Më 4 qershor të vitit 1919, Kongresi amerikan aprovoi Amendamentin e 19-të të Kushtetutës së SHBA-ve, i cili garantoi të drejtën e votës për gratë, dhe u dërgua në të gjitha shtetet federale amerikane për ratifikim, shkruan KultPlus.
Arkivat kombëtare në Uashington ruajnë disa nga dokumentet më të rëndësishme në historinë amerikane, e në mesin e tyre edhe amendamentin e 19-të që u miratua në Kongres para afër një shekulli.
Amendamenti i 19-të u ndaloi shteteve dhe qeverisë federale t’iu mohojnë qytetarëve amerikanë të drejtën e votës në baza gjinore.
Një ndër figurat kryesore që ndihmuan këtë çështje, është edhe aktivistja Ida Wells Barnet. Gratë gjithmonë i kanë shërbyer demokracisë, si në rastin e Jeanette Rankin nga Montana që fitoi një vend në Kongres në vitin 1916, para se të miratohej amendamenti. Ajo nuk ishte e vetme.
Shumë gra shërbyen në Kryqin e Kuq gjatë Luftës së Parë Botërore.
E drejta për të votuar, është themeli i demokracisë dhe është fituar me punën e palodhshme të aktivisteve për gjenerata të tëra.
Nga e kaluara e deri tash, kontributi i gruas në demokraci vazhdon të jetë vlerë në traditën amerikane. / KultPlus.com
Selma 13 vjeçe nuk është ulur kurrë në bankën e klasës së parë, për këtë fakt prindërit e saj të dyshuar për prirjet radikale akuzohen nga drejtësia se i kanë mohuar të drejtat përfshirë edhe mos shkollimin e 2 motrave të tjera.
Për shkak se porta nuk u hap pasi i zoti i shtëpisë u arrestua, gjatë intervistës ne nuk mund të shikonim veç syve të fëmijës.
Anila Hoxha: Sa kohë ke shkuar në shkollë?
Fëmija: Një vit
Anila Hoxha: Po më pas?
Fëmija: Nuk kam shkuar më?
Anila Hoxha: Pse nuk ke shkuar?
Një nga familjarët: Mos e lodh më me më shumë shpjegime, nuk dëshiroj.
Fëmija: Nuk dëshiroj
Anila Hoxha: Pse?
Fëmija: Nuk dëshiroj
Anila Hoxha: Selma sa kohë ke qenë?
Selma: Vetëm 3 vjet në kopësht.
Anila Hoxha: Mësove diçka nga shkolla dhe kopshti?
Selma: Jo asgjë fare.
Anila Hoxha: Të mungon? Do doje të kishe shoqe dhe shokë?
Selma: Jo jo fare, mami më ka mësuar.
Anila Hoxha: Më lexo pak këtë gjënë Selma
Selma: Udhëzona në rrugë të drejtë, në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin tënd as të atyre që janë të humbur.
Anila Hoxha: Selma, sa bëjnë 5 herë 10?
(Vajza nuk e di përgjigjen, nuk flet).
Anila Hoxha: Selma 5 herë 10-të sa bëjnë?
Tre vajzat e çiftit Kryemadhi e shikojnë botën përmes grilave të vendosura mbi portën kryesore të shtëpisë, ato nuk kanë qenë asnjëherë në shkollë, kanë mësuar të shkruajnë dhe të lexojnë nga prindërit të cilët hetohen dhe gjykohen për keq trajtim të të miturve.
Por e ëma e cila qëndron ndërkohë në shtëpi së bashku me fëmijët, menjëherë sapo bashkëshorti u arrestua, kudnërshton versionin e policisë dhe prokurorisë dhe thotë se ajo i ka mësuar të shkruajnë dhe i mban në shtëpi pasi do që të ruajë nderin e tyre integritetin e tyre dhe jetën e tyre.
Mamaja: Nuk është çështje feje, është çështje morali që duam të ruajmë moralin dhe nderin e familjes.
Anila Hoxha: A mund ta dëgjoj pak vajzën tënde?
Mamaja: Po këtu i ke.
Anila Hoxha: Dua të vijë të më lexojë pak, ku është goca?
Mamaja: Po merr bija ime dhe lexo Kur’an.
Anila: Po ku ta shikoj unë që po lexon ajo?
Mamaja: Unë këtë derë u thash edhe atyre, forcave kompetente kur ikën që mbaruan punë. U thash e bëtë kontrollin e bëtë atë që deshët me bërë, tani e mbrapa porta ime nuk hapet më.
Besa tregon se i gjithë ky vendim i çiftit Kryemadhi nisi pas një incidenti të ndodhur asaj në qendër të Kamzës gati dhjetë vite më parë.
Mamaja me lot në sy: Unë kam qenë shkaktare që i kam thënë burrit, unë nuk dal më vetëm nga kjo shtëpi sepse më rastisi që dola në Kamëz dhe dikush më ngacmoji dhe unë u ndejva shumë keq.
Prokuroria mendon se tre vajzat e mitura u ndaluan për të vajtur në shkollë dhe u mbajtën me dhunë nga prindërit, njëri prej tyre Roland Kryemadhi tashmë gjendet i arrestuar pasi kundërshtoji policinë dhe kanosi gjatë kohës që agjentët tentuan ta shoqrojnë forcërisht.
I njohur në lagje për prirjet radikale, 39-vjeçari ka deklaraur se do ti mësojë vajzat në rrugën e zotit dhe jo në shkollë.
Banorja: Nuk i çon, nuk ka besim.
Anila Hoxha: Sa kohë ka që nuk i çon?
Banorja: Vetëm të madhen ka çuar në klasë të parë. /Top Channel / KultPlus.com
Është kaq e dhimbshme, është sfilitëse, të ul në gjunjë, të plagos besimin nga çdo gjë që të rrethon, e të ngre pikëpyetje për gjithçka është dukur me vlerë dhe të hap sytë se çfarë vërtet është e pashlyeshme.
Kjo është ndjesia ime, po besoj edhe e shumë të tjerëve, pas rastit të pashembullt, makabër, të përdhunimit periodik të vajzës fatkeqe 15 vjeçare në Tiranë.
Reagimi është i natyrshëm, jo vetëm ndaj rastit, por edhe fenomenit.. do duhej të ishte kështu të paktën!
Rasti ka disa ditë që është bërë publik e është kaq i dhimbshëm, është një e vërtetë kaq e hidhur, sa të “tredh” edhe vullnetin qytetar e njerëzor, kur në fakt i vetmi kastrim do duhej të ishte për monstrat që kryen krimin.
Mes urrejtjes për atë ditëzi 65 vjeçar e ata djem të mallkuar dhe dëshirës për të pasur mundësinë për të zhbërë gjithë çfarë ka ndodhur, një reflektim mbi gjendjen e përgjithshme të shoqërisë i fanepset mendjes.
Bëjmë kaq shumë gabime si shoqëri, sa kur duhet të reagojmë, as nuk kemi forcën e duhur për të reaguar.
Nuk do ta pretendoja ndjeshmërinë kolektive si të amerikanëve pas vrasjes çnjerëzore të George Floyd, por të paktën një klithje njëzëri për drejtësi duhet ta kishim bërë të gjithë për rastin e 15 vjeçares së gjorë, që është viktimë papërgjegjshmërisë dhe indiferencës së përgjithshme në lidhje me fenomenin.
Përkundrazi, bashkëqyetarët e mi, sigurisht jo të gjithë, madje dhe unë vet, e kemi bombarduar rrjetin me sensibilizimin mbi racizmin, teksa kërkojmë drejtësi për Floyd-in, zezakun që është kthyer në martirin e vlerave njerëzore sot në botë.
Pse kjo qasje?!
Mungesa e besimit për një reagim kolektiv ndaj rastit të përdhunimit të 15 vjeçares dhe frika ndaj quasi aksiomës se do të bjerë me gjasë në vesh të shurdhët, ka bërë që shqiptarët ta gjejnë zenitin ndjesor te ulja në gjunjë e policëve amerikanë para protestueve, apo përpara protestave të paepura në një duzinë shtetesh në SHBA.
Në fakt, ky është një çast ku mund të shënojmë një kthesë reale përsa i përket fenomeneve negative shoqërore që një ditë mund të na prekin të gjithëve. Motrat, vajzat, nënat tona, të gjitha janë të rrezikuara ndaj instiktit kafshëror që prevalon herë pas here për të na kujtuar se e keqja është bashkëudhëtare e pandarë, e ne nuk duhet ta neglizhojmë, por ta luftojmë në çdo rast.
Thagmat sociale që na përfshijnë duhet të na rifresokojnë vetdijen për gjenezën e gabimit. E dimë të gjithë se Shqipëria që shohim përditë në rrjetet sociale, apo në qendrat më të mëdha urbane, ajo Shqipëri që hera herës duket gati më e emancipuar se SHBA-ja; më e shthurur seksualisht se metropolet evropiane; e më e dhënë pas drogës se “getot” latine; nuk është assesi ajo e vërteta. Ne vuajmë ende nga mentaliteti patriarkal e shtypës ndaj vajzave e grave, por është detyra e pjesës së çliruar nga këto “jelekë mentalë force” që të japë kontributin e ndihmën e saj, që këto hendeqe të mos thellohen, por të vijnë drejt zhdukjes.
