Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të pandemisë, Komuna e Prishtinës për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të shkollës, është duke bërë furnizimin me teste të shpejta antigjen përmes pështymës për COVID-19.
Sipas njoftimit të komunës, shpërndarja e testeve ka filluar të bëhet nëpër institucione dhe gjatë pranimit të produktit ekipi i kontraktuar do t’u jep informatat e hollësishme dhe do të ofrojë trajnim rreth përdorimit të testeve antigjen, thuhet në njoftim.
“Deri më tani testet antigjen janë shpërndarë nëpër tetë institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme të larta, kryesisht me numër të madh të nxënësve në zonat urbane. Në ditët në vijim mbetet të përfshihen edhe zonat periferike të kryeqytetit”, thuhet në njoftim.
Është planifikuar që testet të shërbejnë gjatë gjithë gjysmëvjetorit të dytë.
Do të testohen vetëm nxënësit që kanë këto simptoma:
-Temperaturë mbi normale
-Kollitje apo ethe
-Kontakt me persona të infektuar.
Ndarja e testeve është bërë në proporcion me numrin e nxënësve në institucione./ KultPlus.com
Sot, Donika Gërvalla ka publikuar në profilin e saj në Facebook një pjesë nga ditari i babait të saj, Jusuf Gërvallës, shkruan KultPlus.
Ajo ka shkëputur fjalët që babai i saj kishte shkruar më datë 30 dhjetor të vitit 1979.
KultPlus ua sjell postimin e saj:
Donika Gëvalla Jusuf Gërvalla, Fletë nga ditari 30 dhjetor 1979, ora 00:45 (16 ditë pas largimit përgjithmonë nga Kosova)
Pas të gjitha gjasave, Kosova ime po hy në rrezik të madh, por pikërisht duke hyrë në këtë rrezik do ta gjejë edhe shpëtimin. Jetën po e jetoj falas, deri sa të më jepet rasti (nderi) që ta jap për Kosovën, Shqipërinë, për shqiptarizmin./ KultPlus.com
Në mes mjegullash të nxira hëna zhduket, hëna bredh. Mbi të trishtëmet rrafshira trishtëm dritën ajo derdh. Udhës shkretë dimërore rend kjo trojka gjithnjë. Zile e kalit monotone mezi ndihet nëpër të. Seç më kap një mall rinie karrocieri kur këndon, herë gas çapkënërie herë mall ai më zgjon. S’shoh as zjarr e as kasolle vetëm borë si pambuk. Dhe përtej shtyllat rrugore duken, zhduken tek e tuk. Ah, ç’mërzitje… nesër, Ninë, tek e shtrenjta do të vi. Pranë zjarrit kur të rrimë të të shoh me mall në sy. Dhe akrepi i sahatit do vij’ rrotull me qetësi E mërzitshmja mesnatë s’do na ndajë përsëri. Mërzi udhës dimërore karrocieri zu dremit Zile e kalit monotone hënë e mjegullt që ndrit.
Pranverë, o kohëz dashurie, ç’më mbush plot me pikëllim. Sa mall sërish ti po më bie në shpirtin tim, në gjakun tim. Për mua gazi është i huaj… çdo ngazëllim e çdo shkëlqim më sjell mërzi, më bën të vuaj.
Oh, nëmëni shqotën, suferinën dhe të pafundmen natë dimri. Pse, moj jetë je dhuratë që të bie rasti kot? Pse të dha i fshehti fat një ndëshkim me tmerr në botë? Ç’është ai pushtet i nxirë, që prej hiçit më ka thirë, që në shpirt më dha mundime dhe dyshim në mendjen time? Pa një dritë e një qëllim, më rreh zemra në shkreti. Më mbush plot me pikëllim jeta gjith monotoni./ KultPlus.com
Gjergj Kastrioti ishte njeriu më i madh i kohës së tij.Sikur që dihte botërisht i gjithë fokusi kur është folur për të mëdhenjtë është drejtuar tek dy figura ,tek ajo e Aleksandrit të Madh dhe Cezarit. Ata ishin heronjtë politikë të së kaluarës.Por,Gjergj Kastrioti ynë ishte në lidhje me këta personalitete të fuqishme po aq i madh,madje i ka tejkaluar ata në disa aspekte të qeverisjes dhe vlerave që kishte në veten e tij. Ai e njihte kohën e tij, i shfrytëzoi dobësitë e saj dhe sundoi mbi to. Kombin që ai udhëhoqi dhe skeptri i tij ishte po aq i butë dhe i dobishëm për të gjithë pa dallim.Për të ngritur shtetin e tij të Arbërit në lartësinë e tij të diellit ishte plani i tij.
Edhe pse pas vdekjes së tij pothuajse u shkatërruan gjërat e vjetra që ai kishte ndërtuar ose për të cilat ai i kishte hedhur themelet; kështu që vetëm sa dëshmon më shumë për lartësinë e tij në të cilën e la Arbërinë dhe se sa poshtë që nga vdekja e tij e deri më sot ka rënë ajo nga kufomat e gjalla që kanë mbetë,nga mbetjet,renegatët dhe pushtetarët e vëllazëruar me turq.
Në atë kohë, kur edukata dhe morali u mbulua me terrë, ai ishte një yll i të mëdhenjve të parë në Gadishullin Ilirk dhe kontinentin Europian. I gjithë mbretërimi i tij ishte një epokë e lumtur për Arbërinë ,Europën dhe Njerëzimin.
Ai vdiq dhe kështu perëndoi dielli përgjithmonë për Arbërinë duke mbetë në terrin otoman deri më sot.Gjergj Kastrioti zotëronte talent të madh politik, diplomatik dhe ushtarak. Standardi politik që ai aplikoi në kohën e tij ishte i thjeshtë dhe pikërisht për këtë arsye ishte më i përshtatshmi.Ndarjen katastrofike të të mëdhenjve ai e kundërshtoi me dinakërinë dhe forcën e karakterit.Një pasojë e hekurt në ekzekutimin e planeve të tij politike ishte cilësia e tij e gjithanshme. Jo të gjithë menjëherë ai mund të përballej me armiqtë e tij së bashku.
Por,ai i mundi ata veç e veç, me strategjinë e tij, që kurrë mos t’i lënte hapësirë që dy apo më shumë armiq të tij ta sulmonin në të njëjtën kohë.Kudo,si në Arbëri, ashtu edhe në Itali e kudo ku ai shkonte me qindra e mijëra janë parë sipas kronistëve duke tundur kokën para madhështisë së tij, para shkëlqimit të dritës së këtij mbreti e udhëheqësi të papërsëritshëm të kombit tonë arbëror europian.
Ai promovoi tregtinë dhe ndryshimin.Sidomos me vendet tjera si Raguzën, Hungarinë Venedikun,Romën etj. Kombet që ishin më larg njëri-tjetrit ishin bërë miq sikur që ishte rasti i miqësisë së tij me Mbretin e Napolit.Fama e tij u përhap në të gjithë botën. Princat më të largët donin që të luftonin nën flamurin e tij, donin të ishin miq dhe aleatë të tij. Ai u kap pas atdheut të tij e jo pas karriges, ai i dha Arbërisë ,identitet,paqe,begati dhe famë.
Papët vraponin pas tij dhe jo ai pas papëve.Feja katoliko-romake gjeti tek ai një mbështetje të dukshme.Ata e panë se ai ishte i vetmi që bashkë me Arbërorët e tij u bënë mburojë për civilizimin e përbashkët europian.Nga ana tjetër, disa nga papët e kohës së tij ishin mirënjohës,por jo edhe disa papë e perandor ,princa të tjerë që e shikon më shumë karrigen papale,mbretrore, e princërore dhe interesat e tyre egoiste se sa mbështetjen e tij në kohën më të vështirë që ai u gjend sidomos në fund të vitit 1467.
Vërtetë, ai ka rrëzuar sulltana,tartara,perandor e ushtarë të armikut dhe i ka dërguar ata që të vdisnin në inatin e tyre; por,për nga natyra e tij ai ishte një njeri që e donte më shumë lirinë,paqen dhe lumturinë e popullit të tij se sa çdo gjë tjetër ,prandaj,ai nuk lejonte që armiqtë kushdo qoftë ata t’ia shkatërronin atdheut të tij ato që populli i mbanë në gjoksin e tij si vlera të tij të natyrshme.
Gjergj Kastrioti ishte në çdo aspekt për kombin e tij pa dallim një gjeni që dha fryte të mëdha.Ai,thuhet se fliste nëntë gjuhë të ndryshme të kohës.Me një fjalë, ai ishte njeriu kryesor i popullit dhe kohës së tij në çështjet politike, ushtarake dhe diplomatike.
Çfarë brezi mund të kishte mbirë nga gjaku i këtij njeriu të madh i cili në fakt e zhvilloi një karakter po aq gjigant në botën e vogël si në botën e madhe të tij.Prandaj duke parë që nga gjaku i tij nuk ka mbetë asnjë ,e as nga kombi nga i cili doli që t’i ngjajë atij dhe botës së tij të madhe të brendshme e të jashtme ,ai tani qëndron mbi historinë; sepse ai është një flijim për kombin e tij, Europën në përgjithësi dhe të mirën e përbashkët ,dhe të ardhmen e ndritur të popullit të tij. Arbëria e tij dhe ai, si të thuash, u bënë si një mur mbrojtës kundër otomanëve pushtues.
Sikur që dihet me rikthimin e tij në Arbëri populli vetë e uli në fronin mbretëror e thirri si mbret të tyre.Prandaj, ai e dinte se një mbret i ri në një vend që ishte i ndarë në principata vendase nuk e bënë shumë të sigurt fronin dhe as nuk do të kishte rezultate lufta kundër armikut otoman(turk) ,pa një bashkim të të gjithë fisnorëve të vendit.
Zëri i popullit ishte që ai të printe në gjithçka,sepse ai ishte i duhur për kohën dhe vendin,prandaj edhe u zgjodhë në krye të të gjithë principatave të vendit i bashkoi ato në Kuvendin e Lezhës(2.Mars 1444) dhe fitoret ishin pjesë e Betejave përpara tyre kundër armikut të tyre otoman.Politika e tij në brendësi të atdheut tonë ishte kështu e lehtë për t’u vlerësuar,sepse flinsin më shumë veprat se fjalët.
Me bashkimin e principatave ai e dëshmoi veten se ishte një udhëheqës sikur t’ia kishte zbritur qielli për të mirën e përbashkët të vendit dhe qytetarëve të tij arbëror pa dallim.Ky ishte qëllimi i tij që përpos bashkimit që bëri ,ai nuk ndërhyri në popull e as në principatat në asgjë tjetër si p.sh. karakteri i tij, ligjet dhe sjelljet e mira të popullit arbëror.Prandaj, ai i la ato të paprekura,sepse ishin e pjesë e natyrshme e vetë popullit arbëror.Por,ai punoi në fusha tjera që e bënë Arbërinë të fuqishme politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht.Edhe pse në forca të pakta ai me to e bëri Arbërinë të mbante stafetën e fitores në Europën e asaj kohe.
