gëlltiti ai maskara!

Tunxhi: – Bre, bre, një dynja para për këto copa plumbi…?!

Dhaskal Tod’hri : – Janë flori e shkuar floririt këto shkronja, o bir…! Me to do të shkruhet gjuha jonë, do të bëjmë shumë libra, do mësojnë fëmijët që të bëhen njerëz të ditur, e ç’nuk do të shkruhet me këto shkronja or Tunxh…! Edhe ajo kënga që këndove atje buzë liqenit, do të shkruhet.

Tunxhi: – E si u shkruaka kënga zotëri, ajo këndohet?!

Dhaskal Tod’hri: – Këndohet, por kënga ka fjalë, fjalët shkruhen në kartë e përhapen ngado! Të huajt, duan të na e varrosin gjuhën tënë, edhe këngën, edhe kujtimin e trimave ato shkronja do t’i mbajnë gjallë…

Tunxhi: – Qënkan flori vërtetë zoti Dhaskal!

Dhaskal Tod’hri: – Floriri tretet dhe humbet, kurse gjuha dhe këngët mbeten. Thonë se ai trimi i këngës ka patur një kollan të artë. Kollana i humbi, kurse kënga i mbeti. E këndoi gjyshi, e këndon ti, do ta këndojnë të gjithë kur të kemi shkronjat tona or Tunxh…!

Nuk ka si të mos emocionohesh kur dëgjon këtë dialog, që mbart në vetvete fuqinë e pashembullt të mendimit dhe veprimit iluminist, ndien shpirtin idealist dhe human të këtyre patriotëve të vetësakrifikuar, peshën e rëndë të fjalës që zë fill nga historia e përpjekjeve për mbijetesë, përballë zgjedhës obskurantiste otomane, e cila prej 5 shekujsh u përpoq me të gjitha mënyrat që populli ynë të mos e asimilonte kulturën dhe gjuhën e nënës, gjuhën shqipe. E teksa hulumtojmë dhe rrekemi të cekim pak histori për këtë çështje, ndihesh i keqardhur dhe i trishtuar njëkohësisht se si në ditët e sotme përdoret dhe keqpërdoret Gjuha Shqipe, si gjymtohet dhe shëmtohet struktura morfologjike e saj nga pjesa më e madhe e njerëzve në jetën tonë të përditshme, në të gjitha nivelet e shoqërisë. Ky shqetësim, bëhet edhe më i madh kur keqpërdorimi ndodh nga ajo kategori njerëzish që, përmes mjeteve të komunikimit publik, e përcjellin gjuhën shqipe tek masat e njerëzve të thjeshtë në mënyrë të deformuar, me mangësi të theksuara drejtshqiptimi të gjuhës letrare, pa respektuar aspak rregullat e leksikut dhe të gramatikës.

