Për nder të “Prishtina Rozë”, sot më datën 29.10.2022 lirohen nga pagesa e biletës të gjitha gratë dhe vajzat në transportin publik të N.P.K “Trafiku Urban” SH.A, përcjell KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nga ‘Trafiku Urban Prishtinë’ përmes një postimi në Facebook.
“Të festojmë për të mbijetuarat dhe në të njejtën kohë të inkurajojmë të gjitha që të ndërmerren veprime për vetëdijësimin dhe parandalimin e kancerit të gjjirit!”, thuhet mes tjerash në njoftim./ KultPlus.com
Ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare interpretuesi legjendar amerikan Jerry Lee Lewis. I mbijetuari i fundit i një brezi interpretuesish novator që përfshinte Elvis Presley, Chuck Berry dhe Little Richard, Lewis vdiq në shtëpinë e tij në Memphis.
Lajmin e bëri të ditur përfaqësuesi i tij, Zach Farnum përmes një njoftimi.
Jerry është bërë i njohur për këto himne të drejtuara me piano “Great Balls of Fire” dhe “Whole Lotta Shakin’ Goin On”.
Ai ishte gjithashtu i njohur për skandale dhe polemika në jetën e tij private pasi u martua me një vajzë adoleshente në vitet 1950.
Gjatë dekadave në vijim, Lewis luftoi me abuzimin me drogën dhe alkoolin, mosmarrëveshjet ligjore dhe sëmundjet fizike./abcnews.al/ KultPlus.com
Metafora që sjell transformimi në përgjithësi e ai i lules së parë në veçanti, erdhi si një formë e veçantë e prezantimit një një ekspozite personale nga autori Astrit Ismaili.
‘Monumenti i Lules së Parë’ është ekspozita që siç thuhet në përshkrimin e saj prezanton punën artistit e që ndërlidhen me transformimin. Monumenti i luleve, kthehet në metaforë, njejtë si udha e saj në mes të errësirës së thellë.
Skulptura petalesh, të vendosura në podiumin e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, e videoja ‘Love Research’ që shfaqej si pjesë e kësaj ekspozite, u kurorëzuan me performancën ‘Miss Kosova’ që realizoi vetë artisti, një performancë kjo që kompletoi gjithë mesazhin që Ismaili dëshiroi të përçojë gjatë kësaj mbrëmje, shkruan KultPlus.
I rrethuar nga publiku, Ismaili performoi i vetëm këngën ‘Miss Kosova’ të cilën vetë e ka kompozuar, por kjo nuk është hera e parë që artisti realizon këtë performancë, pasi premierën e saj ai e dha vitin e kaluar në Bienalen e Athinës.
E fjala qe u dëgjua më së shumti gjatë kësaj performance është padyshim fjala ‘Miss’ e për të cilën artisti thotë se është uni i tij I dytë.
Duke folur për ekspozitën ai tha për KultPlus se në ekspozitën e tij ai ka përfshirë instalacionin e petaleve të lules si një instalaicon zëri në të cilin ai ka vendosur këngën që ai ka kompozuar vetë, e që quhet ‘Lulja e parë’.
“’Lulja e parë’ tregon historinë e bimës së parë e cila ka vendosur të bëhet lule, sepse siç e dimë, qindra miliona vite më parë, bimët nuk kanë pasur lule dhe procesi i riprodhimit të luleve ka qenë shumë i vështirë dhe për me përmirësu këtë dukuri bimët është dashur të gjejnë një zgjidhje kreative edhe kjo zgjidhje ka qenë formimi dhe evolimi në lule. Kur bimët janë zhvilluar me lule, jo vetëm jeta e bimëve është përmirësu por e gjithë ekosistemi ka ndryshu.”, u shpreh Ismaili duke shtuar se ky transformim është ajo që atij i ka interesuar githmonë.
‘Ky moment i transformimit metaforikisht lidhet edhe me shumë situata në shoqëri me të cilat unë gjithmonë jam inspiruar dhe ky ka qenë edhe inspirimi për këtë instalacion. Këtu është edhe një video që quhet ‘Love research’ që është bërë në vitin 2016 dhe këto të dyja lidhen për shkak që si esencë e kanë dashurinë. Përdryshe unë sot e kam realizuar edhe një performancë sot që quhet ‘Miss Kosova’.”, shtoi mes tjerash Ismaili, i cili më tutje tha se pas Athinës dhe Prishtinës, shpreson që kjo ekspozitë të udhëtojë edhe nëpër vende të tjetra.
Ndërkaq, pas hapjes së ekspozitës, për KultPlus foli edhe kuratorja Donjeta Murati, e cila tha se ajo dhe Astrit Ismaili kanë punuar për këtë ekspozitë qysh nga prilli, kur artisti e ka ftuar atë të bëhet kuratore .
“Qysh nga atëherë kemi folë për punën që jeni duke e parë këtu, të skulpturave, që është monumenti i lules së parë, prej atëherë kemi pasur takime kohë pas kohe dhe kemi mendu se në çfarë formati me e tregu dhe çfarë kish pas më së shumti kuptim me tregu në Prishtinë”, tha Murati.
Ajo ndër të tjerash shtoi se më 27 nëntor do të publikohet edhe katalogu i ekspozitës ku do të ketë edhe më shumë tekste dhe elaborime të ndryshme rreth ‘Monumenti i Lules së Parë’.
