NATO në Kosovë dhe trupat ruse në Prishtinë

– Prej vitesh, politika në Kosovë, për qëllime të veta, ka filluar të ngatërrojë  qëllimisht fillimin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë nga  12  deri më 17 qershor 1999 me çlirimin jashtë fakteve historike dhe jashtë realiteve politike të kohës të përcaktuara me rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Rasti më eklatant i këtij diskursi shfaqet 11 qershori si “ditë e çlirimit” të Prishtinës, kur dihet se po ketë ditë, në kryeqytetin e Kosovës, hynë forcat ruse dhe masakruan shumë shqiptarë. 

Me këtë rast po sjell shkrimin “NATO në Kosovë dhe trupat ruse në Prishtinë, më 11 qershor”, nga libri “KOSOVA 1945-1999”, i përfshirë edhe në versionin e librit në anglisht.

Nga Jusuf BUXHOVI

Më 10 qershor 1999 bota do të presë me interesim të madh dhe lehtësim ngjarjet që do të ndodhin në trekëndëshin Nju Jork – Kumanovë – Bruksel.  Zgjidhja paqësore e çështjes së Kosovës shfaqej si pako e ndërlidhur, ku nënshkrimi i marrëveshjes tekniko-ushtarake midis gjeneralëve të NATO-s dhe atyre të Armatës Jugosllave në njërën anë, Rezoluta e Këshillit të Sigurimit 1244 në tjetrën anë, duhej të ndikonin te Komanda Supreme e NATO-s dhe sekretari gjeneral që të suspendohej fushata ajrore. Gjatë bisedimeve të gjata dhe të mundimshme midis ndërmjetësve ndërkombëtarë (Ahtisaarit, Talbotit dhe Çernomyrdinit) me Millosheviqin ishte arritur pajtimi që Rezoluta e Këshillit të Sigu-rimit të OKB-së të aprovohej çastin që do të merrej lajmi për nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës dhe pas saj vinte edhe reagimi i NATO-s për suspendimin e përkohshëm të fushatës ajrore, në mënyrë që të krijoheshin kushtet për tërheqjen e verifikueshme të të gjitha forcave ushtarake dhe policore jugosllave nga Kosova bashkë me pajisjet dhe armatimet e gjithëmbarshme në një interval kohor prej shtatë ditësh. 

Pas shumë e shumë zvarritjeve dhe “sqarimeve” për hollësi, me të cilat matej edhe kredibiliteti i një marrëveshjeje, në mbrëmjen e 9 qershorit, pikërisht në orën 23,45 minuta, në Kumanovë, u nënshkruar marrëveshja midis gjeneralëve të NATO-s dhe gjeneralëve jugosllavë, në mënyrë që pas njëzet minutash, pikë-risht më 10 qershor në orën 0,05 Këshilli i Sigurimit i OKB-së të aprovojë Rezolutën 1244 me të cilën përcaktoheshin që të gjitha hollësitë e vënies së përkohshme të Kosovës nën administrimin e OKB-së, që do të sigurohej nga Forca Ndërkombëtare e Sigurisë, hollësitë e së cilës u përcaktuan me aneksin II të Marrëveshjes së Kumanovës, që do të pranohet si pjesë zyrtare e këtij dokumenti. 

Gjysmë ore më vonë edhe Sekretari Gjeneral i NATO-s, Havier Solana,  dekretoi vendimin për suspendimin e përkohshëm të fushatës ajrore, por jo edhe të misionit mbikëqyrës që do të verifikonte tërheqjen e forcave jugosllave sipas marrëveshjes së Kumanovës. Me marrëveshjen e Kumanovës, NATO dhe Armata Jugosllave kishin formuar trupën e përbashkët të mbikëqyrjes dhe të verifikimit të të gjithë operacionit, që si do të shihet, do të funksionojë në tërësi në përputhje me këtë marrëveshje as pa më të voglin incident.

Ngritjen e dollive për marrëveshjen paqësore të zgjidhjes së krizës së Kosovës, që do të bëhet nga të gjitha anët, me të shpejtë do ta zbehë dhe madje edhe do ta ndalojë lajmi që do të vijë nga kompanitë e mëdha televizive botërore BBC, CNN, N-tv, Euronews dhe të tjera, me të cilin bëhej me dije se një batalion rus nga njësiti i misionit SFOR në Bosnjë dhe Hercegovinë sapo kishte kaluar urën e Drinës te Bjelina, ishte drejtuar për në Kosovë pa dijeninë e NATO-s dhe të faktorit ndërkombëtar që merrej me çështjen e Kosovës. Madje, njësia ruse, nuk kishte marrë as lejen paraprake nga komanda e SFOR-it në Bosnjë dhe Hercegovinë (për çdo lëvizje i duhej njoftimi katër muaj më herët), pos që kishte njoftuar se “në Kosovë shkonte me urdhrin e ministrit të mbrojtjes, Sergejev, që t’u bashkohej Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë”. 

Duket se lajmi do të ketë befasuar edhe kreun e NATO-s dhe vetë gjeneralin Klark, i cili do të njoftohet rreth lëvizjes së trupave ruse në drejtim të Kosovës, ani pse ai pranon se gjatë bisedave të fundit që i dërguari i tij në Moskë, gjenerali Foglesong, kishte pasur me gjeneral-kolonelin Ivashov, insistimet e tij që Rusët të kishin një sektor të veçantë nën mbikëqyrje – dhe madje atë të Veriut – ia ki-shin bërë të ditur orekset e tyre, por nga informatat që kishte nga ushtarakët amerikanë dhe ata të NATO-s që bisedonin me Rusët, nuk kishte fituar përshtypjen se këtë kërkesë, e cila kundërshtohej nga Amerikanët, ata do të fillonin ta jetësonin në mënyrë të njëanshme, pra dhunshëm.  Kështu, çështja me të shpejtë do të alarmohet nga pikëpamja ushtarake po edhe ajo politike, njëherësh. Gjenerali Klark do të kontaktojë me gjeneralin Xhekson, komandantin e Komandës Europiane të Aleancës të Korpusit për Reagime të Shpejta, nga i cili do të kërkojë të merren të gjitha masat që Rusët të pengoheshin të hynin në Kosovë. Sipas tij nuk mund të merrej me mend që Rusët të okuponin aeroportin e Prishtinës. Gjenerlit Xhekson do t’i thotë se ”dëshiroj të sigurohem që KFOR-i atje të arrijë i pari. Nuk dëshiroj të përshëndetem nga një batalion rus, i cili pohon se dominon aeroportin, e pastaj të jemi të detyruar të zhvillojmë negociata me ta për shfrytëzimin e tij”. 

Ato që gjenerali Ivashov, po atë mbrëmje, me mjaft arrogancë, i kishte deklaruar “se Rusia kishte vendosur të hipë në trenin e vet”, bënin me dije se Rusia, me anën e ushtarëve rusë që shkonin në Kosovë, kishte filluar të luftojë për sektorin e vet në Veri dhe jo vetëm për aq. Madje, ai kishte deklaruar se Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 nuk përcaktonte sektorë dhe as mandat se kush ishte përgjegjës për to, kështu që Rusia ia jepte të drejtën vetes, që nëse NATO dërgon në Kosovë 50 mijë ushtarë, atje të dërgojë një kontingjent prej 10 mijë ushtarësh.

 Rreth qëllimeve ruse që në Kosovë të shkohet brenda gjashtë orësh, pra para NATO-s dhe atje të vendoseshin në sektorin e Veriut, gjenerali Klark njoftohet pas pak nga një thirrje telefonike e gjeneralit Georg Caseyt nga Moska, ku ai ’ia bënte me dije përmbajtjen e bisedës që kishte pasur para një ore me zëvendësministrin e jashtëm rus, Andrejev, i cili ia kishte konfirmuar fjalët e gjeneralit Ivashov se “rusët në Kosovë do të marrin sektorin që donë”.

