Ju kujtova të gjithave juve që them se ju desha që nga m’ë hershmja gjer tek e vona, atë që ish e paputhura, atë që ish virgjëresha, atë që ish moll’ e sherrit e pelë e harbimeve tona.
Atë qe flijoi për tre grosh dashurizën e parë atë që briroi fill pas muajit të mjaltit nën mua atë që nguroi n’udhëkryq djall a engjëll të marrë atë që kuptoi që s’e desha, që sapo i thashë “Te dua”
Ja, po më ngjan sikur ngrihi nga heshtja e honeve të ndryshme, të shumta si ngjyrat, si zogjtë ju fluturuat mbi prushin epshor të pasioneve donit të ngroheshit, pendet e bukura dogjtë
Vjen perëndisht edhe ti që të desha së pari pikëz e artë, flurorja, si rreze e përthyer mbi lotë të shtrij e të shkoj përmbi buzë sërish si dikur një fill bari ti nis këndon edhe qan: Dashuria bën xhiro në botë!
Prap unë u desha pa ty ti prapë u puthe pa mua erdhën pas teje të tjera, shuan ç’rindizet e digjet erdhën, po s’hyri askush gjer në pronat e tua mes njëri tjetrit shkon lumi që ndan e bashkon të dy brigjet
Zbriti dhe suta e Veriut mbrriti edhe krrilla prej Jugut unë i pranova të gjitha, të gjitha,të gjitha toka, grua beronje, palluar prej plugut qan kur s’ngarkohet me pemë qesh kur mbulohet me drithra
Ja, ku po vjen dhe m’e vona, mjellma e fundit mjellma e fundit brymuar nga vjeshta hirin hënor të flijimit kalimthi ma shkundi brymën e ikjes pa kthim më brymoi përmbi vjersha
Unë kështu dimëroj gjer në flirtet e vona herë i rishuar, herë i rindezur, sa mund jam gati cdonjë ta ridua sikur t’ish vërtet Dezdemona pastaj ta harroj si një libër qe s’mund ta lexosh gjer në fund./ KultPlus.com
Opera shqiptare “Vjosa” zë një vend të rëndësishëm në repertorin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, si një nga veprat tërësisht shqiptare. Me muzikë të kompozitorit Tish Daija dhe libret të Llazër Siliqit premiera e kësaj vepre u mbajt më 9 shkurt të vitit 1980.
Interpretuesit e operës “Vjosa” ishin artistët më në zë të skenës operistike shqiptare, si: Edith Mihali, Shqipe Mingomataj, Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi, Hysen Koçia, Pëllumb Katroshi, Petrika Rrëmbeci, Emine Gjata etj.
Yllka Kuqi është një emër i njohur i muzikës shqiptare që karakterizohet me një ngjyrë të veçantë të zërit e me vokal të fuqishëm, shkruan KultPlus.
Si e tillë ajo ka krijuar shumë këngë ndërsa ka sjellë për publikun edhe këngë të vjetra qytetare. Ajo numëron shumë këngë të suksesshme por një nga këngët më të mira të saj mbetet “Ofendimi”. Kjo këngë numëron një dekadë që kur është kënduar në festivalin “Polifest” ndërsa edhe sot sjellë emocionin e njëjtë.
Kjo këngë korri mjaft shumë sukses në Festivalin “Polifest” në vitin 2006, ku u prit me mjaft duartrokitje ndërsa i solli Yllka Kuçit edhe disa çmime si: Çmimi i kritikës,Çmimi i “Produksionit Jon” dhe Çmimi për orkestrim më të mirë të këngës. KultPlus ju sjellë interpretimin e këngëtares së bashku me tekstin e këngës:
Ti ishe dashuri e parë mik i keq e tradhtar askush nuk te gjykoj,ti dashurinë e pate në gjak vetëm mua m` dhe aq pak, askush nuk të dënoj E hëna e mallkuar pik e fundit,fjalë e rendë si plumb i rand , me gishtat e një dore i numërova ditët e lumtura.
(ref): Pa trokitje hyn sundo por mos kafsho se një vashe zemra do ti thehet Pa trokitje hyn por lus mos ofendo se po dhemb sa do nuk vërehet
Pa trokitje hyn sundo por mos kafsho se një vashe zemra do ti thehet. Pa trokitje hyn por lus mos ofendo,se po m`vret zemra e një vashe po pelset.
Ti ishe dashuri e pare mik i keq e tradhtar , askush nuk te gjykoj, ti dashurinë e pate n`gjak vetëm mua m` dhe aq pak askush nuk të dënoj. E hëna e mallkuar pike e fundit fjale e rende si plumb i rande, me gishtat e një dore i numërova ditët e lumtura.
(ref): Pa trokitje hyn sundo por mos kafsho se një vashe zemra do ti thehet. Pa trokitje hyn por lus mos ofendo, se po dhemb sado nuk vërehet
Pa trokitje hyn sundo por mos kafsho se një vashe zemra do ti thehet. Pa trokitje hyn por lus mos ofendo,se po m`vret zemra e një vashe po pelset.
Pa trokitje hyn por mos kafsho Pa trokitje hyn mos ofendooooo
Zemra e një vashe po pelset Zemra e një vashe po pelset po pelset po pelset Po pelseet Zemra e një vashe po pelset…./ KultPlus.com
Në vitin 1939, mijëra ushtarë gjermanë, shumë prej tyre rekrutë, u dërguan në të gjithë Evropën.
Ata shkuan të armatosur jo vetëm me armë, por edhe me aparate fotografike – të famshmet gjermane Leica dhe Rolleiflex – dhe ishin urdhëruar të fiksonin atë që shihnin.
Ndërsa Britania, Franca dhe vendet Aleate përkujtojnë sot 77-vjetorin e zbarkimit të Normandisë, një libër i botuar së fundmi, sjell një pjesë të madhe të fotogtafive të shkrepura nga vetë “protagonistët” në atë kohë.
“Të gjithë në luftë: Fotografi nga ushtarët gjermanë 1939-45” është titulli i librit, fotot e të cilit janë marrë nga një koleksion i ruajtur nga “Arkivi i Konfliktit Modern” në Londër./ KultPlus.com
Christie’s do të shesë në internet “Mona Lisa Hekking”, kopje e njohur e shekullit XVIIqë pronari i saj, Raymond Hekking, e kishte mbrojtur si autentike në vitet 1960.
Kjo pikturë zuri faqet e para të e gazetave dhe radiove deri në SHBA, pasi ishte blerë nga një tregtar antikuaresh në rajonin e Nicës (Franca e Jugut) nga ky koleksionist i pasionuar, kujtoi shtëpia e ankandeve.
Vepra është vlerësuar rreth 200 000-300 000 euro. Shitja do të zhvillohet nga 11 deri më 18 qershor në qendrën e ankandeve Christie’s.
Raymond Hekking, i pasionuar për artin, e mbrojti autenticitetin e kësaj tabloje tek historianët e artit dhe media deri në vitet 1960.
Ai vuri në dyshim atë pikturë të ruajtur në Louvre dhe kërkoi nga muzeu të provonte se Leonard de Vinci ishte me të vërtetë autori i kësaj pikture.
I fiksuar me idenë se ai kishte kryeveprën e Leonardos, ai mendoi se nuk ishte Mona Lisa e vërtetë që ishte kthyer në Louvre në 1914, tre vjet pas grabitjes së Mona Lisa në 1911, nga italiani Vincenzo Perugia, por që në vend të saj kishte vendosur një kopje.