Është në dorën tonë që familjet të edukojnë djem që ta vlerësojnë thelbësisht ekzistencën femërore, e jo ta shohin atë si një varg arritjesh, apo një objekt shfryrje të orgazmave kafshërore. Siç duhet patjetër që të rrisim vajza të ndërgjegjshme për vlerat e tyre, edhe për përgjegjësitë e tyre, e për më tepër, të vetdijshme se kanë forcën e duhur për të denoncuar e dënuar çdo padrejtësi.
Është në dorën e autoriteteve që të forcojnë strukturat arsimore e të mos lënë kurrsesi pas dore edukimin e nxënësve mbi fenomene të tilla. Të mos krijojmë më ekstremitetet e vajzave të përdala apo atyre të dhunuara e përdhunuara, as të meshukjve dhunues e kriminelë, e as të atyre të ndrydhur e të margjinalizuar.. të paktën t’i minimizojmë.
Është në dorën e medias që të mos promovojë më shëmti e kundërshembuj për dalldi klikimesh, por të denoncojë e të dënojë raste të tilla, sa të gëlojë e të gulçojë në çdo vesh e vërteta, e të mbillet frika në mendjet e cilësdo monstre që ka ndërmend të kryejë një krim të ngjashëm.
Është në dorën e çdo përfaqësuesi publik, çdo politikani, çdo ministri kopuk e ministreshe kokëleshe që të sensibilizohet me rastin e të mos ruaj balancet e neveritshme mes dikastereve. Ky rast, është edhe dështim politik! E patjetër, që dikush duhet të marrë kosto.
Është në dorën tonë të jemi më të drejtë, më të mirë, më të kujdesshëm e më të ndjeshëm kundrejt çdo padrejtësie. / KultPlus.com
Ministrja e deritanishme e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, i ka dorëzuar sot detyrën ministrit të ri, Ramë Likaj.
Siç njofton MASHT’i, Bajrami e ka informuar ministrin Likaj me punën që është bërë gjatë periudhës sa ka qenë në krye të MAShTI, “me theks të veçantë organizimin e mësimit në distancë, por edhe për proceset që janë duke u zhvilluar, si përgatitja për Testin e Arritshmërisë dhe atë të Maturës, procesi i teksteve të reja shkollore dhe procese tjera të rëndësishme.”
“Ministri Likaj falënderoi ministren Bajrami për punën që ka bërë në këtë Ministri dhe theksoi se do të vazhdojë me përkushtim punën në insititucionin më të lartë të arsimit në vend”, thuhet në komunikatën e MASHT’it. / KultPlus.com
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, është duke zhvilluar një fushatë vetëdijesuese lidhur me procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale dhe familjare.
Shërbimet sociale dhe familjare duhet të ofrohen për të gjithë qytetarët në nevojë për mbrojtje sociale. Për të sjellë shërbimet sociale sa më afër qytetarëve, në vitin 2009 ka filluar decentralizimi i shërbimeve, ku janë bartur kompetencat nga niveli qendror drejt komunave të Kosovës. Mirëpo, edhe pas 10 viteve ky proces nuk ka përfunduar. KOMF ka monitoruar implementimin e decentralizimit të shërbimeve sociale për vitin 2019, ku si rezultat ka publikuar raportin “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale” i cili paraqet gjendjen e rëndë në sektorin e mirëqenies sociale.
Në linjë me këtë raport, KOMF ka lansuar një video vetëdijesuese me qëllim mobilizimin e institucioneve për investim në sektorin e mirëqenies sociale.
KOMF lut mediat që të publikojnë videon në linkun e mëposhtëm në mënyrë që bashkarisht të avokojmë për përmirësimin e shërbimeve sociale për të gjithë qytetarët, sidomos gjatë kësaj periudhe të pandemisë ku gjendja e tyre është rënduar edhe më shumë.
Punimet e ndërtimit kanë filluar në ‘Monumentin Kombëtar të Lirisë dhe Unitetit’ të Gjermanisë, një memorial në Berlin.
Punimet e ndërtimit kanë filluar në ‘monumentin kombëtar të lirisë dhe unitetit’ të Gjermanisë, një memorial në Berlin që do të kujtojë dhe nderojë protestuesit që kundërshtuan shtetin komunist në vitin 1989.
Projekti nderon burrat dhe gratë që luftuan për rënien e murit të berlinit dhe ribashkimi i vendit. I projektuar si një tas kinetik, memoriali dinamik do të zhvendoset butësisht lart e poshtë ndërsa vizitorët mblidhen sipër tij.
Kjo skulpturë interaktive sociale na kujton ndikimin e madh që vjen nga uniteti, komunikimi dhe pjesëmarrja. Projektuar nga Milla & Partner, monumenti do të transformohet butësisht me pjesëmarrje në grup.
Monumenti prezanton një platformë që fton vizitorët të komunikojnë dhe të veprojnë së bashku, një kujtesë e revolucionit të vitit 1989 i cili pa një veprim të përbashkët të përhapur brenda një shteti të ndarë.
Për të përjetuar transformimin e monumentit, vizitorët duhet të unifikohen, komunikojnë dhe bashkëpunojnë në tërësi. Monumenti i lirisë dhe unitetit, po ngrihet në zemrën e Berlinit. Dy parulla do të jenë të mbishkruara strukturës 50 metra të gjatë me shkronja të theksuara: ‘wir sind das volk. wir sind ein volk”. / KultPlus.com
Angelina Jolie lindi më 4 qershor 1975 në Los Angeles, Kalifornim lindur si Angelina Voight. Është një aktore amerikane, kineaste dhe humanitare. Bijë e aktorit Jon Voight dhe aktores Marcheline Bertrand. Përfituesja e akordimeve të shumta, përfshirë një çmim Akademie dhe tre çmime Golden Globe, ajo është cilësuar shumë herë aktorja më e paguar në Hollywood.
Jolie e filloi karrierën duke vepruar me zell për një dekadë me një film me buxhet të ulët prodhimi. Roli i parë që ka luajtur si protagoniste ishte në filmin Hackers. Ajo u vlerësua nga kritikët për mënyrën e paraqitjes në filmin biografik dhe fitoi një Academy Award for Best Supporting Actress për performancën e saj në filmin Girl Interrupted. Jolie ka arritur famën e saj më vonë në një film portretizues të një video loje si personazh heroik me emrin (Lara Croft) në Lara Croft: Tomb Raider dhe që atëherë e ka ngritur veten si një prej aktoreve më të mirënjohura dhe më të paguara në Hollywood. Ajo ka pasur sukseset e saj më të mëdha komerciale me filmin aksion-komedi Mr. & Mrs. Smith dhe filmin e animuar Kung Fu Panda.
BRUSSELS, BELGIUM – JANUARY 31: US actress and the UN refugee agency UNHCR (United Nations High Commissioner for Refugees) Special Envoy Angelina Jolie and NATO Secretary General Jens Stoltenberg (not seen) hold a joint press conference ahead of their meeting in Brussels, Belgium on January 31, 2018.
(Photo by Dursun Aydemir/Anadolu Agency/Getty Images)
Suksesi i saj më i madh tregtar erdhi me fotografinë fantastike Maleficent (2014). Në vitet 2010, Jolie zgjeroi karrierën e saj në regji, skenarizim dhe prodhim, me dramat e luftës.
Jolie vlerësohet jashtëzakonisht shumë edhe për pjesën humane që e karakterizon. Për të mësuar më shumë rreth kushteve në të cilat jetojnë njerëzit e varfër në botë, ajo filloi të vizitojë kampe refugjatësh nëpër botë. Në shkurt 2001, ajo shkoi në vizitën e saj të parë në terren, një mision 18-ditor në Sierra Leone dhe Tanzania; ajo më vonë shprehu tronditjen e saj për atë që kishte dëshmuar.
Në muajt në vijim, Jolie u kthye në Kamboxhi për dy javë dhe u takua me refugjatët afganë në Pakistan, ku ajo dhuroi 1 milion dollarë në përgjigje të një thirrje ndërkombëtare të urgjencës së UNHCR-së, dhurimin më të madh që UNHCR e kishte marrë ndonjëherë nga një privat individual. Ajo mbuloi të gjitha kostot që lidheshin me misionet e saj dhe ndau të njëjtat kushte rudimentare të punës dhe të jetesës si stafi në terren i UNHCR në të gjitha vizitat e saj. Jolie u emërua edhe si Ambasadore e Mirësisë së UNHCR në selinë e UNHCR në Gjenevë më 27 gusht 2001.
Ajo vazhdon të punojë fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe për përmirësimin e kushteve të njerëzve të varfër.
