Aktori Dritan Kastrati fiton çmimin e rëndësishëm skocez

Shqiptari Dritan Kastrati është fitues i çmimit të dytë të Hector MacMillan në Skoci, me teatrin ku është bashkëautor me Nicola McCartney, “How not to drown”.

Përzgjdhja është bërë nga anëtarët e Shoqatës Skoceze të Dramaturgëve dhe ka qenë Nicola ai që shkruan se: ” Dritani dhe unë jemi të kënaqur të pranojmë këtë çmim, veçanërisht sepse vjen nga bashkësia e dramaturgëve dhe regjisorëve të teatrit në Skoci”, shkruan ai.

Ai thotë se është një nder sidomos duke pasur parasysh dhe shfaqjet cilësore që u prodhuan në Skoci gjatë 2019-2020. Një lajm i mirë ky për të nisur 2021.

Vepra “How not to drown” është historia e një adoleshenti refugjat kosovar. Dritan Kastrati tregon një histori të jashtëzakonshme të një 11-vjeçari që babai i tij ia besoi kontrabandisteve të njerëzve për të bërë rrugën e tij me anije, tren e kamionë në të gjithë Europën për të mbërritur në Britani.

Dritan Kastrati është një aktor 29-vjeçar në Britaninë e Madhe dhe aktualisht jeton në Londër./ KultPlus.com

Dumoshi për vdekjen e dirigjentit Lekaj: Humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare

Pasditen e sotme ka ndërruar jetë kompozitori dhe dirigjenti i mirënjohur, Kristë Lekaj. Mesazhet e ngushëllimit kanë qenë të shumta nga personalitete të shumta të kulturës e politikës, shkruan KultPlus.

Ministrja në detyrë Vlora Dumoshi ka shkruar në Facebook se ndarja nga jeta e Kristë Lekaj është një humbje e madhe për kulturën shqiptare.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Më preku lajmi për ndarjen nga jeta të kompozitorit dhe dirigjentit, Kristë Lekaj.

Ndarja nga jeta e Kristë Lekajt është një humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare.

Ai dha kontribut të madh në produksionin e Radiotelevizionit të Prishtinës dhe për disa vjet në Korin e Filharmonisë së Kosovës.

Veprat e tij kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në fushën e muzikës.

I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të kompozitorit, Kristë Lekajt.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!/ KultPlus.com

Viti 2020 shënoi numër rekord të grave në rolin e regjisoreve

Një numër rekord i grave janë angazhuar në cilësinë e regjisoreve në filmat e publikuar gjatë vitit 2020. Kështu bëhet e ditur sipas një studimi të kryer nga Universiteti i San Diegos.

Qendra për Studimin e Grave në Televizion dhe Film në këtë universitet ka zbuluar se regjisoret gra përbëjnë 16-përqindëshin e filmave më fitimprurës të vitit 2020, shifër kjo që është dukshëm më e madhe se gjatë viteve të kaluara.

Gratë përbëjnë 21 për qind të regjisorëve, skenaristëve, producentëve, montazherëve dhe kinematografëve që kanë punuar në filmat më të mirë dhe më fitimprurës të vitit, ani pse e përbëjnë më pak se 10-përqindëshin e regjisorëve të identifikuar në kategorinë e filmave të cilët shikohen nga shtëpia.

Martha Lauzen, e cila e ka mbikëqyrur këtë studim, ka bërë të ditur që pavarësisht se statistikat ishin inkurajuese për gratë në industrinë e filmit, vazhdon të ekzistojë një mosbalancim në sektorë të caktuar të filmbërjes.

“Lajmi i mirë është se tani kemi dy vjet rresht që po shohim rritje të vazhdueshme të përfshirjes së grave në fushën e regjisë. Kjo e thyen një model historik në industri, ku numri i grave filmbërëse rritet një vit dhe bie në vitin tjetër. Por, lajmi i keq vazhdon të jetë se 80 për qind e filmave më të mëdhenj të Hollywoodit ende nuk e kanë një grua në rolin e regjisores”, ka thënë Lauzen.

Është evidentuar gjithashtu mungesa e përfshirjes së grave në fusha të tjera të filmit, si producente, producente ekzekutive, montazhere, skenariste, etj.

Çka është më e rëndësishmja, ky studim i fundit zbulon se filmat e realizuar nga një regjisore grua kryesisht kanë angazhuar gra për t’i mbushur pozitat e tjera të rëndësishme në sheshin e xhirimeve./ KultPlus.com

“N’Dritare”, kënga më e re e Zani Band (VIDEO)

Grupi muzikor “Zani Band” janë duke vazhduar rrugëtimin muzikor nëpërmjet lansimit të këngëve të reja, shkruan KultPlus.

“N’Dritare” mban emrin kënga më e re e grupit, përmes së cilit ata gëzuan artdashësit e tyre.

E mbështjellur me tinguj të dalur nga bateritë dhe kitara, “N’Dritare” përçon një emocion të këndshëm teksa tema e saj është dashuria. / KultPlus.com

Dua Lipa jep instruksione të vallëzimit (VIDEO)

Sukseset e vitit të kaluar po vazhdojnë ta ndjekin Dua Lipën edhe në vitin 2021, shkruan KultPlus.

Dua Lipa pas publikimit të fotografisë ku tregoi se për herë të dytë është bërë figura kryesore e revistës prestigjioze ‘Vogue’, ka publikuar një video të realizuar së bashku me revistën si pjesë e ‘Homeschool series’, ku i mëson të tjerët se si të kërcejnë.

