Origjina misterioze e monumentit shumëngjyrësh në Moskë

Menjëherë pasi katedralja e Shën Vasilit u përfundua në mesin e shekullit të 16-të, një legjendë filloi të qarkullonte për kishën ortodokse të vendosur në zemër të Moskës.

Ishte një arritje arkitektonike – struktura më e lartë në qytet, e realizuar falë njohurive dhe teknikave të reja të kohës – dhe ishte një shfaqje e fuqisë së Rusisë, në fund të një lufte shekullore.

Sipas një legjende, Princi i Madh i Moskës, me nofkën famëkeqe Ivani i Tmerrshëm, i kishte verbuar arkitektët e saj, kështu që ata kurrë më nuk mund të projektonin një ndërtesë tjetër kaq madhështore.

Origjina e strukturës së katedrales vazhdon të jetë mister. Pothuajse pesë shekuj më vonë, identiteti i arkitektëve ende nuk mund të konfirmohet, megjithëse besohet se projekti mund të jetë realizuar nga dy arkitektë, të quajtur Barma dhe Postnik Yakovlev. Megjithatë, dokumentacioni është i pakët, e kjo i ka lënë historianët gjithmonë në kërkim të të dhënave.

Kryevepra, e vendosur në Sheshin e Kuq të qytetit, ka pësuar ndryshime, zgjerime dhe restaurime të rëndësishme gjatë shekujve, madje ka ndryshuar edhe ngjyrën. Midis viteve 1475 dhe 1510, arkitektët italianë rindërtuan Kremlinin si dhe dy kisha të rëndësishme, duke sjellë teknikat e tyre të reja të Rilindjes në Rusi. Mandej, ndërtesa u dogj më 1583 dhe u rindërtua gjatë dekadës së ardhshme, por historianët nuk janë të sigurt se si katedralja dukej saktësisht para zjarrit. Po ashtu, katedralja është vënë në rrezik dhe nga sulme të tjera, ku gjenerali francez, Napoleon Bonaparti, në vitin 1737 dhe 1812, tentoi ta hidhte atë në erë. Edhe politika vendase shpesh e ka vënë në rrezik këtë kryevepër, si p.sh. udhëheqësi komunist Stalin që kërcënoi ta prishte atë.

Sot, Shën Vasili, i njohur zyrtarisht si Katedralja Pokrovsky, përbëhet nga një seri kishëzash me tulla të kuqe dhe me kupola ngjyrë blu, jeshile, të kuqe dhe të verdha. Katedralja është e njohur në të gjithë botën për pamjen e saj përrallore dhe tërheq rreth 400 000 vizitorë në vit duke u bërë një simbol i rëndësishëm kulturor./a2/ KultPlus.com

Artan Krasniqi: Një muze për Cimën me shokë

Profesori universitar, Artan Krasniqi ka propozuar që të ndërtohet një muze për aktorin e njohur e tashmë të ndjerë Rasim Thaçi – Cima dhe shokët e tij, ku do të vendoseshin kostumet emblematike, por dhe ndonjë statujë prej dylli, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se duhet një muze për të dhe Lecin, mixhën Ramë, Delinë, Takllagjynin, Leze Qenën dhe të tjerët.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij:

Një muze për Cimën me shokë!

Nuk vdes njeriu që qesh dhe i bën të tjerët të qeshin. Mimikat, si arma më e fortë e humoritntë tij, do të mbesin gjatë në kujtesën e njerëzve, sidomos nga ata që gjatë viteve të ‘90-a përditshmërinë tragjike e thyenin me himorin e Cimës e shokëve të tij.

Prandaj për ta duhet një muze, ku së paku do të futeshin kostumet emblematike qysh tash monumentale, ndonjë skeq i kohëve të ndryshme, e pse jo edhe ndonjë statujë prej dylli që do t’i përjetësonte përgjitmonë Cimën, Lecin, Mixhën Ramë, Delinë, Takllagjynin, Leze Qenën, e të tjerë ikona të gjeneratës së tyre.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!/ KultPlus.com

Ava Max flet për origjinën e saj: Në kopsht nuk dija anglisht, vetëm shqip

Këngëtarja amerikane me origjinë shqiptare muzika e të cilës dëgjohet në të gjithë botën Ava Max, emri i vërtëtë i të cilës është Amanda Koçi, ka folur për origjinën e saj gjatë një interviste për “Spout Podcast” të Apple Music.

“Prindërit dhe vëllai im kanë lindur të gjithë në Shqipëri. Vëllai im ishte rreth shtatë vjeç kur u largua nga Shqiperia bashkë me prindërit. Ata qëndruan në Francë për një vit. Vëllai im filloi të flasë frëngjisht dhe unë gati do të kisha lindur në Paris. Ata dinin vetëm shqip kur linda unë në Wisconsin kështu që unë fillimisht dija vetëm shqip. Kur shkova në kopsht, nuk dija anglisht. Ndoshta vetëm përshëndetje”, tha ajo.

Albumi i parë i Ava Max i quajtur Heaven and Hell ka arritur të akumulojë mbi 25 miliard dëgjime në platformën më të madhe muzikore Spotify që prej publikimit të tij në muajin shtator të vitit të kaluar duke u bërë një nga albumet më të suksesshme të muzikës ndërkombëtare. Hit i saj më i fundit “My Head and my heart” është prej disa javësh në top listat e i Tunes në SHBA./ KultPlus.com

Historia që qëndron pas pikturës që shokoi botën

“Kjo është ajo çfarë një grua me shpirtin e Cezarit mund të arrijë “! Këto fjalë i përkasin Artemisia Gendileski.