Kohët e fundit, është bërë virale përmes rrjeteve sociale diskutimi në parlament i një zonje deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo mbajti një falim me fjalë pa kuptim dhe me gabime trashanike, që e bënin ligjërimin e saj plotësisht të pakuptueshëm dhe tepër grotesk. Deputetja e re e opozitës parlamentare e kishte kopjuar fjalimin e mbajtur dikur, po në atë sallë të parlamentit, nga një ish kolege e saj në Partinë Demokratike, të cilin nisi ta lexojë fund e krye me gabime pafund, duke deformuar jo vetëm fjalët, por edhe përmbajtjen, edhe kuptimin e atij fjalimi në tërësi. Fjalën “Korporatë” e lexonte “Këpëratë”. Fjalën “Transferim” e lexonte: “Transfermim”. Fjalën “Ujësjellës” e lexonte “Ujësjellje”. Fjalën “Telekomunikacion” e lexonte “Telekomnacon”. Fjalën “Gllabëroj” e lexonte “Gabëroj”. Fjalinë “Ky ligj antidemokratik”, e lexonte “Ky ligj antidemokrat”, e të tjera xhevahire si këto. Mbase nuk do të ishte e nevojshme që të merreshim në mënyrë kaq të detajuar me rastin në fjalë, nëse personi që po i referohemi nuk do të ishte një ligjvënëse në Kuvendin e Shqipërisë. Këtu, shqetësimi duhet marrë seriozisht, ngase kemi të bëjmë me një përfaqësuese të nivelit të lartë në institucionet tona kushtetuese, e cila ka në dorë jo vetëm hartimin, por edhe miratimin e ligjeve të shtetit shqiptar. Pyetja që me të drejtë mund të shtrohet në këtë çast është: cili është mekanizmi dhe filtri që përgjedh kandidatët e përfaqësuesve të popullit në Parlament…?! Sipas Institutit të Studimeve Politike, ajo që e bën interesante prezencën e përfaqësueve të popullit në Kuvendin e Shqipërisë, është fakti se rreth 50% e tyre e kanë siguruar mandatin parlamentar në formë preferenciale, për shkak të njohjes, raporteve, apo besimit personal të liderit politik në partitë e tyre. Përvoja e 30 viteve të fundit në jetën parlamentare të vendit tonë, ka treguar se ai parlament është i dominuar nga një pjesë jo e vogël me këtë lloj cilësie deputetësh. Madje, këtë kategori, po ta mbledhësh në të gjitha legjislaturat e tre dekadave të fundit, përfshi të ngjashmit e tyre, edhe në institucionet e tjera të rëndësishme si në ekzekutivin qëndror, edhe atë lokal, pa lënë mënjanë administratën publike, del se e gjithë kjo kategori, përbën një “këpëratë” politike të frikshme analfabetësh funksionalë, që i bën karshillëk korporatës modeste të dijetarve dinjitozë, profesionistëve dhe njerëzve të mirëshkolluar. Për fat të keq, këta të fundit, një pjesë e mirë janë të braktisur nga politika, madje janë lënë edhe të papunë. Vendin e tyre të merituar në administratën publike dhe në organet e larta të përfaqësimit e ka zaptuar “këpërata” politike e analfabetëve funksional. Le të kthehemi sërish tek shqetësimi i keqpërdorimit të gjuhës shqipe. Mbase kjo temë kërkon një debat të gjerë dhe shumëplanësh nga ekspertët e fushës, por një nga shkaqet e këtij fenomeni lidhet edhe me shkollën dhe edukimin e brezave. Vite më parë, një raport i B.B. nxirrte se 57 % e nxënësve 15 vjeçarë në Shqipëri janë “analfabetë funksional”, që dinë të lexojnë dhe të shkruajnë, por nuk kuptojnë atë që thuhet. U hap debat i gjerë për këtë dukuri, për shkaqet dhe masat që duhen ndërmarrë. Shumë nxënës të fillores dhe të shkollave të mesme nuk dinë t’i shprehin mendimet e veta as me shkrim e as me gojë, por edhe atë që e lexojnë nuk janë në gjendje ta riprodhojnë. Përjashtim, – thotë raporti, – nuk bëjnë as studentët. Ky “analfabetizëm funksional”, kjo paaftësi e tyre në shkrim e lexim logjik, vërehet shpesh edhe tek studentët. Fjala vjen, në provimet me shkrim a me gojë, ata përgjigjen vetëm duke i mbetur besnik me përpikmëri tekstit mësimor, në të shumtën e rasteve duke e mësuar përmendësh, ose duke e kopjuar. Nuk është çudi që një pjesë të mirë të emrave të patriotëve që përmenda në krye të shkrimit, shumë prej këtyre nxënësve nuk i kanë lexuar, jo më të njohin kontributin dhe veprimtarinë e tyre patriotike në dobi të Kombit. Sikurse, nuk është aspak çudi që ka deputetë, përfaqësues të “këpëratës” politike të “analfabetëve funksional”, të cilët mund të mos i njohin mendjet e ndritura të kombit tonë, ngase këta të fundit, nuk kanë asgjë të përbashkë me të parët, sepse përfaqësojnë dëshpërimisht “Korporatën e dijetarëve të braktisur”, pse jo, edhe të “harruar…”. Me të drejtë, akademiku i njohur, Prof. Dr. Shaban Sinani, apelon kur thotë: “Gjuha shqipe mund të konsiderohet tani një gjuhë që i mungon higjiena gjuhësore. I mungojnë rojtarët gjuhësorë, i mungon editoria, i mungojnë të gjitha ato kushtëzime që e bëjnë të detyrueshëm përdorimin e njësuar të saj”. Ishte një gjetje e mençur publikimi i maketit dekorativ i Fjalorit të Gjuhës Shqipe, në atë mjedis të dukshëm në qendër të Tiranës, i cili është po aq edhe funksional e praktik për t’u përdorur elektronikisht nga çdo qytetar i interesuar. “Fjalori i gjuhës shqipe” është fjalori më i madh i paraqitur në versionin shqip – shqip, i botuar deri më sot. Ky fjalor është hartuar dhe ribotuar duke u mbështetur në Fjalorin e vitit 1980 – të, i ripunuar dhe i përditësuar. Ai përmban rreth 35.000 fjalë, 7.000 njësi frazeologjike dhe mbi 100.000 kuptime nga leksiku aktiv i shqipes së sotme, dhe një pjesë të rëndësishme të leksikut pasiv. Më kujtohet, në vitin 1980, sapo kishte dalë në qarkullim ky Fjalor, me një kapak të kuq, një botim voluminoz i Akademisë së Shkencave. Atë libër, e kishte blerë dhe marrë me vete mësuesi i gjuhës dhe i letërsisë Minella Gjiçali. Gjatë zhvillimit të një ore mësimi me ne, ish nxënësit e shkollës 8 – vjeçare “Adem Sheme” në Sarandë, ai nisi me pasion të na tregojë se çfarë përfaqësonte ky botim i veçantë për kulturën shqiptare, për historinë dhe shkencën tonë albanologjike. Foli me shumë pasion duke na shpjeguar rëndësinë e atij botimi, peshën që ka gjuha jonë përkrah të gjitha gjuhëve të tjera të botës. Pastaj u drejtua me një shkumës në dorë nga dërrasa e zezë dhe, në mënyrë figurative, nisi të vizatojë një pemë. Në fillim vizatoi një trung të madh me shumë rrënjë, më pas, degët që formonin kurorën e atij trungu, të cilat përgjatë shpjegimit i krahasonte me gjuhët e ndryshme që fliten kudo nëpër botë. Sigurisht, mësuesi pasionant, fliste me shumë respekt për kulturën dhe trashëgiminë e atyre gjuhëve indo – evropiane dhe më gjerë.

