Pas botimit në disa gjuhë (frëngjisht, anglisht, serbisht, sllovenisht), romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i përkthyer nga Liliana Cuka, u botua edhe në italisht. Botuesi i njohur italian nga Roma “Armando Editore”, romanin e nxori me titullin:
“Per te terra mia – Le confessioni di Gjon Nikola Kazazi” (Për ty vendi im, rrëfimet e Gjon Nikollë Kazazit).
“Është një vepër e shkruar ne një mënyrë të pabesueshme intensive” vlerëson botuesi italian dhe shton se titulli “Te përkas ty, o toka ime”, mund te jete slogani mbi te cilin autori ndërthur një përmbajtje të dendur, me bashkëbisedues me vlera, ku ndodhet një vend i tronditur, i ndërlikuar, i dhunuar, ne te cilin politika dhe feja janë ne gare për te kapur hapësirat e tyre dhe për te bere prozelitizem. Reflektimi me përmbajtje te larte, i cili e drejtojnë lexuesin ne mendimet e rafinuara te autorit për te krijuar me pas përshtypjet e veta personale.”
Ballina e librit përcillet me vlerësimin:
“Murtaja vazhdon të përhapet, mbyllen kufijtë, shfaqet mosbesimi ndaj pushtetit dhe ndaj Zoti, lind nevoja për të organizuar një ‘rezistencë’ morale dhe efektive kundër një autoriteti, qëllimi i të cilit është të asgjësojë dinjitetin dhe nderin e një populli, në mënyrë qe të krijojë një “njeri të ri perandorak”, pa rrënjë. Është një histori, tepër e fortë dhe e pasur me ide filozofike, flet për një lidhje të pazgjidhshme midis një populli dhe tokës së tij, dhe në të njëjtën kohë është histori besimi dhe mosbindjeje, si mjet për të arritur emancipimin e shpirtit, gjithmonë në fillin e hollë te herezisë. Është njëkohësisht edhe lufta kundër ndjenjës së mungesës së fuqisë, ndjenjë të cilën njeriu ndien përballe një epidemie misterioze dhe kërcënuese në të cilën gjenden shumë ngjashmëri me aktualitetin. “Liri ose vdekje” është udhëkryqi para të cilit ndodhen protagonistët e kësaj vepre, robër të një bote ku si politika, ashtu dhe feja pretendojnë hapësira dhe asimilime.” / KultPlus.com
Një mbrëmje Mussolini, i lodhur së ndenjuri i vetëm në shtëpi, veshi një kapotë, vuri një kapele mbi sy dhe, me fytyrën të fshehur nga jaka e kapotës, doli të endej më këmbë nëpër Romë. Kur mbërriti para një kinemaje, iu tek të dëfrente si gjithë të tjerët, preu një biletë dhe hyri. Shfaqja filloi me “News Picture” dhe, afërmendsh, heroi në “News Picture” ishte vetë Mussolini, gjithnjë ai, gjithnjë Mussolini i përhershëm, në kalë, në automobil, më këmbë, në uniformë, civil, në këmishë të zezë, në frak, në aeroplan, në motoskaf. Mussolini duke kaluar në revistë trupat fashiste, duke përuruar një monument, duke kryesuar një kongres filozofësh, duke i shtrënguar dorën një kardinali, duke vizituar një kazermë, duke u ngjitur në Kampidol, duke mbajtur një fjalim, dy fjalime, tri fjalime, një pafundësi fjalimesh. Sapo që Duçja qe shfaqur në ekran i gjithë publiku qe ngritur në këmbë duke përplasur duart. Vetëm Mussolini, që nuk ishte mësuar të ngrihej në këmbë për të nderuar vetveten, kishte qëndruar ulur pa e prishur qetësinë. Një mikroborgjez modest, i ngritur edhe ai dhe duke parë atë zotëri përbri që qëndronte ulur në mënyrë aq të pakujdesshme, e preku te supi, iu përkul te veshi e i tha: “Më falni, zotëri, edhe unë e mendoj si ju, por është më mirë me u çue në këmbë”. /Pjesë nga libri: “Muss. Il grande imbecil”, Milano 2008/Marrë nga profili në Facebook i studiuesit Aurel Plasari/ KultPlus.com
(Nga Endrit Binakaj, i mbijetuari i Masakrës së Belegut, autor i dy librave për masakrën.)
Masakra e Belegut, 29 mars 1999
Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, memoria ime ka ngelur e freskët, ende e qartë si kristali i një fëmije që sapo kishte mbushur 9 vjet. Ende në shiritin e kujtesës sime më rrëshqasin natyrshëm ato skena vuajtjesh, maltretimesh, frikë nga e panjohura, se po vriteshim tash a tash.
Sa herë që vjen 29 marsi, dhe jo vetëm, unë kthehem në marsin e vitit 1999, në vitin e rëndë të vrasjeve, torturave, masakrave deri në shfarosje totale, por edhe të kthesës së madhe të shqiptarëve për fitoren e luftës për liri. Kthehem dhe shndërrohem në Endritin 9 vjeçar, në Belegun e djegur e të shkatërruar, në Kosovën e kapluar më flakë e erë gjaku të njomë.
E kujtoj si sot, ishte ditë e hënë marsi, pranvera kishte lëshuar rrënjë, pemët kishin filluar të çelnin sythet e tyre, fushat dhe kodrinat po rinoheshin me petkun e gjelbëruar. Por, vetëm qielli nuk ishte në sinkron me token. Ai po shfaqej i zymtë, retë e zeza e kishin pushtuar vendin tim, kukuvajkat po paralajmëronin tragjedinë e madhe. Dita e 29 marsit 1999 ishte e kobshme për vendlindjen time, si fëmijë atëbotë e them pa modesti më bëhej sikur e kisha mposhtur frikën, me siguri qe po, e kisha mposhtur, krismat e plumbave dhe gjëmimet e topave ishin bërë tinguj të zakonshëm për veshin tim, tanket dhe autoblindat e paramilitarëve me helmeta ishin bërë pamje e përditshme e syve të mi.