Në video shihet Dua Lipa e cila tregon se gjatë tërë jetës i kanë thënë se ka lindur për të vallëzuar dhe se të tjerët nuk do të jenë si ajo, dhe pikërisht për këtë ajo do t’na mësojmë si të kërcejmë./ KultPlus.com

Kënga e Dua Lipës renditet në Top 10 Billboard

Këngë të shumta të Dua Lipës kanë arritur të renditen nga revista, platforma muzikore dhe rrjete sociale në grupin e më të dëgjuarave të vitit, shkruan KultPlus.

Së fundmi, edhe një lajm tjetër i mirë erdhi për yllin kosovar.

Kënga e saj “Levitating” e cila është në bashkëpunim me DaBaby arriti të renditej në vendin e 10-të të Billboard Hot 100.

Lajmin e ka bërë të ditur Lipa duke e shpërndarë në rrjetet e saja sociale.

Kjo këngë është në kuadër të albumit “Future Nostalgia”. / KultPlus.com

Filmi ‘Zana’ në mesin e 25 filmave më të mirë të zgjedhur nga ’48 Hills’

Filmi ‘Zana’, me regji të Antonta Kastratit, një film tashmë me një sukses të dëshmuar përtej kufijve kombëtar, renditet në mesin e 25 filmave më të mirë për vitin 2020 nga gazeta ’48 Hills’, shkruan KultPlus.

Sipas ’48 Hills’, në këtë listë bëjnë pjesë të gjithë filmat për të cilët ne kemi pasur nevojë më shumë se kurrë dhe të cilët janë vlerësuar nga kritikët e filmit.

Filmi trajton një temë shumë të ndjeshme, ku personazhi kryesor i luajtur nga Adriana Matoshi, e përhumbur nga e kaluara e saj e shtypur prej kohësh dhe e trysnuar nga familja për të kërkuar trajtim nga shëruesit mistikë për infertilitetin e saj, një grua kosovare që përpiqet të pajtojë pritjet e mëmësisë me një trashëgimi të brutalitetit të kohës së luftës./ KultPlus.com

Vdiq kompozitori dhe dirigjenti Kristë Lekaj

Ka vdekur kompozitori dhe dirigjenti i mirënjohur, Kristë Lekaj, shkruan KultPlus.

Ai ka punuar në produksionin e Radiotelevizionit në Prishtinë, si dhe ka qenë dirigjent dhe korepetitor në Korin e Filharmonisë së Kosovës.

Që nga shkolla e mesme u mishërua me muzikën, teksa në studimet universitare diplomoi në seksionin e teorisë së muzikës në Akademinë e Muzikës në Beograd.

Për një kohë, disa vjet kishte qëndruar në Tiranë për të marrë mësime nga Çesk Zadeja, në fushën e kompozimit. Pas studimeve u kthye në Prizren, ku punoi si pedagog në Shkollën e Muzikës.

Ka qenë aranzhues i shumë këngëve të muzikës argëtuese si dhe dirigjent.

Opusi krijues i tij përbëhet nga një numër jo shumë i madh i veprave të muzikës serioze, ndër të cilat, poema simfonike “Trualli betohet”, “Impresione simfonike” për orkestër, “Suitë korale” për kor miks, muzika e filmit, “Proka”, “Requiem” për kor dhe orkestër e të tjera. / KultPlus.com

Image may contain: 2 people, people playing musical instruments, people on stage, glasses and indoor

Specializanti shqiptar merr vaksinën Pfizer në Romë

Doktor Dorjan Bardhi, specializant në fushën e shëndetit publik në Universitetin e l‘Aquila, Romë Itali, ka marrë sot në datën 04.01.2021 dozën e parë te vaksinës anti SARS-CoV-2 të firmës Pfizer-Biontech.

Doktor Bardhi është pjesë e formacionit të Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive (INMI) L. Spallanzani./ KultPlus.com

Unaza me 12,638 diamante thyen rekord në Guinness

Unaza me 12,638 diamante në të, ka hyrë në librin e Rekordeve “Guinness”.

Harshit Bansal është personi që ka dizajnuar këtë unazë, ndërsa është drejtues i dyqanit të argjendarisë “Renani” në Meerut, Indi.

Unaza e cila është emëruar Marigold ose “Unaza e Mbarësisë”, ka një brez rrethor të zbukuruar me forma lulesh, i kompletuar me mijëra diamante natyrore 38.08 karat, sipas Guinness. Unaza peshon pak më shumë se 165 gram, transmeton CNN.

Unaza që më herët kishte shënuar rekord për numër të diamanteve, kishte 7,801 sosh, po ashtu në Indi.

Bansal i tha Guinnessit se fillimisht ishte inspiruar ta thente rekordin për diamante në vitin 2018. Dy vjet më vonë, kompania e tij kompletoi dizajnin e unazës më 30 nëntor./ KultPlus.com

Dua Lipa hyn në historinë e revistës “Vogue” duke qenë në kopertinën e numrit më të ri

Sukseset e vitit të kaluar po vazhdojnë ta ndjekin Dua Lipën edhe në vitin 2021, shkruan KultPlus.

Për herë të dytë, Dua Lipa bëhet fytyra kryesore e revistës prestigjioze “Vogue”.  

Në anën tjetër, këngëtarja shqiptare na shfaqet me një pamje ndryshe në kopertinën e revistës, teksa ka një pamje të bukur nën flokët e shkurta e ngjyrë të bardhë.