Lajmet që do të vijnë nga Moska, për NATO-n dhe Perëndimin që përcillte me brengosje ato që po ndodhnin, do të jenë kundërthënëse dhe kjo do të pasqyrojë atë që më vonë do të sqarohet si përpjekje për realizimin e skenarit të fshehur të ushtarakëve rusë me Millosheviqin për ta ndarë Kosovën, plan ky që sipas të gjitha gjasave kishte funksionuar jashtë dijenisë së Jelcinit, edhe pse do të ketë të tillë që do të besojnë se ai kishte qenë i njoftuar, por ishte shtirur në pritje të përgjigjes që do ta merrte prej amerikanëve. Ato që mund të kuptohen nga gjenerali Klark, nga ndërmjetësuesi amerikan Talbot, gjeneralët e NATO-s, të cilët në Moskë kishin zhvilluar bisedime me gjeneralët rusë si dhe nga Çernomyrdini dhe Ivanovi, mund të kuptohet se ishte linja e ushtarakëve nacionalistë-komunistëve, të cilët nuk ishin nën mbikëqyrjen e qeverisë së Stepashinit, të cilët kryemëvete kishin përgatitur një skenar të fshehur me Millosheviqin dhe ushtarakët e tij që ta ndanin Kosovën në dy pjesë: në veriun serb dhe në jugun shqiptar. Zaten, ky opsion ishte i pranueshëm për Serbët dhe ata që nga koha e Qosiqit e këndej, disa herë Shqiptarëve u kishin dërguar sinjale se ishin të gatshëm të hynin në këtë lojë. 

Ndërmjetësuesi Marti Ahtisaari, pas gjithë atyre që kishte pasur rastin të përjetonte gjatë takimeve me Rusët, kishte përshtypjen se gjeneralët rusë ishin destruktivë, dhe se ata punonin nën plaf dhe sipër tij. “Jo rrallë ndodhte që Çernomyrdini dhe Ivanovi, të mos kishin gjuhë të përbashkët me ushtarakët e Sergejevit dhe kjo sillte telashe”, thotë diplomati finlandez, i cili shfaqjen e ushtarëve rusë dhe okupimin e aeroportit të Prishtinës prej orës tre në mbrëmjen e 11 qershorit 1999 do ta shohë si pjesë të skenarit për ndarjen e Kosovës.

“Ushtarakët jugosllavë qëllimisht kishin zvarritur bisedimet e Kuma-novës, që të përgatiteshin për të depërtuar rusët në Kosovë para NATO-s. Midis ushtarakëve rusë dhe atyre jugosllavë ekzistonte plani që sapo të nënshkruhet marrëveshja teknike-ushtarake dhe të aprovohet rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ushtarët rus të marshonin drejt Kosovës për ta okupuar veriun në emër të së drejtës që të marrin pjesë në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë. Aeroporti i Prishtinës ishte zgjedhur, jo rastësisht, sepse ai paraqiste nyjën e infrastrukturës dhe të logjistikës ushtarake prej nga trupat ruse duhej të zbarkonin në të dhe njëherësh të pengonin NATO-n që të kishte një aeroport për të zbarkuar nga ajri.

Ato që Ahtisaari do t’i paraqesë si dyshime të hapura rreth skenarit të fshehur rus për okupimin e aeroportit të Prishtinës dhe sektorin rus në Veri, me të cilin do të ndahej Kosova në dy pjesë, gjejnë konfirmim tek vlerësimet e gjeneralit Klark, po edhe te disa burime të tjera, që do t’u referohen zhvillimeve dramatike të atyre ditëve, të cilat, megjithatë, epilogun e kënaqshëm do ta fitojnë në samitin e nivelit më të lartë amerikanorus të 18 qershorit 1999 në Helsinki midis Klintonit dhe Jelcinit, kur që të dy kryetarët do të merren vesh për partneritet rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës në vend të konfrontimit, pa marrë parasysh dallimet midis dy vendeve.

Para se të mbahet ky samit, dhe para se në relacionet Uashington-Moskë të ulen tensionet, të cilat plot dyzet e tetë orë do ta mbajnë botën në një gjendje, të ngjashme me atë të kohës së luftës së ftohtë, vlen të theksohen së pari tensionimet midis vetë strukturës së NATO-s (nga se komanda e saj supreme do të bllokohej nga konsensuset politike-nacionale), pastaj midis Aleancës Veriatlantike dhe Uashingtonit si dhe midis vetë amerikanëve. Gjenerali Klark, si komandant i përgjithshëm i NATO-s do të kërkojë qartësi dhe veprim, që Rusët të parandaloheshin që të hynin në Kosovë, qoftë edhe me anën e konfrontimit ushtarak. Shi për këtë arsyet gjenerali Xhekson, që ishte Komandant i Komandës Europiane të Aleancës të Korpusit për Reagime të Shpejta, kishte kërkuar që Rusëve t’u ndër-pritej rruga me anën e bllokadës ajrore. Kur për këtë kishte marrë njoftimin se nuk mund të operohej me njësitë e helikopterëve, sepse kjo binte në kundërshtim me marrëveshjen ushtarako-teknike të Kumanovës, të nënshkruar një ditë më parë, Klark kishte kërkuar që Rusët të ndaloheshin në hyrje të Kosovës. Por edhe kjo nuk kishte qenë e mundur ngaqë për një operacion të tillë trupave të NATO-s, po ashtu u duheshin mbi dhjetë orë që të depërtonin deri në Veri. Madje, ky depërtim nuk ishte pa probleme, sepse edhe për të duhej njoftuar Jugosllavët, të cilët kishin filluar tërheqjen e forcave të tyre dhe kishin bllokuar të gjitha rrugët nga Ferizajt e Prishtina në drejtim të Podujevës dhe kjo mund t’u shërbente si alibi për të ngadalësuar tërheqjen. Mbetej, pra që NATO të arrinte para Rusëve në aeroportin e Prishtinës dhe aty të bllokonte rrugët. Edhe ky opsion teknikisht nuk mund të realizohej, sepse trupave aleate u duheshin dy orë më shumë kohë që të arrinin para Rusëve atje, gjë që nuk e kishin në dispozicion. Gjenerali Klark kërkoi nga gjenerali Xhekson që eskadrilat e helikopterëve nga Shkupi të fluturonin drejt Prishtinës dhe të zbarkonin njësitë e desantit në aeroportin e Prishtinës, por edhe për këtë Xhekson do t’ia paraqesë mandatin që duhej të vinte nga Këshilli Ushtarak i NATO-s, sepse fjala ishte për një mision jashtë mandatit që kishin. Xhekson po ashtu do të bëjë me dije se ishte në kontakt me ministrin e mbrojtjes të Britanisë dhe për të vlente rekomandimi britanik, gjë që dukej se misioni i NATO-s ndodhej jo vetëm para një krize komanduese, por edhe konceptuale në çastet më kritike kur investimi shtatëdhjetë e gjashtë ditësh i operacioneve ajrore mund të shkonte huq nëse Rusët do t’ia përcaktonin kriteret konceptit të forcës mbrojtëse të sigurisë që duhej të stacionohej në Kosovë në kuadër të misionit ndërkombëtar siç e kishte përcaktuar rezoluta e KS të OKB-së sapo ishte aprovuar.

Këtu do të vijë deri te tonet e ashpra, sepse gjenerali Klark do të hetojë se gjenerali Xhekson, i cili për nga pozita ushtarake dhe komanda duhej t’u nënshtrohej urdhrave të tij, po bishtnonte urdhrat. Madje, një moment Xhekson do t’i thotë:

”Zotëri, unë nuk do ta filloj me urdhrin tuaj Luftën e Tretë Botërore!”

