Shpëtim Selmani, kryetar i Kuvendit në Qendrën Multimedia

Shpëtim Selmani është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Qendrës Multimedia më shumicë votash për një mandat 3 vjeçar, shkruan KultPlus.

Gjatë takimit, me shumicë votash, Shpetim Selmani është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Anëtarëve të Qendrës Multimedia, në një mandat prej 3 vjetësh. Punimet e Kuvendit të Anëtarëve i ka përcjellur dhe monitoruar edhe Visar Morina, përfaqësues ligjor i INDEP-it. Qendra Multimedia mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Shpëtim Selmani është njëri ndër autorët më të spikatur të brezit të ri letrar në Kosovë. Shkruan poezi, prozë dhe drama. Me formim është aktor dhe ka luajtur role të ndryshme në teatrot e Kosovës. /KultPlus.com

Marshi protestues kundrejt marshit festiv!

Dita ndërkombëtare e gruas 8 Marsi, në Kosovë vazhdon të jetë një ditë e cila shënohet në dy mënyra, me marshin protesues dhe marshin festiv. Në mesditën e kësaj date, këtë vit rreth dhjetëra gra marshuan rrugëve të Prishtinës, në shenjë proteste kundër pabarazive gjinore me të cilat përballen gratë në Kosovë. Ndërsa, ndryshe vazhdon të shënohet mbrëmja e kësaj date, ku disa nga gratë kursehen nga orari i plotë i punës dhe në mbrëmje “marshojnë” drejt në restaurante për të festuar. Mjafton të hysh në faqet e Facebook-ut të disa prej restauranteve të Kosovës dhe të shohësh që numri i grave të cilat festojnë këtë datë është dukshëm më i madh në krahasim me numrin e atyre që marshuan. Madje disa nga restaurantet kishin mbyllur rezervimet qysh nga data 21 Shkurt. Ndoshta ky festim vije si mungesë e vetëdijësimit për simbolikën e saktë të 8 Marsit e cila e ka zanafillën më 8 Mars 1908, ku 15 mijë gra marshuan në rrugët e Nju Jorkut duke kërkuar orar më të shkurtë pune, rroga më të mëdha dhe të drejtë vote. Megjithatë është gabim të mendojmë se kemi të drejtë të gjykojmë mënyrën se si ato kanë zgjedhur ta kalojnë këtë ditë por është e rëndësishme ta shohim se cila është pozita e tyre dhe në çfarë kalojnë ato në 364 ditët tjera.

Kjo datë që në parim ka ngritjen e pozitës politike dhe ekonomike të gruas në nivel të barabartë me burrat , parashihet edhe në kornizën ligjore të Kosovës e cila ekziston në një lidhje të brishtë me zbatimin praktik në Kosovë, ku gruaja në disa raste ende shihet me një sy paragjykues dhe me një pozitë diskriminuese në jetën politike dhe në punësim. Megjithatë statistikat tregojnë se ka kaluar koha e dhënies së përparësisë për djalin në shkollim para vajzës, pasiqë 51 për qind e femrave janë në universitet, krahasuar më 49 për qind të meshkujve. Mirëpo, duket që tregu i punës ende është vend (bastion) i dominuar nga burrat, në të cilin përqindja e femrave të punësuara është vetëm 11.5 për qind.

Ligji për Barazi Gjinore kërkon përfaqësim në sektorin publik prej pesëdhjetë për qind për secilën gjini, por ky ligj është i papërfillshëm për realitetin kosovar si në nivel shtetëror, ashtu edhe komunal. Është e vështirë të flitet për avancimin e grave kur ato janë të pakta në pozitat vendimarrëse, aty ku përgjegjësitë dhe të ardhurat financiare janë më të larta. Në kabinetin e kryeministrisë janë vetëm tri gra, nga 21 ministri vetëm tri udhëhiqen nga gratë, kurse sipas Hulumtimit të Qëndres për Studime Gjinore del se komunat e Kosovës kanë vetëm 32 gra në pozita drejtuese nga 318 pozita gjithsej, madje ky hulumtim thotë se 14 nga komunat e Kosovës nuk kanë asnjë grua në pozita drejtuese.

Krahas institucioneve publike, gratë në Kosovë janë të diskriminuara edhe në rrethin e tyre të banimit sa i përket ndarjes se trashëgimisë brenda familjes, ku jo rrallë herë dëgjohet shprehja se “Vajza është e derës së huaj”. E drejta për të trashëguar është e drejtë themelore e gruas në Kosovë, e cila është e garantuar edhe me Ligjin për Trashëgiminë, prapë se prapë vetëm 3.8 për qind e femrave në Kosovë janë trashëgimtare të pasurisë familjare kurse pjesa tjetër e tyre zgjedhin të respektojnë ligjin e pa shkruar të traditës se deri tanishme ku trashëgimia ndahet mes djemve të familjes. Kjo bazohet dhe në statistikat e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës prej nga rezulton se 46.25 për qind e femrave heqin dorë nga pasuria për shkak të traditës. Veç kësaj edhe pasuria e krijuar gjatë martesës rrallë evidencohet si pronë e përbashkët e bashkëshortëve. Deri më tani vetëm 16 për qind e pronave janë të regjistruara në emër të femrave apo në bashkëpronësi. Kur gratë nuk trashëgojnë as nga babai, e as nga bashkëshorti në rastet e vdekjes së tyre ,gjendja e grave rëndohet dhe shpesh ato mbesin pastrehë.