Në jetën private, Jolie dhe Pitt kanë adoptuar tre fëmijë, Maddox, Pax, dhe Zahara, si dhe kanë tre fëmijë biologjikë, Shiloh, Knox dhe Vivienne. / KultPlus.com
Deputetja e Alternativës, nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se dje u hodhën fishekzjarre në kryeqytet, në ditën kur u varrosën dy minatorë kosovarë.
Dy ditë më parë, dy xehetarë kanë humbur jetën nga shembja e një pjese të minierës së Artanës.
Deputetja Kusari i ka thënë Qeverisë së re, që u krijua dje, se u hodhën fishekzjarre në ditën e njëjtë kur këta dy minatorë u varrosën.
“Ditën kur u varrosën dy minatorë, ju ndezët gjithë ato fishekzjarre”, ka thënë Kusari.
Ajo për ndezjen e fishekzjarrëve ka shkruar edhe të mërkurën mbrëma, duke i lidhur ato me Qeverinë e re, të cilën deputetja e quajti “Qeveri e Hashim Thacit, e udhëhequr nga Avdullah Hoti”. /Express/ KultPlus.com
Pas rrëzimit të mureve të kalasë së Durrësit, nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, specialistët e trashëgimisë po studiojnë arsyet e këtij dëmtimi. Pirro Thomo, Gjerak Karaiskaj, inxhinier-gjeolog Skënder Allkja dhe konstruktori Arben Dervishi, flasin për punën që janë duke bërë, para se të hartojnë projektin e restaurimit të kullës C.
Kulla C e kalasë së Durrësit, e ndërtuar në shekullin V-VI nga perandori Anastas I, gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019, pësoi dëme të mëdha. Pesë muaj pas tërmetit, specialistët e trashëgimisë, përmes mbështetjes së qeverisë suedeze, nisën punën në terren për zhvendosjen e blloqeve që kanë rënë, edhe për të evidentuar shkaqet e këtij dëmi. Këto do të çojnë në hartimin e një plani studimor, e më tej të një projekti, që do të shërbejë për restaurimin e kalasë. Restauratori Pirro Thomo na shpjegon punën parapërgatitore, që janë duke bërë në terren.
“Tërmeti i 26 nëntorit solli dëmtime dhe në monumente. Por, këtu dëmtimi është shumë i madh, jo si në kullat e tjera. Ne akoma nuk kemi bërë projektin, sepse duam që të dimë, se përse erdhi kjo gjë? Masat që po marrim janë për të bërë studimin historik me profesor Gjerak Karaiskaj, që është eksperti më i mirë i kalave, që përcakton dhe fazat e ndryshme të ndërtimit të kalasë. Kemi anën studimore, që përfshin rrethimin e objektit, largimin e blloqeve, dokumentimin e blloqeve që kanë rënë. Heqjen e bimësisë, edhe pastaj do fillojmë studimet gjeologjike, që bashkohen me studimet arkeologjike”, rrëfen për mediet, profesor Pirro Thomo.
Një ndër njohësit e paktë të fortifikimeve në Shqipëri, Gjerak Karaiskaj rrëfen tre epokat e rindërtimit të kalasë; bizantine, anzhuine edhe otomane.
“Këtu jemi para një gjendje katastrofike, sepse njëra nga pak kullat që ruheshin nga periudha e Anastasit është rrëzuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Nga rënia e blloqeve kanë dalë në pah edhe disa faza, që s’kanë qenë të dukshme. Kjo kullë ka rënë në tërmetin e vitit 1275, edhe pasi ka rënë është ndërtuar një mur, që nuk lidhej me murin tjetër të periudhës së Anastasit, por vetëm sa mbështetej atje, pa ndjekur komplet themelet e dikurshme. Linja e kullës së vjetër është jashtë kullës së periudhës së mëvonshme. Gjatë ndërtimit të këtij muri, që duhet të jetë ndërtuar nga anzhuinët, nuk u shfrytëzua themeli i vjetër, por është ruajtur forma, edhe pse ka një formë deformimi. Ka një farë habie, se përse nuk janë shfrytëzuar themelet e vjetra?”, shprehet, profesor Karaiskaj.
Pyetjes, se përse ka rënë kjo kullë edhe nuk ranë kullat e tjera, Karaiskaj i përgjigjet se:
“Kjo ka rënë, sepse muri anzhuin nuk ka qenë i lidhur me murin e periudhës bizantine, por vetëm sa mbështetej atje. Themeli i murit anzhuin është më i cekët, sesa ai më parë. Teknikat e ndërtimit janë të ndryshme, e para me tulla, e dyta me gurë. Ndërsa, arsye tjetër është edhe bimësia, që ka përcaktuar ndarjen, pjesën e murit që do të binte. Edhe ajo që është më kryesoja është që poshtë murit ballorë, që do të binte nuk ka themel. Ajo që është kryesorja është që poshtë murit ballorë që ka qenë, nuk ka themele, se përse këtë do ta shikojmë? Nëse është përdorur për ndonjë arsye apo ka ndonjë zhytje të themelit? Kjo është dhe arsyeja kryesore e rënies së kullës, ndërsa këto të tjerat kanë ndihmuar”, thotë Karaiskaj.
Inxhinier gjeologu Skënder Allkja na tregon se si do të studioi nëntokën e kullës C të kalasë së Durrësit.
“Ne jemi këtu për të studiuar nëntokën. Durrësi dihet se ka depozitime të dobëta, por me kalimin e kohës mund të ketë pësuar ndonjë cedim që nuk është vrenjtur, edhe tërmeti ka bërë që të rrëzohej, por mund të jetë edhe një fenomen i lëngëzimit. Kjo do të thotë që nga tërmeti është lëngëzuar dhe strukturat pësojnë ulje. Para restaurimit do të bëjmë kontrollin e nëntokës deri në një thellësi 25 metra, që të llogaritet themeli edhe të ruhen muret historike”, shpjegon gjeologu Allkja.
Konstruktori Arben Dervishi i konsideron delikate ndërhyrjet në monumentet e kulturës, prandaj ai shprehet se puna që do të bëhet në vijim, duhet bërë në mënyrë që të ruhet autenciteti gjatë projektit të ndërhyrjes.
“Fillimisht do merrmi me problematikat e provave, që duhet bërë në këtë objekt, pa bërë shkatërrime, por për të dhënë karakteristikat që të japim planin e përforcimeve të përkohshme. Objekti ka një çarje, që në rastin e një tërmeti (se dimë nëse do të ndodhë apo jo) të mundshëm mund të na i agravojë situatën. Fillimisht do të bëjmë përforcimet edhe do vendosim aparatura për të parë nëse kjo strukturë ka lëvizje të mëtejshme, edhe pasi të marrim të gjitha këto karakteristika do të japim edhe metodën se si do ta kthejmë në gjendje fillestare. Situata është pak e rëndë, por ne do ta gjejmë mënyrën që ta përforcojmë pa i prishur integritetin e monumentit të kulturës”, shprehet Dervishi.
Faza e parë studimore është 20 mijë euro, bashkë me hartimin e projektit do të shkojë 40 mijë euro. Shumë kjo e financuar nga qeveria suedeze, përmes organizatës suedeze jofitimprurëse Trashëgimia Kulturore pa Kufij (Cultural Heritage without Borders [CHwB]). / KultPlus.com
Revista më prestigjioze në botë “Dezeen”, i ka kushtuar një artikull të gjatë arkitekturës dhe dizajnit që ditët e sotme po përshtaten gjithnjë e më shumë me natyrën.
Në artikull trajtohet një projekt i studios italiane Stefano Boeri Architetti dhe kompanisë shqiptare të ndërtimit SON-Group, të titulluar Tirana Riverside, në afërsi të lumit Lana, një projekt që synon t’u përgjigjet nevojave të koronavirusit.
“Kjo është lagjja e parë në Europë që është projektuar si një marrëveshje me qeverinë dhe autoritetet lokale për t’iu përgjigjur fazës së paspandemisë dhe për të përmbushur kërkesat e krizës aktuale”, thekson arkitekti Boeri për “Dazeen”.
Me projektin, Stefano Boeri Architetti ka synuar të krijojë një “lagje-qytet” që do të përfshijë teknologji, kopshte të gjera në çati dhe të tjera ndërtesa për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Qëllimi i këtyre projekteve është përmirësimi i hapësirave të gjelbra, gjë që e kuptuam më mirë në këto kohë pandemie, ku e vetmja zgjidhje ishin pikërisht këto hapësira e jo ato të mbyllurat./ atsh / KultPlus.com
“Le Rappel” ka botuar, të dielën e 13 janarit 1878, në faqen n°3, letrën ekskluzive të Victor Hugo drejtuar përkthyesit italian të romanit të tij “Les Misérables”, më 18 tetor 1862, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar: Portret i Victor Hugo nga Nadar (rreth 1884).
