Kur braktis atë që do

Poezi nga Timo Flloko

Ti po kthehesh përsëri tek unë,
Me pendesë edhe trishtim pa fund.
Ka shumë kohë qe po të pres…
Sa shumë…

Vjen,
Përmes erës nëpër natë, ti vjen.
Nostalgji dhe dëshpërim më sjell…
Sa e huaj je tani, s’e ndjen?…

Ku shkuan ëndrrat, ku?
Ke deshën sytë e tu?
S’e di…!
Ne heshtim që të dy.
Na ndan një ftohtësi, tani…

Kur braktis atë që do,
Vjen një çast qe e kupton,
Se pa te, ti dot s’jeton…!

Çfarë më thuaj vlen në botë,
Kur je vetëm e ke ftohtë,
Dhe një zemër s’e gjen dot…?

Ku shkuan pritjet, ku?
Ku ndali hapi yt?
S’e di…!
Një ndjenje në fshehtësi,
Jam skllavi yt me thotë tani…

Unë,
Sa trishtim po ndjej ne shpirt, çudi…!
Kur pendesën shoh në sytë e tu.
S’di…te dua a te humba përgjithnjë?!

Ti u ktheve, lotin shoh te ngrire.
Jam i dobët dhe te fal?! S’e di…
Mund ta kthejmë në jetë dashurinë?!… / KultPlus.com

“ArsFer” bashkon 38 artistë ne Ferizaj

Shoqata e artistëve Figurativ “Zef Kolombi” organizon Koloninë Artistike “ArsFer” në Ferizaj.

Kjo koloni ka karakter mbarëkombëtarë̈ ku do të marrin pjesë 38 artistë nga trojet shqiptare si nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ky aktivitet është shumëdimensional dhe i domosdoshëm për artin pamor, sidomos në këtë periudhë të vështirë dhe është një pasurim i aktiviteteve kulturoro-artistike në qytetin e Ferizajt.

Kjo  koloni është organizuar në Ferizaj në këtë format, ku për qëllim ka zhvillimin dhe promovimin e krijimtarisë̈ artitike në Kosovë, me fokus të veçantë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave të artistëve.

Në kuadër të Kolonisë artistike do të zhvillohen aktivitete të ndryshme si pikturim, vizita në vende të ndryshme të qytetit, diskutime, debate, muzikë dhe do të përmbyllet me një ekspozitë me punimet e realizuara gjatë kolonisë.

Kolonia zgjatë tre ditë dhe mbahet më 15,16 dhe 17 Janar 2021 në Galerinë e Arteve në Ferizaj.

Artistët pjesëmarrës në këtë koloni janë: Adelina Hakiu, Alaudin Elezi, Agon Qosa, Arbenita Kërçeli, Arsim Kajtazi, Avni Islami, Azem Kuçana, Drilona Murseli, Bardha Goga,Besa Kica, Blerina Kasa, Dali Alili, Emin Hasani, Emrush Xhemajli, Fitim Avdyli, Habib Musliu, Halil Matoshi, Haki Xhakli, Imri Musliu, Kastriot Zeqiri, Laura Brahimi, Lebibe Topalli, Muhamet Ahmeti, Mujadin Nuhiu, Nehat Beqiri, Nuhi Ahmeti, Përparim Behluli, Pranvera Sylejmani, Qazim Qukovci, Reshat Ahmeti, Sokol Maloku, Shkurta Haxhiu, Shpend Qeriqi.

Ekipi punues i kolonisë është Ilmi Sadiku, Blerta Hashani, Jetullah Sylejmani, Skender Bedriu, Kujtim Shabani.

Kolonia Artistike “ArsFer” është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Drejtoria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Ferizaj./ KultPlus.com

Për festat e fundvitit, mjeku amerikan ua fali borxhet pacientëve

Një mjek i Arkansasit ka zgjedhur një formë të veçantë t’u ndihmojë pacientëve dhe ish-pacientëve të tij. Për festat e fundvitit, Omar Atiq, u ka dërguar nga një kartolinë atyre duke u thënë se borxhet që i kishin ndaj tij, i kanë të falura.

Atiq ka thënë se këtë veprim e ka bërë që t’u dal në ndihmë pacientëve në këtë kohe pandemie.

“Nëse kjo u dha atyre pak ndihmë, atëherë jam mirënjohës që pata mundësinë ta bëja këtë”, ka deklaruar onkologu për CNN.

“Gjithmonë ka pasur elemente dyshime lidhur me bashkëqytetarët tanë, qeniet njerëzore që duhet të shqetësohen nëse paguajnë për shërbimet kur janë sëmurë. Por kjo është mënyrë sesi funksionon sistemi ynë fatkeqësisht. Shumica e pacientëve fatmirësisht kanë një sigurim shëndetësor, një mënyrë për t’i paguar shërbimet mjekësore dhe ilaçet që janë jashtëzakonisht të shtrenjta”, ka deklaruar tutje mjeku.

Mjeku ka potencuar se borxhet e pacientëve dhe ish-pacientëve të tij kapnin shifrat nga qindra deri në mijëra dollarë./ KultPlus.com

Ujëvarat e Mirushës mbushen me ujë (FOTO)

Ujëvarat e Mirushës që ndodhet në fshatin Llapçevë të Komunës së Malishevës, janë pjesë e një parku me rëndësi të veçantë natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike e Kosovës. Sipas IUCN, zona i përket kategorisë ”Peizazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha i përket kategorisë ”Monument natyror”, shkruan KultPlus.

Mirëpo që nga vera e këtij viti ujëvarat e ‘Mirushës’ ka mbetur pa ujë, duke ndikuar kështu në zoologji dhe botanikë, por në të njëjtën kohë mungesa e ujit në këto ujëvara ka bërë që vendi të mos duket i njëjti.

Reshjet e fundit të shiut dhe borës që kanë përfshirë tërë vendin si duket kanë ndikuar për të mirë kundrejt ujëvarave të ‘Mirushës’. Në një fotografi të postuar në Facebook nga Berat Dakaj shihet se ujëvarat e ‘Mirushës’ tashmë kanë rrjedhën e njëjtën të ujit që kanë pasur dhe më parë./ KultPlus.com

Ujëvara e Mirushës

Posted by Berat Dakaj on Saturday, January 9, 2021

Kompozitori Halimi i dedikon vepër bashkëshortes Elbenita Kajtazi, do të interpretohet nga Deutsche Radio Philharmonie

Vepra e kompozitorit Ardian Halimi “Stille flüstert um uns beide”, është përzgjedhur që të jetë pjesë e masterkursit të 12-të të kompozitorëve në Saarbrücken, shkruan KultPlus.

