Dua Lipa nominohet në Teen Awards në Angli

Dua Lipa merr një nominim tjetër të rëndësishëm nga BBC.

Dua Lipa është nominuar sot për Best British Solo Act në kuadër të Teen Awards 2017.

Lipa ka marrë nominimin në organizimin e BBC Radio 1, ndërsa në këtë kategori ajo i bashkëngjitet Stormzy, Ed Sheeran, Harry Styles dhe Rag`n`bone Man.

Votimi për fituesin zhvillohet në internet ndërsa është i hapur deri me 20 gusht, pra edhe pak ditë. Votimi ndodhë vetëm brenda Anglisë.

Fituesi dihet me datë 22 tetor kur edhe mbahet ceremonia e organizuar nga BBC Radio 1. / KultPlus.com

‘Ditët e fundit i jetoj, në dashuri nuk kam besim’

Një prej këngëve që ndihmoi në kampanjën kundër përdorimit të drogës është padyshim “Ditët e fundit”.

Bashkëpunimi mes Gilit dhe Ardit Stafajt, realizuar në vitin 2002, është këngë që dëgjohet edhe sot dhe që përmban një tekst emocionues rreth asaj se çka mund t`i bëjë droga dhe substancat narkotike njeriut nëse ai i përdorë ato.

Në videoklipin që po e kujtojmë sonte, Liberta Spahiu – sot moderatore e njohur dhe aktori Astrit Kabashi, aktruan në mënyrën më të mirë dështimin e një djali të ri i cili konsumon substancë narkotike.

Kënga ka marrë çmimin e dytë në ShowFest, çmimin e parë në Videofest, dhe ishte pjesë e fushatës së UNDP kundër Sidës dhe drogave.

Gili, shpesh me këngë që ndihmuan kauza, edhe këtë këngë e ka brenda pasaportës artistike si një këngë që dha qartë mesazhin e saj. Gili ka vazhduar karrierën e saj ndërsa Arditi është pak më aktiv në muzikë. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=QTLCI_lFeDE

Monumenti Mejtepe Ryzhdije në Gjakovë së shpejti do të rifunksionalizohet

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim përmes një njoftimi për medie bënë me dije se ka filluar ri-funksionalizimi e ri-ndërtimi i mejtepit të Ryzhdijes në Gjakovë, monument ky i Trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) e cila vazhdon të mbështet trashëgiminë kulturore të përbashkët në Kosovë, do të investojë në restaurimin e mejtepit të Ryzhdijes në Gjakovë që është ndërtuar në periudhën Osmane.

Pas takimeve të zhvilluara në vitin 2014 në mes të kryetares së Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila dhe përfaqësuesve të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ndër të tjera është diskutuar edhe për restaurimin e Mejtepit Ryzhdijes, një objekt i trashëgimisë kulturore në Gjakovë. Në kërkesën e parashtruar nga ana e znj. Lila është theksuar rëndësia e mejtepit të Ryzhdijes për Komunën e Gjakovës duke shpresuar që me funksionalizimin e objektit si qendër e artit do tu mundësohet talentëve të rinj ta shfaqin dhe zhvillojnë atë në një ambient më të mirë dhe më të sigurt.

Objekti i mejtepit Ryzhdije e cila gjendet në një pozitë lidhëse në mes të qytetit të ri dhe atij të vejturit, vetëm njëra nga objektet e cila paraqet shembullin e trashëgimisë së përbashkët kulturore të Kosovës dhe Turqisë në këtë qytet. Falë investimit të TIKA-së përsëri do të dëgjohen zëra të nxënësve në mejtepe Ryzhdijen nga e cila kanë dalë shumë gjenerata. Tenderi për përgatitjen dhe hartimin e projekteve për restaurimin e mejtepe Ruzhdijes në të cilat do të zhvillohen punimet për ri funksionalizimin e saj është realizuar nga ana e TIKA-së.

Sipas Salnames(vjetarit) së vitit 1896 të Vilajetit të Kosovës, objekti i mejtepe Ryzhdijes dy katëshe e cila gjendet në Gjakovë, e ndërtuar nga shteti Osman, është ndërtuar me stilin ampir (stili perandorak). Në Ryzhdijen e cila është në formë katërkëndëshi gjenden 9 dhoma, është e suvatuar në fasadat e jashtme dhe ka një kulm të ri. Hartimi i projekteve për restaurimin e objektit të mejtepe Ryzhdijes, e cila do të restaurohet në formën e vetë origjinale priten të përfundojnë brenda këtij viti ndërsa punimet e restaurimit planifikohen të fillojnë brenda vitit të ardhshëm, thuhet në njoftim.

A do t’i pagëzojnë zviceranët së shpejti fëmijët e tyre me emra shqiptarësh?

