Në vitrinat e bibliotekave tona dhe librarive në Kosovë, tashmë mund të gjeni romanin më të ri të shkrimtares, Kaltrina Maloku.
Ajo kësaj radhe vjen me romanin “Luella”, në të cilin trajtohet një romancë dashurie me personazh kryesor Luelllën, një vajzë të re, e cila përballet me vështirësitë e karrierës që e shoqërojnë rininë në vendin tonë dhe është vetëm rastësia ajo që i jep mundësinë personazhit kryesor që të shpreh talentin e saj. E liruar nga komplekset dhe paragjykimet e shoqërisë, karakteri i Luellës lufton si për dashurinë, ashtu edhe për punën me forcën e saj, duke u përballuar vazhdimisht me këto dukuri të theksuara në vendin tonë.
Romani është botuar gjatë këtij muaji nga shtëpia botuese “Lena Graphic”, me redaktor Berat Armagedoni.
Ndërkaq, botimi i këtij romani është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa lexuesit mund ta gjejnë këtë roman në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë.
Ndryshe, shkrimtarja Kaltrina Maloku, deri më tani ka botuar romanin “Heshtja e kohës”, “Britmat e shpirtit” dhe librin me poezi për fëmijë “Ma fal buzëqeshjen”. /KultPlus.com
Në Maqedoninë e Veriut janë zhvilluar protesta nga pakënaqësia e qytetarëve kundër korrupcionit dhe mungesës së perspektivës për një të ardhme më të mirë shkruan KultPlus.
Artisti i ri Gent Çajani shprehet për KultPlus se ata protestojnë kundër korrupcionit dhe ëndrrave të vjedhura.
“Unë jam një artist i ri nga Maqedonia e Veriut. Sot protestojmë për herë të 100-të kundër korrupsionit. Goja jonë mbyllet çdo ditë. Ne as nuk mund të marrim frymë, nga ushqimi i vjedhur, nga ëndrrat e vjedhura. Edhe shpirti ynë është vjedhur. Ne jemi njerëz dhe meritojmë të jetojmë të lirë. Çdo ditë rinia jonë emigron jashtë vendit për një të ardhme më të mirë. E megjithatë nuk mund të ndryshojmë asgjë për shkak të vullnetit të lirë që na është hequr. Nuk mund të pres edhe 100 vite tjera që të dëgjohet zëri ynë. Ne kemi nevojë për lirinë tonë, ne duhet të luftojmë për të drejtat tona, ëndrrat tona, të ardhmen tonë. Prandaj ju lutem përqendrohuni në atë që na ka mbetur dhe në atë që është më mira për ne. Ne kemi ende njëri-tjetrin. Evropë na çliro. “Të jesh apo të mos jesh Kjo është çështja”, shprehet ai për KultPlus. /KultPlus.com
Kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi sot për përkeqësimin e situatës humanitare në të gjithë botën, duke vlerësuar se pandemia e koronavirusit të ri dhe ngrohja globale ka të ngjarë të çojnë në urgjenca të mëtejshme.
”Ne duhet të supozojmë se pandemia dhe ndryshimi i klimës do të ndryshojnë situatën për shumë njerëz në mbarë botën”, shtoi ajo në videomesazhin e saj të përjavshëm.
”Si shtet, është e rëndësishme të mobilizoni sa më shpejt ndihmën humanitare”, vazhdoi kreu i qeverisë gjermane, raporton ATSh.
Si shembuj, Merkel emëroi operacionet nga “Bundeswehr” dhe veprimtarinë e Agjencisë Federale për Ndihmë Teknike (THW) në Liban, pas shpërthimit në portit e Bejrutit.
Gjithashtu, duke përmendur Ditën Botërore të Ndihmës Humanitare, më 19 gusht, kancelarja gjermane theksoi edhe rëndësinë e mbrojtjes së punonjësve të ndihmës. /KultPlus.com
German Chancellor Angela Merkel addresses a press conference at the Chancellery in Berlin on April 30, 2020 after holding a telephone conference with the leaders of the Federal states on the restrictions during the novel coronavirus COVID-19 pandemic. (Photo by Kay Nietfeld / POOL / AFP) (Photo by KAY NIETFELD/POOL/AFP via Getty Images)
Humbja e dendësisë dhe shkëlqimit të flokëve, përtueshëm po shpresëplot, më çoi në derën e dermatologut, Sami Lahu. Ai mbante ordinancën private “Floku”. Duhej zbritur pesë shkallë betoni në bodrumin me erë e lagështirë myku, të ndërtesës pesëkatëshe në lagjen Ulpiana A/12, për ta takuar mjekun trupgjerë dhe buzagaz.
Punë e gjenit, më tha ai shkurt me autoritet doktori, sa ia tregova brengën.
Pse, pyeta i hutuar dhe sytë më mbeten në fotografinë në mur, ku ishte vetë ai me flokë të dendura, në një rrugë të zakonshme me blinj të Prishtinës.
Tashti koka rrumbullake pa flokë i rrezatonte si një top plastike.
Mos e shiko murin po mua, më qortoi.
Pasi lavdëroi kurajon që më solli aty, zgjati shpjegimin: Çrregullim i melaninës, pigmenti që rregullon ngjyrën e flokëve, të lëkurës dhe syve. Ky është problem yt.
Mjekut sikur iu kujtua ndërkohë tjetra dhe me zë ende më atribues vazhdoi: Gjeni është përgjegjës për ngjyrën. Por, thinjat mund të vijnë edhe nga stresi, faktorët mjedisorë, ndotësit e ajrit. A duhet të tregoj se në çfarë qyteti të ndotur jetojmë. E mira është se ato janë flokë, qoftë të thinjura apo të zeza.
Interpretime boshe mjekësh, mendova rrugës së kthimit për në banesë.
Konsultimet nuk më liruan nga ankthi që më shtohej, sa shikohesha në pasqyrë.
Bojatisja e flokëve me të zezë mund të të shpëtoj, i dhashë kurajo vetes.
Brenga e keqkuptimit për ngjyrosjen e flokëve më detyroi në orar pune, në zyrë, të hulumtoja si shihej kjo në kryet e një burri. Fjalia këshillëdhënëse m’u shndërrua në fiksion:“Ngjyrosja lejohet sikur për gratë, po ashtu, edhe për burrat, sa do që, në të dy rastet, është mashtrim i këndshëm”. Thënë të vërtetën, lehtë vendosa për ngjyrën e zezë, pasi me të personifikohej forca dhe besimi.
Ndërmjet markave, L Oreal dhe Schwarzkopf , zgjodha të parën, paraprirë nga hulumtimi i kujdesshëm pesëditorë në internet. Nisa me lyemjen e fokëve me ngjyrë të zezë. Imazhi im ndryshoi. Kisha përshtypjen se ata që më njihnin me flokët e thinjura miratonin veprimin tim, si një akt shpëtues, i një të ngurosuri që e kishte gjetur më në fund kokën e tij reale.
Shikohesha në pasqyrë dhe thosha: Ja kjo është më në fund ajo që më duhet. Lin, më në fund, gjete rehatinë.
Pas tre muaj qetësie, e gjitha u thye si gotë qelqi. U mbylla në zyrë i dëshpëruar dhe i turpëruar, pasi dëgjova si pëshpërisnin prapa me ironi, kush jo, sa hyra në mëngjes në holin e Ministrisë së Drejtësisë: Erdhi Boja, erdhi ky Cool-i.
Nuk mund koncentrohesha. Doja të mos dilja fare jashtë, të mos shihja askënd brenda në zyrë.
Mes pendimit dhe trishtimit, thirra asistenten Arta dhe i tregova për gjendjen që më kishin shkaktuar fjalët poshtëruese të kolegeve të punës pas shpine.
Ke dëgjuar më herët të më thërrasin me nofka tallëse, pyeta duke e shikuar drejt ne sy.
Po, tha asistentja serbez, kaherë, por mos u merakos, nuk tallen, por argëtohen. Ne të rinjtë, nuk jemi tradicionalë, sikur ju të moshuarit, shtoi.
Është edhe kjo që thua një lloj poshtërimi, mendova.
Shih ti, mentalitet tjetër, u inatosa pse më foli aq shkurt e trup.
Nuk e them se kam të drejtë, por, nuk e kanë me sherr, më qetësoi, Arta. Desha të them, janë imunë nga paragjykimet e rrezikshme.
Nuk e kuptova, çfarë deshi të thotë me paragjykime të rrezikshme, por nuk e ngava.
Ajo nguli shikimin në kokën time apokaliptike.
Nuk jam këtu për askend, i thashë kur hapi derën të largohej.
