Komisioni Qeveritar për të pagjeturit: Gërmimet në Kizhevak rifillojnë në pranverë

Komisioni Qeveritar për të pagjeturit ka njoftuar sot se janë ndërprerë gërmimet për mbetje mortore në Kizhevak. Këto punime pritet që të rifillojnë në pranverë.

“Në vazhdën e aktivitete në këtë proces por edhe në të tjerat, sot mund të njoftojmë edhe familjarët edhe opinion që në njërën prej varrezave në Kizhevak ose një ndër 5 varrezat masive. Dje janë ndërprerë gërmimet për shkak të kushteve të motit. Këto punime do të vazhdojnë në pranverë posa të krijohen kushtet klimatike. Kemi pasur gërmime në Mitrovicë, Siriganë, në Istog dhe në lokacionin Stanaj në Gjilan”, ka thënë Mana.

Në ndërkohë drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka treguar edhe për sfidat që kanë pasur përgjatë këtyre 5 vite të gërmimeve në këtë lokacion.

“Në atë lokacion është punuar që 5 vite. E dini se janë pothuajse tri lokacione që i kanë përdorur për ta fshehur krimin: ujërat, minierat, apo të ashtuquajturat varrezat civile. Meqenëse bëhet fjalë për një minierë që me vite të tëra është hedhur gurë dhe mbeturina atëherë kemi pasur vështirësi në gërmime”, ka thënë Gërxhaliiu.

Ai konfirmoi se deri më tani i kanë tërhequr rreth 5 mbetje të personave.

“Janë ekzaminuar eshtrat që janë zbuluar dhe u është bërë ADN-ja. Mund të bëhet fjalë për 4-5 persona që janë tërhequr nga ai lokacion. Deri në pranverë kur do të fillojnë gërmimet do të dalin rezultatet se kujt i përkasin ato”, ka thënë më tutje Gërxhaliu./ KultPlus.com

“Si i mori Balzaku dy vota në akademinë Franceze?”, rrëfimi i Viktor Hygo më 2 Mars 1887

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Dhjetor 2020

“Les Annales politiques et littéraires” kanë botuar, më 19 gusht 1900, në faqen n°10, dhe me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të gjeniut francez Honoré de Balzac, rrëfimin e një gjeniu tjetër francez, atë të Victor Hugo-së, në lidhje me prapaskenat e sigurimit të dy votave për Balzakun në Akademinë franceze, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Honoré de Balzac

Si i mori Honoré de Balzac dy vota kur u paraqit në Akademinë franceze

(Rrëfim i 2 marsit 1877)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Po kaloja me makinë në rrugën Faubourg-Saint-Honoré, kur, përpara Elysée-së, pashë z. de Balzac që më bënte shenjë të ndaloja. Doja të zbrisja, por ai më ndaloi dhe tha, duke më prekur duart e mia:

— Dëshiroja të vij t’ju takoj. Ju e dini se jam kandidat për t’u bërë pjesë e Akademisë?

— Jo.

— Epo ! po ju a them. Çfarë mendoni?

— Unë mendoj se keni ardhur tepër vonë. Ju do të keni vetëm votën time.

— Unë dua veçanërisht votën tuaj.

— A jeni mjaft i vendosur?

— Absolutisht.

Balzaku u largua. Zgjedhjet tashmë ishin pak a shumë vendosur; shumë emra letrar mbështesnin, për arsye politike, kandidaturën e z. Vatout. U përpoqa të bëja propagandë për Balzakun; por u përplasa kundër ideve fikse (të ngulitura) dhe nuk arrita asnjë sukses. U mërzita pak që një burrë si Balzaku të merrte vetëm një votë dhe mendova se nëse do t’i siguroja një të dytë, do të krijoja në mendjen e tij një dyshim të favorshëm për secilin nga kolegët e mi. Si ta arrija këtë votë ?

Në ditën e zgjedhjeve, isha ulur pranë Pongerville-sit të shquar, njeriu më i mirë dhe e pyeta në mënyrë të papritur :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

— Për kë votoni?

— Për Vatout, siç e dini.

— Unë di aq pak sa kam ardhur të ju kërkoj të votoni për Balzakun.

— E pamundur.

— Pse kjo?

— Sepse zarfi im është përgatitur i gjithi. Shikoni: Vatout.

— Oh! Kjo nuk prish punë.

Dhe, në dy gisht letër, me shkrimin tim më të bukur, shkruajta : Balzac.

— Dhe? më pyeti Pongerville.

— Epo, do ta shihni.

Përmbaruesi, i cili po mblidhte votat, na u afrua. Unë i dhashë një nga zarfat që kisha përgatitur. Pongerville nga ana e tij zgjati dorën për të hedhur emrin e Vatout në kuti; por një goditje miqësore në gishta e bëri letrën të bjerë për tokë. Ai e shikoi atë, dukej i pavendosur dhe, ndërsa unë i ofrova zarfin e dytë në të cilin ishte shkruar emri i Balzakut, ai buzëqeshi, e mori dhe e dërgoi me hir të mirë.

Dhe ja pra sesi Honoré de Balzac mori dy vota në Akademinë franceze!”

VICTOR HUGO/darsiani/ KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/si-i-mori-balzaku-dy-vota-ne-akademine-franceze-rrefimi-i-victor-hugo-me-2-mars-1887/?fbclid=IwAR1VLjL8DYP90IewesGkYn1YpWj3v4CorwnSV6k3zEd03oltghE05OZpYCw

Pianisti shqiptar fiton çmimin e parë në konkursin “Ugo Amendola”

Pianisti shqiptar Adelajd Zhuri është shpallur fitues i çmimit parë në edicionin e parë të konkursit të pianos “Ugo Amendola” Itali.

22-vjeçari shqiptar është zgjedhur nga Juria e konkursit një seancë regjistrimi dhe albumi / CD diskografike në 2021 me prestigjozen Muzika IMD & WEB di Roma.

“Një organizim shumë i mirë nga pjesa e stafit të konkursit, duke qenë në gjendje të nxjerrë më të mirën tim në këtë kohë të vështirë për të gjithë ne muzikantët. Gjithmonë mirënjohës profesoreshës sime Teresa Trevisan dhe të afërmve të mi!” shkruan në facebook pianisti Zhuri.

Shqiptari Zhuri edhe në muajin dhjetor fitoi çmimin e parë në një konkurs të rëndësishëm në Treviso.

Adelajd Zhuri ka studiuar në Konservatorin e muzikës “G.Tartini” në Trieste./ KultPlus.com

Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit mban konferencë për media për zhvillimet në varrezën masive në Kizhevak

Sot në ora 11:00, Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit do të mbaj konferencë për media në lidhje me zhvillimet e fundit në Kizhevak të Serbisë, ku është gjetur një varrezë masive.

Në ndërkohë në këtë lokacion janë gjetur afër 20 kufoma që dyshohet të jenë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për disa ditë radhazi në këtë lokacion ka pasur kërkime nga Ekipi i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Mbetet të dihet nesër nëse është konfirmuar se ato mbetje u përkasin shtetasve kosovar të vrarë gjatë luftës së fundit./ KultPlus.com

Në Meksikë zbulohet “kulla” me 119 kafka njerëzish

Arkeologët në Meksikë kanë zbuluar pjesë të reja të një kulle të periudhës së aztekëve me kafka njerëzish, të cilat besohet se janë vendosur në nëntokën e kryeqytetit Mexico City në shekullin XV.

Ekipi i arkeologëve zbuloi pjesën e jashtme dhe të brendshme të kullës si dhe 119 kafka të burrave, grave dhe fëmijëve. Në të njëjtin lokacion më parë janë gjetur qindra kafka të tjera, njoftoi të premten Instituti Kombëtar i Antropologjisë dhe Historisë.

Kulla me diametër prej rreth pesë metrash për herë të parë ishte zbuluar në vitin 2017, ndërsa gjetjet e fundit aty u bënë në mars të këtij viti, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express, percjellë KultPlus.

Besohet se këto kafka janë pjesë e të ashtuquajturit Huey Tzompantli, grup i madh kafkash që ua kishte futur frikën kolonizuesve spanjollë, kur ata e kishin marrë qytetin nën kontroll më 1521.

Struktura cilindrike ndodhet afër Katedrales Metropolitane, e cila është e ndërtuar mbi tempullin Templo Mayor, një ndër tempujt kryesorë të kryeqytetit të aztekëve, Tenochtitlan, që shtrihej aty ku sot ndodhet kryeqyteti Mexico City.

Arkeologët deri më tani kanë identifikuar tri faza ndërtimi të kullës, të cilat datojnë nga viti 1486 deri në vitin 1502. Ata besojnë se disa nga individët në atë kohë kanë qenë të zënë rob dhe kanë qenë viktima të ceremonive të sakrifikimit./ KultPlus.com

Pal Skiroi dhe studimi i parë filologjik i “Mesharit” të Gjon Buzukut

Falë një vargu rrethanash fatlume Sicilisë dhe studiuesve më të shquar arbëreshë të kësaj ujdhese u janë ndeshur udhët me çastet më të rëndësishme të historisë së monumentit më të vjetër gjuhësor të shqipes, Mesharit të Gjon Buzukut. Qysh prej zbulimit të kësaj vepre nga Kazazi dhe rizbulimit të mëvonshëm nga imzot Pal Skiroi (1866-1941), Meshari i Buzukut ka qenë në qendër të një interesimi të jashtëzakonshëm, që jo vetëm ka të bëjë me historinë kulturore të ngulimeve arbëreshe të Sicilisë, por ka frymëzuar dhe nxitur një lëmë të veçantë studimesh, atë ekdotik, që zë fill me përpjekjet e para të propozimit të një teksti kritik të Mesharit dhe vijon deri në ditët tona me ndihmesën e vyer që po japin tashmë prej vitesh në fushën e filologjisë shqipe dy katedrat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Palermo dhe në Kozencë.

