Berati, mes shtatë qyteteve më të bukura të Evropës

Ato nuk janë më pak të padenja sesa Parisi dhe Londra. Aventura evropiane është e shumëllojshme. Dikush kërkon t’i ngjitet më këmbë kullës Eiffel, dikush ta hajë pica pranë shatërvanit në Trevi apo dikush të prekë kapelet e rojave në Buckingham Palace. Dhe kjo nuk është një gjë e re.

”Por, Evropa është e pasur edhe me qytete unike dhe historike. Larg qyteteve të mëdha, atje gjen autenticitet”, shkruan faqja e njohur aziatike e turizmit micetimes.asia.com.

Shtatë qytetet e vogla më të bukur të Evropës sipas kësaj faqeje janë Berati, Hora (Greqi), Kob (Irlandë), Portovenere (Itali), Uzes (Francë), Alesund (Norvegji) dhe Rovinj (Kroaci).

”Berati njihet si qyteti i një mbi një dritareve. Dritaret dhe qepenat e shtëpive të Mangalemit të lënë pa frymë. Ia vlen të ecësh më këmbë dhe të takosh banorët, të cilët jetojnë ende në muret mesjetare dhe t’u gëzohesh pamjeve të minareve dhe të kishave në luginën e Osumit”, shkruan ajo.

”Kuzhina është e thjeshtë në Berat. Bli një shishe vere lokale, bukë të ngrohtë dhe eksploro qytetin e bukur. Dhe nëse jeni me fat, ju do të mund të shihni edhe një ceremoni shqiptare dasme”, përfundon kjo faqe. / KultPlus.com

Dua Lipa e kujton me krenari gjyshin e saj, Seit Lipën

Dje KultPlus ka shkruar për Seit Lipën, gjyshin e Dua Lipës.

Drejtor i Institutit të Historisë, Seit Lipa ndërroi jetë në vitin 1999.

Duket se Dua mund ta ketë parë fotografinë e një prej kopertinave të librave që i ka shkruar Seit Lipa dhe sot ajo në Instagram ka treguar sa krenare është me një gjysh të tillë, i cili dha kontribut për historinë dhe kulturën shqiptare.

“Gjyshi im Seit Lipa ishte Drejtor i Institutit të Historisë në Kosovë, në mes të viteve 1990-1995. Të ju tregojmë njerëzve prej kah jemi është në gjakun tonë, dhe unë vetë gjithmonë e potencoj që jam prej Kosovës. Ne kemi një histori të mahnitshme, ndërsa unë çdo ditë mësoj diçka të re për të. Një shkrim së fundmi tregon për punën e gjyshit tim dhe u mbusha plot krenari, prandaj desha ta shpërndaj këtë lajm me ju” ka shkruar Dua Lipa.

Dua kësisoj ka lexuar tekstin e botuar në KultPlus gjatë ditës së djeshme, mbi Seit Lipën, këtë figurë të madhe të historisë dhe kulturës shqiptare, sidomos në një kohë kur në Kosovë regjimi nuk lejonte frymëmarrje për njerëz dhe intelektualë të kalibrit të tillë. / KultPlus.com

‘Kanuni i Lekë Dukagjinit’ vjen në gjuhën gjermane

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih në bashkëpunim me edicionin Xenia Luzern-Klinë, me datën 24 mars, do të bëjë promovimin e “Der Kanun” – Kanunin e Lekë Dukagjinit, në gjuhën gjermane.

Për Kanunin do të flasin Konsulli i Republikës se Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu, Botuesi i “Der Kanun” Martin Schaellebaum si dhe përkthyesi i “Der Kanun” në gjuhën gjermane Bardhec Berisha.

Botimi “Der Kanun” është përkthim i plotë dhe i vetmi me të drejtë të autorit, të cilën e ka dhënë Rendi Françeskan i Shkodrës, si botues në vitin 1933 i “Kanunit të Lekë Dukagjinit” të përpiluar nga Atë Shtjefën Gjeçovi.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është përmbledhje e normave dhe dokeve shqiptare me karakter juridiko-social në një libër, në rrjedhën e disa qindvjeçarëve, para dhe pas jetës së Lekë Dukagjinit.

Kanuni i Lekë Dukagjinit u përkthye fillimisht në gjuhën italiane, serbisht, frëngjisht, rusisht dhe anglisht.

Në korpusin e ligjeve të pashkruara ekzistojnë: “Kanun’i vjetër”, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, “Kanuni i Çermenikës”, “Kanuni i Papa Zhulit”, “Kanuni i Labërisë” dhe “Kanuni i Skënderbeut” ose ndryshe “Kanuni i Arbërisë”.

Promovimi bëhet me 24 Mars 2018 në ora 18 00 në Eugen-Huber Strasse 19 A, 8048 Zürich. / KultPlus.com

Edhe letërsia nga Kosova shpaloset në Panairin e Librit në Paris

Në Panairin e Librit në Paris, Salon du Livre Paris 2018, mes librave të tjerë po prezantohet edhe ai i Haxhi Krakit.

Libri “Atdheu s`është monedhë tregtie” është botuar nga Shtëpia Botuese Buzuku në Prishtinë ndërsa po gjen lexuesin e vet edhe në Francë.

Edhe Shoqata e Botuesve të Kosovës ka disa botime të saj në këtë Panair Libri në kryeqytetin francez.

Buzuku në anën tjetër njihet si vendi prej nga janë botuar autorët Patrick Modiano, J.M.G. Le Clézio, Jean-Paul Sartre, Mathias Énard, Nathalie Sarraute, Roland Barthes, Tzvetan Todrov, Éric Vuillard, Lydie Salvayre, Leïla Slimani, Carole Martinez, Edouard Louis, Olivier Adam, Pascal Roze, Juan Asensio, Jenny Dorny, Lucie Léanne, George-Olivier Châteaureymaud, Maylis de Kerangal dhe autorë tjerë.

Këtë vit Salloni i Librit në Paris i kushton rëndësi të veçantë letërsisë ruse, por kjo nuk do të thotë që të mos vizitohet edhe Stenda e Kosovës dhe të tjera botime. / KultPlus.com

Një koncert tjetër për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi

Një koncert për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi do të mbahet me datë 21 mars.

Bëhet fjalë për iniciativën e nisur nga Luan Durmishi – një muzikant i njohur që ka mbledhur rreth tij të tjerë artistë për një natë muzikore.