Halimi këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook ku ka shkruar vepra e cila do të interpretohet nga Deutsche Radio Philharmonie i dedikohet gruas së tij, sopranos së mirënjohur kosovare Elbenita Kajtazi.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Të dashur miq,

jam shumë i lumtur t’ju njoftoj se vepra ime më e re për orkestër “Stille flüstert um uns beide” dedikuar gruas sime Elbenita Kajtazi, është përzgjedhur të jetë pjesë e masterkursit të 12-të të kompozitorëve në Saarbrücken (12. Saarbrücker Komponistenëerkstatt). Më 28 maj, kjo vepër do të interpretohet nga Deutsche Radio Philharmonie nën dirigjimin e Manuel Naëri. Ndërsa, koncerti do të transmetohet nga Radio “SR2 KulturRadio”.

Mbetëshi me shëndet dhe faleminderit për përkrahjen!/ KultPlus.com

Të dashur miq, jam shumë i lumtur t’ju njoftoj se vepra ime më e re për orkestër “Stille flüstert um uns beide” dedikuar…

Posted by Ardian Halimi on Saturday, January 9, 2021

“Krisi topi gjëmoi deti” (VIDEO)

Këngë 260 vjeçare shkodrane e interpretuar mjeshtërisht nga bilbili i këngës shqipe Luan Hajra  dhe kompozuar nga Molla Hysen Dobraçi në vitin e largët 1760, në kohën e vizirit Mehmet Pashë Bushati.

KultPlus ju sjellë më poshtë videon dhe tekstin e këngës.

https://www.youtube.com/watch?v=Hn5YpNoeLyA&feature=share&fbclid=IwAR2BPKQ_ddXrZz4U-kaMQHjdpg5QCZxyz-SJDkHJRBZOrrawq8uKE_iCKwM

Edhe krisi topi,

Djal-o gjëmoi deti aman!

More thanë se doli,

Djal-o Mullabegu, aman!

Oh, kah po vinte,

Djalo prej Balldrenit

More n’atë Zadrimë,

O na u ba o kjameti, aman-e!

More Mullabegu,

Djal, po çon fjalë

– Del Brahim-o

Ndaç o me dal, aman!

Oh, sa ta çoj o kalin me shalë

More n’atë Zadrimë

Po duem me dalë aman-e!

Edhe more i biri,

Djal-o i Pistullores aman

More kaq i vogël,

Trim-o kah na dole, aman?

Oh me Brahimin

Djal-o ç’u rrethove

More kullën pa gjak, djal

Nuk e lshove’ aman-e!/ KultPlus.com

Umberto Eco: Idiotët dhe shtypi i përgjegjshëm

Nga Umberto Eco

Jam argëtuar shumë nga një lajm që doli në Internet në lidhje me idiotët. Për ata që nuk e kanë ndjekur, u raportua në mediat online dhe në ato të shkruara se në një të ashtuquajtur leksion, unë kam deklaruar se Interneti është i mbushur me idiotë. Kjo nuk është e vërtetë. Leksioni ishte për një temë krejt tjetër, por ai demonstron se si lajmi shtrembërohet kur qarkullon nëpër gazeta dhe në Internet.

Lajmi për idiotët doli gjatë një konference shtypi, kur teksa i përgjigjesha një pyetjeje, bëra një vëzhgim krejt të arsyeshëm dhe logjik. Nga shtatë miliard banorët që ka planeti, ka një numër të pashmangshëm idiotësh, shumë prej të cilëve janë mësuar që ua komunikojnë përçartjen e tyre miqve apo të afërmve në bar, kështu që opinionet e tyre janë të kufizuara në një rreth të caktuar. Një numër domethënës i këtyre njerëzve tashmë mund t’i shprehin mendimet e tyre në rrjetet sociale. Prandaj opinione të tilla mbërrijnë në audienca të mëdha, dhe shkrihen bashkë me shumë opinione të tjera, që shprehin njerëz të arsyeshëm.

Ju lutem mbani parasysh që ideja ime për idiotët nuk kishte konotacione negative. Askush, me pak përjashtime, nuk është idiot për nga profesioni, por dikush që është bakall i shkëlqyer, mjek i shkëlqyer, apo një punonjës banke i shkëlqyer, mund të thotë disa broçkulla për gjëra që as nuk i njeh dhe as nuk i di, apo as nuk i ka menduar mjaftueshëm. Reagimet në Internet janë të menjëhershme, pa lënë kohë për reflektim.

Eshtë e drejtë që Interneti t’u lërë hapësirë atyre që nuk kanë asgjë të arsyeshme për të thënë, por tepria e budallallëkut është duke mbushur radhët. Dhe disa reagime të pahijshme që kam parë në Internet, konfirmojnë pretendimin tim. Në të vërtetë, dikush raportoi se unë kam thënë që Interneti ofron të njëjtën famë, si për mendimet e një budallai, ashtu edhe ato të një fituesi të Çmimit “Nobel”, dhe krejt papritur nisi një debat i kotë, që u bë edhe viral, mbi faktin nëse unë e kisha pranuar apo jo Çmimin Nobel – ndërkohë që askush nuk mori mundimin as të hapte Wikipedian. E gjithë kjo tregon se sa shumë të prirur janë njerëzit që të flasin, pa u ndalur për të menduar. Në çdo rast, numri i idiotëve tani mund të kuantifikohet: 300 milionë. Raportohet se Wikipedia ka humbur 300 milion përdorues kohët e fundit. Këta janë të gjithë njerëz që lundrojnë, po nuk e përdorin më Internetin për të gjetur informacion, por preferojnë të rrijnë online duke biseduar me të singjashmit, dhe me gjasë pa u ndalur për të menduar.

Përdoruesi normal i Internetit duhet që të jetë i aftë të rrokë dallimin mes ideve jokoherente dhe të artikuluara mirë, dhe këtu lind problemi i filtrimit të informacionit. Nuk lidhet vetëm me opinione të shprehur në blogje apo Twitter, por është një çështje urgjente për të gjitha faqet e internetit, ku mund të gjesh informacion që është i besueshëm dhe i dobishëm, por gjithashtu – dhe sfidoj këdo që dëshiron ta mohojë – edhe përçartje të gjithfarëlloji, rrëfime për komplote joekzistente, mohime të Holokaustit, racizëm, informacion që është i rremë nga pikëpamja kulturore.

Si mund ta filtrosh informacionin? Secili prej nesh e ka aftësinë ta filtrojë informacionin, kur shohim faqe interneti që merren me tema për të cilat kemi njohuri, por unë i pari do e kisha problem të dalloja, nëse një faqe interneti thotë të vërtetën apo gënjen, kur shkruan për Teorinë e Fijeve. As edhe shkollat nuk munden t’u mësojnë nxënësve si të filtrojnë informacionin, përderisa mësuesit janë në të njëjtin pozicion si unë, dhe ata që japin mësim gjuhën greke mund të gjenden të pambrojtur, kur lexojnë një faqe që shkruan për teorinë e katastrofës së Luftës së Tridhjetë Viteve.

