Publikohet një dokument, Qeveria planifikon t’ua ndalë pagat grevistëve

Në Kosovë ka filluar sot greva e përgjithshme e sektorit publik.

Kjo për shkak që sindikalistët nuk kanë arritur të merren vesh me Qeverinë për të parandaluar grevën e paralajmëruar ditë më parë.

Sindikatat i kanë bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë qasjen dhe të realizojë kërkesat për mbështetje prej 100 euro për sektorin publik.

Front Online ka siguruar një dokument për të cilin thotë se u ka shkuar grevistëve nga zv.sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, në të cilin thuhet se të gjithë ata që i janë bashkuar kësaj greve duhet të pezullohen nga paga. / T7 / KultPlus.com

Nën gradën kolonel – Nora Gjakova, Distria Krasniqi pjesë e Ministrisë së Mbrojtjës në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” se Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Postimi i plotë:

“TRIUMFI HISTORIK I LUIZA GEGËS SI PASQYRË E MEXHELISIT TONË SOCIAL-POLITIK

Në një botë ku faktet janë gjithnjë e më të shpërfillura dhe mllefet e inatet gjithnjë e më shumë alternativë e fakteve, mexhelisi politik e mediatik shqiptar është kthyer në një “çmendinë”, që përditë çmend dynjanë!

Kjo s’është diçka e re dhe s’do t’i shkruaja këto rreshta, sikur të mos isha mahnitur nga çmenduria që plasi sheshit bashkë me triumfin historik të Luiza Gegës. Shenjat e para të çmendurisë u panë qysh në fillim, kur nisën edhe zërat që uronin Luizën për të sharë qeverinë. Qeveria e poshtër e kishte braktisur e syrgjynosur deri në Afrikë, vajzën e shkretë të jetimores së sportit shqiptar – ndërkohë që në fakt Luiza është mbështetur nga kryebashkiaku i Tiranës, për t’u stërvitur në lartësinë mbi 3 mijë metra të Kenias, ku stimulohet rritja e rruazave të gjakut.

Por shpërthimi çmendurak mori dhenë, kur kampionia e re e Europës u prit në kryeministri, për t’u nderuar siç i takonte pas një triumfi të paparë në historinë e sportit shqiptar. Kampionët e urrejtjes profesionale, modele të mbrapshta publike, që ushqejnë mllefin dhe yshtin inatin anonim të rrjeteve sociale, u lëshuan me tërbim në ekrane e portale, duke e komentuar ngjarjen si pengmarrje të Luizës për propagandë apo deri si shitje të shpirtit të saj tek regjimi!…

Foli më shumë se njëherë kampionia me gojën e saj, për si dhe sa shumë kanë ndryshuar gjërat, si është mbështetur sporti dhe ajo vetë vitet e fundit, e qysh mbështetja financiare ia ka bërë më të lehtë rrugëtimin e saj drejt majës. Madje ajo, vajzë e rrallë, me një mirësjellje mbresëlënëse, nuk harroi të dërgonte mesazhi falenderimi nga Mynihu, kur në fakt falenderimet i takonin vetëm e vetëm asaj. Po ku kanë veshë të dëgjojnë ata që edhe Amerikën duan ta mbrojnë nga ambasadorja amerikane, jo më Luiza Gegën nga unë!

Halli i madh këtu është se e keqja, e cila ka marrë formën e vorbullës marramendëse të lajmeve të rreme, fabrikimit të fakteve alternative, gjobave mediatike e sulmeve politike, të përziera me garuzhden e vjetër të egërsisë provinciale, ka dalë jashtë të gjithë kufijve të njerzillëkut më bazik. Helmimi i përditshëm i gjakut të shoqërisë është kthyer në rutinë dhe faktet trajtohen si opinione, ndërsa opinionet imponohen si fakte me inat, mllef e urrejtje të pangushëllueshme. Kur thua të vemë ndonjë rregull ligjor, se ky ortek llumi do të fundosë çdo vlerë njerzillëku e normë bashkëjetese shoqërore, duke e varrosur si qen të ngordhur, mundin e prindërve e përpjekjen e shkollës për edukimin e fëmijëve, të ngrihen e të thonë jo! Duhet veç vetërregullim, po se si e qysh do të ndodhë ky vetërregullimi nuk ta thotë dot kush! Nejse, s’është ky qëllimi i këtij shënimi të gjatë.

Sot unë dua të këmbëngul tek faktet! Pa asnjë shpresë se do të dalë kush e t’i kërkojë falje Luiza Gegës, se për falje lexuesve as bëhet fjalë. Por me bindjen që sidoqoftë, faktet u duhen atyre që kanë ende respekt për veten e për të vërtetën e mbështetur mbi fakte.

E PARA, sot nuk ka më protagonistë të braktisur të sportit, po ka sistem shpërblimesh për protagonistët, miratuar me vendim qeverie kohë më parë dhe në bazë të të cilit:

Për vitin 2021 kanë përfituar shpërblim në bazë të rezultateve në arenën ndërkombëtare 14 protagonistë, 7 sportistë dhe 7 trajnerët e tyre. Ndërsa për vitin 2022 kane përfituar 44 vetë, 22 sportistë dhe 22 trajnerët e tyre, për rezultate të larta ndërkombëtare. Gjithashtu, për herë të parë, janë dhënë shpërblime edhe për kampionë Ballkani, ndër ta edhe për Luiza Gegën.

