Masterclass në TIFF nga regjisori gjerman Andreas Dresen

 Në edicionin e 21-të të Tirana International Film Festival (TIFF) sot ishte në program masterclass-i i regjisorit gjerman Andreas Dresen, fitues i çmimit “Un Certain Regard” në Festivalin e Filmit në Kanë 2011.

Në fillim të masterclass-it, organizuar në Qendrën e Artit Agimi, u shfaq filmi i tij “Stilles Land”.

Në programin e TIFF-it janë vendosur 4 filma të regjisorit gjerman, Andreas Dresen, një nga kineastët më të suksesshëm të Gjermanisë dhe një dëshmitar historik, filmat e të cilit reflektojnë gjendjen e shoqërisë gjermane që nga rënia e Murit të Berlinit.

Ai lindi në Gera, Gjermania Lindore, në vitin 1963. Fillimisht punoi si inxhinier zëri për Teatrin Schwerin, përpara se të studionte regjinë në Akademinë Konrad Wolf për Film dhe Televizion në Potsdam-Babelsberg. Ai filloi të punojë si skenarist dhe regjisor në vitin 1992. Dresen-i është i njohur për punën e tij duke përdorur improvizimin e aktorëve, në vend të një skenari të mirëfilltë./atsh/KultPlus.com

Vdes mbesa e Nelson Mandelës

Zoleka Mandela, mbesa e presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike të Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, ka vdekur nga kanceri në moshën 43-vjeçare.

Ajo ndërroi jetë të hënën në mbrëmje e rrethuar nga miqtë dhe familja, tha një zëdhënës.

Vitet e fundit, zonja Mandela ishte bërë e njohur për detajet e trajtimit të saj të kancerit. Ajo ishte gjithashtu e hapur për historinë e saj të varësisë nga droga, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Fondacioni Nelson Mandela tha se puna e saj ishte frymëzuese. Ai tha se ajo ngriti “ndërgjegjësimin për parandalimin e kancerit” si dhe “për të thyer stigmën që rrethon sëmundjen”.

Zonja Mandela foli gjithashtu sinqerisht për luftën e saj me depresionin dhe faktin që ajo ishte abuzuar seksualisht si fëmijë.

Përveç kësaj, ajo bëri fushatë për siguri më të mirë rrugore pasi vajza e saj 13-vjeçare u vra në një aksident automobilistik në vitin 2010. Më vonë ajo humbi një djalë që lindi para kohe. Ajo ka lënë pas katër fëmijë.

Zonja Mandela, e cila ishte mbesa e gruas së dytë të Nelson Mandelës, Winnie, e dokumentoi historinë e saj në autobiografinë e saj “When Hope Whispers”./KlanKosova/KultPlus.com

Promovohet libri ‘Ekuilibri i Letërsisë’ i Nysret Krasniqit, konsiderohet se autori i ka trajtuar vlerat e vërteta letrare

Vjollca Duraku

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës sot ka publikuar librin letrar “Ekuilibri letrar” të profesorit universitar, Nysret Krasniqi, shkruan KultPlus.

Publikimi i librit letrar “Ekuilibri letrar” krijoi një atmosferë të ngrohtë në ASHAK pasi të pranishëm ishin një numër i madh i të apasionuarve pas letërsisë dhe kulturës që ishin mbledhur për të festuar dhe nderuar autorin për këtë krijim të ri letrar i cili padyshim është një kontribut i rëndësishëm për letërsinë dhe kulturën e Kosovës.

“Ekuilibri letrar” paraqet ndjeshmërinë humane në letërsi si refuzim të lakmisë, e cila në njëfarë forme e mbyt shpirtëroren duke e shndërruar shkrimin letrar në një mjet politik.

Për të folur më shumë mbi tematikën dhe stilin e librit, i pari që mori fjalën në këtë promovim, ishte akademiku Sabri Hamiti i cili tha se Nysret Krasniqi me këtë libër ka dëshmuar njohje të letërsisë shqipe, metodë të thellë hulumtimi dhe shpërfaq shkrim kritik të argumentuar.

“Nysret Krasniqi në këtë libër dëshmon, njohje të letërsisë shqipe përfaqëson metodë hulumtimi të thellë letrare, shpërfaqë shkrim kritik të argumentuar, e tëra kjo e sistemuar në një sistem monografik që përballë estetikën letrare me rrethana përtej letrare të letërsisë shqipe të shekullit 20-të. Kjo vepër me etiketën e akademisë sonë nderon kolanën e botimeve të kësaj akademie”, ka thënë Sabri Hamiti.

Ai tutje u shpreh se shkrimi i tij kritik është prodhim i dijeve letrare moderne me metodën dhe cilësinë e argumentimit.

“Ky shkrim, kreativitetin e kritikës  e shpreh duke e qartësuar dhe shpjeguar tekstin për ta kthyer në ligjërim racional dhe sistematik”, ka thënë Hamiti.

Ndërsa panelisti tjetër i cili e mori fjalën menjëherë pas Hamitit, ishte Rexhep Ismajli i cili tha se përmbajtja dhe vlera e këtij libri ka mundësi që të flitet nga aspekte të ndryshme dhe se çdo gjë që thuhet nuk i kalon caqet e një përshtypje.