Në përmbyllje të një serie shkrimesh mbi Kosovën, shqiptarët e Kosovës dhe lidhjet e tyre me Zvicrën, portali Watson ka zhvilluar një intervistë me ekspertin e njohur zviceran të integrimit, Thomas Kessler. Në këtë intervistë, trajtohet çështja e evoluimit të imazhit të shqiptarëve në Zvicër nga vitet e fillimit të ardhjes se tyre këtu e deri tash, transmeton albinfo.ch.

“Nga migrantët problematikë te migrantët shembullorë brenda pak viteve: Imazhi i kosovarëve ka evoluuar në mënyrë rapide”, fillon artikulli, në të cilin eksperti i migracionit, Thomas Kessler sqaron këtë evoluim dhe përgjigjet “nëse zviceranët së shpejti do t`i pagëzojnë fëmijët e tyre me emra si Granit në vend të Luca”.

Kessler thotë se është mbresëlënës fakti se si ka ndrxshuar ky imazh, madje në mënyrë të shumëfishtë. “Në vitet `70, gastarbajterët shqiptarë konsideroheshin si migrantë të heshtur e luajalë. Kur shpërtheu lufta në Kosovë, fillimisht kishte mëshirë për ta si refugjatë nga Ballkani. Por pastaj fokusi u vendos në problemet e integrimit, si për shembull në figurën e “raser”-it ballkanik (ngasësit të çmendur të veturave).

Ishte koha kur nxënësit kosovarë, të ardhur si refugjatë, “mungesën e njohjes së gjuhës ndodhte ta kompensonin me dhunë fizike”, përcjell albinfo.ch. Ndërkaq figura e “raserit”, sipas ekspertit, ka një bazë reale: kulti i veturave dhe i vozitjes së shpejtë është realitet në kulturën e popujve jugorë. Ndërsa sot kosovarët nga shumica e zviceranëve perceptohen si fqinj dhe kolegë pune të ndershëm”.

Më tutje gazetarja e konsideron si “pikë kthese” në imazhin e shqiptarëve vitin 2011, kur për të fundit herë figura e tyre u përdor si një objekt fushate kundër të huajve. “Ndërkohë që figura e kosovarëve kriminelë në fushatën e iniciativës së dëbimit të të huajve kriminelë (2011) ishte e kudogjendshme, në debatin për iniciativën e jetësimit, (2016) kosovarët as që janë përmendur fare”.

Këtë e konfirmon edhe Kessler sipas të cilit pllakati i famëkeq i SVP-së “Kosovarët therin zviceranin” është pika më e ulët e problemit të imazhit të kosovarëve, përcjell albinfo.ch. Që atëherë, fillon ngritja shoqërore e tyre. Shumë nga ish refugjatët kanë bërë ndërkohë karrierë dhe fitojnë mirë në lëmin komercial. Pastaj, në fokus të opinionit ndërkohë hynë grupe tjera të huajsh si eritreanët ose arabët etj.

Ndonëse në punë të imazhit të shqiptarëve sheh paralele me imazhin e italianëve të viteve 60-70, Kessler e pranon se te rasti i shqiptarëve (kosovarëve) problemi është më i mprehtë. Kjo për faktin se vendi prej nga vijnë ata ende vazhdon të jetë në krizë politike, për ndryshim nga Italia.

Duke e përshkruar ritmin e shpejtë të përmirësimit të imazhit të shqiptarëve, dhe duke e krahasuar atë me imazhin (e mirë) të italianëve pyetja e radhës që i imponohet gazetares është: nëse së shpejti do të hamë darkë kosovare dhe fëmijët tanë do t`i pagëzojmë me emra si : Granit në vend të Luca?

Sigurisht se aq larg nuk do të shkojë puna, kur dihet se çfarë nami ka në botë kuzhina italiane ndërsa për kuzhinën kosovare nuk dimë edhe shumë. Edhe emrat kosovarë për fëmijët zviceranë nuk është se do të bëhen shumë shpejt përditshmëri, transmeton albinfo.ch. Por ajo që shihet është rritja e interesimit për Shqipërinë si destinacion turistik. “Konotacioni me diellin dhe përjetimet nga pushimet verore do ta duhej ta përmirësonte edhe më shumë imazhin e shqiptarëve në Zvicër.”

Nadire Dida, mësuesja e një jete plot dashuri e vështirësi

Mësuesja nga Prishtina nuk ka pasur një jetë mbushur me lule.

Nadire Dida e ka ditur çka është dashuria, dhimbja, emocioni, gjuha shqipe, vuajtja. Të shkruash për gratë e vyeshme që bënë karrierë e të mos përmendësh Nadire Didën, mbase nuk të falet, shkruan Sanije Gashi në librin ku janë përfshirë gratë që i dhanë shumë shqiptarëve.