Ndërkaq, drejtoresha e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj, ndau për KultPlus informacionin që kjo ekspozitë është planifikuar vitin e kaluar për t’u mbajtur këtë vit.
“Ne i kemi ftuar Astritin dhe kuratoren Donjeta Murati që ta bëjmë një projekt bashkë. Kemi punuar gjatë me këtë projekt sepse këto janë skulptura të ndërtuara me zërim dhe kanë dashur punë shumë të gjatë teknikisht.”, tha Ramosaj për KultPlus.
Ju kujtojmë që ekspozita ‘Monumenti i Lules së Parë’ do të qëndrojë e hapur deri më 1 dhjetor. Ajo do të jetë e hapur çdo ditë nga e marta në të shtunën nga ora 10:00 – 17:00./ KultPlus.com
Akademia e Shkencave mbajti sot tryezën e rrumbullakët për problemet e krijimtarisë, studimit, edukimit dhe interpretimit të muzikës shqiptare.
Veprimtaria u mbajt nga njësia kërkimore e muzikës dhe interpretimit “Academia Albanica” e ngritur pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Morën pjesë fizikisht dhe online: akad. Eno Koço, akad. Vasil S. Tole, Valton Beqiri, Florian Vlashi, Lorenc Radovani, Tonin Tranaku.
Akad. Eno Koço foli për mundësitë e zgjerimit të veprimtarisë së Ansamblit dhe njësisë “Academia Albanica” të ngritur pranë Akademisë së Shkencave me synimin të promovojë nëpërmjet ekzekutimit veprat më të mira kryesisht të kompozitorëve shqiptarë, si dhe të demonstrojë cilësi të lartë në interpretimin e veprave të huaja.
Akad. Eno Koço tha se “Academia Albanica” është një njësi e përkohshme shkencore pranë Akademisë së Shkencave në fushë kërkimore veprimi në etnomuzikologji, si dhe në studimin e veprave themelore të muzikës shqiptare. Pak është bërë për studimin e muzikës shqiptare.
Historia e jetës muzikore shqiptare ka treguar se forcat ekzekutuese e interpretuese të këtij vendi kanë qenë në pararojë të artit muzikor. Në fokusin e zgjerimit të veprimtarisë së këtij ansambli porosia e veprave kombëtare në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës do të marr një rëndësi të veçantë.
Muzikologu akad. Vasil S.Tole, zëvendëskryetar i ASH, mbajti kumtesën “Krijimtaria bashkëkohore shqiptare dhe roli i mecenatizmit shtetëror”.
Akad. Tole, përshëndeti më parë drejtuesin e “Akademia Albanica” akad. Eno Koçon që i ka dhënë drejtimin e duhur këtij formacioni muzikor.
Akad. Tole tha se termi mecenatizëm e ka marrë emrin nga Gaio Cilnio Mecenate, një mbrojtës dhe dashamirës i madh i artistëve si Horaci dhe Virgjili në epokën e Augustit.
Duke u mbështetur në këtë term, akad. Tole foli veçanërisht për rolin e shtetit shqiptar në zhvillimin e muzikës shqiptare, duke paralelizuar veprimtaritë muzikore të para viteve ’90 dhe pas.
Akad. Tole kujtoi premierat e mëdha dhe faktin që shteti e paguante krijimtarinë dhe vlerësonte dhe popullarizonte arritjet e kompozitorëve shqiptarë.
“Kjo tryezë bëhet në një moment kyç, për të përcaktuar se ku jemi me zhvillimin e muzikës shqiptare. Para ‘90-s kishte një strukturë të rëndësishme të nxitjes së krijimtarisë, një strukturë kombëtare nxitëse deri në krijimin e formacionet kryesore në rrethe, kishte shtatë orkestra simfonike ne rrethet kryesore të vendit. Janë vitet ku u krijuan institucionet e rëndësishme të muzikës shqiptare dhe në mënyrë të veçantë repertori kombëtar në muzikë me një aradhe kompozitorësh të mrekullueshëm”, tha akad. Vasil Tole.
Ai theksoi se krijimtaria me të gjitha problematikat, duke lenë mënjanë çështjet ideologjike, përbëhej nga 75 për qind repertor bashkëkohor shqiptar dhe vetëm 25 për qind ishte repertor i muzikës botërore. Ky ishte roli i mecenatizmit në atë periudhe, ku rezultuan 41 premiera kombëtare në opera e balet.
Akad. Tole tha më tej se, kompozitorët shkruanin muzikë për festivalet e këngës, organizoheshin koncerte kombëtare, kishte dhe pjesëmarrje në konkurse dhe pjesëmarrje për muzikë filmi. Kishte lejë për tre- katër muaj krijimtari në vit dhe porositej e kërkohej krijimtaria edhe për muzikë për teatër, për festivalet për fëmijë, etj. Për të gjitha këto ishte legjislacioni që të gjithë këtë krijimtari e paguante.
