Në këtë fotografi, të publikuar kohë më parë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.
“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, pati shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.
“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, kishte shkruar tutje Olluri. / KultPlus.com
Në skenë teatri apo e ekranizuar si film, komedia “Çifti i Lumtur” ka bërë shqiptarët të qeshin e të nxjerin mësime.
Me batuta e situata godet fanatizmin dhe paragjykimet fetare.
Vepra e Shkruar nga Bik Pepa, u luajt edhe një herë në një oborr shkodran nga aktorë profesionist dhe amatorë, që e përshtaten në kohë.
“Mentaliteti i asaj ç’ka flet komedia në të vërtetë nuk ka ndryshuar.”
Aktorët e rinj sfiduan të sjellin diçka origjinale prej asaj të përjetësuar nga kolosët e teatrit “Migjeni”.
” Ne kemi sjell sot një shfaqje të ditëve të sotme për tu dhënë një mesazh që pavarësisht fesë së ndryshme dhe harmonisë që ne kemi, dhet tu bëjmë thirrje atyre që janë fanatikë, ka ik tashmë koha e fanatizmit.”
“Shpresoj që spektatorëve t’ju ketë pëlqyer se kemi sjell një emocion tjetër, pavarësisht se çifti i lumtur ishte i modernizuar” thotë Lusi Bregu, aktore.
Shfaqja u organizua nga qendra Arka erdhi nën kujdesin e ambasades hollandeze me projektin “Forcimi i dialogut dhe harmonisë nderfetare”
“Këtë mund ta sjellim dhe për shkollat e mesme të qytetit të Shkodrës, do ishte dicka shumë e këndshme dhe pastaj dhe në qytetet e tjera,” tha Jozef Shiroka, regjisor.
Komedia “Çifti i lumtur”, u vu në skenë për herë të parë në vitin 1974 në 70 vjetorin e teatrit Migjeni.
Dy vite më pas u shndërrua në film nën regjinë e Pirro Milkanit./ KultPlus.com
Sot, shënohet Dita Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, ku më 26 Qershor, 1987 hyri fuqi Konventa e OKB-së Kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese, si një nga instrumentet kryesore në luftën kundër torturës dhe parandalimin e saj.
Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare në Mbështetjen e Viktimave të Torturës, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) risjell në vëmendje tëopinionit publik vendor dhe ndërkombëtar nevojën për respektimin e të drejtave të njeriut në vendet e privimit nga liria.
Kjo është e rëndësisë së veçantë sidomos në këtë periudhë kur Kosova është në prag të ratifikimit të marrëveshjes për transferimin e të burgosurve nga Danimarka në Kosovë implikimet e së cilës do të kenë ndikim jo vetëm tek ky grup të burgosurish por në tërë sistemin korrektues të Kosovës në të ardhmen.
Këto shqetësime janë shprehur edhe nga ekspertë dhe aktivistë të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga QKRMT më 2 mars 2022, si dhe nga organizata të tjera ndërkombëtare si: World Organization Against Torture(OMCT), European Prison Observatory (EPO), International Rehabilitation Council for Torture Victims (IRCT) si dhe ANTIGONE.
Duke marrë parasysh mandatin e QKRMT-së në monitorimin e të drejtave të personave të privuar nga liria, ne u bëjmë thirrje edhe njëherë Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës dhe Danimarkës që Traktati i nënshkruar në mes të dy shteteve për transferimin e të burgosurve nga Danimarka në Kosovë ka implikime të drejtpërdrejta në:
▪ Standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që dalin nga Konventa Kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese, të cilat janë të përfshira edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin përkatës në fuqi.
▪ Aplikimin e standardeve të dyfishta për të burgosurit vendorë në raport me të burgosurit e transferuar nga Danimarka në Kosovë.
▪ Ekspozimin e të burgosurve që do të transferohen karshi rrezikut të keqtrajtimit.
▪ Kontaktin e të burgosurve me botën e jashtme, gjegjësisht familjen dhe shoqërinë.
▪ Aspektet shëndetësore dhe ankesat apo veprimet ligjore të të burgosurve.
▪ Krijimin e një precedenti të ri
Prandaj, me qëllim të minimizimit të këtyre ndikimeve, rritjes së transparencës e llogaridhënies, dhe mbi të gjitha parandalimit të torturës, QKRMT njashtu kërkon që t’u mundësohet organizatave jo-qeveritare të shtetit pritës, qëmonitorojnë të drejtat e njeriut në institucionet e mbyllura, qasja e plotë edhe në burgun e Gjilanit, ku do të transferohen të burgosurit nga Danimarka.
Kujtojmë që, sipas Traktatit të nënshkruar kjo e drejtë e mbikëqyrjes u njihet: Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), Ombudspersonit Parlamentar të Danimarkës, avokatëve dhe organizatave nga shteti dërgues (Danimarka) që ofrojnë shërbime ligjore për të burgosurit, ndërsa Ombudspersoni i shtetit pranues (Kosova) mund të kryejë inspektime vetëm në lidhje me rregullat dhe rregulloret e shtetit pranues.
Megjithëkëtë, QKRMT do të vazhdojë ta zbatojë me përpikërimisionin e saj dhe të mbrojë, avancojë dhe promovojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut për të gjithë të mbijetuarit e torturës dhe formave të tjera të dhunës. /KultPlus.com
Një letër e mrekullueshme që Lasgush Poradeci i dërgon kompozitorit Kristo Kono në vitin 1948, pasi ky i fundit kishte kompozuar për poezitë e tij. Poeti është befasues për njohuritë e thella dhe të gjera në fushën e muzikës.
Letra e çmura, që duhet të jetë pjesë e letërkëmbimeve më të çmuara mes personaliteteve të kulturës dhe artit shqiptar të të gjitha kohërave, fillimisht është publikuar nga Maria, e bija e Lasgushit! ‐–‐————‐——————————————————-
Mjeshtrit Kristo Kono, Korçë
Tiranë, 18 Shkurt 1948.
I dashur Kono,
Mezi sot kam kënaqësinë të të përgjigjem në letrën tënde të dashur të 11 janarit. Të falem nderit për dhuratën e çmuar të kompozimit që i ke bërë këngës s’ime “E mora shoqezën përkrah”. Kam qënë i sëmurë në shtëpi nga një e ftohur e keqe, kur më 13 Janar ardhi m’i dorëzoj notat me letër një miku im, i cili më kish kërkuar në Institutin e Studimeve dhe s’më kish gjetur.
