Shkencëtarët kanë gjetur disa diamante të çuditshëm në Afrikë, për të cilët thonë se janë prodhuar nga goditja e një meteori në Tokë. Grupi studimor po tenton të prodhojë një diamant të ngjashëm në laborator, sepse është shumë herë më i fortë se normali dhe mund të përdoret për të prodhuar pajisje shumë të forta.
Një grup arkeologësh kanë gjetur disa diamante misterioze gjatë kërkimeve në Afrikë.
“Është vërtet emocionuese sepse kishte disa kolegë në terren që dyshonin nëse ky material ekzistonte”, tha Alan Salek nga Universiteti i Melburnit në Australi.
Diamantet misterioze gjashtëkëndore nuk janë të natyrshëm në Tokë, ndaj shkencëtarët mendojnë se ata janë krijuar si rezultat i përplasjes së një meteori me Tokën.
Grupi i studiuesve thotë se diamantet gjashtëkëndore, ngjashëm me diamantet e rregullt, janë të përbërë nga karboni, por atomet e tyre janë të rregulluar në një strukturë gjashtëkëndore dhe jo në formë kubike.
Shkëncëtarët thonë se do ta studiojnë me kujdes përbërjen e tyre dhe do të provojnë që t’i prodhojnë në laborator.
Diamantet gjashtëkëndore parashikohen të jenë rreth 60 për qind më të fortë se diamantet e rregullt.
Kjo fortësi shtesë mund të ketë aplikime të rëndësishme industriale nëse ato prodhohen në laborator. Për shembull, ato mund të përdoren për të ndërtuar tehe sharrash ultra të forta ose pjesë të tjera makinerishë që kanë forcë më të madhe. / Ora news / KultPlus.com
Ekspozita e parë e Istanbul Photo Awards 2022, konkursit ndërkombëtar të fotografisë të organizuar nga Anadolu Agency (AA) për të mbështetur fotogazetarinë, do të hapet sot për vizitorët në metropolin turk të Istanbul-it.
Fotot e konkursit të vlerësuara me çmime do të ekspozohen në Universitetin e Arteve të Bukura Mimar Sinan deri më 30 shtator.
Në ekspozitë pritet të marrin pjesë shumë emra nga bota e fotografisë dhe artit, përfshirë fotoreporterin grek Konstantinos Tsakalidis, fituesi i këtij viti i çmimit “Fotografia e Vitit”.
Ceremonia e hapjes do të bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i AA-së, Serdar Karagöz.
Ekspozita, e cila përbëhet nga punimet e 19 fotografëve, organizohet me kontributin e Universitetit të Arteve të Bukura Mimar Sinan.
Këtë vit, konkursi u mbështet nga Canon, Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA) dhe Turkish Airlines (THY), aviotransportuesi i vendit.
Fotoreporterët profesionistë hynë në konkurs me foto që demonstrojnë ngjarjet globale të vitit të kaluar, nga ngjarjet sociale në Mianmar deri te kriza e refugjatëve në SHBA, nga Rally Dakar dhe Lojërat Olimpike të Tokios e deri te rrëfimet njerëzore në mbarë botën.
Fotografia e fotografit të Bloomberg, Tsakalidis, me titull “Gruaja nga Evia”, fitoi çmimin “Fotografia e Vitit” në Istanbul Photo Awards 2022, edicioni i tetë i konkursit vjetor ndërkombëtar të fotografisë të mbajtur nga AA për të mbështetur fotoreporterët.
Një juri prestigjioze përzgjodhi fotografitë fituese të çmimeve për Istanbul Photo Awards 2022.
Fotografia e Tsakalidis-it u përzgjodh mes më shumë se 16.000 fotografive të paraqitura nga pjesë të ndryshme të botës. /atsh / KultPlus.com
Odhise Paskali, cilësohet si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.
U lind në Përmet më 22 dhjetor të vitit 1903, i biri i Paskal Thanasit dhe Kaliopesë së Lami Papadhimitrit. I ati në fillim qe sekretar në administratën turke të duhanit në Dishkatë e Kozhan dhe më pas prift në Koblarë, Miçan, Frashër, Zavalan e Soropull të Dangëllisë, në Lipe e Leusë pranë qytetit të Përmetit dhe në Bënjë të Shqerisë. në hapësirën e viteve 1903 – 1919, ka jetuar e qëndruar pranë familjes, me prindërit, Paskalin e Kaliopin, si dhe me tri motrat, me Uraninë, me Angjeliqinë dhe me Elpiniqin, në qytetin e Përmetit (1903 – 1910, 1914 – 1919, me disa muaj qëndrimi larg qytetit gjatë vitit 1916), në Koblarë (1911 – 1914) dhe në Frashër (nga maj deri në shtator apo tetor 1916). Më 1919 ai shkoi në Itali, ku më 1923 kreu Liceun dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, ku më 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit.
Më vonë, në 1931 krijoi shoqërinë “Miqtë e artit”. Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit. Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20. Ndërsa në vitet ‘30 e shohim nismëtar të shoqatës “Miqt e Arbrit”; si organizator të së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë.
Hapat e para të karrierës së Odhisesë janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti. Shkroi artikuj të ndryshëm me mendime e meditime për artin në mjaft organe shtypi të vendit apo të huaja. Nëse mund t’u hedhësh një sy artikujve të tij të viteve ‘20, mund të vësh re aktualitetin e tyre edhe sot. Sikur këto shkrime të autorit të mblidheshin, mund të bëhej një botim i veçantë mbi publicistikën e tij. Odhisea dinte t’u përshtatej me shumë zgjuarsi situatave në çdo kohë. Duke gjykuar se vendi në vitet ‘20-‘30 kishte mungesë skulptorësh, me të mbaruar fakultetin dhe studimet për artin, i përvishet punimeve plastike, pra artit të skulpturës pranë ateliesë së një skuptori italian realist e monumentalist të Torinos. Kështu ai bëhet skulptori i parë profesionist shqiptar.
Me pushtimin fashist të vendit, Odhisea si erudit në fushën e artit, caktohet anëtar i Institutit të Studimeve të atëhershme, por në mungesë edhe të porosive të mjaftueshme, për ngritje shtatoresh, detyrohet të çelë një punishte për përgatitje shkumësash për nevojat e shkollave të vendit. Me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, krahas vazhdimit të krijimeve skulpturore për figurat e rilindasve, në tematikën e punimeve të tij zënë vend edhe heronjtë e popullit dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen. Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash, midis të cilave skulpturën e “Partizantit Çlirimtar”, punën e grupit skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; bustin e Naimit; të Nonda Bulkës dhe të Fanjo Çiçakos në qytet; bustet e vëllezërve Frashëri në sheshin para Shtëpisë Muze në Frashër, bustin e dr. Refat Frashërit, etj. Kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Përmetit, ai e plotësoi me tri figura për të përjetësuar edhe tre kushërinjtë e tij të parë (Harallamb Papa, Gaqi Vinjau e Foti Adhami). Në shtëpinë e piktorit të merituar Aristotel Papa, që ka më shumë se një vit që është ndarë nga jeta, ndodhet edhe një bust i vëllait të tij, dëshmorit Harallamb Papa, punuar e dhuruar nga Odhisea vite më parë. Ndoshta ky bust mund të mos jetë evidentuar nga Galeria Kombëtare e Arteve Figurative. Odhisea, duke iu kushtuar kryekëput krijimtarisë së tij, nuk ishte i prerë për çështje administrative. Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte. Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.
Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: “I urituri”, “KETI”, “Malësori”, “Luftëtari Kombëtar”, në Korçë “Themistokli Gërmenji”, në Korçë; “Ushtari i panjohur”, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968; “Naum Veqilharxhi”, bust në bronx , në Korçë; “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968; “Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)”, “Isa Boletini”, “Fan Noli”, “Onufri”, “Jeronim De Rada”, në Tiranë, “Pashko Vasa”, “Zef Skiroi”, “Çerçiz Topulli”, “Naim Frashëri”, “Vojo Kushi”, “Migjeni”, “Enver Hoxha”, “Idriz Seferi”, “Ahmet Zogu”. / KultPlus.com
Këshilli grevist i kryesuar nga Rrahman Jasharaj i SBASHK-ut ka folur për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti rreth mundësisë së arritjes së marrëveshjes për ndërprerjen e grevës.
Jasharaj tha se s’ka asnjë ndryshim nga pozicionet e grevistëve dhe qeverisë raporton Gazeta Express.
“Sapo dolëm nga një takim shumë kohë i pritur mes këshillit grevist dhe kryeministrit Kurti e ministrave Murati e Nagavci. Takimi ishte i gjatë, ne si këshill grevist ia rikujtuam kërkesat tona legjitime që i di opinioni, ata na treguan për angazhimet që kanë bërë. Takimi ishte përmbajtësor por asgjë nuk kemi ndryshme. Qeveria qëndron në pakon e prezantuar”, tha ai. / KultPlus.com
Kur çifti kanadez Edith Lemay dhe Sebastien Pelletier mësuan se tre nga katër fëmijët e tyre kishin retinitis pigmentosa, një gjendje e rrallë gjenetike që shkakton humbje të shikimit me kalimin e kohës, ata morën një vendim të rëndësishëm: nisën të bënin një turne botëror me plot “kujtime vizuale”.
Vajza e Lemay dhe Pelletier, Mia, 12, dhe djemtë Colin, 7, dhe Laurent, 5 vjeç, u diagnostikuan me retinitis pigmentosa. Aktualisht nuk ka asnjë kurë apo trajtim efektiv për të ngadalësuar përparimin e gjendjes dhe çifti thekson se fëmijët e tyre mund të jenë “plotësisht të verbër nga mesi i jetës”.
Për CNN, Lemay tha se kur specialisti i Mia-s rekomandoi që ajo të krijonte “kujtime vizuale”, nëna kuptoi se ekzistonte një mënyrë vërtet e pabesueshme që ata mund të bënin këtë për të dhe për fëmijët e tjerë. “Mendova, ‘Nuk do t’i tregoj asaj një elefant në një libër, do ta çoj për të parë një elefant të vërtetë.
Dhe unë do ta mbush kujtesën e saj vizuale me imazhet më të mira, më të bukura që mundem.”, tha Lemay. Ajo dhe burri i saj shpejt filluan të bëjnë plane për të kaluar një vit duke udhëtuar nëpër botë me fëmijët e tyre. Qëllimi i tyre është të fokusohen në pamjet – kafshët, florën dhe faunën – dhe të përjetojnë gjëra që nuk do të mund t’i bënin në shtëpi.
Ata filluan udhëtimin e tyre në Namibi. Më pas, ata u nisën për në Zambia dhe Tanzani, përpara se të zbarkonin në Turqi për një muaj. Familja më pas mori rrugën për në Mongoli, përpara se të shkonte në Indonezi. “Udhëtimi është diçka nga e cila mund të mësosh.
Është e këndshme dhe argëtuese, por gjithashtu mund të jetë shumë e vështirë. Mund të jesh i pakëndshëm. Mund të jesh i lodhur. Ka zhgënjim. Pra, ka shumë që mund të mësosh nga vetë udhëtimi.”, tha Lemay. “Ata përshtaten lehtësisht me vendet e reja dhe ushqimin e ri. Unë jam shumë e impresionuar me ta,” shtoi ajo. / abcnews.al / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me bashkinë e Pogradecit, kanë përgatitur një ekspozitë mbi figurën e Dhimitër Paskos, të njohur gjerësisht me emrin e artit si Mitrush Kuteli.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të përvjetorit të lindjes së themeluesit të prozës moderne shqipe.
Publiku do të ketë mundësinë të marrë pjesë në prezantimin e dokumenteve arkivore që hedhin dritë mbi veprimtarinë letrare të Paskos, si edhe mbi profilin e tij në rolin e ekonomistit dhe të bankierit.
Mes materialeve të përzgjedhura për ekspozim, të cilat janë pjesë e pasurisë dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), gjenden: krijimet “Balta Shqipëtare”, “Natë vjeshte” (dhjetor 1944), “Kënga e biçikletës” (shkurt 1944), “Do desha të vdes” (mars 1946) etj.
Gjithashtu publiku do të mund të shohë publikimet në faqet e Revistës Letrare, siç janë: “I vdekuri dhe i gjalli” (shkurt 1944), “Poemi i Shëndaumit” (maj 1944), “I pasuri që ish i varfër fort” (korrik 1944).
Ekspozita përmban edhe kartolina që Mitrush Kuteli i dërgonte Lasgush Poradecit, analiza të veprës së poetit “Ylli i zemrës”, botuar në kujdesin e Kutelit si dhe dokumente me anë të të cilave Kuteli kërkonte rehabilitimin e figurës së tij: kërkesë e Kutelit drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu për leje krijimtarie dhe letra e Shehut drejtuar ministrit të Arsimit dhe të Kulturës, Manush Myftiu, për akordimin e lejes së kërkuar.
Një tjetër material i AQSH është emërimi i Paskos si konsulent teknik prej Komitetit Ekzekutiv të Bankës Kombëtare; analiza ekonomike e Paskos mbi çmimet në Shqipëri dhe pasuritë natyrore të Kosovës të shfrytëzuara nga italianët. / atsh / KultPlus.com
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka rekomanduar autorizimin e një doze të modifikuar të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer-BioNTech. Kjo dozë përfshin mbrojtjen nga dy variantet e fundit të Omicron-it, teksa shtetet evropiane po tentojnë të fuqizojnë fushatat e imunizimit të popullsisë para dimrit.
EMA tha më 12 shtator se studimet laboratorike sugjerojnë se vaksina e kombinuar – që shënjestron virusin origjinal të sëmundjes COVID-19 dhe nënvariantet e Omicron-it BA.4 dhe BA.5 – duhet të shkaktojë një përgjigje efektive. Kjo vaksinë e modifikuar pritet të jetë po aq e sigurt sa versioni origjinal, por agjencia tha se do të vazhdojë të analizojë atë, pasi të dhënat janë ende të kufizuara.
Më herët gjatë këtij muaji, Administrata amerikane për Ushqim dhe Ilaçe miratoi përdorimin e vaksinës së modifikuar.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, versioni BA.5 i Omicron-it është përgjegjës për shumicën e rasteve me koronavirus në mbarë botën.
Më herët gjatë shtatorit, EMA autorizoi përdorimin e dy vaksinave të kombinuara të prodhuara nga Pfizer dhe Moderna, që kanë për qëllim të shënjestrojnë nënvariantin e mëhershëm të Omicron-it, BA.1.