Letra e Victor Hugo
Një gazetë e re, “Le Glaneur littéraire”, botoi një letër të shkruar në 1862 për përkthyesin italian të “Les Misérables”, z. G. Daelli. Kjo letër, përmbajtjen e të cilës do ta zbuloni, nuk ishte botuar kurrë më parë në Francë:
Hauteville-House, 18 tetor 1862.
Zotëri, ju keni të drejtë, kur më thoni që libri “Les Misérables” është shkruar për të gjithë popujt. Nuk e di nëse do të lexohet nga të gjithë, por e kam shkruajtur për të gjithë. I drejtohet Anglisë po aq sa Spanjës, Italisë po aq sa Francës, Gjermanisë po aq sa Irlandës, republikave që kanë skllevër si dhe perandorive që kanë bujkrobër.
Problemet sociale tejkalojnë kufijtë. Plagët e racës njerëzore, këto plagë të mëdha që mbulojnë globin, nuk ndalen në vijat blu ose të kuqe të vizatuara në hartën botërore.Kudo që njeriu injoron dhe dëshpëron, kudo që gruaja e shet veten për bukë, kudo që fëmija vuan për një libër që e mëson ose një shtëpi që e ngroh, libri “Les Misérables” troket dhe thotë : Hapeni derën, kam ardhur për ju.
Në këtë orë, ende kaq të errët, të civilizimit në të cilin gjendemi, mjerimi quhet NJERIU;ai është në agoni në të gjitha kohët dhe rënkon në të gjitha gjuhët.
Italia juaj nuk është më shembullore në raport me të keqen se Franca jonë.Italia juaj e admirueshme mbart në fytyrën e saj të gjitha mjerimet.Mos vallë banditizmi, kjo formë e tërbuar e varfërisë, nuk banon në malet tuaja?Pak kombe janë gllabëruar aq thellë sa Italia nga kjo ulçerë e manastireve që u përpoqa t’i hetoja.Ju mund të keni Romën, Milanon, Napolin, Palermon, Torinon, Firencen, Sienën, Pizën, Mantovën, Bolonjën, Ferrarën, Xhenovën, Venecian, një histori heroike, rrënoja sublime, monumente madhështore, qytete të shkëlqyera, por ju jeni, si ne, të varfër.Ju jeni të mbuluar nga mrekullitë dhe parazitët. Padyshim që dielli i Italisë është i shkëlqyeshëm, por, fatkeqësisht! kaltërsia e qiellit nuk i fsheh dot leckat (zhelet) mbi njeriun.
Ju, si ne, keni paragjykime, bestytni, tirani, fanatizëm, ligje të verbëra që mbështesin zakonet injorante.Ju nuk e shijoni të tashmen ose të ardhmen, pa shijen e së kaluarës.Ju keni një barbar, murgun (priftin) dhe një egërsirë, lazzaronen.Çështja sociale është e njëjtë për ju si dhe për ne.Vdesin më pak urie te ju, dhe pak më shumë nga ethet;higjena juaj sociale nuk është shumë më e mirë se e jona; Terri, protestant në Angli, është katolik në Itali;por nën emra të ndryshëm, “vescovo” është identik me “bishop-in”, gjenden aty natën dhe kanë të njëjtat cilësi.Shpjegimi i gabuar i Biblës ose moskuptimi i Ungjillit është e njëjta gjë.
A duhet të këmbëngulim? a duhet ta shohim më tej këtë paralelizëm të zymtë?A nuk keni njerëz në nevojë? shikoni poshtë.A nuk keni parazitë? shikoni lart.Ky ekuilibër i shëmtuar, dy fushat e të cilit, mjerimi (varfëria) dhe parazitizmi,barazpeshohen me vështirësi, a nuk lëkundet para jush si para nesh?
Ku është ushtria juaj e mësuesve të shkollës, ushtria e vetme që qytetërimi pranon?Ku janë shkollattuaja falas dhe të detyrueshme?A dinë të gjithë të lexojnë në atdheun e Dantes dhe Michelangelos?A i keni bërë kazermat tuaja shkolla ushtarake? A nuk keni ju, ashtu si ne, një buxhet të rëndësishëm për luftën dhe qesharak për arsimin?A nuk keni edhe bindje pasive, të cilat lehtësisht ju shndërrojnë në ushtarë?A nuk keni një militarizëm që iu jep urdhër të qëlloni mbi Garibaldin, domethënë mbi krenarinë e gjallë të Italisë?Le ti bëjmë ekzaminimin rendit tuaj shoqëror,le ta marrim ashtu siç është, le të shohim veprën e tij flagrante,më tregoni gruan dhe fëmijën.Shkalla e civilizimit matet me sasinë e mbrojtjes që rrethon këto dy qenie të dobëta.A ka më pak prostitucion në Napoli sesa në Paris? Sa është sasia e vërtetësisë që del nga ligjet tuaja dhe sasia e drejtësisë që del nga gjykatat tuaja? A bëni sikur nuk i kuptoni këto fjalë të errëta : hakmarrje publike, abuzim legal, burg, arenë ekzekutimi, dënim me vdekje?
Italianë, te ju ashtu si te ne, Beccaria (Cesare) ka vdekur dhe Farinace është gjallë.Dhe pastaj, le të shohim arsyen tuaj shtetërore.A keni një qeveri që kupton identitetin e moralit dhe të politikës?Po i amnistoni heronjtë!Ne kemi bërë diçka të ngjashme në Francë.Ja, le të flasim për mjerimet :që secili të sjellë grumbullin e tij, ju jeni po aq të pasur sa ne.A nuk keni si ne dy mallkime (dënime) :mallkimin fetar të shqiptuar nga prifti dhe atë social të dekretuar nga gjykatësi?O popull i shkëlqyer i Italisë, ti je i ngjashëm me popullin e madh të Francës!Fatkeqësisht, vëllezër, ju jeni si ne “des Misérables – të Mjerë !”
Nga thellësia e hijes ku jemi dhe ku jeni, nuk shihni shumë më qartë se sa ne portat rrezatuese dhe të largëta të Edenit. Priftërinjtë gabohen : këto dyer të shenjta nuk janë pas nesh, por para nesh.
Si përfundim, ky libër, Les Misérables, nuk është më pak pasqyra juaj se e jona. Disa njerëz, disa shtresa të shoqërisë, revoltohen kundra këtij libri, i kuptoj. Pasqyrat, këto transmetuese të së vërtetës, urrehen;kjo nuk i pengon ato të jenë të dobishme.
Sa për mua, unë kam shkruajtur për të gjithë, me një dashuri të thellë për vendin tim, por pa u shqetësuar për Francën më shumë sesa për një popull tjetër.Ndërsa përparoj në jetë, thjeshtësohem dhe bëhem gjithnjë e më patriot i njerëzimit.
Për më tepër, kjo është tendenca e kohës sonë dhe ligji i ndikimit të Revolucionit francez; librat, për t’iu përgjigjur zgjerimit (përhapjes) në rritje të civilizimit, duhet të pushojnë të qenit ekskluzivisht në gjuhën frënge, italiane, gjermane, spanjolle, angleze dhe të bëhen evropianë; unë them më shumë humanë (njerëzorë).
Prej kësaj, një logjikë e re e artit, dhe e disa nevojave të përbërjes që modifikojnë gjithçka, madje edhe kushtet, më parë të ngushta, të shijes dhe të gjuhës, të cilat duhet të zgjerohen si pjesa tjetër.
Në Francë, disa kritikë më qortuan, fatmirësisht për mua, sepse isha jashtë asaj që ata e quajnë shije franceze;Unë do të kisha dashur që kjo lëvdatë të ishte e merituar.
Me pak fjalë, bëj atë që mundem, vuaj nga vuajtja universale dhe përpiqem ta lehtësoj atë;Unë kam vetëm forcën e vogël të një njeriu dhe u bëj thirrje të gjithëve : Më ndihmoni!
Kjo, zotëri, është ajo që letra juaj më bën t’ju them, e them për ju dhe për vendin tuaj.Nëse këmbëngula shumë, kjo ishte për shkak të një fjalie në letrën tuaj. Ju më shkruani : “ — Ka italianë, dhe shumë, të cilët thonë : Ky libër, Les Misérables, është një libër francez. Kjo çështje s’na përket. Le ta lexojnë francezët si një histori, ne e lexojmë si një roman.”— Fatkeqësisht! e përsëris, italianë apo francezë, mjerimi na shqetëson të gjithëve.Meqenëse historia shkruan dhe filozofia reflekton, mjerimi është veshja e racës njerëzore;ka ardhur momenti të zhvishet kjo zhele, të zëvendësohet në trupin nudo të Njeriut-Popull, veshja leckamane e së kaluarës me fustanin e madh të purpurt të agimit.
Zotëri, nëse kjo letër ju duket e nevojshme për të qartësuar disa mendje dhe larguar disa paragjykime, mund ta botoni.
Duke ju paraqitur sigurinë e re të ndjenjave të mia më të veçanta.
“Mona”, romani më i ri i shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi, nesër do të promovohet në Gjakovë, shkruan KultPlus.