Edhe sot ajo e ftohur s’më ka shkuar fare, vazhdoj të jem gjithnjë në shtëpi, pa temperaturë, më la prej dy ditësh dhe me t’u ndrequr koha do të dal. Këtë letër mund të t’a shkruanja përnjëherësh para një muaji, e vonova gjer më sot dyke shpresuar të shërohem dhe të dal dita me ditën, të vete t’i-a jap muzikën për ekzekutim tenorit Kristaq Antoniu, siç më shënon ti, që të kem fatin kësisoj t’i dëgjoj notat dhe unë për herën e parë dyke u kënduar. Është një dëshirë imja që në ekzekutimin më të parë të këngës – në “premierën” e saj -, valët përkëdhelëse të zërave të krijuara prej teje të tingëllojnë për herën e parë në zemrën t’ime, ku ato përqafohen në akord intim me harmoninë e vargëzuar që ka dalë prej saj.
Meqënëqë ajo dëshirë s’u mbush, dyke ndenjur unë me pahir i mbyllur në shtëpi gjer më sot, s’po duroj dot më dhe mendova prej vonesës që edhe kështu mund të të shkruaj tashi së-paku disa fjalë, të cilat të lutem t’i nëmërosh si një mirënjohje përzemërsije nga ana ime. Sepse ti më ke gëzuar fellë dyke vënë në nota atë këngë t’imen, e cila mua më është e dashur përmi të tjerat, unë atë e dua veçanërisht, ajo është për mua “e ëmbla mi shoqe shumë”.
I ke dhënë Kono muzikës shumë fond poetik dhe një stil të kulluar, të drejtuar me serenitet përmes kadencave të ndryshme dhe modulacioneve të variuara të saj. E kuptoj mendimin t’ënd, temën e përgjithëshme të ndarë trimëzaj, të përbërë prej tri idesh muzikale që konkordojnë me njëratjetrën drejt efektit kryesor: melodija e përmallëshme me taktet e mbëdha të pjesës së parë – hovi i intesifikuar me shpejtimin ritmik të së dytës – ekspansioni i pasionit në të tretën që kulminon me atë akord largo të masës finale – pastaj rishtas, për mbylljen dhe karakterizimin e gjithë kompozicionit, murmurimat melodike të motivit të fillimit, të preludit dashuror që është kujtimi dashuror, esenca dhe subiekti vetë i poezisë. Dhe në mbarimin e sicilës pjesë të kësaj drame muzikale në miniaturë, ti bën nga një stacion si për të vërrejtur që larg ekstazat intermitente të dashurisë, vendos nga një kurorë suspensioni për të lejuar dehjen e ndjenjës së buçitur ashtu: Mirë, perfekt, në këtë kuptim, akcidenti me diezin e notes finale të pjesës së dytë, të cilin unë po e quaj “diezi i përqafimit”, që amplifikon dyke e ngritur ekstazën e duo-s dashuror në përqafim e sipër (…Ashtu me të vërtetë pushtohen vashat… ashtu shtrëngohen dhe ngjiten për-gjiri vashat…kullohet dhe lartësohet dhe purifikohet shpirti jonë dashuronjës në përqafimin e ëmbël të vashës shqiptare…, të virgjëreshës timide dhe të kuximshme…të heshtur dhe të zjarrshme shqiptare…Veç se ky pushtimi i përvëluar imi…mua më ka ëmbëlsuar me njëmijë nektare të ëmbla fort…dhe më ka therrur me njëmijë thika të mprehta fort…). Si i ke hyrë ti Kono këngës kaq me delikatesë përbrënda dyke e interpretuar! Ti s’ke bërë një vijë melodike, po një interpretim. Një interpretim elokuent pa folur gjë. Ke muzikuar një mister që ngjall së fellash dashurinë, që tund prej fundesh universin e zemrës s’ime dyke kënduar. E ke mbushur poemin me një parfum muzikal të pambaruar.
Kështu Kono, muzikant hije-rëndë, me tonet valonjëse dhe fluturonjëse nër qiej harmonish të pasosura. Kur se unë vargëtar fat-plumb, i lidhur prej materjes së fjalës, prej fjalës fizike, lëndore, së dheshme – lëndë e rëndë kjo, e shkrumbtë, e plumbtë o Kono – i lidhur unë kështu prej kësaj martirizonjëse për të shprehur atë përmjet saj, harmoninë e padëgjuarshme sepse vetëm të ndjerë të zemrës – luftoj me fjalën e lëndtë luftë mizore, mundohem, digjem, ndizem, piqem edhe përpiqem, zjej dhe brej, flas e buças, mëndem e çmëndem, vdes po prapë nuk vdes fare dyke rrojtur i vdekur i gjallë – gjer sa me kaq luftë dhe kaq kotësirë mund të nxjerr më në fund një harmoni të pakët: të cilën lavdi Zotit, ja se ku vjen muzikanti sepse ndryshe ajo mbetet e dergjur dhe e cekët, ja ku vjen muzikanti për t’a shumuar dhe fuqizuar, për t’a ngritur dhe vërsulur lart qiejve si me kraha të leta me fuqinë dhe magjinë e toneve fluturimtare.
I dashur Kono, nuk di çfarë ke folur me Kristaq Antoniun për këngën, me Kristaqnë u poqa më 30 Dhjetor 1947 në Shtëpinë e Kulturës, si më pa atje ardhi, folmë gjysmë ore, folmë më shumë mi muzikën dhe me këtë rast ay më tha se Konua ka kompozuar “E mora shoqëzën për krah”, u shpreh me terma entuziaste për muzikën e këngës. Unë nuk dinja që ti e ke vënë në nota, këtë e mësova prej Kristaqit dhe shumë u gëzua zemra ime për lajmin që më dha. Kur më ardhi pastaj dorëshkrimi më 13 Janar 1948, gëzimi im hariu kulmin.
Po të bëj të njohur me keqardhje se “Fantazija shqiptare” dhe “Në bredhat e Drenovës” unë nuk munda t’i dëgjoj, pikërisht atëhere kam qënë sëmurë. Më dhëmb veçanërisht për “Bredhat” që e kam peronë dhe pres rastin më të parë të ndonjë çfaqjeje tjetër. Them: kushedi, do kem fat. Sa për “Fantazinë”, duhet të mjaftohem nga nevoja veç me atë dëgjim prove nënë drejtimin t’ënd kur ishim bashkë në Radio-Tirana midis orkestrës ekzekutonjëse. Për sukcesin, mua nuk më kënaq ay pak shënim i gazetës “Bashkimi” më 12 dhjetor 1947. Me aq nuk mjafton. Meriton më shumë. Ti ke punuar më shumë, shumë më shumë. Larg teje qëndrojnë ata nga veprat, jo nga fjalët. Po prapë them kushedi.
Sa mirë më vjen që më kishe kërkuar në Institut, aq dhe idhërohem që s’më gjete nga shkaku i të ftohtit t’im. Po pse s’ardhe, o dashur Kono, drejt e në shtëpi në dhomën t’ënde.
