MSH: Nga nesër mund të vaksinoheni ku të dëshironi, pa termine

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se duke filluar nga nesër qytetarët mund të vaksinohen në cilëndo qendër të vaksinimit në Kosovë, pa termin të caktuar paraprakisht.

Sipas kësaj ministrie, qytetarët mund të vaksinohen në secilën qendër të vaksinimit kudo në Kosovë, pavarësisht se cilës komunë i takojnë me vendbanim, raporton express.

“Ministria e Shëndetësisë vlerëson se tashmë një numër i konsideruar i qytetarëve të grup-moshave të ndryshme janë vaksinuar kundër COVID-19 dhe kjo e bën edhe më të lehtë menaxhimin e procesit të vaksinimit në çdo qendër, ku përmes ekipeve të vaksinimit në dispozicion, ka kapacitete për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të qytetarëve për vaksinim”, thuhet në një njoftim nga MSH.

Gjithashtu, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se këtyre ditëve është duke u bërë vaksinimi edhe përmes ekipeve mobile, për çka gjithashtu nuk duhet caktuar termin paraprakisht.

MSh u bën thirrje qytetarëve që ta kompletojnë procesin e vaksinimit duke i marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19.

“Në Kosovë vaksinimi kundër COVID-19 është i lejuar për të gjithë qytetarët nga mosha 12 vjeçe e lart. Në këtë kohë kur në shtete të ndryshme të Evropës, por edhe në rajon po regjistrohen shifra shumë të larta të infektimeve me COVID-19 me dominim të variantit Delta, vaksinimi i popullatës mbetet rruga më e sigurt për ta mbajtur situatën e qetë epidemiologjike në vendin tonë dhe për të arritur imunitetin kolektiv”, është thënë nga MSH./KultPlus.com

‘Ishin kan vllaznue dielli e hana’

Ishin kan vllaznue dielli e hana.

Shkon hana ni ditë për qef tu dielli edhe ja çon ni parë tesha bakshish. Dielli gzohet edhe e pret mirë. Mbas disa dite vjen dielli m’e pa hanën. S’i bjen kurgja. Hana i thotë:
Qysh u ba puna kshtu? Unë erdha e t’i pruna ni parë tesha bakshish, e ti s’um prune kurgja!
Dielli i tha:
Po ti kurrë njejtë s’po rrin: herë hiç, herë n’ngjysë, herë e plotë e nuk dita qysh me t’i pre teshat, për qata s’t’i pruna.

Marrë nga: Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”, Prishtinë, 1963. / KultPlus.com

SHPËRNDAJE ARTIKULLIN

Letra e dashurisë së John Lennonit për gruan e tij Yoko Ono

Më 9 tetor 1940 lindi në Liverpul një djalë që më pas u bë një legjendë, John Lennon. Yoko Ono dhe ish-“The Beatles” u takuan për herë të parë gjatë një performance të Ono në “Indica Gallery” në Londër, më 9 nëntor 1966. Nisën të frekuentohen dy vjet më vonë. Kjo letër është një dëshmi e vyer e dashurisë së tyre.

“Në 10 vjetët e fundit kemi arritur të kuptojmë se çdo gjë që dëshironim ishte e përkohshme, e mirë apo e keqe, në një mënyrë apo në një tjetër. Vazhduam t’i thoshim njëri-tjetrit se në një nga këto ditë duhet të organizoheshim dhe të dëshironim vetëm gjëra të mira. Më pas lindi fëmija ynë. Ishim shumë të lumtur dhe në të njëjtën kohë ndiheshim shumë përgjegjës. Tani dëshirat tona do të ndikonin edhe mbi të. E ndjemë se kishte ardhur koha mos të debatonim më, por të rishikonim mekanizmat tona të dëshirave, duhej të bënim pastrim me themel në mendjen tonë. Ishte një detyrë e madhe.

Rastiste të gjenim në dollapin e madh të mendjes sonë gjëra që nuk e dinim që i kishim. Duke bërë pastrime, nisëm të vinim re shumë gjëra që nuk rrinin mirë në shtëpinë tonë. Ishte një raft që as nuk duhej të ishte aty fare; një tablo që kishte filluar mos të na pëlqente dhe ishin dy dhoma të zymta që u shndërruan në plot dritë e ajër kur hodhëm poshtë murin që i ndante. Nisëm të pëlqenim bimët dhe të mendosh që në fillim ishim të bindur se ato na vidhnin ajrin. Nisëm të vlerësonim ritmin e shfrenuar të qytetit që zakonisht na bezdiste. Bënim shumë gabime dhe ende bëjmë. Në të shkuarën kemi harxhuar shumë energji për të kërkuar diçka që mendonim se e donim, na kërkonin që të rrezikonim për ta pasur, për të zbuluar më pas që s’e donim fare. Një ditë morëm një rrebesh shiu çokollatash nga njerëz nga e gjithë bota. “Çfarë janë këto gjëra? Ne nuk hamë gjëra të ëmbla. Kush i ka kërkuar”? Sa kemi qeshur! Zbuluam se kur të dy dëshironim një gjë njëkohësisht, realizohej më shpejt.

Filluam gjithnjë e më shumë të dëshironim dhe të luteshim. Gjërat që i kishim dëshiruar në të shkuarën, duke bërë shenjën e paqes, tani i kërkojmë përmes dëshirave. Nuk e bëjmë më sepse kështu është më thjesht. Të dëshirosh është më efikase se të valëvitësh flamuj. Funksionon. Është si magji. Magjia është e thjeshtë, është reale. Sekreti është ta dish që është e thjeshtë dhe jo ta vrasësh me rituale të përpunuara që janë shenjë pasigurie. Kur dikush është i inatosur me ne, i pikturojmë në mendjen tonë një aureolë përreth kokës. Dhe ai ndryshon qëndrim? Epo, s’i dihet. Por, dimë se kur ia vizatojmë aureolën befas na ngjason me një engjëll. Kjo na ndihmon të kemi ndjenja për njerëzit, të kujtojmë se secili ka një mirësi brenda vetes dhe se të gjithë ata që vijnë te ne janë engjëj të maskuar që na sjellin dhurata e mesazhe nga universi. Magjia është logjike. Provojeni ndonjëherë!

Kemi ende shumë rrugë për të bërë. Me sa duket, sa më shumë pastrime bëjmë aq më shpejt funksionon procesi i të dëshiruarit dhe marrjes. Shtëpia tani është bërë shumë e rehatshme. Sean është i mrekullueshëm. Bimët rriten. Macet përkëdhelen. Qyteti shkëlqen, qoftë diell, shi apo dëborë. Jetojmë në një univers shumë të bukur.

Çdo ditë jemi mirënjohës për plotësinë e jetës sonë. Nuk është eufemizëm. E dimë se qyteti, shteti dhe bota po përballen me kohë të vështira dhe mbretëron terrori. Por dielli ende shkëlqen, ne jemi ende bashkë dhe mes nesh mbizotëron dashuria. Po ashtu edhe në qytetin tonë, në vendin tonë dhe në botë. Nëse dy persona si ne jetojnë jetën e tyre siç bëjmë dhe ne çdo mrekulli është e mundur. Është e vërtetë, në këto momente do të bënte punë një mrekulli shumë e madhe. Dua të them, ta vlerësosh kur të ndodh dhe të jesh mirënjohës. Fillimisht manifestohen në formë të reduktuar, në përditshmëri, por më pas rrjedhin si lumenj e oqeane.

Gjithçka do të shkojë mirë! E ardhmja e botës është në duart e të gjithëve ne!

Nju Jork, 27 maj 1979

John Lennon për Yoko Ono

Përktheu: Elona Qose /KultPlus.com

Rama: Jam dakord që Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës, por ajo vjen në fund

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë me gazetarët në Beograd u shpreh se është dakord që Serbia ti kërkojë falje Kosovës, duke shtuar se sipas tij falja është ajo që vjen në fund.

Rama theksoi se bashkëpunim në rajon e sheh si një proces paqeje.

“Nuk kemi të nevojshme të angazhojmë fonde të dedikuara, por të angazhojmë të gjitha forcat në administratat përkatëse, në mënyrë që të krijohen kushtet që brenda kësaj hapësire të Ballkanit perëndimor të jetë një lëvizje pas asnjë pengesë në mes”, tha Rama.

I pyetur për ndalimin e boksierëve të Kosovës për të marrë pjesë në Kampionatin e Boksit në Beograd, dhe se sa i vërtetë është Vuçiç në deklaratat e tij, Rama tha se deklaratat e Presidentit Vuçiç për ftesën ndaj Kosovës do të testohet vetëm nëse Kosova i bashkohet nismës “Open Balkan”.

