Vdes suedezi që me paratë e tij botoi libër për helmimin e shqiptarëve

Ka vdekur suedezi Göran Wassenius. I ndjeri ishte interesuar, kishte shkruar libër për helmimin e nxënësve shqiptarë gjatë viteve të nëntëdhjeta, botimin e të cilit e kishte bërë me paratë e veta, ka thënë publicist që jeton në Suedi, Shqiptar Oseku, i cili edhe e ka dhënë lajmin për vdekjen e tij.

Më poshtë është reagimi i plotë i Shqiptar Osekut

Më fal, miku im!
In memoriam Göran Wassenius
(9 shkurt 1939 – 14 nentor 2017)
Göran Wassenius ishte mësues gjimnazi këtu në Suedi kur mbërrimë ne, vala e parë e ikanakëve shqiptarë nga Kosova, në fund të viteve 1980. Ishim të traumatizuar, tē varfēr, të dezorientuar. Të çuditshëm. Mendoj nganjëherë, athua si u jemi dukur popullit qē na dha strehë.
Göran Wassenius ishte nga ata humanistë grasroot që pikasi saktë dhunën prapa traumës, padrejtësinē prapa varfërisë, e izolimin prapa dezorientimit. Ai na pa jo ashtu siç ishim, por ashtu si na kishin bërē.

Në dekadën që pasoi, kur u vendos fati i Kosovës, Göran Wassenius ishte zë i fuqishëm i humanizmit dhe arsyes në opinionin suedez. Ai u angazhua në pritje sa më humane të ikanakëve kosovarë, shkroi artikuj pa numër për ne ikanakët dhe për terrorin që sundonte në Kosovë, e kundër paragjykimeve sociale, etnike e fetare që ngrejnë kokën kudo ka dyndje ikanakësh.
Pas çlirimit të Kosovës, Göran Wassenius iu përkushtua me vite zbardhjes së helmimit të qēllimshëm të nxënësve e personelit shkollor në Kosovë nē mars 1990. Bëhet fjalë për një ndër episodet më të errëta e më morbide të terrorit serb mbi shqiptarët e Kosovës, të cilin, mjerisht, nuk e njohin as shumë shqiptarë dhe sot e kësaj dite.

Ai bëri hisen që i kish ngarkuar vetes, megjithatë. Më 2009 ai botoi librin Den mystiska sjukdomen (shqip përaf. Sëmundja.e mistershme) dhe pagoi nga xhepi i vet një sajt interneti me të njëjtin emër, ku përshkruan saktë helmimin e qëllimshëm të fëmijëve shqiptarë nga Serbia.
Ai aty identifikon 7421 pacientë, nga mosha 2 vjeç gjer 66 vjeç. Shqyrton llojin e helmit të gjetur, analizat toksikologjike, arsyet dhe kontekstin politik të kohēs, reagimet e botës, propagandën serbe për gjoja “psikozë histerie masive”. Por me pedanterinë e mësuesit të gjimnazit, përmend edhe faktin se ndër të helmuarit ishte edhe një pacient serb. Një polic.

Kisha rasti tē bashkëpunoj ca me zt. Wassenius rreth asaj pune dhe më kujtohet si ankohej për mosinteresimin qē haste te shqiptarët. “Ky helmim duhet të ketë muze, monografi, të jetë pjesë e kurrikulave nē shkolla”, më thonte netve të vona në telefon. Çfarë t’i thoja. Nuk dija çfarë t’i thoja. Nuk do të dija çfarë t’i të them as sot.

Më vjen turp por duhet ta pranoj, se ajo kauzë e tij ishte dhe arsye pse unë i rrallova kontaktet me të. Ndieja siklet tē madh kur dëgjoja kërkesat e tij të arsyeshme, ndërsa e dija mosinteresimin e autoriteteve tona. Më thyente përbrenda ai siklet. Sikur tash qē më thyen ndjenja e fajit. Duhej të të kisha ndenjur pranë, miku im. Duhet ta kishim ndarë atë siklet bashkë. U tregova i lig ndaj teje, pse kisha dhe kam një atdhe të lig.

Jo, nuk e di as sot se çfarë do t’i thoja z. Wassenius. Mirëpo, e di fort mirë se çfarë dua t’u them autoriteteve në Kosovë, e në Shqipëri. Dua t’ju them se emrin Göran Wassenius meriton ta ketë një një shkollë, a një rrugē, a një sokak diku në Kosovë, e në Shqipëri.
Dua t’u them se i keni shumë borxhe historisë sonë, qytetarëve tanë. Por ju lutem shumë të keni dinjitet, që të mos u mbetemi borxh atyre qē dhanë për ne pa na patur gjë borxh.
Më fal, miku im! Sa rroj do të të kujtoj.
Libri për helmimet nga G Wassenius https://www.bokus.com/…/97891862071…/den-mystiska-sjukdomen/
Sajti për helmimet nga G Wassenius
http://denmystiskasjukdomen.se/sv/
Një nga artikujt pro Kosovës nga G Wassenius
http://www.fria.nu/byline/goran-wassenius/KultPlus.com

Adelina Ismaili i rikthehet skenës, nesër me performancë në Gjilan

Këngëtarja e njohur shqiptare Adelina Ismaili ka kohë që nuk është ngjitur në skenë, shkruan KultPlus.
Mirëpo, një gjë e tillë do të ndodhë nesër, ku Adelina Ismaili ka vendosur të paraqitet me një performancë në Kosovë,përkatësisht në Gjilan.