Gjenerali Klark, më vonë do të pranojë se kishte vepruar si ushtarak dhe jo si politikan. Por, ishte pesha e misionit dhe rëndësia që kishte, që e kishte shtyrë të mendonte si ushtarak dhe vlerëson se për këtë kishte të drejtë. Me këtë rast kishte harruar se kjo ishte një çështje që kërkonte zgjidhje politike. Sepse, konfrontimi me rusët, qoftë i një përmase të “eksesit” për momentin do të thoshte më shumë se çështje e prestigjit ushtarak. Andaj, autoriteti i komandës, pa marrë parasysh se çfarë mund të jetë ajo, i nënshtrohej autoritetit politik. Këtë do ta kuptojë gjenerali Klark gjatë atyre dy ditëve tejet të vështira, që ai i quan ndër më tensionueset me të cilat ishte ballafaquar në karrierën e tij të gjeneralit me katër yje. Kjo madje, atij do t’i kushtojë edhe me post, sepse do të jetë Pentagoni, me të cilin kishte pasur shumë telashe pikërisht pse operacionin ushtarak të NATO-s në Kosovë kishte dashur ta zgjidhte me mjete ushtarake, duke e pensionuar tre muaj para kohe.

Gjatë dyzet e tetë orëve të ardhshme, skena politike botërore sikur kishte kaluar nëpër një fazë të ringjalljes të luftës së ftohtë të së kaluarës, të kombinuar me politikën e paqes së ftohtë të së tashmes, që skenarit të fshehur të ushtarakëve rusë për ndarjen e Kosovës i kishte dhënë fund pikërisht me mjetet e saj. Uashingtoni dhe Londra, pra Klinton dhe Bler, menjëherë kishin rënë në kontakt me Jelcinin, siç kishte kontaktuar Ollbrajt me Ivanovin, dhe nga dorë e parë ishin njoftuar se nuk ishte ai që kishte urdhëruar nisjen e ushtarëve rusë për në Kosovës, por ishin ushtarakët, në krye me Ivashovin dhe të tjerët, që kishin vepruar pas shpinës së tij.

Se a ishte kjo qind për qind ashtu, për Klintonin dhe Blerin, nuk kishte rëndësi fare. E rëndësishme pra ishte që të veprohej me gjakftohtësi në mënyrë, që, në njërën anë të ndihmohej Jelcini, që të merrte përsipër punët, po qe se vërtet ishte se “ushtarakët i kishin dalë nga dora” dhe, në tjetrën anë, të neutralizoheshin ushtarakët rusë, po qe se ata përnjëmend Jelcinit i kishin dalë nga dora, në mënyrë që pa iu dhënë rasti për konfrontim me Perëndimin t’i thyenin dhëmbët nga brenda, siç kishte ndodhur para tetë vitesh kur Jelcini kishte fituar luftën me Jazovin dhe puçistët e tij.

Pasi që të jenë marrë vesh edhe hollësitë e tjera të planeve të invadimit ushtarak rus në Kosovë me 10 mijë ushtarë, që tashmë pritnin në Shën Petërbug për të fluturuar për në Prishtinë, Uashingtoni menjëherë do të marrë masat që aeroplanëve rusë t’u ndalohej hapësira e fluturimit. Kështu, Hungaria, Rumunia dhe Bullgaria do ta mbyllin hapësirën ajrore për aeroplanët rusë. Këto tri shtete që tashmë kishin raporte partneriteti me NATO-s, menjëherë do të ndihmojnë me mbylljen e hapësirës ajrore dhe me këtë Rusëve teknikisht u pamundësohej zbarkimi i mijëra ushtarëve në Prishtinë.

Se a e kishin ditur Rusët se do të mund të ballafaqoheshin me këtë bllokadë, edhe kjo lë për të dyshuar?

Gjykuar nga reagimet nervoze të Millosheviqit dhe të ushtarakëve të tij në Beograd në pritje të zbarkimit ajror të mijëra ushtarëve rusë në Prishtinë, mund të thuhet se gjeneralët rusë, jashtë kanaleve zyrtare, mund të kenë marrë miratimin e heshtur për fluturim nga gjeneralët rumunë apo bullgarë, që edhe ka mundur të jetë e maskuar si kërkesë për fluturime civile dhe të ngjashme, por pa garanci se hapësira ajrore e këtyre dy vendeve do të mund të mbetej e hapur po qe se do të pasonte ndërhyrja e kreut politik ndaj atij ushtarak, që atë ta mbyllë, siç do të ndodhë. 

Nga ato që do të merren vesh pak më vonë, gjendja megjithatë kishte qenë dramatike dhe me tensionime të larta midis Uashingtonit dhe Moskës, ngaqë dukej se gjeneralët rusë, së paku për disa orë, kishin dalë jashtë mbikëqyrjes së Jelcinit. Ata, edhe përkundër njoftimit nga Hungaria, Rumania dhe Bullgaria se nuk u lejoheshin fluturimet, kishin nisur dy aeroplanë ushtarakë “Antonov” me mbi katërqind ushtarë në drejtim të Kosovës. Nga Shën Petërbugu, për dy orë e gjysmë kishin arritur në hapësirën e Ukraninës, dhe pasi që mbi të do të jenë sjellë edhe një orë, do të zbresin në Soçi të Krimesë. Mbetet e paqartë se ndërprerja e fluturimit të aeroplanëve rusë në drejtim të Kosovës a ishte bërë pse kishin qenë të detyruar këtë ta bënin nga kërcënimi se mbi hapësirën ajrore të Hungarisë, Rumanisë apo të Bullgarisë do të pengoheshin të fluturonin qoftë edhe me dhunë, apo pse më në fund, Jelcini kishte kthyer situatën në duart e veta dhe ushtarakët puçistë ishin bindur se NATO nuk e kishte për mahi, por ndaj tyre do të përdorej forca? Vetë Perëndimi, pra SHBA-të dhe NATO nuk kishin dhënë kurrfarë detajesh rreth asaj pse dhe si aeroplanët rusë kishin kthyer fluturimin, meqë askujt nuk i shkonte për shtati që gjendjen ta tensiononte. E rëndësishme ishte se Uashingtoni dhe Moska kishin kaluar testin e parë të vështirë që nga koha e krizës së Kubës e këndej.

Meqë opsioni i dërgimit të trupave ruse nga ajri ishte parandaluar, ndërsa në rrugë tokësore po ashtu ishte i pamundur, ushtarakëve rusë që kishin depërtuar në Kosovë, gjatë kalimit nëpër Serbi duke u përshëndetur dhe celebruar nga klerikët ortodoksë serbë si shpëtimtarë – dhe po atë natë, pasi që në Prishtinë ishin pritur si çlirimtarë nga mijëra serbë, që do të harbohen fare (do të vrasin disa qytetarë të Prishtinës dhe do të terrorizojnë shumë e shumë të tjerë pa ngurruar që t’ua vejnë zjarrin dhe shumë shtëpive të tyre) – nuk do t’u mbetet tjetër pos që të nesërmen në mëngjes të depërtojnë në aeroportin e Prishtinës dhe atje të shkëputur, të mbyllur dhe të rrethuar nga forcat e NATO-s, të mbesin pa ujë dhe ushqime.

Megjithatë, nisja e Rusëve për Kosovë dhe depërtimi i tyre në Prishtinë mbrëmjen e 11 qershorit 1999 dhe pastaj pozicionimi i tyre në aeroportin e Prishtinës, në Sllatinë në mëngjesin e të nesërmes, nuk kishte qenë vetëm brengë e NATO-s dhe e perëndimorëve, por edhe e Shqiptarëve. Veçmas njësive të “Ush-trisë Çlirimtare të Kosovës” nga Zona Operative e Llapit, të cilat mbikëqyrnin rrugët nga duhej të kalonin Rusët. Edhe pse po atë ditë Zona Operative e Llapit ishte njoftuar për marshutën e Rusëve, me ç’rast ushtaraku britanik pranë kësaj Zone kishte bërë me dije se UÇK nuk duhej të ndërmerrte kurrfarë veprimesh luftarake meqë kjo ishte çështje e NATO-s, njësitë operative të Zonës së Llapit, të stacionuara në Koliq, pa respektuar urdhrin e oficerit ndërlidhës të NATO-s, kishin zbritur në Prishtinë dhe disa orë para se të hynin trupat ruse, ishin futur në qytetet. Me këtë rast, në një gjendje të plotë të gatishmërisë luftarake, ishte përcjellë lëvizja e Rusëve për të vepruar nëse ajo do të dilte nga marshuta që kishte NATO, pra arritja në aeroport, duke kaluar nëpër qendër të Prishtinës, e cila kishte dalë jashtë mbikëqyrjes kur trupat ruse ishin futur në Prishtinë dhe atje ishin pritur nga mijëra serbë të entuziazmuar, të cilët kishin kryer disa krime në qendër të Prishtinës, duke vrarë disa shqiptarë, por që pas dy orësh ishin lar-guar në drejtim të Aeroportit, ku edhe kishin arritur para forcave të NATO-s dhe ishin pozicionuar atje. UÇK ishte ndaluar që të reagonte në këtë rast,  gjë që kjo nuk do të ndodhë të nesërmen, kur do të ketë një “fërkim” me një njësit të UÇK-së nga zona e Drenicës, i cili me të shpejtë ishte ndërprerë pas ndërhyrjes së gjeneralit Xhekson. 