E kujtoj futjen e policisë brenda oborrit të shtëpisë sime, pushtimin e tij nga paramilitarë serb me tyta armesh mbi civilë shqiptarë që të vetmin mëkat që kishin bërë ishte se po jetonin në tokën e paraardhëseve të tyre që kishin jetuar brez pas brezi këtu, në atdheun tonë autokton. Të hutuar e në ankth, na mblodhën të gjithë, u nisëm në karvanin e pa kthim drejt qendrës së fshatit, duke ecur rrugës, një autoblind na printe e ne ishin në mes, anash ecnin në këmbë me armë të gjata ushtarët serbë të armatosur deri në dhëmb, ndërsa në fund të kolonës qëndronte edhe autoblinda tjetër, si për ta siguruar rrugën se tufa e shqiptarëve civil që po shkonte drejt ferrit, të mbërrinte e sigurt atje. Rrugës në asnjë moment nuk ia lëshova dorën nënës sime, e cila tashmë kishte barrë të rëndë të kujdesej për mua dhe motrën, babai nuk e dinin se çfarë i kishte ndodhur, siç nuk do ta dinim deri në qershorin e vitit 1999, e mendonim si të vdekur, ashtu siç na vinin lajmet në Shkodër, ku qëndrova me familje për tre muaj si refugjat. Rrugëtimi i ferrit nga shtëpia deri në vendin e grumbullimit në qendër të fshatit, ishte i tmerrshëm, çdo gjë po digjej, qiellin e atij muzgu tragjik po e ndriçonin flakët e shtëpive që po digjeshin në çdo skaj të rrugës kafshë të ngordhura, kukama e dënesje nënash, në prani të familjes kishin pushkatuar në pragun e shtëpisë, Naim e Nezir Vishajn, po ashtu edhe profesor Daut Aliçkajn. Tmerri i vërtetë kishe filluar.
Të hutuar dhe në ankth, policia dhe ushtria serbe kishin filluar aksionin e plaçkitjes, torturës dhe maltretimit të banorëve jo vetëm të Belegut por edhe të fshatrave tjera që lufta i kishte degdisur për ato momente në Beleg. Atë natë marsi, burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët. Në çdo moment pritej pushkatimi dhe therja jonë, nuk ndodhi atë natë, sikur ishte vullnet nga Zoti që ne fëmijët dhe gratë të shpëtonim, për ta treguar e rrëfyer vuajtjen tonë për liri, por nga pushkatimi nga paramilitarët serbë nuk shpëtuan 46 burra që nga mosha 16 vjeçare e deri tek pleq të shtyrë në moshë.
Në mëngjesin e 30 marsit, filloj eksodi i madh për në Shqipëri, në rrugën pa kthim. Ishte momenti i fundit kur fëmijët po i shikonin fytyrat e baballarëve të tyre, çast i trishtueshëm kur nënat po merrnin mallin me veti për bijtë e tyre që nuk do t’i takonin kurrë. Momente prekëse që i kisha përjetuar si fëmijë, është shumë e vështirë të gjesh ndonjë përshkrim adekuat të asaj ndjesie, e dhimbshme, e tmerrshme sa që edhe lotët ishin shterur e zëri kishte ndërruar tonalitetin, nuk mund as të bërtisje.
Në natën e 29 marsit, për të vazhduar edhe më 30 mars 1999, ishin ndaluar nga forcat serbe 46 burra për t’u ekzekutuar më pas, jo vetëm banorë të fshatit Beleg por dhe të fshatrave tjera përreth që lufta i kishte zënë aty atë ditë marsi.
Ky është një përshkrim i shkurtër i gërmuar thellë nga kujtesa e një fëmije që sapo kishte filluar ta jetoj pranverën e nëntë, i atij skenari të tmerrshëm të Masakrës së Belegut, e cila llogaritet si njëra nga krimet më të llahtarshme të regjimit serb në luftën e fundit në Kosovë.
Nga 46 të ekzekutuarit në këtë masakër deri më tani janë identifikuar vetëm 12 trupa, ndërsa pjesa dërmuese, pra 34 mbesin ende të zhdukur. Ndonëse dihen autorët e krimit të cilët i kam dokumentuar në dy librat e mi për këtë masakër, përsëri drejtësia vendore e sidomos ajo ndërkombëtare nuk kanë bërë asgjë në zbardhjen dhe dënimin e merituar për autorët e këtij krimi makabër.
Dëshmitarët e Masakrës së Belegut, disa herë i kanë deponuar dëshmitë dhe faktet e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ende nuk ka ndonjë proces gjyqësor ndaj kriminelëve që vranë, masakruan dhe torturuan banorët e fshatit Beleg.
Sot, 22 vjet nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, familjarët, të afërmit e të ekzekutuarve në Beleg mbesin me ankth, në pritje të ndonjë lajmi për trupat e tyre, varret kanë mbetur të hapura, me epitafe të shkruara, por mungojnë një grusht eshtra. Kaq kërkojnë familjarët e tyre, që sadopak t’iu zbutet dhimbja, si një vend për t’i ndje më afër, se për t’i vajtuar ata nuk e meritojnë, janë martirë të kësaj toke të lirë.
Aktualisht në të gjithë vendin janë të zhdukur rreth 1643 persona, Serbia e di saktë vendndodhjen e tyre, andaj duke qenë se jemi në prag të një marrëveshje me shtetin armik, si një i mbijetuar i masakrës dhe si qytetar i kësaj Republike iu bëj apel dhe thirrje në emër të gjithë familjarëve që t’i bëhet presion Serbisë për kthimin e të gjitha eshtrave të personave të zhdukur në Kosovë.
Familjarët e të rënëve jo vetëm në Beleg por edhe në nivel të Kosovës, asnjëherë nuk do të jenë të qetë përderisa kriminelët nuk e marrin dënimin e merituar.