E nisi mësimdhënien qysh në moshën 16-të vjeçare, fillimisht në shkollën “Elena Gjika” asokohe Vuk Karaxhiq, me drejtor Hilmi Bërvenikun.

Nga duart e saj do të rriten e dalin gjenerata të ndryshme në Prishtinë, Therandë, Prizren, e në fund në Prishtinë, aty ku edhe do ta mbyllte shekullin e punës prej një pedagogeje të shkëlqyeshme në çdo hap edukimi.
E lindur në vitin 1930, vazhdon si nxënës e gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet, me klasën e 38 nxënësve që quhej ndryshe edhe klasa gatimore.

Në vitin 1949 ajo martohet me intelektualin nga Prizreni, Sedat Dida, me të cilin lindë dy fëmijë – Agronin dhe Vetonin.

“Shoku im ka qenë drejtor në gazetën “Rilindja”. Ai ka qenë intelektual, i ri. Më thirrë për drekë te Asllan Fazliu. Ai ka qenë shok me Sedatin, shoku jem Sedati. Unë shkova. Në korzo po dali sa çika, po dalin me noj djalë. E une kërkun s’po dal. Hangrëm drekë, mandej po pysin burrin tem “Sedat bre! Hajde bre Sedat, a ki gjetë noj çikë?” “Jo, jo, jo. Ik, ik ik!” ai burri jem. “Fol, fol hajde. A ke ndoj simpati ktu?” Atij po i vjen marre e dikur thotë, “Osht’ bre nji çikë. Po a e dini çka? Unë po eci sa ma larg prej saj se ajo duhet t’jetë noj borgjeze, se vishet shumë pedante”. A unë babë s’kam pas edhe nuk kam qenë borgjeze, po nime kam qenë pedante. “Uhh… “ ata thojnë, “çfarë borgjeze, paske zgedhë nji çikë shumë t’mirë” thotë Nadire Dida në një intervistë për Oral History në vitin 2014-të.

Tregimi i saj është tregim i përzier, i ndjenjave në të cilat një engjëll si Nadire Dida do të duhej të kalonte herët a vonë, shkruan KultPlus.

Nadire Dida, kjo mësuese e pathyeshme. Në gjeneratën e fundit, tregon ajo, i ka pasur 56 nxënës, të ndarë bashkë me mësuesen Jakute Zherka. Rreth viteve 70-të të shekullit të kaluar del në pension. Në vitin 1973 ajo merr 1 milion dinarë si mësuese e dalluar, me një shpërblim në Beograd.

Më pas dekorohet me Medaljen Mësuese e Merituar, Medalja për kontributin e dhënë në fushën e arsimit, Mirënjohja për punë dhe rezultate të jashtëzakonshme në lëmin e kulturës së përgjithshme arsimore dhe edukative, Mirënjohja në 50-të vjetorin e shkollës “Faik Konica”…

“Sedati ka qenë njeri I mirë, bashkëshort që meriton të kujtohet” i thotë mësuesja Sanije Gashit – kësaj studiuese e cila e viziton para se të shkruajë librin e saj dhe ku natyrisht e inkuadron në disa faqe tregimin për Nadire Didën, gruan që edukoi gjenerata dhe pati jetë me respekt, dashuri e sfida. / KultPlus.com

Ja si e ndryshoi regjimi i Enver Hoxhës tekstin e këngës së famshme shqiptare

Në kohën e Enver Hoxhës, çdo krijim duhej ti nënshtrohej kërkesave të asaj periudhe, andaj, edhe këngët cungoheshin deri në atë masë që shpeshherë deformoheshin nga origjinalja, shkruan KultPlus.

Kënga e famshme “Kur perëndon dielli”, me tekst të Zef Lekajt e muzikë të Leonard Dedës, është një ndër këngët që ka pësuar ndryshime.

Leon Lekaj, djali i Zef Lekajt, ka publikuar versionin e parë të kësaj kënge, që për dhjetëra vite është kënduar me versionin ashtu si e ka kërkuar koha.

Më poshtë keni tekstin si është kënduar kjo këngë, strofa e dytë në anën e djathtë, është teksti se si kanë ndërhyrë në periudhën e komunizmit.

Kur perëndon dielli (origjinali)
-1-
Mbeta gjithë ditën hijeve
Se m’than nën hije rri
Etjen e shova krojeve
Krojeve ku pin ti
Flaka ju raft-o hijeve—————-E mira u raftë o hijeve
Qi s’mujtën me m’freskue——- Qi mujtën me m’freskue
Turbullt asht uji krojeve————I kjart asht uji krojeve
Se etjen s’ma kan shue————Qi etjen ma kanë shue
refreni
Po t’jemi bashk’ ne të dy
Do t’na shikjojn me zili
E do t’na flasin në sy
Sa duhemi un’ e ti. / KultPlus.com

A ishin Istref Begolli dhe Melihate Ajeti çifti më i bukur i teatrit tonë?