Gjatë atyre tri ditëve kritike, ku do të provohet pafuqia e ushtarakëve rusë që të kërcënojnë botën dhe të diktojnë kushte, siç kishte ndodhur dikur – politika qeveritare ruse nëpërmes Ivanovit dhe zëvendësministrit Andrejev, po edhe në-përmes kryeministrit të papërvojë, Stepashin, i cili ditë më parë nga ana e Jelcinit kishte zëvendësuar nacionalistin Andropov – me të shpejtë do të korrigjojë atë që, si thuhej, kishin dashur ta prishnin ushtarakët e Sergejevit të kryesuar nga gjenerali Ivashov.

 Ivanovi nga fillimi i shfaqjes së krizës së ushtarëve rusë do të deklarojë se fjala ishte për “një gabim”, dhe se Rusët nuk do të hyjnë në Kosovë pa marrëveshje me NATO-n dhe para kohe. Madje, ai do t’i telefonojë dy herë sekretares amerikane të shtetit, Ollbrajt, se Rusët nuk kishin kurrfarë qëllimesh të tjera pos atyre që tashmë ishin harmonizuar me Perëndimin rreth Kosovës, ndërkohë që çështja e sektorit rus dhe prania e tyre në mision duhej të rregullohej bashkërisht dhe me marrëveshje. Edhe përkundër këtij premtimi, trupat ruse pas mesnate do të futen në Kosovë dhe do të arrijnë në Prishtinë. Depërtimi i tyre nëpër Serbi dhe hyrja në Kosovë, që do të rikthejë gjakun nëpër rrugët e Prishtinë, shikuar shkëputur dhe jashtë atyre që politika lëvizte nëpër kuluaret e fshehura, sikur paralajmëronte se kriza e Kosovës po ashpërsohej, pikërisht atëherë kur pritej që pas marrëveshjeve dhe Rezolutës së KS të OKB-së, të ndodhte e kundërta. Por, do të shihet se kriza e paraparë dhe e paramenduar nga disa, qoftë edhe për kal-kulime të vogla, (lëre më që asaj nuk mund t’i përjashtohen qëllimet siç ishin ato për ndarjen e Kosovës), do të mungojë.

 Perëndimi në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kishte udhëhequr me sukses fushatën ajrore kundër forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, do t’ia dalë që me mjaft gjakftohtësi të menaxhojë krizën e parë të Kosovës, pasi që ajo të përmbyllet me marrëveshjet e paqes si dhe të fitojë legjitimitetin në forumin më të lartë botëror. Në Helsinki ministrat e jashtëm e të brendshëm amerikanë dhe rusë, Ollbrajt – Kohen dhe Ivanov – Sergejev, do të nënshkruajnë marrëveshjet rreth modaliteteve të përfshirjes së trupave ruse në misionin ndërkombëtar në Kosovë, e cila nga Uashingtoni dhe Moska zyrtare do të përshëndetet si hap i rëndësishëm drejt rikthimit të mirëbesimit midis dy vendeve, me çka mosmarrëveshjet lidhur me Kosovën dhe krizën e saj liheshin pas. Marrëveshja amerikano-ruse rreth dizajnimit të strukturës së sigurisë që do të marrë përsipër përgjegjësinë për kohën kalimtare, pra atë të vënies së Kosovës nën protektorat ndërkombëtar, tregon për rëndësinë e problematikës së Kosovës në nivel botëror dhe për rëndësinë e përmasave të çështjes së saj. Kjo, pra, e bën edhe më komplekse luftën e Perëndimit për Kosovën./KultPlus.com

Sosja e vetmisë në vapën e ditës

Poezi nga Martin Camaj

Vapa m’zuni te rranxa e qytetit
në shkamb që sos me pallat në maje.
Vetmia shkallave guri ngreh hap mbas hapi
korpin me avull përpjetë
e nuk mbaron kurr.

Qentë mbas dyerve gërvishtin drunin
e ciasin për t’i lirue dikush kërcllatjesh
telash të ndryshkun në shtrat.
Në mende të pangjashme përlyhen
linjat e ndeme për m’u terë n’ballkone
kryq e tërthoraz.

Shì në maje, te pallati i lashtë,
vetoi ndër rreze faculeta e bardhë
në krye të saj
e krisi nji hap grueje n’shkamb
me jehonë në parzmin tim./KultPlus.com

Artisti gjerman Dennis Buck ekspozitë në COD

“How to Pay Back the Sun?” titullohet ekspozita e artistit gjerman Dennis Buck e çelur nga  Qendra për Hapje dhe Dialog.

Kjo ekspozitë vjen si një bashkëpunim i COD me bashkinë e Tiranës.

Buck tenton të dalë përtej procesit klasik e të zakonshëm të të pikturuarit, duke kërkuar forma alternative që natyra fal, duke u kthyer edhe pas në kujtimet e tij, ku silikoni është një ndër materialet e parapëlqyera të procesit të tij krijues.

Për artistin gjerman është shumë e rëndësishme mënyra se si komunikojmë dhe se ide të ndryshme kërkojnë mënyra të ndryshme komunikimi.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 9 korrik 2023./KultPlus.com

Përkujtohet në 103-vjetorin e vdekjes Heroi i Popullit, Selam Musai

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 103-vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit i Popullit, Selam Musai.

Selam Musai (1860-1920) lindi në fshatin Salari të Tepelenës nga një familje me tradita patriotike.

Ishte udhëheqës i kryengritjeve në Vlorë dhe ra heroikisht për çlirimin e saj. Mbasi u rekrutua ushtar, kaloi 5 vjet në Jemen.

Shtëpia e tij në Salari dhe stani në mal ishin kthyer në baza të rëndësishme për çetat patriotike, si ajo e Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos.

Në 1911 mori pjesë aktive në veprimtarinë patriotike të çetave që lëvizën kundër trupave turke e më pas kundër andarteve greke. Në dhjetor 1912, duke ju përgjigjur thirrjes së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës për të mbrojtur vendin nga agresioni i forcave greke, u vu në krye të bashkëfshatarëve të tij dhe shkoi në frontin e luftës, ku u plagos. Megjithëse në moshën 60-vjeçare, doli përsëri në krye të bashkëfshatarëve të vetë të armatosur dhe të katundeve të afërta, shkoi në Vlorë dhe luftoi kundër garnizonit italian të Kotës.

Pas shpartallimit të tij, Selam Musai me luftëtarët e vet u rreshtuan të gatshëm për luftime përballë garnizonit të madh të Vlorës. Në luftimet trup me trup me pushtuesit, Selam Musai u vra në Qafën e Koçiut me 11 qershor 1920./atsh/KultPlus.com

11 qershor 1999, futja e NATO-s në Kosovë dhe çlirimi nga pushtimi serb

Nga Jusuf Buxhovi

Shtetndërtimi i Kosovës, nga përpjekjet e vazhdueshme, fillimisht që të mos pranohet pushtimi serb nga viti 1912, ripushtimet nga vitet 1918 dhe 1944, si dhe përpjekjet e saj për etnocid, kultorocid dhe së fundit për gjenocid, përpjekje këto, që në fund të viteve të gjashtëdhjeta e deri në fund të atyre të tetëdhjetave, do të kthehen në përpjekjet që pushtimi të zëvendësohet me Republikën e Kosovës në federatën jugosllave, do të ishte i vështirë ose i pamundur fare, pa fushatën ajrore të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, kur në Kumanovë, gjeneralët jugosllavë nënshkruan marrëveshjen kapitulluese për tërheqjen e të gjitha forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Të nesërmen, pasi që do të jetë miratuar rezoluta 1244 e KS të OKB-së dhe hyrjes së saj në fuqi një ditë më vonë, me fillimin e tërheqjes së forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova si dhe fillimin e futjes së forcave të NATO-s, në kuadër të KAFOR-it, fillon çlirimi i Kosovës nga pushtimi 87 vjeçar serbo-jugosllav.