Emri i saj mbeti “i fshehur” për shumë vite. Kjo, megjithatë,  ka ndryshuar dhe është bërë sinonim i një feminizmi që është përkthyer nga fjalët në vepra. Nga një studente e Caravaggio-së , ajo u bë një piktore e njohur por për të arritur në këtë pikë, Artemisia Gentileski duhej të jetonte ferrin e saj.

Ajo nuk e kaloi ankthin dhe dhimbjen e abuzimit seksual, refuzimit shoqëror dhe poshtërimit duke vrarë përdhunuesin  por me penelin e saj. Piktura e famshme me titull “Judith i preu kokën Holofernes” nuk është një pikturë e thjeshtë. Është një britmë që dëgjohet deri në përjetësi.

Historia e Judithit është një histori biblike. Është  një histori e Dhjatës së Vjetër që është hequr nga Bibla Hebraike dhe konsiderohet një histori okulte nga protestantët.

Për shumë historianë është një shëmbëlltyrë, një mit. Për të tjerët është një ngjarje historike dhe përkufizohet me Salome Alexandra, e vetmja grua e  Judesë (e fundit që nuk përjetoi pushtimin e Judesë). Emri Judith do të thotë “e nderuar” ose “grua e Judesë”. Është  emri femër i Judës.

Ndershmëria, pastërtia dhe militantizmi i Judith e shndërruan atë në një simbol feminist. Për shumë kjo është arsyeja kryesore që u përjashtua nga Bibla Hebraike. Sipas traditës, pra, Judith sy patrembur vendosi të ndërhyjë në mënyrë që të shpëtojë izraelitët e tjerë nga pushtuesit asirianë, raporton abcnews.al

Së bashku me shërbëtoren e saj ajo shkon në kampin e gjeneralit armik Holofernes dhe, duke premtuar informacione për izraelitët, fiton besimin e tij.

Një natë, Holofernes e fton në çadrën e tij me qëllim që ta joshi dhe kur ai bie në gjumë, ajo i pret kokën. Pastaj ajo kthehet fitimtare te njerëzit e saj me kokën e Holofernes ndërsa Asirianët, pasi kanë humbur udhëheqësin e tyre largohen dhe Izraeli më në fund arriti të shpëtonte.

Edhe pse shumë shprehin dëshirën për tu martuar me të, Judith zgjedh të mos martohet me askënd dhe i kthehet jetës së saj të përditshme.

Artemisia Gentileschi lindi më 8 korrik 1593 dhe ka hyrë në histori si një nga piktoret më të rëndësishme të racionalizmit.

Piktori i shquar Horace Gentileski, babai i Artemisia, është një bashkëpunëtor i ngushtë dhe besnik i të madhit Michelangelo Merizi da Caravaggio. Artemisia e “pushtoi” ketë shkolle duke sjellë një frymë krejtësisht mashkullore. Ajo studioi pranë babait të saj dhe piktorëve të tjerë të mëdhenj.

Ajo mbeti jetime që kur ishte 12 vjeç, dhe ishte e detyruar të jetonte në një botë mashkullore. Në moshën 18 vjeç, ajo u përdhunua nga Agostino Tassi, bashkëpunëtor dhe mësues i babait të saj.

Piktorja 30-vjeçare, për të shmangur skandalin, premtoi të martohej me të. Sidoqoftë, kjo nuk ndodhi dhe kështu nëntë muaj më vonë, babai i saj e çoi atë në gjyq. Megjithatë, atje, Artemisia u përdhunua përsëri.

Sipas një  dokumenti 400-vjeçar që ka të regjistruara procesverbalet e gjyqit, Artemisia ka folur pa hezituar duke përshkruar me detaje sjelljen e neveritshme të mësuesit.

Shumica e dëshmitarëve e përshkruanin piktorin si një njëri paqësor dhe të pasionuar. Por një pjesë tjetër , si një person me karakter të dhunshëm. Disa madje dëshmuan se ai kishte vrarë ish-gruan e tij. Kjo, megjithatë, nuk u provua kurrë.

Dhe papritmas Artemisia u shpall fajtore nga prokurori. Në seancë dëgjimore, dy mamitë u thirrën për të verifikuar para gjykatësve se ajo nuk ishte më e virgjër! Në të njëjtën kohë, ata përdorën dhunë për ta detyruar të fliste nga dhimbja.

Por para gjykatësit, Artemisia e pa përdhunuesin e saj në sy dhe i tha “këto kapëse janë unaza e martesës që më premtove”!

Agostino Tassi u la i lirë pas një seance dëgjimore që zgjati 7 muaj. Ai u shpall i pafajshëm pas ndërhyrjes  të Papa Innocent, me të cilin kishte një marrëdhënie shumë të mirë sepse kishte marrë përsipër muralet në pallatin  e tij.

Pas përdhunimeve të shumta (dhe nuk po flasim vetëm për ato fizike) Artemisia niset për në Firence. Ajo martohet me një piktor tjetër, Pierantonio Stiatzezi. Ai bënte një jetë të mërzitshme.

Me ndihmën e burrit të saj, ajo ndërton vendin e saj të punës dhe zgjedh asistentët që do të ketë. Shumica dërrmuese e punimeve të saj u referohen figurave biblike të grave që u poshtëruan, u mashtruan, u përdhunuan dhe  josheshin nga burrat.

Ishte pikërisht “takimi” i dy grave që do t’i jepte të drejtën për të kërkuar titullin e studentes më të denjë dhe më të mirë  të Caravaggio. Piktura biblike “Judith i preu kokën Holofernes” u krijua në Romë rreth vitit 1620, kur artistja ishte larguar nga  shtëpia e saj në Firence.

