Pierre Kastriot Jashari, fitues i çmimit të rëndësishëm në festivalin e fotografisë, në Biel

Festivali i madh, i 24-të i fotografisë “Bieler Fototage” në qytetin Biel/Bienne (Kantoni i i Bernës) ka përfunduar të dielën.

Programi i planifikuar për vitin 2020 duhej të shtyhej vitin e kaluar për shkak të pandemisë. 10,000 vizitorë kanë vizituar 23 ekspozitat e festivalit nën titullin e përbashket “Cracks”që ka zgjatur tri javë, shkruan “Bieler Tagblatt”.

Si pjesë e festivalit, dy çmime janë dhënë për herë të parë këtë vit: Nigeriani Anthony Ayodele Obayomi ka marrë Çmimin “Taurus” për Artet e Bukura për projektin e tij në vazhdim. Ai do të ekspozojë punën e tij nga 4 korrik deri më 29 gusht në “Photoforum Pasquart” në Biel dhe më pas në “Lagos Photo” në Nigeri. Me instalimin e tij, artisti vë në dyshim komercializimin e shpresës në jetën e përditshme të nigerianëve shpesh të varfër.

Ndërsa fituesi i parë i çmimit “Enquête photograpique Bernese Jura” të kësaj ekspozite është bashkatdhetari ynë, Pierre-Kastriot Jashari, transmeton albinfo.ch. Puna e artistit, i cili jeton dhe është i lindur në Biel/Bienne, Kantoni i Bernës, do të prezantohet nga 25 deri më 26 shtator si pjesë e Bienales  Nokturno të Fotos “No’Photo” në Gjenevë.

Koleksioni i tij i portreteve dhe peizazheve merret me jetën e përditshme të rinisë multikulturore në Jurën e Bernës, portrete dhe peizazhe që luajnë në një mënyrë delikate me dritën dhe hijen.

Punimet e tij vënë në dyshim ndjenjën e përkatësisë së një individi në nivelin e mjedisit të tij ose të saj.

Pierre-Kastriot Jashari dëshiron të bëjë të dukshme atë që zakonisht thuhet vetëm pas dyerve të mbyllura, gjërat e fshehura apo edhe të bëra të paqasshme në shoqërinë tonë.

Artisti i ri shqiptar është i lindur në Biel në 1994 si djali i prindërve të arratisur nga Kosova në vitin 1990. /albinfo/ KultPlus.com

Jusuf Gërvalla: Qyqarinë e tyre nuk e preku as vajtimi i djepeve shqiptare e as loti i nënave

Nga Jusuf Gërvalla

Qyqarinë e tyre nuk e preku as vajtimi i djepeve shqiptare, loti i nënave e as malli i burrave shqiptarë, që u dëbuan nga vatrat stërgjyshore dhe morën në sy shkretëtirat e Anadollit. Tradhtarët ishin gjithnjë këtu, të pranishëm kudo, si biberi në tavë…

E di mirë Beogradi se nuk gjendet dot ilaç për ta shëruar te populli ynë kujtimin e vrasjeve e të plagosjeve, as akullin e burgjeve të kësaj pranvere…

Kur ushtria e milicia fashiste mbulojnë në gjak Kosovën, duke shkelur mbi popullsinë e pambrojtur, ata çirren: “Të distancohemi nga nacionalistët, shovinistët, reaksionarët e kundërrevolucionarët shqiptarë, që duan të rrezikojnë revolucionin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë”!

— Jusuf Gërvalla, “Tradhëtarët e vjetër dhe tradhëtarët e rinj”, gazeta “Liria”, nr. 4-5, gusht 1981. / KultPlus.com

Kërcimtarja 106 vjeçare: Nuk jam e plakur, qëndrimi im për të krijuar është identik me atë si kur isha fëmijë

Në moshën 106 vjeçare kërcimtarja, Eileen Kramer duket më produktive se kurrë.

Zonja Kramer në moshën 99 vjeç u kthye në qytetin e saj, Sidneit. Që atëherë, ajo bashkëpunon me artistë për të krijuar video që shfaqin talentin dhe pasionin e saj, kërcimin.

106 vjeçarja gëzon shëndet të mirë dhe ndihet vajzë në shpirt, dhe kjo transmetohet te të gjithë, raporton BBC, përcjell KultPlus.

Video / Kërcimtarja 106 vjeçare: Nuk jam e plakur, thjesht kam

Ajo krijon koreografi dhe interpreton duke u fokusuar kryesisht te lëvizja e krahëve.

“Që nga kthimi në Sidnei kam qenë shumë e zënë. Kam interpretuar tre pjesë të mëdha vallëzimi në NIDA (Instituti Kombëtar për Artin Dramatik) dhe teatrot e pavarura. Kam marrë pjesë në dy festivale të mëdha kërcimi, kam marr pjesë në një film, kam dhënë shumë shfaqje të vogla, kam shkruar tre libra dhe sot po kaloj një ditë të lirë duke folur me ju!” thotë 106 vjeçarja.

Pyetja më e shpeshtë që dëgjon nga njerëzit është se nga buron e gjithë energjia e saj dhe nëse ka ndonjë sekret për të kërcyer në moshë të thyer.

Përgjigja e saj është se ajo  ka përjashtuar fjalët “e vjetër” dhe “moshë” nga fjalori i saj.

“Nuk jam e plakur, thjesht kam qenë këtu për një kohë të gjatë dhe kam mësuar disa gjëra gjatë rrugës. Nuk e kuptoj  sesi njerëzit thonë se duhet të ndihesh ndryshe kur je i plakur. Qëndrimi im për të krijuar gjëra është identik me atë si kur isha fëmijë”. / KultPlus.com

Drita Agolli, regjisorja e parë në Shqipëri përkujtohet në ditën e lindjes

Përkujtohet sot artistja Drita Agolli. Ajo lindi më 2 qershor 1925 në Peshkopi. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë ndër vajzat më në zë që ka luftuar dhe për këtë shkak ajo kaloi edhe në ilegalitet. Pas çlirimit bëhet pjesë e Teatrit Popullor falë talentit dhe të dhënave që kishte si artiste.