Zarfi dhe f. 1 e letrës qrakore të imzot P. Skiroit (1922)

Sikundër dihet, Meshari u zbulua për të parën herë aty nga viti 1743, kur imzot Gjon Pagëzues Kazazi (1702-1752), prej Gjakove, i sapoemëruar arkipeshkëv i Shkupit, teksa po kthehej nga një vizitë apostolike që kish kryer në Bullgari dhe në vende të tjera të Lindjes, e gjeti në Kolegjin e Propagandës Fide dhe vendosi të njoftojë menjëherë përmes një letre at Gjergj Guxetën (1682-1756), rektorin e Seminarit Arbëresh të Palermos dhe nismëtarin e një lëvizjeje të rëndësishme politiko-kulturore ndër arbëreshët e Italisë. Letra e Kazazit, që deri para vitit 1967 ruhej në arkivin e seminarit, ndërsa tani ndodhet në fondin Albansk Samling të Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagës, përmbante, me gjasa, edhe një relacion ku informohej at Guxeta mbi kushtet në të cilat dergjej popullsia shqiptare e besimit katolik në viset e Ballkanit, që prej kohësh ishte push tuar nga osmanët dhe vu ante nën një shtypje fetare dhe kulturore të pashoqe deri asokohe.

Ky relacion nuk ndodhet më në arkivin e seminarit. Gjithsesi ekzistenca e tij është dokumentuar qoftë nga Pal Maria Parrino (1710-1765), qoftë edhe nga Nikollë Keta (1742-1803), të cilët e citojnë në veprat e tyre të titulluara përkatësisht: “In septem perpetuae consensionis libros septem Albanensis Ecclesiae cum Romana omnium Mater et Magistra” dhe “Tesoro di notizie su de’ Macedoni”. U desh të kalonte pothuaj një shekull që letra e Kazazit, harruar në raftet e arkivit, të shpluhurosej dhe të tërhiqte vëmendjen e imzot Zef Krispit (1781-1859), i cili jo vetëm që e citoi në veprën e tij Memorie storiche su alcune costumanze delle colonie albanesi di Sicilia, por botoi edhe tekstin e dy fragmenteve të Mesharit që kishte kopjuar Kazazi, transliteruar në alfabetin e shqipes që ai vetë kishte krijuar. Kështu, për herë të parë një pjesëz e Mesharit e pa dritën e botimit përmes një qasjeje, që, paçka se modeste nga pikëpamja metodologjike, përuronte udhën e gjatë të studimeve filologjike mbi veprën e Buzukut.

Imzot Gjon Pagëzues Kazazi, Letër At Gjergj Guxetës, Albansk Samling, Biblioteka Mbretërore e Kopenhagës, f. 1r

Ca kohë më pas imzot Pal Skiroi, peshkopi arbëresh i Sicilisë dhe rektor i seminarit që themeloi at Guxeta, pasi mësoi për ekzistencën e Mesharit përmes veprave të pararendësve të tij dhe natyrisht, përmes letrës së Kazazit, vendosi t’i jepte udhë një fushate të vërtetë kërkimesh në bibliotekat më të rëndësishme kishtare të Romës. Imzot Skiroit i takon merita e “rizbulimit” të librit të Buzukut, e bashkë me të edhe të një morie dokumentesh të tjera gjuhësore me rëndësi të jashtëzakonshme, mes të cilave përmendim kopjen e shtypur të veprës së Matrangës “E mbsuame e krështerë” që u gjet në Bibliotekën e Vatikanit. Fushata kërkimore filloi aty nga viti 1909, kur imzot Skiroi mundi më në fund, falë edhe përkrahjes së kardinalit F. Ehrle që asokohe ishte prefekt i Bibliotekës së Vatikanit, të shqyrtonte librat e shumtë të pakataloguar që vinin nga biblioteka të tjera. Mes këtyre ishte edhe kopja e Mesharit që në kohën e Kazazit ruhej në Bibliotekën e Propagandës, por që pas vitit 1900, me unifikimin dhe përqendrimin e fondeve të ndryshme kishtare që ndërmori Selia e Shenjtë, u transferua në Bibliotekën e Vatikanit.

Historisë së vendndodhjeve të ndryshme të Mesharit në rrjedhë të shekujve nuk i është kushtuar rëndësia e duhur. Ndoshta te kjo shkujdesje zë fill hipoteza sipas të cilës vepra e Buzukut ra vik timë e censurës pastridentine dhe u fut në listën e librave të ndaluar (Index librorum prohibitorum). Sipas kësaj hipoteze, fakti që kopja e vetme e Mesharit u gjend në Bibliotekën e Vatikanit, dëshmon se, me gjasa, vepra, pasi i është nënshtruar zyrës së censurës së Vatikanit, do të jetë gjykuar si e papajtueshme me udhëzimet e koncilit e, për këtë arsye, do të jetë ndaluar dhe tërhequr nga qarkullimi. Kjo hipotezë ka disa të meta. Së pari, fakti se kopja e gjetur ka përanash faqeve shënime të shumta apografe të bën të mendosh për një interpretim kryekëput të kundërt, sepse dëshmon jo vetëm për një përdorim praktik të Mesharit, por edhe për qarkullimin e kësaj vepre në trojet e Ballkanit. Së dyti, falë një studimi të botuar këto kohët e fundit nga Lucia Nadin, tashmë dimë se libri i Buzikut u shtyp në Venecia (shih Lucia Nadin Shqipëria e rigjetur – zbulim gjurmësh shqiptare në kulturën dhe artin e Venetos në shek. XVI, Onufri, Tiranë, 2012, f. 230-325), mirëpo në botimet e shumta të Index-it nuk përmendet asnjë Meshar në gjuhën shqipe i shtypur në Venecia, prandaj bie hipoteza që libri i Buzukut të ketë qarkulluar jashtë mjediseve ballkanike dhe shtohen gjasat që autoritetet e Vatikanit të jenë vënë në dijeni të ekzistencës së Mesharit vetëm përmes së vetmes kopje të shtypur që mbërriti në Romë.

Pas gjetjes së Mesharit, imzot Skiroi «iu vu studimit të veprës së Buzuku me qëllim që të përgatiste një rishtypje, duke njoftuar për këtë gjetje të rëndësishme gazeta dhe periodikë të ndryshëm shqiptarë të kohës e duke botuar një artikull me germa të prera enkas, të ngjashme me ato të origjinalit». Lajmi pati jehonë të gjerë e qysh «në vitin 1929 françeskanët e Shkodrës porositën tri kopje fotografike», njëra prej të cilave u përdor nga Justin Rrota për botimin e disa pjesëve biblike që përmbante vepra, së pari, në revistën Hylli i Dritës të vitit 1930 e më vonë në një përmbledhje me titull Monumenti mâ i vjetri i Gjuhës Shqype. D. Gjon Buzuku (1555). Ndërkohë mbeti i pabotuar studimi i përgatitur nga imzot Skiroi, i cili nuk mundi t’i kapërcente vështirësitë e ndryshme që hasi për botimin e studimit të plotë filologjik. Nëse lëmë mënjanë botimin kritik të «pjesëve biblike të Buzukut», përgatitur nga bashkëpunëtori i Skiroit, Gaetano Petrotta (1882-1952) për periodikun shkencor “Rivista indo-greco-iranica di filologia, lingua e antichità” me titull “Il più antico testo di lingua albanese: Gjon Buzuku (1555)”, studimi filologjik i gjerë dhe i hollësishëm i zbuluesit të Mesharit ka mbetur thuajse krejt i panjohur për botën shkencore albanologjike. Kohët e fundit m’u dha rasti t’i hedh një sy veprës së pabotuar të imzot Skiroit, që ruhet me kujdes e dashuri të veçantë nga trashëgimtarët e studiuesit arbëresh e veçanërisht nga stërnipi, Franko Skiroi, të cilin me këtë rast e falënderoj përzemërsisht për ndihmën që më dha në ftillimin e vandakëve të pafundmë me dokumente të arkivit privat që ai ruan me përkushtim të madh.

Imzot Pal Skiroi, faqe nga botimi kritik i Mesharit

Nuk është vendi këtu të bëjmë një përshkrim të hollësishëm të studimit të imzot Skiroit. Gjithsesi, nuk mund të mos theksojmë se megjithëse shumë aspekte të kritikës tekstore që shfaqen në këtë studim të rëndësishëm janë kapërcyer tashmë nga studimet e mëvonshme të zhvilluara gjatë shekullit të shkuar, kjo vepër përbën sot një ndihmesë të vyer për historinë e kritikës tekstore buzukiane, madje, do të thoshim, për historinë e asaj disipline për të cilën Eqrem Çabej ëndërronte një të ardhme më të ndritur, duke i përkushtuar një nga punët e tij më të mira: pikërisht botimin kritik të Mesharit.

Ekzistenca e dorëshkrimit të pabotuar me studimin e vëllimshëm të imzot Skiroit u bë e ditur së pari prej të nipit, Zef Skiroit, i cili e dha lajmin në një jetëshkrim interesant mbi të ungjin e shquar. Studimi “i thellë” i imzot Skiroit mban titullin “I testi biblici in lingua albanese di dom. Gjon Buzuku, messi in ordine, con traduzione italiana e note” dhe përfshin qindra fletë dorëshkrim të mbledhura në tre fashikuj të trashë. Kjo vepër është fryt i “një pune dhjetëravjeçare”, që përmbledh përpjekjet për të dhënë një interpretim fonetik të gjuhës së Buzukut përmes një krahasimi të imët me të dhënat gjuhësore të nxjerra nga veprat e Matrangës, Budit, Bardhit e Bogdanit.