Mendjen e kisha te ngjyra e zezë e flokëve dhe në leximin fshehur, të udhëzimeve në revistën Shneta: Si të lani bojën e zezë.
Me mijëra shqiptarë po përballen me radhë kilometrike prej ditësh në pikën doganore të Kakavijës, teksa sot po e njëjta situatë po ndodh edhe në Kapshticë.
Kjo situatë kaotike mori përmasat e tragjedisë, ku ditën e sotme një autoambulancëë ka përplasur për vdekje një fëmijë 10 vjeçar.
Lidhur me këtë situatë ka reauar dhe gazetari i njohur Marin Mema i cili shkruan se kështu ndodh kur toleron, pranon, ul kokën, kur ke frikë të japësh përgjigje, kur shitesh e blihesh, kur nuk vendos reciprocitet, por pranon gjithçka.
“Rasti më i fundit në Kakavijë është treguesi më i dhimbshëm i një realiteti të prodhuar nga politika shqiptare sot e 30 vjet në raport me fqinjët ! Kjo është e vërteta për të cilën politika jonë nuk flet kurrë, por është e gatshme ti nënshtrohet pa asnjë kusht”, shkruan Mema në Facebook.
Reagimi i plotë
Kështu ndodh kur toleron, pranon, ul kokën, kur ke frikë të japësh përgjigje, kur shitesh e blihesh, kur nuk vendos reciprocitet, por pranon gjithçka… Kur nuk ndërton një shtet të fortë, me dinjitet e krenari. Një shtet që nuk druhet të mbrojë njerëzit e tij, një shtet që di të përgjigjet, të reagojë, madje edhe të kërcasë dhëmbët. Rasti më i fundit në Kakavijë është treguesi më i dhimbshëm i një realiteti të prodhuar nga politika shqiptare sot e 30 vjet në raport me fqinjët ! Kjo është e vërteta për të cilën politika jonë nuk flet kurrë, por është e gatshme ti nënshtrohet pa asnjë kusht. /KultPlus.com
“Dasma shkodrane” e shkëlqimta gjurmë qytetarie dhe solemniteti e Kolë Idromenos për Shkodrën e sharmit dhe klasit
“Dasma shkodrane” 1924, vaj mbi kanavacë, 94,5×133,5 cm
“Dasma shkodrane” është jo vetëm një emblemë e galerisë së piktorit, Kolë Idromeno, kjo tablo është ajo puhizë e tamëlt e këndimit të vlerave përfaqësuese të Shkodrës. Përmes kësaj tabloje Idromeno piktor, por po kaq i famshëm edhe si fotograf, skenograf, arkitekt, skulptor dhe muzikant, i gjithëshkëlqyeshmi i spovave arriti të përcjellë përmes kësaj pikture një etapë sa gazmimi aq dhe përfaqësimi të kryeqendrës shqiptare, në ç’farë më vezullimshmëm se sa në atë të dasmës, këtij solemniteti, të cilit ju dha gjithë ajo madhështi, gjithë ai ceremonialitet, gjithë ai sharm dhe finesë që Shkodra e mëkoi ndër qindravjeçarë për ta trashëguar në vitet që do të vinin si një kreshtë e lartë e qytetërimit. Për veprën e artit antropologjisti amerikan Clifford James Geertz (1926-2006) shkruan se është një mekanizëm i zhvilluar për të përcaktuar marrëdhëniet shoqërore, për të mbështetur rregullat dhe për të forcuar vlerat shoqërore. Sipas tij, kur studiojmë një formë të artit, ne eksplorojmë një ndjeshmëri, e cila në thelb është një formacion kolektiv, pasi themelet e një formacioni të tillë janë aq të gjëra e aq të thella sa është qënësia shoqërore. Ndjeshmërinë jo vetëm të piktorit, po të një bashkësie të tërë ne mund ta eksplorojmë duke admiruar tablonë ‘Dasma shkodrane’. Nga ajo tablo mësojmë si vepronin rregullat në bashkësinë katolike të qytetit të Shkodrës, marrëdhëniet ekonomike e shoqërore midis fiseve, familjeve, gjinive, shtresave të popullsisë së asaj kohe. Sot ne nuk shohim në tablo atë që shihnin bashkëkohësit e Idromenos, as atë që vetë Idromeno paraqiste në tablonë e tij. Kur admironin një ceremoni dasme, e cila ishte e lidhur me mënyrën e tyre të jetesës, me marrëdhëniet gjinore, me formën e komunikimit midis fiseve, me qëndrimin ndaj vajzës, ndaj djalit, ndaj familjes, ndaj veshjes, emocionet e asaj kohe ishin të ndryshme nga ato që provojmë ne sot. /KultPlus.com
Sot mbushen tetë vjet nga vdekja e ish-kryetarit të PDSH-së në Maqedoni, Arbën Xhaferi.
Arbën Xhaferi mbetet ndër figurat kryesore të historisë së shqiptarëve.
Sot, KultPlus ju sjell një thënie të cilën Ish Presidenti italian, Giorgio Napolitano gjatë kohës sa ishte në pozitën e presidentit, e kishte thënë për Rugovën dhe Xhaferin.
“Nëse Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi, do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një popullit shumë të vogël…”, ishte shprehur Napolitano. / KultPlus.com
Ilir Seferi, mërgimari nga Sëknderaji, ka vendosur statujën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit mbi çatinë e një ndërtese në qytetin e Skënderajt.
Seferi edhe pse me gjasë ka pasur tendeca për një gjest patriotik, ka marrur kritika negative, pasiqë në rrjete sociale ky akt nga disa po konsiderohet si një fyerje për heroin kombëtar. / KultPlus.com
Stavileci shte një nga profesorët më të nderuar të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës si dhe një nga akademikët më të respektuar në Kosovë dhe trojet shqiptare.
Ndër thëniet e tij sot veçojmë atë kur është pyetur se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova: Më kanë pyetur se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova?
Jam përgjigjur shkurt: Shqipëria dhe Kosova kanë të përbashkët paaftësinë: në Shqipëri “për ta mbajtur shtetin”; në Kosovë “për ta bërë shtetin”. Kam tërhequr vërejtjen se “shteti nuk është mall që shitet në treg”./ KultPlus.com
Shtëpia Botuese “Lito” që është njëra ndër shtëpitë më të njohura botuese në Rusi me seli në Shën Petersburg, qyteti i dytë më i madh në këtë vend, e që njihet edhe si kryeqyteti kulturor i Rusisë, këto ditë ka botuar një koleksion me poezi të zgjedhura të poetit kosovar Lulzim Tafa.
Libri është prezantuar në muajin korrik përpara lexuese të gjuhës ruse dhe përmban 75 poezi.
Redaktori i librit Dr. Vladimir Aleksandroviq parathënien e librit e nis me një thënie të Çehovit:”Shkruaj sa më shpejt që të jetë e mundur.”
Aleksandroviq, shkruan më tutje: “Ne po e sjellim këtë poet të njohur për ta bërë pjesë të librave tanë, po ia bashkangjesim këtë libër, librave të tjerë të përkthyera nga gjuhët e huaja në gjuhën tonë. Tafa është një poet interesant që vjen nga një vend dhe letërsi e vogël, por si poet është shumë i njohur dhe i vlerësuar në Evropë dhe më gjerë. Ai është një poet që lexuesit e duan dhe e kërkojnë. Ai lexon poezinë tonë në origjinal dhe di shumë poezi përmendesh, ai i reciton poezitë në gjuhën ruse të Jeseninit, Pushkinit dhe të shkrimtarëve të tjerë tanë të njohur. Nga komunikimi që kam pasë me të jam i mahnitur me njohuritë që ka për poezinë ruse ndonëse është jurist dhe nuk ka studiuar për letërsi”, thekson Aleksandroviq.
Duke analizuar poezinë e Lulzim Tafës, studiuesi rus shkruan: “Vargjet e Lulzim Tafës janë të thjeshta por tepër goditëse, ai është i përgatitur mirë me gjuhën dhe kombinimet stilistike, si fjalë për fjalë, ashtu edhe simbolikisht. Ai nuk përpiqet për ndonjë “stil të paparë”, apo eksperimentues të shkrimit të tij, por siç do të thoshte Tolstoi: “Ai e do vetëm atë që është e mundur dhe e disponueshme.””