E DYTA, sot nuk ka më shpërblime spontane për ata që nderojnë flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare dhe nuk ka më as harresa, për të paguar detyrimet që burojnë nga vendimi përkatës i qeverisë. Bashkëngjitur vendimi, të cilin jam i bindur që urrejtësit profesionistë të ekraneve e të portaleve, të cilët e duan me zor çdo gjë në Shqipëri sa më zi, e që edhe triumfin e Luiza Gegës e përdorën si zift për ta derdhur mbi armikun politik, nuk do ta lexojnë https://qbz.gov.al/…/024170e9-1ddf-429b-b0f6-8705f4bd33ff

E TRETA, sot nuk ka më vetëm shpërblime për rezultatet më të larta, po edhe trajtim të përhershëm për kampionët ndërkombëtarë shqiptarë, përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës! Bazuar në një tjetër vendim qeverie të disa viteve më parë, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë”, janë punësuar si më poshtë nga Ministria e Mbrojtjes:

1.Atletja Luiza GEGA.

2. Peshëngritësi Briken CALJA.

3. Xhudistja Nora GJAKOVA.

4. Xhudistja Distria KRASNIQI.

5. Xhudisti Indrit ÇULLHAJ.

6. Atleti Ilir KËLLEZI.

7. Peshëngritësi Ilirian SULI.

E KATËRTA, sot nuk ka më ndalesë në rrugën e progresit, që nënkupton edhe përmirësime e korrigjime të vazhdueshme të punës sonë, në shërbim të vendit dhe njerëzve të këtij vendi. Ministria e Mbrojtjes ka propozuar disa kohë më parë ndryshime ligjore, të cilat do të mundësojnë përfshirjen e kampionëve ndërkombëtarë në rangun e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe krijimin e një strukture speciale, ku ata do të angazhohen si mentorë të ushtarëve tanë, me pagën sipas gradës, në shërbim të atdheut deri në daljen e tyre në pension. Këto ndryshime i shërbejnë njohjes së kontributit të sportistëve në promovimin dhe lartësimin e emrit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Ligji është në fazën e bashkërendimit me institucionet e linjës, pasi është përmbyllur konsultimi publik dhe në mes të shtatorit do të hyjë në procedurën parlamentare.

Sportistët e punësuar aktualisht pranë Ministrisë së Mbrojtjes, që do të përfitojnë nga ky ligj gradën e kolonelit janë:

1. Luiza GEGA – “Kolonel”

2. Briken CALJA – “Kolonel”

3. Nora GJAKOVA – “Kolonel”

4. Distria KRASNIQI – “Kolonel”

DHE E FUNDIT, kur flitet për sportin të gjithë jemi në borxh, me këtë vend dhe rininë e këtij vendi, por ama kur flitet me fakte për mbështetjen për sportin, nuk ka asnjë krahasim të imagjinueshëm, se të mundshëm jo e jo, mes këtyre viteve të qeverisë sonë dhe të gjitha viteve të tjera bashkë. Pa ekzagjerim, as dita me natën nuk dallojnë kaq shumë sa këto dy periudha për sportin. Natyrisht do të kishim dashur të bënim më shumë më shpejt, por kur kujtoj se nga jemi nisur, them lavdi Zotit që ia kemi dalë të bëjmë sa kemi bërë. Ndërkohë që patjetër, padiskutim, edhe në sport dallimi mes ku jemi dhe ku duhet e duam të jemi është ende shumë i madh.

Si përfundim, jam i bindur që as tërë këto fakte nuk do të hedhin dot dritë mbi shpirtrat katran, ku merr jetë urrejtja profesionale e mendjembrapshtëve që e përndjekin këmba-këmbës këtë vend, qysh nga dita e krijimit të alfabetit shqip. Por s’kemi ç’bëjmë tjetër përveçse të marrim shembull nga Luiza Gega:

Të vrapojmë më shpejt”, thuhet në postimin e Ramës. /KultPlus.com

Gruaja e Kobe Bryant merr pagesë prej 16 milionë dollarësh për fotot e rrjedhura nga aksidenti

Gruaja e Kobe Bryant, Vanessa, është shpërblyer me 16 milionë dollarë dëmshpërblim për fotot grafike të zbuluara të rrëzimit të helikopterit që vrau yllin e basketbollit amerikan dhe vajzën e tij në vitin 2020.

Vanessa Bryant, 40 vjeç, tha se kishte sulme paniku pasi mësoi se ishin shpërndarë imazhet e marra nga zëvendës sherifi dhe zjarrfikësit në Los Angelos.

Një juri federale tani tha se ata duhet të paguajë zonjën Bryant për shqetësimin emocional.

Bashkë-paditësit Christopher Chester do të paguhet 15 milionë dollarë.

Bashkëshorti i zonjës Bryant, Kobe Bryant, 41 vjeç, vajza Gianna, 13 dhe gjashtë miq të familjes vdiqën kur helikopteri i tyre u rrëzua në Kaliforni në janar 2020. Chester humbi gruan e tij Sarah dhe vajzën Payton në aksident.

Një raport nga Los Angeles Times që pretendon se ata punonjës kanë marrë foto në vendin e përplasjes dhe i kanë ndarë me të tjerët, gjë që ka zemëruar familjet e viktimave.

Duke qarë në qëndrimin e dëshmitarit javën e kaluar, zonja Bryant kujtoi se ishte në shtëpi me fëmijët e saj të tjerë kur lexoi historinë e LA Times.