Botimi i pjesshëm që përgatiti Gaetano Petrotta jep vetëm një ide të përciptë të punës së madhe që kreu mësuesi i tij. Pjesët biblike që u botuan në riprodhim diplomatik dhe në transkriptim fonetik, megjithëse dëshmonin një metodë pune që më vonë do të imitohej edhe nga Çabej, në fakt përbënin vetëm një paraqitje të pjesshme të praktikës ekdotike të ndërlikuar që përmban studimi i pabotuar. Nisur nga hamendja se grafia e Mesharit paraqiste tipare johomogjene dhe zgjedhje alfabetike që nuk kishin lidhje me traditën tipografike perëndimore, Skiroi vendosi të vinte përkrah transkriptimit normal të tekstit, edhe një riprodhim në kufijtë e besnikërisë mekanike që sot sigurohet vetëm nga makinat, përmes një rishkrimi diplomatik të tekstit.

Përpjekja për të riprodhuar besnikërisht tiparet grafike bazohej në bindjen se disa nga zgjedhjet e ndryshme alfabetike të Buzukut përbënin vështirësi që e ndërlikonin interpretimin kritik. Në fakt, disa raste, si fjala vjen, e ashtuquajtura “h irracionale”, ishin asokohe të pazgjidhshme, sikundër janë edhe sot e gjithë ditën. Ndoshta pikërisht ky impostim ekdotik përbënte pengesën kryesore për botimin e veprës. Asokohe ishte e pamundur të gjendeshin shtypshkronja të afta të riprodhonin besnikërisht tekstin e Buzukut dhe të përballonin një punë të përmasave të tilla që përfshinte përveç riprodhimit diplomatik, transkriptimit fonetik dhe riprodhimit të origjinalit latinisht, edhe një aparat kritik që përmblidhte rezultatet më të mira të studimit. Nuk e teprojmë po të themi se metoda që ndoqi Skiroi në aparatin kritik edhe sot pas afro një shekulli përbën një model të vlefshëm që mund të përdoret krahas atyre që sot përdoren në filologjinë shqipe.

Faqe studimore e imzot Pal Skiroit me bashkërkime latino-shqipe të Mesharit

Me të mbaruar punën filologjike me tekstin, imzot Pal Skiro u përpoq të gjente botues për veprën. Sipas të dhënave që përmban një letër qarkore e cila është shtypur me kokën e fletores së njohur Fiála e t’In’ Zóti, studiuesi i shquar arbëresh hartoi një program që parashikonte botimin e librit të Buzukut në «njæ vællùm si 400 fàkjesh, i tçíli dòt kêt pæræshkrímin e téstit me abetárin t’ænæ è tæ kæthíemen italíshte. Kætij vællùmi dòt i shtónen edhè fototipit e gjìth téstit tçæ u gjænt, tæ tçílat jánæ njæ kjìnt n’kátræ shtylash». Imzot Skiro ua dërgoi shumë vetëve këtë thirrje, përfshirë disa personalitete të shquara të kulturës dhe të politikës shqiptare. Një kopje e letrës, që ma vuri në dispozicion bujarisht miku dhe kolegu erudit prof. Aurel Plasari, të cilin përfitoj nga rasti për ta felënderuar, është gjetur në një zarf që mban datën 3 maj 1922, drejtuar Mid’hat Frashërit (1880-1949) që asokohe banonte përkohësisht në Hotel Byron në Paris. Për fat të keq projekti ambicioz i imzot Skiroit nuk u realizua dhe studimi i tij kritik i Mesharit do të priste një shekull para se të rikthehej në vëmendjen e studiuesve. Edhe për këtë arsye nuk mund të mos përfitoj nga rasti për të ftuar institucionet publike ose private shqiptare të marrin përsipër barrën dhe nderin e botimit të atij që sot mund ta quaj me plot gojën, nga njëra anë, studimi filologjik sa pionieristik, aq edhe risor i Mesharit e, nga ana tjetër, vepra që përuron filologjinë moderne shqiptare. Për sa u përket trashëgimtarëve të imzot Skiroit, në veçanti të lartpërmendurit Franko Skiroi, një nismë e tillë botuese do të jetë jo vetëm shenjë dhe dëshmi e frymës së bashkëpunimit me gjysmën tjetër të qiellit arbëresh, por do të konfirmojë edhe një herë, a thua se vërtet është nevoja, rolin shkencor që imzot Pal Skiroi pati në suazën e historisë së studimeve mbi Mesharin e Buzukut. Në qoftë se, sikundër shpresoj, kjo ftesë do të mirëpritet, marrëdhëniet arbëresho-shqiptare do të fitojnë, në përgjithësi, një stuatus bashkëpunimi më të frytshëm dhe do të hyjnë, në veçanti, në historinë e njërit prej lëmenjve vendimtarë albanologjikë. Me siguri do të plotësojnë dëshirën e papërmbushur të themeluesit të filologjisë moderne mbarë shqiptare.

Nga Matteo Mandalà/ Exlibris.al / KultPlus.com

Kraki: E ardhmja e qytetarit të Kosovës rifillon çdo mëngjes me instinktin për mbijetesë

Profesori Nezir Kraki nëpërmjet një postimi ka reaguar për pakon e rimëkëmbjes ekonomike, shkruan KultPlus.

Ai ka kritikuar mënyrën se si Qeveria e Kosovës i ndihmon qytetarëve të saj në kohë pandemie nëpërmjet marrjes së parave të kontributit pensional. Sipas tij, kjo do të thotë që po cënohet e ardhmja e popullit mirëpo, në Kosovë nuk ekziston as e tashmja, meqë e gjithë jeta është një përpjekje për mbijetesë.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Nezir Krakit:

Ç’i duhet e ardhmja vendit pa të tashme?

Shumë vende janë prekur brutalisht nga koronavirusi por asnje qeveri deri sot nuk ka propozu ide më absurde per rimekembje e ndihmë sesa qeveria jolegjitime e Kosovës përmes zbrazjes së kursimeve pensionale.

Dhe absurdi merr proporcione tragjike kur dihet që kursimet pensionale te popullit te Kosoves jane nder me te ultat ne Evropen gjeografike.

Megjithate, asgjë e çuditshme! Ky është rezultati logjik i 20 viteve vjedhje e dhunimi te dinjitetit kolektiv te nje populli te dorezuar i cili ka hequr dore nga e ardhmja.

Po, e ardhmja. Sepse kursimet pensionale janë te menduara per te ardhmen por ne vendet ku as e tashmja nuk ekziston, mbijetesa dita-dites është e ardhmja. E ardhmja e qytetarit te Kosoves rifillon çdo mengjes me instinktin per mbijetese.

Prandaj edhe 10 euro shihen si dhuratë hyjnore per ta vazhdu jeten edhe nje dite më shumë derisa bandat politike kcejnë nga pazari në pazar për poste e për privilegja asnjehere te merituara.

Dhe fasin për rimëkëmbje duke pretendu se ajo arrihet me ligj. Jo o idiotë, dinamizmi ekonomik dhe kultura politike nuk behen me ligje por me vullnet per t’i sherbyer interesit kolektiv. Ikni nga absurditeti i trustit dhe dilni nga logjika e zhvatjes nëse i keni dy fije mend e dy miligram integritet moral e personal. / KultPlus.com

“Nënat janë qeniet më të vështira për t’u kuptuar”

Fragment nga vepra “Kukulla” e shkrimtarit Ismail Kadare

Në prill të vitit 1994, im vëlla na lajmëroi nga Tirana se nëna ishte duke dhënë shpirt.

U nisëm të dy me Helenën, me avionin e parë nga Parisi, me shpresë për ta gjetur ende gjallë. Në të vërtetë ishte ende në jetë, por nuk kuptonte asgjë. Ndodhej në koma, në apartamentin e emtës sime, në rrugën “Qemal Stafa”, ku e kishin çuar disa javë më parë, për ta pasur më mirë në kujdes.

Kushëriri im i parë, Besnik Dobi, njeriu që e kishte çuar në krahë gjer tek e motra, pasi më shpjegoi perse e kishte parapëlqyer atë mënyrë bartjeje, për një distance aq të shkurtër, nga Rruga e Dibrës te fillimi i “Qemal Stafes”, shtoi fjalët: Veç kësaj, ajo ishte tepër e lehtë.

Në përpjekje për të sqaruar diçka më tepër, ai përsëriti pak a shumë të njëjtën gjë: e pabesueshme, sa e lehtë ishte! Do të thosha prej letre.

Si një kukull prej letre.

S’isha i sigurt nëse fjalët e fundit ishin të tijat, apo isha une që i kisha menduar, por pata ndjesinë se nuk u habita fort. Thua se të gjitha ato që dëgjoja i dija ndërkaq.

Një skenë e njohur, e përsëritur shpeshherë në banesën tonë, kur vajzat tona loznin kukullash me nënën, më kaloi nëpër mend. E durueshme rrinte midis tyre ndërsa ato i vinin në flokë gjithfarë fjongosh e karficash, pa harruar të përsërisnin: “nënë, mos lëviz!”.

Helenës, merrej me mend që i vinte zor nga një pamje e tillë, por vajzat nuk bindeshin. Nëna s’thotë asgjë, përsërisnin. Asaj i pëlqen, ç’ke ti?