“Ne e mirëpresim dhe mbështesim këtë libër me dëshirën që ky autor gjithnjë e më i dukshëm të hapet dhe njihet sa më shumë para publikut në arenën ndërkombëtare dhe të themi gjithçka që ka qenë obsesioni i tij krijues dhe i jetës së tij në vitet e fundit e deri sot, entuziazmi i tij intim-rrëfimtar dhe dëshira e tij për të bërë jetën tonë të qetë, të lumtur dhe humane. Jam i kënaqur që të gjithë ata që do ta mbajnë këtë libër në duart e tyre do të rikthejnë një reputacion disi të lëkundur në poezinë bashkëkohore, e cila sot fatkeqsisht rrëshqet nga abstraksioni, konkludimet e çuditshme dhe “mendimet” që janë të paarritshme për t’ i kuptuar “njeriu i vogël e i zakonshëm”, i cili e do poezinë dhe jetën, sepse “Poezia na mbajti” e thotë edhe vet poeti Tafa, dhe kjo është arsyeja pse unë e falënderoj, ka shkruar ndër të tjera në një parathënje të gjatë të librit studiuesi Vladimir Aleksandroviq.
Gjithashtu gjatë muajit shtator në Qendrën Kulturore të Shën Petersburgut është paraparë edhe një diskutim me lexuesit e poezisë për këtë libër. / KultPlus.com
Kolë Idromeno, autori i Xhokondës shqiptare, “Motra Tone”, lindi në Shkodër, më 15 gusht 1860.
Duke përkujtuar këtë figurë mjaft interesante i cili la gjurmë në artin shqiptare, Kryeministri Rama, në rrjetin social Facebook, shprehet se, “Idromeno ishte sa piktor, po aq fotograf, sa skenograf po aq skulptor, sa arkitekt po aq edhe zotërues i artit epistolar dhe partiturave muzikore. Ishte geg nga Saraçët e t’amblit, po aq sa arvanit nga Idromenot e lisit. Amalgamë e hatashme e Shqipërisë bizantine dhe asaj romane, përkatësinë e dyfishtë ndaj dy universeve të një gjaku, e kishte të skalitur në emrin e tij të pagëzimit, Spiridhon, shenjti mirëbërës i Korfuzit, njësoj i veneruar, si nga ortodoksët po ashtu edhe nga katolikët”.
“Midis katedrales katolike të Korfuzit dhe rrugës që të çon në pallatin e vjetër të familjes stradiote Riki, aty ku janë mbledhur galeritë e piktorëve dhe antikuarëve, ndodhet edhe sot rruga Idromeno, dëshmi e gurrës së pandërprerë krijuese që rrodhi në dejet e kësaj familje arbëreshe, pargaliote dhe hidriote dhe që Korfuzit, krenarisë së Sinjorisë venedikase, i dha dhaskalë e klerikë të ndershëm”, vijon Rama.
“Gjithë kjo sintezë adriatiko-joniane ngjizi, bashkë me talentin e dhënë nga Zoti, Idromenon e “Motrës Tone” dhe mrekullive të tjera plastike që njohim apo ende jo sa duhet, por edhe Idromenon e orkestrës Daullja te Palok Kurtit, Idromenon e Dritëshkronjës me të njëjtin emër dhe Idromenon e eksperimentit të “theatrit elektrik”, belbëzim i kinemave të para’, thotë Rama në nder te figurës së tij”, tha Rama.
Rama bën të ditur se Muzeu Idromeno, do t’i shtohet Shkodrës si një destinacion kulturor, akademik e turistik.
“Figurë jashtëzakonisht tërheqëse dhe gur këndor në artet shqiptare, Kole Idromeno e ruan edhe sot e gjithë ditën misterin e tij që veç pret të zbulohet e të kundrohet në vijim, në ndërkohën që bashkë me Luçianon, drejtorin ekcentrik e pasionant të muzeut “Marubi”, shpëtimtar i mijëra filmave të aparatit fotografik të dinastisë së madhe shkodrane e europiane të Marubëve, po punojmë për Muzeun Idromeno, i cili do t’i shtohet Shkodrës si një destinacion kulturor, akademik e turistik”, u shpreh Rama në mbishkrimin e tij. / KultPlus.com
Ç’e do dijen? Kur e kujtoj Arbenin, e kujtoj qetësinë e tij, sensin fin të tij të humorit, imagjinatën e tij gjigande, sidomos dijen e tij, për të cilën karakterizohej. Në përvjetorin e tetë të vdekjes së Arben Xhaferit, në kujtesën time, takimet tona të përbashkëta kanë filluar të veniten, gradualisht. Me kalimin e viteve, koha u vë harresë takimeve, ndodhive, bisedave…
Kur jemi para problemeve kombëtare, e pyes veten: Si do ta kishte analizuar sitautën aktuale, Arbeni? Paraprakisht, do të kishte dëftuar një barcaletë, që ta shtendoste situatën. M’u kujtua një dëftim i Arbenit, në një takim me ndërkombëtarë në vitet e 90-ta; e kishte krahasur situatën e shqiptarëve me spermatozoidin e zi, nga një skenë e filmt të Woody Allen-it: “Everything you wanted to know about sex (but were afraid to ask)”. Shqiptarët në Jugoslavi, e kishte vazhduar krahasimin Arbeni, janë sikur ai spermatozoid i zi që shfaqet në mesin e spermatozoidëve të shumtë të bardhë, që po bëhen gati të dalin, ndërsa spermatozoidi i zi, thotë: What am I doing here?! (Po unë, ç’po kërkoj këtu)…
…Unë e ngisja veturën dhe qeshja me lotë, ndërsa Arbeni, që vazhdimisht dridhej, ende mundohej të qetësohej. Kur e gjeti pozitën e përshtatshme dhe të dridhurat iu qetësuan paksa, filloi të fliste me ngadalë. Arbeni ishte dëftues brilliant. E vazhdoi bisedën, telbin e së cilës ngjarje, si skaner e analizoi deri në palcë. U mrekullova me shpjegimin e tij. Sa mirë është të jesh i ditur, mendova. Sa mirë është të jesh i ditur, i thashë. Më shikoi gjatë, sepse fjalia që dëgjoi, i krijoi habi. Ktheu shikimin në anën e kundërt. Nuk foli fare.
Shikoi tej, përtej…. Pasi bëmë një copë rrugë, kur ndaloi me të qeshurën karakteristike, tha: “Dija asnjëherë nuk më ka shërbyer për asgjë. Përkundrazi, vetëm më ka prishur punë”. Ndjeva dhimbje në përgjigjen e tij. Ndjeva shumë dhimbje në përgjigjen e tij. Tani, isha unë që hoqa shikimin. Shikova tej, përtej… Pasi bëmë një cope rrugë, mendova por nuk ia thashë, se sa e tmerrshme është të jesh i ditur. Dija i kishte krijuar shumë probleme Arbenit.
Elaborimi i dijes, bëri që pjesën e mbetur të rrugës, ta kalonim në heshtje, pa shkëmbyer asnjë fjalë të vetme. Ndoshta Arbenit, dija dhe mund të mos i ketë shërbyer personalisht, por ne, në këtë kohë, dhe në çdo kohë, dija e Arbenit na nevoitet më shumë se kurrë. Arbeni iku me dhimbjen e tij të përhershme, preokupimin që kishte për zgjidhjet e problemeve të shqiptarëve. Pas boshllëkut që la ikja e Arbenit, vazhdimisht e pyes veten: What am I doing here?! (Po unë, ç’po kërkoj këtu?!) Prehu në paqe miku im… / KultPlus.com
Akademik Esat Stavileci, tashmë i ndjerë, në ligjeratën përshëndetëse me studentët e Universitetit të Prishtinës, të dhënë para pensionimit të tij pesë vite më parë, tashmë kjo ligjëratë mjaft prekëse, por edhe motivuese për të gjithë ne, po konsiderohet si një nga ”testamentet” më të mira lënë për gjeneratat e reja. Akademik Stavileci ka lënë një thesar përplot ”testamente” të shkencës e urtësisë, i cili nuk rreshti së punuari për dije asnjëherë.
Thuhet se kjo është porosia që Akademik Stavileci u kishte lënë studentëve para pensionimit të tij.
Lexojeni të plotë ligjëratën “testament” të Akademikut Esat Stavileci:
”Nuk më mban të mërzitur sot vetëm malli për motrën, tashmë të ndjerë prej një jave, por edhe momenti i ndarjes nga një mjedis në të cilin kam kaluar gati një gjysëm shekulli të jetës sime. Prandaj, nuk mund të ndahem prej jush, pa iu lënë disa “porosi të jetës dhe të kohës”.
Për 45 vjet në Fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës (1 tetor 1965 – 1 tetor 2010) dhe në jetën time, kam mbajtur parasysh këshillën: në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh! E pranoj se kam lindur me fat. Fati më i madh i njeriut është të lindësh me fat! Me fat është ta meritosh lindjen! Kush e meriton lindjen, e ka të lehtë vdekjen! Herët kam mësuar se kush jam dhe kush mund të bëhem. Nëse nuk di se kush je, nuk do të dish as kush do të jesh! Njeri ideal është ai që di se nuk ka njeri ideal!