Sinqeriteti i të gjithë deklaratave testohet në provën e realitetit. Sot presidenti i Serbisë e tha hapur se mirëpret Kosovës njësoj si dy vendet e tjera. Pra kjo deklaratë testohet vetëm nëse Kosova vjen në këtë nismë. Kjo nismë ka qenë domosdoshmëri kohë më parë. Kur ne kuptuam që procesi i Berlinit ishte i destinuar të kthehej në proces deklaratash. Unë jam për falje. Kërkimi i faljes nga Serbia është kapaku që do ti japë zgjidhjen përfundimtare njohjes nga Serbia. Unë them që falja vjen në fund , nuk mund të vijë në fillim. Ballkani i Hapur ka mundësuar që në të kemi realitet atë që prej vitesh e kemi ëndërruar. Nuk hiqet dot kufiri në konflikt të hapur me Serbinë sepse jo Serbia por ngrihet dhe Uashingtoni dhe thotë Shqipëria e Madhe./konica.al/KultPlus.com

Kosova me 4 medalje në Kampionatin Ballkanik të karatesë

Ekipi i përfaqësueses së Kosovës gjithashtu përfaqësues të Federatës së Karatesë në Kosovë të mërkurën u pritën në takim nga ministri i MKRS, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja, Daulina Osmani.

Duke i uruar për suksesin që kanë treguar në një garë me kaq shumë konkurrencë ku ishin pjesëmarrës, ministri Çeku i siguroi ata që mbështetja institucionale nuk do të ju mungoj ndërsa i përgëzoj për punën që po e bëjnë me kaq shumë përkushtim.

Karateistët kosovar pjesëmarrës në Kampionatin Ballkanit të karatesë që u mbajt në Poreq, Kroaci, arritën të marrin 4 medalje. Një medalje të argjendtë e mori Elhami Shabanin dhe tri të bronzta, Fortesa Orana, Herolind Nishevci, si dhe në ekipore, konkurrenca e meshkujve./KultPlus.com

Shkrimtari afrikano-jugor fiton “Booker ‘21

Autori i Afrikës së Jugut Damon Galgut fiton  çmimin prestigjioz Booker për letërsinë artistike në tentativën e tretë për romanin e tij Premtimi. Galgut, i cili ishte nominuar më parë në 2003 dhe 2010, mori çmimin prej 50,000 Eurosh. Premtimi është libri i tij i nëntë dhe përshkruan rënien e një familjeje afrikano-jugore gjatë katër dekadave nga epoka e aparteidit deri në ditët e sotme.

Kryetarja e jurisë , Maya Jasanoff, e përshkroi atë si “një ture de force”.  “Ai kombinon një histori të jashtëzakonshme, tema të pasura dhe historinë e 40 viteve të fundit të Afrikës së Jugut në një libër  të punuar mirë,” tha ajo.

Ai arrin të bashkojë cilësitë e tregimit të shkëlqyer, ka ide të shkëlqyera, është një libër që ka shumë për të nxënë , me vëmendje të jashtëzakonshme ndaj strukturës dhe stilit letrar“.

Titulli, Premtimi, i referohet një zotimi që i ishte bërë një shërbëtoreje me ngjyrë që punonte në një familje të bardhë do t’i jepej shtëpia ku ajo banon dhe toka ku ajo qëndron. Autori I librit u shpreh përulësisht mirënjohës  për çmimin. Për Galgut u desh një kohë e gjatë që të arrinte deri këtu, ku ka arritur./klannews/ KultPlus.com

Oda e Hotelerisë ultimatum Qeverisë deri të premten, paralajmërohen protesta të ashpra

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva po e sheh si një nevojë imediate lirimin e masave, mbajtjen e ahengjeve dhe aktiviteteve të tjera në këtë sektor.

Ai në një deklaratë për Ekonomia Online tha se nuk do të presin pafund dhe se ultimatumi i fundit është deri të premten, ose nuk përjashtohen edhe protesta të ashpra.

“Na nuk do të presim pafund, normalisht do të presim deri nga e premtja eventualisht vikendin. Ne kemi organet e odës dhe nuk përjashtojmë edhe protesta më të ashpra apo edhe forma tjera”.

Tutje Sogojeva thotë se që të mos vinë deri te protestat kanë zhvilluar edhe takim me ministrat përkatës, por që nuk kanë marrë akoma përgjigje.

“Për mos me ardh deri tek protestat ju kemi drejtuar kryeministrisë dhe ministrave që me gjet një rrugë të përbashkët me komunikim dhe bashkëpunim. Takimi ka qenë shumë konsultiv ku jemi dakorduar që të realizohen kërkesat tona”, tha ai.

Madje sipas tij, nuk kërkojnë që të bëjnë hapa që mund të bien ndesh me masat, por që tashmë nuk ka arsye që të jenë prezentë kufizimet.

“Ne si Odë nuk duam të bëjmë hapa që bien në kundërshtim me masat, por kemi kërkuar gjithmonë bashkëpunim. Por tash kur kemi lirim të masave dhe rajoni është hapur nuk ka më arsye që të ekzistojë ora policore, zgjatja e orarit, dhe hapja e ahengjeve me kusht që të kontrollohen dhe pa qenë të vaksinuar. Sogojeva tha se çdo hapje apo lirim masash ka zhvilluar edhe bizneset, duke kërkuar që të të punohet në rimëkëmbjen ekonomike pa të cilën shumë biznese nuk mund të mbijetojnë.

“Çdo hapje i mundëson që bizneset të zhvillohen, dhe ne kemi kërkuar që Ligji mbi rimëkëmbjen ekonomike të rifunksionalizohet sepse pa mjete shumë biznese nuk mund të mbesin gjallë”, përfundoi ai.

Këngëtarja shqiptare bashkëpunon me DJ me famë botërore

Ava Max është një tjetër emër shqiptar që ka depërtuar në tregun muzikor ndërkombëtar. Së fundmi, Max ka zbuluar se pritet të sjellë projektin e ri muzikor.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore ka bashkuar forcat me DJ-në e famshëm botëror, Tiwsto, për këngën që mban titullin “The Motto”, shkruan diaspora shqiptare.

Artistja me origjinë shqiptare ka konfirmuar në rrjete sociale se kënga do të publikohet ditën e sotme ndërsa ka ndarë pak sekuenca nga klipi. Tiwsto është një nga DJ-të më të njohur, dhe nuk është hera e parë që punon me një artiste shqiptare./ KultPlus.com

Shqipëria e gatshme për të nxjerrë fituesin për Evrovizion 2022

Kanë filluar përgatitjet për shënimin e edicionit të 60-të të Festivalit të RTSH-së, ku edhe do të shpallet më i miri i këtij edicioni për të përfaqësuar Shqipërinë në Evrovizion 2022, shkruan KultPlus.

Organizatorët tashmë kanë njoftuar edhe për datat e mbajtjes së këtij edicioni. Festivali i 60-të në RTSH do të mbahet në muajin dhjetor në këto tre ditë: 27, 28 dhe 29./ KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës sot përkujton shkrimtarin Din Mehmeti

Sot, më 4 nëntor 2021, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, në Prishtinë, përkujtohet jeta dhe vepra e shkrimtarit të ndjerë Din Mehmeti, shkruan KultPlus.  

Për veprën jetësore të Din Mehmetit do të flasin Dije Demiri – Frangu dhe Haqif Mulliqi.   

Aktiviteti fillon në orën 17:00.  

Ftoheni të merrni pjesë.  

Ky aktivitet është i katërti me radhë në kuadër të projektit të sivjetmë “Ora e Shkrimtarit2” e PEN Qendrës së Kosovës.   

Më parë janë përkujtuar shkrimtarët Latif Berisha,Enver Gjerqeku dhe Azem Shkreli./ KultPlus.com   

3 gazetare dhe një redaksi televizioni, filmi i Robert Budinës për lirinë e medias u dha premierë

Regjisori i njohur shqiptar Robert Budina shfaqi sot në Tiranë filmin e tij të ri artistik titulluar “Katrori i Pushtetit”.

Në qendër të filmit janë 3 gazetare dhe një redaksi televizioni, të përfshirë në raportimin e lajmeve, teksa përballen me krimin, korrupsionin dhe vet hallet e jetës së tyre.

Premiera e parë iu kushtua gazetarëve, të cilët, sipas studimeve, ndeshen përditë me kërcënimet e shumanshme, pagat e ulëta, autocensurën dhe shpërdorimin politik.

Filmi më i ri artistik i regjisorit të njohur Robert Budina “Katrori i Pushtetit” i kushtohet lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.

Një kriminel lirohet befas nga dënimi me burgim të përjetshëm dhe një politikan i shquar vdes papritur në vilën e tij, ndërsa redaksia e varfër e lajmeve të Televizionit Era, EraTV, nuk pranon të shitet të këmbim të lirisë së raportimit, edhe pse me gazetarë të papaguar mirë dhe me një mori hallesh familjare.

Gazetaret në role, aktoret Ema Andrea, Dasara Xhangolli dhe Sara Smaja, të drejtuara nga kryeredaktori i tyre, artisti i njohur Neritan Liçaj, rendin pas lajmeve të politikës, kriminalitetit dhe ekonomisë, por prapa çdo muri goditen, kërcënohen dhe pengohen nga politikanët, kriminelët dhe të korruptuarit.