Mbaj mend gjithashtu, me kureshtjen e një fëmije naiv, e pyeta se përse në çdo degë të asaj peme të vizatuar në dërrasën e zezë ai kishte shkruar në mënyrë simbolike shumë emra shtetesh, që përfaqësonin gjuhën e tyre, porse në asnjërën nga ato degë nuk ishte e shkruar emri i Shqipërisë, pra gjuha shqipe…(!) Ai heshti pak dhe i ngazëllyer u gjegj: “… Atë e lashë t’ua tregoj në fund, ngase gjuha jonë, të dashur fëmijë, nuk i përket asnjërës prej këtyre degëve që ju po shikoni, sepse ajo ndodhet në pjesën kryesore të pemës, te ky trungu i trashë. Këtu ndodhet gjuha jonë e bukur shqipe, nga e cila janë ushqyer dhe kanë dalë si filiza edhe këto degëzime, ja, të gjitha këto gjuhë të botës që shikoni në këto degë…(!) E kuptoni pra, sa e vjetër dhe e çmuar është gjuha jonë…!? Pastaj, i entuziazmuar ai ngulmoi: “Po, po… Gjuha jonë është ky trungu kryesor këtu, pa të cilin këto degë që formojnë kurorën e kësaj peme të madhe nuk do të mund të ekzistonin. Degët e kësaj peme, ia marrin të keqen këtij trungu, – përfundoi me një ndjenjë krenarie ligjëratën e tij mësues Minella. Ja, kështu e mbylli shpjegimin e tij, profesori i nderuar pasionant i Gjuhës Shqipe që, për hir të së vërtetës, edhe pas disa vitesh, ende nuk e kuptoja ashtu siç duhej thelbin e atij shpjegimi mjaft domethënës, që kishte në vetvete jo vetëm një mesazh të madh, por edhe një filozofi të një të vërtete të padiskutueshme, që ne shqiptarët na bën të ndihemi krenarë për gjuhën tonë të lashtë dhe të bukur shqipe! /KultPlus.com

Me mijëra pjesëmarrës në një festë ilegale në Britani

Policia ende po përpiqet ta shpërndajë turmën nga një festë ilegale në Britani, ku u mblodhën më shumë se 3,000 persona brenda natës.

Ngjarja, e cila ka ndodhur në një fushë që ishte e Forcave Ajrore ushtarake afër qytetit Bristol nisi të shtunën mbrëma, shkruan BBC.

Banorët nga shumë qytete të afërta u ankuan për zhurmën dhe policia dërgoi patrullat në terren. Pasi që kishin bërë vlerësimin, u vendos që të mos përpiqen të shpërndajnë tubimin për shkak “rreziqeve potenciale për sigurinë publike në një tubim me 3,000 njerëz dhe në terren të errët dhe të lagësht”.

Policët mbyllën rrugët por sidoqoftë njerëzit po linin veturat dhe po ecnin në këmbë deri tek vendi i festës, dhe kishte fluks të madh të njerëzve deri në orët e hershme të së dielës. Organizatorët e festës u akuzuan për papërgjegjësi ndaj shëndetit publik për shkak se kishin tubuar aq shumë njerëz në kohë të pandemisë. /KultPlus.com

“Palm Springs”, komedia për ngecjen në kohë

Të gjithë jemi të lodhur. Çdo ditë kalon njëjtë, orë të stërzgjatura duke qëndruar para ekranit dhe me raste, dalje në rreze të diellit për të rimbushur energjitë.

