Krijuesi i “The Far Side” sjell stripat e parë pas 25 vjetësh

Vizatuesi Gary Larson i ka publikuar stripat e tij të parë pas 25 vjetësh, shtatë muaj pasi kishte paralajmëruar se do ta bënte një gjë të tillë.

Më herët gjatë kësaj jave, një sector i quajtur “New Stuff” u shfaq në ueb-faqen më të re të Larsonit, raporton The New York Times.

I gjithë ky material është organizuar në tri panele të reja të përveçme, e që janë episode më të reja të “Far Side”, që kur ishte pensionuar nga këta stripa më 31 dhjetor të vitit 1994.

“Pak vite më parë, më në fund i lodhur me lapsin tim dikur besnik por tash tradhtar i besueshëm – vendosa ta provoj një tablet digjital”, ka shkruar Larson për fansat e tij këtë javë.

“Më në fund e mora një, e shkrova, edhe pa shih, diçka krejtësisht e papritur ndodhi: Pas vetëm pak çastesh po kënaqesha prapë duke vizatuar”.

“Isha i shokuar tek të gjitha mundësitë që kjo gjë t’i ofronte, të gjithë atë potencial kreativ që e përmbante. Thjesht nuk e kisha idenë se sa larg këto gjëra kishin evoluar”.

“Ndoshta edhe që më shkonte për shtati, gjëja e parë që vizatova ishte një shpellar”. /KultPlus.com

SEP 16 1983, OCT 17 1983, JAN 1 1984, JUN 27 1986, SEP 23 1988; Cartoonist Gary Larson; autographs his latest book; “Beyond the Far Side” at the Lakeside Mall; (Photo By Glen Martin/The Denver Post via Getty Images)

Veliaj pret artistët e muzikës popullore para koncertit të sotëm te Amfiteatri

Mbrëmjen e sotme, në orën 20:00, në Amfiteatrin e Tiranës do të mblidhen disa prej emrave më të mirë të muzikës popullore, për një koncert plot ritëm. Në skenë do të ngjiten artistët Gena, Fatmira Breçani, Irini Qirjako, Valbona Mema, Kozma Dushi, Liri Rasha dhe Vaske Curri. Pak orë para këtij koncerti, artistët u pritën në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi qytetarët të marrin pjesë në këtë koncert festiv, por duke respektuar masat e distancimit për COVID-19.

“Jemi super-entuziastë që sot në darkë, tek Amfiteatri, do të kemi ajkën e muzikës së mirë shqiptare, në një koncert fantastik të titulluar: ‘Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë’. Një shprehje e vjetër thotë: Të gjitha rrugët të çojnë në Romë, sepse Roma ishte qendra e Perandorisë, kurse sot qendra e Perandorisë për zemrat, mendjet dhe energjinë tonë pozitive është Tirana. Ndaj, sot në orën 20:00, me kushtin e ruajtjes së distancës sociale dhe mbajtjen e higjienës, ju presim tek Amfiteatri i Liqenit të Tiranës. Ata që s’kanë mundësi të vijnë, mund ta ndjekin ose në televizor, ose në rrjetet sociale. Kemi nevojë të ruajmë shëndetin fizik, por kemi nevojë të ruajmë edhe shëndetin mendor, të kujtojmë më shumë muzikën, artin, kulturën, këngët e vallet tona, edhe si një lloj terapie, por edhe si një mënyrë fantastike për të rikuperuar dhe dalë më i fortë si komb, si shoqëri, nga kjo sfidë”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se Tirana, pavarësisht se kaloi shumë sfida të vështira, di gjithmonë që të ngrihet shpejt dhe më e fortë. “Kemi kaluar shumë sfida këtë vit, në 100-vjetorin e Tiranës, duke filluar nga tërmetet tek pandemia, por unë besoj se ky qytet është i suksesshëm sepse ngrihet shpejt sa herë që rrëzohet. U rrëzuam në këto sfida që patëm, ka ardhur koha të ngrihemi”, tha Veliaj.

Dy këngëtaret e dashura për publikun Irini Qirjako dhe Fatmira Breçani vlerësuan rikthimin e jetës artistike në kryeqytet. “Ishte një mrekulli e domosdoshmëri, sidomos ne artistët dhe publiku, e ka dëshiruar dhe e dëshiron shumë sepse nga gjithë këto halle që kaluam, nga tërmeti te pandemia, ushqimi shpirtëror është gjëja më e çmuar për njeriun, aq më bukur në atë amfiteatër që është bërë i mrekullueshëm”, u shpreh Qirajko.

“Bëftë hajër kryetari Erion Veliaj, që na mblodhi dhe na hapi dritën jeshile! Sonte do kënaqemi me këngët më të zgjedhura e më të bukura nga të gjitha krahinat e Shqipërisë”, tha këngëtarja Fatmira Breçani.

Teksa e cilësoi një surprizë të bukur ftesën e kryebashkiakut Veliaj për koncertin, këngëtari i njohur i muzikës përmetare, Vaskë Curri, tha se duke respektuar masat e distancimit, shqiptarët do ta kalojnë edhe këtë sfidë. “Edhe unë u befasova, kur më tha se do të bëjmë një koncert të madh tek Amfiteatri. Ejani të gjithë tiranasit, se këtu ka edhe shumë përmetarë, edhe nga jugu e veriu, që t’ia marrim këngës së bashku. Vetëm mbani distancat, që ta mposhtim këtë sëmundje të poshtër”, tha ai. /KultPlus.com

Pilulat e hidhura të ëndërrimtarëve

Shkruan: Agron Tufa

(Shënime mbi romanin “Nënë, më fol për ëndërrimtarët” të Shkumbin I. A. Gashit, SHB “Pema”, Prishtinë, 2019)

Nga çfarë duarsh na shërbehet libri

Nuk ka një hartë të qartë, por as të mjegullt madje, që të mund të na bëjë me dije, se çfarë pizazhi, ofron letërsia më e re shqipe, ajo e rrjedhave të fundit, që të kemi një ide, një prognozë mbi disa poetë a prozatorë që premtojnë begatimin e këtij peizazhi, perspektivën e letrave tona me librat e tyre të parë. Kjo gjë do të kishte qenë krejt e mundur falë autoritetit të kritikës recensionale (nëse ajo do të kishte ekzistuar), e cila nuk ha vend shumë në mediat e shkruara apo në studiot televizive për kulturë. Mjafton një kënd i faqeve për kulturë apo një rubrikë televizive. Kjo ndodh dhe për faktin se ende kultura e shërbimit të librit, serioziteti dhe prestigji garantues i atyre që marrin përsipër ta bëjnë ndërmjetësimin mes autorit të ri dhe lexuesit, nuk kanë besueshmëri. E kemi shpërdoruar këtë instancë të rëndësisë vendimtare të “udhërrëfyesit” apo “guidës”, që na shpie në botët më të reja letrare, ku ne të jemi në gjendje të kapim intonacionin origjinal e premtues të një rishtari në letrat tona. Si të orientohemi? Ndërmjetësimin e besueshëm mes autorit dhe lexuesit, që kulturat e konsoliduara e kanë traditë të hershme për të dhënë “shtysën vendimtare” në njohjen e shijimin e autorit të ri, ne në Shqipëri dhe Kosovë e kemi korruptuar me kakofoninë e reklamës së pacipë, zhurmuese të reklamës së fishekzjarrtë plot lavde e hyjnizime boshe për autorë të dobët, që nuk e kalojnë nivelin e vetëshprehjes. Në këto rrethana pakkush e vret mendjen për pyetjen themelore: “Prej çfarë duarsh na shërbehet letërsia? Ç’përfaqëson vetë ndërmjetësuesi?”. Sepse po t’ia bëjmë vetes këtë pyetje, do të çmeriteshim tej çdo zhgënjimi. Në këto kushte shumë më të vështirë e kanë poetët dhe prozatorët e rinj, të cilët pasioni i të shkruarit dhe talenti i tyre, në vend që të shpërbleheshin me një pritje relativisht bujare e mirëseardhëse, duhet të vazhdojnë për dekada mundimet e Sizifit, pa e parë ende majën. Dikush mund të mendojë, mbase, se kjo është një gjendje normale, dmth., “le të torturohen, se do t’ia dinë vlerën më shumë”. Por unë nuk mendoj se kjo është kuraja që meriton një shkrimtar në fillim të rrugëtimit të tij dhe akoma më e padrejtë është ta privosh lexuesin të ndërtojë marrëdhëniet e veta të natyrshme me autorin, duke i servirur në fakt produktet e një simulacrum-i të pluhurnajës kulturore. Mediat (medium), me rubrikat kulturore, veçanërisht kur flasin për librin artistik, duhet të diferencojnë qartë nivelin e leximit, elitarizimin e sferës së leximit dhe lexuesve, sepse jo gjithçka është letërsi dhe jo gjithkush është autor.

Kapërcimi i paragjykimeve për autorët e rinj

Romanin “Nënë, më fol për ëndërrimtarët” e fillova me ndjenjën e rëndomtë të skepticizmit për shkak të një paragjykimi “gratis”, nisur nga zhgënjimet e shpeshta për autorët e panjohur shqiptarë, për më tepër të rinj, të padëgjuar më parë. Për autorin e romanit Shkumbin I. A. Gashi, vetëm nga ballina e pasme e librit bëhet me dije se jeton në Zvicër, se është kandidat për PhD në fushën e psikologjisë dhe se ky është romani i tij i dytë, pas të parit “Anormopaetia”. Nuk ndesha askund me ndonjë shënim kritiko-recensional. Vetëm në fillim kështu, sepse romani pastaj “më mori përdore”, duke më përfshirë në botën e tij të strukturuar me fatet e protagonistëve, që përpëliten për mbijetesë midis ëndrrës në një tokë e qytetërim tjetër dhe melankolisë plot mall e trauma të vendet prej të cilëve kanë qenë të detyruar t’i braktisin.
Romani ka një kompozicion të qartë e të thjeshtë ndërtimi.
Rrëfimi që përfshin 215 faqe konfigurohet nga një kuartet novelash, ku secila sosh ngërthen fatin e njërit prej protagonistëve, që na rrëfejnë jetët e tyre të lidhura në një nyje paralize. Janë pra katër novela me emrat e protaginistëve të rrëfimit, përkatësisht “Ibrahimi”, “Rima”, “Kamila” dhe “Agroni”. Ata janë të katërt nxënës në një kurs të gjuhës gjermanë për emigrantët dhe fatet e secilit preken në njëfarë tangjeteje të romanit. Kështu na përftohet një rrëfim me katër botë depresive në përpjekje për të kapërcyer traumat që bartin nga atdheu prej nga vijnë. Asnjëri prej tyre nuk mund të quhet “i shpëtuar”, ndonëse qyteti i qetë e i sigurt zviceran u premton paqen dhe perspektivën e një jete të re. Por nuk është kështu: e kaluara me tmerret dhe pengjet e veta i përndjek dhe, pavarësisht rezistencën dhe përpjekjet që bëjnë, gjen udhë për t’i gllabëruar.
Po shohim vetëm njërën nga novelat (pjesët) e romanit që na rrëfehet nga djalosh nga Lindja e Mesme, me gjasë, i cili është në kapërcyell të adoleshencës (Ibrahimi), brenga dhe ëndrrat e të cilit e ngjyrosin fort romanin, që në fillim, me shijen e hidhur të tragjedisë edhe për fatet e personazheve të tjerë. Ibrahimi është i vetmi nga katër protagonistët e rrëfimit që vdes, ndonëse vëtëdija e tij vijon të jetë syçelë edhe pas vdekjes, mu sikur shkrimtari më këtë na nënvizon një fakt të rëndësishëm, sipas të cilit, edhe pse të tjerët mbijetojnë të gjallë, ata janë pakashumë të vdekur brenda ankthit të vazhdueshëm galopant që i glabëron. Pra, të vdekur të gjallë dhe të gjallë të pakallur. Ibrahimi është  një i rrëmbyer nga vdekja, që nuk bindet të vdesë shpirtërisht, ndërkaq që Rima, Kamila dhe Agroni, kanë një perspektivë mbijetese të traumatizuar mga ankthi. Një ankth që i përndjek herë në trajtë avionësh bombardues (Rima), hërë në hapat e dihatjen e ndjekjes së burrit hakmarrës e kriminel (Kamila) e herë në ankthin e humbjes më të dhembshme të djalit të aksidentuar në koma, e që kjo kanoset të sjellë shpërbërjen e familjes (Agroni).