Nga dita që ai shkeli në atdheun e tij ,nga ai moment i parë, interesimi për atdheun, nuk u harrua kurrë nga ai.Ai në veten e tij ,në brendësi të tij ishte një njeri i lirë, me ide të thella iluministe e humaniste dhe vizionar që e shihte atdheun e tij nga e kaluara me syrin drejt të ardhmes duke punuar me djersë dhe llambën me dritë në dorë për Arbërinë e tij.Kjo është një dëshmi e qartë se ai donte të punonte me gjithë energjinë e tij dhe dijen e tij,për kombin e tij.
Gjergj Kastrioti si një komandant i madh për kohën e tij e krijoi ushtrinë e fuqishme arbëror me të gjitha kapacitetet,gradat ushtarake, pozita tjera brenda hierarkisë së ushtrisë.
Kështu p.sh. grada e luftëtarit në ushtri, lloji i armës me të cilën ishte i armatosur dhe cilësia e detyrave të tij vareshin nga shkalla e komandës së tij. Mbështetja e ndërsjellë në pajisjen dhe sigurimin e tyre u bë e detyrueshme si për ata që ishin në pozita të ulët ashtu edhe për ata me pozita më të larta.Në ushtrinë e tij nuk kishte cili mbanë atë pozitë apo këtë,aty ishin të gjithë të barbartë dhe të respektuar.Madje sikur që thuhet Gjergj Kastrioti si komandant i tyre i njihte të gjithë me emra dhe fytyra të gjithë ushtarët e tij.
Me pakë fjalë ai jetoi, veproi dhe dha djersën e gjakun, dhe dijen e tij për të mirën e Arbërisë për lirinë,paqen dhe pavarësinë e saj deri në vdekje.Kështu më 17.Janar 1468 vdiq nga ethet e egëra të cilat e kishin kapluar pas rikthimit të tij nga Roma dhe të cilat e mbajtën për disa ditë në shtratë ,në fakt deri në atë ditë kur edhe vdiq. Edhe nga shtrati ai korrte fitore, emri ,fryma e tij ,shpirti i tij heroik ishte ai që i printe ushtrisë arbërore. Kështu ai vdiq në Lezhë, aty ku edhe e bashkoi Arbërinë dhe popullin për të mirën e përbashkët në luftën kundër pushtuesit otoman(turk).
Nga dhimbja e madhe për këtë humbje të madhe për Arbërinë princi arbëror Lekë Dukagjini doli në rrugë dhe i mbuluar nga lotët e dhimbjes së shpirti bërtiste ,gjamonte sipas traditës së vjetër duke nxjerrë këto fjalë: “Ejani këtu o qytetarë, e princa fisnikë arbëror! Mbrojeni veten! Sepse,sot muret e Arbërisë janë bërë pluhur, u tretë e tërë forca e jonë,u varrosën fuqia dhe shpresa jonë,froni i mbretërisë është përmbysur me vdekjen e këtij njeriu”.
Ndërkaq trupi i tij u ekspozua sipas traditave dhe u varros në Kishën e Shën Kolit.Në varrimin e tij ishte i gjithë populli ,të gjithë qytetarët derdhnin lot e me dhimbje të thellë e përcollën trupin e tij në varrin prej nga ai do t’i frymëzonte rilindasit dhe neve deri më sot. Varri i tij u bë vend i pelegrinazhit për arbërorët që i mbetën besnik idelit të tij dhe gjakut të tij të pastër iliro-arbëror europian./ KultPlus.com
Mbrëmë kisha rastin të vizitoj ekspoziten personale të artistit Sadri Morina që u hap në hapësirat e KultPlus Caffe Gallery. Hapjen e ekspozitës e bëri drejtoresha e kësaj Galerie Ardianë Pajaziti.
Ai i beson unit të tij, lëngut dhe magmës së ngjarjeve dhe trajtesave, e ndjen një energji që përfshihet në guximin dhe aventurën e çmendur galaktike, stërgjyshore, duke u nisur nga gjaku që shndërrohet në bojë, ngritë stërlaken që ngjynë shpirtin me dorën dhe penelin, transformonë jetën, vdekjen dhe procesin.
Pikturat e tij kanë një botëkuptim të vrullshëm ndërmjet abstraktes dhe surrealizmit, mirëpo në vrullin e tij artistik nuk ka rregulla, ka përmasa brenda formës anatomike, pra figurave të njerëzve në pozicione të ndryshme, nuk ka simetri te ngjyra, ka energji dhe forcë të shprehjes, komunikim përmes klithmës rebeluese dhe revoltës që shprehet përmes ngjyrave ose meditimit dhe zgjajtjes së plastikës së trupave njerëzor që nuk peshojnë askund, por vërtiten të lirë në galaktikën mendore të artistit.
Kjo lojë ose ky sinqeritet është një liri frelëshuar që udhëton me barkën e vjetër dhe të re që shkundë britmat e brendshme dhe relaksohet mbi madhësinë e dallgëve oqeanike të cilat vetvetiu brenda absolutes bëjnë lëvizje dhe në këtë lëvizje shpirti i artistit lëshohet lehtë si në fluturim, merr me vete imazhe, regjistron çdo gjë duke i vizualizuar me bojë, formë, perpesktivë, harmoni dhe kontrase. Aty mund të ndjesh insekte, aromën e bimëve, të nuhasësh djegien e tyre, të vallëzosh me violinën e vuajtjes brenda kornizës së qelqit, brenda një bote fizike të vogël, ndërsa të pa kufijshme shpirtërore. Njeriu është përballë një kaosi metafizik, astronomik , shkencor, me trup të përkyer nga kohërat antike, dhe figura e tij qëndron si monumentale brenda gjithë këtij kaosi./ KultPlus.com
Sipas Faik Konicës, ish-kreu i atëhershëm i qeverisë së përkohshme, Ismail Qemaili, ka qenë i korruptuar nga shpirti e nga zakonet, njeri pa ideal dhe pa parime, si dhe një person që ka qenë i gatshëm për të gjitha kompromiset.
Faik Konica kishte dhënë një intervistë për “Universul” më 10 janar 1914, ku është pyetur për Ismail Qemalin dhe Esat Pashën, ndërsa përgjigja e tij nuk ka qenë pozitive.
“Ismail Bej Qemali, një “fileu” bizantin, i korruptuar nga shpirti dhe nga zakonet, pa ideal dhe pa parime, i gatshëm për të gjitha kompromiset. Esad Pasha është një “condotier” mesjetar, që as nuk di metodat as nuk ka skrupujt e një shtetari modern. Është nga shkolla e Abdul Hamidit, prej së cilës ka ruajtur një suvënir të gjallë. Mirëpo është energjik dhe, po të drejtohej mirë, mund të përdorej me dobi për rivendosjen e rendit në Shqipëri. Nga natyrat e tyre do të kuptoni edhe aktet e tyre”, kishte thënë Konica në një intervistë në 1914, dy vite pasi që Shqipëria në krye me Ismail Qemali u shpall e pavarur.
Kjo është intervista e plotë e Konicës për “Universul” më 10 janar 1914:
Faik konica ka dhënë një intervistë për “Universul” më 10 janar 1914, ku është pyetur për Ismail Qemalin dhe Esat Pashën, ndërsa përgjigja e tij nuk ka qenë pozitive.
Cila është situata e brendshme politike në Shqipëri, a ekzistojnë atje parti politike dhe cilat janë programet dhe pikëpamjet e tyre? A varen programet e tyre politike nga besimet fetare?
Në Shqipëri ka dy parti të mëdha, të cilat nuk janë ende të organizuara përfundimisht: partia nacionaliste me nuancë liberale dhe partia reaksionare konservatore, turke për nga fryma. Klasa e kultivuar në përgjithësi dhe shqiptarët e Rumanisë dhe të Amerikës bëjnë pjesë në të parën, myslimanët dhe grekomanët me shkolla të kryera në Stamboll përbëjnë të dytën. Besimet fetare nuk hyjnë në formimin e këtyre dy partive.
Nacionalistët kërkonin në kohën e regjimit turk autonominë administrative dhe përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa unë me grupin tim deri edhe ndarjen nga Turqia. Partia reaksionare donte, përkundrazi, statu-quo dhe ruajtjen e bashkimit me Turqinë. Mbas luftës [ballkanike, – A.P.] nacionalistët e përshtatën programin duke kërkuar një shtet të ri, me konceptime të reja, i cili të shkëputej nga traditat orientale: një shtet nacional për nga fryma dhe oksidental për nga metoda. Me njerëz të rinj për këto situata të reja. Partia reaksionare kërkon vijimësinë e sistemit dhe frymës së administratës turke me gjendjen e vjetër të punëve. Nacionalistët dëshirojnë të kombëtarizojnë edhe kultin. Të dy udhëheqësit e Shqipërisë aktuale, sa Esad Pasha aq edhe Ismail Bej Qemali, bëjnë pjesë në partinë reaksionare, duke përdorur dhe duke imponuar gjuhën turke në administratë në vend të gjuhës kombëtare, çfarë është skandaloze.
Të dyja këto parti politike a janë dakord për emërimin e një princi të huaj? A është princi Wied i pranueshëm nga këto parti?
Reaksionarët, përshtat parimeve dhe pikëpamjeve të tyre, dëshirojnë një princ musliman, ndërkohë që nacionalistët, duke qenë se nuk ekziston ndonjë dinasti kombëtare, kërkojnë princ të huaj. Populli, siç është i lodhur nga kaq trazirë, duke dashur të shpëtojë nga luftërat e brendshme dhe duke marrë vesh që princi Ëied është i pëlqyeri i Fuqive të Mëdha, e ka pranuar në heshtje.
Si mund të shpjegohet komploti më i fundit turk në Shqipëri?
Shumë thjesht: klasat drejtuese, të varfëruara mbas lufte dhe duke pasur nevojë për para, morën para dhe bënë komplotin në interes të atij që ka paguar dhe që do të pagojë edhe më.
Ç’opinion keni zotëria juaj për këto dy personalitete “en vogue” [fr. në modë, – A.P.] tani në Shqipëri: Esad Pashën dhe Ismail Bej Qemalin?