“Tre vajzat gazetare zbulojnë një korrupsion të madh shpirtëror të kësaj shoqërie dhe të gjitha së bashku përpiqen të formojnë atë puzzle-n e duhur dhe të gjejnë se çfarë duhet të bëjnë me këtë gjë që kanë zbuluar. Janë vënë përballë një dileme të madhe, por në gjithë në këtë përpjekje ato kanë pengesa të jashtëzakonshme. Këtë thotë edhe titulli i filmit: media përballë politikës, krimit dhe biznesit” – thotë regjisori i filmit, Robert Budina.

Filmi “Katrori i Pushtetit” është, sipas tij, një shenjë respekti për sakrificat e gazetarëve shqiptarë, që nuk pranojnë të keqpërdoren dhe refuzojnë të mbërthehen nga intrigat e pushteteve të tjera.

Premiera e parë e filmit iu kushtua gazetarëve, ata ishin spektatorët e parë të tij dhe shumë prej tyre e gjetën veten në të.

Një prej tyre ishte pedagogu i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, më herët fitues një çmimi vjetor për gazetarinë investigative, kur raportoi një rast korrupsioni me fondet publike.

“Reporterët e terrenit në Shqipëri, ata që kanë kontakt të menjëhershëm me lajmin, kanë disa sfida përpara. Sfida e parë është me pronarët e tyre, të cilët nuk i kanë në anën e tyre. Pronarët janë në anën e biznesit të tyre dhe shpesh herë në anën e pushtetit. Sfida e dytë është pushteti, i cili është sigurisht përballë tyre, dhe përpiqet t’i deligjitimojë, t’i pengojë dhe t’i linçojë ata. Sfida e tretë është marketingu, i cili përpiqet gjithashtu që t’a përzjejë informacionin me reklamën, me propagandën, me marrëdhëniet publike etj. Këto tre sfida janë të mjaftueshme që profesioni i gazetarit të bëhet tejet i lodhshëm dhe sfidues për reporterët, megjithë pasionin që ata kanë për të vërtetën” – thotë zoti Bregu.

Autorët pohuan se filmi artistik “Katrori i Pushtetit” përpiqet të shpjegojë shembullin shqiptar të raporteve midis medias nga një anë dhe politikës, biznesit dhe krimit nga ana tjetër.

Regjisori Budina thotë se ka arritur të krijojë një film artistik, brenda të cilit ndriçohet dhe bëhet i dukshëm realiteti i hidhur i pushteteve të dhunshme, që lidhin me fije të fshehta për t’i penguar gazetarët në detyrën e tyre për lajme të sakta dhe të pacensuruara, raporton VoA.

“Ne menduam që të tregojmë historinë e tre gazetareve gra e vajza, me besimin se atyre u duhet besuar më shumë fuqi në vendim-marrje, gjë e cila është ende dobët në Shqipëri. Unë besoj se gra më të forta në Shqipëri do të bëjnë shoqëri, institucione dhe demokraci më të fortë. Përvoja ka treguar se, kur janë në detyra të rëndësishme vendim-marrëse, ato marrin vendime më të drejta se burrat” – thotë regjisori Budina.

Filmi “Katrori i Pushtetit” hyn në redaksitë e lajmeve, në tryezat e tyre të punës, studiot e montazhit dhe të debateve, në furgonat e gazetarëve, që nxitojnë drejt vendngjarjeve të krimit, hyn edhe në shtëpitë e reporterëve, me fëmijë, prindër dhe me halle si gjithë qytetarët e tjerë.

Po ashtu hyn edhe në vilat e politikanëve, brenda spitaleve dhe jetimoreve, nëpër kafene dhe mjedise të tjera, ku tema e ditës është mbijetesa përballë abuzimeve të shumëllojshme të pushteteve, që dhunojnë jetesën e qytetarëve./KultPlus.com

Pediatri kosovar kërkon nga Qeveria të “ndalojë” djepin në Kosovë: Fëmija pëson tronditje të rëndë të trurit

Pediatri  kosovar, Gëzim Xharra ka kritikuar procedurën e vënies së fëmijëve në gjumë përmes djepit.

Xharra tha se çuditet që Qeveria e Kosovës që mbi 20 vjet s’ka marrë masa në largimin e dhunshëm të djepave.

Çuditna qysh qeveria nuk ka marrë masa për largimin e dhunshëm të djepave që paraqet një torturë jashtëzakonisht të rëndë të trurit. Ata fëmijë kurrë nuk bahen si ata që nuk hyjnë në djep”, tha Xharra në RTV 21.

Pediatri shtoi se truri i fëmijës tronditet gjatë përkundjes në djep./ KultPlus.com

Etel Haxhiaj e para emigrante që zgjidhet në këshillin bashkiak të Worcester

Shqiptarja Etel Haxhiaj ka mposhtur kundërshtarin e saj Gregory Stratman për të marrë vendin e hapur të Këshillit Bashkiak të Qarkut 5, në Worcester, SHBA, duke mbledhur gati 56% të votave.

“Jam shumë e lumtur që tani gjysma e qytetit të Worcester-it di si ta shqiptojë emrin tim,” tha Haxhiaj  në festën e organizuar në sheshin Coes, për fitoren e këshilltares së sapozgjedhur.

Haxhiaj, 41 vjeçe, theksoi me krenari se ishte refugjatja dhe emigrantja e parë me origjinë shqiptare dhe e para muslimane amerikane që u zgjodh në Këshillin e Qytetit të Worcester-it, momente historike që ajo ia atribuoi fokusit dhe angazhimit të fushatës së saj. Ky është kandidimi i saj i dytë për poste politike; ajo doli në vendin e tetë në një garë për gjashtë vende të mëdha të këshillit në 2019.

“Për shkak se ju ishit me mua, ne këmbëngulëm deri në fund. Ne zhvilluam një fushatë pozitive. Ne qëndruam të përqendruar në mesazhin tonë sepse ajo që ka rëndësi në fund të ditës nuk janë mbeturinat, jo negativiteti dhe toksiciteti – jemi ne, jemi komuniteti ynë, është barazi racore, është strehim i përballueshëm, është klima. ndryshim. Po, janë rrugët dhe infrastruktura jonë”, vijoi Haxhiaj. “Më lejoni t’ju them këtë. Nëse njerëzit dyshonin se ne mund ta bënim këtë në 2019, kam një fjalë për të thënë: Kur mblidhemi si komunitet, mund të bëjmë mrekulli.

Haxhiaj u vendos në Worcester në vitin 2001 me prindërit e saj, pasi u arratis nga trazirat politike në Shqipëri. Ajo mori kartën e gjelbër dhe përfundoi studimet universitare dhe pasuniversitare në Universitetin Clark.

Aktualisht punon si drejtore e edukimit publik dhe avokimit në Aleancën Qendrore të Strehimit në Massachusetts dhe ka qenë e përfshirë me disa grupe në qytet duke përfshirë Mothers Out Front, Zero Fare ËRTA Coalition, YËCA dhe Komitetin e Granteve të Bllokut të Zhvillimit të Komunitetit të qytetit. Ajo është nënë beqare e dy djemve të vegjël./diasporashqipgtare.al/ KultPlus.com

‘Sot je më i moshuar se ç’ke qenë ndonjëherë, dhe më i ri se ç’do të bëhesh’

Anna Eleanor Roosevelt ishte një figurë, diplomate dhe aktiviste politike Amerikane.

Ajo shërbeu si zonja e parë e Shteteve të Bashkuara nga 4 mars 1933, deri në 12 prill 1945, gjatë katër mandateve të burrit të saj Presidentit Franklin D. Roosevelt në detyrë.

Roosevelt shërbeu si Delegate e Shteteve të Bashkuara në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Presidenti Harry S. Truman më vonë e quajti atë “Zonja e Parë e Botës” në shenjë nderimi për arritjet e saj të të drejtave të njeriut.

Për lexuesit tanë kemi sjellë një koleksion me thëniet më të mira të kësaj gruaje të madhe:

Një grua është si një qese çaji; nuk e dini kurrë se sa e fortë është derisa të jetë në ujë të nxehtë.

Bëni një gjë që ju frikëson, çdo ditë.

Bëni atë që ndjeni në zemrën tuaj se është e drejtë – sepse gjithsesi do të kritikoheni.

Ju fitoni forcë, guxim dhe besim nga çdo përvojë në të cilën ju me të vërtetë ndaloni dhe e shihni frikën në fytyrë. Ju jeni në gjendje të thoni me vete: ‘Unë e kam jetuar këtë tmerr. Unë mund ta përballoj edhe gjënë tjetër që vjen pas kësaj. ‘ Ju duhet të bëni atë që mendoni se nuk mund ta bëni.

E ardhmja u përket atyre që besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre.

Qëllimi i jetës është ta jetojmë atë, ta shijojmë përvojën deri në maksimum, të arrijmë me padurim dhe pa frikë për përvojën më të re dhe më të pasur.