Sot “po dal nga një derë” në të cilën kam hyrë para 45 vjetësh. Eshtë fat i madh të presësh të dalësh nga dera në të cilën ke hyrë! Nga të gjitha dyert më të mirat janë dyert e hapura; nga të gjithë çelësat janë ata që hapin të gjitha dyert! Në jetë nuk kam ndeshur në dyer të mbyllura. Kam përdor çelësat që m’i kanë hapur të gjitha dyert dhe për këtë ndihem krenar!
Pse po largohem? Përherë kam konsideruar se më mirë është të largohesh se të të largojnë! Eshtë pëlqyer një aforizëm i imi: ne shqiptarët sikur nuk dimë se kur është mjaft! Kam dashur që me shembullin tim të dëshmoj të kundërtën! Eshtë mjaft nëse “le pas vetes” ata që mund të trashëgojnë: dy asistentë doktorë shkencash në këtë fakultet dhe dy asistentë doktorë shkencash në Universitetine Europës Juglindore në Tetovë.
Kam ecur nëpër një rrugë të mesme, sepse shumë herët më kishin mësuar se mesi është i artë. Sot po përshendetëm me ju dhe me institucionin në të cilin kam punuar 45 vjet. Po mbaj një fjalë që mund të kualifikohet në një ligjeratë lamtumirëse. Kush mban ligjeratë lamtumirëse duhet ta ketë merituar ligjëratën inauguruese. Lartësia e bjeshkës “nuk matet me sy”, por “me këmbë!”.
Në jetën time kam ecur këmbë, që të “mos më mashtrojnë sytë!”.
Pyetja e parë me të cilën u jam drejtuar studentëve të gjeneratës sime të parë ka qenë: si pëlqeni t’ju flas: me gjuhën dhe stilin e rëndë të juristit që të më “konsideroni të mençëm”, pa më kuptuar asgjë, apo me gjuhën dhe stilin e lehtë të juristit, që “t’i kuptoni të gjitha”.
Besoj se më ka kuptuar shumica. Më vjen keq për atë pakicë që nuk ka dashur të më kuptojë!
Jeta është një mësim që “mund të mësohet”, por që “nuk mund të porositet!”.
Jeta, në të shumtën, i ngjanë tregëtisë: në të mund të investosh të gjitha, por edhe mund t’i humbësh të gjitha, nëse nuk ia del ta menaxhosh mirë. Përfundimi bëhet i qartë: më pak kënaqemi me atë që kemi arritur, se me atë në të cilën shpresojmë!
Shpresa është “pasuria më e madhe” e atyre që s’kanë asgjë! Varfëria dhe shpresa janë “nënë e bijë”: sa “merresh me bijën, e harron nënën!”.
Nuk e kam menduar se do të qëndroj aq gjatë në këtë profesion. Kjo ma kujton njërën prej barsoletave më të mira që kam dëgjuar ndonjëherë: kur një dyzetvjeçar e kishin dënuar me pesëdhjet vjet burg, i ishte drejtuar trupit gjykues me: faleminderës, nuk e kam ditur se do të jetoj aq gjatë!
Dyzet e pesë vjet në katedrën e profesorit mund të të mbajnë dhe të të ushqejnë vetëm studentët. Falenderimi im është për ta.
Ti je ai që të tjerët mendojnë për Ty, e jo ai që mendon për vetën tënde! Ju falenderoj nga zemra për konsideratën që keni shprehur për personalitetin tim dhe për punën time në mbarim të testeve tuaja në provimin e fundit.
Pranoj se më kanë shpëtuar lotët për gatishmërinë e një kolegeshe tuaj që kishte shkruar në fund të testit të provimit: jam tridhjetekatërvjeçare: do ‘ju kisha falur pesë vjet të jetës sime që të ligjëroni më gjatë dhe që të jetoni më shumë!
Asnjëherë nuk kam kaluar në faqën e dytë pa e mësuar të parën! Askush nuk ka mësuar të vrapojë para se të mësojë të ecë! Fjala më e mirë që e kam mësuar prej anglishtës është: step by step!
Ardhmeninë nuk mund ta përzgjedhësh si gjellën në meny! Po të ishte kështu, të gjithë do të kërkonin atë që nuk do të mjaftonte për të gjithë.
Vetëm ai që prej jetës nuk kërkon asgjë, “përfiton” prej saj! Në jetë duhet që të kërkosh shumë që të përfitosh pak. Askush nuk i ka përfituar të gjitha. Mos jetoni pa një motiv, sepse ai që jeton pa motiv “mund edhe të të mos jetojë!”.
Të ecësh me kohën do të thotë të ecësh përpara dhe të mos kthehesh prapa.
Ç’kuptim ka nëse ecni në drejtim të gabuar?
Jam përpjekur që të mos e gaboj rrugën. Kam ecur me të tjerët, e jo kundër të tjerëve. Kush ecën vetëm, e gabon rrugën. Kush ecën me të tjerët, gjen rrugë të reja!
Ne më shumë duam se ç’bëjmë, prandaj gabimisht mendojmë se jeta ”na mbetet borxh” për atë që nuk bëjmë.
Sillemi me padrejtësi ndaj jetës. Gjysmën e jetës e përmbushim me dëshira, e gjysmën tjetër me paknaqësi për mospërmbushjen e tyre.
Ambicia më e madhe e rinisë është “që mos t’i ngjajë gjeneratave të mëparshme”, por që “t’i vjelë të mirat e tyre!”.
Mos synoni atë që ndalohet më shumë se atë që lejohet!
Përmbajuni këshillës: asnjëherë mos e bën hapin, përpara se ta bësh hapin! Kujdes se edhe budallenjtë bëjnë garë: kush është më budalla se tjetri! Edhe budallenjtë bëhen rresht: u prin budallai më i madh!
Mundimi më i madh është “mundimi me fjalët”. Të flasësh apo të heshtësh? Asjnëherë mos hesht, kur duhet të flasësh; përherë hesht kur nuk e ke fjalën!
Njerëzit flasin shumë, sepse “fjalët i kanë falas!”. Prandaj, flis tamam!
Prej njeriut qe flet shumë, “mos u tremb”. Trembu prej njeriut që “mendon shumë”.
Aftësinë nuk mund ta fshehësh, si “diellin pas kodrës”.Por, në mungesë kujdesi, “mund ta ndotësh”.
Alarmuese: njerëzit duhet “t’i frikësohen kohës” kur majmunët mund të kontestojnë se ata e kanë prejardhjen prej tyre! Shoqërohuni me më “të vjetrit”, që të mund të mësoni më shumë; mos “u shisni mend” me të “vegjëlve”, që të dukeni më të mëdhenj!
“Ruajuni” politikës: në politikë nuk vlen “të dua se kam interes”, por “kam interes, prandaj të dua”.
Nuk jetoj në iluzione se e tëra që kam bërë është e kryer dhe e përkryer. Jam përpjekur që punë time ta përshkojë ndershmëria: “punës së ndershme nuk i duhet drita, edhe nëse dikush përpiqet ta errësojë”.
Ka një mendim të artë: bëjnë punë të pagabueshme vetëm ata që nuk punojnë!
Në jetë nuk duhet të lejosh që të shurdhohesh nga duartrokitjet, sepse më vonë nuk do t’i dëgjosh fërshëllimat. Unë po ik përpara se “të shurdhohem!”.
Nuk kam pëlqyer që “të dashurohem në vetveten”. Kam pëlqyer të gjithë numrat e tjerë, përveç njëshit, prandaj asnjëherë nuk i kam dhënë vetës dhjetëshe.
Kujdes: asnjëherë mos e vlerësoni vetën me notën më të lartë.
Asgjë nuk kam mësuar të tjerët, përpara se ta mësojë veten time. Ju lutem, mësoni dhe mos mendoni se i dini të gjitha.
Në jetë kam pëlqyer që të mos prishëm me të tjerët, pa ju ndalua të tjerëve që “të prishën me mua”. Eshtë nder i madh që nuk ka njeri me të cilin nuk flas.
Thuhet se “njeriun e ndershëm nuk e urrejnë as të pandershmit!”.
Ta ruash nderin në politikë është punë e vështirë. Eshtë politikan i mirë vetëm ai që “bën gjumë të rahatshëm!”.
Profesion më të mirë kam konsideruar atë që “të mësosh të tjerët” atë që ke “mësuar për veten”.