Rastet e vrasjes së Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqi-Berisha të cilave ju kishte injoruar ndihma e kërkuar nga policia, e inkurajojnë edhe më shumë përpjekjen e grave për të ngritur zërin kundër dhunës ndaj gruas, e cila në shoqërinë tonë tradicionalisht ka kaluar në mënyrë të heshtur dhe me shumë arsyetime. Përjetimin e dhunës tek gratë kosovare e tregojnë edhe shifrat e RrGGK –së sipas të cilave 68 për qind e grave në Kosovë kanë vuajtur nga dhuna në jetën e tyre.

Hendeku për të arritur barazinë gjinore në Kosovë është ende vështirë i kapërcyeshëm, andaj problemet me të cilat ballafaqohen gratë nuk mund t’i neglizhojmë duke festuar një ditë dhe duke u përballur me to çdo ditë tjetër. Lufta për avancimin e gruas dhe për barazi gjinore duhet të jetë jo vetëm luftë e grave, por luftë e të gjithë shoqërisë dhe e të gjitha institucioneve. Vetëm kur ta kemi arritur barazinë gjinore, mund të festojmë për suksese të përbashkëta si shoqëri!/KultPlus.com

Eliza Dushku bashkë me vëllaun e saj me film, premiera në festivalin prestigjioz “Tribeca Film Festival”

Aktorja shqiptare Eliza Dushku dhe vëllai i saj Nate Dushku kanë bashkuar forcat që të realizojnë një film mbi fotografin e njohur amerikan Robert Mapplethorpe. Filmi nën direktimin e Ondi Timoner, dedikuar për njërin nga fotografët më kontraverzial në historinë amerikane do të këtë premierën botërore në, në Prill, shkruan KultPlus.

Premiera e filmit do të bëhet në kuadër të festivalit të njohur të filmit “Tribeca Film Festival”. Rolin e fotografit Robert Mapplethorpe do e luajë aktori Matt Smith i cili ka luajtur në serialet si “Dr. Who” pastaj “The Crown. Kurse aktorja Marianne Rendón do të luaje rolin e Patti Smith në këtë film.

Fotografi Mapplethorpe ishte i njohur për fotografitë e tij bardhë dhe zi që paraqesin një koleksion të gjerë temash nga vetë-portrete dhe lulet deri të ato nudo dhe BDSM. Ai vdiq nga SIDA në moshën 42 vjeçare./ KultPlus.com

Ilir Tafa për mediet serbe: Adem Jasharin mund ta luaj vetëm një aktor që ka së paku një Oscar

Zhurma e madhe mediatike, qoftë në Kosovë apo Serbi, mbi filmin që do të realizohet për komandantin legjendar Adem Jashar, me regji të Luan Kryeziut, po vazhdon edhe më tutje, shkruan KultPlus.

Mediet serbe, përkatësisht Show Buzz ka biseduar me aktorin e njohur Ilir Tafa, në lidhje me këtë cështje.

“Bota, përkatësisht ajo e kohës së re nuk njeh një hero më të madh se sa Adem Jashari. Lufta e tij, sakrifica e tij dhe e familjes së tij për liri, është një sakrificë që nuk e njeh historia e njerëzimit”, ka thënë Tafa.

“Ai është ikonë e lirisë së Kosovës, dhe liria është një vlerë universale, kështu që Adem Jashari është një hero i njerëzimit”, ka thënë Tafa.

Ai më pas ka dhënë edhe vlerësimin e tij se nëse Rade Serbedzija është aktori i duhur për këtë rol, duke pas fokusin e shumë deklaratave mediatike mbi këtë rol, Tafa ka dhënjë një mendim ndryshe.
“Rade Serbedzija është një aktor i shkëlqyeshëm, më i miri i ish Jugosllavisë, por jo aq sa të luaj rolin e Adem Jasharit. Për mendimin tim, për të luajtur këtë rol, ai aktor duhet të ketë së paku një Oscar”, ka përfunduar ai./KultPlus.com

Luan Kryeziu: Do ta porosisja Rade Serbedzien të bëhet njeri së pari, sepse paska mbetë serb

Shkruan: Luan Kryeziu

Serbet gjithnjë e gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën. Rade Serbetdzia edhe pse ka ndryshuar vendbanimin paska mbete serb në mentalitet.

Tani mua me arsyeton edhe më shumë kundërshtimin tim që ai nuk duhet të interpretoj në filmat shqiptar edhe pse kishte arsyetimin e bukur. Kjo gjithashtu vërteton dyshimin tim qe ai nuk vie këtu me një qëllim të mirë. Është krejt normale që ai ndjehet keq nga kundërshtimi im dhe duhet ta kundërshtoj gjithsesi deklaratën time, por nuk e kuptoj si mundet një artist i një ,,niveli te tillë” ta quaj Adem Jasharin dhe familjen e tij terrorist.

Do ta porosisja Rade Serbedzien të behet njeri së pari sepse paska mbetë Serb. Rade unë nuk jam i ri ne profesion sepse vetëm me një film kam 39 çmime të fituara. Kam pjesëmarrje në tri festivale të kategorisë së parë që ti nuk i ke edhe pse me moshë je më i madh. E vërteta nuk rrëfehet duke ofendu dhe duke mashtru opinionin.

E kuptoj arsyen nacionaliste serbe por nuk kuptoj pse tani një artist duke fshehur të vërtetën kërkon të thuhet një e vërtetë tjetër. E siguroj që me deklaratën e tij, kur e quan veten artist dhe i quan terrorist një familje të tërë të masakruar në shtëpitë e tyre nga një pushtet kriminel të cilin e luftoi bota përmes NATO-s, ka treguar që ndoshta ndonjë njeri mund të bëhet i famshëm dhe të luaj në filma, por nuk është dhe kurrë nuk do të bëhet artist.

