Disa fakte që nuk i keni ditur për jetën e Sigmund Frojdit

Pionier i terapisë së kafshëve, i tmerruar nga numri 62, i kënaqur me veset e tyre, ja cilat janë aspektet e habitshme të jetës së Sigmund Frojdit, “babait” të psikoanalizës dhe interpretimit të ëndrrave.

Kush ishte Sigmund Frojdi

Lindi më 6 maj 1856 në Frajberg (Pribor), në Republikën e sotme Çeke. Doktor dhe themelues i psikoanalizës, ai e identifikoi tek e pandërgjegjshmja vendin e instikteve dhe të dëshirave, dhe tek konfliktet e pazgjidhura, shkakun e histerive dhe neurozave. Duke përmbysur një traditë mijëvjeçare, që e shihte psikikën si diçka të padepërtueshme ndaj arsyes, ai e bëri atë pikënisjen prej nga ku do të analizonte pacientin. Edhe sot Frojdi është objekt i studimeve, por sa ishte gjallë puna e tij nuk u vlerësua sa duhet, dhe teoritë e tij shiheshin me dyshim.

Pioner i terapisë së kafshëve

Frojdi mbante gjithmonë në studion e tij, Jofin, qenin e tij të racës Choë Choë. Frojdi e konsideronte jetike praninë e tij gjatë seancave të psikoanalizës, pasi ishte qetësuese për pacientët. Jofi u mësua të ndjekë seancat e të zotit, sa që me nisi të llogarisë kohën e çdo takimi. Kur qeni ngrihej në këmbë, Frojdi e dinte se seanca kishte mbaruar.

Frikërat e njeriut që zbulonte fobitë

Thuhet se Frojdi ishte i fiksuar pas numrit 62. Ai besonte se pikërisht në atë moshë, 62 vjeç, ai do të vdiste (në fakt jetoi deri në moshën 83-vjeçare). Për këtë arsye, ai nuk fjeti kurrë në një dhomë hoteli që kishte atë numër.

Një rutinë gjeniale

Zakonet e Frojdit, ishin shumë strikte. Paraditen ua kushtonte pacientëve, hante çdo ditë drekën në orën 13:00. Donte mish viçi, dhe urrente mishin e pulës. Pas drekës, dilte për një shëtitje prej 3 kilometrash, duke ndjekur gjithmonë të njëjtat rrugë. Pasdite merrej sërish me vizitat, dhe pas darke luante letra me gruan ose vajzën e tij.

Divani ishte një dhuratë

Divan i famshëm, ku ai psikoanalizonte pacientët, ishte dhuratë nga një paciente, zonja Benevenists. Ideja që pacientët të qëndronin të shtrirë në divan, i erdhi në kohën kur ai praktikoi hipnozën, dhe zbuloi se njerëzit binin më shpejt në një gjendje transi, nëse ishin shtrirë.

Konsumator frenetik i duhanit

Frojdi i adhuronte purot. Ai tymoste 20 në ditë. Për shkak të purove dhe cigareve që pinte kur ishte i ri, Frojdi u prek nga një tumor i rëndë në fyts, që çoi edhe në vdekjen e tij në vitin 1939. Kur dhimbjet e kancerit u bënë të padurueshme, ai kërkoi që t’i ndihmohej të vdiste. Mjeku i injektoi një dozë të madhe me morfinë.

Pak rroba

Në garderobën e tij, ai kishte vetëm 3 kostume, 3 palë të brendshme dhe 3 palë këpucë. Ndoshta sepse kursente para? Jo, thjesht i dukej e padobishme të blinte rroba të tjera.

Migrena dhe kokaina

Frojdi vuante shpesh nga dhimbje tmerrshme të kokës. Nga leximi i kujtimeve të tij, u arrit në përfundimin se ai vuante nga migrena, të cilën psikoanalisti u përpoq të shëronte duke përdorur kokainë. E kishte zbuluar këtë drogë që në moshën 28 ​​vjeçare. Nisi ta përdorte si një ilaç kundër ankthit, por u bë i varur prej tij, të paktën deri në moshën 40 vjeçare.

Arratia

Kur Gjermania aneksoi Austrinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, nazistët pasi dogjën në shesh librat e tij, i hynë në banesë, duke arrestuar vajzën e Frojdit Anën. ‘Babai” i psikoanalizës ishte hebre, por mbi të gjitha simpatizantët e Fyhrerit nuk e pëlqyen hetimin e tij mbi të pavetëdijshmen, dhe instinktet e qenies njerëzore.

Falë ndërhyrjes së njërës prej pacienteve të tij, Princeshës Mari Bonapart, Frojdi me gruan dhe vajzën ia dolën të emigrojnë në Paris dhe më pas në Londër. Por 4 motrat e tij, Roza, Maria, Adolfina dhe Paulina, u zhdukën në një kamp përqendrimi. Frojdi arriti të korruptonte disa nazistë, që mbrojtën arkivin dhe një pjesë të trashëgimisë së tij.

Poliglot autodidakt

Përveç gjermanishtes, Frojdi zotëronte mirë edhe gjuhën angleze. Kur ishte adoleshent, ai mësoi spanjishten me një shok të klasës, për të lexuar në original “Don Kishotin”. Frojdi ishte një admirues i madh i Servantesit.

Dedikim ndaj Duçes

Shkrimtari Xhakinto Romano, që kishte shkruar një dramë me Napoleonin dhe Musolinin si personazhe, i dhuroi Frojdit një kopje me një dedikim të tillë:”Për Sigmund Frojdin, që do ta bëjë botën më të mirë, me admirim dhe mirënjohje Benito Mussolini dhe G. Forzano”.

Nuk dihet nëse Musolini kishte dijeni, por disa besonin se Frojdi ishte dashamirës ndaj udhëheqësit italian.

Frojdi reagoi me një shkrim ku i drejtohej Duçes me pyetjen “Ëarum Krieg”? (Pse luftë?), të bashkëshkruar me Albert Ajnshtajn. Dhe një dedikim:”Për Benito Mussolini, me përshëndetjet e një plaku që tek mbajtësi i pushtetit, njeh heroin e civilizimit”. Historianët e shpjegojnë këtë respekt me faktin se Frojdi besonte se Duçe mund të parandalonte Anshlusin, domethënë aneksimin e Austrisë në Rajhun Gjerman.

Frojdi “shkoi” në Hënë

Në satelitin natyror të Tokës, ekziston një krater i vogël që mban emrin e psikoanalistit gjerman. Ajo ndodhet disa kilometra në perëndim të Vallis Schröteri, një luginë e gjerë dhe e thepisur hënore, që ka një diametër prej vetëm 2 kilometrash.

Pati 12 nominime për Çmimin Nobel

Por në fakt nuk fitoi asnjërin. Dhe nominimet u ndërprenë kur një ekspert, i emëruar nga komiteti i Nobelit, pohoi se puna e Frojdit nuk kishte baza shkencore.

Grumbulloi gati 2000 objekte arkeologjike

Sot kjo do të qe diçka e paligjshme, por në kohën e Frojdit cilësohej e pranueshme. Shumë prej relikeve vinin nga nga gërmimet në mbarë botën. Ato ndodhen edhe sot në shtëpinë e vjetër të familjes, që sot është një muze i hapur për publikun.

Çfarë na mbetet nga Frojdi?

Shumë aspekte të analizës së tij, janë hedhur poshtë nga psikologjia moderne. Por, tek Frojdi vlerësojmë intuitën gjeniale, si fakti që ndjenjat, idetë, impulset, dëshirat, ngjarjet dhe veprimet kanë kuptime të rëndësishme dhe shpesh të pavetëdijshme (pa ndjenja); se eksitimi seksual nuk kufizohet vetëm në organet gjenitale; se e shkuara ka gjithmonë një ndikim në të tashmen, dhe se të folurit ndihmon në lehtësimin e ankthit, dhe çliron mendjen e një personi. / KultPlus.com

Vera Ora: Ju këshilloj të gjithëve që të vaksinoheni (VIDEO)

Vera Ora, nëna e këngëtares shqiptare me famë botërore e cila tash e sa kohë ushtron profesionin e psikiatres dhe si avokuese e shëndetit mendor, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin vaksinën AntiCovid, përcjell KultPlus.

Ora, përmes një videoje të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë ka bërë thirrje për vaksinim, duke pohuar se vaksina i plotëson të gjitha standardet për cilësin, efikasitetin dhe sigurinë.