Pas vdekjes së Raymond Hekking në 1977, piktura kishte mbetur në familjen e tij.
Për Pierre Etienne, drejtori ndërkombëtar i departamentit të pikturave antike të Christie, ajo është ilustrimi perfekt i magjepsjes që Xhokonda ka pasur gjithmonë dhe po ushtron gjithnjë e më shumë.
“Mona Lisa” hyri në koleksionet e Francois 1 menjëherë pas vitit 1517.
Disa kopje u bënë më pas në fillim të shekullit të XVII duke përfshirë atë të fituar nga Raymond Hekking./atsh/ KultPlus.com
Në kuadër të muajit të muzikës ministrja e Kulturës Elva Margariti ka kujtuar sot këngëtarin dhe artistin Gaqo Çako.
“Kujtojmë sot tenorin e jashtëzakonshëm Gaqo Çako, një nga përfaqësuesit më të denjë të interpretimit të muzikës lirike në Shqipëri”, shprehet Margariti.
Gaqo Çako, është një ndër emrat më të mëdhenj të muzikës lirike shqiptare. Artisti i përket atyre emrave që bënë historinë e kësaj muzike sikurse janë edhe Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali etj. Studimet për kanto i përfundoi në konservatorin” Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges dhe artistes Anna Soloviova. Për shkak të rezultateve dhe talentit të tij të rrallë menjëherë sapo u kthye në Shqipëri pas studimeve ai u emërua solist në “Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit” ku do të zhvillonte edhe repertorin e tij artistik.
Për tre dekada ai ka qenë edhe tenori solist në teatër ku edhe interpretoi mjaft role në vepra të mëdha në operat si “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma etj. Interpretoi edhe në opera të kompozitorëve shqiptar si “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj,
Megjithëse ishte një këngëtar lirik, artisti këndoi edhe në rryma të tjera muzikore si në këngët popullore, këngët qytetare dhe në muzikën e lehtë duke marrë pjesë edhe në festivalet e fundvitit në RTSH. /atsh / KultPlus.com
Ringjallja e jetës kulturore në Prishtinë, ambicia që kultura të zhvillohet, promovimi i krijimtarisë së shekullit XX, prurja e artistëve të mëdhenj të skenave botërore, janë këto vetëm disa nga karakteristikat të cilat e mbështjellin festivalin e ReMusica në përfaqësimin e krijimtarisë së kompozitorëve shqiptar.
Festivali ReMusica rrugëtimin e ka nisur menjëherë pas luftës dhe shpesh herë është karakterizuar dhe si ‘festival kompozitorial’, ku prezantohet krijimtaria kosovare në një konkurrencë të denjë ndërkombëtare dhe kompozitorë të shumtë kanë rastin që potencialin e krijimtarisë së tyre ta ballafaqojnë në një konkurrencë prestigjioze duke hedhur hapin e parë drejt kulturës kosovare dhe zhvillimit të saj, shkruan KultPlus.
Rrugëtimi përgjatë 20 viteve të këtij festivali natyrisht që ka edhe fillet e para të cilat jo domosdoshmërisht nisin me bashkëpunime të rëndësishme e të nevojshme për nisjen e një festivali të tillë. Por, në vitet e para të festivalit, relacionet bashkëpunuese me asociacione e festivale të rëndësishme në botë dhe fondacionet e ndryshme si: Pro Helvetia, Gaudeamus, Nomura Cultural Foundation, Swedish Institute, British Council, KFOS, Goethe Institute, e të tjera, ishin ato që kanë lehtësuar bashkëpunimin e tyre me festivalin.
Veprat e John Cage, Karlheinz Stockhausen, Georg Crumb, Toru Takemitsu, Krzystof Penderecki, C. Debussy, P. Hindemith, Igor Stravinskyt, D. Schostakovich, ishin vepra kompetente që publiku pati rastin t’i dëgjoj e përjetoj për herë të parë në këtë festival. Pastaj, nga edicioni i pestë, ReMusica në vitin 2006 ka ndryshuar fizionominë duke futur kështu në program vepra të epokave të mëparshme stilistike, me të cilat muzika bashkëkohore mund të formoj paralele përmbajtësore dhe logjike. Krahas një vepre nga Bartoku është inkuadruar vepra e Bach-ut, pastaj kanë figuruar edhe sonatat e Moxartit, Beethovenit dhe Shubertit. Kurse, përkrahja konkrete ka ardhur pikërisht nga pianistja Aki Takahashi, e cila është konsideruar një burim frymëzimi që ky festival të vazhdoj tutje për të mbërritur deri tek suksesi që sot posedon.
Aktivitetet e festivalit janë shtrirë gjithmonë në Prishtinë duke u synuar qëllimi kryesor që festivali të jetë një projekt i Prishtinës por festivali është shtrirë edhe në pjesë tjera të Kosovës. Prandaj, nëse ka evoluar Prishtina si qytet, atëherë edhe festivali është zhvilluar njëkohësisht duke e bërë këtë zhvillim të përjetuar njësoj. Andaj, nëse ekziston diçka që nuk ka ndryshuar që nga fillimet e pas luftës, do të ishte Salla e Kuqe, vendi ku pothuajse gjithmonë janë mbajtur koncertet e festivalit.
Duke pasur parasysh që jeta e pasluftës në Prishtinë, është dashur të rindërtohet përsëri, po ashtu skena kulturore së bashku me Prishtinën që nga themeli është dashur të gjallërohet përsëri për të ndërtuar kështu skenën muzikore të dikurshme për të cilën secili njeri ka pasur nevojë dhe dëshirë të madhe që të rikrijohet përsëri.
Ideja themelore e festivalit ReMusica fillimisht ishte menduar të jetë një afirmim i shprehjes së re në fushën e artit muzikor, ide kjo që ka lindur nga bindja se shprehja e re dhe përgjithësisht moderniteti, e nënkuptojnë luftën permanente për informacion të ri që sjellë koha e re. Festivali është themeluar nga kompozitori dhe dirigjenti Rafet Rudi, si ideator i ReMusica-s, së bashku me miqtë e tij, kolegët dhe kompozitorët nga Kosova si: Ilir Bajri, Zana Shuteriqi, Mendi Menxhiqi, Baki Jashari dhe Valton Beqiri. Kështu edhe është vendosur që të organizohet një festival i muzikës bashkëkohore.
Festivali filloi edicionin e tij të parë, në pranverën e vitit 2002 dhe emri i tij ReMusica, ka lindur pikërisht nga muzika bashkëkohore ‘’Muzika e Re – ReMusica’’. Ndërsa, përveç këtyre fakteve të lartpërmendura, një fakt tjetër që është shpalosur nga vetë drejtoresha e këtij festivali, Donika Rudi, është se ky festival ka lindur si vazhdimësi e aktiviteteve që ka zhvilluar ‘Qendra për Muzikën e Re’, menjëherë pas luftës, me nxitjen e aktores Vanessa Redgrave dhe përkrahjes morale të kompozitorit Philip Glass.
Përpos shpalosjes së rrugëtimit të këtij festivali, në një intervistë për KultPlus, drejtoresha e festivalit, Donika Rudi ka folur edhe rreth vështirësive më të mëdha në zhvillimin dhe prurjen e risive të reja në këtë festival përgjatë 20 viteve.