A mund të m’i dërgosh me postë notat që prej kohësh i ke bërë këngës s’ime “Kur m’u rite vogëloshe”? Të falem nderit që përpara dhe dyke të përqafuar mbetem yti me dashuri,
Përderisa institucionet shtetërore të Shqipërisë e Kosovës po rikthejnë hapësirat e burgjeve, qoftë për ndonjë projekt të caktuar, kujtesë kolektive apo si hapësirë arti, “Mrizi i Zanave” një gjë të tillë po e bën me vetiniciativë.
Një hapësirë që ishte përdorë për të burgosurit, tash e sa vite është shndërruar në kantinë te “Mrizi i Zanave”, ku brenda kësaj hapësire ka fuqi të mëdha të verërave, por që të në njëjtën kohë bëhet edhe degustimi i verërave që prodhohen nga Altin Prenga.
Dhe, përderisa kjo hapësirë vizitohet nga turistë vendorë e të huaj, në pasditen e së shtunës erdhi edhe me një ‘gjamë’.
“Gjama” ekspozita e Nagip Tashit po u uronte mirëseardhje artdashësve të pranishëm, ku si fillim ishte vendosë portreti-mozaik në dru i Gjergj Fishtës, portet që edhe i printe kësaj ekspozite që përfshinë figura të rëndësishme të historisë e kulturës shqiptare, e që nuk janë më në mesin tonë si: Gjergj Kastrioti, Gjergj Fishta, Ibrahim Rugova, Ibrahim Kodra, Bekim Fehmiu e shumë figura të tjera të rëndësishme të kombit shqiptar, por e veçanta e kësaj ekspozite që ka bashkuar Shqipërinë, Kosovën e Luginën e Preshevës, ishte se në mesin e portreteve ishte i vetmi portret i një figure të gjallë, e që është portreti i Fahrije Hotit, gruas së guximshme nga Krusha, e cila dhimbjen e ka shndërruar në guxim e forcë, për të krijuar biznes, për tu shndërruar në inspirim për regjisorë, e tash së fundi inspirim edhe për Nagip Tashin nga Tërrnoci, i cili edhe ishte shkak i bashkëpunimit mes KultPlus dhe Mrizit të Zanave.
Altin Prenga në cilësinë e nikoqirit të kësaj ekspozite ka falënderuar fillimisht të pranishmit nga Kosova e Lugina e Preshevës, i cili ka vlerësuar punën dhe angazhimin e Tashit për këtë projekt artistik, por që i njëjti ka falënderuar edhe kryeredaktoren e KultPlus, Ardianë Pajaziti, i cili ka thënë se Pajaziti asnjëherë nuk e ulë nivelin, dhe gjithnjë sjell vlera artistike, sikurse është ekspozita “Gjamë” e Nagip Tashit.
Ndërkohë, Ardianë Pajaziti ka potencuar në hapjen e kësaj ekspozite, se ekspozita e Nagip Tashit pas prezantimit në Prishtinë, në KultPlus Caffe Gallery, tashmë po numëron ekspozitën e dytë të radhës te Mrizi i Zanave në Shqipëri.
“Unë dhe Altin Prenga që një kohë kemi qenë në kërkim të një projekti të përbashkët që mund të organizohet nga të dy palët, dhe ekspozita e Nagip Tashit është gjetja më e mirë e këtij bashkëpunimi, duke pas parasysh veçantinë e punës së Tashit me këto mozaikë, por edhe përzgjedhjen e figurave të rëndësishme kombëtare e kulturore. Nuk do të kishte një projekt më të denjë që do të mund të niste këtë bashkëpunim mes KultPlus dhe Mrizit të Zanave”, ka thënë Pajaziti.
Kurse Fahrije Hoti është shprehë të jetë e privilegjuar që portreti i saj të gjendet në mesin e këtyre figurave kaq të rëndësishme shqiptare, por që në të njëjtën kohë është shprehë falënderuese që këtë sukses dhe këtë vlerësim po e përjeton duke qenë në mesin e të gjallëve, pasi që, sipas saj, është një fenomen i pranishëm, që në të shumtën e rasteve puna të vlerësohet pas vdekjes.
Kurse për fund, autori i ekspozitës duke falënderuar partneritetin e KultPlus dhe Mrizit të Zanave që edhe kanë iniciuar këtë ekspozitë, ai ka treguar se ndihet shumë mirë që në këtë ekspozitë është e pranishme edhe Fahrije Hoti.
“Unë kësaj radhe kam bërë një përjashtim, duke përfshirë një portret që është në mesin e të gjallëve. Kam pas dëshirë të inspirohem nga një person që e kemi në mesin tonë, dhe këtë inspirim e kam marr nga figura e Fahrije Hotit”, ka thënë Tashi.
Ekspozita “Gjamë” e Nagip Tashit do të qëndrojë e hapur për dhjetë ditë dhe përfshinë 17 portrete në mozaik, të cilat janë punuar me mbetje të drurit./ KultPlus.com
Në Muzeun e qytetit të Suharekës mbrëmë është hapur ekspozita kolektive “Supernova”, bashkëpunim mes Galerisë së Tetovës nga Maqedonia e Veriut dhe shoqatës, The-Art nga Kosova.
Ekspozita ku u paraqitën punime shumë të veçanta të artistëve të rinj, ka për qëllim rritjen e shkëmbimin kulturor, bashkëpunimin mes dy vendeve dhe promovimin e artistëve.
Në këtë ngjarje ishte i pranishëm zëvendësministri i MKRS, Sejnur Veshall, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharemaj, përfaqësues nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, artistë e artdashës. /KultPlus.com
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak nga nesër deri më 29 qershor do të qëndroj për vizitë në Kosovë.
Në njoftim bëhet e ditur se Lajçak gjatë vizitës në Kosovë do të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e partive kryesore opozitare.
“Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Kosovën nga 27 deri më 29 qershor. Gjatë vizitës së tij Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, është bërë e ditur se gjatë qëndrimit në Kosovë, Lajçak planifikon të vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës. /KultPlus.com
“Gabimi i një doktori varroset në tokë. Gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë”.
“Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet”.
“Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje; nëse nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë, një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje, lëreni të vdesë”.
“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”.
“Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti”.
“U zumë të dy aq shumë për punën Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë! Eh, budalla! Edhe dhëmbët zihen me gjuhën, Zihen dhe bashkë rrinë”.
“Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit”.
“Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi”.
“Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti”.
“E vërtetë e pabesueshme E mbajta në krah tërë ditën Edhe zemër i dhashë: ‘Mbahu!’ Të nesërmen ne fshat kur arritëm, U tha te tjerëve: ‘Më rrahu!’”
