Kolona e përsosur zanore për kohën kur filmi na mungon

Nga: Ann Hornaday

Nëntë nota. Duhen veç nëntë nota të vogla për të më përlotur pavarësisht se ku jam kur i dëgjoj ato. Masat melankolike e lirike në hyrje të këngës për filmin e vitit 1988 “Cinema Paradiso” janë bërë një prej motiveve më të njohura në historinë e muzikës së filmit, që çastshëm përfton nostalgji, romancë, gjakim, pafajësi të humbur. Nga nëntë nota të thjeshta, një shkulm emocionesh të forta e të përziera.

Kënga për “Cinema Paradiso” është kompozuar nga Ennio Morricone, që vdiq të hënën në moshën 91-vjeçare. Dhe kjo nuk ishte madje as vepra e tij më e njohur. Në shtjellën e një karriere të arrirë, Morricone shkroi temën “Man With No Name” për “The Good, the Bad and the Ugly”, shoqërimin mjeshtëror orkestral e koral për “The Mission” dhe të përjetshmen sonike për “Days of Heaven”. Siç kishte shkruar në një përkujtim Adam Bernstein, Morricone “ishte i pamundur të kategorizohej. Portofolio i tij dukej se përfshinte çdo zhanër të kohës: komedinë, dramën, romancën, horrorin, satirën politike dhe epikën historike”.

Bernstein gjithashtu vuri re se Morricone “e shihte vetveten si partner i plotë në rrëfimin e tregimeve në ekran”. Dhe kjo e bënte atë të rrallë, jo vetëm si kompozitor, por aso – muzika e të cilit ishte aq e madhe, sa të krenoheshe me të përkrah aktorëve me emër dhe imazheve vizuale. Pyesni kompozitorët e filmave për punën e tyre dhe shumica do të thonë diçka diplomatike dhe modeste për praninë e tyre për të mbështetur vizionin e regjisorit; shumë do të shtojnë që, nëse jeni duke e vënë re vetëm muzikën, atëherë kjo nënkupton se kanë dështuar. Më e mira kolonë e filmit, thonë ata, është ajo që nuk tretet në prapavijë, por që as nuk qëndron asisoj sa për t’u dalluar prej botës estetike dhe ndjenjore të filmit, transmeton KOHA.

Audienca mund ta ndiejë kur drejtpeshimi është trandur – kur një vijë zanore tepër e theksuar tërheq më shumë vëmendje në vetvete sesa njerëzit në ekran apo kur na shtyn të qajmë e qeshim në çastin e duhur.

Morricone rrallë ka hedhur një hap të gabuar në kalibrimin e dendësisë, vëllimit, vijës rrëfimtare dhe thellësisë së ndjenjës për të sjellë në filma. Dhe, shpesh, ai sillte goxha shumë, duke krijuar aso kompozime që mund të ngrenë lart edhe më të butin spaghetti western apo film horror. “Orca” mund të jetë një film i harruar mbi një balenë të pamëshirshme vrastare, por tema e bukur e Morricones përkapi hidhërimin dhe zemrën e thyer që ysht kafshën në orvatje për t’u hakmarrë. /Koha.net /KultPlus.com

Zbulohet nekrologjia e shkruar nga Ennio Morricone: Unë kam vdekur, po iki pa iu shqetësuar

Kompozitori me famë botërore, Ennio Morricone është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare. Vetë Ennio Morricone ka lënë një letër emocionuese, ku vendosi të njoftojë me fjalët e tij ndarjen nga jeta.

Nekrologjia e shkruar me dorën e Ennio Morricones është publikuar nga “Che tempo che fa”, e moderatorit italian Fabio Fazio, ku kompozitori legjendarë në pak fjali përmend emrat e njerëzve të jetës së tij.

“Unë, Ennio Morricone kam vdekur. Ua njoftoj kështu të gjithë miqve që kanë qenë gjithmonë pranë meje dhe gjithashtu atyre që janë pak larg, që i përshëndes me shumë dashuri. Është e pamundur t’i përmend të gjithë. Por një kujtim i veçantë është për Peppuccio-n dhe Roberta-n, miq të dashur shumë të pranishëm në vitet e fundit të jetës sonë.

Ekziston vetëm një arsye që më shtyn t’i përshëndes të gjithë kështu dhe të mbahet një funeral privat: Nuk dua t’ju shqetësoj.

Përshëndes ngrohtësisht Ines, Laura, Sara, Enzo dhe Norbert, sepse kanë ndarë një pjesë të madhe të jetës sime me mua dhe familjen time. Dua të kujtoj motrat e mia Adriana, Maria, Franca dhe partnerët e tyre me dashuri dhe t’u them se i kam dashur shumë.

Një përshëndetje e fortë dhe e thellë për fëmijët e mi Marco, Alessandra, Andrea, Giovanni, nusen e djalit, Monica dhe nipërit e mbesat e mia Francesca, Valentina, Francesco dhe Luca.

Shpresoj që ata ta kuptojnë se sa shumë i kam dashur. E fundit, por jo më pak e rëndësishme (Maria). Për të ripërtërij dashurinë e jashtëzakonshme që na ka mbajtur bashkë dhe që më vjen keq ta braktis. Për ty lamtumirën më të dhimbshme”.

– Fjalët e Ennio Morricone për nekrologun janë shkruar me dorën e tij.

Enio Moricone1
Enio morricone nekrologjia

Vdes Ennio Morricone, legjenda muzikore e filmave

Legjenda italiane e muzikës së filmave, njëkohësisht kompozitori i famshëm, Ennio Morricone vdiq dje në një klinikë romane për shkak të pasojave pas një rrëzimi.

Muzikanti dhe kompozitori i shkëlqyeshëm, autor i tingujve më të bukur të kinemasë italiane dhe botërore nga ”For a Fistful Dollars”, ”Mission”, ”Once Upon a Time in America”, ”Cinema Paradiso” dhe deri te ”Malena”, ishte 93 vjeç.

Morricone ka qenë edhe fitues i çmimit ”Oscar”.

Disa ditë më parë, pas një rrëzimi, ai kishte thyer femurin. / KultPlus.com