“Unë dola nga shtëpia dhe vrapova në anën e shtëpisë në mënyrë që vajzat të mos më shihnin. Doja të vrapoja… poshtë bllokut dhe thjesht të bërtas,” tha ajo.

Zonja Bryant tha se ishte ndjerë “e verbër, e shkatërruar, e lënduar dhe e tradhtuar” nga lajmet e rrjedhjes së informacionit dhe “[jeton] me frikën çdo ditë që… të shfaqen këto imazhe” në mediat sociale.

“Nuk dua t’i shoh kurrë këto fotografi”, tha ajo. “Dua të kujtoj burrin dhe vajzën time ashtu siç kanë qenë”. /KultPlus.com

Poeti që e bëri Shqipërinë të njohur në botën anglofone

“Shqipëri, lejomë të kthej syt’ e mi mbi ty,
O nënë e rreptë burrash t’egër!”

Udhëtimet në një vend ekzotik si Shqipëria po shndërroheshin në një farë mode për anglezët, të cilët kërkonin aventura dhe dalje nga një jetë rregullash shumë të forta dhe kodesh të pathyeshme drejt ”lirisë”, ku natyra kishte falur pa kursim ngjyrat, relievet, larminë pa kufi brenda territoresh të kufizuara. Një ndër ta është Lordi Bajron, aq i njohur për të gjithë shqiptarët për gjithçka që shkruajti për ne në poemën e tij ”Child Harold”, ku romantizmi dhe ekzaltimet nga natyra rebele shqiptare duket se kanë ndikuar dukshëm në portretet e detajuara. Ishte ajo poemë që e bëri atë të shkëlqente menjëherë pas botimit. Ai e vizitoi jugun e Shqipërisë pothuajse fill pas William Martin – Leake-ut. Në letrën e tij dërguar nënës, ai i përshkruan shqiptarët në veshjet e tyre kombëtare si veshja më madhështore në botë. Një kopje e portretit të tij me kostumin kombëtar shqiptar gjendet e ekspozuar në National Portrait’s Gallery në Londër. Ai është konsideruar edhe si portreti më i bukur i tërë kohërave i përzgjedhur me të drejtë në atë muze arti. Ai është objekt studimi i një filmi dokumentar të BBC – së .

Njohja me veprën e Bajroni-t dhe veçanërisht me këto dy letra dërguar nënës së tij, si dhe me udhëtarin tjetër Hobhouse na jep një pamje interesante mbi ndërtimin e marrëdhënieve shpirtërore (ende jo diplomatike) midis shqiptarëve dhe anglezëve. Kjo përbën një pikënisje të njohjes së kombeve tona shumë kohë para se Shqipëria të ribëhej shtet dhe të vendoste marrëdhënie diplomatike me Britaninë e Madhe. Ai vuri një gur të rëndë themeli në historinë tonë me përshkrimet e tij për suliotët, Ali Pashain, shqiptarët trima e të paepur, si dhe vendin që zinin ata në raport me grekët e kohës, etj.

Shenim: Portreti i Lordit Byron i pikturuar nga Thomas Philips vlerëson poetin e njohur në kostumin tradicional shqiptar. (Fotografuar në Galerinë Kombëtare të Portreteve, Londër)

Bajron – i e ka blerë këtë kostum shqiptar në vitin 1809 ndërkohë që po bënte turneun e madh europian bashkë me mikun e tij John Hobhouse (1786 – 1869). Ai ka pozuar me të për këtë portret në vitin 1813, kur ishte njëzet e pesë vjeç. / Nga Mal Berisha / KultPlus.com

Google, fushatë kundër keqinformimit në disa vende të BE-së

Kompania Google do të fillojë javën e ardhshme një fushatë për të luftuar dezinformimin mbi refugjatët ukrainas në Poloni, Sllovaki dhe Republikën Çeke.

Fushata që do të kryhet nga dega e saj GOOGL.O Jigsaw bazohet tek studimet e psikologëve në dy universitete britanike.

Duke punuar me Jigsaw, psikologët nga universitetet e Kembrixhit dhe Bristolit kanë prodhuar klipe prej 90 sekondash të krijuara për t’u dhënë njerëzve “imunitet” kundër përmbajtjeve të dëmshme në mediat sociale.

Klipet, të cilat do të shfaqen në YouTube dhe në platforma të tjera si Twitter TWTR.N, TikTok dhe në Facebook, synojnë të ndihmojnë njerëzit të identifikojnë manipulimet emocionale dhe gënjeshtrat në titujt e lajmeve.

“Nëse u thua njerëzve se çfarë është e vërtetë apo e rreme, shumë prej tyre do të debatojnë, por ajo që mund të parashikohet janë teknikat që përdoren në përhapjen e dezinformatave, si me krizën ukrainase,” thotë në një intervistë Jon Roozenbeek, një nga autorët kryesorë të një raporti që përmbledh punën kërkimore për fushatën.

Studimi u bazua në shtatë eksperimente, një prej të cilëve me një grup amerikanësh mbi 18 vjeç që shikojnë lajme politike në YouTube. Jigsaw u tregoi rreth 5.4 milionë përdoruesve të YouTube në Shtetet e Bashkuara një nga videot e përgatitura për fushatën kundër dezinformimit. Një milion prej tyre e pane atë për të paktën 30 sekonda.

Objektivi i fushatës është që të krijojë imunitet ndaj keqinformimit kundër refugjatëve, në partneritet me organizatat joqeveritare lokale, verifikuesit e fakteve, akademikët dhe ekspertët e dezinformimit.