Ankthin ata e kanë bërë pjesë të jetës, tash e 22 vjet.
Ky ankth shpresoj të mos vazhdoj në pafundësi.
Lavdi të rënëve në Masakrën e Belegut!
Të rënët në Masakrën e Belegut
Deri më tani nga Masakra e Belegut janë të identifikuar këta persona:
Shaqë (Curr) Binakaj
Hysni (Curr) Binakaj
Nezir (Ibish)Vishaj
Naim (Daut) Vishaj
Daut (Murat) Aliçkaj
Gëzim (Selmon) Vishaj
Jetmir (Arif) Mazrekaj
Qazim (Osë) Hulaj
Sadri (Adem) Zukaj
SHefqet (Curr) Belegu
Shaban (Haxhi) Kadriaj
Ali (Haxhi) Kadriaj
Ndërsa, shumica e të rënëve në këtë masakër ende nuk janë gjetur. Dhe, ende nuk dihet se KU JANË:
Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare njeh shumë beteja të rëndësishme. Njëra prej tyre është beteja e Margëlliçit, e cila u finalizua më 29 mars 1944.
Beteja e Margëlliçit erdhi si rezultat i operacioneve luftarake partizane në etapën e dytë të Operacionit të Dimrit në 1943-1944. Në fund të shkurtit dhe në fillim të marsit 1944, formacionet partizane të Grupit të Tretë Mallakastër të inkuadruar në tre batalione nisën mësymjen kundër forcave gjermane, të cilat kishin masakruar popullin dhe i kishin vënë zjarrin krahinës së Mallakastrës.
Kjo betejë, e cila zgjati 3 ditë, 27-29 mars 1944, përfundoi me eliminimin dhe zmbrapsjen e forcave gjermane në panik të plotë dhe humbje të rënda.
Gjatë betejës së Margëlliçit mbetën të vrarë shumë partizanë ndërmjet të cilëve ishin: Mustafa Matohiti, Meleq Gosnishti, Dino Kalenja, Lefter Talo, Damin Kora, Lutfi Tolari, Jarulla Papa, Ndreko Zhaka, Abedin Shkëmbi, Sabri Myslymi, Ibrahim Zeneli etj. / KultPlus.com
Më 29 mars të vitit 1999, forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, kishin kryer një masakër në fshatin Beleg në Deçan, ku ata vranë dhe masakruan gjithsej 46 shqiptarë.
Kjo është njëra prej masakrave më të mëdha që është kryer në fshatrat e Komunës së Deçanit, ku ende sot e kësaj dite fati i 33 të pagjeturve, mbetet ende pa zgjidhje. Kjo masakër filloi si një sulm i egër ndaj popullatës së Belegut dhe Irzniqit, ku në këtë të fundit mbetën të vrarë 7 civilë të pambrojtur, pasi një ditë më parë forcat serbe pësuan humbje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Duke marrë parasysh dëshmitë, autopsinë e kufomave dhe deklaratat e shumta së dëshmitarëve, të cilët janë prezantuar në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, ende askush nuk është dënuar për këtë krim. / KultPlus.com
Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet në kuadër të projektit “Humanrightivism” implementuar nga CDF dhe mbështetur nga Sida në bashkëpunim me Komunën e Lipjanit prezanton shfaqjen “Kur bien perdet”, përcjellë KultPlus.
Shfaqja “Kur bien perdet” ka për qëllim adresimin e bullizmit, pasojat dhe rreziqet.
Pas shfaqjes personazhet do të diskutojnë me publikun lidhur me temat të cilat adresohen në shfaqje, në këtë mënyrë duke e bërë edhe publikun pjesë të saj.
Në këtë shfaqje luajnë: Edmond Hajdini, Fatlum Bllaca, Fjolla Hoxha, Gerat Salihi dhe Lerdi Salihi
Regjisore/Moderatore do të jetë Daniela Markaj dhe Qëndresa Kajtazi.
Shfaqja do të mbahet në Qendrën Kulturore “Tahir Sinani” në Lipjan me datë 30 mars, nga ora 12:00-13:00. / KultPlus.com
Këto ditë doli nga shtypi numri 2 i revistës letrare i PEN Qendrës së Kosovës “Kosova PEN”, përcjellë KultPlus.
Në këtë numër, me shkrime autoriale e të përkthyera janë përfshirë autorë vendorë, kombëtarë e ndërkombëtarë.
Me shkrimet në fushën e filozofisë me ese, studime, kritikë letrare dhe memoare, janë prezantuar Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Sali Bashota e Artan Krasniqi.
Në letërsi, në prozë janë publikuar tregime të Gëzim Aliut e Binak Kelmendit.
Me poezi në këtë revistë mund të lexoni krijime të Entela Kasit, Milazim Krasniqit, Ibrahim Kadriut, Zuhdi Dervishit, Naime Beqirajt dhe Nerimane Kamberit.
Sali Bashota vjen me një tufë prozash poetike, ndërsa Milazim Krasniqi sjell kujtimet e tij nga takimet e shkrimtarëve të Kosovës me ata të Serbisë në vitet e tetëdhjeta kur ndodhi edhe thyerja intelektuale ndërmjet dy vendeve.
Një panoramë të poezisë bashkëkohore amerikane në shqip e sjell Avi Spahiu, Naim Kryezi publikon përkthime nga lirika zvicerane ndërsa Binak Kelmend një fragment nga romani “Dashnori” të Marguerite Duras.
Në “Kosova PEN 2 janë botuar edhe poezi e krijime të tjera në gjuhën angleze, intervista dhe skica letrare të penave të njohura nga bota e krijimtarisë. / KultPlus.com
Një studim i përbashkët i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Kinës mbi origjinën e COVID-19 thotë se transmetimi i virusit nga lakuriqët e natës tek njerëzit përmes një kafshe tjetër është skenari më i mundshëm dhe se një rrjedhje laboratori është “jashtëzakonisht e pamundur”, sipas një raporti të siguruar nga AP.
