Artisti kosovar i njohur si ‘I am I’, i cili njihet për protestat e tij që lidhen kryesisht me zhvillimet e vendit, ai nëpërmjet protestës këtë herë ka ironizuar me sloganin e shumë përdorur ditëve të fundit ‘Liria ka emër’, shkruan KultPlus.
Në një prononcim për KultPlus artisti ka pohuar se kjo performancë vie si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit në skenën politike, si dhe njëherit është edhe ironizim me sloganin siç e quan ai “patetikopopullist”, ‘Liria ka emër’.
‘Kjo performancë artistike protestuese, vie si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit në skenën politike, njëherit si një ironizim me slloganin “patatetikopopullist”, LIRIA KA EMER”, u shpreh artisti ‘I am I’.
Performanca protestuese është zhvilluar nsot afër shtatores së presidentit amerikan, Bill Clinton, në Prishtinë.
‘I am I’ ka publikuar disa fotografi në rrjetin social Facebook, ku mbanë në dorë një pllakatë me mbishkrimin “Liria ka mbiemër, si dhe qesen me bukë ku shkruhet ‘drejtësi për mirëqenien tonë’.
“VARFËRIA KA MBIEMËR. DREJTËSI PËR MIRËQENIEN TONË. LUFTA DHE PAQJA. LIRIA DHE VARFËRIA. 5/11/2020. 99”, është mbishkrimi i artistit në postimin e tij në Facebook.
Gjithashtu në fotot e publikuara vërehet që artisti ka vendosur dy këmbë në një kuëpucë, si dhe ka theksuar xhepat e tij të zbrazët. Në njërën nga fotot ai ka përdorur monedhat për të shënuar datën e arrestimit të politikanëve nga Gjykata Speciale./ KultPlus.com
Dai Xueren, 72 vjeç, pëlqente të lexonte kur ishte fëmijë. Pastaj ai u bashkua me ushtrinë dhe u verbua në një aksident gjatë ndërtimit të një tuneli malor.
Prindërit ishin të shqetësuar për martesën e tij. Ata mendonin se ishte e vështirë të gjente dashuri një person i verbër siç ishte ai. Përveç kësaj, Dai nuk do t’i ulte standardet e tij. Ai këmbënguli të kërkonte një vajzë të shkolluar në mënyrë që ajo të lexonte për të.
Një fqinj e prezantoi me Wei Shuhua më 1 tetor 1969.
Në takimin tonë të parë. “Ajo më tregoi se si dukej gjithçka në detaje. Duke qenë i verbër për dy vite, unë vetëm mund t’i tregoja asaj se si ishin gjërat në kujtesën time, ndërsa ajo më tha se si dukeshin në atë kohë. Për përshtypjen time të parë, nuk mund ta shihja nëse ishte e bukur, por e ndjeva nga mënyra se si foli”, thotë Dai.
Ai ishte një tregimtar i shkëlqyer, thotë Wei. “Ai dinte gjithçka dhe mund ta bënte çdo histori të mërzitshme intriguese”.
Ne e shijuam shumë këtë takim, thotë Dai. Ishte në fillim të viteve ’70. Ajo më mbajti krahun, duke mos u ndjerë aspak në siklet.
Ai ishte shumë optimist. Ai kurrë ankohej për asgjë ose për askënd, thotë Wei.
Ata shumë shpejt hynë në një marrëdhënie. “Sigurisht, kishte pengesa. Prindërit e tij dukej se nuk besonin se një vajzë e aftë do të martohej me të për shkak të dashurisë. “
Unë madje nuk do ta fajësoja atë nëse ajo do të dëshironte një divorc. Unë mund të jetoja krejtësisht vetëm, sepse isha i përgatitur për një martesë të shkurtër. Megjithatë, divorci nuk ishte një opsion për Wei. Unë kurrë nuk kam menduar për divorc. Ne zgjodhëm të ishim me njëri-tjetrin dhe do të vazhdojmë përpara pavarësisht çdo gjëje.
Ata u martuan më 1971. Prej atëherë, Wei u bë lexuese ekskluzive e Dai. E dija që do të isha syri i tij. Kam lexuar për të sepse ai nuk mund ta bënte dhe se unë doja ta bëja atë.
Kishte një program leximi romanesh në radio. Fatkeqësisht, ai u ndërpre në gjysmë të rrugës. Ai tha, Le të blejmë librin dhe të ndalojmë së prituri pranë radios.
Ishim shumë ekonomik në jetën e përditshme. Akoma blejmë libra që na pëlqejnë pavarësisht nga çmimi. Libri i quajtur ” Shtrëngimi i dytë i dorës ” ishte në mungesë. Shkova në disa librari dhe u ktheva me duar bosh. Duke dëgjuar që një nga bashkëluftëtarët e tij punonte në Librarinë ” Xinhua ”, unë nxitova andej dhe më në fund bleva një me ndihmën e tij. Unë u ktheva në shtëpi shumë shpejt për t’ia lexuar. Edhe mua më pëlqente libri. Unë e kam lexuar shumë herë “, thotë Wei.