Vetë ajo ka konfirmuar që do të këndojë më 16 nëntor në Gjilan.

“Miq!
Neser me date 16.11.17 ora 16:30h shihemi ne Gjilan te Luta!
Palestra e Sporeve “Bashkim Selishta-Petriti””, ka treguar Adelina Ismaili./KultPlus.com

Vetën e vrasim përditë

Vetën e vrasim përditë
në tavolina
të pista kafenesh
në rrjeshta
të ndytë gazetash
në qarqe
prapësish, intrigash
vritemi
në një vdekje të ngadaltë
dhe, oh, zot,
s’arrijmë ta kuptojmë vetëvrasjen tonë
vjen pastaj një cast
merr revolverin
këmbëza
nuk hiqet
ke vdekur prej kohësh
i vdekuri nuk vetvritet./KultPlus.com

Veprat e Van Gogh-ut thyen barrierat e ekspozimit tradicional të artit

Ekspozita ndërkombëtare “Van Gogh Alive” ka hapur dyert në Athinë, ku organizatorët kanë thënë se duan të thyejnë barrierat e perceptimit tradicional të artit, transmeton albinfo.ch.

Në dhoma të errëta e të mëdha, vizitorët rrethohen me më shumë se 3 mijë imazhe të punës së artit të piktorit holandez Vincent Van Gogh, të cilat projektohen nëpër ekrane gjigante, mure, dysheme dhe kolona të ndryshme, të shoqëruara me muzikë.

Sipas web-faqes së ekspozitës, edhe grafika multimediale, zërimi kinematografik kualitativ, si dhe afro 40 projektorë të cilësisë së lartë janë përdorur për të krijuar këtë ekspozitë. Organizatorët kanë thënë se duan të largojnë “idetë e paramenduara” kur vizitohen ekspozitat nëpër muze, ku duhet të shikosh vjedhurazi dhe në heshtje galeritë e artit, ndërsa kryeveprat gjithmonë vëzhgohen vetëm nga distanca.

Yannis Moustakas, nga kompania ekspozuese greke “Lavris Ltd.”, ka thënë se ideja është që vizitorët të rrethohen nga arti dhe të shkëmbejnë mendimet dhe ndjenjat e Van Goghut. Me një fjalë, të hyjnë në kokën e tij./KultPlus.com

Për 73 vjetorin e Çlirimit të Tiranës, ekspozitë në Muzeun Hsitorik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar dhe piktori Rakip Shabani hapin të premten, në ora 18.00, ekspozitën me titull “Tirana urbane grafike”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë hapet në kuadër të 73-vjetorit të Çlirimit të Tiranës dhe do të përmbajë 33 punë në grafikë për Tiranën e para viteve ’40, ku paraqiten vendet arkitektonike dhe turistike të qytetit të Tiranës, si Ura e Tabakëve, Ura e Brarit, pazari etj./KultPlus.com

Konferencë shkencore mbi shqipen dhe zhvillimin e saj

“Gjuha shqipe, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja” ka qenë motoja me të cilën u zhvillua në Jena një konferencë shkencore, organizuar nga Shoqata e Miqësisë gjermano-shqiptare (DAFG)

“Gjuha shqipe, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja” ka qenë motoja me të cilën u zhvillua në Jena një konferencë shkencore, organizuar nga Shoqata e Miqësisë gjermano-shqiptare (DAFG). Konferenca zhvilloi punimet e saj më 10-11 nëntor në ambientet e Universitetit Friedrich-Schiller, në Jena.

Koncepti i menduar mirë nga organizatorët dhe cilësia e kumtesave mundësuan që harku kohor midis epokave të hidhej me sukses edhe brenda kohës së shkurtër në dispozicion për natyrën e temave, shkruan deutsche welle. Ishte një zgjedhje jo rastësore që për të kaluarën e shqipes referuan në konferencë dy figura me të cilat identifikohet albanologjia dhe historiografia gjermane për Shqipërinë: Prof. Wilfried Fiedler dhe Dr. Michael Schmidt-Neke.

Studimet dhe analizat e tyre për shqipen dhe shqiptarët janë prej dekadash e deri sot pika të sigurta reference, si për profesionistë ashtu edhe për kureshtarë që duan të mësojnë në Gjermani dhe jashtë saj më shumë për botën shqiptare.

Zhvillimin e vrullshëm të shqipes në dekadat e fundit dhe perspektivat e mundshme të zhvillimit të saj, organizatorët kishin zgjedhur t’i trajtonin duke ftuar të referojnë nga njëra anë një mësues dhe një përkthyes dhe nga ana tjetër dy shkencëtarë të rinj: mësuesin e shqipes në Gjermani, Muhamet Idrizi dhe përkthyesin Vëllaznim Haziri si dhe gjuhëtarët e rinj: Dr. Henry Ludwig dhe Dr. Lumnije Jusufin.

