Vdes solisti i Ansamblit ‘Rugova’, Kryeministri Kurti: U dha shpirt melodive që burojnë ndër shekuj Grykës së Rugovës

Ka vdekur malsori dhe anëtari i dhe Ansamblit Folklorik Autokton “Rugova”, Kapllan Nikçi.

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur ngushëllime duke thënë se Nikçi ishte figurë mbresëlënëse që la pas thesar të pasur kulturor dhe shpirtëror.

“Me zërin e tij, u bë urë lidhëse mes të kaluarës dhe së tashmes. U dha shpirt melodive që burojnë ndër shekuj Grykës së Rugovës.

Ngushëllime familjes, miqve dhe Ansamblit Folklorik Autokton “Rugova” për malësorin shallbardhë, Kapllan Nikçi.

Figurë mbresëlënëse që na la pas thesar të pasur kulturor dhe shpirtëror”, është shprehur Kryeministri Kurti në facebook./KultPlus.com

 Pamje mbresëlënëse, shikoni magjinë e eklipsit të plotë të diellit (FOTO)

Eklipsi total i diellit u bë i dukshëm në rajonet e Amerikës Qendrore dhe Veriore sot, (e hënë, 8 prill). Pak pas orës 19:00, miliona njerëz panë Hënën të kalonte përballë Diellit.

Eklipsi total filloi nga Oqeani Paqësor Jugor, teksa rajonet e para të Meksikës e vëzhguan atë nga bregu i Paqësorit.

Rruga e eklipsit kaloi Meksikën dhe vazhdoi në SHBA duke kaluar përmes Teksasit, duke vazhduar në verilindje dhe më pas duke kaluar nëpër Kanada.

Sipas NASA-s, mbi 300 milionë njerëz do të kenë mundësinë të përjetojnë qoftë edhe një eklips të pjesshëm.

Sa i rrallë është një eklips total diellor?

Eklipset diellore në vetvete nuk janë aq të rralla në fakt, ka rreth dy deri në katër që ndodhin çdo vit. Por mundësia për të parë një eklips të plotë diellor është shumë më e rrallë. Toka është mjaft e madhe dhe pjesa më e madhe e saj është e mbuluar nga oqeane.

Në fakt, ky është eklipsi i parë diellor në këtë shekull që është i dukshëm në të tre vendet e Amerikës së Veriut,  SHBA, Kanada dhe Meksikë./topchanel/KultPlus.com

Macron paralajmëron Vuçiqin: Përgjegjësit e Banjskës të dalin para gjyqit për veprimet e tyre

Presidenti francez, Emanuel Macron e ka paralajmëruar presidentin Aleksandar Vuçiq, që përgjegjësit e sulmit terrorist në Banjskë, të dalin para drejtësisë.

Siç tha Macron, në një konferencë pas takimit me Vuçiqin, duhet bërë gjithçka, që ajo çfarë ndodhi vjeshtën e kaluar të mos përsëritet më, transmeton klankosova.tv.

”Është e nevojshme që nga njëra anë përgjegjësit për sulmin në Banjskë vjeshtën e kaluar të dalin para gjykatave për të dhënë përgjigje për veprimet e tyre. Duhet bërë gjithçka që të mos ndodhë një dramë e tillë përsëri”, tha Macron.

Njëra nga tri kullat e familjes Hajdini në Gjilan në fazën përfundimtare të restaurimit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se njëra nga tri kullat e familjes Hajdini në qytetin e Gjilanit është në fazën përfundimtare të restaurimit, shkruan KultPlus.

 Ministri Çeku ka bërë të ditur se kulla në fjalë i takon vitit 1947, duke potencuar se një ndërhyrje e tillë konsiderohet një investim për promovimin turistik të zonës së Gjilanit.

“Në këtë peizazh të mrekullueshëm natyror, në lagjen e quajtur Terziaj në Gjilan, gjenden shtëpitë tradicionale të familjes Hajdini. Punimet janë drejt përfundimit në njërën nga tri kullat që do të restaurohen. Në kullën e Xhelë Hajdinit, e ndërtuar në vitin 1947.