Vijmë pas viteve ’90. Nuk eksiton më koncepti i porosive shtetërore dhe nuk ka çmime dhe vlerësime kombëtare për muzikën. Para ‘90-s, nëse kishim dy premiera në vit, në këto 32 vjet kemi vetëm dy opera të shkruara dhe asnjë prej tyre nuk është porosi shtetërore. Tek veprat e mëdha shihet sesa i pranishëm është kujdesi shtetëror.
“Ka pasur veprimtari muzikore, por shteti ka hequr dorë nga përgjegjësia për premierat e operës dhe baletit. Kemi kaluar në përmbysje të raportit të muzikës shqiptare. Nëse më parë kishim 25 për qind muzikë të huaj, sot kemi 95 për qind muzikë të huaj. Është për të ardhur keq se vitet e fundit numri i premierave me muzikë shqiptare nuk zë as 5 për qind”, tha akad. Tole.
Lorenc Radovani foli për marrëdhëniet mes krijimtarisë dhe interpretimit në muzikën tonë të kultivuar, ndikimin reciprok dhe nxitjen që i japin ato njëra-tjetrës.
Ndërsa theksoi se praktika muzikore në Shqipëri ka dëshmuar rritjen e njëkohshme të nevojës për krijimtari, si dhe asaj për interpretim, theksoi edhe nevojën për krijimin potencialit interpretativ, si nevojë për krijimin e një arti kombëtar.
Radovani foli edhe për veprimtarinë e pasur të të “Akademia Albanica”, për rolin e veçantë të saj në bashkëpunimet në veprimtaritë mes akademive në rajon dhe kontributin për interpretimin e muzikës së kompozitoreve më të shquar shqiptarë e më gjerë.
Klodian Qafoku foli për dokumentimin dhe ruajtjen e krijimtarisë muzikore si pjesë e rëndësishme e arkivit muzikor.
Pasi përmendi punën e RTSH-së për regjistrimet zanore të krijimtarisë tonë muzikore dhe nevojën për regjistrimet dixhitale, Qafoku tha se nuk duhet neglizhuar kurrë që një koncert premierë të mos regjistrohet dhe të dokumentohet në arkivë, qoftë personale apo publike. Vetëm kështu do të mund të kemi identitet kulturor muzikor në shekujt e ardhshëm. Synimi nuk është që krijimtaria muzikore të mbijetojë, por të lulëzojë mirë në të ardhmen.
Valton Beqiri foli për përkrahjen e krijimtarisë muzikore dhe përgjegjësinë që duhet të mbajë shteti për muzikën në Shqipëri dhe trevat shqiptare jashtë kufijve.
Florian Vlashi duke hequr paralele me shembujt e përhapjes së letërsisë shqipe në botë dhe komunikimit që nga lashtësia, theksoi se prezantimi i muzikës shqiptare jashtë vendit është një detyrë morale dhe jetësore.
Tonin Tranaku mbajti kumtesën “Muzika shqiptare dhe arbëreshët e Italisë, ura të brishta komunikimi që duhet forcuar”.
Ai foli për rolin e njohjes së kësaj muzike në vendin tonë dhe krijimin e rubrikave në televizion kombëtar për ta bërë të njohur dhe ruajtjen e traditës./atsh/ KultPlus.com
Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Bashkëkohor vjen në Tiranë nga data 28 tetor, deri më 4 nëntor.
Në datat 28-29 tetor do të ngjitet në skenën e Teatrit të Operas dhe të Baletit “Ballet Preljocaj” nga Parisi me koreografi të Angelin Preljocajt, ndërsa më 31 tetor dhe 1 nëntor, në skenë do të ngjitet trupa nga Berlini me koreografi të Blenard Azizajt.
Dy mbrëmje magjike do të jenë më 3 dhe 4 nëntor, ku posaçërisht për Festivalin Ndërkombëtar të Dancit Bashkëkohor do të vijë trupa nga Vjena me koreografinë e të mirënjohurve Eno Peci, Gentian Doda dhe koreografi nga Angelin Preljocaj me trupë nga Teatri i Operas dhe Baletit.
Programi i plotë i edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Dancit Bashkëkohor, në Teatrin e Operas dhe Baletit:
28 – 29 tetor: Ballet Preljocaj nga Parisi me koreografi të Angelin Preljocaj 31 tetor – 1 nëntor: Trupa nga Berlini me koreografi të Blenard Azizaj 3 – 4 nëntor: Trupa nga Vjena me koreogragi nga Eno Peci, koreogragi nga Gentian Doda, dhe koreografi nga Angelin Preljocaj me trupë nga Teatri i Operas dhe Baletit.
Të gjitha biletat i gjeni online në: myticket.al @myticket.al ose fizikisht në biletarinë e Teatrit të Operas dhe Baletit./atsh/ KultPlus.com
Po plakem me dinjitet dhe qetësi. Nuk bëj lifting ose botoks dhe e di që bazuar në standardet e Hollivood-it, po rrezikoj karrierën time.
Nëse ata nuk duan të më japin një rol sepse dukem e vjetër, do të thotë që do e prodhoj vetë projektin dhe do zgjedh kë të dua. E rëndësishme është të mos e marr shumë seriozisht këtë profesion.
Njoh shumë nëna që përpiqen t’ia dalin deri në fund të muajit. Këto janë probleme serioze, këto janë gratë që admiroj, të cilat janë të bukura dhe të mira edhe kur gjithçka duket dhe është e vështirë. Sinqerisht, kam frikëra të tjera. Frikë për fëmijët e mi, se nuk mund t’i mbroj nga askush që dëshiron të përfitojë prej tyre.