Përherë kam konsideruar se është më lehtë të pyesësh se sa të përgjigjesh. Në jetë kam pyetur shumë të tjerët, por më kanë pyetur edhe më shumë.
Kam parapëlqyer “përgjigjet figurative”.
Kur më kanë pyetur për “procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, jam përgjigjur se procesi do të jetë më kompleks se që “po paraqitet”; më i vështirë se që “po mendohet” dhe më i gjatë se që “po parashikohet”.
Jemi vonuar shumë me procese zhvillimore, sepse kemi shpresuar shumë naivisht se të tjerët do ta bëjnë punën tonë, pa vra mendjen se “më mirë se me duart e huaja ndërtohet me duart tua!”.
Kemi hedhur hapin, pa fikësuar qëllimin e madh, prandaj kemi bërë gabime në hapa. Pastaj, jemi lëshuar në vrap, pa pyetur se ç’vlerë ka të vraposh, nëse je në rrugë të gabuar.
Shumëkush e ka dashur angazhimin tim në vendimmarje politike. Kur më pyesnin ku është Esat Stavileci , përgjigjesha me këngën e Ardit Gjebresë: “Ja ku jam!”.
Kur më pyesnin për fatin e Mitrovicës, përgjigjesha : “Nuk e di këngën e Shkurte Fejzës, Jo nuk ndahet Mitrovica!”.
Kur më pyesnin për decentralizimin përpara se të vendosej për statusin, përgjigjesha:
“Nuk vendoset karroca para kalit”.
Kur më pyesnin se çfarë e ardhme po i përgatitet Kosovës, përgjigjesha se çfarë e ardhme nuk do të dëshiroja t’i përgatitej: që “drejtësia e vonuar t’i dalë drejtësi e cunguar”.
Më në fund, kur më pyesnin se kur do të bëhet mirë me shqiptarët, përherë kam thënë:”nesër”.
E nesërmja është e juaja dhe mos ia falni askujt tjetër!.
Herët e kam kuptuar se koha është vërtet ar. Planifikoje kohën, sepse “vetëm me kohë mund të fitohet koha!”.
Mos harro se ora nuk është vetëm “për ta mbajtur”, por edhe “për t’iu përmbajtur!”.
Kam qëndruar jashtë, por jo larg politikës. Filozofia ime politike është: nuk jam me asnjërin, sepse dua që të jem me të gjithë! Kujdes: në politikë të gjithë e pësojnë, dikush më herët e dikush më vonë!
Kam parapëlqyer të jetoj jo nga drejtësia, por për drejtësi.
Më kanë thënë pse nuk bëhesh avokat që të fitosh më shumë, jam përgjigjur pikërisht për atë.
Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur drejtësia shtrembërohet.
Ndërgjegja e pastër e juristit ia “zbardhë fytyrën drejtësisë”: juristi do të duhej që “për çdo ditë ta pastrojë ndërgjegjën, po sikurse që e lanë fytyrën”.
Për disa procese politike jam mbajtur i “rezervuar”. Më ka dalë përpara thënia kineze: edhe nëse e mendon, mos e thuaj; edhe nëse e thua, mos e shkruaj; edhe nëse e shkruan, mos e nëshkruaj.
Por, kam pasur parasysh edhe këshillën tjetër: “Tradhtitë më të mëdha bëhen me heshtje: ujërave që nuk ecin dhe njerëzve që heshtin, mos ua falë besimin!”.
Prandaj, nuk kam heshtur në ndodhitë për ne dhe rreth nesh.
Në një fjalë të urtë thuhet se “ai që ia di rendin heshtjes, duhet ‘ia mësojë rendin edhe fjalës”.
Jam përpjekur që të mbaj një qëndrim. I vetmi njeri që mund të ndryshojë mendjen është ai që ka një mendje! I vetmi njeri që e mban fjalën është ai që nuk e jep!
Fjalën publike e kam mbështetur në argumente. Argumenti është sikur bora: “sa më butë që bie, aq më shumë zë vend”.
Në paraqitjet e mia nuk kam mbjellur skepticizëm. Te ne njeriu realist lehtësisht kualifikohet pesimist.
Cili është dallimi midis optimistit dhe pesimistit?
Përherë kam pasur një përgjigje: optimisti nuk mban as rrip dhe as krahosha në pantollonat e tij. Pesimisti mban edhe rripin edhe krahoshat. Unë, për çdo rast, mbaj rripin, i kam hequr krahoshat!
Kam folur dhe kam shkruar për shtetin, për Shqipërinë dhe për Kosovën.
Më kanë pyetur se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova?
Jam përgjigjur shkurt: Shqipëria dhe Kosova kanë të përbashkët paaftësinë: në Shqipëri “për ta mbajtur shtetin”; në Kosovë “për ta bërë shtetin”.
Kam tërhequr vërejtjen se shteti “nuk është mallë që shitet në treg”.
Kam porositur:
(1)Në një vend ku qeveriset pa demokraci, “luhet me legjitimitet”.
(2)Zgjedhjet vendosin se “kush do të qeverisë”, e jo “çfarë do të jetë qeverisja”.
(3)Nuk janë zgjedhje ato kur “ata që do të zgjidhen, i zgjedhin ata që do të zgjidhen”.
(4)Vetem qeverisja e mirë, e bën “demokracinë të mundshme”.
Po e mbyll fjalën time me pyetjen: sa kohë më është dashur që ta përgatisë këtë ligjeratë?
Shkurt: tërë jetën!
Mbani në mend: “të vdesësh i ndershëm është më shumë se të jetosh i ndershëm”.
Po e përsëris porosinë e parë: Në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh!
Prishtinë. Fakulteti Juridik 8 tetor 2010. / KultPlus.com
Sot mbushen pesë vjet prej kur u nda nga jeta akademik Esat Stavilevci.
Ai u lind më 11 korrik 1942 në Gjakovë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Fakultetin Juridik e përfundoi në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit
Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974. Prej vitit 1965 deri në pensionim, punoi si profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit ishte i angazhuar në studimet master dhe të doktoratës. Nga viti 2000 ishte anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).
Krijimtaria e tij shtrihet në shumë fusha të interesimit shkencor, veçanërisht në ato juridike-kushtetuese, në fushën e sistemeve politike-krahasimore, administratës dhe administrimit publik në përgjithësi, metodologjisë së shkencave shoqërore dhe juridike, si dhe në fushën e terminologjisë juridike. / KultPlus.com
‘Rrahje në mes policëve dhe qytetarëve në Ferizaj’, ‘Përleshje e policisë me qytetarët’ … këto ishin disa nga titujt e mediave tona. Kështu përshkruhej një ngjarje në Ferizaj që e shihnim në një video inçizim. Këta tituj nuk janë vetëm joprofesionalë por janë komplet edhe idiotik. Nga titull krijohet përshtypja që janë pëleshur dy banda, dy grupe kriminale, dy grupe rrugaqësh …
Policia nuk rrahet e as nuk përleshet me qytetarë. Policia intervenon dhe gazetari apo redaktori duhet t’i perdorë termet zyrtare e jo gjuhën e rrugaqëve. Natyrisht që policia intervenon me dhunë dhe kjo punë është e ligjshme. Çfarë policie do të ishte ajo që nuk përdorë dhunë?
Në rastin kur policia intervenon dhe nëse qytetari nuk i bindet urdhërit dhe madje përdorë dhunë ndaj policit, kemi të bëjmë me një rast serioz. Rasti në Ferizaj ishte i gërditshëm. Dy qytetarët kthenin dorë, apo ishin iniciatorë të përdorimit të dhunës ndaj policëve që shiheshin se tentonin t’i arrestonin këta përsona që silleshin si banditë. Kjo flet për diçka që është më shumë se mungesë e vetëdijes qytetare të këtyre individëve që numri i tyre në shoqërinë tonë nuk është i vogël me siguri.
Qyetari i Kosovës duhet ta kuptoj, një herë e përgjithmonë, që nuk duhet të përdorë dhunë ndaj policisë, pa marrë parasyshë se çfarë është rasti e madje edhe nëse polici ndodhë që të jetë gabim. Nëse e grushtoni policin, duhet ta dini se e keni grushtuar përfaqësuesin e shtetit ose shtetin.
Sikur kjo dhunë që e pamë në Ferizaj, të kishte ndodhur ndaj policëve në Basel, Frankfurt, Paris e Londër, duhet ta dini se këta persona nuk dalin nga burgu pa qëndruar disa vite në të. Në Britani të Madhe, sikur edhe në shumë vende perëndimore, rrezistimi ndaj arrestimit është vepër serioze penale. Shto tash edhe përdorimin e grushtave dhe shkelmave ndaj policit dhe mund ta merrni me mend se kur mund të dilni nga burgu. Plus, hyni në regjistër të delikuentëve që kanë përdorë dhunë ndaj policisë dhe harroni se do të gjeni punë të mirë gjatë jetës që ju mbetet pasi të dilni nga burgu.