Duhet ta kuptosh dhe ta pranosh që bota është e madhe dhe kurrë nuk kemi pasur nevojë për ndihmën tuaj as nuk do të kemi. Sot pas 17 vjet shtet ne artistet dhe sportistët e Kosovës kemi suksese më shumë se ju serbët në arenën ndërkombëtare. Prandaj pretendimi yt që unë kam nevojë për promovim nga ti nuk qëndron aspak, përkundrazi nuk më ndihmon por më bënë dëm./KultPlus.com

Nënë, o nënë

Poezi nga Rexhep Hoxha

Fjalë e ëmbël, shumë e lartë,
është fjala nënë;
Gjuhë e nënës është e artë,
nënë, o dritë e hënë.
Ajo është zemra e jetës,
që lind burra dheu;
Luftëtarë të së vërtetës
siç ishte Skenderbeu.
Lule e bardhë porsi dritë,
nëna është në botë;
Ajo natën e bën ditë,
t’i bëjë fëmijët e fortë.
Në shtëpi dhe fushë e arë,
derdhë djersën rrëkaj;
Të tërë trimat legjendarë
ishin në prehër të saj.
Ai shpirt i bardhë si dëborë
në jetë nuk pushoi;
Shpesh edhe me pushkë në dorë
për drejtësi luftoi.
Fjalë e njeriut, më e lartë,
që ka për të thënë;
Është fjala e zemrës s’artë,
nënë, o nënë, o nënë./KultPlus.com

Dua Lipa e rrethuar me shumë vajza, urojnë Ditën Ndërkombëtare të Gruas (VIDEO)

Dua Lipa ka vendosur që për Ditën Ndërkombëtare të Gruas të vizitojë muzeun, shkruan KultPlus.

Aty ajo është takuar me disa vajza të cilat po ashtu kanë vizituar muzeun. Kështu Lipa ka shfrytëzuar rastin që së bashku me to t’i urojë gratë për Ditën Ndërkombëtare të tyre.
Për më shumë mund ta ndiqni videon./KultPlus.com

Dua Lipa shkëlqen në koncertin e Melburnit (VIDEO)

Dua Lipa është prezantuar me një koncert në Melburn të Australisë, shkruan KultPlus.
Ajo është duke zhvilluar një tur të koncerteve në shumë vende të botës, ku më 7 mars është ngjitur në skenën e sallës gjigante të Melburn, ku shihet të ketë qenë e mbushur me fansa të Dua Lipës, shkruan KultPlus.

Dua Lipa në këtë koncert ka kënduar këngët hit të saj, duke përfshirë “Hotter Than Hell’ ‘Be The One’ ‘Blow Your Mind ‘IDGAF’.

Për më shumë mund ta shikoni atmosferën e krijuar nga Dua Lipa, ku KultPlus sjellë një video nga ky koncert.

Dua Lipa po konsiderohet një yll shpërthyes, e cila po shënon suksese në të gjitha anët e botës, poashtu ajo ka njoftuar që do të ketë një paraqitje edhe në Festivalin e Prishtinës, ku do të këndojë Dua Lipa bashkë me artistë të tjerë./KultPlus.com


Kur gratë gjakovare hoqën Ferexhenë

Guximi i viteve më të hershme ka qenë edhe më sfidues për gratë shqiptare, duke pas parasysh mentalitetin e asaj kohe.

Është pikërisht guximi i grave gjakovare që duhet të vlerësohet, të cilat, pikërisht më 8 mars të vitit 1945 hoqën ferexhenë. KultPlus ju sjellë fotografinë e këtyre grave./KultPlus.com

Thirrja për të ndihmuar Bekim Lumin shkon deri në New York, artistët e atjeshëm me koncert për regjisorin

Miqtë e regjisorit Bekim Lumi, të cilët jetojnë dhe punojnë në New York do të mbajnë një koncert me qëllim që të ndihmojnë regjisorin, shkruan KultPlus.

Riad Ymeri, Ergin Oda, Donika Ukshini-Gjokaj, Kushtrim Hoxha, Lori Miho, Bekim Qela, Lekë Salihu, Faton Macula, Taulant Mehmeti, Arens Leka, Angelo Miho, Shpend Xani, janë bërë së bashku për të ndihmuar artistin, të cilët bashkë do të performojnë më 26 mars.

Duke qenë se regjisori i njohur Bekim Lumi tash e dy vite po përballet me këtë sëmundje, dhe trajtimin i tij i mëtutjeshëm mjekësor po bëhet i papërballueshëm për buxhetin e tij familjar, artistët kanë marrë vendimin që ti ndihmojnë artisti.

Koncerti do të mbahet në Scandinavia House, 58 Park Ave, New York, NY. Tiketat do të mund të blihen në hyrje të derës kurse çmimi i tyre është 50 dollarë.

Paratë e mbledhura nga kjo natë do të përdoren për tu solidarizuar me regjisorin dhe profesorin Bekim Lumi, një artist që për vite me radhë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skenën artistike dhe teatrale si dhe edukimin e studentëve dhe artistëve të rinj. Ngjarje të tilla janë realizuar gjatë muajit të kaluar kurse do të vazhdojnë edhe gjatë këtij muaji./KultPlus.com

Biblioteka e New York-ut publikon fotografitë e emigrantëve, në mesin e tyre edhe një shqiptare (FOTO)

Ishulli Ellis në Amerikë ka shërbyer si portë për kalimin e më shumë se 12 milionë emigrantëve. Ishulli u bë pjesë e Monumentit Kombëtar të Statujës së Lirisë në vitin 1965 dhe mirëpret një muze të emigracionit që nga viti 1990. Kurse në mesin e fotografive të imigrantëve, që kohë më parë Biblioteka e New York-ut i ka publikuar, e të cilat janë më shumë se 100 vite të vjetra, gjendet edhe një shqiptare, shkruan KultPlus.