Rutina e kaluar ka marrë pamje tjetër: takime nëpërmjet kamerave, mirëmbajtje dhe vendosje të maskave para se të dalim, aktivitete të përbashkëta të ridefinuara në mënyrë që të realizohen në izolim. Ndoshta, ne nuk kemi ngecur në kohë, por krijohet kjo përshtypje, shkruan “The Verge”. Një ditë e gjatë me shumë pak ndryshime dhe ku ne jemi të stresuar gjatë gjithë kohës. Shkruaje: “Palm Springs” është një film për gjendjen mendore të këtij viti.

Në shikim të parë “Palm Springs” është i ngjashëm më “Groundhog Day”: Nyles (Andy Samberg) është një djalosh i pafat që i duhet ta rijetojë të njëjtën ditë, transmeton KOHA. Mirëpo, ajo që e bën “Palm Springs” që të dallohet është fakti se sa pak është i bazuar në argumente.

Sigurisht, ngecja në kohë është gjithëpërfshirëse dhe gjithmonë prezentë, por gjithashtu është një fakt i jetës. Në fillim, Nyles ka qenë duke jetuar në këtë gjendje që një kohë të gjatë; ne mësojmë për këtë gjendje dhe sesi ajo funksionon vetëm pasi që diçka e çuditshme i ndodh, Sarës (Cristin Milioti), motrës së nuses, që ngec po ashtu.

Komedia e re nga “Hulu” mund të befasojë disa shikues, sidomos ata që kërkojnë një film të realizuar nga trioja e “The Lonely Island” – një ekip që përtej “Saturday Nigh Live” apo filmit si “Hot Rod” dhe “Popstar” u bë i njohur për paroditë e muzikës pop dhe humorin plotësisht të marrë. “Palm Springs” është definitivisht qesharak, por është një lidhje më e errët dhe e mjegullt.

Sarah kalon nëpër një tronditje të kuptueshme dhe refuzuese pasi që mëson për situatën në të cilën gjendet, por është në shërbim të shikuesve, që ata të mësojnë disa rregulla të ashpra sesi funksionon ngecja në kohë. Pasi që gjithë kjo është kuptuar, filmi gërmon brenda karaktereve dhe aty qëndron ritmi i tij.

Të dy, edhe Sarah edhe Nyles kanë anën e errët të tyre që nuk i pengojnë komedisë. Milioti e luan shumë mirë rolin e Sarës duke i dhënë intensitet dhe kompleksitet një karakteri që shumë lehtë mund të luhet si një vajzë maniake dhe jo aq e rëndësishme. Sambergu i jep një errësim të pazakonshëm personazhit të tij naiv, dhe në mënyrë të befasishme është efektive. /KultPlus.com

Një përrallë mesjetare për mëkatarët

Dy dekada vite pasi që vepra e tij e njohur “English Passengers” fitoi çmimin “Whitbread”, Matthew Kneale është rikthyer në një territor të ngjashëm me “Pilgrims”, një tjetër përrallë historike polifonike që ndjek një grup anglez me burra e gra në një udhëtim të gjatë drejt së panjohurës.

Personazhet e tij, kësaj radhe janë disa mëkatarë të shekullit të 13-të që udhëtojnë drejt Romës për të larë mëkatet. Ani pse pelegrinazhi i Kneale është i vendosur në vitin 1289, një shekull para “The Canterbury Tales”, gjersa e lexon atë është e pamundur të mos i kesh në mendje historitë e pista të Chaucers, shkruan “The Guardian”.

Ka më shumë se një shenjë të “Wife of Bath” për të hareshmen, epshoren dhe të pavarurën, zonjën Lucy de Bourne, e cila aksidentalisht ka vrarë njërin burrë dhe synon të divorcohet nga i dyti, gjersa udhëton me fëmijën e saj nga një i dashur tjetër dhe shoqërohet nga një burrë të cilin shpreson që ta martojë në Romë – ndonëse një shënim i autorit në fund na tregon se Lucy është një karakter i bazuar në një figurë të vërtetë historike, transmeton KOHA.

Një tjetër personazh është Matilda Froome, një besimtare nga Norwich, e cila ka lindur 18 fëmijë para se të vendosë – në një mënyrë të kuptueshme – që Zoti po e thërret për të hequr dorë nga marrëdhëniet seksuale. Aty është edhe naivi Tomi, djali i Tomit, zhelani idiot që po udhëton për në Romë për të shpëtuar nga zjarri i purgatorit macen e tij të vdekur.

Luftaraku Sir John është detyruar që ta ndëshkojë veten pasi që e ka goditur kryemurgun, përderisa dy të tjerë – Constanca, vejusha e shqetësuar dhe Warin, rrobaqepësi me ankesa – janë në mënyrë të qartë duke u manipuluar nga anëtarët e familjes të cilët kanë fantazuar një udhëtim nga shpenzimet e tyre.