“Që nga themelimi i tij, festivali ka qëndruar në tri shtylla kryesore si: prezantimi i krijimtarisë së shekullit XX, krijimi i një shansi që muzika bashkëkohore e krijuar në Kosovë, t’i prezantohet publikut tonë në kuadër të një festivali sa më prestigjioz dhe gërshetimi i kulturës muzikore bashkëkohore shqiptare dhe kosovare me atë botërore për të përvetësuar kështu standardet më të larta artistike dhe për t’i shmangur tendencës së mundshme të ‘provincializmit’ të saj”, thotë Rudi.
Sipas saj, koncertet e mbrëmjes, masterklaset, punëtoritë, tribunat muzikologjike, koncertet pedagogjike ku kompozitorët tanë kanë shkruar miniatura për instrumente dhe formacione të ndryshme për të pasuruar krijimtarinë, koncertet tradicionale të muzikës elektroakustike dhe akustike si të vetmet në vend, segmentet e programit edukativ si: ReMusica Junior, janë këto vetëm disa formësime dhe zhvillime që kanë ndodhur në 10 vjeteshin e fundit duke rezultuar kështu në publik të diferencuar nga moshat më të ndryshme.
Ndërsa, duke pasur parasysh që secila ngjarje që zhvillohet në Kosovë has në problemin e infrastrukturës, ky problem njëlloj mbetet njëra nga sfidat kyçe me të cilin secili institucion i pavarur kulturor ballafaqohet çdo herë. Andaj, edhe festivali ReMusica nuk i është shmangur këtij problemi, prandaj edhe Rudi ka propozuar disa mundësi që vazhdimisht janë propozuar ndaj institucioneve publike.
‘’Sallat profesionale të interpretimit dhe skenës, stabiliteti financiar, mungesa e planifikimit afatmesëm dhe afatgjatë, mungesa e politikave stimuluese për pavarësim financiar të sektorit të kulturës dhe muzikës, janë këto vetëm disa nga sfidat me të cilat ballafaqohemi e të cilat do na përcjellin edhe në të ardhmen. Ne vazhdimisht jemi në varësi nga subvencionet publike të cilat jepen në baza vjeçare gjatë vitit kalendari, prandaj propozimet tona mbeten tek kontratat afatmesme deri në pesë vite dhe stimulimi i inkuadrimit të bizneseve dhe palëve të mundshme të interesit”, thotë Rudi për KultPlus.
Andaj, është menduar se nëse ky problem do të rregullohej, pasqyra e vërtetë financiare do ta lehtësonte çështjen e planifikimit programor me kohë. Kurse, ajo se çfarë ka ndikuar më së rëndi në mbajtjen e këtij festivali që gjithmonë mbahej në muajin maj por që realisht ka kaluar në karakterin objektiv është edhe situata me pandeminë.
“Jemi krenar që i mbetemi besnik fizionomisë së festivalit të krijuar gjatë tërë këtyre viteve, duke përpiluar program që reflekton kohët në të cilën muzika sot gjendet, si dhe pa mëdyshje përfaqësimin e krijimtarisë së kompozitorëve tanë në këtë program, ku gati nga 12 vepra të kompozitorëve vendas, ishin porosi të festivalit. Bashkëpunimi me artistët si dhe përkrahësit e festivalit kanë themeluar një trekëndësh akterësh duke bërë të mundur realizmin e këtij edicioni të veçantë”, shpalos Rudi.
“Pandemia zbuloi shumëçka, por më kryesorja është se sa të brishtë jemi dhe sa e madhe është nevoja që thërret për një ndryshim të mënyrës së jetës drejtë qëndrueshmërisë. Andaj, njerëzimi sot ndodhet para një sfide e cila kërkon shpresë, si shtytës për krijimin e ideve dhe planit për punë, që do kurorëzohet me ringjallje të njerëzimit. Pra, të ngjitemi dhe ti dalim zot detyrës që na pret”, potencon ajo.
Për Rudin, disa nga bashkëpunimet më të rëndësishme të janë realizuar përgjatë 20 viteve të fundit e të cilat ajo do i veçonte, si nga artistët vendor dhe atyre ndërkombëtarë janë: Aki Takahashi, Marc Bouchkov, Ko Matsushita, Jeremy Jouve, Pierre Fouchenneret, Mondriaan Quartet, Pierrot Lunaire Ensemble Wien, Trio Fibonacci, Guo Gan-erhu & Lingling Yu-pipa, Petrit Çeku, Ophélie Gaillard, Solistët e Zagrebit, Jonian Ilia Kadesha, Kroumata Ensemble, ProModern, Merita Rexha Tërshana, Romain dhe Thomas Leleu.
ReMusica konsiderohet një festival që gjithmonë ka hapur dyert për kompozitorët e rinj, andaj edhe në të gjitha edicionet e festivalit, një kujdes i madh i është kushtuar veprimtarisë së kompozitorëve të rinj dhe shënimit të përvjetorëve të kompozitorëve tanë të gjeneratave më të vjetra ku rreth 400 vepra të autorëve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ardhur premierë në këto 19 vite të këtij festivali.
“Pothuajse, në çdo koncert të festivalit në 20 vitet e fundit, kemi pasur vepra të autorëve tanë, të cilat janë luajtur nga ansamble të ndryshme ndërkombëtare duke dërguar në një rezultat ku këto vepra janë futur në repertorët e tyre dhe kanë udhëtuar nëpër botë. Ky depërtim i autorëve përtej, është një rëndësi e madhe për autorët e veprave”, thotë Rudi për KultPlus.
Të gjitha këto vepra tashmë janë të regjistruara me standard profesional dhe sot ruhen në arkivin e festivalit duke u konsideruar një thesar i çmueshëm. Andaj, festivali ka një arkiv më të ruajtur dhe kompletuar të krijimtarisë së kompozitorëve shqiptar të tubuar në një vend që nga periudha e pasluftës. Kurse, deri më tani ekziston një numër tejet i madh i materialeve të ruajtura nga festivali ku Rudi ka shpalosur edhe faktin se do të publikohen 3 botime të CD-ve me vepra të zgjedhura të autorëve tanë dhe vepra të porositura nga Festivali ReMusica, të cilat janë realizuar këto 20 vite.
“Një mori botime me incizime nga autorë tanë dhe të ndryshëm si dhe CD me vepra të autorëve të rinj që janë shkruar enkas për ReMusica përgjatë 20 viteve, janë grumbulluar në një përmbledhje në 3 botime CD me audio incizime, ku është e pamundur vendosja e qindrave incizimeve por që seleksionimi është duke u bërë pikërisht në këtë periudhë ku përfshihen vepra korale, miniatura për instrumente, formacionet e ndryshme, vepra kamertale dhe orkestrale”, shpalos Rudi për KultPlus.
Krejt në fund, përveç 3 botimeve të CD me vepra të zgjedhura të autorëve tanë, vepra të porositura nga Festivali ReMusica të cilat janë realizuar këto 20 vite, Rudi ka treguar edhe disa nga detajet dhe risitë që ReMusica do të sjell këtë vit.