Lansimi i fotografive është bërë në kuadër të lansimit të mbi 180 mijë fotografive të digjitalizuara të cilat kanë qenë pjesë e librarisë.

Është vlerësuar se gjysma e të gjithë amerikanëve mund të gjurmojnë prejardhjen e tyre në të paktën një person që erdhi përmes ishulli Ellis. Fotografitë janë bërë nga Lewis W. Hine (1974-1940).

“Një grua shqiptare, që ka ardhur në Ishullin Ellis nga Italia -1905. Kjo grua mbanë të veshur kostumin e saj kombëtar. Ndonjëherë ishulli duket sikur një festë më kostume ballosh, me kostume shumë-ngjyrësh të kombeve të ndryshme”, është përshkrimi që e shoqëron fotografinë./ KultPlus.com

Degradimi i arsimit, është përgjegjësi vetëm e jona, dhe për këtë, do t’na gjykojë historia

Arsimi shqip, 7 marsin e njeh si ditëlindje të veten, datë kjo që i referohet Mësonjëtores së Korçës së vitit 1887. Sado që e vërteta për zanafillën e arsimit shqip, sipas shumë shpjegimeve dhe të dhënave historiografike, mund të jetë më ndryshe, kjo datë ka rëndësinë e vet të madhe historike.

Studiues të ndryshëm thonë se, themelet e arsimit shqip, duhet kërkuar me thellë në histori. Përshembull, studiuesi arbëresh, Francesko Altimari, në një ligjëratë që mbajti para disa vitesh në Prishtinë, kërkoi që zanafillën e arsimit shqip ta kërkojmë shumë më herët, duke përmendë këtu edhe shkollat te arbëreshët e Italisë. Ndër të tjera, ai tha se shkolla shqipe, ka më shumë se një shekull histori para shkollës së 7 marsit 1887. Nëse mendimin e Altimarit e analizojmë në përkim me historinë e zhvillimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare, ai ka plotësisht të drejtë.

Po ashtu, At Donat Kurti, në një studim të botuar në revistën “Hylli i Drites” më 1935, flet për një sërë shkollash që ekzistonin përgjatë shek. XVII në Shqipërinë Veriore, Mirditë e Shkodër.
Sidoqoftë, të dhënat historiografike tregojnë se, arsimi shqip, ka kaluar nëpër peripeci e sfida të jashtëzakonshme, dhe rruga e tij, ka qenë një rrugë kalvari: e hidhur, me ndalesa, përndjekje, persekutime, arrestime dhe vrasje.

Të kujtojmë vetëm faktin trishtues: Perandoria Osmane, në krye me Sulltan Abdul Hamitin, me 1779, lëshoi një dekret, me të cilin qe ndaluar dhe penguar gjuha, kultura dhe shkollimi shqip. Histori të tilla të reprezaljes dhe terrorit ndaj arsimit shqip, kemi pasë gjatë gjithë sundimit osman, por edhe në shekullin XX, sidomos në fund të këtij shekulli, kur Serbia hegjemoniste, dëboi shqiptarët nga objektet e tyre shkollore. Kjo periudhë, ka lanë plagë të thella në Kosovë.

Sot, kur kremtojmë këtë evidencë domethënëse- për ne dhe kulturën tonë- më shumë se kurrë kemi nevojë ta rikthejmë besimin te arsimi, si e vetmja armë që mund t’ na shpie përpara, si dritë që na ndihmon ta largojmë errësirën e madhe të padijes që mbizotëron mes nesh. Ashtu siç vepronin pishtarët e arsimit shqip, në Shkodër, Korçë, Stubëll, e gjetiu hapësirave shqiptare.

Pa dyshim, ne kemi nevojë për një shkollë të re të jetës- një shkollë të dashurisë dhe të kulturës së respektit për shtetin e kombin, për vlerat dhe civilizimin. Dhe, këtë, më së miri e ngjizim në shkollë. Te nxënësit. Me libra të mirë dhe kulturë jete e dashurie.
Duhet të jemi të vetëdijshëm: pa arsimin të shëndoshë, nuk ka shoqërisë të shëndoshë. Sepse, arsimi është fizionomia e një vendi, dhe burimi themelor prej ku formohet shoqëria humane. Prandaj, duhet të këndellemi, por pa e luajtë rolin e qaramanëve dhe të shfajësimeve banale.

Degradimi i arsimit, në kushte te sotme, kur jemi të lirë plotësisht, është përgjegjësi vetëm e jona, dhe për këtë, do t’na gjykojë historia. Për çdo ditë, duhet të mendojmë te parimi i mirënjohur: çka të mbjellim sot, korrim nesër.

Unë, sot dhe përgjithmonë, ndihem krenar që i përkas Stubllës, vendit ku u legalizua Shkolla e Parë Shqipe në Kosovë, e vitit 1905; shkollë kjo që, sipas shumë të dhënave dhe dëshmive, ka ekzistuar edhe më parë.

Si fëmijë dhe i ri, jam rritë me rrëfime të shumta për këtë shkollë dhe historinë e saj. Dhe, këto rrëfime, secili në mënyrën e vet, kanë ngjallë në mua ndjenja krenarie e përgjegjësie, dhe kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në formimin tim./KultPlus.com

Puqet tmerri i Kosovës me veprat e artistit zviceran, paraqitja e kësaj ekspozite përkon edhe me Epopenë e UÇK së (FOTO)

Thomas Hirschhorn solli një ekspozitë më të veçantë në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ekspozita si e tillë mblodhi përplot vizitorë që ishin të interesuar në çdo pamje që ishte varur në muret e Galerisë, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Në hyrje të Galerisë, aty ku ishte ekspozuar puna e tij, qëndronin shumë fotografi nën xham, të cilat krahas tyre kishin edh përshkrimin dhe sqarimin e autorit. Krejt kjo bënte që të njoftoheshe me punën dhe pikëpamjet e tij për “De-piksellimin”. Ai është kundër piksellimit- si formë e cila motivohet nga autoriteti. Arsye e kësaj është se “Sot më shumë se kurrë kam nevojë ta shoh çdo gjë me sytë e mi në botën tonë të vetme dhe askush nuk mund të më tregoj se çka mund të shohin apo të mos shohin sytë e mi”, shkruhet në njërën nga fotografitë.