Pelegrinët e prezantojnë veten e tyre sipas fjalëve të veta. Te “English Passengers” këto rrëfime e mbulojnë dhe e kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe komedia goxha shumë shtrihet në humnerën në mes të mënyrës sesi një karakter e sheh veten dhe mënyrës sesi ai perceptohet nga të tjerët. /KultPlus.com

Bienalja e karikaturës, sjell artistë nga 50 vende të botës në Pogradec

Artistë nga 50 vende të botës janë pjesë e fazës së parë të biennales ndërkombëtare të Karikaturës që do të mbahet në muajin shtator në Pogradec. Bujar Kapexhiu, pret që ky aktivitet ndërkombëtar t’i japë nxitje kësaj gjinie arti edhe në Shqipëri.

300 punime nga artistë nga 50 vende të botës u  bënë pjesë e garës për bienalen e parë të karrikaturës që do të mbahet në Pogradec!

Juria ka përzgjedhur 120 më të mirat që do të prezantohen në muajin shtator fillimisht në qytetin buzë liqenit dhe më pas në të gjithë Shqipërinë.

“Për mua është një kënaqësi që të organizojmë këtë aktivitet që do të sjellë prurjet më të fundit të karikaturës në botë. Pogradeci është përfaqësuesi i Shqipërisë i karikaturës në botë.”

Artisti, Bujar Kapexhiu si pjesë e jurisë pret që festivali të rizgjojë gjininë e karikaturës edhe në Shqipëri.

“Kjo është hera e parë që krijohet një festival ndërkombëtar i karikaturës në Shqipëri dhe fillon në Pogradec. Ne jemi përballë një përgjegjësi për të zgjedhur fituesit. Hapja e bienales dhe ekspozitës do të bëhet në shtator dhe do të jepen edhe çmimet ndërkombëtare.”

Tematika e karikaturave  të prezantuara është e shumëllojtë duke nisur nga probleme të  mprehta të gadishullit ballkanik, por edhe problemeve te ndryshme te para në planin global.

Bienalja e karikaturës dhe ditët e humorit “Niko Nikolla” do të kurorëzohen më 18-20 shtator. /Ora News /KultPlus.com

Rita Ora kërkon nga Apple të vendos Kosovën në hartë

Këngëtarja kosovare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, iu është bashkangjitur peticionit të kosovarëve ndaj kompanisë Apple.

Faqja e krijuar në rrjetin social Instagram me emrin “Balkanism” ka bërë kërkesë ndaj Apple që të vendos Kosovën në hartë, njofton Klan Kosova

Shumë artistë i janë bashkangjitur kësaj iniciative duke bërë kërkesën e njëjtë.

Këtë kërkesë me ndjekësit e saj e ka ndarë edhe Rita Ora, teksa dje njëjtë veproi edhe këngëtarja Dua Lipa.

Këngëtarja e njohur, Rita Ora, së fundmi i është bashkuar peticionit të kosovarëve për kompaninë Apple.

Teksa ende nuk ka ndonjë përgjigjie nga kompania Apple. /KultPlus.com

Nëna

Poezi nga Frederik Rreshpja


Ka filluar të plaket nëna.
Fytyra e saj po mbulohet me rrudha.

po mbulohet me një pleqëri të bukur.
Që është kjo rrjetë e bukur qe hedh kha mbi nënën time.

Dhe duart që më mbanin tani janë rënduar.
Po s’ka gjë. Nga shpirti i saj
Zgjaten duar të tjera që më mbajnë pezull

Ecën ngadalë nëpër dhomë.
Nganjëherë më pyet për librat që po shkruaj,
por s’më ka pyetur kurrë pse s’kam shkruar asgjë për të

Se nëna e di
Fjalën e parë në botë ia thashë asaj
Dhe fjalën e fundit në botë do ia them asaj. /KultPlus.com

Sot është 80-vjetori i lindjes së poetit Frederik Rreshpja

Kushdo që ka lexuar lirikat e tij të trishtuara dhe është magjepsur prej fjalës poetike plot finesë e ndjeshmëri, nuk mund të mos ketë ndërmendur një çast rrugën e vështirë, plot peripeci dhe andrralla të jetës së tij . Në shoqërinë njerëzore, vuajtja, persekutimi, mjerimi skajshëm, goditje tw befta dhe mbrapshtia e fatit, janë po aq të vjetra sa dhe bota.