Unë jam vaksinuar sepse vaksina ka plotësuar të gjitha standardet për cilësinë, efikasitetin dhe sigurinë. Prandaj ju këshilloj të gjithëve që të vaksinoheni”, ka thënë Ora. / KultPlus.com

Fjalimi emocionues i Nënës Terezë kur mori çmimin ‘Nobel’ për Paqen

21 shtatori në mbarë botën shënon Ditën Ndërkombëtare të Paqes. Pikërisht, në këtë ditë, KultPlus sjell fjalimin tejet emocionues të Nënë Terezës kur kjo e fundit pranoi çmimin ”Nobel” për Paqe.

Ishte 17-të tetori i vitit 1979 kur juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë nderoi me Çmimin Nobel për paqen Shenjtën shqiptare, Ganxhe Bojaxhiu, Nënë Terezën.

Në motivacionin e ndarjes së Çmimit, komisioni i ngarkuar njoftoi se: ”Çmimi Nobel i Paqes ju dha Nënë Terezës së Kalkutës për angazhimin e saj ndaj më të varfërve ndër të varfër dhe për respektin dhe vlerësimin e dinjitetit të çdo njeriu. Përveç kësaj: Për punën e bërë në luftën kundër varfërisë dhe mjerimit, që përbën gjithashtu një kërcënim për paqen”.

Edhe pasi u nderua me çmimin “Nobel” për paqen, ajo refuzoi të realizohej banketi tradicional, në mënyrë që paratë e harxhuara për të, të përdoreshin për personat në nevojë. As sëmundjet si pneumonia, malarja, apo sëmundjet kardiake nuk e ndalën atë. Puna e Nënë Terezës vazhdoi në mënyrë të palodhur deri në vitin 1997, në të cilin ajo ndërroi jetë. Nga 13 murgesha, të cilat i mësonte mbi besimin, në shumë pak kohë ajo arriti t’i shërbente më shumë se 5000 njerëzve në mbi 130 vende të botës.

Ende në ditët e sotme, ajo njihet si një simbol i dashurisë dhe humanizmit. Ajo është një shembull se edhe roli i një drejtuesi, mund të bëhet me mirësjellje, humanizëm dhe dashuri.

Fjalimi i Nënë Terezës me rastin e marrjes së Çmimit Nobel:

“Sot, mjeti më i madh, shkatërruesi më i madh i paqes, është aborti. Ne që po qëndrojmë këtu, qëndrojmë sepse prindërit na kanë dashur.

Nuk do të ishim këtu, sikur prindërit të na abortonin.

Fëmijët tanë… ne i duam ata, por çfarë mund të thoni për miliona të tjerë? Shumë, shumë pak njerëz janë të shqetësuar për fëmijët e Indisë, për fëmijët e Afrikës, ku vdesin një numër i madh prej tyre, ndoshta nga uria, ushqimi i keq dhe kështu me radhë.

Por jo vetëm kaq! Me miliona po vdesin me dashje nga vullneti i nënave të tyre! Ky është shkatërruesi më i madh i paqes sot! Kur nëna vret fëmijën e saj, atëherë çfarë do të bëjë ajo me ty dhe mua kur nuk ka asgjë midis nesh? Pikërisht për këtë apeloj në Indi, apeloj kudo!

Le t’i sjellim fëmijët përsëri dhe ky vit të jetë viti i fëmijëve. Të reflektojmë: çfarë kemi bërë ne për fëmijët?

Në fillim të vitit, kudo ku m’u dha mundësia të flisja thashë: “Këtë vit le t’i bëjmë të gjithë fëmijët e lindur dhe të palindur të ndjejnë dashuri .

Dhe tani që jemi në fund të vitit, a e kemi bërë këtë?

Nuk besoj se jemi me të vërtetë punonjës socialë. Ndoshta bëjmë punë sociale në sy të njerëzve, por në të vërtetë jemi soditës në zemër të botës, pasi ne po e prekim trupin e Krishtit 24 orë në ditë. Jemi 24 orë në prezencën e Tij, unë, po kështu dhe ju.

Edhe ju duhet të përpiqeni ta sillni prezencën e Hyjit në familjen tuaj, pasi familja që lutet së bashku, qëndron së bashku!

Besoj se ne në familjen tonë nuk kemi nevojë për armë dhe bomba. Nuk kemi nevojë për të shkatërruar që të sjellim paqe, por mjafton të mblidhemi së bashku, të duam njëri-tjetrin e kështu sjellim paqen, gëzimin… Sjellim atë forcë në prezencën e njëri-tjetrit në shtëpi.

Vetëm kështu do të jemi në gjendje ta mposhtim forcën djallëzore që është në botë.

Ka kaq shumë vuajtje, kaq shumë urrejtje, kaq shumë varfëri dhe ne me lutjet tona, me sakrificat tona duhet ta fillojmë ndryshimin që në shtëpi. Dashuria fillon në shtëpi ku nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në veprimet që bëjmë.

Për Hyjin nuk ka rëndësi se sa shumë bëjmë, pasi Ai është infinit, por sa shumë dashuri vendosim në ato veprime. Sa shumë japim prej Tij në personin të cilit po i shërbejmë!

Dhe me këtë çmim që kam marrë si çmim paqeje, do të përpiqem ta bëj shtëpinë e shumë njerëzve që nuk kanë shtëpi, sepse besoj se dashuria fillon në shtëpi dhe, nëse krijojmë një shtëpi për të varfrit, besoj se gjithnjë e më shumë dashuri do të shpërndahet dhe do të jemi në gjendje të sjellim paqe nëse kuptojmë këtë gjë, do të jemi lajmi i mirë për të varfrit.

Të varfrit fillimisht në familjen tonë, në vendin tonë dhe në botën tonë.
Në mënyrë që të jemi në gjendje ta bëjmë këtë, Motrat tona, jeta jonë duhet të jetë e ndërthurur me lutje. Ajo duhet të jetë e ndërthurur me Krishtin, në mënyrë që të kuptohet, që të ndjehet.

Për shkak se sot ka kaq shumë vuajtje, unë ndjej se pasioni i Krishtit po jetohet përsëri.

A jemi ne atje ta ndajmë atë pasion, ta ndajmë atë vuajtje me njerëzit?

Varfëria është në të gjithë botën, jo vetëm në vendet e varfra, sepse unë kam gjetur varfëri edhe në Perëndim, aty ku është ndoshta më vështirë të hiqet.

Kur marr nga rruga një person të uritur, i jap një pjatë me pilaf, një copë bukë, e ngop. Atij i heq urinë.

Por një person i lënë jashtë, që ndihet i padashur, i padëshiruar, i tmerruar, person që është përzënë nga shoqëria… ajo varfëri të vret kaq shumë dhe kaq fort, dhe kjo mua më duket më e vështirë.

Motrat tona po punojnë mes atyre njerëzve në Perëndim. Prandaj duhet të luteni për ne që të mund të jemi ai lajmi i mirë, pasi nuk mund ta bëjmë këtë pa ju. Ndërsa ju… Ju duhet ta bëni këtë këtu, në vendin tuaj. Ju duhet t’i njihni të varfrit.

Ndoshta njerëzit tanë këtu kanë të mira materiale, gjithçka, por besoj se nëse të gjithë hedhim një sy para shtëpive tona, sado të vështirë ta kemi ndonjëherë për t’i buzëqeshur njëri-tjetrit, duhet ta bëjmë dhe ajo buzëqeshje është fillimi i dashurisë.

Nuk kam për ta harruar asnjëherë atë që ka ndodhur disa kohë më parë, kur katërmbëdhjetë profesorë erdhën nga universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Ata erdhën në shtëpinë tonë dhe ne biseduam për dashurinë, dhembshurinë, pastaj njëri prej tyre më pyeti: “Më thoni, nënë, ju lutem na thoni diçka që ta mbajmë mend” dhe unë i thashë: “Buzëqeshini njëri-tjetrit dhe gjeni kohë për njëri-tjetrin në familjen tuaj.” Buzëqeshini njëri-tjetrit! Dhe pastaj njëri prej tyre më pyeti: A jeni e dashuruar? Dhe unë i thashë: “Po, dhe ndonjëherë më duket e vështirë t’i buzëqesh Jezusit, për shkak se ai ndonjëherë bëhet shumë kërkues.

Kjo është diçka e vërtetë dhe në atë vend ku vjen dashuria, kur dashuria është kërkuese, atëherë mund t’ia japim Atij me gëzim.

Besoj se duhet të jetojmë jetë të përsosur, pasi kemi Jezusin me vete dhe Ai na do ne.