Shumë njerëz do të ecin brenda dhe jashtë jetës tuaj, por vetëm miqtë e vërtetë do të lënë gjurmë në zemrën tuaj.

Pavarësisht sa e thjeshtë mund të jetë një grua, nëse e vërteta dhe ndershmëria i shkruhen në fytyrë, ajo do të jetë e bukur.

Kemi frikë të kujdesemi shumë, nga frika se personi tjetër nuk kujdeset aspak.

Për të trajtuar veten, përdorni kokën; për të trajtuar të tjerët, përdor zemrën tënde.

Ju shpesh mund të ndryshoni rrethanat tuaja duke ndryshuar qëndrimin tuaj.

Të rinjtë e bukur janë rastësi të natyrës, por të moshuarit e bukur janë vepra arti.

Nëse dikush ju tradhton një herë, është faji i tyre; nëse ata ju tradhtojnë dy herë, është faji juaj.

Arsyeja që trillimi është më interesant se çdo formë tjetër e letërsisë, për ata që me të vërtetë duan të studiojnë, është se në trillim autori me të vërtetë mund të thotë të vërtetën pa e poshtëruar veten e tij.

Me ditën e re vjen forcë e re dhe mendime të reja.

Lumturia nuk është një qëllim … është një nënprodukt i një jete të jetuar mirë.

Jeta është ajo që vetë ti e krijon. Gjithmonë ka qenë, gjithmonë do të jetë.

Jeta është menduar të jetohet, dhe kureshtja duhet të mbahet gjallë. Askush nuk duhet kurrë, për çfarëdo arsye, t’i kthejë shpinën jetës.

Nuk është e drejtë të kërkoni nga të tjerët atë që nuk jeni të gatshëm të bëni vetë.

Ju duhet të pranoni çdo gjë që vjen, dhe e vetmja gjë e rëndësishme është që ta përmbushni atë me më të mirën që keni për të dhënë.

Çfarë mund të arrinim nëse do ta dinim se nuk mund të dështonim?

Në planin afatgjatë, ne formojmë jetën tonë dhe formojmë vetveten. Procesi nuk mbaron kurrë derisa të vdesim. Dhe zgjedhjet që ne bëjmë në fund të fundit janë përgjegjësia jonë.

Miqësia me veten është e gjitha e rëndësishme, sepse pa të nuk mund të jesh shok me askënd tjetër në botë.

Kurrë mos lejoni që një person t’ju thotë jo, i cili nuk ka fuqinë të thotë po.

Kurrë mos e gaboni njohurinë me mençurinë. Njëra të ndihmon të sigurosh jetesën; tjetri ju ndihmon të jetosh jetën.

Unë mendoj se, në lindjen e një fëmije, nëse një nënë mund t’i kërkonte një zane dhuratën më të bukur, kjo dhuratë do të ishte kurioziteti.

Një gjë më ka mësuar jeta: nëse interesohesh, nuk ke pse të kërkosh kurrë interesa të reja. Ata vijnë tek ju. Kur jeni vërtet i interesuar për një gjë, ajo gjithmonë do të çojë në diçka tjetër.

Besoj se çdokush mund ta mposhtë frikën duke bërë gjërat që ka frikë të bëjë …

Mos harroni gjithmonë që ju keni jo vetëm të drejtën për të qenë një individ; ju keni një detyrim të jeni një i tillë. Ju nuk mund të jepni ndonjë kontribut të dobishëm në jetë, nëse nuk e bëni këtë.

Njerëzit rriten përmes përvojës nëse e takojnë jetën me ndershmëri dhe guxim. Kështu ndërtohet karakteri.

Ndizni një qiri në vend që të mallkoni errësirën.

Eshtë jeta jote – por vetëm nëse ti e bën atë të tillë.

Unë mendoj se disi, ne mësojmë se kush jemi në të vërtetë dhe pastaj jetojmë me atë vendim.

One’s philosophy is not best expressed in words; it is expressed in the choices one makes. In the long run, we shape our lives, and we shape ourselves. The process never ends until we die. And the choices we make are ultimately our own responsibility.
Filozofia e dikujt nuk shprehet më mirë me fjalë; shprehet në zgjedhjet që bën. Në planin afatgjatë, ne formojmë jetën tonë dhe formojmë vetveten. Procesi nuk mbaron kurrë derisa të vdesim. Dhe zgjedhjet që ne bëjmë në fund të fundit janë përgjegjësia jonë.

Një pengesë për pesimistin është një gur themeli për optimistin.

Nuk mjafton të flasësh për paqe. Duhet besuar në të. Dhe nuk mjafton të besosh në të. Duhet punuar për të.

Liria bën një kërkesë të madhe për çdo qenie njerëzore. Me lirinë vjen përgjegjësia. Për personin që nuk dëshiron të rritet, personi që nuk dëshiron të mbajë peshën e tij, kjo është një perspektivë e frikshme.

Kur pushoni të jepni një kontribut, ju filloni të vdisni.

Guximi është ngazëllyes.

E gjithë jeta është një edukim i vazhdueshëm.

Nuk ka qenie njerëzore nga e cila nuk mund të mësojmë diçka nëse jemi mjaft të interesuar për të gërmuar thellë.

Sot je më i moshuar se ç’ke qenë ndonjëherë, dhe më i ri se ç’do të bëhesh.

Sa për arritjet, unë thjesht bëra atë që duhej të bëja ndërsa përballesha me gjërat.

Unë jam ai që jam sot për shkak të zgjedhjeve që bëra dje.

Ne duhet të përballemi me faktin se ose të gjithë ne do të vdesim së bashku ose do të mësojmë të jetojmë së bashku, dhe nëse do të jetojmë së bashku duhet të flasim.

Ju kurrë nuk mund të jetoni në të vërtetë jetën e askujt tjetër, madje as të fëmijës tuaj. Ndikimi që ju ushtroni është përmes jetës suaj, dhe asaj që ju jeni bërë vetë.

Të vetmet gjëra që dikush mund të admirojë për një kohë të gjatë janë ato që admiron pa ditur pse.

Ju gjithmonë duhet të keni një fustan të zi sepse askush nuk e mban mend kurrë një fustan të zi.

Ndërtimi i personazheve fillon që në foshnjërinë tonë dhe vazhdon deri në vdekje.

Nuk ka nevoja, vetëm zgjedhje.

Në të gjitha kontaktet tona është ndoshta kuptimi i të qenit vërtet i nevojshëm dhe i dëshiruar që na jep kënaqësinë më të madhe dhe krijon lidhjen më të qëndrueshme.

Kurrë mos u mërzit, dhe nuk do të jesh kurrë i mërzitshëm.

Mësoni nga gabimet e të tjerëve. Ju nuk mund të jetoni aq gjatë sa t’i bëni të gjitha vetë./ KultPlus.com

Salma Hayek: Harvey Weinstein më thoshte ‘Nuk të punësova që të dukesh e shëmtuar’

Salma Hayek ka treguar për herë të parë sesi Harvey Weinstein do ta thërriste atë në zyrë dhe do ta fyente për pamjen e saj gjatë realizimit të rolit së Frida Kahlo, për të cilin u nominua për Oscar. Po jo vetëm kaq.

Në një intervistë për The Guardian, Salma Hayek përshkroi se si ajo u dëshpërua e vetëm dridhej pas bisedës me shefin.

Salma Hayek tregon për herë të parë si regjisori Harvey

“Kur Harvey Weinstein më thërriste gjatë realizimit të rolit dhe bërtiste: Pse e ke këtë vetull të bashkuar e pse ke mustaqe? Nuk të punësova që të dukesh e shëmtuar! Thosha me vete: Po ky a ka parë ndonjëherë ndonjë foto të Frida Kahlo-së?”, tregon Salma.

“Weinstein nuk është i vetmi burrë që siguron veten duke shkatërruar gratë”, shton Salma.

Salma Hayek tregon për herë të parë si regjisori Harvey

Ajo tregon sot se arsyeja e vërtetë pse u sulmua nga regjisori, që tashmë ndodhet në burg, për një sërë akuzash të tjera për ngacmime seksuale dhe përdhunime, është se i tha Jo. Salma tregon se ai e ngacmoi dhe ajo nuk pranoi të krijojnë diçka me të.

Salma Hayek tregon për herë të parë si regjisori Harvey

Po regjisori nuk u dorëzua. Ai shtoi në film një skenë, në të cilën Salma duhet të dilte nudo, në një skenë erotike me një vajzë tjetër. Ia mbushi mendjen duke i thënë: Askush nuk do dojë të të shikojë ty në këtë film, por duket ta bëjmë edhe këtë skenë të fundit për ta ndihmuar filmin që të ketë shikueshmëri.