“ReMusica Festival do të vjen me rrufe aktivitetesh duke filluar nga ligjëratat, punëtoritë, bashkëpunime jashtëzakonisht të çmueshme me disa nga institucionet evropiane në fushën e muzikës të cilat do të jenë në fokus këtë vit, koncertet e mbrëmjes me emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtarë dhe vendore, programi edukativ dhe programi ‘ReMusica Junior’. Ndërsa, si veçanti është përgatitja e një filmi dokumentar rreth punës tonë 20 vjeçare me shumë informata, storie dhe intervista të pazbuluara deri më tani”, shpalos Rudi për KultPlus.
Kurse, qershia mbi tortë është edhe hapja e edicionit të 20-të të festivalit ReMusica nga sopranoja Elbenita Kajtazi e cila shoqërohet në piano nga Camille Lemonier, që do të nis me datën 07 shtator.
ReMusica Festival është një ndër shtyllat kryesore të jetës kulturore në vend dhe është anëtare e ECPNM (European Conference of Promoters of New Music) dhe EFFE Label (Europe for Festivals, Festivals for Europe). / KultPlus.com
Këngëtarë të shumtë po qëndrojnë të karantinuar në një hotel ku po bëjnë përgatitjet rreth ‘BBC Cardiff Singer of the World’. Njëra ndër këta këngëtarë është edhe sopranoja nga Kosova, Elbenita Kajtazi e cila aktualisht po praktikon për konkursin më të madh të këngës, shkruan KultPlus.
Momentalisht, këngëtarë të shumtë të operës janë duke praktikuar për konkursin më të madh të këngës që do të ndodhë në jetës e tyre.
Disa interpretues të tjerë janë në karantinë në dhomat e afërta, që do të thotë se një pjesë e hotelit aktualisht është shtëpia e disa prej zërave më të mirë në botë. Kurse, sopranoja e njohur kosovare Elbenita Kajtazi-Halimi, për mediat angleze, thotë se mënyra për të kaluar karantinimin është të bësh 10,000 hapa në ditë brenda katër mureve të dhomës.
Halimi thotë se ajo ndjen se periudha e qetësisë së detyruar në karantinë ka disa përfitime por ka ende shumë punë për të bërë.
“Unë po punoja për të kënduar dhe për të shënuar pesë orë në ditë para se të merrja këtë fluturim këtu, kështu që më duhej kësaj radhe të relaksohesha pak.”
Halimi ka një përzgjedhje këngësh për të interpretuar në konkurs në tetë gjuhë të ndryshme, kështu që ajo po kalon pjesën më të madhe të karantinës së saj duke u siguruar që të dijë të gjitha fjalët për secilën pjesë të muzikës. Ajo nuk po e shijon ushqimin e lënë në një qese letre në derën e saj çdo ditë, por megjithatë ajo përmbajtjen nuk e fajëson.
“Unë mendoj se janë gjithashtu emocionet e konkursit që nuk më lejojnë të shijoj ushqimin. Këto flutura i kam në bark ”.
Për Halimin, shqetësimi tejkalohet nga entuziazmi i saj për të qenë personi i parë nga vendi i saj që shkoi në këtë fazë të konkursit. Ajo filloi të këndonte në moshën shtatë vjeçare gjatë Luftës së Kosovës 1998-1999, duke zbuluar se këndimi e qetësonte atë mes tmerreve që ajo dhe familja e saj po përjetonin.
Ata ikën në Shqipëri si refugjatë, së pari duke qëndruar në një kamp belge refugjatësh.
“Unë kisha shumë frikë dhe kur këndova ajo më ndihmoi t’i shpëtoja realitetit”, ka thënë ajo. / Ineës.co.uk / KultPlus.com
Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Krujës ruhet këmbana origjinale e vitit 1462, e cila mund të ketë lajmëruar qytetin e Krujës për vdekjen e Skënderbeut më 17 Janar 1468.
Sipas Muzeut Historik dhe Etnografik të Krujës në vitin 1901 A. Degrand, konsulli francez i Shkodrës botoi një udhë përshkrim, ku tregonte dhe për dy këmbana, që ishin të lëna në mëshirën e fatit në rrënojat e kishës brenda mureve rrethuese të kështjellës së Krujës.
Njëra nga këto ishte bashkëkohëse me epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit, e derdhur në bronz në vitin 1462 (MCCCCLXII), me përzierje metalesh të çmuara.
Menjëherë u vunë në lëvizje tregtarët e relikeve e antikuareve, por fatmirësisht këtë relike të çmuar që iu trashëgua shqiptarëve si shenjë e epokës së lavdishme të tyre e bleu i mirë informuari Shtjefën Gjeçovi, i cili më pas e skicoi, vizatim që sot ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror Tiranë, ku ruhet edhe fondi i tij arkivor. Kjo këmbanë është ndër objektet më të rëndësishme të muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. / Zhurnal.mk / KultPlus.com
Në fshatin e Pilur, Himarë përfundoi festivali i polifonisë ”Netët e Bejkës së Bardhë”. Edicioni i dytë i këtij festivali u zhvillua gjatë fundjavës ku riktheu për qytetarët bukurinë dhe traditën e isopolifonisë.
Ky festival i veçantë i isopolifonisë është një motiv për të mbajtur gjallë traditën e kombit por edhe krijimtarinë e të ndjerit Lefter Cipa, i cili ia kushtoj jetën e tij kësaj trashëgimie të rrallë.
Jorgo Goro, kryetari i Bashkisë së Himarës u shpreh se, “kjo traditë do të vazhdoj, do të forcohet më shumë duke arritur edhe atë që duam të arrijmë ne si komunitet. Kënga polifonike na shpreh më së miri ne si himarjot, si bregas, si lebër por edhe si shqiptar pasi është tradita jonë. Kjo është kultura tradita dhe turizmi ynë. Qëllimi është që ne ta trashëgojmë ndër breza që ata edhe ta këndojnë këtë vlerë të rrallë”.
Në këtë festival morën pjesë grupe nga qytete dhe zona si Himara, Piluri, Kuçi, Tërbaçi, Bolena, Dukati, Gramshi, Mallakastra, Belsha, Ramica, Tepelena, Zagoria dhe Gjirokastra.
Më 2019 është mbajtur edhe edicioni i parë i këtij festivali i cili pati shumë admirues por për shkak të pandemisë në 2020 nuk u zhvillua dhe u rikthye sërish këtë vit. / atsh / KultPlus.com
Vetë emri i manjatit të naftës John Rockefeller është sinonim i pasurisë dhe suksesit. Ai e bëri pasurinë e tij duke mos filluar me asgjë; më vonë, ai do të fillonte të dhuronte vazhdimisht një pjesë të pasurisë së tij për bamirësi.
Kjo është lista me 17 parime për jetën nga John Rockefeller, të cilat e ndihmuan atë të arrijë lartësi të tilla suksesi – dhe pasurimi njerëzor.
Gjithmonë synoni ta shndërroni çdo katastrofë në një mundësi.
Mos kini frikë nga shpenzimet e mëdha, por nga të ardhurat e vogla.
Personi që punon gjatë gjithë ditës nuk ka kohë për të fituar para.
Mirëqenia juaj varet nga vendimet tuaja.
Nëse qëllimi juaj i vetëm është të bëheni të pasur, nuk do ta arrini kurrë.
Një miqësi e themeluar në biznes është më e mirë se një biznes i themeluar në miqësi.
A e dini të vetmen gjë që më jep kënaqësi? Të është që dividentët duke hyrë.