Përveç ruajtjes së dëshmive të së kaluarës, këto ndërhyrje janë një investim për promovimin turistik të zonës. Trashëgimia kulturore vazhdon të jetë prioritet qeveritar”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Veteranët e basketbollit të Kosovës fitojnë turneun në Kroaci

Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar se veteranët e Kosovës kanë fituar turneun në Zarë të Kroacisë.

Sipas një njoftimi për media ky turne është mbajtur nga 5 deri më 7 prill, derisa kanë marrë pjesë ish-basketbollistë të njohur nga Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia Veriore.

Veteranët e Kosovës që ishin ish-basketbollistë të shquar, në ndeshjen e parë në grupe, shënuan fitore ndaj O. Ugljan me rezultat 58:44, derisa në ndeshjen e dytë fituan ndaj Zmaj me rezultat 44:37.

Në finale shënuan fitore ndaj Vogoshtica Zadar me rezultat të ngushtë 58:57./KultPlus.com

Festivali ‘SITFY Polonia’ nderon aktorin Mirsad Ferati dhe dramaturgun francez Jean-Pierre Martinez


Festivali ‘SITFY Polonia’, i kryesuar nga artisti dhe regjisori Mazen El-Gharabawy, do të nderojë dramaturgun francez Jean-Pierre Martinez dhe aktorin dhe regjisorin Mirsad Ferati (Kosovë), në edicionin e tij të parë, i planifikuar të zhvillohet midis prillit (20-23). 2024. Të dy të nderuarit janë figura ikonike teatrale dhe karriera e tyre është plot me vepra të larmishme.


Dramaturgu dhe dramaturgu Jean-Pierre Martinez është shumë-talent. Ai është një akademik i diplomuar në ekonomi dhe marketing. Martinez studioi letërsi spanjolle dhe angleze në Universitetin e Sorbonës, së bashku me gjuhësinë, semiologjinë dhe skenarin. Ai gjithashtu luan bateri në shumë grupe rock. Për më tepër, ai punoi si specialist reklamash në kompani të mëdha konsulence dhe shkroi skenare televizive. Martinez dha mësim frëngjisht në një universitet në Teksas dhe dha mësime shkrimi në Paris. Aktualisht, ai është një dramaturg, dramat e të cilit prodhohen në të gjitha kontinentet e botës. Martinez shkroi mbi 100 drama dhe dramat e tij u përkthyen në shumë gjuhë, përfshirë anglishten. Ai është një nga dramaturgët më të suksesshëm evropianë. Dramat e tij interpretohen në të gjithë globin dhe mësohen në shkollat përgatitore, të mesme dhe të mesme, si dhe në universitete në Francë dhe jashtë saj.

Mirsad Ferati është aktor dhe regjisor nga Mitrovica e Kosovës. Është themelues dhe drejtor artistik i “Mittrix Fest” prej 14 vitesh. Ferati ka magjistruar për aktrim në Universitetin e Prishtinës, Kosovë. Ai luajti role të shumta në shfaqje teatrale, filma, seriale, programe radiotelevizive dhe stand-up komedi. Nga viti 2008 deri në vitin 2011 ka punuar si drejtor i Qendrës kulturore “Rexhep Mitrovica”, pastaj drejtor i teatrit profesional në Mitrovicë. Në vitin 2011, Ferati u bë aktor, shkrimtar dhe producent në Mitrix Culture. Ai është anëtar i AITA/IATA. Për më tepër, ai është themelues dhe producent i Festivalit “Të rinjtë në skenë”, dhe anëtar i rrjetit global të universiteteve teatrore, RITU.

Ferati mori çmime të shumta në festivale teatrore në mbarë botën, duke përfshirë: Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Apollo” (2012), dhe “Ditët e Komedisë Shqiptare”, Preshevë (2017). Ferati luajti mbi 50 role në skenë në “Sekretet e dashurisë”, “Gjashtë personazhe në kërkim të një autori”, “Mbretëresha pa kurora”.

Shfaqjet pjesëmarrëse, që do të garojnë për çmimet e edicionit të parë, janë si më poshtë: shfaqja e nderit, “Një vrasje e vogël e pafajshme” (Kosovë), “Twór” (Poloni), “Mos na hakmerre” (Rumani), ” Burrnesha – Virgjëresha e betuar” (Itali), “Maxima Star” (Spanjë), “Diçka po gërryen në kokën time” (Oman), “një grua në telashe” (KSA) dhe “Siemprevivas” (Spanjë)./SiftyPoland/KultPlus.com

‘Moj e mira te pojata, hije të paskan flokët e gjata’ (VIDEO)

Rok grupi kosovar MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978.

Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend.

Haki Misini, është i vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë dhe Mehmet Tupella konsiderohet ende i zhdukur.

KultPlus, sot po e sjell këngën “Moj e mira te pojata”, një ndër këngët më të famshme të këtij grupi që kanë lënë gjurmë të thella në muzikën shqiptare:

Moj e mira te pojata
Moj e mira o, te pojata, hije te paskan flokt e gjata
Hije t’paskan o, flokt e gjata, shkurtoj pak e tu preft nafaka

Syri yt vasho si filxhani, vetllat t’holla eh sikur gajtani
Shtati yt vasho si selvie, goja jote o si kutie
(Uh dala t’plastë)

Shumë o djal jam bo merakë zëmra don me m’plasë në bark
Smut jam kanë o qe sa javë nuk je ardhë me m’pa
Te kishe ardhë o dej te arra ish qu dada t’kish dal para
Po s’je ardhë o me m’pa mu prandaj mo s’të du

A s’ma falë vash syrin e zi e, ta run baca si synin e tij e
A s’ma falë vash gojën ni herë e, ta shijoj vetëm ty arblere

Uh djal i dadës
Djalë kam ra në krahror tan, shejë në faqe mos me m’lanë,
Shejë në faqe mos me m’lanë, nana më qorton
Dalim në bashqe me shetit, trëndofilet me i ujit
Du me m’than vetëm një fjalë, se të dua djalë… / KultPlus.com

Ermonela Jaho dhe Granit Musliu bashkë në një shfaqje, kritika e Oper Magazin të mrekulluar me vokalet shqiptare

Sopranoja Ermonela Jaho dhe tenori Granit Musliu pas një performace të realizuar së bashku në shfaqjen “Il trittico” me vokalet e tyre kanë mrekulluar kritikën e Oper Magazin, shkruan KultPlus.

Admirimin për performancën tyre të jashtëzoknshme në Bayerische Staatsoper, Oper Magazin e ka shprehur përmes një kritike të shkurtër, duke i cilësuar si dy zëra të jashtëzakonshëm.

“Ngrihu! KRITIKË E SHKURTËR

Rifillimi i “Il trittico” në Bayerische Staatsoper vlerësohet veçanërisht nga kasti i saj i shquar femër. Lise Davidsen pasi Giorgetta nuk është dizajneri i madh, por ka fuqi të pashtershme. Thjesht jo më mirë për të hedhur: Ermonela Jaho sesa Suor Angelica, 🤩🥵. Elsa Dreisig bën edhe një personazh (zë) të mirë si Laureta. Performanca më befasuese e këndimit: Granit Musliu po tingëllon mrekullisht Rinuccio.”, thuhet në kritikën e Oper Magazin./ KultPlus.com

“The Best European Show” vjen së shpejti në Prishtinë

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se më 25 dhe 26 prill do të shfaqet premierë në Prishtinë “The Best European Show”, që është një bashkë prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatro Due – Parma, Teatri Kombëtar Slloven – Nova Gorica, Teatr Opole dhe Teatru Malta.

Shfaqja do të shfaqet në Kosovë pas turneut në Poloni, Itali, Maltë e Slloveni.

“The Best European Show” me regji të Haris Pašovic, bashkëprodhuar nga pesë teatro evropiane, ndër ata Teatru Malta (MT), JK Opole Theatre (PL), Teatri Kombëtar Slloven Nova Gorica (SI), Teatro Due (IT) dhe Teatri Kombëtar i Kosovës (KS), është një komedi satirike për një juri eklektike evropiane që duhet të përcaktojë fituesit e festivalit të fundit teatror duke i hapur përfundimisht rrugën dixhitalizimit të teatrit”, thuhet në njoftimin e teatrit.

Juria përbëhet nga një kritik teatri, një zyrtar shtetëror, një divë, një drejtor teatri, një menaxher teatri dhe një shkrimtar, që formulojnë mendimet e tyre dhe kritikojnë çdo performancë gjatë një procesi rraskapitës të vlerësimit.