Dhe nëse dikush dëshiron të dijë se çfarë po ndodhte në mendjen e Artemis kur ajo ishte duke pikturuar këtë pikturë,  duhet të shihni fytyrat e Judith dhe shërbëtores së saj.

Me shumë gjasë çdokush do të gjejë atë që e frikëson më shumë: mungesën e plotë të çdo emocioni në fytyrat e dy grave, të cilat nuk kanë as më të voglin emocion. Sikur prerja e kokës së Holofernes të ishte e njëjtë sikur të gatuaje darkën./ KultPlus.com

Mos u trazo

Poezi nga Adelina Qarkaj

Kur deti gjuan me dallgë mos u lemeris
lemeritja, zhvesh forcën si këmishë nate
toka si gjarpër përdridhet, fle gjumë sërish
aortë e trazuar, s’qetohet veç, ne pallate

Kur qielli gjëmon, të flet mes stuhisë
mos u trazo, yjeve të kaltër, bëju rojë
natë e randë është pjellë e mërzisë
në qofsh zot i fjalës, fjalën shkrije në bojë

dhimbje kur ndjen, shkruaji muret…
le të mungojë ngjyra, lotët janë të valë
melodinë e zanit të këputur e dëgjon zemra
poet mos qofsha, mes tingujsh i vrarë.

pemë e zhveshur dimrit, zvetënohet
për të gufuar si trëndafil në pranverë
skëterrë e zeze, mbulohet me trendafila të bardhë
pas shiut të rrëmbyeshëm, gjithë, ndrit nji diell…!!!/ KultPlus.com

Bebe Rexha, imazhi më i ri i atleteve të reja nga ‘Puma’ dhe ‘Deichmann’

“Puma” dhe “Deichmann” po lansojnë një koleksion të ri atleteve dhe kanë angazhuar këngëtaren dhe autoren e këngëve, Bebe Rexha, për një fushatë të re reklamuese.

Dy modele të reja atletesh dhe tri çanta janë rezultat i bashkëpunimit midis “Puma” dhe “Deichmann”. Femrat më të reja në veçanti duhet të adresohen me prerje të qarta dhe me ngjyrën rozë.

Një dëshmi e përshtatshme për këtë është Bebe Rexha, e cila tashmë ka pasur një numër të madh suksesesh në fushën e muzikës, dhe me sjelljen e saj me vetëbesim, dëshiron të inkurajojë gratë e reja në veçanti, transmeton KultPlus.

Fushata u zhvillua dhe zbatua nga Grey Germany, agjencia kryesore e “Deichmann”, së bashku me kompaninë e prodhimit të filmit “Tempomedia”. Mund të shihet në TV, në klipe të ndryshme në internet, në rrjetet sociale, në POS dhe në shtyp. 

Adelina Thaçi: Dhimbja për humbjen e babait do të zvogëlohet me kohë por malli do të rritet

Vajza e artistit të ndjerë Rasim Thaçi-Cima, Adelina Thaçi Metaj, ka thënë se dhimbja për humbjen e babait të saj do të zvogëlohet me kohë mirëpo malli për të do të rritet.

Këtë deklaratë këngëtarja e famshme kosovare e ka bërë pas varrimit të babait të saj sot në varrezat e fshatit Vukovc të Drenasit.

“Unë kam qenë deri në momentin e fundit me të, jemi munduar t’i bëjmë të gjitha për të siç ai ka qenë gjithmonë për neve. Unë kam shumë momente me babin. E di që dhimbja me kohë ka me u zhduk por malli ka me u shtu”, është shprehur Thaçi-Metaj me lot në sy.

Ajo ka falënderuar stafin mjekësor të QKUK-së për përkushtimin që kanë treguar gjatë qëndrimit të Rasim Thaçit në spital e po ashtu kryeministrin Kurti dhe ministrin e Kulturës, Çeku për organizimin e homazheve për të.

Artisti Rasim Thaçi – Cima ka vdekur dje si pasojë e COVID-19./koha/ KultPlus.com

Durmishi: Jemi bërë ‘vrasës’ të njëri tjetrit, jemi dalldisur dhe nuk e di a po e vërejmë këtë

Nga Luan Durmishi

Në ditët e fundit të Covid 19, në trupin tim, kuptova saktësisht se virusi është shumë i rrezikshëm ! Përtej këtij vrasësi të padukshëm që po mer jetëra njerëzish, kuptova se edhe ne jemi bërë “vrasës” të pavetëdijshëm të njëri tjetrit !

Të nënës dhe babait, të motrës dhe vëllaut, të shokut dhe shoqes etj… ! Jemi dalldisur dhe nuk e dijë a po e vërejmë këtë ? Qeveritë në të gjitha anët e globit, kur po kanë zgjedhje, po e humbin toruan dhe si të “çmendur ” po vrapojnë pas turmave dhe kështu po bëhemi të gjithë “vrasës” të njërit t’jetrit, e nuk po di a po e kuptojmë këtë apo nuk po duam t’a kuptojmë ! Ata pastaj po kthehen në humanitet, e ne në vazhdim dalldisjeje !

Virusi po vazhdon të vret, e dhimbjet veq po shtohen, kurse frika nga ky virus tek ne si duket ende është shumë largë.
Ju lutem respektoni masat që pasojat dhe dhimbjet të jenë sa më afatëshkurta. / KultPlus.com

Çeku ju drejtohet artistëve në Ditën Botërore të Teatrit: Ne do të jemi përkrah jush në rrugën tuaj aspak të lehtë

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot në Ditën Botërore të Teatrit ju është drejtuar të gjithë artistëve me një mesazh, përcjell KultPlus.