“Melihati, ulur në këndin e saj të preferuar në dhomën që e quan “parajsë vetmie”, e grimuar, me turban në kokë (pamje thuaja e përhershme), me glamur zonjeje, rimerr fuqinë për të rrëfyer edhe për anën tjetër të jetës, për njerëzoren, për miqtë, për shokët e paktë, por të përzgjedhur, për emocionet…Rikthen motet e shkuara.

“Kolegu im i respektuar, Istref Begolli, pas shfaqjes “Ëndrra e qenit” të Mehmet Krajës, duke ma uruar rolin e shitëses së luleve, në foajeun e teatrit, me emocione të larta dhe me lot në sy, më përqafon e më thotë “Meli, a e di c`rol të madh ke bërë prej një roli të vogël! Je e shkëlqyeshme. Veç ti, me aktrim të lartë, po më jep të kuptoj se ende ekziston shpresa për nivelin e teatrit”! – ishin çaste ngazëllimi, por edhe dëshpërimi që po I përjetonte aktori. Meli, prandaj, me respekt kujton kolegun e saj shumëvjecar, Istrefin, dhe po me kaq mall dëshirën e tij të madhe që pati për ta luajtur Mbretin Lir, për të cilin rol po i fliste kur po rrinin thuaja përditë në lokalet e teatrit të pasluftës.

“E kam pasur shok të mirë, vdiq me zhig të rolit të Mbretit Lir. Shkoi..” – hetohet një notë sentimenti në zërin e aktores. Kritiku Vehap Shita me rastin e shuarjes së Istrefit, kujton:
“Dueti artistik, Istref Begolli – Melihate Ajeti ishte, ndoshta, çifti më i bukur që parakaloi deri më sot në skenën e teatrit tonë, çifti pa të cilin nuk mund të mendohej një shfaqje e bukur e kësaj skene!”.

Marrë nga libri “Ecje nëpër kujtesë” i Sanije Gashit

Aktori kosovar takohet me Lepa Brenën në Festivalin e Sarajevës (FOTO)

Aktori kosovar Ilir Tafa ka postuar një fotografi me këngëtaren e njohur Lepa Brena, një këngëtare e njohur dikur në ish Jugosllavi dhe një emër i njohur që ka tundur skenat e viteve 90-të.

Tafa po qëndron në Festivalin prestigjioz të Filmit në Sarajevë ndërsa atje po qëndron edhe këngëtarja e njohur, sot 56 vjeçare, një seks simbol dhe një këngëtare që ka shitur rreth 40 milionë kopje të albumeve.

Aktori kosovar ka dy filma me të cilët po merr pjesë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ndërsa në këtë festival po qëndrojnë edhe emra të mëdhenj të kinematografisë botërore por edhe fytyra të artit e kulturës nga mbarë bota. / KultPlus.com

E ‘vodha’ një mëngjes

Poezi e shkruar nga Klara Buda.

Sa praroi drita, përqafova agimin
Varur rreth supit të tij,
Vrapova.
Aq larg sa askush s’do t’më ndalonte,
Aq larg sa askush s’do t’ma pushtonte,
Agimin tim,
Blunë e mrekulluar,
E të pashijuar, as edhe një mëngjes.
Putha prarimin, flladin
E zbraza brengën, mallin
E laga syrin, mbresën
Dhe e rinova shpresën.
Me afshin tim,
Nën fantazinë time,
Sipas mënyrës sime.
Pa ata rregullin e paracaktuar,
Në idealet e imponuar.
Jetova mëngjesin tim të parë,
Qoftë kjo e mënçur a e marrë !
Në të u shkriva,
U bëra një me k’të mëngjes,
Qoftë ky i fundit,
Që i lirë do të më mbesë !

Jonufer 30 Qershor 1989

Kjo poezi është shkruar, një mëngjes, në një aksion rinie. Mesazhi is aj është i qartë, ai shpreh revoltën e autores kundër idealeve të imponuar dhe pushtimit të hapësirës individuale nga kolektiviteti…

Për herë të parë, Stacioni i Autobusëve të Prizrenit hapë dyert për artin bashkëkohor

Autostrada Biennale në edicionin e parë të titulluar ‘’E Ardhmja e Kufijve’’, terminalin e autobusit do ta ketë vendtakim të artistëve, puna e të cilëve trajton politikën e mobilitetit, refugjatët, dislokimin e pakicave, migrimin, shkëmbimin kulturor, pakufishmërinë e imagjinatës, luftën, kufijtë gjinor, kufijtë e dukshëm dhe të padukshëm në hapësirën bashkëkohore publike.