Autori ka zgjedhur Gjakovën, jo vetë se në njëfarë mënyre, ambienti i saj (Dushkaja, Reka e Keqe, Suka), janë pjesë e ngjarjeve të imagjinuara të romanit, pra protagonist aktiv, por edhe për atë se nga aspekti historik dhe kulturor, ky qytet, në të kaluarën, ka qenë laborator i karantenimeve të ndryshme, që kanë pasë për qëllim luftën kundër identitetit etnik dhe atij kombëtar deri te përmasat e gjenocideve dhe etnocideve.
Promovimi mbahet nesër, në Bibliotekën e Qytetit, në orën 12:00.
“MONA” mbetet në kuadër të orbitrit tematik nga romanët e fundit “Dosja B” dhe “Dushkaja”. Vepra fokuson dramën e një Koloneli, ish ushtarak i armatës jugosllave, që mbahet i mbyllur për vite të tëra i rrethuar nga forcat ndërkombëtare diku në një ambient të izoluar të Rekës së Keqe nga dyshimi se ato që flet në një gjendje thuajse të çrregullt mendore, të shumtën kërcënime bashkëluftëtarëve të dikurshëm nga lufta e fundit, kthehen në vrasje.
Pra, bëhet fjalë për një konstrukt thuajse absurd për të cilin Mona, një gazetare hulumtuese, alarmon opinionin ndërkombëtar. Me këtë rast, një gazetë e njohur amerikane, kritike ndaj partneritetit të faktorit ndërkombëtar në Kosovës me struktura të caktura kriminale, të cilat me anën e tyre etablohen në politike, nis një hulumtim rreth mbylljes (izolimit të paligjshëm të Kolonelit të sëmurë) dhe vdekjes së tij, që dyshohet se ishte vrasje me paramendim… /KultPlus.com
“Shqipëria, një tokë e thesareve të fshehura”. Kështu e përshkruan e përditshmja “turismo.al”, Shqipërinë në shkrimin e saj, nga malet që të mbajnë frymën deri tek plazhet e mrekullueshme.
Ky destinacion relativisht i ri, i vendosur në jug-lindje të Europës, në vitin 2019, tërhoqi 6 milionë e 400 mijë turistë të huaj, një rritje prej 8% në krahasim me vitin 2018.
Sipas Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, kompanitë po e kuptojnë në këtë moment që historia ka ndryshuar dhe operatoret turistikë po kthehen gjithmonë e më shumë në kompani IT.
“Pra, edhe ne jemi duke bërë disa fushata që zënë më tepër hapësirë në mediat sociale. E gjithë kjo po na ndihmon të ndryshojmë imazhin e Shqipërisë, dhe po i bën turistët të kuptojnë se ky është një vend unik që duhet të vizitohet të paktën një herë në jetë”, tha Klosi.
Përmes rrjeteve sociale, Shqipëria ja doli të tregojë që është një destinacion i hapur për biznes. Turistët po kuptojnë që ky është një vend unik, që duhet eksploruar të paktën një herë në jetë./atsh/ KultPlus.com
“Zemra e trembur dhe e ngazëllyer i tha se ishte ajo. Kishte qëndruar dhe po bisedonte me një zonjë në anën tjetër të sheshit. Si në të veshur, ashtu edhe në sjelljen e saj nuk kishte asgjë të veçantë, por Levini e njohu menjëherë mes tollovisë si trëndafilin mes hithrave.
Sheshi shëndriste nga ajo, buqëshja e saj ledhatonte çdo gjë përreth. “Pse, a mundem t’i afrohem, ti qëndroj pranë në akull?” tha me vete. Ai vend i saj iu duk i shenjtë, aty s’mund të shkelte këmba e tij; qe një qast sa për pak iku, aq u frik.
Me sforcim të madh e përmbajti veten, arsyetoi: meqë rreth saj silleshin gjithfarë njerëzish, edhe ai mund të shkonte të bënte patinazh. U lëshua tatëpjetë kodrës, u përpoq të mos e shihte, siç bëjmë me diellin, por ja që e shihte, siç e shohim diellin edhe pa e vështruar.”
“Triumf” është një film dokumentar që sjell momentet më të spikatura me kapitenin e Kombëtares shqiptare Lorik Cana, skuadrën e tij dhe popullin shqiptar ndërsa ishin në udhëtimin e tyre historik në Kampionatin Europian 2016, shkruan albinfo.ch.
Ndiqni historinë e tyre të pasur dhe krenarinë kombëtare ndërsa ata ngrihen në renditjen botërore në rrugën drejt Kupës Europiane në vitin 2016. Filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit të Varshavës dhe fitoi çmimin e Audiencës në Dokufest.
Gjithashtu mori pjesë në festivale të ndryshme në Meksikë, SHBA, Gjermani, Brazil dhe Kolumbi. Tani “Triumf” vjen në shtëpinë tuaj. Filmi është në dispozicion në Apple TV, Amazon Prime Video & Google Play. Gjithashtu mund ta shihni me titra në shqip, anglisht, italisht, gjermanisht dhe frëngjisht.
Sokrati ishte një filozof i lashtë grek, i cili konsiderohet themeluesi i filozofisë perëndimore. Burimi më i rëndësishëm i informacionit për Sokratin është Platoni.
Dialogët e Planonit e portretizojnë Sokratin si një mësues që mohon të ketë dishepuj, si një njeri i arsyes, i cili i bindet zërit hyjnor në kokën e tij, si një besimtar që ka përmbushur detyrimet qytetare të vendit të tij. Ai besonte se filozofia duhet të arrijë rezultate praktike në mirëqenien më të madhe të shoqërisë. Ai besonte gjithashtu se zgjedhja e njeriut është e motivuar nga dëshira për lumturi, dhe se kjo mund të arrihet vetëm me njohuri të drejtë të vetes – kjo është më shumë mundësi për të bërë zgjedhje që do të na sjellin lumturi të përjetshme që ne e dëshirojmë. Dënimi me vdekje Në vitin 399 para erës sonë, Sokrati dënohet me vdekje nga qeveria e Athinës nën akuzat se mohonte perënditë dhe kishte korruptuar të rinjtë me mësimet e tij. Trupi gjykues i ofroi Sokratit dy zgjedhje; 1) të hiqte dorë nga bindjet e tij; 2) të vdiste duke pirë helm – filozofi zgjodhi të dytën. Nxënësi i tij, Platoni, ishte i pranishëm në vdekjen e Sokratit dhe e përshkroi ngjarjen: “Pasi piu kupën me helm, Sokrati filloi të ecte nëpër dhomë për të ndihmuar përhapjen e helmit në organizëm, derisa këmbët iu mpinë. Mpirja iu përhap më lart, arriti në zemër, rrahjet e saj u ndalën dhe Sokrati vdiq”. Sokrati ishte 70 vjeç. Në shekullin XVIII, artisti francez Jacques Louis-David realizoi një pikturë nga kjo skenë duke u mbështetur në përshkrimet e Platonit dhe të një sërë autorësh të periudhës klasike.