Ende është e paqartë se sa efektive janë dozat përforcuese të vaksinës dhe ekspertët ende janë duke mbledhur të dhëna. Por, të dhënat e mbledhura deri më tani sugjerojnë se këto doza përforcuese janë të sigurta për përdorim.
Në nivel global, rastet me koronavirus dhe vdekjet kanë rënë në javët e fundit, por ekspertët thonë se mund të ketë rritje të rasteve dhe vdekjeve gjatë dimrit. Deri më tani, nga COVID-19 kanë vdekur mbi 6.5 milionë persona në mbarë botën./REL/ KultPlus.com
Organizatorët e ngjarjes panevropiane për komunitetin LGBT, EuroPride, kanë nisur këtë ngjarje më 12 shtator në Serbi, me vendosjen e flamujve me ngjyra të ylberit.
EuroPride po mbahet në Beograd të Serbisë pavarësisht se mbajtja e kësaj ngjarjeje u anulua muajin e kaluar nga autoritetet.
Ceremonia hapëse e javës së EuroPride kaloi pa incidente, pavarësisht protestave të grupeve fetare dhe nacionaliste dhe paralajmërimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili muajin e kaluar tha se kjo ngjarje nuk do të mbahej.
“EuroPride 2022 ka nisur. Kolegët e mi nga EuroPride janë këtu në këtë ngjarje historike”, shkroi në Twitter, Kristina Garina, presidente e shoqatës së organizatorëve të EuroPride.
“Faleminderit BelgradePride për përkushtimin tuaj për organizimin e ngjarjes”, shtoi Garina.
Më 11 shtator, grupet e krahut të djathtë, sikurse Dveri, me mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe, mbajtën protestën e tretë në Beograd, për t’iu bërë presion zyrtarëve që të ndalojnë mbajtjen e EuroPride.
Në marshin në Beograd morën pjesë mijëra persona, të cilët kërcënuan se do të organizonin protesta nëse EuroPride do të mbahej.
Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, udhëhoqi lutjet për “shenjtërinë e martesës dhe familjes” dhe akuzoi “forcat e padukshme” për imponimin e “bashkimeve të panatyrshme si zëvendësim për martesën dhe familjen”.
EuroPride promovon krenarinë e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve e transgjinorëve në nivelin panevropian, dhe që nga viti 1992 organizohet nga një qytet i ndryshëm evropian çdo vit.
Ngjarja përfshin muzikë, konferenca për të drejtat e njeriut, ndeja dhe kulmon me mbajtjen e Paradës së Krenarisë në Beograd më 17 shtator. Por, mbajtja e paradës sivjet po përballet me kërcënime dhe zyrtarët kanë njoftuar se nuk do të ofrojnë siguri për marshin e sivjetmë.
Më 10 shtator, Vuçiq tha se Ministria e Brendshme do të japë vendimin final më 14 shtator nëse autoritetet do të lejojnë që të mbahet ose jo Parada e Krenarisë.
Por, organizatorët e ngjarjes në vazhdimësi kanë thënë se do të mbajnë Paradën dhe EuroPride dhe kanë argumentuar se Serbia duhet të respektojë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Më 2010, gjatë Paradës së Krenarisë në Beograd, protestuesit kundër komunitetit LGBT, sulmuan pjesëmarrësit dhe u përleshën me policinë. Më pas, mbajtja e Paradës së Krenarisë u rikthye më 2014 dhe që atëherë është mbajtur kryesisht pa incidente. / KultPlus.com
Në vitet 1962-1966 isha student në Fakultetin Histori dhe Filologji të Universitetit të Tiranës. Fakulteti përdorte dy katet e para të asaj godine, kurse në katin e tretë kishin zyrat e tyre Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë dhe Instituti i Folklorit. Gjatë pushimeve midis orëve mësimore, në oborrin e fakultetit rastiste të shikonim duke ecur ngadalë për të vajtur tek kafja aty pranë Prof. Eqrem Çabejn, të shoqëruar prej treshes shkodrane: Pashko Geci, Anton Krajni dhe Filip Fishta, intelektualë të shkolluar në Austri, Gjermani ose Itali.
Ashtu si Profesor Çabej, edhe ata shquheshin për njohjen e thellë të disa gjuhëve të huaja, por në Institutin e Gjuhësisë dhe të Historisë punonin si forca teknike për vjeljen e fjalëve të gjuhës shqipe në gazeta dhe libra të ndryshëm. Profesor Eqrem Çabej jepte në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy semestra, gjatë semestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë semestrit të parë të kursit të katërt.
Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet kur përputhen te një person i vetëm gjithë të mirat: pamja e bukur fizike, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale, sjellja fisnike dhe talenti. Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, ky profesor ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë që nuk u kritikua për asgjë prej askujt, dëshmi e vlerave të tij. Ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues.
Mbante kapelë republikë, kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Përshëndetja e tij na bënte përshtypje: të shikonte në sy dhe, pasi përulte kokën, e çonte pak kapelën me dorën e djathtë. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit, si dhe gjatë viteve që punova në institut, nuk e pashë kurrë të parruar dhe asnjëherë nervoz. Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë duke folur në këmbë te katedra, kurse fragmentet që sillte për ilustrim mendimesh prej stujuesve të tjerë i lexonte. Kur lexonte vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim.
Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështore që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, rrallë përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë. Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te fytyra e tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin me gojë e me shkrim dhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij. Për bindjet e tij fetare ishte e vështirë të krijoje një mendim të qartë.
Ai asnjëherë nuk hapi ndonjë bisedë me temë fetare. Botëkuptimi dhe sjellja e tij ishin brumosur që në rini gjatë jetës në Austrinë e qytetëruar, prandaj ishte i çliruar prej shumë dobësive që manifestonin shqiptarët e lindur dhe plakur brenda atdheut. Në sjelljen dhe pamjen e tij binin në sy tipare prej një evropiani të vërtetë, tipare që nuk i gjeje as në të krishterët e muhamedanët e përkorë. Ora e fundit e mësimit me të, aty nga fundi i dhjetorit 1965, më ka mbetur në mend. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndihem fajtor.
Ndihem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej… Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi:
“Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shmbullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun. Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me biseda gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos e përzieni kohën e punës me kohën e pushimit dhe as kohën e pushimit me atë të punës.
Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura. Mos jini kategorikë kur shprehni mendimet tuaja. Gjithçka shikojeni me sy kritik. Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime. Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend. Mos bëni asnjë punë shkel e shko. Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj. Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet. Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë. Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja kryesore…” /Thanas L. Gjika / KultPlus.com
Është publikuar traileri i parë i filmit “Glass Onion: A Knives Out Mystery”.
Ylli i filmave “James Bond”, Daniel Craig, rikthehet në rolin e detektivit Benoit Blanc në vazhdimin e filmit të vitit 2019, “Knives Out”, krahas një kaste të aktorëve të njohur si, Edward Norton, Dave Bautista, Kathryn Hahn, Jessica Henwick, Kate Hudson, Janelle Monáe, Madelyn Cline dhe Leslie Odom Jr.