Për mua është më e rëndësishme të ndihem mirë dhe ta bëj familjen time të jetojë mirë. Jam me fat dhe vlerësoj gjithçka që kam. Falënderoj burrin tim dhe fëmijët e mi çdo ditë.
Për këtë arsye, për mua momentet më të rëndësishme të ditës nuk janë kurrë ato që kaloj në xhirime, por ato në të cilat ha mëngjes me familjen time sepse flasim për gjithçka.
Rihanna publikoi të premten muzikën e saj të parë solo në gjashtë vjet, një baladë emocionale e shkruar në nder të aktorit të ndjerë Chadwick Boseman, transmeton KultPlus.
“Lift Me Up”, kënga e parë e re e Rihannës e lindur në Barbados që nga albumi i saj “Anti” i vitit 2016, shfaqet në kolonën zanore të filmit të ardhshëm të Marvel “Black Panther: Wakanda Forever”.
Lëvizja është një vazhdim i hitit “Black Panther” të vitit 2018, në të cilin Boseman luajti rolin kryesor të mbretit T’Challa.
Aktori vdiq në vitin 2020 pas një beteje katërvjeçare me kancerin e zorrës së trashë, të cilën e kishte mbajtur private. Ai ishte 43.
“I bekuar që e kam shkruar këtë këngë për nder të Chadwick Boseman dhe akoma më i bekuar që dëgjoj @badgalriri më të këqij ta shpreh atë në perfeksion”, shkroi Tems, bashkë-shkruesi i këngës, në Instagram, duke iu referuar Rihanna-s./ KultPlus.com
Rreth 800 mijë vizita i janë bërë lokacioneve të Manifestës në Prishtinë. Në 25 lokacione mbi 100 pjesëmarrës kanë ekspozuar artin bashkëkohor të kalibrit botëror.
Vëmendje të jashtëzakonshme Manifesta 14 Prishtina ka marrë edhe nga mediet vendore dhe ndërkombëtare, po ashtu edhe nga vizitorët ndërkombëtarë dhe ata vendorë.
Pjesë programit të Manifestës kanë qenë shumë artistë vendorë, të cilët patën një mundësi të jashtëzakonshme të promovimit, rrjetëzimit dhe rritjes së industrisë së artit bashkëkohor për artin dhe artistët kosovarë.
Në konferencën përmbyllëse të Manifestës u tha se përmes saj, Prishtina u kthye në qendër kulturore në Evropës dhe botë.
Folës në konferencë ishin zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtoresha e Manifesta, Hedwig Fijen.
Zëvendësministrja Osmani në fjalën e saj tha që janë të kënaqur me ecurinë e 100 ditëve të Manifestës. Sipas saj, me ardhjen e Manifestas në Kosovë, një bienale që qëndron në mesin e 5 bienaleve më të fuqishme të artit pamor në botë, e që vjen për herë të parë në Ballkan, Kosova ka dëshmuar kapacitet që ka për të organizuar ngjarje me përmasa të tilla.
Po ashtu ka njoftuar që me përfundimin e Manifestës, Ministria e Kulturës është duke ndërmarr hapat që të sigurohet një trashëgimi e prekshme dhe konkrete e Manifestës, gjë që do të finalizohet ditëve në vijim. Gjithashtu MKRS është angazhuar për të mbajtur të ekspozuara veprat e intervenimit artistik të Petrit Halilaj dhe Flaka Halitit deri në fund të vitit 2023.
Në fund të fjalimit, zëvendësministrja Osmani ka falënderuar Hedwig Fijen, Komunën e Prishtinës dhe të gjithë të angazhuarit në Manifesta 14.
Manifesta 14 Prishtina do të mbyllet të dielën./ KultPlus.com
Muzgu vjeshtnor asht si mullini hollak i kafes, që gjyshja e rrotullon me nji qetsi t’lume mbasi e mbështet diku n’vorbullen e prehnit, ku dremit mica kuqloshe që duket sikur numron kokrrat e blume. Muzgu vjeshtnor hapërdahet prajshëm si dashnitë naive, që s’dinë me kapërdie idhtinë e ndamjes e shprazin shpirtin ndër rrëke shinash, destinue me përmbytë udhëkryqet me semaforë t’çoroditun. Muzgu vjeshtnor varet si medaljon n’qafë të fshesares teksa rreket me palue gjethnajën që i kujton pajen e qindisun me pejna t’ylbertë.
Kajherë, muzgu vjeshtnor m’rrokë me krahë zogjsh shtegtarë rreshtue n’atë V-në perfekte që i përgjet dëshires teme të kahershme për arrati./ KultPlus.com
Edicioni i 21-të i “Kosova KamerFest”, festivali i muzikës kamertale ka filluar rrugëtimin e tij të suksesshëm tash e një muaj. Pas dy viteve pauzë, festivali ka arritur që të sjell emra të njohur të skenës kombëtare dhe jo vetëm. Talente të reja, njashtu kanë zënë vend të posaçëm në këtë edicion, ndërsa gërshetimi i tyre me emra të njohur, nuk ka qenë aspak e huaj për këtë edicion. Mbrëmë, ka qenë violinisti Dejon Bendaj dhe pianistja Kristina Petrollari Laço, të cilët kanë shndërruar koncertin, në një të paharrueshëm, shkruan KultPlus.