Autobusët janë një nga automjetet kryesore publike moderne, ato përdoren për të transportuar masën ndërmjet pjesës rurale dhe urbane, mes qyteteve të mëdha dhe të vogla, në të gjithë kufijtë kombëtarë dhe rajonal. Ky aspekt masiv, së bashku me qasjen e tij të përhapur në territore me nivele të ndryshme të modernizimit, i bën autobusët një fokus qendror kur bëhet fjalë për të ardhmen e kufijve. Imigrimet, refugjatët, pakicat shpesh duhet të mbështeten në autobusë për arsye të lehtësirave që sjellin me kosto të ultë dhe përhapje që kanë ato. Pra, nëse Autostrada është thelbi infrastrukturor i mobilizimit masiv modern, atëherë autobusët janë shprehje publike e rrugëve moderne.

Artistë pjesëmarrës në ekspozitë janë: Valentina Bonizzi (Itali), CHANG Chien-Chi (Tajvan), Libia Castro (Spanjë) & Ólafur Ólafsson (Islandë), Irwin (Slloveni), Alban Muja (Kosovë), Rena Rädle (Gjermani) dhe Vladan Jeremić (Serbi), Ella Raidel (Austri) , Oliver Ressler (Austri), Saso Sedlacek (Slloveni), Alketa Xhafa (Kosovë). Veprimtaritë e këtyre artistëve mbulojnë media të ndryshme duke filluar nga fotografitë, videot, vizatimet, posterët, robotët interaktiv dhe performancat.

Nga 19 Gusht deri më 23 Shtator, këto vepra të artit do të ekspozohen: në dhomën e pritjes së stacionit, kafene të mëdha, zyre, fasada, tek hapësira në natyrë, si dhe në sallën legjendare të dasmës. Pritja e hapjes së Autostradës Biennale do të mbahet me 19 gusht në mbrëmje tek Stacioni i Autobusëve.

Si vendtakim për ekspozitën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, do të përdoren zona të ndryshme të qytetit të Prizrenit me trashëgimi kulturore. Duke qenë qendër e mobilizimit masiv, stacioni autobusëve do të jetë pikënisja e ekspozitës me titull “E ardhmja e kufijve”.

Një histori e shkurtër e Stacionit të Autobusëve të Prizrenit:

Stacioni i parë i autobusëve në Prizren ishte e vendosur tek Posta, ndërsa në vitin 1960 ai u zhvendos në vendin ku gjendet edhe sot. Themelet e para të stacionit aktual të autobusëve u vendosën në vitin 1978 dhe në vitin 1981 ai u hap për publikun. Stacioni i autobusëve gjithashtu kishte një sallë dasmash ku organizoheshin dasma dhe ahengje të ndryshme. Gjatë tendencave të privatizimit në periudhën e pas-Jugosllavisë, stacioni i autobusëve ishte përjashtuar nga lista dhe deri më tani funksionon si objekt publik. / KultPlus.com

Disa…

Poezi e shkruar nga Nezir Kraki.

Disa janë veç njerëz,
Disa janë edhe ndjesi,
Disa janë edhe vuajtje,
E disa janë Dashni.
Disa janë vite t’gjata,
Disa as që mbahen mend,
Disa janë minuta t’arta,
E disa janë Moment.
Disa tjerë s’janë as njerëz,
As vuatje, as ndjesi,
Disa s’janë asnjëra nga këto,
As Moment, as Dashni.

N. Kraki
Paris, 14 gusht 2017

Filmi “Ballkoni” i Lendita Zeqirajt do të shfaqet në Portugali

Filmi “Ballkoni” me regji nga Lendita Zeqiraj po vazhdon rrugëtimin e tij nëpër festivale.

Edhe pas katër viteve realizim dhe rreth 167 festivaleve ku filmi ka marrë pjesë, e disa prej tyre edhe me çmime, filmi do të shfaqet në Portugali.

“Ballkoni”, historia e Jetonit 10 vjeçar i cili e çon peshë tërë lagjen e tij nga lazdrimi, do të shfaqet në BEAST- International Film Festival në qytetin e bukur të Portos në Portugali.

Në film luajnë Avni Dalipi, Osman Ahmeti, Arben Bajraktaraj, Gjin Kastrati, Shengyl Ismaili, Adriana Matoshi, Leonora Mehmetaj e artistë të tjerë.
Para se të fillojë festivali, me datë 23 gusht “Ballkoni” do të shfaqet bashkë me një film nga Polonia dhe një bashkëproduksion mes Moldavisë e Rumanisë.