“Glass Onion: A Knives Out Mystery” e rrëfen historinë e detektivit, Benoit, i cili udhëton në Greqi për ta zbuluar një mister që përfshin një grup të ri të dyshuarish.
Ky vazhdim u realizua me regji dhe skenar të Rian Johnsonit. Premierën botërore e shënon të hënën (12 shtator) në Festivalin ndërkombëtar të filmit në Toronto. Në tetor, filmi udhëton drejt Evropës për t’u shfaqur në kuadër të Festivalit të filmit në Londër, raporton portali “Deadline”.
“Glass Onion: A Knives Out Mystery” e fillon transmetimin në platformën digjitale Netflix, më 23 dhjetor të këtij viti./koha/ KultPlus.com
Veç ajo ndijonte tingujt e heshtjeve të mia. Me raste druhesha se mos koha pengestare ia mbathte teksa flisnim. Paskëtaj humba kujtesën dhe ja tek gjendem duke folur rreth saj me ty, mes dredhash duhani q’e fshehin ngashërimin tonë. Ja se ç’qenka ndryshe te kjo vetja ime: ndjenja, vetë e patrajtë, në kët’ ditë që është veç përmallimi.
Nga përmbledhja “Diario postumo: 66 poesie e altro”
Forcat ukrainase kanë rikthyer sërish në dy javët e fundit rreth 500 kilometra katrorë të territorit në jug të vendit si pjesë e një kundërofensive kundër forcave pushtuese ruse, tha sot zëdhënësja e Komandës Ushtarake Jugore të Ukrainës.
“Në seksione të ndryshme kemi përparuar nga katër deri në disa dhjetëra kilometra. Çliruam një sipërfaqe prej rreth 500 kilometrash katrorë në total”, tha Natalia Humenjuk në një konferencë për shtyp përmes video-lidhjes.
Ajo publikoi emrat e pesë vendeve në rajonin Kherson që u kthyen nga ukrainasit./ KultPlus.com
Kam zbritë tu’ ta mbajtë dorën, t’paktën një milion shkallë Dhe tash që s’je ma, boshllëku asht në çdo hap. Gjithsesi i shkurtë ka qenë udhëtimi ynë i gjatë. I imi ende vazhdon, s’ka ma nevojë për rastësitë, rezervimet, kurthet, përbuzjet e atij që beson se realiteti asht ai që shikon. Kam zbritë miliona shkallë tu’ ta mbajtë dorën Jo veç pse me katër sy ndoshta shihet ma mirë. Me ty i kam zbritë sepse e dija që nga ne të dy T’vetmit sy të vërtetë, edhe pse kaq të turbullt, ishin të tutë.
Sot shënohen gjithsej 19 vite nga vdekja e muzikantit të talentuar Johnny Cash.
Ata që pëlqejnë muzikën e Johnny Cash, e njohin pasionin e tij të çmendur për të shoqen, June. Një letër që ai i dërgonte gruas sëtij me rastin e 65- vjetorit të lindjes njihet si letra e dashurisë më e bukur në botë.
Letra është shkruar në vitin 1994. Në këtë letër ai i uron ditëlindjen gruas së tij. KultPlus ju sjellë këtë letër, ku shkruhet:
“Po plakemi dhe po mësohemi me njëri- tjetrin. Mendojmë njësoj. I lexojmë mendjen njëri- tjetrit. E dimë se çfarë duam pa pyetur. Ndonjëherë e irritojmë njëri- tjetrin nga pak. Ndoshta ndonjëherë e marrim njëri- tjetrin si të dhënë. Por ndonjëherë, si sot, meditoj për këtë dhe e kuptoj sa me fat jam që kam ndarë jetën me gruan më të mrekullueshme që kam takuar ndonjëherë. Ti më magjeps sërish dhe më frymëzon. Ti ndikon për mirë tek unë. Je objekti i dëshirës sime, arsyeja numër një në botë për ekzistencën time. Të dua shumë”.
Johnny Cash u lind në vitin 1933 dhe ka vdekur në vitin 2003, ai ishte martuar me June Carter Cash në vitin 1968 kjo martesë zgjati deri në vdekjen e tij. Paraprakisht Cash ishte i martuar edhe me Vivian Liberto gjatë viteve 1954 deri në 1968./ KultPlus.com
Medinë Dauti, një aktiviste nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA ka treguar në rrjetin social Facebook se për tri vjet ishte ngacmuar seksualisht dhe jo vetëm aq, nga ish-arsimtari i saj, Kastriot Kurti.
Ajo thotë se “për tri vite torturë psiqike, ngacmim, shqetësim dhe frikë”, Kastriot Kurti ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit me vetëm 1200 euro gjobë.
Në rrëfimin e saj të shprehur në ‘Facebook’, Medinë Dauti thotë se edhe pas pranimit të aktgjykimit, ish-arsimtari i saj e kishte ngacmuar dhe thotë se u detyrua ta denonconte sërish në Polici.
Për këtë rast ka reaguar edhe avokatja e saj, Rina Kika e cila shpreh se është një nder i veçantë që përfaqëson Medinën në rrugëtimin e saj drejtësisë.
“Është nder i veçantë ta përfaqësoj Medinë Dauti-n në rrugëtimin e saj jo të lehtë për drejtësi, siguri dhe jetë të dinjitetshme. E falënderoj shumë Medinën për guximin për ta ndarë publikisht rrëfimin e saj!
Sot kemi ushtruar ankesë ndaj Aktgjykimit me kërkesën që Gjykata e Apelit t’ia ashpërsojë dënimin ngacmuesit.“
Ndërkaq, më poshtë gjeni rrëfimin e plotë të Medinë Dautit:
PËR TRI VITE NGACMIM TË VAZHDUESHËM GJYKATA E GJILANIT E DËNOI NGACMUESIN VETËM ME 1200 EURO GJOBË
Me 29 dhjetor 2021, Kastriot Kurtin e raportova në Policinë e Kosovës për shkak se më kishte ngacmuar seksualisht që nga viti 2019.
Ish-arsimtari im Kastriot Kurti, në vitin 2019 më ka thënë se dëshironte të hynte në lidhje dashurie me mua. Unë e refuzova qartë dhe prerë, por ai vazhdoi të më shqetësojë e të më ngacmojë seksualisht për tri vite dhe nuk u ndal as pasi e raportova në polici, e as pasi që gjykata e shpalli fajtor për ngacmim.
Për tri vite, ai shfaqej dhe afrohej në secilën hapësirë që unë isha; kafiteri, rrugë, evente të ndryshme, vinte më fliste, tentonte të më përqafonte dhe ulej në tavolinë kundër vullnetit tim. Unë e pata bllokuar Kastriotin në çdo rrjet social, por ai vazhdoi të më shkruante me profile të rrejshme, madje një herë edhe nga llogaria e familjares së tij. Ai ka qenë edhe asistent i jashtëm në të njëjtin fakultet ku unë studioja, për mua as ajo hapësirë nuk ka qenë e sigurtë.
Kastrioti nuk ndalej! Tërë kohën më shkruante se më “dashuron”, se më “dëshiron”, se unë isha “e dashura e tij”, se dëshiron “të më shtrydhë”, “të më mbajë shtrëngueshëm”, etj.
Përpos përndjekjes dhe presionit të madh ndaj meje, kishte filluar t’i shkruante edhe familjarëve të mi e shoqërisë; dhe vazhdonte të më ngacmonte edhe kur të gjithë këta i thoshin që të mos më shqetësonte më!