Si në të shumtën e rasteve, salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës ka mirëpritur një numër të konsiderueshëm të publikut. Në skenë, pianoje e vetme bardh e zi qëndronte gati për t’u pushtuar nga pianistja, ndërsa më vonë do i bashkohej edhe violinës që nën duart e violinistit, do të krijoheshin tinguj të mrekullueshëm. Perdet e zeza në prapavijë dhe ndriçimi nga muri lart, ishin elementet që i dhanë këtij koncerti një pamje më serioze. Të veshur kokë e këmbë në ngjyrë të zezë, të dy instrumentistët kanë dëshmuar për një talent të paparë.
Fillimisht, ishte Sihana Badivuku, drejtoreshë artistike e festivalit, e cila hapi mbrëmjen me një fjalë rasti.
“Violinisti vjen këtu për herë të parë me koncert recital, përndryshe, ai dhjetë vite më parë ka qenë fitues i garave ‘ArsKosova GrandPrix’ dhe tani po rikthehet si një muzikant aktiv i Shqipërisë, i cili posa i ka mbaruar edhe studimet master në Moskë. Ndërsa, pianistja e mirënjohur shqiptare, Kristina, ka qenë më parë edhe soliste në këtë festival si dhe pjesëmarrëse në shumë festivale të tjera. Shpresoj që ky koncert do të iu lë mbresa shumë të mëdha, posaçërisht emocione të fora”, ka thënë Badivuku.
Ajo tutje ka bërë të ditur se është shënuar edhe përvjetori i kompozitorit shqiptar Çedk Zadeja si dhe kompozitorit francez Cezar Frank.
Në këtë mbrëmje gjithsej pesë vepra kanë gjetur vendin e tyre në atmosferë. Meloditë dhe tingujt që pasonin vazhdimisht nga violinisti Dejon Bendaj dhe pianistja Kristina Petrollari Laço, kanë ngjallur emocione të forta në publik. Kjo vërehej qysh në fillim, kur sytë e të pranishmëve binin direkt në skenë, veshët e tyre ishin të mbushur me muzikë, ndërsa këmbët e tyre trokitnin vazhdimisht në tokë, në hap me vijën melodike të prezantuar.
Koncerti që nisi fiks në orën 20:13, ka sjell një program tejet të bukur, por ajo që i shtoi hijeshinë këtij programi qenë edhe dy instrumentistët që dhuruan shpirtin e tyre në skenë. Lëvizjet e tyre të kokës, duarve, krahëve e edhe të këmbës, ishin të mrekullueshme për t’u parë. Dukej se i gjithë trupi i tyre shkonte pas tingujve, me ç’rast ato me të vërtetë plasoheshin nëpër muret e sallës.
Ishin veprat e kompozitorëve si: Çedk Zadeja, Cezar Frank dhe Béla Bartók, ato që shpalosën një program të veçantë që zgjati fiks një orë. Ndërsa, veprat si: “Sonatë për violinë dhe piano”, “Sonata në A-dur”, “Sarasate Caprice Basque”, “Vallet rumune”, dëshmuan për një seriozitet në të luajtur e dashuri në interpretim.
Kështu krejt në fund, ishte publiku që me duartrokitje ka falënderuar dy talentet që pa ndalë kanë dhënë një performancë të shkëlqyer. Sa herë që dilnin në skenë për veprën e radhës, buzëqeshja e tyre që pika më e fortë në të cilën dallohej pasioni për violinën e pianon, dhe jo vetëm.
Për KultPlus, violinisti Dejon Bendaj ka shprehur emocionet e tij pas koncertit si dhe idenë për bashkëpunimin me pianisten e mbrëmjes.
“Sa herë që vij këtu është një kënaqësi e madhe për të luajtur. Në Prishtinë kam kujtime shumë të bukura dhe njerëzit janë mikpritës ndërsa audienca është në rritje. Programi është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë ka përfshirë dy sonata, njëra nga Çedk Zadeja dhe tjetra nga Cezar Frank, që i përket periudhës së romanticizmit. Pjesa e dytë përfshin një repertor virtuoz të violinës. Me pianisten, kemi nisur një bashkëpunim prej kohësh dhe ne merremi vesh shumë mirë. Kemi shumë lidhje të përbashkëta për muzikën të cilat ndoshta edhe ndihmojnë në ndërlidhjen tonë skenike”, ka thënë Bendaj.
Po ashtu, pianistja Kristina Petrollari Laço për KultPlus ka treguar përshtypjet e saj për këtë mbrëmje.
“Për mua në Prishtinë është një mrekulli gjithmonë që të luaj e sidomos kur prezent janë miqtë, artdashësit, publiku i dashur e shumë i ngrohtë. Mendoj që ke një koncert me sonata të rëndësishme të violinistikës dhe këtu ke një sallë shumë e dashur për ne por që kushtet nuk janë më të mirat të mundshme. Por, gjithçka shkoi mirë. Dy kompozitorët që i nderuam sonte, ishin dy shtyllat kryesore të repertorit violinistik, andaj menduam që pasi edhe përkohet me dy përvjetorët e tyre, t’i sjellim pikërisht veprat e tyre. Bashkëpunimi me Kosovën, ka qenë shumë i dashur për ne, gjithmonë”, thotë ajo.