Ka vetëm një zgjidhje. Gazetat janë shpesh skllave të Internetit, pasi aty gjejnë lajme dhe histori që shpesh rezultojnë false, duke i dhënë kështu një zë rivalit të tyre më të madh – dhe duke e bërë këtë gjithmonë më vonë se sa Interneti. Në vend të kësaj, ato duhet t’i dedikojnë dy faqe çdo ditë analizës së website-ve, në po të njëjtën mënyrë siç bëjnë vlerësime të filmave apo librave, duke nxjerrë në pah faqet që janë virtuoze dhe ato që nxjerrin lajme të gënjeshtërta apo komplote pa lidhje. Kështu do të bënin një shërbim të vyer publik, e madje mund të bindin edhe ata shumë përdorues të Internetit që po u ikin gazetave, që të rikthehen.

Për një sipërmarrje të tillë, një gazetë do të kish nevojë për një ekip analistësh, shumë prej të cilëve do të duhej të vinin nga jashtë. Do të kushtonte, por do të ofronte një shërbim të vyer kulturor dhe do i jepte shtypit një qëllim të ri.

Umberto Eco – Shkëputur nga libri “Kronika të një shoqërie likuide” (Artikulli është botuar në 2015) – Në shqip nga bota.al/ KultPlus.com

Publikohet traileri i filmit “Malcom and Marie”

Platforma “Netflix” ka publikuar trailerin e dramës “Malcolm and Marie”, në të cilën luajnë aktorët Zendaya dhe John David Washington.

Filmi i xhiruar në bardhezi, është realizuar dhe shkruar nga regjisori Sa Levinson.

“Malcolm and Marie” me shumë qetësi u xhirua nga 16 qershori deri më 2 korrik, në një shtëpi private në Kaliforni, njofton AP.

Filmi ka të bëjë për regjisorin Malcolm dhe të dashurën e tij Marie, që qëndrojnë të zgjuar deri në orët e vona, duke pritur për kritikat ndaj filmit të tij të ri./ KultPlus.com

Sot është e shtunë edhe për ata që vuajnë e s’janë të lumtur

Poezi nga Jamarbër Marko

Sot është e shtunë…
Për mua dhe për ty
Për të gjithë.
Për të gjithë ata
Që patën diçka në tokë.

Sot është e shtunë
Edhe për ata që janë mërzitur
Për ata që nuk dinë të jetojnë.
Është e shtunë edhe për ata
Që nuk janë më.

Sot është e shtunë
Për kuajt që tërheqin karrocat në errësirë
Për lodrat që u luajtën
Dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë.

Sot është e shtunë
Edhe për ata që nuk e dinë këtë gjë
Që vuajnë e s’janë të lumtur.
Vetëm sot është e shtunë,
E dëgjova në rrugë
Në derën e spitalit.

Sot është e shtunë
Edhe sikur askush të mos e kujtojë…
Jo vetëm sepse unë sot jam mërzitur,
Por për madhështinë e një dite
Që veshi mbi vete pelerinën e vjetër të botës.

Është e shtunë
Sepse nuk ekziston asnjë ditë tjetër
Si kjo e sotmja
Dhe dikush mund të thotë
Se asnjëherë nuk ka qenë e shtunë,
Se asnjëherë, asnjë ditë
Nuk ka shpënë buzë greminës kuptimin e madh
Jetën e madhe përpara një bluze
Të thjeshtë dite
Siç është dita e shtunë.

Ditë e shtunë sot
Që u përsërit aq shumë
Mbi atë çka bënë ata që nuk jetojnë sot
Me lehtësinë e atyre që jetojnë
Të mbështjellë nga e shtuna
Që si letër karamelesh
Bie mbi butësinë e vjetër.

Sot e shtuna bie mbi kërcënimin e vjetër
Dhe thuhet nga të gjitha buzët kudo
Edhe atje ku dita është ngatërruar me një tjetër
Edhe atje ku dashuria është është zëvendësuar me një tjetër.

Kudo sot e shtuna përkëdheli plagët dhe buzëqeshi
Për t’ua bërë më njerëzore,
Për t’ua larguar sadopak nga pesha e kohës,
Që e veshur me hijen dhe dritën e një të shtune
Ndaloi lozonjare dhe tha:
Sot është e shtunë
Kur filluam të kuptojmë
Se vetëm në botën tonë është diçka

Të rrish pak më shumë në të ftohtë
Për të larguar diku drejt pafundësisë
Nyjen e vërtetë,
Që lëkundet me përkëdheli
Brenda thellë së shtunës
Që duket se nuk do të ndërrohet me asnjë ditë tjetër.

Sot është e shtunë
Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim
Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim
Për të bërë një hap
Në botën e vogël të njerëzve. / KultPlus.com

Kina mahnit me festivalin e akullit (FOTO)

Në Kinë është hapur festivali më i madh i akullit në botë. Objektet e ndërtuara nga akulli janë zbukurur me ngjyra të ndryshme, duke krijuar pamje mahnitëse.

Festivali i 37-të i Akullit dhe Borës në Harbin u hap zyrtarisht të martën. Ky festival është atraksioni kryesor turistik i qytetit Harbin, që njihet si “qyteti i akullit”.

Ndonëse në kushte normale festivali tërheq miliona vizitorë në vit, numri i tyre këtë vit është më i vogël për shkak të pandemisë së koronavirusit, shkruan Daily Mail, transmeton KultPlus./ KultPlus.com

Alban Skenderaj publikon këngën ‘Jolie’ (VIDEO)

‘Jolie’ është titulli i këngës më të re të Alban Skënderajt, të cilën e ka publikuar në versionin audio, shkruan KultPlus.

Teksti i këngës është shkruar nga vet Skenderaj.

KultPlus më poshtë ju sjellë videon dhe tekstin e këngës.

JOLIE

Nje shikim si Monisa

befas ti ma dhe

Une si nje “Alien i ligjshem” ne Champs Elysees

Dhe nje moment mu duk vertete sikur jetoja ne nje film

Nata me e bukur qe mbaj mend

Por kur i cela syte vec gjeta mbi jastek nje trendafil

dhe mbi leter shkruar emrin tend

Oh Jolie! Jolie! Ku je Jolie?!

Jolie! Jolie! Ku je Jolie?!