Gjatë viteve 1954- 1956 studion për skenografi dhe kostumografi në Akademinë e Arteve të Bukura në Rumani. Më pas studion për regjisurë në Institutin Shtetëror të Artit GITIS në Moskë duke u bërë edhe gruaja e parë e diplomuar për regjisore në Shqipëri.

Pasi kthehet në Shqipëri ajo jep një kontribut shumë të madh në “Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë” duke drejtuar edhe katedrën e dramës dhe përgatit breza të tërë aktorësh të cilët do të bëheshin mjaft të dashur për publikun.

Gjithashtu ajo vazhdonte angazhimin e saj si regjisore por edhe si aktore në Teatrin Popullor duke interpretuar shumë role si Gertruda tek Hamleti, Klea në Dhelpra dhe rrushtë, Ortensia në Zonja e Bujtinës, Blanka në Otello e shumë role të tjera.

Ndërsa si regjisore ajo njihet për shfaqje të dimensioneve të mëdha si “Lumi i Vdekur” i Jakov Xoxës, “Intrigë dhe Dashuri” nga Shiler, “Familja e Peshkatarit, “Shtrëngata”, “Llampa e neonit”, “Toka e zjarrtë”, “Pabesia”, “Njerëzit e thellësive” etj

Regjisorja e teatrit, aktorja, pedagogia e aktrimit Drita Agolli ka dhënë një kontribut të madh si regjisore edhe në “Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit” /atsh/ KultPlus.com

Xhaxhi Piktori në KultPlus Caffe Gallery: Përpara fëmijëve nuk ndalojmë asnjëherë

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery është shndërruar në një vend ku përveç që zënë vend organizimet nga më të ndryshme për të rinjtë që dashurojnë artin, kulturën dhe jo vetëm, tani hapësira u shfrytëzua edhe nga fëmijët të cilët përmes vizatimeve dhe pikturimit, me rastin e 1 qershorit, ata kaluan një pasdite mjaft të bukur me piktorin e njohur Kosta Zhonga, shkruan KultPlus.

Dje, një ngjarje e tillë ka mbledhur rreth vetës një numër të madh të fëmijëve dhe prindërve të tyre, ku të gjithë kishin ardhur për të kaluar një pasdite nën shoqërimin e melodive të këngëve të ndryshme për fëmijë dhe përmes ngjyrave të shumta të cilat ishin të shpërndara gjithandej, ata arritën të krijojnë një kryevepër krejt në fund, një mozaik i formuar nga copëzat e shumta që fëmijët kanë ngjyrosur, me ç’rast mozaiku zuri vend në dritaret e KultPlus Caffe Gallery.

Përmes një aktiviteti të tillë u dallua mjaft shumë edhe dëshira dhe nevoja e madhe për ngjarje të tilla që organizohen nga dhe rreth fëmijëve. Këto ngjarje jo vetëm që shpalosin talentin e tyre në një moshë të re por aty në fakt mund të nis edhe rrugëtimi i tyre për një të ardhme që ngërthen artin në formën më të mirë të mundshme.

Me fleta të bardha dhe ngjyra të shumta, fëmijët nisën të pikturonin figurën e vendosur para tyre. Lumturia që dallohej në sytë e piktorit ishte në të njëjtin nivel me atë të fëmijëve, të cilët kishin një energji të pa krahasueshme duke shfrytëzuar kështu në masë të madhe ndihmën e Zhongës për ti mësuar dy apo tre teknika të veçanta të pikturimit.

Teksa fëmijët pikturonin, prindërit ishin ata që po ndiqnin punën e tyre më buzëqeshje në fytyrat e tyre, e disa të tjerë iu vinin në ndihmë fëmijëve të tyre kur ata hasnin në ndonjë problem. Po ashtu, fotografitë dhe bisedat e ndryshme ishin bërë pjesë kyçe e këtij aktiviteti që shënoi Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Kështu krejt në fund, pas përfundimit të pikturimit të tyre, fëmijët së bashku me piktorin morën vizatimet e tyre afër vetes dhe me një buzëqeshje që nuk hiqej dot asnjë sekondë, ata vendosën ngadalë vizatimet e tyre në dritare duke formuar kështu mozaikun final, një mozaik ku fjala ‘1 qershor’ ishte ngjyrosur nga secili fëmijë i pranishëm ku u formua edhe rasti më i mirë për të bërë një fotografi unike me piktorin.

Gjithashtu, fletoret e vizatimit të botuara dhe të firmosura nga vetë piktori ishin një kujtim i bukur i ditës së djeshme që fëmijët do ta kenë gjithmonë me vete.

Ndërsa, për të folur më shumë rreth këtyre momenteve, për KultPlus foli vetë piktori Kosta Zhonga.

“Kjo ditë është e mrekullueshme sepse po e shoh se sa të interesuar janë fëmijët dhe prindërit e tyre prandaj dua edhe ti uroj 1 qershorin. Ajo çka më pëlqeu ishte se të gjithë fëmijët shumë të talentuar me sa po e shikoj unë.  Janë të mrekullueshëm si vajzat edhe djemtë. Por edhe prindërit janë shumë ta pasionuar pas pikturës”, thotë Zhonga.

Sipas tij, të gjithë ata të pranishëm e donin pikturën sepse vazhdimisht kërkonin akoma më shumë letra e ngjyra, prandaj edhe ai mundohej t’ia shpjegonte fëmijëve lëvizjet dhe teknikat e dorës për të krijuar figura të ndryshme.

“Unë jam i gatshëm gjithmonë për aktivitete të tjera të njëjta sepse përpara fëmijëve nuk ndalojmë asnjëherë”, përfundon Zhonga për KultPlus.

KultPlus me mbështetje të Komunës së Prishtinës organizoi punëtorinë me Kosta Zhongën, i njohur për fëmijët si Xhaxhi Piktori. / KultPlus.com

Vdes Zoje Prendi, nëna e pesë djemve të vrarë në masakrën e Mejës

Sot ka vdekur nëna e pesë djemve të vrarë nga forcat serbe në masakrën e Mejës, përcjell KultPlus.

Zoje Prendit, serbët më 27 prill 1999 ia vranë pesë djem,Viktorin, Sokolin, Markun, Robertin dhe Gjergjin.

Fotoja e nënës Zoje Prendi është e vendosur në Muzeun e Kujtesës në Prishtinë.