E lehtë. Shkallët prej druri të shtëpisë, zakonisht të ndjesh me, nuk kërcisnin kurrë nga e shkelura e saj. Sepse ashtu si hapat, çdo gjë e kishte të lehtë: veshjen, të folurën, psherëtimën.

Në lagje, e më pas në shkollë, kishim mësuar gjithë ato vjersha për nënën. Kishte gjithashtu vjersha, madje dhe një këngë për ata që s’kishin të tillë, ku fjalët pa nënë përsëriteshin në atë mënyrë që ta këpusnin shpirtin. Nuk dija ndonjë nga shokët e klasës që të mos kishte nënë, ose ndoshta kishte të tillë, por nuk e tregonin. Sipas një shokut tonë, të mos kishe nënë ishte turp, gjë që një tjetër, nga klasa B., e kundërshtonte ngaqë, sipas tij, turp ishte të mos kishe baba. Dy nga shoqet tona, Ylberja me Ela Labovitin, qeshnin me të dy, ngaqë, sipas tyre, jo vetëm ngatërronin fjalën “turp” me “mëshirë”, por nuk kuptonin asgjë nga ato që flisnin.

Sidoqoftë, puna e nënës nuk ishte kaq e thjeshtë, domethë në mjaftonte ta kishe, se të tjerat s’kishin rëndësi. Mund të këndoje gjithë ditën nënë e dashur, nëna ime, më e mira në botë, sa erë e mirë që të vjen, e trululu e tralala, e prapë të mos ishe i kënaqur. Disa, pavarësisht se nuk e thoshin, mërziteshin, ngaqë, në krahasim me të tjerët, nënat e tyre iu dukeshin jo fort të reja, për të mos thënë plaka. Por as kjo s’dukej ndonjë hata në krahasim me rastin e shkollës së lagjes fqinje, ku kishte jo një, por dy nëna të ndara nga burrat. Ose rasti i Pano X., që erdhi duke qarë, ngaqë, rrugës për në shkollë, dikush i kishte thënë “bir i kurvës”, dhe nuk u qetësua veçse kur Ylberja me Ela Labovitin i kishin shpjeguar se kjo s’do të thoshte asgjë dhe se ata që përdomin atë fjalë me “k” për nënat e të tjerëve, mund ta kishin vetë mizën nën kësulë.

Shumë shpejt do ta kapja se unë gjithashtu kisha një problem me nënën, por ai ishte tepër larg nga ato që përmenda. Kishte të bënte kryesisht me lehtësinë, me atë që më pas do të më dukej si ana prej letre apo prej gipsi e saj. Në fillim turbull, pastaj përherë e më qartë po kuptoja se ato që pothuajse nuk mungonin kurrë në vjershat dhe këngët për nënat: qumështi, gjiri, aroma, ngrohtësia e amësisë, s’e kisha lehtë t’i gjeja tek ime më.

S’ishte punë ftohtësie. Dhembshuria e saj ndihej që larg. Kujdesi gjithashtu. Mungesa ishte gjetkë dhe, siç do ta kuptoja më vonë, kishte të bënte me pengesën e shfaqjes, e kapërcimit të një pragu që, me sa dukej, ajo e kishte të pamundur.

Shkurt, qysh herët e kam ndier se nëna ime, më shumë se atyre të vjershave, i ngjante një lloj vizatimi apo skicimi, prej të cilit nuk dilte dot. Edhe bardhësia e fytyrës së saj, sidomos kur vinte sqafill, siç ia kishte mësuar Kako Pinoja, stolisësja e famshme e nuseve të Gjirokastrës, shtëpia e së cilës ishte pothuajse ngjitur me tonën, pra, edhe bardhësia e saj kishte ngrirjen dhe moskuptimin prej maske. Më pas, kur gjatë një udhëtimi në Japoni do të shihja për herë të parë një shfaqje të teatrit tabuki, bardhësia e fytyrave të aktoreve do të më dukej si diçka e njohur. Ishte e njëjta e fshehtë si ajo e nënës sime, një mister prej kukulle, por pa tmerr.

Në të njëjtin stil, si në filmat vizatimorë, ishin lotët e saj. Në shumicën e rasteve nuk e kisha kuptuar arsyen e tyre. Ashtu siç nuk e kuptoja dot se si ishte e mundur që vite me radhë nuk e kisha ndier kurrë të hynte a të dilte në tualet, thua se nuk shkonte kurrë atje.

Nënat janë qeniet më të vështira për t’u kuptuar, më thoshte gjatë një darke në Paris Andrei Voznjesenski. Ishim të ftuar të dy me Helenën tek Alain Bosquet, kur, midis të tjerash, e pyeta diçka për ca vargje të tij që kishin bërë bujë, të shkruara në trajtë gjysmë anagrami. Midis tyre ishte një varg ku fjala nënë, rusisht mat (shoqëruar me shenjën zbutëse), përsëritej tri herë: Matmatmüt, kurse herën e katërt ishte vetëm gjysma e saj ma, e cila në fund të vargut, duke u bashkuar me shkronjën “t” të mat (nënës) së fundit, jepte fjalën tma, që do të thoshte terr.

Voznjesenski në atë darkë ishte në gjendje të rëndë shpirtërore, çka m’u duk se ndikonte në shpjegimin e vargjeve. Ka qenë takimi im i parë dhe i fundit me të, kështu që nuk m’u dha rasti të sqaroja më pas se ç’donte të thoshte. Shpjegimi kishte të bënte pak a shumë me lidhjen midis sintagmave nënë dhe terr,sipas të cilave, njeriu dilte nga barku i nënës si nga terri, dhe ky ishte një qerthull i pafund matma, nënaterr, ku nëna, ashtu si terri, mbetej e pazbërthyeshme.

Ndërsa për lotët e nënës e kisha vështirë të gjeja shkakun, për mërzinë e saj ishte e kundërta. Shkakun e thoshte vetë, madje me një shprehje që, pasi e kisha dëgjuar gjithë frikë herën e parë, sa herë që e kujtoja vazhdonte të më ngjethte mishtë: “më ha shtëpia!”.

Shumë shpejt e mora vesh që kjo ishte shprehja më e zakonshme për të thënë se mërziteshe në shtëpi. Mirëpo kjo nuk më pengonte që, sipas një xanxe që më kishte kapur njëfarë kohe për të zhbiruar kuptimin e fjalëve, ta mundoja veten me përfytyrimin se sa e tmerrshm’e ishte kur shtëpisë ku banoje mund t’i shkrepej një ditë të të hante.

2
Nëna, pavarësisht se mund të dukej e pazbërthyeshme për shumë gjëra, nuk e fshihte se shtëpia jonë nuk i pëlqente aspak.

Në një shikim të parë mund të dukej e shpjegueshme: një vajzë shtatëmbëdhjetëvjeçare hynte nuse në një shtëpi tepër të madhe. Donte apo s’donte, mendimi i parë, qoftë dhe i tërthortë, do të ishte se një shtëpi e tillë kërkonte shumë punë. Aq më tepër për një vajzë që, siç do ta merrja vesh më pas nga tregimet e motrave të saj, ishte qortuar shpesh për mungesë zelli për punë shtëpie. E sidomos aq më tepër që do të ishte nuse e vetme, pa asnjë shpresë për nuse të dytë, ngaqë im atë ishte djalë i vetëm dhe pa baba.

Shtëpia, përveç e stërmadhe, ishte e vjetër dhe hijerëndë. E si të mos mjaftonte kjo, vjehrra, gjyshja ime e ardhshme, përveç namit të gruas buzëhollë, kishte edhe atë të mençurisë. Do të duhej të kalonte mjaft kohë për të kuptuar arsyen e thellë se përse name të tilla për mençuri të tepërt e bezdisnin time më.

Kishte gjasë që të dukej se ftohtësia e parë midis nuses së re dhe vjehrrës të ishte shkaktuar nga mospërfillja, ose më saktë, nga mosmahnitja e nuses prej shtëpisë. Në të vërtetë, shkaku duhej të kishte qenë më i thellë dhe, në njëfarë mënyre i pashmangshëm.

Dihej se familjet gjirokastrite në çastin që lidheshin në krushqi, viheshin aty për aty, në një gjendje të re. Përveç aleancës së natyrshme të dy klaneve, në një mënyrë befasuese krijohej njëfarë shurdhimi, sidomos në periudhën paramartesore. Gjithë krekosja e njohur e shtëpive të vjetra, sedra, mburrjet, kotësia, kishin rast të shpaloseshin e të viheshin në peshore midis dy shtëpive, që do t’i bashkonte kurora e martesës. Në netët e gjata të dimrit, nuset e ardhshme, e po ashtu dhëndurët, do të dëgjonin gjithfarë romuzesh për palën tjetër, të tipit “mos kujtojnë ata se janë më të mirë se ne” e të tjera të ngjashme. Ishte një lloj lufte e ftohtë që vetvetiu i ngarkonte të dy palet, por sidomos nuset dhe vjehrrat e ardhshme, me ndjesi mohuese për njëra-tjetrën.
Nisur nga kjo, mund të thuhej se do të tregonte apo jo nëna ime e ardhshme shpërfilljen e saj ndaj shtëpisë së Kadarenjve, apo do të tregohej buzëhollë a jo gjyshja ime ndaj saj, ftohtësia midis tyre s’mund të shmangej.

Me kalimin e viteve, me shumë vështirësi do të merrja vesh, ose më saktë do të kujtoja se do të merrja vesh, kronikën e pakuptimtë të kinse mërisë midis Kadarenjve dhe Dobatëve.