Syte blu, floket me rrica

Pa fryme me la

Elegancen nga Franca

Zjarrin nga Afrika

Ishte nje nate asgje shume me kot vetes i perseris

S’di pse te kerkoj ty ne cdo kend

U be nje jave qe endem rrugeve si i marre neper ne Paris

Ende duke thirrur emrin tend

Oh Jolie! Jolie! Ku je Jolie?!

Jolie! Jolie! Ku je Jolie?!

Asnje mbiemer dhe asnje adrese

Sikur nje foto ta kisha nga ti

Dhe endem si marre neper Paris

Dhe pse e di qe eshte cmenduri

Oh Jolie! Jolie! Ku je Jolie?!

Jolie! Jolie! Ku je Jolie?!/ KultPlus.com

A do të jetë sezoni i pestë i fundit për ‘La Casa de Papel’?

Regjisori i “Money Heist”, thotë se mund të ketë një spin-off të “La Casa de Papel” pas sezonit të pestë.

“Money Heist” do të përfundojë master planin e Profesorit gjatë këtij viti, por një nga regjisorët kryesorë të shfaqjes ka siguruar fansat se një seri vijuese mund të jetë ende e mundur, shkruan Express.co.uk.

Seriali i fashmëm spanjoll do të marrë fund këtë vit me një sezon të pestë dhe të fundit në Netflix.

Sidoqoftë, regjisori prej kohësh i “Money Heist”, Javier Gómez Santander ka sugjeruar që hiti më i madh ndërkombëtar mund të vazhdojë përfundimisht me një spin-off të ri.

Skenaristi televiziv, Javier Gómez Santander ka paralajmëruar se sezoni i pestë dhe i fundit i Money Heist nuk do të jetë i fundit që shohin nga La Casa De Papel.

Transmetuar fillimisht në rrjetin spanjoll Antena 3, seriali u bë një hit i madh kur u mor nga Netflix për audiencat ndërkombëtare.

Për fat të keq, seriali do të marrë fund në një sezon të pestë, që pritet të dalë në ekrane në fund të kësaj vere.

Sidoqoftë, ndërsa episodet e ardhshme do të sjellin planin e vjedhjes së dytë të Profesorit (të luajtur nga varlvaro Morte) në një përfundim kumbues, seriali përmban një listë të gjerë personazhesh që mund të drejtojnë seritë e tyre.

Javier Gómez Santander konfirmoi se nuk kishte plane të përcaktuara, por tregoi se ai mund ta shihte veten përfundimisht të kthehej në botën e Money Heist, transmeton lajmi.net.

Së pari, ai shpjegoi: “Unë mendoj se seriali do të përfundojë shumë mirë, ky sezon i pestë është shumë i mirë. Nuk po konsideroj një spin-off”.

“Por, as nuk mund ta përjashtoni, ky është realiteti. Po sikur të kemi një ide të mirë? Por për këtë duhet të kesh një ide të mirë dhe duhet të kalosh kohë për të”, shtoi Santander.

Reagimet e fansave për pjesën e fundit ishin sigurisht të ndryshme, veçanërisht pas vdekjes së Nairobit të preferuarës së serialit (Alba Flores).

Fatmirësisht, prodhimi në sezonin e ardhshëm po bën përparim të mirë në Madrid dhe dy episode shtesë këtë herë shpresohet të ndihmojnë serialin të arrijë një përfundim të kënaqshëm.

Akoma, krijuesi i serialeve Álex Pina ka krijuar një marrëdhënie të mirë me Netflix pas lëshimit të bashkëprodhimit të tyre White Lines dhe përfundimisht mund të kërkohet që të zgjerohet në serinë e tij të krimit.

Ndërkohë, Santander pranoi se ai nuk është i etur për të filluar punën në një seri vijuese menjëherë, pasi ka punuar shumë në sezonin e pestë të parashikuar të Money Heist.

Ai tha: “Jam lodhur tani, është një serial që të lodhë shumë.”

Mundësia që ai të përfundojë është shumë e mirë për mua mendërisht. Nëse duhet të filloj të mendoj se një spin-off do të vijë më vonë, unë do të thosha ‘ti e bën.’ Por nuk mund t’ju ​​them me siguri”, shtoi ai./lajmi/ KultPlus.com

“Sa herë që një grua sillet si një qenie njerëzore thuhet se po imiton një burrë”

Simone de Beauvoir u lind në Paris më 9 janar 1908.

Simone de Beauvoir ishte një fenomen, një kapërcyell i kohës, një ngjarje në erën e re ku kërkonte të hynte femra, gruaja, nëna. Përkundër nënshtrimit dhe diskriminimit ndaj gruas, shkrimtare franceze, intelektualja, filozofja ekzistencialiste, aktivistja politike, veprimtarja e lëvizjes feministe dhe teoricienja sociale, i vuri pasionin dhe forcën e saj, energjinë dhe kurajon. Edhe pse ajo refuzoi ta konsideronte veten si filozofe, ndikimi që patën dy teoritë e ekzistencializmit feminist e vendosin atë në një vend të privilegjuar.

KultPlus më poshtë ju sjellë një nga thëniet e saj të famshme.

“Burri përkufizohet si qenie njerëzore dhe gruaja si femër – sa herë që ajo sillet si qenie njerëzore, thuhet se imiton mashkullin.”/ KultPlus.com

Rita Ora rikthehet për publikun e kinemasë më 29 janar me filmin “Twist”

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Orën do ta shohim së shpejti si aktore në rolin e saj në filmin “Twist”.

Filmi Twist” është xhiruar në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020 dhe tashmë ka një datë publikimi dhe ajo data 29 janar.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Rita Ora, teksa ka rishpërndarë në InstaStory një postim të Jason Maza, i cili është një nga producentët e filmit.

Bëhet fjalë për një artikull të “Total Film” ku shkruhet shkurtimisht përmbajtja e filmit dhe data e publikimit, e cila është zyrtare tashmë më 29 janar.

“Twist” është duke ardhur shumë shpejt. Faleminderit për këtë rishikim të mrekullueshëm”, ka shkruar Rita Ora në në InstaStory.

Filmi “Twist” është një përshtatje e re e romanit të Charles Dickens, e sjellë në mënyrë drithëruese nga “Sky Cinema Original”, ku në zemrën e mbushur plot të Londrës moderne, një grup të rinjsh të zgjuar rrugësh planifikojnë vjedhjen e shekullit.

Në këtë film, Rita do të luajë rolin e mikes së ngushtë të Oliver Twistit, Artful Dodger./diapsorashqiptare/ KultPlus.com

Erich Fromm: Njerëzit normal janë të sëmurë


Pjesë nga intervista me psikologun dhe filozofin Erich Fromm (1977)

Intervistuesi:
 Ju keni shkruar: Ne sot po jetojmë në një shoqëri me njerëz të palumtur. Si erdhët deri tek ky përfundim i pabesueshëm?