“Ballkoni” zgjatë 20-të minuta dhe mbetet një ndër filmat më të suksesshëm nga Kosova. / KultPlus.com

Dua Lipa, pa çmim në ceremoninë Teen Choice Awards 2017

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa kësaj radhe nuk ka fituar çmim në Teen Choice Awards në Los Angeles.

Dua Lipa ka qenë e nominuar në kategorinë e artistit të ri më të mirë – Choice breakout artist, por nuk ka triumfuar në një konkurrencë me artistët tjerë.

Chance The Rapper e ka fituar këtë kategori, ndërsa bashkë me Duan të nominuar kanë qenë edhe James Arthur, Halsey, Zara Larsson dhe Julia Michaels.

Chance the Rapper është këngëtar amerikan, emri i vërtetë i të cilit është Chancellor Johnathan Bennett. Ai është vetëm 24 vjeçar. / KultPlus.com

Ka nisur Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Drejtori i Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Rrahman Paçarizi, tha se e veçanta e këtij viti është se ka pasur një interesim të madh të brezave të mërgatës për të qenë pjesë e seminarit.

Ai këto komente i bëri me rastin e hapjes së seminarit 36 për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku ishin të pranishëm përfaqësues universitarë, albanologë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët gjatë dy javëve do ta mësojnë gjuhën shqipe përmes kurseve intensive.

Paçarizi është shprehur se fatkeqësisht nuk ka kapacitet për të përmbushur kërkesat e gjithë atyre që dëshirojnë të jenë pjesë e programit.

“Ju ftojmë ta mësoni letërsinë shqipe dhe ta mësoni kulturën shqipe”, u shpreh ai.

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami është shprehur se është obligim i Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës që të përkrahin albanologët.

“Ky seminar do të ndikojë në internacionalizimin e albanologjisë”, tha ai.

Nita Rugova, dekane e Fakultetit Filologjik, u shpreh se e tërë Prishtina i gëzohet ardhjes së seminaristëve të huaj.

“Ky seminar është një rrugëtim i vështirë në kërkim të zhvillimit akademik, një tubim i lartë shoqëror që ka arritur të bëhet institucion. Dhjetëra studentë i kemi shkëmbyer falë këtij seminari”, tha ajo.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e pesë sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. / KultPlus.com

Pse u demoralizua herët në jetë Melihate Ajeti?

Nëse përmendim një aktore shqiptare e cila në jetë pati edhe rolin që u shkrua enkas për të, e luajti në një shfaqje për 13-të vite me radhë për ta përsëritur, nuk shkruhet emër tjetër pos ai i Melihate Ajetit.

Aktorja e njohur e shqiptarëve, aktorja e laureuar me çmimin më të madh të Kosovës me rolin e Margaret Goties, aktorja e roleve të mbretëreshës dhe aktorja që u largua nga skena pa ndonjë lamtumirë e pa bujë, sot kujtohet më pak prej gjeneratave të reja.

Melihate Ajeti, e lindur në Prishtinë, u martua shumë e re me Muharrem Qenën.

“Atë ditë, me 17 shtator 1953, mëhallën tonë e pushtoi jehona e këngës. Meli po bëhej nuse, veçse nuk ishte i pranishëm i ati, Shaban Ajeti, për ta përcjellë të bijën. Vajza Antigona Qena është i vetmi fëmijë i këtij çifti” shkruan Sanije Gashi në një libër ku është përfshirë edhe primadona e teatrit në Kosovë.

Ndarja prej Muharremit ndodhë pas 14-të vitesh. Nuk e botoi kurrë librin e kujtimeve, ku tregoi për rolet e saj të mëdha, për dhomën e saj të vetmuar ku ndoshta do të duhej të kishte më shumë njerëz.
Meli, megjithatë nuk pranoi kurrë më shumë se kaq. Luajti në “Hamleti” ,”Erveheja”, “Antigona”, “Makbethi”, “Besa”, e “Sikur të isha djalë”, mes tjerash. Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë iu nda në vitin 1971 ndërsa në vitin 1963 morri çmimin e madh të Kosovës – Shpërblimin e Dhjetorit.

“Jam demoralizuar shumë herët në jetë. Pse të ketë urrejtje, xhelozi, lakmi, pse luftëra, vrasje, tortura, robëri? Pse të vdesin familjarë, atdhetarë, pse të zhduken dijetarë, shkencëtarë? Pra, jeta është një pyetje e madhe: përse vdekja” thotë Melihate Ajeti për Sanije Gashin në librin e grave që dhanë kontributin e tyre ndër shqiptarë në fusha të ndryshme të artit.