Piktura ndodhet e ekspozuar në Muzeun e Artit Metropolitan të Nju Jorkut. Njih vetveten: Jeta e pashqyrtuar është më mirë të mos jetohet Besimi i Sokratit se duhet të reflektojmë për jetën që jetojmë, është jetojmë është frymëzuar pjesërisht nga shprehja e famshme e gdhendur në vendin e shenjtë të orakullit në Delfi, “Njih vetveten”. Sekreti i vlerës në profecitë e orakullit është vetë-njohuria, dhe jo unaza e deshifrimit. Sokrati ishte kaq pasionant për vlerën e vetë-hetimit, sa e shqyrtoi imtësisht jo vetëm jetën dhe besimet e tij, por dhe ato të të tjerëve. Përmes pyetjeve të shumta, ai i detyroi njerëzit të hetonin besimet personale. Ai i pa banorët e Athinës së tij të dashur të ecnin përgjumësh përmes jetës, të jetonin vetëm për para, pushtet dhe famë, kështu që u bë i famshëm në përpjekjen e tij për t’i ndihmuar. THËNIET MË TË BUKUA NGA SOKRATI (Përzgjedhur nga Tirana Observer) 1- Urtësia fillon në mrekulli. 2- Jam më i dituri ndër të gjallët, se e di një gjë, e di se nuk di asgjë. 3- Ka vetëm një të mirë: dituria. Dhe vetëm një të keqe: padituria. 4- Mos u ngut të zësh miq, por, kur t’i zësh, mos i braktis 5- Ai që dëshiron ta ndryshoje botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij. 6- Për ta gjetur vetveten, mendoni për vetveten. 7- Nuk jam as athinas, as grek, jam qytetar i botës. 8- Ruaje emrin si thesarin tënd më të shtrenjtë, sepse besueshmëria është si zjarri; po ta kesh ndezur, e ke të lehtë ta ruash, por, po ta shuash, të bie barra e rëndë ta ndezësh prapë. 9- Fitimi i emrit përkthehet në përpjekjet për të qenë çka dëshiron. 10- Gjithë shpirtrat e njerëzve janë të pavdekshëm, por shpirtrat e të drejtëve janë edhe të pavdekshëm, edhe hyjnorë. 11- Lëviz vetë, përpara se të lëvizësh botën. 12- Për sa i përket martesës ose beqarisë, vendos vetë, o njeri, por ta dish mirë se ke për t’u penduar. 13- Martohu, patjetër. Por të ra gruaja e mirë, do të jesh i lumtur; po të ra e keqe, do të bëhesh filozof. 14- Arrita në përfundimin se nuk ishte mençuria ajo që u dha mundësi poetëve të shkruanin poezi, por një lloj instinkti apo frymëzimi, si ai që hasim tek orakujt dhe profetët, të cilët i përcjellin mesazhet e tyre të larta pa e ditur fare kuptimin e tyre. 15- Ruaju nga shterpësia e jetës së ngarkuar me punë. 16 -Kur përfundon rrahja e mendimeve, shpifja bëhet vegël në duart e humbësit. 17- Mos harro se vepra dhe fjala të bëjnë dhe të zhbëjnë njëlloj. 18- Kush lëndohet nuk duhet të hakmerret duke lënduar, sepse kurrë nuk është e drejtë të bësh padrejtësi; dhe nuk është e drejtë të hakmerresh duke lënduar, as t’i bësh keq tjetrit, sado të të ketë munduar. 19- Të këqijtë jetojnë për të ngrënë dhe për të pirë, ndërsa të mirët hanë dhe pinë për të jetuar. 20- Mos i quaj besnikë ata që të lëvdojnë fjalët dhe veprat, por ata që me përzemërsi të qortojnë për gabimet. 21- I ndershmi mbetet gjithmonë fëmijë. 22- Sot fëmijët janë tiranë. Ata kundërshtojnë prindërit, luajnë me bukën e gojës dhe u marrin shpirtin mësuesve të tyre. 23- Lehtë mund të falim një fëmijë që ka frikë nga errësira. Tragjedia e vërtetë e jetës është kur njerëzit kanë frikë nga drita. 24- Shikoni, sekreti i lumturisë nuk mund të gjenden në të kërkuarit shumë e më shumë por në zhvillimin e kapaciteteve për t’u kënaqur më pak. 25- Vërtetë, isha aq i ndershëm, sa nuk pranova të bëhesha politikan dhe të jetoja njëherësh. 26- Mençuria fillon nga habia. 27- Nuk është me rëndësi vetëm të jetuarit, por edhe rregullat se si jeton. 28- Mos harro se asgjë nuk është e qëndrueshme në marrëdhëniet njerëzore; prandaj shmang ngazëllimin e pavend që vjen nga begatia, ose brengën e pavend që vjen nga mjerimi. 29- Mos i zër miqtë me lajka, por duke u dhënë dhurata të prekshme dashurie. 30- Kur njerëzit mashtrohen dhe mbrujnë mendime që e tejkalojnë të vërtetën, atëherë kuptohet se gabimi ka hyrë në kokën e tyre përmes një lënde të ngjashme me të vërtetën. 31- Ora e ndarjes arriti, secili nga ne duhet të ndjekë udhën e vet – unë duhet të vdes, kurse ju duhet të jetoni. Vetëm Zoti e di cila nga këto udhë është më e mira. 32- Nëse njeriu krenohet me pasurinë e tij, nuk duhet të lëvdohet, deri sa të merret vesh se si e shfrytëzon atë. 33- Vdekja mund të jetë bekimi më i madhërishëm njerëzor. /KultPlus.com
Prokurori i Përgjithshëm i Minnesotas, Keith Ellison, ka vendosur të ngrejë akuzë kundër ish-policit Derek Chauvin, për vrasje të shkallës së dytë, lidhur me rastin e George Floydit, dhe ka ngritur akuzë ndaj tre zyrtarëve të tjerë të përfshirë në incident, më shumë se një javë pasi që kanë shpërthyer protestat në SHBA.
46-vjeçari Floyd, vdiq pasi Derek Chauvin, kishte mbajtur gjurin në qafën e Floydit për gati nëntë minuta më 25 maj, duke ringjallur çështjen e brutalitetit të policisë ndaj afro-amerikanëve pesë muaj para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.
Chauvin, 44-vjeçar, ishte përjashtuar nga vendi i punës dhe javën e kaluar u akuzua për vrasje të shkallës së tretë. Akuza e re, ajo për vrasje të shkallës së dytë, mund të sjellë dënim për ish-policin deri në 40 vjet burgim, 15 vjet më shumë se që ishte maksimumi i dënimit të mundshëm për vrasjen e shkallës së tretë.
Të tre zyrtarët tjerë që ishin të përfshirë në rast – Thomas Lane, J. Alexander Kueng dhe Tou Thao – do të akuzohen për ndihmë dhe mundësim të vrasjes, ka raportuar gazeta “Star Tribune”.
Mirush Kabashi është një aktor shqiptar i cili numëron rreth 100 role në teatër dhe filma. Mirush Kabashi tek publiku mbahet mend veçmas për interpretimet artistike të poezive të ndryshme.
Me interpretimet e tij disa poezive shqipe, ai ka dëshmuar potencialin e rrallë të një interpretuesi. Shumë poezi janë gjetur, rilexuar pikërisht si pasojë e interpretimit të aktorit Mirush Kabashi. Tonaliteti e përjetimi i tij në secilën strofë arrin të krijoi një komunikim tejet të afërt me publikun.
Sot KultPlus ju sjellë interpretimin e aktorit Kabashi derisa reciton poezinë“Ah moj demokraci”. Kjo poezi është shkruar nga autori Pano Taçi.
https://youtu.be/ux0EZVg493Y
E ç`t`iu them për demokracinë? E gjeta apo më gjeti, me gurin e Sizifit mbi shpinë? Tek bëj të çaj dallgët e jetës me vështirësi, se që kohë na u ngritën këmbët dhe na u bënë kokë, mi krodhën e bukës na ranë dhëmbët, m`be më sot, m`be me xhepat trokë, shpresat duke i bërë abort.
Se larg e më larg e merr arratinë, me rrasën e qivurit qepur mbi shpinë një pjesë e trurit, e pjesa tjetër që mbeti,ëhë,bën gjumin letargjik, ofin pas e vjetër, prandaj edhe unë nuk e di, nëse t`kam pritur apo më ke pritur moj demokraci?!
E në derë të shoshoqit kush i ka trokitur i pari nga ne të dy? Po më duket si unë dhe si ti, jemi t`papërgatitur që të bëjmë dashuri.
Dhe sa jam përpjekur, o ZOT sa kam ëndërruar, se më vjen pa ofiqe dhe pa lëngata.
Jam shkapitur me mund gjatë, tempullin tënd për ta arritur, me një pëllumb në duar, a thua unë jam shumë i shpejtuar, apo mos ti vallë je e vonuar?
Se shpresova që qielli do m`hapej i kaltër, e shohë plotë me re gri, shpresova se s`do përulem më i përlotur m`i vatër, jam po përsëri me krye në hi, e kur shikoj që për varr mu bë deti, e ëndrrat mu rrudhën, ah, moj demokraci…
M`duket se përtej njëri-tjetrit të dy kemi humbur udhën, se ndërruan kohët, por nuk ndrruan politikanët, që të zbardhën në gropën e gëlqeres kollutumba ranë, sorrat, minjtë e ujqërit e na u bënë pëllumba, e votën për ta me gaz e jep mileti, ndërsa ne t`përndjekurit, të torturuarit me proka, tani u lëpijm vrerin të zgjedhurve tanë, që tjerrin nëpër seanca kuvendi profka, e ne pranojmë t`iu rritet rroga, pa çka se ata besimin na e pshurrën.
Hallall ia bëjmë veturën, hallall dhe cereberin, nga pas si rojë, hallall dhe milionerin, hallall dhe kredinë për banesën luksoze, dhe për sekretaren lozonjare që po nuk e puthe bëhet nervoze.
Hallall dhe pashaportën diplomatike, për vete dhe për gruan Azike, dhe muajin e marmalatës, pushimeve jashtë shtetit, n`kampet ekzotike t`Afrikës, Amerikës, Europës e përtej urës Gallatës.
Hallall edhe seancat e grushtit, kur shanë e rrihet politikani me fjalë rrugësh, e ku për një plesht digjet jorgani.
Hallall deputeti, dy herë hallall mileti, që i pëlqen ta shalojnë mbi kurriz si gomarë, hallall që ha bar, po se me një durim pa emër, dhe shpresën që vdes e fundit në zemër, deri kur, deri kur o tru i bekuar?
O ti mendjenur, ti e unë në gjumë deri kur?
Po për dhimbjet tona mban kush zi, apo gjaku është bërë ujë e ngrirë?