Ibrahimi

I pari nga katër personazhet këputet Ibrahimi, adoleshenti ëndërrimtar, i pjekur para kohe (një burrë i burgosur në trupin e një adoleshenti). Jeta e tij këputet tragjikisht shi atëherë, kur po i jepte trajtë ëndrrës së tij për punë dhe kur sapo ka zbuluar dashurinë. Këmbëngulja për të mbrojtur dinjitetin e nëpërkëmbur në vendin e huaj e bën atë pre të lehtë të dy armiqve vendalinj arrogantë e fobikë racistë. Ata hakmerren me djaloshin duke thurur skenarin e një intrige të besueshme, duke e akuzuar atë përmes ekranit të televizionit si dhunues e rrëmbyes. Në rrekje për të mbrojtur nderin e tij dhe të së dashurës ai përfundon i akuzuar si vrasës e rrëmbyes dhe në arrati prej arrestimit, drejt një strehe ku fshihej e tërhiqej rëndom, tek një mik i çuditshëm, rojtari i varrezave, gjen dhe vdekjen. Nuk ka rëndësi se kush e shkrehu revolverin, sepse, siç flet në agoni Ibrahimi: “Nuk e dija kush m kishte qëlluar, por lista e atyre që do ta bënin ishte rritur shumë kohët e fundit” (f.65).
Ibrahimi ndërron jetë nga plaga pikërisht në duart e infermieres Rima, shoqes së tij të kursit të gjuhës. Ai ka lënë amanet t’ia shpien trupin në vendlindje, pranë mamasë së luajtur menç prej vdekjes aksidentale e të parakohshme të motrës së tij. Por shpirti i Ibrahimit duket se është imortal, përderisa edhe pas vdekjes, që ia ndërpret ëndrrat, apo më saktë, pengjet e papërmbushura, ai vazhdon të “shohë” e të “ndjejë”:

“E di, është qesharake. Njeriu e merr të garantuar jetën, ajrin, ekzistencën dhe nuk mendon se ajo mund të zhduket sa hap e mbyll sytë. Vrapon verbërisht pas së ardhmes, duke mos shijuar kështu të tashmen… duke ia mohuar vetes dhuratën e së tashmes, dhuratën e gjërave të vogla, , buzëqeshjes, dashurisë, një dite me diell, një kafeje me qumësht, thjesht një ecje afër lumit.

Unë kam menduar gjithmonë se sado e mjerë të kishte qenë jeta ime, do të vinte një ditë ndonjë robot nga një planet tjetër, do të më zgjidhte mua të shpëtoja njerëzimin dhe pastaj çdo faqe e jetës do të kishte pasur kuptim. Sado e pabesueshme të më dukej, doja ta besoja. Doja gjithashtu të besoja se një ditë do të bëja aq shumë para, saqë do të mjaftonin për të rregulluar fshatin, do të bëja një çezmë me ujë të pastër… më të pastrin në botë dhe më pas do t’ia ktheja vetëdijen nënës. Nëna do të kthehej përsëri në dadën time. Por, sikurse thashë, duke vrapuar pas së ardhmes, i kisha mohuar vetes një të tashme.
Trupin ma çuan në fshat. I treguan nënës se edhe copa e fundit e trupit tim kishte vdekur. E ftuan në morg për ta marrë trupin tim. Ishte ftohtë në atë dhomë, edhe për mua që isha i vdekur. Teksa afrohej me hapa të ngadaltë drejt meje, po i nxiheshin buzët dhe po i ngrinte zemra. Secili hap drejt meje, ishte një hap më shumë drejt çmendurisë së saj të përhershme. Më qau, aq sa mbeti pa zë. U shua. E lashë të vetme. Ia ledhatoja fytyrën, e puthja në ballë, por ajo nuk e ndiente. I thosha “Dada, e shtrenjta ime”, por ajo nuk e dëgjonte. E kisha zhgënjyer edhe njëherë, për herë të fundit…”.

(faqe 65)

Poetika e romanit “Nënë, më fol për ëndërrimtarët”

Të jemi të qartë, që romani nuk e sjell e risinë as në sferën e formës (sintaksës), ndonëse kompozicioni, edhe pse i njohur në letërsi e kinematografi, është dinamik e funksional në çlirimin e një rrëfimi sa më të personalizuar, ndërsa fjalitë janë të organizuar në një sintaksë të kthjellët, shpesh me fjali të gjata, sintetike e analitike, nën një ritëm rrëfimi që sa vjen e dendësohet, deri sa mbërrin kulmin dramatik në të katër personazhet. Dhe as në sferën e përmbajtjes (semantikës), përderisa edhe kjo është gjerësisht e njohur dhe e vështirë t’i shtosh ndonjë nuancë, madje që nga antikiteti.
Ajo që më së shumti të intrigon në leximin “me një frymë” të romanit të Shkumbin I. A. Gashit është tjetër, është më së pari aftësia depërtuese në psikikën emocionale të personazhit të vet, mandej krijimi i një ansambli (grupi) personazhesh që japin një tablo më të gjerë, siç është krijimi i universalëve konstante të brengave individuale e kolektive të qytetërimit tonë modern e postmodern.  Bota ku lëvizin e veprojnë këta shpirtra të ngarkuar me ëndrra e pengje, është një botë e shpërpjesëtuar, polarizuar aq skajshëm e aq dramatikisht në përballjen për “një vend nën diell”.
Në të gjitha kulturat është individi i thjeshtë, por me dinjitet, ai që provon t’i rezistojë nënshtrimit, shtypjes dhe rrafshimit të personalitetit, kundërvënie ndaj brutalitetit për të skartuar më të dobëtin, të pakrahun. Ndonse pa fuqi, përballë dhunës shtetërore e shoqërore, përballë pasojave e paragjykimeve politike, nancionale, mentale, kanunore e raciste, ky njeri përpiqet dëshpërueshëm të mos e fshijnë nga ekzistenca e të qenit në jetë, me idetë, utopitë dhe ëndrrat për ta jetuar atë. Edhe pse i pafuqishëm, ky njeri i lëshon botës apelin e vet të dobët, që ajo “duhet t’i bëjë llogaritë edhe me të”, pavarësisht fatit nëse mbijeton apo zhduket nën egërsitë e ligësitë e sofistikuara të qytetërimit tonë.
Të tillë janë fatet e personazheve të romanit, që përbëjnë një kuartet të prezantimit të një “familjeje të botës bashkëkohore”. Sfida dhe dilema e tyre, që rreh si një lavierës i çakërdisur emocional përgjatë gjithë rrëfimit është: “A do të mbijetoj? A do t’ia dal? A do të kemi dhe ne fatin e të dobëtës Tudora, bashkënxënëses, bukuroshes së brishtë bullgare, që u gjet e masakruar, me gjasë, nga tutori i saj?”
Përgjigjen për këtë e marrim tërthorazi, por të qartë, përmes katër rrëfimeve nga katër personazhet e romanit dhe për këtë përgjigje nuk është kusht as vdekja.
Epilogu në perspektivë i romanit, pas 15 vjetësh, na jep konvencionalisht një indicie për këtë, të kursyer e fragmentare, përmes një kamarieri në kafen “Galicia”, një topos i njohur për katër personazhet e romanit. Kamarieri, një “i huaj”, që është në një stad përsëritjeje të fateve të tyre (Ibrahimit, Rimës, Kamilës dhe Agronit), është ai me të njëjtën ëndërr, me të njëjtën dilemë: “A do t’ia dal?”. Atë e ka prekur një dialog mes një gruaje shkrimtare dhe të birit (nuk e kemi të vështirë t’ia qëllojmë se ajo është shkrimtarja e re urugajane, Kamila).  I birit i lutet mamasë shkrimtare:

– Nënë, hë pra, më fol për ëndërrimtarët!
Gruaja e kishte puthur të birin në ballë, ishte mbushur me frzmë dhe kishte filluar:
– Do të rrëfej për ditën që unë, Ibrahimi, Agroni dhe Rima qamë me zë. Po, po me zë. E ndoshta ishte hera e vetme që vajit I kishim dhënë tingull, por ishte vetëm një nga herët e shumta që kishim qarë të gjithë me zemër…”
(faqe 215).

Ajo që e bën këtë prozë të gjatë romanore të Shkumbin I. A. Gashit të një cilësie të mirë është intonacioni dhe toni i shtruar i rrëfimit, jashtë teprimeve e fjalomanisë, por me një vëmendje të mprehtë e skrupuloze për detajin dhe atmosferën; aftësia për të prodhuar situata paradoksale deri në humori të zi, autoironia e pakursyer dhe shkathtësia e brishtësia në ndërtimin e dialogjeve. Një prozë e zotëruar brenda një koprracie të ndershme, me një ndjenjë vetëkontrolli të masës.
Për këto virtyte, zonja e zotërinj, jua rekomandaj leximin e këtij libri, duke pasur një bindje, se në letrat tona po vjen një romancier serioz, që duhet mbajtur mend.

Librin “Nënë më fol për ëndërrimtarët” mund ta porosisni online nga faqja e Facebookut te Libraria Buzuku. /KultPlus.com

Faton Kryeziu, artisti kosovar që dizejnoi njërin nga trofetë e kompeticionit ISU Skating që po mbahet në Kanada

Artisti kosovar Faton Kryeziu ka shënuar një sukses të madh në karrierën e tij me dizajnimin që i ka bërë njërit prej trofeve të rëndësishëm të ISU Skating që po mbahet në Kanada, shkruan KultPlus.

ISU S është kompeticion tradicional që mbahet në Kanda, ku ndahen cmime të ndryshme derisa ka pjesëmarrës nga e mbarë bota. Gala shou mbahet me performanca të ndryshme, muzikë live e vallëzim bashkëkohor.

Gjatë transmetimit live, artisti kosovar Kryeziu përmendet si dhe shfaqen pamje nga puna e tij. /KultPlus.com

Gazeta zvicerane shkruan për kosovarët që bëjnë plane për t’i ikur karantinës

Ambasada e Kosovës në Zvicër dënon këtë sjellje. “Sigurisht që jemi kundër çdo lloj abuzimi. Rregullat duhen respektuar”, thotë Islam Spahiu, zëvendës ambasador i Kosovës në Zvicër.

Të kthyerit në Zvicër nga zonat e rrezikut me koronavirus, siç dihet tashmë, duhet të karantinohen për dhjetë ditë. Por, në mesin e zviceranëve me prejardhje kosovare, në rrjetet sociale, qarkullojnë këshilla për të shmangur karantinën, shkruan 20minuten.ch

Disa përdorues të fb shqyrtojnë mënyrat e shmangies, duke kaluar nëpër vende të treta, rrugës së kthimit në Zvicër, transmeton albinfo.ch. “Si mendoni, nëse fluturon nga Friedrichshafen-i (Gjermani, në afërsi me Zvicrën), a mund të zbulojnë ndonjë gjë?”, shtron pyetjen një përdorues.

Dikush tjetër ndërkaq, rekomandon: “Thjesht fluturoni nga Shqipëria #fuckthesystem.”