Erich Fromm: Për mua nuk është aspak e pabesueshme, mjafton të hapni sytë dhe mund ta shihni edhe vet. Shumica e njerëzve pretendojnë se janë të lumtur, madje këtë ja thonë edhe vetes së tyre. Shkaqet e këtij iluzioni lidhen me një keqkuptim absurd, se nëse jeni të palumtur, ju konsideroheni si një dështak. Kështu, ju duhet me patjetër të vishni maskën e të qenit të kënaqur, të lumtur, sepse në të kundërt, ju humbni pikë në treg, ju nuk jeni më një person normal ose një person i aftë.

Thjesht analzioni njerëzit. Do të shihni se si prapa maskës së tyre ka turbulenca, nervozizëm, zemërim, depresion, pagjumësi, pakënaqësi, apo atë që francezët e quajnë ‘sëmundje’. Në fillim të shekullit, flitej për ‘sëmundjen e shekullit’. Kjo është ajo që Frojdi e quajti “turbulencë në kulturë”. Por nuk është një turbulence thjeshtë në kulturë por mund të konsiderohet si një shqetësim dhe turbulencë në shoqërinë borgjeze, ajo që i ka kthyer njerëzit në kuaj pune dhe injoron gjithçka që është e rëndësishme dhe esenciale për shpirtin njerëzor: Aftësinë për të dashuruar, për të qenë atje për veten dhe të tjerët, për të menduar, për të mos qenë të verbër dhe budallenjë pas ekonomisë. Fundja kjo është ajo që i bën njerëzit ata që janë.

Unë mendoj se është një trillim i ditëve tona, ajo që njerëzit pretendojnë se personi modern është i lumtur dhe ky nuk është vetëm vëzhgimi im. Mund të gjendet në rangjet e të gjithë njerëzve dhe mjafton të hapni sytë, dhe të mos mashtroheni nga paraqitja apo dukja (imazhi).

Njerëzit normalë janë njerëzit më të sëmurë, kurse njerëzit e sëmurë janë më të shëndetshmit. Kjo mund të tingëllojë një vërejtje e mprehtë ose mbase e ekzagjeruar, por unë jam shumë serioz mbi këtë pohim dhe nuk është thjesht një zbavitje nga ana ime. Personi i sëmurë, zbulon se disa përjetime apo ndjenja njerëzore nuk janë ende aq të shtypura, sa të mos bien në konflikt me modelet kulturore të caktuara, por krijojnë simptoma përmes kësaj përplasjeje (individ-kulturë). Simptoma si dhembja, është vetëm një tregues se diçka nuk është në rregull. Njeriu është me fat që ka simptoma. Duhet ta konsiderojmë veten fatlum kur ndjejmë dhembje! Nga shkenca e dimë se nëse njeriu nuk do të ndjente dhembje, ai do të ishte në një situatë shumë të rrezikshme. Por shumë njerëz normalë janë adaptuar aq shumë me këtë mungesë saqë kanë braktisur atë që është e tyre, atë që është thelbësisht njerëzore. Me fjalë tjera, ata kanë harruar të ndjenjë. Ata janë tjetërsuar, instrumentalizuar dhe janë kthyer në qenie robotike, deri në masën sa nuk e ndiejnë më konfliktin brenda tyre. Ndjenja si: dashuria dhe urrejtja, janë aq shumë të shtypura brenda tyre ose aq shumë të atrofizuara, saqë shpesh të japin imazhin e një skizofrenie të lehtë kronike.

Intervistuesi: A i gjeni shkaqet e kësaj tek shoqëria e sotme?

Erich Fromm: Për mua shkaqet janë mjaft të dukshme. Shoqëria jonë është e ndërtuar mbi parimin se qëllimi i jetës është prodhimi sa më i madh, dhe si domosdoshmëri edhe konsumi sa më i madh. Ekonomia, përparimi i ekonomisë dhe i teknologjisë janë qëllimet për të cilat ne jetojmë sot, dhe jo njeriu (individi)! Ajo që përfitojnë njerëzit sot, është me shumë pak interes, nëse dikush mendon mbi qëllimet e njeriut. Tani, edhe ajo që është e dëmshme për njerëzit luan një rol. Kjo është për të ardhur keq. Shumë nga reklamat tona promovojnë gjëra që janë jashtëzakonisht vdekjeprurëse dhe të dëmshme! / KultPlus.com

Një burrë përballet me 12 vjet burg për gërmim në varreza

Një burrë nga Utahu ka gërmuar në varrezat në parkun Yellowstone për të gjetur thesarin e quajtur “Forrest Fenn”, e që ishte një arkë e mbushur me ar dhe xhevahire që ishte fshehur në SHBA.

52-vjeçari Rodrick Dow Craythorn mund të shkojë në burg për 12 vjet për këtë veprim, sipas prokurorëve. Ai është deklaruar fajtor nën akuzën e gërmimit të burimeve arkeologjike dhe dëmtimit të pronës së SHBA-së, ka thënë Zyra e Prokurorit të SHBA-së, ndërsa për të vendoset në mars.

Craythorn ishte gjetur duke gërmuar në varrezat historike Fort Yellowstone, mes 1 tetorit 2019 dhe 24 majit 2020, në përpjekje për të gjetur thesarin.

Varreza në të cilën përfshihet gjithsej 35 varre, datojnë nga viti 1888 deri në 1957, për ushtarët, punonjësit civilë të ushtrisë dhe të afërmit e ushtarëve, shkruan CNN.

Fenn, një koleksionues i gjërave antike, kishte fshehur një arkë të bronztë të mbushur me ar dhe xhevahire në vlerë 1 milion dollarë, diku në Malet Shkëmbore. Ai kishte publikuar disa të dhëna për lokacionin e thesarit në një poemë në autobiografinë e tij në vitin 2010.

Njerëz nga tërë bota kanë kërkuar për thesarin dhe të paktën dy kanë vdekur gjatë kërkimit. Qershorin e kaluar, Fenn deklaroi se një burrë që donte të mbetej anonim kishte gjetur thesarin. Fenn vdiq në shtator 2020 në moshën 90-vjeç.

