Testamentet më të çuditshme të historisë

Vdekja është diçka që na pret të gjithëve. Siç është edhe thënia, “Nuk mund ta marrësh me vete kur të vdesësh”.

Kjo është arsyeja pse shumica e njerëzve bëjnë testamentet e fundit, duke u lënë trashëgim pasurisë së tyre të afërmve të tyre. Por kjo nuk është gjithmonë kështu – disa njerëz zgjedhin t’u lënë paratë dhe sendet e tyre kafshëve shtëpiake dhe madje edhe njerëzve të panjohur.

“Bright Side” ka përgatitur një listë të testamenteve që do ju habisin, transmeton KultPlus.

Shekspiri i la gruas vetëm shtratin e tij të dytë më të mirë.

William Shakespeare i cili njihet në të gjithë botën si një nga dramaturgët më romantikë ndonjëherë, doli të mos ishte aq romantik në jetën reale. Në testamentin e tij të fundit, ai i la vetëm shtratin e dytë të preferuar ’gruas së tij të dashur, Anne Hathaëay. Shumica e pasurisë së tij shkoi tek e bija.

Testamenti i ‘darkës së të vdekurve’.

John Bowman, një zotëri i pasur nga Vermont, besonte fuqimisht në jetën pas vdekjes. Fatkeqësisht ai humbi gruan dhe dy vajzat e tij gjatë jetës së tij. Por ai ishte i bindur se pas vdekjes së tij ai do të bashkohej me familjen – diçka për të cilën të gjithë shpresojmë pasi të vdesim. Por Bowman e çoi atë një hap më tej.

Në testamentin e tij të fundit, John Bowman siguroi një fond prej 50,000 dollarësh i cili u krijua në mënyrë që të ruante rezidencën e tij me 21 dhoma për t’u siguruar që darka të shërbehej çdo natë, vetëm në rast se John dhe familja e tij shfaqeshin një ditë dhe ndiheshin të uritur. Amaneti i tij në testament u respektua deri në vitin 1950.

Testamenti më romantik ndonjëherë.

Dashuria e vërtetë nuk vdes kurrë. Kur Jack Benny, një komedian i famshëm kishte vdekur, ai u sigurua të përfshinte në testamentin e tij të fundit që e veja e tij të merrte një trëndafil çdo ditë, deri në ditën e saj të fundit.

Testamenti më i gjatë në histori.

Frederica Stilwell Cook njihet si autorja e testamentit më të gjatë në histori. Ajo vdiq në vitin 1925 dhe la një testament që përmbante 1066 faqe me 95.940 fjalë. Për hir të krahasimit, romani ikonik i Hemingëay, “Plaku dhe deti” është tetë herë më i shkurtër.

Qeni milioner.

Leona Helmsley, ishte një adhuruese e madhe e qenve. Kur vdiq në vitin 2007, ajo i la afër 12 milionë dollarë qenit të saj maltez, Trouble. Leona nuk ishte personi i parë që i la trashëgim pasurinë e saj një kafshe shtëpiake, por e saj ishte më masivja, duke e bërë Trouble një prej qenve më të pasur ndonjëherë.

Numra vërtet fatlum.

Kur Luis Carlos, një aristokrat i pasur nga Portugalia, vdiq në vitin 2007, ai ua la të gjitha paratë 70 të huajve nga Lisbona. Përfituesit u zgjodhën rastësisht nga një libër i numrave të telefonit.

Të paktën një burrë do të pendohet për vdekjen e Heinrich Heine.

Heinrich Heine, një poet nga Gjermania, e la të venë e tij Mathilde të gjitha paratë e tij nën një kusht: ajo mund t’i trashëgonte ato vetëm nëse martohej përsëri. Heinrich e shpjegoi kushtin e tij të çuditshëm duke thënë “Sepse atëherë, të paktën një burrë do të pendohet për vdekjen time”. / KultPlus.com

Deniona Grillo, stilistja shqiptare që organizonte sfilata në Afrikë

Deniona Grillo aktualisht jeton në Bruksel, por ka jetuar në Afrikë për rreth 15 vite. Për 8 vite Deniona ka punuar në Tanzani ku ka themeluar bashkë me nënat afrikane që kishin fëmijë me aftësi të veçanta një organizatë jo fitim prurëse.

Projektet kishin për bazë t’u mësonte atyre si të prodhonin aksesorë shumëngjyrëshe afrikane e më pas t’i shisnin ato. Ajo ka organizuar dhe sfilata mode, ku është vlerësuar me çmimin “Humanitarian Awards of the Year 2016”, sfilatë që bëhej një herë në vit.

Aktualisht Deniona gjendet ne Bruksel me familjen ku vazhdon të punojë në fushën e modës. E ftuar sot në mëngjes në “Boeing 104.6” ajo rrëfeu sesi ishte eksperienca e jetës në vendin më të pasur nën tokë dhe me të varfër mbi tokë.

“Afrika është një vend shumë normal për të jetuar, duke e parë me një sy europian themi si kanë mundësi që hanë me duar, por kjo është pjesë e kulturës tyre. Arsyeja pse flenë në tokë, nuk mbajnë frigorifer, por ata janë shumë të lumtur me jetën e tyre, ne habitemi, por ata mund të jenë më të lumtur se ne. Për mua ka qenë një kurë shpirtërore kjo mënyrë e jetesës tyre. Për mikeshat e mia në Afrikë, kuzhina jonë ishte shumë e veçantë, sepse unë isha shqiptarja e parë që shkoja në atë zonë. I kam prezantuar me byrekun, tavë dheu, perime të mbushura etj.. Kur im shoq më tha do ikim në Afrikë, i thash menjëherë: Po ikim. Fakti që unë vija nga Shqipëria, ishte ndoshta kjo arsyeja pse u përshtata sepse ishin disa gjëra që nuk më trembnim, si varfëria, pluhuri, rrëmuja. Janë një popull shumë i çiltër, shumë miqësor, çdo gjë që kanë e ndajnë me njëri-tjetrin”, thotë ajo.

Pas përfundimit të kontratës së punës që bashkëshorti kishte në Afrikë, ata vendosën për tú kthyer sërish në Bruksel, sepse donin që fëmijët e tyre, tashmë adoleshentë të njiheshin me kulturën europiane.