Sikur vetëm të kujtonim se Hyji na do ne, dhe se ne kemi një mundësi për të dashur të tjerët ashtu siç Ai na do, nuk do të bënim gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Nëse bëheni një dritë që digjet për paqen në botë, atëherë me të vërtetë meritoni Çmimin Nobel për Paqen.
Zoti ju bekoftë!
”, kishte thënë Nënë Tereza./ KultPlus.com

Kolegji Universum hap thirrjen për 83 bursa ndërkombëtare në 34 Universitete në Evropë

Kolegji Universum hap thirrjen për 83 bursa ndërkombëtare në 34 Universitete në 13 shtete në Evropë. Bursat vlejnë për të gjithë studentët e Kolegjit Universum Bachelor & Master. Shkëmbimi semestral do të bëhet në Angli, Danimarke, Belgjikë, Turqi, Spanjë, Portugali, Poloni, Lituani, Latvi, Gjermani, Itali, Finlandë dhe Republiken Çeke.

Kolegji Universum është institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi nga Kosova që ka arritur numrin më të madh të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian. Deri tani Kolegji Universum ka arritur marrëveshje me 115 universitete në 26 shtete të Evropës dhe Turqi. 

Deri tani 462 studentë të Kolegjit Universum dhe 105 staf akademik dhe administrativ kanë përfituar nga kjo mundësi. Mëso më shumë https://www.universum-ks.org/bursa-nderkombetare/

Regjistrimet në Kolegjin Universum po vazhdojnë, regjistrimi mund të bëhet edhe online përmes këtij linku https://www.universum-ks.org/sq/apliko/

Ftohen të gjithë studentët e Kolegjit Universum të nivelit Bachelor dhe Master të aplikojnë për shkëmbim semestral në këto universietete:

Për më shumë informata kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram.

(Shkrim i sponsorisuar nga Universum)

Dëshmi e fakte të reja për historinë e kryeqytetit në Mozaikun e Tiranës

Vazhdojnë gërmimet në Mozaikun e Tiranës, që sjellin dëshmi e fakte të reja për historinë e kryeqytetit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka inspektuar gërmimet e reja tek mozaiku i Tiranës, ku ka pasur zbulime të reja në hapësirën e vilës romake me mozaik.

Gjithashtu është zgjeruar hapësira e gërmimeve, duke nxjerrë në dritë gjithë gjurmët e vendbanimit.

Zbulimet e reja shtyjnë periudhën e banimit të këtij territori deri ën fund të shekullit të I-rë. Grupi i ekspertëve që po punon në këtë sit arkeologjik shprehet se muret e zbuluara janë mure të shekullit të V-të dhe të VI-të pas erës sonë dhe janë faza e fundit kur kjo zonë është banuar.

Ky sit arkeologjik është edhe një mundësi për studentët të marrin pjesë në një ngjarje për arkeologjinë.

“Të gjithë e njohim si mozaiku i Tiranës, por ai është shumë më shumë se aq. Gërmimet e reja jo vetëm po konturojnë më qartë vilën romake dhe të gjitha hapësirat e saj, por shtyn deri në fund të shek. I datimin e banimit të asaj hapësire”, u shpreh ministrja Margariti gjatë inspektimit.

“Me Olsin dhe Maringlenin (Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë) ishim në territorin ku po gërmojnë bashkë me specialistët edhe studentët e Fakultetit Histori-Filologji, UT, të cilët kanë fatin jo vetëm të specializohen dhe të pajisen me certifikata, por edhe të marrin pjesë një proces me rëndësi për historinë e qytetit”, theksoi ministrja.

“Presim që me përfundimin e gërmimeve dhe dokumentimin e procesit dhe të objekteve, të dalin rezultate mbresëlënëse”, tha ministrja Margariti. /atsh/ KultPlus.com

Bezos ofron një miliard dollarë për mbrojtjen e tokës dhe detit

Një miliard dollarë për të mbrojtur tokën dhe detin, është angazhimi i miliarderit Jeff Bezos për të mbrojtur 30% të planetit deri në vitin 2030, në përpjekje për të parandaluar zhdukjen në masë të territoreve.

Projekti ”Bezos Earth Fund” nuk identifikon grupe ose nisma për të cilat janë parashikuar për këto fonde.

“Ne do t’i japim përparësi zonave të rëndësishme për biodiversitetin dhe ne do të theksojmë rolin qendror të komuniteteve lokale”, theksoi Bezos për ”Washington Post”, transmeton KultPlus.

Përveç nismës për ambientin Bezos ka ndërmarrë hapa edhe në hapësirë.

Bezos bëri një ofertë për ”Blue Origin” për të mbuluar kosto deri në 2 miliardë dollarë këtë vit dhe gjatë dy viteve të ardhshme për zhvillimin dhe prodhimin e një zbarkuesi hënor, nëse kompania autorizohet për të garuar përsëri kundër ”SpaceX” të Elon Musk. / KultPlus.com

Shtëpia muze që po tërheq vëmendjen e njerëzve të famshëm

Këtë verë e vizitoi Leonardo DiCaprio. Më pas e vizitoi “Green Day”. Një muze i vogël në Tulsa të Oklahomas, kushtuar një filmi klasik dhe i drejtuar nga një artist, po tërheq emra të mëdhenj në Heartland.

“The Outsiders House Museum” u krijua nga Danny Boy O’Connor, ish-anëtar i grupit hip-hop, “House of Pain”. Ka qenë një punë dashurie për O’Connor, i cili e bleu shtëpinë disa vite më parë dhe e rinovoi atë.

Shtëpia njëkatëshe modeste me ngjyrë të bardhë, me një verandë të përparme të gjerë u përdor si qendër në filmin e vitit 1983, “The Outsiders”, bazuar në romanin klasik me të njëjtin emër të S.E. Hinton të vitit 1967, transmeton KultPlus.

“Për ne ishte ‘Gone with the Wind’. Ishte ‘American Graffiti’ Çdo brez gjente arketipet e lezetshëm se kush mund të ishim, dhe ky për mua ishte film”, ka thënë O’Connor në një intervistë të bërë së fundi pikërisht në këtë shtëpi-muze. Ai tha se vizitorët kanë qenë “nga 8 deri në 80 vjet dhe gjithçka në mes. “Zakonisht është e gjithë familja. Është një muze familjar”.

Regjisori Francis Ford Coppola xhiroi filmin në Tulsa me një kast të njohur përfshirë C. Thomas Howell, Ralph Macchio, Matt Dillon, Diane Lane, Patrick Swayze, Rob Lowe, Emilio Estevez dhe Tom Cruise.

Muzeu gjithashtu përfshin kujtime nga shesh-xhirimi duke përfshirë mobilie, fotografi, postera dhe xhaketën prej lëkure të veshur nga personazhi Dallas Winston.

“The Outsiders” zhvillohet në Oklahoma në vitet 1960 dhe përmban banda rivale adoleshente: “The Socs”, shkurtesë për “Socials” dhe “Greasers”. Shtëpia ishte shtëpia e vëllezërve Curtis dhe një vendtakim për miqtë e tyre, pjesë e bandës “Greaser”, transmeton tutje KultPlus.

Ndërtesa ishte në gjendje të keqe kur O’Connor e bleu atë në vitin 2015 pasi vizitoi qiramarrësit dhe gjurmoi pronarin. Para se të fillonte projektin, ai nuk ishte i sigurt se çfarë do të bënte më tej, pasi kishte shpenzuar kursimet e tij.

Prapëseprapë, kur kalonte andej gjatë turneve ose kur udhëtonte ai gjithmonë bënte një ndalesë në Oklahoma.

“Kjo është fenomenale. Dhe dua të them që në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk e dija se çfarë po bëja. Pashë një shtëpi nga një nga filmat e mi të preferuar”, ka thënë O’Connor, 52 vjeç.

Ai filloi një “GoFundMe” për të mbledhur para për riparime dhe restaurime.

“Tulsans më ndihmuan”, ka thënë ai. “Njerëzit nga filmi më ndihmuan. Okies më ndihmoi”.

DiCaprio, i cili ishte në verilindje të Oklahomës për xhirimin e filmit “Killers of the Flower Moon”, vizitoi “Outsiders House” gjatë orarit të punës dhe bëri një gjiro në korrik. Ai që atëherë është fotografuar në muzetë e tjerë në zonë, përfshirë “Oklahoma City National Memorial & Museum”.

“Ai ka thënë se sa herë që xhiron një film, përpiqet të vizitojë edhe një muze”, ka thënë O’Connor, duke shtuar se aktori kishte lexuar dikur për një version televiziv të “The Outsiders”.

Shumë shpejt atë e vizituan edhe aktorë të tjerë nga “Killers of the Flower Moon”.