Olluri, bartësi i temës humane

Saranda Buzhala

“Bartësi i shpirtrave të përzënë”, nga shkrimtari dhe studiuesi Adil Olluri, bart shumë art, duke e futur lexuesin në një aureolë figurash e trajtash, për të nxitur leximin e tij me një frymë. Shquhet për narracionin, personazhet dhe motivet, që na vijnë si shkrirje mjeshtërore të njëra-tjetrës.
Tema e madhe e luftës së fundit në Kosovë, e afron dhe njëjtëson me banorin e këtij vendi, duke hapur një plagë të madhe në një letër të bardhë. Toposi dhe koha-ngjarja rrjedh vetëm brenda disa ditëve në roman, por ajo e nënkuptuara është disamuajshe, ndërtojnë imazhe dhe përfytyrime reale.

Romani shquhet për gjuhën, figuracionin, temën dhe motivet. Gjuha është e përshtatshme për karakteret e personazheve dhe tipike për nivelin e tyre intelektual dhe mendor. Valdetja, në njërën anë fliste si “grerëz”, me thumba dhe në dialekt, pa menduar shumë për goditjet e mundshme të fjalëve të saj, e Bardhyli, në anën tjetër, fliste me maturi dhe qetësi, që përkonte po ashtu me tipizimin e tij mashkullor nga ana e autorit si njeri me përgatitje për jetë dhe profesion.

Romani përshkohet nga llojllojshmëri figurash-nga ato prozaiket deri tek ato poetiket. E, ndër më të spikaturat ishin epitetet, kur autori për të mos iu referuar pushtuesit me emrin e tyre shume të urryeshëm “serb” ose “shkja”, zgjedh t’i referohet si uniformëkaltër ose kapelëkaltër, që zbut sadopak qasjen kontekstuale ndaj tyre në tekst. Sa i përket temës, mund të them se autori prek një dhembje të madhe, për ta ofruar si një imazh tekstual përmes rreshtash, si një përjetim tejkohor, që sa herë të lexohet, gjallërohet. E, motivet janë të shumta- nga ato imcaket deri tek ato që për t’u realizuar kërkojnë mjeshtëri. Ai niset nga motivi familjar-si dashuri dhe dhembshuri-për vajzën, babanë, vëllanë e gruan; ai profesional-si respekt për profesorin, i cili, ndonëse s’kishte pasur ndonjëherë ndonjë mendim kushedi çfarë për Bardhylin, ai vazhdonte ta respektonte në veçanti; motivi i pushtimit-i shoqëruar na një indinjatë ndaj të huajve, që donin t’i zaptonin rrugët që ai i kishte shkelur sa e sa herë, motivi i jetës-si frikë dhe tmerr për mundësinë humbjes së saj dhe pamundësinë e kontrollimit.

Personazhi i Ollurit është vrojtues. Ai merr pjesë jo duke qenë aktiv në ngjarje dhe ndodhi, por duke i vrojtuar dhe pasur qëndrim për ato. Madje, Bardhyli ka edhe këndin e tij vrojtues. Çdo ditë, teksa pinte cigaren, ai i afrohej dritares, duke e hapur vetëm një pjesë shumë të vogël të perdes, nga e cila si panoramë i del para rruga, që e kishte shkelur sa e sa herë. Nga ky kënd vrojtimi ai madje do të bëhet dëshmitar edhe i skenës së përgjakshme të vrasjes së dy të rinjve. Bardhyli do të vrojtojë edhe trokitjet e derës, duke mos pasur guxim ta hapë atë, duke dalë në pah në këtë formë edhe mosguximi apo frika si një tipar dallues i tij. Mirëpo, si anë tjetër e medaljes na pasqyrohet Valdetja, e cila, edhe pse vrojtuese në roman sikurse Bardhyli, do të tipizohet si dominuese dhe larg mentalitetit patriarkal. Por, pikërisht roli dominant i saj, dhe fakti që ajo ka një qëndrim për çdo fenomen dhe domosdo ka të drejtë, e bëjnë bartëse tipike të mentalitetit dhe mendësisë së gruas shqiptare. Nëse ndalemi pak tek elementi patriarkal, shohim që autori e zhvesh frymën e romanit të tij nga kjo dogmë jetese ndër shqiptarë, duke u nisur nga disa elemente: së pari, autori zgjedh që fëmija i tyre të ishte vajzë, dhe jo djalë, siç mund të dëshirohej në një familje shqiptare. Ata e duan pa masë kaçurrelsen e vogël dhe bëjnë çdo gjë për ta lumturuar atë. Pastaj, Bardhyli, si karakter, nuk përshkohet në asnjë neuron të tij nga patriarkalizmi, duke bartur një frymë shumë të barabartë dhe të lirë. Kurse, Valdetja, posedon çdo të drejtë dhe liri të një gruaje evropiane, ajo punon, flet e menaxhon. Olluri i tipizon personazhet e tij, duke u dhënë karakteristika dhe veçori, përmes të cilave ata ndërtojnë karakterin.
Digresioni është metoda ndihmëtare e Ollurit, përmes së cilës ai do të ndërpresë kronologjinë e ngjarjes. E realizimin e saj e bën përmes ëndrrës. Tani, koshienca dhe subkoshienca e Bardhylit ndeshen, duke u ballafaquar realiteti me frikën e tij më të madhe. Ai, gjatë gjithë rrugëtimit të tij me tren, pret momentin se kur do të hyjnë policët serbë për ta marrë. Dhe, posa e zë gjumi, në ëndërr ai do të përjetojë një episod të tij, ku, përveç gjithë tmerrit, ai do të jetë shkaktari edhe i shpëtimit të jetës së një të riu. Frika e tij dhe mosguximi, si vetëdije, dhe veprat e tij të mundshme heroike, si pavetëdije, dyzohen, për të dhënë një episod interesant brenda romanit.