Gjatë dy javëve të kaluara, Kosova ka regjistruar mbi 1.100 infeksione të reja, të konfirmuara me koronavirus. Qeveria Federale e Zvicrës, siç dihet, ka vendosur edhe Kosovën në listën e zonave të rrezikut nga korona. Që nga e hëna që kaloi, kushdo që kthehet nga Kosova në Zvicër, duhet të qëndrojë në karantinë për dhjetë ditë, përcjell albinfo.ch. Megjithatë, disa zvicerano-kosovarë që udhëtojnë te familja e tyre në Kosovë gjatë pushimeve verore nuk duan ta “hanë” këtë.

Në një grup në Facebook, përdoruesit diskutojnë me të madhe se si të shmangin karantinën pas kthimit në Zvicër.

“Pa vulë, nga Shqipëria në Kosovë”

Ata pyesin nëse është e mundur të udhëtohet në Shqipëri përmes tokës duke përdorur letërnjoftimin e kosovar. “Mund të udhëtoj nga Shqipëria në Kosovë me letërnjoftim të Kosovës (gazeta e ka shkruar këtë emërtim në gjuhën shqipe dhe e ka përkthyer në gjermanisht: letërnjoftim kosovar, shënim i redaktorit), transmeton albinfo.ch. A është e mundur kjo?”. Pyet dikush.

Një tjetër pjesëmarrës këshillon: “Me letërnjoftim mund të shkosh nga Shqipëria në Kosovë. Nuk ke asnjë vulë, dhe pastaj thua se ke qenë në Shqipëri”. Ndërsa një tjetër thotënë shaka: “Thjesht merrni një faturë nga një `hotel” për qëndrimin tuaj në Shqipëri, dhe nuk do të mund t’ju bëjnë gjë…”

Ka dhe zëra kritikë

Por, mashtrimet hasin edhe në zëra kritikë: “Unë e konsideroj të papërgjegjshëm këdo që vepron kështu”, shkruan një pjesëmarrës tjetër në debatin në fb. “Ose shkoni në Kosovë dhe llogariteni karantinën prej dhjetë ditësh më vonë, ose mos shkoni fare. Në fund të fundit, këto rregulla kanë një arsye që janë vendosur”.

Ambasada e Kosovës në Zvicër dënon këtë sjellje. “Sigurisht që jemi kundër çdo lloj abuzimi. Rregullat duhen respektuar”, thotë Islam Spahiu, zëvendës ambasador i Kosovës në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Ai shton se çdo shkelje e rregullave do të rrezikonte edhe imazhin e shqiptarëve nga Kosova në Zvicër. Sipas Spahiut, shumica e shqiptarëve të Kosovës kanë anuluar pushimet e tyre.

Ai shpreson se zhvillimi i koronës do të marrë një drejtim pozitiv. “Në atë mënyrë që qeveria zvicerane të anulojë karantinën për të kthyerit nga Kosova dhe t`u japë qytetarëve të Kosovës lirinë për të udhëtuar përsëri.”

Gjoba deri në 10.000 franga

Personat që shmangin karantinën do të gjobiten me maksimum 10.000 franga, përcjell albinfo.ch. Zbatimi i ligjit është përgjegjësi e kantoneve.

Sipas Christian Kräuchi, Shefi i Komunikimit i Kantonit të Bernës, qeveria federale është përgjegjëse për kthimin e udhëtarëve nga Kosova.ve u takon autoriteteve federale si Administratës Doganore Federale (EZV) dhe Rojeve Kufitare të sigurojnë që të kthyerit nga Kosova të mos bëjnë deklarata të rreme për karantinën. /Albinfo.ch /KultPlus.com

Ein Grenzwaechter am Autobahn-Zoll kontrolliert die Einhaltung des Abstandes von Menschen, die zur Ruckerstaettung der Mehrwertsteuer anstehen, aufgenommen am Montag, 15. Juni 2020, in Kreuzlingen. Die Grenze zu Deutschland wird heute nach dem Coronavirus-Lockdown wieder geoeffnet. (KEYSTONE/Gian Ehrenzeller)

Kolona e përsosur zanore për kohën kur filmi na mungon

Nga: Ann Hornaday

Nëntë nota. Duhen veç nëntë nota të vogla për të më përlotur pavarësisht se ku jam kur i dëgjoj ato. Masat melankolike e lirike në hyrje të këngës për filmin e vitit 1988 “Cinema Paradiso” janë bërë një prej motiveve më të njohura në historinë e muzikës së filmit, që çastshëm përfton nostalgji, romancë, gjakim, pafajësi të humbur. Nga nëntë nota të thjeshta, një shkulm emocionesh të forta e të përziera.

Kënga për “Cinema Paradiso” është kompozuar nga Ennio Morricone, që vdiq të hënën në moshën 91-vjeçare. Dhe kjo nuk ishte madje as vepra e tij më e njohur. Në shtjellën e një karriere të arrirë, Morricone shkroi temën “Man With No Name” për “The Good, the Bad and the Ugly”, shoqërimin mjeshtëror orkestral e koral për “The Mission” dhe të përjetshmen sonike për “Days of Heaven”. Siç kishte shkruar në një përkujtim Adam Bernstein, Morricone “ishte i pamundur të kategorizohej. Portofolio i tij dukej se përfshinte çdo zhanër të kohës: komedinë, dramën, romancën, horrorin, satirën politike dhe epikën historike”.

Bernstein gjithashtu vuri re se Morricone “e shihte vetveten si partner i plotë në rrëfimin e tregimeve në ekran”. Dhe kjo e bënte atë të rrallë, jo vetëm si kompozitor, por aso – muzika e të cilit ishte aq e madhe, sa të krenoheshe me të përkrah aktorëve me emër dhe imazheve vizuale. Pyesni kompozitorët e filmave për punën e tyre dhe shumica do të thonë diçka diplomatike dhe modeste për praninë e tyre për të mbështetur vizionin e regjisorit; shumë do të shtojnë që, nëse jeni duke e vënë re vetëm muzikën, atëherë kjo nënkupton se kanë dështuar. Më e mira kolonë e filmit, thonë ata, është ajo që nuk tretet në prapavijë, por që as nuk qëndron asisoj sa për t’u dalluar prej botës estetike dhe ndjenjore të filmit, transmeton KOHA.

Audienca mund ta ndiejë kur drejtpeshimi është trandur – kur një vijë zanore tepër e theksuar tërheq më shumë vëmendje në vetvete sesa njerëzit në ekran apo kur na shtyn të qajmë e qeshim në çastin e duhur.

Morricone rrallë ka hedhur një hap të gabuar në kalibrimin e dendësisë, vëllimit, vijës rrëfimtare dhe thellësisë së ndjenjës për të sjellë në filma. Dhe, shpesh, ai sillte goxha shumë, duke krijuar aso kompozime që mund të ngrenë lart edhe më të butin spaghetti western apo film horror. “Orca” mund të jetë një film i harruar mbi një balenë të pamëshirshme vrastare, por tema e bukur e Morricones përkapi hidhërimin dhe zemrën e thyer që ysht kafshën në orvatje për t’u hakmarrë. /Koha.net /KultPlus.com

“Pse bukuria e ruan shpirtin e një kombi që të mos shpërbëhet”

John Ruskin (1819-1900) ishte një nga reformatorët më ambiciozë dhe të pasionuar socialë anglezë të shekullit të 19-të. Ai ishte gjithashtu – në shikim të parë – një reformator thellësisht i pamundur, sepse ai dukej se kujdeset më së shumti për një gjë – bukurinë – e cila ka një reputacion të të qënit jashtëzakonisht apolitike dhe e larguar nga “jeta reale”.

E megjithatë sa më shumë Ruskin mendonte për bukurinë – bukurinë e gjërave që njerëzit bëjnë, duke variuar nga ndërtesat tek karriget, pikturat tek rrobat -aq më shumë ai e kuptoi se rrekja për të bërë një botë më të bukur është e pandashme nga nevoja për ta ribërë atë politikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht.

Në një botë që sot po rritet gjithnjë e më shumë e pabarabartë, por gjithashtu, edhe pse rrallë na shkon mendja tek ky aspekt, edhe më e shëmtuar, Ruskin vë theksin mbi bukurinë dhe rolin e saj në teorinë politike e bën atë një figurë të pazakontë por ama të kohës, dhe shumë të domosdoshme.

Nga fundi i jetës së tij, Tolstoi e përshkroi me saktësi Ruskin si “një nga njerëzit më të shquar të Anglisë dhe të brezit tonë, e të të gjitha vendeve dhe kohërave”.

Ruskin lindi në Londër në 1819 në një shtëpi të pasur. Ai ishte fëmija i vetëm i prindërve që i kushtuan shumicën e energjive të tyre për të ushqyer dhe zhvilluar talentet e tij të veçanta në art dhe letërsi. Babai i tij ishte një importues shumë i suksesshëm i verës, që kishte shije për Byron, Shakespeare, Walter Scott dhe Turner. Prindërit e Ruskin vendosën ta edukonin atë në shtëpi, duke pasur frikë se fëmijët e tjerë mund të nxisnin zakone të këqija tek djali i tyre.

Ai kaloi shumicën e ditëve të tij vetëm në kopshtin e madh të prindërve të tij, duke tërhequr lule. Si një trajtim në mbrëmje ai do të lejohej të ulej në heshtje në cep të dhomës së vizatimit, duke skicuar ilustrime nga skenat e Biblës. Çdo vit, gjatë adoleshencës së tij, ai shkoi me prindërit në udhëtime të gjata në Francë, Zvicër dhe Itali. Ata udhëtuan ngadalë në udhëtimin e tyre, duke u ndalur në çdo qytet përgjatë rrugës.

Ruskinit të ri i pëlqenin veçanërisht Alpet franceze (dhe troftat e shijshme të cilat i hanin shpesh për darkë në Chamonix). Por vendi që më së shumti i bëri përshtypje dhe ndryshoi rrjedhën e jetës së tij ishte Venecia, të cilën e vizitoi së pari kur ishte 16 vjeç dhe në të cilin u kthye pothuajse çdo vit gjatë periudhave të gjata të jetës së tij prej të rrituri.

Në Venedik, ai i kaloi ditët e tij duke vizituar Kisha, duke lundruar nëpër gondola dhe duke parë piktura. Ai gjithashtu donte të bënte vizatime shumë të sakta të detajeve të preferuara arkitekturore të tij.

John Ruskin, Casa d’Oro, Venecia, 1845

John Ruskin, verandë ne verilindjen e Katedrales së Shën Markut, Venecias, 1877
Venecia ishte, tha ai, ‘parajsë e qyteteve’. Dhe ai e deklaroi Pallatin e Dozhëve si “ndërtesa qendrore e botës.” Ai u tërhoq nga bukuria, dinjiteti i saj dhe shkëlqimi i mjeshtrisë së ndërtimit të saj. “Do të ishte e pamundur, besoj, të shpik një rregullim më madhështor të gjithçkaje që është në ndërtim më dinjitoz dhe më i drejtë”.

John Ruskin, Pallati i Dukës, Venecia, 1852
Gjatë kthimit të tij në Angli, Ruskin u godit nga kontrasti midis lavdive të Venecias dhe realiteteve shpesh të zymtë të jetës urbane britanike. Është një fenomen i njohur. Ne gjithashtu jemi të detyruar të kthehemi nga Kanali i Madh në Rrugën Sauchiehall në Glasgow ose Acton High Street dhe të ndiejmë shpirtrat tanë të zhyten.

Dhe megjithatë, megjithëse mund të pëshpëritim disa vërejtje të poshtëruara, në tërësi, e lëmë me kaq; duke ndjerë se shëmtia që na rrethon na e vret shpirtin. Kjo nuk ishte rruga e Ruskinit.