Teksti është shkruar nga Marko Bratush dhe Haris Pashoviq, regjisor është Hris Pashoviq, ndërsa do të luajnë Armend Smajli, May-Linda Kosumovic, Davide Gagliardini, Ana Facchini, Gianni Selvaggi, Philip Leone Ganado, Felix Römer, Weronika Kozakowska, Blazej Stencel, Jammeh Diangana, Paola de Crescenzo dhe Lumnije Sopi.

Kompozitor është Trimor Dhomi, dramaturg është Sean Buhagjar, koreografia nga Robert Nua dhe skenograf e kostumograf është Krystian Szymcak.

Shfaqja është në gjuhen angleze dhe do të jepet me titra në gjuhen shqipe./KultPlus.com

Përkujtohet “Artisti i Merituar”, aktori Fadil Hasa

Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, kujtoi sot aktorin Fadil Hasa, në 84-vjetorin e lindjes.

Fadil Hasa lindi në Krujë, me 8 prill 1940 dhe kreu gjimnazin “29 Nëntori” në Shkodër, ku u aktivizua në aktrim e për t’u bërë më pas i njohur si aktor me të dhëna të shprehura ndaj teatrit të varietesë, qysh me grupin e Estradës Amatore të Portit të Durrësit (1963-1970).

Falë aftësive të tij, në vitin 1970 u thirr si aktor profesionist në Estradën e Durrësit, ku punoi deri sa doli në pension, në 1993.

Gjatë karrierës së tij ka luajtur mjaft role në komedi me një akt, skeçe, parodi e pantomime, dialogje dhe forma të tjera të shkurtra të estradës.
Personazhet e shumta që Hasa ka sjellë kane marrë shumë vlerësime nga publiku.

Fadili ka shënuar emrin e tij edhe në kinematografi. Disa nga rolet e Hases janë filmat “Kronikë provinciale”, “Mao Ce Dun” & “Zëvendësi i grave”.

Fadil Hasa është nderuar 4 herë si “Aktori më i mirë i humorit”, gjithashtu me disa çmime kombëtare për kontributin e tij në fushën e aktrimit. Mbante titullin “Artist i merituar”. Fadil Hasa do të mbahet mend gjatë në kujtesën e publikut dhe artdashësve. U nda nga jeta me 16 korrik të vitit 2018. / atsh / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Komuniteti rom është pjesë integrale e shoqërisë sonë

Sot është Dita Ndërkombëtare e Romëve, një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale.

Në këtë ditë të shënuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se komuniteti romë që jeton në Kosovë është pjesë integrale e shoqërisë.

Presidentja Osmani tutje ka thënë se Kosova mbron dhe nderon trashëgiminë kulturore të komunitetit rom në vend.

“Komuniteti rom është një pjesë integrale e shoqërisë sonë. Në #Ditën Ndërkombëtare të Romanëve, ne nderojmë qëndrueshmërinë, trashëgiminë e thellë kulturore dhe traditat e qëndrueshme të komunitetit tonë rom. Ne mbetemi të përkushtuar për të punuar drejt një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të larmishme”, ka shkruar presidentja Osmani. / KultPlus.com

87 vite nga botimi i kryeveprës së Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcisë”

Më 8 prill 1937 u botua kryevepra letrare monumentale shqiptare e At Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë”.

Fishta filloi ta shkruante nga viti 1905, duke e përfunduar kështu në vitin 1937. Epopeja Lahuta e Malcisë përshkruan luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër tregojnë ngjarje të veçanta. Ajo nuk është një poemë që ka një veprim kryesor dhe një hero kryesor, siç janë eposet e mëdha.

Heronjtë e Lahutës janë të shumtë: Oso Kuka, Marash Uci, Dedë Gjo Luli, Tringa, Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, që funksionalisht në vepër janë të ngjashëm, se kanë veçantitë e heroizmit shqiptar. Vepra nis me këndimin e heroizmave shqiptare për të mbrojtur tokat e veta nga sulmet malazeze, të përqendruara në Shqipërinë e Veriut, mirëpo vjen duke u zgjeruar në hapësirë dhe në kohë për të kapur ndodhitë e cilësitë shqiptare. Vepra nis me trajtimin e një krahine, për t’u zgjeruar në tërësinë etnike shqiptare; nis me trajtimin e burrnisë së një ambienti për të arritur te koncepti i kombit.