Çfarë ka ndodhur me mua në tri vitet e ngacmimit seksual të vazhdueshëm? Jam izoluar gjatë tërë kësaj kohe dhe kam reduktuar kontaktin tim me botën. Asnjëherë s’kam guxuar të dal shlirë e vetme! Një situatë si kjo që të bën të ndihesh se nuk do të mbarojë kurrë, që të bën të mendosh se është fundi i botës dhe pret dita e ditës që ngacmuesi do të shfaqet dhe do t’i bëj gjërat më të tmerrshme ashtu siç i ka shprehur në mesazhe – është ngulfatje dhe terrorizim i komplet qenies sime! Veprimet e tij më kanë cënuar thellësisht integritetin tim seksual dhe psiqik; gjendja ime emocionale ka qenë dhe vazhdon të jetë e rënduar për shkak të ngacmimit të vazhdueshëm.
Pas krejt kësaj katrahure me frikë, ankth e shqetësim të vazhdueshëm, vendosa t’i drejtohem organeve të drejtësisë – pavarësisht dilemave që i kisha në funksionimin e tyre. Fatkeqësisht, të gjitha këto dilema që doja t’i sfidoja dhe doja që të më vërtetohej e kundërta – përfaqësuesit seksistë të këtyre institucioneve në Gjilan, më përplasën për fytyre realitetin që veç se e dija.
Fillimisht, prokurorja përgjegjëse e rastit, Slavica Popovic, veprimet e Kastriot Kurtit i cilësoi vetëm si “ngacmim” e jo edhe si “ngacmim seksual”, përkundër që denoncimin e kisha bërë për të dy këto vepra dhe përkundër faktit që avokatja ime, Rina Kika, vazhdimisht kishte kërkuar që aktakuza të ndryshohej dhe krahas veprës penale “Ngacmim” aktakuza të përfshinte edhe “Ngacmimin seksual” për t’i mbuluar të gjitha veprimet kriminale të Kastriot Kurtit. 64 faqe dëshmi, 1 video incizim dhe 6 dëshmitarë nuk mjaftuan për t’i bindur institucionet se vepra ishte ngacmim seksual.
Prokurorja e rastit Slavica Popovic nuk erdhi në seancën e shqyrtimit kryesor, atë e zëvendësoi prokurorja Kujtesa Fazliu, e cila dukej qartazi se as që e kishte lexuar lëndën. Kur avokatja ime e pyeti nëse ishte në dijeni për kërkesën për rikualifikim të veprës penale, Prokurorja u përgjigj se “pak a shumë” ishte në dijeni për lëndën. Me “pak a shumë” dijeni për lëndën kishte ardhur në seancën gjyqësore të shqyrtimit kryesor.
Gjyqtari i vetëm gjykues Rilind Sermaxhaj, me 12 gusht 2022, për tri vite torturë psiqike, ngacmim, shqetësim dhe frikë, e dënoi Kastriot Kurtin vetëm me gjobë 1200 euro. Praktikisht, 1 euro dita, për 1095+ ditë ngacmim.
Çka e bën më shqetësues këtë dënim është që gjyqtari ia pranoi si rrethana lehtësuese Kastriot Kurtit: kërkim faljen dhe premtimin e tij se nuk do ta përsëriste më veprën penale – Zoti Gjykatës, nuk e morri parasysh kur avokatja ime ia sqaroi që kërkim falja nuk duhet të pranohet, sepse i njëjti kishte kërkuar falje për tri vite, dhe prapë kishte vazhduar të më ngacmonte! Ndërsa, në gjykatë asnjëherë nuk ka deklaruar se nuk do ta përsërisë më veprën penale.
Ndërsa si rrethana rënduese, ndër të tjera, gjykata kishte njohur “…këmbëngulësinë e shfaqur nga ana e tij për kryerjen e veprës penale ngase përkundër faktit se e dëmtuara e kishte refuzuar që të ketë një lidhje me të njëjtin i njëjti përsëri kishte gjetur mënyra tjera si përmes rrjeteve sociale apo personave të tretë të shqetësonte të dëmtuarën…” – nuk e di se a është e pakuptueshme për mua, apo organet e “drejtësisë” nuk e kuptojnë që sjellja e padëshiruar verbale, joverbale ose fizike e natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues – ËSHTË NGACMIM SEKSUAL! Për çfarë lidhje e kam refuzuar unë Kastriotin? Nuk ka qenë fjala për lidhje shoqërore e as lidhje pune, por INSISTIM PËR LIDHJE DASHURIE TË IMPONUAR KUNDËR VULLNETIT TIM!
Gjashtë ditë pasi ka pranuar aktgjykimin Kastriot Kurti, i shpallur fajtor për ngacmim, përmes një familjares time, ka kërkuar sërish takim me mua. E ka përsëritur veprën vetëm 6 ditë pasi është publikuar aktgjykimi! Kaq huqje ka qenë dënimi i butë i gjykatës që morri për bazë keqardhjen e tij të shprehur në seancë gjyqësore e premtimin tij inekzistent se nuk do ta përsërisë më veprën penale. Pas 6 dite nga marrja e aktgjykimit, u detyrova ta raportoj përsëri Kastriot Kurtin në polici për ngacmim seksual!
Gjoba 1200 euro është thellësisht denigruese për mua! Unë kam zgjedhë (me 1 milion dilema) ta raportoj ngacmuesin, ku më kanë mbështetë jashtëzakonisht rrethi i ngushtë, por çfarë ndodhë me vajzat e tjera të cilat nuk i kanë privilegjet që unë i kam gjatë këtij rrugëtimi? Trajtimi i tillë i rasteve nga organet e drejtësisë vetëm se e thellon më shumë kulturën e heshtjes tek viktimat. Gjoba 1200 euro është legjitimim i ngacmimit seksual nga ana e gjykatës, dhe ekskluzivisht, Gjyqtari Rilind Sermaxhaj, ia mundësoi një ngacmuesi që t’i ikë dënimit të merituar. Zoti gjykatës, sinqerisht po ju pyes në dorë të kujt është siguria ime tash? Në të shtetit po e di që jo, se ju e dorëzuat atë në dorë të ngacmuesit.
Unë nuk jam veç një rast tjetër në tavolinat e institucioneve seksiste, cënimi i dinjitetit tim nuk është hajgare. Shndërrimi i hapësirës publike e private në hapësira frikësuese e terrorizuese për tri vite, nuk kushton 1 euro në ditë. Ngacmimi seksual nuk është veç ngacmim e as fajtorët nuk duhet dënuar me dënime qesharake.
Por, neglizhenca me të cilën u përballa nuk më zmbrapsë. Përkundrazi. Është detyrë e imja që të mos pajtohem me trajtimin skandaloz te rastit, andaj unë do ta vazhdoj procesin me ankesë në Gjykatën e Apelit për gjobën skandaloze.
Unë besoj që secila grua e vajzë duhet të jetojë pa frikë nga të tjerët dhe pa iu cënuar autonomia individuale. Pikërisht për këtë, nuk do të ndalem deri sa e drejta ime për gjykim të drejtë të vie në vend: Për mua dhe për krejt vajzat e gratë tjera të Kosovës.