“U kthyem në Bruksel, pasi fëmijët janë adoleshentë dhe ishte koha të përballeshin me një jetë tjetër. Një nga djemtë lindi në Afrikë dhe gjatë asaj kohe unë isha në shtëpi dhe kujdesesha për fëmijët. Duke qëndruar në shtëpi nisa të merrem me pasion tim për të stiluar dhe nisa të krijoi bizhuteri. Më pas nisi projekti me gratë afrikane për të krijuar bizhuteri, i cili rezultoi mjaft i suksesshëm. Ambienti atje ishte shkaku kryesor më frymëzoi të nis këtë projekt. Atje kishte shumë copa, shumë ngjyra dhe mendova të përdor materiale që i gjeja atje, me një produkt që vinte nga ai vend, ndaj nisa të krijoi bizhu me copa shumëngjyrëshe. Unë vazhdoj ende krijoi me produkte afrikane, por duke i përshtatur pak me ambientin ku jam tani.” /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Meghan Markle shkeli traditën shekullore të familjes mbretërore

Duka dhe dukesha e Sussexit janë përballur me reagime të furishme gjatë muajve të fundit, pasi ata u shprehën lidhur me zgjedhjet në SHBA, duke shkelur kështu traditën shekullore, se anëtarët e familjes mbretërore duhet të mbeten politikisht neutral.

Megjithatë, Meghan Markle duket se nuk do të ndikohet nga kjo gjë, dhe sipas asaj që ka zbuluar zëdhënësi i saj, “aktivizimi politik i Meghan Markle nuk do të mbarojë pas zgjedhjeve në SHBA sepse ajo ndihet se inkurajimi i njerëzve për t’u përfshirë në politikë është i rëndësishëm”.

Një tjetër zëdhënës i Sussex-it tha se, “të qenit një anëtar aktiv i shoqërisë, është të marrësh pjesë në procesin demokratik. Pra, inkurajimi i njerëzve për t’u përfshirë në politikë është diçka e rëndësishme”.

Ndërsa Harry nuk është në gjendje të marrë pjesë në zgjedhje, sepse ai nuk është një shtetas amerikan, Meghan mezi priste të hidhte votën e saj, gjë që ajo e bëri me postë. / KultPlus.com

Melisa Ibrahimi, fituese e çmimit të parë në garën internacionale të pianos në Gjermani

Kosova çdo ditë e më shumë po i tregon botës për potencialin artsitik që ka, duke bërë që shumica e të rinjve tanë të deportojnë edhe në skenat ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

E fundit ishte Melisa Ibrahimi, ajo e cila u shpërblye me çmimin e parë në kategorinë ‘Senior’ në garën internacionale të pianos në ‘Grand Prize Virtuoso 2020’ të mbajtur në Bonn të Gjermanisë.

Kjo garë për shkak të pandemisë është mbajtur virtualisht përmes video-inçizimeve.

Vlen të ceket se kjo garë mbledh konkurrentë nga e gjithë bota. Si fituese e këtij çmimi, Melisa është përzgjedhur të interpretoj në koncertin ‘Beethoven House in Bonn’ në vitin 2021.

Melisa për KultPlus është shprehur tejet e lumtur që ka arritur të jetë fituese e një çmimi kaq prestigjioz.

‘Gjithmonë është kënaqësi që të jem pjesë e garave të tilla, të cilat veçsa më nxisin për të punuar më shumë drejt një të ardhmeje të suksesshme’, ka potencuar ajo për KultPlus.

Melisa Ibrahimi është studente në Universitetin e Prishtinës tek profesoresha Alberta Troni

Konkursi Ndërkombëtar i Muzikës “Grand Prize Virtuoso” është i hapur për të gjitha kombësitë dhe moshat në tela, piano, frymë, vokale dhe muzikë dhome, secila disiplinë është e ndarë në kategori të ndryshme të moshës: Muzikant i Ri (8 vjeç dhe më i ri), Junior (9 deri në 12 vjeç), i ndërmjetëm (13 deri në 15 vjeç), i avancuar (16 deri në 18 vjeç) dhe i moshuar (pa kufizim moshe). Muzika e dhomës ndahet në tre kategori moshash: Grupi A (nën 12 vjeç), Grupi B (13 – 18 vjeç) dhe Grupi C (19 vjeç e lart). / KultPlus.com

Botohet monografia ‘Teatri i Gjergj Fishtës’, studiuesi: Jemi në borxh me të, duhet të ngjitet në skenë dramaturgjia fishtjane

Monografia “Teatri i Gjergj Fishtës” (botime ‘Fishta’ 2020) me autor Tonin Çobanin dhe Ndue Ballabanin botohet në 149-vjetorin e lindjes së poetit tonë kombëtar.

Studiuesi Tonin Çobani teksa rrëfen në “ReportTV” këtë anë të panjohur të Fishtës, e cilëson atë, si dramaturgun dhe regjisorin e parë të Teatrit kombëtar të shqiptarëve, përcjellë KultPlus.

“Gjergj Fishta është marrë me të gjitha gjërat që i duhen një teatri; dramaturgji, regji, skenografi edhe organizim. Në vitin 1902, kur Fishta vendosi që gjuha e mësimit të jetë gjuha shqipe me kurajë intelektuale, kërkoi që edhe aktivitet jashtëshkollore të bëhen në gjuhën shqipe. Kjo është shumë e rëndësishme për kulturën shqiptare, pasi në këtë rast nis edhe teatri shqiptar. Kur themi “Teatri i Fishtës” do të themi Teatri i françeskanëve, kur përmendim françeskanët janë edhe jezuitët, që të dyja këto bashkë përbëjnë edhe Teatrin e Shkodrës. Kur themi Teatri i Shkodrës, duhet të themi dhe Teatri i Shqipërisë, se nuk ka qytet tjetër me shqiptarë, ku të luhen shfaqje teatrore”, thotë Tonin Çobani.

Sa u përket mesazheve që përcjellin 40 veprat teatrore të Gjergj Fishtës, fishtologu Tonin Çobani rrëfen, se janë sa fetare aq edhe kombëtare.

 “Ne jemi mësuar, që të dallojmë religjionin nga veprimtaria kulturore, patriotike, e rilindjes sonë. Fishta i takon krahut, që kërkon që të lançojë kulturën kombëtare në të gjitha mënyrat. Teatri është gjuha kryesore. Problemet që shtron Fishta në teatër, janë në radhë të parë kombëtare. Kombëtare dhe fetare, që janë të lidhura me njëra tjetrën”, shprehet ndër të tjera Tonin Çobani.

Ndonëse, pas viteve ’90 regjisorët kanë ngjit në skenë dy vepra të Fishtës, si “Gomari i Babatasit” apo edhe “I ligu për mend”, shkrimtari Tonin Çobani shprehet se regjisorët duhet të kujdesen për t’i ngjitur në skenë me një regji bashkëkohore dramaturgjinë fishtjane.