“Sot qenka shuar Zoje Prendi, nëna që ia fali Kosovës pesë djem të vrarë në masakrën e Mejës,Viktorin, Sokolin, Markun, Robertin dhe Gjergjin, qenka shuar portreti i poezisë sime ‘Rrëfimi për një nënë’, i botuar në antologjinë ‘Dritë mbi plagë’. Kjo kroniste e rënies tragjike të Gjakovës. Fotoja e nënës Zoje Prendi është në Muzeun e Kujtesës në Prishtinë, kujtimi për të nuk vdes sot dhe këtu!”, ka shkruar Eduard Frrokaj në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

Hapen aplikimet për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit bën me dije se hapet thirrja e “Fondit për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë”.

Synimi përmes këtij projekti nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit është nxitja e shkrimit të kësaj letërsie dhe vazhdimësia e zbatimit të politikave të këtij institucioni në mbështetje të krijimtarisë së autorëve shqiptarë për fëmijë.

QKLL-ja shprehet se fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë, do të vijojë të jetë ndër projektet bazë dhe të përvitshme.

Poezia dhe proza janë dy gjinitë e letërsisë për fëmijë dhe thirrja u drejtohet të gjithë krijuesve të kësaj letërsie mbi moshën 18 vjeç.

QKLL ka bërë të ditur gjithashtu edhe mënyrën se si do të procedohet me formën e aplikimit dhe se të gjithë aplikantët do të mund të bëhen pjesë e këtij projekti vetëm duke ndjekur kushtet e përcaktuara nga institucioni.

“Aplikimi kryhet nga një botues i pajisur me licencë përkatëse, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor. Shuma e financimit për mbështetjen e procesit krijues të veprës, do t’i paguhet botuesit. Aplikimi filloi më datën 1 qershor dhe përfundon në datën 28 qershor, ora 16:00. Dokumentacioni përkatës duhet dorëzuar pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, brenda datës 28 qershor. / KultPlus.com

Blerta Basholli, ligjëruese në ‘Neo School’ të Kino ‘Armata’

Regjisorja Blerta Basholli do të ligjëroj në Neo_School, shkollën joformale për prodhimin e filmave të shkurtë dokumentarë të organizuar nga Kino ‘ARMATA’ mes 31 maj – 4 korrik 2021, mbi përvojën e saj në industrinë filmike, sidomos suksesin e jashtëzakonshëm me filmin e saj të fundit “Zgjoi”, përcjell KultPlus.

Blerta Basholli është skenariste/regjisore me stil unik dhe realistik vizuel. Rrëfimet e saj prekin çështjet sociale dhe gjinore të shtetit ku ka lindur dhe është rritur, Kosovës e përtej.

Në vitin 2008 ajo ka fituar Deans Fellowship në programin pasdiplomik të filmit në Tisch School of the Arts – NYU. Blerta ka jetuar në New York për katër vite, ku pati mundësi të punojë në disa projekte studentore të filmit.

Filmi i saj i shkurtë “Lena & Me”; i shfaqur dhe shpërblyer në: First Run Film Festival 2011; Dokufest 2011; Skena Up 2011; Tirana International FF 2011; Pogradec Food and Film Festival 2011; 9/11 Film Festival 2012 – Shpërblimi për Aktoren më të Mirë.

Filmi i shkurtë “Gjakova 726”, 2008, mori pjesë në Rotterdam Film Festival 2009 në programin e filmave të shkurtë, Busho Film Festival 2009 – garën zyrtare, Doku Fest 2009 – garën zyrtare 2009, Toffifest 2009 – garën zyrtare, Filmmor Women’s Film Festival 2009 – garën zyrtare.

Filmi dokumentar “Mirror, mirror…”, 2006, është përzgjedhur zyrtarisht nga Sarajevo Film Festival 2006, New York International Independent Film and Video Festival 2016, Tirana International Film Festival 2006; Balkan Black Box Film Festival 2006, Berlin.

Në vitin 2011, ajo u kthye në vendlindjen e saj, Prishtinë, Kosovë, ku shkroi dhe ishte regjisore e shumë filmave të shkurtë dhe të gjatë.

Në vitin 2020, ajo përfundoi filmin e saj të parë të luajtur “ZGJOI”, të cilin e shkroi dhe e bëri regjinë sipas tregimit të vërtet. Zgjoi u shfaqë në Sundance Film Festival 2021 si pjesë e World Cinema Dramatic Competition dhe bëri historinë duke fituar tri shpërblime, Shpërblimin e Madh të Jurisë, Regjinë më të Mirë dhe Shpërblimin e Audiencës. Ky është filmi i parë në Sundance që fitoi të tri shpërblimet në këtë garë.

Neo_School Info: fb.com/1502507309877883/posts/3737138646414727

Neo_School përkrahet nga Agjencioni Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Promovohet romani ‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’ në italisht

Nesër në Romë, promovohet romani i Jusuf Buxhovit “Per te terra mia – Le Confessioni di Gjon Nikola Kazazi” (Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit) i botua këto ditë në italisht nga shtëpia e njohur botuese e Romës “Armando” në përkthimin e Liljana Cuka-Maksuti.

Botuesi italian ka bërë të ditur se më 3 qershor, në orën 16, nën moton “Historia e zhdukjes së një populli”, do të promovojë romanin para një audience reprezentative kulturore dhe intelektuale italianë, e ku pritet të marrin pjesë edhe ambasadorët e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, përfaqësuesi i Ipeshkvisë së Kosovës dhe të arbëreshëve nga Italia.

Në prononcimin e botuesit, pos tjerash thuhet se “bëhet fjalë për një roman të madh nga një periferi, nga aty ku historikisht politika dhe feja luftojnë për hapësirën dhe mbikëqyrje” Më tutje thuhet se “ardhja e murtajës, mbyllja, mosbesimi ndaj fuqisë, marrëdhënia me Zotin dhe nevoja për të organizuar një “rezistencë”, morale dhe efektive, kundër një autoriteti që dëshiron të asgjësojë një popull me dinjitet dhe nder në mënyrë që të krijojë ” njeriun i ri perandorak.

Historia, tepër e fortë dhe plot ide filozofike, flet për një lidhje të pazgjidhshme midis një populli dhe tokës së tij, por në të njëjtën kohë është gjithashtu një histori e besimit dhe mosbindjes si një mjet për të arritur emancipimin e shpirtit, gjithmonë një fill i hollë i herezisë.