Ajo që dukej e lehtë për t’u kapur, ndërlikohej papritur, aq sa vinte ora kur ngjante krejtësisht e pazbërthyeshme. Dhe më pas e kundërta: e mjegullta do të qartësohej befas, aq sa të gjithë do thoshin, ah, ja ç’na paskësh qenë kjo punë që ne të verbrit s’e shquanim dot.

Ngatërresa vinte nga pamundësia e çdo krahasimi midis dy klaneve. Niste nga shtëpitë, që ishin aq të ndryshme, saqë kurrsesi s’mund të besohej se i përkisnin të njëjtit qytet.
Sa ç’ishte e vjetër dhe hijerëndë shtëpia jonë, aq nuk ishte e tillë ajo e babazotit, siç quhej gjyshi nga nëna. Ishte e madhe, po s’kishte as qilarë të thellë, as stemë, as shkalla trillane prej druri, për të mos folur për dhoma të pabanuara, për burg, nënkalime të fshehta, mesore apo nënmesore (nëndivane) pa kuptim. Shtëpia e Dobatëve ishte ndoshta e tillë ngaqë ishte e veçuar, pa lagje apo rrugë, që, në njëfarë mënyre do ta detyronin të ngjante me të tjerat. Ishte në një zonë të zbrazët, përbri kështjellës dhe një përroi të rrëmbyeshëm. Në mungesë të fshehtësive, ajo kishte një truall të gjerë, që mund të merrej për kopsht dhe një nënshtëpizë midis truallit, që quhej odajashtë dhe ku banonte një familje romësh, shërbyes të dikurshëm të shtëpisë.

Në vend që njerëzit të ndreqnin disi drejtpeshimin e prishur mes dy shtëpive, ata e theksonin edhe më fort atë. Kadarenjtë dhe Dobatët, siç do ta merrja vesh më pas, ndryshonin nga njëri-tjetri më fort se shtëpitë e tyre. Ndryshimi kryesor që binte në sy ishte se, ndërsa shumica e klanit Dobi ishin në jetë, Kadarenjtë ishin të vdekur. Kur në këndet e shtëpisë gjeja herë pas here ndonjë fotografi të vjetër dhe vrapoja te gjyshja për ta pyetur kush ishte dhe ku ndodhej, përgjigjja e saj më zgjonte trishtim në shpirt. Po ky këtu? e pyesja pas disa ditësh, kur gjeja një tjetër fotografi, dhe përgjigjja ishte e njëjtë: s’është më në këtë botë.

Ndryshimet e tjera, si drurët, zogjtë, violinat e romët, bujqit grekë të ish-pronave të babazotit, tezet dhe ungjët, nuk ishin të pakta, por e keqja ishte se të gjitha ato ishin ca gjëra që s’krahasoheshin dot me tonat. A mund të krahasohej, për shembull, rënia e violinës, me dy dhomat ku s’na lejohej të hynim ose me hapsanën, siç quhej burgu? Për tezet dhe ungjët, për shembull, e kisha mbledhur mendjen se nuk mund të kisha, ngaqë, sipas gjyshes, edhe po të ishin do të quheshin halla dhe xhaxhallarë dhe do të ishin jo motra dhe vëllezër të nënës, por të babait, pra duhej t’i kishte pjellë gjyshja vetë.
(Më vonë, kur të dy ungjët shkuan për studime jashtë shtetit, njeri në Budapest e tjetri në Moskë, mungesa e të ngjashmëve te ne, më shumë se me ata vetë, lidhej me letrat që vinin prej tyre nga larg. Në shtëpinë tonë nuk vinin letra nga askush dhe kjo më dukej e natyrshme, ngaqë dihej se të vdekurit s’dërgonin të tilla.)

Kukulla (gjithmonë e më tepër bindesha se ky cilësim ishte përpjekur, në mos ta zëvendësonte fjalën “mama”, të kthehej në emër të dytë të saj), pra Kukulla, ndonëse e kishte vështirë të shprehej qartë, kishte qenë pak a shumë e ndërgjegjshme se do të përballej me shtëpinë e Kadarenjve, me gjithë ato dritare të larta, musandra, hajate, qilarë të fshehtë, qiellzana prej druri të gdhendur, së fundi me burgun e famshëm dhe me ata emra të tingëllueshëm: Seit Kadareja, Avdo Kadareja, Shahin Kadareja dhe, më të dëgjuarin midis tyre, Ismail Kadarenë, katragjyshin tim, që, siç më pëlqente ta kujtoja shpesh, ishte bërë i famshëm ngaqë përmendej në një këngë, jo se kishte vrarë turq, siç të shkonte mendja në çastin e parë, por për punë veshjeje, më saMtë, ndjekje të modës.

Kundër kësaj gumaje kërcënuese, Kukulla do të kishte ushtrinë e saj të drurëve, të zogjve, të violinave, të motrave e të ish-shërbëtorëve. Në pamje të parë ngjante naive dhe e brishtë, por kishte edhe ajo të fshehtën e saj. Kukulla që nuk dinte shumë gjëra, ishte në dijeni, me sa dukej, të asaj të fshehte, që mbulohej pas emërtimit zhgënjyes e të rëndomtë “gjendje ekonomike”: Dobatët ishin të kamur, çka do të thoshte të pasur, Kadarenjtë jo.

Në asnjërën nga dy shtëpitë nuk përmendej kjo gjë, thua se kishin bërë marrëveshje që secila palë të mbante maskën e vet. Me atë maskë, me paraqitjen kinse të përkorë në gjithçka, Dobatët do të mbulonin kamjen e tyre. Dhe të njëjtën gjë do të bënin Kadarenjtë, me maskën e tyre, atë të madhështisë së rreme, për të mbuluar të kundërtën: skamjen.

Aleanca qysh në fillimet e saj kishte qenë e gabuar. Kurse arsyeja e krushqisë s’ishte marrë vesh kurrë.

3
Sado që jam përpjekurtë përfytyroj mbërritjen e Kukullës nuse në vitin 1933, në shtëpinë e burrit, nuk kam arritur dot. Kishte gjithmonë një pengesë, një rënie mjegulle, ose në rrë- fimin e saj, ose në përfytyrimin tim. Pengesa niste qysh nga vetë rruga e përshkuar. Nuk e kisha vështirë ta sillja me mend karvanin e krushqve nga shtëpia e babazotit tek udha e madhe në këmbët e kështjellës, e më pas te qendra e qytetit “Qafa e Pazarit”, për të zbritur në rrugën e pjerrët të Varoshit. Pikërisht te shtëpia e Dr. Vasil Labovitit, atje ku më 1943 do të shtrohej një darkë e pakuptueshme me gjermanët, niste, bashkë me rrugën që të çonte te shtëpia jonë, surrealizmi. Shtëpia e do- ktorit, vajzën e të cilit e kisha në klasë, ishte e para. Më tutje ishte shtëpia ê Pavli Urës, një shoku tjetër të klasës, mbiemri i të cilit vinte nga një urë, e vërtetë ose e rreme, nuk kuptohej, që ishte poshtë saj. Nëtë vërtetë ishte një rrjedhë e madhe uji, që dilte nga një drejtim, por urë nuk kishte asgjëkund, madje as vetë Pavli Ura s’dinte si ta shpjegonte mbiemrin e vet. Ndër- kaq, disa hapa më tutje, mu përpara shtëpisë së Ficove, rrjedha e ujit ndërronte emërtim dhe nga “urë” bëhej “Përroi i Ficos”.

Shtëpia e Ficove, përveç që ishte e madhe, ishte ndoshta më e bukura e qytetit, çka për disa kishte qenë dhe arsyeja që kishte nxjerrë, siç thuhej, ministrin e Jashtëm më me nam të të gjitha kohërave në Shqipëri. Merrej me mend se sa e lehtë do të ishte për këtë shtëpi që, pas një nami të tillë, t’i jepte emrin e saj rrjedhës së ujit. Një pjesë e rrugës shkonte përbri saj gjer te shtëpia e Kako Pinos, e ëndërruar prej krejt nuseve të ardhshme të qytetit, e vogël, lirike e plot vazo lulesh, pothuajse ngjitur me tonën. Kurse përballë portave të dy shtëpive, i shtrembër, i mbrapshtë, i pangjashëm me asgjë, niste Sokaku i të Marrëve.

Kukullës, që nuk ishte pa kureshtje, duhet t’i kenë bërë përshtypje të gjitha këto. Megjithatë, përpara të panjohurave të tjera, ato ngjanin të zbehta. Nga tri kureshtitë e mëdha që e prisnin, burri, shtëpia dhe vjehrra, kishte gjasë që kjo e fundit të ketë qenë ajo që më së shumti i fuste frikën. Burrin e kishte parë vetëm një herë nga dritarja e shtëpisë pak përpara dasmës. Fotografinë e shtëpisë së saj të ardhshme e kishte sjellë një dite një kushëri i largët, bashkë me pëshpërimat që thuheshin për të. Ndër këto të fundit, më e mjegullta ishte çështja e burgut. Me sa dihej, shtëpia e Kadarenjve hynte ndër katër-pesë shtëpitë e rralla të qytetit, që kishte burg, çka për disa nuk ishte veçse një marrëzi, e për të tjerët lidhej me ca ide të dala mode qyshkur, për punë ligjesh, me fjalë të tjera, shteti kishte ligjet e tij, por shtëpia ato të saj, shkurt secili në punë të vet.
Enigma e vërtetë për Kukullën mbetej vjehrra. Përveç asaj që përmblidhej në ijalët e pamëshirshme: e mençur dhe buzë- hollë, ishte një veçanti e tretë, dalja ose jo nga shtëpia, hamendjet për të cilën nuk ishin fort të qarta. Ishte krijuar bindja se, edhe nëse zonja mëmë e Kadarenjve nuk e kishte shpallur ende moskapërcimin e portës, ishte në përgatitje e sipër.