Sqarim: Pretendimi i Avokatit Sherif Sherifi (përfaqësues ligjor i K.K) se i pandehuri nuk ka qenë arsimtar direkt në klasën time është tentim i kotë për ta shmangur nga përgjegjësia personin që e përfaqëson. Unë takimin e parë me të e kam pasur në cilësi të arsimtarit ku ai ka mbajtur orë në klasën time si arsimtar zëvëndësues. Nuk ka fare rëndësi se në cilën klasë ka mbajtur mësim të rregullt, ai ka qenë arsimtar në institucionin ku unë vijoja mësimin. / KultPlus.com
Njerëzit do të mund t’i bëjnë homazhe Mbretëreshës Elizabeth nga e mërkura deri të hënën, me datë 19, ditën e varrimit. Sa i përket pelegrinazhit popullor, frekuentimi parashikohet të jetë aq i madh sa që tashmë ka pasur një paralajmërim se ata që do ta ndjekin do të duhet të presin në këmbë për shumë orë.
Nga ana tjetër priten vonesa si dhe mbyllje të disa rrugëve në zonën përreth. Rregullat do të jenë veçanërisht të rrepta për atë që do të lejohet dhe çfarë nuk do të lejohet gjatë pelegrinazhit popullor. Ata që marrin pjesë në Pallatin e Westminsterit do të lejohen të marrin vetëm një çantë të vogël me vete.
Për më tepëre, duhet të jenë të qetë dhe të veshur mirë brenda vendit të ngjarjes. Gjithashtu duhet të kenë telefonat celularë të fikur ose në modalitetin e heshtur. Gjithashtu nuk do të lejohen fotografimi dhe xhirimet.
Çfarë duhet të kenë me vete:
– Veshje të përshtatshme në bazë të motit
– Ushqime dhe pije për kohëzgjatjen e pritjes (megjithatë konsumimi i tyre nga pika e kontrollit nuk lejohet)
– Karikues portativ celular
– Ilaçet e nevojshme
Çfarë nuk duhet të marrin:
– Balona ose shishe (përveç ujit)
– Lule ose sende të tjera – Objekte të mprehta si thika
– Pajisjet ose armët mbrojtëse
– Bojë, zinxhirë ose objekte të tjera të rrezikshme
– Fishekzjarre dhe çdo objekt që mund të shkaktojë zhurmë
– Çanta gjumi ose pajisje të tjera kampingu
– Karriget që nuk palosen
– Pankarta, flamuj, mesazhe reklamuese
Sendet e papërshtatshme do të konfiskohen dhe nuk do të kthehen. Për ata që kanë nevojë do të sigurohet transport pa ecje. Së fundi, pelegrinazhi popullor do të transmetohet edhe në një ekran në Hyde Park./abcnews.al/ KultPlus.com
Një murgeshë e zbetë, që bashkë me mkatet e botës bar dhe mkatet e mia mbi supet e vet të molisun, mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth hyjnia – kaloi rrugës së qytetit si ejll i arratisun… Një murgeshë e zbetë, e ftohtë si rrasa e vorrit, me sy boj hini si hini i epsheve të djegna të gjallesës, me buzë të holla të kuqe, dy gajtana pshertimet që mbysin ma la der’ vonë kujtimin, kujtimin e ftohtë të kalesës. Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon… Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër Gishta. Pa lutjet e saj bota, kushedi, ç’fat do kishte? Por dhe nga lutjet e saj ende s’i zbardhi drita. O murgeshë e zbetë, që çon dashni me shënjt, që n’ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit dhe ua zbulon veten… Smirë ua kam shejtënvet: Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit. Unë dhe ti, murgesh, dy skaje po të një litari; të cilin dy tabore ia ngrehin njeni-tjetrit – lufta asht e ashpër dhe kushedi ku do t’dali, prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit. / KultPlus.com
Fondacioni Lumbardhi ka kënaqësinë të ju ftojë në premierën e veprës “Monade” të kompozuar nga kompozitori, pianisti dhe poli-instrumentalisti Robert Bisha, e ko-komisionuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës.
Koncerti mbahet më 17 shtator në Kino Lumbardhi, duke filluar ngra ora 20:00.
Pas performancës në solo piano “Home Neverland” në vitin 2020, Bisha u rikthye në Prizren këtë pranverë për një rezidencë artistike, ku filloi procesin e hulumtimit dhe kompozimit, duke u njoftuar me historinë e Kino Lumbardhit dhe rrethanat e ndryshueshme përgjatë 70 viteve të saj, përmes studimeve dhe takimeve me pjesëtarë të komunitetit artistik.
Duke u nisur nga ky kërkim, ai komponoi “Monade”, një suitë sinfonike për pianoforte, orkestër, kor, solistë instrumente të folkut të rimodernuar dhe kinema, ku kinemaja konsiderohet si nje instrument i përfshirë në orkestër. Kino Lumbardhi merret si epiqendër për shqyrimin e tematikave kyqe që i përkasin historisë së qytetit të Prizrenit.
Kështu, nga perspektiva e kompozitorit, qyteti merret si vend shembullor për angazhimin e tij shoqëror përmes ndryshimeve që kanë nisë te Kino Lumbardhi. Regjisurën e filmimeve të qytetit Bisha i ka realizuar gjatë qëndrimit në Prizren, ndërkohë që ato ndërthurren në një çasje poetike nga regjisorët Blerta Zeqiri dhe Gazmend Bajri për të krijuar ndërveprim instrumental pamor si pjesë të koncertit.
Për premierën e “Monade” me 17 shtator Robert Bisha do të jetë i shoqëruar nga pjesëtarë të orkestrit dhe korit të Filarmonisë së Kosovës që e përkrahën Lumbardhin në këtë iniciativë dhe e mirëpritën suitën, me rast të hapjes së sezonit koncertal.
Bileta/Hyrja: 10 euro
Ky koncert u mundësua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Komunës së Prizrenit. / KultPlus.com
Eugenio Montale ishte një poet, prozator, redaktor dhe përkthyes italian dhe fitues i Çmimit Nobel në Letërsi në 1975, shkruan KultPus.
Montale ka lindur në Xhenova. Familja e tij ishin tregtarë të produkteve kimike (i ati furnizonte firmën e Italo Svevo). Mbesa e poetit, Bianca Montale, në Cronaca famigliare (“Kronika familjare”) e 1986 portretizon karakteristikat e përbashkëta të familjes si “brishtësi nervore, drojë, koncizitet në të folur, një tendencë për të parë më të keqen në çdo ngjarje, një sens humori të caktuar”.
Montale ishte më i vogli nga gjashtë djemtë. Ai kujtoi:
Ishim një familje e madhe. Vëllezërit e mi shkuan në scagno [“zyra” në gjenovez]. Motra ime e vetme kishte një arsim universitar, por unë nuk kisha një mundësi të tillë. Në shumë familje ekzistonte një marrëveshje e pashprehur që më i vogli të lirohej nga detyra për të mbajtur mbiemrin.
Në vitin 1915 Montale punoi si kontabilist, por u la i lirë të ndiqte pasionin e tij letrar, duke frekuentuar bibliotekat e qytetit dhe duke ndjekur mësimet private të filozofisë së motrës së tij Marianna. Ai studioi edhe këndim operistik me baritonin Ernesto Sivori.
