Të hënën hapet shkolla e re e muzikës ‘Halit Kasapolli’ në Pejë

Të hënën me 23 Maj në ora 12:00, bëhet ceremonia e hapjes e shkollës së RE e muzikës “Halit
Kasapolli”. Pas shumë dekadash pune në kushte jo të mira këtij kapitulli po i vjen fundi. Tashmë
qyteti i Pejës po bëhet me shkollë të re, shkollë e cila është ndërtuar dhe dizajnuar sipas
standardeve të larta duke ju përshtatur specifikave të veçanta që kërkohën në muzikë. Nxënësit
dhe gjeneratat e ardhshme padyshim që do të gjejnë frymëzim. Po punohet vazhdimisht që
shkolla në të ardhmen të plotësohet me instrumente dhe drejtime të citat janë në mungesë të cilat
do të ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin e gjeneratave të reja, kështu qyteti i Pejës gjithnjë po
bëhet më i pasur.

“Ndihem shumë e lumtur për hapjen e objektit të ri shkollor, të shkollës së muzikës “Halit
Kasapolli“ në Pejë, objekt me standarde që plotëson gjithë nevojat e të mësuarit bashkëkohor. Në
ngritjen time profesionale Shkolla “Halit Kasapolli” ka vend të veçantë për shkak se rrugëtimi im në
profesionin e pianistes, dhe ngritja e përgjithëshme profesionale, lidhen me këtë shkollë. Shkolla e
muzikës „Halit Kasapolli“ ka qenë pishtar i suksesit tim brenda dhe jashtë Kosovës, andaj gëzohem
që gjeneratat e reja do të kenë një objekt shkollor modern që do tua lehtësojë procesin mësimor.
Në këto kushte moderne, do te jem afër gjeneratave premeteuse për të ndihmuar në avancimin e
tyre profesional. Angazhimi im maksimal e profesional dhe i stafit tim të respektuar, do të jenë
gjithmonë pranë dhe në shërbim për gjeneratat e reja”. -tha Rreze Kastrati, Drejtore e shkollës.

Ceremonia e hapjes fillon në ora 12:00. Të pranishëm do të jenë përsonalitete të shquara të
vendit. I pranishëm poashtu do të jetë edhe kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri
nga i cili është është inicuar kjo ide. Shkolla e muzikës është gjithnjë falenderuese ngaj kryetarit z.
Muhaxheri për mbështetjen e tij të fuçishme në realizimin e qëllimeve tona, kushteve të punës të
cilët janë krijuar për të qenë pjesë e rezultateve dhe suksesve sa më të mira për qytetin e Pejës./ KultPlus.com

Vdekja e Enver Hoxhës më 1985, reagimi i Ismail Kadaresë ndaj gazetës ‘Le Monde’ pas botimit të deklaratës së Leka Zogut I

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 21 Maj 2022

“Le Monde” ka botuar, të premten e 26 prillit 1985, në faqen n°2, letrën e Ismail Kadaresë në lidhje me pakënaqësinë e botimit në këtë media të deklaratës së Leka Zogut I me rastin e vdekjes së Enver Hoxhës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Letër nga lexuesit

Burimi : Le Monde, e premte, 26 prill 1985, f.2

E kisha për detyrë t’ju shkruaj këtë letër pasi lexova në gazetën “Le Monde” shkrimet e botuara ditët e fundit me rastin e vdekjes së liderit të popullit shqiptar, Enver Hoxhës.

(…) Sigurisht, gazetarët tuaj kanë të drejtë të kenë mendimin e tyre për rendin shoqëror të një vendi, për idetë që ai mbron dhe për politikën e tij. Megjithatë, më duket se është e padinjshme të ofendosh një popull në kohë zie dhe dhimbjeje, siç ndodh në artikujt e gazetës suaj. Populli shqiptar ka një histori të gjatë plot vështirësi, prandaj e di shumë mirë pse përjeton dhimbjen, si e manifeston atë dhe për kë duhet të vajtojë. Emri i Enver Hoxhës është i lidhur në mënyrë të palëkundur me themelet, historinë dhe ndërtimin e Shqipërisë së re. Kjo është ajo që përcakton përmasat e figurës së tij dhe, rrjedhimisht, përhapjen e zisë.

Na u duk e çuditshme, kolegëve të mi dhe mua, që gazeta Le Monde (…) botoi me këtë rast deklaratën e një krimineli si djali i ish-mbretit Zog, të kësaj fantazme qesharake që kërkon të vendosë sërish monarkinë në Shqipëri, këtë monarki që Franca juaj përmbysi dy shekuj më parë, për të cilën ajo me të drejtë krenohet. Vetëm njerëzit me qëllim të keq mund të dëshirojnë të kthejnë pas historinë e Shqipërisë.

ISMAIL KADARE

(Tiranë)./ KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/1985-vdekja-e-enver-hoxhes-reagimi-i-ismail-kadarese-ndaj-gazetes-le-monde-pas-botimit-te-deklarates-se-leka-zogut-i-letra/

Sot, Dita Botërore e Meditimit

Kur bota përreth jush është e mbushur me çmenduri, dhe nuk mund të duket sikur të gjesh një çast paqeje në stuhinë e ditës, është koha për t’u kthyer prapa dhe për të kujtuar ato momente të lumtura si fëmijë, ku thjesht të shtrirë diku “e humbitnim veten” duke shikuar qiellin.

Ky është meditimi dhe sot shënohet Dita Botërore e Meditimit e cila shërben si një thirrje për njerëzit që të gjejnë kohë për këtë praktikë të vjetër mijëvjeçare.

Meditimi shërben si një mënyrë për lehtësimin e stresit dhe pastrimin e mendjes.