“Uroj që jeta e librit të shkoj shumë më përtej se përshtypjet tona dhe të nxisë diskutime të nevojshme në këto fusha në shtjellimin e rivlerësimeve në rrafshe brezash, edhe të brezave më të hershëm që janë aktiv në jetën letrare, kulturore e shkencore”, ka thënë Ismajli.

Profesor Ismajli më tutje tha se te libri “Ekuilibri Letrar” autori i ka trajtuar vlerat e vërteta letrare.

“Nysret Krasniqi në librin e tij të përqendruar tek ekuilibri letrar ka zgjedhur të flasë për vlerat e vërteta letrare dhe për nevojën që ato të shihen në prizmin e ligjësive autonome, estetike të letërsisë. Si për një çështje madhore të vështrimeve tona në këtë fushë me intensa themelore të shpalosjes së përpjekjeve për të ikur nga ato shtrëngesa, pasojat e të cilave nuk kanë qenë shumë fatlume për zhvillimin në letrat tona. Dhe me këtë ai ka sjellë diskutimesh të qeta, me dije e sens dhe pa impenjime tensionuese.”

Ndërsa recensenti Ali Aliu tha se është kënaqësi të flasë për Nysret Krasniqin, sipas tij për një autor vërtetë të rëndësishëm të letërsisë shqiptare.

“Kam kënaqësi të flasë për herë të parë për një studiues, për një autor vërtetë të  rëndësishëm të letërsisë sonë, për Nysret Krasniqin. Në fillim do të veçoj disa karakteristika të tij. Zakonisht kemi prirje të themi për dikë i veçantë, por Nysreti është vërtet i veçantë në shkencën letrare të shqipes”, ka thënë profesor Aliu i cili u shprehë se autori ka trajtuar në libër ndikimet e jashtme të cilat e pengojnë dhe e çrregullojnë ekuilibrin letrar duke theksuar tutje që Krasniqi gjithnjë del këmbëngulës në idetë e veta.

“Ai insiston, ai e vizaton gjendje e një letërsie, të një problemi, të një autori dhe në fund kërkon zgjidhje dhe atë e ka me këmbëngulje. Këtë po e bëjmë që të mos ndodhë kjo ose që ndikimi të mos e zhbëjë, të mos e çrregullojë ekuilibrin estetik të letërsisë. Do me thënë, e konstaton gjendjen dhe është këmbëngulës në synimet e veta”, tha Aliu.

Ndërsa krejt në fund, fjalën e mori vetë autori Krasniqi i cili foli më shumë rreth idesë së librit ku nisi me atë se si lakmia për të renë që buron nga filozofemat e pamatura të dëshirës për pushtet, e shtyp gjithnjë ndjeshmërinë shpirtërore.

“Lakmia për të renë, e cila buron nga somatika e ndihmuar nga filozofemat e pamatura të dëshirës për pushtet gjithnjë e shtyp ndjeshmërinë shpirtërore, e cila është nostalgji  e metafizikë dhe e cila deri më sot s’ka gjetur formë më sakrale të shprehjes së saj se sa në artin letrar”, ka thënë autori Krasniqi.

Libri paraqet atë se si idetë e reja nuk burojnë nga anonimitetet popullore por nga librat e vjetër të autorëve klasikë që u japin kuptim e ndjeshmëri kulturës autentike sepse nëse ndodh e kundërta sipas tij lakmia për të renë pa logosin e të vjetrës, na dërgon në ironi negative e në tallje infinite.

“Libri ngulmon se filozofemat e së resë ruajnë ekuilibrin me “traditën e  vdekur”, vetëm nëse dalin si logos e thymos prej saj. Idetë e reja nuk burojnë nga anonimitetet popullore por nga librat e vjetër të autorëve klasikë, të cilët i japin kuptim e ndjeshmëri kulturës autentike në hapësirën gjeografike nacionale. Nëse ndodh e kundërta, lakmia për të renë pa logosin e të vjetrës, na qon në ironi negative e në tallje infinite, me rrezikun final indiferencën ndaj letërsisë dhe kulturës nacionale dukuri të cilat ky libër i kundërshton”, ka thënë për fund autori i librit Nysret Krasniqi me çka edhe u përmbyll kjo ngjarje e frytshme për diskutimet intelektuale dhe shkëmbimet kulturore. / KultPlus.com

Portreti i Pikasos që përshkruan të dashurën e tij, pritet të shitet për 120 milionë dollarë

Piktura në vaj e vitit 1932 do të jetë pika qendrore e një ankandi dyditor në Sotheby’s në Nju Jork në nëntor, duke shfaqur vepra arti nga koleksioni Emily Fisher Landau.

Bota e artit po gumëzhin nga pritjet pasi një kryevepër mahnitëse nga Pablo Picasso, e titulluar “Femme a la montre”, është zbuluar në Dubai si pjesë e turneut para ankandit.

Përkon me 50-vjetorin e vdekjes së artistit legjendar, vepra do të vihet në dispozicion në nëntor si pjesë e një shitje dyditore që paraqet koleksionin e njohur të artit të së ndjerës, Emily Fisher Landau.

Vepra e artit, e cila ka përmasa 130 x 96,5 cm, përshkruan të dashurën e Picasso-s Marie-Thérèse Walter, e cila u shfaq në shumë prej portreteve të tij dhe shpesh përmendet si “muza e artë” e piktorit spanjoll.