Gjetjet ishin kryesisht siç pritej dhe lanë shumë pyetje pa përgjigje. Ekipi propozoi kërkime të mëtejshme në çdo fushë përveç hipotezës së rrjedhjes së laboratorit.
Publikimi i raportit është vonuar në mënyrë të vazhdueshme, duke ngritur pikëpyetje nëse pala kineze po përpiqej të fshinte fajin për pandeminë e cila ka shkaktuar krizë globale.
Raporti u sigurua nga Associated Press, megjithatë nuk dihet nëse do të ketë ndryshime deri në publikimin e tij, që pritet të ndodhë ditëve në vijim.
Studiuesit renditën katër skenarë sipas radhës së gjasave. Ata arritën në përfundimin se transmetimi përmes një kafshe të dytë mund të jetë më i mundshëm. Ata vlerësuan përhapjen e drejtpërdrejtë nga lakuriqët e natës tek njerëzit si të mundshme dhe thanë që përhapja përmes produkteve ushqimore “me zinxhir të ftohtë” ishte e mundur por me pak gjasë.
Shenjat e virusit që shkaktojnë COVID-19 janë gjetur në lakuriqët e natës, të cilat dihet se bartin koronavirusin. Sidoqoftë, raporti shton se “distanca evolucionare midis këtyre viruseve të lakuriqëve të natës dhe SARS-CoV-2 vlerësohet të jetë disa dekada, duke sugjeruar një lidhje që mungon”.
Në raport thuhet që viruse shumë të ngjashme janë gjetur në pangolina, por gjithashtu vuri në dukje se minjtë dhe macet janë të ndjeshëm ndaj virusit COVID, dhe mund të jenë transmetuesit kryesor.
Raporti bazohet kryesisht në një vizitë nga një ekip i ekspertëve ndërkombëtarë të OBSH-së në Wuhan, qyteti kinez ku u zbulua për herë të parë COVID-19, nga mesi i janarit deri në mes të shkurtit. / KultPlus.com
Orkestra harkore e Filharmonisë së Kosovës do të mbaj koncert këtë të premte në Sallën e Kuqe në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Në njoftimin e bërë ndër të tjera tregohet se koncerti do të filloj në orën 19:00 dhe se rezervimet janë të detyrueshme për shkak të situatës me pandeminë.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin e tyre të plotë:
Filharmonia e Kosovës ka kënaqësinë të prezantojë koncertin e radhës në kuadër të sezonit 2020/2021. Orkestra harkore e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncert më 2 prill 2021 (E premte) prej orës 19:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Për të rezervuar ulësen tuaj shkruani e-mail në [email protected] me titull / Rezervim 02.04.2021 – Emri dhe mbiemri. Përmes një emaili ju mund të rezervoni vetëm dy ulëse. Përshkak të parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19 bartja e maskës është e detyrueshme./ KultPlus.com
Artistët japonezë i kanë kushtuar mijëra vargje dhe piktura lules së qershisë, (sakura) dhe një numër festivalesh pranverore janë organizuar për nder të saj. Ajo është një nga simbolet e rëndësishme të kulturës japoneze.
Pavarësisht masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, qytetarët vërshuan parqet për të parë gjethet e luleve të hapura në fund të marsit dhe në fillim të prillit. Rrugët e Tokios tashmë kanë marrë ngjyra të bukura.
Të shikosh lulen e qershisë është një zakon japonez që përfshin njerëz të të gjitha brezave. Çdo vit, një numër i madh i turistëve vendas dhe të huaj kalojnë pjesën më të madhe të kohës në parqe duke u përpjekur të bëjnë fotografitë më të bukura të lules së qershisë, e cila është paralajmëruese e pranverës dhe simbol i bukurisë së përsosur në vendin ku lind dielli.
Rituali përfshin këndimin e këngëve të veçanta dhe shijimin e ushqimeve tradicionale.
Këtë vit, megjithatë, situata është disi më ndryshe për shkak të koronavirusit dhe masave që po zbatohen në gjithë botën për të luftuar përhapjen e infeksionit. Në Japoni, regjistrohet një numër më i vogël i njerëzve të infektuar, por ndikimi i COVID-19 ndihet.
Gjendja e jashtëzakonshme, e cila u fut në rajone të ndryshme të vendit në periudhën janar-mars, u hoq plotësisht në fillim të javës.
Duke përfituar nga heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, japonezët nuk hoqën dorë nga tradita e tyre dhe shkuan për të parë këto lule./ KultPlus.com
Zoea Baltag, 104-vjeçe, mori dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19 Pfizer, duke u bërë personi më i vjetër në kryeqytetin rumun, Bukuresht, që është vaksinuar plotësisht.
E shoqëruar nga anëtarët e familjes, Zoea Baltag, e lindur në vitin 1916 në Pallatin e Fëmijëve në Bukuresht, mirëpriti marrjen e dozës së dytë të vaksinës dhe vuri në dukje se kjo ishte mënyra e vetme për të luftuar COVID-19, raporton AP.
“Vaksina është mënyra e vetme për të hequr qafe këtë virus. Me të vërtetë më ka marrë malli për stërnipin tim, dua ta shoh të rritet. Nuk mund të isha me nipërit e mbesat e mia, sepse isha e izoluar deri më tani në mënyrë që të mos i rrezikoja që të infektohen me virusin. Të gjithë në familje tani janë vaksinuar dhe tani mund të kalojmë pushimet së bashku,” tha ajo./ KultPlus.com
Uniformat e lezetshme të shkollës, ditët e ngrohta të Mançesterit dhe salla e refugjatëve, formojnë impresionet e hershme të shpëtuar nga Kosova. Fragmente këto të shkëputura nga letrat që ajo dërgoi në shtëpi.