Një 32-vjeçar, student i mjekësisë nga Miçigani zbuloi dhjetorin e kaluar se kishte gjetur thesarin. /Koha/ KultPlus.com

“Sytë ngjanin me dallgën hyjnore, e cila shkreptinte si përfytyrimi i fundit i flakës së dashurisë”

Sali Bashota

PORTRETI I VAJZËS SË BUKUR
( Skicë për një roman)

Sytë gjithmonë i fshehnin shikimet që grindeshin nga shtangimi i vonuar i buzëqeshjeve. Secili çast e kishte magjepsjen e vet, derisa të pushonte zjarrmia e parë e koloritit të përfytyrimeve, si gjithnjë me dekorin e beftë të përqafimit.
Vetëm sytë ngjanin me dallgën hyjnore, e cila shkreptinte si përfytyrimi i fundit i flakës së dashurisë.
Kjo përmasë e përjetimit do të ishte njësoj sikur vetë vrulli i metaforave të Dantes për Beatriçën e bukur, kur ajo zbriste nga shkallët e natës, veshur me fustan të bardhë, duke grumbulluar afshin e imazheve të shkapërderdhura në dritën e hënës. Ajo kishte një shirit të kuqërrembtë mbi krahun e djathtë, për ta mbrojtur bardhësinë e padurueshme në hapësirën e pushtuar nga shikimet e krahasuara me zbukurimin e ndjenjave të përflakura.
Sigurisht sytë do ta dallonin parajsën, kur trazimi nuk e kishte më pamjen e njëjtë, si fuqia e shpërthimit të shikimeve të kryqëzuara pa fajin e tyre, pas mbrojtjes së bukurisë.
Prapë sytë e pushtonin botën e ëndrrave, si tingujt e simfonisë së nëntë të Bethovenit, derisa qepallat sinjalizonin dritën në fund të ngjizjes së vrulleve. Joshja qe si një pikturë abstrakte e Pikasos, kur krijesat e gjalla papritur shndërrohesh në hije, ditë e natë.
Nëntë rrathët e dallgëve ishin:shiu, vjeshta, vranësira, zjarri, dheu, përflakja, përmallimi, puthja dhe shtangimi, sa herë portreti i vajzës së bukur shpërfytyrohej në galerinë e artit, si imagjinata e bekuar e poetëve…. / KultPlus.com

Kur Mit’hat Frashëri pranonte letra dashurie: Dashuria ime për ty është marrëzi

Përveç veprimtarisë atdhetare, ajo çka ka mbetur pas nga veprimtari Mit’hat Frashëri janë edhe letrat e dashurisë, shkruan KultPlus.

Një letër e cila është shkruar në Zyrih më 15 dhjetor të vitit 1914, mendohet të jetë shkruar nga Elsa, e dashura e Frashërit, mbiemri i së cilës nuk dihet.

Ata të dy janë njohur në Zvicër gjatë kohës së Luftës së Parë Botërore.

KultPlus ua sjell të plotë letrën e Elsës për Mit’hat Frashërin:

Zyrih 15 dhjetor 1914

Mit’hat i dashur, dje në mbremje mora letrën tënde të datës 28 nëntor. Nuk e kuptoj përse nuk e ke marrë letrën e dytë dhe 2 kartolinat nga Lozana? Unë i kam marrë të tuat.

Mit’hat po t’i hidhje një sy zemres sime do shihje katastrofe, dëshpërim, vuajtje. Kur më shfaqesh para sysh, me hipen gjaku në kokë, shpirti më digjet, pasioni i vjetër me rrëmben, qaj, prej vetes më vjen turp, por kjo nuk më lehtëson, nuk më ngushëllon. Gjithçka që më rrethon ngrihet kundër teje. Më mungon edhe kur vërtit në duar korrespondecën tënde…

Sa për përgjigjen e tim eti, nuk po marr mundimin të shpjegohem, por mendoj se ka të drejtë dhe në të njëjtën kohë gabohet.

Gjate qendrimit këtu, Mit’hat, nje mik yni erdhi për vizitë në shtëpinë tonë. Është duke u divorcuar nga e shoqja. Njeri i mirë dhe mbi te gjitha është në gjendje të mire financiare. Më kërkoi te martohem. Nuk do habitesha sikur të ndodhe për Krishtlindje, unë dyshoj, ndërsa ime me është mëse e sigurtë. Nëse vërtet ky njeri më kërkon për grua, besoj se do të më bënte të lumtur. Me njeh qysh fëmijë dhe e di sa kam vuajtur. Unë nuk e dua, thjesht më duket simpatik, e vlerësoj dhe mendoj se pas këtij divorci me të shoqen, ai meriton të jetë i lumtur. Por, zemrën time e ke rrëmbyer ti dhe nuk mund t’ia filloj nga e para. Ndoshta, kjo dashuria ime për ty është marrëzi. Mes nesh ekziston një mister i thelll, raca, besimi dhe sekretet e të kaluarës tënde. Natyra jote cigane, ti që aq shumë do lirinë, udhëtimin, njohjen e botës, ndryshimin, jetën pa angazhime, pa kokëçarje. Oh Mit’hat, sikur të mund të shihja në zemrën tënde, një lidhje të përjetshme me mua, ashtu siç e dëshiroj.

Mit’hat i dashur, dashuria jonë është një çmenduri e tmerrshme. Më shkruaj hapur dhe qartë për të gjitha ndjenjat. Do doja i dashur, që gjithë shqetesimet e mia të gjenin mbështëteje në shpatullat e tua, të kisha mbrojtjen tënde. Dhe, të jetoja veç për ty, me ty, si një femije që nuk mendon veç për mësuesin e tij, dhe jeton veç për të, dhe bota të mos me hyje më në punë. Të të ndjek kudo, të ndaj me ty çdo gjë, gëzimin dhe hidhërimin. Oh! Mit’hat, kur çoj ndër mend dashurinë tënde, përkëdheljet dhe puthjet e tua, as shoh dhe as dëgjoj gjë ç’bëhet rreth meje, është njëlloj sikur të të bjere të fikët me sy hapur…

Zonja P.më ka thene shpesh se jam e marrë që një burrë si ty e paskam njohur në kaq pak kohë. Më tha edhe se në praninë e saj nuk i ke dhënë të kuptoje asfarë dashurinl tënde për mua. Për çfarë arsye e paske fshehur kaq bukur, kur ajo e di tashmë se duhemi? I dashur Mit’hat, nuk po të qortoj. Është thjesht një pyetje nga ana ime. Kur madam P. po më thoshte këtë, ndjeva të thoshte të verteten, dhe u bëra keq… I kam folur tim eti për ty, për dashurinë tonë. Më pyeti, nëse kam ndërmend të martohem me ty. I thashë pikërisht atë çfarë kemi biseduar mes nesh, se ti vërtet më dashuron, por as që bëhet fjalë për fejesë a martesë dhe se ti nuk ishe tipi, që krijon familje. Por, i vogli im Mit’hat, qenka vërtet monotone, të besh çdo ditë të njejten gje, të mendosh për ty, të ëndërrosh, të flasësh për ty, të të shkruash dhe të qash për ty.