Rreth 200 role teatrore, mijëra faqe të Ervehesë që si shfaqje qëndroi 13-të vite në repertori, “Vajza pa pajë” me Istref Begolli, rolet në “Kur pranvera vonohet”, “Trimi”, “Etja”, e bëjnë Melin damën e parë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Italia organizon ekspozitë retrospektive të artistes serbe Marina Abramoviq

Pasi ka ekspozuar punët e ndryshme nga Ai Weiwei dhe Bill Viola, Palazzo Strozzi do të sjellë ekspozitën retrospektive të një prej artisteve më të njohura në botë.

Gjyshja e artit bashkëkohor performues, siç e quajnë, Marina Abramoviq vjen në Firence në këtë ekspozitë që e sjellë karrierën e saj prej gati pesë dekadash.

Rreth 100 punë artistike do të ekspozohen me datë 21 shtator të vitit tjetër. Artistja serbe gjithmonë ka punuar me një inspirim që nuk e ka larguar nga shteti italian.

Disa prej punëve më të rëndësishme të Marina Abramoviq po i radhisim këtu:

https://www.youtube.com/watch?v=eStKDxzffZs

https://www.youtube.com/watch?v=OS0Tg0IjCp4

https://www.youtube.com/watch?v=QcaaVZrUC44

Astrit Kabashi, Adriana Matoshi dhe Trim Musliu janë anëtarët më të ri të Akademisë së Filmit Evropian

Tre artistët kosovarë, Astrit Kabashi, Adriana Matoshi dhe Trim Musliu janë anëtarët më të ri të Akademisë prestigjioze të Filmit Evropian EFA duke numëruar kështu 17 anëtarë nga Kosova të cilët janë pjesë e Akademisë.

Në bazë të sukseseve të arritura Astrit Kabashi dhe Adriana Matoshi si aktorë të filmit ‘Babai’ dhe Trim Musliu si producent i filmit ‘Home Sweet Home’, janë ftuar të anëtarësohen nga Akademia e Filmit Evropian me propozim nga drejtori i QKK-së, Arben Zharku.

Akademia e Filmit Evropian është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themeluese si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.

Së fundmi edhe regjisori Visar Morina i është bashkangjitur Akademisë së Filmit Evropian. / KultPlus.com

Shikojeni performancën e Rita Orës mbrëmë në Teen Choice Awards 2017

Rita Ora mbrëmë performoi këngën e saj më të re “Your Song”.

Kjo ka ndodhur në ceremoninë Teen Choice Awards në Los Angeles në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasi ka parakaluar në tepihun e kuq, ajo është ngjitur në skenë në një performancë magjike e cila edhe njëherë tregon kapacitetin e asaj që mund të bëjë një ndër shqiptaret më të njohura në popin botëror, shkruan KultPlus.

“Your Song” është suksesi i fundit i Rita Orës, bashkëpunim ky me Ed Sheeran dhe një garancion për karrierën e Ritës në industrinë e fuqishme muzikore angleze por edhe amerikane.

Teen Choice Awards janë çmime ku votojnë adoleshentët nga mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të zgjedhur më të mirët e muzikës por edhe filmit e serive televizive. Performanca e Ritës është kjo poshtë. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=V7K39cQ7JwQ

Me 14 gusht 1933, Hasan Prishtina vritet në Selanik

Hasan Prishtina ishte ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Lindi në vitin 1873. Kreu gjimnazin francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës e njohur me emërtimin “Mylkije” në Stamboll.

U zgjodh tri herë deputet në parlamentin osman dhe mbrojti me forcë të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Hasan Prishtina, Ismail Qemali e patriotë të tjerë shqiptarë ishin nismëtarët e organizimit të kryengritjes kundër osmane të shqiptarëve të vitit 1912.

Në vitet 1916-1918 bashkëpunoi me autoritetet austro-hungareze me qëllim që të përfitonte nga ndonjë rrethanë e përshtatshme për të realizuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ishte një nga drejtuesit kryesorë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare të Kosovës”. Në vitin 1921 u zgjodh deputet në këshillin Kombëtar. Drejtoi qeverinë shqiptare për një periudhë disa ditore në dhjetor të vitit 1921. Gjatë viteve 1922-1933 ishte një përfaqësuesit kryesorë të opozitës ndaj mënyrës së qeverisjes së Ahmet Zogut. Gjatë gjithë periudhës së viteve ’20 të shekullit XX ishte një nga ideologët kryesorë të tezës: “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri”.

U vra më 14 gusht 1933 në Selanik nga një “mik” i tiji, Ibrahim Çelo. Vrasja u krye në orën 2 mbasdite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhëtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane “IVI” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J.Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit 4 herë, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku.

Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. / KultPlus.com

Ka vdekur Ruth Pfau, Nënë Tereza e Pakistanit

Dr Ruth Pfau, e njohur edhe si Nënë Tereza e Pakistanit, ka ndërruar jetë.