Montale ishte kryesisht autodidakt. Duke u rritur, imagjinata e tij u kap nga disa shkrimtarë, duke përfshirë Dante Alighieri, dhe nga studimi i gjuhëve të huaja (veçanërisht angleze), si dhe peizazhet e Ligurisë Levante (“Lindore”), ku ai kaloi pushimet me familjen e tij.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, si anëtar i Akademisë Ushtarake të Parmës, Montale kërkoi të dërgohej në front. Pas përvojës së shkurtër të luftës si oficer këmbësorie në Vallarsa dhe Luginën e Pusterit, ai u kthye në shtëpi në vitin 1920.
Vepra poetike
Montale shkroi më shumë se dhjetë antologji me tekste të shkurtra, një revistë të përkthimit të poezisë, plus disa libra me përkthime në prozë, dy libra me kritikë letrare dhe një me prozë fantazi. Krahas punës së tij imagjinative, ai ishte një bashkëpunëtor i vazhdueshëm në gazetën më të rëndësishme italiane, Corriere della Sera, për të cilën ai shkroi një numër të madh artikujsh mbi letërsinë, muzikën dhe artin. Ai shkroi gjithashtu një parathënie për “Komedinë Hyjnore” të Dantes, në të cilën ai përmend besueshmërinë e Dantes, mprehtësinë dhe imagjinatën e tij të paanshme. Në vitin 1925 ishte nënshkrues i Manifestit të Intelektualëve Antifashistë. Vetë politika e Montales ishte e prirur drejt liberalizmit të Piero Gobetti dhe Benedetto Croce. Ai kontribuoi në revistën letrare të Gobettit Il Baretti.
Vepra e Montale, veçanërisht përmbledhja e tij e parë me poezi Ossi di seppia (“Kockat e sepjes”), e cila u shfaq në vitin 1925, e shfaq atë si një antifashist që ndihej i shkëputur nga jeta bashkëkohore dhe gjeti ngushëllim dhe strehë në vetminë e natyrës.
Një poezi e famshme e Ossi di seppia përfundon me këto dy vargje:
Codesto solo oggi possiamo dirti, ciò che non siamo, ciò che non vogliamo.
Përkthyer në: Vetëm këtë mund t’ju themi sot, atë që nuk jemi, atë që nuk duam.
Peizazhi mesdhetar i Ligurisë së lindjes së Montales ishte një prani e fortë në këto poezi të hershme: ato i dhanë atij një lloj “izolimi personal” përballë ngjarjeve dëshpëruese rreth tij. Këto poezi theksojnë vetminë dhe ndjeshmërinë e tij personale me gjërat “të vogla” e “të parëndësishme”, apo me horizontin, detin. Sipas Montale, natyra është “e ashpër, e pakët, verbuese”. Në një botë të mbushur me disfata dhe dëshpërim, vetëm natyra dukej se zotëronte dinjitet – njëlloj siç përjeton lexuesi në leximin e poezive të tij.
Antikonformizmi i poezisë së re
Montale u transferua në Firence në 1927 për të punuar si redaktor për botuesin Bemporad. Firence ishte djepi i poezisë italiane të asaj epoke, me vepra si Canti orfici nga Dino Campana (1914) dhe tekstet e para nga Ungaretti për revistën Lacerba. Poetë të tjerë si Umberto Saba dhe Vincenzo Cardarelli ishin vlerësuar shumë. Në vitin 1929 Montale iu kërkua të ishte kryetar i Bibliotekës Gabinetto Vieusseux, një post nga i cili u përjashtua në vitin 1938 nga qeveria fashiste. Në këtë kohë, poezia e Montales ishte një reagim kundër stilit letrar të regjimit fashist. Ai bashkëpunoi me revistën Solaria dhe (duke filluar nga viti 1927) frekuentoi kafenenë letrare Le Giubbe Rosse (“Xhaketat e kuqe”) në Piazza Vittoria (tani Piazza della Repubblica). Duke e vizituar kafenenë shpesh disa herë në ditë, ai u bë një figurë qendrore midis një grupi shkrimtarësh atje, duke përfshirë Carlo Emilio Gadda, Arturo Loria dhe Elio Vittorini (të gjithë themeluesit e revistës). Shkroi pothuajse për të gjitha revistat e rëndësishme letrare të kohës.
Ndonëse i penguar nga problemet financiare dhe konformizmi letrar e social i imponuar nga autoritetet, Montale botoi në Firence antologjinë e tij më të mirë, Le casei (“Occasions”, 1939). Nga viti 1933 deri në vitin 1938 ai pati një lidhje dashurie me Irma Brandeis, një studiuese hebreje-amerikane e Dantes, e cila herë pas here vizitonte Italinë për periudha të shkurtra. Pasi ra në dashuri me Brandeis, Montale e përfaqësoi atë si një figurë ndërmjetëse si Beatrice e Dantes. Le casei përmban aludime të shumta për Brandeis, i quajtur këtu Clizia (një senhal). Franco Fortini vlerësoi Ossi di seppia të Montales dhe Le casei-n si shenjën e lartë të poezisë italiane të shekullit të 20-të.
T.S. Eliot, i cili ndante admirimin e Montales për Danten, pati një ndikim të rëndësishëm në poezinë e tij në këtë kohë; në fakt, poezitë e reja të Eliot ia tregoi Montales nga Mario Praz, i cili më pas jepte mësim në Mançester. Koncepti i korrelativit objektiv të përdorur nga Montale në poezinë e tij, ndoshta është ndikuar nga T. S. Eliot. Në vitin 1948, për ditëlindjen e gjashtëdhjetë të Eliot-it, Montale kontribuoi me një ese festive të titulluar “Eliot and Ourselves” në një koleksion të botuar për të shënuar këtë rast.
Disharmonia me botën
Nga viti 1948 deri në vdekjen e tij, Montale jetoi në Milano. Pas luftës, ai ishte anëtar i Partisë liberale të Azione. Si kontribues në Corriere della Sera, ai ishte redaktor muzikor dhe raportoi gjithashtu nga jashtë, duke përfshirë Izraelin, ku shkoi si reporter për të ndjekur vizitën e Papa Palit VI atje. Punimet e tij si gazetar janë mbledhur në Fuori di casa (“Jashtë shtëpisë”, 1969).
La bufera e altro (“Stuhia dhe gjëra të tjera”) u botua në vitin 1956 dhe shënon fundin e poezisë më të vlerësuar të Montales. Këtu figurës së tij Clizia i bashkohet La Volpe (“Dhelpra”), bazuar në poeten e re Maria Luisa Spaziani me të cilën Montale pati një lidhje gjatë viteve 1950. Megjithatë, ky vëllim paraqet edhe Clizia, e trajtuar në një sërë poezish si një lloj perëndeshë-zogu që sfidon Hitlerin. Këto janë disa nga poezitë e tij më të mëdha.