Lirika Pula në piano, Kori Attacca, Hajrullah Syla në dirigjim, Visar Kuçi në violinë dhe aktori Afrim Kasapolli do ti bashkohen kësaj iniciative, për Bekimin.

Koncerti do të mbahet me 21 mars, në ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, ish Instituti i Historisë.

Hyrja në koncert do të jetë 5 euro, me qëllim që më pas të hollat të shkojnë për shërimin e regjisorit Bekim Lumi, i cili ka kohë që po vuan nga sëmundja e kancerit.

Durmishi ka bashkëpunuar në njërën prej shfaqjeve të regjisorit Lumi dhe ky koncert është një vazhdimësi e plot ngjarjeve kulturore me karakter humanitar për tu solidarizuar me Lumin. / KultPlus.com

‘Ave Maria’ dhe ‘Ishin dy kunata’, të incizuara në Pallatin e Rinisë në vitin 2002

Një prej projekteve të para të Qendrës për Muzikën e Re ishte themelimi dhe zhvillimi i ekipit për incizime të koncerteve të Fakultetit të Muzikës me tendencë të përgatitjes për incizime më ambicioze të koncerteve të Filharmonisë në të ardhmen.

Një pjesë e këtyre incizimeve të realizuara në vitin 2002, nga Kori dhe Ansambli i studentëve të Fakultetit të Arteve në Prishtinë tashmë janë bërë publike. Aty mund të dëgjohen këngët “Këndej kaloi armiku”, “N’mjedis t’ballit”, “Ishin dy kunata” “Ave Maria” e të tjera, shkruan KultPlus.

Studentët e QMR kanë qenë ata që i kanë bërë të gjitha përgatitjet, incizimet, editimin dhe realizimin e kësaj CD-je, ka treguar pianisti dhe kompozitori Ilir Bajri. Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar se për idenë, punën, realizimin e inkurajimin e vazhdueshëm meritat i ka profesori Bahri Çela.

“Ani pse teknikisht mundësitë ishin minimale studentet realizuan me sukses koncert dhe incizim solid, dhe sot pas 16 vitesh s’ka se si mos shtrohet pyetja – po te kishte një troh më shumë përkrahjeje e stimulimi me vazhdu me atë vullnet e përkushtim sot do te kishim shume CD e koncerte te incizuara me kualitet të lartë e përjetim besnikërisht të ngjashëm me interpretimin në salle, e po ashtu do të arkivoheshin dhe dokumentoheshin punët dhe aktivitetet për analiza e studime ne të ardhmen”, ka shkruar Bajri.

Incizimet janë bërë live në Pallatin e Rinisë në Prishtinë nën dirigjimin e profesorit Bahri Çela. Më poshtë mund të gjeni linkun për të dëgjuar pa pagesë këtë projekt në internet, me mundësi për ta shkarkuar. / KultPlus.com

Bie Shi (Elianës)

Poezi nga Francis Carco

Bie shi. Sa bukur! Të dua.
Në shtëpi bashkë do të rrimë.
Asgjë nuk na pëlqen më fort ty e mua
Tani që po ikën kjo stinë.

Bie shi. Taksitë vijnë e venë
Dhe autobusët rendin plot.
Rimorkiatorët nëpër Senë
zhurmojnë… sa një fjalë nuk kupton dot!

Sa bukur: Bie shi. Mbaj vesh
Pikat e shiut që verbërisht
Godasin e kërcasin mbi qelq…
Ti më buzëqesh dhembshurisht.

Të dua. Oh, zhurmë e shiut vjeshtak
Që dënesë si një ndarje diku.
Ti do të ikësh prej meje pas pak.
Thua se bie shi në sytë e tu.

Zëri i Martin Camajt, pesë ditë para se të vdiste

MARTIN CAMAJ: UN JAM I JUEJI E JU JENI TE MIJT

Fjalët e fundit që shkroi Martin Camaj pesë ditë para se të shuhej, më 12 mars të vitit 1992 në moshën 67-vjeçare.

Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve.
Gëzohem pa masë se keni vendosur të vlerësoni veprën time: Ky vlerësim na afron. Bátë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt.
Martin Camaj

7 Mars 1992

Shfaqja ‘Pasioni’ vjen me premierën e saj në 19 mars

Teatri Kombëtar i Kosovës ka kënaqësinë të ju njoftojë lidhur me shfaqjen “PASIONI” nga Sabri Hamiti dhe me regji nga Martin Kočovcki e cila vjen si Premierë përpara publikut me datën 19.03.2018 (E hënë) ora 20:00, dhe do të përcjellet me dy reprizat e para në ditët në vijim me datë 20 dhe 21.03.2018.

Në vazhdën e aktiviteteve kulturore që po organizohen nga Komuniteti i Artistëve të Kosovës për ta ndihmuar financiarisht shërimin e njërit prej artistëve më eminent të kulturës sonë dhe të skenës teatrore në veçanti, regjisorit dhe profesorit z. Bekim Lumi, Këshilli Drejtues në bashkëpunim të ngushtë me Menaxhmentin e TKK-së kanë marrë vendim që të hollat e mbledhura nga shitja e biletave për Premierën “Pasioni” t’i dedikohen kësaj iniciative. Bileta për premierë do të kushtojë 5€. Teatri Kombëtar i Kosovës që nga sot i ka vënë biletat në shitje në dispozicion të publikut të gjerë andaj ju fton që të jeni pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore duke e ndihmuar dhe duke i uruar bashkërisht z. Bekim Lumi rikthimin e tij të plotë në jetën normale dhe profesionale.

“Shfaqja “Pasioni” zhvillohet si një strukturë e ndërthurur dramaturgjike mes dy vëllezërve bijakë dhe një nëne, Hana, që mbledhin gjithë fuqinë jetësore duke u përpjekur për ta rikonstruktuar botën e dashurisë, botën e emocioneve të thella, raporteve të vlerave, refuzimin karshi vdekjes së paevitueshme nga njëra anë, dhe botës së dehumanizuar të shtrirë si shoqëri e uniformuar, masë amorfe në të cilën individët nuk kanë emra e as individualitet, një botë ku njerëzit janë shndërruar në numra përbrenda një jete virtuale, pa emocion, pa rrespekt, pa dashuri. Një bote në të cilën shitet gjithçka, një botë e kriminalizuar dhe e materializuar deri në çmenduri.”

Produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës
Autor: Sabri Hamiti
Regjisor: Martin Kočovski
Skenografe dhe Kostumografe: Youliana Voykova – Najman
Kompozitor: Oliver Josifovski
Dizajni i ndriçimit:
Kori i SH.M.M “Prenkë Jakova” – Prishtinë

Luajnë:
Shkelzen Veseli
Gresa Pallaska
Ard Islami
Arta Selimi
Shpejtim Kastrati
Ismet Azemi
Lumnie Sopi
Semira Latifi
Shengyl Ismaili

Shkarkohet nga detyra Monika Lubonja, drejtoresha e Teatrit të Kukullave

Shkarkohet nga detyra drejtoresha e Teatrit të Kukullave, Monika Lubonja.

Ministria e Kulturës nëpërmjet një njoftimi zyrtar bën me dije se ka shpallur konkursin për personat e interesuar dhe që plotësojnë kriteret për të zëvendësuar Lubonjën në postin e Drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave.

Aplikimi dhe dorëzimi i dokumenteve bëhet brenda datës 13 prill, pranë Zyrës së Protokollit, në Ministrinë e Kulturës.

Por shkarkimi i Lubonjës vjen pas një hetimi të nisur prej saj, pas denoncimit në emisionin investigativ “Boom”.

Kjo pasi në emision u transmetua dhe denoncua mënyra se si shiteshin për interes të aktiviteteve private repertori i shfaqjeve të Teatrit të Kukullave.

Po ashtu edhe fakti se si çelësat e këtij institucioni i ishin besuar një gazetashitësi që kishte tezgën e tij pranë këtij institucioni dhe se si kushtet e sigurisë në Teatrin e Kukullave vinin në rrezik fëmijët.

Gjithashtu u denoncuan edhe kupat e shpërndara me rastin e 70 vjetorit të Qendrës së Fëmijëve, të drejtuar nga Monika Lubonja. Tenderi i këtyre kupave, u zhvillua 1 javë pas aktivitetit, ku mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës. / KultPlus.com

Seit Lipa, gjyshi i Duas dhe dikur Drejtori i Institutit të Historisë

Emri i tij mund të jetë harruar nga gjeneratat e reja, por kontributi i tij e bën atë pjesë të historisë.

Doktor i Shkencave Historike dhe dikur Drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës gjatë viteve 1990-1995, Seit Lipa do të kujtohet për kontributin e tij në këtë fushë të shenjtë.

Seit Lipa ka lindur në vitin 1937 ndërsa ka ndërruar jetë në vitin 1999, me datë 2 korrik.

Ai është gjyshi i këngëtares së njohur Dua Lipa.

Historiani e intelektuali i shquar, në vitet e 70-ta, ishte i njohur, jo vetëm për kulturën e tij, por edhe për pamjen, sharmin e elegancën e tij mashkullore.

Këtu e kemi një fotografi të z.Seit dhe një kopertinë të librit “Kosova në periudhën e rindërtimit”, botuar nga Instituti i Historisë në vitin 1982, shkruan KultPlus.

Kuvendi i Serbisë merr vendim për vendosjen e masave të dhunshme në Institutin e Historisë të Kosovës. Me vendosjen e këtyre masave u shkarkua drejtori legjitim i Institutit Dr. Seit Lipa dhe u emërua drejtoria e dhunshme në krye me serbin Sreten Martinoviq.

Kuvendi i Serbisë më 30 korrik 1992 miratoi vendimin për ndërprerjen e punës së Institutit të Historisë të Kosovës. Me këtë edhe punëtorët e tjerë shqiptarë të Institutit u larguan nga puna, ndërsa punëtorëve serbo-malazez iu sigurua puna nëpër institucione të tjera.

Në këtë kohë u uzurpua biblioteka e pasur e Institutit, që në fondin e vet kishte rreth 20.000 libra, si dhe dokumentacioni i pasur i vjelë në arkiva të ndryshëm të Jugosllavisë dhe vendeve të tjera të botës.

Në vitin 1998, në Pejë, po përmendim se Seit Lipa bashkë me Sylë Dreshajn botoi librin “Prefektura e Pejës 1941-1944”, ku flitet për gjendjen sociale dhe ekonomike të qytetit gjatë kësaj periudhe, përmbledhur në 264 faqe. / KultPlus.com

(Fotografia e Seit Lipës, e marrë nga Kosovar Basha)

Publikohet versioni final i këngës ‘Mall’ që përfaqëson shqiptarët në Eurovizion (VIDEO)

Është publikuar versioni final i këngës “Mall”, nga Eugent Bushpepa, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion, shkruan KultPlus.

Kënga ashtu siç edhe pati paralajmëruar këngëtari, është krejtësisht në gjuhën shqipe. Ndryshimi i vetëm që është bërë, është heqja e disa pjesëve dhe riradhitja e atyre që kanë mbetur. Një gjë e tillë është bërë pasi kënga në Eurovizion nuk lejohet të jetë më e gjatë se tre minuta.

Data 8 maj do të jetë dita kur Eugent Bushpepa nën flamurin kuq e zi do të performojë në natën e parë të festivalit.

Ky është versioni i ri i këngës Mall.

Një pritje e gjatë
E ëmbël e zjarrtë
Ca hapa trokasin si zemër ketë natë
Unë ndjek ritmin e saj
Dy duar që zgjaten përpijnë ngrohtësi
Ky mall që të djeg nuk njeh kufi as largësi
Si me magji hëna shikimet përpin
Me sjell vegimin tënd
Refreni
Lot i pathare ndriçoje ketë nate
Sonte kumbo prej shpirtit pa fjalë
Vetëm një çast dhimbja të më ndale
Ky lot i pathare një ditë do shteroje
Nga puthjet e zjarrta që ëndërroi
Në atë çast dhimbja do ndalojë
Dua të hesht në ketë natë i shtrire në këtë shtrat
Ku ëndrrat hyjnore shërojnë çdo plagë
Të shoh portretin e saj
Momentet kalojnë
Sekondat nuk falin
Orët pasojnë por ndjenjën se ndalin, jo
Si me magji hëna shikimet përpin
Sytë tanë puqen serish edhe pse është fantazi
Jetën do ta fal ty
Refreni
Lot i pathare ndriçoje ketë nate
Sonte kumbo prej shpirtit pa fjalë
Vetëm një çast dhimbja të më ndale
Ky lot i pathare një ditë do shteroje
Nga puthjet e zjarrta që ëndërroi
Në atë çast dhimbja do ndalojë

KultPlus.com

‘Aga’ nga Lendita Zeqiraj, në mesin e 23 projekteve në ‘Meeting Point’ në Festivalin e Vilniusit

Njëzetë e tre projekte filmike do të prezentohen në edicionin e nëntë të Meeting Point – Vilnius që do të mbahet prej 27 deri 29 mars 2018, gjatë festivalit Vilnius International Film Festival ‘Kino Pavasaris’.