“Green Day”, që ishte në Tulsa për një shfaqje në “Cain’s Ballroom”, po ashtu, ndaloi për një vizitë. “Ata erdhën dhe ishin gjithashtu edhe tifozë”, ka thënë O’Connor, duke vënë në dukje se frontisti Billie Joe Armstrong ka lidhje me Oklahoman – nëna e tij është nga Oklahoma.

O’Connor ndan fotografi të vizitave të njerëzve të famshëm në mediat sociale.

Tani, O’Connor po përgatitet për shfaqjen e një versioni të veçantë të filmit në “4K Blu-ray”, pjesë e një sërë ngjarjesh që do të zhvillohen nga 25-26 shtator. /ap/ KultPlus.com

Nuk ke pse më do

Më 21 shtator të vitit 1934 lindi njëri nga artistët më të mëdhenj të muzikës, Leonard Cohen.

Leonard Cohen është këngëtar i huaj i njohur. Leonard Norman Cohen ishte një këngëtar-kompozitor kanadez, poet dhe romancier. Puna e tij hulumtoi fenë, politikën, izolimin, seksualitetin dhe marrëdhëniet romantike. Cohen u fut në sallën e famës së muzikës kanadeze, në kanalin kanadez të këngëtarëve të famshëm dhe në sallën e famës Rock and Roll.

Ai u investua si një Shoqërues i Urdhrit të Kanadasë, nderi më i lartë civil i kombit. Në vitin 2011, Cohen mori një nga Çmimet e Prince of Asturias për letërsinë dhe çmimin e nëntë Glenn Gould.

Cohen ndoqi një karrierë si poet dhe romancier gjatë viteve 1950 dhe në fillim të viteve 1960; ai nuk nisi një karrierë muzikore deri në 1967, në moshën 33 vjeç.

Albumi i tij i parë, ”Songs of Leonard Cohen” (1967), u pasua nga tre albume të muzikës popullore: ”Songs of a Room” (1969), ”Songs of Love and Hate” (1971) dhe ”New Skin for the old Ceremony” (1974). Regjistrimi i tij i vitit 1977, ”Death of a Ladies’ Man” ishte bashkë-shkruar dhe prodhuar nga Phil Spector, i cili ishte një lëvizje larg nga tingujt e mëparshëm minimalë të Cohen. Ndoshta kënga më e famshme e Cohen, “Hallelujah” u lansua për herë të parë në albumin e tij të studimit “Various Positions” në vitin 1984.

Cohen u kthye në muzikë në vitin 2001 me lirimin e Ten New Songs, e cila ishte një hit i madh në Kanada dhe Evropë. Albumi i tij i 11-të, I dashur Heather, pasoi në vitin 2004.

Pas një vargu të suksesshëm të turneve midis 2008 dhe 2013, Cohen lëshoi ​​tre albume në katër vitet e fundit të jetës së tij: ”Old Ideas” (2012), ”Popular Problems” (2014) dhe ”You Want It Darker” (2016), i fundit prej të cilit u lirua tre javë para vdekjes së tij.

Më poshtë, KultPlus ju sjell njërën ndër poezitë më të njohura të këtij artisti të madh.

Poezia titullohet nuk ke pse më do dhe vjen e përkthyer nga Ilir Sofroni.

Nuk ke pse më do

Nuk ke pse më do
ngaqë
je si të gjitha gratë
që përherë më kanë munguar
U linda për të rendur pas teje
çdo natë
dhe prapë jam

orteku me burra që të dashurojnë
Të takoj në tryezë
ta marr grushtin mes duarve të mia
në taksi nusesh
zgjohem fillikat
gishtat e mi – te mungesa jote
në Bujtinën e Virtytit.

I shkrova tërë këto këngë për ty
ndeza qirinj të kuq e të zinj
në trajtën e një burri dhe një gruaje
u martova me tymin
e dy piramidave me nallane druri
u luta për ty
u luta të më duash
u luta të mos më duash.
/ KultPlus.com

Vdes në moshën 76-vjeçare këngëtarja e njohur, Sarah Dash

Sarah Dash, e njohur më së shumti si këngëtare dhe themeluese e grupi R&B “Labelle” ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Ylli i hitit “Lady Marmalade” vdiq ditën e djeshme, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura shkaqet e vdekjes, përcjell KultPlus.

Performanca e fundit e Dash ishte të shtunën e javës së kaluar kur ajo iu bashkua vokalistës kryesore të grupit, Patti Labelle, gjatë një koncerti në New Jersey, shkruan NME, përcjell tutje KultPlus.

E lindur në Trenton të New Jersey, Dash u bashkua me Patti Labelle dhe Nona Hondryx për herë të parë në viti 1961 si pjesë e The Ordettes, së bashku me Sundray Tucker. Më vonë Trucker u zëvendësua nga Cindy Bridsong dhe gurpi ndryshojë emrin në Patti Labelle dhe The Bluebells.

Në fund të viteve ’60, Birdsong u largua nga grupi për t’u bashkuar me Supremes, dhe treshja u riemërua edhe një herë duke e vendosur emrin vetëm si “Labelle”, për të cilën edhe janë më të njohur. Së bashku, treshja publikoi tetë albume, i fundit ishte “Back To Now” të vitit 2008. Ato patën sukses të madh me publikimin e këngës së tyre të vitit 1974, “Lady Marmalade”.

Si një artiste solo, Dash lansoi katër albume në studio midis vitit 1978 dhe 1988. Në vitin 2016, Dashit iu dha çmimi për arritje jetësore nga Shoqëria Kombëtare e Muzikës R&B. / KultPlus.com

Përkujtohet aktorja e njohur Besa Imami, në 7-vjetorin e vdekjes

Aktorja e njohur e skenës shqiptare Besa Imami si sot më 21 shtator 2014 u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Imami lindi në Gjakovë, e pas vdekjes së të atit familja shpërngulet në Tiranë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe pse në moshë të re aktivizohet pranë strukturave të organizatës komuniste (Debatik).

Më vitin 1946, fillon karriera e saj si aktore, që nuk do të kishte shkëputje deri më 1988 falë edhe përkrahjes së Artistit të Popullit Pandi Stillo i cili e pikasi atë. Karriera e saj do të lente gjurmë me pjesëmarrjen në shumë role dhe karaktere të ndryshme si në teatër në veprat “Komploti i të dënuarve”, “Mbi gërmadha”, “Lulet e shegës”, “Cuca e maleve”, “Streha e të harruarve” dhe në kinematografi ku roli më i dashur për shikuesit shqiptar do të ishte ai i Donika Kastriotit në filmin “Skënderbeu”.

Imami do të lente gjurmë në karrierën artistike shqiptare dhe si vlerësim ajo do të nderohej me titullin “Artiste e Merituar”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri përkujton Besa Imamin duke publikuar dokumentet e  mëposhtme, të cilat tregojnë se aktorja Besa Imami është përzgjedhur për të qenë pjesë e trupës së aktorëve në filmin “Skënderbeu”. / KultPlus.com

Rita Ora publikon prapaskenat me ‘Vogue Australia’: Nëse më njihni, e dini që më pëlqen të provoj gjëra të reja

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, së fundmi ka realizuar një fotosesion për revistën e njohur ”Vogue” të Australisë, përcjell KultPlus.

Fotografitë e saj për këtë revistë u komentuan jashtë mase nga fansat e këngëtares dhe jo vetëm.

Ora, tashmë ka publikuar edhe prapaskenat e këtj fotosesioni ku ndër të tjera shprehi mirënjohje për të gjithë ata që kanë punuar në këtë projekt.

“Këto janë disa nga prapaskenat e fotosesionit për Vogue. Ekipi ishte i mrekullueshëm në provuam shumë gjëra të reja. Shumë dashuri për të gjithë që janë të përfshirë në këtë. Nëse më njihni, e dini që më pëlqen të eksperimentoj dhe të provoj gjëra të reja”, ka thënë tutje Ora. / KultPlus.com

Testamenti i Princit Philip do të mbahet sekret për 90 vite, kjo është arsyeja

Testamenti i Princit Philip, bashkëshortit të ndjerë të mbretëreshës Elisabeth, do të mbetet sekret për të paktën 90 vite, për të ruajtur dinjitetin dhe pozitën e monarkes, ka vendosur Gjykata e Lartë e Londrës.

Në përputhje me një konventë që daton në vitin 1910, gjykatësi Andrew McFarlane tha se kishte rënë dakord që testamenti të vulosej dhe se asnjë kopje nuk duhet të mbahej për regjistrim ose në gjykatë.