E ndikuar dendur nga këngët epike veriore, përmban elemente të besimeve popullore shqiptare dhe ndikime të letërsisë sllave të jugut. Ndikimin letrar e mori nga fretërit françeskanë gjatë studimeve në kuvendet françeskane në Bosnie. Më 1905 u botua në Zara te Kroacise “Bleni I” i veprës, me pesë këngë me të hollat që i kishte dërguar Faik Konica. Një vit më vonë u botua “Bleni II”, me katër këngë dhe kështu me radhë, deri në botimin përfundimtar me 30 këngë.

Autori në variantin përfundimtar krijoi një renditje të këngëve për të sugjeruar një kronologji të ngjarjeve që perfshijne ndodhitë shqiptare nga gjysma e shekullit 19 deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës më 1913. Vepra mbështetet në tre lloje këngësh historike si: Vranina, Kongresi i Berlinit, Lufta e Ballkanit, Konferenca e Londrës – ku i referohet këngëve historike; kreshnike, me shpërthimet krijuese imagjinative që i referohen Ciklit të Kreshnikëve dhe te këngëve baladë, autoriale, si Patër Gjoni dhe Tringa, që japin me detaje imagjinatën e poetit edhe kur mbështeten në paratekstet e baladave, duke i transformuar në stilin vetjak./Diaspora shqiptare/KultPlus.com

Përkthyesi i Kadaresë: Kam mësuar shqip nga Kadareja

Përkthyesi i Kadaresë në anglisht John Hodgson ka dhënë një intervistë për Booker Prizes ku ndër të tjera ka folur dhe për vështirësitë e përkthimit, marrëdhënien me letërsinë shqipe dhe perspektivën që Ismail Kadare ta fitojë sërish çmimin Booker. Kujtojmë se ky çmim vlerëson po aq sa shkrimtarin dhe përkthyesin e tij.

“Është një nder dhe një kënaqësi e veçantë të shohësh përkthyesit të vlerësuar. Kjo nuk ka ndodhur gjithmonë në të kaluarën. Përkthyesit po krijojnë reputacione ato vetë. Ka shumë përkthyes nga Rusishtja dhe Gjermanishtja apo spanjishtja punën e të cilëve unë e admiroj. Nëse ndonjëri nga ato ka përkthyer një shkrimtar i panjohur për mua e marr me mend se ai shkrimtar ja vlen të lexohet.

Libri “Kur sunduesit grinden” më mori gjashtë muaj për ta përkthyer. E kisha lexuar kur u publikua për herë të parë pa pasur mendimin që ta përktheja. Kur ajo kohë erdhi fillova dhe njëherë nga fillimi dhe vazhdova duke punuar rreth dy orë në ditë. Po punova më shumë filloj “humbas veshin muzikor”.

“Kur sunduesit grinden” është një libër shqiptar por në një shkallë më të gjerë i përket dhe letërsisë Ruse të cilën unë tashmë e njihja dhe e doja, veçanërisht kujtimet e gruas së Mandelshtamit të publikuara në anglisht si “Hope against hope” dhe “Hope abandoned”. Narezhda, vejusha e poetit Osip Mandelshtam, ruajti poezinë e të shoqit pas vdekjes së tij në Gulag duke i mësuar përmendësh dhe nxori “atë çka mbetet” nga lëmitë e shoqërisë sovjetike. Nuk ka dëshmi më të mirë në rezistencën e shpirtit krijues nën totalitërizëm.

Hapat e mir të parë në përkthim ishin shumë të pasigurt. Tani, në ditët e sotme ka një numër të madh skemash që drejtojnë dhe përgatisin përkthyesit e rinj dhe këto janë shumë të vlefshme. Vite më parë, nuk mund ta kuptoja pse sytë e botuesve nuk shkëlqenin menjëherë kur ju ofrohej një roman shqiptar. Nga fillimi doja ta përktheja Ismail Kadarenë që ka një influencë të madhe në formësimin e gjuhës letrare shqipe moderne të cilën e kam mësuar pjesërisht nga ai.