Përhapja e informacionit manipulues dhe të rremë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë përmes rrjeteve të mediave sociale ka bërë që qeveri të ndryshme të bëjnë përpjekje për ligje të reja për të frenuar fushatat e dezinformimit.

“Ne e kemi ideuar si një eksperiment pilot, kështu që nuk ka absolutisht asnjë arsye që kjo qasje të mos shtrihet në vende të tjera,” tha në një intervistë Beth Goldberg, shefe e kërkimeve në Jigsaw.

“Polonia u zgjodh sepse ka numrin më të madh të refugjatëve ukrainas,” tha ajo, duke shtuar se Republika Çeke dhe Sllovakia do të ishin tregues të dobishëm për pjesën tjetër të Evropës.

Fushata do të zgjasë një muaj. /REL / KultPlus.com

Hasan Ceka – njeriu që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare

Si sot, më 25 gusht 1900, lindi Prof. Hasan Ceka, njeriu që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare.

Hasan Ceka studioi në Vjenë ku u dallua si student i shkëlqyer. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1930, punoi në Bibliotekën Kombëtare, krijoi një koleksion arkeologjik, të cilin edhe sot e trashëgon Biblioteka e Institutit të Arkeologjisë, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë pranë misioneve të huaja arkeologjike në Apolloni e Butrint.

Në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apolloni si dhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë. Në 1956-të kthehet në Apolloni për t’ia kushtuar qytetit antik tërë veprimtarinë e tij kërkimore e studimore. Cekës i takon merita e zbulimit të një kompleksi arkitektonik në afërsi të ndërtesës së Agonoteteve, e nimfeut të qytetit dhe e shumë veprave të tjera.

Prof. Ceka u nda nga jeta më 2 nëntor 1998.

DPA ka publikuar edhe një fotografi nga Prof. Hasan Ceka si dhe promemoria mbi ndërtimin dhe formimin e Muzeut Kombëtar nga arkeologu, Hasan Ceka, e cila ruhet në AQSH. / KultPlus.com

17 vjeçari bëhet piloti më i ri që fluturon i vetëm nëpër botë

Një 17-vjeçar u bë personi më i ri që fluturoi i vetëm nëpër botë me një avion të vogël. Mack Rutherford u ul më herët gjatë ditës në kryeqytetin bullgar, Sofj, ku filloi udhëtimi i tij, sipas faqes zyrtare të Rutherford dhe GëR. Ai u nis për herë të parë kur ishte ende 16 vjeç.

Rrugëtimi u shtri në 52 vende në pesë kontinente me një avion Shark ultra të lehtë të përgatitur posaçërisht me shpejtësi lundrimi që arrinte 300 km/h, sipas faqes së tij të internetit. Ai theu dy rekorde botërore, të mbajtura më parë nga motra e tij Zara Rutherford.

Ai u bë personi më i ri që ka fluturuar rreth botës i vetëm dhe gjithashtu personi më i ri që e ka bërë këtë në një aeroplan mikrolight. Rutherford tha se shpresonte se arritja e tij do të frymëzonte të rinj të tjerë për të ndjekur ëndrrat e tyre.

“Vetëm ndiqni ëndrrat tuaja, pavarësisht sa vjeç jeni, punoni shumë dhe ecni përpara për të arritur qëllimet tuaja,” tha ai. I frymëzuar për të fluturuar nga familja e tij, adoleshenti ishte vetëm 15 vjeç kur mori patentën e parë të pilotit, duke u bërë piloti më i ri në botë.

“Kur isha 15 vjeç, mora licencën time dhe isha më i riu në botë në atë moment. Dhe më pas, kur motra ime fluturoi nëpër botë, mendova, mirë, ka diçka për të cilën mund të përpiqem të përpiqem dhe të arrij,” ai tha për CNN më herët në gusht. /abcnews.al/ KultPlus.com

Dilema e këngës

Nga Enver Gjerqeku 

Dilema e këngës

A ky është kthimi, apo hap zbrazëtie? 
Dielli kështu më zgjon? Apo rigon shi? 
S’do t’i kthehem barit, as asaj errësie. 
Kah do vemi, ditë, kur asgjë nuk ndi? 

A jam tash i zgjuar, apo m’mashtron drita? 
Ndëgjoj hap’n e vjeshtës, lulja fle në mua. 
Çdo gjë që dash’rova – tek ajo s’arrita – 
Askund ndonjë thnegël, sa për t’më shoqërua. 

Kënga e munduar kishte për të treguar: 
Se si njëherë moti ish feniks ndër ne. 
Po. Është ajo vetë, që kurrë pa u friguar, 
U la prore n’gjak, n’stuhi dhe rrufe. 

Po ç’është tani kjo? Ëndërr o hap lashtësie? 
Malli kështu më zgjon? Jo! Është hap’ humnera. 
S’do t’i kthehem barit, as asaj errësie, 
Që për sy të mi presin untë përhera. / KultPlus.com

122 vjet nga vdekja e Niçes, filozofit, kritikut të artit dhe filologut të famshëm

Një shekull e gjysmë para fetishizmit ndaj dështimit tonë modern, një çështje thelbësore kjo dhe filozofike për vlerën që mbart.