Meeting Point – Vilnius është ngjarje e industrisë së filmit ku marrin pjesë profesionistë të industrisë nga Lituania, shtetet Baltike dhe nga Evropa. Më shumë se 200 profesionistë marrin pjesë në këtë ngjarje, e cila ngërthen në vete konferenca të ndryshme, prezentimin e projekteve filmike në programin Coming Soon, ligjerata etj.

Festivali sapo ka lansuar listën e projekteve filmike në programin ‘Coming Soon’ ku është përzgjedhur edhe projekti filmik ‘Aga’ nga Lendita Zeqiraj me producent Bujar Kabashin, film ky i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Ky program shërben si platformë për filmbërësit debutant që të zhvillohen ose të finalizojnë me sukses projektet e tyre filmike. Këta filma prezentohen përpara programerëve të festivaleve, producentëve, agjentëve dhe distributorëve. Tri nga projektet pjesëmarrëse do të zgjedhen për shfaqje në ‘Industry Screenings’ në tregun e madh të festivalit Cannes.

Disa fragmente nga këta fitues do të shfaqen në sesionin ‘Vilnius IFF Goes to Cannes’ gjatë këtij edicionit të Cannes. Dy projekte tjera do të marrin çmimin për postproduksion të audios dhe videos nga Vilnius Film Cluster dhe çmimin e posaçëm për ruajtjen dhe promovimin digjital. / KultPlus.com

Teatri SARTR në Sarajevë, me shfaqje për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi

Në vazhdën e aktiviteteve të organizuara në përkrahje të Bekim Lumit dhe luftës së tij kundër kancerit, kolegët artistë të Sarajevës tregojnë solidaritetin dhe përkrahjen e tyre.

Teatri SARTR (Teatri i luftës së Sarajevës) me datën 21 dhe 30 mars organizon shfaqjen “Jedvanosimsoboakalomistobo”, autorë të tekstit janë Nejra Babiq dhe Allesh Kurt, nën regjinë e Allesh Kurt.

Në postimin e tyre ata cekin se të gjitha të ardhurat e mbledhura do ti dedikohen përkrahjes së akcionit humanitar e njëkohësisht aty promovojnë edhe linkun https://www.gofundme.com/perbekimin ku të gjithë mund të vazhdojnë me kontributet e tyre.

“Jedvanosimsoboakalomistobo” është një komedi sociale dhe paraqet një ndërthurje në mes të së kaluarës dhe përditshmërisë.

“Teatri duhet të jetë i angazhuar dhe të trajtojë problemet shoqërore që neve na pengojnë jetesën. Është bërë për të nxitur njerëzit të bëjnë vepra të mira. Ti zbavisim dhe t’u përcjellim një porosi. Nëse kjo është ende e mundur” ka thënë Allesh Kurt.

Në shfaqje luajnë: Maja Salkiq, Mirela Lambiq, Ana Mia Miliq, Alban Ukaj, Sead Pandur, Jasenko Pashiq, Adnan Kreso, Davor Sabo, Sasha Krmpotiq dhe Lejla Causheviq.

Dramaturge janë : Dubravka Zrnciq-Kulenoviq dhe Nejra Babiq.

Kostumografe është Melisa Musiq Ajkuniq ndërsa skenograf Vedran Hrustanoviq. Muzika e shfaqjes është punuar nga: Damir Nevesinjac dhe Basheskia. Shfaqja është realizuar në kuadër të projektit “Valixheja për kujtime”, përkrahur nga Qeveria Zvicerane.

‘A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur’, ekspozita e problemeve të shoqërisë kosovare

Alberina Haxhijaj

Artisti Agron Blakçori ka hapur sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës ekspozitën e tij “A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur”, një ekspozitë e cila me mjaft kreativitet pasqyron realitetin në Kosovë.

Ata që e vizituan këtë ekspozitë, me të arritur në katin e dytë të Galerisë Kombëtare ku edhe qëndronin veprat e ekspozuara, mund të vërenin se artisti veprat e tij i realizon duke mbledhur objekte të rëndomta, por të cilat pastaj kthehen në vepra të çmueshme dhe me mesazhe prapa tyre. Blakçori duke mbledhur “mbeturinat” ka arritur që tu japë veprave të tij një bukuri mirëpo duke ngritur prapa tyre pyetjen se a mund të jenë ato të bukura.

“A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur” ka filluar me një imazh të një peizazhi urban, një fotografi e cila është shkrepur nga artisti afër shtëpisë së tij në Podujevë. Fotografia paraqet një “intervenim” të rëndomtë të mbeturinave të njerëzve dhe natyrës. Një strukturë delikate dhe e brishtë e ndërtuar nga plastika dhe degë të thata. Prapa, në plan të tretë, shtëpi të reja të cilat sapo janë ndërtuar nga një ekonomi artificiale paraqiten të ndara dhe të mbrojtura nga një mur brenda hapësirës kolektive të mbyllur.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Bunjaku, u shpreh se kjo ekspozitë shërben për të parë evoluimin e artit të artistit Agron Blakçori, që nga banka e tij e djegur, e deri tani.

I diplomuar nga Fakulteti i Arteve të Universitetit të Prishtinës me master në skulpturë, kryesisht punët e Blakçorit janë të inspiruara nga objektet dhe situatat në rrugë, përballje ku artisti i jep kuptim asaj e cila ka mbetur e fshehur nga njerëzit e tjerë të cilët e kanë injoruar.

Agron Blakçori ishte fitues i edicionit të parë të ‘Artistëve të Rinj’ në Galerinë Kombëtare të Kosovës në vitin 2016 dhe fitues i qëndrimit në Berlin për dy muaj për të zgjeruar më shumë punën e tij. Kuratori i ekspozitës, artisti Mehmet Behluli, tregoi se pikërisht kjo ekspozitë është edhe vazhdim i punës që artisti ka realizuar atje, ku edhe ka dhënë një ekspozitë me të njëjtin titull.