Kjo do të thotë që, ndryshe nga shumica e testamenteve, vullneti i princit Philip nuk do të jetë i hapur për inspektim publik. Sipas gjykatësit, shkalla e publicitetit që botimi ka të ngjarë të tërheqë do të ishte shumë e gjerë dhe tërësisht në kundërshtim me qëllimin e ruajtjes së dinjitetit të Sovranes.

Princi Philip ka ndërruar jetë në moshën 99-vjeçare, në Kështjellën e Windsor-it, në perëndim të Londrës më 9 prill. / KultPlus.com

Përurohet qendra kulturore shqiptare në New York

Në Bronks, New York u përurua qendra kulturore dhe e mirëqenies për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Qendra “Illyria” shtrihet në një hapësirë prej mbi 10 mijë metrash katrorë, ku do të ofrohen klasë për mësimin e gjuhës shqipe dhe shumë mjedise për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore e sportive.

Investimi kap vlerën e mbi 8.7 milionë dollarëve.

Tani e tutje, komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ketë hapësirë të veçantë për mësimin e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore me qëllim të ruajtjes së traditave dhe vlerave kombëtare.

Në ceremoninë e hapjes së qendrës shumë-funksionale Illyria, i pranishëm ishte edhe udhëheqësi i shumicës së Senatit, demokrati Chuck Schumer.

Në një koment për Zërin e Amerikës ai foli për rolin e komunitetit shqiptar në ShBA, ndërsa u zotua se do të angazhohet në çështje si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne në Nju Jork e duam komunitetin shqiptar. Njerëzit vijnë këtu për zhvillim ekonomik, për liri fetare. Ata punojnë shumë dhe krijojnë jetë të suksesshme për veten dhe fëmijët e tyre. Në atë mënyrë ata ndërtojnë Nju Jorkun dhe Amerikën. Prandaj sa më shumë emigrantë shqiptarë që të kemi, aq më mirë do të jemi. Po ashtu unë luftoj në Senat që të mbrojmë Kosovën që të sigurohemi se negociatat janë të drejta. Pra ne do të ushtrojmë presion mbi administratën shtetërore që të arrihet një marrëveshje e drejtë për popullin e Kosovës”, tha Schumer për Zërin e Amerikës.

Më shumë se 8.7 milionë dollarë janë investuar nga shteti i New York-ut dhe Këshilli i Bashkisë së qytetit të New York-ut për krijimin e qendrës Illyria, që përveç shkollës shqipe do të ketë edhe një sallë teknologjie, amfitatër, sallë për konferenca dhe simpoziume, sallë sportive dhe kopsht.

Në total është një hapësirë prej mbi 1 mijë metrash katrorë që do të jetë në shërbim të komunitetit shqiptar. Nismëtari i këtij projekti, anëtari i Këshillit Bashkiak të New York-ut dhe veprimtari Mark Gjonaj u shpreh i lumtur për, siç tha ai, realizimin e një ëndrre të kahershme

“Kjo është një ditë që është pritur me dekada. Një ditë që shqiptarët sot mund ta gëzojnë së bashku. Kjo është një bërthamë që është mbjellë dekada më parë, ndërsa sot është rritur pema dhe kanë dalë frutat e para që kjo gjeneratë po e gëzon. Është një gjë që e kemi për detyrë, jo vetëm për gjeneratat e ardhme, por ua kemi borxh të parëve tanë që kanë vuajtur e hoqën keq për secilën pëllëmbë toke që e kemi në vendlindjen tonë, sepse çdo pëllëmbë atje është e lagur me djersë, me vaj e me gjak. E kemi borxh ndaj tyre dhe detyrim për të ardhmen”, tha Gjonaj.

Në ceremoni ishte e pranishme edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla. Ajo tha se është koha që Kosova dhe Shqipëria të shtojnë mundësitë e përfshirjes së diasporës shqiptare në vendimmarrje.

“Sepse kemi kaq shumë ekspertë të shpërndarë në gjithë botën, kemi kaq shumë njerëz me kompetencë të jashtëzakonshme profesionale, saqë po të krijojmë një platformë, po të krijojmë një formë për përfshirjen e tyre në të gjitha vendimet dhe hapat që merren në Kosovë dhe në Shqipëri, atëherë dy vendet tona do të kishin një potencial për të ecur përpara, për të ndërtuar ekonomi të shëndosha, për një reformim të sistemit arsimor, për një kulturë në një nivel krejt tjetër, i cili sot mua më duket komplet i paimagjinueshëm”, tha Gërvalla.

Pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan u shprehën të lumtur për krijimin e kësaj qendre.

“Ka shumë vlerë për komunitetin dhe gjeneratat e reja. Unë jam rritur duke qenë pjesë e grupeve të vallëzimit, kam folur shqip, kam punuar me komunitetin shqiptar dhe është diçka shumë e rëndësishme ta ketë ky vend”, tha shqiptaro-amerikania Eleni Mazija.

“Ne kur kemi qenë shumë të vogla, vëllai na ka angazhuar në vallëzim shqiptar. Herën e parë nuk kemi dashur të shkojmë. Por kur filluam u kënaqëm dhe tash me të thënë të drejtën nuk mund të jetoj pa të. Besoj se është gjë shumë e rëndësishëm për fëmijët më të vegjël, të mësojnë atë që kemi mësuar ne”, tha motra e Elenisë, shqiptaro-amerikania Murlena Mazija.

“Ne kur kemi emigruar në Amerikë, komuniteti shqiptar ka qenë i vogël. Organizimet dhe angazhime të tilla, sikur shkolla shqipe që shkon vajza ime ishin të pakta. Kjo mundësi për komunitetin tonë sjell frymëzim për kulturën tonë dhe mbështetjen që organizime si kjo mund të sjellim për komunitetin shqiptar”, tha shqiptaro-amerikania Kaltrina Osmani.

“Ka munguar infrastruktura, kanë munguar mjediset. Besoj se kjo nismë do ta bëje më të lehtë që çdo shqiptarë të jetë më afër me gjuhën, më afër me kulturën e pse jo edhe me njëri tjetrin”, tha shqiptaro-amerikani Sebastian Tinaj.

“Unë shpresoj që gjeneratat e reja do të vazhdojnë atë çfarë kemi bërë ne dhe do t’i ruajnë këto tradita, të cilat kanë vlerë tepër të madhe edhe për gjeneratat që janë këtu, sepse një ditë ka mundësi që të shkojnë dhe të punojnë edhe në vendlindje, atje ku kanë lindur baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre”, tha shqiptaro-amerikani Kolë Cacaj. /atsh/ KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Paqes

Dita Ndërkombëtare e Paqes është themeluar nga Kombet e Bashkuara. Ajo shënohet nga qindra miliona njerëz dhe mijëra organizata më 21 shtator të çdo viti.

Dita ndërkombëtare e paqes çdoherë është një ngjarje e posaçme, dhe këtë herë shënon 66-vjetorin e Kambanës së Paqes, e cila çdo vit bie në këtë ditë.

Ishte viti 1954 kur kjo kambanë e farkuar nga monedhat e mbledhura nga fëmijët e 60 shteteve iu dhurua Kombeve të Bashkuara nga Shoqata e OKB-së së Japonisë.

Që atëherë, për gjysmë shekulli, kambana ka dërguar porosi të fuqishme në mbarë botën lidhur me aspiratat e njerëzimit për paqe.

Gjatë gjithë kësaj kohe, prej kulminacionit të Luftës së Ftohtë deri në rritjen e konflikteve përbrenda shteteve, nga përhapja e SIDA-s e deri te aktet e terrorizmit, jehona e kambanës ka mbetur e pandryshuar, e qartë dhe e vërtetë.

Për nder të kësaj dite në Kosovë do të mbahet një aksion rrugor në Sheshin “Nëna Tereza” në Prishtinë, organizuar nga Youth Initiative for Human Rights, duke filluar nga ora 17:00.

Përgjatë aksionit rrugor, pjesëmarrësit duke mbajtur në dorë banerat e krijuara me faktet së kaluarës sonë, të veshur me të zezë (rrobat, maskat), si dhe sytë të mbështjellë me material të zi, do lënë të kuptohet se jemi – ‘Sy-mshelë në “Paqe”’ – që do të jetë dhe slogani jonë. Në mënyre indirekte përmes këtij organizimi do kërkohet drejtësi për të kaluarën për një të ardhme në ‘Paqe’. / KultPlus.com

Covid-19 ka vrarë po aq amerikanë sa edhe gripi i vitit 1918

Numri i personave që kanë vdekur nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara tashmë është i barabartë me numrin e amerikanëve që humbën jetën nga pandemia e gripit spanjoll të viteve 1918-1919, pra rreth 675,000. Ashtu si fatkeqësia mbarëbotërore e një shekulli më parë, edhe koronavirusi nuk mund të zhduket kurrë plotësisht.