Fiction i përkthyer na mundëson të shohim botën nga një pikëpamje të ndryshme, shpesh prej perspektivave margjinale. Shqipëria, për shembull ka qenë gjithmonë në margjinat e perandorisë. Çmimet janë tabela shenjash, ato na thonë, ja, shiko, një libër shumë i mirë dhe duhe ta provosh me këtë tjetrin gjithashtu – nuk krahasohet më çfarë ke lexuar më parë.”- ka përfunduar Hodgson. /Tema / KultPlus.com

Ndahen 2 milionë euro për pastrimin e këtyre lumenjve të Kosovës

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Liburn Aliu, ka bërë të ditur se janë hapur procedurat e prokurimit, për pastrimin e shtretërve të lumenjëve në disa qytete të Kosovës. 

Aliu i cili e ka quajtur këtë një lajm të mirë, ka thënë se vlera totale e projektit, parashihet të jetë rreth 2 milion euro.

“Lajm tejet i mirë, që tani janë hapur procedurat e prokurimit për pastrimin e shtretërve të Lumenjve të Kosovës. Rreth  2 milionë euro, parashihet që të jetë vlera totale e projektit”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Postimi i plotë i Aliut:

Lajm tejet i mirë, që tani janë hapur procedurat e prokurimit për pastrimin e shtretërve të Lumenjve të Kosovës.

Rreth  2 milionë euro, parashihet që të jetë vlera totale e projektit.

Lumenjtë që do të pastrohen:

Lumi Nerodime – Kaçanik

Lumi Toplluha, Velezha – Prizren

Lumi Sitnica, Gurishta – Vushtrri

Lumi Zhegër, Livoq dhe Përlepnicë – Gjilan

Lumi Verbica, Qubrel, Runik – Drenas dhe Skënderaj

Lumi Janjeva, Godanci, Sitnice – Lipjan

Lumi Kamenica – Novobërd

Lumi Ibër – Leposaviq

Bashkë dhe secili prej nesh duhet të jetë rojtar i tokës, ujit dhe vendit ku jetojmë, e lufta ndaj mbetjeve do të vazhdojë për ditë, sigurisht me institucione përgjegjëse, projekte konktete për pastrim, por edhe me qytetarë vullnetarë të shumtë që e duan një Kosovë sa më të Pastër! / KultPlus.com

120 kopje të Kushtetutës së Kosovës ju dhurohen deputetëve si thirrje për veprim për drejtësi e barazi

Për nder të Ditës së Kushtetutës, sot, YIHR KS ka mbajtur aksion para Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aksion janë shpërndarë 120 kopje të Kushtetutës së Kosovës tek 120 deputetët e deputetet e Kuvendit – jo si dhuratë e as si dokumente të thjeshta në letër, por si rikujtim i fuqishëm për deputet e deputetet tona rreth asaj se çka garanton dhe mbron kjo Kushtetutë – vlera të përbashkëta demokratike dhe parime të palëkundura të drejtësisë, barazisë dhe lirisë.

KultPlus ju sjell deklaratën e plotë nga YIHR KS:

Sot, në Ditën e Kushtetutës, mbajtëm aksion para Kuvendit të Kosovës me vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur të drejtat e njeriut për të gjithë pa dallim. Aktivizimi ynë nuk është thjesht simbolik; është një thirrje për veprim, një kërkesë për llogaridhënie dhe një deklaratë e përkushtimit tonë të palëkundur për drejtësi dhe barazi.

Sot jemi mbledhë para Kuvendit të Kosovës dhe me veti kemi sjellë 120 kopje të Kushtetutës së Kosovës për 120 deputetë e deputete – jo si dhuratë  e as si dokumente të thjeshta në letër, por si rikujtim i fuqishëm për deputët e deputetet tona rreth asaj se çka garanton dhe mbronë kjo Kushtetutë – vlera të përbashkëta demokratike dhe parime të palëkundura të drejtësisë, barazisë dhe lirisë. 

Ndërsa qëndrojmë në Kuvendin e Kosovës, ne nuk mund të injorojmë realitetet e zymta me të cilat përballet shoqëria ynë. Diskriminimi, margjinalizimi dhe padrejtësitë sistematike vazhdojnë të jenë prevalente duke cenuar mirëqenien, dinjitetin dhe të drejtat e grupeve më të margjinalizuara të shoqërisë. Femicidi po vazhdon, dhuna në baza gjinore dhe seksuale po vazhdon, homofobia po vazhdon, padrejtësitë e panumërta janë perreth nesh, dhe shteti ynë po hesht, insitucionet tona bashkë me ata në krye po heshtin. Kushtetuta ynë po injorohet, përkundër faktit që qartë liston vlerat dhe të drejtat e secilit. 