Salma Hayek tregon për herë të parë si regjisori Harvey

“Kam mbërritur në xhirime atë ditë që do të xhironim skenën, duke qarë. Dhe për herë të parë dhe të fundit në karrierën time, pata një krizë nervore: trupi im filloi të dridhej në mënyrë të pakontrolluar, me mbahej fryma dhe fillova të qaja pa mundur të ndaloja. Nuk qaja se do dilja lakuriq në një skenë me një grua tjetër, por sepse do të dilja lakuriq për të më parë ai, Harvey Weinstein. Po në atë kohë nuk mund t`ia tregoja askujt”, rrëfen Salma.

Ajo tregon sesi iu desh të merrte qetësues nervor dhe të xhironte skenën./tiranapost/ KultPlus.com

Shkrimtari arbëresh Ernesto Sabato: Nëna ime gjithmonë më fliste shqip

Familja e tijë kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sabato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi Ernesto sipas vëllait të tij.Ai kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë.Sabato ka lindur në Rojas, provincia de Buenos Aires në Argjentinë më 24 qershor, 1911. Nëna e tij Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia.

Nga – Luan Rama

Ernesto Sabato, shkrimtari i shquar argjentinas dhe ndër më të mëdhenjtë e kontinentit latino-amerikan ka shumë vite që ka vdekur. Një shkrimtar që jetoi gjatë, shumë gjatë dhe që pothuaj një dhjetëvjeçar ai u shkëput nga letërsia, pasi nuk shikonte mirë nga sytë, çka e pengonte të shkruante. Atëherë ai iu kthye pikturës, të cilën e pëlqente që në rininë e tij.

Në moshë të thyer, ai pikturonte atje në kopshtin e tij, mes cicërimave të zogjve dhe muzikës klasike, shpesh Brahms, të cilin e pëlqente në veçanti. Shkrimtarin e takova pikërisht kur do të shkonte në Shqipëri, për të marrë “Çmimin Kadare”, por nuk ishte çmimi ai që e grishte të shkonte në Shqipëri.
Ajo që e shtynte ishte se para vdekjes, të mund të shikonte vendin e të parëve të tij, vendin nga ku ishin nisur pararendësit pas pushtimit të Shqipërisë nga perandoria osmane. Familja e tij kishte jetuar disa shekuj në Kalabri gjersa më në fund, familja kishte emigruar në Argjentinë, si shumë familje të tjera të shqiptarëve të Italisë së Jugut.

Unë u takova me Sabaton dy herë radhazi në “Hotelin Madison”, në Saint-Germain-des-Près, një ndërtesë tipike parisiene dhe e stilit të vjetër, ku ai vinte gjithnjë. Ashtu me syze të zeza për të mbrojtur dhe atë shikim të dobët që i kishte mbetur, edhe pse 85-vjeçar, ai ishte si një burrë në moshë mesatare, jo vetëm se ishte thjesht me një këmishë, por sepse nuk ishte i shëndoshë, pra kishte një trup atleti.

Nga Ernesto Sabato kisha lexuar kohë më parë një tregim të botuar në shqip si dhe librin e fundit të tij “Engjëlli i errësirave”, një roman tronditës, që më 1977 ishte shpallur në Francë si libri më i mirë i huaj i atij viti.

Atë paradite me diell, në hollin e poshtëm të atij hoteli simpatik në frymën e viteve 30’ të shekullit XX, në fillim zbriti impresario e tij, një grua rreth të pesëdhjetave, me një fytyrë të ëmbël. Një ditë më parë, ata kishin pasur një konferencë shtypi dhe tani ajo po interesohej për organizimin e takimeve të tjera me gazetarë, botues, intelektualë parisianë dhe miq të vjetër të Sabatos, i cili Francën e kishte si një atdhe të dytë.

Pas pak zbriti një burrë me shtat mesatar, jo i shëndoshë dhe me një palë syze të errëta, që kishte një buzëqeshje të gëzuar në fytyrë. Pikasa që mikesha e tij e shihte me një lloj adhurimi, madje dhe më shumë se kaq, çka më vonë mora vesh se pas vdekjes së gruas së tij, impresario bashkëjetonte me të, edhe pse kishin një diferencë prej afro 35 vjetësh.

Ai më shtrëngoi fort në krahë, me një dashuri që nuk kishte të bënte thjesht me mua, por me shqiptarët në përgjithësi. Ishte një takim që ai e kishte dëshiruar vite me radhë, por që nuk mund ta realizonte, siç më tha, gjatë kohës së diktaturës shqiptare.

Ishte i gëzuar gjithashtu edhe sepse shqiptarët kishin preferuar letërsinë e tij, edhe pse ai ishte mjaft modest dhe shpesh nihilist për romanet dhe shkrimet e tij. “Jam shumë i gëzuar që po shkoj në Shqipëri. Andej rrjedh gjaku i të parëve të mi, që nga koha e Skënderbeut!” Ndjeva në zërin e tij një lloj krenarie dhe gëzimi të pazakontë.

Ernesto Sabato ishte nga shkrimtarët më të mëdhenj latino-amerikanë krahas Borgesit, Gabriel Markez, Asturias dhe Kortazar. Njëkohësisht ai ishte një eseist i njohur që kishte shkruar shumë ese mbi artin, filozofinë dhe procesin krijues. Tri ishin romanet e vetme të tij, që e kishin bërë të njohur në të gjithë botën: “Tuneli”, “Alejandra” dhe “Engjëlli i errësirave”. Libri i fundit, ashtu si dhe në tërësi letërsia e tij, ishin të lidhura me çaste të rëndësishme të jetës së tij.

Ai kishte lindur më 24 qershor të vitit 1911, në Rojas, jo larg Buenos Aires, ku u vendos fillimisht familja e tij.

I ati ishte një italian, që instaloi një mulli në Rojas. Quhej Don Francisco Sabato. Në Argjentinë në atë kohë emigronin shumë arbëreshë, madje dokumentet e hershme flasin edhe për vitet 1860 kur ata vendoseshin në krahinën e Lujas.

Studimet e mesme Sabato i kreu në një kolegj të La Platas, larg familjes, ndërsa ato universitare në Buenos Aires. Në vitin 1938, si doktor i shkencave fizike e matematike të Universitetit të La Platas, ai mori një bursë nga Shoqata për Progresin dhe Shkencën, e drejtuar nga prof. Houssay, “Çmimi Nobel”, për të mundur që të studiojë rreth radioaktivitetit në Francë.

Kështu ai u nis të punonte pranë laboratorëve të Marie dhe Joliot Curie, në Paris. Më 1945 botoi romanin e tij të parë “El Tunel” (Tuneli) dhe u vlerësua me çmimin e parë për letërsinë në Buenos Aires. Më 1948, shkrimtari ekzistencialist francez Albert Camus, u mor me botimin e këtij romani në gjuhën frënge, botim i shtëpisë botuese “Gallimard”, çka e bëri atë menjëherë të njohur në të gjithë botën letrare.

Pas një sërë shkrimesh e librash kritikë dhe ese, ai botoi romanin e tij të dytë “Alejandra” apo në titullin origjinal “Sobre Heroes y tombas”, i cili u vlerësua me disa çmime ndërkombëtare.

Më 1974 botoi librin e tij të tretë të rëndësishëm “Abaddon el Exterminador” apo “Engjëlli i errësirave”, duke u vlerësuar me Çmimin e Madh të Nderit të shoqërisë së shkrimtarëve argjentinas, si dhe me çmime të tjera ndërkombëtare.

Sabato njihet si një autor i nderuar nga shumë çmime ndërkombëtare midis të cilave “Çmimi Servantes”, në Spanjë, “Çmimi Gabriela Mistral” në Uashington, “Çmimi Jerusalem” në Izrael etj. Ai është njëkohësisht dhe “Doctor Honoris Causa” i shumë universiteteve të botës dhe do të ishte nder për universitetin shqiptar që ai të kishte të njëjtin titull edhe në Shqipëri.

Ato ditë, në hollin e hotelit, unë e pyeta për jetën e tij, letërsinë, artin dhe angazhimin e tij politik. Dhe ja biseda jonë:

– Para se t’ju takoja, në një nga librat e botuar pashë një fotografi të nënës suaj, të cilën ju e krahasoni me perëndinë. Ju jeni në prehrin e saj, rrethuar edhe nga vëllezërit e tjerë. Fytyra e saj kishte diçka të ngjashme me gratë e Jugut të Shqipërisë të fillimit të këtij shekulli; ishte një fytyrë stoike.

– Nëna ime ka jetuar gjithnjë me nostalgjinë e të parëve të saj. Gjithmonë ajo fliste shqip me të vëllain e saj. Madje edhe sot më kujtohen disa fjalë shqip që kanë të bëjnë me bukën, shtëpinë… Ajo rridhte nga një familje e vjetër e vendosur në Kalabri, në “Magna Grecia” siç quhej atëherë, fill pas vdekjes së Skënderbeut, në fshatin San Martino.