Ndër më të veçantat e romanit është edhe narracioni fund krye në vetën e dytë, që e bën Ollurin novator dhe vë në pah zotësinë e tij prej shkrimtari. Kurse, shëtitja, herë në një kohë të pakryer, e herë në një kohë të kryer, vë në një teh realen, si diçka të kryer dhe pamundësinë për ndërhyrje në të, dhe idealen, si një peng të tejkohshëm. Pra, kohët ndeshen dhe shkëmbejnë mes vete faktin dhe atë që i mbetet një të ardhmeje të mundshme fiktive.

Olluri zgjedh ta bëjë fundin fillim dhe fillimin fund. Kjo teknikë bëhet qëllimshëm nga ana e tij, sepse, duke e skalitur çdo fjalë të shtypur në roman, ai ia lë luksin lexuesit që të shijojë artin dhe të mos ngarkohet me mendimet mbi fatin e personazheve. Dhe, bën shumë mirë me këtë zgjedhje, ngase romani ka tension, art e mjeshtëri, që nuk e lëshojnë lexuesin dhe i falin atij katarsisin gjatë procesit të leximit./KultPlus.com

Ndriçim Ademaj në Tiranë për një natë poezie

Ndriçim Ademaj këtë të premte do të interpretoj poezitë e tij në një mbrëmje poetike brenda hapësirave të Kafe Muzeumit “Komiteti” duke filluar nga ora 19:00 , shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje Ndriçimi do të sjellë disa nga krijimet e tij më të dashura ndërsa do të mirëpres të gjithë ata që e duan poezinë dhe vargjet e tij.

Kafe Muzeumi “Komiteti” i cili edhe e organizon këtë mbrëmje në paralajmërimin e kësaj ngjarje ka shkruar se ndonëse jemi në kohën e “followers” dhe “friendsave” dixhital kjo mbrëmje do të mbahet për të gjithë ata që duan dhe jo për ata që ndjekin. Përveç të tjerash atmosfera do të shoqërohet edhe nga një performancë muzikore me kitare në sfond./ KultPlus.com

U hap edicioni i 20-të i Panairit të Librit “Tirana 2017”

Me një ceremonie të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve sot është hapur edicioni i 20-të i Panairit të Librit “Tirana 2017”, ku shtëpitë botuese shqiptare për disa ditë me radhë do të prezantojnë për publikun botimet e tyre.

Në panairin që mbahet nga data 15-19 nëntor dhe që organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë, marrin pjesë dhe Instituti “Yunus Emre” në Tiranë, ku do të prezantohen botimet e institutit, si dhe materiale promovuese për Turqinë.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, gjatë ceremonisë së hapjes së panairit tha se politikat e shtetit për librin duhet të jenë të drejtuara tek lexuesi.

“Sot hapet një aktivitet, që nuk duhet të jetë aktivitet fjalimesh, por leximesh. Duhet të lëmë lexuesit, autorët, përkthyesit, pastaj botuesit dhe institucionet në shërbim të tyre për një gjë që më duket shumë e rëndësishme në komunikim përmes leximit. Pa lexues nuk ka as botues, as autorë, as përkthyes, vdes edhe libri vetë. Duhet një punë shumë e madhe bindëse dhe edukative me lexuesin më shumë sesa në burimin vetëm të botimit që është më shumë pjesë e profesionalizmit”, u shpreh Kumbaro.

Duke folur për dixhitalizimin e fondit të librave në Bibliotekën Kombëtare, Kumbaro tha se lexuesit përveç librit prej letre duhet të përdorin edhe librin elektronik.

“Është pjesa më e madhe e shoqërisë që duhet të përdorë librin, dhe jo domosdoshmërish vetëm librin prej letre, por dhe librin elektronik. Në Bibliotekën Kombëtare ne kemi 20 fishuar numrin e faqeve të dixhitalizuara të fondit që kemi në biblotekë në harkun e tre viteve, të cilin përpiqemi ta promovojmë dhe t’ja japim nxënësve dhe të rinjve edhe në smartfonin e tyre. Unë luftën time kryesore e kam me kohën në favor të lexuesit”, theksoi Kumbaro.

Në këtë panair marrin pjesë edhe shtëpitë botuese nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj. Panairi i Librit është një ngjarje e rëndësishme kulturore për adhuruesit e librave ku marrin pjesë rreth 87 shtëpi botuese./KultPlus.com

Elegji për babanë

Poezi nga Fatos Arapi

Ti nuk je më.
As do të na shohësh,
as do të shohim,baba, më kurrë.
Ti nuk je më..
Emrin tënd e mori ky gur,
Vdekja – si vdekje ,
gjithmonë e dhimbshme,
gjithmonë e verdhë…
Me një kordhele
tufa kujtimesh në zemër na lidh.
Tufa kujtimesh
edhe elegjish.
Jam i trishtuar dhe më mori malli.
Dhe mbi trishtime e mall duke ecur,
ngjita rrugën e ngushtë të fshatit.
Shtyva derën e varrezës së vogël
dhe t’erdha te varri…
C’fjalë të pathëna do të më fiasësh?
C’fjalë të reja dëshiron të dëgjosh?
Prej këtij varri
tani, baba, c’do të më japësh?
Atë ditë të thatë janari:
përpara teje Halil Alija
e mercenari.
Prapa shtëpia në zjarr e flakë