Mos harroni, shtetet Perëndimore janë demokratike për shkak se iu funksionon policia. Nëse policia iu ndalon në këto shtete dhe nëse ju e dini se jeni gabim, keni me u dridhë para policit dhe përdorimi i dhunës ndaj policit, kurrë nuk iu bie ndërmend. Kështu duhet të jetë edhe në Kosovë. / KultPlus.com
Familjet mbretërore vërtetë që dinë si ta shijojnë jetën dhe këtë nuk e vëmë në dyshim. Të shumta janë vendet që princesha Diana ka vizituar, megjithatë duket se kujtimet më të bukura i ka pasur me dy djemtë e saj, William dhe Harry.
Në këto foto të rralla do të shihni princeshën dhe dy fëmijët e saj në mosha të ndryshme, në vende të ndryshme, herë në shoqëri të miqve dhe herë vetëm të tre.
Edhe pse dihet që protokolli mbretëror është shumë i rreptë, për sa i përket shprehjes së afeksioni në publik, princeshë Diana nuk është kursyer asnjëherë për t’i treguar gjithë botës ndjenjat e saj për fëmijët.
Këto foto të shkrepura në vite të ndryshme tregojnë për lidhjen e veçantë mes tyre që u ndërpre tragjikisht. / KultPlus.com
Termokiss organizon iniciativën “Bukë Për Krejt” për të mbledhur, gatuar dhe shpërndarë ushqim njerëzve të pastrehë. Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një postimi në Facebook nga ana e kësaj qendre.
Ideja e iniciativës “Bukë për krejt” filloi atëherë kur në ambientet e “Termokiss” organizohej festivali “Krejt ka pak”, me punëtori, koncerte e ngjaje të tjera. Si pjesë e këtij festivali ishte edhe gatimi i ushqimit, së bashku, e për të gjithë. Por, meqenëse ushqimi që gatuhej gjatë ditëve të këtij festivali tepronte, atëherë drejtuesve u lindi ideja që krahas punës që bënin për festivalin, të gatuajnë e të shpërndajën ushqim për skamnorët.
“Meqenëse ushqimin e gatuanim vet, ajo shumë ishte më se e mjaftueshme për të gjithë̈ pjesëmarrësit e festivalit, bile-bile edhe tepronte ushqimi. Kështu na lindi ideja që çdo ditë, kur gatuajm për festival, të gatuajmë edhe për skamnorët dhe t’ua shpërndajmë pjatat me ushqim të gjithë së bashku”, shkruhet ndër të tjera në postimin e qendrës “Termokiss”.
Sipas tyre përfitimet e kësaj iniciative ishin të dyanshme sepse krahas shujtës që ju dhuronin personave të pastrehë , organizatorët panë një realitet në një këndvështrim ndryshe, ku arritën dhe të kuptonin se kur ndan me të tjerët pasurohesh në aspektin shpirtëror e mental.
“Termokiss” ka ftuar të gjithë që kanë dëshirë që të ndihmojnë në sigurimin e ushqimit të nevojshëm të kontribuojnë në kutijat për donacion që tashmë kanë zënë vend në vet këtë qendër, Soma Book Station, Dit’ e Nat’ e shumë shpejt edhe Miqt Pub. / KultPlus.com
“L’Unità” ka botuar, të hënën e 30 gushtit 1993, në faqen n°8, bisedën telefonike të aktorit të famshëm shqiptar Bekim Fehmiut me gazetarin italian Alberto Crespi.
Aventura e vërtetë e Uliksit
Një ditë më parë, Raitre filloi të shfaqë Odisenë e vjetër të Franco Rossi-it. Kështu, keni mundur të shihni Uliksin, ose Bekim Fehmiun, një aktor që u bë shumë i njohur 25 vite më parë falë kësaj “shfaqje – drame” të shkëlqyeshme dhe me fat. Por çfarë ndodhi me Bekim Fehmiun ? Ai jeton në Beograd, dhe si një shqiptar nga Kosova, i lindur në Sarajevë, jeta e tij nuk është e lehtë në Serbinë e sotme. Le ta dëgjojmë sesi e tregon atë.
…Biseda me të nëpërmjet telefonit ishte njëkohësisht emocionuese dhe frustruese: “Familja ime vjen nga Kosova, nga një qytet që ka dy emra : një shqiptar, Gjakovë dhe një “sllav”, Giakovica. Babai im ishte fëmijë i vetëm dhe pati studiuar në Shkup, Maqedoni. Ai ishte mësues. Gjatë gjithë rinisë së tij ai luftoi kundër turqve, si me pushkë, ashtu edhe me libra. Qëllimi i tij, si mësues, ka qenë gjithmonë t’iu japë njerëzve tanë njohuri, krenarinë e identitetit të tyre kulturor. Ai gjithmonë ka punuar për të hapur shkolla ku mund të studiohet gjuha jonë shqipe. Në 1972 shkova në Shqipëri dhe në një arkiv në Shkodër zbulova se babai im ishte dënuar me vdekje nga serbët dy herë, në 1914 dhe 1917. Më 1929 u martua me nënën time dhe dy javë më vonë ata u internuan (u dëbuan). Të gjithë familjen e futën në një tren, dhe e dërguan në Sarajevë. Unë kam lindur atje, në qytetin që sot është simbol i hipokrizisë botërore.
Babai dhe nëna ime ishin me fat në krahasim me të tjerët : ata mbijetuan. Kur isha tre vjeç, në 1939, u kthyem në Shqipëri, dhe në 1941 u transferuam në Kosovë, në Prizren, i cili sipas Le Corbusier ishte qyteti më i bukur në botë. Më në fund ishim në tokën tonë. Aty u rrit familja jonë : tetë fëmijë, katër djem dhe katër vajza. Jeta ishte e qetë për shumë vite. Babai im jepte mësim, unë flisja shqip në familje, por kurrë, nuk them kurrë se i shoh serbët dhe malazezët si armiq. Unë gjithmonë kam menduar se ka njerëz të mirë dhe njerëz të këqij në të gjitha racat dhe të gjitha fetë, dhe unë ende mendoj kështu.
Asnjëherë nuk më është dashur të fshihem se jam shqiptar, dhe kur shkova në Beograd në vitin 1957 më duhej të mësoja më mirë gjuhën serbo-kroate për të hyrë në Akademi, por isha i pari aktor shqiptar që recitoja (aktroja) në historinë e teatrit jugosllav. Beogradi ishte një qytet i bukur dhe një metropol i shkëlqyeshëm, i hapur për të gjitha ndikimet më moderne dhe të gjalla kulturore. Nje shembull ? The Caretaker e Pinter-it (Harold) pati shfaqjen e tij të parë jashtë vendit, jashtë Londrës, në Beograd në 1959, dhe unë interpretova atje, në Atelier 212, teatrin ku unë punoja. Sot, Beogradi është një qytet i trishtë. Të rinjtë dhe intelektualët largohen. Më të bukurit, më inteligjentët, largohen. E gjithë puna jonë, puna e të gjithë artistëve, është shkatërruar.
Megjithatë unë jam këtu. Dhe nuk po iki. Nga viti 1981 e tutje jeta ime ka qenë ferr. Sepse atëherë filloi urrejtja, në Kosovë, ndaj shqiptarëve, por atëherë askush jashtë vendit nuk e kuptoi se çfarë do të ndodhte, askush nuk kujdesej për Kosovën! Por ne e dinim shumë mirë se çfarë do të ndodhte. Tragjedia ishte në rritje, ngadalë, në mënyrë të pashpjegueshme, nuk mund të punoja më. As që mund të mendoja për aktrimin. Hyra në një periudhë depresioni shumë të rëndë. Kam menduar shumë herë të vras veten. Mbase, ti vë flakën vetes në shesh! Ndoshta do të kishte ndihmuar, ose mbase jo, kush e di? Depresioni sapo përfundoi. Këtu në Beograd jeta për një shqiptar nuk është e lehtë, por nuk mund ta mohoj se, duke qenë aktori më i famshëm në këtë vend, unë jetoj më mirë se të tjerët. Unë mbështes fëmijët e të afërmve të mi në shkollë, të cilët përndryshe nuk do të kishin mundësi të studionin.