Kjo i hapi rrugë protektoratit ndërkombëtar në Kosovë nën mbikëqyrjen e OKB-së në kuadër të misionit të UNMIK-ut, që mori fund më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë. / KultPlus.com

Escobar: Kurti është partner i yni, ndonëse nganjëherë është partner i vështirë

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore, ka folur për raportet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Escobar ka thënë se Kurti është “partner i SHBA-së, ndonëse nganjëherë është partner i vështirë”.

“Zoti Kurti është partner i yni. Nganjëherë është një partner i vështirë, por është partner. Kosova është partnere jona. Serbia është partnere jona. Pra, në të ardhmen dëshirojmë të përfitojmë nga marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe nga përmirësimi i marrëdhënieve që kemi me Serbinë”, ka thënë Escobar.

SHBA-ja e ka fajësuar Kurtin për tensionet e fundit në veri, ndërsa kanë kërkuar që kryetarët shqiptarë të mos futeshin në objektet komunale të komunave veriore. Pas kësaj, ndërkombëtarët kërkuan zgjedhje të reja në veri, duke garantuar pjesëmarrjen e serbëve. Por deri tash s’ka marrëveshje./KultPlus.com

Artizanët, kontribut të rëndësishëm për kulturën dhe ekonominë në Shqipëri

Artizanët ofrojnë një kontribut të rëndësishëm për kulturën dhe ekonominë e një vendi duke ruajtur traditën e këtyre punimeve brez pas brezi.

Agjencia Kombëtare e Turizmit solli në vëmendje, se sot është Dita Ndërkombëtare e Artizanatit, e cila gjithmonë e më tepër po merr vëmendje edhe në Shqipëri.

Artizanët e fushave të ndryshme po kërkohen edhe nga të huajt për produktet e tyre të cilat mbi të gjitha janë unike dhe mund të bëhen sipas kërkesave dhe porosive.

”Traditat e qytetit” ku dominon artizanati, janë thelbi i shpirtit të popullit.

Zejtaria dhe puna artizane mbetet vlerë e shtuar në ekonominë e një vendi, e cila duke u mbështetur në traditë dhe histori, i jep një dimension të ri zhvillimit të tregtisë së këtyre produkteve, brenda dhe jashtë kufijve.

Në këtë kuadër për të rikthyer dhe zhvilluar më tej këtë sektor, me aq shumë potencial që bart vendi ynë, qeveria po mbështet bizneset artizane.

Ky sektor sa i lashtë dhe me vlerë karakteristike në zona të ndkryshme, është mjaft i ndërlidhur edhe me agroturizmin, i cilipo merr zhvillim vitet e fundit në shumë krahina të vendit, ku kontribut bart edhe trashëgimia artizanale, si trend që tërheq mjaft turistët e huaj./atsh/KultPlus.com

Shpërthim gjatë xhirimeve të filmit ‘Gladiator 2’, gjashtë persona përfundojnë në spital

Ndalen xhirimet e “Gladiator 2” pas një aksidenti të rëndë të ndodhur në Marok. Gjashtë anëtarë të ekuipazhit u desh të dërgoheshin me urgjencë në spital kur një shpërthim i madh shkaktoi një zjarr të rrezikshëm.

Deri më tani, nuk ka asnjë informacion të mëtejshëm në lidhje me aksidentin, por gjithçka duket se tregon se ishte një përpjekje për efekte speciale të shkuara keq. Të tjerë raportojnë se ka ndodhur gjatë xhirimeve të një skene të rrezikshme.

Siç raportojnë mediat e huaja, ka pasur shumë të plagosur në grupin e xhirimit, ndërsa kompania e produksionit, Paramount Pictures, ka komentuar zyrtarisht ngjarjen.

“Gjatë xhirimeve të një skene të planifikuar, ndodhi një aksident në të cilin disa anëtarë të ekuipazhit të prodhimit pësuan lëndime jo të rrezikshme për jetën. Ekipet mjekësore dhe të sigurisë në terren kanë mundur të veprojnë me shpejtësi në mënyrë që të prekurit të marrin menjëherë kujdesin e nevojshëm. Të gjithë ata janë në gjendje stabile dhe vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor”, tha Paramount Pictures.

Ndërkohë, xhirimet janë ndërprerë për një kohë të pacaktuar./abcnews.al/KultPlus.com

Fluks turistësh në Butrint, mbi 18 mijë në janar-maj

Mbi 18 mijë turistë vendas e të huaj kanë vizituar gjatë periudhës janar-maj të këtij viti qytetin antik të Butrintit.

Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrintit, tha për ATSH-në se “gjatë periudhës janar- maj 2023 Butrinti u vizitua nga 18 764 vizitorë vendas e të huaj, duke shënuar një fluks të lartë. Ndërsa vetëm maji ka shënuar 14 371 vizitorë në total, nga të cilët 4152 vizitorë vendas, 6369 vizitorë të huaj dhe 3850 vizitorë pa biletë”.

Sipas saj, periudha janar – maj 2023 dëshmon se trendi i vizitueshmërisë totale ka shënuar rritje.

Sa i përket të ardhurave nga vizitueshmëria gjatë muajve janar – maj 2023, Dhima thekson se “Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Kombëtar Butrint gjatë muajit maj 2023 ka gjeneruar në total 6948400 lekë, nga të cilët 2108300 lekë nga vizitorët vendas, 4840100lekë nga vizitorë të huaj.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit./KultPlus.com

Rikthehet Festivali Folklorik, Rama: Kalaja Gjirokastrës e gjallëruar nga motivet e ritmet e këngëve dhe valleve

Në kalanë e Gjirokastrës nga 24 qershori deri në 1 korrik do të zhvillohet Festivali Folklorik Kombëtar.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video promovuese të këtij festivali, në të cilin do të performojnë artistët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare.

Duke e cilësuar një lajm të bukur rikthimin e Festivalit Folklorik Kombëtar, Rama tha se Kalaja e Gjirokastrës është zbukuruar e gjallëruar si me magji nga ngjyrat, motivet, ritmet, këngët e vallet e të gjithë krahinave shqiptare.

Ky festival rikthehet pas tetë vitesh në Gjirokastër. Krahas vlerave kombëtare dhe artistike, festivalet folklorike në vite janë lidhur me vetë jetën e qytetit të gurtë dhe banorëve të tij.

Festivali i parë Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968, në kalanë e gurtë të Gjirokastrës. Pres asaj kohe, festivali është zhvilluar çdo pesë vjet.

Vitet `70 mund të konsiderohen edhe si kulmi i pjesëmarrjes në këtë festival, ku pati më shumë se 1 mijë pjesëmarrës të përzgjedhur.

Festivali i Gjirokastrës ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në edicionet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit./atsh/KultPlus.com

Publikohet një foto unike e Mbretëreshës Elizabeth, si dukej ajo në moshën 21-vjeçare

Mbretëresha Elizabeth u nda nga jeta në shtator 2022, por ajo mbetet një person dhe monarke e dashur në zemrat e britanikëve dhe më gjerë! Emri i saj vazhdon të shfaqet në homazhe, ashtu si edhe jeta e saj.

Pak orë më parë, përmes llogarisë së pallatit në Instagram, është postuar një foto e saj në moshën 21-vjeçare. Ishte dita kur ajo u emërua nga babai i saj në urdhrin e familjes mbretërore, me xhaketën e saj të dukshme në një pallto dhe kapelë.