Në rrjete sociale, Dua ka ndarë këtë lajm me artdashësit e saj, teksa ka thënë se e ka filluar këtë vit si një kameleon.

KultPlus ua sjell të plotë postimin e Lipës:

Duke filluar 2021 si kameleoni i vërtetë që jam unë! Faleminderit @edward_enninful Nuk do ta harroj kurrë gjithë dashurinë dhe mbështetjen që më ke dhënë gjatë gjithë karrierës sime dhe që më dhurove kopertinën time të dytë @britishvogue !! 🤍🤍🤍 kjo ishte një ëndërr që u bë realitet dhe ndihem me fat që kam punuar me disa legjenda të vërteta në këtë numër, xhiruar nga e mrekullueshme @emmasummerton stiluar nga @ kphelan123, magji e flokëve nga @shonju, make-up nga @lisaeldridgemakeup, thonjtë nga @nailsbymh dhe dizajni i vendosur nga @emmaroachstudio 🪄🪄🪄🪄 në shitje 8 janar! Intervistë nga @ yomi.adegoke. / KultPlus.com

https://twitter.com/DUALIPA/status/1346141363214147587

Silvana Shkurti, valltarja e Elbasanit që “shpërndan bukuri” përtej kufijve

“Silvana Gjosasi- Shkurti, balerina soliste e Ansamblit të Këngëve Popullore të Elbasanit edhe sot vijon të mbetet simbol i bukurisë vizuale por dhe njeriut me shpirt të bukur.

Në Festivalin Foklklorik Kombëtar në Gjirokastër në vitin 1983, kur ishte vetëm 19 vjeç me veshjen tradicionale të Bradasheshit, Silvana mori çmimin e parë për kostumin popullor më të bukur, dhe po me këtë kostum në 2019 në Athinë vijon të ketë të njëjtin vlerësim”, kështu e ka risjellë në vemendje ish valltaren Ansamblit të Këngëve Popullore të Elbasanit dhe aktivisten shqiptare në Greqi, Armida Plangarica, në një postim të sajin në facebook.

Silvana Gjosasi- Shkurti vazhdon të jetë një promovuese e kulturës dhe traditës shqiptare edhe në vendin fqinj, duke ju mësuar jo vetëm vallet e Elbasanit, por edhe vallet tradicionale të gjithë krahinave të Shqipërisë zonjave të grupit të valleve të Organizates “Jeta” dhe qindra elbasanasve të shoqatës “Elbasani në Emigracion” që ndodhen në Athine. Silvana Shkurti, siç e njihte Elbasani, vazhdon të “shpërndajë bukuri”edhe përtej kufijve të Shqipërisë!/ KultPlus.com

Britania ia jep dozën e parë të vaksinës anti-COVID të Oxfordit një pacienti në dializë

Britania ka nisur vaksinimin e qytetarëve me vaksinën anti-COVID të AstraZeneca/Oxford të hënën, ndërsa i pari që ka marrë këtë vaksinë ishte 82-vjeçari Brian Pinker, një pacient në dializë.

Ai u vaksinua në një spital disa qindra metra larg nga vendi ku u zhvillua kjo vaksinë, raporton Reuters.

Pinker ka vlerësuar lartë shkencëtarët që e kanë zhvilluar vaksinën, duke thënë se po shikon para që ta festojë përvjetorin e martesës.

“Unë jam shumë i lumtur që kam marrë sot vaksinën kundër COVID-it dhe jam krenar se është vaksina e zhvilluar nga Oxfordi. Infermierët, mjekët dhe stafi sot kanë qenë të mrekullueshëm dhe po shikoj para të festojë përvjetorin e 48-të të martesës sime me bashkëshorten Shirley më vonë këtë vit”, ka thënë Pinker./ KultPlus.com

Këngëtari italian ka një i vit i mbyllur në shtëpi nga frika

Këngëtarin e njohur italian, Adriano Celentano, që e njohim për vokalin, muzikën, tekstet e këngëve dhe zhdërvjelltësinë e tij në të vallëzuar, ka një vit që qëndron i mbyllur në shtëpi, që nga shpërthimi i pandemisë.

Që nga rastet e para ai zbuloi se së bashku me bashkëshorten e tij, Claudia Mori u izoluan në shtëpi nga frika se do të infektohen me virusin COVID-19.

Në një lidhje telefonike në emisionin “Domenica In”, ai tha: “Claudia dhe unë jemi mbyllur praktikisht prej 1 viti në shtëpi”.

Ndonëse gjatë gjithë jetës së tij ai nuk ka marrë asnjë vaksinë, ai do ta marrë atë për COVID-19, sepse gjithë kjo situatë e ka lodhur

“Unë nuk kam bërë kurrë vaksina, po pranoj që ta bëj tani”, u shpreh këngëtari italian. /Insajderi.com/ KultPlus.com

‘Në dërrasë të vekut kush po m’kjan’, e kënduar nën tingujt e tepsisë (VIDEO)

Traditat shqiptare janë shumta, të bukura, të llojllojshme por edhe të vjetra sa vetë koha, shkruan KultPlus.

Një nga traditat mbase më të bukura është edhe këndimi me tepsi. Tepsia (tigan bakri) është një formë popullore e të kënduarit në mesin e komuniteteve në malet Dinara.