Sa më shumë ai e përjetoi kontrastin midis Venedikut dhe Britanisë së moderne, aq më shumë e theu dhe zemëroi zemrën e tij. Ai nuk mundej të kapërcente realizimin e tmerrshëm se në një vend përpjekjet njerëzore kishin çuar në rezultate kaq të këndshme dhe se në vende të tjera (në fakt, në shumicën e vendeve) e njëjta sasi e punës, të njëjtat (apo më shumë) pará dhe qenie të ngjashme njerëzore kishin prodhuar rezultate jo të mira dhe shkatërruese në shpirt.

Pse njerëzit modernë ishin aq të këqij në krijimin e mjediseve të banueshme? Përse bota bashkëkohore ishte aq dëshpëruese dhe tejet e shëmtuar?

Rruga e shtëpive me tarraca në Loughborough, Angli
Ruskin e kishte filluar karrierën e tij si një kritik arti, ambicia e tij ishte që t’i hapte sytë audiencës së tij për bukurinë e pikturave dhe ndërtimeve të caktuara, por në moshën e mesme i erdhi një synim më i drejtpërdrejtë dhe urgjent. Ai e kuptoi se shëmtia e shumicës së gjërave në Britani (nga fabrikat në stacionet hekurudhore, pubet në strehimin e punëtorëve) ishte treguesi më i qartë i dekadencës, ideologjisë mizore ekonomike dhe themeleve morale të kalbura të shoqërisë së tij.

Përpjekja për të ndryshuar këtë ishte puna e jetës së tij. Ai e kushtoi pjesën e mbetur të karrierës së tij në një luftë urgjente dhe vokale kundër parimeve themelore të kapitalizmit modern. Ai sulmoi zhvilluesit e pronës për shkak se kërkonin të sillnin fitime përpara interesave të komunitetit. Ai akuzoi industrialistët se kishin degraduar jetët e punëtorëve të tyre.

Dhe ai iu drejtua të gjithë borgjezisë Viktoriane për neglizhimin e përgjegjësive të tyre ndaj të varfërve, për shkurtimin e ditëve të tyre dhe shpërbërjen e shpirtit të tyre. Pjesërisht sulmet e tij u paraqitën si leksione.

Ruskin kaloi një pjesë të mirë të çdo viti duke i shprehur fjalët lart e poshtë Britanisë. Kur i ati vdiq, atij i mbeti një pasuri e madhe, të cilën ai vendosi të shpenzonte për qëllime të mira.

Në 1871, ai themeloi The Guild of St George. Ai kishte adhuruar për një kohë të gjatë sistemin e mesjetës, ku punëtorët ishin të organizuar mirë brenda tregjeve që u ofruan atyre siguri të punës dhe krenari në punën e tyre. Kjo përpjekje e Ruskinit kishte për qëllim që të ngrinte një rrjet të fermave që krijon ushqime të qëndrueshme dhe të papërpunuara (gjatë një kohe që ai ishte krijuesi kryesor i lëngut të mollës).

Ai ndërtoi punishte për të prodhuar rroba leshi dhe liri. Ndërtoi punishte për të prodhuar rroba leshi dhe prej liri. Ai inkurajoi bizneset që të prodhojnë cilësi të lartë, por të përballueshme me qeramikë, takëm dhe mobilje.

Ai donte të ngrinte një rrjet të shkollave që ofrojnë klasa mbrëmjeje, si dhe një numër muzesh për punëtorët, si një alternativë nëse media do t’i largonte. Së bashku me ndarjen e një pjese të pasurisë në spital, ai gjithashtu inkurajoi njerëz të pasur në mbarë vendin që të kontribonin me pasurinë e tyre në këtë projekt.

Shoqëria ishte në disa mënyra një sukses. Shumë pak industrialistë i dhanë Ruskin pasurinë e tyre të tepërt. Disa barake u blenë në bregun e Wells-it ku një grup i përkushtuesve ndaj Ruskinit filluan një biznes ku bënin pulovra. Pranë Scarborough, u ble një fermë që të bënte një shumëllojshmëri reçelesh. Një muze u hap në Sheffield. Dishepulli i tij më i devotshëm, William Morris, krijoi një mobileri me ndikim të madh dhe një kompani të dekorimit të brendshëm, William Morris & Sons, karriget dhe sfondet e të cilëve mbeten të suksesshme.

Karrige William Morris, Sussex, 1865
Por sigurisht, Ruskin nuk arriti të merrej me reformimin e kapitalizmit i vetëm. Duket një ligj i përgjithshëm që njerëzit që mund të mendojnë mirë nuk janë më të aftë në organizimin e ndryshimeve.

Ata nuk janë mirë me llogaritë, janë të paduruar në takimt – dhe për shkak të këtyre të metave procedurale, bota nuk ndryshon aq sa duhet. Sidoqoftë, Ruskin është po aq i afërt me një aktivist-mendimtar siç prodhoi shekulli i 19-të dhe ai mbetet një frymëzim për këdo që kërkon jo vetëm të reflektojë mbi botën, por edhe ta ndryshojë atë në drejtim të bukurisë dhe mençurisë.

Për të parë vetëm një nga skemat e tij, në mesin e viteve 1870 ndërsa ishte profesor në Oksford, Ruskin u shqetësohej gjithnjë se studentët e tij nuk e njihnin kuptimin dhe kënaqësinë e punës. Ata shkonin në parti dhe shkruanin ese por kurrë nuk bënin asgjë shumë produktive me duart e tyre, gjë për të cilën ai besonte se kishte një ndikim të dëmshëm në karakterin e tyre. Kishte një rrugë në një fshat të afërt të Hinkshes, i cili ishte mbushur plot me gropa, saqë ishte pak a shumë e papërdorshme.

Karrocat duhej ta shmangnin atë dhe të bënin rrugën e tyre përreth gjelbërimit të fshatit, duke shkulur barin. Fëmijët nuk kishin asnjë vend për të luajtur. Kështu, Ruskin mblodhi gjashtëdhjetë studentë dhe i organizoi ata për të ndrequr rrugën dhe për të rregulluar gjelbërimin.

Dëshmitarët okularë e përshkruan Ruskin në një mëngjes të dimrit “të veshur me një kapuç blu dhe me veshje rreth veshëve të tij, i ulur me gëzim në anë të rrugës, duke thyer gurët jo vetem me vullnet por duke bërë edhe shaka.”

Krijimi i rrugës kërkonte shumë kohë dhe ato nuk bënë progres. Kishte ankesa nga qiradhënësi lokal dhe një bindje se Ruskini ishte një kontakt i pandjeshëm. Por pika themelore është vendimtare. Nga frika se dukemi qesharakë, ne shpesh përfundojmë pa i trajtuar sfidat përreth nesh. Ndreqja e rrugëve ishte një shembull i vogël i një ideje më të madhe që e animonte jetën e Ruskins: se është ideja e krijuesit, njerëzit e privilegjuar të drejtojnë përpjekjet e tyre për të bërë një botë më të mirë dhe të rregullt, më të përshtatshme dhe të bukur, jo vetëm për veten e tyre, por për më të mirën e shumicës.

Ai gjithashtu besonte se ne nuk duhet (nuk mund ta lëmë këtë) në dorën e forcave të tregut, sepse ata kurrë nuk do të gjejnë rregullin e mbjelljes së luleve të egra në skajet e rrugëve dhe të sigurojnë gjelbërimin e fshatrave. Përgjatë jetës së tij, Ruskini vuri në kontrast bukurinë e përgjithshme të natyrës me shëmtimin e botës të bërë nga dora e njeriut.

Ai krijoi një kriter të dobishëm për çdo gjë të bërë nga dora e njeriut: a ishte në çfarëdo mënyre e barabartë me diçka që mund të gjente në natyrë?

Ky ishte rasti me Venedikut, me Katedralen e Chartres, me karriget e William Morris … por jo me shumicën e gjërave që u zbuluan nga fabrikat e botës moderne.

Pra, Ruskin mendonte se ishte e dobishme për ne që të vëzhgonim dhe të frymëzoheshim nga natyra (ai ishte një besimtar i madh që të gjithë në vend duhet të mësonin të tërhiqeshin nga gjërat në natyrë). Ai shkroi me seriozitet të habitshëm për rëndësinë e shikimit të dritës në mëngjes, për t’u kujdesur për të parë lloje të ndryshme të reve në qiell dhe për të parë siç duhet degët e një peme që hapen. Ai mori kënaqësi të jashtëzakonshme në strukturat e bukura të digave të foleve. Dhe ai i dashuronte pendët me pasion.

John Ruskin, vizatim i pendës së palloit, 1873
Këtu gjendej një mesazh urgjent. Natyra përcakton standardin. Ajo na siguron shembuj veçanërisht intensive të bukurisë dhe hirit. Pendët e një zogu, retë mbi malet në perëndim të diellit, pemët e mëdha që përkulen në erë – natyra shpaloset, e bukur, e thjeshtë, efektive. Është vetëm për shkakun tonë që gjërat duket se shkojnë keq.

Ekziston një kontrast poshtërues mes bukurisë natyrore të pemëve nga një rrymë dhe errësirës, ​​zymtësisë së një rruge mesatare; midis interesit gjithnjë në ndryshim të qiellit dhe monotonisë e guximit aq madh të jetës sonë. Ruskin mendonte se ky krahasim i dhimbshëm ishte edukativ. Për shkak se jemi pjesë e natyrës, ne kemi aftësinë për të jetuar sipas standardeve të saj.

Ne duhet të përdorim emocionin që ndiejmë me bukurinë e natyrës për të na dhënë energji për të barazuar veprat e saj. Qëllimi i shoqërisë njerëzore është të nderojë dinjitetin dhe madhështinë e botës natyrore.

John Ruskin, vizatimi i Mont Blanc, Francë, 1856
Duke mbrojtur bukurinë kaq intensivisht, Ruskin shpëton pjesë të përvojave tona vetjake që rrallëherë i marrim shumë seriozisht. Shumica prej nesh mendojnë se pemët janë të bukura, se diku tjetër (dhe mund të jetë Venecia) është shumë më e bukur se vendi ku jetojmë ditën e sotme, se ka shumë gjëra të pahijshme në botë, që puna nuk të shijon edhe aq shumë, se shpesh jemi të keqpunësuar – por ne tentojmë t’i hedhim poshtë këto mendime si tepër personale, të vogla, jo me rëndësi për askënd tjetër përveç vetes. Ruskin na argumenton në një qëndrim më ambicioz dhe më serioz.

Qasja e Ruskit ndaj politikës ishte të mbante vendosmërisht një vizion se si do të dukej një jetë vërtet e arsyeshme dhe e mirë – dhe pastaj të kërkonte rigorozisht se si do të duhej të krijohej një shoqëri për të qenë e jetës mesatare , për një person të zakonshëm, dhe jo një pjesë e rrallë fati vetëm për të privilegjuarit. Për këtë ai meriton interesin dhe mirënjohjen tonë të vazhdueshme. /KultPlus.com

by William Downey, for W. & D. Downey, albumen carte-de-visite, 29 June 1863

Martin Camaj gjuhëtar

Nga: Ledi Shamku

Mahniteni me Martinin poet (e si mos me u mahnitë) ngase nuk njihni mirë Camajn gjuhëtar, studentin e Barić, studiuesin e shqipes historike, e hundorësisë te Buzuku (ah sa të bukur e të çmuar e ka kët studim).

Nuk njihni Camajn gramatolog, hartues të Gramatikës së Gjuhës Shqipe, e vetmja madje E VETMJA!!! gramatikë që shqipen e sheh të përbërë nga tri koiné: Gegë, Toskë e Arbëresh. Vëzhgim shkencërisht i saktë e kombëtarisht i vyer, pasi askush tjetër nuk pa në trashëgiminë letrare arbëreshe (e cila për shekuj me radhë mbajti gjallë qytetarinë e shqipes si gjuhë e shkruar, ndërkohë që brenda Shqiperisë osmanët ndalonin çdo shkrim a shkollim në shqip), pra qe i vetmi Camaj që pa te trashëgimia arbëreshe një koiné të mirëfilltë letrare për t’ia ofruar njohjes e vetëdijes kombëtare.