Mosdalja nga shtëpia e grave të vjetra ishte një nga doket më të pashpjegueshme të qytetit. S’i dihej jo vetëm shkaku, por as zanafilla apo rasti që kishte shërbyer si shkak. Ndodhte një ditë që X grua shpallte se s’do të dilte më nga porta e shtëpisë dhe askush nuk pyeste: pse? apo, si kështu?

Ajo që dihej ishte se kjo mosdalje ishte në vetvete një lloj statusi, si të thuash, ngritje rangu, ose pjesë e një mondaniteti.

Nuk kam besuar se Kukulla do ta ketë vrarë mendjen fort për moskuptimin a kuptimin e thellë të mosdaljes së vjehrrës (ndoshta thjesht ka menduar se do të ishte mirë që ajo të dilte sesa të ngujohej në shtëpi), kurse në mëngjesin e parë pas dasmës në banesën e re, ndërsa bëhej gati të ngjitej te dhoma e madhe e pritjes, do të ketë ndier me siguri se as katrahura e dasmës, as nata e parë me burrin, por ajo paraqitje përpara jurisë së pamëshirshme të krushkave, do të ishte krusma më e vështirë për të. / KultPlus.com

Edona Reshitaj me shumë role në seriale, akuzon produksionet që nuk i kanë paguar trustin

Artistja Edona Reshitaj nëpërmjet një postimi në facebok ka ndarë përvojën e saj, shkruan KultPlus.

Reshitaj ka treguar se si nuk iu është paguar me vite kontributi pensional, në kohën kur qytetarët e Kosovës po marrin 10 përqindëshin e të hollave nga trusti.

Edona përmes postimit ka treguar se në disa seriale televizive ku ka punuar u janë ndalur paratë për trust, ndërkohë që sot ato shuma nuk konfigurojnë fare.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Edona Reshitajt:

Ne disa seriale televizive ku une kam marre pjese me vite te tana, ne rroge m’i kane ndale paret per trust, por ne trust nuk me figurojne ato pare sepse produksioni nuk i ka pagu.

A ka dikush pergjigje per keto raste, apo a mund te inicohet diçka e tille nga te gjithe ata artiste qe kane kalu neper keto eksperienca te padrejta? / KultPlus.com

Vdiq projektuesi i Pallatit të Shtypit Rilindja, Georgi Konstantinovki

Ka vdekur projektuesi Georgi Konstantinovski, i cili kontribuoi për njërin prej objekteve më të rëndësishme të vendit, shkruan KultPlus.

Ai ishte projektuesi i Pallatit të Shtypit Rilindja, e cila shërbeu për shumë vite me radhë si adresë bashkimi për gazetarët, shkrimtarët dhe veprimtarët e rëndësishëm të Kosovës.

Geogri e kishte projektuar pallatin në vitin 1971, të cilit ia kishte lënë 18 kate dhe sipërfaqe prej 50 mijë metrash katrorë.

Pas renovimeve në këtë objekt, Georgi Konstantinovki kishte vizituar në vitin 2015 Pallatin e Shtypit dhe kishte mbajtur një ligjëratë në Fakultetin e Arkitekturës.

Projektimi i tij vazhdon edhe sot të ketë një rëndësi për kryeqytetin kosovar. / KultPlus.com

Jeta dhe vepra e përkthyesit të kryeveprave të letërsisë franceze

Sotir Caci (1917- 1983) ishte arsimtar, poet dhe përkthyes shqiptar.

Lindi në Borovë të Kolonjës. Shkollën fillore e kreu në Ersekë, mësimet e mesme i kreu në “Normalen” e Elbasanit ku kishte si pedagog Aleksandër Xhuvanin. Më pas punoi si mësues në disa fshatra. Ndërkohë nisi të shkruante poezi, të cilat u botuan në shtypin e kohës si “Iliria”, “Java”, “Rilindja”. Poezitë e tij u botuan në të parën antologji të letrarëve të rinj, të asaj kohe, se bashku me Migjenin, Petro Markon, Dhimitër Shuteriqin etj. Po atë kohë filloi të përkthente prozë e poezi franceze. Vepra e parë e rëndësishme ishte “Ura e psherëtimave” e Mishel Xevakos.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore humbet dy prindët në ngjarjet e masakrës së Borovës dhe i prekur nga kjo ngjarje shkruan poemën “Borova”, një nga krijimet më të mira të tij, e cila më vonë u muzikua nga Kristo Kono. Punoi në redaksinë e gazetës “Bashkimi”, në kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe shef redaksie në entin botues “Naim Frashëri”. U nda nga jeta në moshën 66-vjeçare në vitin 1983, duke lënë pas mijëra faqe përkthime.

Vendin parësor në shqipërimet e Sotir Cacit e ka letërsia franceze, letërsia që ai kishte më për zemër dhe që e shoqëroi tërë jetën. Falë kësaj lidhjeje të gjithanshme lindën shqipërimet e tij madhore, disa nga kryeveprat e kësaj letërsie, si komeditë më të spikatura të Molierit, romanet e njohura të Balzakut (“Kushëriri Pons”, “Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve” etj.), romani “Manastiri i Parmës” i Stendalit, tregime dhe novela të A. Dodesë, “Fëmija” e Zh. Valesë, deri dhe vepra të autorëve bashkëkohorë francezë, si romani “Familjet e mëdha” e M. Drionit dhe “Misteri i gjarprit me pendë” i R. Dyshato. Nga ana tjetër, fondi i shqipërimeve të Sotir Cacit nuk mund të kuptohet pa përkthimin e dy epopeve të letërsisë ruse, siç janë “Lufta dhe paqja” e L. Tolstoit dhe “Doni i qetë” i M. Shollohovit apo novelat e A. Çehovit, romani “Nëna” i M. Gorkit dhe “Garda e re” e A. Fadejevit etj. Gjithashtu, ai ka dhënë në gjuhën shqipe romane nga letërsia italiane, si romanet “Skënderbeu” i A. Xonkadës dhe “Çoçarja” i A. Moravias. /zhurnal/ KultPlus.com

Interpretimi i Filharmonisë së Kosovës përmendet pranë 10 kompozitorëve më të mirë anglezë

Radioja digjitale e muzikës, Classic Fm ka renditur 10 kompozitorët më të mirë anglez, shkruan KultPlus.

Në mesin e tyre është edhe kompozitori i shekullit të 20-të, John Tavener. Mirëpo, e veçanta e përzgjedhjes së tij ndërlidhet me veprën të cilën kjo medie ia ka përmendur si ndër të mirat.

“Song for Athene” është vepra të cilën në vitin 2011 e kanë sjellur magjishëm kori i Filharmonisë së Kosovës nën dirigjimin e Rafet Rudit.

Kjo vepër është interpretuar në funeralin e princeshës së Uellsit, Diana.  / KultPlus.com

“Gjysmën e natës e kalova me këngën “Dal-ngadalë po vjen behari”

Fragment nga “Dashuria kuantike e filanit” e Adem Demaçit

Gjysmën e natës e kalova me ecejake, por jo tash duke kënduar këngën e mjerë “Moj hapsane”, por këngën “Dal- ngadalë po vjen behari”… Kur lodhesha sa nuk më mbanin dot këmbët, shtrihesha mbi dërrasat e trapazanit dhe bëja gjumë derisa më zgjonin dridhmat e pakontrolluara të zemrës e të trupit nga të ftohtët… Natën e kalova, copa-copa, një rend ecejake, një rend kllapa mbi trapazan, një rend dridhma të shfrenuara nga të ftohtët. Kështu, deri në mëngjes…  / KultPlus.com



Diana Shaka, egjiptianja e dy dekadave aktivizëm në Kosovë

Arbër Selmani

Fotografitë: Nok Selmani

Diana Shaka rrezaton pozitivitet dhe kjo e ka ndihmuar përballë shumë sfidave në jetë. Disponimi i mirë duket se e shoqëron vazhdimisht, anipse ajo gjatë rrjedhës së 48 pranverave të jetës së saj ka kaluar nëpër probleme, nëpër tronditje, nëpër peripeci të cilat shpesh e lodhin shpirtin e njeriut dhe na bëjnë të dorëzohemi.

Vetëm për pak, sepse megjithatë Diana Shaka ka triumfuar në këtë shoqëri. E lindur në Gjakovë, Diana Shaka sot jeton me qera në Fushë Kosovë ndërsa i kalon ditët në mes të trekëndëshit Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjakovë. Ajo është një egjiptiane krenare e cila ka punuar për vite e vite në të mirë të komunitetit të saj, por edhe të të  gjitha komuniteteve të cilat jetojnë në Kosovë.

“Tash e 16 vjet punoj në Rrjetin e Organizatave të Grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptiane në Kosovë, në sektorin e financave. Ma herët kam punu në Gjakovë, ndërsa pas luftës kam nisë si aktiviste, fillimisht me fëmijët e komuniteteve, si edukatore, dhe më pas edhe me Caritasin zviceran. Më vonë kam nisur të punoj edhe në regjistrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, por aty pas një problemi u largova dhe vazhdova me angazhime të tjera” më tregon Diana derisa takohemi në zyret e organizatës, në Prishtinë.