Duart e tua në pranga,
plak i ngartë?
Erdha të marr
cfarë perket prei këtij varri.
Kujtime të dhimbshme.
Vuajtje krenare.
Ti mos më thuaj:
“Biro… ianë të trishtuara”.
Baba i gjorë!
Unë, pa ato,
do t’isha në jetë edhe më i trishtuar.
Dhe kur të vdes
s’dua asgjë
vec një varr të thieshtë.
Atje në bregdet,
ku nëpër net
bisedojnë yjet me qiparisat.
Dhe fjalë të kaltra
flet e shprëndan
deti matanë.
Fjalët që i njohim,
që i kuptojme,
unë
me babanë…/KultPlus.com

“The scream” e shqiptarit Thomas Simaku do të transmetohet në BBC Radio 3 (VIDEO)

Premiera botërore e Thomas Simakut, “The Scream” do të transmetohet në BBC Radio këtë të hënë,shkruan KultPlus.

Orkestra e Koncertit të BBC-së do të dirigjohet nga drejtori i muzikës së King’s College ,Stephen Cleobury. Thomas Simaku në kuadër tij këtij programit shkruan.

‘Piktura e Edvard Munch ishte impulsi kryesor për të shkruar këtë pjesë – pra titullin. “Ulërima e tij e heshtur”, e cila përhapet (dhe mund të dëgjohet), përtej kohës dhe kornizës së pikturës, më dha një akord për rezonancë me kohët tona moderne”.

Muzika e Thomas Simakut ka arritur audiencat në mbarë Evropën, SHBA-në dhe më tej për më shumë se dy dekada, dhe puna e tij është vlerësuar për veçantitë ekspresive dhe përzierjen e saj unike të intensitetit dhe modernizmit. Veprat e tij janë përzgjedhur nga juritë ndërkombëtare në jo më pak se nëntë botime të ISCM World Music Days kurse ai ka qenë pjesë edhe festivale të tjera ndërkombëtare duke përfshirë Huddersfield, Tanglewood, Miami, Zagreb-Bienal, Weimar, Mynih, Romë, Viitassari (Finlandë), Alea III Boston, Pekin, Innsbruck (Austri).

Muzika e tij është transmetuar në mbarë botën, përfshirë radio stacione të tilla si BBC Radio 3, SËR2, MDR, Deutschlandfunk (Këln), Amsterdam Radio 4, ORF (Austri), Australian Broadcasting Corporation (ABC), RNE (Spanjë) , etj./ KultPlus.com

Këtu mund të ndiqni një performancë të veprës së Thomas Simaku, nga Filharmonia e Kosovës.

Shtëpia botuese OMSCA-1 botoi librin “Antologjia e poezisë kuvajtiane”

Këto ditë u botua nga shtëpia botuese OMSCA-1 libri “Antologjia e poezisë kuvajtiane”, e përkthyer nga Kujtim Morina, ish ambasadori i Shqipërisë në Kuvajt. Kjo antologji është përgatitur nga Haifa Al Sanousi, shkrimtare dhe psikio-terapiste, aktualisht pedagoge në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Kuvajtit dhe është botuar fillimisht nga Qendra për Kërkime dhe Studime e Kuvajtit.

Antologjia në shqip është botuar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Janë përfshirë kryesisht poetë kuvajtjanë të shekullit 20 dhe emra të njohur të kësaj poezie si: Fahad Al Askar, Ahmed Al Saqqaf, Ahmed Al Advani, Suad Al Sabah, Abdullah Al Otaibi, Abdulaziz Al Babtain, etj.

Botimi “Antologji e poezisë kuvajtiane”, ndihmon për një njohje të konsiderueshme të krijimtarisë së poetëve kuvajtianë. Këtu përfshihen poezi që pasqyrojnë realitetin që sundoi në Kuvajt gjatë viteve të paqes e të luftës. Ato janë dëshmi dhe produkt i kohës së tyre dhe shërbejnë si një pasqyrim i ideve individuale dhe kolektive dhe provojnë që fama e Kuvajtit nuk bazohet vetëm tek nafta. Ajo është tek mendimi, arti, letërsia dhe karakteristikat e tjera të qytetërimit bashkëkohor arabik./KultPlus.com

Rron Qena me ekspozitë personale (FOTO)

Veprat e tij konsiderohen shumë të veçanta dhe pikërisht magjia e tyre është rrumbullakuar në një ekspozitë personale të artistit Rron Qena, shkruan KultPlus.

Qena do të prezantohet me ekspozitë në Galerinë Monet në Prishtinë, dhe datat për këtë ekspozitë janë rezervuar prej 21 nëntorit kur është edhe hapja dhe veprat e tij mund të shihen deri më 4 dhjetor. Kjo ekspozitë është titulluar “Fading”/KultPlus.com

Vetëm brenda katër ditëve, albumi i Taylor Swift me shitje marramendëse

Albumi i fundit i Swift “Reputation”, vetëm në javën e parë të publikimit ka arritur të shes më shumë se një milion kopje, sipas Nielsen Music, përcjellë KultPlus.