Veprat e tij të mëvonshme janë Xenia (1966), Satura (1971) dhe Diario del ’71 e del ’72 (1973). Poezia e mëvonshme e Montale është e turpshme dhe ironike, duke menduar mbi reagimin kritik ndaj veprës së tij të mëparshme dhe mbi botën që ndryshon vazhdimisht rreth tij. Satura përmban një elegji prekëse për gruan e tij Drusilla Tanzi. Ai gjithashtu shkroi një seri poezish prekëse për Clizia pak para vdekjes së tij. Fama e Montale në atë moment ishte shtrirë në të gjithë botën. Ai kishte marrë diploma nderi nga Universitetet e Milanos (1961), Kembrixhit (1967), Romës (1974) dhe ishte emëruar Senator për Jetë në Senatin Italian. Në vitin 1973 iu dha Kurora e Artë e Mbrëmjeve strugane të Poezisë në Strugë, SR Maqedoni.[10] Në vitin 1975 mori çmimin Nobel për Letërsinë.
Montale vdiq në Milano në 1981.
Në vitin 1996, u shfaq një vepër e quajtur Ditari pas vdekjes (Diario postumo) që pretendohej se ishte ‘përpiluar’ nga Montale para vdekjes së tij, me ndihmën e poetes së re Annalisa Cima; kritiku Dante Isella mendon se kjo vepër nuk është autentike. Joseph Brodsky ia kushtoi esenë e tij “Në hijen e Dantes” poezisë lirike të Eugenio Montale. / KultPlus.com
Qentë e Mbretëreshës, tëcilët mbetën ‘jetimë’ pas vdekjes së Elizabeth II, kanë një shtëpi të re, atë ku princi Andrew dhe ish-gruaja e tij Sarah Ferguson jetojnë së bashku, pranë kështjellës Windsor. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i tyre.
Qentë Corgi, me gëzofin e tyre ngjyrë kafe, këmbët e shkurtra dhe veshët e mprehtë, kanë qenë me mbretëreshën që kur ajo ishte fëmijë. Për ditëlindjen e saj të tetëmbëdhjetë, prindërit i dhanë asaj Suzanën femër, paraardhëse të shumë brezave, aq sa ajo shfaqet shpesh në fotografi apo piktura zyrtare me të.
Andrea dhe Sara, të martuar në vitin 1986 dhe të divorcuar dhjetë vjet më vonë, kanë mbetur në marrëdhënie të mira dhe ndajnë një shtëpi, me hapësira të veçanta, pranë kështjellës Windsor. Ata do të jenë ata që do të kujdesen për Muick dhe Sandy, ekzemplarë korgi, të cilët do qëndrojnë pranë sovranit deri në fund.
Vetë Andrea i kishte dhënë nënës së tij në pranverën e vitit 2021, për ta gëzuar gjatë izolimit në Kështjellën Windsor, Muick dhe një qenush tjetër, Fergus.
Ky i fundit kishte ngordhur kur ishte pesë muajsh dhe, si ngushëllim, Andrew dhe vajzat e tij Beatrice dhe Eugenie i kishin dhuruar asaj Sandy për ditëlindjen e saj të 95-të. / KultPlus.com
Poezi nga Marina Cvetaeva Shqipëroi: Dritëro Agolli
Në peshën e mjerimit tim ti sheh dhe hedh ndaj meje fjalë… Je monument, jam fluturim, je gur në vend, jam këngë e gjallë… E di, se majin plot freski një hiç e ka në tokë amshimi… Por jam një zog në lartësi dhe ligj më mbushet fluturimi…/ KultPlus.com
“Ditët e kulturës suedeze”, nisin sot në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
Me këtë rast ambasadorja e Suedisë, në vendin tonë, Elsa Håstad, ka pritur në rezidencën e saj, ministren e Kulturës, Elva Margariti, në një takim tipik suedez, të quajtur Fika.
Fika është një traditë suedeze, e cila nënkupton të marrësh kohë për t’u qetësuar e për të shijuar një kafe, shoqëruar me ëmbëlsira. Fika është një koncept, një ritual i rëndësishëm në kulturën suedeze, pasi nënkupton t’i japësh vetes kohën për t’u socializuar.
Ambasadorja e Suedisë, Elsa Håstad ftoi për të qenë pjesë e aktiviteteve të parashikuara për t’u zhvilluar gjatë ditëve të “javës suedeze”.
Këto aktivitete do të nisin me Workshopin e ekspozitës “Sustain Able Voices”, ndërsa çelja zyrtare e javës suedeze (12-18 shtator) bëhet në mjediset e qendrës Destil.
Dita e nesërme i dedikohet tërësisht Shkodrës, ku përveç të tjerash do të ketë edhe një ndeshje miqësore futbolli, ndërmjet skuadrës së Bashkisë Shkodër dhe stafit të ambasadës suedeze.
Për t’u theksuar vlejnë edhe projeksionet e disa filmave suedezë, që do të bëhen në kinema Millennium si dhe aktivitetet e parashikuara për në Gjirokastër sa i përket restaurimeve të kryera në qytetin e gurtë./ KultPlus.com
Në mes tuaj kam qëndruar e jam duke përvëluar, që t’u ap pakëzë dritë, natënë t’ua bënj ditë.
do të tretem, të kullohem, të digjem, të përvëlohem, që t’u ndrinj mir’ e të shihni, njëri-tjatërin të njihni.
për ju do të rri të tretem, asnjë çikë të mos mbetem, të digjem e të qanj me lot, se dëshirën s’e duronj dot.
unë zjarrit nuk i druhem dhe kurrë s’dua të shuhem, po të digjem me dëshirë, sa të munt t’u ndrinj më mirë.
kur më shihni se jam tretur, mos pandehni se kam vdekur; jam i gjall’ e jam ndë jetë jam në dritët të vërtetë,
unë jam në shpirtin tuaj, mos më kini për të huaj, m’është falurë durimi, andaj po digjem si trimi,
se ma k’ënda t’u bënj mirë, të mos mbeti n’errësirë. jakëni rreth meje rrini, flisni, qeshni, hani, pini,
në shpirt kam dashurinë, pa digjem për njerëzinë, lemëni të përvëlohem, nukë dua më të ftohem,
dua ta djek trupn’ e kretë për atë zotn’ e vërtetë. me zjarr ta djek mushkërinë e të tretem për njerinë,
bashkë me gëzimt të tija të vete te perëndia. unë dua njerëzinë, mirësin’ e urtësinë.
në bëhi shokë me mua, në më doni si u dua, njëri-tjetërin në doni, të paudhë mos punoni.
o zëmëra fluturake, qasju pakë kësaj flake! mase krahët t’i përvëlon, po dhe shpirtin ta shënjtëron.
unë duke përvëluar, njerëzit i kam ndrituar. kam qënë mik me njerinë, andaj i di e më dinë.
gjithë tuajt’ i kam parë, mëm’ e at’ e fis e farë, si tani gjithë i kam ndër mënt, që rrininë më këtë vënt.
edhe sot nër ju ata shoh, se shpirtin e tyre ua njoh, dhe unë si ju jam ndruar e jam përzjer’ e ndryshuar,
pa jam bërë shumë herë zjar e uj’ e balt’ e erë. jam një shkëndijë pej qielli dhe një drudhëzë pej dielli.
edhe ndër qiej fluturonj, edhe brënda në det qëndronj, shumë herë fle në baltë, diku ndodhem dhe në mjaltë
bënem qëngj e kec i pirë, lul’ e bar e gjeth i mbirë. dua shumë fjalë t’u them, po trëmbem mos i bënj ujem. e ku shkruhenë në kartë fjalët’ e gjuhësë zjarrtë? / KultPlus.com