Ajo pritet të arrijë shumën e 120 milionë dollarëve.

Doruntina Kastrati do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Venedikut 2024

Doruntina Kastrati do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen e Venedikut 2024, ka bërë të ditur Hajrulla Çeku, ministri i Ministrisë së Kulturës.

Më poshtë po sjellim njoftimin e plotë të ministrit Çeku.

“Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, kuruar nga Erëmirë Krasniqi dhe me komisionere Hana Halilaj, është vepra e përzgjedhur nga juria në mesin e 8 propozimeve sa ishin.

Artistja ka propozuar një instalacion skulpturor që trajton punën e feminizuar, pabarazitë në vendin e punës dhe pasojat e tyre.

Padyshim ky projekt ka potencial të madh për t’u bërë një hap i rëndësishëm në trajektoren e Pavijonit të Kosovës. Përgëzime dhe shumë suksese në Bienale./ KultPlus.com

Ekspozitë në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtares Helena Kadare

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtares Helena Kadare, hapi një ekspozitë me kontributin e saj si shkrimtare, përkthyese dhe redaktore.

Në këtë ekspozitë u prezantuan disa materiale, duke nisur nga novela e saj e parë “Shuaje dritën Vera” botuar në vitin 1966, për të vijuar më tej me romanet “Një lindje e vështirë” (1970); “Nusja dhe shtetrrethimi” (1978); “Bashkëshortët” (1981); “Një grua në Tiranë” (1994); “Zëri i njeriut të humbur” (1994) dhe “Kohë e pamjaftueshme” (2011).

Krahas krijimtarisë së saj, janë ekspozuar edhe përkthimet e disa veprave të Isaac Bashevis Singer, Yasushi Inoue, Junichiro Tanizaki, Anna G. Dostoevskaâ, Christopher Andersen etj.

Një vend të veçantë zë edhe kontributi i Helena Kadaresë si redaktore e një sërë monografish dhe botimesh të rëndësishme.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSh-së. / KultPlus.com

Olimpiada e Sporteve dhe Lojërave Tradicionale Shqiptare vjen më 1 tetor në Prishtinë

Olimpiada më e madhe e Sporteve dhe Lojërave Tradicionale Shqiptare në Kosovë po vjen më datë 1 tetor.

Ky organizimin shumë i veçantë do të mbahet nga ora 10:00 deri në ora 17:00 në Parkun e Gërmisë dhe Amfiteatrin e Pishinës, në Prishtinë.

Organizatorët kanë bërë thirrje që t’i bashkoheni në këtë eksplorim të trashëgimisë tonë kulturore përmes sporteve dhe lojërave tradicionale shqiptare.

Kjo ngjarje vjen e organizuar nga PR Solutions me mbështetjen e Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com

Vdes mjeku dhe ish-ushtari i UÇK-së, Shukri Gërxhaliu

Ka vdekur sot, në moshën 70 vjeçare, doktori dhe ish-ushtari i UÇK-së, Shukri Gërxhaliu.

Lajmi është bërë i ditur nga familjarët të cilët edhe kanë njoftuar se varrimi bëhet nesër me kohë të drekës në Studime të Vushtrrisë.

Më 20 shkurt të këtij viti Dr. Shukri Gerxhaliu, u nderua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me Medaljen Presidenciale te Meritave për kontributin e dhënë gjate luftës në Kosovë.

Për ndarjen nga jeta të Gërxhaliut kanë reaguar edhe nga Qendra Kombëtare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës – QKRMT ku përmes një statusi në rrjetet sociale janë shprehur se Gërxhaliu ishte një individ i jashtëzakonshëm, një mjek i cili më përkushtim, dhembshuri e humanizëm preku jetët e individëve të panumërt gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Tutje nga QKMRT janë shprehur se Gërxhaliu ilustron vlerat e vetëmohimit dhe ndjeshmërisë, duke shkuar përtej ofrimit të kujdesit, duke qenë edhe ngushëllim për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ky është postimi i plotë nga QKRMT:

Në kujtim të mjekut z. Shukri Gërxhaliu

Sot, me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të një individi vërtet të jashtëzakonshëm – një mjeku, përkushtimi, dhembshuria dhe humanizmi i të cilit preku jetën e individëve të panumërt gjatë dhe pas luftës së Kosovës.

Si bashkëpunëtor i QKRMT-së, z. Gërxhaliu ilustron vlerat e vetëmohimit dhe ndjeshmërisë, duke shkuar përtej ofrimit të kujdesit, duke qenë edhe ngushëllim për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Përpjekjet e tij të palodhura dhe angazhimi i palëkundur ofruan shpresë dhe ngushëllim për ato dhe ata që kishin duruar vuajtje të paimagjinueshme.

Trashëgimia që z. Gërxhaliu la pas, nuk kufizohet vetëm në trajtimet mjekësore, por rrezaton edhe në mirësinë dhe dhembshurinë e thellë që ai ndau me çdo pacient. Doktor Shukriu, na kujtuan të gjithëve fuqinë e njerëzimit për të shëruar dhe për t’u ngritur edhe në kohërat më sfiduese.

Kujtimi i tij do të mbetet përgjithmonë i gdhendur në zemrat tona dhe trashëgimia e tij e humanizmit do të vazhdojë të na frymëzojë.