Përveç bërjes së gjësë së duhur, gjëja më e rëndësishme është t’ua bësh të ditur njerëzve se po bën gjënë e duhur.
Unë preferoj të punësoj një njeri me entuziazëm sesa një njeri që di gjithçka.
Menaxhimi i mirë nuk është tjetër vetëm aftësia për t’u treguar punonjësve mesatarë se si të bëjnë punën e njerëzve shumë më lart se ata.
Këmbëngulja do t’ju ndihmojë të arrini gjithçka, qoftë ajo diçka e drejtë apo e gabuar, e mirë apo e keqe.
Askush nuk e di se kush do të jetë në këtë jetë, por është gjithmonë e rëndësishme të mbani mend se keni lindur për diçka të veçantë.
Mos ki frikë të heqësh dorë nga e mira që të shkosh për shumë më të mirën.
Ju mund të jepni llogari për të gjitha milionat që keni fituar, përveç atij të parit.
Krijoni një reputacion i cili më vonë do të funksionojë në favorin tuaj.
Aftësia për t’u marrë me njerëzit është një produkt po aq i blershëm sa sheqeri ose kafeja.
Dhe unë do të paguaj më shumë për këtë aftësi.
Nuk mendoj se ka ndonjë cilësi tjetër kaq thelbësore për suksesin e çfarëdo lloji, sesa cilësia e këmbënguljes. Ajo kapërcen pothuajse gjithçka, madje edhe natyrën. / KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Punues për Institutin për krimet e kryera gjatë luftës.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se instituti për krimet e kryera gjatë luftës do të jetësohet vetëm me përkushtimin e të gjithëve.
Ai ka thënë se do të jetë e vështirë që t’i adresojnë të gjitha krimet e kryera, andaj duhet një angazhim më i madh në këtë drejtim.
“Vitin e kaluar, dy javë para kësaj date jemi takuar për takimin e formimit të ekipit, dhe sot po vazhdojmë me fazën e dytë që do të përgatisë koncept-dokumentin e krimeve të kryera gjatë luftës, do të jetë e vështirë t’i adresojmë të gjitha krimet e kryera, familjarët e viktimave kanë humbur besimin dhe ky është një rrezik që po na kanos dhe andaj duhet një angazhim më i madh në këtë drejtim. Kemi më shumë se 13 mijë persona te vrarë gjatë luftës, dhe dëmi është edhe më i madh si ekonomik ashtu edhe në aspekte tjera”, tha ai.
Ndërsa, ai është shprehur se instituti do ta ketë linjën e vet buxhetore.
“Instituti duhet ta ketë linjën e vet buxhetore, dhe përkrahjen e të gjithëve nëse duam të kemi sukses, por edhe nuk duam ta hedhim poshtë punën e deritanishme dhe me punën e tyre të vazhdojmë tutje. Nuk e kemi luksin të gabojmë kësaj radhe andaj është thelbësore ta përkrahim njëri-tjetrin”, theksoi tutje Kurti.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se deri tani ka munguar vullneti politik në adresimin e këtij problemi, duke shtuar se mbështetja e kësaj ministrie dhe Qeverisë nuk do mungojë asnjëherë.
“Ky grup punues do të punojë edhe në atë se pse iniciativa të tilla kanë dështuar, dhe të mundohemi që të mos bëjmë gabime si përpara, e të fokusohemi në punën përpara. Qytetarët e organizatat kanë punuar vazhdimisht në të drejtat e viktimave të përmbushen pasi vullneti politik ka munguar. Kuvendi i Kosovës ka miratuar amendamentin që ka për qëllim heqjen e pengesave në punën e Institutit. Poashtu do të ndahen buxhet për Prokurorinë Speciale që të rritet numri edhe për katër prokurorë të tjerë që të rritet puna tutje”, tha Haxhiu. / Gazeta Express / KultPlus.com
Projekti i bazuar në modelin amerikan për ndërtimin e Bibliotekës Presidenciale që ka për qëllim mbajtjen e kujtesës historike dhe shtetërore të popullit tonë dhe njëkohësisht dëshmon për përpjekjet e gjata të popullit të Kosovës për ndërtimin e një shteti të pavarur, sot bëri bashkë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,Hajrull Çekun me ç’rast edhe u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Bibliotekës Presidenciale ‘Ibrahim Rugova’ dhe Ministrisë për Kulturë, shkruan KultPlus.
Së pari, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nisi deklaratën e saj duke falënderuar të pranishmit për prezencën dhe në veçanti Ministrin Çeku, i cili sipas Osmanit, ka treguar një gatishmëri të menjëhershme për mbështetjen e Bibliotekës Kombëtare dhe institucioneve tjera bartëse të Ministrisë së Kulturës.
‘’Ministri Çeku ka treguar një gatishmëri të menjëhershme që ta mbështesë bashkërisht Bibliotekën Kombëtare por edhe institucionet tjera bartëse të Ministrisë së Kulturës. Projekti jonë është i bazuar në modelin amerikan të ndërtimit të Bibliotekave Presidenciale, prandaj kemi filluar me ndërtimin e Bibliotekës Presidenciale e cila do ta mbajë emrin e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Qëllimi i saj është mbajtja e kujtesës tonë historike dhe shtetërore dhe në veçanti përpjekjet e gjata të popullit të Kosovës për të ndërtuar shtetin e vet të pavarur dhe sovran”, thotë Osmani.
Sipas saj, duke u bazuar në modelin amerikan, rrjedhimisht është marrë përkrahje nga departamenti i shtetit amerikan i cili do të dërgojë një ndër ekspertët më të njohur të saj, për të ndihmuar që të kompletohet kjo bibliotekë nën modelin amerikan dhe në të njëjtën kohë sipas memorandumit të bashkëpunimit që sot është nënshkruar me Ministrin Çeku, do të punohet së bashku për zhvillimin e fondeve për bibliotekën.
“Biblioteka Kombëtare do të ofroj të gjithë bibliografinë që e kanë të ish-presidentit Ibrahim Rugovës siç janë: librat, artikujt e tij por edhe të gjithë librat e artikujt që janë shkruar për të. Kurse, lajm i rëndësishëm është që familja e ish-presidentit Rugova, ka vendosur që të gjithë Arkivin Privat të Presidentit, ta vë në dispozicion për Bibliotekën Presidenciale”, thotë Osmani.
Krejt në fund, ajo ka shfrytëzuar rastin që t’i bëjë thirrje institucioneve bibliotekare, arkivore dhe muzeore që të ofrojnë materiale të ndryshme rreth ish-Presidentit Ibrahim Rugova.
“Në këtë mënyrë do të ruhet kujtesa jonë dhe njëkohësisht do të ruhen në kujtesën tonë historike edhe përpjekjet e një populli të tërë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”, përfundon Osmani.
Ndërsa, Ministri Çeku është shprehur se është një kënaqësi që ai është prezent jo vetëm për nënshkrimin e memorandumit por edhe për fillimin e një nisje të jashtëzakonshme.
“Për mua është kënaqësi që të jem së bashku me juve, jo vetëm për të nënshkruar memorandumin por për të qenë pjesë e një nisme të jashtëzakonshme. Kjo nismë ia shton Kosovës një institucion të ri të dijës dhe shkencës e të studimit duke besuar se ky krijim nderon figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe njëkohësisht edhe Republikën e Kosovës”, thotë Çeku.