Gjatë tre viteve kur punoja në Guangzhou, ne ishim me një buxhet të ngushtë, thotë Wei. Por Dai mbulonte gjithçka në shtëpi dhe kujdesej për djalin tonë dhe veten e tij. Çdo herë që shkoja në shtëpi, ai përgatiste të gjitha pjatat e mia të preferuara dhe më priste në tryezë.
Një ditë, e mora në telefon. Nuk e telefonova për t’i thënë asgjë në veçanti. Unë thjesht doja të dëgjoja zërin e tij. Unë mendoj se kjo është ajo që të rinjtë e quajnë ” dashuri “. Edhe pse ne kurrë nuk e kemi shprehur./ KultPlus.com
Këngëtari i njohur, Sam Smith, është njëri ndër këngëtarët më të veçantë dhe më të përfolur, kjo për shkak të punës së palodhshme që bën.
Mirëpo një deklaratë e tij lidhur me jetën private, orientimin e tij seksual bëri bujë të madhe.
Ai kishte deklaruar se i përket gjinisë jo-binare dhe ju kërkoi njerëzve që të mos e thërrisnin më ai/ajo por ata.
Së fundmi në një intervistë këngëtari i hitit “Stay with me”, ka deklaruar se ky ishte vendimi më i mirë i jetës së tij, dhe se ndihet shumë mirë me veten, por kishte hasur shumë probleme pas këtij deklarimi.
I ftuar në emisionin e James Corden, ai ka treguar se ishte shumë vështirë për të, të përballej me shumë paragjykime e me njerëzit që nuk mund t’i mbështesin njerëzit si ai, ose ndryshe njerëzit e gjinisë jo-binare apo trans./ KultPlus.com
Një foto e rrallë në historinë e kombit shqiptar. Katër personalitete shqiptare Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Et’hem Vlora, Mehmet Konica dalë më 29 Mars 1913, kohë kur u nisën me jahtin e Montpensierit nga skela e Vlorës drejt Europës për të mbrojtur interesat e vendit.
Ata vizituan Romën, Parisin dhe Londrën dhe zhvilluan një veprimtari të dendur diplomatike.
Kjo foto e Isa Boletinit, Et’hem Vlorë, Ismail Qemalit dhe Mehmet Konicë është gjetur në koleksionin e gazetës italiane “Il Sekolo”. Ekzistojnë pak fotografi të Ismail Qemalit në Londër, ku ai mori pjesë për të ndikuar tek Konferenca e Ambasadorëve në maj 1913, në kohën kur fuqitë e mëdha po caktonin kufijtë e shtetit të ri shqiptar.
Në këto takime synimi tyre ishte sigurimi i kufijve dhe i tërësisë së shtetit shqiptar të porsalindur.
Në bisedimet dhe takimet që pati delegacioni shqiptar me diplomatët e huaj, u trajtua në mënyrë të veçantë problemi i kufijve veriorë të Shqipërisë dhe sidomos çështja e Kosovës./ KultPlus.com
Të enjten në librarinë Dukagjini do të bëhet promovimi i librit më të ri të shkrimtarit Ag Apolloni, “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, shkruan KultPlus.
Promovimi do të bëhet më fillim nga ora 17:00 ku i pranishëm do të jetë edhe shkrimtari i cili do të jap edhe autografe për romanin e tij më të ri.
Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit, është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis. Mirëpo brenda saj gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes. Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën.
Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.
Romanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse” e botoi shtëpia botuese “Bard Books”, Prishtinë, 2020./ KultPlus.com
Ndonëse sukseset e saja janë panumërta, madje pikërisht në natën e tridhjet e një tetorit ajo kishte fituar çmimin e aktores më të mirë në festivalin e filmit “Mostra de Valencia” në Spanjë, Adriana Matoshi u bë cak i sulmeve e fryrjeve në rrjetet sociale, por edhe nga ana e mediave. E ky sulm shpërfaqi edhe një herë një nga anët e errëta të shoqërisë, racizmin e ndërtuar mbi baza etnie e ngjyre. Ishte pikërisht ky racizëm dhe kryqëzimi drejtuar aktores në rrjetet sociale që u diskutua natën e mbrëmshme në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KutlPlus.
Aktorja Adriana Matoshi gjatë këtij diskutimi pohoi se e dinte se lidhja e saj do të zgjonte kureshtje, mirëpo nuk ja kishte marrë mendja që do të bënte një bujë kaq të madhe. Ajo madje përmendi edhe kohën kur lojtarët Anglez nuk u mirëpritën mirë në Ballkan, e pikërisht në atë kohë secili ndihej krenar për faktin që kosovarët nuk janë një popull racist, por nuk e mendonte që do vinte ku si pasojë e racizmit do të gjykohej për zgjedhjen e saj personale.