Filozofi, poeti, kompozitori dhe shkrimtari Friedrich Nietzsche (15 tetor,1844-25 gusht,1900) është burri më i qëndrueshëm dhe me më shumë ndikim në shoqërinë njerëzore. Është mjaft e njohur konsiderata që ai ka për masën e filozofëve, ku ai ju referohet atyre si “kokë-lakra“ dhe një herë është qarë duke thënë:”Është fati im që të jem njeriu i parë i denjë. Kam një frikë të tmerrshme se ndoshta një ditë do të konsiderohem si i shenjtë.”

Në një letër, ai i konsideron brezat e ardhshëm të begatë, që i përkasin një niveli të lartë mirëqenieje meqë kanë mundësi të shijojnë punën e tij:“Mua më duket se të marësh një nga librat e mi në dorë, është nderi më i madh që mund t’i bësh vetes. „

Një shekull e gjysmë më vonë, egoja e shëndetshme e Nietzsche-s është vërtetuar bindshëm, me një arsyetim çuditërisht mjaft modern: siguria me të cilën ai pohon se shpërblimet më të mëdha të jetës vijnë nga dora e mjerimit.

Më shumë se një shekull para “dhuratës së dështimit” dhe fetishizmit ndaj dështimit si një kanal drejt paturpësisë, Nietzsche lavdëroi këto vlera në  mënyrë të barabartë,  si pjesë  të madhështisë dhe të qartësisë.

Në një nga shumë aforizmat tij emblematike, të shkruara më 1887 dhe të botuar në përzgjedhjen pas vdekjes nga fletoret e tij ”The Will to Power”,Nietzsche shkruan nën titullin kryesor: «Llojet e dishepujve të mi»:

“Për ato qenie njerëzorë që përbëjnë sadopak shqetësim për mua, dëshiroj dhe ju uroj vuajtje, shkatërrim, sëmundje, keqtrajtim, fyerje dhe ofendim. Dëshiroj të mos mbeten të panjohur me vetëpërbuzjen dhe torturën e dyshimit të personit të vet apo mjerimin e pasmposhtjes. Nuk kam as grimcën më të vogël të mëshirës për ta, sepse ju uroj të vetmen gjë që mund të provojë sot nëse dikush ka sado pak vlera apo jo, në qoftë se reziston.” / KultPlus.com

Festivali i Teatrove në Ferizaj ka ndryshuar datat e mbajtjes së edicionit të 52- të

Festivali i Teatrove në Ferizaj, edicioni i 52-të, ka ndryshuar datat e mbajtjes së tij.

FTF për shkaqe të deritanishme që lidhen kryesisht me financimin dhe subvencionimi e eventit kryesor teatror në vend, është detyruar të ndryshojë kohën e mbajtjes së Festivalit të Teatrove – Ferizaj 2022.

“Pasi që ky edicion, përfundimisht ka gjetur një mbështetje më të madhe financiare nga MKRS dhe DKRS se sa viteve tjera, sigurisht edhe përmbajtja e tij do të jetë shumëfish më përmbajtësore dhe numri i ngjarjeve teatrore do të jetë shumë herë më i madh se sa viteve të kaluara”, thuhet në njoftim

Festivali do të mbahet në datat 1-7 Tetor 2022.

“Mirupafshim në triumfin e jashtëzakonshëm teatror që fuqishëm do të pushtoj fillimtetorin e këtij viti”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Festivali i Teatrove në Ferizaj, edicioni i 52-të, ka ndryshuar datat e mbajtjes së tij.

Shtëpia e Marigo Posios, Hoçishti destinacion i turizmit kulturor

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole së bashku me Drejtorin e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, Niko Kotherja, nënprefektin e Devollit Henrik Rusi dhe përfaqësues të bashkisë së Devollit, vizituan familjarët e Marigo Posios (Violeta dhe Bardhi Pojani), në 90-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta në 23 gusht të vitit 1932.

Marigo Posio jetoi një pjesë të jetës në Hoçisht të Devollit, e cila shërbeu edhe si një bazë e vërtetë atdhetarizmi.

“Marigoja ka qenë një nga gratë më të shquara të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë. Në veprimtarinë e saj spikati jo thjesht akti sinjifikativ i qëndisjes së flamurit që u valëvit në ditën e shpalljes së Pavarësisë, por edhe një veprimtari e gjerë politike atdhetare dhe emancipuese, sidomos për rolin e grave”, u shpreh prefekti Jole.

Jole tha se “puna që familjarët kanë bërë me shumë dashuri për rindërtimin e shtëpisë, mbështetja e bashkisë Devoll për të siguruar infrastrukturën e nevojshme që e akseson lehtësisht objektin, e padyshim pasioni i Nikos për ta kuruar mjedisin e shtëpisë me dëshmi e fakte historike të asaj periudhe, jo vetëm do të plotësojnë një dëshirë të familjarëve apo nxjerrin në pah vlerat e spikatura të figurës së saj të mirënjohur nga gjithë shqiptarët, por edhe do ta kthejnë Hoçishtin në një destinacion të vizitueshëm për turizmin kulturor, sidomos për fëmijët e brezat e rinj që gjithmonë duhet të edukohen me frymën atdhetare dhe historinë tonë kombëtare”.

“Të gjithë bashkë dakordësuam që për 28 nëntorin e ardhshëm, të organizojmë një aktivitet të bukur aty”, tha Jole.