Është gjithashtu një luftë kundër ndjenjës së pafuqisë që njeriu ndien përpara një epidemie misterioze dhe kërcënuese në të cilën mund të shohim shumë ngjashmëri me të tashmen.

Liria ose vdekja – është udhëkryqi para të cilit gjenden protagonistët, të burgosurit e një bote në të cilën politika dhe feja garojnë për hapësirën dhe prozelitët. / KultPlus.com

Kruja në dokumentet dhe fotografitë e rralla nga Fondi i Arkivave

Një ekspozitë unike është çelur nga DPA-ja, pranë Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti” në Krujë me dokumente të rëndësishme për jetën e qytetit dhe fotografi të rralla dhe të vjetra që ruhen në Fototekën e AQSH-së.

Ndër dokumentet e ekspozuara, një plan rregullues i Krujës i vitit 1944; dokumente që publikohen për të parën herë për ndërtimin e shtatores së Skënderbeut; dokumente që dëshmojnë përpjekjet për ndërtimin e Muzeut në vitin 1937 dhe gjatë periudhës së komunizmit.

Ardit Bido, drejtor i përgjithshëm i Arkivave u shpreh se, “kjo ekspozitë ka dy pika kryesore, vetë jetën e qytetit përmes edhe imazheve shumë të vjetra ku çdo person mund të gjejë lagjen apo rrugën ku ka banuar. Dhe dokumentet për ndërtimin e një muze i cili nga pikëpamja simbolike është shumë i rëndësishëm, siç është ky i Skënderbeut, ku ne kemi vendosur t’i sjellim këto dokumente. Kështu, ajo që ruhet në fondet tona ne kemi mision ta çojmë aty ku jetojnë shqiptarët”.

Drejtori i Qendrës Muzeore Krujë, Mehdi Hafizi tha se, një ekspozitë e tillë është me rëndësi për vetë muzeun dhe vizitorët e tij të cilët veç gjithçkaje gjejnë brenda, mund të shohin edhe këtë pasuri dokumentare që gjendet në arkiva e që lidhet me këtë qytet dhe vetë muzeun.

Ekspozita ishte një bashkëpunim i DPA-së me Qendrën Muzeore Krujë dhe Bashkinë Krujë, përfaqësuesi i së cilës Drini Masha tha se, “kjo është një ekspozitë me vlerë për qytetin dhe që ne do të dëshironim ta shëtisnim edhe në pika të tjera në qytet për ta parë sa më shumë banorë të qytetit por edhe vizitorë të tij”.

Kjo ekspozitë do të jetë në Krujë përreth 2 javë dhe cilido mund të shohë dokumente me rëndësi, një pjesë e të cilave shfaqen për herë të parë. /atsh/ KultPlus.com

‘Coachella’ publikon datat për vitin 2022, rikthehet me muzikë live

Pasi një nga festivalet më të mëdhenj të muzikës në Kaliforni u shty ose anulua shumë herë gjatë gjithë pandemisë COVID-19, datat për rikthimin e tij janë caktuar, shkruan CNN.

Festivali i Muzikës dhe Arteve i Luginës Coachella në Indio do të mbahet nga 15 deri më 17 prill dhe 22 deri më 24 të vitit të ardhshëm, sipas faqes së internetit të Coachellas.

Pasi festivali i prillit 2020 u shty për në tetor të atij viti, ai u anulua nga shqetësimi që qindra mijëra të pranishëm do të përhapnin më tej COVID-19.

Ishte planifikuar gjithashtu për në prill të këtij viti përpara se të anulohej përsëri.

Shitjet paraprake të biletave për festivalin e 2022-ës fillojnë më 4 qershor në 10:00 PT. Të pranishmit e interesuar mund të kenë qasje në shitjen paraprake tani.

Festivali Stagecoach, i cili mbahet gjithashtu në Indio, njoftoi se do të kthehet edhe në pranverën e ardhshme: 29 prill – 1 maj.

Fansat mund të regjistrohen në faqen e internetit të festivalit për t’u njoftuar kur do të ketë shitje paraprake të biletave.

Lista e këngëtarëve për secilin festival nuk janë njoftuar ende.

Lajmi për kthimin e festivaleve të muzikës vjen mes një serie njoftimesh rikthimi: muajin e kaluar, organizatorët prapa Lollapalooza, festivali më i madh i muzikës në Çikago, njoftuan se festivali do të kthehej këtë verë me vaksinat COVID-19 ose testet negative të kërkuara nga të gjithë të pranishmit. / KultPlus.com

Një i mitur në Suharekë, keqtrajtohet fizikisht nga drejtori i shkollës

Një i mitur nga Suhareka ka raportuar në Polici se është keqtrajtuar fizikikisht nga drejtori i shkollës. Nga lëndimet që ka marrë, i mituri ka pranuar edhe tretman mjekësor, raporton Express, përcjell KultPlus.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

“Suharekë 01.06.2021 – 11:10. Viktima mashkull kosovar nxënës (i mitur), ka informuar se është keqtrajtuar fizikisht nga drejtori i shkollës i dyshuari mashkull kosovar. Sipas viktimës ngjarja ka ndodhur në objektin e shkollës. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është liruar. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. / KultPlus.com

Biden përkujton masakrën e Tulsës: Disa padrejtësi janë të llahtarshme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përkujtoi masakrën e vitit 1921 kundër komunitetit afrikano-amerikan në Tulsa të Oklahomës, duke thënë se SHBA-ja duhet të mësojë nga një prej episodeve më të këqija të trazirave racore.

Për të shënuar 100-vjetorin e ngjarjes, Biden vizitoi qytetin e Tulsës, ku edhe zbuloi iniciativa të reja, që, sipas tij, do të adresojnë pabarazitë racore në pasuri, pronësi shtëpish dhe pronësi biznesesh.

”Ky nuk ishte rebelim, ishte masakër”, tha Biden para një audience në lagjen Grinvud, ndërsa dhunën racore e përshkroi si “njërën ndër më të këqijat në historinë tonë – por jo të vetmen”.

Biden është presidenti i parë amerikan që përkujtoi masakrën e një shekulli më parë.