Eshtë edhe më tragjike të mendosh që kjo Kushtetutë po shkilet nga vetë Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe deputetet që gëzojnë të drejtat dhe privilegjet e kësaj Kushtetutës.

Pak javë më parë, me 1 mars 2024, në Ditën Ndërkombëtare për Zero Diskriminim, ne, si YIHR KS në bashkëpunim më 4 organizata jo-qeveritare që merremi me mbrojtjen e të drejtave të njeriut CEL Kosova, CSGD, QKSGJ, dhe Civil Rights Defenders kemi paraqitur një Padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe një Ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit, për shkak të cënimit të dinjitetit dhe diskriminimit të personave LGBTIQ+, gjatë seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 16 mars 2022.

Padia dhe Ankesa janë paraqitur kundër Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kundër deputetes znj. Labinotë Demi-Murtezi.

Këtë ditë të Kushtetutës, ne ritheksojmë që lufta jonë për barazi dhe liri, për zhdukje të diskriminimit vazhdon më shumë se kurrë. Ne refuzojmë të mbyllim sytë, dhe refuzojmë të pranojmë fjalë dhe sjellje denigruese, diskriminuese dhe cënuese nga deputetët të cilët thirren ne emër të po të njejtës Kushtetutë që e përbuzin.  

Prandaj, i bëjmë thirrje çdo deputeti e deputetje që të dëgjojë qartë thirrjen tonë, të respektojnë betimin e tyre në detyrë dhe të përmbushin detyrat e tyre kushtetuese për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut për të gjithë. Kërkojmë transparencë, llogaridhënie dhe veprim vendimtar përballë padrejtësisë. Ne kërkojmë masa legjislative që çmontojnë sistemet e shtypjes, dhe luftojnë kundër keqpërdorimit të foltores së Kuvendit të Kosovës. 

Dita e Kushtetutës nuk është vetëm një ditë festimi; është një ditë për kërkim të llogaridhënies, një ditë reflektimi dhe një ditë e vendosmërisë së përtërirë për të ndërtuar një të ardhme të barabartë për të gjithë. Do të sigurohemi që të ndjekim të gjitha masat ligjore në dispozion për të gjithë ata që ndërmarrin veprime anti-Kushtetuese. 

Ne besojmë fuqishëm që vetëm përmes veprimit kolektiv, solidaritetit dhe vendosmërisë së palëkundur ne mund ta përmbushim me të vërtetë premtimin e Kushtetutës sonë dhe të ndërtojmë një shoqëri ku çdo individ mund të jetojë me dinjitet, liri dhe barazi. / KultPlus.com

Nënshkruhet marrëveshja për transformimin e Pallatit të Rinisë

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për transformimin e tërësishëm të Pallatit të Rinisë.

Në njoftim thuhet se në planin e investimeve parashihen ndërhyrjet për rinovim të sallës së madhe të sportit, hapësirave dhe strukturave ndërlidhese të sportit, sallës së kuqë, amfiteatrit e parkingut nën-tokësor.

“Sot kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Mrika Gashin, kryeshefe e ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë”. Në planin tonë të investimeve parashihen ndërhyrjet për rinovim dhe rivitalizim të sallës së madhe të sportit (salla universale), hapësirave dhe strukturave ndërlidhëse të sportit, sallës së kuqe, ateliesë, amfiteatrit të dytë, atriumit, pllatosë dhe parkingut nën-tokësor”, ka njoftuar ministri Çeku./KultPlus.com

Takimi i Komisionit për Europën të UNWTO, Kumbaro: Shqipëria rishpiku vetveten përmes forcës së turizmit

Ka nisur mëngjesin e sotëm në Tiranë takimi i 70-të i Komisionit për Europën i Organizatës Botërore të Turizmit, ku marrin pjesë drejtuesit e kësaj organizate si Sekretari i Përgjithshëm i OBT Zurab Pololikashvili, Drejtoresha Ekzekutive Natalia Bayona dhe ministra e përfaqësues të sektorit të turizmit nga 40 shtete të kontinentit.