Dinamika e jetës së sotme e ka bërë meditimin një gjë shumë të nevojshme. Hulumtimet kanë treguar se meditimi ka efekte pozitive mendore dhe fizike kur praktikohet. / KultPlus.com

Vijon puna për restaurimin e mozaikut masiv në Muzeun Historik Kombëtar

Në Muzeun Historik Kombëtar po vijon puna për restaurimin e  mozaikut masiv.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, inspektuan sot punën për restaurimin e mozaikut masiv në këtë muze.

“Në Muzeun Historik Kombëtar me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, ku po vijon puna për restaurimin e mozaikut masiv, duke e zëvendësuar çdo detaj të rëndësishëm të një ndër veprave më të mëdha të trashëgimisë sonë kulturore”, tha Rama.

Kryeministri Rama dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ecën përgjatë sheshit “Skënderbej”, për të cilin Kryeministri Rama tregoi se është transformuar në një infrastrukturë moderne për qytetarët.

“E kemi transformuar sheshin “Skënderbej”. Gjithë gjelbërimi që është vendosur këtu përreth, është projektuar në mënyrë të veçantë. Rrethimi me bimësi të gjelbër nuk ekzistonte më parë. Sheshi ka një pjerrtësi që ne e ribëmë sepse ishte ndryshe më parë. Është riorientuar trafiku dhe lëvizja e mjeteve, ka ndryshuar komplet koncepti”, u shpreh Kryeministri.

Ministrja Margariti tha se, në këtë shesh ka lloje të ndryshëm gurësh që janë marrë nga gjithë Shqipëria dhe lloj të ndryshme të bimësisë, është një simbol komuniteti. Ky shesh është plot me njerëz me koncerte.

“Muzeu Historik Kombëtar është një nga muzeumet më të vizituara, përpara pandemisë kishim më shumë se 100 mijë vizitorë në vit. Synojmë të kemi shumë më tepër me zbatimin e këtij projekti. Ka qenë një nga objektet më të dëmtuara nga tërmeti dhe me financimet e BE-së kemi nisur me restaurimin e mozaikut. Mozaiku është një nga veprat kryesore, pra po restaurohet në pjesët më të dëmtuara sepse ishte e rrezikshme pas tërmetit për njerëzit dhe vizitorët”, u shpreh Margariti.

“Ky ka qenë objekti i parë që kemi nisur me programin #EU4Culture. Është mbështetja më bujare që kemi patur me trashëgiminë kulturore pas tërmetit, më shumë se 40 milionë euro për rreth 40 objekte zonash që do rindërtohen. Po punojmë po kështu dhe për zbatimin e restaurimit tërësor të të gjithë muzeut sepse qysh prej vitit 81 asgjë nuk ka ndryshuar përveç disa riparimeve të vogla. Gjithashtu dhe Ministria e Kulturës është përpjekur për këtë. Këtu po punohet me copëzat e mozaikut, ka qenë punë sfiduese. Kemi gjithë stafin e UNOPS të huaj dhe shqiptar. UNOPS është agjencia ekzekutive e #EU4Culture. Ka më shumë së 120 ngjyra të ndryshme që janë identifikuar gjithsecila copëz mbas copëze dhe historia më e veçantë këtu është që kemi identifikuar dhe fabrikën ku janë marrë në ’81 e cila është në Venecia, jemi në kontakt me të njëjtën fabrikë të cilët po e riprodhojnë dhe kanë qenë të shkëlqyer pasi kanë gjetur të gjitha pjesëzat e katalogut dhe disa nga ngjyrat po përpiqen ti ribëjnë në të njëjtën mënyrë. Kështu që është sërish një tjetër bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Evropës, në këtë rast me Italinë”, tha Margariti.

Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, sipas shënimeve, është një mozaik gjigant me dimensione 10 me 40 metra, i cili zotëron sheshin “Skënderbe”. Vepra e shtrirë në 400 metra katrorë u finalizua më 1981. Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve dhe shigjetarëve ilirë dhe shqiptarëve të luftës antiosmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas pesë figura simbolizojnë Luftën Nacionalçlirimtare.

Muzeu Historik u përurua më 28 tetor të vitit 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27 mijë metrash dhe ka një sipërfaqe ekspozimi prej 18 mijë metrash katrorë. Ndërtesa e Muzeut dallohet për një vëllim kompakt mbi një plan kuadratik të kompozuar në mënyrë qendrore simetrike kundrejt një oborri atrium. Në mjediset e tij janë të ekspozuara 6200 objekte muzeore, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para erës sonë dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX./atsh/ KultPlus.com

Festivali i Norfolk dhe Norwich në Angli fillon përmbysjen e dominosë gjigante

Mijëra domino të bllokut të erës u rrëzuan rreth një qyteti për të shënuar fillimin e një festivali, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Dominoes by Station Opera House hapi Festivalin e 250-të të Norfolk dhe Norwich të këtij viti të premten.

Më shumë se 7,000 domino janë vendosur midis Sheshit Anglia dhe Forumit në Norwich, disa duke kaluar nëpër brendësi të shtëpive dhe ndërtesave.

Çdo domino betoni peshon rreth 17 lbs (8 kg). Përmbysja prej 1.6 miljesh (2.5 km) zgjati  rreth 30 minuta.

Artisti Julian Maynard Smith tha se kjo ide arti nisi që nga viti 2009 dhe u zbatua në shumë vende të botës. Ideja fillestare ishte për të lidhur lagjet e Londrës.

“Normalisht, njerëzit nuk hyjnë në këto hapësira, ata nuk janë domosdoshmërisht private, megjithëse ne kalojmë nëpër shtëpi private,” tha Maynard Smith.