Tepsia vendoset mbi sofër, për rreth sofrës gjenden vajza dhe nuse të cilat këndojnë këngë. Ajo që e sjell tepsinë me dorën e djathtë  ka një unazë më të madhe se të zakonshmet në mënyrë që krisma e unazës dhe sjellja e tepsisë krijojnë melodi.

Video është bërë nga etnografët japonezë nga Muzeu Kombëtar i Etnologjisë në Osaka të cilët vizituan rajonin dhe regjistruan shfaqje të trashëgimisë. Kënga që përcillet me tepsi është kënga  “Në dërrasë të vekut kush po m’kjan”./ KultPlus.com

Piktorin e liqenit që vështirësitë fizike prej 15 vitesh nuk e pengojnë të pikturojë (VIDEO)

Peizazhi i liqenit të trazuar te Ohrit ne mbyllje të 2020 e gjen buze bregut Qemalin i cili zgjodhi qe vitin e vështire ta mbylle me optimizëm dhe pozitivitet.

Ne pikturat e tij ngjyrat e ndezura sjellin kontraste te forta të natyrës dhe pamje plot jete. Prej 35 vitesh ai pikturon dhe Pavarësisht veshtiresive dhe problemeve shëndetësore ai nuk është ndalur. Piktori i mijëra punimeve frymëzohet nga qyteti liqenor por edhe natyra ndërsa prej 15 vitesh përballet me probleme shëndetësore qe i kane prekur shikimin e gjymtyrët por pavarësisht kësaj ai ka arritur te kapërceje çdo sfide.

Pandemia nuk e frymëzoi piktorin, i cili edhe një punim qe e nisi e la te papërfunduar sepse ai ka mësuar te shohë me sy pozitiv çdo gjë qe ndodh rreth tij.

Fundjavave piktori ekspozon punimet e tij ne hyrje te Tushemishtit. Peizazhet e liqenit, natyra e Korçës e qyteteve te tjera shqiptare apo edhe portretet renditen njëra pas tjetrës sapo hyn ne fshat ne pritje te atyre qe do ti blejnë ato./tch/ KultPlus.com

‘Ushtarja’ 19-vjeçare nga Izraeli zgjidhet fytyra më e bukur e 2020

Modelja izraelit nëntëmbëdhjetë vjeçare Yael Shelbia është vlerësuar në vendin e parë në listën vjetore të TC Candler “100 Fytyrat më të Bukura të Vitit 2020”.

“Ndryshe nga shumica e renditjeve të tjera vjetore të bukurisë,” tha TC Candler, “Lista nuk është një konkurs popullariteti dhe padyshim që nuk është specifik për vendin. Nuk ka të bëjë me trupin më seksi apo të famshmin më të famshëm. Përkundrazi, lista përpiqet të informojë dhe zgjerojë opinionin publik në vend që ta reflektojë atë. Do të gjeni super yje dhe yje të rinj, ndjesi globale dhe të panjohura relative ”.

Shelbia, e cila aktualisht po bën shërbimin e saj të detyrueshëm ushtarak në Forcën Ajrore të Izraelit, është shfaqur në fushatat për kompaninë izraelite të veshjeve Renuar dhe linjën e KKË Beauty të Kim Kardashian KKË.

Ajo është ngjitur në renditjen e listës në vitet e fundit, duke u renditur e 14-ta në 2017, e 3-të në 2018 dhe e dyta vitin e kaluar, para se të zinte vendin e parë këtë herë.

Duke folur për lajmet e Channel 12 të martën nga Los Angeles, Shelbia tha se ishte e befasuar kur mori kurorën.

“Unë kurrë nuk kam qenë e para  në asgjë. Kjo është shumë bukur”, tha ajo. /express/ KultPlus.com

Druri i mrekullueshëm i cili sfidon rregullat e natyrës

Mbyllni sytë dhe imagjinoni që tani gjendeni në një plazh të pafund me pamje nga Oqeani i Qetë.

Jeni vetëm dhe pothuajse nuk ka njeri, mbase vetëm ndonjë njeri i cili shëtit qenin apo ndonjë çift i dashuruar kalon andejpari në një shëtitje romantike.

Pas jush janë vetëm shkëmbinjtë e mbuluar me male, dhe një kalim misterioz. Mbi kalim, dy shkëmbinj me rrënjët e tyre bashkojnë pemën e vjetër, sikur bëjnë spagën dhe njëherësh bëjnë kulmin e mbikalimit.

E pra, saktësisht këtë mund ta përjetoni në fund të Amerikës Perëndimore, në vendin e njohur për atraksionin edhe më të bukur se vetë oqeani: Pema e jetës në plazhin Kalaloch, transmeton KultPlus.

Pema e jetës e vendosur në shtetin federal Washington, në parkun kombëtar Olympic, ndodhet kjo pemë që me kryeneçësi qëndron pezull mbi sipërfaqen e tokës – ndërsa mbahet në jetë vetëm falë disa rrënjëve të holla që i ka në tokë

Ky dru, për shkak të mungesës së dheut nën trupin e tij, do të duhej të ishte një dru i vdekur – e megjithatë, ai sot njihet si druri i jetës.

Druri i jetës ndodhet në këtë gjendje për vite të tëra, ndërsa disa e konsiderojnë si dru magjik, të tjerët ndërkaq, si dru të pavdekshëm apo dhe si dru të qëndrueshëm.

Se kjo pemë po i sfidon të gjitha ligjet e natyrës, e dëshmon fakti se ai asnjëherë nuk u rrëzua, përkundër faktit se kjo zonë goditet në vazhdimësi nga stuhitë e fuqishme.