Takimi, një organizim i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe UNWTO u hap me një ceremoni pritjeje nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Sekretari i Përgjithshëm Zurab Pololikashvili dhe kryeministri Edi Rama.

Ministrja Kumbaro e nisi fjalën e saj me mikpritjen shqiptare, të transformuar sot në një simbol të turizmit.

“Edith Durham, shkrimtarja britanike e shekullit të XIX që shkeli veriun e Shqipërisë, në terrenin e vështirë por mahnitës mes Alpeve shqiptare, pikërisht ato pamje magjepsëse që sot i shohin miliona e miliona kureshtarë nga e gjithë bota në TikTok apo në Instagram dhe dëshirojnë një orë e më parë t’i vizitojnë. Studjuesja e shekullit të XIX shkroi dikur në kujtimet e saj se pikërisht kjo fjalë, “Fjala -mirë se erdhe – del drejt e nga shpirti i atyre njerëzve. Ai vend dhe ata njerëz të befasojnë. E pra, ky shpirt, këta njerëz te të cilët ju keni ardhur sot, janë ata që historinë dhe traditën sot e e kemi kthyer në industrinë e mikpritjes që befason. Prandaj, si shqiptare dhe si ministre e turizmit e Shqipërisë, ndihem e privilegjuar dhe shumë e nderuar t’ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri, duke ju falenderuar secilin prej jush, nga miku ynë Zurab dhe çdo delegacion të Europës që zgjodhët Shqipërinë për të kremtuar ditëlindjen e 70-të Komisionit për Europën të Familjes sonë të madhe “UN Tourism”, nisi fjalën e saj ministrja Kumbaro.

Për vitin 2023 ishte Barometri i Organizatës Botërore të Turizmit që e renditi Shqipërinë në vendin e parë në Europë dhe të katërtën në botë për rritjen e flukseve turistike. Ministrja Kumbaro në fjalën e saj shtoi se të dhënat e fundit të hyrjeve në turizëm tregojnë se ka gjasa që Shqipëria të mbetet në krye të listës.

“Në 2023 pritëm 10,1 milionë turistë. Shumë sfiduese, por është nga ato rastet që tregon se kur punët bëhen me dashuri dhe përkushtim për realizimin e një vizioni, kur jemi bashkë me profesionistët e turizmit, investitorët, turoperatorët, partnerët e duhur ndërkombëtarë, nuk ka asgjë që nuk mund të arrihet.
I dashur Zurab, më duhet të të njoftoj se edhe këtë me shumë gjasë do të na gjesh sërish në krye të listës, sepse me shifrat e fundit, për tre muajt e parë të vitit 2024 Shqipëria mirëpriti 1,7 milionë vizitorë të huaj ose rreth 60% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Ama përtej shifrave, Shqipëria, ose “Perla e pazbuluar e Mesdheut”, siç shumë prej gazetave ndërkombëtare vijojnë ta quajnë, po përjeton kohën e vet të transformimit nga turizmi jo thjesht si “ekonomi e kënaqësisë”, por mbi të gjitha si një formë emancipimi shoqëror. Falë turizmit, sot Shqipëria e ka më të lehtë që të tregojë bukuritë e saj, njerëzit e saj, energjitë e saj dhe rolin e saj në këto kohëra të trazuara.
Në këto dy vite po shkruajmë një kapitull të ri të bashkëpunimit me Organizatën Botërore të Turizmit dhe jam falënderuese ndaj gjithë kolegëve në këtë sallë për besimin ndaj Shqipërisë”, vazhdoi ministrja Kumbaro.

“Sot Shqipëria është një surprizë e bukur në zhvillimin e turizmit global, gati-gati një simbol se ashtu si njerëzit – edhe vendet mund ta rishpikin vetveten brenda pak vitesh, – duke tejkaluar momentet e vështira për shkak të lojërave të historisë e duke u kthyer, me forcën e turizmit, në vendin që po ngjall kureshtjen e të gjithëve si destinacion i shumëdëshiruar”, tha ndër të tjera në fjalën e saj Kumbaro.

Ky takim i Komisionit për Europën të UNWTO do të vijojë me Konferencën e Investimeve për Zhvillimin e Ekonomisë që do të mbahet më datë 9 prill, ku do të prezantohet edhe udhërrëfyesi: Tourism Doing Business: Investing in Albania”./atsh/KultPlus.com