Kujtojmë se sonte do mbahet koncerti tjetër i radhës në Sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore UP, me fillim nga ora 20:00.
Festivali i muzikës kamertale ‘Kosova KamerFest’ po mbahet nga 1 tetor dhe do zgjasë deri më 1 dhjetor ku përgjatë 11 mbrëmjeve koncertale do të shfaqet program dhe koncept i larmishëm me performim të veprave kolosale dhe kamertale të artistëve dhe ansambleve kamertale botërore dhe mbarëshqiptare.
Ky festival do të mirëpresë edhe artistë të tjerë të radhës si: Dorina Laro, Galina Koycheva, Duo Lesage, Celine Lesage, Eric Lesage, Jose Manuel Alvarez Losada, Pedro Mateo, Syzana Jakupi, Alba Muçolli, Ensemble XXI, Lygia O’Riordan dhe Pia Sirala. / KultPlus.com
“Geraldina Zogu, Trëndafili i Bardhë i Shqipërisë” titullohet ekspozita e çelur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me familjen mbretërore shqiptare dhe Kalanë e Tiranës.
Në çeljen e ekspozitës me dokumente historike të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH) në ambientet e Kalasë së Tiranës, ishin të pranishëm Princi i Kurorës, Leka II, kreu i DPA-së, Ardit Bido, përfaqësues të ambasadës hungareze në Tiranë, studiues, biografistë, qytetarë dhe dashamirës të historisë.
Drejtori i DPA-së, Bido vlerësoi gatishmërinë e bashkëpunëtorëve në ndërmarrjen e kësaj ekspozite.
“Mbretëresha Geraldinë është një figurë shumë interesante, që del akoma më në pah nëpërmjet dokumenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Geraldina e mbajti Shqipërinë në zemër dhe luajti një rol të rëndësishëm në emancipimin e gruas shqiptare”, u shpreh Bido.
Princi Leka II u shpreh se ngjarjet dhe faktet historike duhen publikuar pa anësi.
Ai falënderoi stafin e DPA-së për punën e vazhdueshme të kryer në këtë drejtim.
“Historia duhet trajtuar pa paragjykime dhe ne duhet të ndihemi krenarë që kemi gjak shqiptari”, shtoi Princi Leka II.
Në këtë përkujtesë të figurës së “Trëndafilit të Bardhë të Shqipërisë”, DPA-ja me ndihmesën e familjes mbretërore shpalosi informacione lidhur me veprimtarinë e mbretëreshës Geraldinë në Shqipëri, foto, të dhëna të saj biografike dhe përgatitjet e kryera për celebrimin e martesës me mbretin Ahmet Zogu I.
Përmbledhtazi, mes materialeve të përzgjedhura bëjnë pjesë dokumentet e poshtëpërmendura: Programi i fejesës së mbretit Zog I me konteshën Geraldina Aponnyi; Biografi të mbledhura mbi familjen e konteshës Aponnyi; Dëshmi e mbretit Ahmet Zog dërguar kryeministrit më 30 janar 1938 mbi dëshirën për të pranuar si bashkëshorte konteshën Geraldi Aponnyi, referuar nenit 89 të Statutit Themeltar Mbretëror; Përgjigje e kryetarit të Parlamentit drejtuar kryeministrisë më datë 31 janar 1938, që çmon se martesa mes mbretit Ahmet Zog dhe princeshës Geraldinë është në përputhje me Statutin Themeltar të Mbretërisë; Lista e shpenzimeve e martesës së mbretit Zog; Telegrame urimi mbi lajmin e gëzueshëm të martesës midis mbretit Ahmet Zog dhe princeshës Geraldinë; Telegrame urimi drejtuar Mbretit Zog me rastin e lindjes së princit trashëgimtar.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të mbretëreshës Geraldinë./ atsh/ KultPlus.com
Sot, në Mynih, në kuadër të takimit zyrtar mes Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministrit të Kulturës të Bavarisë, Markus Blume, më qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit kuluror mes Kosovës dhe Gjermanisë, është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë.
Ky bashkëpunim synon partneritetin në fushat shkencore, profesionale, të digjitalizimit dhe të veprimtarive kulturore mes dy institucioneve. Po ahstu shkëmbimin e ndërsjellë të të dhënave bibliografike, mbështetje për hulumtuesit shkencorë, bashkëpunim në zhvillimin dhe implementimin e projekteve shkencore, informacion të ndërsjellë rreth botimeve me qasje të hapur, shkëmbim të ekspertizës dhe përvojës shkencore, organizim të ngjarjeve të përbashkëta si konferenca shkencore, seminare dhe ekspozita, shkëmbim të materialit informativ dhe të publikimeve etj.
Marrëveshja është nënshkruar nga Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhe Klaus Ceynowa, drejtor i Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë.
Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Rahovecit dhe Komuna e Deçanit, më 29 dhe 30 tetor 2022, në Rahovec dhe në Podgoricë organizon edicionin e 10-të të Manifestimit Letrar Trekufitar: “Muzat e Alpeve 2022”.