“Unë do të thoja se Gjergj Fishtës nuk i njihet merita aspak në fushën e teatrit, përveçse nga regjisorët, që kanë shkruar kujtimet e tyre pas viteve ’90, pasi më herët nuk botohej gjë nëse përmendej Fishta. Meritë do të ishte nëse do të viheshin në skenë veprat nga regjisorë të rinj, në forma regjisoriale bashkëkohore, vlera që i ka teatri i Fishtës. Mjafton të përmendim “Gomari i Babatasit”, që mund të reflektojë në çdo drejtim. Në këtë kuptim mendoj se Fishta do të arrinte dhe tek misioni i vet, që është misioni i së të ardhmes dhe jo i së shkuarës. Teatrot tona i kanë borxh Gjergj Fishtës, prandaj duhet të vendosin në skenë pjesët e tij”, përfundon fishtologu.

Disa nga veprat e botuara të Fishtës janë: “Të kthyemit e Uliksit në Itakë” (ose “Odisea”), botuar dhe shfaqur më 1909, “Sh’Francesku i Asizit”, “Gjuha e mësimit”, “Shqiptari i qytetnuem”, “Juda Makabe” e shumë të tjera. / KultPlus.com

Në parkun që mbuluan fletët

Poezi nga Ismail Kadare

Në parkun q’ë mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Ju fanit një muzg i vonë
Ky park q’ë kan’ mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s’e shtypën dot.

Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindshat
Që te kjo botë të vije ti… / KultPlus.com

Studiuesja kroate boton Fjalorin ‘Kroatisht-Arbënisht’

Maksimiljana Barančić, profesoreshë në Zarë të Kroacisë ka botuar pak ditë më parë “Fjalorin Kroatisht-Arbënisht të shoqëruar me gramatikë”.

Për fjalorin e ri që sapo botoi, thotë se i janë dashur dy vite punë, për të organizuar hulumtimet e bëra për një kohë shumë të gjatë. Gjithçka filloi me një doktoraturë me temën: “Fjalori i dialektit Arbënesh në Zarë, si një reflektim i prekjeve gjuhësore”.

Puna e madhe studiore që ajo ka bërë me këtë botim është vlerësuar me Çmimin e Qytetit të Zarës: “Gardiane e identitetit gjuhësor, historik dhe kulturor të Arbanasit (qytezës arbëneshe në Zarë)”. Çmimi është akorduar me motivacionin: “Për suksese dhe rezultate të dalluara në fushën e kulturës dhe të arsimit”. Profesoreshë Maksimiljana Barančić, anëtare e Këshillit Koordinator të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, është pedagoge e njohur e anglishtes dhe e rusishtes në Universitetin e Zarës, tashmë është e njohur gjerësisht për publikun për angazhimin e saj në ruajtjen e identitetit gjuhësor, historik dhe kulturor të arbëneshëve.

Ajo shkruan dhe boton libra mbi personalitete kroate dhe arbëneshe, dhe është Presidente e Shoqatës Kulturore – Artistike “Vicko Zmajeviç”, në kuadër të së cilës realizon kurse të gjuhës shqipe të dialektit arbënesh, prej gjashtë vitesh.

E pyetur rreth motivimit për punën e saj, thotë se: “Më pëlqen ta bëj. Unë e dua librin dhe Arbëneshin tim. Unë vazhdimisht jam duke studiuar dhe komunikuar me folësit, gjuha është një krijim i gjallë”. Ajo është vlerësuar edhe më parë nga ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe tani shprehet se është e lumtur që qyteti i saj ia ka njohur punën dhe përpjekjen, si dhe dëshirën saj për ta shpëtuar Arbënishten. Ajo theksoi se fëmijët e komunitetit shqiptar të Zarës janë të interesuar të mësojnë një gjuhën e tyre amtare dhe se ajo vazhdimisht i motivon ata. Një interes i tillë i shton shpresat për ruajtjen e gjuhës. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Posta e Kosovës lanson pullat postare, ‘Bukuritë natyrore të Kosovës’

Nga sot, Posta e Kosovës lëshon në qarkullim emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare, të titulluar “Bukuritë natyrore të Kosovës”.

Republika e Kosovës, ka shumë bukuri natyrore me pyjet e dendura, liqenet akullnajore, shpellat dhe ujëvarat, të cilat krijojnë një mjedis magjepsës dhe mjaft atraktiv për vizitorë të shumtë vendor dhe ndërkombëtar. 

Pamjet e këtyre dy pullave postare, prezantojnë bukuritë e dy liqeneve malore në pjesën perëndimore të Kosovës, Liqenin e Kuqishtës, i cili ndodhet në Bjeshkët e Nemuna me lartësi mbidetare 1,970 metra, si dhe Liqenin e Gjeravicës, në majën e Bjeshkës së Gjeravicës me lartësi mbidetare rreth 2,200 metra.  

Filatelia e Postës së Kosovës këtë radhë e prezanton shtetin e Kosovës përmes bukurive natyrore të prezantuara në këto dy pulla postare, të cilat janë vepa të autorit Mensur Gashi, që ia ka dhuruar Postës së Kosovës për të qenë në interes promotiv të shtetit tonë. / KultPlus.com

Sarah McBride, senatorja e parë transgjinore në historinë e SHBA-së

Sarah McBride fitoi garën e saj të senatit shtetëror në Delaware të martën në mbrëmje, duke u bërë senatorja e parë transgjinore e shtetit në historinë e SHBA, transmeton KultPlus.

Në një tweet për fitoren e saj, McBride tha: Ne ia arritëm. Fituam zgjedhjet e përditshme. Faleminderit, faleminderit, faleminderit.

Sipas LGBTQ Victory Fund, McBride bashkohet me vetëm katër persona të tjerë trans që aktualisht shërbejnë në legjislaturat e shtetit.

Kjo përfshin përfaqësuesen e shtetit të Kolorados, Brianna Titone, përfaqësuesit e shtetit të New Hampshire, Lisa Bunker dhe Gerri Cannon dhe delegatin e shtetit të Virxhinias, Danica Roem, personi i parë trans që shërbeu në një legjislaturë të shtetit.

Siç shpjegon faqja e internetit e McBride, fushata e saj dhe puna e politikës së ardhshme do të përqëndrohet në përballueshmërinë e kujdesit shëndetësor, lejen familjare dhe mjekësore universale të paguar, reformën në drejtësinë penale etj.