Saranda Bogujevci, 22 vjeçare, gëzoi ikjen më të mrekullueshme nga paramilitarët serb, të cilët shpuan trupin e saj me 16 plumba, në masakrën që ndodhi në kopshtin e shtëpisë së saj, në një fshat në Podujevë, më 28 Mars të vitit 1999. Gjashtë anëtarë të familjes së saj u vranë, përfshirë këtu nënën dhe vëllain e saj.
Saranda la gjakderdhjet prapa saj në Prishtinë dhe u vendos në Mançester, ku u shërua nga plagët që kishte marrë. Por tmerri i vrasjes së familjes së saj ende e ndjek atë dhe pas disa vitesh kur ajo u kthye prapë në rajon për të dëshmuar kundër vrasësve.
Më poshtë janë fragmente nga letrat që ajo i shkroi gjyshes së saj, ndërsa po mësohej me ambientin e ri në veri-lindje të Anglisë.
10 SHTATOR 1999
E dashura gjyshe! Kanë kaluar shumë muaj që kur të kam parë dhe shumë gjëra kanë ndodhur qysh atëherë. Dua të tregoj se si përfundova këtu, e shtrirë në spitalin e Mançesterit, në Angli. Të katër kushërinjtë ishim të shtruar në spitalin e Prishtinës. Këtu na sollën disa ushtarë, pasi familja jonë u godit.
Jashtë ishte shumë errët – zi si korbi. Dritat në korridor ishin shumë të zbehta. Brenda ishte shumë qetë. Unë shihja infermieret që endeshin poshtë e lartë nëpër korridor, por nuk shihja asnjë ushtar. Zakonisht korridori ishte i mbushur me ushtarë të dehur e të plagosur. Ata bënin shumë zhurmë, bërtisnin, qeshnin, këndonin, bile ndonjëherë edhe shtinin me armë. Por këtë natë, asgjë e tillë nuk ndodhte.
Në mëngjes, kur erdhi koha që infermieret t’më zgjonin nga gjumi, asgjë nuk ndodhi. Kështu që unë dhe vajza me të cilën ndaja dhomën e spitalit, u ngritëm të shkojmë në banjo. Ndërsa prisja atë, hodha shikimin nga dritarja dhe pashë shenjat e NATO-s nëpër tanke. Edhe pse isha e lodhur dhe e rraskapitur, vrapova nëpër korridor dhe i tregova kushërirës time, Jehonës. Më bëhej të bërtisja me aq zë sa kisha.
2 SHKURT 2000
E dashura gjyshe. Herën e fundit kur të shkrova, isha e shtrirë në spital. Nejse, që atëherë gjërat janë përmirësuar. Ende më duhet të shkoj tek fizioterapeuti tërë kohën, ndonjëherë deri në pesë herë në javë, por të paktën në mbrëmje mund të shkoj në shtëpi.
Para pothuaj tre muajsh, pata një operacion të madh në krah. Të lutem mos u merakos për plagët e mia, sepse doktorët këtu kujdesen shumë për mua. Aq shumë, saqë jam kthyer në shkollë. Është kënaqësi të jem së bashku me moshatarët e mi. Plus, unë e vesh uniformën e shkollës që është shumë e lezetshme. Askush nga nxënësit në Kosovë nuk do t’i vishte, por këtu të gjithë vijnë në shkollë me funde ngjyrë hiri, pulovra dhe kollare ngjyrë vjollce.
Mësimet ma heqin mendjen nga ajo që ndodhi vitin e kaluar. Edhe pse mësoj vetëm shkencë, matematikë dhe tek-tuk ndonjë mësim arti, unë humb veten me detyrat që kam. Po ashtu, nxënësit dhe mësuesit sillen shumë mirë me mua, gjë që ma lehtëson jetën.
Më vjen çudi, se si sistemi shkollor këtu është ndryshe nga ai në Kosovë. Në vend që mësuesit të kenë sallën e arsimtarëve, ata kanë një dhomë në klasën time dhe atyre iu duhet të rrinë me ne.
Edhe pse po shërohem përbrenda, prapë se prapë ka gjëra që ma zenë rrugën. Unë nuk mund të shprehem siç duhet. Ka shumë raste kur nuk mund të shpreh mendimet e mia sepse nuk e flas gjuhën angleze aq mirë. Fakti i tillë po më çmend. Dua t’iu them njerëzve:”Unë nuk po tregoj veten time, unë nuk po shprehem ashtu siç synoj!”
Por nuk kam mundësi, kështu që ndjehem sikur të isha dikush tjetër. E urrej këtë gjendje. Unë kurrë nuk kam qenë aq e urtë në shtëpi, po këtu mësuaesit mendojnë se jam shumë e sjellshme. Sikur t’më njihnin! Më ka marrë shumë malli për ty dhe shtëpinë. Shpresoj të shihemi së shpejti. Me dashuri, Saranda.
20 GUSHT 2002
E dashura gjyshe. Sapo isha duke menduar për ty. Tashmë e kam sistemin e muzikës dhe kënga e kushëririt tonë Ismetit ishte duke kënduar. E di cila, ajo kënga e dasmave. Po që se mbylli sytë, e shoh veten në kopshtin tonë në Podujevë, në një ditë me diell. Sot është nxehtë edhe këtu. Kjo nuk ndodh shumë shpeshë, por në Mançester ndonjëherë bëhet mjaft ngrohtë, por jo si tek ne.
Sidoqoftë, kam ca lajme të mira. Sot kam marrë rezultatet e GCSE-së (ato janë si provime që i kryen në fund të shkollës fillore). Kam marrë notën më të lartë në lëndën e artit!
Unë mendoj se pata mësues të mirë, por prapë se prapë ndjehem paksa çuditshëm, sepse nuk i pata kryer detyrat ashtu siç duhet. Nuk isha e sigurt se a do t’i kaloja provimet apo jo. Kalova vitin me nota të larta dhe kjo ishte gjëja e fundit që prisja.