Aktivitetet fillojnë me datë 29 tetor, në orën 13-të, në sallën e Kuvendit Komunal të Rahovecit, me rezymenë e aktiviteteve 9-të vjeçare të Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta” me karvanin e shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” në 21 qytete të Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë. Aktiviteti vazhdon me promovimin e përmbledhjes dygjuhëshe me poezi të zgjedhura të poeteve shqiptare dhe malazeze ”Perla Poetike/Poetski biseri”. Teatri Shqiptar në Amerikë-Xhevat Limani do të prezantojë një monolog për heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Ndërsa, aktivitetet e ditës së parë mbyllen me vizitë trashëgimisë kulturore dhe natyrore të komunës së Rahovecit.
Me datë 30 tetor 2022, karvani i shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” vazhdon aktivitetet në Bibliotekën Qendrore në Podgoricë, me promovimin e përmbledhjes me poezi të poeteve shqiptare dhe malazeze “Perla poetike/Poetski biseri”, si dhe me promovimin e romanit të përkthyer të Zija Çelës “Ora e Zooparkut (Sat Zooparka). Ndërsa, aktiviteti përmbyllet me ndarjen Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta” që i ndahet shkrimtarit të mirënjohur Zija Çela, me motivacion:
“Zija Çela, ndoshta shkrimtari më origjinal dhe më profilik i prozës në gjuhën shqipe, përbën një rast unik në letrat tona. Ai shfaqet si një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm, prandaj i rëndësishëm dhe vetvetja. Në librat e Zija Çelës ngjarjet mund të ndodhin kurdoherë. Dhe kjo u jep romaneve të autorit një dimension të përtejshëm e të përjetshëm. Me krijimtarinë e tij Zija Çela ka provuar se letërsia e madhe i shpëton tiranisë së kohës. Kohës kalendarike. Por jo asaj ku rrinë së bashku veprat më të mira të letërsisë e të krijimtarisë shpirtërore, në atë zonë ku qëndron me dinjitet dhe krijimtaria e tij”(arsyet. I “TEUTËS”, përgatitur nga Rudolf Marku).
Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” me karvanin e shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” për 10 vite të themelimit ka ndaluar me aktivitetet e veta, në: Pejë, Kotorr, Rozhajë, Deçan, Guci, Junik, Bajram Curr, Istog, Shkodër, Tuz, Gjakovë, Ulqin, Krujë, Tivar, Lezhë, Prizren, Klinë, Petnjicë, Plavë dhe Prishtinë, përfshirë edhe dy qytetet e vitit 2022, Rahovecin dhe Podgoricën.
“Teuta” është edhe hartuese dhe implementuese e turit katërditor “Shkrimtarët lobojnë për Kosovën”, me 2014-të në Rumani – njëri ndër të 5 shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur ende shtetësinë e Kosovës. Ndërsa, Çmimi për Vepër Jetësore “Teuta” deri më tani iu është ndarë përfaqësuesve të denjë të letërsisë shqipe dhe malazeze: Jevrem Bërkoviq (Rugovë-Pejë,2013); Dritëro Agolli (Rizon-Kotorr,2014); Ramiz Kelmendi (Bajram Curr, 2015); Mirash Martinoviq (Junik,2016); Moikom Zeqo (Tuz, 2017); Nazmi Rrahmani (Krujë,2018), Zuvdija Hoxhiq Berisha (Prizren, 2019), Xhevahir Spahiu (Petnjicë, 2020), Rexhep Qosja (Prishtinë,2021), ndërsa shkrimtarit të mirënjohur Zija Çela Çmimi “TEUTA” do t’i ndahet në Podgoricë. / KultPlus.com
Këshilli komunal i Tetovës ka shpallur qytetar nderi shkrimtarin e mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare. Vendimi është votuar nga të gjithë 31 këshillatarët e këshillit komunal në Tetovë./ KultPlus.com
Një konferencë përmbyllëse e Manifesta 14 në Prishtinë që u hap para 100 ditëve dhe brenda kësaj periudhe ka shënuar 800 mijë vizita vlerësoi se brenda kësaj periudhe, Prishtina u shndërrua në një qendër të madhe kulturore në Evropë, shkruan KultPlus.
Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, zëvendësministrja e MKRS-së Daulina Osmani dhe Hedwig Fijen që ishte në krye të kësaj bienale për gjatë gjithë kësaj kohe, në këtë konferencë kanë vlerësuar se kjo bienale ka ndikuar që Prishtina të jetë në mediet më prestigjioze në botë, duke shpërfaqë një dimension tjetër të Kosovës, e jo sikurse ka ndodhë shpesh që janë prezantuar shkrime për makiato e për periudhën e pasluftës.
Në këtë konferencë u bë me dije se këto 800 mijë vizita që janë bërë në hapësira të mbyllura e në intervenime publike është ofruar art bashkëkohor, duke vënë fokusin në atë se Manifesta është një përvojë kolektive, dhe si e tillë ka ofruar emocion për shumë vizitorë./ KultPlus.com
Kori i Grave “Okarina”, organizuar nga Ojq Progresiva dhe nën udhëheqjen e solokëngëtares, Elikonë Hysaj Shala, në përmbyllje të muajit tetor, që shënon luftën kundër kancerit të gjirit, do të prezantojë performancë artistike të titulluar “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur”, përcjellë KultPlus.