As kjo nuk është hera e parë që McBride bën histori. Siç raportoi NBC, në 2016-ën, McBride foli në Konventën Kombëtare Demokratike, duke u bërë personi i parë transgjinor që flet në një kongres të madh të partisë. / KultPlus.com

Në Napoli vendoset skulptura kundër izolimit

Një fëmijë i shtrirë në krah, një pozicion fetal, me një zinxhir që, simboli i kordonit ombelikal, është ankoruar në dysheme: “Shikoni poshtë”, skulptura e re nga Iago, një artist i njohur i Frosinone, i cili u shfaq këtë natë në qendra e “Piazza Plebiscito”, në zemër të Napolit, transmeton KultPlus.

E dukshme është përqasja me izolimin, mbyllja e gjithanshme e aktiviteteve dhe zerimi i shoqërisë, miratuar në kohërat e koronavirusit.

Ishte vetë skulptori, ai që ndau një video disa sekonda në kanalet e tij sociale, në të cilën ne shohim të njëjtin Jago që shoqëron lëvizjen e vinçit që vendos punën e rëndë në mermer të bardhë në trotuarin e sheshit.

Kuptimi i veprës shpjegohet nga artisti bashkohor dhe fondacioni “Comunità San Gennaro”, i cili bashkëpunoi për instalimin e skulpturës: “Kuptimi i punës time? Shkoni dhe pyesni të gjithë ata që, në këtë moment, janë lënë të lidhur me zinxhirë në përditshmërinë e tyre”.

Për më tepër:

“Shikoni poshtë” është një ftesë për të “parë poshtë” problemet që shqetësojnë shoqërinë dhe frikën nga përhapja e varfërisë, që duket të jetë shumë shqetësuese, veçanërisht për shtresën më të prekur. / KultPlus.com

Në Kosovë, shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Rome

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Rome dhe në kuadër të kësaj dite Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me zëvendësministrat Halil Matoshi e Qazim Rrahmani, ka pritur një prej përfaqësuesve dhe aktivistin e komuniteti rom në Kosovë, Ridvan Gashi.

Aktivisti Gashi e falënderoi ministren për takimin dhe ta se në këtë ditë të shënuar për komunitetin rom ky takim i dërgon një mesazh botës që edhe Kosova po e shënon këtë ditë.

Ai tha se e falënderon MKRS-në për mbështetjen. “Është njëra prej ministrive që më së shumti e përkrah komunitetin rom, përmes projekteve të shumta” tha Gashi, i cili e informoi ministren Dumoshi edhe për aktivitetet e shumta me të cilët ky komunitet po e shënon këtë ditë.

Ndërkaq, Ministrja Dumoshi tha se synimi i saj është që të ketë gjithpërfshirje të përkrahjes për komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe ato veçse po përfitojnë nga përkrahja e MKRS-së.

Ministrja tha se bashkëpunimi me aktivistë romë si edhe me nivelin politik në Kuvend e në Qeveri është në dobi të komunitetit rom në rend të parë si dhe për shtetin e Kosovës.

Në takim u diskutua edhe për themelimin e një çmimi i cili do të mund t’u ndahet personaliteteve që kanë kontribuuar në komunitetin rom, si fjala vjen, Kujtim Paçaku, apo Nexhip Menekshe. Ky propozim mbetet të shqyrtohet në të ardhmen.

U diskutua edhe për çështje të edukimit të komunitetit rom në gjuhën e tyre dhe se aty ku MKRS-ja mund të jep kontributin e saj, ai nuk do të mungojë ka thënë ministrja Dumoshi./ KultPlus.com

Meta viziton piktorin Sali Shijaku: Mbi oxhakun e shtëpisë së tij qëndron madhështore edhe një tjetër kryevepër

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vizituar shtëpinë e artistit Sali Shijaku, me të cilin zhvilloj biseda për betejën e Kodrës së Kuqe dhe u mahnit nga krijimtaria artistike e tij, shkruan KultPlus.

Përderisa piktori Sali Shijaku e ka filluar krijimtarinë e tij në fillim të viteve të 60-ta, Meta e vlerësoj si “ikonë e artit pamor shqiptar”. Ai nëpërmjet një postimi në facebook bëri të ditur që e ka vizituar artistin në shtëpinë e tij, duke e quajtur “Nderi i Kombit”.

“Si dëshmitar i gjallë i betejës së lavdishme të Kodrës së Kuqe, ku ranë heroikisht Vojo Kushi, Xhoxhi Martini e Sadik Stavileci, piktori ynë i madh krijoi një kryevepër që sjell përherë të freskët e të paharruar në memorien kombëtare këtë ngjarje të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, ka shkruar Ilir Meta.

Presidenti i Shqipërisë u mahnit nga veprat që pa te shtëpia e tij, e që veçoi pikturimin e Mic Sokolit.

“Mbi oxhakun e shtëpisë së tij qëndron madhështore edhe një tjetër kryevepër e punuar nga vetë Sali Shijaku, Heroi i Lirisë Kombëtare, Mic Sokoli”.

Figura e artistit Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare, ku edhe shteti ka ndarë disa çmime si titujt “Artist i Merituar’’, “Piktor i Popullit” dhe “Nderi i Qarkut të Tiranës”. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë./KultPlus.com

“Pallati Stratigò”, dëshmi e kulturës arbëreshe që prej vitit 1533

Pallati Stratigò, është një ndër ndërtesat më të njohura në Lungro, një nga “qytezat e Arbërisë”, siç preferojnë ta quajnë arbëreshët e Italisë shumësinë e ngulimeve të tyre në jug të vendit fqinj. Ndërtimi i përket kohës së Rilindjes Italiane, në shekullin e XVI.

Aty banonin njerëz të kulturës, mjekë, magjistratë dhe noterë, por personazhi më i shquar ishte poeti Vincenzo Stratigò dhe nëna e tij patriote Matilde Mantile.

Vincenzo Stratigò, ishte gjykatës dhe një protagonist i shquar i Rilindjes Italiane. Veprat e tij të shkruara në italisht dhe në arbërisht, janë studiuar brenda dhe jashtë Italisë. Në faqatën e jashtme të pallatit ka një pllakatë që e përkujton protagonizmin e tij të datës 16 korrik 1859, në mesnatën e të cilës udhëhoqi turmat me motin “Unë besoj tek Italia”, duke i nxitur në lëvizjen për bashkimin e territoreve italiane në një shtet të vetëm. Ky angazhim i tij e detyroi të arratisej nga vendlindja e tij për vite me radhë, ndërsa e ëma Matilde dhe vëllezërit Giuseppe e Demetrio u arrestuan dhe u burgosën.