“Në arte apo në filozofi, e bukura në natyrë ndërron nga ajo në art. Prandaj për ne ka qenë sfidë specifike me futë bërllok brenda galerisë, me të vetmin qëllim që me provu, me reflektu, ose juve, pra publikut me ia ofru disa defekte të shoqërisë tonë. Unë besoj që nëse arti ka mision, misioni themelor është që të reagojë, kritikojë e të ndriçojë problemet në shoqëri” u shpreh kuratori.

E gjithë ekspozita sillej rreth këtij koncepti, pa anashkaluar edhe dhomat e tjerat të cilat ishin ndërtuar në atë formë që secila dhomë shfaqte një temë të caktuar. Kështu një problem tjetër për të cilin është bërë mjaft debat në shoqërinë tonë zinte vend në njërën nga dhomat. Aty mund të shiheshin katër dyer, një karrocë, një valixhet e mbushur me beton njëlloj si këpucët.

Artisti Agron Blakçori tregoi se kjo ekspozitë është zgjerim i ideve të cilat ai i ka pasur më parë, apo i punëve të realizuara më herët mirëpo që kanë ardhur në një formë tjetër artistike.

“Ne kemi shumë probleme me mbeturinat, nuk është që me vetëm një ekspozitë mundem me e zgjidhë këtë problem dhe për këtë jam i vetëdijshëm. Mirëpo kjo ka qenë mënyra qysh unë kam reaguar përmes veprave artistik e kjo sado pak ndoshta do të reflektojë. Në këtë rast kanë qenë mbeturinat mirëpo nuk janë vetëm mbeturinat por ka edhe shumë gjëra të tjera , si problemi i lëvizjes së lirë apo vizave. Çdo hapësirë e ka nga një titull që lidhet me punime të cilat i kam bërë e që njëkohësisht lidhen edhe me titullin e ekspozitës”, tregoi artisti për KultPlus.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës deri më 1 prill 2018. / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi, finaliste në konkursin Glyndebourne Opera Cup

Në Glyndebourne të Anglisë, në një nga shtëpitë operistike më me nam, sopranoja shqiptare Elbenita Kajtazi do të garojë për të qenë një ndër fitueset e konkursit Glyndebourne Opera Cup, bashkë me konkurrentët nga e gjithë bota, shkruan KultPlus.

Glyndebourne Opera Cup – është një konkurs ndërkombëtar për këngëtarë të operës i cili është projektuar për të nxjerrë në pah artistë të rinj të talentuar nga e gjithë bota, duke u ofruar atyre një çmim prej 15 mijë funtash dhe mundësi për nisjen e një karriere ndërkombëtare në operë.

Sopranoja Elbenita Kajtazi është në mesin e finalistëve.

Francesca Chiejina, 27, soprano (USA)
Samantha Hankey, 25, mezzo-soprano (USA)
Elbenita Kajtazi, 27, soprano (Kosovo)
Eléonore Pancrazi, 27, mezzo-soprano (France)
Emily Pogorelc, 21, soprano (USA)
Cody Quattlebaum, 24, bass-bariton (USA)
Jacquelyn Stucker, 28, soprano (USA)
Gemma Summerfield, 27, soprano (UK)
Charles Sy, 26, tenor (Canada)
Hubert Zapiór, 24, bariton (Poland)

Tema e konkursit për sivjet është Moxarti, dhe finalistët do të shoqërohen me orkestër.

Ky konkurs emocionues do të transmetohet në Sky Arts. Pjesa e parë e këtij konkursi u mbajt me 22 e me 23 mars, prej ky gjysmëfinalistët performuan dhe kësisoj përfunduan vetëm dhjetë si finalistë

Finalja e konkursit do të jetë të shtunën, sonte, nga ora 17:30 deri në ora 21:00. / KultPlus.com

“Qytetarët po vdesin, e ti i shpenzon 550 mijë euro për përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut”

Kryetari i partisë Fjala, Gëzim Kelmendi ka akuzuar kryeministrin Haradinaj se ka shpenzuar shuma të mëdha parash për përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut.

Kelmendi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qytetarët qytetaret po vdesin nga mungesa e barnave, e ti Haradinaj për përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut i shpenzon 550 mijë euro.

“O Ramush Haradinaj, qytetarët po vdesin nga mungesa e barnave, e ti për përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut i shpenzon 550 mijë euro. Ditë më parë Qeveria e Republikës së Kosovës morri vendim që të i ndaj nga buxheti i Kosovës 550 mijë euro me rastin e përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut.
Prej tyre 250 mijë euro në restaurimin e kishës dhe 250 mijë tjera për muze dhe veprën e Marin Barletit”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi e ka quajtur të turpshëm dhe skandaloz vendimin e qeverisë për shpenzimin e shumës së lartpërmendur.

Ai ka thënë se mos të harrojë qeveria se mbi 50 ish-ushtarë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje për shkak gjendjes së rëndë ekonomike.

“Në situatën ekonomike në të cilën ndodhet Kosova, ky vendim i qeverisë është vendim i turpshëm dhe skandaloz. Mos të harron qeveria se mbi 50 ish-ushtarë të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje për shkak gjendjes së rëndë ekonomike. Shumë qytetarë po vdesin nga mungesa e barnave dhe pamundësia shërimit jashtë vendit”, ka thënë ai.

“O Ramush Haradinaj, qytetarët po vdesin nga mungesa e barnave, e ti për përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut i shpenzon 550 mijë euro. Ditë më parë Qeveria e Republikës së Kosovës morri vendim që të i ndaj nga buxheti i Kosovës 550 mijë euro me rastin e përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut.
Prej tyre 250 mijë euro në restaurimin e kishës dhe 250 mijë tjera për muze dhe veprën e Marin Barletit”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi ka thënë se në spitalet e Kosovës mungojnë insulinat dhe barnat e esenciale.

“Në spitalet e Kosovës mungojnë insulinat dhe barnat e esenciale. Ndërsa qeveria në krye me Ramush Haradinajn pa fije turpi keqpërdorin paratë e qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar Kelendi. / KultPlus.com

Mos u zhduk

Poezi nga Yevgeny Yevtushenko

Mos u zhduk… Duke u zhdukur nga mua,
e çmishëruar vetvetes ju zhduke.

Vetja jote kështu u tradhëtua
me pandershmëri prostitute.

Mos u zhduk… Të zhdukesh është lehtë,
të ringjallesh për tjetrin s’ka se si.
Vdekja të tërheq shumë thellë,
të vdesësh nuk është mënçuri.