Sipas tij, si Ministri e Kulturës, të gjitha pjesët përbërëse do të jenë në dispozicion dhe prandaj ata do ta marrin me seriozitet një detyrë kaq të rëndësishme dhe fisnike në të njëjtën kohë. Ata ndjejnë një obligim që ti përgjigjen kësaj nisme duke u bërë pjesë e Bibliotekës Presidenciale ‘Ibrahim Rugova’.
“Ky hap i rëndësishëm do ta pasurojë fondin e kësaj biblioteke e cila natyrisht duhet të zgjerohet përtej institucioneve që janë pjesë e Ministrisë së Kulturës dhe Presidencës për një nismë kombëtare për të pasur një fond të pasur reprezentativ dhe për të shtuar aktivitetin tonë studiues për të lënë një amanet ndaj brezave të ardhshëm”, përfundon Çeku. / KultPlus.com
Disa mund ta quajnë atë asgjë, por artisti italian Salvatore Garau e përshkruan atë si një “skulpturë shpirtërore”. Vepra tashmë është shitur në ankand për 15 mijë euro.
E titulluar “Io Sono”, ose “Unë jam”, vepra e artit mund të përshkruhet si e padukshme ose thjesht si asgjë. Nuk ekziston në asnjë formë materiale. Megjithëse Garau, 67-vjeçar, nuk e përshkroi atë si të tillë kur e shpjegoi konceptin e kësaj vepre për “Diario AS” e që më pas u citua edhe në “ArtNet”.
“Vakumi nuk është asgjë më shumë sesa një hapësirë e mbushur me energji, e edhe nëse e zbrazim atë dhe nuk ka mbetur asgjë, sipas parimit të paqartësisë së Heisenbergut, kjo asgjëja ka një peshë”, ka thënë ai. “Prandaj, ajo ka energji që është e kondensuar dhe shndërruar në grimca, domethënë në ne”.
Vepra kishte dalë në ankand muajin e kaluar në shtëpinë italiane të ankandeve “Art-Rite”, duke tejkaluar vlerësimin e saj prej 6 mijë eurosh deri në 9 mijë.
Blerësi mori një certifikatë të pronësisë të nënshkruar dhe të vulosur nga Garau, së bashku me udhëzimet se si ta ekspozojë veprën, apo për ta specifikuar, vepra duhet ekspozuar në një hapësirë me përmasa gati dy metrash, ku nuk pengohet nga objekte të tjera.
Përderisa vepra e artit dhe çmimi i saj mund të habisin disa dhe të shtynë të lëkundësh kokën, artisti këmbëngul në idetë e tij, duke shpjeguar se ekspozimi i skulpturës në një hapësirë përqendron një “dendësi mendimesh në një pikë të saktë”.
Ai ka eksploruar koncepte të ngjashme të jomaterialitetit dhe hiçit edhe në punët e tij të mëparshme, si “Buda në soditje”, që është një katror i shënuar me të bardhë në një shteg të kalldrëmit për ecje në Milano.
Në videon e artistit të realizuar për punën, teksti shoqërues shpjegon se skulptura është instaluar “sipër” sheshit. Një deklaratë shfaqet në ekran. Aty shkruan: “Ju nuk e shihni, por ekziston; është bërë nga ajri dhe shpirti. Është një vepër që të kërkon të aktivizosh fuqinë e imagjinatës, një fuqi që ka kushdo, madje edhe ata që nuk e mendojnë se e kanë”.
Nuk është e re që artistët të testojnë kufijtë e materialit – ose mungesën e tij – dhe gatishmërinë e blerësve për të dhënë para për vepra arti.
Blerje të ngjashme që u takojnë këtyre kohëve të fundit janë edhe vepra “Everydays – The First 5000 Days: e Beeple, një vepër arti në “NFT” që është shitur për 69 milion dollarë në mars, dhe banania e njohur e ngjitur me ngjitës në mur, një vepër e titulluar “Comedian” nga Maurizio Cattlelan” që u shit për 120 mijë dollarë në “Art Basel Miami” në vitin 2019. Më shumë shitje të profilit të lartë në kujtesën e fundit përfshijnë “Beeple’s Everydays – The First 5000 Days”, një vepër arti që u shit për 69 milionë dollarë në mars dhe banania famëkeqe e ngjitur në një mur, një vepër arti e titulluar “Comedian”, nga Maurizio Cattelan, që shitej për 120 mijë dollarë në “Art Basel Miami” më 2019./ The National News / KultPlus.com
Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet në bashkëpunim me Komunën e Lipjanit, përkrahur nga CFD prezanton shfaqjen forum teatër dhe ekspozitën e klubit teatror të të rinjve të Lipjanit me titull “Çelësi Magjik” me 8 qershor, në ora 12:00, në Qendrën Kulturore “Tahir Sinani”, përcjellë KultPlus.
Nën regjinë e Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli dhe Ismail Kasumi, shfaqja adreson periudhën e pandemisë Covid-19 dhe të post-pandemisë, e cila vjen si një udhëtim në kohë. “Çelësi Magjik” shpërfaq papërgjegjësinë e njerëzve, rritjen e dhunës në familje, e luftën psikologjike me të cilën përballen personazhet. Pas shfaqjes personazhet do të diskutojnë me publikun lidhur me temat të cilat adresohen në shfaqje, duke e bërë kështu edhe publikun pjesë të saj.
Koreja e Veriut ka prezantuar një ligj të ri për ta shtypur çdo ndikim të huaj. Sipas këtij ligji, të gjithë ata që kanë filma të huaj, rroba të huaja ose nëse flasin në zhargon do të dënohen ashpër.
Yun Mi-So tha se ajo ishte 11 vjeçare kur pa për herë të parë autoritetet ta ekzekutonin një burrë sepse ai kishte shikuar një dramë të Koresë së Jugut me të. Fqinjët duhej ta shikonin ekzekutimin e tij.
“Nëse nuk e keni bërë, do të konsiderohej një tradhti”, i tha ajo BBC-së nga shtëpia e saj në Seul.
“Unë kurrë nuk do ta harroj atë. Unë ende mund t’i shoh lotët e tij që rrjedhin. Ata ia lidhën sytë, por fasha ishte lagur plotësisht me lot. Ishte traumatike për mua. Ata e vunë në një kunj dhe e lidhën, dhe më pas e qëlluan”, shtoi ajo.
Luftë pa armë
Imagjinoni sikur jeni në një izolim të vazhdueshëm, pa internet, pa media sociale dhe vetëm me disa kanale televizive që janë nën kontrollin e rreptë të shtetit – kjo është jeta në Korenë e Veriut, shkruan BBC, transmeton Express.
Tani udhëheqësi i këtij vendi ka vendosur të shkojë një hap më tej dhe prezantoi një ligj të ri kundër të ashtuquajturit “mendim reaksionar”. Kushdo që kapet me një sasi të madhe video nga Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara ose Japonia përballet me dënimin me vdekje dhe ata që shikojnë pamje të tilla përballen me deri në 15 vjet burgim.
Kohët e fundit, Jong Un dërgoi një mesazh përmes mediave shtetërore duke i bërë thirrje Lidhjes së Rinisë të ndërmarrë veprime kundër “sjelljes individualiste, anti-socialiste” midis të rinjve. Tani ai dëshiron ta ndalojë përdorimin e shprehjeve të huaja, modeleve të flokëve dhe rrobave që ai tha se janë “helme të rrezikshme”.