Kur hyn sot si vizitor për të kundruar pallatin Stratigò, të bien në sy tavanet e pikturuara dhe një bibliotekë e shekullit të gjashtëmbëdhjetë që të shpien në të kaluarën dhe në historinë e Arbërisë. Ndërtesa nuk ka pësuar asnjë ndryshim me kalimin e kohës, ka mbetur siç ishte në fillim. Familja Stratigo u zhvendos aty në vitin 1533, kur emigroi nga Shqipëria, dhe pas pak përshtatjeve që i ka bërë për jetesën e saj, nuk ka pasur më asnjë ndryshim. Shtëpia është gjithmonë e hapur për studiues dhe vizitorë, por është përshtatur edhe si hotel me vetëm një vakt në mëngjes dhe një restorant të vogël, ku mund të shijohet kuzhinë arbëreshe, rrethuar me libra dhe rroba të periudhës së Rilindjes Italiane. / Material i përkthyer nga viviamolacalabri. / Diaspora Shqiptare/ KultPlus.com

“Duajeni, jo vetëm sepse është gruaja juaj, por sepse është zgjedhja juaj”

Nga Mirush Kabashi

Duajeni, jo vetëm sepse është gruaja juaj, por sepse është zgjedhja juaj.

Duajeni, megjithëse shpesh do ta donit ndryshe.

Duajeni edhe kur ajo ka “dhimbje koke”.

Duajeni edhe kur ulërin.

Duajeni edhe kur hesht dhe qan fshehurazi.

Duajeni edhe kur është e lodhur.

Duajeni edhe kur është e lumtur dhe këndon këngët që nuk ju pëlqejnë̈.

Duajeni kur vesh një fund seksi dhe këpucë me taka.

Duajeni edhe kur është në divan me xhup dhe çorape.

Duajeni dhe mos e quani “nënë” sepse ajo është nëna e fëmijëve tuaj, jo e juaja.

Duajeni kur është e lumtur.

Duajeni kur është e dëshpëruar, dhe ju e shikoni me rrudha dhe flokë të çrregullt.

Duajeni edhe kur grindeni.

Duajeni ndërsa fle dhe kuptoni sa shume lodhet.

Gjithmonë̈ dashurojeni.

Duajeni edhe kur përplas derën dhe nervozohet.

Duajeni çdo ditë.

Duajeni pa kushte, pa kufij, pa frikë.

Fali besim.

Edhe nëse “jeni së bashku një jetë të tërë”, bëjeni që ajo të ndjehet unike dhe e juaja.

Mos u turpëro ta duash, ta mbështesësh,ta ndihmosh në detyrimet dhe vështirësitë e jetës.

Ftojeni atë në darkë, në kinema, në një koncert.

Bleni një biletë për një shfaqje që i pëlqen dhe merreni për ta parë se bashku. Surprizojeni atë dhe ajo do t’ju habisë! / KultPlus.com

Vjosa Osmani, zyrtarisht merr funksionin e u.d. të presidentes së Kosovës

Në përputhje me obligimet kushtetuese, pas dorëheqjes së presidentit të vendit Hashim Thaçi, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka marrë zyrtarisht funksionin e u.d. të presidentes së Kosovës.

Ceremonia e pranim- dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës. U.d. e presidentes do t`i drejtohet sot qytetarëve me një adresim në orën 17:00./ KultPlus.com

Ndërron jetë Remzi Përnaska, gjuhëtari i shquar, mësuesi e pedagogu i përkushtuar i shqipes

Komisioni i gjuhësisë dhe letërsisë pranë Akademisë së Shkencave njoftoi sot ndarjen e papritur nga jeta të gjuhëtarit, profesorit, personalitetit të shquar Remzi Përnaska.

Prof. Remzi Përnaska, studiues i devotshëm të shqipes e kulturës shqiptare, mësimdhënësit të pasionuar në auditoret e universiteteve shqiptare e atyre jashtë Shqipërisë, a punuar më shumë në fushën e sintaksë së gjuhës shqipe ku ka sjellë vështrime të reja me interes edhe për gjuhësinë e përgjithshme e atë teorike.Profesor doktor Remzi Përnaska është gjuhëtar i shquar shqiptar dhe mësues e pedagog i përkushtuar i arsimit shqiptar. 

Ka lindur në Korçë më 20 dhjetor 1934. Shkollën fillore, shtatëvjeçare dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjes, kurse studimet e para të larta për gjuhë dhe letërsi ruse në Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar të Tiranës më 1956. Pas mbarimit të studimeve të larta për gjuhë ruse më 1956 ka punuar si mësues i gjuhës shqipe dhe ruse në Cërrik të Elbasanit deri në vitin 1960, kur u dërgua për të studiuar orientalistikë në Institutin e Gjuhëve të Lindjes në Moskë.

Më 1961, vazhdoi studimet e larta në degën e gjuhës shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, të cilat i kreu më 1963.Për rezultate të shkëlqyera në studimet e larta, e mbajtën pedagog të sintaksës së gjuhës shqipe në katedrën e gjuhës shqipe të këtij fakulteti, ku punoi prej vitit 1963 deri në vitin 1974.

Në vitin 1974 u dërgua si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, ku punoi deri në vitin 1982. Gjatë kësaj kohe ndoqi kurse të ndryshme për gjuhësi të përgjithshme dhe teorike. Ndoqi kurset e gjuhëtarit të madh francez Andre Martinet, si edhe të gjuhëtarit tjetër të shquar francez Antoine Culioli, nën udhëheqjen shkencore të të cilit përgatiti një tezë për gradën më të lartë shkencore që ka Franca : “Doktor Shteti”.

Nga tetori i vitit 1991 deri në shtator 1997 ka punuar sërish si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve të Lindjes në Paris, si edhe në Ecole Pratique des Hautes Etudes tëUniversitetit të Sorbonës si profesor.Që nga viti 1975 ka qenë anëtar i Qendrës së Studimeve Ballkanike të Parisit dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Gjuhësisë Funksionale, kurse nga viti 1976 anëtar i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Parisit dhe nga viti 1994 edhe i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Francës, që nga themelimi edhe i Rrethit të Gjuhëtarëve të Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore (viti 1997).

Pas kthimit në atdhe më 1982, u emërua punonjës shkencor në Sektorin e Gramatikës dhe të Dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku punoi deri në vitin 1991.Ka botuar mbi 50 artikuj shkencorë në revista shqiptare “Studime filologjike”, “Studia albanica”, “Studime”, “Gjurmime albanologjike” etj., si edhe në revista të huaja të specializuara në gjuhësi, si “Cahiers balkaniques”, “Faits de langue”, “Travaux du cercle des linguistes de l’INALCO”, “Presses Universitaires de France”, etj.Është autor i dy krerëve ( kundrina, rrethanori) të veprës madhore Fonetika dhe gramatika e gjuhës së sotme letrare shqipe, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.Ka qenë anëtar jurie për mbrojtje disertacionesh në Universitetin e Sorbonës, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, në universitetet e Puatjesë dhe të Monpeliesë. Ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “Studime filologjike”, anëtar i Këshillit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1983 deri në vitin 1991, delegat në Kongresin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe më 1972, ku ka diskutuar dhe mbajtur një kumtesë. Ai deri në fund të jetës mbeti një nga gjuhëtarët më të të përkushtuar për mbrojtjen e pasurimin e shqipes standarde.