Disa nga dominot kaluan nëpër dritare të ndërtesave dhe binin nga lartë. Dominot u instaluan në të gjithë qytetin me ndihmën e vullnetarëve../ KultPlus.com

Komuna e Prishtinës: Çezma e vjetër është larguar përkohësisht

Komuna e Prishtinës ka dalë me një sqarim, pasi që u ngritën shqetësime se çezma e vjetër xhamisë në Prishtinë, është rrënuar.

Komuna ka thënë se zhvendosja e çezmës është e përkohshme, me pëlqim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

 “Të dashur qytetarë, duke ju falënderuar për vigjilencën, ju njoftojmë se zhvendosja e çezmës së xhamisë është e përkohshme. Projekti që është duke u implementuar ka pëlqim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – IKMM, e cila është kompetente për dhënien e pëlqimeve për ndërhyrje në asetet e trashëgimisë kulturore si dhe për përcjelljen e punimeve në to”, thuhet në njoftim.

Komuna e Prishtinës thekson se e përkushtuar që të ofrojë ekspertizën e vet si partner me këdo që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e aseteve të trashëgimisë kulturore si e mirë e përbashkët./ KultPlus.com

21 maji, Dita Botërore për Diversitetin Kulturor, për Dialog dhe Zhvillim

 Botërore për Diversitetin Kulturor, për Dialog dhe Zhvillim është një ditë ndërkombëtare që shënohet me 21 maj e adoptuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në kuadër të UNESCO-s për promovimin e diversitetit kulturor. Kjo ditë u krijua si reagim ndaj shkatërrimit të statujave të Budave të Bamiyan në Afganistan në vitin 2001.

Dita e Diversitetit, e njohur zyrtarisht si \”Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim\” është një mundësi për të ndihmuar komunitetet të ngrisin vlerën e diversitetit kulturor dhe promovojnë jetesën e përbashkët në harmoni.

Kjo ditë është shumë kuptimplotë në Kosovë si ndër vendet më paqësore në Evropë me kultura dhe perspektiva të ndryshme që bashkëjetojnë në frymë të tolerancës dhe diversitetit./ KultPlus.com

Trafiku Urban falas në vikend, Komuna e Prishtinës synon fuqizimin e transportit publik

Komuna e Prishtinës po synon që të fuqizojë sa më shumë transportin publik dhe atë alternativ, me biçikleta dhe e-scooters, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në rrjete sociale, KP ka njoftuar se transporti i Trafikut Urban për këtë vikend (21 dhe 22 maj) do të jetë falas.

“Të dashur qytetarë, Ju njoftojmë se nesër dhe pasnesër, me datë 21 dhe 22 maj, transporti me Trafiku Urban, do të jetë pa pagesë.Për të mirën e Kryeqytetit, ju inkurajojmë që sa më shumë të përdorni transportin publik dhe alternativ”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Gjatë këtyre datave, KP gjithashtu ka njoftuar se do të vazhdojë testimi i dytë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të Kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet. /KultPlus.com

Biden i shkruan letër Vuçiqit: Normalizo raportet me Kosovën

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, i ka dërguar letër urimi atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për rizgjedhjen në postin e të parit të shtetit serb.

Biden, mes tjerash, i shkruan Vuçiqit se zgjedhjet tashmë kanë kaluar dhe e inkurajon atë që të bëjë hapa drejt promovimit të paqes e stabilitetit në rajon.

“Këtu përfshihen ndërmarrja e hapave proaktivë, përfshirë kompromisin kur kjo kërkohet me qellim normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, nëpërmjet dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar presidenti amerikan në këtë letër urimi, transmeton Klankosova.tv.

Biden po ashtu shkruan për raportet Beograd-Uashington, derisa e përgëzon Serbinë për votimin në OKB të rezolutës që dënon sulmin e Rusisë mbi Ukrainën.

Aleksandar Vuçiq është rizgjedhur president i Serbisë më 3 prill, derisa betimin zyrtar në këtë post do ta bëjë më 31 maj. /KultPlus.com

Gjithçka gati për edicionin e trete te UNUM – të tjera detaje që nuk duhet t’i humbisni nga festivali 

Me 10 ditë të mbetura deri në Festivalin e Unum, UNUM pothuajse ka përfunduar përgatitjet për edicionin më të çmendur deri më sot, me emrat më të mëdhenj në botë, si Seth Troxler, Ricardo Villalobos, Paco Osuna, Mathew Jonson, Shimza, Butch, tINI, Dyed Soundorom, Raresh, Rhadoo, Ilario Alicante, Priku, Praslea dhe mbi 80 artistë të tjerë 

Është shpallur formacioni i plotë dhe është më emocionues se edicionet e kaluara. Jo vetëm që ka artiste shumë të famshëm botëror, por do ketë edhe dy ditë shtesë dhe shumë aktivitete gjatë festivalit, kështu që të gjithë do e gjejnë vetën. Më shumë se 85 artistë të ndryshëm, 3 skena dhe muzikë pa ndalesë! Çfarë mund të kërkojmë më shumë? Nga e mërkura, 1 qershor deri më 6 qershor do të kthehemi në plazhet e Shqipërisë për një javë që nuk do ta harrojmë kurrë! 

Me këtë, organizatorët e festivalit kanë disa këshilla për të pranishmit: 

-Mos harroni të merrni këpucët e kërcimit dhe kremin kundër diellit sepse moti do të jetë më i mirë se çdo edicion tjetër 

-Mos harroni të pini ujë. Qëndroni të hidratuar 

-Organizoni një vend specifik në ditën e parë për të takuar turmën tuaj -Mos harroni syzet tuaja të diellit! 

Drejtohuni tek www.unumfestival.com për detaje të plota dhe informacione tjera për bileta. 