Por jeta e tallazuar dhe fati aq i trazuar i Reshpjes, marrin një domethënie të veçantë kur vihet në relacion me kohët kur krijoi, me artin e tij dhe poezinë margaritar që la pas, si trashëgimi të vyer në fondin e poezisë shqipe. Frederik Reshpja njoftoi ardhjen e tij premtuese në tempullin e letrave shqipe me vëllimin e parë poetik Rapsodi shqiptare në vitin 1968, ndërsa në vitin 1973 botoi librin e dytë me poezi Në këtë qytet. Më tej jeta e Reshpjes merr rrokullimën, burgoset nga regjimi komunist dhe librat e botuar i hiqen nga qarkullimi si “të papërshtatshëm” dhe “të dëmshëm për edukimin komunist të masave”. Pas një heshtje të gjatë, i harruar dhe mënjanuar , me fillimet e demokracisë, Reshpja plot vrull dhe shpresa përqafon jetën e re, përfshihet në debatet politike të kohës, fillon aktivitetin si gazetar, redaktor dhe rivendos lidhjet e këputura me poezinë e viteve të rinisë.

Në vitin 1994 boton vëllimin me titullin metaforik:Erdhi koha të vdes përsëri .Më pas boton vëllimin me titullin epitaf të jetës së tij-Në vetmi. Sakaq, krahas punës si gazetar dhe redaktor, e provon veten në një sipërmarrje, duke themeluar shtëpinë botuese dhe shtypshkronjën “Europa”. Por shumë shpejt, nga shkëlqimi përkohshëm,do të binte në mjerimin më të skajshëm. Një jetë endacaku rrugëve të Tiranës, me trupin e drobitur nga sëmundjet, i vetmuar, i shpërfillur, deri ditët e fundit të jetës së tij. Ç’ishte kjo jetë me kaq peripeci, nga vinte e ku e kishte burimin ai fat aq dorështrënguar, me një nga lirikët më brilant të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të? Ka një përgjigje dhe gjithçka duket se lidhet me artin e tij, me poezinë e tij të pazakontë dhe kohën kur krijoi. Fati ishte brendashkruar në artin e tij. Arti për Frederik Reshpjen nuk ishte thjesht vetëdija por edhe vetëqenia e tij. Reshpja ishte ”i mallkuar” me art dhe prej artit të tij. Në poezinë e tij Testament, Reshpja përcjell vetëdijen për artin si fat dhe mallkim: Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur i mallkuar me art. Mos e pastë njeri këtë fat!

Në parathënien e librit me proza poetike të Sharl Bodler “ Brengat e Parisit”, Ismail Kadare përsiat rreth poetëve simbolistë francezë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të ashtuquajturit “artistë të mallkuar” , të mallkuar nga institucionet dhe opinioni kohës,jo vetëm për shkak të skandaleve dhe veseve por , sidomos e mbi të gjitha, për shkak të artit të tyre novator, i cili shënoi fillimet e modernitetit në poezinë europiane.Edhe Reshpja, antikonformist nga natyra, shpërfillës i konvencioneve dhe shtrëngesave ideologjike, ashtu si sivëllezërit e tij, poetët simbolistë, u perceptua prej institucioneve dhe të tjerëve si njeriu “skandaloz”. Përballë shpirtit skllav të shumëkujt dhe hipokrizisë si stil mbijetese, Reshpja me shpirtin bohem, shpalli kredon e tij : “ Unë kam lindur skandaloz dhe i lire” ! Shkrimtarët e mallkuar gradualisht u pranuan nga shoqëria dhe zunë vendin e merituar në tempujt dhe panteonet letrare kur , mallkimi i vjetër –thotë Kadare- befas u përtërit në trajtën më të zezë që mund të mendohej, në gjysmën e botës, në atë që quhej “perandoria komuniste”. Burgu, pushkatimi, internimi, persekucioni, ndalimi botimeve, lincimi, “qarkullimi në bazë për riedukim” dhe praktika të tjera të kontrollit dhe represionit, ranë si mallkim mbi poetët dhe krijuesit në Shqipërinë totalitare. Reshpja ishte një nga viktimat e këtij represioni. Në shkrimin Një prill për Fredin ( një homazh plot venerim për Reshpjen) ,ku sheston raportet e shtetit totalitar komunist me shkrimtarët , Kadare nënvizon se Reshpja u shfaq në letrat shqipe në një kohë të papërshtatshme: në kohën e parë,në diktaturë, u përball me egërsinë e shtetit, ndërsa në kohën e dytë, në demokraci, u përball me mospërfilljen. Të dyja kohët , përtej dallimit thelbësor të sistemeve politikë, kohët shoqërore pra, kishin të përbashkët mosdashurinë, klimën e ftohtë, mospërfilljen dhe egërsinë , të mjaftueshme për të thyer shpirtra të brishtë si Reshpja.