Analistët politikë besojnë se udhëheqësi i Koresë së Veriut po përpiqet t’i ndalojë të gjitha informacionet që vijnë nga jashtë për njerëzit e Koresë së Veriut sepse jeta në vend po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ata besojnë se miliona njerëz po vdesin nga uria, kështu që Kim Jong Un po i “ushqen” gjithnjë e më shumë me propagandën e shtetit.
Vendi tani, pas mbylljes së kufijve për shkak të pandemisë, është shkëputur nga pjesa tjetër e botës më shumë se kurrë më parë. Tregtia me Kinën fqinje dhe fluksi i furnizimeve janë ndaluar pothuajse plotësisht, transmeton Express.
Çfarë thotë ligji i ri?
“Daily NK” mori një pasqyrë në një kopje të ligjit të ri.
“Ai thotë që nëse një punëtor ose drejtor fabrike kapet, ata do të dënohen. Nëse është një fëmijë, prindërit do të dënohen”, tha Li Sang Jong, kryeredaktor i Daily NK.
“Me fjalë të tjera, regjimi ka konkluduar se një ndjenjë rezistence mund të krijohet nëse futen kultura nga vendet e tjera”, tha ai.
Kontrabanda e filmave
Ndalimet e mëparshme treguan vetëm se si njerëzit e Koresë së Veriut mund të jenë të shkathët dhe si ata tashmë kanë një përbërje të zhvilluar të kontrabandës së filmave të huaj nga Kina.
“Filmat e kontrabanduar nga Kina në pajisjet USB janë tani aq të zakonshëm sa gurët; ata janë të lehtë për t’u fshehur dhe për të pasur një fjalëkalim”, tha Choi Jong-hun, një i arratisur nga Koreja e Veriut.
“Nëse futni fjalëkalimin e gabuar tri herë me radhë, USB-ja e fshin përmbajtjen. Nëse përmbajtja është veçanërisht e ndjeshme, mund të vendosni që gjithçka të fshihet pas hyrjes së parë të gabuar të fjalëkalimit”, shtoi ai.
Choi thotë se regjimi filloi të vërejë një fluks në rritje të filmave nga Kina në fillimin e viteve 2000 dhe filloi kryerjen e hetimeve në universitete. Në fillim, ata që kapeshin duke parë filma u dërguan në një kamp pune për një vit, por më vonë doli se dënimi nuk ishte i mjaftueshëm për ta shtypur kontrabandën e filmave.
“Në fillim, dënimi ishte qëndrimi rreth një vit në një kamp pune, por që ka ndryshuar në më shumë se tri vjet në një kamp pune. Aktualisht, nëse shkoni në kampe pune, ka më shumë se 50% të të rinjve që përfunduan atje sepse ata shikuan video të huaja”, tha Choi.
“Nëse dikush shikon dy orë materiale të paligjshme, ata marrin tri vjet qëndrim në një kamp pune. Ky është një problem i madh. Të shikosh filma është luks”, shtoi ai. / KultPlus.com
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bëri të ditur se “Ushqim i sigurt sot, për një të nesërme të shëndetshme” është tematika e këtij viti në kuadër të “Ditës Botërore të Sigurisë Ushqimore”.
Çdo 7 Qershor, theksoi Ekonomi, i vihet fokusi sigurisë së ushqimit, si një përgjegjësi e përbashkët midis qeverisë, prodhuesve dhe konsumatorëve.
Të gjithë kanë një rol për të kryer, sepse siguria ushqimore është një proces kompleks që fillon në fermë dhe përfundon me konsumatorin.
“Siguria e ushqimit shpëton jetë. Ajo nuk është vetëm një komponent thelbësor për sigurinë ushqimore, por gjithashtu luan një rol jetësor në zvogëlimin e sëmundjeve që vijnë nga ushqimi”- u shpreh ministrja.
Çdo vit, 600 milionë njerëz sëmuren si rezultat i rreth 200 llojeve të ndryshme të sëmundjeve që vijnë nga ushqimi. Barra e një sëmundjeje të tillë bie më së shumti mbi të varfrit dhe mbi të rinjtë. Për më tepër, sëmundjet që vijnë nga ushqimi janë përgjegjëse për 420 000 vdekje të parandalueshme çdo vit.
Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore është një mënyrë e rëndësishme për të ndërgjegjësuar njerëzit për çështjet e sigurisë ushqimore; për të demonstruar se si të parandalojmë sëmundjen përmes sigurisë ushqimore; për të diskutuar qasje bashkëpunuese për përmirësimin e sigurisë ushqimore në të gjithë sektorët; për të promovuar zgjidhje dhe mënyra për të qenë më të sigurt në ushqim.
Konsumi dhe prodhimi i ushqimit të sigurt kanë përfitime të menjëhershme dhe afatgjata për njerëzit, planetin dhe ekonominë. Disponueshmëria e ushqimit të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë mund të mbështetet në të ardhmen duke përqafuar inovacione dixhitale, duke avancuar zgjidhje shkencore si dhe duke respektuar njohuritë tradicionale që i kanë rezistuar kohës.
“Sistemet tona ushqimore duhet të prodhojnë ushqim të mjaftueshëm të sigurt për të gjithë. Njohja e lidhjeve sistematike midis shëndetit të njerëzve, kafshëve, bimëve, mjedisit dhe ekonomisë do të na ndihmojë të plotësojmë nevojat e së ardhmes. Veprimet lokale të bazuara në zgjidhje të barabarta, shpesh të reja, dhe bashkëpunim të forcuar multi-sektorial janë thelbësore për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG)” tha Ekonomi.
Duke u ndalur në siguria e ushqimit në kohën e COVID-19, Ekonomi theksoi se “ndërsa COVID-19 nuk është transmetuar nga ushqimi, pandemia ka mprehur fokusin në çështjet që lidhen me sigurinë ushqimore, të tilla si higjiena, rezistenca antimikrobike, sëmundjet zoonotike, ndryshimi i klimës, mashtrimi i ushqimit dhe përfitimet e mundshme të dixhitalizimit të sistemeve ushqimore”.
Mesazhet që përçohen në këtë ditë të shënuar kanë në fokus: Sigurohu që është i sigurtë – Qeveria siguron ushqim të sigurtë dhe të ushqyeshëm për të gjithë; Rriteni të sigurtë – Bujqësia dhe prodhuesit ushqimorë është e nevojshme të adoptojnë praktika të mira; Mbajeni të sigurtë – Operatorët e biznesit duhet të sigurohen që ushqimi është i sigurtë; Hani të sigurtë – Të gjithë konsumatorët kanë të drejtën e ushqimit të sigurtë dhe të shëndetshëm; Bashkohuni për sigurinë – Siguria ushqimore është një përgjegjësi e përbashkët./ atsh / KultPlus.com
Aktori Ryan Reynolds është inspiruar nga vajzat e tij të deklarohet publikisht për shëndetin mendor.
Ylli 44-vjeçar i kinematografisëm së fundmi e postoi një mesazh në Instagramin e tij për ta shënuar Muajin e Shëndetit Mendor, dhe me këtë rast deklaroi se ishin tri vajzat e tij, James, Inez dhe Betty, të cilat i ka me bashkëshorten Blake Livley, ato që e kanë inspiruar të flasë hapur për problemet e tij me ankthin.