Festivali mbahet falë mbështetjes së vazhdueshme të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Bashkia Lezhe, partnerit kryesor ONE Telecommunications, Win Music Freedom dhe partnerëve të tjerë si DigitAlb,Smirnoff, Pepsi,Bavaria, Birra Korca, Birra Tirana, Dukat,Aquila Liquori, Mapo, BKT. /KultPlus.com

MKRS reagon për anëtarësimin e Teatrit Kombëtar në “European Theatre Convention”

Teatri Kombëtar i Kosovës është anëtarësuar në Rrjetin Evropian të Teatrove “European Theatre Convention”, shkruan KultPlus.

Për këtë arritje ka reaguar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke e përgëzuar për anëtarësimin.

Postimi i plotë nga MKRS:

“Teatri Kombëtar i Kosovës anëtarësohet në Rrjetin Evropian të Teatrove European Theatre Convention gjatë mbledhjes së Asamblesë, në konferencën që po mbahet në Pragë. Anëtarësimi i Teatri Kombëtar i Kosovës u votua nga 32 anëtarët e rrjetit. Nga ky anëtarësim do të përfitoj në zhvillim profesional, bashkëpunime artistike dhe avokim për teatrin në nivel evropian”. /KultPlus.com

“Dashuria e vërtetë është e përjetshme dhe gjithmonë e njëjtë; që edhe kur flokët janë të thinjur, zemra mbetet gjithnjë e re”

 Dhjetë thënie nga romancieri dhe dramaturgu francez Honore de Balzak.

“Tronditjet e mëdha të jetës na shërojnë nga frikërat e vogla.”

“Është më e lehtë të jesh dashnor se bashkëshort, pasi është më e vështirë të jesh në humor çdo ditë, sesa të flasësh ëmbël tek-tuk.”

“Aq e dëshiruara famë është pothuajse përherë një prostitutë e kurorëzuar.”

“Artisti jeton siç do, ose siç mundet.”

“Asnjë femër nuk lihet pa arsye. Kjo aksiomë është e shkruar në zemrën e çdo femre. Ja, nga buron gjithë ai tërbim i femrave të lëna.”

“Ata që dashurojnë ose nuk dyshojnë asgjë, ose dyshojnë gjithçka.”

“Barazia mund të jetë një e drejtë, por asnjë forcë njerëzore nuk mund ta bëjë realitet.”

“Dashuria e vërtetë është e përjetshme dhe gjithmonë e njëjtë; që edhe kur flokët janë të thinjur, zemra mbetet gjithnjë e re.”

“Guximi nuk mund të falsifikohet, është një virtyt që i shpëton hipokrizisë.”

“Një prej mangësive të njerëzve inteligjentë është se ata nuk mund të rrinë pa kuptuar çdo gjë.” / KultPlus.com

Kongresisti Meeks në takim me Kurtin: Serbia t’i pranojë krimet dhe ta njohë Kosovën

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresisti Gregory Meeks, ka thënë në takimin që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, se Serbia duhet t’i pranojë krimet që ka kryer dhe ta njohë Republikën e Kosovës, shkruan KultPlus.

Kurti, i cili është në vizitë zyrtare në SHBA, ka zhvilluar takime të ndryshme me kongresistë.

“Gjatë takimit u diskutua për pasojat për sigurinë e kontinentit të Evropës pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe për rrezikun që ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor paraqet për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

“Kongresisti Meeks tha se Serbia duhet t’i pranojë krimet në Kosovë dhe ta njohë Republikën e Kosovës. Ai tha se marrëdhëniet me Kosovën janë shumë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu, bëhet e ditur se Kurti e ka falënderuar kongresistin Meeks për qëndrimet dhe mbështetjen ndaj Republikës së Kosovës dhe e ka ftuar që ta vizitojë Kosovën. /KultPlus.com

223 vjet nga lindja e Honore de Balzak, shkrimtarit të madh francez

Honoré de Balzak ishte një shkrimtar francez i shekullit të 19-të.

Honoré de Balzak është shkrimtari më i madh dhe më i lexuari i gjysmës së parë të shekullit të 19-të.

Ai lindi në Turs, më 20 maj të 1799. Në moshën 8 vjeçare mamaja e tij e dërgoi tëstudionte në oratorin e Vendome, ku për 6 vjet studioi shumë lende, por gjithashtu duke nxjerrë në pah talentin e tij në letërsi. Studioi në kolegjin Tours e më pas Paris, ku u transferua së bashku me familjen. U regjistrua në fakultetin e jurisprudencës, dhe në të njëjtën kohë punonte në një zyre noterie. Në moshën 20 vjeçare zbuloi dhuntinë e tij për të shkruajtur.

Në një dhome të vogël në lagjën Bastija, i vetëm ose në bashkëpunim me Auguste Le Poitevin, një botues komercial, nga 1821 deri 1829, shkroi vepra popullore, duke i firmosur si Horas dë Sent-Obë ose L’or de rhoon nder të cilat veçohen : L’héritié de Bïrag (trashëgimtari i Birag, 1821), viker des Ardennes (Famullitari të Ardennët, 1821), Argow le pirate (Argow pirati, 1824).

Në 1822 Balzac u njoh me L’or de Bernit, një grua e pjekur e cila i qëndroi gjithnjë pranie deri në ditën e vdekjes së tij(1836). Asaj gruaje ai i kushtoi “Le lit de la vallée” (Zambaku në lugine, 1835). Në 1825 u bë botues dhe tipograf. Në të njëjtën kohë bleu gjithashtu një fonderi por përpjekjet e tij për të bëre tregti dështuan dhe e futën atë në borxhe.