Të flas ty moj demokraci, se në t`pëlqen të të përdhunojnë, atëherë qenke veç një lavire, dita që pritkemi qenka larg, me plagë dje, me plagë sot e nesër po përsëri me plagë?
O vendi im, o Shqipëria ime.
Po ç`mu bëre kështu sa zemra në gji po më plas?
E kërkoj njeriun edhe njerëzit me shpirt t`iu flas, e flas me një dru, flas me dru, flas me dru…
Dua ta dish Një gjë. Ti e di si është kjo punë: Nëse vështroj hënën prej kristali, degën e kuqe të vjeshtës së ngeshme në frëngjinë time, nëse prek tok me zjarrin të pakapshmin hi e të rrudhurin kurm të drurit gjithë më shpie tek ti sikur gjithë ç’ekziston, erëmime, dritë, metale, të ishin varka të vogla që lundrojnë, drejt ishujve të tu që më presin.
Në e gjykon të gjatë e të çmendur valëvitjen e flamujve që kalon në jetën time dhe vendos të më lësh bregun e zemrës ku kam rrënjë, mendo se në atë ditë, në atë orë do të ngre krahët dhe rrënjët e mia do të dalin të kërkojnë të tjerë troje.
Por nëse çdo ditë, çdo orë ndjen se për mua ke qenë e shkruar me ëmbëlsi të paepur. Nëse çdo ditë ngjitet t’më kërkojë një lule në buzët e tua, ah dashuria ime, ah e imja, në mua gjithë ai zjarr përsëritet, në mua asgjë nuk shuhet e as harrohet, dashuria ime me dashurinë tënde ushqehet, e dashur, e gjersa të kesh jetë do të jetë në krahët e tu pa u larguar prej të mive.
Marena Angjele, piktore shqiptare e portreteve dhe skenave urbane në Angli, tregon për angazhimin e saj profesional, punimet artistike, çeljen e ekspozitave dhe bashkëpunime me artistë të tjerë shqiptarë.
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko përcjell historinë e Marenës në rrëfimin e saj për vështirësitë e integrimit në vend të huaj.
Së fundmi Marena sapo ka përfunduar portretin e një personazhi të njohur të ekraneve televizive italiane, Giulia Salemi. Profesionin ajo e ka të trashëguar nga i ati, i cili gjithashtu ka qenë piktor.
Ajo ka punuar për 3 vite në bashkëpunim me disa galeri arti në Greqi. Dy vitet e fundit ajo po punon në Angli, në Stockport të Manchester.
Pikturat e saj mund të gjenden në Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Greqi, Rumani, Danimarkë, Belgjikë etj.
Ajo shprehet se gjatë eksperiencës së saj 20-vjeçare si piktore ka bërë vetëm 1 ekspozitë personale, por ka pasur shumë bashkëpunime me artistë të tjerë.
“Me aq sa kam mundur kam marrë pjesë në jetën kulturore, edhe pse kam pasur fëmijët e vegjël dhe për një nënë është e vështirë. Rrugëtimin tim fillimisht e kam nisur si mësuese vullnetare arti. Këtu në Angli jetoj prej dy vitesh. Fillimisht kam ardhur për të ndjekur një ekspozitë në qytetin ku jetoj, Stockport. Më pas kam marrë pjesë në një ekspozitë tjetër në shkollën e vajzës time. Për të punuar si mësuese arti këtu nuk e kam kualifikimin e duhur por jam duke studiuar. Këtë vit diplomohem për ‘Gjuhë dhe Matematikë’ dhe këto janë si një urë për studime të mëtejshme”, shprehet Marena.
Si për çdo shqiptar në vend të huaj edhe për të ka qenë e vështirë integrimi në rrugën e artit.
“Bota të mbyt me art dhe ka artistë që bëjnë nga gjërat më të pabesueshme, dhe sigurt që nuk mjafton vetëm talenti dhe dëshira por duhet edhe një menaxhim i mirë”, përfundon ajo. atsh / KultPlus.com
Këtë natë kuptova që ti ishe: një grimcë jete e ardhur nga asgjëja. Po qëndroja me sy hapur në errësirë e papritmas në këtë terr, u ndez një dritë qartësie: ti ishe. Ekzistoje. Qe sikur të ndieja një plumb në gjoks. Më ndaloi zemra.
Kur rinisi të rrihte me goditje të shurdhëta e të hutuara, kuptova se po rrokullisesha në një pus ku gjithçka ishte e paqartë e terrorizuese. Tani jam këtu, e mbyllur me çelës brenda një frike që më lag fytyrën, flokët, mendimet. E në të humbas.
Përpiqu të kuptosh: nuk është frika nga të tjerët. Nuk pyes për të tjerët. Nuk është frika ndaj Zotit. Unë nuk besoj në Zot. Nuk është frikë ndaj dhimbjes. Nuk i trembem dhimbjes. Është frika për ty, ndaj rastësisë që të shkuli nga asgjëja për të të ngjitur në kërthizën time.
Nuk kam qenë kurrë gati për të të pritur, edhe pse të kam kërkuar shumë. Kam shtruar gjithmonë pyetjen mizore: Po sikur të mos i pëlqejë të lindë? Po sikur një ditë ti të më qortoje duke britur: “Kush të tha të më sillje në botë, pse më solle, pse?”
Jeta është një mundim i tillë, mor bir. Është një luftë që përsëritet çdo ditë, e momentet e gëzueshme të saj janë aq të shkurtra e paguajnë një çmim mizor. Si mund ta di se nuk do ishte e drejtë të të hidhja tej, si mund të kuptoj se nuk do t’i rikthehesh heshtjes?
Nuk mundesh të më flasësh. Grimca jote e jetës është veçse një nyje celulash të sapokrijuara. Ndoshta nuk është as jetë, veç mundësi jete. E megjithatë do jepja gjithçka që ti të më ndihmoje me një shenjë, me një sinjal. Nëna ime thotë se unë ia dhashë dikur e prandaj më solli në botë.
Nëna ime, ta dish, nuk më donte. U nisa gabimisht, në një moment zbavitjeje të dikujt. E që të mos lindja çdo natë shkrinte në ujë një ilaç. Më pas e pinte duke qarë. E pi deri në natën kur unë lëviza, brenda kërthizës së saj, e godas më shkelm për t’i thënë mos më hidh tej. Ajo ishte duke vendosur gotën në buzë.
E largon menjëherë duke e derdhur në tokë. Disa muaj më pas unë rrotullohesha fitimtare në diell e se qe mirë apo keq nuk e di. Kur jam e lumtur, mendoj se qe një e mirë, kur jam e palumtur, them se qe një e keqe. Edhe kur jam e palumtur, mendoj se do më vinte keq të mos lindesha, pasi asgjëja është më e keqja e asgjësë.
Unë, po ta përsëris, nuk i trembem dhimbjes. Ajo lind me ne, rritet me ne e me të mësohemi si me faktin se kemi dy krahë e dy këmbë. Unë në fund të fundit nuk i trembem as vdekjes, pasi një që vdes, do të thotë se ka lindur, se ka dalë nga asgjëja. Unë i trembem asgjësë, mosqenies, detyrimit për të thënë se nuk isha, rastësisht, o gabimisht, apo thjesht për zbavitjen e tjetrit.
Shumë gra pyesin: Pse të sjell në botë një fëmijë? Për të pasur uri, për të pasur ftohtë, për t’u tradhtuar, fyer, për të vdekur i vrarë në luftë apo nga sëmundja? E mohojnë shpresën që uria e tij të ngopet, që i ftohti i tij të ngrohet, që besnikëria e respekti të jenë miq, që të jetojë gjatë duke tentuar të eliminojë sëmundjet e luftën.
Ndoshta ato kanë të drejtë. Po asgjëja duhet preferuar ndaj vuajtjes? Unë madje dhe në intervalet kur qaj për falimentimet e mia, deluzionet e mia, hallet e mia, konkludoj se të vuash është më mirë se asgjëja. E po ta shtoj këtë jetë me dilemën lind o nuk lind, përfundoj duke eksklamuar se lindja është më mirë se moslindja.
Si thua, është e drejtë të shtrosh një arsyetim të tillë edhe për ty? Nuk është si të të sjellësh në botë për veten time e mjafton? Nuk më intereson të sjell në botë për vetveten e mjaft. Madje, nuk kam aspak nevojë për ty.
Do të jesh burrë o grua?
Do të doja të ishe grua. Do të doja që ti të provoje një ditë atë që po provoj unë: nuk jam aspak dakord me nënën time që thotë se të lindësh grua është një fatkeqësi. Nëna ime, kur ishte e hidhëruar, pëshpëriste: Ah sikur të kisha lindur burrë!
E di: është një botë e fabrikuar për burrat e për burrat, diktatura e tyre është kaq antike sa që shkon deri te mënyra e shprehjes. Thuhet burrë për të thënë burrë e grua, thuhet fëmijë për të thënë djalë o vajzë, thuhet bir për të thënë bir o bijë, thuhet vrasës për të treguar një burrë o një grua. Në legjendat që meshkujt kanë krijuar për të shpjeguar jetën, krijesa e parë nuk është një grua, por një burrë i quajtur Adam.