Elizabeth u ngjit në fronin e Mbretërisë së Bashkuar më 6 shkurt 1952, duke pasuar babain e saj, George VI, i cili vdiq ndërsa princesha e re ishte në një vizitë zyrtare në Kenia.

Ceremonia e kurorëzimit të saj u zhvillua në Westminster Abbey më 2 qershor 1953. Ishte kurorëzimi i parë i një monarku që u transmetua në televizion në mbarë botën. Elizabeta II ishte monarkja më jetëgjatë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe mbretëresha më jetëgjatë në historinë botërore për sa i përket viteve në pushtet./abcnews.al/KultPlus.com

‘Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë’

KultPlus ju sjell njërën nga poezitë më të njohura të Beqir Musliut, ”Mbretëria e rrënuar e Kosovës”.

Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil
Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri
Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit
Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur

Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë
As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata
Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten
Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë

Luftëtarët i varëm për degët e historisë
Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra
Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve
Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan

Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne
Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim
Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër
Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë

Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh. / KultPlus.com

​Artistja bullgare fiton vendin e parë për ilustrimin e historisë natyrore në konkursin spanjoll

Artistja dhe ilustratorja bullgare Denitsa Peneva ka fituar vendin e parë në kategorinë Ilustrime të Historisë Natyrore të një konkursi të drejtuar nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve Spanjolle. Më shumë se 500 pjesëmarrës morën pjesë në konkursin e këtij viti, njoftuan nga Pensoft Publishers.

“European Dormice (Gliridae)” e Penevës bëri për vete jurinë e Illustraciencia. Ilustrimi përshkruan pesë lloje brejtësish që banojnë në Evropë: brejtësit tokësor (Myomimus roachi), brejtësit e pyllit (Dryomys nitedula), brejtësit e dhjamosur evropian (Glis glis), brejtësit e zakonshëm (Muscardinus avellanarius) dhe brejtësit e kopshtit (Eliomys quues). Çdo brejtës përshkruhet në një bimë të përbashkët për habitatin ose ushqimin e tij. Pranë familjes ‘Gliridae’ është përshkruar një kërmill.

Ilustrimi u frymëzua nga Konferenca e 11-të Ndërkombëtare e vitit të kaluar mbi Brejtësit në Svilengrad (Bullgaria Jugore), ku një ekip zbuloi një popullatë të madhe të specieve më endemike dhe të rralla të brejtësve në Evropë: brejtësit tokësor. Pothuajse 40 vjet më parë, askush nuk e kishte parë atë brejtës, thanë Pensoft Publishers.

Denitsa Peneva ka lindur në Blagoevgrad (Bullgaria Perëndimore) në vitin 1983. Ajo u diplomua në Akademinë Kombëtare të Arteve në Sofje dhe në Akademinë e Arteve të Bukura të Mastrihtit në Holandë. Sot ajo është nënkryetare e Shoqatës së ilustruesve shkencor të kafshëve dhe luleve në Bullgari./rtv21/KultPlus.com

Kulla e Ngujimit 400-vjeçare në Theth tërheq vëmendjen e vizitorëve të huaj

Ecja nga Valbonë në Theth në Alpet shqiptare është absolutisht mahnitëse dhe e vlefshme për ata që duan të shijojnë udhëtimet e gjata më këmbë (trekking), sipas një artikulli të botuar në “Atlas Obscura”.

Nga qyteti verior i Shkodrës, rruga me minibus për në Komani zgjat rreth 90 minuta.

Një shëtitje e bukur me traget përgjatë liqenit blu-jeshile të Komanit do t’ju sjellë në Fierzë, ku mund të kapni një minibus tjetër për në Valbonë, rruga zgjat rreth një orë.

Qëndroni gjatë natës në një nga bujtinat e këndshme të fshatit dhe bëni rrugën drejt shtegut në mëngjes herët.

Ecja në Theth është 17.2 km, pika më e lartë është 1800 m, dhe zgjat rreth 6 ose 7 orë për të përfunduar.

Kulla e Ngujimit ndodhet jo shumë larg rrugës kryesore në Theth, përtej kompleksit të bujtinave.

Nuk ka orë të caktuara të hapjes, por vendasit në një nga shtëpitë fqinje e hapin kullën sipas kërkesave.

Kulla e Ngujimit në Theth

Dikur një strehë e sigurt për vendasit e përfshirë në gjakmarrje, kjo kullë e fortifikuar 400-vjeçare tani është një muze që tregon se si ishte jeta për ata që rrinin në pritë brenda mureve të saj.

Shqiptaret e Veriut dikur jetonin sipas kodit të tyre fisnor, sipas Kanunit, një grup ligjesh zakonore të vendosura nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, një fisnik i shekullit të 15-të.

Në mesin e 1262 neneve të tij, Kanuni lejon gjakmarrjen, në të cilën një person ka të drejtën e vrasjes si ndëshkim për vrasjen ose çnderimin e një anëtari të familjes në emër të drejtësisë.

Nuk ishte e pazakontë që këto grindje të zgjasnin për vite, duke përfshirë disa breza dhe duke rezultuar në vdekjen e shumë burrave, dhe ndonjëherë edhe grave dhe fëmijëve si dëm kolateral nga të dyja anët.

Përtej mesjetës, ligji i Kanunit vazhdoi në disa pjesë të Shqipërisë, pavarësisht se u shpall i jashtëligjshëm nga diktatori komunist Enver Hoxha.

Deri më sot, gjakmarrjet thuhet se ekzistojnë ende, ku disa individë izolohen në shtëpi në fshatrat e tyre, duke jetuar me frikën e vazhdueshme të hakmarrjes eventuale nga një familje e përbuzur shumë kohë më parë, nga një prej paraardhësve të tyre.

Gjatë grindjeve, anëtarët meshkuj të familjes kufizoheshin në kulla, për t’i dhënë vetes një avantazh mbrojtës ndaj klanit kundërshtar.

Burrat do të qëndronin këtu, derisa të përfundonte grindja, domethënë derisa të vriteshin të gjithë meshkujt që përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë, ose derisa të arrihej pajtimi, ndoshta me ndihmën e një këshilli pleqsh./atsh/KultPlus.com

Mjeshtëria pianistike jetësohet në Prishtinë, Avery Gagliano përmbyll ‘Chopin Piano Fest’

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, publiku pati mundësinë të shijojë magjinë e veprave të Mozartit, Chopinit dhe Schubertit nën interpretimin magjepsës të pianistes amerikane, Avery Gagliano, mbrëmje kjo që e përmbylli edicionin e 13-të të ‘Chopin Piano Fest’ në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Gagliano, e cila është fituese e çmimit të parë të ‘Chopin Piano Fest’ në ShBA, transmetoi në çdo notë, ndjenjat e thella dhe emocionet e veprave që luante, duke i dhuruar publikut një atmosferë tërheqëse dhe një natë të paharrueshme.

Nën dritat shumëngjyrëshe, në një ambient të ngrohtë e melankolik, publiku i cili kishte mbushur plot ulëset e sallës, për më shumë se një orë u mahnitën nga talenti i rrallë i Gaglianos, e cila i dha jetë çdo melodie nëpërmjet interpretimit të saj plot pasion.

Se performanca e saj krijoi emocione të mëdha në publik u vërejt pas çdo ekzekutimi të veprave, nga duartrokitjet dhe brohoritjet inkurajuese të të pranishmëve, e të cilat në përfundim të koncertit zgjatën për disa minuta.

Pas performancës së saj emocionuese në Prishtinë, pianistja Avery Gagliano shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen sidomos për publikun që e mirëpriti shumë interpretimin e saj.

“Jam shumë e emocionuar, nuk kisha më shumë kohë për të eksploruar qytetin, por nga pothuajse 36 orët e mia këtu, më ka pëlqyer shumë, njerëzit janë kaq të dashur, kështu që është kënaqësia ime të jem këtu”, u shpreh Gagliano.

Ajo mes tjerash foli edhe për publikun në sallë, duke vlerësuar lidhjen që ajo e ndjeu me ta, duke u bërë pjesë e çdo vepre të cilën ajo luajti.