E kaq mirë e pa vlerën e kësaj koineje, sa shkoi e studioi (dhe botoi) Gramatikën e Grecit (një fshat arbëresh pak kilometra larg Napolit, të cilin vendasit e quajnë Katundi, dhe thirrej Greci për shkak të ritit fetar te arbëreshëve, i ndryshëm nga ai latin). Shqisa e mprehtë e Camajt historian gjuhe pa te e folmja e Katundit konservacione gjuhësore mjaft të çmuara që, për analizë, e dëshmojnë shqipen në agun e kohëve.
Konservacionet gjuhësore shkojnë ngjitas me ndërgjegjen kulturore e kombiare, ndaj jo rastësisht në vitin 2008 Bashkia e Grecit të Martinit (Katundit), finacoi me plot 80 mije euro gatitjen për shtyp dhe botimin e ATLASIT DIALEKTOR TË GJUHËS SHQIPE, punë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e cila priste prej tridhjetë vjetësh në sirtar që të botohej. Atlasi ynë, financuar nga arbëreshët e Katundit, u shtyp në Napoli në vitin 2008 dhe u botua edhe me këmbënguljen e një tjetër arbëreshi tē ndertë, prof. Italo Fortino.

Camaj pra paskësh zgjedhë mirë.

E ndoshta nuk njihni as Camajn sociolinguist, i pari që parasheh zhvendosjen qendrës gjeografike të Shqipes së Përbashkët (Vehikulare) nga jugu drejt Tiranës. Pra parasheh qysh herët vendformimin e Neostandartit të Shqipes. Dhe këtë vëzhgim e jep në vitin 1990, i ftuar në një konferencë të organizuar nga Università di Salento. Në këtë konferencë Camaj paraqitet me kumtesën “Una lingua in esilio” (Një gjuhë në syrgjyn). – të më ndjeni për turqizmën, por nuk më vinte ta përktheja “esilio” me “mërgim”, pasi mërgim është kur ikën vetë e jo kur të degdisin me pahir siç i ndodhi një varieteti të rëndësishëm shqipformues të Shqipes. Kolegët e mi të Università di Salento ende e mbajnë mend atë ditë të vitit 1990 kur një gjuhëtar dialektolog shqiptar, asokohe konsull kulturor në Ambasadën Shqiptare në Romë (e mandej pedagog në Tiranë deri në pension), ky gjuhëtar shqiptar pra, përplaste këmbët në dyshemenë e drunjtë në shenjë kundërshtie gjithë kohës që Camaj referonte mbi ndeshtrashat e gjuhës së vet, e gjuhës sonë.

Martin, anì, ti je e ai ka hupë!

Mrekulloheni me Martinin poet por do dashunoheshit me Camajn gjuhëtar, e ah sa shumë du un që t’ju zejë ky i bukur qymyr me të.

Po ju shtij në ngasje me nji pohim të tij prej gjuhëtari kur thotë se: “ngjarjet që i kanë ra për hise gjuhës time qenë edhe shkaku ma i thellë qi më ka shtye me u marrë si shkencëtar mbi gjuhën”.

Kush don Shqipen, nuk ka si s’e don Martinin e Shqipes. /KultPlus.com

Rrjeti i Grave dënon sjelljet ndaj Osmanit

Rrjeti i Grave të Kosovës ka dënuar sjelljet ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani në seancën e së premtes. Osmanit në fund të seancës i ishte vërsulur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, pas një debati mes deputetëve. Me t’iu vërsulur Ukaj, Osmani ndërpreu seancën.

Rrjeti i Grave të Kosovës përmes një reagimi për media ka thënë se ai veprim bie ndesh me kulturën parlamentare e demokratike të një shoqërie të barabartë.

“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dënon gjuhën fyese dhe sjelljet denigruese të përdorura gjatë seancës së mbrëmshme të Kuvendit ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani. Kuvendi i Kosovës është institucion publik ku duhet respektuar rregullat dhe funksionet e secilit anëtar të tij. Në këtë institucion të gjithë qytetarët presin të përfaqësohet vullneti i tyre politik në mënyrë sa më dinjitoze. Veprime si ky i mbrëmshmi bien ndesh me kulturën parlamentare e demokratike të një shoqërie të barabartë. RrGK vlerëson se kryeparlamentarja Osmani është penguar në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit, sipas së cilës ajo bart përgjegjësinë për mbarëvajtjen e seancave parlamentare, duke përfshirë këtu edhe tërheqjen e vërejtjes ndaj deputetëve të cilët nuk i respektojnë rregullat”, thuhet në njoftimin e RrGK-së.

Ky rrjet ka kërkuar nga politikanët të shmangin gjuhën kërcënuese dhe ka kërkuar ndëshkimin e tyre në përputhje me rregulloren e Kuvendit dhe ligjet në fuqi.

“Sjellje të tilla ndaj grave në politikë dhe procese vendimmarrëse janë krejtësisht të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë aspiratën tonë për një shoqëri të barabartë për gratë dhe burrat. Trajtimi i tillë i grave në hapësirat publike është tregues shqetësues për trajtimin e grave në shoqërinë tonë, dhe nuk duhet kaluar pa ndëshkim”, përfundon reagimi. /Koha.net /KultPlus.com

“Nermin hajde”, thirrja e dhimbshme e të atit në Srebrenicë që u përjetësua në vepër arti

Shkrimtari dhe publicisti Halil Matoshi përmes rrjetit social Facebook ka kujtuar një histori të dhimbshme gjatë kohës së masakrave në Srebrenicë, ku babai e thërret të birin e tij para se t’ia marrin serbët. Thirrja e tij “Nermin hajde” është bërë skulpturë nga artisti Mensud Keco, shkruan KultPlus.

Nermin-eee, hajde!!!

(Ne kemi nevojë për klithmat e viktimave të Srebrenicës)

Baba Rama e thirrte t’birin:
“Nermin-eee hajde …, lirisht tek serbët, të gjithë hajdeni…”

Kjo ishte thirrja ma e trisht dhe përshkrimi i dokumentuem – tuj ndodhë – i mizorisë së fashizmit serb, në Srebrenicë, mizori që e mbylli shekullin e 20-të tuj e përseritë vetën në Mejë dhe gjithandej në Kosovë.

“Nermin, hajde”, është skulptura qe evokon tmerrin e Srebrenicës së 11 korrikut 1995.
Fotografinë e Ballkanit të fundshekullit 20.
Kjo është piktura e shtangur (vepër e Mensud Keco) që klith, klithma e fundit e Ramo Osmanović-it i cili ishte detyrue nga barbarët e Ratko Mladić me e thirrë të birin, ngase i ishte thânë se nuk ka me u ndodhte asgjâ.
Trupat e Ramo dhe djalit të tij Nermin u gjetën në vitin 2008 në një varrezë masive ngat Srebrenicës.
Kjo asht thirrja e nji babe të cilen nuk e dëgjoi Zoti, kurse njeriu religjioz në emnin e po atij zoti shkrepi plumbat e urrejtjes patologjike mbi Ramo, Nermin dhe 8372…njerëzve, të cilët nuk kanë nevojë për ne-siç tha Hanah Kral – ne kemi nevojë për klithmën e tyne!?
Me u vërtetu nëse ende jemi njerëz!?

Kjo thirrje tash âsht ngurtësu dhe u flet epokave për njerëz mizorë, monstrumët si Karadjić e Mladić dhe shefi i tyne n’Beligrad, Milošević…” shkruan Matoshi. /KultPlus.com


Çfarë ndodhi me mua, ditën që nuk vura maskë!

Nga: Rudina Xhunga

Në fakt, unë nuk vija maskë. Më ka mbetur prej kohës së videos së BBC, ku Dr. Shunmay Yeung, shpjegonte që përdorimi i saj nuk sillte asgjë plus, përkundrazi:
Nëse shumë njerëz do të përdorin maska, nuk do të ketë mjaftueshëm për ata që kanë nëvojë vërtet për to, stafi mjekësor dhe të infektuarit me Covid-19.”– thoshte ajo.

Pastaj OBSH-ja ndryshoi qëndrim, por jo unë. Kjo deri javën që shkoi, kur më lajmëruan që shoferi i cili më kishte marrë nga grimi te televizioni ku isha e ftuar, kishte bërë tamponin dhe dalë pozitiv.
Lexuar kjo nuk do të thotë asgjë. Po kur të ndodh ty dhe merr Silva Binon të parën dhe ajo të pyet, a kishe maskë, aty të nis e përmbyset e gjitha.
– Jo nuk kisha.
⁃ Ishe ulur pas.
⁃ Jo, isha ulur para.
⁃ Po kondicioneri ishte hapur?
⁃ Po hapur.
⁃ Fole ti, po ai foli?
⁃ Nuk e mbaj mend. Nuk më kujtohet gjë fare. E kam marrë doktoresha?
⁃ Risk i moderuar, Rudina.
⁃ Ç’d.m.th? Oh sa njerëz marr unë në qafe po e kam marrë. Dhe ndërsa ajo flet, mua më del para lista e njerëzve që kam e dua, të cilët korona i vret nëse ua kam dhënë.
⁃ Sa kohe ka?
⁃ Sot dita e 4-ët, po tani ma thanë.
⁃ Nuk bëhet tamponi sot. Do të presim. Dhe do të kontrollojmë nëse ke simptoma.

Pritja kur mendon se ke marrë koronën është komplet e çmendur. Sidomos kur ke lexuar e shkruar për simptomat e saj mijëra herë. Pritja është plot me simptoma. Frika jote është simptoma më e keqe. Më shumë vret frika nga sëmundja. Pastaj kjo sëmundje ka dhe një të keqe plus. Sëmundjet e tjera, gripi përfshirë, kanë solidaritet në familje. Të shohin me dhembshuri të gjithë dhe të shërbejnë. Po nëse thua që dyshon se ke marrë koronën, është si të thuash ke marrë HIV. Secili ka frikë për ca mund t’i ndodhë dhe fajtori je ti që e solle. Pra kur thotë shefi i OBSH-së që sëmundja kërkon solidaritet mes shtetesh ta harrojë! Solidaritet nuk ka as në shtëpinë tënde.

Përveç vajzës sime të vogël që mendon se nuk e kemi marrë, se ajo do të flasë me unicornin e saj që do të na mbrojë, siç na mbrojti njëherë kur avioni u tund mirë në Bilbao, ne të dy jemi të tmerruar. Marrim në telefon prindërit tanë dhe i pyesim imtësisht për çfarë kanë, çfarë u dhemb dhe sa më shumë se dje u dhemb. Pastaj i kthehemi njëri-tjetrit dhe pyesim ku do ta lëmë vajzën nëse ajo nuk e ka dhe ne e kemi.
Në fakt pyetja pa zë, është ku do ta lëmë vajzën nëse e kemi dhe gjërat shkojnë keq. Dhe ngaqë nuk e bëjmë dot këtë pyetje as pa zë, nxehemi me njëri-tjetrin, me mua d.m.th që jam kaq e papërgjegjshme sa hipi në një makinë televizioni, këto kohë dhe pa maskë. Dhe e vetmja arsye pse mund të shpëtojmë është sërish një anë e keqe imja, që nuk flas, që ul kokën në telefon dhe nuk kthehem fare as majtas as djathtas. Dhe ndoshta, ndoshta kjo do të na shpëtojë.

Ndërkohë ne jemi mbyllur të tre në shtëpi. Në pritje të simptomave, na është kërkuar të izolohemi. Unë vij vërdallë me maskë nëpër shtëpi. Nuk e heq as kur fle. Fle me maskë. Kjo e nxeh më shumë tim shoq që nuk e kupton pse nuk mbaja maskë atë ditë dhe pse isha ulur para. Po pas ishin ulur tre vetë, i them, e debati nis nga fillimi.