Historia e Skënderbeut, e këtij princi mesjetar shqiptar më ka tërhequr gjithnjë: jeta e tij në oborrin e sulltanit në Stamboll, ikja me një grup kalorësish për të çliruar Shqipërinë, lufta e tij legjendare 25-vjeçare në mbrojtje të atdheut të vet, por edhe të Evropës… Jo më kot venedikasit e kanë cilësuar “princ të Krishterimit”. Pra, nga mijëra familje shqiptare që shkuan në Kalabri, nën mbrojtjen e mbretit të Napolit, mik dhe aleat i Skënderbeut, ishte edhe familja e nënës sime, e cila u vendos fillimisht në Santa Martino de Finita (përpara quhej Santo Martino de Finito).

Mbaj mend që gjyshja e nënës sime quhej Maria Gjuzepina e San Marcos (fshati ku jetonin në atë kohë), një grua e hekurt dhe me karakter të fortë, por edhe një grua e mrekullueshme.

Kur nëna ime u martua, ajo i kishte dhënë një unazë të vjetër të familjes me inicialet M. S. pra San Marco. Këtë unazë, para se të vdiste, nëna ime ia dha gruas sime, Matildës, ndërsa më pas ajo ia dha mbesës sime që quhet Marina Sabato. Kështu kjo unazë e vjetër shqiptare shtegton nga brezi në brez.

– A e keni vizituar ndonjëherë atë vend?

– Po, kam pasur shumë dëshirë të njihja vendbanimin e hershëm të të parëve të mi dhe prandaj dhe e kam vizituar. Tashmë dua të kthehem edhe një herë, ndoshta për herë të fundit. Dua të shkoj në kujtim të nënës sime që e thërrisja “mama”, dhe ta shoh patjetër atë fshat. Historia e gjyshes sime është interesante. Një shqiptar ra në dashuri me të, por ajo nuk donte të martohej. Më së fundi, ajo u martua me një shqiptar tjetër të quajtur Ferrari. (Ju e dini që në ato kohëra shumë shqiptarë morën mbiemra italianë, por në fakt mbiemri i tij i vërtetë ishte Papi). Në fakt, nëna e saj nuk donte që ajo të martohej me të, pasi vëllai i tij ishte një prift, një qejfli femrash, por mjaft elokuent e inteligjent. E shkreta mama, kur shkonte në kishë, ajo qante nga fjalët e priftit elokuent dhe kur vinte në shtëpi e urrente atë.

Në të vërtetë, prifti dhe vëllai i tij, rridhnin nga një familje shumë e pasur shqiptare, me titull “markez”, por më pas, ata e kishin humbur gjithë pasurinë e tyre. Vitet kaluan dhe gjyshi im vdiq shpejt, në moshën 40-vjeçare. Kështu shtëpia ra në krahët e nënës sime, atëherë 15-vjeçare. Pikërisht në këtë kohë, ata u detyruan të emigrojnë nga Kalabria në Argjentinë, si dhe shumë italianë e shqiptarë të tjerë, apo dhe emigrantë nga e gjithë bota: 80-90% e popullsisë së Argjentinës janë emigrantë.

– Dhe tani që po shkoni në Shqipëri, çfarë ndjeni?

– Emocione të forta. Mama për mua ishte një hyjni. Kjo ftesë që m’u bë ishte shumë prekëse për mua.

– Ju do të merrni në Shqipëri çmimin letrar “Kadare”. A keni lexuar diçka nga vepra e Kadaresë që konsiderohet shkrimtari më i madh shqiptar i ditëve tona.

– Fatkeqësisht unë nuk e kam lexuar veprën e Kadaresë dhe kjo për arsye se 16 vjet më parë, unë kam kaluar një sëmundje që ma shkatërroi shikimin duke u kthyer në një njeri gjysmë i verbër.

Unë nuk mund të lexoj. Kështu i jam kthyer pasionit tim të dikurshëm, pikturës, ku në tablo të mëdha mund të hedh vizionet e mia. Unë e takova Kadarenë para jush: m’u duk sa një tip timid e njëkohësisht një personazh i fortë, me një personalitet të fuqishëm. Kam dëgjuar shumë për egon e veprave të tij.

– Kam parasysh jetën tuaj të vështirë dhe në veçanti nëçastet e diktaturës ushtarake në Argjentinë. Përse ju nuk ikët nga Argjentina në atë kohë të errët dhe të kërkonit strehim politik, p.sh. në Francë apo gjetkë?

– Detyra ime ishte të qëndroja, edhe pse e dija se rrezikoja. Nuk di se si kam mbetur gjallë. Me sa duket ata e kuptuan se nuk mund të më zhduknin, se kjo do të kishte një jehonë ndërkombëtare. Megjithatë, ata shumë herë më kanë kërcënuar me vdekje. Madje, më kanë kërcënuar edhe me vdekjen e nipit tim. Më kujtohet një ditë, kur një nga djemtë e mi më tha: “Të mos harrojmë baba, se ka 30 milionë njerëz që nuk mund të ikin nga ky vend për shkak të diktaturës…”.

Unë personalisht nuk mund të gjykoj për ata që ikën në atë kohë. Shumë prej tyre, po të mos largoheshin dhe po të kapeshin, do të torturoheshin dhe vriteshin. Ato kohë në ikëm nga Buenos-Aires dhe u vendosëm në fshat. Gjatë një kohe jetuam në një bodrum pasi kishim frikën e bombardimeve. Unë gjithnjë kam qenë kundër diktaturave, të djathta apo të majta. Të gjitha diktaturat janë të këqija. Nuk ka diktaturë të mirë apo të keqe. Diktatura është diktaturë, siç ka qenë dhe te ju.

– Në rininë tuaj ju keni marrë pjesë në lëvizjen komuniste për disa vite me radhë dhe pastaj jeni larguar. Përse ka ndodhur kjo?

– Fillimisht isha një anarkist bashkë me disa miq dhe shokë të mi të shkollës. Merrnim pjesë gjithnjë në manifestimet që organizoheshin kundër qeverisë apo kundër fashizmit. Pastaj hyra në lëvizjen komuniste ku qëndrova pesë vjet me radhë. Isha një idealist i idealeve komuniste. Lëvizja komuniste e Buenos Airesit më dërgoi në një kongres botëror që zhvillohej në Bruksel dhe që kryesohej nga Henri Barbys.

Ishte koha kur në Moskë kishin filluar proceset kundër kundërshtarëve politikë të Stalinit. Ishte ky shkaku që unë nuk shkova në shkollat leniniste të Moskës, por u ktheva në Paris, ku ndenja për një kohë në një gjendje të mjerueshme. Ditë të tëra i kam kaluar pa bukë. Një mik, një trockist, më bëri një vend në dhomën e tij dhe shpesh për të fjetur ne mbuloheshim me gazetat e P. K. franceze Humanité. Pastaj u ktheva në Argjentinë dhe fillova studimet shkencore.

– Siç e dini, pas rënies së diktaturave në Europën e Lindjes, edhe në Shqipëri është vendosur një sistem demokratik, padyshim mjaft i brishtë për momentin dhe me shumë probleme që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, pluralizmin politik dhe institucionet demokratike. Pra, cila është vlera e demokracisë, sipas jush?

– Kryesore në demokraci është liria e personit. Dihet që demokracia ka tri pushtete: së pari, Shteti Ligjor, me një “L” të madhe. Nuk mund të ndërtosh një demokraci pa ligje demokratike.

E dyta është Drejtësia, pra ajo që bën të zbatohen ligjet dhe e treta është Ekzekutivi, me një fjalë zbatimi i ligjeve, drejtimi i shtetit. Fatkeqësisht, shpesh ndodh që ekzekutivi të jetë në rend të parë. Sigurisht për demokracitë e reja duhet të aplikohen standardet ndërkombëtare të demokracisë, megjithëse është e vështirë një demokraci e kulluar.

Ajo nuk ekziston, është thjesht një ideal. Unë nuk i njoh problemet e brendshme që ka Shqipëria. Unë jam një shkrimtar dhe jo politikan. E rëndësishme është që Shqipëria nuk është më një diktaturë. Unë kurrë nuk kam qenë me të djathtën. Shpresa e një populli për mua është social-demokracia, pra demokracia-sociale, ja pse dhe unë jam gjithnjë një partizan për drejtësinë sociale dhe kundër pabarazisë e shfrytëzimit të egër kapitalist.

– Një personazh i librave tuaj, por edhe një personazh për të cilin janë shkruar disa libra kohët e fundit është militanti Ce Guevara. A e keni njohur personalisht?

– Jo, atë nuk e kam takuar kurrë. Ishte një personazh mitik. Me të kam pasur vetëm korrespondencë. Ishte një lloj “Don Kishoti”, i cili e la burokracinë politike kubane dhe iku për çlirimin e popujve. (Ndoshta kurrë nuk do të marrim vesh përse ai iku ashtu në mënyrë enigmatike. Sigurisht diçka ka ndodhur…). Vrasja e tij është diçka e trishtë. Kam shkruar për këtë. Ai ishte një hero dhe njerëzimi ka nevojë për heronj të tillë.