Meqë ra fjala, kohën fundit kam më shumë besim kur flas me njerëz në gjuhën angleze. Tashmë, unë me të vërtetë mund të them atë çka mendoj. Gjatë viteve të kaluara, jam ndjerë e tejdukshme dhe më vjen mirë që dikush tjetër nuk flet në vendin tim. Mendoj që të studioj artin në kolegj sepse pata notën më të lartë. Shkolla e artit ku kam vendosur të shkoj është shumë e mirë.
A të kujtohet kur mendoja të bëhem farmaciste? Se si ndryshojnë gjërat. Të them të drejtën, mendoj se nuk do të isha bërë shumë farmaciste e zonja, mbase është edhe për të mirën e shëndetit të tjerëve. Shpresoj të të shoh së shpejti. Me dashuri, Saranda.
MARS 2003
E dashura gjyshe. Po ndjehem çuditshëm sot. Ne u kthyem dje nga aeroporti, por ende nuk më besohet që gjykimi përfundoi. Që kur serbët erdhën dhe na goditën me armë, unë doja që ata të dalin para drejtësisë. Kur i pashë ata ulur në sallën e gjyqit, në njërën anë u ndjeva e lumtur sepse mund të rrëfeja se çfarë na bënë ata ne, por në të njejtën kohë isha e frikësuar.
Ne ishim të shqetësuar se diçka mund të ndodhte përsëri. Ishte vështirë t’a kalonim tërë procesin sepse kishim nevojë për mbrojtje gjatë 24 orëve, që nga momenti kur shkuam në Beograd, deri në momentin kur u larguam.
Ishte disi e çuditshme sepse më duhej të dëshmoja ditëlindjen e nënës time dhe më kujtohet kur u ktheva me veturë, shikoja diellin dhe kisha vënë kokën në dritare. Ishte një ditë e shndritshme. Nejse, brenda një sekondi, ja ku ishte, atë e kisha përballë duke më buzëqeshur. Kisha harruar se sot ishte ditëlindja e saj, megjithatë e kisha rregjistruar në kalendarin e celularit në mënyrë që ta kujtoja. Kur e ndeza celularin, u ndez alarmi me mesazhin, “Ditëlindja e mamit”.
Na u desh të nisemi dhe më u kthyem përsëri në shtëpi, këtu në Mançester. Kam kaluar shumë kohë duke menduar se çfarë ndodhi gjatë vitit 1999, dhe tani, të paktën ndjehem se mund të eci përpara. Më duket se është në rregull të eci përpara sepse njerëzit që më bënë këtë mua, ty, tërë atyre femrave dhe fëmijëve të tjerë, tashmë janë dënuar. Më mungon. Me dashuri, Saranda.
SHTATOR 2004
E dashura gjyshe. Sapo u ktheva nga qyteti, ku u takova me një shoqe. Ajo është si unë. Edhe ajo e ka familjen nga një vend tjetër dhe plotësisht e kupton se çka do të thotë të kesh në jetën tënde dy kultura, të kesh një këmbë në Mançester dhe një këmbë në një vend tjetër. Ajo është shumë e qetë dhe nuk më gjykon fare.
Përveç Claire, unë po zë shoqëri edhe me të tjerët. Është qesharake, sepse kur u ktheva në shtëpi këtë verë dhe u mundova të shoqërohem me shokët dhe shoqet e mija që kam pasur, ishte edhe më vështirë nga ç’e prisja. Shumica prej tyre janë martuar, apo kanë shkuar nëpër vende të tjera. Supozoj se të gjithë jemi ndarë. Ne nuk jemi të njëjtit njerëz siç ishim në shkollën fillore.
Po ashtu, ka edhe gjëra të tjera të mira në Mançester. Unë kam filluar të merrem me shumë aktivitete të tjera. Teatri lokal, Royal Exchange, ka mbledhur refugjatë që aktrojnë dhe ne po përgatisim një shfaqje për një studio teatri. Kam mësuar shumë nga roli. Shumica prej nesh nuk kishim aktruar më parë dhe kjo na ofroi më shumë me njëri-tjetrin. Shfaqja që ne përgatitëm është quajtur Ballë për Ballë – dashuria në Britaninë e Madhe dhe e tëra ka lidhje me marrëdhëniet. Të bën shumë për të qeshur. Sa do të kisha dëshirë që ti t’a shihje. Me dashuri, Saranda.
30 QERSHOR 2007
E dashura gjyshe, kam mjaft kohë që të shkruaj sepse jam në pushimet verore universitare. Kurrë nuk mund t’ia qëllosh se ku do të shkoj vitin e ardhshëm…Kanada. Më kujtohet kur kam qenë fëmijë dhe dëshiroja të shkoja nëpër vende të ndryshme, veçanërisht në Angli. Kurrë nuk kisha besuar se do të jetoj këtu dhe tashmë po shkoj prapë në një vend tjetër.
Mezi pres t’iu shoh të gjithë juve. Kosova do të jetë gjithmonë vendi i fëmijërisë time dhe vendlindja ime, po Mançesteri do të jetë vendi ku u bëra e rritur. Do të kisha dëshirë të flas me mamin dhe t’a pyes se çka mendon për mua si një e rritur. A është Saranda e rritur ajo që gjithmonë ka pasur në mendje? Kurrë nuk do ta di. Do të shkruaj së shpejti. Me dashuri, Saranda./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti, në ceremoninë e mbajtur në nder të arritjes së kontigjencës së parë të 24 mijë vaksinave “Astra Zeneca” në Kosovë të sjella nga Aleanca Gavi COVAX, ka deklaruar se duhet të ndërmerren masa të shpejta për parandalim të të infektuarve.
“Masat tona duhet të jenë të shpejta e të drejta që të parandalojnë numrin e infektimeve. Vaksinimi duhet të fillojë menjëherë dhe pa asnjë vonesë. Qeveria jonë, që ju keni zgjedhë, po punon ditë e natë dhe po bën të pamundurën që të sigurojë sa më shumë vaksina”, ka deklaruar ai.