Deri ditën që bëmë tamponin unë nuk pata asnjë simptomë, veç dëshirës për të qarë në banjë, (kjo nuk del te simptomat), ndërsa im shoq kishte grykët, temperaturë, dhimbje koke. Ndaj e bëmë tamponin. Në shtëpi erdhën dy zonja.
Një prej frikërave më të mëdha është që nëse nuk e ke mos e merr kur vinë të të bëjnë tamponin, aq shumë na është futur ideja që mjekët e kanë të gjithë. Ata nuk e kanë. Ata janë më të rrezikuarit, më të dëmtuarit në këtë histori të papërgjegjshmish, njëra prej të cilave jam dhe unë.
Vajza ime u ul e para. E pyetën nëse donte të bënte në fillim hundën, apo gojën. Pyeti kush qe më e vështirë që ta niste me të. I bëri të dyja dhe tha që ishte eksperiencë qesharake, qe te gudiliste. Kur erdhi radha ime, nga sikleti teshtiva dhe tmerrova dy zonjat që bënë disa hapa pas dhe pastaj ikën, pa i qerasur, se nuk mundemi thanë. As ujë, në atë vapë korriku.

Zonjat më thanë që rezultati del për 24 orë. Dilte, por tani për shkak të fluksit është zgjatur koha. Unë nuk prita dot as 24 minuta dhe nisa të pyes mjekë të ndryshëm të hetimit në Tiranë, pse zgjat kaq shumë dhe a ka të ngjarë të jetë rezultat fals. Nuk ka asgjë që të heq mendjen kur pret një lajm. Asgjë që ulesh ta bësh me vetëdije dhe të largon vëmendjen. Aq më tepër kur nuk del dot as nga shtëpia.
E vetmja gjë që më lehtësoi ishte një intervistë e Merkel që i ndryshova titullin. Ajo kishte folur për BE-në, po mua më ngacmoi shprehja: “Është e vështirë, por në vend të bëjmë pyetje ekzistenciale, duhet te vazhdojmë me punët e ditës.
Mund ta kisha lexuar çdo çast tjetër këtë shprehje, po nuk do të më bënte kurrë përshtypjen që më bëri atë ditë. Thjesht ma mblodhi veten. Dhe vazhdova të laj pjatat, pa e hequr maskën. Rezultati doli të nesërmen, në darkë. Më morën në telefon dhe më lajmëruan që ne të tre ishim negativë. “Jeni negativë. Kjo për sot, pastaj është në dorën tuaj. Ruhuni!”, tha zonja që më telefonoi. Ose kështu duhet të ketë thënë se unë dëgjova mirë vetëm negativë, gjithçka tjetër vinte flu.

Sapo dëgjoi gezimin tim, ime bijë ma hoqi maskën dhe e grisi. “Tani do e heqësh, te puthemi, -tha”. Joooo, tani do e heq vetëm në shtëpi.”, i thashë. Dhe e mbajta fjalën. Nuk e vras mendjen për vapën dhe për asnjë vështrim kureshtar.
Unë mbaj maskë. Nuk e përballoj dot rikthimin tek ato tre ditë pritjeje dhe nuk di si do ta përballoj koronën nëse e marr. Nuk e di vërtet. Por e di që maska më mbron, mua dhe njerëzit që dua./dritare.net /KultPlus.com

Sulmi me gurë ndaj Vuçiqit në Srebrenicë para pesë vjetësh (VIDEO)

Masakra e Srebrenicës sot është kujtuar me dhimbje nga familjarët e viktimave në Bosnjë, por edhe në shumë vende të tjera.

Megjithëse Serbia kritikohet shumë për mos marrjen e përgjegjësisë për krimet mizore që bëri në këtë masakër, ministri që sot është në krye të forcave serbe ka kërkuar drejtësi për një sulm me gurë ndaj Aleksandër Vuçiqit, i cili pesë vjet më parë nuk u mirëprit në vendin e gjenocidit nga familjarët e viktimave.

Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin kritikoi përsëri autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës, sepse “askush nuk u përpoq të zbulonte emrat e autorëve të vrasjes së mbetur në tentativë të Aleksandar Vuçiq në Srebrenicë”.

“Kanë kaluar pesë vjet nga përpjekja për vrasjen e Aleksandar Vuçiqit në Srebrenicë. Askush nuk është arrestuar ose dënuar. Asnjë nga politikanët boshnjakë nuk kërkoi falje ose nuk tregoi keqardhje, ata heshtën ashtu si ata që shikuan me qetësi sulmin presidentin e Serbisë”, tha sot Vulin, shkruan Tanjug.

Videoja e mëposhtme tregon sulmin që boshnjakët kishin bërë ndaj Vuçiqit pesë vjet më parë kur ai shkoi për vizitë.

Bill Gates: Vaksina anti-virus të përdoret për njerëzit që kanë nevojë, jo për ata që ofrojnë para

Bill Gates bëri thirrje që ilaçet dhe vaksina kundër Covid-19 duhet të vihet në dispozicion të vendeve dhe njerëzve që kanë më së shumti nevojë, jo për atë që ofron më shumë para.

“Nëse do të lejojmë që ilaçet dhe vaksinat të blihen nga ata që kanë para, në vend që të shpërndahen te njerëzit dhe vendet ku është më e nevojshme do të kemi një pandemi që do të zgjasë, do të jetë padrejtë, dhe më vdekjeprurëse. Ne kemi nevojë për udhëheqës të drejtë që të marri vendime të vështira për shpërndarjen e vaksinës bazuar në kapitalin e tyre.”

Komisioni Europian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë paralajmëruar për një ‘konkurs” jo të ndershëm në shpërndarjen e vaksinave, ndërsa disa zyrtarë në Uashington kanë treguar që ata do t’i jepnin përparësi banorëve të SHBA.

Gates tha se përpjekjet e filluara dy dekada më parë për të luftuar krizën globale të HIV / AIDS , në të cilët u bashkuan të gjitha vendet e botës përfshirë dhe Afrikën, mund të shërbejnë si një model në mënyrë që ilaçet COVID-19 të jenë gjerësisht të arritshme.

Si shembuj ai tregoi Fondin Global të krijuar në 2002 për të luftuar SIDA-n, tuberkulozin dhe malarian dhe planin e urgjencës së presidentit amerikan për të shpërndarë ilaçe te njerëzit që luftojnë me disa nga sëmundjet më vdekjeprurëse në botë.

“Një nga mësimet më të mira në luftën kundër HIV / AIDS është rëndësia e ndërtimit të këtij sistemi të madh, të ndershëm global për shpërndarjen e ilaçeve për të gjithë,” / KultPlus.com

Reagon Sindikata e Shërbyesve Civil në MAShT pas lajmit se 100 punonjës janë pozitiv më koronavirus

Sindikata e Shërbyesve Civil në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës ka reaguar pas publikimit të një lajmi kinse 100 punonjës në këtë ministri janë infektuar me koronavirus.

Sipas kësaj sindikate lajmi është i pasaktë, dhe të gjithë zyrtarët e ministrisë janë duke i respektuar masat e IKSHPK’së.

“Sindikata e Shërbyesëve Civil në Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës, Reagon në lajmin e publikuar nga nacional. Info, ku shkruan se 100 punonjës të Ministrisë së Arsimit pozitiv me COVID-19. Lajmi është i pa saktë! Zyrtarët e MASh, edhe në këto rrethana me përkushtim të madh po i sherbejnë të gjithë qytetarëve, duke i respektuar masat nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK), duke bartur maskat, duke mbajtur distancën, dhe duke mbajtur higjenen. Respekt, për komplet stafin e MASh”, thuhet në reagim. / KultPlus.com

Fotografi të rralla të cilat tregojnë gjurmët e pashlyeshme të masakrës së Srebrenicës (FOTO)

Më 11 korrik 1995, gati në përfundim të luftës, ushtarët serbo-boshnjakë sulmuan njërin nga vendet i cili ishte përcaktuar si “strehë e sigurt” nga OKB-ja. Ushtarët serbo-boshnjakë mblodhën burra të moshës ushtarake, ku përfshiheshin djem të ri dhe burra të moshuar.

Gjatë ditëve që pasuan, ata i ekzekutuan dhe i hodhën trupat e tyre në gropa të pyjeve përreth. Ekzekutimet ishin të mirë-planifikuara dhe ushtria serbe bëri përpjekje të vazhdueshme për të fshehur gjurmët e këtij aktiviteti e saj.

Ndërsa vrasjet e shumta ndodhën brenda pak ditësh, procesi i gjetjes së trupave mori vite, dhe procesi i identifikimit dhe e varrosjes siç duket vazhdon edhe sot, më shumë se 1,000 persona janë ende të listuar si të zhdukur. Gjykatat ndërkombëtare kanë dhënë një numër dënimesh për gjenocid lidhur me vrasjet e Srebrenicës ndërsa disa gjykime dhe apele janë ende në vazhdim.

KultPlus ju përcjellë përshkrimin dhe 15 fotografi të rralla që lidhen me gjurmët e pashlyeshme që ka lënë kjo masakër në historinë e luftërave.

1. Mejra Djogaz, 66 vjeçare mban në duar një foto të tre djemve dhe burrit të saj në Srebrenicë, Bosnje dhe Herzegovinë, më 4 korrik 2015. Tashmë e vetmuar, kujtimi i vetëm që i ka mbetur nga familja janë disa fotografi.

2. Kjo foto është shkrepur më 12 korrik të vitit 1995, ku shihen disa nga 20,000 gra muslimane nga enklava lindore boshnjake e Srebrenicës. Ato së bashku më fëmijët e tyre presin për transport, në fshatin Potocari, 5 kilometra në veri të Srebrenicës.

3. Në këtë foto është e paraqitur një grua me nënën e saj, të cilat ishin refugjate nga Srebrenica. Ato derdhin lot pranë njëra-tjetrës , sepse nuk e dinë asgjë lidhur me fatin e pjesës tjetër të familjes së tyre, të cilët ndodheshin një bazë të OKB-së, 12 kilometra në jug të Tuzllës, në Bosnje dhe Herzegovinë, më 13 korrik 1995. Në dorën e gruas më të re shihet një karton që përmban ujë mineral që dhurohej OKB-ja.

4. Në këtë fotografi shihet një grua boshnjake e cili i përkiste besimin islam ndërsa është shfaqur teksa kërkon ndihmë nga ndërkombëtaret në gjetjen e mijëra burrave të humbur nga qyteti i Srebrenicës, që ishin marrë nga forcat serbe të Bosnjës. Prapa saj gjendet një mbishkrim ku shkruan: “Srebrenica. Ku janë burrat, vëllezërit dhe bijtë tanë?”.

5. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore shikon eshtrat e një prej më shumë se 100 muslimanëve të vrarë në një kodër, thellë në territorin serb të Bosnjës më 2 korrik 1996.

6. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore vendos një numër tjetër pranë kafkës së një viktime të Srebrenicës që gjendet në kodrat mbi fshatin Kravica, 15 kilometra në veriperëndim të Srebrenicës më 5 korrik 1996.

7. Në këtë fotografi shihen gjurmët e kufomave të paidentifikuara që janë të vendosur afër mureve të një strehimoreje nëntokësore në një morg në Tuzla më 28 mars 1997. Aty janë mbështjellë viktima të cilat janë gjetur në varre masive dhe në zona të pyllëzuara pas masakrës së Srebrenicës më 1995.

8. Aida Civic është një grua boshnjake e refugjatëve myslimanë nga Srebrenica, ajo në këtë foto shihet teka bërtet pasi hyn në një vend ku gjenden rreth 3,500 muslimanëve boshnjakë të vrarë, shumica prej tyre nga ish zona e sigurt e Srebrenicës.