Ai i ka uruar të gjithë artistët për këtë ditë dhe poashtu ka theksuar se është në dijeni për problemet me të cilat ky komunitet ballafaqohet.

Më poshtë mund të lexoni mesazhin e plotë të Çekut.

Të dashur artistë të teatrit,

Sot, në një nga ditët më të rëndësishme për teatrin në vend dhe në gjithë botën, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për punën, kontributin, përkushtimin e vetëmohimin tuaj në zhvillimin dhe avancimin e teatrit dhe jetës teatrore në vend dhe jo vetëm.

Sukseset dhe rezultatet e punës suaj nuk janë vetëm tuajat, ato suksese në vazhdimësi kanë qenë dhe janë suksese të të gjithë neve si shoqëri e si shtet, ngase pjesën më të mirë të imazhit të Kosovës e keni krijuar ju, artistët, krijuesit e performuesit kosovarë.

Si Ministër i Kulturës i sapoemëruar, jam i vetëdijshëm që kushtet në të cilat veproni nuk janë më të mirat, njoh sfidat e mungesat e juaja, por jam këtu që së bashku me ju të shtyjmë para punë të mira e procese që do të ndryshojnë gjendjen ekzistuese në fushën e kulturës. Bashkërisht me kontributin tuaj, kultura në përgjithësi dhe teatri në veçanti do njohin zhvillimin dhe avancimin e merituar mëtutje.

Më lejoni që secilit prej jush t’ i urojë përzemërsisht 27 Marsin- Ditën Botërore të Teatrit. Ju urojmë punë të palodhshme dhe suksese të vazhdueshme në punën tuaj fisnike. Ju sigurojmë se ne do të jemi përkrah jush në rrugën tuaj aspak të lehtë.

Në pamundësi të shpalljes së laureatëve të çmimeve në fushën e teatrit për vitin 2020, për shkak të kohës tejet të shkurtër nga marrja e mandatit si Ministër dhe duke respektuar këtë proces si të rëndesishëm për vlerësimin e punës suaj, ju siguroj që në ditët në vijim do të përmbyllim procesin e ndarjes së çmimeve të teatrit ashtu siç ju e meritoni duke ju trajtuar me korrektësi e profesionalizëm.

Sinqerisht i juaji,
Hajrulla Çeku,
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
. / KultPlus.com

Rasim Thaçit-Cimës i jepet lamtumira e fundit

Në varrezat e fshatit Vukovc të Drenasit sot është varrosur humoristi Rasim Thaçi-Cima. Ai vdiq dje si pasojë e COVID-19, raporton T7, transmeton KultPlus.

Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë familjarë, kolegë e miq të tij.

Humoristi i shumë skeçeve televizive kishte disa ditë që ishte i shtrirë në spital nga COVID-19, për të cilin edhe ishte kërkuar gjak.

Skeçet me të njohura të tij janë: Treshi Përsheshi, Cimë Baushtella, Nusja nga Diaspora, Lajmi në Gurbet, Cimë kulleri te Lec katunari, Leci te mulla Cima, Cima Taxi 1, Cimë Baksuzi – Cima ne Cia, Cimë Polici etj./ KultPlus.com

Ferdonija përkujton djemtë dhe burrin: Plaga dhe dhimbja ime nuk ndryshuan

Ferdonije Qerkezi sot përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka përkujtuar djemtë dhe burrin e saj në 22 vjetorin e ikjes së tyre.

‘Ditët dhe vitet po ecin, plaga dhe dhimbja ime shpirtërore nuk ndryshuan …
Ndërsa dashuria dhe malli që ndjej për ju për çdo ditë veç u shtuan
!’, ka shkruar Qerkezi. / KultPlus.com

Teatri i qytetit të Prizrenit ‘Bekim Fehmiu’, shënon Ditën Botërore të Teatrit me aktivitete të ndryshme

Për të shënuar ditën e sotme që në mbarë botën njihet si Dita Botërore e Teatrit, Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport në Komunën e Prizërenit në bashkëpunim me teatrin e qytetit, ‘Bekim Fehmiu’, do të organizojnë një aktivitet kulturor ku do të performojnë artistë të ndryshëm të këtij teatri, përcjell KultPlus.

Në këtë aktivitet poashtu do të bëhet edhe shpërndarja e mirënjohjeve për artistët që kanë kontribuar në teatrin e qytetit të Prizrenit për vite të tëra.

Aktiviteti i cili fillon sot në orën 18:00, do të përmbyllet me shfaqjen e performancës artistike të grupit “Don’t Listen to Your Reighbors”, të cilët do t’i interpretojnë këngët e vjetra shqiptare. / KultPlus.com

‘Maska më e mençur në botë’ do të bëhet realitet (VIDEO)

Gjatë muajit janar në ngjarjen CES 2021 për teknologji, kompania Razer ka prezantuar projektin e quajtur “Hazel”, “maskën më të mençur në botë”.

Kujtojmë se projekti “Hazel” është një maskë e mençur e cila vjen me veçori mbrojtëse e dizajnuar për të mbajtur gjërat e këqija në ajër jashtë trupit tonë. Kjo maskë në prezantim ishte më shumë si koncept ndërsa tani Razer me të vërtetë dëshiron ta bëjë realitet.