Ka mbajtur ligjërata për gjuhën shqipe në universitete të huaja si në Athinë, Paris, Këln, Puatje, Marsejë, Nantë, Mynih, Sankt-Peterburg, etj. Ka hartuar disa zëra për Fjalorin enciklopedik shqiptar.Ka marrë pjesë në kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për gjuhësi, si ato të organizuara në Këln të Gjermanisë (1988), në Paris nga Ministria e Arsimit të Lartë dhe e Kërkimeve e Francës, në janar 1994, nga shoqata gjuhëtarësh të gjuhësisë së përgjithshme në Francë, në tetor 1995, në qershor 1996, në qershor 1997, në tetor 1997, në shkurt 1999 etj. Ka marrë pjesë me kumtesa në tri Konferencat Ndërkombëtare të organizuara në Sankt-Peterburg, për nder të A. V. Desnickajas, si dhe nga Rrethi i Gjuhëtarëve të INALCO-s në qershor dhe në tetor 1996, në 1997 dhe në 1998, si edhe në shkurt 1999, në Marsejë, etj. Po ashtu, ka marrë pjesë në tubimet shkencore të organizuara nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, në seminaret e konferencat shkencore të organizuara nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës.

Profesor Përnaska ka mbrojtur tri disertacione, dy në Francë dhe një në Shqipëri. Në vitin 1994 paraqiti një tezë nga sintaksa e gjuhës shqipe në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta të Sorbonës, mbrojtja me sukses e së cilës i dha diplomën e studimeve të larta në Sorbonë dhe emërtimin “Nxënës i vjetër i Sorbonës”. Ka mbrojtur një disertacion me temën “Kundranori me parafjalë në gjuhën shqipe” dhe ka fituar gradën “Doktor i shkencave” në Shqipëri. Ky disertacion është botuar si libër në Kosovë (Pejë).Ka mbrojtur një disertacion me temën “Sintaksa e thënies në gjuhën e sotme shqipe (Sintaksa e trajtave të shkurtëra të përemrave vetorë)” dhe ka fituar gradën më të lartë shkencore që ka Franca: “Docteur d’Etat és lettres et sciences humaines”, si edhe të drejtën për të udhëhequr punime doktoratash në Shqipëri dhe në Francë, për të qenë anëtar jurish për mbrojtje doktoratash.

Kjo doktoratë e mbrojtur në Departamentin e gjuhësisë teorike të Universitetit Paris VII, i dha titullin “Profesor” në Francë dhe u botua në frëngjisht nga Presses Universitaires du Septentrion, Lille 1997, 672 faqe.Që nga viti shkollor 1997-1998 e deri sa doli në pension ka qenë “Professeur associé” në Ecole pratique des hautes Etudes të Universitetit të Sorbonës, ku ka drejtuar seminarin për tekstet e vjetra në gjuhën shqipe.

Profesor Përnaska ka botuar katër libra në Francë. Ka hartuar një libër me titullin “Parlons albanais”, që u botua më 1999 nga Shtëpia Botuese ”L’Harmattan” dhe u ribotua deri më tani tri herë. Bashkautorë Ch. Gut dhe A. Gut. Ka botuar gjithashtu dy doracakë Glossaire et guide militaire de conversation français – albanais, E.I.R.E.L, Alb. 02, Strasbourg, 1997, 222 f. dhe Eléments de grammaire albanaise, Complément au Glossaire Alb 02, E.I.R.E.L, Alb. 03, Strasbourg, 1997, 60 f. Është autor tekstesh shkollore për arsimin e lartë dhe të mesëm, i dhjetëra artikujve shkencorë, botuar në revistat tona shkencore dhe në ato të huaja, i dhjetëra artikujve në shtypin e përditshëm shqiptar. Bibliografia e punimeve të tij është mjaft e pasur. Në vitet 2015, 2018 ka botuar katër vëllimet e para të veprës së tij “Gjuhësi…,…gjuhësore”, të parashikuar në shtatë vëllime. Ai mbetet një nga përfaqësuesit më të denjë të kritikës shkencore në albanologji e më gjerë.

Ka marrë pjesë në tubime shkencore ndërkombëtare e komisione për informatizimin e të dhënave gjuhësore shqipe si në Osnabruck të Gjermanisë dhe në European Commission, Directorate-General, Joint Research Centre në Itali, në Zagreb e Beograd.Ka qenë i ftuar në universitetet shqiptare të Shqipërisë, por edhe Kosovës e Maqedonisë së Veriut, ku ka mbajtur ligjërata për çështje të gjuhësisë teorike e të shqipes së sotme.Deri ditët e fundit të jetës ka punuar për përfundimin e një fjalori shqip-frëngjisht të tipit të mesëm (mbi 60.000 fjalë) në Laboratorin FORELL të Universitetit të Puatjesë, si edhe për pjesën shqipe në një fjalor shprehjesh që po hartohet nga Qendra e Kërkimeve dhe e Studimeve për Përhapjen e Frëngjishtes të Ecole Normale Supérieure në Fontenay/Saint-Cloud. Prej shumë vitesh profesor Përnaska ka punuar, gjithashtu, për ngritjen e një monumenti me kalë të Skënderbeut në sheshin me të njëjtin emër në Paris. Është Doctor Honoris Causa i Universitetit « Aleksandër Xhuvani » të Elbasanit, është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të dytë dhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga presidenti i republikës më 2016, me motivacionin: “Për ndihmesën e shquar në fushën e studimeve gjuhësore shqiptare nëpërmjet studimeve e artikujve, për përgatitjen universitare e pasuniversitare të shumë arsimtarëve e studiuesve, si dhe për ndihmesën e dhënë në përhapjen e kulturës dhe gjuhës shqipe në botë, si pedagog e pjesëmarrës në shumë konferenca e kongrese ndërkombëtare.