Në vitin 1921, më 31 maj dhe 1 qershor, Tulsa u përfshi nga trazirat racore dhe vrasjet.

E gjitha filloi kur një i ri afrikano-amerikan, me emrin Dick Rowland, u akuzua për sulm ndaj një gruaje të bardhë – një pretendim që nuk u dëshmua kurrë – dhe pas thashethemeve se një turmë e njerëzve të bardhë planifikonte ekzekutimin e tij.

Një turmë e afrikano-amerikanëve – shumë prej tyre të armatosur – në përpjekje për të parandaluar ekzekutimin, u përball me një turmë të njerëzve të bardhë – disa gjithashtu të armatosur – në gjykatën ku po mbahej Rowland, duke çuar në një konfrontim vdekjeprurës, që la të vdekur dhjetë të bardhë dhe dy afrikano-amerikanë.

Pastaj, protestuesit e bardhë vranë afrikano-amerikanë, plaçkitën shtëpi dhe u vunë flakën blloqeve të lagjes Grinvud të Tulsas.

Në vitin 2001, një komision shtetëror i Oklahomës regjistroi zyrtarisht 36 të vdekur: 26 afrikano-amerikanë dhe dhjetë të bardhë.

Por, disa historianë thonë se numri i të vdekurve arrin deri në 300 njerëz – shumica e tyre afrikano-amerikanë.

Gati 10,000 njerëz mbetën të pastrehë dhe biznese të panumërta u shkatërruan, duke i dhënë fund një qendre ekonomike dhe kulturore afrikano-amerikane.

Të mbijetuarve nuk iu dha asnjë kompensim dhe kompanitë e sigurimeve mohuan shumicën e pretendimeve të afrikano-amerikanëve.

Ngjarjet kryesisht munguan në librat e historisë deri në vitet e fundit.

“Për shumë gjatë, historia e asaj që ndodhi këtu u tregua në heshtje”, tha Biden.

“Disa padrejtësi janë aq të tmerrshme, aq të llahtarshme, aq të rënda, saqë nuk mund të varrosen, pa marrë parasysh se sa përpiqen njerëzit. Vetëm me të vërtetën mund të vijë shërimi”, tha Biden.

Biden, i cili pati mbështetjen e afrikano-amerikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, u zotua se do të adresojë çështje të tilla si dhuna e policisë, racizmi dhe pabarazitë.

Biden njoftoi gjithashtu se zëvendëspresidentja Kamala Harris do të udhëheqë përpjekjet për reformën e votimit, në përgjigje të atyre që demokratët i cilësojnë si përpjekje të republikanëve për të miratuar ligje që kufizojnë mundësinë e votimit.

Republikanët i mohojnë pretendimet e demokratëve, duke thënë se ligjet në disa shtete si Xhorxhia, në të vërtetë e zgjerojnë mundësinë e votimit dhe janë më përfshirëse se në një numër shtetesh të udhëhequra nga demokratët.

Biden gjithashtu shpalli disa iniciativa të reja, që administrata e tij shpreson se do të ndihmojnë për të ngushtuar hendekun e pasurisë midis afro-amerikanëve dhe të bardhëve, si dhe do të nxisin investimet në komunitetet afrikano-amerikane, duke zgjeruar qasjen e tyre në pronësinë e shtëpive dhe pronësinë e bizneseve të vogla. / Gazeta Express / KultPlus.com

Kopertina e Revistës ‘Atlante’ më 1969: Kërkimi ynë, shqiptarët e Italisë

Kopertina e gushtit të vitit 1969 të revistës italiane “Atlante” është e veçantë pasi në foto të parë është një vajzë arbëreshe që mbart kostumin e saj kombëtar.

Ka qenë studiuesi arbëresh Vincenzino Ducas Angeli Vaccaro, nga komuna e Firmo-s, që e ka risjell në vëmendje këtë kopertinë.

Kjo revistë e përmuajshme e Institutit Gjeografik De Agostini, është publikuar në Novara, dhe ka përfshirë në fushën e saj të interesit edhe etnografinë e zonave gjeografike që kishte në objekt të punës së saj. Titulli kryesor i numri është: “Kërkimi ynë: Shqiptarët e Italisë”./ KultPlus.com

Lidh dy kulla, hapet “pishina qiellore” në Londër

Hapet pishina më e re dhe më luksoze në Londër. Pishina “qiellore” është e gjatë 25 metra dhe lidh dy prej qiellgërvishtësve më të rinj në Londër, të vendosur në lagjen “Nine Elms”.

E varur në 35 metra lartësi, ajo mund të përdoret vetëm nga banorët e dy kullave rezidenciale që tashmë kanë provuar ndjesinë e të notuarit në një pishinë të tillë.

Në total, në të dyja godinat do të ketë 2000 apartamente, me çmimet që fillojnë nga 600 mijë deri në 5 milionë paund, për suitat e katit të fundit.

Pishina, e gjitha prej xhami u prodhua në Kolorado, SHBA, dhe bëri mbi 8 mijë km deri në Londër./a2/KultPlus.com

‘Kanë një botë me ëndrra, janë të vegjël shumë’ (VIDEO)

Parashqevi Simaku është një këngëtare e njohur shqiptare ndërsa repertori i saj përfshin një numër të madh këngësh e interpretimesh.

Simaku njihet për zërin e saj të veçantë dhe të ëmbël, duke bërë kështu arti i saj të frymojë ndryshe.

Ajo sot më së miri kujtohet më këngën “E duam lumturinë”, shkruan KultPlus.

Kënga “E duam lumturinë” është një këngë e kompozuar nga Pirro Çako. Këngëtarja Parashqevi Simaku, me po këtë këngë në vitin 1988 fitoi çmimin e parë te Festivali i 27-të i Këngës në RTSH. Kjo këngë për shkak të tekstit e interpretimit të fuqishëm është bërë një himn i dashurisë dhe sakrificave të nënave për fëmijët.

Kjo këngë fillon me një interpretim të këndshëm nga një kor që përbëhet nga fëmijët për të vazhduar më pas me interpretimin e këngëtares Parashqevi Simaku.

KultPlus ju sjellë tekstin dhe videon e kësaj kënge.