Përsëri një përpjekje për biznes, këtë herë në Sardenjë ku u përpoq të risillte në pune mijërat e vjetra të argjendit dhe përvec kësaj provoi të tregtonte dru nga Polonia. Shpenzoi shuma marramendëse për kohën, duke mobiluar shtëpinë me mobilie antike. Jeta e tij karakterizohet nga përpjekje të kota për tu pasuruar dhe për të qenë një njëri i suksesshëm në një kohë shumë të shkurtër.

Për 20 vjet ai arriti të bënte 90 krijime midis te cilave kishte romanca e tregime, të gjitha këto të bashkuara në një vepër të vetme me titull “La comédie humaine” (Komedia njerëzore) dhe të ndara në Sèn dë la vi privé (Skena të jetës private), Sèn dë la vi dë provens, Skena të jetës në provincë) Sèn dë la vi parizien (Skena të jetës parisienë). Behet fjale për një analize të jetës shoqërore dhe private në një Francë në zhvillim e sipër, epoka e “monarkisë borgjese” të Luigjit Filip.

E para është një romancë historikë, Le Shuons (1829), për të cilën është frymëzuar nga revolta e Vande-se ; megjithatë do të jenë veprat e tjera të tij që do ti sigurojnë sukses dhe admirim nga ana e publikut. Nder të cilat mund të përmendim : La po dë chagrë (Lëkura e shegrenit, 1831), Evgjéni Grande (1833), Lë médsë dë shampanj (Mjeku i fshatit, 1833), Ilyzio perdy (Ilusione të humbura, 1837-43), Splendër e mizer de kurtisan (1839-47).

Honore ishte frekuentues i rregullt i salloneve, dhe shumë i apasionuar si pas jetës mondane ashtu dhe pas grave fisnike të oborreve të ndryshme, të cilat i përshtateshin më se miri snobismit të tij. Megjithëse ishte vazhdimisht i persekutuar nga njerëz të cilëve u detyrohej para, Balzac për një farë kohë arriti të realizonte ëndrrën e tij për të qenë njëri i pasur.

Kjo erdhi falë lidhjes dashurore me baroneshes polake Eva Hanska, me të cilën u martua pak kohë përpara se të vdiste. (Dashuria me Eva Hanska ishte vetëm një “loje salloni” por një gjë të tillë Balzac nuk e mori vesh kurre).

Në 1834 Balzac pati idenë që të shkrinte të gjitha krijimet e tij në një vepër të vetme monumentale, një afresk i vërtete mbi shoqërinë francezë të asaj kohë nga perandoria e parë deri në monarkinë e Korrikut, kështu publikoi të famshmen Komedia njerëzore.

Fillimisht vepra duhet të përmbante 150 romanca të ndara në tre vija kryesore : Studim zakonesh, Studim filozofik e Studime analitike. Grupi i parë përbehej nga vepra të përfunduara prej kohësh dhe ishte i ndare në 6 skena të cilat përfaqësonin jetën : private, provincës, parisienë, politike, ushtarake dhe fshatit.

Romancat duhet të përmbanin rreth 2000 personazhe, sepse dëshira e tij ishte të krijonte një rrjet ngatërresash midis vëllimeve të ndryshme. Vetëm 2/3 e projektit u realizua. Episodet më të famshme janë : Xha Gorio (1834-35), Evgjéni Grande (1833), Kusherira Betta (1846), Iluzione të humbura (1837-1843).

Në 1937 realizoi “La vielle fille” që u bë romani i parë që publikohej në një gazete. Në 1838 Balzak u dallua për luftën e tij për të drejtën e autorit. Honor kishte një vullnet shumë të madh për të punuar megjithëse shëndeti kishte filluar të bëhej një pengese e madh për të. Në 1839 u bë anëtar i shoqërisë së shkrimtareve dhe po atë vit ai u zgjodh kryetar i saj.

Më 18 gusht  1850, disa muaj pasi ishte martuar me baroneshën Hanska, Balzak u nda nga jeta. Dashuria e tij me aristokraten polake pasqyrohet më se miri në letërkëmbimin midis tyre që u publikua në 1968 nën titullin “Lettre à madame Hanska./KultPlus.com

Me të gjitha biletat e shitura, Lipa performon sot në Cyrih

Dua Lipa po vazhdon që të pushtojë skenat më të mëdha Evropiane, e tani radhen e ka qyteti i Cyrihut të Zvicrës, shkruan KultPlus.

Ky qytet njihet si një prej qyteteve me më së shumti shqiptarë, prandaj për Lipën nata e sotme do të jetë edhe më magjike.

Raporohet se të gjitha biletat për këtë mbrëmje janë shitur, derisa 26 vjeçarja do të performojë në Hallenstadion Zürich.

Mbrëmja e fundit për Lipën ishte në Gjermani, ku edhe aty u shiten të gjitha biletat, ndërsa ishte edhe një atmosferë fantastike. /KultPlus.com

FOTO: https://www.ticketmaster.ch/

Në Muzeun Historik Kombëtar po vijon puna për restaurimin e mozaikut masiv

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, inspektuan sot punën për restaurimin e mozaikut masiv në këtë muze.

“Në Muzeun Historik Kombëtar me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, ku po vijon puna për restaurimin e mozaikut masiv, duke e zëvendësuar çdo detaj të rëndësishëm të një ndër veprave më të mëdha të trashëgimisë sonë kulturore”, tha Rama.

Kryeministri Rama dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ecën përgjatë sheshit “Skënderbej”, për të cilin Kryeministri Rama tregoi se është transformuar në një infrastrukturë moderne për qytetarët.