Ismail Bej Qemali, një “fileu” bizantin, i korruptuar nga shpirti dhe nga zakonet, pa ideal dhe pa parime, i gatshëm për të gjitha kompromiset. Esad Pasha është një “condotier” mesjetar, që as nuk di metodat as nuk ka skrupujt e një shtetari modern. Është nga shkolla e Abdul Hamidit, prej së cilës ka ruajtur një suvënir të gjallë. Mirëpo është energjik dhe, po të drejtohej mirë, mund të përdorej me dobi për rivendosjen e rendit në Shqipëri. Nga natyrat e tyre do të kuptoni edhe aktet e tyre.
Ç’parashikoni zotëria juaj për shtetin e ri shqiptar?
Shqipëria, që del nga një krizë e tmerrshme (katër vite kryengritjesh dhe një vit pushtimi, pra pesë vite trazirash) dhe që ka qenë sunduar për katër shekuj nga brutaliteti dhe keqqeverisja e regjimit turk, ndodhet – afërmendsh – si një i sëmurë që nuk është lehtë të ngrihet në këmbë, punë që do të dojë disa kohë, porse jam absolutisht i bindur për vitalitetin, energjinë dhe të ardhmen e saj.”
Një faqe e librit vizatimor të Spiderman-it është shitur për 3,36 milionë dollarë në një ankand në Dallas të Teksasit.
Bëhet fjalë për faqen e 25-të të botimit të vitit 1984 të librit vizatimor “Spiderman”.
Çmimi fillestar ishte 330.000 dollarë, kurse në ditën e parë të ankandit, faqja u shit për më shumë se tre milionë dollarë.
Në të njëjtën ditë, një nga numrat më të vjetër të librit vizatimor “Spiderman” u shit për 3,18 milionë dollarë.
Identiteti i klientit nuk është bërë i ditur.
Rekordi i mëparshëm për vlerën e një faqeje të një libri vizatimor amerikan ishte 657.250 dollarë. Kjo ishte faqja e botimit të vitit 1974 “The Incredible Hulk”./ KultPlus.com
Historia e gruas që besohet se qëndisi flamurin, të cilin Ismail Qemali e ngriti më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Aktiviteti politik e shoqëror i Marigo Pozios, që vdiq e vetmuar në Tiranë, pasi kishte humbur fëmijët dhe bashkëshortin nga turbekulozi.
Sjellim në këtë ditë një shkrim të antropologut Jakov Milaj (1911-1997) të botuar në revistën Përjekja Shqiptare e Branko Merxhanit. Shkrimi është publikuar në numrin 13 të janarit 1938 të kësaj reviste, vetëm pak kohë pasi ishte shënuar 25 vjetori i Pavarësisë Kombëtare. Pa marrë përsipër vërtetësinë e të gjithë atyre që shkruhen në artikullin e mëposhtëm, po e sjellim atë të plotë me fare pak ndryshime gjuhësore, për të kuptuar atmosferën e asaj kohe si edhe disa fakte rreth figurës së gruas së shumëpërmendur në historinë tonë kombëtare.
Nga: Jakov Milaj
E ëma e një shoku t’im ruan me kujdes, në fund të arkës së teshave një flamur të vogël në trajtë trekëndshi me dimensionet 70 X 40 cm. Eshtë i kuq si flaka, me thekë të mëndafshtë rreth e rrotull, me një shqipe të bukur nga pjesa e gjerë, e me një fytyrë…., të qëndisur me dorë në zemër të shqipes. Nga pjesa e ngushtë e trekëndëshit shkruhet me germa ari: Rroftë Shqipëria.
Si ky flamur ka me qindra nëpër familjet vlonjate. I ka punuar Zonja Marigo. Kush e ka e ruan si sytë e ballit. E mbante, dikur, të fshehur në ndonjë cep që s’i binte në sy gjindarmit fesë-kuq; më pas, të ekspozuar në krye të odës së miqve; tashi që ka nisur të vjetërohet, e ka palosur, e ka mbledhur mirë dhe e ruan si ujët e pakët që mos të shkyhet.
Esht pema e një epoke entuziazmi, puna a një farkëtareje të idesë kombëtare.
Vlore, një herë e një kohë, ka pasur një zonjë që të gjithë ditën e kalonte duke qëndisur flamuj, të gjithë natën duke pritur e përcjellë nacionalistët që në shtëpinë e saj, bënin mbledhje për të shkëmbyer mendime e për të marrë vendime rreth luftës për Atdhe. Ata që kanë hyrë e dalë në një shtëpl të vogël, dera e madhe e së cilës hapet në rrugën që sot mban emrin “Justin Godart”, m’a kanë përshkruar në këtë mënyrë Zonjën Marigo Pozio: ishte një grua hollake, me gjatësi mesatare, e me një fytyrë të ëmbël, nën rrudhat e së cilës fshiheshin tiparet e një gruaje që kishte qenë e bukur në të ri të saj. Ishte gojëmbël e buzëgaz.
E zonja në fjalë sa ia kthente mendjen edhe burrit më të peshuar, trimëreshë në vepra sa nuk i trembej syri as prej bajonetave tyrke. Ishte mjaft e gjallë dhe, për në kohët e saj, kishte një kulturë të mirë të shoqëruar nga një gjykim i fortë. Dinte shume gjëra: njihte, sidomos, mirë përpjekjet e shqiptarëve për liri; kishte lexuar të gjithë poetët e Rilindjes sonë Kombëtare, shumicën e vargjeve të të cilëve e dinte përmendësh.
Kam përpara sysh shumë fotografi të saj: diku ajo duket e zymtë a e menduar, diku ka një qeshje ironike në buzë, diku spikat shenja e gëzimit. Këto kuadro përbëjnë, në mënyrën e tyre, termometrin e veprës nacionaliste: herë ngrihet pse punët shkojnë mbarë, herë ulet pse dalin pengesa, paraqiten rreziqe, bëhen gabime. Por kurdoherë, në thellësin e syve që lëshojnë xixa gjallërije, fshihet një farë gëzimi, gëzimi që ajo pret: është e sigurt se Shqipëria do të dalë më vehte e do të shkojë përpara. Shumë vjet më pas, gazeta e saj “Shpresa Kombëtare” do të botojë një poezi të hartuar në kohën e robërisë:
Do vinjë prapë, do vinjë
Do vinjë vera, behari;
Bima, lule ta mbinja,
Të marrë shpirt Shqipëtari.
Retë e zeza do përdahen,
Do shkojnë koha e ftohtë,
Lotët në vite do thahen,
Se do vinj diell i ngrohtë.
(Shpresa Kombëtare: Viti 1, Nr. 6 — 25 Maj 1921)
++++
Ibrahim Shyti, arkivisti fanatik i impulsit nacionalist vlonjat, përvec kujtimeve që mban në tru, ruan edhe shumë dokumenta të vlefshëm, letra të shkëmbyera e gazeta të vjetra që kanë të bëjnë me Rilindjen tonë Kombëtare. Shumë ndër këto flasin për Zonjën Marigo Pozio.
Ka njerëz që mbajnë mend se kjo zonjë, që në vitin 1904, do me thënë përpara shpalljes së Hyrietit, interesohej psr csshtjen shqiptare, predikonte idenë e shqiptarizmës nëpër gra e nëpër burra, mirrte pjesë nëpër mbledhjet e ndryshme të nacionalistëve. Ndërsa i shoqi, Jovan Pozio, një burrë i mirë e i dukshëm, e kalonte ditën në dyqanin e tij të madh, Zonja Marigo, në shtëpi, qëndiste, shkruante artikuj për gazetat, shkëmbente letra me miqtë e shumtë atdhetarë të shpërndarë në të gjithë botën, e u fliste grave të Vlorës për një Shqipëri të lirë, diskutonte me burrat për ngjarjet e ditës, për propagandën që duhej filluar, për luftën që duhej nisur.
Pas shpalljes së Pavarësisë, Zonja Marigo nuk men së punuari për cështjen kombëtare. Eshtë bashkëpuntore e Ismail Qemalit, të cilit, më 28 Nëntor 1912, i jep flamurin që do të shohë për të parën herë dritën e diellit të shkëlqyer shqiptar. Dera e oborrit të saj tashi i hap të dyja kanatat për të pritur e përcjellë nacionalistët. Oda e miqve bëhet qendra më kryesore ku rrihen problemet e koklavitura të ditës; është salloni ku autorët e Shqipërisë së porsalindur lexojnë me zë të lartë, ashtu sic bënin poetët frëngj të shekullit të 18, veprën e tyre ndërtonjëse të shkruar sido kudo.
Në këtë kohë ajo kthen sytë në një fushë tjetër të palëruar të cilën e kishte në kujdes për vite me radhë: në rrethin e grave. Nis, më parë, këshillat, propagandën. Iu flet zonjave të cilësdo klasë: të bejlerëve, të tregtarëve, shërbetorëve të tyre, grave të pasura e të varfëra. Më vonë propozon mbledhjen e një kongresi të gruas Shqiptare dhe ia arrin qëllimit. Në krye të vitit 1914, themelohet shoqërija “Shpresa Kombëtare” (“Populli”, Viti 1, Nr, 3 — 18 Prill 1914), në të cilën ajo, më e ditura grua e qytetit, zgjidhet sekretare.
Viti 1914 ka qenë një nga vitet më të përzierë në jetën tonë kombëtare. Princi gjerman von Ëied, që u dërgua për të mbretëruar, e gjeti vendin tonë në lufte me tanët e me të huajt. Shqipëris i ishin njohur kufijt që më 1913 prej Konferencës së Londrës, por shtetet fqinjë nuk e pranonim vendimin e Fuqive të Mëdha. Grekët kishin dale në prefekturat e Korcës e të Gjirokastrës dhe, me gjithë kundërshtimin e dëshpëruar shqiptar, kishin mundur të ecin përpara. Shumë familje, për të shpëtuar nga ndjekjet e tyre, kishin lënë plënk e shtëpi dhe kishin ardhur në Vlorë. Nën ullishtat, nëpër shtëpira të rrëzuara e dyqane të vjetër ishin mbledhur mijëra muhaxhirë.
Një gjendje e këtille, që as burrat s’po i bënin dot ballë, me gjithë se po përdornin armët dhe po derdhnin të gjitha fuqitë e tyre të varfëra në diplomaci, e vinte në pozitë të vështirë veprën e Zonjes Marigo. Ajo duhej të mbante gjallë entusiazmin ndër shoqe dhe të bënte dicka të dobishme për Atdhen e mjeruar.
Për të ngrohur zemrat e vlonjatëve u paraqit një rast i mirë: mbreti Ëilhelm i Parë, një muaj mbasi arriti në Shqipëri, i mallëngjyer prej mjerimit të muhaxhirëve të ndjekur prej Grekëve, desh të vizitojë Vlorën. Zonja Mango do t’i përgatiste një pritje madhështore nga ana e organizatës femërore të porsakrijuar.
Mustafa Quill, gazetari dëshmor, e përshkruan për bukuri, në një reportazh të gjatë, këtë pritje.