Ai ka shprehur falënderim ndaj SHBA’së dhe BE’së për kontigjentin e siguruar të vaksinave “Astra Zeneca”, teksa ka thënë se Kosovës i duhet solidaritet nga të gjithë.
“Prandaj, më lejoni të falënderoj aleancën COVAX dhe të gjithë ata që po dhurojnë në këtë aleancë për një proces të barabartë të vaksinimit. Vendi ynë është i vogël edhe i varfër, andaj ka nevojë për solidaritet nga të gjithë, sidomos nga SHBA dhe BE, të cilët janë donatorët kryesor të aleancës COVAX”, ka thënë tutje i pari i ekzekutivit./express/ KultPlus.com
Një monedhë 5 funte e cila përkujton mbretërimin jetëshkurtër të Mbretit Edward VIII është shitur për një rekord botëror 1.65 milionë funte apo 2.28 milionë dollarë.
Monedha e artë me bustin e monarkut të diskutueshëm u bë por kurrë nuk u vu në qarkullim pasi ai lëshoi fronin pas vetëm 11 muajsh.
Ishtë një nga vetëm tre monedhat e Edwardit VIII me pesë paund që dihet të ekzistojnë, me dy të tjerët që i përkasin Monedhës Mbretërore dhe tjera një koleksionist privat në Amerikë.
Kjo është monedha e cila është shitur më së shtrenjti ndonjëherë në Angli. Para kësaj, monedha që ishte shitur më së shtrenjti ishte ajo Williamit IV, e cila ishte blerë në Monaco tetorin e kaluar në vlerë prje 703.000 funte./ KultPlus.com
Sa herë që Dardanët zbarkojnë në fushë tē futbollit, secilën herë zemrat na bëhen mal e krenaria mbizotëron, tha Vjosa Osmani pak para fillimit të ndeshjes mes Kosovës dhe Suedisë.
Më poshtë gjeni postimin e plotë:
Sa herë që Dardanët zbarkojnë në fushë tē futbollit, secilën herë zemrat na bëhen mal e krenaria mbizotëron.
Loja juaj nuk është thjesht futboll, loja juaj është sinonim i entuziazmit e zellit që personifikojnë më së miri këtë stad të zhvillimit të vendit tonë.
Ju faleminderit për emocionin që na e dhuroni çdo herë. Qoftë nata e sotme kapitull suksesi në rrugëtimin tuaj drejt majave.
Në mënyrë që rrymat e reja muzikore të zëvendësohen ato klasike në mënyrë që të thellohen në studime të tyre, akademikët në Universitetin e Oksfordit në Britani të Madhe kanë propozuar që të zëvendësohen kurrikulat në degët e studimit të arteve muzikore.
Një nga emrat e përmendur për t’u studiuar është edhe yllin e rrymës ‘pop’ nga Kosova, Dua Lipa, më saktësisht thyerja e rekordit të saj në “livestream”, duke i zëvendësuar kështu muzicientët klasik siç janë Mozarti e Bethoveni, raporton The Telegraph, transmeton Gazeta Express, përcjellë KultPlus.
Profesorët thanë se repertori klasik i mësuar në Oksford, i cili përfshin vepra nga Mozart dhe Beethoven, përqendrohet shumë te “historia evropiane nga periudha e skllavërisë”.
Dokumentet e siguruara nga mediumi britanik zbulojnë se anëtarët e fakultetit, të cilët vendosin për kurse që formojnë gradën e muzikës, kanë propozuar reforma për të adresuar këtë “hegjemoni të të bardhëve”. /express/ KultPlus.com
Kantautori i njohur shqiptar Vlashent Sata, që vepron dhe jeton në Paris, sjell për publikun mbarëshqiptar një këngë tejet të veçantë si për nga përmbajtja e tekstit, edhe për muzikën plot stil dhe zërin e tij karakteristik.
Projekti i tij më i ri muzikor titullohet ‘Frymë’, për tekstin dhe muzikës e së cilës është përkujdesur vetë Sata.
Më poshtë ju sjellim videon dhe tekstin e këngës:
Me pas ditë se ish’ kènë
i fundit përqafim
t’kisha rrok pak ma shumë,
pak ma shumë,
pambarim.
Me pas ditë se ish kènë
e fundit puthja jote n’ ballë
S’kisha lujtë,
skisha bza,
i vogël isha ba…
Thu s’ kisha ni kaq shumë mall, sot…
Me t’ pasë pranë t’ tana i kisha dhanë!
Me t’ shikju’ tuj fol’ tuj lujt’ me mu!
Sa zgjat edhe nji frymë ma shumë me t’ pas
Ti t’m’kishe këndue njat kang’ t’vogël…
Nuk kam ditë me tkuptu’
Mbylli syte me të pa ty
e sa mke dasht’
Dorën n’zemër me t’ni ty
Sa gjithmonë je privu për gjithshka
Asnji kang
në qofte se mujshe me m’gzu’ mu’
smundet me mjaftu’
Thojnë nji ditë
Dashninë tande
dhe une kam me e provu
kam me ja kallxu’
kur t bahem ne jete me fmi,
kam me u ba edhe une
nje bab si ti…
Veç sot,
Me t’ pasë pranë t’ tana i kisha dhanë!
Me t’ shikju’ tuj fol’ tuj lujt’ me mu!
Sa zgjat edhe nji frymë ma shumë me t’ pas
Ty t’kisha këndue njat kang’ t’vogël…/ KultPlus.com
Dukesha britanike e Kembrixhit, Kate Middleton, ka publikuar një koleksion fotografish nga i gjithë vendi për të përfaqësuar një vit bllokimi.
Të ardhurat nga shitjet e librit, të titulluar “Hold Still”, do t’i dhurohen fondacionit bamirës për shëndetin mendor “Mind” dhe Galerisë Kombëtare të Portreteve në Londër.