Mos u zhduk. Harro hijen e tretë.
S’ka të tretë. Dy janë dashurive.
Bashkë do shkojmë në gjyqin e shenjtë,
kur gjaku t’na thërrasë për përgjigje.

Mos u zhduk… e kemi shlyer mëkatin,
fajtorë s’jemi ne, as damkosur.

Të denjë jemi unë dhe ti për të falur
në-mos-dashje ç’kemi plagosur.

Mos u zhduk. Të zhdukesh është çast,
por si do takohemi nëpër shekuj?
Ç’sozi kemi në botë, ti fantazmë
dhe unë? – Fëmijët tanë të qeshur.

Mos u zhduk. Jepma dorën tënde,
në të jam shkruar unë – i besoj sekretit.

Dashuria e fundit është e tmerrshme,
S’është dashuri, por frikë e humbjes së tjetrit.

Përktheu: Visar Zhiti

U promovua në Gjermani libri mbi jetën e Aleksandër Moisiut

Tashmë jetën e Aleksandër Moisiut aktorit të njohur me origjinë shqiptare, mund të lexohet dhe në gjermanisht. Shkrimtari i njohur Rüdiger Schaper i ka kushtuar një biografi jetës së artistit të madh me titullin “Aleksandër Moisiu: Trieshtë, Berlin, Nju Jork, Një legjendë aktrimi” e përkthyer në shqip Feride Xh. Berisha. Për herë të parë në këtë libër zbulohen dhe disa letra dashurie të aktorit të pabotuara më parë. Në promovimin e mbajtur në Berlin dy ditë më parë mori pjesë dhe zv/ministri i Kulturës së Kosovës Z. Rexhep Hoti.

Gjatë promovimit ku ishin të pranishëm figura të njohur të kulturës shqiptare në Gjermani, u lexuan pjesë nga libri për aktorin e madh, nga vetë autori Schaper dhe nga përkthyesja Berisha si dhe u sollën para të pranishmëve mendimet e Stefan Zweig-ut dhe Franz Kafka-s për aktorin shqiptar, që karrierën e filloi në Austri e zhvilloi në Berlin, më pas në Nju Jork për ta përfunduar në Trieshtë të Italisë.

Zëvendësministri Hoti me këtë rast falënderoi organizatorët për këtë ngjarje të rëndësishme kulturore që solli në rikujtesë aktorin e madh shqiptar me famë botërore. Ky libër erdhi si projekt i përbashkët i Qendrës Multimedia në Prishtinë, Shtëpisë Botuese PA dhe Traduki.

Ballkani tashmë është plot me monumente të Millosheviçit

Milos Ciric / BIRN / Beograd

Partia Socialiste e Serbisë ka paraqitur një propozim për të ngritur një monument për ish-shefin e saj, Sllobodan Millosheviç, në Beograd.

Kjo u njoftua në 12 vjetorin e vdekjes së Millosheviçit, më 11 mars, pas zgjedhjeve të mbajtura në Beograd një fundjavë më parë dhe mes lajmeve se Këshilli Bashkiak i Beogradit do të ndajë fonde për një monument tjetër.

Kjo është në kujtim të Zoran Djindjiç, kryeministrit serb i cili u vra më 12 mars, 15 vjet më parë, nga ata që kishin shërbyer më parë si “krahu i gjatë” i Millosheviçit.

Për çfarë qëllimi shërbejnë monumentet dhe memorialet e tjera, pse i kemi ato dhe pse këto praktika janë një pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore dhe politike të çdo shoqërie?

Memorialët mund të shërbejnë për një sërë qëllimesh në çdo shoqëri – dialog social, rindërtim social, demokratizim, reparacion simbolik, pajtim dhe procese të ndërtimit të paqes, duke përmendur vetëm disa.

Nga ana tjetër, ata shërbejnë gjithashtu si mjete që ndihmojnë në përkufizimin e identitetit kombëtar, krijimin e kohezionit social rreth çështjeve politike dhe sociale.

Ata gjithashtu mund të jenë falsifikime të fakteve historike të shkruara në gur, vepra të neveritshme që dëmtojnë interesin publik, fyejnë viktimat e mizorive, e kështu me radhë.

Çështja se kush, çfarë dhe si çdo shoqëri duhet të vendosë për të përkujtuar është me rëndësi të madhe, sidomos në shoqëri si Serbia, e cila mban ende barrën e të kaluarës së saj të luftës dhe sekrete e të dhëna që vazhdojnë të dalin në dritë.

Përveç kësaj, elita aktuale politike e Serbisë është e njëjta që u lind politikisht dhe faktikisht në luftërat e viteve 1990.

Ajo u ngrit bazuar në ideologjinë e Millosheviçit për një Serbi të Madhe që solli zjarr, tërbim, dëshpërim dhe vdekje të gjithë jo serbëve dhe serbëve, edhe pse në një mënyrë jo të pandryshueshme gjatë kohës së agresionit të Serbisë nën udhëheqjen e Millosheviçit.

Çfarë dhe kush ne, si shoqëri, zgjedhim të mos harrojmë, është ndoshta politikisht më e fuqishme se ajo që ne zgjedhim të mbajmë mend.

Kujtimi është një proces pasiv, shpesh i brishtë. Mos harresa është një proces shumë më imponues si për individët ashtu edhe për shoqërinë sesa kujtesa “e thjeshtë”.

Me përjashtim të rasteve të traumave, duhet të bëjmë një përpjekje të ndërgjegjshme për të mos harruar diçka ose dikë, ndërkohë që përkujtimi si i tillë mbetet në sferën e praktikave individuale ose grupore, të cilat mund të jenë sporadike, të shpërndara ose në mënyra të tjera kalimtare.

Duke marrë vendimin e qëllimshëm se çfarë ose kë shteti, dhe më tej, shoqëria në tërësi, vendos të mos harrojë, nëpërmjet disa prej praktikave të shumëfishta të përkujtimit, institucionet qeverisëse synojnë të vulosin në kujtesë publike diçka ose dikë të një rëndësie të madhe sociale, gjë e cila është, përveçse një akt psikologjik, edhe një akt politik.

Duke ngritur një memorial publik, shteti dëshiron që ai të shërbejë si një spirancë, një gur për të parë pas tek e kaluara për orientim, frymëzim apo atë që nënkuptohet të jetë e vërteta historike.

Monumentet e reja janë të një rëndësie të tillë sepse ato na përfaqësojnë ne në këtë moment në kohë. Ato tregojnë se si e perceptojmë ne të kaluarën tonë, por gjithashtu ofrojmë fakte të rëndësishme për atë që po shikojmë drejt të ardhmes.