“Skela e Vlorës ishte mbushur me njerëz. Ismail Qemali, prefekti, kryekatundari, oficerët organizatorë t’ardhur prej Hollande, e konsujt e Austris e të Italisë kishin zënë vendin qendror. Pranë tyre vinte grupi i madh i grave, të veshura me petkat më të bukura, nëpër mëngët e nëpër kraharorët e të cilave ishin qepur kordela të kuqe e të zeza. Porsa u duk, në horizontin e hapët jahti mbretëror, një mori barkash të vogla, mbushur me popull të thjeshtë e me përfaqësonjës, shkuan drejt tij. Kur jahti u ndal nja njëqind metra larg toke, vetëm një barkë e vogël u drejtua kah shkallët dhe disa gra u ngjitën në të. Mbreti e Mbretëresha pranuan përpara të gjithëve, përfaqësinë e shoqëerisë “Shpresa Kombëtare”. Zonja Marigo, kryetarja e këtij grupi, e mallëngjyer pse po shihte të vërtetuar ëndrrën e saj të sa e sa vjetëve, me lot ndër sy i dorëzoi Mbretëreshës një tufë të madhe lulesh të zgjedhura. Mbretëresha e puthi në ballë. Në tokë Sovranët u pritën me brohoritje të papërshkruarshme. Jani Minga mbajti një fjalim të mallëngjyeshëm. Kur karroca mbretërore po nisej për në qytet, populli zbërtheu kuajt prej saj dhe e tërhoqi vetë Mbretin gjer sa e coi në banesën që i ishte caktuar”. (“Popull”, Viti 1, Nr 3, 18 Prill 1914).
Kjo vizitë mjaftoi për t’u ngjallur entusiazmin grave të Vlorës. Zonja Marigo, e pagëzuar me një puthje mbretërore në ballë, fitoi fuqi të reja për të vazhduar misionin që i kishte ngarkuar vetvehtes. Vepra më e mirë për kohën kur një mori njerëzish, të plagosur në luftë e të sëmurë, janë duke vdekur urije e së ftohti nëpër ullinjt e Vlorës, ishte ndihma për muhaxhirët. Edhe përpara se të vinin në Vlorë Sovranët, ajo kishte mundur të mbledhë dicka: 3804 groshë. Mbretëresha Sofije, për të përkrahur këtë inisiativë, i dhuron Zonjës së Syrja Bej Vlores — kryetare a shoqërisë — edhe 3000 franga ari bashkë me disa topa basme e pëlhure. (Mbreti, mbasi vizitoi të gjithë muhaxhirët me radhë, nëpër banesat a tyre të shkreta iu fali atyre 1000 napolona).
Nis, atëherë, fushata e ndihmave më me nxehtësi. Zonja Marigo, bashkë me dy a tri gra të tjera, shkon shtëpi më shtëpi, trokiti derë më derë për të kërkuar lëmoshë. S’le grua pa kapur. Te dyert e pacelura pret nga një gjysëm ore e nga një orë më këmbe, gjer sa ato cilen. Gjithkush kontribuon me dicka. Dikush jep dhjetëshin për muhaxhirët, dikush kacidhen. E me dhjetëshe e me kacidhe mblidhet një shumë e madhe: 21.813 groshe. (Në këtë shumë nuk hyn ndihma e Mbretëreshëes, por vetëm ndihmat e vogla bashkë me të ardhurat e llotarisë që u hodh për një qostek të falur nga Zonjëza Bukroshe Qazim Kokoshi)
Lista e ndihmëtarëve, edhe e atyreve që për mungesë groshi, kishin dhënë vetëm nga njëzet e nga tridhjetë para, botohet në fletoren “Populli”. (Populli, Viti I, Nr. 11, 20 Qershor 1914).
Eshtë lista e vuajtjeve të kësaj zonje nacionaliste: qindra emra, do të thotë qindra dyer të trokitura, qindra shtëpi të vizituara; punë që kërkon djersë, sidomos kur kryhet ndër ditët e fundme të majit. Gratë e Vlorës mendonin që fushata e tyre të përhapej në të gjithë Shqipërinë e nëpër kolonitë shqiptare; e prandaj kishin dërguar një tok letrash, të thjeshta e të porositura, nëpër të katër anët e botës. Në gazetën “Populli” pas listës së ndihmëtarëve, shënohet lista e letrave të dërguara, e më në fund, Zonja Marigo përshkruan llogarinë se si u shpenzuan të hollat e mbledhura. Po e botoj tekstualisht këtë pjesë:
Shuma e të hollave grosh 20.801
Nga qosteku qe dhuroi vajza e Z. Qazim Kokoehit 1.012
Gjithsej 21.813
Ndihmat që u dhanë prej Zotërinjve të Vlorës:
10 qese misër i dhuroi Nëna e Qazim Kokoshit.
Të holla 15.000
Për 10 shtresa dhe 10 krenka (jastikë) 70 kut nga 2.20 gr 175
U dërguan në Kaninë për të prishurat e krahinës së Delvinës:
Basma 129 kut nga 1.30 grosh 225
Basma 79 kut nga 1.23 105
Mashemir 54 kut nga 2.20 135
Humai topa 4 nga 0.455 180
Për kalin që shpuri plackët në Kaninë 20
Harxhet e shtypit 300
Për letra 29.50
Prej shumës së të hollavet 21.813 grosh u harxhuan 16,169.50
Kusuri 5.643.50 gr. do t’i paraqitet këto ditë bashkë me statutin M. së sajë Mbretëreshës, dhe si të kqyret nga M. S. Mbretëresha, do të formohet Shoqëria e rregullshme dhe pastaj tu lutemi bashkatdhetarëve tona që dëshirojnë përparimin e Atdheut të marin pjesë në këtë shoqëri.
Gjithë zonjave e zotërinjve që patën mirësinë e na ndihmuan u falemi fort nderit. Zonjave Shqipëtarka brenda e jashtë Shqipërisë që u cuam letra pas listës që po botojmë, u lutemi fort të na përkrahin me ndihmat e tyre. Zonjat e Vlorës që s’na ndihmuan si Z-za K. G. dhe Za N. E. që u fshehën dhe Z. Dr. P. (të gjithë inicialet përfaqësojnë emra që janë shkruar të plotë në original) që si na mbajti një orë ne porta, mezi na hodhi 20 gr., u themi që meqë neve nuk u suallëm si dinkardashët e tyre Grekët, që kur vinin kërkonin nëpër Shqiptarët e viseve që kishin shkelur e u thoshin jepni 4-5 napolona; dhe ato të ngratat Shqiptarka që kishin burrat në kurbet, dhe s’u ndodheshin të holla, i shtrëngonin të shisnin bakëret, ose bagëtinë dhe jo vetëm këtë punë, po shumë herë (dhe përse, që t’u vrasin vëllezërit dhe t’u djegin mallë), pra pse me fisnikëri u kërkonim të na ndihnin sa të duan, na u fshehën e s’na dhanë?
+++++++
Por kohët e veprimit kaluan shpejt e shpejt. Rebelët e Shqipërisë së Mesme e dëbuan Mbretin Wilhelm i Parë prej vendit tonë, mbasi i vranë trimat më të mirë. Po n’atë kohë plasi Lufta e Madhe dhe Shqipëria u shkel prej Fuqive të Huaja. Shoqërija e “Shpresa Kombëtare” u shpërnda pa e parë të aprovuar statutin e saj nga ana e Mbretëreshës Sofije që do të ishte kryetare nderi. Zonja Marigo hyn prapë në shtëpinë e saj të vogël për të pritur e përcjellë miqt e vjetër nacionalistë. Fatbardhësisht kjo periudhë turbullimi nuk i kalon të pes a gjashtë vjetët. Luftrat e 1920-ës i nxjerin jashtë Shqipërije fuqitë e huaja; Kongresi i Lushnjës riorganizon shtetin e lirë shqiptar.
Zonja Marigo, porsa e sheh Shqipërinë të lirë e sovrane, mendon menjëherë komitetin e grave vlonjate që, gjashtë vjetë më parë, ishte shpërndarë pa u formuar mirë. Shoqërija “Shpresa Kombëtare, u formua më 21 Janar 1921 (Mbrojtja Kombëtare Viti 1, Nr. 16, 23 Janar 1921) dhe menjëherë mori një vendim të madh: të botojë një gazetë që do të ketë për mision zbvillimin e femrës shqiptare. Zonja Marigo J. Pozio caktohet drejtoreshë e përgjigjshme.
Kam lexuar vetëm një numër të kësaj fletoreje të botuar mbi letër ngjyrë trandafili; në krye titulli “Shpresa Kombstare” formon një gjarpër në trajtën e gërmes “S” të shtritur. Nën të vijnë artikujt, të ndarë në tri shtylla, përmbajtja e të cilëve, po të merret parasyshë koha në të cilën janë botuar dhe niveli kultural i femrës shqiptare të vitit 1921 që kishte kryer shumë shumë, vetëm një shkollë fillore propagande në gjuhë të huaj, është mjaft e mirë.
Shifet qartë se Zonja Marigo ka pasur dhe një kulturë që e bënte superiore ndërmjet shoqeve, edhe një farë shije në gazetari. Fletorja “Shpresa Kombëtare” vazhdoi botimin vetëm për pak muaj. Kur entuziami që kishte grumbulluar të gjithë gratë e Vlorës rreth Zonjës Marigo u shua, shoqërija u shpërnda dhe fletorja u mbyll. Zonja Marigo tashmë ishte mplakur dhe nuk mund të punonte më me vrullin e dikurshëm. Përvec pleqërisë, sëmundjet e mjerimet familjare nuk e linin të qetë. Dy vajza dhe biri i vetëm i vdiqën nga tuberkulozi. Jovani, i shoqi zemërbardhë, që për disa vjetë me radhë mundohej të përkrahte veprimtarinë e saj dhe të ndihmojë cështjen kombëtare, vdiq po prej kësaj sëmundjeje. Më në fund, bacilet e Koch-ut nisën të brejnë edhe mëlcinë e Zonjës Marigo. E varfër sa s’bëhet, s’kishte asnjë mjet për t’u mjekuar. Me kohë humbi edhe dritën e syve dhe, pesë a gjashtë vjet më parë, vdiq në Tiranë në një gjendje të vuajtëshme. Për varrimin e saj u përkujdes i kunati, Kristo Floqi.
+++++++++
Ky është fundi i tmerrshëm i një idealisteje të madhe. Zonja Marigo Pozio të gjithë jetën e pasurinë ia kushtoi cështjes Kombëtare. Por me gjithë këtë, emri i saj do të harrohej krejt, sikur ndonjë polemikë gazetash ose ndonjë shënim i pakontrolluar reviste kulturale mos të parashtronte pyetjen: Cili flamur qe ai që u ngrit në Vlorë, më 28 Nëntor, prej Ismail Qemalit?