Sidoqoftë, kjo pemë nuk është pagëzuar me ndonjë emër zyrtar, prandaj njerëzit e pagëzuan atë me emra të ndryshëm si, druri i jetës, druri i pavdekshëm, druri i arratisur etj.

Sipas raporteve mediale, vrima nën këtë dru është krijuar nga një përrua i vogël që derdhet në oqean – i cili me dekada të tëra ka gërryer dheun nën të, për ta shndërruar drurin e jetës në një fenomen natyror. / KultPlus.com

Pas viti 2020, na pret një epokë e harmonisë globale, apo një Epokë e re e Errët?

Nga Hal Brands

Sipas shumicës së standardeve, 2020-a ka qenë një vit i tmerrshëm, duke shkaktuar vdekje dhe përçarje në shoqëritë anembanë botës. Por nëse ai ka qenë shumë sfidues sot, si mund t’u duket historianëve kur të kthehen pas në kohë pas 50 vitesh?

Natyrisht, është e vështirë t’i jepet një përgjigje e saktë, duke pasur parasysh faktin se mënyra se si ne e shohim një ngjarje historike, varet shumë nga zgjedhjet që njerëzit

bëjnë më pas. Për shembull, ne do ta kujtonim shumë ndryshe Luftën e Dytë Botërore, nëse Amerika thjesht do të tërhiqej sërish në vetvete pasi mbaroi ai konflikt, në vend se të angazhohej pa u lodhur për të formuar rendin global të pasluftës.

Gjithsesi, viti 2020 do të lërë një goxha gjurmë në përpjekjet e ardhshme për të ndërtuar strukturën gjeopolitike të shekullit 21. Ai mund të hyjë në histori ndoshta si viti kur rendi global i drejtuar nga amerikanët filloi të shpërbëhej, ose ndoshta si viti që i dha këtij rendi njëjetë të re.

Por nga ana tjetër është e lehtë të imagjinohet se si historianët mund t`a shohin një ditë vitin 2020, si fillimin e një epoke të re të errët. Në harkun kohor të disa muajve, bota u trondit nga tronditjet strategjike që ndodhin një herë në një shekull.

Një pandemi globale vrau miliona njerëz, dhe i“ngriu” shoqëritë në të gjithë kontinentet. Bota iu nënshtrua një de-globalizimi të fortë, kufijtë u mbyllën dhe udhëtimet praktikisht ndaluan. Organet ndërkombëtare si Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe G7-a, ishin të paafta për të ofruar një lloj kompetence teknokratike apo për të nxitur bashkëpunimin global.

Në frontin gjeopolitik, Kina, autokracia kryesore sot në botë, nisi një ofensivë në shumë fronte, duke demonstruar se nuk ishte më e përmbajtur, siç rekomandoi dikur Deng Xiaoping, për të fshehur aftësitë e saj, por edhe për të diktuar tonin në skenën globale.

SHBA, demokracia udhëheqëse e botës, përjetoi trazira të forta të brendshme, dhe pa se si presidenti i saj përpiqej t`a shndërronte vendin në një lloj autokracie të butë, pas një palë zgjedhjeve të kontestuara. Për më tepër, ajo që e bëri kaq të trazuar vitin që po ikën, ishte se ky vit pasoi një dekadë thellësisht traumatike.

Demokracia u tërhoq shumë në krahasim me kulmin e epokës së pas Luftës së Ftohtë. Ajo bëri shumë hapa prapa në shumë vende, në vend se të ecte përpara. Brexit dhe populizmi në rritje e kërcënuan integrimin evropian, një nga përpjekjet përcaktuese të epokës së pas Luftës së Dytë Botërore.

Globalizimi u ndesh me erëra të ashpra politike dhe gjeopolitike,ndërsa Organizata Botërore e Tregtisë u fut në ngërç, rritja ekonomike e Kinës u bë më ogurzezë,ndërsa Shtetet e Bashkuara u bënë një mbrojtëse e pasigurt e tregtisë së lirë. Revizionizmi dhe përmbysja gjeopolitike i sfiduan rendet rajonale në të gjithë Euroazinë.

Mosfunksionimi politik u bë një mënyrë jetese në SHBA. Nga kjo perspektivë, goditjet që solli 2020-a nuk ishin një rrufe në qiell të pastër. Ato ishin kriza që nxorën në pah një kalbëzim shumë të përhapur brenda institucioneve dhe rregullimeve, që e strukturuan rendin botëror të udhëhequr nga amerikanët.

Prandaj, një mundësi është që ky vit të shihet si momenti në të cilin një sistem tashmë shumë nën tension të fillojë të zhytet drejt një gjendje më anarkike dhe jo liberale. Por ekziston edhe një histori e ardhshme më shpresëdhënëse e vitit 2020.

Një nga pikat e forta të rendit të pasluftës ka qenë rezistenca e tij e jashtëzakonshme, pra fakti që shpesh sfidat kanë nxitur inovacionin konstruktiv. Për shembull, në vitet 1970 u duk se ishin ditët e fundit të fuqisë amerikane dhe ekonomisë së botës së lirë.

Kjo për shkak të tronditjes të tregut global të naftës, fundit të sistemit financiar tëBretton Woods,si dhe pengesave të shumta gjeopolitike. E megjithatë krizat çuan nëmë shumë ripërtëritje sesa rënie. Shumë shpejt SHBA-ja nisi një kundërsulm shkatërrues gjeopolitik kundër një Bashkimi Sovjetik që kishte ezauruar shumë nga burimet e tij.