“Pak a shumë ma ka marr mendja që ka me zgju kureshtje, sidomos tek portalet, por nuk ma ka marr mendja që një dalje e imja publike për lidhjen time personale ka me marrë bujë kaq të madhe dhe ka me u përfolë kaq shumë tek njerëzit. Më herët kur ka luajtur Anglia me Kosovën futboll në Prishtinë e di që është bërë një hallakam e madhe sa i përket racizmit dhe se nuk janë pritur mirë në ballkan, dhe janë ndje aq mirë që ne si popull nuk jemi racista. Por, kur dola unë për një sen personal veç u ngulfata, nuk ma ka marrë mendja qaq shumë që ka me shku deri diku ku se kam pritë”, theksoi Matoshi.
Aktorja ndër të tjera theksoi edhe fjalët e mira që ka marrë gjatë kësaj kohe. Sipas saj përderisa kishte të bënte me ndjenjat e saja, miratimin e prindërve dhe fëmijëve të saj, si dhe përderisa tashmë kishte lindur një dashuri mes dy personash, atëherë nuk i bënte keq askujt.
“Kam pasur përkrahje edhe prej njerëzve të ndryshëm, prej njerëzve edhe të mëdhenjë. Mesazhet që vini gjatë kësaj kohe ishin si me ma zanë frymën, se unë nuk disha a është mirë, a është keq. Por, duke u nis prej ndjenjës tem, prej shpirtit tem dhe kur i kam analizu dhe jam ulë me mendu mirë se çka kam bërë. Unë kamë rënë dakord me familjen time, me prindërit e mij, me fëmijët e mij, me veten time, edhe kam thënë kërkujna keq nuk i kam bërë. Unë jam duke e dashtë një njeri edhe ai është duke më dasht mu dhe përderisa dy vetë duhen nuk ka asnjë të keqe”, tha Adriana Matoshi.
Përgjatë këtij debati Matoshi shpjegoj se për të nuk ka qenë e lehtë të përballet me diçka që nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë se do ti ndodhte. Ajo foli edhe për faktin se si për një moment nëna, aktorja por edhe personi i thjeshtë në rrugë ishte shuar e shndërruar brenda një dite në një objekt bullizmi.
“Nuk ish aspak e lehtë me u përballë me diçka që nuk e kisha imagjinu, nuk është lehtë kur ti nuk i ke bo kërkujt keq, nuk e ke mendu për asnjë njeri keq diçka ose nuk e le lëndu, as nuk ju ke përzi kërkujt në familje, as nuk ke shkatërru dikë. Dhe për një moment prej të gjithë atyre lëvdatave që i kam pas si aktore, si nënë, si person i thjeshtë në rrugë, për një moment krejt qajo Adriana e mirë që jam kon për ton jetën për një ditë u shu komplet. Nuk o shu te unë absolutisht se unë e kam cekë një lidhje mu nuk më ka bo as ma te mirë as ma të keqe mu më ka bo veç ma të lumtur edhe nuk kam mendu qe ka me i pengu dikujt lumturia jeme deri në atë pikë”, vazhdoi tutja aktorja.
Ndërkaq për panelistin , si dhe psikologun Fitim Uka ishte e rëndësishme realizimi i një debati të tillë, për një ngjarje të tillë që vë në pah atë se çka ne jemi si shoqëri. Sipas tij ajo se çka ka përjetuar aktorja është reflektimi i sjelljes tonë në mjediset familjare dhe edukimin racist që ju bëjmë brezave të rijnë.
“Është mirë që është realizu një debat i tillë sepse jemi lodhë prej debateve politike që na nxjerrin të mirë para ekraneve, por mandej bie një ngjarje e tillë dhe e kuptojmë se kush jemi në realitet. Me thanë të drejtën unë kisha dasht me i kërku falje Adrianës, për shkak që mendoj se jemi bashkëfajtor për atë që ka ndodhë sepse në një mënyrë apo tjetrën në mjediset tona familjare, në mënyrën se si ne sillemi dhe i përbrendësojmë disa norma e parime të caktume ne i kemi eduku brezat e rijnë që me qenë kaq racist, aq racist sa që ndërhyjnë edhe në jetën personale të dikujt deri në masën që do të jenë kriteret tona ato që duhet të përcaktojnë se kush duhet ta takojë dikë, apo kush duhet të lidhet emocionalisht me dikë tjetër.” tha Uka.
Sipas psikologut ne si shoqëri kemi tendencën që të paragjykojmë personat e gjërat që i cilësojmë të huaja, madje edhe ti portretizojmë si inferiore. E sipas tij pikërisht ky inferioritet përbën edhe thelbin e racizmit tonë.
“Përderisa jam i bindur që ne edhe në mjediset tona familjare shpesh herë edhe në shkollë por të motivum edhe prej mediave i promovojmë disa prej roleve, modeleve të cilat janë raciste edhe ksenofobe për shkak se e kemi këtë tendencën se ajo që është e huaj, ajo që është e ndryshme prej nesh gjykohet aq vrazhdë sa të tingëllojë dhe të portretizohet si inferiore ky është thelbi i racizmi, pra ne e kemi tendencën që çfarëdo individi grupi të caktuar në momentin kur ata nuk ngjasojnë me një ‘unë nuk jam krejt identik’ ti quajnë më inferiorë”, shtoi panelisti.