”Përvoja e tij e gjatë në fushën e studimit dhe botimit, trajtimet e thelluara në shqyrtime, angazhimi njëherazi në probleme nga më të rëndësishmet dhe nga më të vështirat që parashtronte dhe parashtron ngutshëm zhvillimi i mendimit gjuhësor në etapa të caktuara e, për më tepër, angazhimi në studime e botime qysh në rini e deri në moshë të mbrame, kanë përvijuar natyrshëm vendin e merituar të kontributeve të tij në fusha të ndryshme të studimit të gjuhës shqipe e historisë së saj; e në këtë kontekst, vepra e tij i ka siguruar praninë në panteonin e vlerave tona shkencore./atsh/ KultPlus.com

Fëmijët me Sindromën Down në harmoni me ngjyrat gjatë mësimit të artit Ebru

Në bashkëpunim me Qendrën Syndrome Down në Mitrovicë dhe me kontributet e Institutit Yunus Emre, fëmijët me Sindromën Down u bashkuan në vallen e ngjyrave mbi ujë “Ebru” ku dhe krijuan vepra të bukura artistike.

Në kuadër të projektit “X21 Art Ebru”, fëmijët bashkë me prindërit e tyre morën pjesë në aktivitetin ku përfituan përvoja në fushën e artit mbi ujë, Ebru, e cila kërkon durim dhe përkushtim të veçantë.

Duke vëzhguar sesi uji kthehet në pikturë me teknikat dhe praktikat tradicionale e koordinuar nga mësuesja e artit të Ebru-së Shenaj Jusuf, fëmijët dhe familjet e tyre arritën edhe ta praktikojnë atë.

“Ne si familje e fëmijëve me aftësi të kufizuara, kemi arritur të përfundojmë me sukses punimet artistike duke arritur një rezultat unik përmes Ebru-së. Shpresojmë që të mund të formojmë një të ardhme të jetueshme për fëmijët tanë me mbështetjen sociale të siguruar nga Qendra Syndrome Down në Mitrovicë dhe Instituti Yunus Emre në Kosovë.

Në fund të ngjarjes, koordinatorja e Qendrës Syndrome Down në Mitrovicë, Zana Bashota Broja theksoi se puna që bëjnë në këtë qendër kërkon vëmendje dhe përkushtim të veçantë.

“Ju duhet të jepni një trajnim individual ndërsa jepni arsim. Komunikimi i tyre është shumë i këndshëm, është shumë e kënaqshme të punosh me ta, qasjet e tyre të dashurisë janë shumë të forta dhe këto qasje na entuziazmojnë. Për mua, kjo ngjarje ishte shumë produktive dhe e dobishme, kështu që unë do të doja të falënderoja edhe njëherë Institutin Yunus Emre.”

Duke deklaruar se arti i Ebru-së i bën njerëzit të lumtur dhe të ndihen të lirë, mësuesja Shenaj Jusuf tha se Arti Ebru, i cili ka një të kaluar të lashtë, është shumë i rëndësishëm në aspektin e të mësuarit që të ndërtojmë një urë nga e kaluara në të ardhmen dhe më e rëndësishmja ju mëson durimin.

Ndërsa Filiz Pasoma nga Instituti Yunus Emre tha se, “Falënderimet dhe përqafimet e fëmijëve pas ngjarjes ishin treguesi më i mirë se sa me vend ishte ky aktivitet.” Ajo shtoi se aktivitete të këtij lloji do të vazhdojnë gjithnjë e më shumë”.

Ngjarja përfundoi me shpërndarjen e dhuratave nga Instituti Yunus Emre për fëmijët me Sindormë Down.

Përndryshe, Ebru është art tradicional turk i pikturës mbi ujë që njihet nga shekulli i XIII dhe krijohet vetëm me materiale natyrale. Mjeshtrit e Ebru-së e kanë si traditë kalimin e mjeshtërisë nga mësuesi tek nxënësi, kështu ajo ka kaluar nga një brez në tjetrin dhe është ruajtur deri më sot. Kuptimi i fjalës “ebru” ka kuptimin e harmonisë së ngjyrave në ujë.

Për të realizuar një Ebru mundësisht përdoret një enë çeliku, në të cilën hedhim ujë natyral të përzier me një lëndë që quhet kitre e cila e kthen ujin në xhelatinë, e pas kësaj derdhim bojërat të cilave u japim forma nga më të ndryshme, ajo cilësohet si art ekologjik i cili nga pikturimi në ujë kthehet në letër. / KultPlus.com

Liridon Mulaj promovon nesër në KultPlus romanin ‘Mos harro të më kujtosh’

Shkrimtari Liridon Mulaj do të promovojë nesër në KultPlus Caffe Gallery romanin e tij ‘Mos harro të më kujtosh’.

Shkrimtari do të prezantojë para të pranishmëve romanin e tij, i cili në të njëjtën kohë edhe do të nënshkruajë autografet.

Promovimi vjen nën organizimin e KultPlus dhe mbahet ditën e premte duke filluat nga ora 19:00.

Kjo ngjarje kulturore mbështetet nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Zana Sahiti, piktorja e re që i flet botës nëpërmjet brushave

Medina Pasoma

Delikatesën e brendisë së saj dhe thellimin në gjërat që e rrethojnë ajo e përkthen në krijimtari artistike. Zana Sahiti prej vitesh i flet botës nëpërmjet brushave, nën kombinimin e ngjyrave dhe gërshetimit të dimensioneve reale e imagjinare, shkruan KultPlus.

Përballja e saj e parë me pikturën ishte në moshën 8 vjeçare, atëherë kur gjithçka nisi me një entuziazëm të madh teksa fletës së bardhë filloj lehtë t’i linte gjurmë ngjyrash. Mirëpo, ky takim në përpjekje të shprehjes së këndvështrimeve të saja, do të shndërrohej në një lidhshmëri dhe mishërim të thellë me artin.  

Për KultPlus, Zana Sahiti rrëfen se të parët që ia krijuan këtë relacion me artin u bënë prindërit e saj, duke e dërguar atë në atelienë “Da Vinçi”. Kështu kishte nisur rrugëtimi i 17 vjeçares, e cila për dallim nga atëherë tanimë vetëm se po e zhvillon më shumë talentin e saj.

“Talentin për pikturën mendoj se e kam të trashëguar nga nëna ime por, në të ka pasur ndikim të madh edhe profesori e piktori Faton Kryeziu që më ka mësuar çdo gjë që di sot për artin”, u shpreh Sahiti për KultPlus.

Nëpërmjet pikturimit të një peizazhi të caktuar, Zana ndal momentin dhe e bën që ajo pamje të përjetësohet përgjithmonë, duke e lënë si gjurmë pas vetes. Mirëpo, e veçanta e krijimtarisë së saj qëndron në detajet, të cilat aq bukur kombinohen me llojllojshmërinë e ngjyrave saqë e bind individin që përafron me realen. E për artistët të cilët janë bërë tok me artin, frymëzimi s’ka si të mos jetë përherë diku në një qosh të jetës.