– Ju jeni një utopist?

– Sigurisht… unë jam një utopist. Në fakt, në brendësinë time jam një anarkist. Por kam një pozicion të pavarur. Jam një specie e vështirë, e komplikuar, të themi idealist. Për njerëzit praktikë, kjo që them ndoshta nuk shkon. Mund t’u duket si një ide e çmendur.

– Fundin e romanit tuaj “Engjëlli i errësirave” që konsiderohet si kryevepra juaj, ju e mbaroni me një epitaf ku shkruani për vetveten: “E. Sabato deshi të varrosej në këtë tokë me një fjalë të vetme mbi varrin e tij: “Paqe!”… Përse ky epitaf?

– Unë i kam shkatërruar e djegur pothuaj tre të katërtat e librave që kam shkruar. Si të thuash kam qenë një piromaniak dhe depresiv. Mendoj se një shkrimtar edhe me një libër mund të hyjë në histori. Dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme. Unë e kam njohur nga afër presidentin e Akademisë Suedeze të Çmimit Nobel. Disa herë kam qenë kandidat i këtij çmimi. Në fakt, ky çmim nuk më intereson. Pse? Pasi ka shkrimtarë të mëdhenj si Camus apo Thomas Man që janë nderuar me të, por ka edhe autorë mediokër. Një ditë i thashë atij se po ta merrja, paratë e atij çmimi do t’ua jepja shoqatave që të ndihmojnë të vobektit.

– Por në fund të epitafit ju kini shkruar “Paqe”. Përse?

– Sepse jeta ime ka qenë shumë e komplikuar dhe e vështirë. Ndoshta ngaqë dhe fëmijëria ime ka qenë shumë e trazuar. Them “paqe”, për të thënë: mjaft më me këtë gjendje. Paqe besoj se do të jetë vdekja./KultPlus.com

Personat që kanë tatuazhe dhe iu vërehet nuk do të pranohen në Policinë e Kosovës

Policia e Kosovës ditë më parë ka hapur konkurs për pranimin e policëve të rinj.

Në njoftim bëhet e ditur se kandidatët që aplikojnë për zyrtarë policorë në Policinë e Kosovës duhet t’i përmbushin kriteret e moshës nga 18-30 vjeçar dhe të jenë në gjendje të mirë fizike mentale e emocionale.

Ndër të tjera aty potencohet se kandidatët nuk duhet të posedojnë në vend të dukshëm tatuazh (fytyrë, qafë, duar).

Këto janë disa nga kriteret kryesore:

a) Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës;
b) Të jetë i moshës 18-30 vjeçar;
c) Të ketë të përfunduar shkollimin e mesëm;
d) Të jetë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale;
e) Të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale;
f) Të mos posedojë në vend të dukshëm tatuazh (fytyrë, qafë, duar);
g) Të ketë integritet personal dhe vlera të larta etike./ KultPlus.com

Për pesë ditë, 5200 bileta të shitura, filmi “Zgjoi” me rekord të shikueshmërisë

Filmi “Zgjoi” me skenar dhe regji të Blerta Bashollit është duke zgjuar interesim të jashtëzakonshëm te audienca e Kosovës, shkruan KultPlus.

Këto ditë është duke u shfaqë në Cineplexx, dhe përgjegjësit e kësaj kinemaje kanë njoftuar se vetëm për pesë ditë, filmi “Zgjoi” është parë nga 5200 persona.

“Filmi Zgjoi është në rrugë për t’i thyer të gjitha rekordet e shikueshmërisë për filma vendorë 😍

5200 bileta të shitura për vetëm 5 ditë! 🔥😱

Përmendi personat që duhet ta shohin këtë super-film”, është thënë në njoftimin e Cineplexx Kosova.

Filmi që ka për bazë historinë e Fahrije Hotit, gruas që ngriti biznesin e ajvarit në Krushë të Madhe, tashmë ka marë shumë shpërblime edhe në nivel ndërkombëtar, sikurse që është duke u shfaqë në rrjete të kinemasë, poashtu në nivel ndërkombëtar.

Filmi është propozuar nga Kosova edhe për çmimin prestigjioz Oscar. Rolin e Fahrije Hotit e luan aktorja Yllka Gashi, e cila së fundi edhe u shpërblye për rolin më të mirë në Festivalin e Filmit në Spanjë./ KultPlus.com

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dekoroi Bekim Kastratin e Besim Dajakun me urdhrin “Hasan Prishtina”

Në njëzetvjetorin e vrasjes, Presidentja Osmani dekoroi me urdhrin “Hasan Prishtina”, Bekim Kastratin e Besim Dajakun për kontributin dhe veprimtarinë atdhetare.

Njëri me kontribut në fushën e lirisë së fjalës e tjetri për mbrojtjen e institucioneve të vendit janë dëshmi e kohës dhe njëherësh ftesë për vënien e drejtësisë në vend.
 Ata do të pushojnë të qetë kur drejtësia të marrë një epilog, sepse janë kontribuues për lirinë dhe demokracinë në vend
”, është shprehur Presidentja Osmani në ceremoninë e dekorimit.

Familjarët e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut falënderuan Presidenten Osmani për kujdesin e treguar ndaj figurave, të cilët kontribuuan për shtetin e Kosovës./ KultPlus.com

Poezi për Anton Çettën

Poezi e shkruar nga Ramadan Mehmeti, dedikuar Anton Çettës.

Rrjedhin vitet,
Fëmijët lëshojnë shtat,
Ndërrime në qytet,
Ndërrime edhe në fshat.

Burrat plaken,
Vjen brezi i ri,
Hapen rrugë të reja
Për ardhmëri.

Secilin brez
E dashura gjyshe
E mban në prehër,
Por, pak më ndryshe.

Dhe pak më ndryshe
Pleqëron ai “plak”,
Antoni u kërkon shqiptarëve
Nga vëllai t’mos derdhet gjak!

(Anton Çetta, lindi në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë, ishte shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë)/ KultPlus.com

“Ishte e gjitha ndjesi, jo dukje”. Fëmijëria në vitet ’60 e rrëfyer plot nostalgji…

“Unë kam lindur në vitet ’60 dhe duke parë fëmijët e sotëm, mund t’ju them se jam realisht i lumtur që kam lindur në ato vite. Nuk kishim në atë kohë celularë, Facebook, Twitter, Tumblr apo Instagram dhe kur duhej të takoheshim për të luajtur, trokisnim në portën e shtëpisë së shokut tonë dhe pyesnim nënën e tij nëse mund të zbriste për të luajtur.

Ne nuk kishim rroba të shtrenjta, që stiluara prej stilistëve të njohur. Edhe ato pak veshje që kishim, ndotnim çdo ditë duke luajtur. Jemi rritur me këngët e vjetra të Vaçe Zelës, dhe fjalët e këngëvetë saj i dimë përmendësh edhe pse kanë kaluar shumë vite. Kemi luajtur hapa dollapa (tashmë e quajnëkukamfshehti ), futboll, bënim mundje miqësore më shokët tanë.

Deri në moshën 14/15 vjeçare nuk na interesonte gjinia e kundërt: të gjithë ishim miq. Ne emocionoheshim nga një puthje në faqe. Ndërtonim kasolle me gjithçka që gjenim, luanim shtëpiash në lagje.

Tashmë e kuptoj se fantazia është gjithçka. Nuk kishim videolojëra, vetëm kukulla dhe topa dhe arrinim tëkënaqeshim maksimalisht edhe vetëm me to. Të vetmet shaka që dinim ishin barsaletat me gjermanin, italianin dhe shqiptarin. Në ato vite nuk kishte iPod apo Spotify, ama kishte kaseta që nuk e kthenin dot këngën mbrapsht, por ne i nxirrnim nga kasetofoni dhe i kthenim shiritin mbrapsht me gisht, ose me ndonjë stilolaps.

Kur errësohej e dinim se duhej të ktheheshim pa na thërritur të shtëpisë, në të kundërt do të na bërtisnin prindërit. Kishte raste edhe kur e shkelnim këtë rregull të pashkuar. Momenti i kthimit do të kishte gjithmonë të bërtitura, pasi ne i ndotnim rrobat, ama ato ishin fjalë që nuk na preknin aq shumë, krahasuar me kënaqësinë që kishim fituar duke luajtur.

Ishim të vegjël dhe nuk pretendonim të ishim të mëdhenj, as nuk prisnim të bëheshim të tillë. Jetonim në një botë ku ndjenjat kishin më shumë rëndësi se dukja, ku fotot e drekës nuk publikoheshin në Facebook, por vaktin e drekës e shijonim me familjen, sepse familja ishte gjithçka. Jepnim puthje të vërteta, nuk komentonim me buzëqeshje nëpër foto dhe kur thoshim “Të dua”, e thoshim me sinqeritet. Ishte e gjitha ndjesi, jo dukje …”/bota.al/ KultPlus.com

Orkestra Frymore e Filharmonisë dhe ajo e FSK-së, vijnë me koncert premierë

Dy orkestrat frymore, ajo e Filharmonisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës do të prezantohen me një koncert të përbashkët, premierë, koncert që do të prezantohet më 4 nëntor, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ky koncert ka tre dirigjentë, si: Baki Jashari, Lirjona Sylejmani dhe Hajrullah Syla.