Tutje Fitim Uka ka thënë se janë pikërisht personat që i kanë ofruar Adriana Matoshit mbështetje ata që duhet të promovohen në media. Sipas tij ne si shoqëri kemi tendencën që të qeshim me shakatë raciste e t’ju japi edhe hapësire në televizion duke mos menduar pasojat.
“Dua të besoj që të gjithë ata njerëz që i kanë ofru ndihmë dhe mbështetje Adrianës janë ata që duhet të promovohen në media, janë ata që duhet të promovohen në kuadër të shoqërisë sepse ndonjëherë ne kemi tendencën që të qeshim me këto shakatë që janë raciste, si dhe kemi tendencën që t’ju japim hapësirë në televizion duke i promovuar në kuadër të shoqërisë dhe nuk e kuptojmë se si shpërndahen këto paragjykime kështu që është mirë me ju thonë mjaft qysh tash në mënyrë që mos me e pagu ma shrejntë në të ardhmen”, pohoi Uka.
Udhëheqësja e këtij debati aktorja Aurita Agushi përgjatë këtij diskutimi përmendi edhe faktin që pikërisht në natën kur Adrana Matoshi ishte bërë cak i sulmeve dhe i fyerjeve në rrjetet sociale, por edhe kryeqendra e artikujve të mediave, ajo kishte fituar edhe çmimin aktores më të mirë në festivalin e filmit “Mostra de Valencia” në Spanjë.
E për Matoshin marrja e këtij çmimi, ndryshe prej çmimeve tjera nuk i kishte bërë aq shumë përshtypje pikërisht për faktin që ndonëse puna e saj profesionale po ecte si mos më mirë, ishin pikërisht njerëzit që dikur i thurnin lavde, tashmë i ishin kthyer kundër dhe përqonin mesazhe negative për aktoren. Sipas saj është fatmirësi prezenca e njerëzve të mirë, të cilët kanë parë e kanë jetuar mjaftueshëm që të mos bëjnë paragjykime të tilla.
Përgjatë këtij debati u zhvillua edhe një diskutim me të pranishmit në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku dhe u morën perspektiva të ndryshme rreth kësaj çështjeje. Debati “Racizmi dhe rrjetet sociale” është mbështetur nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com
Një histori e veçantë, nga ato që të bën të çuditesh por dhe ta admirosh. Jeffrey Charest është një amerikan i cili u diplomua në Mbretërinë e Bashkuar për një instrument të panjohur për britanikët, për çiftelinë tonë shqiptare.
Duke gërshetuar pasionin me të panjohurën bëhet edhe më e veçantë historia e Jeffrey, i cili vijon të jetojë në Uells në Britanisë.
“Gjatë vitit 1992 babai im ishte në Shkodër, ai pa në një dyqan këtë instrument dhe mendoj se do ta pëlqeja atë. Më sjellin në Kaliforni, e hapa kutinë dhe kur e pashë nuk e kisha idenë se çfarë ishte. Mu deshën disa vite për ta kuptuar se si quhej pasi asaj kohe nuk kisha as internet për ta kërkuar”, thotë Jefrrey.
Tashmë ai luan çifteli në mënyrë profesionale, dhe pse në fillim e pati të vështirë të luante, por mësoi duke parë dhe video ku luhej ky instrument. Krahas saj, Jeffrey luan dhe disa instrumente të tjera shqiptare.
“Që nga atëherë kam mësuar të luaj dhe në sharki, pak lahutë e disa instrumente të tjera nga shtetet e Ballkanit. Luaj dhe mandolinë, tombolë etj.”, vijon ai.
Ai performon edhe në rrugë me çifteli dhe reagimi i qytetarëve është mbresëlënës.
“Shpesh herë njerëzit janë konfuz sepse asnjëherë nuk kanë parë apo dëgjuar diçka të tillë, po në të shumtën e rasteve interesohen dhe ju duket diçka interesante”, thotë Jeffrey.
Ai ka qenë në Shqipëri dhe thotë se është ndjerë mirë dhe këtë vizitë e ka shfrytëzuar për të blerë instrumente. Shpesh amerikani i pasionuar pas çiftelisë relaksohet duke luajtur./diasporashqiptare/ KultPlus.com
Një thirrje për protestë po shpërndahet në rrjetet sociale për të kundërshtuar masat e reja anti-Covid të Qeverisë së Kosovës.
Protesta është paralajmëruar të mbahet të premten, në orën 11:00, ndërsa përmes saj do të kundërshtohet ora policore dhe masat e tjera të Qeverisë.
“Kjo protestë gjithëpopullore do të jetë protestë paqësore, e cila do të mbahet në sheshin Skënderbe në Prishtinë, para ndërtesës së Qeverisë. Pikat e protestës janë: jo orë policore, pakënaqësitë e shumta me qeverisje dhe masat e ndërmarra kundër covid-19, mos ofrimi i ndihmave materiale e financiare për popullin gjatë pandemisë, kthimin e shifrës prej mbi 2 milion euro të vjedhura nga thesari i shtetit (ultimatum 48 orë – të paraqiten dokumente & kryesit e aktit të turpshëm të vihen para drejtësisë, dorëheqja e Armend Zemajt nga pozita e ministrit të shëndetësisë, pozitë e cila nuk i takon me profesion”, thuhet në njoftimin e protestës.