“E kemi transformuar sheshin “Skënderbej”. Gjithë gjelbërimi që është vendosur këtu përreth, është projektuar në mënyrë të veçantë. Rrethimi me bimësi të gjelbër nuk ekzistonte më parë. Sheshi ka një pjerrtësi që ne e ribëmë sepse ishte ndryshe më parë. Është riorientuar trafiku dhe lëvizja e mjeteve, ka ndryshuar komplet koncepti”, u shpreh Kryeministri.

Ministrja Margariti tha se, në këtë shesh ka lloje të ndryshëm gurësh që janë marrë nga gjithë Shqipëria dhe lloj të ndryshme të bimësisë, është një simbol komuniteti. Ky shesh është plot me njerëz me koncerte.

“Muzeu Historik Kombëtar është një nga muzeumet më të vizituara, përpara pandemisë kishim më shumë se 100 mijë vizitorë në vit. Synojmë të kemi shumë më tepër me zbatimin e këtij projekti. Ka qenë një nga objektet më të dëmtuara nga tërmeti dhe me financimet e BE-së kemi nisur me restaurimin e mozaikut. Mozaiku është një nga veprat kryesore, pra po restaurohet në pjesët më të dëmtuara sepse ishte e rrezikshme pas tërmetit për njerëzit dhe vizitorët”, u shpreh Margariti.

“Ky ka qenë objekti i parë që kemi nisur me programin #EU4Culture. Është mbështetja më bujare që kemi patur me trashëgiminë kulturore pas tërmetit, më shumë se 40 milionë euro për rreth 40 objekte zonash që do rindërtohen. Po punojmë po kështu dhe për zbatimin e restaurimit tërësor të të gjithë muzeut sepse qysh prej vitit 81 asgjë nuk ka ndryshuar përveç disa riparimeve të vogla. Gjithashtu dhe Ministria e Kulturës është përpjekur për këtë. Këtu po punohet me copëzat e mozaikut, ka qenë punë sfiduese. Kemi gjithë stafin e UNOPS të huaj dhe shqiptar. UNOPS është agjencia ekzekutive e #EU4Culture. Ka më shumë së 120 ngjyra të ndryshme që janë identifikuar gjithsecila copëz mbas copëze dhe historia më e veçantë këtu është që kemi identifikuar dhe fabrikën ku janë marrë në ’81 e cila është në Venecia, jemi në kontakt me të njëjtën fabrikë të cilët po e riprodhojnë dhe kanë qenë të shkëlqyer pasi kanë gjetur të gjitha pjesëzat e katalogut dhe disa nga ngjyrat po përpiqen ti ribëjnë në të njëjtën mënyrë. Kështu që është sërish një tjetër bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Evropës, në këtë rast me Italinë”, tha Margariti.

Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, sipas shënimeve, është një mozaik gjigant me dimensione 10 me 40 metra, i cili zotëron sheshin “Skënderbe”. Vepra e shtrirë në 400 metra katrorë u finalizua më 1981. Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve dhe shigjetarëve ilirë dhe shqiptarëve të luftës antiosmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas pesë figura simbolizojnë Luftën Nacionalçlirimtare.

Muzeu Historik u përurua më 28 tetor të vitit 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27 mijë metrash dhe ka një sipërfaqe ekspozimi prej 18 mijë metrash katrorë. Ndërtesa e Muzeut dallohet për një vëllim kompakt mbi një plan kuadratik të kompozuar në mënyrë qendrore simetrike kundrejt një oborri atrium. Në mjediset e tij janë të ekspozuara 6200 objekte muzeore, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para erës sonë dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. /ATSH /KultPlus.com

“Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era, Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye”

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,/ Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,/ Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,/ Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

“Tingëllimë”, kështu titullohet soneta e dashurisë, e shkruar nga Ernest Koliqi në prill të vitit 1923. Ishte në moshën 20 vjeç kur e shkroi këtë poezi dhe kishte vetëm dy vite që ishte kthyer në Shqipëri. Pas katër vitesh studime në Itali, ku kishte botuar edhe krijimet e para poetike në italisht, Koliqi u kthye në Shkodër, ku Luigj Gurakuqi e shtyu të merrej seriozisht me krijimtari letrare. Dy vjet më vonë, së bashku me patër Anton Harapin themeloi gazetën “Ora e malevet” mjaft e sukseshme në fushën politike e letrare të kohës. 27.al publikon dorëshkrimin e kësaj tingëllimë dashurie të rinisë së hershme të Ernest Koliqit. Dorëshkrimi ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit ka në fund datën e krijimit 29 prill 1923.

Një variant i këtij soneti është botuar nga Koliqi në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve” në vitin 1933, por ka shumë ndryshime. Rezulton, pra të jetë botuar plot 10 vjet, pasi është shkruar.  Më poshtë botohet varianti original i tingëllimës së dashurisë së bashk u me variantin e ripunuar e i botuar bashkë me fotokopjen e dorëshkrimit original

Dorëshkrimit të vitit 1923

Tingllim

Hjek keq por së kthej te ti. Qe, lott i tera.

Mbas tashit nji pikë lodje së derdh për ty.

S’ke mbetë ti vetëm, ka edhe varza tjera

Por nuk më kan bâmun dritë der’ sot këta sy.

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,

Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,

Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,

Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

Pertrihet në ket stinë të bukur marë natyra,

Dhe shpirti i em në kto dit ka m’u pertri,

E krejt jets’ s’eme do t’i ndrrojë, po, ftyra.

Mbas tashit ti në dash më duej e në dash mos më duej,

Por lulet qi shperthejnë sivjet në ket shtëpi

Nuk çilin ma per ty. Janë të tjeterkuej.

29 prill 1923

Varianti i botuar në vitin 1933 në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve”

***

Vuej por spajtohem mâ. Qe, lott I tera:

Pikën e lotit s’e qes mâ për tye.