Gjithkush, gjer më sot, është përgjigjur sipas qejfit. Disa duan të thonë se flamuri i parë që valoi në Vlorë qe ai që Don Aleandro Castriota u pat falur bejlerëve të këtij qyteti. “Hylli i Drtës” kujton se Ismail Qemali, duke ardhur prej Viene, u ndal në Kotorr dhe atje Lec Shkjezi, që kishte flamuj gjithfarë maset, i dha nji flamur të thjeshtë, kund dy metra të gjatë, mbasi i pat thanë Plaku: nuk e due as tepër të madh, as tepër të vogël. (Hylli i DrItës, Nr. II, Nanduer 1937)
Të dyja këto, pretendime janë të pathemelta. Kërkush nga ata që kanë marrë pjesë në Kongresin e Vlorës, përvec të interesuarve, nuk përmendin gjëra të këtilla. Mbeten vetëm dy hipoteza, në të cilat Zonja Marigo figuron, në mos si qëndisësja, së paku si kustodja e Flamurit Kombëtar: u ngrit flamuri i dërguar prej Amerike nga shoqërija “Besa Besë”, apo ai që punoi me duart e veta Zonja Marigo?
Zoti Kol Rodhe, në këto ditë, pati mirësinë të më dërgojë një letër të gjatë në të cilën përshkruan një histori të mahniteshme qi duhet ta njohë cilido Shqiptar: Në verën e vitit 1911, me pretekst se do të mjekohej, Zonja Marigo shkon në Korfuz (sikurse kishte shkuar, më parë edhe nëpër qytete të tjera) dhe aty ndeshet me të gjithë përfaqësonjësit nacionalistë të kolonive shqiptare që ishin mbledhur në ishullin grek për të hyrë së bashku e me pushkë në dorë në Shqipëri që të nisnin luftën kombëtare. Midis këtyre ishin dhe përfaqësonjësit e Amerikës, të dërguar nga shoqërija “Besa Besë”. Këta, dhe posacërisht Kola me të vëIlain e Thoma Katundit, i dorëzuan Zonjës Marigo një flamur të qëndisur n’ar e në mëndafsh që, “me gjithë shtizën dhe me një shkabë të celikteë kishte kushtuar 140 dollarë”. Ndërsa 13 vetët që përbënin cetën e Amerikës vuanin nëpër bodrumet e Gjirokastrës, Zonia Marigo kthehet në Vlorë me flamurin e veshur në trup nën teshat e përditëshme, nga frika se mos ia gjejnë rojtarët e doganës që teshat e asaj i kontrollonin më imët nga cdo gjë tjetër. Një vit më pas këtë flamur ia dhuroi Ismail Qemalit për t’a ngritur më 28 nëntor, në ballkonin e Xhemil Beut. (Përshkrimin e Z. Rodhe po e shkurtoj e po i shtoj ndonjë episod të mbledhur nga persona të tjerë.)
Të njëjt mendim me Kol Rodhen janë edhe shumë nacionalistë të tjerë, ndër të cilët edhe Zoti Qazim Kokoshi. Por Kristo Floqi ka shkruar ne fletoren “Arbënia”, ka nja dy vjet, se flamurin kombëtar që u ngrit për të parën herë e pat “hartuar” me duart e veta Zonja Marigo mbi cohën e blerë te tregtari Diamanti si mbas modelit të shqipes që kishte vizatuar Dom Mark Vasa me Petro Fotografin. Midis atyreve që kanë dijeni mbi faktin, Zoti Kristo Floqi përmend edhe Lef Nosin, Shefqet Dajin, Thanas Floqin, Qemal Karaosmanin, Hamza lsain e Ymer Radhimën.
Këtë hipotezë të dytë e përkrah edhe shërbetorja që Zonja Marigo, ka mbajtur pranë vehtes gjatë gjithë jetës së saj. Kjo di shumë sende nga jeta e Zonjës dhe i kujtohet së si qëndron puna e flamurit që u ngrit në Vlorë.
“Flamuri që ngriti për të parën herë Ismail Beu — më tha Zonja Thina Ferra — e ka pikturuar me hoje të zezë vetë Marigoja. Bile, këtë flamur unë vetë e kam ngrohur pranë mangallit që ta thaj sa më parë. “Shpejt, Thinë, më thoshte e ndjera Zonjë, pse Ismail Beu e do për tashi pas drake”. Flamuri i Amerikës që suallëm prej Korfusi i është dorëzuar Llambi Bimblit e Kol Rodhe’s, i paprekur, kur këta po niseshin për në Korcë. Flamuri që bëmë ne nuk ishte krejt i kuq, por pak si i zbardhur, në bojë të specit. Po atë ditë kemi pikturuar edhe shumë flamuj të tjerë për t’ia shpërndare popullit. Kishim edhe një shqipe të vogël që e lyenim me bojë të zezë dhe iu vulosnim qylafët a bardhë të gjithë lebërve që muarën pjesë në manifestime, transmeton ‘laspi.al’.
++++++++
Nga gjithë sa thamë më sipër, duhet besuar se flamuri që u ngrit në Vlorë qe punuar nga Zonja Marigo. Fjalët e Thinës sidomos, duhen marrë në konsideratë, pse, brenda tyre nuk fshihet asnjë ambicje a paragjykim. Kjo flet vetëm mbi sa ka parë me sytë e ka dëgjuar me veshët e saj.
Por, edhe në mos qoftë e vërtetë se flamuri që u ngrit për herën e parë ka qenë i pikturuar vetë prej dorës së Zonjës Mango, ësht krejt e sigurtë se, të paktën, ai flamur u ngroh prej trupit të saj, u nxeh në prushin e zemrës së saj shqiptare sa here i duhej të kalonte nëpër doganat e huaja ose të kërkohej prej autoriteteve turke. Flamuri që u ngrit në Vlorë nuk është blerë nëpër tregtarë, por është punuar prej dorës së një Shqiptarke, qoftë kjo edhe n’Amerikë, që shkriu jetë e pasuri për lirin e Atdheut.
Gjithkujt i bëhet të besojë se Vincens Prendushi (O.F.M.) ka pasur parasyshë Zonjën Marigo duke qëndisur flamurin kombëtar, kur ka shkruar në “Gjeth e Lule” romancën e tij të pavdekshme: Grueja Shqyptare.
Hapësirat e KultPlus Caffe Gallery morën ngjyrë tjetër mbrëmë me hapjen e ekspozitës ‘Vena vaditëse’ të artistit Sadri Morina, përcjell KultPlus.
Veprat në të cilat ngjyrat janë kombinuar me përpikmëri, kishin një detaj që i bashkonte, e ai është elementi i galaktikës, të ciliin Morina e ka përvetësur në stilin e tij.
E vlerën që ka pas vetes arti që e krijon artisti Morina u dëshmua edhe nga pjesëmarrja e madhe e njerëzve që prisnin me padurim që ekspozita të fillonte dhe të shkrepnin fotografi me pikturat që ishin rënditur me kujdes nëpër mure nga artisti.
E hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në ekspozitën e parë për këtë vit në këtë ambient.
“Kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të projekteve që janë të mbështetura prej Ministrisë së Kulturës, projekt në kuadër të KultPlus Caffe Gallery. Kemi vendosur me e realizu një llojllojshmëri të përzgjedhjeve dhe kemi filluar me Sadriun e do të vazhdojmë me projekte të tjera në mbështetje të artistëve të rinj” – u shpreh Pajaziti.
Në hapjen e kësaj ekspozite foli edhe drejtoresha e Akademisë Evolucion ku Morina kishte filluar studimet para 13 viteve.
“Sadriun e njoha para 13 vitesh kur ai ka filluar si student për pikturë, dhe ai është dalluar qysh në fillim sikurse të gjithë piktorët me stilin e vetë, por unë e kam ndjekur atë edhe në vitet në vazhdim dhe më pëlqen një gjë tek ai, që është shumë kërkues. E ka pasur një pjesë të jetës që ka punuar kitarat, violinat dhe brenda gjeje jo vetëm ngjyra por edhe muzikën që dilte nga ato piktura sikurse edhe ngjyrat që i kemi sot në këtë ekspozitë që shpërthejnë sikurse galaksitë.” – thotë Shatri në hapjen e kësaj ekspozite.
Në mesin e pjesëmarrësve që kishin ardhur për ta parë artin e Sadri Morinës ishte edhe kritiku i artit, Ilir Muharremi.
“Një ekspozitë shumë e veçantë, veçanërisht pse autori shpreh atë botën e tij të brendshme, atë ta quaj ‘rrëmujë mendimesh’ ku ka një lëvizje të rregullt të formave, ka ritëm, kompozicionet janë të rregullta, pra është një temë ndërmjet galaktikës, ndërmjet planeteve, një ylber ngjyrash ku dominojnë ngjyrat e ngrohta, poashtu edhe ngjyrat e ftohta. Ky art mund të veçohet më shumë i art surrealist sa i përket trajtimit të formave dhe trajtimit të idesë. Mesazhet, secili artist i ka ato mesazet e veta herë enigmatike e herë konkrete, por sido që të jetë e veçanta e këtij arti është provokimi, kur ti rrëmbehehs dhe futesh, lundron brenda këtij oqeani ose këtyre ngjyrave.” – thotë Muharremi për KultPlus.
I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe piktori i njohur, Agron Mulliqi i cili e vlerësoi lart artin që ka shpalosur artisti në këtë përmbledhje pikturash.
“Sadri Morina është një djalë shumë punëtor edhe nuk është tërhjekur asnjëherë nga arti, madhështia e artit është vazhdimësia prandaj më vjen mirë që e ka hapur këtë ekspozitë. Ajo që më ka pëlqyer më së shumti është tema që e ka marrë, ajo e galaktikës dhe të cilën ai e ka adaptuar në teknikën e vetë” – thotë piktori Mulliqi duke i uruar më tutje suksese artistit Morina.
Ndërkaq për KultPlus foli edhe vetë piktori Morina i cili e shpjegon konceptin e kësaj ekspozite ku ka paraqitur pikturat në të cilat ai ka punuar që nga viti 2017.
“Njeriu jeton mes dy universeve, atij që funksionon brenda nesh dhe atij që funksionon jashtë nesh. Duke u munduar ta kuptoj veten time, kam arritur të krijoj imazhe të universit jashtë nesh me kontraste të forta, me thellësi ashtu si vetë jeta ime. Jam munduar ta krijoj një formë të re të artit duke e gershetuar abstrakten me realizmin dhe surrealizmin duke sjellë një abstrakt tre-dimensional.” – thotë Morina i cili tregon se veprat e para nga ky koleksion janë shitur në Paris duke e shtyrë atë që të japë më shumë në një energji të tillë. Kurse veprat e tjera artisti thotë se janë zgjedhur me kujdes për këtë ekspozitë.