9. Hajra Catic në këtë fotografi shfaqet para imazheve të viktimave të gjenocidit në Tuzla më 11 qershor 2015. Catic është njëra nga mijëra gratë që ende kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre edhe 20 vjet pas masakrës së Srebrenicës. Me ndihmën e Edmin Jakuboviç, i cili ishte personi i fundit që e ka parë djalin e saj të plagosur në terren, Hajra Catic ka qenë vazhdimisht në kërkim të djalit të saj në pyll. Ajo ndihet e frikësuar se nëse nuk arrin t’i gjej eshtrat e tij, do të jetë sikur ai të mos ketë ekzistuar kurrë. E gjitha që i ka mbetur nga djali i saj sot është fotografia e tij.

10. Në këtë fotografi është i mbijetuari i masakrës në Srebrenicë, Nedzad Avdiç, 37 vjeçar, i cili shihet teksa prek emrat e gdhendur të atyre që janë vrarë në një masakër dhe varrosur në Qendrën Përkujtimore në periferinë e Potocarit në Srebrenicë më 27 qershor 2015. Ai ishte 17 vjeç kur u bashkua me një grup njerëzish që u përpoqën të iknin nëpër pyje. Grupi i tij u gjuajtën nga ushtarët serbë dhe më pas u dërguan në një shkollë për ekzekutim.

11. Qendra përkujtimore në Potocari afër Srebrenicës, Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo fotografi është bërë më 20 qershor të vitit 2015.

12 Kjo foto paraqet 5 vjeçaren, Ema Hasanoviç e cila në atë kohë ishte një vajzë e vogël muslimane nga Bosnja. Në këtë fotografi ajo shihet teksa bën homazhe pranë arkivolit të xhaxhait të saj, në Qendrën Përkujtimore në Potocari më 9 korrik 2014.

13. Në këtë fotografi shihet një gërmues teksa fshin djersët e tij gjatë kohës sa ishte duke përgatitur varre në një qendër përkujtimore për viktimat e masakrës së Srebrenicës në Potocari, më 5 korrik 2015.

14. Subjekti i kësaj fotografie është një burrë mysliman nga Bosnja i cili po kërkonte varrin e një të afërmit të tij në Srebrenicë më 11 korrik 2014.

15. Kjo fotografi është shkrepur më 4 korrik të vitit 2015. Në fotografi shihet 66 vjeçarja, Hanifa e cila po qëndron në pragun e shtëpisë së saj në Srebrenicë kurse në duart e saj mban një kuti duhani. Këtë kuti ia kishte lënë djali i saj Sabahudin. “Ruaje këtë kuti për mua, kështu që kur unë të kthehem mund të vendos cigaret e mija përsëri këtu”, i kishte thënë i biri. Pas këtij momenti ajo nuk e pa më kurrë të birin. / KultPlus.com

‘Tani vajza juaj nuk do të qajë më’, historia e nënës që ja dorëzuan vajzën e vdekur

“Unë isha 22 vjeçe kurse vajza ime 2 vjeçe, trëndafili im i vogël. Ata na vendosën në autobusë, vetëm ne gra dhe vajza dhe thanë që asgjë nuk do të ndodhte me ne. Udhëtimi zgjati shumë, autobusi ishte plot, vajza ime e vogël po qante, duhet të ketë qenë e uritur, e etur. Pastaj mu afrua një ushtar, një nga ata çetnikët, ndonëse u soll mirë me mua, më pyeti se çfarë kishte vajza ime, pse po qante.

Nuk kam asgjë për t’i dhënë, iu përgjigja. Ai e mori fëmijën nga dora ime dhe tha që do ta ushqente me diçka dhe do të ma kthente prapa. U gëzova shumë, por përsëri kisha dyshime. Më pak se dhjetë minuta më vonë, ai hipi përsëri në autobus me vajzën time të vogël. Dëgjoj, ajo nuk qan më. Duhet ta ketë ushqyer mirë, me të vërtetë akoma ka njerëz të mirë, mendova. Ai e vendosi atë përsëri në krahët e mi dhe vetëm më tha: “Tani vajza juaj nuk do të qajë më”.

Ai nuk e ushqeu trëndafilin tim. Ai e theri atë. Dhe ashtu të masakruar, plot gjak, e ktheu tek unë”.

Le të jenë lotët e nënës një lutje, që Srebrenica të mos i ndodhë më kurrë askujt! 

Përktheu: Jeton Zenuni / KultPlus.com

Apostolova i del në krah Vjosa Osmanit: I papranueshëm tentimi për dhunë ndaj një gruaje

Shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka reaguar pas përplasjes së mbrëmshme në Kuvendin e Kosovës me kryetares Vjosa Osmani dhe deputetit, Xhavit Ukaj.

Apostolova ka thënë se të gjithë duhet të përmbahen nga dhuna në Kuvend e sidomos ndaj një gruaje që është kryetare e Kuvendit.

“Kuvendit të Kosovës i duhet një punë konstruktive për t’u ballafaquar me sfidat serioze që e presin përpara. Të gjithë duhet të angazhohen për një konsensus politik dhe të përmbahen nga dhuna e cila nuk ka vend në shoqëritë demokratike, e lëre më në Shtëpinë e Popullit, veçanërisht ndaj një gruaje-kryetare e Kuvendit”, ka shkruar ajo në Twitter.

Vjosa Osmani është përplasur me fjalë mbrëmë me deputetin e LDK’së, Xhavit Ukaj, i cili shkoi te foltorja e Kryeparlamentares pasi kjo e fundit e kërcënoi se me forcën e sigurimit fizik do ta largonte nga seanca pasi i njëjti protestoi kundër mënyrës se si ish-Nënkryetarja e LDK’së po i favorizonte deputetët e Albin Kurtit./ KultPlus.com

Në Ferizaj gjendet një tub i periudhës romake (FOTO)

Në komunën e Ferizajt është gjetur një tub nga periudha romake. Tubi që është i punuar nga qeramika besohet se është i shekujve IV-V të erës sonë.

Këtë lajm e ka dhënë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, duke thënë se kjo gjetje është dëshmi e civilizimit që ka ekzistuar në tokat shqiptare.

“Tubi që rrjedh historinë e civilizimin nga periudha romake. Në tokën e Komogllavës në lokalitetin “Kroni” u gjet befasisht tubi i ujësjellësit i punuar nga qeramika që i takon periudhës romake të shekujve IV-V të erës sonë, që dëshmon mbi të gjitha civilizimin në këto anë, pjesët e së cilës mund të vizitohen në Muzeun e Ferizajt. #VizitoFerizajn”. Klan Kosova / KultPlus.com

Më poshtë pamjet e këtij tubi:

Viktimat e gjenocidit në Srebrenicë përkujtohen në mënyrë të veçantë në Mostar

Fiks në ora 11:07 të shtunën, me një kërcim nga ura e famshme në Mostar, është shënuar 25-vjetori i gjenocidit të kryer në Srebrenicë. Kërcimi në ujë nuk është përcjellë me duartrokitje.

Njëjtë si në vitet e kaluara, kërcimi nga ura që mbrohet nga UNESCO, është bërë me organizim të klubit të kërcyesve në ujë “Mostari”, raporton Dnevni Avaz.

“Kur të bëhet kërcimi, në një mënyrë të gjithë kanë nevojë për duartrokitje. Në klub mendojmë se kjo është më e pakta e në të njëjtën kohë më e shumta që mund të bëjmë për të shënuar këtë datë të trishtuar, datën e gjenocidit në Srebrenicë, me porosinë që askujt dhe askund të mos i përsëritet një tmerr i tillë”, ka thënë Sasha Oruçeviq, zëdhënës i klubit.

Sipas tij, bota nuk ka mësuar leksionin nga ajo që ndodhi në Srebrenicë.

Kërcimin e ka bërë Igor Kaziq, kërcyes i njohur nga Mostari.

“Dikush shkon në marsh të paqes, ndërsa unë këtë ditë e shënoi në këtë mënyrë. Me kërcim në ujë shpërndaj mesazhin se gjenocidi në Srebrenicë asnjëherë mos të harrohet”, ka thënë ai.

Gjenocidin ndaj boshnjakëve e kanë kryer forcat serbe. Të shtunën në gjithë Bosnjën, por edhe në vende tjera është shënuar përvjetori i gjenocidit në Srebrenicë.

Janë deklaruar me këtë rast edhe drejtues institucionesh në Kosovë.

Me peticion online kërkohet “Drejtësi për Kujtimin”

Aktivistë të shoqërisë civile kanë zhvilluar një aksion simbolik përpara Këshillit Prokurorial të Kosovës në Prishtinë në një vjetorin e vrasjes dhe përdhunimit të Kujtim Veselit, djalit 11 vjeçar nga Fushë Kosova.

Këta aktivistë gjithashtu kanë bërë lansimin e peticionit: Drejtësi për Kujtimin!

Në njoftimin për media thuhet se dështimi i parandalimit të këtij krimi është shkelje të të drejtave të njeriut dhe shpërfaqë qasjen raciste e diskriminuese të institucioneve të Kosovës.

Ata kanë bërë të ditur se do të lansojnë peticionin online me tri kërkesa:

Nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit: kërkim falje publike ndaj familjes së Kujtim Veselit për shkeljen e të drejtës së tij në jetë dhe neglizhimin e rastit.

Nga Kryeprokurori i Shtetit dhe Prokuroria e Shtetit: inicimi i hetimeve të pavarura penale të prokurorëve dhe zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin, si dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për moskryerjen e detyrës zyrtare dhe shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve të Republikës së Kosovës.

Nga Qeveria e Kosovës: kompensim për shkelje të të drejtave të njeriut për familjen e Kujtim Veselit.

Tutje bëhet e ditur se peticioni do të jetë online dhe do të jetë i hapur për nënshkrim për të gjithë nga data 11 korrik deri më 11 gusht 2020. Koha.net / KultPlus.com

Shqipëtar

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Shqipërin’ e mori turku,
i vu zjarr!
Shqipëtar, mos rri, po duku,
shqipëtar!

Mjaft punove për të tjerë,
o fatkeq!
Kujto vendin tek ke lerë
dhe tek heq.

Të ka bërë perëndia
luftëtar,
si s’të lodhi robëria,
shqipëtar!

Erdhi dita të ngresh kokë,
të kërkosh
lirinë, bashkë me shokë
të lëftosh!

Mos bëni si keni bërë
gjer më dje,
por të lëftoni të tërë
për Atdhè.

Pesëqind vjet kemi rruar
me pahir,
Lidhurë me këmn’ e duar
me zinxhir!…

Myslyman’ e të krishterë
jemi keq!
Të ngrihemi që të tërë,
djem e pleq!

Sot 90-vjetori i vdekjes së Andon Zako Çajupit

Sot bëhen plotë 90 vite që nga vdekja e Andon Zako Çajupit, shkruan KultPlus.

Ai lindi më 27 mars të vitit 1866 ndërsa vdiq më 11 korrik të vitit 1930. Andon Zako Çajupi ishte poet, dramaturg dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.

U lind Sheper të Zagorisë, i biri i Harito Zakos, një tregtari duhani me tregje në zgjerim e sipër deri në Itali. Mori mësimet fillore në Nivan të Zagorisë, në shkollën greke të atjeshme.

Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vite tek Sainte Catherine des Lazaristes. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avoketër të huaj, që i dhanë bindjen të vazhdonte studimet për jurisprudencë në Zvicër,[1] ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vite në këtë disiplinë. Atje takoi bashkëshorten e tij Eugjeninë, me të cilën pati një djalë, Stefanin.



Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, ku kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu./ KultPlus.com

Bjeshkët e Kukësit, vendi ku takohet historia, kultura dhe folklori i shqiptarëve në shekuj (FOTO)

 Kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici u bën thirrje të gjithë kuksianëve që banojnë jo vetëm në Kukës, por dhe në zona të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë, t’u bashkohen aktiviteteve të organizuar nga bashkia me rastin e shpalljes së ditës së sezonit turistik të bjeshkëve.