Kur një zog, një pëllumb ne shikojmë
duam krahë si ata të fluturojmë
zemra jonë tik e tak kur troket
me zemrat flet

Në çdo stinë kudo janë pranverojnë
dhe në sy ata mbajnë jetën tonë
dashurinë, lumturinë e pafund
me ëndrra shumë

Kanë një botë me ëndrra
janë të vegjël shumë
mos lëndoni nënat
syrin e pagjumë

(2 herë)
Të gjitha do i dhuroja
kaq të lumtur ti shikoja
dhe fëmijët në gjithë globin
anembanë

Mos ja u prishni lumturinë
mos iu prekni dashurinë
as kërrkush mos ta provojë
se nënat s’ju lejojnë

Fjala “Nënë” kudo në botë
zgjon në zemra dashurinë
mirëmëngjes jetës i thotë
se nëna e lind njerinë.

Kjo dorë që e tundi djepin
gjithë botën e sundon oooooooooo ooooooo oooooo

Mos ja u prishni ëndrrat
janë të vegjël shumë
Mos lëndoni nënat
syrin e pagjumë

(2 herë)
Të gjitha do i dhuroja
kaq të lumtur ti shikoja
dhe fëmijët në gjithë globin
anembanë

Mos ja u prishni lumturinë
mos ja u prekni dashurinë
as kërrkush mos ta provojë
se nënat s’ju lejojnë

Fjala “Nënë” kudo në botë
zgjon në zemra dashurinë
mirëmëngjes jetës i thonë
se nëna e lind njerin

Kjo dorë që e tundi djepin
gjithë boten e gëzon. / KultPlus.com

Kurti uron ditën e fëmijëve me deklaratën e fëmijës që ishte viktimë e dhunës në familje: I kom ndihmu mamit me çelë derën për me ik prej babit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar ditën e fëmijëve, duke theksuar se janë zotuar të ndihmojnë fëmijët në varfëri, fëmijët që janë viktima të dhunës e ata që janë me nevoja të veçanta, shkruan KultPlus.

Kryeministri e ka shkruar këtë në një postim në Facebook ku ndër të tjera ka shkëputur një deklaratë të një fëmije që ishte viktimë e dhunës në familje.

“M’u dha ky fragment nga deklarata e një fëmije, viktimë e dhunës në familje: “I kom ndihmu mamit me çelë derën për me ik prej babit!”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka shtuar se çdo akt i dhunës qoftë fizike, psikologjike a seksuale ndaj fëmijëve, duhet të trajtohet me seriozitet të lartë, përpos në nivelin institucional, edhe në atë socio-ekonomik e shoqëror.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Në Ditën e Fëmijëve përuruam çerdhen e parë publike në Prizren, e më pas iu bashkuam fushatës “Bëhu mburoja ime’’ në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, që u lansua sot nga HANDIKOS.

M’u dha ky fragment nga deklarata e një fëmije, viktimë e dhunës në familje: “I kom ndihmu mamit me çelë derën për me ik prej babit!”.

Edhe kur kemi shkruar zotimet, edhe sot kur jemi në krye të shtetit, në mendje dhe zemër, i kemi para së gjithash fëmijët e vendit tonë, që janë e ardhmja jonë. Jemi zotuar që më së shumti e më së pari të ndihmojmë fëmijët në varfëri, fëmijët që janë viktima të dhunës dhe fëmijët me nevoja të veçanta, të cilët e kanë të domosdoshëm kujdesin e shtetit.

Çdo akt i dhunës qoftë fizike, psikologjike a seksuale ndaj fëmijëve, duhet të trajtohet me seriozitet të lartë, përpos në nivelin institucional, edhe në atë socio-ekonomik e shoqëror.

Do t’i trajtojmë me efikasitet procedurat e nevojshme pёr mbrojtjen dhe trajtimin e fёmijёve që kanë pësuar nga dhuna në familje. Qëndrojmë të hapur për bashkëpunim ndërinstitucional dhe shoqëror që të punojmë për fëmijët e vendit tonë./ KultPlus.com

Spanja hap qendrën e parë për përkujtimin e viktimave të terrorizmit

Spanja sapo ka përuruar qendrën e parë kombëtare për përkujtimin e viktimave të terrorizmit, në Vitoria.

Vendi i përzgjedhur ka një vlerë të lartë simbolike, duke pasur parasysh se është rajoni më i prekur nga ETA, një organizatë e armatosur indipendentiste, përgjegjëse për vdekjet e të paktën 850 personave.

Sidoqoftë, hapësira e re u krijua për t’u bërë homazhe edhe për viktimat e grupeve të tjera terroriste, si për shembull personat që vdiqën në sulmin xhihadist në 2004 në stacionin Atocha në Madrid.

Të pranishëm në përurim ishin Mbreti dhe Mbretëresha e Spanjës, Felipe VI dhe Letizia, kryeministri Pedro Sanchez dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

“Kujtesa është thelbësore për të ruajtur të vërtetën, dinjitetin dhe drejtësinë”, tha Felipe VI në një fjalim të marrë nga media iberike.

Hapja e një qendre për kujtesën e viktimave të terrorizmit parashikohet nga një ligj i miratuar në 2011.

U deshën dhjetë vjet për ta përuruar atë./ atsh/ KultPlus.com

Promovimi i “Kosovës – histori e shkurtër” në Mitrovicë

Historiografia institucionale shqiptare vazhdon avazin e logjikës ideologjike dhe paternalizmit ndaj Kosovës

Promovimi i librit “Kosova – histori e shkurtër” u prit me interesim edhe në Mitrovicë. Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, theksoi komponentën  shkencore të këtij libri që paraqet me dinjitet historinë e shtetit të Kosovës si qendër shqiptare në një raport kundërshtues  me realitetin e tij, që pasqyrohet në Mitrovicën e ndarë dhe Veriun jashtë sovranitetit të shtetit të Kosovës. Shikuar nga ky aspekt, Bahtiri theksoi se pikëpamjet e autorit në këtë libër, ku edhe gjendja e Mitrovicës pasqyrohet në kuadër të një kompleksiteti historik që këtë hapësirë, nga kriza lindore e këndej, për shkak të resurseve të mëdha natyrore dhe pozitës gjeografike, e kanë vu në shënjestër të interesave të fuqive të mëdha, interesa këto, që në rrethanat e tanishme duhet të gjejnë përgjigje politike brenda kornizave të sovranitet të saj dhe në përputhje me frymën eruopiane të bashkëpunimit dhe të integrimeve dhe assesi me anën e aventurave me Beogradin për shkëmbim territoresh.