Eva vjen më pas për ta argëtuar e për të krijuar telashe. Në pikturat që zbukurojnë kishat e tyre, Zoti është një plak me mjekër: kurrë një plakushe me flokë të bardhë. E të gjithë heronjtë e tyre janë meshkuj: nga ai Prometeu që zbuloi zjarrin, tek Ikari që tentoi të fluturonte e deri tek Jezusi që e shpallin si biri i Shpirtit të Shenjtë – pothuajse sikur gruaja nga e cila lindi të ishte një inkubatriçe apo një dado.
E MEGJITHATË, PIKËRISHT PËR KËTË TË JESH GRUA ËSHTË KAQ TËRHEQËSE. ËSHTË NJË AVENTURË QË KËRKON KAQ KURAJË, NJË SFIDË QË NUK TË MËRZIT KURRË. DO TË KISHE KAQ GJËRA PËR TË BËRË PO TË LINDJE GRUA.
E për ta nisur do të të duhej të luftoje për të bindur se Zoti, po të ekzistonte, mund të ishte dhe një plakë me flokë të bardhë apo një një vajzë e bukur. Më pas do të të duhej të shpjegoje se mëkati nuk lindi në ditën kur Eva këputi mollën: në këtë ditë lindi një virtyt i mrekullueshëm i quajtur mosbindja.
Në fund do të të duhet të luftosh për të demonstruar se brenda trupit tënd të lëmuar e me forma, ndodhet një inteligjencë që ulëret për t’u dëgjuar. Të jesh nënë nuk është një zanat. Nuk është as një detyrë. Është vetëm një e drejtë midis shumë të drejtash. Do të lodhesh shumë duke ulëritur. E shpesh, pothuajse gjithmonë do të humbësh. Por nuk duhet të shkurajohesh.
Të luftosh është shumë bukur se sa të fitosh, të udhëtosh është shumë më argëtuese se sa të mbërrish: kur ke arritur o ke fituar , të kesh është një boshllëk i madh. E për të kapërcyer këtë boshllëk duhet të rifillosh udhëtimin, të krijosh zbulime të reja. Po shpresoj që ti të jesh një grua, pavarësisht se unë të quaj bir. E shpresoj që ti të mos thuash kurrë atë që thotë nëna ime. Unë nuk e kam thënë kurrë.
Po dhe po të lindje burrë, unë do të isha e kënaqur njëlloj. E ndoshta më shumë, sepse do të të kursehen kaq shumë injorime, shumë shërbime, shumë abuzime. Po të lindje burrë për shembull, nuk do kishe frikë se mos të përdhunonin në errësirën e një rruge.
Nuk do të nevojitej një fytyrë e bukur për t’u pranuar me vështrimin e parë, as një trup i bukur për të fshehur inteligjencën. Nuk do t’u nënshtrohesh paragjykimeve dashakeqëse kur të flesh me kë të të pëlqejë, nuk do të dëgjosh të të thuhet se mëkati lindi kur këpute një mollë. Mund të luftosh më rehatisht për të bindur se Zoti dhe po të ekzistonte mund të ishte një plakushe me flokë të bardha ose një vajzë e bukur.
Mund të mos bindesh pa u tallur, të dashurosh pa u zgjuar natën me ndjenjën se po rrokullisesh në një pus, të mbrohesh pa u insultuar. Natyrisht do të të takojnë skllavëri të tjera, padrejtësi të tjera: as dhe për një burrë jeta nuk është as e lehtë, ta dish.
Derisa të kesh muskuj të fortë do të të kërkojnë të mbash sa më shumë pesha, do të imponojnë përgjegjësi arbitrare. Derisa të kesh mjekër, do të qeshin po të qash, madje dhe kur të kesh nevojë për ngrohtësi. Derisa të kesh një bisht para, do të të urdhërojnë të vrasësh ose të vritesh në luftë, do të kërkojnë pjesëmarrjen tënde për të vendosur tiraninë e krijuar në shpella.
E megjithatë apo pikërisht për këtë, të jesh një burrë është gjithashtu një aventurë e mrekullueshme: një detyrë që nuk do të zhgënjejë kurrë. Të paktën shpresoj, pasi po të lindësh burrë, do të jesh një burrë siç unë e kam ëndërruar gjithmonë: i ëmbël me të dobëtit, i egër me prepotentët, zemërgjerë me këdo që të do të mirën, i pamëshirshëm me atë që të urdhëron.
E në fund, armik i cilitdo që tregon se Jezusi është biri i Babait të Shpirtit të Shenjtë, e jo i gruas që e lindi. Biri im, po përpiqem të të shpjegoj se të jesh burrë nuk do të thotë të kesh një bisht para, do të thotë të jesh një person. E mbi të gjitha mua më intereson të jesh një person. Është një fjalë e mrekullueshme fjala person, pasi nuk vë limite midis burrit e gruas, nuk vë barrikada midis kush ka bisht e kush jo.
Nga ana tjetër filli që ndan kush ka bisht e kush jo është një fill aq i hollë, që praktikisht shprehet me aftësinë e pjekurisë o jo të një krijese në kërthizë. Zemra e truri nuk kanë seks. As sjellja.
Po të jesh një person me zemër e tru, mbaj mend se unë nuk do të jem nga ata që do të urdhërojnë të sillesh në këtë mënyrë a në tjetrën, femër a mashkull qofsh. Do të të kërkoj vetëm të shfrytëzosh mirë mrekullinë e ardhjes në jetë, të mos i dorëzohesh kurrë frikës. Është një shtazë përherë në pritë, frika.
Na kafshon të gjithëve, çdo ditë e janë pak ata që nuk lejojnë të kafshohen nga ajo. Në emër të kujdesit, të komoditetit e të herë dhe të urtësisë. Frikësohen kur kërcënohen nga rreziku e sapo ai largohet, njerëzit bëhen arrogantë. Nuk duhet të shmangësh kurrë rrezikun, edhe kur frika të frenon. Të vish në jetë është vetë një rrezik i pendimit se pse ke ardhur.
NË VEND TË FRIKËS UNË NDIEJ NJË LLOJ MELANKOLIE, NJË LLOJ PAKËNAQËSIE QË ZBEH EDHE HUMORIZMIN TIM. MË VJEN KEQ TË VDES, PO. E NUK HARROJ KURRË ATË ÇKA MË THËNË ANA MAGNANI VITE MË PARË: “ORIANA IME, NUK ËSHTË E DREJTË TË VDESËSH, MEQENËSE KEMI LINDUR”.
“Njerëzit në përputhje me ligjet e natyrës, ndahen në përgjithësi në dy kategori: në të ulët (të zakonshëm), në lëndë që shërben për riprodhim të të tjerëve si ata vetë, dhe në njerëz me dhunti e talent, të zotë për të thënë fjalën e re në mjedisin ku jetojnë. Nëndarjet janë të panumërta, veç shenjat dalluese të kategorive janë të theksuara.
Kategoria e parë janë njerëz me pikëpamje konservatore, të ngurta, këta rrojnë të nënshtruar dhe të bindur dhe u pëlqen të jenë të tillë, këtë destinacion kanë, asgjë poshtëruese në këtë mes nuk ka.
Kategoria e dytë e shkel ligjin, bënë shkatërrime apo ka prirje për të bërë, kjo varet nga rrethanat dhe zotësia e individit. Krimet e të tillëve kanë, sigurisht, karakter relativ; në të shumtën e herëve këta ngulmojnë përmes deklaratave gjithfarëshe në shkatërrimin e të tashmes në emër të më të mirës. Dhe në qoftë se për hir të idesë këtij i duhet të ecë mbi kufomat e të tjerëve , në vetëdijen e tij, ky, për mendimin tim, mund t’ia lejojë vetes të çajë përpara qoftë edhe me gjakderdhje. Sigurisht, kjo varet nga lloji i idesë dhe përmasat e saj, kjo duhet të theksohet.
Në këtë kuptim kam shkruar për të drejtat e krimit. Sidoqoftë, asgjë shqetësuese këtu nuk ka: të zakonshmit kurrë nuk u’a njohin këtë të drejtë, i pushkatojnë, i varin, duke përmbushur kështu destinacionin e tyre konservator, ama brezat pasardhës i vënë të ekzekutuarit në piedestal dhe u përulen me nderim.
Kategoria e parë është zot i të sotmes, kategoria e dytë është zot i të ardhmes. Të parët ruajnë paqen dhe shumojnë njerëzimin, të dytët shtyjnë përpara botën, e përcjellin atë te qëllimi. Si të parët, ashtu edhe të dytët kanë të drejtë të plotë për ekzistencë. Për mua, që të gjithë janë të barabartë, deri në Jeruzalemin e ri, kuptohet”.
E shkëputur nga libri “Krim dhe Ndëshkim”, Fyodor Dostoevsky