“Një prej arsyeve pse kam vendosur të flas për këtë problem është ngase i kam tri vajza të vogla në shtëpi, dhe është pjesë e punës sime si prind të jem shembulli i tyre për çdo sjellje, t’iu tregoj atyre si është të jesh i pikëlluar, në ankth apo edhe i zemëruar. Pra t’iu tregojë se ka hapësirë për të gjitha këto ndjenja. Në familjen ku jam rritur, në fakt asnjëherë nuk i kam mësuar këto gjëra, dhe kjo nuk nënkupton se prindërit e mi na kanë neglizhuar, por ata i takonin një gjenerate tjetër ku nuk ishte normale të flitej me fëmijët për këto ndjenja”, kishte shkruar aktori në mesazhin e tij.
Reynolds po ashtu thotë se është i vendosur t’i largojë të gjitha stigmat rreth shëndetit mendor, në mënyrë që sa më shumë njetëz të ndihen të sigurt të flasin për çështjet dhe problemet e tyre.
“Po mundohem ta krijojë një hapësirë të sigurt ku njerëzit mund të flasin për shëndetin mendor. E di që kur unë kam qenë në gjendjen më të keqe të mundshme si pasojë e ankthit, ishte ngase ndihesha i vetmuar në atë që po e ndjeja. Prandaj mendoj se kur njerëzit flasin për problemet e tyre, në njëfarë mënyrë shlirohen vet dhe i ndihmojnë edhe të tjerët të ndihen njësojë”, ka përfunduar Reynolds.
Ylli i filmave “Deadpool” shpreson se duke folur për eksperiencat e tij, do t’i ndihmojë edhe të tjerët që janë në të njëjtën pozitë sikurse ai. / Koha.net / KultPlus.com
Mbrëmë janë ndarë çmimet Televizive Britanike të Akademisë 2021.
Ylli i Britanisë, ‘Got Talent’, Ashley Banjjo fitoi çmimin i cili edhe zbuloi disa të pathëna nga jeta e tij.
Ai foli për abuzimin që i është bërë pasi ka përkrahur kauzën “Black lives matter”, derisa tha se ka marrë komente të shumta fyese teksa deklaroi se njerëzit duhet të ndryshojnë mendimet rreth njerëzve me ngjyrë.
Pavarësisht nga ceremonia e suksesshme në përpjekjet e saj për t’iu përmbajtur kufizimeve të Covid, nuk kishte edhe aq kujdes nga disa mysafirë ndërsa nuk munguan edhe disa çështje teknike.
Ashley, u bashkua me vëllain e tij Jordan në skenë për të pranuar çmimin për “Must See TV Moment”, i vetmi çmim i votuar nga publiku.
Dyshja reflektoi mbi abuzimin e tmerrshëm që ata kishin marrë pas vdekjes së George Floyd e cila ndezi 24,000 ankesa në mbikëqyrjen e mediave Ofcom.
Ashley tha: “Kjo është e çmendur! Ky është shumë më tepër sesa thjesht një çmim, së pari dua të them faleminderit çdo personi të vetëm që votoi për ne, do të thotë kaq shumë, çdo telefonatë, mesazh, koment, DM, ju djema bëtë një ndryshim në atë që ishte një kohë vërtet e errët. Duke qenë në një stuhi prej 30,000 komentesh thjesht duke qenë në një lumë kërcënimesh, kjo mbështetje bëri një ndryshim. Unë dua të them faleminderit njerëzve që e dënuan atë abuzim në internet, ju treguat pse ajo performancë ishte e nevojshme. Sa më shumë që ka kaq shumë biseda dhe aq shumë ka nevojë për të ndryshuar, kjo është si duket ndryshimi, unë jam shumë mirënjohës për të gjithë ata njerëz, për mua nuk ka të bëjë me paraqitjen e pakicës, duke qëndruar këtu tani kjo përfaqëson shumicën, shumë faleminderit. Le të vazhdojmë të qëndrojmë në këmbë për atë që është e drejtë”./ rtk / KultPlus.com
David Dushman, ushtari i fundit i mbijetuar që mori pjesë në çlirimin e kampit nazist të vdekjes në Auschwitz, ka vdekur në moshën 98-vjeçare.
Dushman, një veteran i Ushtrisë së Kuqe Hebre, i cili më vonë u bë një skermier olimpik, vdiq në Gjermani të shtunën.
Si një ushtar 21-vjeçar, ai përdori tankin e tij për të rrëzuar gardhin elektrik të kampit më 27 janar 1945, duke ndihmuar në lirimin e të burgosurve.
Rreth 1.1 milionë njerëz u vranë në Auschwitz, shumica prej tyre hebrenj.
“Kur mbërritëm, pamë rrethimin dhe këta njerëz të pafat. Ne e shpërthyem gardhin me tanket tona. Ne u dhamë ushqim të burgosurve dhe vazhduam’’, kishte rrëfyer vitin e kaluar Dushman.
Dushman ka thënë se ai nuk ishte në dijeni të ekzistencës së Auschwitzit gjatë luftës, vetëm duke mësuar për mizoritë e kryera atje vite më pas. / KultPlus.com
Më 7 qershor të vitit 1862, Shtetet e Bashkuara dhe Anglia kanë nënshkruar një traktat për t’i dhënë fund tregtisë së skllevërve.
Marrëveshja i jepte secilit vend të drejtën për të kontrolluar anijet tregtare të vendit tjetër për transportimin kontrabandë të skllevërve, ndërsa lundronin nëpër një zonë të caktuar të Oqeanit Paqësor.
Në bazë të traktatit krijoheshin gjithashtu gjykata ndërkombëtare në Sierra Leone, Kepin e Shpresës së Mirë dhe në New York për të gjykuar kontrabandistët.
Deri në vitin 1864, tregtia e skllevërve nga Afrika kishte marrë fund si rezultat i traktatit anglo-amerikan dhe bllokadës së porteve jugore gjatë luftës civile amerikane./ rtv 21/ KultPlus.com
Një grup heroinash me fuqi kozmike duhet të shpëtojnë përsëri universin. Ato janë vajzat e famshme “Sailor”, që rikthehen në ekran si “Sailor Moon”, por këtë herë në një film të vërtetë.
“Filmi “Sailor Moon”, publikuar në vitin 1991 për herë të parë, u rikthye vitin e shkuar por përsëri si film i animuar me disa seri të reja.
Por tashmë vajzat Sailor vijnë në një film me dy seri, prodhuar në Japoni, e që do të shfaqet premierë për publikun e perëndimit në Netflix./a2/ KultPlus.com
Paleontologët kinezë zbuluan skeletin e një dinozauri në Lufeng, në jug-perëndim të Kinës.
Skeleti është rreth 70% i paprekur edhe pse mendohet se dinozauri ka jetuar rreth 180 milionë vjet më parë. Ai besohet të ketë qenë rreth 8 metra i gjatë.
“Një fosil kaq i plotë është një zbulim i rrallë në të gjithë botën”, u shpreh Wang Tao, kreu i Qendrës së Ruajtjes dhe Kërkimit të Fosileve të Dinozaurëve në Lufeng. Ai përshkroi fosilin si një thesar kombëtar.
Autoritetet po planifikojnë që të kryejnë gërmimet me emergjencë për të shpëtuar skeletin, pasi ai ndodhet në një vend me rrezik të madh erozioni të tokës./a2/KultPlus.com