Kjo maskë, synon të përmirësojë zërin e përdoruesve – për të hequr pengesat që po ua bëjnë maskat aktuale. Dizajni përfshin një ventilator të vogël për freskim të ajrit. Po ashtu, maska përbëhet nga plastika transparente duke e bërë më të lehtë edhe leximin e buzëve.

https://www.youtube.com/watch?v=FvWiCclESL8&feature=emb_title

Duke folur për “Yahoo Finance UK”, kreu i Razerit, Min-Liang Tan ka thënë se kompania është plotësisht e përgatitur që t’i bëjë këto maska realitet dhe se së shpejti do të hyjnë në prodhim, shkruan ubergizmo. Fillimisht, maska është krijuar për të qenë alternativë e qëndrueshme ndaj maskave që përdoren aktualisht për mbrojtje nga koronavirusi, transmeton KultPlus.

Gjithashtu, Tan thotë se Razer ka vendosur që të zgjidhë çështjen e maskave dhe qëndrueshmërisë së tyre duke realizuar projektin “Hazel”.

Ende nuk dihet se kur do të jetë në dispozicion për shitje maska e Razerit ose sa mund të kushtojë. / KultPlus.com

Qeni del në rrugë dhe ndalon një veturë për t’ia shpëtuar jetën pronares (VIDEO)

Një qen në Ottawa të Kanadasë ka kërkuar ndihmë për pronaren e tij, në një incident heroik i cili është kapur nga kamerat e sigurisë së një fqinji.

Gruaja po ecte me qenin e saj një vjeçar të quajtur Clover, kur pësoi një krizë me shëndetin duke rënë përtokë, shkruan ABC7, transmeton KultPlus.

Mirëpo, qeni i mençur pasi kontrollon fillimisht pronaren e tij, lirohet nga zinxhiri dhe del në rrugë për të ndaluar një veturë që do ta ndihmonte gruan.

Vozitësi i veturës është ndalur dhe ka ndihmuar gruan  ndërkohë që ajo tashmë ndjehet mirë dhe është falënderuese ndaj qenit i cili arriti t’ia shpëtonte jetën. / KultPlus.com

Mes dhimbjes dhe krenarisë kujtohet Cima, Radogoshi: Cima e Leci nuk kanë vdekur, ata do të jetojnë në zemrën e popullit

Suada Qorraj

Nën tingujt e muzikës që luante lehtazi krah për krah fotografisë së tij dhe familjarët që tashmë gjendeshin aty pranë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës filloi dhe nderimi për jetën, e humorin që dhuroi për dekada me radhë, aktori Rasim Thaçi – Cima.

Dhimbja e madhe që kishin familjarët, nuk arritën ta fshihnin dot, gëzimi dhe krenaria që ju dha gjatë tërë jetës, sot ishte bërë bashkë me ta. Ashtu plot forcë, prisnin miqtë, kolegët, e të gjithë ata që e deshën e jetuan me humorin e tij edhe në kohërat kur ligësia kishte trokitur në derën e gjithsecilit, shkruan KultPlus.

Për vite punuan e gëzuan së bashku, prandaj dhe sot s’kishte si të mungonte, për t’ia dhënë lamtumirën e nderimin, mikut, atij që Treshi Përsheshin e la me shtyllën e fundit. Për Sevdai Radogoshin – Qumilin, miku i tij nuk ka vdekur, jo për sa kohë që ai jeton në zemrat e popullit, ngase ai ju dha hare në kohërat më të errëta të vendit.

“Sot u nda fizikisht miku jonë, artisti i madh i skenës, artisti i popullit u nda fizikisht por do ta kujtojmë për jetë e mot. Ai nuk ka vdekur, as ai e as Leci, ata do të jetojnë në zemrat e popullit se bënë shumë për popullin në kohën më të vështirë, këtë popull të vuajtur e bënë me qeshë. Kush ka qëndruar me Cimën, e ka njohtë atë. Njerëzit e mëdhenj si Cima lindin në 100 vjet – një”, tha mes dhimbjes Qumili

Por, nuk ishin vetëm kolegët, miqtë ata që nderuan aktorin që la gjurmë në humorin shqiptar. Homazheve ju bashkangjitën edhe politikan të shumtë, e krerë të shtetit. Ndër ta ishte Kryeministri i vendit, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Glauk Konjufca, Vlora Dumoshi e shumë të tjerë.

Ushtruesi i detyrës së Presidentit Glauk Konjufca tha se Rasim Thaçi – Cima ishte pjesë e pandashme e familjeve tona për dekada më radhë, sepse ishte e pamundur të prisje vitin e ri pa musafirin e pashmangshëm.

“Jemi mbledhur për të ja dhënë lamtumirën e fundit artistit të shquar të popullit tonë, artistit të humorit do të thoja, Rasim Thaçit – Cimës. Rasim Thaçi ka qenë faktikisht pjesë e pandashme e familjeve tona për dekada me radhë sepse sidomos për ne që jemi të lindur në vitet e 80-ta ka qenë e pamundshme me e pritë vitin  e ri e Rasim Thaçi mos me qenë musafiri jonë i pashmangshëm”, pohoi Konjufca.

Tutje ai ka shtuar se Rasim Thaçi nuk do të harrohet kurrë sepse në kohërat e okupimit ai ishte aty për popullin.

“Ai ka bërë një humor që ka qenë shumë i veçantë, ai na ka shoqëruar dhe na ka dhënë buzëqeshje në kohën e zymtësisë dhe okupimit. Prandaj do të mbahet mend gjithmonë, do të nderohet e do të kujtohet nga populli jonë. Humori i ditëve të sotme është që bëhet nga humoristët e rinjë është i ndikuar prej asaj që në fund të viteve të 80-ta bënin Treshi Përsheshi”, përfundoi Glauk Konjuca.

Ndërkaq kryeministri Kurti tha se si fëmijë është rritur me homorin e Cimës dhe se vonë e kishte kuptuar se ai quhej Rashim Thaçi.