“Reputation” është albumi i katërt i njëpasnjëshëm i këngëtares, debutime të tjera të suksesshme përfshijnë albumin “2014” të publikuar në vitin 2014, “Red” i cili u publika gjatë vitit 2012 dhe albumi “Speak Now” i publikuar në vitin 2010.

Ylli i popit Taylor Swift është e vetmja artiste që ka arritur të shes miliona kopje të albumeve të saj brenda një javë që kur muzika e Nielsen filloi të gjurmojë shitjet e albumeve në 1991. /KultPlus.com

Në Udinë të Italisë do të festohet 105 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë

Në Udinë më 25 nëntor do të festohet 105 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ngjarje do të organizohet në Sallën Madrassi në Via Gemona 60, shkruan KultPlus.

Shënimi i kësaj date historikë vjen nën organizimin e Shoqatës Italo-Shqiptare INSIEME së bashku me Dialogun Kreativ, ndërsa në të do të marrin pjesë shkrimtarja: Anilda Ibrahimi, gazetari Antonio Caiazza kurse koncerti festiv do të prezantohet nga interpretimi i Scutari Orcestra.

Ngjarja do të hapet duke filluar nga ora 17:45 me një debat ku do të bisedohet për Shqipërinë bashkëkohore duke e lidhur me pjesë të historisë së saj. Këtu do të jenë pjesë dy shkrimtarët të jashtëzakonshëm, shkrimtarja Anilda Ibrahimi me prejardhje nga Valona e cila ka imigruar në Itali në vitin 1997, dhe gazetari Antonio Caiazza. Me këtë rast shkrimtarja Ibrahimi do të paraqes librin e saj të fundit “Emri yt, premton”.

Më pas kjo mbrëmje do të vazhdoj me koncertin v nga i Scutari Orcestra i cili do të drejtohet nga Bardh Jakova, në përbërje të rreth njëzet muzikantëve të tjerë. Kurse në kuadër të këtij organizimi do ta paraqitet edhe një ekspozitë./ KultPlus.com

Mbi 40 mijë vizitorë në ekspozitën me artefakte të Kosovës në Beograd

Mesatarisht një mijë vizitorë në ditë e kanë parë ekspozitën në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd, në të cilën janë ekspozuar artefakte të Kosovës.

Për 46 ditë prej se është hapur “Trashëgimia artistike serbe në Kosovë e Metohi: Identiteti, rëndësia, rrezikimi” atë e kanë vizituar 46 mijë veta, ka njoftuar të martën kjo akademi, raportojnë mediat serbe, shkruan sot “Koha Ditore”.

Siç është shkruar në një njoftim të këtij institucioni që është organizator i ekspozitës, “për shkak të interesimit të madh, ekspozita do të mbahet e hapur deri më 26 nëntor”.

Me këtë ekspozitë, Akademia Serbe e Shkencave synon që “t’ia kujtojë publikut vendës e atij botëror që populli serb jeton në Kosovë e Metohi tash më shumë se një mijë vjet, dhe prej kohës së Stefan Nemanjes e deri më sot, pandërprerë kultivon krijimtarinë e shumanshme artistike”.

Po të martën ka njoftuar se katalogu i kësaj ekspozite është botuar edhe në anglisht, përderisa ka paralajmëruar edhe dy botime.

Gjatë luftës Serbia ka marrë prej Kosovës mbi 1.200 artefakte. Pos “Hyjneshës në fron”, asnjëri prej tyre nuk i është.

Aktori shqiptar Gent Bejko hapë Art Gallery në Montreal

Më 17 nëntor është hapja e Art Galllery në Montreal, qendër kjo e cila është themeluar nga aktori shqiptar Gent Bejko, shrkuan KultPlus.

Bejko ka treguar për KultPlus se hapja e kësaj qendre do të bëhet me artistët: Entela Konomi, Gent Bejko, Mishel Kociu dhe Xhoi.

Ai ka thënë se kjo qendër nuk dedikohet vetëm për komunitetin shqiptar, por edhe atë kanadez, dhe po sipas tij, është një Art Gallery por që përfshinë edhe klasë aktrimi, pikture…
Art Gallery është quajtur “Ambigu”./KultPlus.com

Paparacët duke fotografuar macen e Bill Clinton

Është fotografi e vitit 1992 ku shihen fotografët që kanë rrethuar macen e BillClinton, shkruan KultPlus.

Kjo fotografi ka qarkulluar shumë nëpër medie, duke vlerësuar presionin që i është bërë ish presidentit të SHBA-ve Bill Clinton po nga paparacët, duke vlerësuar se nëse një presion i tillë është ushtruar mbi macen e familjes Clinton,imagjinojeni interesin e tyre për vetë presidentin./KultPlus.com

MTV EMA lanson videon me prapaskenat e ceremonisë me Rita Orën (VIDEO)

Rita Ora ishte nikoqirja e një ndër ngjarjeve më të mëdha të Londrës, atë të MTV EMA, shkruan KultPlus.

Dhe pikërisht prapaskenat e kësaj ngjarje që ka për fokus Rita Orën, MTV EMA i ka lansuar nëpërmjet një video, ku shihet një pjesë e madhe e përgatitjes së Rita Orës për këtë ceremoni.