Shkencëtarët shpresojnë që koronavirusi do të shndërrohet në një grip të butë sezonal me forcimin e imunitetit të njeriut përmes vaksinimit dhe infeksioneve të përsëritura.

 “Shpresojmë se kjo do të bëhet si një rast ftohjeje, por nuk ka asnjë garanci për këtë”, thotë biologu i Universitetit Emory, Rustom Antia, i cili sugjeron një skenar optimist, sipas të cilit, kjo mund të ndodhë pas disa vitesh.

Shtimi i infeksioneve të reja, i shkaktuar nga varianti delta mund të ketë arritur kulmin, por numri i vdekjeve vazhdon të jetë mesatarisht mbi 1,900 në ditë, niveli më i lartë që nga fillimi i marsit. Sipas të dhënave të mbledhura nga Universitetit Johns Hopkins, deri të hënën në mëngjes numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara ka arritur në afër 674,000, por mendohet se numri real është më i lartë.

Reklamë

Sipas një modeli të njohur parashikimi, dimri mund të sjellë një rritje të re të rasteve, megjithëse do të jetë më pak vdekjeprurëse se vitin e kaluar. Modeli i Universitetit të Uashingtonit parashikon vdekjen e rreth 100,000 amerikanëve të tjerë nga COVID-19 deri më 1 janar, duke e çuar në 776 mijë numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga Covid-19 në Shtetet e Bashkuara.

Pandemia e gripit spanjoll e viteve 1918-19 shkaktoi vdekjen e rreth 675,000 amerikanëve, kur Shtetet e Bashkuara kishin një popullsi tre herë më të vogël se sot. Rreth 50 milionë njerëz në nivel global vdiqën nga gripi spanjoll. Ndërsa, Covid-19 ka shkaktuar vdekjen e 4.6 milionë njerëzve në nivel global.

Shifrat e të vdekurve nga gripi spanjoll janë llogaritje të përafërta, duke patur parasysh regjistrimet jo të plota të epokës dhe njohuritë e pakëta shkencore mbi shkaqet e sëmundjes. Shifra 675,000 është raportuar nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Para COVID-19, gripi i vitit 1918-19 konsiderohej si pandemia më e rëndë në historinë e njerëzimit. Nuk është e qartë nëse pandemia aktuale në fund të do jetë më vdekjeprurëse.

Në shumë mënyra, gripi i viteve1918-1919, i cili u quajt gabimisht grip spanjoll, sepse në fillim u raportua gjerësisht për atë në mediat në Spanjë, ishte më i rëndë.

I përhapur nga lëvizjet e shumta të njerëzve gjatë Luftës së Parë Botërore, gripi shkaktoi vdekjen e një numri të madh të të rinjve pa probleme të tjera shëndetësore. Vaksinat nuk ekzistonin për ta ngadalësuar përhapjen e tij, dhe nuk kishte antibiotikë për të trajtuar infeksionet bakteriale dytësore. Dhe, natyrisht, popullsia e botës ishte shumë më e vogël se sa sot.

Megjithatë, udhëtimet me avion, migrimet masive dhe ritmi ende ulët i vaksinimit kërcënojnë të rrisin pasojat e pandemisë aktuale./voa/KultPlus.com

Presidentja Osmani për reciprocitetin e targave: Asnjë kërcënim nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për zbatimin e ligjit

Presidentja, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova sot ka zbatuar në plotësi marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, të cilat Serbia i ka injoruar dhe po vazhdon të mos i zbatojë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Osmani theksoi se reciprociteti në çështjen e targave, për të cilën kanë nënshkruar të dyja palët në Bruksel, nuk mund të shihet si veprim tensionues e i njëanshëm, por veprim drejt zbatimit të marrëveshjeve të cilën do të duhej ta kërkonte edhe vet BE-ja.

“Serbia është ajo që ka vepruar në mënyrë të njëanshme nga viti 2016 e në shkelje të marrëveshjeve të Brukselit, e jo Kosova”, tha Osmani.

Tutje shtoi se strukturat ilegale serbe, të financuara e që marrin urdhra nga shteti i Serbisë, po ndërmarrin veprime jo vetëm në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit, por edhe që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin e rajonit.

“Për më tepër, Serbia, sipas logjikës së pandryshuar të së kaluarës, po i shfrytëzon edhe institucionet shtetërore serbe për ta kërcënuar vendin tonë”, u shpreh Osmani.

Më tej tha se asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me obligimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve është ndërmarrë si rezultat i përfundimit të marrëveshjeve të vitit 2011 dhe 2016 për lirinë e lëvizjes së qytetarëve mes dy shteteve. Rrjedhimisht, vendimi siguron trajtim të barabartë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Vendimi është pranuar dhe po zbatohet me përpikëri në të gjitha pikat kufitare, me përjashtim të dy pikave në veri, në të cilat serbët lokalë po keqpërdoren nga Qeveria serbe dhe strukturat ilegale atje”, vazhdoi Osmani.

Presidentja ka ftuar Bashkimin Evropian që të ushtrojë presion mbi qeverinë e Serbisë që të ndalojë menjëherë provokimet ndaj Kosovës dhe keqpërdorimin për qëllime politike të qytetarëve serbë të Kosovës.

“Politika destabilizuese e Serbisë në Kosovë dhe në rajon dhe qëllimet e tyre hegjemoniste për të ashtuquajturën ‘botë serbe’ janë rikthim në logjikën e tyre të viteve ’90, e cila ka sjellë shumë viktima në rajonin tonë”, tha në fund Osmani./KultPlus.com

Artistja nga Gaza përzien bukurinë me dhimbjen në pikturat e saj

Pikturat me ngjyra të errëta të artistes palestineze, Abeer Jebril, shfaqin balerina të lidhura me tela me gjemba, duke kërcyer mbi shkëmbinj ose duke u përballur me barrikada për të pasqyruar atë që ajo e quan realiteti i “ticking bomb” të grave në Gaza, transmeton KultPlus.

Ajo shpreson se portretet e saj do të tërheqin vëmendjen ndaj problemeve sociale dhe politike me të cilat përballen gratë në Gaza, shtëpia e dy milionë njerëzve dhe e shkatërruar nga luftërat dhe kufizimet ekonomike.

Artistja tha se puna e saj përshkruan gjithashtu kufizimet me të cilat përballen gratë brenda familjes dhe komunitetit në Gaza, një territor tradicionalisht konservator i sunduar nga grupi islamik Hamas që nga viti 2007.

Frymëzuar nga Edgar Degas, një artist impresionist francez, Jebril tha se një balerinë i përshkruan gratë si të bukura, të lira, të fuqishme dhe atletike.


“Arsyeja që zgjodha balerinën është se e shoh atë si një ikonë të bukurisë dhe fuqisë. Prandaj, unë e zgjodha atë për t’u bërë heroi i veprave të mia, “tha Jebril për Reuters./KultPlus.com

Nis përdorimi i ilaçit të ri kundër koronavirusit

Duke nisur nga dita e sotme, spitalet në Angli kanë nisur përdorimin e një ilaçi të veçantë kundër koronavirusit.

“Ronapreve” është ilaçi i aprovuar një muaj më parë nga Autoriteti për Ilaçet dhe Produktet Shëndetësore në Britani për përdorim spitalor mbi personat që janë të shtruar në repartin intensiv apo ndaj atyre që nuk mund të krijojnë vetë antitrupa.

Siç shkruan BBC, “Ronapreve” është një përzierje antitrupash, të cilat ndihmojnë që organizmi i njeriut të luftojë virusin sa më shpejt.

Ministri i Shëndetësisë së Britanisë së Madhe tha se vendi shquhet për zbulime shkencore në fushën e kurimit dhe ky zbulim është në kuadër të kësaj eksperience të siguruar ndër vite./KultPlus.com

Paraqitjet më me stil të Sofia Loren

Në këtë pikë, është praktikisht e tepërt të quhet Sophia Loren një simbol i bukurisë.

Që nga momenti kur ajo nënshkroi një kontratë me pesë filma me Paramount në 1958, fituesja e Oskarit u bë sinonim i magjepsjes italiane, transmeton KultPlus.

Ndërsa feston ditëlindjen e saj të 87 –të,shikoni momentet më me stil nga Epoka e Artë e Hollivudit ku Loren shfaqet e veshur nw fustane me brez Pierre Balmain dhe kostume të personalizuara Dior nga Marc Bohan.