“Përmes “Hold Still” doja të përdorja fuqinë e fotografisë për të krijuar një rekord të qëndrueshëm të asaj që po përjetonim të gjithë, për të kapur histori individësh dhe për të dokumentuar momente të rëndësishme për familjet dhe komunitetet, ndërsa kemi jetuar nëpër pandemi”, shkruan Kate në hyrje të librit.
Një panel kritikësh, përfshirë Kate, një fotografe amatore, zgjodhi 100 foto nga mbi 31 000 të tilla.
Fotografitë e zgjedhura janë shfaqur tashmë në ekspozitat dixhitale dhe komunitare në të gjithë vendin./atsh/ KultPlus.com
Saranda Bogujevci, shpesh në organizime të ndryshme ka shpalosur dhimbjen e saj pasi që një pjesë e familjes ju vra nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Saranda Bogujevcit, iu mbijetoi 16 plumbave, dhe humbi 14 anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe dy vëllezërit, gjatë një sulmi brutal të ushtrisë serbe, gjatë luftës së vitit 1998-99, në Kosovë.
Me përfundimin e konfliktit dhe hyrjen e trupave të NATO-s, Bogujevci dhe katër kushërinjtë e mbijetuar u evokuan në qytetin anglez të Mançesterit, ku ajo u operua dhe vazhdoi mjekimin, si dhe studimet. Ajo u kthye në atdheun e saj në vitin 2014.
Saranda Bogujevci, atëherë 18 vjeçe, bashkë me tre kushërinjtë e saj, u bënë viktimat e para etnike shqiptare që dëshmuan përpara një gjykate serbe, për mizoritë e kryera nga forcat serbe, të udhëhequra nga Slobodan Millosheviç.
Familja e Bogujevcit u vra, katër ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, në Podujevë, më 28 mars 1999 nga pjesëtarët e një njësie paraushtarake serbe të njohur si ‘Akrepat’. Viktima më e re ishte dy vjeçe. Pesë burra u burgosën për këto vrasjet dhe në vitin 2013, Saranda Bogujevci u kthye në Beograd, aty ku ajo kishte dëshmuar kundër tyre, për të organizuar një ekspozitë rreth vrasjeve në familjen e saj.
Ekspozita e titulluar “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, u hap me 18 dhjetor, në Galerinë “Podroom” në Qendrën Kulturore në Beograd. Ekspozita nga Qendra kulturore në Beograd, ishte vlerësuar si një projekt me kontekst politik, por para së gjithash, një rrëfim për tragjedinë personale. / KultPlus.com
Një 70-vjeçar është arrestuar në Cape Toën të Afrikës së Jugut pasi kishte insistuar ta vizitonte gruan e tij, pak momente para se ajo të vdiste, e infektuar me koronavirus.
Gruaja ishte infektuar dhe më pas e shëruar mirëpo mjekët kishin deklaruar se kishte ujë në mushkëri dhe duhej përfundimisht të shtrihej në spital. Për shkak të COVID-19, ekipet mjekësore nuk lejonin vizita në spitale. Tembo ishte nisur me veturë drejt spitalit duke tejkaluar shpejtësinë e lejuar, derisa zyrtarët e policisë rrugore e kishin ndaluar dhe më pas shoqëruar në stacion policor.
“Unë insistova të shkoja në spital por doktorët më thanë që kur të shkoja atje do ishte tepër vonë”, ka treguar burri.
Ai thotë iu lut policisë që ta lironin për të shkuar në spital dhe se “mund ta arrestonin më vonë”, mirëpo ata nuk e kishin përfillur kërkesën e tij.
“Thjesht doja të dëgjoja fjalët e saj të fundit”, ka deklaruar ai.
Ai i kaloi tri orë në stacionin policor të Manenbergut ndërsa më pas ishte liruar, në pamundësi për ta vizituar gruan në momentet e vdekjes.
“Ajo ishte zhdukur”, bërtiti ai derisa po tregonte historinë.
“Jam copëtuar. Unë e di që njerëzit vazhdimisht më thonë të jem i fortë, por si mund të jesh i tillë kur humet dikë me të cilin ke ndarë 36 vjet”, ka thënë ai./ KultPlus.com
Kancelarja gjermane, Angela Merkel thotë se ekziston rreziku i infektimeve të reja, të ndryshme të koronavirusit që do të jenë rezistuese ndaj vaksinave.
Merkel njoftoi se duhet të vendoset një shtetrrethim në të gjitha pjesët e Gjermanisë me një numër të lartë të rasteve të reja të koronavirusit,
“Ne kemi hyrë në fazën më të rrezikshme të pandemisë. Në javët e ardhshme, do të sqarohet nëse mund ta mbajmë pandeminë nën kontroll”, tha Merkel, raporton reuters.
Shefi i stafit të kancelares, Helga Braun, konfirmoi për mediat gjermane se vendi po hyn në fazën më të rrezikshme të pandemisë./ KultPlus.com
Disa prej monumenteve ikonë të Europës u zhytën në errësirë mbrëmjen e së shtunës, për të shënuar orën e tokës. Si pjesë e eventit global që synon nxitjen e veprimit kundër ndryshimeve klimatike dhe kërcënimeve të tjerë ndaj planetit, ndërtesa rreth botës fiken dritat për 60 minuta, duke filluar nga ora 20 e 30.
Në Akropolin grek, ndriçimi mbi tempullin e Partenonit dhe struktura të tjera antike u zbeh gradualisht.
Qytetarët brohoritën dhe e filmuan momentin kur Sheshi i Kuq në Moskë dhe kulla Eiffel në Paris, e humbën shkëlqimin pas fikjes së dritave.
Në Berlin, një aktivist i veshur si panda gjigant, simbol i organizatës WorldWild Fund for Nature që organizon eventin, fiku dritat në Portën e Brandenburgut, simbol i qytetit.
Ora e Tokës, shënohet çdo vit që prej 2007 kur u konkretizua për herë të parë në Sidnei të Australisë. Sipas organizatorëve 180 vende e territore janë tani pjesë e inciativës./ KultPlus.com