“Frymëzimin e gjej nga gjërat më të thjeshta, nga vet ngjyrat, paleta në të cilën pikturoj, personat e talentuar e artistët që më rrethojnë.  Ndjehem më së shumti e frymëzuar sa herë që jam nën prezencën e maleve apo të një peizazhi të bukur me pemë”, shprehet talentja Sahiti.

Mirëpo, Zana nuk mjaftohet vetëm me peizazhe. Asaj ia tërheqin vëmendjen edhe dimensione tjera, duke e bërë kështu të ketë një shumëllojshmëri të pikturave.

“Pikturat e mia nuk kanë tematika të njëjta. Unë krijoj atë që më do zemra dhe që i përshtatet preferencave të mia”, thotë Zana Sahiti.

Teknika që i shkon më së shumti për dore është pikturimi me ngjyra të vajit ose acrylic në pëlhura me dimensione të ndryshme. Në anën tjetër, përtej pasionit artin e ka gjuhë shprehëse, e cila e bën të shpraz brendinë.

“Më të vërtet arti është një çlirim shpirtëror. Nuk e di se ç’është por, derisa pikturoj detajet bota ndalet, dhe i vetmi preokupim në atë kohë është se si të pikturojë në mënyrën më të mirë që është e mundur”, shprehet Zana.

Ajo rrëfen se për të finalizuar një pikturë, përveç dashurisë, ajo dhuron edhe shumë mund. Kësisoj, realizimi dhe kompletimi i një vepre arti Zanës ia merr 1 deri në 2 muaj.

“Për mua pikturat simbolizojnë periudha të jetës sime dhe secila nga to kanë kujtimet e emocionet e mia të shfaqura në të. Nuk besoj që jeta ime do të ishte kaq e përmbushur nëse arti nuk do ishte në të”, vlerëson Zana Sahiti.

Pikturat e saj kanë marrë pjesë nëpër ekspozita të ndryshme, ato janë varur nëpër muret e shkollës dhe në ekspozitat kolektive në Lgano të organizuara nga Fondacioni për të rinjtë e botës “Ibrahim Kodra”. Mirëpo, duket se ajo nuk do të ndalet me kaq.

“Si qëllim në të ardhmen kam që të mësohem të punoj më shpejt, të mësoj teknika të reja por, mbi të gjitha të pikturoj gjërat që dua. Një gjë e di me siguri se artin do të jetë gjithmonë pjesë e jetës sime”, shprehet me plotë pasion Zana.

Në një kohë të afërt muret do të mbajnë edhe hijeshinë e punimeve të saja individuale, duke ardhur me një ekspozitë personale dhe duke e shpalosur përpara publikut gjithë krijimtarinë e saj./KultPlus.com

Aktorja e “Titanikut” vdes në moshën 91-vjeçare

Elsa Raven, aktorja e cila njihet për rolet e saj në “Back to the Future” dhe “Titanic”, ka dhënë frymën e fundit në moshën 91-vjeçare.

Ajo ndërroi jetë të martën në shtëpinë e saj në Los Angeles, ndërsa ka lënë pas 15 nipër dhe mbesa. Aktorja e famshme filloi karrierën e saj në New York në moshë shumë të re.

Ravel ishte e njohur për paraqitjen e saj në “The Amityville Horror”, “In the Line of Fire” dhe “The Moderns”.

Ajo gjithashtu njihet për rolin e saj në filmin e famshëm të vitit 1997, “Titanic”, ku në momentet e përmbytjes së anijes ajo zgjodhi që të qëndronte me bashkëshortin dhe të vdisnin bashkë. / KultPlus.com

Vjosa Osmani ushtruese e detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përmes një konference për media ka konfirmuar aktakuzën nga Specialja. Me këtë rast ka dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës, kështu ligjërisht ish- kryeparlamentarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani kalon postin e ushtrueses së detyrës së presidentit të vendit, shkruan KultPlus.

Gjithashtu, Kadri Veseli, kreu i PDK-së dhe ish-kryetari i Kuvendit, bëri të ditur se sot do të niset drejt Hagës, pasi i është konfirmuar aktakuza. Sot do të niset edhe Rexhep Selimi, shefi i Grupit parlamentar të VV-së. / KultPlus.com

Thaçit i konfirmohet aktakuza, jep dorëheqje nga posti i Presidentit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përmes një konference për media ka konfirmuar aktakuzën nga Specialja. Me këtë rast ka dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Gjithashtu, Kadri Veseli, kreu i PDK-së dhe ish-kryetari i Kuvendit, bëri të ditur se sot do të niset drejt Hagës, pasi i është konfirmuar aktakuza. Sot do të niset edhe Rexhep Selimi, shefi i Grupit parlamentar të VV-së. / KultPlus.com

Xhemail Mustafa përkujtohet sot nga PEN Qendra e Kosovës

Në KultPlus Caffe Gallery, në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës përkujton kritikun, shkrimtarin dhe publicistin Xhemail Mustafa.

Kjo mbrëmje mbahet sot, më 5 nëntor, me fillim në orën 17.00.

Për veprën e Xhemail Mustafës do të flasin: Ibrahim Berisha dhe Blerina Gaxha – Rogova.  

Mbrëmjen e udhëheq Avni Spahiu.

Përkujtimi për Xhemail Mustafën është mbrëmja e shtatë e PEN Qendrës së Kosovës që mbahet në kuadrin e projektit “Ora e Shkrimtarit”, përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

PEN Qendra ka paraparë edhe tri mbrëmje përkujtimore për shkrimtarët e ndjerë që do të mbahen gjatë javëve në vijim. / KultPlus.com

Prezantimi i Festivalit të Këngës në RTSH pritet t’i besohet Jonida Vokshit

Në fund të tetorit, RTSH-ja bëri publike listën me emrat e këngëtarëve pjesëmarrës në Festivalin e 59-të të Këngës në RTSH, pa njoftuar se cili/cila do të jetë moderator/e. Gjasat janë që prezantimi t’i besohet Jonida Vokshit.

E ftuar në TCH, Jonida u pyet “A do ta prezantosh festivalin e fundvitit, meqenëse ta kanë propozuar?”.

Pas disa minutave heshtjeje, Jonida tha “kush ma ka propozuar?”, një përpjekje për të shmangur pyetjen. Pas këmbënguljes së dy moderatorëve, aktorja pranoi propozimin nga organizatorët dhe u shpreh “Jam duke e menduar”. / KultPlus.com