Po ashtu, organizatorët e protestës kanë paralajmëruar se nëse këto pika të kërkuara nuk zbatohen deri më 13 nëntor, protesta do të marrë përmasa të tjera.
“Nëse këto pika nuk zbatohen nga data 13 nëntor 2020, protesta do të marrë përmasa të tjera. Pjesëmarrësit në protestë duhet të jenë me maska”, thuhet në njoftim./KultPlus.com
Në nëntorin e vitit 1954, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Elhami Nimani, I dërgonte një letër arbëreshëve të Zarës: leksikografit e enciklopedistit Dr. Kruno Kërstić, shkrimtarit të shquar Josip Rela dhe studiuesit Budimir Petrović, me të cilën nxiteshin që të punojnë në identifikimin, mbledhjen dhe regjistrimin e trashëgimisë gojore të arbëreshëve të Zarës, që do të shërbenin si bazë e “një studjim deskriptiv systematik njëheras edhe i fjalorit, por mâsë forti i gramatikës s’këtij nëndialekti të gegënishtës”.
Këtë fakt dhe përmbajtjen e plotë të letrës prej tre faqesh, na e bën të njohur studiuesi Begzad Baliu, i cili njofton së shpejti botimin e një punimi të posaçëm mbi përpjekjet institucionale mbi studimin dhe ruajtjen e trashëgimisë arbëreshe në Zarë të Kroacisë.
Foto kortezi e Begzad Baliut/diasporashqiptare/ KultPlus.com
Një majmun duket se i jep frymëmarrje artificiale një majmuni femër në këtë sesion fotografik.
Majmuni duket sikur po kërkon të risjellë në jetë majmunin tjetër. Por sipas ekspertëve të kafshëve ai në fakt thjesht po shfrytëzon një mundësi për të pastruar majmunin ndërsa ajo është shtrirë.
Fotografi i botës së egër William Steel i bëri fotografitë në Rezervatin e Gaborone në Botsvana./ KultPlus.com
Genc Prelvukaj është një prej artistëve që vazhdon fuqishëm të jetë aktiv në skenën muzikore duke sjell kështu këngë të njëpasnjëshme për publikun. Këtë e dëshmon edhe projekti i tij më i ri i cili sapo është lansuar, duke u shënuar kështu si kënga e pestë me radhë që Prelvukaj sjell për vitin 2020, shkruan KultPlus.
“Mungon” është balada më e re e artistit, që kurorëzon në mënyrën më të mirë këto ditë vjeshte.
Me një piano të bardhë skaj valëve të detit, Prelvukaj i këndon një dashurie të humbur e cila është kthyer në dhimbje.
Videoklipi i këngës është realizuar nga “Black Fish” , ndërsa kënga është realizuar nga vetë artisti.
Kujtojmë që Genci është duke shpalosur dalëngadalë albumin e tij “Gentivs II” pjesë e secilit është edhe kjo këngë. / KultPlus.com
Pas njoftimit të masave të reja për parandalimin e transmetimit të koronavirusit nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar Shoqata e Gastronomëve të Kosovës (SHGK).
Nëpërmjet një postimi në faqen e tyre në Facebook, ‘SHGK’ ka thënë se kundërshton masat e reja, si dhe ka kërkuar nga qeveria që të krijojë Pako Ekonomike për Gastronomi në vlerë prej 10 milionë eurosh, shkruan KultPlus.
“Ne si Shoqatë e Gastronomëve të Kosovës, kërkojmë që URGJENTISHT Qeveria të dalë me qëndrim zyrtar lidhur me kërkesat kryesore të sektorit të gastronomisë, për krijimin e Pakos Ekonomike për Gastronomi, në vlerë së paku prej 10 milionë eurosh”, është shkruar në postim.
Tutje, shoqata ka parashtruar edhe mënyrën e projektimit të kësaj pakoje.
“1. Subvencionimi i shpenzimeve operative deri në përfundimin e pandemisë (mbulimet e qirasë, pagat e punëtorëve);
2. Shtyrje të afatit të kësteve të kredive, dhe kthimit të mbitërheqjeve deri në përfundimin e pandemisë;
3. Pagesa direkte për bizneset e gastronomisë, sipas vlerësimit të situatës;
4. Lejimi i shërbimeve me porosi (delivery) pas orës 19:00, edhe në komunat me rrezikshmëri të lartë”, thuhet tutje.
Ata, në rast se nuk plotësohen këto kërkesa përbrenda shtatë ditëve, kanë paralajmëruar për reagime të ashpra. /KultPlus.com
Ka rreth 300 milion planetë që ekzistojnë jashtë Sistemit tonë Diellor, por brenda Rrugës së Qumështit që potencialisht mund të kenë jetë, sipas NASA.