Shumica e fotografive në katin e parë të Galerisë, përmbanin fytyra të gjakosura, trupa të shtrirë në rrugë, trupa fëmijësh e burrash. Shpesh këto imazhe i shohim të censuruara por artisti Thomas Hirschhorn e ka bërë të kundërtën e saj, ai e sjellë tmerrin e fytyrave të tyre të plotë, ndërsa mjegullon prapaskenën. Tmerri është fokusi i tij i qartë. Ai nuk e pranon pikësellimin e bërë në emër të tij për ta “mbrojtur” andaj shkruan “ai që pikësellon është në fakt duke e mbrojtur veten përderisa pretendon se po më mbron mua”, thotë Thomas Hirschhorn.

Arsyeja përse ai bën kolazhe dhe është i interesuar në pikëllim është për shkak të estetikës së tij të fuqishme dhe se fuqia estetike vjen në mes pjesës së pikëselluar dhe asaj të papikëselluar dhe nga logjika jo sistematike e pikësellimit. Ai thotë se pikësillimi në abstraksionin e tij arrin ta krijoi një formë të re. Qëllimi është të kuptohet se si një fotografi ekzistuese e publikuar mund të bëhet abstraksion.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Bunjaku- Agani në ceremoninë hyrëse u shprehi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve ndërsa tha se ndihen të nderuar që në GKK kanë artistin e njohur zviceran. Ajo këtë ekspozitë e cilësoi si historike.

“Iniciativa për këtë ekspozitë që mund ta klasifikoi si historike ka ardhur nga ideja për bashkëpunim me Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë. Iniciativa e përbashkët solli rezultat që ta ftojmë këtë artisti në muajin mars. Ai pranoi që të vij menjëherë në Kosovë, në një afat të shkurtër kohor, gjë qëështë e pazakontë për një artist me renome siç është ai. Si për ata edhe për ne Kosova është një vend interesant, vendi i ri me një histori plot dhunë dhe realitet të modifikuar”, u shpreh Bunjaku- Agani ndërsa shtoi se ideja që kjo ekspozitë është e hapur në muajin mars është sepse muaji jonë pasqyrohet në veprat e tij, muaji që simbolizon muajin e sakrificës.

Xhevat Bajrami nga Ministria e Kulturës, në emër të ministrit Kujtim Gashi, falënderoi artistin e njohur zviceran që ka ardhur në Kosovë në muajin e shenjt të Kosovës, në muajin kur Kosova feston Epopenë e UÇK-së ndërsa shtoi se punimet e tij promovojnë vlera artistike duke e shtuar krenarinë që këtu ardhur një artist i njohur zviceran.

Thomas Hirschhorn ishte ai që e mori fjalën i fundit ndërsa tha se ishte hera e parë që ai ka ardhur në Kosovë, ndërsa e cilëson si një vend të vogël por shumë të bukur. Ai e falënderoi Arta Aganin, kuratorin dhe të gjithë stafin e Galerisë që në mënyrë shumë efikase e bën të mundur këtë ekspozitë.

“Puna ime këtu përfshin punën që unë e kam bërë gjatë dy viteve të fundit. Më pëlqen të bëjë kolazhe sepse më pëlqen t’i marr dy elemente ekzistuese në krijimin e një punë të re. Shpeshherë bëj kolazhe sepse kolazhi asnjëherë nuk është tamam brenda kufijve, po ashtu bëj kolazhe sepse çdo njëri nga ne ka bërë një herë në jetë kolazhe”, u shpreh artisti Hirschhorn, ndërsa tha se ai e sheh piksëllimin si një mjet me të cilin mund ta konfrontoj botën dhe realitetit të tij.

Tashmë dyert e Galerisë Kombëtare të Kosovës do të qëndrojnë të hapura për të gjithë ata që duan të njoftohen me punën e artistit zviceran Thomas Hirschhorn./ KultPlus.com


“Rrugët e lirisë” ekspozita për Jasharajt që u prezantua në Muzeun e Kosovës (FOTO)

Sonte, në 20-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, në kuadër të shënimit të jubileut të ngjarjeve të marsit të 1998-tës, në ambientet e Muzeut të Kosovës u bë hapja e ekspozitës “Rrugët e lirisë”, e artistit Xhevdet Pantina.

Ekspozita, përmes ekspresioneve vizuale, paraqet tërësinë e fatit historik që përjetuan Jasharajt në Prekaz, i madh e i vogël në luftë kundër armikut. Simbolika e shprehur është edhe një kujtesë e rrugëtimit të popullit tonë për liri të cilës i priu heroi ynë i gjallë, komandanti legjendar Adem Jashari.

Në hapjen e ekspozitës morën pjesë personalitet të shumta të politikës dhe botës së artit, ndër ta zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ministrat Kujtim Gashi e Rrustem Berisha, kryetarët e Skendrajt Bekim Jashari, respektivisht i Drenasit, Ramiz Lladrovci ndër të tjerë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit u shpreh se me këtë ekspozitë nderojmë veprën, sakrificën dhe gjakun e Jasharajve me rastin e njëzet vjetorit të shënimit të Epopesë së UÇK-së, si dhe të gjithë dëshmorët e kombit, ata që dhanë gjithë çka që patën, edhe jetën e tyre, për lirinë e Kosovës.