U prefsh ne paqe i nderuar doktor. Do të na mungosh thellësisht, por trashëgimia juaj e dashurisë dhe humanizmit do të vazhdojë të gjallërojë tek të gjithë bashkëpunëtorët tuaj dhe gjithë ata të cilëve ju keni dhënë ndihmë dhe shpresë në kohërat më të vështira. / KultPlus.com

MKRS dhe Ambasada e SHBA-së: Partneritet për ruajtjen e Lokalitetit Arkeologjik të Dresnikut

Nëpërmjet një bashkëpunimi shumë të ngushtë ndërmjet institucioneve profesionale dhe Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, projekti: Ruajtja e Lokalitetit Arkeologjik të Dresnikut, është përzgjedhur një nga 6 projektet nga rajoni i Evropës dhe Euro-Azisë, për tu financuar nga Fondi i Ambasadorit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Minstri Hajrulla Çeku së bashku me Ambasadorin e SHBA-së, Jeffrey Houvenier, sot kanë nënshkruar Memorandumin e bashkëfinancimit, i cili paraqet hapin e parë drejt ruajtjes dhe promovimit të Dresnikut si lokalitet i trashëgimisë kulturore me potencial për zhvillim të turizmit kulturor.

Nëpërmjet këtij fondi, në bashkëpunim me ekspertët vendorë e ndërkombëtarë, do të zhvillohet dokumentimi dhe plani i menaxhimit dhe i konservimit të këtij lokaliteti. Ruajtja dhe menaxhimi adekuat i këtij lokaliteti do të mundësojë qasjen e publikut, ruajtjen e dëshmive materiale, përfshirë edhe mozaikun e jashtëzakonshëm, duke mundësuar kështu promovimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore për publikun vendor dhe vizitorët e huaj.

Krahas këtij bashkëpunimi të rëndësishëm, MKRS ka ndërmarrë hapat për sigurimin e qasjes për hulumtim dhe shfrytëzim të pronave ku gjendet lokaliteti, duke iniciuar procesin e shpronësimit të parcelave pranë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Shumë shpejt pritet finalizimi i elaborateve, dhe marrja e vendimit të parë në Qeveri për procedurën e shpronësimit.

Sipas MKRS, në këtë mënyrë po sigurohet që asetet e trashëgimisë arkeologjike e kulturore të marrin vëmendjen e duhur, përmes mbështetjes financiare, ekspertizës shkencore profesionale dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. / KultPlus.com

Ekspozitë kushtuar familjes Zorba, me rëndësi për trashëgiminë kulturore shqiptare

Ekspozita e hapur një ditë më parë, në Shkodër, në kujtim të Terezina dhe Zef Zorba është një ngjarje e rëndësishme për trashëgiminë kulturore shqiptare.

Nëpërmjet materialeve të përzgjedhura nga fondi privat i familjes Zorba, kjo ekspozitë ofron një pasqyrë të thellë të jetës dhe veprës së tyre.

Zef Zorba, shquhej si regjisor, përkthyes dhe poet. Përmes veprave të tij, ai ngrihej mbi diktaturën e kohës, duke lënë një ndikim të madh në letërsinë shqiptare të ndaluar.

“Drita e dijes dhe shpresës që ai sjell me tekstet e tij është një kujtim i rëndësishëm për kohën tone”, shkruan Bashkia Shkodër, në një postim në rrjetet social, ku ndau edhe nje album fotografik me pamje nga përurimi i ekspozitës. / KultPlus.com

Konjufca: Masakra e Abrisë, një nga emrat e gjenocidit serb mbi shqiptarët

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme, në nderim të të vrarëve në masakrën e 26 shtatorit 1998, të kryer nga forcat pushtuese serbe. Në atë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre fëmijë, gra e pleq.

“Ata nuk kursyen as fëmijët, as gratë e as të moshuarit, nga mosha 3-muajshe deri në 94 vjeç. Nuk kursyen asnjë anëtar të familjes Deliu atë paradite të 26 shtatorit në vitin 1998 në pyjet afër fshatit ku jetonin, në Abri të Drenicës. Të vrarë mizorisht nga afërsia, kjo ngjarje tronditi edhe mediat botërore”, shkroi Konjufca.

Masakra e Abrisë, sipas tij, sjell në vëmendje fushatën ushtarake gjenocidale të aparatit shtetëror serb mbi popullin shqiptar në Kosovë. Kjo masakër, siç tha ai, është një nga emrat e gjenocidit, “një ndër thirrjet e ndërgjegjes sonë të përbashkët për drejtës”.Gjatë homazheve në Abri, Konjufca edhe një herë thekson se drejtësia akoma nuk është vendosur në vend, pa të akuzuar, pa të dënuar dhe pa përgjegjës për këtë krim makabër.

“Asnjëherë nuk duhet të pushojmë së thëni se drejtësia e munguar është premtim për padrejtësi dhe krim të ardhshëm të synuar dhe këtë shteti serb nuk ka reshtur së konfirmuari përmes akteve të shumtë deri më sot”, ka deklaruar Konjufca. / Express / KultPlus.com

Galeria e Arteve në Ferizaj shpall konkurs për artistë pjesëmarrës në “Ekspozita shëtitëse”

Asociacioni i Artistëve Vizuel të Kosovës në bashkëpunim me ShAF “Zef Kolombi” dhe Galerinë e Arteve Ferizaj organizojnë ekspozitë kolektive “Ekspozita Shëtitëse”, përcjell KultPlus.