Për këtë koncert kanë njoftuar vetë organizatorët, ku edhe po e sjellim të plotë njoftimin.

*Kemi kënaqësinë të prezantojmë koncertin premierë të Orkestrës Frymore të Filharmonisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të sezonit 2021/2022. Koncerti organizohet më 4 nëntor 2021 (E enjte) prej orës 19:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Për të rezervuar ulësen tuaj shkruani e-mail në [email protected].

Vëmendje!

Në titull shkruani / Rezervim 4.11.2021 – Emri dhe mbiemri. Përmes një e-maili ju mund të rezervoni vetëm një ulëse. Për shkak të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19 bartja e maskës është e detyrueshme dhe për të hyrë në sallë ju duhet të posedoni një certifikatë vaksinimi ose test PRC jo më të vjetër se 72 orë. Dyert e sallës mbyllen në orën 19:00. / KultPlus.com

“Vendi i Gabuar” i Gazmend Kapllanit premierë në Athinë më 28 Nentor

Në fund të këtij muaji regjisori i njohur Pantelis Flatsousis i cili pas “Ndfilit Kombëtar” që prezantoi në Festivalin Epidaurus të Athinës 2021, vazhdon të eksplorojë kufijtë mes teatrit artistik dhe atij dokumentar, këtë herë ngjit në skenën e teatrit “Porta” shfaqen e bazuar në romanin “Vendi i gabuar” i autorit Gazmend Kapllanit.

Në “Vendi i gabuar” i Gazmend Kapllanit (2018), Karli dhe Frederiku, dy vëllezër nga Terce e Shqipërisë, një qytet fantastik që mbart gjurmët e forta të historisë ballkanike nga Perandoria Osmane deri në ditët e sotme, ribashkohen pas vitesh.Vellai i madh  ka ndjekur valën e madhe të migrimit të lindur nga shembja e bllokut lindor. Dhe ndërsa po përgatiten të varrosin babanë e tyre të vdekur, ata “gërmojnë” versione të papranuara të neveritshme dhe diametralisht të kundërta të së shkuarës.

Shteti grek që nga krijimi i tij është një qendër emigracioni. Njerëzit vijnë, njerëzit largohen, njerëzit qëndrojnë, jetët kryqëzohen dhe ndahen. Sidomos që nga fundi i Luftës së Ftohtë, Greqia ka qenë një vend pritës për emigrantët, njerëz që, duke u përpjekur të ndryshojnë jetën e tyre, ndryshojnë në të njëjtën kohë realitetin social të vendit pritës.

Si i pritën grekët emigrantët e fillimit të viteve ’90, por edhe si e formësuan vetë emigrantët jetën e tyre në vendin e tyre të ri? A e ka bërë fenomeni i emigracionit shoqërinë greke një shoqëri më gjithëpërfshirëse apo ka intensifikuar fenomenet fobike ndaj asaj që përkufizohet si e ndryshme nga narrativa dominuese.

Premiera “Vendi i gabuar”, bazuar në romanin me të njëjtin titull të Gazmend Kapllanit, e cila është në kontrast me historitë personale të aktorëve të shfaqjes, tenton të eksplorojë pyetjet e mësipërme dhe mënyrat sesi fiksioni ndërthuret me realitetin, individi me përvojën kolektive dhe historinë me të përditshmen.

Gazmend Kapllani ka lindur në vitin 1967 në qytetin e  Lushnjes. Në janar 1991 ai kaloi kufirin me Greqinë duke ecur me një karvan njerëzish. Në Greqi ka kryer punë të ndryshme ndërsa njëkohësisht ka studiuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Athinës dhe ka doktoruar në Histori dhe Shkenca Politike nga Universiteti Panteion. Që nga viti 2001 është bashkëpunëtor i rregullt i gazetës “Ta Nea”, ku mbante rubrikën e përjavshme. Librat e tij deri më tani janë përkthyer në anglisht, polonisht, danezisht dhe frëngjisht. Aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku emigroi pasi mori një bursë nga Instituti Radcliffe për Studime të Avancuara në Universitetin e Harvardit. Sot jep mësim në Universitetin DePaul në Çikago.

……………….

“Vendi i Gabuar”

Regjia : Pantelis Flatsousis

Teksti i performancës: Gazmend Kaplani & ekipi

Përkthimi i romanit “Vendi i gabuar”: Ilira Aliai

Dramë: Panagiota Konstantinakou, Elena Triantaphyllopoulou

Komplete-Kostume: Poulcheria Tzova

Dizajni dhe montimi i videos: Konstantinos Nisidis

Muzika: Henri Kergomar

Dizajni i ndriçimit: Nikos Vlasopoulos

Asistent regjisor: Sonia Kalaitzidou

Asistent Skenograf-Kostumografi: Sofelpi Staikou

Organizimi i prodhimit: Stella Manikati

Kontakt: Evangjelia Skrombola

Prodhimi: SPECTRUM AMKE

Aktorët: Elio Phoebus Bacon, Deborah Odong, Thomas Siekas

………………….

* Hyrja në teatrin Porta do të bëhet gjithmonë në përputhje me rregullat sanitare aktuale për hyrjen në hapësira thjesht të mbyllura. Konkretisht, spektatorët do të hyjnë pas një demonstrimi të detyrueshëm me hyrjen e certifikatës së vaksinimit ose certifikatës së sëmundjes, të lëshuar tridhjetë (30) ditë pas testit të parë pozitiv dhe vlefshmëria e saj zgjat deri në njëqind e tetëdhjetë (180) ditë pas asaj të kombinuar me letërnjoftimin e policisë. ose patentë shoferi ose pasaportë ose vërtetim tjetër identiteti, për të kryer kontrollin me pare.

……………..

Data e re e premierës: 28 nëntor 2021

Ditët e shfaqjes: e mërkurë, e enjte në orën 21:00 dhe e diel në orën 21:15

Kohëzgjatja: 90 minuta

Cmimi i biletes:18 euro

Μεσογείων 59, Αθήνα 11526, +30210 771 1333, http://www.porta-theatre.gr/, [email protected]/diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Sindikata e punëtorëve: RTK-ja do të kolapsojë me buxhetin e planifikuar nga Qeveria

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka reaguar ndaj buxhetit për të cilin thonë se Qeveria e Kosovës e ka ndarë për RTK-në.

Sipas tyre, në projektbuxhetin që e ka dërguar në Kuvend për vitin 2022, Qeveria i ka hequr RTK-së 2.2 milionë euro.

Sipas tyre, në këtë situatë, RTK do të kolapsojë, duke shtuar se edhe ashtu RTK ka pasur buxhet të vogël.

“Citim nga projektbuxheti për vitin 2022 pjesa për RTK-në: 12. ‘Për periudhën janar-dhjetor të vitit 2022, Radiotelevizionit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë RTK), i ndahen tetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë euro (8,960,0000 €), në kategorinë e shpenzimeve ‘Subvencione dhe Transfere’. Para secilit tremujor, RTK-ja do të dorëzojë në Komisionin për Buxhet dhe Transfere në Kuvend, programin e shpenzimeve të planifikuara. Në fund të çdo tremujori, RTK-ja do të dorëzojë në Kuvend raportin për shpenzimet e bëra. Mjetet sipas këtij paragrafi alokohen dhe transferohen nga Thesari në llogarinë të përcaktuar nga RTK-ja në bankë komerciale, sipas vendimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere”, thuhet në reagimin e tyre, duke cituar projektbuxhetin.

Sindikata u ka bërë thirrje drejtuesve të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, që gjatë dëgjimit publik dhe shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin 2022 ta korrigjojnë pjesën për RTK-në dhe të kthehet buxheti në lartësinë e caktuar sipas ligjit aktual të RTK-së.

“Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, shkurtimi i buxhetit të RTK-së është bllokim i punës së transmetuesit të vetëm publik në vend, duke pasur parasysh se këto ditë janë ngritur edhe çmimet e të gjitha produkteve. Në shumë vende po ndodh ngritja e pagave, ndërsa neve si RTK, po na shkurtohet buxheti dhe po rrezikohet funksionimi. Po ashtu rrezikohet edhe mirëqenia e kolegëve tanë dhe familjeve të tyre, andaj kërkojmë nga ju që ta ndryshoni propozimin e Qeverisë dhe ta ktheni buxhetin e RTK-së ashtu si ka qenë vitet e kaluara. Të nderuar, Sindikata do të organizojë takime me përfaqësuesit e Komisionit dhe deputetë, por nëse kërkesat tona nuk kanë efekt, ne do t’i përdorim rrugët ligjore e sindikale”, thuhet në reagim.