Ndihem si dikush që ka udhëtuar nëpër ferr, si Dante. Tani jam në purgator. Por ferri vazhdon rreth meje. Disa ditë më parë isha në Kosovë për të vizituar të afërmit e mi. Situata është absurde. Mund të shpërthejë në çdo moment. Në çdo moment jeni në prag të masakrës. Shqiptarët trajtohen si skllevër, pushohen nga puna, nuk kanë për të ngrënë. Por, duket e jashtëzakonshme, ekziston të paktën një gjë e bukur në Kosovë, për mendimin tim. Nuk ka urrejtje. Ndoshta serbët po e kuptojnë ngadalë se shqiptarët nuk janë “armiku”.Ka atje 50.000 policë, por nuk ka incidente. Ndoshta shqiptarët do të jenë të mençur si në fund të Luftës së Dytë Botërore, ku pati masakra dhe hakmarrje në Bosnje dhe Kroaci, por jo në Kosovë. Shpesh mendoj i lehtësuar se Nënë Tereza e Kalkutës është shqiptare, dhe se mbase nuk është rastësi.
Është gjithashtu e vështirë për ne të shpjegojmë se çfarë ndodhi në vendin tonë. Frojdi na mëson se instinkti për të vrarë është gjithmonë i pranishëm te njeriu, por Jung dhe Adler thonë të kundërtën, unë mendoj se njeriu është një krijesë e re, krahasuar me epokën e këtij planeti. Ne sapo kemi filluar të çlirojmë veten nga instinktet e kafshëve. Por unë gjithashtu mendoj se bota është hipokrite. Se kushdo që përfiton nga këto masakra është hipokrit. Evropa dhe bota po lejojnë diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë: që Sarajeva është rrethuar prej dy vitesh, Sarajeva, qyteti i tre feve dhe të tre racave, të cilat ende jetojnë së bashku, dhe ky është paradoksi. Utopia e Sarajevës nuk ka vdekur, sepse unë njoh shumë njerëz atje, që janë të racave dhe feve të ndryshme dhe që vazhdojnë, edhe në këto kohë të errëta, të respektojnë njëri-tjetrin.
Unë nuk kam një shpjegim politik. Sigurisht, pyes veten se kush dëshiroi ta shkatërrojë këtë vend, Jugosllavinë, që ishte maja e ekuilibrit midis Lindjes dhe Perëndimit. Edhe nëse nuk jam politikan, i përgjigjem vetes në këtë mënyrë: kishte vetëm një imperializëm në Evropë, ai Sovjetik. Gorbaçovi e rrëzoi atë dhe si mund ta mbajë (luajë) rolin e saj Rusia e re? Duke filluar (nxitur) një luftë në Evropë. Nëse kjo luftë do të përfundojë, Rusia është jashtë loje. Nëse vazhdon, Rusia e ruan fuqinë, duke e mbajtur Serbinë në orbitën e saj ndërsa Kroacia tani është një vend satelitor i Gjermanisë. Është si në 1912. Ne u kthyem pas një shekull. Gjithmonë është loja e fuqive të mëdha në lëkurën e njerëzve të varfër, dhe është vetëm fillimi, bota është e vogël dhe koha është e shkurtër, dhe nuk dua të dukem kërcënues, por është e qartë se Italia është fqinji ynë më i afërt. Nuk duhet të mbyllni sytë. Nuk duhet të bëni sikur kjo luftë nuk ju përket!
Sa për mua, nuk aktroj më. Djali im, Uliksi, aktron. Padyshim quhet kështu sepse lindi në 1968, gruaja ime ishte shtatzënë dhe më priste ndërsa unë luaja Odisenë, ajo ishte me të vërtetë Penelopja ime. Unë gjithashtu kam një djalë tjetër 17 vjeç, emri i tij është Hedon, një emër arab që do të thotë “dhuratë nga Zoti”, i mbështes ata dhe nuk pendohem për kohërat kur isha yll. Sigurisht, unë isha aktori i parë jugosllav që u bëra i famshëm në të gjithë botën, isha “lumturia” dhe krenaria e vendit tim, ndihesha po aq ambasador, sa artist. Kam plot kujtime, kam parë botën, kam njohur kultura, kam mësuar gjuhë, kam miq në të pesë kontinentet dhe e di mirë që bota është e vogël dhe se njerëzit janë të gjithë njerëz, dhe nuk mund t’i besoj kufijtë e rinj që lindin në shtetin tim.” / KultPlus.com
Në shekullin e kaluar e ndoshta edhe më larg, ishte obligim që vajza që martohej të sjelltë pajë te burri. Kjo lloj dhurate përfshinte veshje solemne, qëndisje, ari, stoli, ndonjëherë edhe para.
Nusja, pos bukurisë vlerësohej edhe për pajën qe sjelltë. Shpesh paja e sajë ekspozohej dhe mysafirtë me ditë të tëra kishin rast ta vlerësonin e komentonin këtë pasuri të sjellë . Këto dhurata e punëdore simbolizonin edhe pasurinë e vajzës të trashëguar nga prindërit, pas ndarjes fizike nga familja. Mirëpo, në të vërtetë kjo as përafërsisht nuk mbulonte pasurinë e cila sipas kodeve të sotme do të i takonte vajzës si pjesëtare e barabartë më vëllezërit në pasurinë familjare.
Për pajën qe sjelltë nusja, në fshat e qytet flitej me javë e muaj. Një vajzë shqiptare ka shkaktuar komente rreth pajës së sajë, jo disa muaj, por disa dekada. Ishte kjo Nevreze Frashëri, e bija e poetit të famshëm Naim Frashërit e cila solli një pajë, jo të zakonshme për kohën. Rreth vitit 1890 Nevrezëja u martua me Xhafer Luarasin, si pjesë të pajës ajo solli edhe një piano. Ishte ajo kohë, kur tërë Shqipëria mund të ketë pasur 4-5 piano, kurse femra pianiste ishte gati e panjohur në këtë vend. Kjo pajë-piano, ishte befasi e madhe për atë kohë, ndaj mbeti e shënuar në gazetat e atyre viteve, por edhe në biografinë familjare të Frasherlinjëve.
Në fotografinë e më poshtë shihen vëllezërit Sami e Naim Frashëri (në këmbë) me familjet, fotografuar në Stamboll rreth vitit 1882. Vajza pianiste e ardhshme, është në anën e majtë në prehrin e bashkëshortes së Naim Frashërit i cili qëndron në këmbë në anën e djathë pranë Samiut.
Naim Frashëri kishte dy vajza. Vajza e parë me emrin Nerqeze i vdesë herët, tre vjeçare, në vitin 1881. Poeti e vajton atë në vjershën “Mbi trupin e bijës sime të vdekur”. Vajza e dytë “pianistja” me emrin Nevreze i lind në Stamboll. Ajo rritet dhe edukohet me një kulturë të gjerë, fliste arabisht, frëngjishte, shqip e turqisht, udhëtonte nëpër Evropë dhe kishte dashuri për arte, sidomos – muzikë.
Sado që ajo bëri bujë me pianon e sajë, duket se muzika as pianoja nuk e ndihmuan në këtë martesë të hershme. Pas tri vitesh ajo u nda nga bashkëshorti Luarasi për shkak të kundërshtimeve që kishte me zakonet e rregullat e familjes së tij, të cilat i dukeshin prapa kohës. Duket se edhe familja e Xhafer Luarasit nuk pajtohej me sjelljet dhe kulturën e natyrën e hapur të nuses, e cila ishte rritur në një familje moderne intelektualësh, për kohën.
Pianistja Nevreze, tani vejushë e re, nuk dëshpërohet nga kjo ndarje. Disa vite më vonë martohet në Stamboll me Shain Kolonjën, atdhetarin veprimtarin e publicistin i cili, një kohë ishte edhe deputet i Korçës në Parlamentin Osman dhe anëtarë i Komisionit të Gjuhës të Kongresit të Manastirit. Pianoja e saj, mbeti shembull e pjesë e historisë së familjes Frashëri, por nuk dihet çfarë ndodhi me të dhe me dashurinë e pianistes për muzikën./ Albumi Akordet e Kosovës/ KultPlus.com
Sot mbushen tetë vjet nga vdekja e ish-kryetarit të PDSH-së në Maqedoni, Arbën Xhaferi.
Ai u nda nga jeta në moshën 64-vjeçare, pasi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, e cila ishte edhe arsyeja e tërheqjes së tij nga politika. Ishte deputet i Parlamentit të Maqedonisë që nga viti 1994, ku synonte krijimin e një sistemi dy dhomësh në institucionin ligjvënës. Në kohën e konfliktit të armatosur në vitin 2001, partia e tij ishte në pushtet.
Ishte një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, por me zvarritjen e zbatimit të saj, ai synonte një marrëveshje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve.