Tutje ai ka shtuar se i ndjeri mund të ketë qenë edhe i pakënaqur por gjithherë ka qenë i gëzuar.

“Ai mund të ketë qenë ndonjëherë i pakënaqur dhe i palumtur por ka qenë gjithherë i gëzuar. Për shkak të kësaj mënyrë të jetesës së tij plot gëzim, vdekja e tij përveç se e parakohshme, na ngjan edhe e pabesueshme. Vendosëm lule të freskëta për këtë lamtumirë të fundit kur ne përkulemi me nderime dhe mall për Rasim Thaçi – Cimën”, ka thënë Kurti

E pranishme për homazhet, nderimet dhe lamtumirën e fundit ishte edhe ish ministrja e Kulturës, tashmë deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Dumoshi.

“Është një humbje e madhe për Kosovën ka qenë një artist një aktor i veçantë i cili na ka sjellë shumë gëzime në kohë të pa kohë që kemi kaluar si Kosovë. Është për keqardhje që nga viti i kaluar e deri më sot kemi humbur një plejadë të rëndësishme të cilët kanë dhënë kontribut për kulturën e Kosovës”, deklaroi Dumoshi.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe para fotografisë së vendosur në Teatrin Kombëtar të Kosovës për të nderuar aktorin Rasim Thaçi.

Abdixhiku tha se lajmin për vdekjen e aktorit të madh Cimës e mori me pikëllim të madh, duke potencuar se pandemia morri me vete artist të shumtë.

“Me pikëllim kemi marrë lajmin për vdekjen e aktorit të madh të popullit Cimën i cili ka qenë gjithmonë yll i skenës në Kosovë, ka qenë yll i familjeve tona, ka qenë njeri që na ka dhënë buzëqeshjen në kohët më të vështira. Ky vit i pandemisë ka marrë shumë artist nga ne prandaj ndajmë dhimbjen për një largim të një aktori kaç të madh të skenës sonë. Familjes, bashkëpunëtoreve dhe gjithë Kosovës i shprehi ngushëllime”, ka thënë ai.

Rasim Thaçi – Cima lindi në Vukovc të Drenicës. Cima në të kaluarën kishte qenë pjesë e klubeve të njohura vendore si Flamurtari e Prishtina.

Pikërisht në vitet e 80-ta Rasim Thaçi së bashku me Sevdai Radogoshin – Qumilin dhe Ibrahim Krajkovën – Lecin, formuan Treshi Përsheshin, treshen humoristike, që ndonëse herë pas here ndanin rrugët, fati gjente mënyrën e tij për ti bërë bashkë përballë ekraneve.

Rasim Thaçi – Cima vdiq dje në moshën 71 vjeçare pas një beteje disa ditore me Covid 19. Kurse varrimi do të bëhet në fshatin e lindjes, në Vukovc, prej orës 13:00./ KultPlus.com

Shqipëtar

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Shqipërin’ e mori turku,
i vu zjarr!
Shqipëtar, mos rri, po duku,
shqipëtar!

Mjaft punove për të tjerë,
o fatkeq!
Kujto vendin tek ke lerë
dhe tek heq.

Të ka bërë perëndia
luftëtar,
si s’të lodhi robëria,
shqipëtar!

Erdhi dita të ngresh kokë,
të kërkosh
lirinë, bashkë me shokë
të lëftosh!

Mos bëni si keni bërë
gjer më dje,
por të lëftoni të tërë
për Atdhè.

Pesëqind vjet kemi rruar
me pahir,
Lidhurë me këmn’ e duar
me zinxhir!…

Myslyman’ e të krishterë
jemi keq!
Të ngrihemi që të tërë,
djem e pleq! / KultPlus.com

Shfaqet premiera e filmit ‘Ombrella’, shpaloset shpresa e pritja e të pagjeturëve në Kosovën e pasluftës

Dje në ekranin e madh të Kinemasë ABC, zuri vend filmi ‘Ombrella’, një film ky nën regjinë e Ben Apollonit, ku u shpalosën plagët e kahmotshme e të pashëruara të popullit tonë. Flmi trajtoi problematikat, situatat dhe momentet drithëruese që kanë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë. Fati i personave të pagjetur si dhe pritja e gjatë e familjarëve ku disa prej tyre tashmë i kishin humbur shpresat e disa të tjerë ende jo.

Ngjarja e filmit zhvillohen nëntë vite pas lufte dhe shfaqte një pritje të dhimbshme fundi i së cilës nuk dihej, shkruan KultPlus.

‘Ombrella’ shfaq historinë e një gruaje që pret burrin dhe vajzën që pret babanë e zhdukur gjatë luftës në Kosovë. “Qysh mundesh me thonë fjalën shok me të njëjtën gojë që ia puthë gruan”, kjo pjesë e filmit që la jehonën e shokut në publik, pasoi me sy të befasuar nga publiku. Gropimi brenda emocioneve dhe zhytja në to, janë ndjenja të cilat mbajnë gjallë publikun, e kjo ndjenjë u thellua edhe më shumë në lidhjen mes babait dhe vajzës e cila shpresën e mban gjallë vazhdimisht. Ngjitur pas shpresës së saj, i bashkangjitet edhe një temë të cilën e hasi gjatë mësimit në shkollë, ku bëhej fjala për baladen e ‘Aga Ymerit’, i cili kthehet i gjallë nga lufta pas 9 vitesh, një numër ky simbolik në letërsinë popullore.