Kâng’t qi t’i knova le t’i humbi era

Si emnin qi prej zêmret due me shlye.

Mallet e mija si ndër stina tjera

Pran’ teje mâ për t’gjall’ nuk kam me i shfrye:

Ti duej kê t’duesh tashti qi u çel prendvera

Pse kurgjâ mâ s’na lidhë: u zgjidh ky nye.

Si përtrihet kso stine mbar’ natyra

Ashtu edhe shpirti i im ka m’u përtri:

ty n’andrra t’mija mâ s’do t’ndrisi ftyra.

Kujtimin t’and me rrâjë un due m’e zhbi.

Flakën hyjnore, dashunis qi t’fala,

t’ia shuej heshtueshëm e harresës vala./ KultPlus.com

Dua Lipa e dyta në listën e artistëve të rinj më të pasur të Britanisë, Ed Sheeran afër të bëhet miliarder

Sunday Time Music raporton se këngëtari Ed Sheeran mund të bëhet muzikanti i parë miliarder britanik, ku thuhet se pasuria e tij u rrit me 47.2 milionë funte, shkruan DailyMail.

Kantautori i “Suffolk”, 31 vjeç, zë vendin e 10-të në listën vjetore të artistëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë me një pasuri totale të vlerësuar prej 260 milionë funtesh (307 milionë euro), përcjell KultPlus.

Në anën tjetër, pasi rriti pasurinë e saj me 24 milionë funte (28.3 milionë euro) në një total prej 60 milionë funtesh (70 milionë euro), këngëtarja Dua Lipa ngjitet në vendin e dytë në listën e muzikantëve të rinj, duke u barazuar me grupin e vajzave Little Mix.

– Lista me muzikantët më të pasur sipas Sunday Time Music

  1. Sir Paul McCartney – 865 milionë funte
  2. U2 – 625 milionë funte
  3. Lord Lloyd-Webber – 495 milionë funte
  4. Sir Elton John – 395 milionë funte
  5. Sting – 320 milionë funte
  6. Sir Mick Jagger – 318 milionë funte
  7. Keith Richards – 303 milionë funte
  8. Olivia dhe Dhani Harrison – 295 milionë funte
  9. Sir Ringo Starr – 285 milionë funte
  10. Ed Sheeran – 260 milionë funte
  • -Lista me muzikantët 30 vjeç e poshtë
  1. Harry Styles – 100 milionë funte
  2. Dua Lipa – 60 milionë funte (të përbashkëta)
  3. Little Mix – 60 milionë funte (të përbashkëta)
  4. Niall Horan – 52 milionë funte
  5. Louis Tomlinson – 48 milionë funte
  6. Liam Payne – 44 milionë funte
  7. Zayn Malik – 36 milionë funte
  8. Sam Smith – 34 milionë funte
  9. Stormzy – 26 milionë funte
  10. Lewis Capaldi – 19 milionë funte /KultPlus.com

Duke mos ditur se kishte zbuluar një botë të re, Kristofor Kolombi vdiq në moshën 55-vjeçare

Më 20 maj të vitit 1506, në Spanjë vdiq në moshën 55 vjeçare, detari italian Kristofor Kolombi, nismëtari i kolonizimit të Hemisferës Perëndimore, pa e ditur se kishte zbuluar një Botë të re.

Ai ishte hulumtues dhe tregtar i cili kaloi i pari Oqeanin Atlantik dhe zbuloi Amerikën në vitin 1492 nën flamurin e Kastilës, Spanjë. Ai mendonte se Toka është relativisht e vogël dhe se mundet me anije të arrihet deri në Lindje të Largët duke lundruar në drejtim të perëndimit.

Vlerësimi i tij i gabuar rreth madhësisë së Tokës, shkaktoi edhe në llogaritjen e rezervave ushqimore dhe të pijeve për një rrugë kaq të gjatë, vlerësim i cili ka mundur të shkaktojë edhe dështimin e ekspeditës së tij, por për fat të mirë, në rrugë e “pengoi” e papritura për atë kohë, kontinenti i panjohur, Amerika.

Prapë se prapë Kolombi vdiq duke menduar se ka zbuluar rrugën për në Indi dhe jo kontinentin e ri, Amerikën, kur më vonë e vërtetoi Ameriko Vespuçi, sipas të cilit edhe e mori emrin ky kontinent. / KultPlus.com

TKK rikthehet në “European Theatre Convention”

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se iu është bashkuar përsëri “European Theatre Convention”, shkruan KultPlus.

Këtë e ka konfirmuar vetë TKK përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

“Nga sot Teatri Kombëtar i Kosovës iu bashkua familjes së madhe të European Theatre Convention”, thuhej në njoftim.

Drejtori Kushtrim Sheremeti në një paraqitje televizive kishte thënë se pret që nga bashkëpunimet ndërkombëtare, të rikthejë TKK-në në European Theater Convection.

Konventa Evropiane e Teatrit (ETC) është organizata më e madhe e anëtarësimit jofitimprurëse pan-evropiane që përfaqëson mbi 40 teatro të financuara publikisht në më shumë se 20 vende. Qëllimi i ETC është të krijojë, mbrojë dhe promovojë artin e teatrit në të gjithë Evropën. /KultPlus.com

MPJD: Këshilli i Evropës diskuton për anëtarësimin e Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur se Këshilli i Evropës ka nisur diskutimin për aplikimin e shtetit kosovar që të bëhet anëtar i këtij institucioni.

MPJD përmes një komunikate të shpërndarë në rrjetin social Twitter, ka thënë se Kosova ka qenë çështje e diskutimit e Ministrave të Komitetit sot në Torino të Italisë.