“Jeta është e vështirë . Po vdekja ? Kur do të kthehet ndonjëri të na tregojë?”. /KultPlus.com
“Je sais tout” ka botuar me 15 tetor 1924, në faqen n°49, rrëfimin ekskluziv të arkeologut Léon Rey mbi zbulimet e para asokohe të misionit arkeologjik francez në Apolloni, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Zbulimet e para të misionit arkeologjik francez në Shqipëri
Léon Rey duke pastruar objektet e lashta të zbuluara nga misioni – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Në numrin tonë të qershorit, z. Rey, drejtor i Misionit Arkeologjik Francez në Shqipëri, na shpjegoi se çfarë kishim të drejtë të prisnim, për shkencën, nga gërmimet e kryera në vendin e Apollonisë antike.Sot, studiuesi i bën revistës tonë nderin e madh që t’i komunikojë rezultatin e punës së parë të misionit të tij : një rezultat me interes të madh dhe që autorizon (lejon) të gjitha shpresat.Ky është, për lexuesit tanë, një “ekskluzivitet” i vërtetë që ata me siguri do t’i jenë mirënjohës z. Rey që e ka rezervuar me kaq dashamirësi për ta. J.S.T.
“Kur, në Liceun Condorcet, përkthyem “De Bello civili”, dhe në veçanti këtë faqe ku Çezari tregon se si, duke ndjekur Pompeun, pa qytetin e Apolonisë t’i dorëzohej, nuk mendoja për kodrën e gjelbër në rrëzë të cilës vrapojnë kuajt e rinj të fshatarëve të Pojanit.Në të njëjtat shpate ku dikur qëndronin monumentet e mermerit, tarracat, tempujt dhe ai akropol nga ku u largua Staberius-i, natyra ka rifituar tani të drejtat e saj;dhe një mantel gjelbërimi, lulesh dhe gjembash mbulon këtë tokë që pati orën e saj të famës. Megjithatë, në këto fusha, sidomos kur ka rënë shi, parmenda nxjerr tjegulla, mbetje vazosh dhe monedhash, të dhëna modeste pa dyshim, por që vlejnë më shumë se fjalët e vendasve të cilët nuk kanë më shumë njohuri se unë.
Njohja e teksteve, kur ato ekzistojnë, dhe mbi të gjitha inspektimi i përpiktë i vendeve, vetëm mund ta udhëheqë studiuesin në kërkimet e tij.Në Pojan, ku bollëku i bimësisë e bën shumë të vështirë këtë ekzaminim, pika e orientimit tonë ishte një pllakë, sipërfaqja gri e së cilës mezi rrafshohej mes barishteve: ishte pjesa më e lartë e një muri antik të groposur plotësisht.Me pastrimin e këtij muri, ne zbuluam një shtëpi greko-romake dhe nuk kam dyshim se kjo shtëpi nga ana tjetër do të na bëjë të zbulojmë një nga pjesët më të rëndësishme të qytetit.
Por kjo nuk është e gjitha të zublosh : arti konsiston në gjetjen e maksimumit… me sa më pak para. Gjithashtu, çështja e thellësisë në një gërmim shterues vjen gjithmonë e para.Në Durrës, për shembull, niveli i qytetit aktual duke qenë, si rezultat i rrethanave gjeologjike, pesë metra mbi Dyrrahun romak, do të duhet që, për një gërmim me një sipërfaqe prej 100 m², shpenzoni pesë herë më shumë para sesa për një gërmim të së njëjtës shtrirje të bërë në vendin e Apolonisë, ku e njëjta shtresë romake gjendet ndërmjet 50 centimetrave dhe 1 metër të thellë.Organizimi i punës në kantier (në terren) është gjithashtu shumë i rëndësishëm për performancën e mirë, gërmuesit duhet të monitorohen vazhdimisht, veçanërisht në fazat e para.Kam punësuar francezë, gjermanë, bullgarë, serbë, rusë, tani shqiptarë; dhe gjithmonë e kam vënë re se, me instinkt, gërmuesi dëshiron të shkatërrojë atë që është nën kazmën e tij “për të parë atë që ka poshtë ose pas”.Kjo ndjenjë është për më tepër aq e natyrshme, saqë vetë gërmuesi, në nxitimin e tij për të kuptuar, duhet të kujdeset që të mos ngutet;shpesh, ajo që në pamje të parë duket si një grumbull gurësh të pakuptimtë, bëhet, pasi është më e qartë, një monument.Këtu, si kudo tjetër, metoda e duhur kërkon pjesën e saj të durimit.
Në terren, ekzaminim, sondazh, fotografi të rrënojave; në kamp,pas punës, vizatimet dhe shënimet të vihen në rregull të plotë, me pastrimin e objekteve të grumbulluara, okupimet e gërmuesit.Kjo e fundit veçanërisht është një dëfrim simpatik.Asgjë nuk është më zbavitëse sesa të shohësh të shfaqet, nën furçë dhe sapun, vizatimin e një vazoje të tillë me figura apo detaje të padyshimta të një skulpture të tillë, nëse nuk është, në ujë, me një lëng limoni të shtuar saktësisht, pamjen e ngadaltë të një medalje që ne menduam se ishte shumë e papërpunuar.Në këtë drejtim, me të drejtë është thënë se nuk mund të jesh arkeolog i mirë pa qenë historian. Por unë, mendoj se për t’u bërë arkeolog duhet të fusësh “dorën në brumë”.Më pas ne kuptojmë një mijë gjëra të vogla që ndihmojnë për t’i shfaqur gjërat e mëdha në dritë, dhe njeriu hyn, si të thuash, në kontakt të drejtpërdrejtë me antikitetin.Gjithashtu duhet të shpresojmë që Misioni arkeologjik francez në Shqipëri, në të ardhmen e afërt të bëhet një lloj shkolle praktike për arkeologët e rinj të Universiteteve tona.”
LEON REY
Pastrimi i objekteve të lashta të zbuluara nga misioni – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de FranceKampi i misionit Rey – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de FranceNjë vilë greko-romake, e nxjerrë në dritë së fundmi në Apolloni – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de FranceGjurmët e para të një muri të lashtë – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de FranceKodra në formë “tavoline” e Pojanit, vend i Apollonisë së lashtë – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Kur shiu tërsëllin në fytyrën tënde, Dhe e gjithë bota të është qepur pas, Mund të të ofroj një përqafim të ngrohtë Që të ndjesh dashurinë time.
Kur shfaqen hijet e mbrëmjes dhe yjet E kur askënd nuk ke të të fshije lotët, Mund të të shtrëngoj për një milion vjet Që të ndjesh dashurinë time.