Le të kthehemi te nisma për të ndërtuar një monument në kujtim të Millosheviçit në Beograd.

Kjo mund të jetë e habitshme, por unë jam pro kësaj. Një monument i ngritur në Beograd, me pamjen dhe fytyrën e tij dhe që na detyron të mos e harrojmë atë – ideologjinë e tij, pasojat e politikave të tij vrastare, monstruoze dhe djallëzore, sipas mendimit tim, duhet të vendoset nga pasardhësit e tij në zonën më të frekuentuar të mundshme të qytetit.

Ky kujtim i dhimbshëm se kush jemi ne duhet të marrë miratimin e menjëhershëm nga qeveria e qytetit, sepse përputhet vërtet me realitetet politike dhe shoqërore në të cilat jetojmë.

Ai është vetëm maja e ajsbergut e “monumenteve” të tjera të Millosheviçit, të cilat tashmë ekzistojnë në të gjithë Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Le të përmendim disa prej tyre, meqenëse monumentet e Millosheviçit, si edhe efektet e politikave të tij në lidhje me shoqërinë serbe dhe të ardhmen e saj, por edhe në lidhje me të ardhmen e të gjithë rajonit, janë ende shumë të gjalla, edhe pse ai vetë ka kohë që ka vdekur.

Toma Fila, avokati dhe njeriu i besuar i Millosheviçit, tha shumë mirë së fundmi drejtpërdrejtë në televizion – se një nga monumentet më të forta dhe më të qëndrueshëm për Millosheviçin është ekzistenca e entitetit serb në Bsonjë, Republika Srpska, dhe lidershipi aktual politik i saj.

Duke krijuar këtë proto-shtet me anë të gjenocidit dhe spastrimit etnik të boshnjakëve dhe jo serbëve të tjerë gjatë viteve 1990, Millosheviçi arriti të paktën një gjë – ai i la pas mjaftueshëm municione ideologjike pasardhësve të tij që ata të vazhdojnë të realizojnë master planin e tij, që daton nga fillimi i viteve 1980 – shteti ku të gjithë serbët ndodhen në një shtet të vetëm, shteti i Serbisë së Madje sipas stilit nazist.

Vetë Beogradi tashmë ka ndërtuar një monument jozyrtar ë kujtim të Millosheviçit – një varr masiv në Batajnica, vetëm dhjetë kilometra nga qendra e qytetit, ku qindra shqiptarë të Kosovës u sollën nga Kosova dhe u varrosën në mes të natës.

Po të shikoni të gjithë Serbinë, do të shikoni kudo monumente të Millosheviçit – do ta dalloni atë te njerëzit, sjelljet e tyre dhe zgjedhjet e tyre politike.

Shihni të gjitha dhunën dhe diskriminimi që qeverisin shoqërinë serbe, një tjetër grup monumentesh, shikoni presidentin tonë Aleksandër Vuçiç, ministrin e propagandës së Millosheviçit, shikoni ministrin tonë të jashtëm, Ivica Daçiç, nëse doni shembuj më të gjallë të monumenteve të Millosheviçit mes nesh.

Hidhuni një sy edhe mediave tona, fjalimeve publike të politikanëve tanë, elitës intelektuale dhe lëvizjeve në rritje të krahut të djathtë dhe fashistë dhe partive që lulëzojnë në shoqërinë tonë.

Tani, nëse e ktheni shikimin në jug, do të shikoni, për shembull, Trepçën, një nga vendet ku forcat e Millosheviçit dyshohet se dogjën trupat e shumë shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së ashtuquajtur të Kosovës për të mbuluar gjurmët e tyre të përgjakshme.

Nëse ju shikoni në veri, do të gjeni një tjetër monument, vendi ku ish-presidenti serb Ivan Stamboliç, aleati i ngushtë i Millosheviçit, i cili më vonë u bë rivali i tij, u vra nga banditë e Millosheviçit nga shërbimi sekret i shtetit në vitin 2000.

Nëse shikoni në lindje, do të verboheni nga qytetet dhe fshatrat piktoreske të Bosnjës dhe Hercegovinës së dikurshme multietnike që tani janë kthyer në varreza.

Srebrenica është monumenti më i njohur i Millosheviçit, me më shumë se 8,732 shpirtra të varrosur në tokën e ftohtë.

Por Tuzla, Gorazda, Zvorniku, Foca dhe qytetet e tjera boshnjake lindore kanë të gjithë të pakën një monument të Millosheviçit – një kamp vdekjeprurës, një kamp përdhunimi, një varr masiv të (pa)identifikuar, një shtëpi të djegur, një familje që humbi anëtarët e saj…

Shikoni pas tyre dhe do të vini re sesi Sarajeva qëndron ende e rrethuar nga kodrat e larta ku Millosheviçi ngriti monumente për vete – varret dhe gurë varresh të pafund të boshnjakëve të vrarë gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit nga forcat serbe.

Më në lindje, shikoni monumentet e Prijedorit, Bihacit dhe Sanski Mostit të Millosheviçit, të ndërtuara nga duart e tij të mallkuara.

Tani shikoni pas dhe ndaloni në Beograd, ku është lajmëruar ndërtimi i monumentit më të ri të Millosheviçit dhe kushtojini vëmendje zemrës së qytetit ku do të gjeni një vend përkujtimor të viktimës së fundit shumë të njohur të Millosheviçit.

Ai vend është rruga Nemanjina 21, në oborrin e ndërtesës së qeverisë serbe.

Atje ndodhet një monument i padukshëm, por ekzistent, i Millosheviçit. Ajo tregon atë duke qëndruar në këmbë mbi trupin e vdekur të Zoran Djindjiç i cili u vra nga njerëz që shërbenin si forca të Millosheviçit me mbështetjen politike dhe mediatike të pasuesve të tij.

Le të hedhim një vështrim edhe në disa nga monumentet e Millosheviçit në formë letre. Për shembull, Deklarata e Pajtimit e vitit 2008 midis pasuesve të Djindjiçit dhe Millosheviçit, i cili turpërisht i barazoi këta dy burra dhe shpalli “pajtimin kombëtar” i cili në fakt vetëm rehabilitonte Millosheviçin dhe qentë e tij të luftës.