Të puth fort Elsa / KultPlus.com

Simone de Beauvoir, zëri i të drejtave dhe emancipimit të gruas

Simone de Beauvoir u lind në Paris më 9 janar 1908.

Prindërit e saj ishin Georges Bertrand de Beauvoir, një sekretar ligjor i cili dikur aspironte të ishte një aktor dhe Françoise de Beauvoir (Brereur), vajza e një bankieri të pasur dhe katolike e devotshme.

Motra e Simone, Hélène, lindi dy vjet më vonë. Familja luftoi për të ruajtur statusin e tyre borgjez pas humbjes së pasurisë së tyre menjëherë pas Luftës së Parë Botërore dhe Françoise këmbënguli që të dy vajzat të dërgoheshin në një shkollë prestigjioze të manastirit. De Beauvoir vetë ishte thellësisht fetare si një fëmijë, në një pikë që synonte të bëhej murgeshë. Ajo përjetoi një krizë besimi në moshën 14 vjeçare, pas së cilës ajo mbeti një ateiste për pjesën tjetër të jetës së saj.

Simone de Beauvoir ishte një fenomen, një kapërcyell i kohës, një ngjarje në erën e re ku kërkonte të hynte femra, gruaja, nëna. Përkundër nënshtrimit dhe diskriminimit ndaj gruas, shkrimtare franceze, intelektualja, filozofja ekzistencialiste, aktivistja politike, veprimtarja e lëvizjes feministe dhe teoricienja sociale, i vuri pasionin dhe forcën e saj, energjinë dhe kurajon. Edhe pse ajo refuzoi ta konsideronte veten si filozofe, ndikimi që patën dy teoritë e ekzistencializmit feminist e vendosin atë në një vend të privilegjuar.

Jeta e saj ishte vërtetë një revolucion, një luftë e paepur për krijimin e një botëkuptimi të ri, një ere të re ku ajo kërkonte të integronte gruan. Kjo përpjekje, ky vetmohim, ky ngulm për të parë ëndrrën e saj teksa rrekej të gjallonte në një realitet teje të ashpër, deri më 14 prill të vitit 1986, kur ajo të shuhej në moshën 78-vjeçare.

“Por një femër rrallëherë ka arsye për të shprehur vetveten sipas gjendjes së saj shpirtërore. Ajo i shikon ndjenjat e saj në një dritë tjetër, dhe ndërsa u nënshtrohet atyre në mënyrë pasive, një interpretim nuk do të jetë më i vërtetë se tjetri… Për shumë femra, rruga drejt transhendencës është bllokuar: vetëm pasi ato s’bëjnë asgjë, ato dështojnë të bëhen diçka. Ato imagjinojnë pafundësisht se çfarë mund të ishin bërë, gjë që i shtyn të mendojnë se çfarë janë…”. Kësisoj trumbeton në asokohjen e ndryshesave të pakthyeshme të rolit që do të merrte gruaja në shoqëri, Simone de Beauvoir.

Kësaj gruaje që u kthye në legjendë e lëvizjes feministe i’u vu nga pas një e shkuar aspak dinjitoze. Emri dhe vepra e saj shpeshherë u gjetën nën shigjetimet e anatemës që kishin të bënin mbi mënyrën e jetës së shthurur që ajo bënte. Shumë akuza rëndojnë mbi të për sjellje jo të denja, aq sa në vitin 1939 u pezullua nga puna si mësuese për shfrytëzim seksual me të mitur. Këtë e pohon përmes një libri ish-studentja e saj, Bianca Lamblin kur Simone de Beauvoir jepte mësim në Lycée Molieri.  Për një grua e cila i’a kishte lejuar vetes të ishte zëri dhe zemra e grave të persekutuara, kjo ishte aspak e favorshme. Akuzatorët nuk munguan kur ajo ishte ende në panteonin e lëvizjes feministe dhe politike, por edhe pas vdekjes. Gjithsesi kjo ishte pjesa e errët e Simone de Beauvoir, e papërfillshmja e së tërës së kësaj gruaje që bëri kaq shumë për lëvizjen feministe dhe dha kaq bujarisht mendimit feminist, filozofik, politik dhe letërsisë.

De Beauvoir shkruan romane, ese, biografi, autobiografi dhe monografi mbi filozofinë, politikën dhe çështjet sociale. Ajo është e njohur për 1949 traktat saj seksit Së dyti , një analizë e detajuar e shtypjes së grave dhe një trakt themelore e bashkëkohore feminizmit ; dhe për romanet e saj, duke përfshirë edhe ajo erdhi për të qëndruar dhe e Mandarina .

Megjithatë Simone de Beauvoir mbetet ikonë e feminizmit, model i gruas së lirë që ka lënë gjurmë në disa breza femërorë me refuzimin e konvencioneve dhe me analizën rrënjësore që i ka bërë statusit femëror në veprën madhore “Seksi i dytë”, pavarësisht se ka shumë nga ata qe kujtojnë “dobësitë” e mendimit të saj filozofik. Padyshim që ky emër është lidhur me emrin e filozofit dhe partnerit të saj, Jean Paul Sartre,me të cilin ajo u angazhua dhe ndau jetën për më shumë se gjysmë shekulli.

Lidhja mitike Beauvoir-Sartre merr fund me vdekjen e tyre. Dy telefilma të prodhuar në 2006 rrëfejnë lidhjen e stuhishme të “Kastorit” – nofka që i kish ngjitur Sartri dhe të filozofit. Në moshën 21-vjeçare, Simone de Beauvoir arrin të bëjë shumë më tepër se moshataret e saj. Jep filozofi, boton romanin e parë “E ftuara”, më 1943. Kontrata që ajo lidh me Sartrin duke pranuar “dashuritë e rastit”, diskutimet për marrëdhëniet seksuale me shumë nga nxënësit e saj, bëjnë që të largohet nga sistemi zyrtar i arsimit. Arena e saj është feminizmi. Më 1949 boton “Seksi i dytë” ku kapitujt për seksualitetin, homoseksualitetin femëror shkaktojnë skandal dhe ngjall debate të ashpra. I përkthyer në 40 gjuhë, secili prej dy vëllimeve do të shitej më shumë se një milionë kopje.

Beauvoir, fillimisht kish dashur të jetë shkrimtare. Më 1951 ajo merr Çmimin prestigjioz “Goncourt” për romanin “Mandarinat” që do ta bënte një nga autoret franceze më të lexuara. Delli i saj autobiografik në “Kujtimet” (1958), ku ajo përshkruan paragjykimet e mjedisit të saj borgjez dhe përpjekjet për të dalë prej andej, e bëjnë Beauvoir një figurë qendrore në jetën intelektuale. Tek aksionet e saj feministe hyjnë denoncimi që i bën dhunës ndaj grave në Algjeri dhe mbrojtja deri në vitet shtatëdhjetë e të drejtës së abortit.