Murgesha gjermane ka vdekur në Karachi me 10 gusht, në moshën 87 vjeçare.

Pfau ka ndihmuar për dekada me radhë në Pakistan për të ndaluar shpërndarjen e bakteries leprosy – lebra apo gërbula, e cila mund të shkaktojë verbërimin tek njerëzit. Bakteri njihet edhe si Sëmundja e Hansenit, shkruan KultPlus.

Njëjtë si Nënë Tereza shqiptare, edhe Pfau ka jetuar me njerëzit të cilët patën nevojë për ndihmën e saj.
Ruth Pfau ka lindur në Lajpcig në vitin 1929. / KultPlus.com

Shqiptarja tjetër që mbrëmë mahniti publikun në Los Angeles (VIDEO)

Pos Rita Orës, edhe një shqiptare tjetër mbrëmë mahniti audiencën e pranishme në Los Angeles në Amerikë.

Bebe Rexha dhe Louis Tomlinson e mbyllën ceremoninë e njohur të ndarjes së çmimeve me hitin e tyre “Back to You”. Një Bebe e zjarrtë mbrëmë duket se ka shijuar çdo moment të performancës së saj, shkruan KultPlus.

Bebe Rexha ishte e pranishme në këtë ceremoni edhe në vitin 2015-të, asokohe e nominuar në një prej kategorive. Tomlinson në anën tjetër ka vazhduar karrierën solo ndërsa me grupin One Direction ka qenë disa herë pjesë e ceremonisë Teen Choice Awards 2017. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?time_continue=85&v=_5aJvk7gaAQ

Askush më bukur se Rita Ora në Teen Choice Awards (FOTO)

Rita Ora mbrëmë ka qenë e pranishme në Teen Choice Awards 2017.

Çmimet në të cilat votohet nga të rinjtë e Amerikës në kategoritë e televizionit e muzikës, mbrëmë e kanë sjellë edhe shqiptaren Rita Ora e cila ka kënduar por nuk ka qenë e nominuar në ndonjë kategori, shkruan KultPlus.


Ngjyra pink ishte zgjedhja e Ritës për tepihun e kuq dhe parakalimin në këtë organizim të madh.

Pos Ritës, edhe Bebe Rexha e Dua Lipa ishin të pranishme në këtë ceremoni të ndarjes së çmimeve. Dua ishte e nominuar por nuk morri imim ndërsa Bebe Rexha po ashtu performoi. / KultPlus.com

Nën qiej qetë të tërbum

Poezi e shkruar nga Adrian Bytyqi.

Në netë si kjo, du me t’pasë afër
Kur qielli gjallnon me frymë të ftohtë
Kur ndihem rrahat nën mbulesa të leshta
Ngrohtë dhe sigurtë, kamt kur na preken
Errësira e natës pas stuhisë
T’ban esëll prej të ftohtit, ndoshta
Edhe vetëm për nji moment, je kush je
E qenia jote më mungon
Nuk është shumë i ashpër
Ama i ftoft që të qetëson,
Ty edhe gjith tjerët, e t’len
Me u djegë në akull të nostalgjisë
Nuk i thojnë për kurrgjo dhimtë,
Gjynah osht me ngacmu varra të vjetra
Ama ndryshe sun e bojmë,
Malli është mall.

Rita Ora, gjithmonë në përkrahje të Iggy Azalea

Këngëtarja e njohur me origjinë kosovare, Rita Ora, së fundmi i është rikthyer muzikës me këngën e saj të re “Your Song” pas një beteje ligjore me ish-labelin “Roc Nation”.

26 vjeçarja ka përkrahur reperen e njohur australiane, Iggy Azalean, e cila duket se është duke u përballur me një situatë të ngjashme, sikur Ora, me labelin “Def Jam”, transmeton Koha.net. “Def Jam” ka shtyrë lansimin e këngëve të Azaleas nga albumi i saj i dytë “Digital Distortion”.

“Është e vështirë për çdo artist të kalojë në një situatë të tillë, por çdokush gjen një mënyrë për të dalë nga situata e tillë dhe ndonjëherë duhet vetëm të ndryshoni dinamikën e situatës”, ka thënë Ora për “The Daily Telegraph”.

Gjithashtu, Rita Ora ka thënë se është shumë e rëndësishme që Iggy Azalea të qëndrojë pozitive në këtë proces ligjor me labelin “Def Jam”.

Rita Ora dhe Iggy Azalea në vitin 2014 së bashku kanë bërë këngën “Black Widow”, këngë nga albumi “The New Classic” i Azaleas, e cila ka zënë vendin në e parë në top listën e R&B/Hip-Hop të Billboardit.