Shikoni tani tekstin e kushtetutës serbe – ligjit më të lartë të vendit. Ky është gjithashtu një monument për Millosheviçin, me dispozitat e tij të dëmshme dhe efektet e tyre mbi të ardhmen e shoqërisë sonë, sidomos ato që deklarojnë se tashmë Republika e pavarur e Kosovës është ende pjesë e Serbisë.

Hidhni një sy gjendjes së mjerueshme të jetës sonë publike, rënies së institucioneve publike, mediave tona të kontrolluara dhe propagandistike, partive tona të korruptuara si në pushtet ashtu edhe në opozitë, sistemit nacionalist të vlerave të dashur nga shumica e qytetarëve tanë dhe të vendosura nga Millosheviçi – a i shikoni ato tani? Monumentet e Millosheviçit ndodhen përreth nesh, duke na mbytur, madje ai po e bën këtë edhe nga varri.

A e kemi kaluar ne epokën e Millosheviçit? Duke pasur parasysh kush po udhëheq vendin tonë, duhet ta dini tashmë përgjigjen.

E vërtetë. Aleksandër Vuçiç nuk është Millosheviçi (vetëm në pamje jo), por po përsa i përket qëndrimit të Millosheviçit mes qytetarëve serbë sot? Si ndihen ata për ngritjen e një monumentit të tij në Beograd?

Bazuar në sondazhin e kryer gjatë emisionit televiziv të lartpërmendur në të cilin Toma Fila shpjegoi se pse Millosheviç duhet të ketë një monument në Beograd, audienca televizive votoi pro/kundër kësaj ideje.

Në fund të emisionit, më shumë se 55 për qind e shikuesve votuan në favor të ndërtimit të monumentit në kujtim të Millosheviçit në Beograd.

Sigurisht që ky sondazh nuk është i sigurt, por është gjithsesi tregues. Është viti 2018 dhe rezultatet e një sondazhi të zakonshëm televiziv nuk ishin aq afër.

Ta lëmë mënjanë këtë sondazh dhe të hiqemi sikur ai nuk pasqyron opinionin publik, vetëm kështu që ne mund të ndjehemi pak më mirë për veten tonë.

Le t’i kthehemi çështjes tonë. A kemi ne nevojë edhe për një monument tjetër të Millosheviçit, vetëm se këtë herë ai monument do ta tregojë atë duke qëndruar me krenari në qendër të Beogradit?

Absolutisht. Le ta ndërtojnë monumentin e Millosheviçit. Më pas do të kemi një mundësi historike për të shkatërruar të paktën një prej tyre.

Çun Lajçi nuk përfshihet në Bordin e Radio Televizionit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur anëtare të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Mariana Adanoviqin.

Me gjithsej 108 vota të deputetëve, 55 vota votuan pro, 37 kundër, kurse të pavlefshme ishin 16 vota, shkruan Insajderi.

Dy kandidatët tjerë, Çun Lajçi dhe Shkumbin Tolaj nuk kanë arritur të marrin votat e mjaftueshme për tu zgjedhur në këtë post. / KultPlus.com

Për një portal nga Beogradi, Bekim Fehmiu është një aktor serb

Bekim Fehmiu, një prej aktorëve më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave, megjithatë mund të mos jetë shqiptar për ndonjë portal serb.

Noizz.rs ka shkruar një aktor serb për pak do të ishte pjesë e filmit të njohur “The Godfather”.

“Legjenda thotë se dy aktorët serb, Jovan Janicijevic Burdush dhe Bekim Fehmiu ishin propozimet e para për të luajtur në filmin “The Godfather”. Megjithatë, diçka ndryshoi” shkruan ky portal duke e targetuar Bekim Fehmiun si një aktor tjetër serb.

Historia është e ditur prej kohësh, se Bekimi ishte afër të merrte rol në filmin e njohur ku luan James Caan, Marlon Brando dhe Al Pacino.

Vetë Fehmiu e ka shkruar këtë histori në librin e tij autobiografik, ku tregon se në fund u vendos që në film të jenë të gjithë aktorë nga Amerika.

Fehmiu megjithatë ishte shqiptar, dhe mbetet shqiptar, i lindur në një tokë shqiptare por me përvojë në Beograd dhe në tërë ish Jugosllavi, e deri në Hollivud, me lojën e tij perfekte prej aktori.

Ai shkruan se e kishte përgatitur deri në perfeksion rolin e Michael Corleone, djalit të Vito Corleone. Dy rolet kryesore më pas shkuan për Al Pacinon dhe për Marlon Brandon, shkruan KultPlus.

“U takova me aktorin John Janivijevic i cili mendonte se do të luante tek “The Godfather”. Nuk u pashë më kurrë me të pas herës së parë dhe asnjëri nuk performuam rolet që deshëm e për të cilat ekzistonin fjalë se mund të ishim të përkryer” shkruan Fehmiu. / KultPlus.com

E mora shoqëzën përkrah

Poezi nga Lasgush Poradeci.

E mora shoqëzën përkrah,
E matmë rugën ca-nga-ca,
Sikur na ndillte larg diçka.

Pa zu dita perëndoj,
Pa zu nata na mbuloj,
Pa zura shoqen ta pushtoj.

Përse buçet liqer i qet!
Liqer, ti ç’thua ndaj bucet!
Ç’far’ pe, liqer, mi zall të shkretë?

E vendin kur e sjell nërmënd
Kur sjell nërmend, ah! atë vend,
As rroj as vdes, po jam pa mend.

“Sot dua të të them më fal, asgjë më shumë njeri unë jam” (VIDEO)

Sot dua të të them më fal
Asgjë më shumë, njeri unë jam
Mos gjyko ti zemra ime, se kush e di
Ndoshta dhe më keq do bëje ti.

Me këto vargje fillon refreni nga kënga “Më fal” e Elvana Gjatës. Kënga, e dashur tanimë për shumë fansa të Elvanës, brenda pak javëve është shikuar miliona herë në Youtube.

Pjesë e albumit më të ri të Elvanës, balada është shkruar nga vetë artistja, me ndihmën e Pirro Çakos në kompozim.

Se të gjithë mund të gabojmë, dhe gabimet falen, kështu Elvana e ka konceptuar e përthekuar këtë këngë ku ajo e ka shkrirë personalitetin e saj.

Elvana Gjata ka befasuar me albumin e saj të fundit dhe sidomos me këtë baladë të cilën po e sjellim sot edhe njëherë në kujtesë, për të treguar talentin dhe muzikalitetin që e ka kjo këngëtare e re në moshë por shumë e dashur për shqiptarët. / KultPlus.com