Ndërkaq, ekspozita ‘Vena vaditëse’ do të jetë e hapur deri më 29 janar. Pikturat janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit mund ta kontaktojnë artistin për blerjen e tyre./ KultPlus.com
Filmat animacion po bëhen gjithnjë e më popullor me audiencën në mbarë botën.
‘Animacion’ është një term i përgjithshëm që përfshin një katalog të pasur dhe të larmishëm të titujve, zhanreve, disponimeve dhe stileve vizuale.
Po aq i përhapur është interesimi për filma animacion për të ardhmen dhe integrimin e teknologjisë njerëzore, me hitet e njohura Akira dhe Ghost In The Shell, secili duke marrë qasjen e vet unike ndaj profecisë.
Më poshtë gjeni të listuar disa nga filmat më të mirë animacion.
Shoqata “Trojet e Arbrit “më 10 qershor 2022 në Prizren organizon sesionin e V-të, të veçantë shkencor me temën:”Personaliteti shumëplanesh i Mustafa Merlika- Krujes dhe ndihmesa e tij themelore në jetën kulturore e politike të Kombit shqiptar , me rastin e 135-vjetorit të lindjes (1887 – 2022).”
Ftohen studiuesit shqiptarë të cilët kanë materiale arkivore,letërkëmbime, dhe materiale tjera, dhe qe janë njohës të kontributit kombëtar,politik,shkencor,dhe kulturor te atdhetarit Mustafa Merlika-Kruja që te paraqitën me temat e tyre deri më 30 prill 2022.Për t´iu orientuar se në cilën veprimtari mundeni të merrni temën tuaj po e japim një profil të shkurtër të nënshkruesit të Pavarësisë së Shqiperisë që në moshën 25 vjeçare atdhetarit,politikanit dhe studiuesit Mustafa Merlika –Kruja.
Mustafa Merlika – Kruja lindi në Krujë më 15 mars 1887, nga një familje me origjinë nga malësitë e Kurbinit. Mësimet e para i mori në Mejtepin e qytetit të lindjes, për të vazhduar më tej në Idadijen e Janinës e për të mbaruar shkollën e mesme në gjimnazin ” Numune-I Terakki ” në Stamboll. Nëpërmjet konkursit të përvitshëm u pranua në Shkollën Civile Mbretërore ” Mylkije-i Sahane” ( I njëmbëdhjeti në 70 pjesëmarrës për dyzet vende). U diplomua në Shkenca politike dhe administrative në moshën 23 vjeçare në vitin 1910. Gjatë studimeve u shqua për veprimtari atdhetare dhe demokratike, nëpërmjet shkrimeve të ndryshme në gazetat e Stambollit me pseudonimin Asim Xhenan.
Më 1910 u kthye në Shqipëri e i u fut profesionit të mësuesit por edhe veprimtarisë politike. Para Shpalljes së Pavarësisë, së bashku me Abdi Toptanin dhe Kapidanin e Mirditës shkoi në Shkup për të bashkërenduar veprimet me kryengritësit kosovarë të Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Nexhip Dragës, Isa Boletinit,Zef Kol Ndoka (Zefit i Vogël), dhe Pjetër Qeli, në cilësinë e sekretarit të kryengritjes shqiptare për Shqipërinë e Mesme e të Veriut.
Më, 28 nëntor 1912 ishte në Vlorë, si përfaqësues i zgjedhur i parisë së Krujës, ku firmosi Dokumentin e Pavarësisë dhe u emërua si zv. Prefekt e më vonë si sekretar i Këshillit të ministrave në moshën 25 vjeçare. Nga Vlora u emërua drejtor i Arsimit për qarkun e Elbasanit e, më pas, si këshilltar për Arsimin në qeverinë e Turhan Pashës. Luftoi rebelimin e Haxhi Qamilit e përkrahu ardhjen e Princ Viedit në Shqipëri. U burgos nga Esat pashë Toptani, atij që kish ngulur këmbë të shkruhej në Mylkije, mbas ikjes së Princ Viedit, i cili e dënoi me burgim, duke e çuar në Sicili nëpërmjet italianëve. Mbas dy vitesh u lirua nga burgu dhe u emërua kryeredaktor i gazetës” Kuvendi”, që botohej në Romë nga miku i tij, Sotir Gjika. U kthye në Shqipëri në dhjetor 1918 e mori pjesë në Kongresin e Durrësit, ku u emërua ministër i Postë-Telegrafave dhe sekretar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku u shqua për hartimin e të gjithë dokumentacionit të Dërgatës në gjashtë muajt e parë të veprimtarisë.
Deputet i Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare të Shqipërisë së pavarur më 1921, u bashkua me grupin e deputetëve shkodranë në parlament. Mori pjesë në Lëvizjen e marsit 1922, së bashku me Zija Dibrën, Elez Isufin, Bajram Currin ku u detyrua te mërgoj pas deshtimit të kësaj kryengritje.U kthye në Shqipëri në qershor të vitit 1924, për t’u larguar përsëri prej saj në Krishtlindjet e atij viti, mbasi kishte kryer detyrën e prefektit të Shkodrës, gjatë qeverisjes së Fan Nolit.
Në 15 vitet e mërgimit në Zara, në Gjenovë e në Gjenevë, veç veprimtarisë politike e publiçistike, punoi në hartimin e Fjalorit të madh të Gjuhës shqipe. U rikthye në Shqipëri më 1939, “i vendosun mos me marrë pjesë n’asnji qeveri pushtimi “. U emërua njëri ndër katër Senatorët e Mbretërisë dhe Kryetar i Institutit të Studimeve shqiptare. Në nëntor 1942 Mustafa Kruja u thirr nga Françesco Jacomoni, zëvendës i Mbretit në Shqipëri, për një bisedë tepër serioze, në të cilën ky i fundit i kumtoi krijimin e PKSH, të drejtuar nga emisarët jugosllavë dhe propozimin për të marrë në dorë qeverinë. Lajmi qe tronditës sepse, simbas mendimit të tij, përbënte një rrezik për t’ardhmen e Shqipërisë. U mendua disa ditë për propozimin e së fundi vendosi: “Nuk nguroj më: të dali ku të dali, vendos të marr mbi vete përgjegjësitë e mija”. Këto janë fjalët tekstuale, me të cilat i shpjegon Autoriteteve të Imigrimit të SHBA, në kërkesën për strehim politik më 1952. Më poshtë vijon: “Po, kam pranuar me plot ndërgjegje këtë gjëndje. Kam besuar si një detyrë të shenjtë atdhetare t’i shmangia Vendit tim katastrofën më të madhe që mund të pësonte. Sikur t’ia kisha arritur qëllimit, epitetet e të sharat që më kanë përfolur me shumicë për të më njollosur, do të më kishin nderuar. Por dështova sepse qeshë viktimë e pabesisë fashiste. Nëse italianët do të më kishin dhënë ato që më premtuan dhe bashkatdhetarët e mij nacionalistë do të më kishin kuptuar, Aleatët perëndimorë do të kishin gjetur pa dyshim në nëntor 1944, në buzë të Adriatikut, një Shqipëri besnike ndaj tyre e mirënjohëse për lirinë e pavarësinë e tyre… “
Me disa kushte të kërkuara qeverisë italiane e të premtuara prej saj, Mustafa Kruja pranoi marrjen e qeverisë shqiptare nën kryesinë e tij. Por bashkëpunimi me qeverinë italiane dhe autoritetet e pushtimit nuk zgjati shumë. I nisur si një “lëshim i mëtejshëm ndaj nacionalizmit shqiptar”, simbas ministrit të jashtëm t’Italisë, ai erdhi duke u dobësuar e duke nxjerrë në shesh kundërshtitë. Kryeministri kishte kërkuar fonde për të krijuar e mbajtur në këmbë një trupë të milicisë shqiptare, por italianët nuk i a sendërtuan kurrë atë mundësi. Kryeministri kërkonte të çrrënjoste komunizmin në embrion, por italianët, për një zgjedhje strategjike të Boshtit, këtë e bënin për formë. Kryeministri, në rrethin e tij të ngushtë, kishte marrë një vendim tepër të fshehtë: të organizonte një forcë t’armatosur, e cila në çastin e duhur dhe në marrëveshje me forcat e vërteta kombëtariste, do t’i jepte goditjen ushtrive të pushtimit, duke shmangur nga ky veprim lëvizjen komuniste të drejtuar nga jugosllavët, duke rrezikuar kështu, siç ndodhi me të vërtetë, rikthimin e “tokave të lirueme” përsëri në administrimin sërb. Për të filluar sendërtimin e këtij plani strategjik ai mendoi t’a niste nga Vlora, krahina më e fuqishme e asaj lëvizjeje. Në këtë kontekst u emërua Qazim Koculi, miku i tij i vjetër dhe heroi i Vlorës 1920, si Komisar i Lartë i qeverisë, por italianët e nuhatën dhe e vranë atë nëpërmjet dorës së shqiptarëve. Atë çast, një nga më të hidhurit e jetës së tij, Mustafa Kruja e kuptoi se ishte goditur mbas shpine e se projekti i tij kishte dështuar. I kërkoi Jacomonit hetimin e shpejtë e të gjithanshëm të krimit e dënimin e dorësve e të shtytësve, por mori një refuzim të prerë. Vendosi të japë dorëheqjen e pakthyeshme e i kërkoi zyrtarisht Romës zëvendësimin e tij. Me këtë akt të datës 13 janar 1943 u mbyll kariera politike e Mustafa Krujës. Trembëdhjetë muajt e atij qeverimi qenë një pjesë e funksionimit të Shqipërisë etnike dhe institucioneve të saj, e heqjes së simboleve fashiste nga flamuri kombëtar, i hapjes së shkollave shqipe në Kosovë e në tokat e tjera të bashkuara “shtetit amë”, e shpëtimit të hebrenjve etj, etj.
Mustafa Kruja u largua nga Shqipëria në shtatorin e vitit 1944, si pasojë e një fatkeqësie familjare, mbasi djali i tij i vogël, Besimi, ishte shtruar me urgjencë në spitalin e Vjenës ku studjonte, e mjekët kërkonin praninë e tij, për të dhënë miratimin e tij për një ndërhyrje kirurgjikale të birit. Ai udhëtim qe fatal për jetën e të birit, por shpëtimtar për fatin e tij. Mbaslufta qe mjaft e vështirë për të në Itali, deri në vitin 1948, kur ai shkoi në Aleksandri të Egjyptit, i ftuar nga ish Mbreti Zogu I, të cilit i kishte njohur meritat që më 1943, dhe e quante si të vetmin personalitet shqiptar që mund t’a shpëtonte Shqipërinë nga katrahura, në të cilën ishte zhytur më 29 nëntor 1944.