Publicisti, Nexhmedin Spahiu, në fjalën e tij të rastit, librin e vlerësoi si një punë të rëndësishme autoriale, që shfaqet ndryshe nga historitë kolektive ideologjikisht të ngarkuara dhe me korniza të ngushta, të cilat, rëndom kanë paraqitur pikëpamjet e fitimtarëve (komunistëve) dhe të diktatit të tyre jashtë të vërtetës. Spahiu theksoi se autori i “Kosovës” në tetë vëllime dhe në formën e shkurtër që doli këto ditë, theu stereotipet ideologjike dhe ato të limitëve të vëna nga historiografia hegjemoniste serbe, e cila rëndom e ka deformuar pamjen historike të shqiptarëve në përputhje me interesat e veta, që shqiptarët të tregohen jashtë vazhdimësisë historike, si popull pa civilizim autokton, rrënues dhe të dëmshëm për qytetërimin evropian. Sipas Spahiu, “Kosova” e Buxhovit, edhe mund të injorohet nga xhelozia dhe arsye të tjera joshkencore  nga historianë institucionalistë në Tiranë dhe Prishtinë, shumë prej tyre të formuar gjatë mendësisë ideologjike dhe  me diapazon të rrudhur shkencor, por binarët që ka hapur autori në këtë vepër voluminoze (atë të çështjes pellazge, antikitetit, mesjetës, ato të perandorisë Osmane, Rilindjes Kombëtare dhe në veçanti të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë), mbesin të hapur dhe të pashmangshme, veçmas kur ato tashmë, në saje të përkthimit në anglisht në SHBA tashmë kanë depërtuar edhe në qarqet universitare dhe shkenvore botërore. Ato, domosdoshmërish do të kërkojnë përgjigje shkencore dhe assesi refuzim siç po ndodh tani, ngaqë shfaqen si kërkesa që i imponohen rishkrimit të historisë në përputhje me ndryshimet e mëdha shoqërore dhe politike që u pasqyruan me rënien e komunizmit si dhe kthimin e pluralizmit në realitetin shoqëror-politik shqiptar dhe më gjerë.

Duke u lidhur me këtë komponentë, pra të rishikimit të historisë si gjë të natyrshme dhe të domosdoshme, pasi që të jenë vlerësuar drejtë shumë nga stereotipet  e kaluara që solli dioptria ideologjike dhe ajo e diktatit të historiografisë serbe, autori theksoi se kjo nuk do të jetë punë e lehtë, ngaqë historiografia institucionale në Tiranë dhe Prishtinë, vazhdon avazin e vjetër, me pengun e  monopolit  paternalisht rreth gjoja të së drejtës për “të vërtetën” historike gjithëshqiptare, duke penguar me çdo kusht rishqyrtimet, korrigjimet si dhe rishkrimin e saj për aq sa këtë e determinojnë faktet meritore nga puna kompetente  hulumtuese- shkencore nëpër arkiva botërore, të cilat, deri më tash kanë qenë inkognito për historianët shqiptarë për arsye të njohura. Kjo pasqyrohet më së miri, jo vetëm me ribotimin e versionit gjoja të rishkruar të   “Historisë së Popullit Shqiptar”  në vitet 2002-2007 në katër vëllime, që nuk sjell gjë të re nga ai i viteve të gjashtëdhjeta, po përkundrazi edhe ato gjoja korrigjime nga diktati ideologjik, dalin të karikuara nga shkaku se “tradhtarët” e deridjeshëm konvertohen mekanikisht në “patriotë” dhe e kundërta! Andaj, është absurde edhe nisma e tanishme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për rishkrimin e historisë së Shqiptarëve, si thuhet, kur janë po ata që e kanë shkruar histori ideologjike, janë po ata që kanë promovuar pikëpamjet e historiografisë serbe në raport me shqiptarët ( gënjeshtrën rreth shtetit mesjetar serb në Kosovë së ciklës i përmbahen edhe sot e gjithëditën) dhe vlerësimet tjera antishkencore, që thonë se “do të sjellin një pamje të plotë objektive të historisë së shqiptarëve nga antikiteti e deri te koha jonë”, të cilat madje “do t’u dedikohen edhe historianëve të huaj si histori e plotë e shqiptarëve”! Me këtë rast, harrohet se nga historia e shqiptarëve, që pretendohet se do të jetë e plotë, po nga këta historianë është përjashtuar Mbretëria e Maqedonisë dhe Epiri si dhe është minimizuar brutalisht Dardania, duke u rrudhur në një kapitull, përkundër faktit se mbretëria e Dardanisë paraqet bërthamën e botës pellazge-shqiptare nga antikiteti,mesjeta e deri te koha jonë, ndërkohë që po kjo pjesë e Dardanisë (si vilajet i Kosovës) shfaqet bartëse e lëvizjes kombëtare  nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Duket sheshazi, që historianët e Tiranës, kryesisht të mendësisë serbe-ruse,logjikën shtetërore që prodhoi Konferenca e Ambasadorëve e Londrës e vitit 1913 kur qendrën (Kosovën) e ktheu në periferi, ndërsa periferinë (shtetin e përgjysmuar shqiptar) e ktheu në qendër, dëshirojnë ta vazhdojnë si koncept për historinë kolektive, paçka që shteti i Kosovës tashmë ka vendosur balanset e prishura të  botës shqiptare, fakt ky që përjashton paternalizmat çfarëdoqofshin ato. Në këtë aspekt, autori tha se historiografia shqiptare ka për detyrë që  t’i përfill realitet shtetërore shqiptare të vendosura më 1913 dhe 2008, përfillje kjo që ka për detyrë që të korrigjojë pikëpamjet antishkencore, sidomos ato të natyrës ideologjike, me ç’rast, në lupën e korrigjimit duhet të futen sidomos vlerësimet antihistorike për ngjarjet që solli shpërbërja e ish Jugosllavisë në vitin 1941 si dhe shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1991. Në kapitullin e parë duhet korrigjuar qëndrimi antihistorik ndaj Lidhjes së Dytë të Prizrenit të tetorit 1943 si dhe formimit të Qeverisë Shqiptare të atij viti të XH. Mitrovicës dhe Xh. Devës, së cilës duhet hequr hipotekat e “qeverisë kuislinge”, siç duhet të vlerësohet bashkëpunimi i aradheve partizane shqiptaro-jugosllave nga marrëveshja Tito-Hoxha e shtatorit 1944 si një shkas për ripushtimin e dytë të Kosovës nga Serbia me pasoja tragjike për shqiptarët dhe lëvizjen kombëtare për mbrojtjen e Kosovës nga ripushtimi sllavo-komunist në tetor 1944 – mars 1945 që u pasqyrua me rreth 50 mijë viktima, ku rëndom u masakrua popullata e pambrojtur siç ndodhi me masakrën e Tivarit, ato të Sremit dhe të tjera./ KultPlus.com