Katër prej tyre janë brenda vetëm 30 viteve dritë nga Toka, me më të afërtin vetëm 20 vite drite larg, deklaron agjencia hapësinore.
Studiuesit arritën në shifrën 300 milionëshe bazuar në supozimin konservator se shtatë përqind e yjeve si Dielli kanë një botë të banueshme që rrotullohet rreth tyre.
Sidoqoftë, ata paralajmërojnë që shifra e vërtetë mund të jetë deri në 75 përqind më e lartë, e cila do të bënte që shifra prej 300 milionësh të kalonte në rreth tre miliardë.
“Ne e dimë që një pjesë e mirë e atyre planetëve mund të jetë shkëmbore dhe e banueshme. Megjithëse ky rezultat është larg një vlere përfundimtare, dhe uji në sipërfaqen e një planeti është vetëm një nga shumë faktorë për të mbështetur jetën, është jashtëzakonisht emocionuese që kemi llogaritur me kaq shumë besim dhe saktësi që këto botë janë kaq të zakonshme “, tha autori kryesor, Steve Bryson, një studiues në Qendrën e Kërkimeve Ames të NASA-s në Kaliforni./ KultPlus.com
Ambasadori britanik në Kosovë, Nicohlas Abbott ka vizituar kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz.
Abbott ka thënë se Kosova ka kurajon që të përballet me të kaluarën përmes sundimit të ligjit.
“Këtë mëngjes bëra homazhe tek memoriali i familjes Jashari në Prekaz, në përkujtim të ngjarjeve tragjike të para më shumë se 20 vjetëve. Sot Kosova ka kurajon të përballet me të kaluarën përmes sundimit të ligjit dhe në kërkim të drejtësisë për viktimat”, ka shkruar ai.
Ambasadori britanik ka thënë poashtu se Mbretëria e Bashkuar do t’i qëndrojë gjithmonë intervenimit të saj në Kosovë si një kauzë e drejtë.
“Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë gjithmonë ndërhyrjes së saj si një kauzë e drejtë, për të parandaluar katastrofën humanitare dhe për të lejuar kosovarët të jetojnë të lirë nga represioni. Siç ka thënë ish-kryeministri Tony Blair në Parlament më 23 mars 1999: “Ne nuk kemi alternativë tjetër pos të veprojmë dhe do të veprojmë”, ka shkruar Abbott./Express/ KultPlus.com
Kur isha fëmijë, gjashtë vjet, shikoja si qeshin të rriturit. Sa flisnin, ata qeshnin, mendoja se kanë arritur ndonjë fitore në luftën e tyre të vështirë. Nuk i kuptoja pse qeshnin?
Pas pak minutave zhgënjehesha se ata heshtnin dhe masandej, më binte të shoh gjyshen, Mera, kur niste të fliste me zërin e dridhshëm, e pastaj edhe niste të qajë.
Qajë gjyshe, qaj!
Pyesja vetën: Pse qanë gjyshja?
Mollë e Vogël, më thoshte ajo. Dreq i vogël, më thoshte duke më shikuar me një rrezatim ëndërrimtar me fytyrën e verdhë, mbështjellë si me dritë të fikur që ende lëshon pamjen e bashkuar me tymin e posa mbetur nga drita e zjarrit të pakmëparshëm.
Mollë e Vogël, edhe më tha një ditë gjyshja, e sheh si po rritesh, je krijuar në këtë botë për të vuajtur, siç vuajnë të gjitha gratë, sepse i gjithë trupi i tyre është femër dhe gjithë shpirti i tyre është dhimbje.
Vajzat duan të jenë të bukura, derisa bukuria nuk ua merr mendtë. Vjen një ditë dhe sytë nuk u shkëlqejnë nga lumturia.
Mollë e Vogël, më thoshte gjyshja. Ti je si një mollë e vogël, por unë jam si një lule me dritë të ditëve të kaluara.
Ti je si unë, se edhe unë kam qenë e vogël, dreq i vogël, si para gjashtëdhjetetre vjetëve. Aq rrugë duhet të bësh për të mos mbetur këtu ku je, dreq i vogël. Për t’më takuar mua këtu ku jam katandisur.
(Nga libri në prozë “Aroma e qiellit” që botohet së shpejti) / KultPlus.com
Karriera e yllit të muzikës pop, Dua Lipës, filloj të merrte hov në vitin 2017 me albumin e parë të saj të quajtur ‘Dua Lipa’ mirëpo, një sërë talljesh ndaj saj i bënë keq në shëndetin mendor. Ndërkaq në vitin 2018 ajo u bë virale me një video të performancës së saj të kërcimit që përqeshej dhe shndërrohej në një video satirike në internet.
Këngëtarja u tregua e hapur në lidhje me videon në fjalë gjatë një interviste të fundit për Revistën “Attitude”, ku ajo pranoi se luftoi me shëndetin e saj mendor pas talljes që iu bë në internet.