Arbën Xhaferi u lind në Tetovë më 24 janar 1948. Ka punuar në redaksinë e Kulturës të Televizionit të Prishtinës dhe në fillim të viteve 90, ishte rikthyer për të jetuar në Tetovë, ku në vitin 1994 themeloi Partinë për Prosperitet Demokratik Shqiptar, e cila më pas ndryshoi emër në Partia Demokratike Shqiptare. / KultPlus.com
Qytetarët e Kosovës shumë shpesh kanë shfaqur anën e tyre humane e bujare.
Kështu bëri edhe Osman Havolli nga Prishtina, i cili ka rregulluar me dru pusetat e dëmtuara në një rrugë të qytetit, një gjest ky për tu marrë shembull, shkruan KultPlus.
Ky veprim i Havollit është bërë i ditur nga faqja e Facebook-ut ‘Vrojtuesit e lagjes-Prishtinë”, e cila e ka konsideruar gjestin e Havollit një gjest të shkelqyer. / KultPlus.com
Dua këto ditë po shijon sukseset e këngëve më të reja si dhe të albumit të saj ”Future Nostalgia”.
Sëfundi, ajo ka realizuar një fotosesion shumë të veçantë për “W Magazine”, duke u dukur tejet atraktive në secilën prej tyre.
Ajo i publikoi për fansat e saj në Instagram disa nga fotografitë e këtij seti, duke thënë se ishte diçka vërtetë e veçantë për të, pozimi për këtë revistë.
Nxehtë nga i mrekullueshmi, argëtuesi dhe fotografi legjendar Tim Walker për ‘W Magazine’”, shkroi Dua në mbishkrimin e fotografive. / KultPlus.com
Një studim i realizuar nga Zyra Evropiane e Statistikave, Eurostat, tregon se djemtë nga Ballkani qëndrojnë në “hotel mama” mesatarisht 35 vjet para se të shpërngulen në shtëpitë e tyre, transmeton KultPlus.
Djemtë nga Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi janë më të llastuarit në Evropë. Ata janë mbi 35 vjeç kur largohen nga “Hotel Mama”, shkruan srf.ch.
Suedezët dhe luksemburgasit ndërkaq braktisin shtëpitë e prindërve në moshën 18, respektivisht 20-vjeçare dhe kështu llogariten si më të hershmit e kësa kategorie. Zviceranët ikin nga shtëpia prindërore në moshën rreth 24-vjeçare.
Ndërkaq, ata që njihen si “Mamminos” klasikë, italianët dhe grekët, nga ana tjetër, janë viktima të një paragjykimi: ata zënë vetëm vendin e 7-të, gjegjësisht të 11-të në listën e “braktisësve” të vonë, të përpiluar nga Eurostat. Kështu ishte edhe 10 vjet më parë.
Në vitin 2019, maqedonasit e veriut dhe malazezët ishin në epërsi, të ndjekur nga serbët, kroatët, bullgarët dhe sllovakët. Nga ana tjetër, djemtë në shtetet veriore të Evropës pavarësohen më herët: përveç suedezëve dhe luksemburgasve, danezët, finlandezët dhe estonezët gjithashtu lëvizin në shtëpitë e tyre mesatarisht para ditëlindjes së 23-të.
Në Danimarkë dhe Suedi, vetëm 4 përkatësisht 5.7 për qind të djemve të moshës 25 deri 34 vjeç ende jetojnë me prindërit e tyre, përcjell albinfo.ch. E kundërt është gjendja gjetiu: Më shumë se gjysma e meshkujve të këtyre moshave jetojnë ende tek prindërit në Kroaci (62 për qind), Greqi (57.8) dhe Sllovaki (56.4).
Djemtë qëndrojnë në shtëpinë e prindërve më gjatë se vajzat
Rreth 18 për qind e zviceranëve dhe gjermanëve nuk janë ende në gjendje të pavarësohen deri në moshën 25-34 vjeçe. Mesatarja evropiane është 30 për qind.
Djemtë qëndrojnë më gjatë në “hotel Mama” sesa vajzat praktikisht kudo në Evropë – përveç në Luksemburg, ku gratë e reja lëvizin 0.3 vjet më vonë se vëllezërit e tyre. / KultPlus.com
Prof. dr. Brikena Kadzadej – Zavalani rrëfen kontributin e albanologut Rolf Ködderitzsch. Ndalet gjithashtu edhe tek vlerat e rralla, që gjuhëtari kishte edhe si njeri.
Kur më erdhi lajmi i ndarjes nga jeta të studiuesit dhe albanologut gjerman Rolf Ködderitzsch (08.04.1941 – 11.08.2020), vërtet më pushtoi një dhimbje. Kur studioja dhe hulumtoja në Gjermani pata fatin që të njihesha edhe fizikisht me një brez albanologësh bashkëkohorë gjermanë, të cilët me dinjitet pasuan kolosët e Albanologjisë Shqiptare gjermanofolës, si Hahn, Mayer, Jokl etj.
Njoha në Berlin Oda Buchholz (ka studiuar në Shqipëri) dhe Gerda Uhlisch (për një periudhë tutorja ime në Berlin) dhe Dieter Nehring, më pas Prof. Wilfried Fiedler. Padyshim për një studiuese të re siç isha unë ishte i frytshëm takimi me ta, sepse prej asaj kohe shfletova më me kujdes punët e tyre dhe veprën e të madhit Robert Elisie që bëri aq shumë për historinë dhe letërsisë shqiptare dhe që prehet këtu.
Le të kthehemi tek albanologu Dr. Rolf Ködderitzsch me të cilin u njohja në fillim nëpërmjet veprës së tij në Bibliotekën e Universitetit Justus-Liebig në Giessen, Gjermani dhe më pas bashkëpunova me të në Tiranë. Ky albanolog me dëshirën e tij të madhe erdhi në Shqipëri në fundin e 2007-s, edhe pse tashmë ishte në pension, nëpërmjet Fondacionit gjerman Herder, mbështetës i profesorëve gjermanë, ku qëndroi mbi dy vjet.
Veç kësaj, me dëshirën e tij dhe për kënaqësinë tonë të madhe, u ofrua në Departamentin e Gjuhës Gjermane, ku dha përvojën e tij të vyer edhe për faktin se zhvilloi leksionet e lëndëve që tek ne ishin atëherë nga fusha ende jo të hulumtuara sa duhet, si Antropologjia etj. Ndihmesa e tij qe e madhe si për programet, ashtu edhe për kualifikimin e pedagogëve të rinj të Departamentit.
I rëndësishëm ishte fakti që ai u bë pjesë e projekteve, konferencave dhe veprimtarive shkencore të UT-së. Për t´u theksuar gjatë kësaj periudhe, është vëllimi i drejtuar prej tij “Sprache, Literatur und Didaktik”, pjesë e serisë Albanische Universitäststudien AUS (studimet universitare shqiptare) botuar në Gjermani në shtëpinë e njohur botuese “Athena”. Ky vëllim përmban artikuj të rëndësishëm përqasës shkencorë nga fusha e gjuhësisë, komunikimit dhe letërsisë. Ky vëllim, produkt i punës së palodhur në Shqipëri, gjendet në Bibliotekën Kombëtare Shqiptare dhe pothuaj në gjitha bibliotekat e hapësirës gjermanofolëse.
Le të flasim pak për Dr. Ködderitzsch, si njeri. I sinqertë, i drejtpërdrejtë, i qetë, dashamirës, i butë, me një shpirt të madh, kështu mbeti ai tek unë. Dallohej në ndihmën me kujdes dhe në mënyrë modeste që na jepte të gjithëve ne pedagogëve. Shfaqte një dashuri dhe respekt për Shqipërinë, gjuhën tonë që e mësoi me përkushtim që shkroi për vlerat e kësaj gjuhe dhe u bë kështu një model.
Vetë familja e tij ishte një përqasje e bukur e dy kombeve, ai gjeti tek bashkëshortja e tij, me nivel kulturor, një njeri që bashkë me të respektonin njëri-tjetrin, gjuhën, traditat, historinë e kombeve të tyre dhe kjo ishte një gjë shumë e bukur. Edhe kur u largua nga Shqipëria Dr. Ködderitzsch vijoi bashkëpunimin intensiv me mua për Departamentin dhe gjuhën shqipe. I jam faleminderit. Ai nuk jeton më, por njerëzit që gjatë jetës së tyre bëjnë diçka të vyer nuk vdesin, i tillë është edhe Dr. Ködderitzsch që për mua njohja dhe bashkëpunimi me të ishte shumë dobiprurës. /Shqiptarja /KultPlus.com