Marigo Posio lindi në qytetin e Korçës, më 1878. Ajo rridhte nga një familje me tradita të shquara atdhetare. Në kujtesën popullore, Marigo Posio, njihet si gruaja që qëndisi flamurin që u ngrit nga Ismail Qemali në Vlorë. / atsh / KultPlus.com

Perfekt të huaj

Poezi nga Nina Cassian

Perfekt të huaj

Nuk mund të them “Përshëndetje”.
Nuk jemi takuar kurrë.
Nuk mund të them “Mirupafshim”.
Nuk u ndamë kurrë.
Nuk mundëm të përqafohemi.
Nuk na prezantuan kurrë.

Prangat e hirta rifitoi Qielli.
Tharë dhe lulet artificiale.
Sepse bluja e djeshme ishte mashtrimi.

Nuk më kujtohen as emrat tanë!
Se ashtu si dorëshkrimet e lashta, ne jemi
të padeshifrueshëm.

Perfekt të huaj.

Përktheu: Herman Çuka / KultPlus.com

Prezantohet Programi Familjar në kuadër të “Manifesta 14”

MKRS ka prezantuar Programin Familjar në kuadër të bienales Manifesta që nis këtë fundjavë!

Përgjatë çdo fundjave deri në fund të Manifesta 14 Prishtina, prindërit dhe fëmijët mund të shijojnë artin, krijimin, letërsinë e shumë më shumë!

Ngjarjet e para nga Programi Familjar do të mbahen më 27 dhe 28 gusht në Oaza, një hapësirë për komunitetin në Qendrën për Praktikë Rrëfyese.

Vizitoni KËTU për të parë programin dhe ejani me familjarët dhe miqtë tuaj këtë fundjavë! / KultPlus.com

Çmim Nobel për Kurtin e Vuçiqin nëse ka marrëveshje, Lajçak: Do të kualifikoheshin, s’kam dilema

Nëse do të arrihej një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, duke i dhënë fund armiqësive shumëvjeçare, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të mund të kualifikoheshin për Çmimin Nobel të Paqes.

Kështu ka thënë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në një intervistë për BBC-në në edicionin serbisht.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë dilemë për këtë gjë.

“Normalizimi i marrëdhënieve sigurisht që do t’i kualifikonte dy liderët për çmimin Nobel, nuk kam asnjë dyshim për këtë”, ka thënë ai, kur është pyetur nga mediumi.

BBC shkruan se e njëjta gjë shpresohej edhe në vitin 2018, kur negocionin ish-presidenti Hashim Thaçi dhe Vuçiq në Bruksel.

Ishte përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ajo që kishte spekuluar se Thaçi e Vuçiq mund të merrnin Çminin Nobel për Paqe në rast të një marrëvëshjeje të suksesshëm.

Përpjekjet për marrëveshje përfundimtare vazhdojnë edhe tani, pas 4 viteve, mirëpo siç shkruan BBC, shumë gjëra kanë ndryshuar tashmë përveç rolit të Vuçiqit: bisedimet për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë janë hedhur poshtë, Hashim Thaçi mbahet në paraburgim nga Gjykata Speciale, Federica Mogherini është larg dialogut dhe administrata Trump në SHBA ka rënë nga pushteti. /Express/ KultPlus.com

Së shpejti do të promovohet libri “Fëmijëri të rrëmbyera: Rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë”

Më 30 gusht në Kino Armatë duke filluar nga ora 19:00, do të promovohet libri “Fëmijëri të rrëmbyera: Rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë”, përcjell KultPlus.

“Fëmijëri të rrëmbyera” është libër i rrëfyer nga 10 prindër e familjarë të fëmijëve të vrarë apo të zhdukur në luftë, dhe nga 2 fëmijë të rritur pa prindër si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Përmes eksplorimeve të historive gojore, ky vëllim mëton përfshirjen e përvojave të fëmijëve në luftë dhe pluralizimin e historisë, për të lehtësuar adresimin e heshtjes sistematike dhe përgjithësimet në tregimin për luftën e fundit në Kosovë.

Promovimi i librit përcillet me diskutimin në panel të titulluar ‘Fëmijët e Kosovës: Histori të heshtura të luftës’. / KultPlus.com

Lëvizja është dritë

Poezi nga Sibel Halimi

E kaluara është sëmundje kronike
shtrirë në botën e përgjumur
të shfaqet hija shpartalluese
që s`i lë dot emër

Në luftën e njeriut
e sotmja kurrë nuk është kanë
pushtuar zbrazëtirat e së kaluarës
zgërdhirë me të pajetuarën
kështjellë ndërtuan kanë

Ikja
është dorëzim për pushtime
t`reja anonime
që zhurmën pullaz kanë

Më gjykoni,
është punë e juaja
kam një tokë t`krijuar
me pamje gruaje
pagane
n‘gji mbajë natën
yjet e hënën gëlltitur i kam

Ne të gjithë e dimë
shtëpitë mbajnë shpirtrat
e të ikurve
po e hape derën
janë aty
më pas korridoret avullohen
në pasqyrë; një fytyrë lirie
Megjithatë, lëvizja është dritë / KultPlus.com

Zelensky në Këshillin e Sigurimit: Rusia e ka vënë botën në prag të katastrofës bërthamore

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua Këshillit të Sigurimit të OKB-së virtualisht, duke kërkuar që mbikëqyrësi bërthamor i organizatës, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), të marrë kontrollin e përhershëm të situatës në uzinën e Zaporizhzhia sa më shpejt të jetë e mundur. Ai gjithashtu i bëri thirrje Rusisë që të tërhiqet plotësisht nga uzina.