“Eja n’shpinë tënde. Zoti e bekoi si një të tërë, historia bëri të vetën. Por sot qyteti ynë shihet si një i vetëm. E shijojmë më mirë, i shërbejmë më mirë dhe e trashëgojmë më të mirë në breza”, tha Gjici.

“Historia të tregon shumë, kulinaria të josh pamasë. Duke përshkruar këto rrugë e këto vende do të gjesh historinë, kulturën, folklorin e shqiptarëve në shekuj”, shprehet ai.

Këshilli bashkiak Kukës do të shpalli 11 korrikun si ditën e turizmit të bjeshkës. Në kuadër të kësaj dite bashkia do të organizoi një ceremoni festive në bjeshkë.

Bjeshkët e Kukësit janë nga më të rrallat në Shqipëri, pjesa e malësisë që bashkohet me malin e Korabit.

Kukësi me bukuritë natyrore që e rrethojnë dhe monumentet e kulturës është kthyer në një destinacion turistik si në dimër edhe në verë. Të shumtë janë turistët vendas e të huaj, të apasionuar pas ngjitjeve në mal, që kanë shijuar vitet e fundit bukuritë e bjeshkëve. Një ndër destinacionet më kryesore për këtë 9-mujor është parku natyror Korab-Koritnik.

Një mrekulli pak e njohur është edhe shpella e Jezinës, e ndodhur në afërsi të fshatit Bele-Kukës. Të frekuentuara janë edhe pikat turistike, si Sasati, Kroi i Kuq, Kroi i Bardhë që kanë nisur të vizitohen jo vetëm gjatë verës, por edhe gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit. /atsh/ KultPlus.com

Ablatio Retinae

Shkruan: Sinan Gashi 

Tregim

Pasi e shikoi me dy sy të vegjël zhbirues, sikur donte të kuptonte për gjithçka që mban fshehtësi shpirti i njeriut, i tha të ulët në një karrige të vjetërsuar nga përdorimi i shpeshtë, dhe ta vinte kokën mbi një bazë të metaltë, duke përqendruar shikimin te një sy i zi artificial. Me duart e hajthme dhe tërë deje afroi kokën e pacientit sa më të pushueshme  dhe u afrua aq afër sa ndihej era e rëndë e nikotinës shumëvjeçare së bashku me aromën e njeriut te plakur por pedant.  

-Shiko këndej-, tha nervoz, këndej thashë! Lart, anash, poshtë, drejtë… Sërish u largua dhe ndezi një dritë të vockël pranë aparatit. Shikimin sërish e nguliti te fytyra e njeriut të mbushur dhe pak të hutuar, sikur nuk ishte së bashku në një kabinë dhe sikur nuk kishte interes për t’u mjekuar. Doktori bëri edhe një lëvizje prapa. Karrigia me rrotëza e largoi më shumë seç mendoi dhe, kur shikimi i hasi në një pako cigareje, e ndezi rrëmbimthi dhe e thithi thellë. 

-Po, ç’është me ty, or burrë? Përvoja ime e ka përcaktuar shpejt diagnozën dhe fare pak duhej hamendur për përcaktim shërimi. E ti, ti… s’di! Plus ke ardhur edhe nga larg, ke kaluar me vështirësi kufirin për t’u shëruar, thua se s’ka mjek atje… 

Pasi bëri dhe dy-tri lëvizje dore në ajër së bashku me cigaren, duke formuar rrathë formash të ndryshme në hapësirën e dhomës, sikur rrethonte mendimet e tij, sqaroi me një shprehje të dyshimtë. 

– Kjo s’është sëmundje, kupton. Syri me dioptri është rezultat i punës së ngarkuar tej mase në profesion, por kjo tashti s’ka të bëj me të. Këputja e retinës bëhet me dhunë… Është mirë ta rrëfeni vetë që të më lehtësohet sado pak, se… 

(…e kishte dorën të rëndë i paudhi. Kishte të rame armiku, që synim ka sakatosjen shkatërrimin… Ai kishte qëndruar me kokë poshtë kur të tjerët silleshin si lukuni hienash rreth e rreth, me të rame e të shame.  Kishte vjedhur me bisht syri pikat nevralgjike ekzistenciale të njeriut, të jetës. Maja e këpucës kishte qëlluar fikse në testiset dhe dritat e syve. Trashëgimi dhe shikimi. Ardhmëria dhe  vazhdimësia. Kishte përjetuar pastaj një temperaturë jo të zakontë në tërë trupin. Kishte dëgjuar  cingërimën e trishtueshme e xhamit të syzeve nëpër dysheme, e më pas disa minutash kishte parë çantën e gërvishtur gjysmë të hapur dhe fletët e shpërndara në një qoshe të korridorit të gjatë…) 

Heshtja e tij nuk e nervozoi doktor Sulon. Ishte mësuar me lloj-lloj tipa pacientësh, disa që kërkonin kohë pushimi, disa të tjerë që fshihnin imtësitë sikur u vite turp, disa që nuk flisnin fare e disa, madje, që fillonin vetërrëfimin hiq pa i pyetur ai. Por, kësaj radhe, kishte qëndrim krejt tjetër. Kujdesin e shtonte nga largësia e pacienti dhe madje që vinte nga një vend i okupuar dhe, pse jo, që ishte edhe punëtor arsimi… Një parandjenjë të keqe e kishte për rastet e dhunës atje. Hiq pa lexuar gazetat, pacientët e shumtë kohëve të fundit rrëfenin për gjithçka të rëndë dhe makabre për atje.  

-Mund edhe të mos tregosh asgjë-, tha ngadalë sikur foli me vete. Ndoshta fatkeqësi komunikacioni ishte, ndoshta rrëzim nga diku ishte, ndoshta dhunë ishte. Si të duash…, – përsëriti edhe njëherë. Operacioni  duhet bërë, e sa për suksesin…- dhe në vend të përfundimit të mendimit, rrudhi krahët. Ishte operacion i rëndë, delikat, dihej. 

(…gjaku i pleksur ia kishte mbyllur kapakun e syrit, por dhimbje nuk ndjeu, në mos kishte harruar gjithçka nga fjalët fyese dhe të rënat me mjetet të tjera. 

Ju kërkoni republikë, gërthiti në gjuhën e huaj një syskuqur. Dhe kërkoni ndihmë nga Amerika, piskati një tjetër që i bëhej se kishte synim edhe t’ia shurdhonte veshët përjetësisht.  Në do t’ju vrasim të gjithëve deri sa të vjen dikush në ndihmë, or të mjekër. Në kemi gjithçka në dorë, prej kërbaçit e deri te raketa, e ju s’keni asgjë. Bythëjashtë jeni, he nënën e keqe ta… Pastaj vini të përziera shtërzimet, fyerjet e rrahjet, maltretimet e ngërdheshjet sadiste. 

Si qenka njeriu!, iu përvodh për një çast një fije mendimi. Po u krijuaka një krenari edhe kur je i vetmuar, edhe kur je i pa forcë fizike… Vetimthi i rrëshqiti, mendimi të një fytyrë heroi që kishte lexuar a parë në film. Por vetë nuk kishte asgjë të heroit. Njeri i thjeshtë, madje tepër delikat, që tërë jetën s’e kishte provuar asnjë shuplakë, as nga prindi as nga shokët e fëmijërisë… Si qenka jeta! Edhe në këso rrethanash futka hundët ndonjë mendim që nuk e ka vendin këso radhe. Këtu ku qenka çerdhja e sharjeve, e grushtimeve, e ndrydhjeve, e… 

Humbës janë këta, i buroi dika një mendim në çastet e pakta kotësie. Kur unë, urtaku u dyzet vjetëve u prishkam punë, vërtetë e paskan fundin e përgjithmonshëm…) 

-Doktor Shkëlqimi dhe Elona, përcilleni në kabinën numër dhjetë. Sqarojeni se si duhet të mbaj qëndrimin dhe disiplinimin, tha dhe doli nga një derë interne që, më vonë e mësova, kalonte në sallën e operacionit.  

Doktor Shkëlqimi, me do syze të rrumbullakëta e shikoi me një fije dhimbe kosovarin e shqetësuar, kurse dr. Elona me bishtalecin e Vitës së letërsisë, gjeti diku një fije gazi e mirëkuptimi që e shprehu me shkëlqimin e syve të zezë. 

Këtu, thanë njëzëri, kur të keni nevojë, jemi në dhomën e tretë, këtu afër. Njëri nga ne edhe kujdestaron patjetër… 

Dhoma mbeti e zbrazët. U lëshua këputshëm mbi krevatin e vjetër dhe ofshani thellë… Sikur ta pija duhanin, mendoi, do lehtësohesha ndoshta. Athua duhani lindi si shoqërues i vetmisë apo ishte lojë mashtru4ase… 

(… a thua se ashtu do ndodh. Nuk do shoh më përreth askënd? Jo more, s’bëhet ashtu. E keqja s’vjen aq shpejt, qetësoi veten… Po librat duhet lënë rehat, ama. S’duhet lexuar më fjalët e bukura, artistike, që ishin ushqim, ishin kënaqësi, ishin pushim, ishin lehtësi jete në këso rrethanash… Jo, more, jo! – sërish arsyetoi veten. Mjaft ke parë në jetë. Tashti të duhen disa gjëra të mëdha, shikimi i të cilave është domosdoshmëri sa për të mos qenë ngarkesë për të tjetër, për djalin, vajzën, gruan, rrethin më të gjerë. Po, puna po mbetej përgjysmë, se!… 

Posa kishte vënë emër prej njohësi profesional, posa kishte projektuar ide të reja profesionale propagandistike, ngase kishte mësuar diçka nga ajo formë e punës në terren. Kishte krijuar një rreth të njohurish nga fshati në fshat, dhe madje ndjente kënaqësi kur shoqëronte shqetësimet e tyre të shumta… Epo, jeta…, fshehtësitë që paska!!! U shtri tashti në kurriz dhe mbylli sytë përdhunshëm. Në fakt mbylli vetëm njërin sy, nga ata që ndjente lodhje dhe skuqje. Ashtu mendoi të merrte një sy gjumë, por hajde shkoqi mendimet, se.  Ato përvidhen dhe në mënyrën më të padukshme për të hyrë ku kanë synimin dhe po ashtu pa u hetuar fare, ikin pastaj dhe strehohen kudikush … Po, sikur edhe ky syri tjetër të dobësohet?… Me sy s’paska, ë! Por nuk kanë thënë  kot se sytë janë jeta vetë, madje edhe pasqyrim i brendësisë së shpirtit njerëzor. Shikimi është simbolika e ardhmërisë. Mu për këtë syve u janë kënduar shumë këngë, u janë thurur shumë vargje. Sytë janë bota e brendshme e njeriut. Ata shprehin edhe gëzimin, edhe hidhërimin, shqetësimin, lodhjen, urrejtjen, lakminë, injorimin, përbuzjen e çka jo tjetër të njeriut… 

Po, fundja, ky ishte një borxh i vogël, apo një sakrificë simbolike që duhej bërë për rrugën e re që është trasuar… 

Sërish mendime të shkëputa gjithfarë llojesh, të turbullta e herë të ngatërruara më pas, deri sa gradualisht u shkrinë në një gjumë lodhës nga rruga tërë natën.) 

-Zotëri!- u dyshua zëri i butë i infermiere Evës. Më falni, por doktor Gjergji lajmëroi se salla është gati. Operacioni bëhet në ora dhjetë. Më falni, tha edhe njëherë dhe butësisht tërhoqi derën pas. Ora e qytetin tregoi nëntën.  

Duhet provuar edhe njëherë shpresën e fundit. / KultPlus.com