“Këshilli i Europës fillon diskutimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në takimin vjetor të Komitetit të Ministrave në Torino/Itali. Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e dhënë nga anëtarët e KE-së”, ka shkruar MPJ në një komunikatë për media.

Gërvalla përmes kësaj komunikate, ka thënë se deklaratat që u bënë sot në takimin mes ministrave, kanë treguar mbështetje për këtë qëllim të Kosovës.

“Kosova do të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme gjatë javëve dhe muajve në vazhdim që të plotësojë qëllimet e qytetarëve të saj që shteti të pranohet nga Këshilli i Evropës si pjesëtar i plotë i kësaj familje evropiane”, ka thënë ajo. /KultPlus.com

Aktori kosovar Alban Ukaj, pjesë e ‘Festivalit të Filmit në Kanë’

Festivali i famshëm i Kanës u hap zyrtarisht për herë të 75-të, me shumë yje dhe të ftuar.

Ceremonia e hapjes më 17 maj u drejtua nga Julianne Moore, dhe Festivali u hap me një shfaqje të filmit zombie Final Cut nga regjisori Michel Hazanavicius. Juria përfshin aktorë dhe regjisorë, duke përfshirë Rebecca Hall, Noomi Rapace, Deepika Padukone, Jeff Nichols dhe Asghar Farhadi.

Alban Ukaj, aktor kosovar dhe kryetar i Asamblesë së Shoqatës Kontakt nw Bosnje e Hercegovinë, pati një rol në filmin Tori dhe Lokita, me regji të Jean-Pierre & Luc Dardenne, i cili u përfshi në programin konkurrues të Festivalit të 75-të të Filmit në Kanë.

“Tori dhe Lokita” është një tregim në stilin e vëllezërve Dardenne, social dhe të angazhuar në shoqëri, për dy fëmijë, afrikanë, që kërkojnë letra në Belgjikë.

Kjo është hera e dytë që Albani shkon në Kanë me vëllezërit Dardenne. Ai mori pjesë për herë të parë në Festivalin e 61-të të Filmit në Kanë në vitin 2008 me filmin e tyre “Lorna’s Silence”.

Festivali më i madh i filmit në botë do të zhvillohet nga 17 deri më 28 maj./ KultPlus.com

Fragmenti i Partenonit nga Italia mund të qëndrojë në Greqi përgjithmonë


Një fragment mermeri i tempullit të Partenonit do të kthehet përgjithmonë në Athinë nga një muze në Itali, një lëvizje domethënëse për Greqinë, e cila ka rritur fushatën e saj për kthimin e skulpturave nga monumenti i saj më i famshëm antik,transmeton KultPlus.

“Fragmenti Fagan” është një fragment mermeri 35 me 31 centimetra (12 me 14 inç) që tregon këmbën e perëndeshës së lashtë greke Artemis. Ishte pjesë e frizit lindor të tempullit të shekullit të 5-të para Krishtit.

Ai u përfshi në koleksionin e konsullit të përgjithshëm britanik të shekullit të 19-të në Siçili, Robert Fagan, një diplomat dhe arkeolog, përpara se të blihej nga Universiteti Mbretëror i Palermos në 1820 nga e veja e tij pas vdekjes së tij.

Nuk është e qartë se si Fagan e fitoi për herë të parë.

Fragmenti iu dha hua Athinës në janar për katër vjet nga Muzeu Arkeologjik Antonio Salinas në Palermo, me një mundësi rinovimi për katër vjet të tjerë.

“I ashtuquajturi fragment Fagan … mund të qëndrojë në Greqi përgjithmonë,” tha të premten ministria e kulturës e Greqisë, duke falënderuar qeverinë siciliane. “Sicilia hap rrugën për kthimin në Greqi të mermerëve të Partenonit,” tha ai.

Miratimi përfundimtar nga ministria e kulturës e Italisë pritet së shpejti, shtoi ai.

Lëvizja është domethënëse për Athinën, e cila vazhdimisht ka kërkuar kthimin e përhershëm nga Muzeu Britanik në Londër të skulpturave 2500-vjeçare që Lordi britanik Elgin hoqi nga tempulli i Akropolit në fillim të shekullit të 19-të, kur Greqia ishte nën sundimin turk osman. .

Muzeu Britanik, kujdestari i mermerëve që përfshijnë rreth gjysmën e frizës 160 metra që zbukuronte Partenonin, ka përjashtuar mundësinë e kthimit të tyre, duke thënë se “skulpturat janë pjesë e trashëgimisë së përbashkët të të gjithëve dhe i kapërcejnë kufijtë kulturorë”.

Greqia e ka rritur fushatën e saj për kthimin e tyre në vitet e fundit pas hapjes së një muzeu të ri në 2009 rrëzë kodrës së Akropolit që shpreson se një ditë do t’i strehojë ata.

Në mars, agjensia kulturore e Kombeve të Bashkuara UNESCO i kërkoi Greqisë dhe MB të zhvillojnë bisedime dhe të arrijnë një zgjidhje për këtë çështje./ KultPlus.com

Rituali i fundosjes

Sali Bashota

Ata nuk dinë ç’është dhimbja
As si fluturojnë zogjtë lart në qiell
Nëse i fusin në grusht
Do t’i rrjepin një nga një

Ata nuk dinë ç’është dashuria
Me fjalë e ndezin zjarrin
Nga fillimi deri në fund
Për një mëkat të pabërë

Ata janë të lumtur
Kur vrasin çdo ëndërr të tjetrit
Vetëm pak i hapin sytë
T’i numërojnë varret e të gjallëve

Ata janë njësoj krejt njësoj
Sikurse fundosja

(Prishtinë, 20 maj 2022) / KultPlus.com