Uashingtoni bashkëpunoi me aleatët kryesorë për të krijuar institucione të reja (si G7-a), për të lehtësuar kalimin në një sistem më të globalizuar. Vendet në mbarë Perëndimin përqafuan reformat pro-tregut,të cilat çuan në një vrull të ri zhvillimi.

Për pasojë, ne tani e shohim vitin 1979 – si vitin e tmerrshëm kur ndodhi Revolucioni Iranian, pushtimi sovjetik i Afganistanit dhe një recesion global i rëndë-dhe si fillimin e ri të ndikimin amerikan. Ndoshta viti 2020 do të jetë një tjetër moment i rilindjes.

Tek e fundit, ky ishte vitikur sistemi politik amerikan e korrigjoi veten, pas një flirti të rrezikshëm me një populizëm gati-autoritar të së djathtës, ndërsa refuzoi në të njëjtën kohë një populizëm destabilizues të së majtës.

Ky vit u shoqërua me përpjekje të udhëhequra nga aleatët amerikanë, për nisjen e reformimit e organizatave ndërkombëtare të dobëta, dhe krijimin e mekanizmave të rinj – si një G7 e zgjeruar – për një bashkëpunim më të thellë dhe më të gjerë demokratik.

Gjithashtu, po këtë vit u shfaq një shqetësim i rindaj fuqisë kineze jo vetëm në Amerikë, por edhe në Evropë si dhe në demokraci të tjera të përparuara:Epoka e Trump nuk përfundoi me një përçarje transatlantike mbi Kinën, por me diskutimet e para se si të bashkëpunojmë më ngushtësisht kundër kërcënimit që paraqet Pekini për botën demokratike.

Pra në mesin e errësirës së pandemisë dhe vendosmërisë autokratike, pati disa “drita” të ripërtëritjes liberale. Ne nuk mund t`a dimë ende, se cilën trajektore do të ndjekë në të  . Historia është gjithmonë e kushtëzuar:Një zhvendosje prej rreth 45.000 votash në 4 shtete do të kishte rizgjedhur Donald Trump si president, duke e vendosur demokracinë amerikane dhe politikën e saj të jashtme në një rrugë shumë të ndryshme nga ajo që ndoshta do të ketë nën presidentin e zgjedhur Joe Biden.

Udhëheqja është një aspekt jetik:Se në cilin drejtim do të kthehet e ardhmja, kjo do të varet nga cilësia e zgjedhjeve dhe fuqia e retorikës e politikë-bërësve në SHBA, por dhe në vende të tjera. Së fundmi, historia përfshin shembuj të agimeve të rreme, si dhe rënieve të rreme.

Në fundin e viteve 1920, u duk se Evropa më në fund po i shpëtonte një epoke të konfliktit të egër. Por Depresioni i Madh e zhyti atë në një konflikt tjetër edhe më të egër.

Për mirë apo për keq, ne do ta shohim vitin 2020 si një “çekiç” të historisë, si një vit që i shkaktoi valë tronditëse rendit global, duke e ndryshuar atë në terma afatgjatë. Krizat mund t`a shtyjnë një sistem ndërkombëtar drejt shkatërrimit ose rigjenerimit, por ato vështirë se nuk vijnë dhe ikin pa lënë një gjurmë të qëndrueshme. / KultPlus.com

‘Njerëzit e natës’ janë më inteligjentë

Flini dhe zgjoheni vonë? Shkenca sapo zbuloi diçka të mrekullueshme për ju.

Ka një cilësi të rrallë tek ‘njerëzit e natës’. Nëse ju zë gjumi vonë, do të thotë se jeni inteligjentë. Ky është përfundimi i një studimi mbi aftësinë krijuese të mendjes, që zbuloi se ndryshe nga ç’besohet, njerëzit “e natës” janë më krijues dhe më origjinalë se ata “të mëngjesit”, transmeton KultPlus.

Pasi u analizuan përgjigjet e një grupi njerëzish, një pjesë e të cilëve flenë herët dhe zgjohen herët, kurse pjesa tjetër flenë shumë vonë, u vu re se njerëzit që flenë vonë kishin prirjen për të qenë më origjinalë në përgjigjet e tyre.

Ata nuk e ndjejnë të nevojshme të ndjekin rregullat e përcaktuara, si për shembull regjimi i gjumit.

Çuditërisht, ndryshe nga ç’mund të mendohet, ata që flenë vonë kanë kujtesë më të fortë, dhe më të organizuar.

Gjithashtu në kundërshtim me atë që mendohet, njerëzit që flenë dhe zgjohen vonë kanë nivele më të ulëta stresi. Kjo sepse janë përgjithësisht në humor më të mirë gjatë ditës.

Por mbi të gjitha, që ishte edhe qëllimi i studimit, u vu re se njerëzit që flenë vonë janë më krijues se ata që flenë në orën 9 e 30 çdo natë.

Njerëzit e mëngjesit nga ana tjetër, janë më produktivë gjatë ditës, por nëse flasim për origjinalitet, tipat e natës janë specialistë. / KultPlus.com

Melisa Ibrahimi, fituese e vendit të parë në garën ndërkombëtare të muzikës në Rusi

Melisa Ibrahimi, e cila është studente në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin e Prishtinës, është shpallur fituese e vendit të parë në ‘International Music Competition Mosocow, Rusia’, përcjell KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga Organizata studentore ‘Reforma’, e cila ndër të tjerash i ka uruar Melisës shumë suksese në karrierën e saj.