”S’kam si gjallnoj, pse deka e nanës zemren m’a imtoj”

Poezi nga Ndre Mjeda

Djali pa nanë si nata pa hanë

Pra ‘i djalë i vorfen kuej nuk i dhimet,

Kur, si mue t’shkretin, t’a mlojn mjerimet?

Teper shpejt bora, tuj ra n’ vorfunim,

Njatë qi per mue ish’ diell n’ agim.

Emnin e kandshem m’i a ndie kot prita

Njasajë qi n’ kobe do t’ m’ ishte drita:

Kuej nuk i dhimem, askush s’ m’ kujton,

Sado qi zemra vec gjak m’ pikon.

Kur, un i mjeri, rrijshe tu shpija,

Me nanë, me moter, ah! sa dashtnija

Vlote n’ ket zemer, qi sot s’ka gzim,

Vetem pse nana m’ la n’ ket vorfnim.

C’ at ditë qi e bora, mue s’ m’ knaqë natyra,

Nder gzime t’ shekllit nuk m’ qeshet ftyra;

Kurr s’ m’ hiqet mendjet kur nana m’ tha:

T’ laca me Zotin! – e diq e m’ la.

Ah! se fort m’ dote, se fort m’ pat gzue,

Sa gjallë, e mjera, rrite me mue!

Por qe, se une nanen sot ma s’ e kam;

Un nafakpremi, c’ se i vorfen jam!

Kur, n’ agim t’ ditve, m’ra me shtegtue,

Si dola shpijet, tuj u largue,

E kqyra s’mramit e aq m’ permalloi,

Sa dysh mue zemren, dysh m’a coptoi.

E kush kalote at ditë bri meje,

At ditë qi dhima m’ kish xjerrë mendt kreje,

Thote perajshem: Paska metë shkret!

Zot, njitja doren, majen ti ngiet!

C’ at ditë, si zogu, larg fluturova,

E n’ dhe t’ panjoftun treta, u largova;

S’ desht kush me m’kqyrun, s’ diejta kue’ i flas,

Nji dorë ndimtare c’ at herë s’ m’ u qas.

E kur vetmija mue m’ lodhte naten,

Un n’ gjuj u ulshem, thojshem uraten;

Kujtojshem nanen para Tenzot,

E syt m’ u mushshin gjithherë me lot.

Ah! po, kujtimet e asajë dite

Uratë e kandshme ti m’ i persrite:

O nanë e dashtun, a thue t’ thrras kot,

C’ se fusha e mali me za t’ em lot?

Ah! po, se dhima zemret nuk m’ shkepet,

C’ se gjithkund nanen me e lypun m’ nepet;

Do t’ m’ mysë mjerimi, s’kam si gjallnoj,

Pse deka e nanës zemren m’ a imtoj.

Por, ndale vajin, jeto pa droje,

Mendo se drita prap do t’ agoje,

Kur nder Qiell t’ epra Zoti tash t’ thrret:

Rrethue me lule, nana aty t’ pret./KultPlus.com

Revista angleze përshkruan vendet e mrekullueshme shqiptare

“Nga lavdia bizantine vezulluese e Beratit e deri te sheshet e mbushura me kafene të Korçës”, – revista angleze e udhëtimeve “Suitcase“, ka publikuar një listë të vendeve që duhen vizituar më së pari, në vendin tonë.

Në artikullin e publikuar, revista shkruan se Shqipëria është një vend i pazbuluar në mes të Ballkanit, me një klimë të shkëlqyer e vijë bregdetare mahnitëse.

Berati

Ndër qytetet më të bukur për t’u vizituar, i pari renditet Berati.

“Njihet në Shqipëri si ‘qyteti i një mijë dritareve’ dhe nuk do t’ju duhet shumë kohë për të kuptuar pse. Ky qytet duket si një mozaik. Ecni deri në Kështjellën e Beratit, shënoni sa më shumë kisha bizantine dhe enduni nëpër rrugët labirint të Goricës”, – përshkruhet Berati.

Kruja

Më pas vjen Kruja, që përshkruhet si një vend i shtrirë qetësisht në ultësirën e maleve të mbuluar me pisha.

“Destinacioni më tërheqës këtu është kështjella mesjetare – fushëbetejë ku heroi shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mundi osmanët. Është një nga institucionet më emocionuese të Shqipërisë, që ia vlen të vizitohet”, – vazhdon shkrimi.

Korçë

Për një arratisje të përballueshme, romantike, revista rekomandon një vizitë në Korçë.

“Filloi si një pronë feudale në shekullin e 13 -të dhe, me kalimin e viteve, është zhvilluar në një qendër metropolitane” – vlerësohet qyteti i mrekullueshëm i Korçës.

Theth

Në Thethin e mrekullueshëm, të gjithë turistët, “Suitcase” i orienton të “ndjekin” ujëvarat.

Valbonë

Sigurisht, nuk mund të mungonte Valbona, në këtë listë të mrekullive shqiptare, me liqene valë-valë dhe pyjet e paprekura nga dora e njeriut.

Ksamil

Për të gjithë ata që nuk kanë dëgjuar për Riverën Shqiptare, revista i ‘prezanton’ me Ksamilin.

“Plazhet me rërë të bardhë dhe ujëra të kristaltë rreth Ksamilit, rivalizojnë shumë plazhe të tjera në detin Jon. Një nga destinacionet më të njohura të Shqipërisë, zonat e Ksmailit përfshinë 4 ishuj të pabanuar, që mund të vizitohen me anije. Vetëm 5 minuta larg me makinë, mund të vizitoni rrënojat e qytetit të lashtë të Butrintit, që datojnë në shekullin e tetë para Krishtit, kur ishte një qytet i fortifikuar dhe i lulëzuar, me një akropol”.

Gjirokastër

Qyteti i ‘gurtë’ i Gjirokastrës është cilësuar si një nga qytetet më të mira tregtare osmane që mbijetojnë në Ballkan, me një pazar aktiv, rrugë të ngushta me kalldrëm dhe shtëpi me kulla të zbardhura. Gjirokastra është regjistruar si një sit i Trashëgimisë Botërore në UNESCO, falë qindra ndërtesave të gdhendura në shkëmb, që i japin asaj emrin.

Dhërmi

Për plazhet e mrekullueshme, nuk mbetet pa përmendur as Dhërmiu: bukuria e egër e këtij vendi, tërhoqi poetët viktorianë, përfshirë Lordin Bajron.

Shkodër

Artikulli mbyllet me kryeqendrën e veriut, Shkodrën, që rrethohet nga tre lumenj dhe është në fakt, një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë. / KultPlus.com

Australia në alarm për koalat

Numri i koalave në të gjithë Australinë është në rënie të shpejtë, me rreth 30% në tre vjet, sipas një studimi të ri.

Fondacioni australian ”Koala” (AKF) theksoi se çdo rajon i Australisë ka parë një rënie të popullsisë, me më të keqen në Nju Sauth Uells me një rënie prej 41%.

”Koala është zhdukur në 47 nga 128 distriktet e vendit”, tha fondacioni.

”Disa rajone kanë popullsi të mbetur që vlerësohet të jetë vetëm pesë deri në 10 koala”, theksoi AKF.

Fondacioni vlerëson se kanë mbetur 32 065 nga 57 920 krerë.

”Zjarret pyjore të vitit 2019 dhe 2020 kontribuan në rënien e numrit të tyre”, theksoi  presidentja e AKF-së, Deborah Tabart.

“Ne kemi parë një rënie drastike të popullsisë së brendshme edhe për shkak të thatësirës, ​​valëve të nxehtësisë dhe mungesës së ujit të pijshëm për koalat”, shtoi ajo./ /os/KultPlus.com

Populli bardhezi

Nga Azem Shkreli

Është krejtësisht e mundur të jetë i tillë edhe ky cilësim imi. Ani. Nga degë tjetër nuk kam zbritur as unë që të jem tjetër. Do të ishte një përjashtim shpërfillës, një çrregullim.

Cilësimi nuk është edhe i pasaktë. Është ca i rrebtë e i pakëndshëm, po nuk është se nuk na rri.

Populli bardh e zi..

Bardhezi.