“Për 2 vite e gjysmë kam udhëtuar edhe në Drenicë, atje po e përfundoja një kurs të nevojshëm për punë. Në atë kohë, pas luftës, nuk ka qenë e lehtë me shku në Drenicë, dhe me koleget e mia nga Caritas Kosova e patëm bo si marrëveshje që mos me i tregu kërkujt çka jom unë. Shkojsha me autobus e vijsha me autobus prej Drenicës, shkaku i sigurisë” vazhdon Diana.

Diana ka një jetë të tërë në shërbim të vajzave e grave të të trija komuniteteve, ndër më të margjinalizuarat në Kosovë, komunitetit rom, atij ashkali dhe egjiptian.

*

“Për fat të mirë, ngjyrën e lëkurës nuk e kam të errët dhe nuk dallohet kryekëput se çka jam. Kuptohet që ka anëtarë të komunitetit që janë edhe me ngjyrë më të bardhë, por kur e ke ngjyrën më të errët, dallohesh më shumë, merret vesh çka je, dhe këtu lind diskriminimi, racizmi, paragjykimet. Ka qenë fati im që ngjyra ime është më e bardhë” rrëfen tutje Diana, një aktiviste e devotshme, e mirë në oratori, në aktivizëm por edhe në numra, në llogaritje. Ajo thotë se e ka më të lehtë të punojë në punën e saj në financa, sesa të flasë, por ne duam ta dëgjojmë tregimin e saj. Ajo e ndihmon organizatën e saj edhe me kontakte të tjera, aty ku ka nevojë, me hulumtime e me publikime.

“Kjo puna e ngjyrës së lëkurës ka ekzistuar në Kosovë edhe para luftës. Na vet si komuniteti kur e shohim dikë më të errët, e dijmë që është pjesë e komunitetit. Nuk do të duhej me lujt rol kaq shumë kjo pjesë, por në Kosovë kështu ka qenë gjithmonë, dhe problemi qëndron sidomos tek edukimi familjar, aty ku mbillet urrejtja fillimisht. Te shqiptarët e di shpesh përdoret kjo fraza –po dokesh si magjupe- dhe disa herë është përdorur edhe para syve të mi, për ndonjë person tjetër. E kanë ditur për mua çka jam, dhe kjo më pengon shumë, ajo që folet para meje edhe mendohet si ofendim ose racizëm. Shpesh përdoret edhe –uh magjupja e vogël, ama t`përqafi- fjala magjupe nuk duhet të normalizohet në Kosovë” vazhdon Diana.

Diana komunikon vazhdimisht me komunitetin egjiptian në Kosovë, gratë e vajzat e telefonojnë dhe e hapin zemrën e tyre me Dianën. Ajo thotë se ka pak ditë që ka pranuar një thirrje për një problem që kishte një pjesëtare e komunitetit, dhe Diana provon më të mirën e saj për të dalë në ndihmë.

Mbesim ende tek pjesa e ‘magjupëve’, e kësaj terminologjie që tmerron.

“Në Kosovë duhet sidomos fëmijët e moshave 3-4 vjeçare, me i përzi shumë. Prej aty fillon edukimi, prej asaj gjenerate duhet me fillu me u përzi edhe fëmijët me ngjyrë të bardhë edhe fëmijët me ngjyrë të lëkurës të errët, dhe me ju tregu që krejt janë të njëjtë, që nuk ka dallim. Kështu fëmijët e shohin dikë më të errët dhe kjo fillon t’u bëhet normalitet” pohon Diana.

*

“Unë deri në klasën e katërt vet kam qenë ajo që nuk kom dashtë me nejt me “magjupët”, sepse nuk e kom kuptu çka osht kjo fjalë dhe kom mendu që osht e keqe, e kom dëgju në klasë. Unë jom shoqëru me shumicën më shumë. Në lagjen time, kur dilsha te dera më thojshin – dul kjo shqiptarja. Më vonë nana ka fillu me m`shoqëru me vajzat e komunitetit dhe e kom kuptu që gjithçka osht në rregull. Në klasën e pestë kom tregu në klasë që jam e komunitetit, dhe prej asaj kohe kudo që shkoj e pranoj dhe e tregoj këtë fakt. Problemin e vetëm e kam pasë me një prej cimereve të mia më përpara, në Prishtinë, njëra e kuptoi që jam egjiptiane edhe shpërtheu me disa ofendime e sulme, pse unë e komunitetit e pse po lyhna e po ndreqna e po veshna mirë, por pronarja e shtëpisë e morri vesh dhe e largoi prej shtëpisë. Të gjitha cimeret tjera, shoqet me të cilat banoja kanë qenë në rregull me këtë pjesë”.

Diana ka shumëçka për të treguar. Ajo thotë se sot, vetë fakti që është temë diskutimi edukimi i vajzave e grave rome, ashkalike e egjiptiane në Kosovë, mjafton sadopak, marrë parasysh se para luftës në Kosovë nuk janë përmendë këto tema, dhe nuk është mirëkuptu që gratë e vajzat lindin me të drejta dhe ato të drejta duhet respektuar.

“Vajzat e reja sot e dijnë çka dojnë, dhe asnjona nuk don me përfundu veç me shkollë fillore. Shumë prej tyre e përfundojnë shkollën e mesme, ndërsa shumica edhe fakultetin. Rreth 200 vajza sot, dhe kjo më mundon, nga komunitetet, kanë kry shkollë dhe nuk janë të punësuara aty ku duhet, janë në organizata por jo në institucione dhe aty ku nevojitet angazhimi i tyre. Njëjtë osht edhe për gjininë mashkullore, edhe ata kanë probleme, papunësia e madhe në Kosovë e sidomos kjo ndikon tek të rinjtë e të trija komuniteteve” tregon Diana.

Diana e ka të përfunduar shkollën fillore, por meqë u martua e re dhe si një nënë vetëushqyese, e la për më vonë vijimin e shkollimit. Në Gjakovë më pas e përfundoi ekonominë e përgjithshme, shkollimin e mesëm, dhe vazhdoi të jetonte në valët e jetës së aktivistes.

“Nuk kom mujt me ja dalë me gjithçka. Kam qenë nanë e vetme, osht dasht me u kujdesë për djalin, besa edhe te familja nuk i kemi pasë kushtet shumë të mira. Kam shku në kurse të gjuhës angleze, kurse për kompjuterë, kam përfunduar kursin e AFASit falë QKSGJ dhe Zyres Amerikane për pagesën që e mundësuan, pastaj edhe kursin e Quickbooks-it falë KCSF dhe RROGRAGEK, dhe falë tyre sot punoj dhe e udhëheqi mirë aspektin financiar të organizatës ku punoj” tregon Diana Shaka.

“Ndihem e sigurtë në Kosovë, kudo që jam, nuk më ka ndodhë më pas ndonjë problem” më tregon në fund Diana pasi e pyes për lirinë dhe sigurinë e saj dhe gëzohem që një grua si kjo, me shumë vullnet për të ndihmuar e për të ndryshuar mentalitet, jeton e qetë dhe e pranuar në një shoqëri si Kosova.

TEKSTI NË GJUHËN ROME.

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë bëjnë thirrje për protestë për bursa

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ditë më parë ka publikuar listën e përfituesve të bursave shtetërore, shkruan KultPlus.

Mirëpo, mantilbardhët e ardhshëm janë të pakënaqur për vendimin e këtij institucioni. Sipas tyre rreth 150 studentë të kësaj dege universitare nuk janë përfshirë si përfitues të bursave.

Përfaqësuesi i Këshillit të Studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, Gzim Abrashi nëpërmjet një postimi në facebook ka bërë thirrje për protestë, në rast se nuk merren parasysh ankesat e tyre.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Abrashit:

Thirrje per PROTESTE

Ta dashur kolege, studente te Fakultetit te Mjekesise,

Ashtu siq edhe jemi zotuar, qe pas ankeses tone me shkrim per çeshtjen e bursave, ne rast se nuk do te marrim pergjigjje brenda 48 oreve, ne do te vazhdojme t’i kerkojme te drejtat tona per te qene te barabarte ne rradhet e studenteve te UP-se.

Ne emer te Keshillit te Studenteve te Fakultetit te Mjekesise therras proteste me date 14.12.2020,e hene ne ora 9:00 para dyerve te Ministrise se Arsimit.

Ju lutem te keni me vete mantilin e bardhe si dhe te jemi te pajisur me masa mbrojtese. / KultPlus.com

Dua Lipa, zëri që hapi me interpretimin e veçantë “Billboard Women 2020”

Zëri magjik i këngëtares shqiptare ka debutuar në hapjen e ngjarjes së rëndësishme muzikore, Billboard Women 2020, shkruan KultPlus.

Dua Lipa ka qëndruar në skenë nëpërmjet interpretimit të këngës së saj “Boy will be boys”, e cila ka një thellësi të veçantë kuptimore. Lipa ka sjellur mrekullueshëm këtë pjesë muzikore, duke i falur emocion interpretimit të saj.

“Boys Will be Boys në Billboard Women të Music Awards. Faleminderit që na patët për ta hapur shfaqjen dhe më lejuat ta interpretoj një këngë që ka kuptim të madh te unë dhe nuk do të mund ta performoja si të tillë në ndonjë ngjarje tjetër”, ka shkruar Lipa, teksa ka shpërndarë video-performancën në Instagram.

Billboard është një ndër markat më të rëndësishme në fushën e muzikës dhe artit. / KultPlus.com

Hoti: Çështja e të pagjeturve do të zgjidhet në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Avdullah Hoti ka zhvilluar sot një takim me anëtarët e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës.  