Ky projekt do të mbahet në 6 komunat e Kosovës si në: Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë, Prizren, Pejë dhe Prishtinë.

Andaj, ftohen të gjithë artistët profesionistë ferizajas nga fusha e artit pamor që të aplikojnë për pjesëmarrje me punimet e tyre artistike.

Rregullat:

• Të drejtë konkurrimi kanë artistët vetëm nga Ferizaj;

• Artistët profesionistë dhe studentë nga viti i parë e tutje, mund të konkurrojnë me nga një vepër artistike, të pa ekspozuar më parë në Galerinë e Arteve – Ferizaj;

• Punimet do t’i nënshtrohen përzgjedhjes dhe vlerësimit nga juria profesionale;

• Veprat duhet t’i posedojnë këto të dhëna; Emri e mbiemri, titulli, teknika, viti etj;

• Tema është e lirë;

• 5-6 veprat më të arrira do të përzgjidhen nga juria profesionale, ku me këto vepra pastaj do të mbahet një ekspozitë kolektive me gjitha komunat në Tiranë

Afati i fundit për aplikim:

Punimet mund të dorëzohen çdo ditë pune në Galerinë e Arteve në Ferizaj (prej orës 09:00-15:00), nga data 26 Shtator 2023 deri më 05 Tetor 2023.

Tërheqja e punimeve duhet të bëhet jo më larg se dy javë pas mbylljes së ekspozitës, pas këtij afati kohor Galeria e Arteve – Ferizaj nuk mban përgjegjësi për veprat.

Ekspozita kolektive është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Plotë të Armëve Bërthamore

Sot është Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Plotë të Armëve Bërthamore.

Arritja e çarmatimit bërthamor global është prioriteti më i lartë i Kombeve të Bashkuara për çarmatimin. Ishte objekt i rezolutës së parë të Asamblesë së Përgjithshme në 1946, e cila themeloi Komisionin e Energjisë Atomike (shpërbërë në 1952), me një mandat për të bërë propozime specifike për kontrollin e energjisë bërthamore dhe eliminimin e armëve atomike dhe të gjitha armëve të tjera të shkatërrimit në masë.

Kombet e Bashkuara kanë bërë përpjekjeve të mëdha diplomatike për çarmatimin bërthamor. Çdo Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së e ka promovuar në mënyrë aktive këtë qëllim.

Megjithatë, sot kanë mbetur rreth 12,512 armë bërthamore. Vendet që posedojnë armë të tilla kanë plane afatgjata të mirëfinancuara për të modernizuar arsenalin e tyre bërthamor. Më shumë se gjysma e popullsisë së botës ende jeton në vende që ose kanë armë të tilla ose janë anëtarë të aleancave bërthamore.

Ndërsa numri i armëve bërthamore të vendosura ka rënë ndjeshëm që nga kulmi i Luftës së Ftohtë, asnjë armë bërthamore nuk është shkatërruar fizikisht në përputhje me traktatin. Për më tepër, asnjë negociatë për çarmatimin bërthamor nuk është duke u zhvilluar aktualisht. / atsh / KultPlus.com

Filmi “Alexander”, i Ardit Sadikut, kandidatura e Shqipërisë për në çmimet Oscar

Filmi “Alexander” është kandidatura e Shqipërisë për në edicionin e 96-të të çmimeve “Oscar”. Qendra Kombëtare e Kinematografisë njoftoi se komisioni i saj, i përbërë nga 5 anëtarë, përzgjodhi filmin dokumentar me regji të Ardit Sadikut.  QKK shprehet se dokumentari “Alexander” nga Ardit Sadiku, do të përfaqësojë këtë vit Shqipërinë në kategorinë “International Feature Film”.

Përzgjedhja u bë nga Komisioni i ngritur me Urdhër nr.332, datë 23.08.2023, të Mbikëqyrësit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Zerina Bruci. Komisioni përbëhet nga Arben LAMI (kryetar) dhe 4 anëtarë: Gerta Qurku, Eno Milkani, Genc Përmeti dhe Florenc Papas.

“Një ngjarje sa e rrallë, dhe po aq përfaqësuese e shumë të tjerave që dëshmojnë sakrificat e jashtëzakonshme të shqiptarëve për liri, është subjekti i këtij dokumentari”, shkroi Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Dokumentari rrëfen historinë e mekanikut të flotës detare Aleksandër Gruda, i cili në vitin 1990 rrëmbeu një anije luftarake dhe u arratis nga Shqipëria. Liria për të dhe familjen e tij, erdhi vetëm në këmbim të një sakrifice të madhe.

Çmimet Oscar do të akordohen nga The Academy of Motion Pictures Arts and Sciences në ceremoninë e përvitshme, më 10 mars 2024./ atsh / KultPlus.com

Mediat e huaja “jehonë” Ermonela Jahos, sopranoja luan në veprën e njohur të Puccinit në Zvicër

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho luan në “La rondine” të Puccinit në Operën e Zürichut.

Sipas medias së njohur spanjolle, Platea Magazine, Jaho, një nga zërat më të rëndësishëm të kohëve të fundit në repertorin Puccinian, me krijime që kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm në role si Cio-Cio-San, Liù, Mimì apo Suor Angelica, do të luajë sërish në “La rondine”, një prodhim nga Christof Loy, në Operën e Zürichut.