E di që mendjen nuk e ke mbledhur ende Por unë kurrë nuk do të të bëja keq, Këtë e kam ditur qysh prej çastit që u takuam Dhe në mendjen time s’ka asnjë dyshim, vendin ku e ke.
Do të vuaja urie, në blu dhe në zi do të nxihesha, Do të zvarritesha për ty, përgjatë rrugës, Nuk ka asgjë të cilën nuk do ta bëja për ty, Që të ndjesh dashurinë time.
Stuhitë po trufullojnë mbi detin zemërak, Dhe mbi rrugën e pendesës, Erërat e ndryshimit po fryjnë të egra dhe të lira, Dhe ti ende nuk ke parë askënd si unë, kurrë!
Mund të të beja të lumtur, ëndrrat t’i përmbushja, Nuk ka asgjë për ty që s’do ta beja. Për ty do të shkoja deri në fund të botës, Që të ndjesh dashurinë time.
Janë hapur edhe zyrtarisht Lojërat e 19-ta Mesdhetare Oran 2022, të cilat prej 25 qershor – 6 korrik 2022, do të mbahen në Oran të Algjerisë.
Ceremonia hapëse u mbajt në stadiumin olimpik të Oranit.
Ekipi olimpik i Kosovës parakaloi me rreth 40 anëtarë, të cilëve iu prinin flamurmbajtësit, Fortesa Orana, karateiste dhe Egzon Shala, mundës.
Në stadium, të pranishëm krahas personaliteteve të larta të shtetit të Algjerisë dhe shteteve tjera, ishin edhe drejtuesit e KOK-ut me presidentin Ismet Krasniqi, si dhe zëvendësministrja për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani.
Rreth 50 mijë të pranishëm në stadium dhe mijëra të tjerë që mbetën jashtë, panë ceremoninë që përkonte me traditën dhe kulturën algjeriane, derisa nuk mungonin fishekzjarrët e shumtë që ndriqonin qiellin. /KultPlus.com
Dita ndërkombëtare të OKB-së për të luftuar përdorimin dhe trafikimin me drogë shënohet çdo vit me 26 qershor për të arritur ndërgjegjësimin për këtë çështje të rëndësishme në shoqëri. Kjo ditë është mbështetur nga individë, bashkësi dhe organizata të ndryshme në mbarë botën.
Në dhjetor të vitit 1987 Asambleja e përgjithshme e OKB-së vendosi që me 26 qershor ta shënojë Ditën ndërkombëtare kundër keqpërdorimit dhe trafikimit ilegal të drogës.
Kjo ditë është mbështetur nga individë,bashkësi dhe organizata të ndryshme në mbarë botën.
Zyrat për drogë dhe krim në OKB (UNODC), gjatë viteve janë përfshirë në mënyrë aktive në fushata për të mobilizuar mbështetje për kontrollin e drogës.
Sipas UNODC rreth 200 milion njerëz në mbarë botën janë përdorues të drogave të paligjshme të tilla si kokaina, marihuana,haluçinogjene, dhe qetësues hipnotik.
Kjo rezolutë rekomandon veprime të mëtutjeshme duke marrë parasysh raportin dhe përfundimin nga Konferenca Ndërkombëtare për keqpërdorimin dhe trafikimin ilegal me drogë, në vitin 1987. Duke ndjekur rezolutën prej vitit 1991 deri 2000 ishin të shpallur për ,, dekada e Kombeve të Bashkuara për luftë kundër keqpërdorimit të drogës. Në vitin 1988 Asambleja e përgjithshme e OKB-së miratoi një deklaratë politike e cila lidhet me problemet globale të drogës. Deklaratën e shprehin anëtarët e OKB-së për luftë me këtë problem. /KultPlus.com
Në këtë datë, në vitin 1987, Konventa kundër Torturës dhe Ndëshkimeve të tjera mizore, çnjerëzore, degraduese apo ndëshkimit hyri në fuqi.
Në vitin 1997, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi për të shënuar këtë datë historike dhe përcaktuar 26 qershor çdo vit si Dita Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës.
Qeveritë përkujtohen për përgjegjësitë e tyre ndaj viktimave të torturës ashtu siç janë të përshkruara në Konventën e OKB-së.
Neni 14 i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës shprehimisht parashikon që Shtetet duhet të bëjë kompensim për të mbijetuarit e torturës, duke përfshirë mjetet për rehabilitim të plotë. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca, kanë vizituar akademik Rexhep Qojsen në 86-vjetorin e lindjes së tij.
Kurti tha se bashkë me Konjufcën i uruan atij shëndet, gëzime e mbarësi, teksa shtoi se Qosja vazhdon të jetën me qëndrime të forta.
“Vitet kalojnë, por disi jo edhe për Profesor Qosjen: mendje e mprehtë, kujtesë e kthjelltë dhe qëndrime e arsyetime të forta si ngaherë”, ka shkruar Kurti.
Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama e publicistikë. /KultPlus.com
Garuesit e Kosovës do të fillojnë garat mesdhetare në Oran të Algjerisë, ku lojërat do të zgjasin nga 25 qershor deri në 5 korrik, shkruan KultPlus.
Ekipi i Kosovës është në përbërje prej 39 sportistëve, 16 trajnerëve dhe tre gjyqtarëve.
Xhudo Distria Krasniqi (-52 kg) Akil Gjakova (-73 kg) Loriana Kuka (-78 kg) Laura Fazliu (-63 kg) Flaka Loxha (-57 kg) Erza Muminoviq (-48 kg) Arbër Kullashi (-81 kg) Shpati Zekaj (-100 kg) Trajnerë: Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi Boks Donjeta Sadiku (-60 kg) Bashkim Bajoku (-52 kg) Shpetim Bajoku (-63 kg) Patriot Behrami (-69 kg) Lorent Murati (-57 kg) Trajnerë: Besim Brahimi dhe Faton Xhakli Mundje Egzon Shala (-125 kg) Alban Sopa (-74 kg) Trajner: Sylejman Shala Karate Elhami Shabani (-75 kg) Fortesa Orana (+68 kg) Melos Gashi (-84 kg) Albulenë Gërvalla (-55 kg) Adelina Rama (-61 kg) Trajner: Ylber Syla dhe Nazmi Gashi Atletikë Muhamet Ramadani (hedhje e gjylës) Astrit Kryeziu (800 m.) Gresa Bakraqi (3000 m.) Alaudin Suma (hedhje e diskut) Trajnerë: Shaban Ramadani dhe Bajram Duja Not Alush Telaku (flutur: 100m., 200m., 50m) Vanesa Beka (bretk. 50m. dhe 100m.) Trajner: Kujtim Kito Shigjetari Hazir Asllani (70m. ind) Edi Dvorani (70m. ind) Valmir Gllareva (70m. ind) Trajner: Fehmi Bylykbashi Shenjëtari Sportive Nexhat Sahiti (10 m. pist. ajër) Drilon Ibrahimi (10 m. pushk. ajër) Trajner: Fehmi Berisha Taekwondo Arbër Azemi (-68 kg) Arbër Bajra (-80 kg) Trajner: Nuhi Gashi Tenis Vesa Gjinaj Vullnet Tashi Trajner: Jeton Hadërgjonaj Pingpong Fatih Karabaxhak Kreshnik Mahmuti Trajner: Dardan Imami Gjimnastikë Elvis Çitaku Valëza Rama Trajner: Abeliana Bregu dhe Besart Maqastena
Në Berlinin Perëndimor në vitin 1963, Presidenti Kennedy mbajti fjalimin e tij më elokuent në skenën botërore.