Ai tha se ndriçimi i fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë është prioritet për Qeverinë, si dhe është ndër pikat kryesore në procesin e dialogut me Serbinë.

Hoti nënvizoi se kjo çështje do të zgjidhet me arritjen e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, me të cilën Serbia obligohet të ofroj të gjitha të dhënat për vendndodhjen e varrezave masive.

Kryeministri Hoti theksoi gatishmërinë e Qeverisë për mbështetje të vazhdueshme në çdo formë, për të gjitha shoqatat e familjarëve të të zhdukurve, duke nënvizuar se kjo çështje shumë e ndjeshme kërkon qasje serioze nga ana e institucioneve shtetërore. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Një qytetar i merr vetëm 3 euro e 12 cent në Trust

Nuk ka kaluar as një orë që është hapur aplikimi në Trust për të tërhequr 10 përqind të vlerës dhe deri më tani kanë aplikuar mbi 30 mijë persona.

Madje ka edhe prej tyre që nga Trusti kanë përfituar shifra të ulta.

Një qytetar gjatë aplikimit të tij u njoftua se do t’i përfitojë vetëm 3 euro e 12 cent. Kjo shumë ishte për t’u qeshur, ndërkohë që qytetari e fotografoi atë. /express/ KultPlus.com

Renovohet objekti 200 vjeçar i trashëgimisë kulturore në Prizren

Është renovuar shtëpia 200 vjeçare e familjes “Kajmakqiu” në qytetin antik të Prizrenit, shkruan KultPlus.

Ky objekt i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore është renovuar në kuadër të projektit “Fasadimi, Konservimi dhe Revitalizimi i Shtëpive me Vlerë Kulturore-Historike”.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka bashkë me drejtorin e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizollin ishin sot përgjatë ceremonisë së përurimit të këtij objekti.

Haskuka ka shkruar në facebook se është arritur ngritja e buxhetit për fushën e trashëgimisë kulturore.

“Gjithashtu, duke e ngritur buxhetin nga 30.000 në 100.000 euro, si Komunë e Prizrenit i kemi trefishuar fondet e vitit të ardhshëm për renovimin e objekteve të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar Mytaher Haskuka.

Kryetari i Prizrenit tutje ka thënë se i ka propozuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit krijimin e një fondi të përbashkët për të gjitha objektet historike të këtij qyteti. / KultPlus.com

Ministria e Kulturës publikon përfituesit e thirrjes publike nga Fondi i Rimëkëmbjes Ekonomike

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur përfituesit nga thirrja publike për mbështetje financiare të projekteve kulturo-artistike, shkruan KultPlus.

Ky konkurs ishte i hapur si një ndihmë financiare nga pjesa e dytë e Fondit të Rimëkëmbjes Ekonomike, teksa tanimë janë publikuar edhe artistët dhe veprimtarët e kulturës të cilët kanë fituar mbështetjen.

Lista e përfituesve përbëhet nga fushat si: diplomacia kulturore, arti pamor, filmi, sektori i industrisë kreative, teatri, diversiteti dhe dialogu kulturor, muzika, promovimi, shkrim dhe trashëgimia kulturore.

Listën e përfituesve mund ta gjeni këtu: https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Lista_e_perfitueseve.pdf   / KultPlus.com

Ka vdekur regjisori i njohur korean, Kim Ki-duk

Regjisori i njohur korean, Kim Ki-duk ka vdekur si pasojë e ndërlikimeve nga Covid-19, shkruan KultPlus.

59 vjeçari ishte nga Korea e Jugut dhe kishte arritur suksese të shumta në fushën kinematografike.

Kim ishte një nga drejtuesit e parë të frymës së re koreane që pushtoi skenën ndërkombëtare, duke shfaqur drama tronditëse, përfshirë “The Isle” në 2000 dhe “Spring, Summer, Fall, Winter and Spring” në 2003.

Filmat e tij kanë marrë shumë çmime nëpër festivale, duke e bërë atë një nga regjisorët më të rëndësishëm bashkëkohorë aziatikë të filmit. Ai ka arritur të fitoj çmime në festivalin e Venecias, të Berlinit dhe shumë vende të tjera.

Vepra  e tij ka shënuar një histori të rëndësishme për kinematografinë koreane. / KultPlus.com

Albumi i Dua Lipës renditet i pari nga revista “People”

Dua Lipa është duke vazhduar të vlerësohet me çmime e vlerësime të rëndësishme në karrierën e saj, shkruan KultPlus.

Së fundmi, revista “People” ka shpërndarë 10 albumet më të suksesshme të vitit. Albumi i këngëtares shqiptare “Future Nostlagia” renditet i pari sipas kësaj reviste, duke shënuar edhe një të arritur tjetër.

Miqtë e këngëtares shfrytëzuan rrjetin social instagram, për të shpërndarë në storjet e tyre këtë sukses të Lipës.

“Future Nostalgia” u publikua në muajin mars dhe është albumi më i dëgjuar i një artisteje femër për këtë vit në platformën më të madhe të muzikës në botë, “Spotify”. / KultPlus.com

Himni i Flamurit

Më 11 dhjetor 1947, në Bukuresht të Rumanisë ndërroi jetë Aleksandër Stavre Drenova, i njohur si Asdreni, një nga poetët më të njohur shqiptarë dhe autori i Himnit Kombëtar (Flamurit) Shqiptar.

KultPlus ju sjell poezinë “Himni i Flamurit”.

Himni i Flamurit

Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë me një qëllim,
Të gjithë Atij duke u betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një Dëshmor.

Në dorë armët do ti mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s’i ndajmë,
Këtu armiqtë s’kanë vend.

Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne./ KultPlus.com

Pse Zvicra po e vlerëson shqiponjën dykrenare si shenjë nazizmi?

Gazeta “Blick” ka shkruar një artikull lidhur me pijen energjike të Markus Brun nga Lucerni, i cili ka dashur ta pushtojë tregun me pijen e tij me shqiponjën dykrenare. Ai ka mundur ta shesë produktin e tij në mbi dy duzina të filialeve Spar. Tani, Spar e ka hequr përsëri pijen energjike me shqiponjën dykrenare nga rafti i shitjes, përcjell albinfo.ch.

Kujtojmë se kur Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Stephan Lichtsteiner e formuan shqiponjën dykrenare në Kupën e Botës në Rusi kundër Serbisë më 22 qershor 2018, Markus Brun nga Lucerni ishte mahnitur para televizorit. “Është njësoj sikur të kesh fituar lotari!”, brohoriti ai në atë kohë.

Arsyeja për gëzimin e tij të madh ishte sepse Brun kishte të mbrojtur logon me shqiponjën dykrenare dhe markën “Shqip King” më 21 prill 2018.

Pra, dy muaj para ndeshjes historike të Kupës së Botës. “E pabesueshme, unë isha me të vërtetë me fat”, kishte thënë gjatë një iterviste për “Blick”, përcjell albinfo.ch.

Blick shkruan se gjithë gëzimi i tij si duket ka dalur zhgënjyese për të, për shkak se shumë festivale që u anuluan nga koronavirusi dhe baret e skenave që u mbyllën për muaj të tërë, shitjet ranë. Aq më i madh ishte gëzimi që ai ishte në gjendje të shiste kanaçet e tij në 25 filiale të Spar. Në rajonet e Lucernit, St.Gallen dhe Cyrihut.

Zviceranët duket se nuk e pelqejnë këtë produkt, për shkak të logos së saj, shqiponjën me dy krera.

Sipas një raporti në selinë e Spar, disa klientë kanë shkruar se kjo pije që mbanë Spar është simbolikë delikate.

Me gjithë këtë, grupi Spar mori vendimin për të ndërprerë menjëherë produktin me këtë logo të ndjeshme dhe të hiqet nga të gjitha tregjet.

«Unë jam shumë i zhgënjyer sepse isha në kontakt me Spar për të renditur pijet energjike në të gjithë Zvicrën. Pastaj papritmas nga askund erdhi refuzimi. Unë absolutisht nuk mund ta kuptoj atë”, thotë Markus Brun për Blick.

Nga ana tjetër, shqiptari, Përparim Avdili, deputet në parlamentin e qytetit më të madh të Zvicrës, (Cyrih), që përfaqëson Partinë Liberale (FDP), ka reaguar nga ky vendim i Spar, duke shkruar se ky është një vendim jo i drejt dhe pikërisht ata janë duke devijuar këtë negativitet.

I dashur Spar. Është, sigurisht, e drejta juaj e lirisë ekonomike për të mos shitur një produkt. Por çfarë saktësisht u desh blerësve tuaj për të bërë një simbolizëm kaq të padëmshëm në argumente të tilla absurde? Me këtë, ju jeni duke devijuar këtë negativitet, duke vepruar kështu, ju fillimisht ndezni këtë negativitet, nga i cili me sa duket dëshironi të mbroni veten. Rrallë kam lexuar një marrëzirë të tillë.

Debati i dyfishtë i shqiponjës u diskutua gjerësisht në Kupën e Botës, një interpretim i tillë as që doli për diskutim në atë kohë. Apo çfarë mund të themi për yjet botërore si Rita Ora dhe Dua Lipa kur e bëjnë këtë shfaqje duarsh?

/Albinfo.ch.

Dua Lipa @NewLove | Lipa, Dua, Prishtina
Rita Ora i uron ditëlindjen babait me një foto tipike shqiptare - Gazeta Online 'Reporteri.net'
Shqiponja i 'tërboi' serbët, Xherdan Shaqiri vihet 'non grata' - Balkanweb.com - News24
Granit Xhaka: Shqiponja nuk ishte provokim, por respekt për shqiptarët | Fokusi