“Unë e kam provuar ngacmimin kur publikova albumin tim të parë dhe ishte padyshim diçka që më dha ankth dhe më bëri të mërzitem e të ndjehem sikur nuk isha mjaft e mirë dhe mendoja me vete: ‘Mbase nuk jam menduar mirë për të qenë këtu, në skenë’’, zbuloi ajo.
Pasi videoja e vallëzimit u bë virale, këngëtarja fitoi dy çmime ‘Grammy’ për “Artisten e re më të mirë” dhe “Këngën më të mirë ritmike” në vitin 2019, megjithëse kishte akoma disa që e kontestonin.
Edhe pas Grammy-t, disa njerëz thoshin: ‘Epo, ajo nuk e meriton atë’”, shtoi ajo.
“Për një periudhë të shkurtër kohore, kjo gjë ngatërroi shëndetin tim mendor. E dini, unë ngjitesha në skenë dhe nëse dikush do të më xhironte, në kokën time unë isha duke thënë: ‘Oh, ata po më filmojnë sepse ata duan ta mbajnë atë video. Ata do ta filmojnë në mënyrë që të mund të qeshin me mua ose diçka tjetër’”, tha ajo./ DailyMail/ KultPlus.com
Mumjet vrasëse, shtëpia e përhumbur, efektet speciale drithëruese dhe muzika e frikshme, seriali Paranormal i lançuar në Netflix shpreson të fitojë një audiencë ndërkombëtare përtej botës arabe dhe të rikthejë lavdinë e saj të dikurshme në industrinë audiovizive egjiptiane.
Etiketuar si një prodhim i “shquar”, seriali Paranormal bazohet në bestsellerët e Ahmed Khaled Tawfik, autor egjiptian i romaneve të tmerrshme, trillimeve fantastiko-shkencore dhe mjekësore të cilat e bënë atë shumë të popullarizuar në mesin e të rinjve në vendin e tij dhe në botën arabe.
Ai u publikua në internet javën e kaluar në nëntë gjuhë, përfshirë dhe arabisht. Në total, ai parashikon një audiencë nga 190 vende.
“Me një publik kaq të gjerë, është logjike që ne marrim pjesë në këtë projekt”, theksoi Ahmed Sharkawi, menaxheri i përmbajtjes për Arabisht dhe Afrikë për Netflix.
Seriali me gjashtë episode, që zhvillohet në vitet 1960, ndjek aventurat e hematologut Refaat Ismail, i interpretuar nga aktori Ahmed Amin, i cili përballet me fenomene paranormale.
Me miken e tij skoceze, shkencëtarja Maggie Mackillop, e interpretuar nga aktorja libano-britanik, Razane Jammal, ata ndërmarrin zgjidhjen e mistereve në mbarë rrugët e Kajros, në tempujt faraonikë apo edhe në shkretëtirën libiane.
“Ne jemi të kënaqur që fansat mund të shohin personazhet e tyre të preferuar, monstra dhe fantazma, marrin jetë. Dhe ata që nuk i kanë lexuar romanet do të zbulojnë një formë tjetër të trillimit”, shtoi Sharkawi.
Egjipti, një prodhues historik i filmave dhe serialeve televizivë, ka përfituar prej kohësh përmes këtij paragjykimi kulturor nga një ndikim i madh në botën arabe, një ndikim i cili megjithatë ka rënë në vitet e fundit.
“Ne dëshirojmë të krijojmë përmbajtje të të cilësisë së lartë pa humbur karakterin egjiptian”, theksoi regjisori i serialit Amr Salama, i njohur për filmat që kanë dalluar në disa festivale ndërkombëtare./ atsh/ KultPlus.com
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka filluar javën kundër braktisjes së shkollimit, e cila do të zgjat deri më 20 nëntor me aktivitete të ndryshme sensibilizuese, shkruan KultPlus.
Kjo nismë përkon me përvjetorin e Konventёs pёr tё drejtat e fёmijёs, meqё java nё esencё e adreson tё drejtёn pёr arsim.
‘’Për shkak të pandemisë, kjo javë do të shënohet me aktivitete sensibilizuese mediale dhe vizita nё shkolla, shoqёruar me materiale promovuese’’, bën të ditur MASh.
Me qëllim të parandalimit të braktisjes së shkollimit, kjo Ministri ka krijuar Sistemin e Paralajmërimit të Hershëm të braktisjes, në të cilën mund të raportohen dhe referohen rastet e ndryshme.
‘’Sipas raportimeve në SMIA, sivjet i kemi gjithsej 1089 nxënës braktisës (833 djem dhe 256 vajza) në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar’’, bën të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Krahasuar me vitet e kaluara ekziston një rënie prej 0.02% në rastet e braktisjes së shkollimit, teksa këtë vit kemi 0.05% të këtij fenomeni për arsimin e obliguar.
Kjo javё ёshtё simbolike për të parandaluar braktisjet e shkollimit./KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka njoftuar për masat e reja anti-COVID që do të hyjnë në fuqi nga dita e premte e kësaj jave.