Shfaqjet do të zhvillohen nga data 17 shtator deri më 28 tetor, të zgjedhura nga Revista Platea si pjesë e 100 operave dhe shfaqjeve thelbësore të sezonit 2023-2024.  Ato do të kenë stafetën e Marco Armiliato-s, si dhe Ruggero-n e Benjamin Bernheim-it, Rambaldo-n e Vladimir Stoyanov-it, Prunier-in e Juan Francisco Gatell-it dhe Lisette-n e Sandra Hamaoui-t, dhe shumë emra të tjerë të famshëm./abcnews.al / KultPlus.com

Ditët Europiane të Trashëgimisë kulmojnë me Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore

Java e fundit e muajit shtator, shënon edhe fillimin e “European Heritage Days”, Ditët Europiane të Trashëgimisë, e cila kulmon me “Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, më 29 shtator.

Si çdo vit, kjo nismë e hershme e vitit 1985 e Këshillit të Europës, e cila celebrohet gjerësisht në rreth 50 vende te Europës, tashmë është shndërruar në një aksion të përbashkët të të gjithë aktorëve të trashëgimisë kulturore, nëpërmjet realizimit të aktiviteteve kulturore në monumente, parqe arkeologjike, muze e galeri.

Tema e përbashkët e lançuar nga Këshilli Europian, për vitin 2023, është Living Heritage (Trashëgimia e gjallë).

Living Heritage i referohet praktikave, dijebërjes dhe aftësive të trashëguara brez pas brezi dhe të sjella deri në ditët tona. Tërësia e aftësive, zanateve dhe profesioneve shërbejnë për të mbajtur gjallë trashëgiminë nga brezi në brez në mënyra të ndryshme. Tema e vitit 2023 mundëson evidentimin e punës që mban gjallë trashëgiminë në ditët e sotme, falë njerëzve që transmetuan dijebërjen dhe siguruan vazhdimësinë e saj. Tërësia e aftësive, praktikave si edhe mënyra e transmetimit të tyre pasqyrojnë identitetin dhe vazhdimësinë, një proces i cili është në lëvizje të përhershme.

Trajtimi i temës së trashëgimisë së gjallë, krijon mundësinë e eksplorimit thellësisht duke promovuar diversitetin kulturor dhe kreativitetin. Në kuadër të kësaj teme, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, organizon një sërë aktivitetesh me nxënësit e shkollave në monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike, të cilat do të finalizohen, me aktivitetin “Zeje – Avaze – Polifoni – Kulinari”, aktivitet i cili vjen falë bashkëpunimit me Bashkinë Selenicë. / atsh / KultPlus.com

Koloneli Aubrey Herbert, miku i madh i shqiptarëve

Më 26 shtator 1923, u nda nga jeta koloneli i nderuar dhe miku i madh i shqiptarëve, Aubrey Herbert. Kontributi i tij për Shqipërinë ishte aq i vyer sa u vlerësua duke iu ofruar dy herë froni i Shqipërisë.

Herbert ishte një ushtar britanik, diplomat, udhëtar dhe oficer i inteligjencës. Ai u bë një mbrojtës pasionant i pavarësisë së Shqipërisë, pasi kishte vizituar vendin në 1907-n, në 1911-n dhe në 1913-tën.

Nga viti 1911 deri në vdekjen e tij, ishte një anëtar konservator i Parlamentit Britanik. Koloneli Herbert vuajti gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij nga shikimi i dobët dhe ishte pothuajse i verbër në moshën 40-vjeçare.

Pas vdekjes së Herbert, nëna e tij Elisabet Karnavon, dha një ndihmë të madhe për Shqipërinë duke ndihmuar në ngritjen e një biblioteke, hapjen e shumë shkollave, në emancipimin e gruas, si edhe u angazhua edhe për sjelljen e ndihmave në fushën e shëndetësisë etj.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell foto-portretin e Herbert-it dhe një foto e ballinës së gazetës “Afrimi” me një artikull kushtuar kolonelit në vitit 1924./ atsh / KultPlus.com

Vizitë e delegacionit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Akademinë e Shkencave të Lituanisë

Delegacioni u prit nga zëvendëspresidenti i Akademisë së Shkencave të Lituanisë, prof. Zenonas Dabkevičius, dhe më pas vizituan së bashku Universitetin e Vilniusit, ku u takuan me zëvendësrektoren dhe prorektoren për kërkime, prof. Edita Sužiedėlienė.

Gjatë takimit, të dyja palët shprehin interesin e lartë për bashkëpunime më të ngushta në të gjitha fushat studimore.

Vizita katërditore do të kulmojë sot me një mbledhje ceremoniale të Presidiumit të Akademisë së Shkencave të Lituanisë, ku do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave të Lituanisë dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Delegacioni përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë vizitoi Qendrën e Shkencave të Jetës, ku u prit nga drejtori prof. Daumantas Matulis dhe prof. Aurelija Žvirbliene. Aty u njohën me funksionimin dhe organizimin e qendrës studimore që është një nga institucionet më të rëndësishëm kërkimoro-shkencore në Lituani.