Gjatë xhirimeve të filmit

E arsyeja se pse pikërisht është vendosur të shkëputet ai kapitull që shpalos dhimbjen e të kaluarës e tregon edhe regjisori i cili thotë se vendosja ishte tërësisht rastësore por edhe sepse është njëri ndër kapitujt që sipas tij neve na dhemb, si shoqëri, si qytetarë të Kosovës, prandaj edhe nuk mund të shkëputemi prej të kaluarës tonë e ta harrojmë të kaluarën tonë sepse jemi njerëz.

“Ka qenë shumë ftohtë dhe shiu ishte mjaft problematik sepse nga skenari është përcaktuar që gjatë kohës shiu të ishte prezent. Pastaj ishte vështirë që edhe eksterierët të xhirohen për shkaqe teknike dhe buxhetit të limituar”, tregon tutje Ben Apolloni për KultPlus.

Kurse për sa i përket detajeve të vogla por me rëndësi të madhe, regjisori për KultPlus shpalos atë më të veçantën gjatë procesit të xhirimit. “Telashi me shiun ishte më kryesori ku zjarrëfikësit erdhën në ndihmë por me makina të vogla të cilat bartnin pak ton. Sapo e lëshonim, shkonte diçka gabim dhe duhej ta përsërisnim vazhdimisht, gjë kjo ee cila morri kohë rreth 1 ditë e gjysmë në një kohë të ftohtë, e sidomos e gjitha kjo për skenën e fundit”, përfundon Apolloni për KultPlus.

Ben Apolloni dhe Ag Apolloni, vendosën që përjetimin e tyre, ikjen dhe humbjen e njerëzve të afërt ta shfaqin pikërisht nga një kapitulli i romanit të Ag Apolloni, ‘Ulërima e Ujkut’, nga ka lindur edhe skenari.

Emocionet e dhuruara në kinema dhe audioja e lartë, përcollën ndjenjën e personazheve drejt audiencës dhe po këto ndjenja që dolën nga ekrani e drejt zemrave tek të pranishmit, i sollën më së miri aktorët si: Aurita Agushi, Mentor Zymberaj, Hera Gashi dhe Arjola Demiri.

Për fund, natyrisht që edhe prezantuesi shprehi ngushëllimet për dy rastet e fundit të cilat ndodhën dy ditë rreshtazi, siç ishin vdekja e aktorit Luran Ahmeti dhe Rasim Thaci (Cima). Në pamundësi anulimi të kësaj premiere, ata falenderuan pjesëmarrësit dhe të gjithë ekipin që e bënë të mundur realizimin e një realiteti të hershëm.

Filmi ‘Ombrella’ është realizuar nën produksionin e Xhemajl Avdylit dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Teatrit

27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës.

Shënimi i kësaj dite bëhet nga rreth njëqind qendra të INT-së.

Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese.

INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellët me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve./ KultPlus.com

Pas mesnate akrepat e orës do të lëvizin 60 minuta përpara

Natën midis të shtunës 27 mars dhe të dielës 28 mars, në orën dy në mëngjesit, akrepat e orës do të duhet t’i lëvizim 60 minuta përpara duke e çuar orën në 3:00 (pajisjet elektronike do të azhurnohen automatikisht).

Ajo që konsiderohet ora verore  do të na “vjedhë” një orë gjumë, por do të na japë shumë më shumë dritë në mbrëmje. 

Orari i udhëtimit të verës do të na shoqërojë deri 31 tetorin e ardhshëm, kur ne do ta kthejmë orën prapa dhe do të kthehemi në orën e dimrit.

Asgjë nuk ndryshon në vendin tonë, pavarësisht nga fakti se Parlamenti Evropian miratoi propozimin për heqjen e ndërrimit sezonal në kohën e verës duke filluar nga viti 2021.

Italia në fakt ka paraqitur një kërkesë zyrtare në Bruksel për të mbajtur të dyja orët.

Nga fundi i marsit deri në fund të tetorit, ora verore do të jetë në fuqi në format që kemi njohur që nga viti 1996. Ideja për ndryshimin e orës u hodh nga Benjamin Franklin me qëllimin e ruajtjes së energjisë. / KultPlus.com

Eurovisioni vendos përfundimisht, Bjellorusisë i ndalohet pjesëmarrja këtë vit

Konkursi i këngës “Eurovision” ka vendosur përfundimisht që Bjellorusia nuk mund të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të garës.

Më 10 mars “Eurovisioni” i kishte shkruar transmetuesit BTRC i cili është përgjegjës për hyrjen e Bjellorusisë në këtë konkurs të këngës, që të marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të ndryshuar përfaqësuesin e tyre në ngjarjen e këtij viti duke u siguruar që ai është në përputhje me rregullat e konkursit.

Kjo pasi kënga përfaqësuese e Bjellorusisë e bendit “Galasy ZMesta” e cila ishte refuzuar nga Eurovisioni, konsiderohej një propagandë për presidentin Lukashenko. Organizatorët patën thënë thënë se kënga duhet të ripërpunohet ose Bjellorusia do të diskualifikohet. Kënga, e cila përmban vargje të tilla si “unë do të të mësoj të kalosh limitin” dhe “unë do të të mësoj të gëlltitësh karremin”, pati sjellë reagime të ashpra nga njerëz të opozitës.

BTRC-ja kishte paraqitur një këngë të re, nga i njëjti bend muzikor që ishte refuzuar, brenda periudhës së paraparë mirëpo Unioni i Transmetuesve Evropianë (EBU) dhe bordi udhëheqës i garës ka vlerësuar se paraqitja e re është në kundërshtim me rregullat e garës të cilat sigurojnë se ajo nuk është e instrumentalizuar dhe është jopolitike.