“Jo rastësisht kjo ekspozitë ka këtë emërtim, për të kthyer në kujtesë, ta kaluarën e dhimbshme të popullit tonë, sakrificën sublime të komandantit legjendar Adem Jashari të familjes së tij e mijëra ushtarëve të UÇK-së, të qytetarëve tanë të cilët me gjakun e tyre hapën rrugën e lirisë të cilën e gëzojmë sot. Lufta e UÇK-së e zgjoi kudo krenarinë e botës shqiptare ku do që ata jetonin dhe vepronin”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi.

“Mbetet detyrim institucional që Kosova të mos e harroj të kaluarën e dhimbshme por të jemi të gatshëm që të ecim para, vendi ynë për të cilin u sakrifikuan shumë gjenerata e ka të ardhëm në duart e saj”, porositi ministri./KultPlus.com

Film për Ismail Kadarenë, Ibër Deari në rolin e shkrimtarit të madh

Regjisori Ben Apolloni është duke punuar në realizimin e një filmi artistik të metrazhit të shkurtë, që ka për bosht jetën e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, por duke përfshirë vetëm periudhën kur ishte i ri shkrimtari më i njohur shqiptar, shkruan KultPlus.

Apolloni ka thënë për KultPlus se skenarin për këtë film tashmë e ka të përfunduar, sikurse që ka përzgjedhur edhe aktorin, që në këtë film do të shndërrohet në një Kadare.

“Faktikisht, figura e aktorit më ka dhënë idenë për të bërë këtë film. Ai i ngjanë shumë, dhe më pas e kam zhvilluar edhe skenarin”, ka thënë Apolloni për KultPlus.

Bëhet fjalë për Ibër Dearin që do ti besohet ky rol në këtë film, që sipas Apollonit ka për synim që ta realizojë brenda këtij viti. Ai ka njoftuar se fondin për këtë film ende nuk e ka të siguruar, por sipas tij, është në kërkim e sipër./KultPlus.com

Ali Podrimja i shkruante Dritëro Agollit: Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin, të gjej ilaç për jetën e tij (DOKUMENT)

Elona Agolli, bija e shkrimtarit të njohur Dritëro Agollit, herë pas here po zbulon korrespondencën e babait të saj me të afërmit dhe miqtë e tij, shkruan KultPlus.

Së fundi, ajo ka zbuluar një letër që i ishte dërguar nga Ali Podrimja, në kohën sa e kishte të shtrirë djalin e tij Lumin, në një spital në Beograd.

Letra është e vitit 1979, dhe sipas Elenës, Ali Podrimja në atë kohë duhet të ketë qenë 37 vjeç.
Podrimja i drejtohej Dritëro Agollit me një lutje, se nëse mund ti gjej ndonjë mjek të mirë, për djalin e tij Lumin. Kurse letra ishte drejtuar Beograd-Tiranë.

Më poshtë po ju sjellim letrën e plotë të Ali Podrimës, që ia kishte nisur në vitin 1979, Dritëro Agollit.

I dashur Dritëro ,
Dëshiroja të jem me Juve, por qe ,më gjet kjo e keqe. Megjithë intervenimet e mëdha të mjekëve, fëmija im gjendet në një kotësi të thellë .
Ai nuk kishte ekinokokun, por tumor në brinin e shtatë të anës së majtë. Tmerr, tmerr dhe diçka e paparamenduar . S’di si do ta mashtroj dhe si do t’i tregoj Fitores; s’di si do t’i kaloj ditët me të.
I dashur Dritëro, nëse mundesh dhe nëse ke miq të mirë nga mjekët, të lutem interesohu dhe më lajmëro disi. Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin , të gjej ilaç për jetën e tij.
Këtë fotografi të Lumit ia jep Xhevairit.
Më fal , nuk po mundem më të shkruaj .
Ju dëshiroj çdo të mirë ty, familjes suaj dhe të gjithë shokëve.
Me dashuri vëllazërore
Ali Podrimja
30.10.79 , Beograd
P.S
30 tetorin do ta mbaj në mend si ditë të rëndë për familjen time .
Aliu
Kohë më pas , do të shkruhej e mrekullueshmja poezi “Lum Lumi”:



Lum Lumi
A thua është dita jote e fundit në spital
do t’i biem deri në fund a thua
edhe kësaj dite të lodhur në orën e familjes.

Nuk të kam sharë as nuk të kam rënë kurrë
vetëm të kam thënë; Ai në hapsirë atje larg jam Unë.

Në jetë, në art vrasësit më të mëdhenj janë frikacakët.
Mjeshtëria e tyre; gjuajtja në gabime, dhelpëria.

Ti mëso të duash vogëlush. Ti mëso të ecësh me këmbët e tua
mbi të keqen mbi të mirën, mendo me kokën tënde
kurrë mos pështyj në dashuri, as në pleh;
Mallkim i fisit.
Shkolla jote antike; të dish të çelësh derën e shtëpisë
Në çdo kohë,
Të dish të thuash fjalën kur duhet thënë.
Urrejtja është më e rëndë se vrasja.