Pas vdekjes më saj, më 14 prill 1986, shumë vepra kanë hedhur dritë në disa aspekte të rrugëtimit të Beauvoir, sidomos përlidhjen që ka patur me shkrimtarin amerikan Nelson Algren, i cili ka të ngjarë të ketë qenë pasioni dashuror i jetës së saj.

Pas vdekjes, vepra e saj reziston më mirë se ajo e Sartrit, tashmë e braktisur disi. Më rastin e 100- vjetorit të lindjes, asaj i janë kushtuar disa libra si “Beauvoir në të gjitha moshat” shkruar nga Ingrid Galster, “Kastori i luftës” i Danielle Sallenave, “Simone de Beauvoir” shkruar nga Huguette Bouchardeau, “Beauvoir, një grua e shekullit të saj” e Marianne Stjepanovic-Pauly dhe “Simone de Beauvoir. Shija e jetës” e Jean-Luc Moreau. /Albert Vataj/ KultPlus.com

Mërgimtari dekoron veturën me formën e aeroplanit dhe simbole kombëtare

Duket se atdhedashuria ndaj vendlindjes është shumë e madhe nga mërgimtarët. Gjestet që mërgimtarët tanë i bëjnë për të treguar atdhedashurinë për Kosovën janë shumëdimensionale, si nga ana financiare, ashtu edhe në mënyra të tjera

Kohët e fundit ka qenë një debate lidhur me ardhjet e tyre dhe termat jo të mirë të përdoruar ndaj mërgimtarëve. Pavarësisht kësaj, se sa e madhe është dashuria për Kosoven tregohet nga një mërgimtar me veturën e tij, emri i së cilët nuk është treguar për mediat kosovare.

Në veturën e tij, mbi të cilën është ndërtuar një aeroplan, në të cilin i gjeni të gjitha simbolet që një shqiptar patriot dëshiron t’i shohë, e gjejmë: flamurin kombëtar, flamurin shtetëror të Kosovës, flamurin Dardan, flamurin amerikan, flamurin gjerman, Ibrahim Rugovën, Bill Clintonin, familjen Jashari dhe legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrri. /express/ KultPlus.com

Fermerët meksikanë gjejnë një statujë të rrallë gruaje

Fermerët të cilët kanë gërmuar në toka agrumesh në bregdetin e Gjirit të Meksikës, kanë gjetur një statujë gjashtë metra me figurën e një femre që mund të përfaqësojë një grua elitare apo perëndeshë, ose një përzierje të të dyjave, thanë ekspertët.

Instituti Kombëtar i Antropologjisë dhe Historisë tha se është statuja e parë e këtij lloji që është gjetur në këtë rajon.

Statuja e gdhendur ka parukë të punuar dhe shenja statusi që mund të datojë rreth vitit 1450 deri në 1521, shkruan AP. 

Fermerët e gjetën atë në ditën e Vitit të Ri, njoftuan autoritetet. Zona ku u gjet nuk ishte e njohur si zonë arkeologjike dhe besohet se statuja prej guri mund të jetë lëvizur aty nga vendi origjinal ku ka qenë.

“Kjo mund të jetë një sundimtare, bazuar në pozicionin dhe veshjen e saj, më shumë se një perëndeshë”, ka thënë arkeologia e Institutit Maria Eugenia Maldonado Vite. /Koha/ KultPlus.com

Ky është numri i mërgimtarëve që erdhën në Kosovë gjatë dhjetorit

Fluks i madh i mërgimtarve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ishte në muajin dhjetor.

Nga 1 dhjetori e deri m 31 dhejtor, 127.879 pasagjerë kanë udhëtuar për në Kosovë, referuar të dhënave nga aeroporti “Adem Jashari”.

Ani pse numri ishte i lartë, dhjetori i vitit 2019 kishte më shumë të ardhur. Në vitin 2020, kishte -30.92% nga dhjetori i vitit 2019.

Nga ana tjetër, duhet theksuar se gjatë muajit dhjetor kishte 1,090 fluturime (-20.55% nga dhjetori i vitit 2019).

Po ashtu, statistikat tregojnë se 1.104.322 udhëtarë gjithsej kanë lëvizur përmes aeroportit në vitin 2020, ndërsa sa u përket fluturimeve në vitin 2020, gjithsej ka pasur 9.206 fluturime.

Sipas të dhënave nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” në periudhën janar-dhjetor 2020 numri i vizitorëve nga jashtë në Kosovë ishte rreth 53.48% më i ulët se në vitin 2019, shkruan tutje albinfo.ch. /express/ KultPlus.com

Eurovision për artistët shqiptarë: Paraqitjet e tyre nuk kanë kurrë mungesë të fuqisë vokale

Eurovision, si festivali i njohur muzikor me karakter ndërkombëtar, së fundmi ka bërë një postim për shqiptarët, shkruan KultPlus.

Faqja zyrtare e Festivalit ka çmuar pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë, duke i vlerësuar ata që kanë fuqi vokale dhe instrumente dramatike.

“Trego ‘dashuri’ për Shqipërinë!

Nota të larta! Nota të gjata! 🎤 Zjarr! Paraqitjet e tyre në Eurovision nuk kanë kurrë mungesë të fuqisë vokale dhe instrumentesh dramatike dhe ne i duam për këtë

Cila është kënga juaj e preferuar shqiptare ?!”, kanë shkruar në faqen zyrtare të Eurovisionit.

Edicioni i fundit i këtij festivali u pamundësua të organizohet për shkak të pandemisë.

Në anën tjetër si tri nga paraqitjet më të suksesshme mund të kujtohen ajo e Rona Nishliut me “Suus” në vitin 2012 (vendi i pestë), Anjeza Shahini me “Image of you” në vitin 2004 (vendi i shtatë) dhe Eugent Bushpepa me “Mall” në vitin 2018 (vendi i tetë). / KultPlus.com

Ministria e Kulturës në Shqipëri premton ndriçimin e 15 kalave

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Shqipëri, Elva Margariti ka publikuar një projekt që pritet të ndodh përgjatë vitit 2021, shkruan KultPlus.

Margariti në facebook ka shkruar se do të arrihet ndriçimi i 15 kalave në Shqipëri.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Elva Margaritit:

Ditë të mbarë!  #Punëtqëçojmëpërpara2021

Falë projektit të rikualifikimit të monumenteve të kulturës do të ndriçohen 15 kala në të gjithë Shqipërinë, duke u kthyer krenarinë e harruar. / KultPlus.com