Mbresëlënëse ishte edhe vizita në Institutin e Letërsisë dhe Folklorit Lituanez, ku në takimin me drejtoreshën prof. dr. Aušra Martišiūtė-Linartienė, u diskutua për prioritetin që i japin të dyja akademitë kombëtare të shkencave, përkatësisht albanistikës dhe lituanistikës, krahas shkencave të sakta./atsh/KultPlus.com

Vasillaq Vangjeli një vlerë e shtuar e traditës shqiptare të humorit dhe artit skenik

Tradita shqiptare e artit komik është padyshim një nga thesaret e kulturës sonë kombëtare. Rrugëtimi i kahershëm i kësaj marrëdhënie vlerash dhe përfaqësimi është gjithçkaja dëshiruese e shumë personaliteteve të shquara, ndër të cilët rrekemi të veçojmë Vasillaq Vangjelin.

Më shumë se një vlerësim për punën dhe kontributin që ai ka dhënë në pasurimin e kësaj tradite, kjo ndërmendje është shkas përshpirtje në përvjetorin e vdekjes. Vasillaq Vangjeli ishte dhe mbeti, për tu përjetësuar në panteonin e vlerave të artit skenik shqiptar një zë dhe një karakteristikë, një profil dhe një tipar, unik. Kjo është thelbësore në art, këtë e jetësoi ai në skenë.

Vasillaq Vangjeli njihet kryesisht si aktor komik. Ai i lindur në 19 shkurt 1948 dhe u shua më 26 shtator 2011, ende pa mbushur 64 vjeç pas një bashkëjetese dhe lufte të gjatë me diabeti. Për më shumë se 45 vjet në skenë, Vangjeli ka luajtur mbi 100 role në teatër, kinematografi dhe estradë.

Në vitin e tretë të Mjekësisë, Vasillaq Vangjeli e braktis shkollën për të hyrë në Institutin e Lartë të Arteve (vitet 1973-1975). Pas përfundimit të tij e çuan për të bërë stazhin në teatër. Nga Teatri Popullor e kaluan në Estradën e Shtetit si aktor i humorit dhe që nga viti 1976 deri më 1 prill 2005 ka qenë aktor dhe regjisor në estradë dhe aktor i Estradës së Tiranës. Në këto kushte aktivizohej që atëherë në Estradën e Shtetit, që nga viti 1967-1968 kur ka qenë regjisor Bujar Kapexhiu.

Për rreth 45 vjet në skenë, me intuitë të hollë e spontanitet të admirueshëm Vangjeli ka bërë për vete me qindra-mijëra spektatorë duke u kthyer kështu në një ndër artistët më të dashur për ta e sidomos në fushën e humorit e të skenës. Ka qenë ndër artistët më të rëndësishëm të Estradës së Tiranës duke luajtur pothuaj në të gjitha premierat. Është një aktor me diapazon të gjerë, vokal, vesh absolute, humorist, recitues. Aktor tragjik-komik me cilësi të mëdha artistike, intuitë e depërtues i thellë në tipa e karaktere, këto janë disa nga cilësitë e Vasillaqit, i cili me mjeshtëri e finesë di ti verë në shërbim të asaj çfarë ai bën. Humorin nuk ta jep shkolla. Ajo vetëm të zhvillon, të drejton nëpërmjet dhuntive të lindura. E kështu ndodh edhe me Vasillaqin. Humori është i lindur që me lindjen e tij. Në rininë e hershme, sapo kishte mbaruar Akademinë e Arteve për aktrim, i filluan peripecitë e punës apo të emërimit ku do të punonte. Djalë i formuar e plot dëshirë. Kërkonte me çdo kusht të fillonte aktrimin në Teatrin Kombëtar, aq më tepër i dhanë edhe një rol tek drama “Lëvizja” me regji të Pirro Manit, rol që e realizoi me sukses. Por megjithatë, mendimi i partisë ishte që ai të shkonte në Estradën e Tiranës ku edhe e emëruan. Urdhëri ishte urdhër pavarësisht kërkesave e letrave të artistëve të teatrit të cilët kërkonin ta mbanin në kolektivin e tyre. E Vasillaqi nuk donte të shkonte, por pa punë nuk rrihej. Frikë kishte se mos e degdisnin në ndonjë vatër kulturore të humbur, si hakmarrje për moszbatim urdhri. E kështu përfundoi aktor në teatrin e Estradës së Tiranës deri në fundin e merituar të kësaj të fundit.