Në vitet e rinisë poezia e tij mbart një frymë optimizmi dhe patetizmi, si shprehje e iluzioneve të moshës dhe, njëherazi, si pasojë e kërkesave të ideologjisë së kohës,ku shkrimtarët dhe artistët ishin thirrur si pjesë e mekanizmave të inxhinierisë sociale për projektimin e utopisë komuniste. Me kalimin e viteve, si reflektim i peripecive të jetës dhe zhgënjimeve të njëpasnjëshme, poetika reshpiane dominohet nga nota trishtimi dhe melankonie.Ai që dikur në rini kishte ëndërruar të ishte si “një ylbermbi akuafortën e kohës vizatuar egër” me dhimbje konstaton : Qielli i djalërisë në sqep të një zogu U zhduk pas portës se ylbereve. Zhduket pas portës se ngjyrave djalëria Dhe mua trishtimi me mbulon Përmes poezive përjetohet ndjesia e një stine të përhershme shirash dhe duket sikur poeti futet në muzgun e perëndimit të shpresave. Poeti ndjehet i hedhur në një botë të huaj, motivet bëhen më të ftohta e boreale, peizazhet poetike më të trishta, me një hënë pikëllimi përmbi, si në gjithë ligjërimin e poezisë lirike popullore: Hëna e pikëlluar nëpër re Shkel mbi degët e shirave. Fshehur pas drurëve diku përgjon Vrasësi i vjetër, trishtimi. Eh, mundet që thika e trishtimit Diku përdhe ka për të më lënë, Fshehur nën një perëndim të thyer Fshehur nën shira hëne… Rënia e poetit është si në balada, vetmia e tij është kozmike: Dola nga guernika e kësaj nate I vrarë egërsisht, Kali i zi i pikëllimit ç’më rrezoi Dhe rashë si në balada; I vrarë nga një pranverë e kotë Braktisur nga bota e tërë. Cila “pranverë e kotë” e vrau poetin? “Pranvera mashtruese” e Tiranës e të ashtuquajturit liberalizëm në fillim të viteve 70-të apo ajo e iluzioneve të fillim viteve 90-të?Ndoshta të dyja…Përtej fatit personal, lexohet aludimi për zhgënjimin universal që sjell besimi në iluzionet utopike. Si në momentet e shkëlqimit, ashtu dhe në mjerim, Reshpja e shpërfilli jetën në skajshmëri.

Kjo neglizhencë apo mospërfillje ndaj jetës, përsëri vinte si “mallkim” prej artit. Reshpja ishte i ndërtuar prej materies së artit. Poezia ishte barra dhe kryqi prej të cilit nuk shpëtonte dot. I përhumbur nën peshën e kësaj barre, nën peshën e metafizikës së shpirtit, vetes tjetër fizike, njeriut empirik, i merreshin këmbët dhe “pesha e artit”bëhej pengesë në jetën plot kushtëzime, kurthe, detyrime, banalitete. Albatrosi i Bodlerit, si simbol për natyrën e dyfishtë të poetit: I bukur dhe madhështor në qiejt eternalë të poezisë / i ngathët , i zgërlaqur dhe krahëvarur në tokën e banalitetit dhe njëmendësisë , i shkon për shtat poetëve të klasit si Reshpja. Reshpja sfidoi kohën njerkë,fatin e mbrapshtë dhe ecjen e tij përmes botës së moskuptimit, e distiloi në përftesa poetike me imazhe impresioniste mbresëlënëse. Jetën prozaike të vetmisë dhe ekzistimit temporal, e konvertoi në poezi me frymë eternale. Kohës së jashtme,si jetë e pafat, i kundërvuri kohën e brendshme , metafizikën e shpirtit të mishëruar në artin delikat të poezisë. Përballë një bote të ashpër dhe të pashpresë, të egër dhe mospërfillëse, poeti projekton botën imagjinare ku kompeson humbjet dhe sublimon estetikisht dhimbjen. Poezia e Reshpjes është e shënjuar thellësisht prej fatit që përjetoi si individ. Por do të ishin njëlloj të mangëta në njëanshmërinë e tyre, si qasja e “zhytjes në tekst” sipas konceptit barthesian të “vdekjes së autorit”,ashtu dhe qasja sociologjizuese dhe biografike në analizën e poetikës reshpjiane. Reshpja iu largua tematikave himizuese të kombit, glorifikimit të historisë dhe patetizmit deklamativ, si shenja dominante në historinë e poezisë shqipe. Stili i tij poetik është qartësisht i dallueshëm në polifoninë e zërave poetikë të fillimeve të tranzicionit postkomunist. Poezitë e Reshpjes kanë një frymë thellësisht humane,lirizmi i tij mbart nota epike,motivet e dashurisë mbështillen me tisin e trishtimit, pikëllimi ka frymën e baladave ballkanike.