Nuk ka të bëjë me spektër dyngjyrësh /se dyngjyrësh e kemi spektrin ne/, e as me të bardhën epike të tirkut e të qeleshes tradicionale të veriut kombëtar, as me të zezën e krahut të shqiponjës, zogut tonë të flamurit. E ngjara që ky spektër, trishtues prej së pastri e brengosës prej së ngushti, të mos jetë i pashpiegim, madje t’i gjasojë konstitucionit tonë psikoetik, domethënë shpirtit tonë, mund të jetë me të drejtë brengosëse. Tragjike, jo. Këta jemi dhe nuk jemi me pahir këta që jemi. Diç na ka bërë të tillë.

Me ca zell më të fortë amator për të filosofuar mbi femonenin tonë, e të pazellshëm nuk jemi, mund të bëhen gërmime e përpushje interesante nëpër përbërësit historikë e shpirtërorë të qenies sonë. Për të hetuar sado pak pse jemi, nëmos kryekëput – atëherë kryesisht, domethënë fort e shpesh, bardh e zi.

Ma ha mendja, se çka s’i ha mendja njeriut, se mund të provohen njëmijë gjasë e shpiegime pse është kështu dhe asnjë, pothuaj asnjë, pse nuk është ndryshe. Ndryshe mbase edhe mund të ishte, por pa ne.

Ç’janë tani këto shpiegime bardh e zi?, do të thotë kush.

Po filosofojmë pakëz, ç`të keqe ka këtu?

Duhet guxim ekstrem për të thënë pse jemi ekstremisht të skajshëm dhe pse, mes skajeve, pas të cilave mbahemi, ka kaq zbraztësirë, kaq djerrinë. Mesi s`na ka e as s`e kemi.

Teorira s`po shtrojmë, dy a tri teza po i hedhim. U mbajtën, le të mbahen, ranë, le të bien. S`janë më shumë se teza:

U jemi trembur fundeve, greminave, kemi lakmuar kulmet, lartësitë.

Na është ndërsyer e zeza, kemi gjakuar të bardhën.

Na ka dashur e keqja, kemi adshur të mirën.

Asnjërën nga altërnativat e dyta, nga të mirat, nuk e kemi pasur në dorë ta zgjedhim. Ose nuk e kemi pasur në dorë, ose nuk i kemi shkuar ndoresh.

Ç’tjetër mund të jetë shkaku pse jemi cilët jemi?

Mos është kjo mënyrë imja e konkludimit jashtë spektrit tonë të të gjykuarit? A  mund të përshkohen të gjitha nëpër këtë spektër? Politika, shkenca, kultura, artet, mendimi ynë kërkimor e kritik?

Mundet, vini vesh:

Perëndimi nuk është me ne. Evropa jo. Amerika, ndoshta.

Amerika sheh punët e veta.

Të gjithë, në të gjitha kongreset, në të gjitha konferencat e luftës dhe të paqes, ishin kundër nesh. Gjermania e Bizmarkut, po ashtu. Të rrojë krahu ynë dhe qarku ynë!

Ngrihu i vdekur, ha mish të pjekur! Kush jemi ne t’i kryejmë vetë punët tona? Me krah e me qark tonin? Mençuria jonë është t’i dimë hallin vetes. Strategjia jonë – durimi. Me durim ta mundim kundërshtarin. Tjetër kush e ka punën tonë në dorë dhe ai e di se ç’duhet, si duhet, kur duhet. Ai e di kur vie radha e çasti ynë. Çasti do të vijë. Amerika është Amerikë.

Gjermania, Evropë.

Evropë s`ka pa Amerikë.

Rusia ra në të dyja gjunjtë.

Ra në dy, po u ngrit në katër. Drinën e kapërceu. Po i preku turiri në Adriatik, e piu.

S`e piu, nuk e lënë.

E piu, moti i pihet ujë në Adriatik.

Ç`është Drina, në hartë të Evropës?

Në Drinë, shkelet Evropa. Ajo vu shputën në Drinë. Si shputën e vet, si të Serbisë.

Në Bosnje, mbrohet krishterimi.

Në Bosnje, islamizmi mbrohet.

Feja nuk është naftë.

Nafta ishte gjaku i kryqzatës në Gji.

Katër Trepça ka Trepça, fund s`ka Trepça. Gjysmën e japim dhe e shpëtojmë.

Trepça është çborduar e çfunduar tej më tej, është gërryer e zbrazur. Turshi mund të blesh me të për Kosovën, lëre më liri për Kosovën.

Sali Berisha na dha, lëshoi pe në Gjermani.

Nuk është në një pe Kosova dhe nuk e ka ai perin në dorë.

Ai i zbuti fjalët. Ç’do ai ashtu?

Ai do një Shqipëri të fortë, ajo i bën të tjerat.

Shqipëri të fortë pa Kosovë të lirë nuk ka.

Kosovë të lirë pa Shqipëri të fortë nuk ka.

A e di ky presidenti ynë, Ibra ynë, nga po na prin dhe ku do të dalim? Kush është me ne e kush rreth tij? Shtëpitë tona shtëpi ishin, as komunë as republikë, por i zoti i shtëpisë i kuvendonte me meshkuj punët.

I di të gjitha presidenti. Ç’e do që ne nuk e dimë ç’di ai. Në kokë i ka të gjitha, në xhep të vogël. Tekefundit, kur i kanë ditur të gjithë të gjitha? Cila politikë a diplomaci, cila filozofi thotë ashtu? Janë të ndara punët.

Më i madhi Kadarea. Kadaren një. Të gjithë të tjerët janë shfaqur që të shfaqej ai. Tani e kemi edhe kemi letërsi.

Letërsia me një nuk është letërsi. Një mund të ketë edhe me pahir.

Ai u dallua dhe u fenomenizua rastësisht. Ai është në majë, sepse e zu majën. U ndodh ku mund të zirej edhe u zu. Po të mos qe ai, secili nga të tjerët mund të ishte Kadare.

S`mundet.

Mundet.

Kështu mendojnë ata që s`kanë mundur të jenë Kadare.

Libri i këtij e këtij, më i miri, libri i atij tjetrit, pesë para libër.

Libri i këtij që thoni, as libër as vlerë. Nuk e kam lexuar vetë, më tha një mik imi. As ai s`e kishte lexuar, i kishte thënë një që e kishte lexuar…

Kështu e kemi ne.

Më i madhi dhe të tjerët.

Më i miri dhe të tjerët.

Më i bardhi dhe të tjerët.

Kaq zë qielli ynë. Një dhe të tjerët. Nuk ka vend për më shumë të mirë, për më shumë të mëdhenj, për më shumë të dalluar. Për veçori, për specifika, për veçanti.

Duhet ta zbritësh, duhet ta rrëzosh njërin që ta ngritësh, ta hypësh, ta madhërosh tjetrin.

Kaq ka spektri ynë, Bardh e zi.

Të gjitha ngjyrat tjera mes këtyre të dyjave, tërë ai ylber i madh mrekullish prej ngjyrërash e nuancash të cilat bëjnë gjakun dhe gjallimin e jetës e të botës, qofshin sa malet, por nuk na duhen. Kush ka durim për cikërrime nuancash, altërnativash? Gjërat janë ose kështu, ose ashtu.

Kurse ne jemi kështu.

Bardh e zi.

Bardhezi.

(Nga ‘Zoti nuk është shqiptar’) / KultPlus.com

“The Queen’s Gambit” bën historinë, fiton 11 çmime në ‘Emmy 2021’

The Queen’s Gambit bëri histori ditën e djeshme me numrin e çmimeve të fituara “Emmy”.

“The Queen’s Gambit” i Netflix solli një surprizë mjaft tronditëse për çmimin e fundit të natës në Emmy, duke marrë në shtëpi seri të jashtëzakonshme të çmimeve, shkruan Daily Mail.

Seriali i dashur po garonte kundër HBO’s I May Destroy You and Mare of Easttown, The Underground Railroad të Amazon dhe WandaVision të Disney Plus për çmimin e lakmuar.

“The Queen’s Gambit” ishte një projekt pasioni i krijuesit Scott Frank, me Frank që pranoi çmimin me producentët Moses Ingram, Marielle Heller, William Horberg, Mick Aniceto, Marcus Loges dhe ylli Anya Taylor-Joy, me Horberg duke mbajtur një fjalim prekës.

“Faleminderit të gjithë kolegëve të nominuar në këtë kategori, puna mahnitëse këtë vit. Një gjë që asnjë algoritëm nuk mund ta parashikojë dhe asnjë buxhet prej miliardë dollarësh nuk mund të prodhojë është fjala e gojës”, tha Horberg.

“Ky çmim është për tifozët që ua thanë miqve të tyre. Dhe ata që u bënë miq, tifozë që u thanë miqve të tyre, ju duhet të shikoni dramën e shahut të vajzave jetime”, vazhdoi ai./KultPlus.com