May be an image of 5 people, people sitting and people standing
May be an image of Jusuf Buxhovi and Tafil Peci Boletini

“S’ka lumturi më të madhe në botë se dashuria dhe harmonia”

Thënie nga Sami Frashëri

 Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen.

• Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.

• Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit.

• Zbavitja më e bukur për njerinë është leximi; shoku më i mirë libri.

• Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

• Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij.

• Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

• S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë prek të mirët se të këqijtë.

• Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili, për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e tij, nuk e do më atë.

• Ai që pëlqen veten e tij, nuk pëlqehet nga askush.

• Duhen shumë mend që të mund shoqërohesh me njerëz pa mend.

• Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër të keqes që të është bërë.

• Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.

• Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.

• Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

• Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

• Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se stolitë e të gjitha grave të botës.

• Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.

• Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilpërën e në të majtën librin.

• Çdo gabim i gruas së ndershme është i falur nga burri i saj.

• Shumica e njerëzve, sidomos gratë, nuk i donë ata që i donë por ata që i përbuzin.

• Vjehrra nuk e kujton asnjëherë kohën e nusërisë.

• Për dashurin s’ka gjë më të ëmbël se lotët e syve që fshihen me dorën e së dashurës.

• Fytyra e qeshur është kripa e bukurisë.

• Personi që do ti, s’ka asnjë të metë, fillo të mos e duash, pa shih sa të meta ka.

• S’ka lumturi më të madhe në botë se dashuria dhe harmonia.

• Kush i shtrohet gjithkujt është kokëdele.

• Më i poshtri njeri është ai i cili kërkon mirësi nga një i poshtër.

• Qesja nuk zbrazet duke dhënë lëmoshë.

• Delen që ndahet nga tufa e ha ujku /KultPlus.com

Mbahet ceremonia për nderë të jetës dhe veprës së aktorit Bekim Fehmiu

Kino Armata është vendi që u zgjodh për tu mbajtur një aktivitet shumë i veçantë. Ceremonia përkujtimore për nder të jetës dhe veprës së aktorit kosovar me famë botërore, Bekim Fehmiu, përcjell KultPlus.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili në fjalimin e tij Fehmiun e cilësoi si një ndër figurat qendrore të identitetit tonë kulturorë. Ai u zotua se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e kulturës, me kujdes do ta kurojnë një program vjetor dhe të përhershëm për nder të tij.

Aty gjithashtu u ndanë çmimet vjetore për kinematografi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Çmimi Kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” iu nda Afrim Spahiut, kurse çmimin vjetor për kinematografi e mori More Raça.

Ndërsa Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Ceku bëri të ditur vendimin mbi emërimin e grupit punues për hartimin e planit shtetëror për nderimin, mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e veprimtarisë së Bekim Fehmiut.

Në këtë ceremoni gjithashtu fjalën e morën: Agon Fehmiu, përfaqësues i familjes Fehmiu, miku i ngushtë i aktorit Milazim Salihu dhe aktori Enver Petrovci./ KultPlus.com

May be an image of 2 people and screen
May be an image of 1 person
May be an image of 2 people and people standing
May be an image of 1 person
May be an image of 2 people, people standing and indoor

Kori i fëmijëve ‘Vita’ prezanton Kosovën në ‘World Peace Choral Festival’

Kori i fëmijëve ‘Vita’ do të prezantohet së bashku me 200 kore nga 41 vende të botës në ‘World Peace Choral Festival’, shkruan KultPlus.

‘Nënë, emër i dashur për mua’ është kënga e parë që do të prezantohet nesër në këtë festival.

Kori i fëmijëve ‘Vita’ në këtë festival i cili po mbahet online po merr pjesë me ftesën direkte nga organizatorët e festivalit./ KultPlus.com

Objektet fetare nxisin debat mes Çekut dhe Petkoviqit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, ka treguar se gjatë vitit 2020, bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovë kanë ndodhur vetëm 57 incidente nëpër objekte fetare dhe prej tyre vetëm tetë në kisha ortodokse, përcjell KultPlus.

Ai ka thënë se bazuar nga të dhënat asnjë nga këto nuk është cilësuar me motive fetare.

“Të dhënat e Policisë së Kosovës: nga 57 incidente në objektet fetare gjatë vitit 2020, vetëm tetë kanë ndodhur në kisha ortodokse dhe 45 nëpër objekte fetare islame. Shumica e rasteve ishin vjedhje, ndërsa asnjë nga 57 incidentet nuk janë klasifikuar si të motivuara fetarisht. Ne mbrojmë trashëgiminë tonë”, ka shkruar Çeku në Twitter.

https://twitter.com/HCeku/status/1399683712388898822

Por, postimi i Çekut nuk i ka pëlqyer edhe drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Ai ka reaguar ndaj postimit të Çekut në Twitter, duke thënë se që nga viti 1999 janë shkatërruar më tepër se 135 kisha e manastire ordotokse.

“Që nga viti 1999, më tepër se 135 kisha dhe manastire të Kishës Ortodokse Serbe janë shkatëruar në K&M. Serbia ka rinovuar më tepër se 45 tempuj. Shumë kisha janë ende të rrënuara, pasi Prishtina nuk lejon rikonstruktimin e tyre. Ata që u kanë vënë flakën atyre, nuk mund të ruajnë trashëgiminë kulturore të Serbisë”, ka shkruar Petkoviq./ KultPlus.com

https://twitter.com/PetkovicPetar/status/1399723676564590592