‘Organizata Studentore “REFORMA”, është krenare që në rradhët e saja ka studente që përfaqësojnë denjësisht Universitetin dhe Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare’, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e organizatës. / KultPlus.com

‘Njerëzit e mëdhenj nuk i futen kurrë politikës’

Më 4 janar të vitit 1960, fiks 81 vite më parë, si pasojë e një aksidenti Albert Kamy ndërroi jetë, shkruan KultPlus.

Kamy ishte shkrimtar dhe filozof francez, njëherit edhe fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1957. Është i njohur për stilin karakteristik të shkrimit dhe me tematikat e veprave të tij. I gjithë opusi letrar i tij bazohet në idenë absurde të egzistencës së njeriut.

Më poshtë KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të tij.

Një shtyp i lirë, natyrisht, mund të jetë i mirë ose i keq, por, në mënyrën më të sigurtë, pa liri shtypi nuk do të jetë gjë tjetër veçse i keq.

Një ndërgjegje fajtore ka nevojë të rrëfehet. Një vepër arti është një rrëfesë.

Një njeri pa etikë është një bishë e humbur në këtë botë.

Ah, miku im, për këdo që është i vetmuar, pa Zot dhe pa mësues, pesha e ditëve është e lemerishme. 

Medet, pas njëfarë moshë, çdo njeri është përgjegjës për fytyrën e tij. 

Të gjitha bëmat e mëdha dhe mendimet e mëdha kanë një fillim qesharak. Veprat e mëdha shpesh kanë lindur në një qoshe rruge apo në derën rrotulluese të një restoranti.

Të gjitha revolucionet moderne kanë përfunduar në një përforcim të pushtetit të Shtetit. 

Intelektuali është dikush mendja e të cilit vështron veten e saj.

Kur bëhet 30 vjeç njeriu duhet ta njohë veten si në pëllëmbë të dorës, të dijë saktësisht të gjitha të metat dhe kualitetet, ta dijë sa larg ai mund të shkojë, të parathotë dështimet e tij – të jetë ai që është. Dhe, mbi të gjitha, t’i pranojë këto gjëra. 

Janë të bekuara zemrat që mund të lakohen; ato nuk do të thyhen kurrë. 

E çfarë është lumturia përveçse një harmoni e thjeshtë midis një njeriu dhe jetës që ai bën? 

Rregulli është që qeveria nuk ka ndërgjegje. Nganjëherë ka një politikë, por asgjë më shumë. 

Sharmi është një mënyrë për të marrë përgjigjen po kërkuar një pyetje të qartë.

Mos ju beso miqve kur ata të kërkojnë të jesh i ndershëm me ata.  E gjitha ç’duan ata është të mbajnë mendimin e mirë që ata kanë për veten e tyre.

Mos prit gjyqin e fundit – ai ndodh çdo ditë.

Mos ec pas meje; nuk jam prijës. Mos ec para meje ; nuk mund të të ndjek. Ec përkrah meje dhe ji miku im. 

Çdo akt rebelimi shpreh nostalgjinë për pafajësinë dhe një thirrje ndaj thelbit të qenies.

Çdo njeri ka nevojë për skllevër si për ajër të pastër. Të sundosh do të thotë të marrësh frymë, apo jo? Madje edh më të paprivilegjuarit duan të marrin frymë. Ata të shkallës më të ulët kanë skllevër gratë ose fëmijët e tyre.

Çdo revolucionar përfundon në shtypës ose në heretik. 

Liria nuk është gjë tjetër veçse një shans për të qenë më mirë.

Ai që dëshpërohet nga gjendja njerëzore është burracak, por ai që shpreson për të është budalla.

Si mund të jetë çiltërsia një kusht për miqësi? Shijimi i së vërtetës me çdo kusht është një pasion që nuk shpenzon asgjë. 

Sa e rëndë, sa e hidhur është të bëhesh njeri!

Unë di vetëm një detyrë, ajo është të dashuroj. 

 Në mes të dimrit e kuptova më në fund se brenda meje ishte një verë që nuk çrrënjoset.

Integriteti nuk ka nevojë për ligje.

Është normale të japësh pak nga jeta jote, në mënyrë që të mos e humbësh krejtësisht. 

Njeriu është një ide, dhe është një ide e vogël e çmuar sapo ia kthen shpinën dashurisë.  Njeriu është krijesa e vetme që nuk pranon të jetë çfarë është. / KultPlus.com

Koronavirusi si inspirim i skenës kulturore

“Kultura nuk është gjithçka”, është shkruar në tabelën e kinemasë, “por pa kulturë, asgjë nuk ka më vlerë!”

Pandemia e koronavirusit, në të vërtetë, ka lënë vragë në arte dhe në skenën kulturore. Çfarëdo fjalësh inkurajuese që kanë thënë politikanët gjatë këtyre muajve të fundit, prapëseprapë kanë tingëlluar të pashpresë më shumë së kurdoherë, kur kanë thënë se sektori do të gjejë një zgjidhje kreative. Përkundër vështirësive financiare – jo të gjithë kanë reaguar si aktori gjerman dhe këngëtari Tom Schilling, që ndien “një frymëzim ekstrem në situata të tragjedisë” dhe “ ishte inspiruar me të madhe” nga karantinimi në pranverë – njerëzit që punojnë në sektorin e kulturës sidoqoftë, kanë sfiduar situatën e tensionuar me koncepte interesante në këta muajt e fundit

Termi “higjienë” pa dyshim do të mbahet mend si diçka tipike për vitin 2020. Pas karantinimit të parë, strategjitë e higjienës u bënë të domosdoshme kudo në vendet që dëshironin të kishin audiencë, bashkë me rregulla të rrepta. Shfaqjet u pritën me entuziazëm në të gjithë Gjermaninë; malli për shfaqje të drejtpërdrejta dhe koncerte ishte i madh si për publikun ashtu edhe për artistët. Salla e koncerteve “Elbphilharmonie” në Hamburg, për shembull, mbajti shfaqje të shumta me publikun që ndryshonte çdo ditë. Megjithatë, shfaqjet nuk ishin shumë fitimprurëse për shkak të numrit të vogël të publikut.