Për më shumë mund ta shihni në videon më poshtë./KultPlus.com

Nëntori do të shpalosë “Ditët e Kulturës Shqiptare në Zvicër”

Një ekspozitë dhe një shfaqje teatrale janë përfshirë në Ditët Kulturore Shqiptare që do të mbahen në tri vende brenda Zvicrës duke përfshirë: Bern, Gjenevën dhe Winterthur, shkruan KultPlus.

Ekspozita që do të prezantohet është kolektive që përfshinë artistët: Arsim Berisha, Avdi Hajdari, Kushtrim Sylejmani, Urim Berisha e Visar Kryeziu,kurse shfaqja me titull “Stacioni 17b” që do të shfaqet në këto tri qytetet është me regji të Ben Apollonit.

Poashtu në kuadër të këtyre mbrëmjeve do të ketë muzikë, kurse datat që do të prezantohen këto projekte janë: 17 , 24 dhe 26 nëntor. /KultPlus.com

Parashihet që ky film të ketë së paku shtatë nominime për Oscar (FOTO/VIDEO)

Steven Spielberg është regjisori që bën bujë me filmat e tij, dhe sikurse filmat e tij më të hershëm edhe ai i fundit pritet të rrënojë filmat e tjerë konkurrues për çmimin prestigjioz Oscar, shkruan KultPlus.

Ai është kthyer me filmin “The Post”, ku me rolet e tyre luajnë aktorët super të famshëm : Tom Hanks e Meryl Streep.

Tashmë kanë filluar kritikat e para mbi këtë film, të cilët supozojnë që ky film më së paku mund të ketë shtatë nominime për çmimin Oscar, duke përfshirë: skenarin më të mirë, filmi më i mirë,muzika më e mirë,regjia, aktorët kryesorë…

Premiera e këtij filmi pritet të mbahet më 22 dhjetor,kurse çmimet e Oscar do të kenë ceremoninë në muajin shkurt të vitit 2018./KultPlus.com

“Flutura mes gjinjve” nga Mira Meksi

“Flutura mes gjinjve” e kthen shkrimtaren Mira Meksi tek gjinia e tregimit dhe novelës. Në një intervistë për emisionin “Bibliotekë” nga Arta Marku, autorja rrefen dashurinë e saj për tregimin, këtë gjini të mënjanuar, por më e vështira dhe e këndshmja njëkohësisht.

Pas romanit “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” dhe dy novelave të botuara vitin e kaluar shkrimtarja këtë vit ka vendosur ti dhurojë lexuesit tregime.

“Botuesit sot vrapojnë, ose japin direktivat e tyre për romanin. Unë jam shumë e favorshme ndaj tregimit për shumë arsye” spjegon Mira Meksi. “Është një nga gjinitë më të bukura të letërsisë, por edhe më e vështira” shton ajo.

Vëllimi me tregime “Flutura mes gjinjve” botuar nga Onufri sjell tregime mbi dashuritë e fajshme që trondisin nga themelet besimin te vetë dashuria. “Unë kam lëvruar dhe lëvroj tregimin analitiko hulumtues që është dhe tregimi që ka lëvruar Boresi i madh. Ka raste kur unë gjatë të shkruarit i shkoj pas një fenomeni, ngjarjeje, emri deri sa detyrohem të hap lexoj shumë”.

Sipas kritikeve, shkrimi i Mira Meksit është një nga shembujt e shkëlqyer të investigimit letrar, të tejkalimit të rrëfimit tradicional dhe të krijimit të një tregimi të ri në letërsinë shqipe ku gërshetohen elemente të esesë, realizmit magjik dhe tregimit neofantastik. “Flutura Mes gjinjve” është një nga titujt e rinj në Panairin e Librit.

UP- ja me procedurë të re gjyqësore kundër Kishës Ortodokse

Gjykata e Apelit në Prishtinë ka konfirmuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin hapësira prej 4 hektarësh brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i takon Kishës Ortodokse Serbe, përkatësisht kishës “Shën Nikolla” në Prishtinë. Aktvendimin tashmë e ka marrë Universiteti i Prishtinës , konfirmojnë zyrtarët e Rektoratit të këtij universiteti.

Pikërisht, në hapësirën e kontestuar nga Universiteti i Prishtinës, gjatë viteve 90 -të të shekullit të kaluar, në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviqit, kishte nisur ndërtimi i kishës “Krishti shpëtimtarë”, e cila nga shqiptarët e Kosovës shihet si objekt i ndërtuar me qëllime politike.

Universiteti i Prishtinës konsideron që hapësira në të cilën është ndërtuar kisha, është në shfrytëzim nga universiteti, tash e 50 vjet me radhë.

Në vitin 2012, Universiteti i Prishtinës, kishte nisur procesin gjyqësor për pronësinë e tokës, gjegjësisht kërkesën që toka e kontestuar t’i kthehet nën pronësi universitetit.

Më 26 dhjetor të vitit 2015, Universiteti i Prishtinës kishte marrë një aktvendim të parë të Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku konsiderohej e tërhequr padia e Universitetit të Prishtinës kundër të paditurës Kishës ortodokse “Shën Nikolla”, për vërtetim të pronësisë. Për faktin se në seancën gjyqësore kishte munguar përfaqësuesi ligjor i Universitetit të Prishtinës, Gjykata Themelore kishte konfirmuar pronësinë e Kishës ortodokse serbe “Shën Nikolla”.