“Rusia e ka vënë botën në prag të katastrofës së rrezatimit. Është fakt që ushtria ruse e ka kthyer territorin e termocentralit më të madh bërthamor në Evropë, termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, në një zonë lufte. Tani Evropa dhe rajonet fqinje përballen me kërcënimin e ndotjes nga rrezatimi”, tha Zelensky.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha gjithashtu se është shumë i shqetësuar nga situata në Zaporizhzhia.

“Dritat paralajmëruese po ndizen. Çdo veprim që mund të rrezikojë integritetin fizik ose sigurinë e centralit bërthamor është thjesht i papranueshëm. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm i situatës mund të çojë në vetëshkatërrim”, tha Guterres ndërsa fliste në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Sekretariati i OKB-së është në kontakt të ngushtë me IAEA për të mbështetur çdo mision në termocentralin nga Kievi, me kusht që Rusia dhe Ukraina të bien dakord. /abcnews.al/ KultPlus.com

Shtyhet mbajtja e Festivalit të Teatrove në Ferizaj

Ndryshojnë datat e mbajtjes së edicionit të 52-të të Festivalit të Teatrove në Ferizaj.

FTF për shkaqe të deritanishme që lidhen kryesisht me financimin dhe subvencionimi e eventit kryesor teatror në vend, ata janë detyruar të ndryshojmë kohën e mbajtjes së Festivali të Teatrove – Ferizaj 2022, edicioni i 52-të.

Festivali do të filloj nga data 1 tetor dhe do të vazhdoj deri më 7 tetor.

Pasiqë ky edicion, përfundimisht ka gjetur një mbështetje më të madhe financiare nga MKRS dhe DKRS se sa viteve tjera, sigurisht edhe përmbatja e tij do të jetë shumëfish më përmbajtësore dhe numri i ngjarjeve teatrore do të jetë shumëherë më i madh se sa viteve të kaluara.

Mirëupafshim në triumfin e jashtëzakonshëm teatror që fuqishëm do të pushtoj fillimtetorin e këtij viti. / KultPlus.com

Evropa në thatësi, lumi i Danubit me nivelin më të ulët të ujit në 100 vjet

Lumi i dytë më i gjatë i Evropës ka arritur një nga nivelet më të ulëta në 100 vjet, për shkak të thatësirës së madhe në të gjithë kontinentin. Danubi shtrihet nga Pylli i Zi në Gjermaninë jugperëndimore deri në Detin e Zi në Rumaninë lindore. Rënia i nivelit të ujit ka vështirësuar trafikun ujor në Danub dhe ka zbuluar anije të fundosura gjermane të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Niveli i ujit në Danub ka rënë me pesë metra në tre javë në një zonë afër Budapestit, si rezultat i thatësirës së vazhdueshme dhe temperaturave të larta.

Kompania kryesore e furnizimit me ujë në këtë zonë paralajmëroi se rënia e papritur e nivelit të ujit në Danub mund të kërcënojë furnizimin e me ujë të pijshëm. Në Zimnicea të Rumanisë, nivelet e ujit janë aq të ulëta sa që anijet duhet të presin në radhë në rrjedhën e sipërme dhe në rrjedhën e poshtme për të udhëtuar përmes një rruge të vetme ujore në dispozicion për të shmangur kontaktin me rërën.

“Ka rënie të madhe të niveli të ujit mes kilometrit të 563 dhe 565, dhe kemi 80 anije që presin të kalojnë. Ato që duan të lundrojnë lart lumit po presin në kilometrin e 559 dhe ato që duan të zbresin në rrjedhën e poshtme në kilometrin e 570”, thotë kapiteni Radoi Lili Dorel, shefi i portit rumun në Zimnicea.

“Nuk kam parë kurrë një niveli kaq të ulët të ujit në Danub. Në fëmijëri kam parë nivel të ulët uji por jo siç është këtë vit. Thatësira është e rëndë këtu, në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara për shkak të nxehtësisë së madhe dhe mungesës së shiut”, thotë Mercel, banor i Zimniceas.

Më në veri, kryeqyteti rumun i Bukureshtit është gjithashtu i rrethuar nga fusha të thara. Rënie e nivelit të ujit në Danub ka ekspozuar dhjetëra anije luftarake gjermane të mbushura me eksplozivë të fundosura gjatë Luftës së Dytë Botërore pranë qytetit Prahovo të Serbisë. Ato ishin në mesin e qindra luftanijeve të flotës së Gjermanisë naziste në Detin e Zi që u shkatërruan përgjatë Danubit në vitin 1944, ndërsa po tërhiqeshin nga presioni i forcave sovjetike. Anijet e fundosura ende vazhdojnë të pengojnë trafikun kur niveli i Danubit është i ulët.

Megjithatë, thatësira e këtij viti, që shkencëtarët thonë se është pasojë e ngrohjes globale, ka ekspozuar më shumë se 20 luftanije në një pjesë të Danubit pranë Prahovos në Serbinë lindore, shumë prej të cilave ende përmbajnë tonelata municione dhe eksplozivë dhe përbëjnë rrezik për transportin ujor./VOA/ KultPlus.com

Teaser-i ‘Slumberland’ i Jason Momoa debuton në internet (VIDEO)

Prezantimi debutues për filmin e ri të Jason Momoas në Netflix Slumberland sapo debutoi në internet!