“Unë jam një Berliner”.
Këto fjalë, të shprehura më 26 qershor 1963, në sfondin gjeopolitik të Murit të Berlinit, qëndrojnë për shkak të çiftëzimit të njeriut dhe momentit.
Mbrojtja sfiduese e demokracisë dhe vetëqeverisjes nga John F. Kennedy u dallua si një pikë e lartë e presidencës së tij.
Në kulmin e fjalimit të tij, udhëheqësi amerikan e identifikoi veten me banorët e qytetit të mundur:
Liria është e pandashme dhe kur një njeri robërohet, të gjithë nuk janë të lirë. Kur të gjithë të jenë të lirë, atëherë ne mund të presim me padurim atë ditë kur ky qytet do të bashkohet si një dhe ky vend dhe ky kontinent i madh i Evropës në një glob paqësor dhe shpresëdhënës.
Përfundimi i tij e lidhi atë përjetësisht me dëgjuesit e tij dhe me kauzën e tyre: “Të gjithë njerëzit e lirë, kudo që të jetojnë, janë qytetarë të Berlinit dhe prandaj, si njeri i lirë, krenohem me fjalët Ich bin ein Berliner”. /KultPlus.com
Idriz Ajeti, albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, lindi më 26 qershor të vitit 1917 në Tupallë të Komunës së Medvegjës, shkruan KultPlus.
Profesori Ajeti, shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen e kreu në Shkup më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953 deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë.
Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës. Iu dhanë disa shpërblime e dekorata, ndër të cilat edhe Shpërblimi i 7 korrikut dhe ai i KAÇKJ.
Presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me Çmimin Presidencial për Studiues. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve të shojshoqme shqiptare-serbe – janë troje të interesimit shkencor të Idriz Ajetit. Merret edhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Qe iniciator i shumë konsultave dhe bashkëmarrëveshjeve gjuhësore ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj.
Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj.
Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në vitin 1997, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka botuar veprën e plotë në pesë vëllime.
Profesori i shquar, Idriz Ajeti do të kujtohet përherë për angazhimin e tij të palodhshëm deri në fund si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate si dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Vdekja e Akademik Idriz Ajetit ishte një humbje e madhe për të gjitha fushat e të gjithë njerëzit që e njohën atë. Ai u nda nga jeta më 13 shkurt 2019, në moshën 102-vjeçare. /KultPlus.com
“Përpara se të më gjykosh, përpiqu fort të më duash”.
“Të lutem, ndiqi ëndrrat! Pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh”.
“Unë mund ta pranoj dështimin. Secili nga ne dështon në diçka përgjatë jetës së vet, por unë nuk mund ta pranoj dot të mos e provoj sërish”.
“Gjithmonë beso tek vetja. Pavarësisht nëse të tjerët rreth teje po tregohen negativë, apo po të përçojnë energji negative, mos i merr parasysh mendimet e tyre, sepse ti do të bëhesh, ashtu siç ti beson se do të bëhesh”.
“T’i japësh dikujt një pjesë të zemrës tënde, është shumë herë më me vlerë se t’i japësh gjithë pasurinë e botës”.
“Nëse ti nuk beson tek vetja jote, asgjë e mirë nuk do të të ndodhë në jetë. Nëse ti nuk beson tek vetja, kush tjetër do të të besojë ty?”
“Le të ëndërrojmë për një të nesërme ku do të dashurojmë me shpirt, dhe do ta njohim dashurinë si të vërtetën e vetme që buron nga zemra për çdo krijesë”.
“Është më mirë të dështosh duke qenë vetvetja, se sa të korrësh sukses duke imituar të tjerët”.
“Dikush dikur tha “Shpirti është ai që ka rëndësi””.
“Jini modestë, besoni tek vetja juaj dhe mbusheni zemrën tuaj me dashurinë e gjithë botës”
Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren dhe zgjedhja e institucioneve komunale dhe qendrore të Kosovës në mes të Gjergj Kastriotit dhe Sulltan Mehmet pushtuesit
Mijëra shqiptar anë e kënd trojeve etnike shqiptare dhe nga diaspora e madhe atdhetare më kanë shkruar këto ditë me shqetsimin se çka po ndodh me kërkesën e Muranës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Prizren.Meqenëse kanë kaluar një vit e gjysmë dhe ende nuk është marrë një vëndim i prerë nga institucionet e Kosovës ato komunale si dhe ato qendrore për lejimin e Muranës së Gjergj Kastriotit në Prizren për opinionin e gjerë shqiptar e bëj një sqarim lidhur me ecurinë e procedurave ligjore se ku kanë shkuar deri më tani çështja e procedurave të këtij projekti.Me sugjerimin e Qendrës Rajonale për Trashegimi Kulturore në Prizren për ta dorzuar edhe një kërkesë të re Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor këto ditë i përgatita komplet projektin. Këto materiale i kompletova dhe dje përfundimisht i dorzova dosjen e kompletuar. Bëra një takim me drejtorin e kësaj drejtorie z.Pranverim Berisha i cili më priti mirë dhe më premtoj se së shpejti Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor do ta përcjellë projektin e Muranës, tek institucionet përkatëse të nivelit qëndror në mënyrë që të mirret një vendim i prerë rreth këtij projekti gjithëkombtar.Tani është çështje javësh kur do të mirret vendimi.Institucionet e Kosovës në këtë rast janë në mes të dy zjarreve.Të mbesin shqiptar dhe ta ruajnë historinë shqiptare apo të tjetërsohen në turq dhe të kalojnë në mbrojtje të pushtusve osman.Pra, edhe në këtë rast është duke u zhvilluar një luftë e vërtetë diplomatike dhe politike në mes të përkrahësve të Gjergj Kastriotit dhe atyre të Sulltan Mehmetit e Sulltan Muratit.Se cili orientim politik do të ngadhnjej do te shihet shumë shpejt.Por një duhet të dihet se nese mirret një vendim negativ për ndalimin e mosrealizimit te këtij projekti kombëtar, akterët që marrin këtë vendim nuk munden ta quajnë vehtën shqiptar por janë tjetërsuar komplet në Turq dhe kanë zgjedhur vijën e tradhtisë kombëtare. Në këtë rast Shoqata “Trojet e Arbrit“ do ta vazhdon luftën në variantin tjetër që do t’iu bëhet me dije qytetarve shqiptar pasiqë të mirret vendimi.Vërtetë është e dhimbshme kur vjen puna deri aty dhe je i detyruar të luftosh natë e ditë për të mbrojtur historinë, traditën dhe atdhetarizmin shqiptar. E shpesh ankohemi se nuk na pranonë Evropa, po na qorton Amerika dhe harrojmë t’ia bëjmë pyetjën vetvetës se ka po shkon liburnia e orientimit politik shqiptar.Shqiptarët duhet të deklarohen qartë se a janë me Evropën e Amerikën apo me Turqinë, Serbinë dhe Rusinë.Rrugë të dytë nuk ka.Më befasoi edhe një telefonatë nga një politikan i lartë gjerman që mirrët me çështjen e Kosovës dhe që ma bëri dje, i cili me pyeti në mënyrë konkrete se si qëndron puna rreth këtij projekti.Uroj që ky projekt të kryhet me komunikime ndershqiptare dhe mos të vij puna deri aty sa kjo çështje të internacionalizohet edhe në Berlin, Bruksel, Londër e Washington dhe qendra tjera të mbrojtjes se shqiptarizmës.Si do që të shkoj puna lufta për mbrojtjën e identitetit shqiptar dhe vlerave kastriotase nuk do të ndalet asnjëherë. /KultPlus.com
Kryeqyteti i Austrisë, Vjena është shpallur në një listë të fundit si qyteti më i mirë për të jetuar, teksa ndiqej nga afër nga Kopenhagen e Zurihu në listën e përvitshme të rrjetit liberal The Economist.