Në komunat me rrezik të lartë, apo në zonë të kuqe Hoti ka bërë të ditur se do të ndalohen aktivitetet ekonomike pas orës 19:00.
Për këto vendime ka reaguar menjëherë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili “proteston” kundër mbylljes. Sipas tij, nuk duhet të ketë mbyllje pa ju ofruar ndihmë ekonomike bizneseve dhe qytetarëve.
Ky është postimi i plotë i Ahmetit:
Sistemi i qeverisë për masa:
– Prishtina në zonën e kuqe, e Lypjani e Gracanica zonë e gjelbërt thua se jemi qindra kilometra larg.
– në qoftë se një komunë nuk e teston askënd, pra nuk ka raste pozitive atëherë është në zonën e gjelbërt
Prishtina me 12000 teste natyrisht se ka me dal me numër më të madh se sa Ferizaji me 350 teste.
Komunat me rrezik të lartë, apo në zonë të kuqe Hoti ka bërë të ditur se do të ndalohen aktivitetet ekonomike pas orës 19:00.
“Në zonë të kuqe janë shtatë komuna, Prishtina, Podujeva, Gjakova, Gjilani, Ferizaji, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Shtimja. I kemi marrë dy veprime, e lejojmë aktivitetin ekonomik të zhvillohet deri në orën 19:00 me specifikat e manualit për mbrojtje nga koronavirusi. Nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik vendoset kufizim i plotë i qytetarëve, orë policore nga ora 19 në këto komuna. Ndalohen hyrje-daljet në këto komuna nga ora 19:00”, ka deklaruar Hoti.
Hoti tha se masat do të hyjnë në fuqi nga kjo e premte.
“Kjo është zgjidhja më e mirë që kemi mundur të bëjmë, duke pasur parasysh interesat që ka ekonomia, por duke vendosur në rend të parë shëndetin publik. Masat do t’i dërgojmë për votim menjëherë pas kësaj konference. Masat hyjnë në fuqi të premten në orën 19:00, kur fillon mbyllja e komunave në zonë të kuqe. Gjatë ditës kemi lejuar aktivitetin ekonomik me masa strikte”, ka deklaruar Hoti./ gazeta express/ KultPlus.com
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri thirrje sot kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës të përgjigjet se ku e ka fshehur kasetën filmike nga masakra e Krushës së Madhe dhe t’ia kthejë këtë provë të rëndësishme Kosovës dhe drejtësisë.
“Një ndër masakrat më të mëdha serbe ndaj popullit të Kosovës është ajo e Krushës. E vetmja kasetë filmike e plotë e kësaj masakre, sipas poseduesit të saj Milaim Bellanica i është dorëzuar Lulzim Bashës, në atë kohë punonjës/përkthyes i UNMIK. Kjo kasetë e plotë nuk u publikua kurrë dhe mbetet mister pse Lulëzim Basha nuk e vuri në dispozicion të hetimeve për krimet serbe në Kosovë. Milaim Bellanica është dëshmitar i masakrës së Krushës së Madhe i cili mundi të filmonte ekzekutime, fjalime të ndryshme të serbëve në Krushë të Madhe”, tha Balla, ndërsa publikoi një video me dëshmi nga kjo masakër.
Balla tha se “marsi i vitit 1999 për krushjanët, ishte një ngjarje që do të mbahet përjetë në kujtesën e atyre që arritën të dalin të gjallë nga ajo masakër”.
“Në natën e 24 marsit të vitit 1999, kur avionët e NATO-së filluan bombardimet mbi Serbinë, forcat pushtuese serbe në pamundësi për t’u përballur me forcat e NATO-së dhe UÇK-së, me mizori masakruan popullin e pambrojtur të Kosovës”, tha Balla.
Balla tregon se ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, bashkë me ish-Ministrin e Mbrojtjes, Rudolph Scharping, me 23 qershor të vitit 1999 vizituan fshatin Krushë e Madhe.
“Joschka Fischer u shpreh: ”Kjo vizitë në Krushë të Madhe sërish më qartësoi se për çka kishim luftuar dhe se kishim vepruar drejt me vendimin, që Milosheviçin këtë herë ta konfrontonim ushtarakisht dhe me vendosmëri”.
Po ashtu, Balla kujtoi se “edhe ish-ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Robin Cook, gjatë vizitës në Krushë më 24 qershor të vitit 1999 u shpreh: “Nuk do të mbyllim sytë para kësaj… kjo është e tmerrshme. Jam tepër i prekur dhe i emocionuar nga kjo… jemi duke i ndjekur ata që kanë instruktuar këto krime dhe fushatën sistematike të krimeve”.
“Ende sot mbetet mister fati i të pagjeturve. Krushës i mungojnë dhe 65 persona, në mesin e tyre edhe intelektuali i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, profesori Ukshin Hoti. Zbardhja e fatit të këtij veprimtari të madh të çështjes kombëtare, dhe shumë të pagjeturve të tjerë është sprovë e ndërgjegjes sonë politike e kombëtare”, tha Balla./atsh/ KultPlus.com