Estrada nuk e deshi në fillim, punonte pa dëshirë, pa vëmendje. Bënte mungesa në punë, role pa cilësi. Por është po ky artist që u lidh aq shumë me estradën, me humorin, instrumentet, paroditë sa nuk shpjegohet dot më. Më pas Estrada u bë vendi ku shpërfaqi me të gjitha energjitë krijuese talentin dhe vlerat etike, u bë vendi ku realizoi ëndrrën aktoreske. Vlerat i maten me rolet e interpretuara, e nuk janë pak. Të freskët e cilësor e plot shaka. I kalojnë të 100 role të krijuara në estradë, teatër, kinematografi, etj. Të gjithë i kujtojnë : dhëndrin Koçi tek “Zonja nga qyteti”, “Një gjel në qymez”, “Një mburravec që ka frikë nga pëllitja e lopës”, “Dordoleci”, “Donkishoti”, ose rolin e Lolos, një lolo tragjik-komik me nuanca tepër fine të interpretimit. Të shumtë janë rolet në Estradë si : tek komedia e Vodvil “Mirelo”, Xhixh, “Pa martuar 50-vjeçar” apo të kujtojmë skeçet e paroditë. Tani është i angazhuar me një rol në komedinë “HARVEY”. Komedi e bukur, rol i bukur. Regjia është e Hervin Çulit. Më pas ka regjinë e një varjetee, a një tjetër ftesë në Teatrin Kombëtar, e pastaj një tjetër ftesë…Vaso tani nuk punon më si aktor profesionist pranë ndonjë institucioni. Ai doli në asistencë si e gjithë trupa e Estradës së Tiranës. Shtëpinë e tij e ka kthyer në lokal ku argëton të tjerët, por argëtohet edhe vetë. I shkojnë vazhdimisht miq e shokë, kolegë. Edhe aty humorin nuk e lë, me barcaleta, ngjarje të vërteta e të sajuara. “pjesë e profesionit”- thotë. E kështu jeta e Vasillaqit do të vazhdojë dhe ai përsëri do të bëjë humorin e tij në vorbullën e ekonomisë së tregut. / Nga Albert Vataj / KultPlus.com

32 vjet nga referendumi për pavarësi të Kosovës

Më 26 shtator të vitit 1991 është mbajtur referendumi për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur.

Në këtë ditë, me shumicë absolute janë deklaruar pro pavarësisë së Kosovës, me ç’rast u vërtetuan edhe Deklarata e Pavarësisë dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u patën miratuar një vit më parë dhe u pasuan me mbajtjen e zgjedhjeve të para demokratike, parlamentare e presidenciale, të vitit 1992.

Referendumi për Pavarësinë e Kosovës u shënua në të gjitha dokumentet relevante ndërkombëtare si një akt sublim i vullnetit politik të popullit të Kosovës.

referendumi

Sot, 25 vite nga masakra e familjes Deliu në Abri të Epërme

Sot, janë bërë 25 vite nga masakra në fshatin Abri e Epërme, të cilën e kryen forcat serbe më 26 shtator 1998.

Në këtë ditë u masakruan 23 antarë të familjes Deliu, të cilët nga 25 shtatori ishin strehuar në mal për t’iu shpëtuar sulmeve serbe. Të nesërmen rreth orës 10:00 në atë vend kishin depërtuar forcat serbe duke ekzekutuar të gjithë familjen, në mesin e të cilëve pati edhe gra, fëmijë e pleq (që nga mosha gjashtë muajshe deri në 94 vjeç).

Pas sulmit ishte zbuluar se të gjithë antarët e familjes Deliu, ishin qëlluar për së afërmi në kokë./KultPlus.com

Marsh paqësor për solidarizim me familjen e Heroit Afrim Bunjaku

Me moton “Stop diskriminimit të qytetarëve, solidarizim me familjen e Heroit të Kosovës – Afrim Bunjaku, i vrarë në veri”, është paralajmëruar që sot do të organizohet takim motivues i një Marshi Paqësor.

Bëhet e ditur se organizimi mbahet në sheshin “Ibrahim Rugova”, me fillim nga ora 11:00./KultPlus.com

‘Atdheu është dhimbje, është dhimbje’

Poezi nga Fatos Arapi

Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
një prill i pikëlluar në shpirt.
atdheu është kryqi, është kryqi
e mban dhe të mban ty në shpirt.

atdheu është toka e premtuar.
ti shkel si një zot dhe se ka nden këmbë.
atdheu ska fjale , ka sy te trishtuar.
vdes dashuria në dashuri që të çmend.

atdheu është buka e uritur.
të ikën nga duart e dot nuk të ngopë
ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur
me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

atdheu është varr i hapur, është varr.
një jetë drejt tij shkon me besë që lind.
në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë.
në një pikë loti lirinë e lind.

atdheu yt i vogli , i vogli
ai hyjnori i pavdekshmi si loti./ KultPlus.com

Kisha Shqiptare ‘Shën Kozmai’ mallkon kishen serbe dhe jep disa vendime kanunore kishtare

Kisha Shqiptare “Shën Kozmai”, ka bërë të ditur që kjo kishë ka vendosur Vendim Kanunor Kishtar ndaj kishës serbe.

Përmes një njoftimi në facebook është bërë e ditur se “Shën Kozmai” mallkon kishen serbe.

Sipas tyre, ky vendim parasheh edhe mosnjohjen e asnjë dokumenti që lëshohet nga kisha serbe.

Postimi i plotë:

Vendim Kanunor Kishtar!

Me vendim të Këshillit të Kishës Ortodokse Kombëtare Shqiptare dhe me bekimin e kreut të Kishës sonë, zotit at Nikolla Xhufka, është vendosur:

1- Kisha jonë mallkon kishen serbe dhe kreun e saj, Patriarkun Profire.

2- Ndarja kanunore me çdo kishë serbe në Serbi ose në mbarë botën.

3- Shpalljen heretik të çdo kleriku serb.

4- Mosnjohjen e kishës serbe si kishë paqësore të krishterë.

5- Mosnjohjen e asnjë dokumenti që lëshohet nga kisha serbe (certifikata pagëzimi, kurorëzimi etj.)

6- Ndalimin e hyrjes se çdo prifti serb në kishën shqiptare.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë./KultPlus.com