Ja një përmbledhje e filmit: Slumberland e çon audiencën në një vend të ri magjik, një botë ëndrrash ku Nemo i hershëm (Marlow Barkley) dhe shoqëruesi i saj i çuditshëm Flip (Momoa) hyjnë në aventurën e jetës.

Pasi babai i saj Peter (Kyle Chandler) humbet papritur në det, ekzistenca idilike e Paqësorit Veriperëndimor të Nemos përmbyset plotësisht kur ajo dërgohet të jetojë në qytet me dajën e saj me qëllim të mirë, por thellësisht të sikletshëm Phillip (Chris O’Dowd).

Shkolla e saj e re dhe rutina e re janë sfiduese gjatë ditës, por natën, një hartë sekrete në botën fantastike të Slumberland lidh Nemon me Flip, një i paligjshëm i përafërt, por i dashur, i cili shpejt bëhet partneri dhe udhërrëfyesi i saj.

Ajo dhe Flip së shpejti e gjejnë veten në një udhëtim të jashtëzakonshëm duke përshkuar ëndrrat dhe duke ikur nga makthet, ku Nemo fillon të shpresojë se ajo do të ribashkohet me babanë e saj edhe një herë.

Weruche Opia, India de Beaufort dhe Humberly González gjithashtu luajnë në këtë film.

Filmi do të shfaqet në Netflix më 18 nëntor./klankosova/ KultPlus.com

“Reforma e madhe në kulturë po bëhet”, miratohet Koncept-Dokumenti për Art dhe Kulturë

Pas një procesi një vjeçar të diskutimeve me komunitetin, hulumtimeve dhe analizave, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua Koncept-dokumenti për Art dhe Kulturë. Me vendimin e sotëm hapet rrugë për Ligjin e ri të Kulturës, Ligjin e ri të Kinematografisë, rregullimin ligjor të sektorit muzeal dhe Strategjinë Kombëtare për zhvillimin e Kulturës.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të ministrit Hajrulla Çeku:

Reforma e madhe në kulturë po bëhet!

Pas një procesi një vjeçar të diskutimeve me komunitetin, hulumtimeve dhe analizave, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua Koncept-dokumenti për Art dhe Kulturë. Me vendimin e sotëm hapet rrugë për Ligjin e ri të Kulturës, Ligjin e ri të Kinematografisë, rregullimin ligjor të sektorit muzeal dhe Strategjinë Kombëtare për zhvillimin e Kulturës.

Ky moment i rëndësishëm është rezultat i punës së madhe të stafit civil dhe kabinetit politik të Ministrisë së Kulturës, zyrtarëve të institucioneve publike të kulturës, zyrtarëve të ministrive të linjës, pjesëtarëve të komunitetit artistik e organizatave të skenës së pavarur, konsulentëve vendorë dhe nga jashtë. Hapat e ardhshëm të reformës më të madhe kulturore në vend do të bazohen në këtë dokument, i cili do të jetë udhërrëfyes i yni shtetëror për çdo lloj mase që duhet të ndërmarrim për t’i ngritur më tutje të gjitha kapacitetet kreative në vend.

Legjislacioni në fuqi që rregullon fushën e kulturës është tejet kufizues dhe në masë të madhe nuk i përgjigjet nevojave aktuale të sektorit. Reforma në kulturë synon zvogëlimin e burokracisë, nxitjen e krijimtarisë cilësore, mbrojtjen dhe fuqizimin e artistit, diversifikimin e burimeve të financimit, edukimin artistik të fëmijëve dhe të rinjve dhe zhvillimin e audiencave në mënyrë që si rezultat i të gjitha këtyre kultura të ketë ndikim më të madh në rritjen ekonomike, mirëqenien sociale dhe promovimin ndërkombëtar të shtetit tonë. / KultPlus.com

lajme

Escobar përfundon takimet me liderët e Kosovës: Na siguruan se s’duan përshkallzim

Emisari i SHBA-së Gabriel Escobar ka folur për media pas takimit që pati me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, të cilë i takoi ndaraz bashkë me emisarin sllovak, Miroslav Lajcak.

Escobar ka thënë se liderët kosovarë e kanë siguruar që nuk duan përshkallëzim të situatës më 1 shtator, ditë kjo kur fillon implementimi i masës së reciprocitetit për targa dhe dokumente të hyrje-daljeve.

“Ata na siguruan se nuk duan asnjë përshkallëzim, nuk duan dhunë në 1 shtator. Pra, tani jemi këtu sot për t’u siguruar që të gjitha ato dëshira të mira dhe gjithë ai optimizëm të përkthehen në të mirë të vendit”, ka deklaruar Escobar.

Escobar në këto takime ishte i shoqëruar edhe nga emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Të dy tashmë po i takojnë liderët e partive opozitare në zyrën e BE-së në Prishtinë./Express/ KultPlus.com

24 gusht 1913, kur në Vlorë botohej numri i parë i gazetës ‘Përlindja e Shqipërisë’

Më 24 gusht të vitit 1913 doli numri i parë i gazetës “Përlindja e Shqipërisë”, gazetë, e cila mbështeti Qeverinë e Vlorës të udhëhequr nga Ismail Qemali.

Ajo bënte thirrje për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të vetëm.

“Përlindja e Shqipëniës” ishte gazeta e parë e shtetit të pavarur shqiptar, botohej dy herë në javë dhe vijoi të botohej për 21 numra deri në vitin 1914.

Në artikujt e saj ndër të tjerash, kjo gazetë bënte thirrje për bashkimin e popullit shqiptar. / KultPlus.com