Kjo mbrëmje artistike i dedikohet grave e vajzave të prekura nga kanceri i gjirit e po ashtu familjeve, të të afërmeve dhe shoqërisë të cilët në mënyrë indirekte por që thellësisht janë ndikuar nga kjo sëmundje.
Performanca Artistike “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur” me mysafiret speciale të kësaj mbrëmje, duke përfshirë këngë korale përcjellë me poezi, mëton të ofrojë dashuri e solidaritet por edhe thirrje për vetëdijesim për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të gjirit.
E ftuara speciale e mbrëmjes, nga Vjena, do të jetë Rina Kaçinari, violonçeliste, artiste virtuoze e muzikës klasike, që i ka thyer kufijtë e muzikës duke gërshetuar rryma të ndryshme me atë të klasikes, për të gjetur zërin e saj unik artistik.
Gjithashtu, me performimin e saj të veçantë të poezive, do të nderojë këtë mbrëmje edhe Meli Qena, artistja e jonë e mirënjohur. Mbrëmjen do ta pasurojë edhe pjesëmarrja e Korit të Grave nga Peja “Canta Peja” si dhe vajzat e talentuara si trumpetiste dhe pianiste.
Kjo mbrëmje artistike mbahet nesër, më datë 29 tetor, në ora 20:00, Atelien e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Aktiviteti organizohet në kuadër të Fondi për Art Feminist i Artpolis përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF ) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po marrin pjesë në manifestimin tradicional informativo-kulturor me moton “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë”, që po organizohet nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” në Prishtinë.
Ky manifestim po organizohet për herë të 16-të, por këtë herë nën pantronatin e presidentes Osmani, e ku të pranishme janë edhe zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zv.kryeministrja Emilia Rexhepi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama./ KultPlus.com
Të hënën, Architech Festival Edicioni III do të prezantojë një diskutim publik me fokus se sa janë ‘publike’ hapësirat publike në Ulpianë, që do të mbahet në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, diskutim që do të nisë në 17:30, shkruan KultPlus.
Organizatorët kanë njoftuar se diskutimi publik do të bëhet me të rinjtë, banorët dhe komunën mbi temën ‘se si të bëjmë Ulpianën mjedis më gjithëpërfshirës, i pastër, i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm’.
Diskutimi publik është një nga aktivitetet përmbyllëse të Architech Festival Edicioni III që synon të mbështesë të rinjtë në qeverisjen e mirë lidhur me planifikimin hapësinor dhe (ri)dizajnimin urban, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës.
Në këtë diskutim publik ndër të tjera do të prezantohet/publikohet raporti hulumtues dhe të dhënat e dala nga ky raport për lagjen e Ulpianës, do të prezantohen para qytetarëve dhe komunës projektet propozimet mbi nevojat e qytetarëve të dala si rezultat i rekomandimeve.
Në anën tjetër do të flitet edhe për realizimin e dy nga projekteve brenda këtij viti dhe për projektet më afatgjata prej 1 deri në 5 vitet e ardhshme për lagjen Ulpiana.
Në këtë takim do të jenë të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, drejtoresha e hapësirave publike Donika Çetta, Kosovare Sadiku, drejtoreshë ekzekutive e OJQ “YARL” dhe Besarta Halimi nga OSBE.
Architech Festival Edicioni III fton të gjithë të interesuarit që të jenë pjesë e këtij diskutimi, duke shijuar bashkë prezantimin dhe kafenë e pasdites. / KultPlus.com
Festivali i 61-të i Këngës në RTSH, do të japë 3 çmime të para: vendi i parë, vendi i dytë dhe vendi i tret. Një çmim për artistët e rinj dhe grupet alternative dhe një çmim për karrierë. Por ndryshe nga vitet e kaluar, Festivali i 61-të i Këngës në RTSH vjen me një risi lidhur me këngën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, fituesi i së cilës do të zgjidhet vetëm me votat e publikut me anë të SMS-ve.
Çmimi për 3 vendet e para, çmimi për artistët e rinj dhe grupet alternative si dhe çmimi për karrierën do të jepen pas një vlerësimi nga juria.
Në festivalet e mëparshme të Këngës në RTSH fituesi i çmimit të parë ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion, por këtë vit, vendin tonë në “Eurovision Song Contest 2023” që do të zhvillohet në Britaninë e Madhe, do e përfaqësojë ajo këngë e cila do të rezultojë më e votuara nga publiku. / KultPlus.com
Edhe një moment i shënuar në fuqizimin e bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar, kësaj radhe me Gjermaninë, përcjellë KultPlus.
Sot në Mynih është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Shtetërore të Bavarisë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku duke u shprehur se i është thellësisht mirënjohës ministrit Blume për zgjerimin e bashkëpunimit.
“I jam thellësisht mirënjohës Ministrit të Kulturës të Bavarisë, Markus Blume për pritjen zyrtare, gatishmërinë për marrëveshjen në fushën e bibliotekave dhe vullnetin për zgjerim të bashkëpunimit kulturor me Kosovën”, shkruan Çeku. / KultPlus.com