Klubet, orkestrat dhe teatrot vërtetuan se platformat “streaming” nuk janë vetëm për shikimin e tepërt të serialeve në “Netflix”. Menjëherë pas fillimit të bllokimit, klubet në Berlin bashkuan forcat dhe transmetuan ndejat në shtëpitë e njerëzve nën moton “United we Stream”. DJ-të luajtën pjesët e tyre live në klubet e zbrazëta. Orkestrat rreth botës gjithashtu transmetuan shfaqje në mënyrë digjitale. Pianisti i njohur Igor Levit dha një koncert nga salloni në shtëpi të tij, dhe artisti britanik Alexander Iskin u dha mundësinë njerëzve që të shohin veprën e tij live për 50 ditë.

Teatri Shtetëror i Augsburgut ofroi produksione që njerëzit mund t’i shikonin në shtëpi duke përdorur kufje VR – një zgjedhje që nuk ishte e rrezikshme për infektim. Në vitin 2021, teatri do t’i lejojë njerëzit në të gjithë vendin të marrin me qira kufje VR nëse nuk kanë një palë të tyre, për të shikuar shfaqjet që i ofrojnë. Falë perspektivës së tyre prej 360 gradësh, përvoja me VR ishte një vlerë e shtuar në krahasim me një performancë të rregullt të ndjekur nga audienca. Muzetë gjithashtu reaguan ndaj mbylljes dhe ofruan turne digjitale për ekspozitat e tyre.

Megjithatë, pandemia ka të ngjarë të ketë një ndikim të gjatë në arte. Si do t’i procesojnë këtë eksperiencë dhe ndryshimet në shoqëri piktorët, këngëtarët, shkrimtarët dhe aktorët?

Gjatë javëve të verës “Kunsthaus Bregenz” në Austri tregoi një ekspozitë të veçantë që gjurmonte “pasiguritë e jetës që nga fillimi i krizës së koronës. Ndërsa shkencat përpiqen të ofrojnë zgjidhje, janë artet ato që e përshkruajnë lëmshin e krizës”, ka shkruar hapësira ekspozuese në faqen e saj të internetit. Disa artistë dërguan punime të kohëve të fundit, që tashmë ishin reflektim i krizës. Në mesin e atyre që dërguan vepra ishte edhe artisti bashkëkohor i Afrikës së Jugut, William Kentridge. Artistët e tjerë, me vepra më të vjetra, reflektonin skepticizëm të progresit dhe melankoli që dukej sikur shpërfaqnin parandjenjat e pandemisë.

Gjuha është kulturë, kështu që ngjarjet kryesore shoqërore kanë tendencë të ndikojnë në mënyrën se si ne komunikojmë. Këto ditë, ndoshta të gjithë dinë të shkruajnë “epidemiologji” dhe “karantinë”. Para pandemisë, sa shpesh keni hasur në fjalët “rojë teshtimash”?

Koronavirusi ka shkaktuar krijimin e fjalëve krejtësisht të reja në gjuhën gjermane, gjithashtu rreth 1 mijë fjalë gjetën rrugën e tyre në listën e Institutit Leibniz për Gjuhën Gjermane, përfshirë “Super Spreader-Ereignis” (ngjarje superpërhapëse), “Wellenbrecher-Lockdoën” ( bllokim i kanalizimit, një term për një lloj bllokimi të dritës) dhe “ndeja në Zoom”.

Tani gjermanët janë drejtuar për në vitin 2021 në atë që po quhet “Impfstrasse” – fjalë për fjalë, rruga drejt vaksinimit, një referencë për qendrat e mëdha të vaksinimit që do u duhet ta menaxhojnë fluksin e njerëzve që duan të vaksinohen kundër COVID-19./dw/ KultPlus.com

Pamje nga dera e shtëpisë së familjes katër anëtarëshe që u shua në Pozhoran

Katër anëtarëve të familjes Zuka nga fshati Pozheran i Vitisë iu dha lamtumira e fundit para disa ditësh.

Një natë para Vitit të Ri kryefamiljari F. Zuka, 45 vjeç, dyshohet se privoi nga jeta gruan M. dhe dy djemtë e tyre, 23 e 18 vjeç, H. e A.

Motivet e shuarjes së kësaj familjeje nuk dihen akoma, përderisa të afërmit e viktimave kanë deklaruar se nuk kanë pasur njohuri nëse çifti kishte pasur probleme mes vete.

Ndërkohë, para derës së familjes Zuka në Villeneuve të Zvicrës janë dërguar lule dhe janë ndezur qirinj të shumtë nga të njohurit e tyre, duke u solidarizuar me rastin e ndodhur tragjikisht të kësaj familjeje. /albinfo/ KultPlus.com