Periudha 1948 – 1955 në Egjypt qe një periudhë studimesh e shkrimesh, të cilat i u lanë në trashëgimi motrës së tij Haxhire, e cila i ruajti me kujdesin më të madh deri në vitin 1992, kur u takua me familjen e ardhur nga Shqipëria dhe i a dorëzoi asaj. Nga ajo punë studimore, në vitet 2001 – 2017 janë botuar 18 vëllime të karakterit historik, gjuhësor, letërkëmbimesh, nga shtëpi të ndryshme botuese si Sejko, Volaj, Camaj-Pipaj, 55, Botime Françeskane, Çabej, Omsca1, Klubi i Pezisë, Berk, në shumicën dërmuese me shpenzimet e vete familjes, pjesërisht me dëmshpërblimet e pakta që janë marrë nga pagesat e viteve të gjata të burgjeve të familjarëve të Tij. Mëkat që në këtë numër veprash mungon kryevepra gjuhësore e Mustafa Krujës, “Fjalori i Madh i Gjuhës shqipe”, i përfunduar dhe i lënë për botim në Institutin e Studimeve Shqiptare, në verën e 1944, siç del nga zbulimi kohët e fundit i letërkëmbimit mes Autorit dhe Institutit në fjalë. Mes shumë krimeve të regjimit komunist do të rradhitej edhe ai kulturor, i vërtetuar katërcipërsisht me zhdukjen e një seri veprash të autorëve shqiptarë, të marra nga ai Institut që më vonë do të bëhej Akademia e Shkencave dhe Arteve te RPSSH. Me zhdukjen e atij fjalori i është sjellë një dëm i pandreqshëm jo aq emrit të Mustafa Krujës se sa pasurisë gjuhësore të shkencës shqiptare.
Në vitin 1955 Mustafa Kruja shkoi në Francë, duke mbajtur gjithmonë në zemër mirënjohjen e thellë për ish kundërshtarin e tij politik, Mbretin Zogu I por atëherë mik i vërtetë, i gjindur ndër ditë tepër të vështira. Një vit më vonë ai u shpërngul për në SHBA, qeveria e të cilëve i kishte akorduar strehimin politik, e ku mundi të bashkohet edhe me djalin e tij, Bashkimin, që punonte atje si një ingjinjer kimist. Atje, në Vëndin e lirisë, ku kishin gjetur strehë aq shqiptarë të ikur nga regjimi komunist Mustafa Kruja kaloi dy vitet e fundit të jetës së tij, duke patur gjithënjë si një thikë në zemër dhimbjen për familjen që kishte kaluar dhjetëvjeçarë burgjesh e kampesh internimi. Atje, në Niagara Falls, n’afërsi të Ujvarës së famshme jeta e Tij u ndërpre papritmas, si pasojë e një ndërhyrjeje në tëmthin, në moshën 71 vjeçare, më 28 dhjetor 1958. E përcolli në udhëtimin e fundit, ndërmjet të tjerëve, një bashkëqytetar e mik i viteve të rinisë, i nderuari Abaz Kupi së bashku me të tjerë shqiptarë, mes të cilëve dhe djali i mikut të tij, Xhevat Korçës, Genc Korça. U kremua dhe hiri i tij priti gati një gjysmë shekulli kthimin në varrezat e qytetit të tij të lindjes. Ajo dëshirë e pasuar prej shpirtit të tij të Plotfuqishmit të përjetësisë u sendërtua më 2 qershor 2007, kur nën kujdesin e familjes hiri tij u preh më së fundi në tokën që e lindi.
Në këtë sesion të Shoqatës atdhetare “Trojet e Arbërit”, kujtesa historike e Mustafa Krujës ballafaqohet me mendimin bashkëkohor të përfaqësuesve të kulturës shqiptare të painfektuar nga ideologjia komuniste që, fatkeqësisht, është fort e pranishme në historiografinë zyrtare. Urojmë që ky ballafaqim të kthejë në opinionin e studiuesve shqiptarë të vërtetat historike të cilat janë masakruar që prej 80 vitesh nga historiografia zyrtare. /KultPlus.com
Ka vdekur në moshën 91-vjeçare Nino Cerruti, një nga stilistët dhe sipërmarrësit e mëdhenj italianë të modës, shkruan BBC, transmeton KultPlus.
Raportet thonë se ai ndërroi jetë në spital në Piemonte, ku ishte në proces e sipër të një kontrolleje për një operacion në kofsh.
Ai hapi butikun e tij të parë në Paris në 1967, derisa puna e tij u vlerësua shumë nga Amerika.
Më pas, në vitet ’80, ai filloi punën në Hollywood, duke dizajnuar rroba për yje, duke përfshirë Jack Nicholson, Michael Douglas, Sharon Stone, Julia Roberts dhe Tom Hanks.
Alec Baldwin ka dorëzuar telefonin e tij celular në polici, për të hetuar rreth të shtënës fatale në një set filmi në New Mexico, transmeton KultPlus.
Kinematografja, Halyna Hutchins u qëllua teksa Baldwin, 63 vjeç, po provonte të vizatonte një armë mbështetëse në xhirimet e filmit Rust në tetorin e vitit të kaluar.
Zyra e Sherifit të Santa Fe konfirmoi se aktori ua kishte dorëzuar pajisjen autoriteteve pranë shtëpisë së tij në Nju Jork.
Policia kishte thënë në fillim të kësaj jave se aktori nuk po bashkëpunonte me hetimin.
Zëdhënësi i Sherifit të Qarkut Santa Fe, Juan Rios i tha Los Angeles Times të premten se policia synon të mbledhë të dhëna si mesazhe me tekst si pjesë e hetimit të tyre për incidentin.
Dorëzimin e këtij telefoni, aktori e bëri në mënyrë vullnetare pasi beson se aksidenti ndodhi aksidentalisht. /KultPlus.com
Ka do dit që po shof fare mirë se si nga vuejtja syt po më madhohen, nepër ball dhe ftyrë rrudhat po më shtohen e si buzqeshja m’asht e hidhun… … dhe po ndij se si mëngjeset e mia nukjanë ma mëngjese hovi e pune, as ndërtimi, por të shtymt dita më ditë e një jete që s’durohet. Dalngadalë po shof si jeta një nga një secilin ndjesi me tradhti po ma vulos dhe s’po më mbetë asgja që me u nda si shej gëzimi, përpara nuk e dishe, ojetë, se kaq i tmerrtë asht grushti i yt që mbyt pa mëshirë. Por kot në pasqyrë po shof se si nga vuejtja syt po më madhohen nëpër ballë dhe në ftyrë rrudhat po më shtohen, dhe shpejt do të bahem flamur i vjetruem i rreckuem ndërluftat e jetës. /KultPlus.com
Teatri Oda ka publikuar orarin e shfaqjeve për muajin janar, shkruan KultPlus.
Më 20 janar, “Inspektor Limi” me regji të Florent Mehmetit do të hap edhe edicionin e ri në Teatrin Oda.
“Stiffler” do të jetë shfaqja e radhës që do të jepet në këtë teatër, e cila është paraparë të shfaqet më 25 janar.
Repriza e shfaqjes “Inspektor Limi” do të vazhdojë edhe më 27 janar, derisa në ditën e fundit të këtij muaji do të jepet edhe shfaqja “Kthimi i Karl Majit” me regji të Blerta Neziraj. /KultPlus.com
Më 16 janar 1844, në Vlorë lindi Ismail Qemal bej Vlora, diplomati shqiptar, politikani, rilindasi, burrë shteti dhe ati themelues i Shqipërisë moderne. Autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë, i cili më pas shërbeu si Kryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, gjatë periudhës 1912-1914.
Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik, ku ishte internuar familja e tij dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë.
Në vitin 1860 punoi si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë. Nga vitet 1862-1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë e më pas u transferua në Tërhallë (Thesali) e përsëri në Stamboll.
Ai mori pjesë, së bashku me Jani Vreton, Hoxhë Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën e Sami Frashërin, në mbjedhjen e parë për caktimin e alfabetit të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.
Ismail Qemali pati në vijim një varg detyrash të larta në administratën turke si: kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll, mytesarif i Varnës (Bullgari), guvernator i Danubit të Poshtëm (Tulxhë-Bullgari) etj.
Më 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funskionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar).
Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me 7 vjet internim në qytetet Kytahja, Eskishehir dhe Bursa në Anadoll. U lirua më 1884 dhe u emërua si mytesarif i sanxhakut të Galiopolit dhe guvernator i Vilajejtit të Tripolit Libi.
Më 1900 për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, u arratis nga Turqia dhe i dorëzoi dorëheqjen sulltanit, duke e motivuar largimin e tij nga Stambolli, se në këtë mënyrë do t’i shprehte më mire idetë e tij dhe do t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes shqiptare.
Ismail Qemali qëndroi në vende të ndryshme të Europës ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare, mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.
Qemali zhvilloi gjithashtu veprimtari të ngjeshur politike në Europë për njohjen e kombit dhe të të drejtave të tij. Ai shpejt do të shpallte në shtypin e kohës, vendas dhe të huaj, platformën e tij politike për autonominë e plotë të Shqipërisë ndaj Perandorisë.
Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi Memorandiumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Më 19 nëntor 1912 njoftoi bashkëatdhetarët se do të mblidhej në Shqipëri një Kuvend Kombëtar.
Në këtë kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912 lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe minister i Punëve të Jashtme.
Në politikën e tij të jashtme Ismail Qemali u bë i papajtueshëm ndaj çdo cënimi të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar. Pavarësisht kushteve të vështira të brendshme e të jashtme, qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali mori një varg masash për organizimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur. Në të gjitha këto veprimtari Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës, mbrojti me vendosmëri shtetin e pavarur shqiptar./konica.al /KultPlus.com
Festivali i vetëm i Dramës Origjinale Shqipe, “Talia e Flakës”, në kuadër të manifestimit “Flaka e janarit” dërgon në Gjilan disa vlera të dramaturgjisë kombëtare dhe vjen me shfaqje e program të pasur teatral edhe këtë edicion, shkruan KultPlus.
I pari në Gjilan, më 23 janar, prezantohet “Teatri i qytetit të Gjilanit” me shfaqjen “Viganët” nga regjisori Ilir Bokshi, autor Visar Krushan.
Më pas, Teatri Kombëtar i Kosovës do të prezantohet nga shfaqja “Aroma e Hënës” me regjisore Rozi Kostani dhe autor Mehmet Kraja.