Lista dominohej nga qytetet evropiane dhe kanadeze që zinin nëntë nga dhjetë vendet e para të listës së njohur si ‘2022 Global Liveability Index’.
Një nga dy qytetet jashtë Evropës e Kanadasë ishte Osaka në Japoni dhe Melbourne në Australi, që ishin përsëri mes vendeve të ideologjisë perëndimore, shkruan Daily Mail.
Lista e Economist rendiste 172 qytete sipas një serie faktorësh, sipas të cilëve ishin niveli i krimit, stabiliteti politik, infrastruktura, hapësirat e gjelbra apo kujdesi shëndetësor.
MailOnline bënte në katalog të qyteteve të zgjedhura duke llogaritur gjithashtu si kritere muzeumet e restorantet, arkitekturën dhe mikpritjen.
Viena me 1.9 milion banorë qëndronte në krye në 2022 edhe se një vit më parë ishte në vend të 15 prej izolimeve drastike të pandemisë dhe protestave.
Tashmë qyteti ka rihapur muzeumet e restorantet e saj të cilat shoqërohen nga arkitektura perandorake dhe pallatet e shkëlqyera të kulturës e operas.
Edhe Kopenhagen është ngritur me 13 vende nga lista e vitit të kaluar me pikaverash të fortë për infrastrukturën, arsimin dhe stabilitetin, në pika totale prej 98.
Danimarka ishte një nga vendet e para të BE që hoqi të gjitha kufizimet e pandemisë duek hapur evenet kulturore, baret dhe restorantet.
Zurih renditej i treti në indeksin e qyteteve më të mira për të jetuar me një pikaverazh prej 96.3
Qyteti i masës së mesme është mjaft i pasur dhe autorët thonin se kjo ishte një prej arsyeve që ksite rezultuar mirë në sondazh.
Calgary është ringritur nga pozicioni i 18-të në të tretin me një pikaverazh prej 96.3, sipas Daily Mail.
Edhe këtu autorët dhanë pikët e tyre prej heqjes së kufizimeve drastike të pandemisë që kanë lejuar qytetarët të zhvillojnë aktivitetet e tyre të përditshme në mënyrë njerëzore e të natyrshme.
Kanada kishte tre qytete të përfaqësuara mes 10 vendet e para të listës së qyteteve më të mira dhe Vancouver është një prej tyre me pikaverazh 96.1.
I vendosur në brigjet perëndimore të Kanada, Vancouver ka popullatën më të lartë në vend, edhe pse me indeksin më të lartë të diversitetit etnik.
Osaka në Japoni dhe Melbourne në Australi renditeshin së bashku në vendin e dhjetë.
Kryeqyteti i Francës Paris vinte i 19-ti, edhe ai në ngritje 23 vende nga viti i kaluar.
Kryeqyteti belg ishte i 24ti, pas Montrealit në Kanada.
Ndërsa Londra ishte qyteti i 33-të në botë më i mirë për të jetuar ndërsa Barcelona e Madrid renditeshin respektivisht i 35të e 43-të.
Milano renditej numër 49, New York-u renditej 51, ndërsa Pekini në Kinë 71. /KultPlus.com
Kuinteti i harqeve ‘Wiener Kammersymphonie’ mbrëmë ka mbushur plot hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, duke mbledhur rreth vetes një numër të madh të artdashësve të cilët patën rastin të përjetojnë magjinë e dy violinave, violës, violonçelos si dhe kontrabasit që nën kontrollën e instrumentistëve të mahnitshëm, sollën një program tejet interesant në natën e parë të Festivalit Dam, shkruan KultPlus.
Kësaj here, Biblioteka Kombëtare e Kosovës u shndërrua në shtëpinë e dytë të këtij festivali. Me karrige të vendosura në formë rrethore, gjithsej pesë reflektorë sipër katit të tretë që binin pingul mbi hapësirën ku instrumentistët performojnë si dhe perdet e zeza në prapavijë, u vu në pah edhe loja madhështore e këtij kuinteti të harqeve, anëtarët e të cilit dëshmuan për një talent të pakrahasueshëm.
Mbrëmë pesë instrumentistët interpretuan një program të përbërë nga kompozitorët e njohur si: Stefan Pelzl, Valton Beqiri, Erich Wolfgang Korngold dhe Joseph Haydn. Herë në nota të lehta e herë në më të rënda, atmosfera u pushtua vazhdueshëm nga lëvizjet e pandalshme të instrumentistëve Liuba Kalmykova, Estelle Weber, Giorgia Veneziano, Sergio Mastro dhe Damian Posse, tek të cilët dallohej një passion i zjarrtë për interpretimin e secilës vepër.