“Reagimi i audiencës ishte vërtet i mrekullueshëm. U ndjeva vërtet e lidhur me audiencën, është e mrekullueshme që mund të luash në piano dhe të ndjesh sikur të gjithë janë pjesë e saj”, përfundoi Gagliano për KultPlus.

Ndërkaq, pas edhe një ecdicioni të sukseshëm,  në mbrëmjen finalizuese të festivalit që i dhuroi publikut në Prishtinë emocione të paharruara foli Besa Luzha, një prej organizatoreve të këtij festivali, e cila u shpreh e lumtur për atë që ‘Chopin Piano Fest’ ka transmetuar përgjatë një muaji.

“Ka qenë një udhëtim i gjatë një-mujor, me shumë sfida, por edhe me shumë kënaqësi, me mbrëmje të bukura, me përshtypje nga më të ndryshmetnga artistë të shumtë që kanë ardhur nga vende të ndryshme”, theksoi Luzha.

Në këtë mbrëmje ishte i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili tha se artistët që kanë performuar në mbrëmjet e këtij festivali e kanë pasuruar edhe më shumë skenën muzikore në Prishtinë.

“Pamë një edicion tjetër shumë të sukseshëm, shumë të gjatë, me shumë koncerte e performanca të bukura nga emra të njohur nga shumë vende të botës. Natyrisht kjo edhe e ka pasqyruar skenën kulturore të Prishtinës dhe unë jam shumë i gëzuar që sonte kemi nderin bashkërisht që ta kurorëzojmë këtë sukses të edicionit të 13-të të festivalit ‘Chopin Piano Fest”.

Më pas fjalën e mori i pari i Prishtinës, i cili fillimisht përgëzoi organizatorët për punën në këtë edicion por edhe në edicionet e kaluara të këtij festivali.

“Edicioni i 13-të i ‘Chopin Piano Fest’ ka qenë një punë fenomenale për një muaj me talentë nga vende të ndryshme të botës e po ashtu edhe me talentë lokalë”, tha Rama, duke falënderuar në vijim të gjithë ata që e bënë të mundur realizimin e festivalit të mirënjohur të pianos.

E Lejla Pula, një prej organizatoreve të ‘Chopin Piano Fest’ pas koncertit u shpreh e lumtur që ky edicion u përmbyll pikërisht me performancen e pianistes së shquar, Avery Gagliano.

“U mrekulluam të gjithë sepse luajti një program shumë të afërt nga Mozarti, Chopini, dhe Schuberti. Audienca e dëgjoi me shumë vëmendje, për të cilën unë edhe jam shumë falënderuar, që për një muaj ishin së bashku me ne”, përfundoi profesoresha Pula për KultPlus.  

Ndërkaq, ju kujtojmë që edicioni i 13-të i festivalit të muzikës klasike, Chopin Piano Fest Prishtina, u mbajt nga data 9 maj deri më 9 qershor, ku adhuruesit e muzikës klasike patën mundësi të shijojnë vepra të autorëve më të njohur botërorë./ KultPlus.com

Presidenti Begaj në 145-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit: Projektoi krjimin e një shteti shqiptar të lirë dhe të pavarur

Presidenti Bajram Begaj e cilësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme të historisë së kombit shqiptar.

Në manifestimin qendror për 145-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me praninë e autoriteteve më të larta të Kosovës, Begaj u shpreh se patriotët vizionarë u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare kundër shtypjes dhe sundimit.

“Ishte kjo lidhje, që punoi me të gjitha forcat, për të afirmuar kombin tonë dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare. Ishte kjo besëlidhje, që projektoi krjimin e një shteti shqiptar — të lirë dhe të pavarur. Sot, tek sa mbushen plot 145 vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit, nderojmë me krenari veprimtarinë e lavdishme të atyre që ëndërruan dhe punuan për kombin tonë shqiptar”, tha Begaj.

Por, vuri në dukje Presidenti, ndjenjat e krenarisë nuk mjaftojnë.

“Ne kemi përgjegjësinë për të respektuar dhe mbrojtur trashëgiminë që këto figura historike na lanë neve si trashëgim. Zhvillimi dhe fuqizimi i popullit shqiptar në të gjitha trojet e tij dhe integrimi ynë në familjen e madhe euro-atlantike është një mision për të cilin të gjithë ne duhet të punojmë bashkarisht. Dhe për të përmbushur këtë detyrim jemi me fat që të parët tanë përveç gjuhës dhe kulturës na kanë trashëguar edhe miqësi të vjetra e partnerë strategjikë të besueshëm, tek të cilët mund dhe duhet të mbështetemi kurdoherë”, theksoi ai.

“Jo çdo gjë ka qenë e lehtë, por e ardhmja e kombit tonë do të jetë gjithnjë e më e begatë: nëse ne luftojmë ndasitë dhe përçarjet mes vetes tonë, mes njëri-tjetrit, nëse ne ruajmë boshtin tonë moral, nëse nuk harrojmë te shkuarën dhe nëse përçojmë te brezi i ri vlerat e atdhedashurisë dhe miqësisë, vlerat e paqes dhe unitetit”, vuri në dukje ai./atsh/KultPlus.com

Ansambli ‘MATI’ nga Shqipëria fitues i festivalit ‘I këndojmë Lirisë’ në Klinë

Ansambli i këngëve dhe valleve “MATI” nga Shqipëria është shpallur fitues i edicionit të 21-të, të Festivalit Folklorik ‘I këndojmë Lirisë’, i cili i kushtohet heroit kombëtar Mujë Krasniqi-Kapuçit, shkruan KultPlus.

Çmimin kryesor “Mujë Krasniqi” të edicionit të 21-të të këtij festivali e ka fituar ansambli i këngëve dhe valleve “Mati” nga Shqipëria.

Vendin e dytë në këtë festival e ka marrë Qendra Kulturore “Anamorava” nga Vitia.

Vendin e tretë AKV “Kastriotët” nga Ferizaj, ndërsa çmimi i publikut i ka takuar ansamblit të këngëve dhe valleve “Minatori”.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka falënderuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e festivalit duke thënë se si Komunë e kanë mbushur qëllimin  e tyre në organizimin e këtij festivali pasi është shumë domethënës në karakterin dhe cilësinë e Komunës së Klinës.

“Në emër të komunës së Klinës, si organizator i festivalit, i falënderoj grupin organizator për organizimin e shkëlqyeshëm të festivalit, jurinë për punën e tyre, pjesëmarrësit që ia kanë shtuar hijeshinë festivalit.

Ne si komunë e kemi mbështetur Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar ‘I këndojmë lirisë’ duke bërë të mundshme që festivali ta përmbush qëllimin, sepse festivali për Klinën është shumë domethënës, për karakterin dhe cilësinë duke u bërë tashmë tradicional dhe identifikues dhe do të vazhdojmë ta mbështesim çdo herë”, ka shkruar Elezaj në facebook.

Kryetari Elezaj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të festivalit, i cili i kushtohet heroit kombëtar Mujë Krasniqi-Kapuçit ka përkutuar të gjithë të rënët për liri.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për heronjtë e UÇK-së!

Lavdi të gjithë të rënëve për çlirimin e Kosovës!”, ka thënë Elezaj./KultPlus.com

Prizreni

Poezi nga Sabri Hamiti

Qyteti është krenar se është kryesori.

Kur shkon me veturë bën një orë.
Kur shkon në këmbë njëqind vjet:
Nis numron bimët, krojet, këngët,
Gurët e varreve dhe vitet.
Mbërrin i mplakur për tre breza
Me peshën e shekullit në shpinë.

I lodhur nga sëmundja e vetmisë
Gjen një shtëpi të moçme qyteti,
Që roje i bëjnë dy njerëz qindvjeçarë:
Njëri me kravatë e dokument,
Tjetri me plis e me kobure.

Mat moshën tënde e vetminë
Me plasat e tokës, kulmet e shprishura,
Oxhaqet pa tym…
E mëson drejtshkrimin, drejtpeshimin.