Poezitë e Reshpjes përgjithësisht janë të lakonike dhe falë përkujdesit për fjalën, hera herës ato përjetohen si forma të kulluara të bukurisë së gjuhës poetike. Duke rimarë teknikën e poezisë popullore, në poezitë si variacione rreth një motivi, përsëritja e figurave artistike përcjell rrekjen e palodhur të Mjeshtrit për të latuar formën me perfekte. Poezia e tij, sikurse ka vënë në dukje kritika, dallohet për muzikalitetin e brendshëm dhe simbolizmin tingullor. Por mbi të gjitha, poetika reshpiane dallohet për kombinimin e formës tingullimore me tablotë imazhiniste , për akuarelin e peizazheve të shpirtëzuara dhe pikturuara plot delikatesë dhe ekspresivitet: Një ujëvarë e vogël vetmon lart në mal dhe luan me ylberët. Mjegulla e hollë, ndanë dritares sime, qan me lot shiu. Përkundër qasjeve të reja avanguardiste në ligjërimin poetik të pasviteve 90- të, Reshpja shpërfaq në poezinë e tij , vizionin e një shpirti pagan parasokratik dhe perceptimin e një fëmije naiv të magjepsur prej natyrës .Falë kësaj optike antropomorfizuese,natyra shpirtëzohet dhe përmes saj projektohen estetikisht brengat, ndjesitë, gjendjet dhe drithërimat më të holla të unit poetik. Reshpja nuk ishte as misionar, sikurse thuhet në ndonjë shkrim analitik dhe as i inspiruar prej kauzave të mëdha. Poezia e tij reflekton shtjellat shpirtërore tepër personale. E megjithatë, pikërisht përmes përjetimeve tepër personale, rroken topikët e vetmisë, trishtimit dhe humbjes së dashurisë, si shqetësime universale ekzistenciale të njeriut postmodern Në këtë universpoetik të sunduar nga Perëndia e Humbjes, mes larmishmërisë së motiveve , spikatin dy figura–objekt adhurimi: ajo reale e Nënës, simbol i dhimbjes dhe dashurisë së pakushtëzuar, e vetmja Perëndi tek e cila beson dhe tjetra, Lora, me shumë gjasa funksionale, ikonë e dashurisë së pamundur, fantazma e së cilës shpërfaqet xixëlluese përmes mjegullës trishtuese që mbështjell poezitë më intime të autorit. Cikli poezive kushtuar imazheve të Lorës përshkohet nga një pikëllim i paskajshëm, ku adhurimi, lutja, obsesioni dhembërthimi pas kujtimit të saj, merr pëmasa orfeike. Lora, si simbol i dashurisë, është Euridikia e humbur, epiqendra e kozmosit dhe premisë e parandalimit të kaosit shpirtëror dhe natyror : Zbrita tek kroi duke mbajtur në duar vazon delikate të agimit. Pashë sytë e tu ruajtur në kujtesën e ujrave. Ani, mua më zuri ky mallkim. Po qysh bën pylli pa ty?Si del vjeshta? A ndofta nuk do të ketë kurrë më vjeshtë? Atëherë në emër të kujt do të bien gjethet? Në emër të kujt do të vijnë shirat, mjegullat, ylberët? Ah, zemra ime, eja vër dorë mbi stinët! Me alkiminë e fjalës dhe brymë ëndrrash,mbi rendin material të kësaj bote të trishtë dhe rraskapitëse,Reshpja projektoi botën paralele imagjinative, universin e tij metafizik. Në këtë univers, kali i zi i pikëllimit , si shënja e kohës kur jetoi , transfigurohet në Pegason e frymës poetike që flatron për kah pakohësia. E gjithë poetika e Reshpjes është një arkitekturë kristalore, e ndërtuar me brishtësi dhe e mbushur me një frymë të epërme,delikate dhe qiellore, përballë banalitetit dhe vrazhdësisë tokësore. Kryemjeshtër i metaforave befasuese, këndonjës i vetmisë dhe pikëllimit universal, Reshpja ishte i ngjizur prej A(r) tit. o më kot nënës së tij i drejtohet :Ave ,Shën Mëria ime, nëna ime! * * * Në mbyllje të këtij shkrimi – rekuiem për një nga poetet lirikë më brilantë të poezisë shqipe, nuk mund të mos shprehim një lloj habie (jofilozofike) për heshtjen e kritikës dhe studimeve serioze rreth krijimtarisë së tij cilësore. Mospërfillja që përjetoi sa qe gjallë, mesa duket, parandjeu se do ta ndiqte edhe post mortum, prandaj në poezinë Për veten time shkruan: Mbi një piedestal heshtjeje, dergjet profili im që në lindjen e gurit. Por përtej kësaj mosvëmëndjeje, për Reshpjen nuk do të ketë njëLetelumharrese, por një prani të papengueshme në Letrat e poezisë shqip. Arti ishte “mallkimi” i tij i parathënë. Nëse koha e jetuar rrëzoi njeriun , arti ka forcën e ngritjes së poetit në piedestalin e pakohësisë. Ars longa,vita brevis! Sadedin Mezuraj /KultPlus.com