Me ditë me shikon nga krevati i vjetër; spitali tepër i vogël
për dhimbjet e tua
për shtatë plagët e tua
për ditët, për netët e tua plot klithje.

spitali tepër i vogël
i vogël tepër spitali
nën te Danubi i thellë e i kaltër.
A thua tërë jetën do të na vijë era jod
sëmundje, murtajë
do pështyjmë gjak e vrer,
a thua tërë jetën t’i dezinfektojmë plaçkat, ëndrrat, fjalët.
A thua edhe këtë ditë do ta kalojmë në spital.
Të shikoj; në syrin tënd flaka, etja, qielli,
Në syrin tënd asnjë dredhi, asnjë mllef
pastërtia e syrit tënd më ka përpirë të tërin.
Në fund të syrit tënd
hap fatin tim të kobshëm.
Ai nuk jam Unë
Ai nuk je TI
Kush jam, kush je?
Syri yt mbyllet, dhe frëngjia në Kullë.
Poezia më e bukur ende s’është shkruar
as do të shkruhet
përderisa zhytësit ende jetojnë
Vogëlushi im, thellësia mashtron, vetëm largon nga e vërteta
dhe çdo fund është tragjik.
Po ç’ka aty poshtë në materie
Miu i Bardhë, antimateria.

Do të vijë koha kur do të më hapësh si një libër
të vjetër psalmesh
kur do të mësoj të ecësh nëpër pluhurin tim
por koha ecën shpeshherë në shpinë të breshkës.

A thua na u sosën fjalët, këngët,
na mundi ëndrra, udha,
a thua edhe kjo ditë po na lë me shpirt ndër dhëmbë.

Ti je më i madh, vogëlush, më i fortë se ky spital
për inat këtë ditë ta sosim deri në fund.
Lum Lumi.
– poezi nga Ali Podrimja

Diskutohet për bashkëpunime kulturore në mes Parisit dhe Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti së bashku me Ambasadorin francez në Kosovë Didier Chabert dhe me nënkryetarin e Komunës së Parisit, Christophe Girard biseduan për bashkëpunime të mundshme kulturore në mes Prishtinës dhe Parisit, shkruan KultPlus.

Komunën e Prishtinës e vizitoi dje nënkryetari e Komunës së Parisit, Christophe Girard, bashkë me Ambasadorin francez në Kosovë, Didier Chabert. Ata u pritën nga kryetari Shpend Ahmeti, nënkryetari Selim Pacolli, si dhe drejtorët Muhedin Nushi dhe Yll Rugova.

“Përgjatë këtij takimi u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, sidomos në sektorin e kulturës. Kësisoj, do të marrim shembuj të mirë nga Parisi si për mbrojtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, ashtu edhe për shfrytëzimin e hapësirës publike për projekte të ndryshme kulturore”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës./KultPlus.com

Në Festivalin e Poezisë në Zvicër edhe Sibel Halimi, Jeton Neziraj dhe Shpëtim Selmani

Një rrugëtim poetik – Kosova prezantohet në festivalin e njohur të poezisë në St Gallen të Zvicrës, shkruan KultPlus. Me shkrimet e tyre në këtë festival do të paraqiten nga Kosova: Sibel Halimi, Jeton Neziraj dhe Shpëtim Selmani, shkruan KultPlus.

“Bern është kudo” është një grup prej dymbëdhjetë autorësh dhe muzikantë zviceranë të cilët i ndërlidhin së bashku tekstin dhe muzikën, duke i sjellë së bashku në skenë. Ndërsa me “Kosova është kudo”, pas shtatë performancave në Kosovë, artistët nga Kosova do të paraqiten edhe në Zvicër.
Mbrëmja do të sjellë së bashku performuesit nga Zvicra: Laurence Boissier, Guy Krneta dhe Gerhard Meister kurse nga Kosova: Sibel Halimi, Jeton Naziraj dhe Shpëtim Selmani.

Në kuadër të prezantimeve Sibel Halimi do të paraqitet me poezinë “Copë” e cila trajton fatin e grave/viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Si dhe me poezitë: Zoti më dashuron mu, Shtëpia qenësia ime dhe Vdekja e bardhë. Festivali nisë më 22
dhe përfundon më 25 mars./KultPlus.com

Çohi Te Dekun

Poezi nga Gjergj Fishta

E n’kjoftë se lypet prej s’hyjnueshmes Mni,
Qi flije t’bahet ndo’i shqyptar m’therore,
Qe, mue tek m’kini, merrni e m’bani fli
Për shqyptari, me shue çdo mni mizore. –
Oh! edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rroftë,
E nami i sajë përjetë u trashigoftë!
Po: rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n’Dri
E porsi krandja e that n’nji flakada,
U shoftë me arë, me farë me mal e vrri
Kushdo shqyptar, qi s’brohoritë me za,
Kushdo shqyptar, qi s’brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!/KultPlus.com

Për gruan, Atifete Jahjaga e Alketa Xhafa Mripa do të flasin në Londër

Për të shënuar 8 marsin, Ditën e Gruas, Ambasada e Kosovës në Lodër, do të shfaqë dokumentarin “Mendoj për ty”, dokumentar që spikatë punën e madhe të artistes Alketa Xhafa Mripës, në projektin “Mendoj për ty”, shkruan KultPlus.

Gjithashtu të pranishmit do të kenë mundësinë që të diskutojnë me artisten kosovare, Alketa Xhafa Mripa, si dhe me ish-Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Mendoj për ty” është nismë e Alketa Xhafës, kushtuat grave të dhunuara në Luftën e fundit në Kosovë. Artistja vendosin vëmendjen e të gjithëve mbi këtë temë, kur mblodhi rreth 5 mijë fustaneve nga e mbarë Kosova për ti vendosur më pas ato në Stadiumin e qytetit në Prishtinë.

Presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga ishte e para që dhuroi një fustan, duke e vlerësuar nisëm e artistes dhe duke shprehur solidaritet me viktimat. Aktualisht, artistja Alketa Xhafa është duke punuar për rikrijimin e të njëjtit instalacion në Londër, por me dedikim tjetër, kështu që çdo donacion i veshjeve është i mirëpritur./KultPlus.com

Maks Velo siguron dosjen e ndjekjes ndaj tij, tronditet me atë që gjen

“Jam tronditur aq sa akoma nuk e kam lexuar gjithë materialin imtësisht, dua të qetësohem që të vazhdoj”. Ndonëse ishte në dijeni për shkaqet e asaj që i ndodhi, dinte edhe emra të atyre, që kishin firmosur kundër tij, të tjerë i kishte nuhatur, por t’i kishte në duar ato faqe, plot 250, nuk ishte e njëjta gjë.

Maks Velo tashmë po përballet me të shkuarën e vet, me persekutuesit e vet. Autoriteti për Informimin për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit i ka mundësuar të ketë në dorë dosjen e ndjekjes dhe dënimit të tij gjatë diktaturës. Ishte si të hapje Kutinë e Pandorës. Rreth 20 emra dilnin aty.

“Ndjeva një lloj çlirimi se dua të marr hak. Të kuptohemi, pa vrarë njeri, por vetëm duke i bërë të njohura publikut faktet, që të njohin secilin, qoftë edhe mbas 38 viteve”-thote ai.
Sipas tij, “Nuk ka asnjë denoncim nga arkitektët, nga zyrat ku punoja për 15 vjet. Është e çuditshme, se të gjitha akuzat i kisha nga piktorët dhe skulptorët”, tregon Maks Velo në një intervistë për gazetën “Panorama”.
Pasi më parë ka botuar disa faqe nga dosja e tij, duke përfshirë denoncime, informacione për Ministrinë e Brendshme, ekspertiza nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, madje edhe një deklaratë të tij në zyrat e hetuesisë, Velo rrëfen ndjesitë, që provoi kur mori në duar materialet.

Çfarë zbuloi që nuk e dinte në këtë dosje; si ia doli të mbetej gjallë në burg; të mos rekrutohej në radhët e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit; cili ka qenë reagimi i kolegëve-spiunë.

Ermonela Jaho në skenën e operas së New Yorkut

Sopranoja Ermonela Jaho po rrëmben duartrokitje në Metropolitan Opera në Nju Jork me rolin Ço Ço Sanit në operan “Madame Butterfly” të Puçinti.

Në datat 8, 13, 16 mars, Madame Butterfly ngjitet sërish në skenën e operës së New Yorkut si produksion i Antoni Mingelës, me regji e koreografi e Karolin Koa. Rolin e Ço Ço Sanit ia kanë besuar sopranos shqiptare Ermonela Jaho, një personazh i brishtë, i ndjeshëm me fund tragjik, të cilën Jaho e ka intepretuar edhe në skenën shqiptare.

Ermonela Jaho është rritur duke shpresuar se një ditë do të këndonte Cio Cio Sanin dhe tanimë që ajo e arriti duket se gjithmonë kur ngjitet në skenë përjeton ëndrrën e saj. Kështu e përshkruan kritika muzikore njujorkese.

“Madam Butterfly” tregon historinë e Butterflait, që beson verbërisht te dashuria e një oficeri detar, një amerikan cinik i quajtur Pinkerton. Por, pas martesës, Pinkerton shkon në shtëpi në Amerikë. Kur Butterfly e zbulon që njeriu që ajo donte është kthyer përsëri me gruan e tij amerikane dhe do të marrë përgjegjësinë e djalit që ajo lindi pas largimit të tij, ajo i jep fund ëndrrës së saj perëndimore dhe kryen harakiri.

Bie shikueshmëria e ceremonisë së Oscar-it

Ceremonia e çmimeve Oscar sivjet tërhoqi audiencën më të vogël televizive të regjistruar ndonjëherë në SHBA.

Sipas të dhënave të rrjetit televiziv ABC, i cili e transmeton drejtpërdrejt ngjarjen, ajo ka pasur 26.5 milionë shikues, krahasuar me 32.9 milionë në vitin 2017, raporton REL.

Këto shifra, megjithatë, nuk përfshijnë shikueshmërinë digjitale.

Edicioni i 90-të i Oscar-it u zhvillua të dielën, ndërsa çmimin për filmin më të mirë e mori drama romantike “The Shape of Water” e regjisorit Guillermo del Toro.

Ceremonia e Oscar-it, ngjarjes më të rëndësishme në industrinë e filmit, transmetohet qysh në vitin 1953, ndërsa audienca matet qysh më 1974.

Rrënohet shtëpia që kishte vlera historike, shkencore, artistike, identiteti, ekonomike dhe funksionale

Në Qendrën Historike të Prizrenit është rrënuar shtëpia e familjes Hisarit, e cila gëzonte mbrojtje me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit. Kjo shtëpi është e listuar në shtojcën II të këtij Ligji përkatësisht Monumentet Kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit. Aty shkruan se shtëpia e Hilmi Hisarit i takonte shekullit XIX.

Sipas informatave fillestare të marra nga autoritetet lokale të trashëgimisë kulturore shtëpia ka qenë në gjendje jo të mirë për banim. Kësisoj institucionet ëshë dashur që me kohë të angazhohen në dy drejtime: për sigurimin e jetës së banorëve dhe po ashtu për mbrojtjen e monumentit.

Kjo shtëpi sipas hulumtuesve kishte vlera historike, shkencore, artistike, identiteti, ekonomike dhe funksionale.

EC Ma Ndryshe deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren, e sidomos në Qendrën Historike të qytetit dhe përsërit sërish qëndrimin se është çasti i fundit që organet shtetërore të veprojnë në mënyrë serioze për zbatimin e plotëtë legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur, gjithnjë duke e përfillur në radhë të parë nevojën për sigurinë e jetës së qytetarëve, thuhet ne komunikaten e leshuar nga EC Ma Ndryshe ./KultPlus.com