Sekretari i përgjithshëm i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar se në kohën kur ka arritur ftesa nga Gjykata Themelore, në universitet ka pasur protesta të studentëve, të cilat kanë pamundësuar rrjedhjen normale të informimit për ftesën nga gjykata. Rrjedhimisht, universitetit i ka ikur data për tu paraqitur në gjykatë.

“Ne menjëherë kemi dërguar reagimin tonë, sipas ligjit siç parashihet, për ta arsyetuar mungesën tonë në këtë seancë. Fatkeqësisht kjo nuk është marrë në konsideratë dhe nxirret një vendim më 18 janar 2016, ku hidhet poshtë kërkesa e paditësit për të qenë në gjendjen e mëparshme. Njëkohësisht kemi dërguar edhe në Gjykatë të Apelit një kërkesë të tillë, e cila tani ka ardhur, me datën 31 nga Gjykata e Apelit, e cila po ashtu e hedhë poshtë, si të pabazuar, ankesën e përfaqësuesit, me arsyetim që nuk ka mundur të marrë pjesë. E vërtetoi vendimin e shkallës së parë, të Gjykatës Themelore”, thotë Kelmendi.

Megjithatë, Kelmendi thotë se ende nuk ka përfunduar e gjithë çështja dhe se universiteti do ta dorëzojë deri në fund të kësaj jave do të kërkojë që procesi gjyqësorë të kthehet në pikën zero.

“Menaxhmenti aktual, përsëri do ta iniciojë procedurën pranë Gjykatës Themelore. Do të ngritë padi të re, sepse fatmirësisht, hedhja poshtë e padisë nuk nënkupton humbjen e të drejtës për padi të re. Universiteti i Prishtinës është duke e përgatitur dosjen dhe besoj që deri në fund të javës do ta kemi padinë e re pranë gjykatës kompetente, për të kërkuar të drejtën tonë, në mënyrë që kjo pronë e uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme, t’i kthehet në shfrytëzim UP-së dhe studentëve të saj”.

Siç thotë Kelmendi, gjatë kohës sa ka zgjatur kontesti gjyqësorë, Universitetit të Prishtinës i është dashur të shmangë një varg projektesh për ndërtimin e objekteve të ndryshme në kampusin e saj.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe nuk kanë dashur ta komentojnë vendimin e Gjykatës së Apelit, e as paralajmërimet e Universitetit të Prishtinës për inicimin e një procesi të ri gjyqësor, por kanë theksuar se dëshirojnë që kjo çështje të rregullohet paqësisht.

Lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit, kanë reaguar drejtuesit e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Përmes një komunikatë ata e kanë thënë se “legjitimimi i veprimeve të paligjshme të periudhës së Millosheviqit, në rastin e pronës së Universitetit të Prishtinës, por edhe në raste të tjera të ngjashme, është turp për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës”.

Gjithashtu, drejtuesit e këtij Fakultetit Filozofik, e kanë kritikuar menaxhmentet e Universitetit të Prishtinës , të viteve 2015 deri 2017 për, siç thuhet, papërgjegjësi, e cila “është e patolerueshme, si dhe dëmton pronën dhe kredibilitetit” e universitetit.

Imzot Dodë Gjergji ka ndezur qirinjë te varri i Nënës Terezë në Kalkutë, njërin nga qirinjtë do ta sjellë në Katedralen e Prishtinës

Në ditën e tretë të shtegtimit të Imzot Dodë Gjergji në Kalkuta të Indisë, ipeshkvi kremtoi meshën tek varri i Shën Nënë Terezës, në bashkëmeshim me argjipeshkvin e Kalkutës, Imzot Thomas D’Sousa, në prani të motrës eprore të Misionareve të Dashurisë, m. María Prema Pierick, bashkësisë së motrave dhe laikëve vullnetarë, shkruan KultPlus.

Gjatë meshës me Bashkësinë e Misionareve të Dashurisë në Kalkuta, ipeshkvi shprehi kënaqësinë e tij që ka mundësi të kremtojë këtë meshë në këtë vend të shenjtë e plotë bekime. Ai në fjalën e tij e shpjegoi arsyen e shtegtimit dhe të pranisë në mesin e motrave të Shën Nënë Terezës:
“Jam këtu për të falënderuar Zotin për Nënë Terezën. Për të falënderuar Gonxhen tonë që pati guximin ta fillojë dhe t’i prijë një revolucioni të ri ndër ju, që është revolucioni i bamirësisë dhe i mëshirës.Në lutjen time këtu e kam edhe popullim tim, që është populli i Nënë Terezës, që kjo bijë dhe nënë e shenjtë të jetë në zemrat e secilit për t’u ba në ta dritë bamirësie dhe shkëndijë paqeje, për të cilat kemi nevojë në mesin tonë”, ka thënë ai.

Pasi kremtuan meshën e shenjtë bashkë me bashkësinë e motrave, njerëzve vullnetarë të pranishëm, Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji ndezi qirinj tek varri i Nënë Terezës dhe u ndal në lutje, bashkë me argjipeshkvin D’Sousa dhe Eproren e Misionareve të Dashurisë M. María Prema Pierick. Njërin nga këta qirinj të ndezur, do ta sjell ipeshkvi në Katedralen “Nëna Tereza”, në Prishtinë./KultPlus.com