“Meqenëse BTRC-ja ka dështuar që të paraqesë një garues të pranueshëm brenda kohës që ishte kërkuar, fatkeqësisht, Bjellorusia nuk do të marrë pjesë në edicionin e 65-të të Eurovisionit që zhvillohet në muajin maj të këtij viti”, thuhet në komunikatën për media të Eurovisionit.

Grupi “Galasy ZMesta” është i njohur për talljet me protestat masive kundër presidentit autoritar Alexander Lukashenko, të cilat janë shoqëruar me masa të dhunshme që nga zgjedhjet e kontestuara presidenciale në gusht të vitit 2020. / KultPlus.com

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë

Poezi nga Pablo Neruda
Përktheu: Orjela Apolloni

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë

Me shkruejt, për shembull: “Nata asht e yjëzueme,
dhe dridhen, të kaltër, yjet atje në naltësi”.

Era e natës shetit nëpër qiell dhe këndon.

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë
E kam dashtë, dhe ndojherë edhe ajo m’ka dashtë.

Në net si kjo e kam mbajtë n’krahët e mi.
E kam puthë kaq herë nën qiellin e pafund.

Ajo m’ka dashtë, dhe ndojherë edhe unë e kam dashtë
Si mos me i dashtë sytë e saj të mëdhenj e të thellë.

Muj me i shkruejt vargjet ma të trishta këtë natë
Kur e mendoj që s’e kam ma. Kur e ndjej që e kam humbë.

Me ndëgjue natën e pafundme, ma e pafundme pa të.
E vargu bie n’shpirtin tim si vesa mbi bar.

Ç’randësi ka që dashnia ime s’mundi me e mbajt’.
Nata asht e yjëzueme dhe ajo s’asht me mu’.

Kjo asht e gjitha. N’largësi dikush këndon. N’largësi.
E kam humbë atë, prandaj n’shpirt thellë po vuej.

Si për me e pasë ma ngat, shikimi im e kërkon,
zemra ime e kërkon, e ajo nuk asht me mu’.

Dhe asht e njajta natë që i zbardhë po të njajtat pemë.
Ne, ata të ktyneherë, ma s’jemi t’njajtit.

Tash ma nuk e du’, asht e qartë, por sa fort e kam dashtë.
Zani im kërkon erën për me e prekë veshin e saj.

E tjetrit. Ka me qenë e tjetrit. Si para puthjeve të mia.
Zani i saj, trupi i saj i qartë. Sytë e saj t’pafundmë.

Tash ma nuk e du’, asht e qartë, por ndoshta edhe e du.
Asht kaq e shkurtë dashnia dhe kaq e gjatë harresa.

Sepse në net si kjo e kam mbajtë në krahët e mi,
E kam humbë atë, prandaj n’shpirt thellë po vuej;

Qoftë kjo dhimbja e fundit që m’shkakton,
Dhe këto vargjet e fundit që për të i shkruej./ KultPlus.com

Melisa Ibrahimi triumfuese në Rusi, fiton vendin e parë në ‘International Music Competition Moscow’

Pianistja Melisa Ibrahimi është shpallur fituese e vendit të parë në garën ‘International Music Competition Moscow’ që është mbajtur në Rusi, shkruan KultPlus.

Lajmi u bë i ditur nga vetë pianistja, e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook, theksoi se ndjehet shumë e lumtur për triumfin në Rusi

‘Pafundësisht falenderuese ndaj profesoreshës sime Alberta Troni, personi kryesor në arritjet e mia dhe shembulli më i mirë që kam para vetes. Faleminderit familjes për përkrahjen e vazhdueshme’, ka shtuar tutje Ibrahimi. / KultPlus.com

Fotografi e rrallë e Muharrem Qenës dhe Melihate Ajetit (FOTO)

Muharrem Qena dhe Melihate Ajeti janë çifti i njohur shqiptar që i kanë kushtuar pothuajse tëre jetën e tyre skenës artistike, shkruan KultPlus.

Muharrem Qena ka shkrirë talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Karriera e tij regjisoriale numëron deri në 200 shfaqje teatrale.

Bashkëshortja e tij, Melihate Ajeti- Qena ka qenë një figurë e shquar për bukurinë e talentin e saj të rrallë në aktrim, të cilin e demonstroi në teatër e film për 60 vite.

Ata të dy i kanë dhënë aq shumë artit shqiptar sa që edhe sot kujtohen për veçantitë e tyre artistike. KultPlus ju sjellë një fotografi të rrallë të këtij çifti./ KultPlus.com

Ministri Çeku uron Nora Gjakovën: Sportistët vazhdojnë të jenë ambasadorët tanë më të mirë

Xhudistet e Kosovës sërish me medalje, flamuri ynë këtë herë u ngrit në Gjeorgji. Ministri Hajrulla Çeku uron xhudisten Nora Gjakova, e cila në Grand Slamin e Tbilisit në Gjeorgji u stolis me medalje të artë. Përgëzime edhe për trajnerin Driton Kuka, tërë përfaqësuesen e Kosovës në xhudo dhe federatën. 

Ky sukses, përveç formës së lartë të Norës, është tregues edhe për standardin e xhudos në Kosovë. Sportistët vazhdojnë të jenë ambasadorët tanë më të mirë. Falë tyre simbolet tona shtetërore depërtojnë edhe në vendet që akoma nuk e kanë njohur shtetin tonë. 

Ministria do të vazhdojë të jetë përkrah dhe në mbështetje të sportistëve tanë. 

Urime Norë, urime Driton! Suksese xhudistëve tanë atje, presim medalje tjera në Tbilisi. / KultPlus.com