Po ashtu veprat si: “Portret në tri ngjyra”, “Augment”, “Marchenbilder” si dhe “Simfonia Nr.82 në C-dur ‘Ariu’”, mbrëmë u shpalosën me një mprehtësi të paparë. Po të vëzhgoje duart, krahët dhe gishtërinjtë e secilit instrumentist, atëherë të krijohej një imazh se ata po fluturonin, teksa meloditë dhe tingujt e pastër thjesht po krijonin një magji të vazhudeshme që nuk dinte të përfundonte aspak.
Përgjatë pothuajse një ore, këto vepra kanë lënë gjurmë të dukshme në kujtesën e gjithsecilit. Interpretimi i tyre zgjoi mjaft emocione në publik me ç’rast edhe shikimi dhe vëmendja e të pranishmëve ishte direkt e përqendruar tek lëvizjet e tyre, komunikimi dhe harmonia që shfaqej ndërmjet si dhe precizitetit të këndshëm që ata sollën nëpërmjet melodive unike.
Kështu krejt në fund ishte vetë publiku ai që me duartrokitje të vazhdueshme ka falënderuar kuintetin e harqeve për rëndësinë dhe përkushtimin që ia kanë dhënë natës së parë të këtij edicioni të Festivalit Dam. Me pasimin e secilës duartrokitje, audienca e riktheu kuintetin edhe njëherë në skenë, për të përfunduar këtë mbrëmje me një vijë melodike sa të butë në ndjesi aq edhe të shpejtë dhe saktë në interpetim.
Ndërsa, për të treguar më shumë rreth këtij koncerti dhe përshtypjeve të tij, për KultPlus foli kompozitori Valton Beqiri.
“Në fakt vepra ka qenë për kuartet harkor por është zgjeruar për këtë rast edhe me kontrabas, natyrisht duke plotësuar dhe duke ndërruar rolet e instrumenteve. Megjithatë, mendoj që për kompozitorët e rinj, ardhja e ansambleve të ndryshme nga Evropa dhe bota, është një rast i mirë që të dëgjohen veprat tona por edhe të kemi komunikim mes artdashësve dhe artistëve nga e gjithë bota”, thotë Beqiri.
Sipas tij, festivalet e ndryshme po luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në kultivimin e vlerave muzikore dhe fuqizimin e jetës kulturore por edhe në interpretimin e veprave të kompozitorëve të ndryshëm në kuadër të programeve të tyre.
“Realisht vepra është ndër të rrallat që nuk ka shumë ritëm autokton ashtu siç karakterizohen veprat e mia, por megjithatë ka temperametin tim si autor. Natyrisht edhe vetë instrumentisët treguan që e kanë pasur mjaft sfiduese veprën time ngase janë të panjohura për ta. Unë dua t’i falënderoj ata që kanë luajtur veprën time dhe shpresoj që do të rikthehen edhe me vepra të kompozitorëve të tjerë”, përfundon Beqiri.
Po ashtu instrumentisti Sergio Mastro për KultPlus ka shprehur emocionet e tij në kuadër të interpretimit të tij së bashku me kuintetin.
“Ne vendosëm të performojmë programin tipik austriak me dy kompozitorë bashkëkohorë nga Austria dhe një nga Kosova për të krijuar një lidhje me këtë festival. Ne ishim shumë të kënaqur me kompozitorin kosovar dhe vepra tingëllonte si një muzikë popullore nga ky vend. Ishte një eksperiencë shumë e këndshme për ne sepse ishte diçka e re. U argëtuam shumë. Është hera jonë e parë me këtë festival dhe kemi punuar shumë për këtë”, thotë Mastro.
Organizatorja e këtij festivali, Rreze Kryeziu gjithashtu tregoi për gjithë përgatitjet për këtë festival si dhe ndjesitë që ka marrë pas natës së parë.
“Derisa fillon koncerti ne normal që kemi adrenalinë më të madhe sesa në netët e tjera andaj edhe shumë rrallë ndodh që të shijojmë koncertin siç duhet, por sonte ishte krejtësisht ndryshe dhe me të vërtetë e shijova jashtëzakonisht shumë. Natyrisht që para se të ftojmë ndonjë asnambël, hulumtojmë dhe ne e kemi ditur nivelin e tyre të lartë profesional por sot fatmirësisht talenti i tyre u dëgjua edhe nga publiku kosovar sepse me të vërtetë ky ansambël është njëri ndër më të mirët në skenën evropiane dhe më gjerë”, thotë Kryeziu.
Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 03 korrik ku publiku do të ketë mundësi të shijojë koncerte të artistëve nga vendi dhe Ballkani. / KultPlus.com
Netflix njoftoi të enjten se pushoi edhe 300 punonjës, kjo si pasojë e shkurtimeve të vendeve të punës pas humbjes së abontetëve, transmeton KultPlus.
Shkurtimet arritën në rreth 4% të fuqisë punëtore të gjigantit të transmetimit dhe prekën më së shumti punonjësit amerikanë. Ata erdhën pasi kompania shkurtoi 150 vende pune muajin e kaluar.
“Ndërsa ne vazhdojmë të investojmë në mënyrë të konsiderueshme në biznes, ne i bëmë këto rregullime në mënyrë që kostot tona të rriten në përputhje me rritjen tonë të ngadaltë të të ardhurave”, tha Netflix në një deklaratë.
Netflix tha në shkurt se kishte humbur 200,000 abonentë globalisht në fillim të vitit 2022 dhe parashikonte një rënie prej 2 milionë përdoruesve në tremujorin e ardhshëm.
Kompania fajësoi rënien për një sërë faktorësh, duke përfshirë rritjen e konkurrencës, ekonominë, luftën në Ukrainë dhe numrin e madh të njerëzve që ndajnë llogaritë e tyre me familjet që nuk paguajnë.
Pushimet e muajit të kaluar ndikuan më së shumti në fuqinë punëtore të kompanisë në SHBA. Avokatët dhe ish-punonjësit thanë se në atë kohë shkurtimet përfshinin shumë punonjës nga grupe të nënpërfaqësuara dhe se kompania gjithashtu dukej se po tërhiqej nga disa nga përmbajtjet e ndryshme që kishte financuar në vitet që nga vdekja e George Floyd. /KultPlus.com
Nga 1 korriku fillon zbatimi i gjobave për shitësit që vijojnë përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimshe.
Lajmin e ka dhënë sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Kumbaro gjithashtu u shpreh se për pazaret e ditës duhen përdorur qeset prej letre, teksa u bëri thirrje qytetarëve t’u thonë jo qeseve plastike.
“Kënaqësia e qeseve prej letre në pazaret e ditës! Dhe mos harro, nga 1 korriku fillon zbatimi i gjobave që ligji parashikon për shitësit që vijojnë përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimshe! Prandaj thuaj jo qeseve plastike. Pastrojmë Shqipërinë”, theksoi Kumbaro. /KultPlus.com