Talia e Flakës do të vazhdojë më 25 janar me shfaqjen “5 ditë mbret” nga Stefan Çapaliku, e regjisor Gjergj Prevazi.
“Marksitët e Leninistët e Zvicrës” dhe “Gof kanë datat e rezervuara më 26 dhe 27 janar, derisa “Stiffler” do ta mbyllë këtë edicion.
“Talia e Flakës 2019” sivjet mbahet nga data 23 – 28 janar, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit kurse të gjitha shfaqjet fillojnë me fillim në ora 19:30. /KultPlus.com
Prodhuesi francez i automjeteve, Renault ka deklaruar se marka e tij do të bëhet 100% elektrike deri në vitin 2030, përcjell KultPlus.
Renault Group është një prodhues shumëkombësh francez i automobilave që feston 123 vjet shërbimi muajin e ardhshëm.
Ndërsa prodhuesi i automjeteve ka një histori më të gjatë në makinat me djegie në të gjithë Evropën së bashku me filialet e tij si Alpine dhe Dacia, nuk është i panjohur për automjetet elektrike.
Në fakt, Renault ishte një nga promovuesit e hershëm të automjeteve elektrike në BE një dekadë më parë, duke shitur mikromakinën e saj Twizy, Kangoo dhe Zoe, e cila ishte makina elektrike më e shitur në Evropë për disa vjet.
Renault e prezantoi veten si një lider në tranzicion energjetik në ballë të teknologjisë dhe shërbimeve më të fundit, duke operuar në një mënyrë më të qëndrueshme dhe më të përgjegjshme.
Kompani të ndryshme nëpër botë gjithnjë e më shumë po mundohen që të bëjnë prodhimin e veturave elektrike, pasi e shohin si një shpëtim për botën. /KultPlus.com
Novak Gjokoviç pritet të dëbohet nga Australia, pasi humbi apelin kundër anulimit të vizës, shkruan BBC, përcjell KultPlus.
Tre gjyqtarë e kanë hedhur poshtë njëzëri ankesën e tij. Ata thonë se do të japin arsyetimin e tyre në një datë të mëvonshme.
‘Saga Djokovic’ zgjati 10 ditë, e më pas tre gjyqtarë kanë dhënë atë që duket të jetë një vendim përfundimtar për praninë e Novak Djokovic në Australian Open.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, tenisti ka reaguar ndaj këtij vendimi, duke thënë se nuk do ta apelojë këtë vendim.
“Unë respektoj vendimin e Gjykatës dhe do të bashkëpunoj me autoritetet përkatëse në lidhje me largimin tim nga vendi”, ka thënë mes tjerash ai.
Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, ka lëshuar një deklaratë, duke përshëndetur vendimin.
“Ky vendim për anulim është marrë për arsye të shëndetit, sigurisë dhe rendit të mirë, mbi bazën se ishte në interesin publik për ta bërë këtë. Unë e mirëpres vendimin për të mbajtur kufijtë tanë të fortë dhe për të mbajtur australianët të sigurt”, deklaron Morrison.
Turneu “Australian Open” do të fillojë nga data 17 janar. /KultPlus.com
Pas kërkesave e interesimit të madh, filmi nën regji të Norika Sefës “Në kërkim të Venerës” vjen në Kosovë në kinemanë “Cineplexx” nga data 20 Janar.
Venera, një adoleshente e ndrojtur, rritet mes tre brezave që janë vazhdimisht nën këmbët e njëri-tjetrit në shtëpinë e tyre të ngushtë. Diçka i kanë thënë: një vajzë pritet, mbi të gjitha, të mbrojë reputacionin e saj dhe atë të familjes së saj. Venera këtë e di.
Por diçka e ngatërron dhe shpirti i saj gjallërohet kur takon Dorinën mendje-hapur, qëndrimi i fortë i së cilës nxitë kurreshtjen e Venerës për të eksploruar më shumë. Përderisa Venera mundohet të kuptojë ato që e rrethojnë, filmi shprehë nje sens te jetës pa kuptim, rrethuar me njerëz që fshehin emocionet – poshtërimin, fajin e zhgënjimin.
“Unë kurrë nuk i kam parë prindërit e mi të puthen” – thotë Venera.
Filmi ishte paraqitur për herë të parë në Kosovë në Festivalin e Filmit “PriFest”. /KultPlus.com
“Excelsior” ka botuar të shtunën e 26 prillit 1913, në faqen gjashtë, intervistën e Ismail Qemalit, zhvilluar në Champs-Elysées (Paris), pak kohë para se të nisej për në Konferencën e Londrës me qëllim mbrojtjen e interesave tona kombëtare. Intervistën mund ta lexoni si më poshtë:
Në dekorin modern dhe luksoz të një pallati të Champs-Elysées, Ismail Qemal Beu ngjason me një nga mjekët tanë të zonave rurale, me një fytyrë energjike, e rrethuar nga një mjekër e bardhë.
Kreu i qeverisë së përkohshme shqiptare, i cili u ndal disa ditë në Paris, para se të shkojë në Konferencën e Londrës, ende është nën ndikimin e emocioneve të shkaktuara nga lajmi i rënies së Shkodrës:
“Vërej me hidhërim, na thotë ai, se admirimi evropian shkon për malazezët, të cilët morën kryeqytetin tonë.
Dhe akoma më shumë, na fajësojnë për kërkesat tona! Unë e di se, në çdo kohë, mendimi i masave ka qenë në favor të fituesve, por ndjenja e së drejtës sonë duhet të mbizotërojë në mesin e diplomatëve.
Duhet të keni parasysh se na janë dashur vite për të shkundur zgjedhën turke, të cilës ne i kemi shkaktuar dhe shpejtuar humbjen e saj, për tu gjetur sot përballë çlirimtarëve më të zellshëm (etur) sesa shtypësit tanë të vjetër!
Në emër të lirisë së racave, malazezët hynë në luftë; A duan ata të na grabisin sot kryeqytetin tonë në emër të të njëjtit parim?
Megjithatë, Evropa qëndron e pandjeshme ndaj shkeljes së drejtave tona: ajo duket se na konsideron si disa fise sudaneze, të paaftë për tu qeverisur.
Gjithsesi, ne kemi dhënë prova të shkëlqyera për energjinë e racës sonë. Për shekuj me radhë, turqit kanë rekrutuar midis nesh zyrtarët më të mirë dhe ushtarët e tyre më të guximshëm.
Sot, të vetëm, të rrethuar nga ushtritë aleate, ne kemi ruajtur rendin, mbledhur taksat, formuar një milici, shkurtimisht, kemi siguruar jetën tonë të brendshme me burimet tona.
Ajo që na duhet tani është pavarësia e të gjithë territorit dhe kryeqytetit tonë, në mënyrë që, pa ardhur për të lypur në Evropë, të bëjmë Shqipërinë një shtet modern.
Natyrisht, ne do t’u kërkojmë vendeve fqinje këshilltarë dhe specialistë; ne do të jemi mirënjohës ndaj tyre për të na udhëzuar në fillimet tona, por ne duam të jemi vetëvetja, dhe nuk do të lejojmë që të ruhemi nga ndonjë fuqi.
Më akuzojnë se bëj lojën e njërës prej këtyre fuqive, por nuk është e ndaluar, mendoj, të tregoj ndonjë simpati për ata që na ndihmojnë, edhe nëse është për hir të interesit.” /darsiani/
Jashar Rexhepagiqi lindi në Plavë më 16 janar 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Beran dhe në Pejë. Grupin e lëndëve pedagogjike e studioi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku diplomoi në vitin 1953.
Gradën doktor shkence e mori në vitin 1965 në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku mbrojti me sukses tezën “Zhvillimi i shkollave dhe i arsimit të shqiptarëve në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918”.
Ushtroi detyra të ndryshme në shkolla dhe në arsim: profesor i Shkollës Normale dhe Gjimnazit në Prizren, profesor e drejtor i Shkollës Normale të Prishtinës, këshilltar pedagogjik për shkolla të mesme i Pleqësisë së Arsimit të KAKM, ligjërues dhe profesor i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prishtinës, kurse nga viti 1962 punoi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.
Në këtë institucion, profesor i rregullt, veproi deri më 1990, kur u pensionua.
Që nga themelimi i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, gjegjësisht të ASHAK është anëtar i rregullt i këtij institucioni të lartë shkencor të Kosovës. Pos detyrës së sekretarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore, dy herë qe sekretar i Përgjithshëm i Akademisë dhe në dy mandate nënkryetar i ASHAK. Rexhepagiqi ka marrë pjesë në kongrese, në simpoziume, në tryeza të rrumbullakta dhe në tubime të tjera shkencore e profesionale të pedagogëve në vend dhe jashtë. Në konferenca ndërkombëtare shkencore ka mbajtur referate ose kumtesa: në Pragë, Moskë, Jenë, Ankara, Mahaçkalla, Tiranë, Teheran (dy herë), Prishtinë, Sarajevë, Novi-Sad. Ka bashkëpunon në afro njëzet revista e fletore pedagogjike e të tjera. Ai ka qenë redaktor i Buletinit të Fakultetit Filozofik të Prishitnës, redaktor i revistës shkencor Studime të Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK dhe redaktor i Vjetarit të ASHAK, anëtar i Këshillit redaktues të bibliotekës “Pedagogë bashkëkohor”, anëtar i Këshillit redaktues të Enciklopedisë pedagogjike I, II, kryetar i Këshillit botues të revistës shkencore Përparimi e të tjera.
Ai u morr me historinë e përgjithshme të pedagogjisë, me historinë nacionale të pedagogjisë, veçanërisht me historinë e shkollave e të arsimit në Kosovë, pastaj me pedagogjinë teorike e komparative, me didaktikën, me pedagogjinë shkollore e familjare dhe me metodologjinë e gjurmimeve pedagogjike dhe albanistike. Është përqendruar në gjurmime iranologjike në këto treva të Ballkanit. Është marrë edhe me poezi (5 libra të poezisë) dhe me kritikën shkencore e letrare. Është autor i mbi njëzet librave dhe i më se 360 punimeve shkencore e profesionale. Gjatë hulumtimit botoi disa vepra monografike, një numër të konsiderueshëm të studimeve, disa tekste shkollore, shqyrtime të shumta, artikuj, ese kritikë dhe kontribute të tjera. Është bashkautor i një varg projektesh shkencore dhe udhëheqës i disa prej tyre. Laureat për punën shkencore, pedagogjike e shoqërore, pos të tjerash, i Shpërblimit të Dhjetorit të KSA të Kosovës për punë shkencore dhe për rezultate në pedagogji (1972). Është bartës i Urdhrit të Punës me Kurorë të Artë (1980) dhe i Urdhrit të Republikës me Kurorë të Argjendtë (1988). / KultPlus.com