Kalaja rri lart e heshtur
Me dhëmbin e gjatë sa koha.
Kush e ka vetminë më të moçme:
Kalaja, Bistrica, Ti?
Apo Prizreni, që është më i madhi?/KultPlus.com

(Poezi shkruar në 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, botuar te “Trungu ilir”, 1979)

‘Pasionet e Idiotëve’, libri i autorit Labinot Kunushevci që shpjegon mungesën ndërgjegjes kolektive

Libri ‘Pasionet e Idiotëve’ i autorit Labinot Kunushevci, është një libër i cili futet thellë në psiko-analizë dhe shpjegon mungesën e ndërgjegjes kolektive, shkruan KultPlus.

Afim Blyta- neuropsikiatër, i cili ka qenë recensues i librit ka thënë se autori ndonëse nuk është profesionist i domenit, ka arritur t’i tejkalojë kufijtë e përkufizimit të koncepteve të shëndetit mendor, duke dhënë një dimension krejtësisht tjetër më gjithëpërfshirës.

”Shtjellimi i koncepteve të shëndetit mendor kërkon kapacitet profesional dhe guxim intelektual edhe për profesionistët e fushës. Autori, ndonëse nuk është profesionist i domenit, arrin t’i tejkalojë kufijtë e përkufizimit të koncepteve të shëndetit mendor, jep një dimension krejt tjetër, shumë më gjithëpërfshirës dhe shumë më universal, si nga aspekti kohor, ashtu edhe hapësinor”, ka vlersuar neuropsikiatri Blyta.

Më tutje, Blyta ka vlerësuar se autori me saktësi frojdiane ka zbërthyer strukturën “biologjike”, si shkak i të gjitha fenomeneve të cilat paraqiten në shoqëri në tranzicion, ku emancipimi dhe qytetërimi janë vetëm reflektim sipërfaqësor i një brendie ende të pastrukturuar, primitive, të paemancipuar dhe joqytetare, që flet në të vërtetë për defekte serioze strukturale, të cilat kërkojnë kohë të maturohen.

Libri paraqet mungesën e moralit si fundament shoqëror i cili, shpërfaqet me personalen para shoqërores, vetën e parë njëjës “unë” para vetës së parë shumës “ne”, përemrin pronësor “imi” para përemrit pronësor “yni”. Shoqëri ku fytyra i nënshtrohet të pafytyrës, nderi të pandershmes, patriotizmi pseudopatriotizmit, si tipare tipike të shoqërive të cilat funksionojnë si bashkësi të individëve të pakoordinuar kundruall me ato shoqëri të cilat udhëhiqen me ndërgjegje kolektive.

Fondamenti i shtjellimit të temës është zbulimi i problemit, zbërthimi i tij, analiza dhe rrjedhimisht gjetja e zgjidhjes aq të nevojshme. Porosia bazike e saj në të vërtetë prezantohet në “moralin” si fondamentin më themelor të një shoqërie mbi të cilat mbivendosen superstruktura, të cilat nuk mund të mbijetojnë pa këtë themel bazik, thelbësor”, ka vlerësuar Blyta/KultPlus.com

Në Deçan organizohet festivali folklorik “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

Komuna e Deçanit organizon Festivalin gjithëkombëtar të folklorit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”, i cili iu kushtohet Rapsodëve Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, shkruan KultPlus.

Festivali folklorik “Eshkë e ndezur mbi Shkelzen”, këtë vit do të mbahet më 15 dhe 16 qershor.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përmes një postimi në facebook, u ka uruar mirëseardhje adhuruesve të këngës folklorike./KultPlus.com

‘Nuk ka rëndësi kë dashuroni, ku dashuroni, pse dashuroni, kur dhe si dashuri, rëndësi ka që dashuroni’

Bota e humbi John Lennon që në 1980-ën, por muzika dhe poezia e tij jetojnë ende në zemrat tona. Fjalët e tij për dashurinë, jetën, dhe paqen që dekada më parë i la për ne, tingëllojnë ende kuptimplota dhe na nxisin drejt një versioni më të mirë të vetes dhe të së ardhmes tonë.

Ne duam t’u kujtojmë ndjekësve tanë për këtë muzikant gjenial dhe ëndërrimtar madhështor thëniet më të fuqishme të tij:

“Jetojmë në një botë ku duhet të strukemi që të bëjmë dashuri, ndërkohë që dhuna praktikohet ditën për diell.”

“Kur shkoja në shkollë, ata më pyesnin çfarë dëshiroja të bëhesh kur të rritesha. Unë shkrujta “i lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën, dhe unë u thashë se ju s’keni kuptuar jetën.”

“Duke qenë i ndershëm nuk ke për të pasur shokë të shumtë, por gjithmonë do të kesh shokët e saktë.”

“Nuk ka rëndësi kë dashuroni, ku dashuroni, pse dashuroni, kur dhe si dashuri, rëndësi ka që dashuroni.”

“Nëse të gjithë do ta dëshironin paqen aq as dëshirojnë një set të ri televiziv, atëherë paqja do mbretëronte.”

“Të përpiqesh t’u pëlqesh të gjithëve është e pamundur – nëse e bën, do përfundosh në një midis ku asnjërit s’i pëlqen. Duhet të marrësh vendimin për atë që mendon se është më e mira për ty, dhe bëjë atë.”

“Si zakonisht, qëndron një grua madhështore, prapa çdo idioti.”

“Vetëm duke provuar rrobat e të tjerëve e kuptojmë përmasën tonë.”

“Kur bën diçka fisnike dhe të bukur e askush nuk e vëren, mos u trishto. Për diellin, çdo mëngjes është i bukur, edhe pse audienca fle gjumë ende.”

“Gjithçka do të shkojë në vendin e vet në fund. Nëse gjërat nuk janë në vendin e tyre, atëherë s’ka ardhur fundi.”

“Një ëndërr që e ëndërron i vetëm, është vetëm një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërrojmë së bashku, është realitet.”

“Paqja nuk është diçka për të cilën ne lutemi dhe urojmë; është diçka që bëhet, diçka që je, dhe diçka që jepet.” / KultPlus.com

Kurti nga Parada e Krenarisë: Do ta bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën tjetër të kalojë në Kuvend

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se pjesëmarrjen në Paradën e Krenarisë, aktivistëve dhe përfaqësuesve të organizatave ua ka premtuar qysh të hënën.

Ai tha se në Kosovë, të gjithë duhet të jenë barabartë dhe secili duhet ta ketë të garantuar e të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin.

“Për komunitetin LGBTI, shteti dhe shoqëria duhet t’i mbrojë dhe të mësojë për ta. Me këtë rast, unë shpreh indinjatën time për numër të madh të abuzimeve, kërcënimeve dhe diskriminimeve që përjetojnë ky komunitet”.

“Ju e dëgjuat se si në mënyrë krenare bënë thirrje për barazi e liri, e aty ku thërrasin për barazi e liri jam edhe unë si kryeministër, sepse Republika jonë ndryshe s’ka kuptim”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Tutje, kreu i qeverisë tha se ata do ta bëjnë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në kuvend.

“Ne do të bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në kuvend. Edhe për nga vullneti dhe programi qeveritar, e edhe nga puna, nuk e kursejmë veten”, tha Kurti./KlanKosova/KultPlus.com

Ministri Çeku: Po punohet me intensitet në përmirësimin e infrastrukturës në mbarë vendin, për të gjitha komunitetet (FOTO)

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka publikuar fotografi nga  vendpunimet e disa prej objekteve në Kosovë, në të cilat sipas tij po punohet me intensitet të lartë, shkruan KultPlus.

Minisri  Çeku, përmes një postimi në facebook, ka thënë se po punohet me hapa konkret në përmirësimin e infrastrukturës në mbarë vendin.

“Hapa konkret në përmirësimin e infrastrukturës në gjithë vendin, për të gjitha komunitetet.

Disa nga projektet në të cilat po punohet me intensitet të lartë:

Gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali” në Ferizaj

Stadiumi i Qytetit në Malishevë

Biblioteka e Qytetit në Shtime

Kisha katolike “Engjëlli i Rojes” në Ferizaj”, thuhet në postimin e Çekut në facebook./KultPlus.com